Denis Mukwege dhe Nadia Murad – fitues të çmimit Nobel për paqe

Denis & NadiaKomiteti Norvegjez i Nobelit, shpalli të premten fitues të çmimit Nobel për paqe, Denis Mukwege dhe Nadia Muradin, për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund dhunës seksuale si armë e luftës.

Në arsyetimin e komitetit thuhet se Nadia Murad është një nga rreth 3 mijë vajzat dhe gratë Yazidi, që ishin viktima të përdhunimeve dhe abuzimeve tjera të grupit militant Shteti Islamik. Abuzimet ishin sistematike dhe pjesë e strategjisë ushtarake dhe ato u shfrytëzuan si armë në luftën kundër pakicës Yazidi dhe pakicave tjera fetare.

Nadia Murad, është dëshmitare që ka rrëfyer për abuzimet e kryera ndaj saj dhe të tjerave. Ajo ka treguar guxim të pazakontë në rrëfimin e vuajtjeve të saj dhe të viktimave të tjera, thuhet në arsyetimin e komitetit.

Mjeku Denis Mukwege, ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij duke ndihmuar viktimat e dhunës seksuale në Republikën Demokratike të Kongos. Ai dhe personeli i tij kanë trajtuar mijëra viktima të sulmeve të tilla.

Ai ka ka dënuar në mënyrë të përsëritur mosndëshkimin për përdhunimet masive dhe ka kritikuar qeverinë kongoleze dhe vendet e tjera që nuk kanë bërë sa duhet për të ndaluar përdorimin e dhunës seksuale ndaj grave si një strategji dhe një armë lufte.

Çmimi për paqe është i katërti që ndahet sivjet pas shpalljes së fituesve në fushën e mjekësisë, fizikës dhe kimisë më herët gjatë javës. Të hënën pritet të ndahet çmimi për fushën e ekonomisë.

Çmimi mori emrin nga zbuluesi i dinamitit, Alfred Nobel, që ishte edhe themelues i tij dhe është ndarë që nga vitit 1901 për arritjet në shkencë, letërsi dhe paqe, sipas amanetit të tij.

Çmimi për letërsinë nuk do të ndahet këtë vit për shkak të një skandali seksual në Akademinë Suedeze. (voa)

RS fitorja e vetme serbe e viteve 90-të

Dodoc VucicCilat janë raportet mes Beogradit dhe Banja Lukës në prag të zgjedhjeve në B-H? Dhe a ka dallime mes kandidatëve serbë atje?

Për të kuptuar raportet e strukturave serbe në Beograd me ato në Bosnjë-Hercegovinë, duhet të kuptohen edhe lidhjet e Serbisë me Republikën Serpska. Në promovimin e librit „Bosanski rat” (Lufta në Bosnje), në mars të vitit 2012, tani i ndjeri Dobrica Qosiq pati thënë: „Libri është mbrojtje e lirisë sime të shprehjes së mendimit, të drejtave kombëtare në Republikës Serpska, që ishte fitorja e vetme, ndonëse e shtrenjtë, e popullit serb në shekullin 20.”

Amaneti i Qosiqit

QosicSa për shpjegim: Tek të drejtat e njeriut dhe ato kombëtare serbe në B-H përfshihen vetëm ato në Republikën Serpska. Qosiqi thoshte se projekti i Karaxhiqit dhe Millosheviqit ka qenë “i shtrenjtë” (nuk i di se për cilin çmim fliste Qosiqi, ndonëse jam i sigurt se nuk ka folur për numrin e joserbëve të vrarë dhe të dëbuar), dhe këtu me siguri e kishte fjalën për fitoren e vetme ushtarake dhe politike në pjesën e dytë të shekullit të kaluar.

Nëse e përkthejmë këtë në një gjuhë më të kuptueshme, do të thotë se nuk janë realizuar idetë që kufijtë serbë të shkojnë deri në Karlobat, por serbët e kanë fituar Republikën Serpska. Ajo është krahas Kosovës vendi i vetëm ku gërshetohen ndjenjat nacionale serbe, pavarësisht dallimeve ideologjike. Qosiqi e ka thënë hapur ate që e mendon shumica e serbëve.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka marrë në amanet këtë paradigmë të ish-udhëheqësve serbë dhe nga kjo ka krijuar formulën e vet: Ai e respekton B-H, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial të bazuar në Marrëveshjen e Dejtonit, por e do – Republikën Serpska. Kjo ambivalencë e Vuçiqit nuk është asgjë e re në skenën politike të Serbisë. Bërthama racionale e diskursit të tij paqësor i dedikohet fqinjëve, Evropës dhe botës. Njëkohësisht dërgon edhe sinjale dashurie ndaj serbëve në B-H.

Formulimi i Qosiqit për RS, si fitoren e vetme serbe të viteve 90-të, në Beograd kuptohet si një dashuri mes vutesve nga njëra dhe ana tjetër e Drinës dhe asgjë më shumë.

Raportet Vuçiq-Dodik

Jo shumë largë, para gjashtë vitesh, Milorad Dodik ka mbështetur në zgjedhje ish-presidentin Boris Tadiq, ndërsa krerët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit i quante „dështakë politikë”. Vuçiqi katër vjet më parë ishte larguar nga partia e tij e mëparshme radikale. Dodikun e quante asokohe “kriminel dhe idiot”.

Kohët ndryshojnë. “Krimineli i rëndë dhe idioti”, ka qenë më pas disa herë në vizitë të Vuçiqi. Kohët e fundit janë shpeshtuar vizitat ku ai është pritur përzemërsisht.

Me 18 janar në Beograd ata kanë biseduar për “çështjet e rëndësisë nacionale”. Me një shkurt, për projektet në infrastrukturë. Ndërsa me 15 shkurt Dodiku i ka dhënë mirënjohje Vuçiqit. Marsi është kaluar për shkak të vizitës së Vuçiqit në Bosnje-Hercegovinë dhe takimit me krerët e Presidencës së B-H dhe Kroacisë.

Në prill kanë vazhduar takimet, së pari në Beograd e pastaj në Trebinjë. Në qershor Dodiku ishte për vizitë në Beograd e dy javë më vonë edhe në Kralevë. Takime kishte edhe në korrik, gusht…

Fokusi i takimeve

Çdo takim është mbajtur para kamerave televizive. Mediat nën kontrollin qeveritar në Begorad dhe Banja Lukë transmetonin mesazhet e tyre. Politikanët tjerë të RS e kanë pasur të vështirë të depërtojnë deri tek Vuçiqi. Anëtari i deritanishëm i Presidencës, Mladen Ivaniq është nevrikosur kaq shumë me prezencën tepër të madhe të Dodikut në Beograd, sa që mori guximin t’i bëjë thirrje Vuçiqit që të mos përzihet në zgjedhjet e B-H. E Vuçiqi i tha se kjo nuk është e vërtetë, por kërcënoi se pas zgjedhjeve do të bëj publike “disa të dhëna shokuese”. Vuçiqi këtu mendon në përzierjet e perëndimorëve në zgjedhje, por mbetet të shihet se cilat janë argumentet e tija.

Mbështetja mes vete

Beogradi dhe Banja Luka janë duke mbështetur njëra-tjetrën. Krerët e RS bllokojnë rrugën e B-H drejt NATO-s si dhe njohjen e Kosovës, që janë interesat strategjike të Beogradit. Dodiku nuk ka nevojë të sillet si Vuçiqi në balancimet e tija mes Brukselit dhe Moskës. Ai me parullat e tija populiste forcon retorikën rusofile. Ai e ka dëshmuar këtë edhe në takimet e tija me presidentin Putin.

Beogradi bllokon nga ana e tij çdo përpjekje për ndryshimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Gjendja e tanishme gjysmë-invalide e B-H konsiderohet si forma e vetme legjitime e këtij vendi. Vuçiqi kur thotë se e respekton sovranitetin dhe integritetin territorial, mendon tek respektimi i Marrëveshjes së Dejtonit.

Beogradi dhe RS i dërgojnë boshnjakëve të njëjtat mesazhe – në B-H ata për statusin e serbëve nuk mund të pranojnë asgjë ndryshe nga Marrëveshja e Dejtonit. Vuçiqi është shoqëruar me Dodikun kaq shumë gjatë këtij viti, sa që të gjithë e kanë të qartë se cilin serb e mbështetë në RS. Por mes Dodikut dhe opozitës serbe atje nuk ka dallime ideologjike, ndaj nuk ka ndonjë dallim tepër të madh se kush do të jetë në pushtet. (dw)

SHBA, akuza ndaj rusëve për hakerim kompjuterash

Departament of JusticeTë enjten, Shtetet e Bashkuara ngritën akuza ndaj shtatë oficerëve të zbulimit rus për komplot me qëllim hakerimin e kompjuterave dhe vjedhje të dhënash në një përpjekje për të delegjitimuar Organizatën Ndërkombëtare Kundër Dopingut dhe publikuar emrat sekret të zyrtarëve që zbuluan një program dopingu për atletët sponsorizuar nga shteti rus.

Akuzat për konspiracion me qëllim mashtrimin kompjuterik, keqpërdorim, transferta të paligjshme dhe pastrim parash erdhën disa orë pasi autoritetet holandeze akuzuan Rusinë për kryerje të sulmeve të shumëfishta kibernetike, përfshirë një ndaj Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.

Zyrtarët holandezë njoftuan të enjten se në muajin prill ata kapën katër anëtarë të shërbimit të zbulimit ushtarak rus me pajisje spiunazhi pranë selisë së kësaj organizate e më pas i dëbuan ata nga vendi.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike po hetonte helmimin e ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij gjatë një sulmi në Britani. Moska ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Zyrtarët holandezë thanë se nuk ishte e qartë nëse sulmi kibernetik lidhej me hetimin.

Ministria e Jashtme ruse i hodhi poshtë akuzat duke i cilësuar ato si “fantazi”.

Britania dhe Australia kanë akuzuar gjithashtu Rusinë për veprimtari keqdashëse kibernetike, duke thënë se agjentët rusë vunë në shënjestër Agjencinë Botërore Kundër Doping-ut si dhe zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Britania dhe Australia kanë akuzuar gjithashtu Rusinë për veprimtari keqdashëse kibernetike, duke thënë se agjentët rusë vunë në shënjestër Agjencinë Botërore Kundër Doping-ut si dhe zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. (voa)

Tiranë: Banka Botërore vlerëson ekonominë shqiptare

BBBanka Botërore tha sot në Tiranë se gjysma e rritjes ekonomike të Shqipërisë për gjysmën e parë të vitit prej 4 për qind erdhi vetëm nga prodhimi i energjisë elektrike.

Në një raport ekonomik rajonal, që publikoi sot, Banka Botërore tha se borxhi publik i Shqipërisë vazhdon të mbetet i lartë, ndërsa investimet e huaja direkte po bien.

Banka Botërore parashikoi sot një rritje 4 për qind për ekonominë e Shqipërisë pas rritjes së prodhimit të energjisë elektrike prej rreshjeve të shumta dhe një sezoni pozitiv në turizëm.

Vlerësimet janë pjesë e raportit ekonomik rajonal për vendet e Ballkanit perëndimor.

Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike shtoi vendet e reja të punës dhe uli varfërinë.

Pas kësaj, Banka pret të ulen borxhi publik dhe deficiti fiskal primar, ndaj vlerësoi se konsolidimi fiskal, rritja e efikasitetit të shpenzimeve publike dhe reformat strukturore vijojnë të jenë me rëndësi të madhe për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të barabartë.

Prodhimi i energjisë elektrike u dyfishua në gjysmën e parë të vitit 2018, ndërsa rritja e turizmit, punësimi, pagave dhe kredive po nxisin konsumin privat.

Punësimi u rrit me 4 për qind në gjysmën e parë të vitit, kryesisht në shërbime dhe industri.

Shkalla e papunësisë ra në 12.4 përqind të forcës së punës.

Por investimet private po ngadalësohen me përfundimin e dy projekteve të mëdha energjitike TAP dhe Devolli, të financuara nga investimet e huaja direkte.

Banka Botërore tha se borxhi publik pritet të bjerë në 69.5 për qind e PBB-së sivjet, nga 71.6 përqind e PBB-së në 2017, ndërsa deficiti fiskal i Shqipërisë parashikohet të mbetet në 2 përqind të PBB-së.

Një tjetër burim të ardhurash janë remitancat e parave nga emigrantët që pritet të arrijnë në mbi 6 për qind, për shkak të përmirësimit të gjendjes në BE.

Banka një rritje pritet edhe në kreditimet bankare për shkak se sistemi bankar është likuid, i mirë-kapitalizuar dhe po pastron kreditë me probleme. (voa)

Një lajm i mirë nga Gjermania për Shqipërinë

Rama DEGjermania kontribuon për përmirësimin e kushteve të jetesës në Shqipëri. Së fundmi ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz bëri të ditur, se Gjermania do të japë një shumë rekord ndihme për Shqipërinë në nëntor.

Në festimet me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman në Tiranë të mërkurën (03.10.) ambasadorja gjermane, Susanne Susanne Schütz dha një lajm të mirë. Në fjalën e saj përshëndetëse, Schütz tha se “në nëntor të këtij viti Qeveria Federale, në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, do t’i japë një shumë rekord Shqipërisë  për të realizuar projekte të mëtejshme”.

Ndihma gjermane e prekshme në Shqipëri

Rezultatet e bashkëpunimit ekonomik për zhvillimin Gjermani-Shqipëri janë të prekshme. Sivjet në 30 vjetorin e këtij bashkëpunimi, njerëzit e zakonshëm shohin në jetën e tyre të përditshme sesi mbështetja gjermane ka modernizuar bujqësinë, sesi në rubinetat e shtëpive vjen ujë i pastër, sesi energjia elektrike nuk ndërpritet më dhe mjediset, ku ata jetojnë po përmirësohen. Në kushte më të mira jetese njerëzit e thjeshtë shohin të përligjur edhe pro-europianizmin e  tyre. „Një gjë është e qartë: E gjithë mbështetja gjermane kontribuon në përmirësimin e qëndrueshëm të kushteve të jetesës së njerëzve në Shqipëri, për t’u dhënë atyre një perspektivë në atdheun e tyre dhe për ta bërë Shqipërinë të gatshme për integrimin në BE”, tha mbrëmë Ambasadorja Schütz.

Jugu i Shqipërisë – pasqyrë e përmirësimit të kushteve të jetesës nga mbështetja gjermane

Një udhëtim në Rajonin Bregdetar Jugor me potenciale të mëdha turistike, është një pasqyrë për të parë sesi bashkëpunimi ekonomik për zhvillim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë ka përmirësuar jetën e përditshme. Sektorët ku ndryshimi është i prekshëm janë jetikë: energjia elektrike, furnizimi me ujë të pijshëm, mjedis i pastër, mbështetje e sipërmarrjes në zonat rurale, edukim i fëmijëve në kopshte për të mbrojtur mjedisin dhe marrë pjesë në ekonominë ricikluese.

Nënstacioni elektrik në Himarë i ka dhënë fund ndërprerjeve të energjisë elektrike, humbjeve në rrjet. Kjo ka përmirësuar të përditshmen e banorëve dhe ka mundësuar zhvillimin ekonomik të zonës, veçanërisht zhvillimin e turizmit. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha për DW se ” Më shumë se 400 mijë banorë dhe mijëra turistë që vizitojnë rajonin bregdetar buzë detit Jon, janë përfituesit e drejtpërdrejtë nga ndërtimi i nënstacionit elektrik në Himarë.”

Ky nënstacion së bashku me nënstacionin elektrik në Orikum të Vlorës, janë pjesë e projektit të reabilitimit të linjës unazore 110 kV në Jug-Perëndim dhe në Jug-Lindje të Shqipërisë, një nga projektet më të mëdha në historinë e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Uji është jetë. Me këtë këndvështrim Qeveria gjermane, përmes Bankës KfW ( Banka Gjermane për Rikonstruksion) po investon në Himarë 40 milionë Euro për të përmirësuar në mënyrë rrënjësore shërbimin e ujit dhe mbrojtjen e mjedisit. Përfituesit janë banorët e Himarës dhe ekonomia lokale, që forcohet nga krijimi i kushteve bazë për një turizëm të qëndrueshëm në të gjitha stinët e vitit. Teknologjia e përdorur është ajo moderne gjermane që automatizon procesin në shërbimin e ujit.

Respekt për mjedisin- ekonomia ricikluese

Fëmijë 4-5 vjeҫarë, në kopshtin në qendër të Himarës krijojnë nga një bidon uji plastik një vazo lulesh, në formën e një derrkuci.  Ata nxiten për të qënë krijues, patur sens artistik dhe prodhuar objekte utilitare nga mbetjet prej konsumit të përditshëm në familje. Në sajë të projektit të përbashkët të qeverisë gjermane dhe asaj shqiptare, të financuar me 3 milionë Euro nga pala gjermane, për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta dhe ekonominë ricikluese, në respekt të mjedisit, në Himarë është modernizuar sistemi i menaxhimit të këtyre mbetjeve. Mbetjet mblidhen në mënyrë të diferencuar në kontenierë përkatës. Riciklimi i tyre është rritur. Kosto e transportit është ulur.

Një proces që ka hapur vende të reja pune. Në supermarketet kryesore në Himarë janë shpërndarë në sajë të projektit ҫanta pambuku dhe konsumi i qeseve plastike është reduktuar në 50%. Ndryshimi ndihet në ajër. Por ka ende shumë për të bërë që rinia të mbetet në Himarë dhe ta kthejë atë në një nga destinacionet turistike më të frekuentuara në rajon. Rinia pret që prona të shkojë tek i zoti, që investitorë seriozë dhe të fuqishëm të kenë garanci ligjore që të investojnë në Himarë. (dw)

Pas referendumit – Maqedonia i rikthehet pasigurisë politike

ShkupiLSDM: Nëse VMRO frenon ardhmërinë shkojmë në zgjedhje. Reagon partia qeverisëse në Maqedoni, LSDM pas kërkesave të partisë konservatore, VMRO për dorëheqjen e kryeministrit Zaev dhe krijimin e qeverisë teknike.

Komiteti Ekzekutiv i LSDM-së, partisë qeverisëse pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme deklaroi, se deputetët duhet ta ndjekin vullnetin e shprehur të shumicës prej mbi 600 mijë qytetarë, të marrin përgjegjësi dhe të përshpejtojnë proceset për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. “Nëse kjo nuk është e mundur dhe VMRO-DPMNE edhe më tej e frenon të ardhmen e qytetarëve dhe e zhyt vendin në humnerë, atëherë nuk ka opsion tjetër përveç zgjedhjeve të parakoshhme parlamentare, ku qytetarët do të vendosin për të ardhmen e tyre”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.

Hapa drejt zgjedhjeve

Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv kanë autorizuar liderin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe koordinatorin e grupit parlamentar, Tomisllav Tuntev që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm në drejtim të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Anëtarët e Bordit vlerësuan po ashtu, se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë demokratike, dhe t’u mundësohet deputetëve të ndjekin zërin e qytetarëve dhe të sigurojnë anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Askush nuk duhet të besojë në amnisti. Bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme, për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e qytetarëve dhe fokusi i të gjitha partive politike duhet të jetë kjo çështje. Çdo gjë tjetër është lojë me të ardhmen dhe përpjekje për kthimin e vendit në izolim”, thekson në deklaratën partiake LSDM.

VMRO-DPMNE: Qeveri teknike me afat 100 ditor

Por VMRO DPMNE në opozitë ka tjetër qëndrim. Kjo parti jo vetëm që nuk e njeh rezultatin e referendumit, por kërkon dorëheqjen urgjente të kryeministrit Zaev, formimin e qeverisë teknike, emërimin e prokurorit të ri publik dhe formimin e komisionit anketues që do të hetonte parregullësitë e referendumit si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Iniciativa për formimin e komisionit anketues ndërkohë është dërguar. Ai do të ketë detyrë t’i hetojë të gjitha parregullsitë në ditën e referendumit. Kërkojmë dorëheqjen e prokurorit aktual publik që është propozuar nga qeveria. Nëse LSDM këmbëngul në zgjedhje, duhet që menjëherë të respektohet marrëveshja e Përzhinës dhe formimi i një qeverie teknike me mandat prej 100 ditësh. Kjo do të thotë dorëheqje e Zaevit, Spasovskit, dhe Carovskës dhe emërimi në pozicionet e ministrave të Punëve të Brendshme dhe Politikës Sociale, të ministrave të VMRO-DPMNE-së në një afat 100 ditor”. Deklarata ka ardhur nga Aleksandar Nikollovski deputet i VMRO-DPMNE-s. Sipas VMRO-së , vetëm ky është parakusht për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Zaev: Kërkesat e VMRO-DPMNE-s janë të papranueshme

Kërkesa e VMRO-DPMNE-së për qeveri teknike me mandat prej 100 ditësh sipas modelit të Përzhinës, për prokuror publik dhe Komision anketues parlamentar për referendumin janë absolutisht të papranueshme, ka thënë kryeministri Zoran Zaev. “As që ka shkak, as edhe nevojë të diskutohet për kërkesa të tilla. Vetë institucionet dhanë komentet e veta. Të kërkohet komision, i cili do ta verifikojë nëse referendumi ka qenë ligjor, nëse ka pasur ligjshmëri në zbatimin në kushtet, kur kryetari i KSHZ-së është nga VMRO-DPMNE, edhe Gjykata Administrative, e cila nuk ka ndërruar asnjë anëtar, vetvetiu tregon se çka dëshirohet me kësa kërkesa”, ka thënë Zaev.

I pyetur nëse do të ulet për bisedime me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kryeministri Zaev tha se nuk ka se çfarë të bisedojë me të. “Në të kaluarën dhamë kartë blansh për qeveri teknike. I pranuam kërkesat për financimin e partive politike, e formuam KSHZ-në me kryetar të VMRO-DPMNE-së. Në kthim as dëshiruan të bisedojnë për ndonjë mënyrë për mbështetje të suksesshme të proceseve që janë të rëndësishme për Maqedoninë”, vlerësoi Zaev. Kryeministri Zaev pritet që në ditët në vijim të bisedojë me deputetët në Kuvend, siç tha, në një atmosferë normale dhe shoqërore. (dw)

Lamtumirë KFOR-it gjerman në Prizren, por jo Gjermanisë

Ramush DEPas gati 20 viteve të pranisë së trupave gjermane të KFOR-it në Prizren, baza u dorëzohet autoriteteve kosovare. Objektet e kësaj baze do të shndërrohen në një park inovativ dhe ekonomik për brezin e ri.

Baza e trupave gjermane të KFOR-it në Prizren këtej e tutje do të shndërrohet në një park inovacioni dhe arsimimi profesional. Qeveria gjermane bashkë me qeverinë e Kosovës kanë vendosur, që kjo bazë pas tërheqjes së kontigjentit gjerman të KFOR-it të parashikuar deri në dhjetor të shfrytëzohet për politikën e zhvillimit, deklaroi Ministria gjermane e Zhvillimit të enjten(04.10)duke prezantuar zyrtarisht hapjen e këtij projekti.

“Gjermania bashkë me ekonominë krijon perspektiva më të mira për njerëzit në Kosovë përmes kualifikimit profesional, inovacionit dhe vendeve të kualifikuara të punës”, deklaroi ministri kristiansocial i Zhvillimit Gerd Müller. “Shndërrimi i bazës në Prizren, tregon, se si politika e zhvillimit dhe ajo e sigurisë funksionojnë paralelisht për të kontribuar në stabilizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Kosovë.

Teknologjia, bujqësia, ekonomia kreative

Në këtë bazë ndodhen 60 ndërtesa të ngritura nga ushtria gjermane dhe që janë të gatshme për përdorim. Prioritet do të kenë sipërmarrjet nga fusha e teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit (IT), nga bujqësia dhe ekonomia e kreativitetit dhe kulturës.

Sekretarja Parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Maria Flachsbarth dhe Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Thomas Silberhorn, po qëndrojnë në Kosovë për t’i thënë lamtumirë kontingjentit gjerman të KFOR-it në Prizren. Dy zyrtarët gjermanë, takuan në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me kabinetin qeveritar.

Vlerësime për KFOR-in gjerman në Prizren

Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Thomas Silberhorn, tha pas takimit se trupat gjermane për këto vite pas luftës në Kosovë kanë kontribuar në krijimin e paqes dhe stabilitetit dhe kësaj ia kanë arritur. “Vitin e ardhshëm festojmë 20 vjetorin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. KFOR-i gjerman në Prizren në gjithë këto vite është angazhuar për paqe dhe stabilitet, këtë e ka arritur me shumë sukses dhe tash ka ardhur koha që ta përfundojmë këtë përgjegjësi dhe t’ua dorëzojmë në duar autoriteteve kosovare. Për këto 20 vite, 27 ushtarë gjermanë kanë dhënë jetën në Kosovë. Kjo sakrificë sikurse e shumë familjeve kosovare nuk ka shkuar dëm, por ata kanë krijuar paqe dhe stabilitet dhe një perspektivë për gjeneratat e ardhshme”, tha sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Thomas Silberhorn.

Potencial në fushën e IT-së

Maria Flachsbarth, sekretare e Shtetit në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik tha se sot është një ditë historike. “Dita e unifikimit të Gjermanisë bazohet në integrimin e shteteve që na rrethojnë. Kjo është një ditë historike, në të cilën e kalojmë bazën prej shfrytëzimit ushtarak në shfrytëzim civil. Në këtë mënyrë mund të krijohet një bashkëpunim zhvillimor. Dje kam krijuar një pasqyrë të Kosovës dhe është me rëndësi që të rinjve t’iu ofrojmë mundësi. Unë kam parë potencial të madh sidomos në fushën e IT”, tha Maria Flachsbarth.

Mirënjohës për kontributin e ushtarëve gjermanë në Kosovë u shpreh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Ushtarët gjerman e kanë kryer me sukses punën. Flamuri gjerman do të mbetet lart përgjithmonë në Kosovë, për shërbimin me nder që e kanë bërë burra e gra gjermane në Kosovë”, tha kryeministri Haradinaj.

44 automjete ushtarake për forcat e Kosovës

Gjermania dhe ushtria gjermane (Bundeswehr-i) do të mbeten edhe më tej aktive në Kosovë. Pas një pranie gati 20-vjeçare në Prizren në jug të Kosovës, Bundeswehr-i e transferon angazhimin e tij në komandën qendrore të KFOR-it në Prishtinë (Camp Film City) me vetëm 70 ushtarë. 10 ditë më parë, trupat gjermane të KFOR-it i dorëzuan Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), 44 automjete ushtarake dhe pajisje tjera për ta forcuar këtë trupë.

Gjeneral Brigade Uwe Becker nga KFOR-i gjerman tha, se ky kontingjent gjerman është afër përfundimit të një kapitulli të hapur në qershor të vitit 1999 kur forca paqeruajtëse e NATO-s hyri në Kosovë pas largimit të forcave të armatosura serbe.

“Është rezultat i angazhimit ndërkombëtar dhe kombëtar për të ndihmuar Kosovën për të mirë. Jam i bindur se jemi në rrugën e duhur, Gjermania kontribuon në misionin e KFOR-it që nga viti 1999′, tha Gjeneral Brigade Becker.

Oficerja për media pranë Kontingjentit gjerman të KFOR-it, në Kampin Fushor-Prizren, Denise Alten, nga ana e saj thotë se “Gjermania në vitin 1999 përbënte pjesëmarrjen e dytë me të madhe me 6.500 ushtarë në Kosovë, numër ky që është zvogëluar gradualisht”. Aktualisht në Kosovë gjenden vetëm 360 ushtarë gjermanë.

“Një ndërhyrje e forcave të KFOR-it nuk ka qenë e nevojshme në vitet e shkuara dhe aktualisht edhe nuk pritet në të ardhmen. Republika Federale e Gjermanisë ka vendosur në harmoni me strategjinë e NATO-s dhe në përputhje me partnerët e saj ndërkombëtarë të NATO-s që ta zvogëlojë edhe më tutje kontributin e Bundeswehr-it në misionin e KFOR-it deri në fund të vitit 2018″, ka thënë togerja Alten.

Gjermania pos pranisë ushtarake, që nga përfundimi i luftës ka investuar në Kosovë mbi 500 milion euro, duke u renditur kështu si donatori më i madh për Kosovën. Përfundimi i misionit ushtarak gjerman në jug të Kosovës, ndodh pikërisht në kohën kur autoritetet kosovare me ligj po duan që ta shndërrojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK)në ushtri të Kosovës, por pa i ndryshuarr emrin, për shkak të kundërshtimit të serbëve të Kosovës. Komisioni parlamentar për siguri procedoi të mërkurën (03.10)në kuvend tri projektligjet që ia mundësojnë FSK-së shndërrimin në ushtri. Këto projektligje mund të miratohen me një shumicë të thjeshtë. (dw)

Meta: marrëveshja e detit me Greqinë duhet të ratifikohet në parlament kur Shqipëria të ketë Gjykatë Kushtetuese

Ilir MetaZëri i Amerikës: Zoti President, para se të ndalemi te problemet e sigurisë në Ballkan, dua t’ju pyes për një zhvillim të këtyre ditëve të fundit në Shqipëri që ka të bëjë me dhunën në familje, një fenomen i përhapur në vendin tuaj. Rasti ka të bëjë me Xhisiela Malokun, vajzë e re dhe djalin e një deputeti, i cili akuzohet për dhunë ndaj saj. Por, duket që ky rast në Shqipëri në vend që të shërbejë për të tërhequr vëmendjen për këtë fenomen si dhe për t’i nxitur autoritetet që të marrin masa që këto gjëra të ndodhin sa më pak dhe të ndalohen, duket se ka marrë një këndvështrim disi tjetër. Cili është komenti juaj për këtë rast?

Presidenti Meta: Së pari ky është një problem mjaft serioz për shoqërinë tonë dhe kjo është një plagë edhe e thellë, edhe e gjerë shoqërore, pavarësisht se sa del në sipërfaqe dhe bëhet pjesë e debatit. Kështu që duhet të theksoj se unë personalisht, edhe në pozitën e Presidentit, jam shprehur qartë në këtë çështje dhe e kam bërë të qartë që përsa kohë do të jem në këtë pozitë, nuk do të favorizoj dhe nuk do të konfirmoj asnjë amnisti apo falje për çdo person që ushtron dhunë në familje. Besoj se edhe Parlamenti dhe qeveria mbajnë të njëjtin angazhim, që të dekurajojnë cilindo që mendon që mund të përfitojë në të ardhmen, pavarësisht nga dhuna e nga krimi që kryen.

Për rastin konkret, është një çështje për të cilën në fakt unë kam marrë një letër, e cila i drejtohej edhe Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm dhe Prokurores së Përgjithshme në mos gabohem, përpara se të nisesha për në Shtetet e Bashkuara, nga oficeri Nuhu. Nuk kam besuar se mund të ndodhin ato çështje, por me çështjen në fjalë është marrë dhe po e ndjek ekipi im me në krye këshilltarin për sigurinë kombëtare, zoti Bahri Shaqiri, kështu që do të më duhet, për të mbajtur një qëndrim më qartë, do të më duhet të kem një informacion edhe më të plotë, edhe më të besueshëm.

Siç e thatë edhe ju, është për fat të keq, që ka një polarizim në këtë çështje, kur mendoj se duhet të ketë një bashkim të të gjithëve për të adresuar një fenomen që kërcënon shoqërinë tonë, që kërcënon familjen tonë, pa i dalë askujt në mbrojtje, aq më tepër kur bëhet fjalë për persona, të cilët kanë lidhje politike, por njëkohësisht edhe pa e tepruar me akuza politike, duke patur në konsideratë që është një çështje që krijon ndjeshmëri.

Ajo që unë do të nënvizoja, përveç rëndësisë që prokuroria dhe drejtuesit e policisë duhet të ndërmarrin të gjitha hapat dhe të sqarojnë të gjitha momentet e kësaj odiseje, sepse mendoj që është një odise e tërë, në mënyrën më të paanshme për të vendosur një besim të publikut te institucionet e zbatimit të ligjit, – mendoj që është shumë e rëndësishme shoqëria civile, pra të gjitha ato organizata dhe institucione, të cilat janë edhe të specializuara, janë marrë me çështjen e dhunës ndaj grave dhe çështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, – të jenë të bashkuara për të ndriçuar këtë çështje në interes të së vërtetës dhe të askujt tjetër, sepse përndryshe do të kemi edhe shumë raste të tjera në të ardhmen, të cilat padyshim që do të dëshmonin që jemi një vend, i cili mbetet ende larg funksionimit të ligjit dhe besimit tek institucionet.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, në fjalën tuaj në OKB, por edhe dje këtu në Uashington, ju u shprehët kundër idesë së ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Çështja e ndryshimit të kufijve është një element i ri që ka dalë tashmë midis dy vendeve. Uashingtoni është shprehur se do të mbajë një qëndrim pritës për t’ua lënë palëve për të parë se çfarë mund të bien dakord. Komisioni Europian nuk e ka hedhur poshtë, nuk e ka kundërshtuar këtë ide. Në Kosovë kundërshtimet kanë qenë të mëdha dhe Presidenti Thaçi duket sikur kohët e fundit nuk është më aq entuziast sa ç’ka qenë në fillim për këtë teori. A mendoni se kjo ide po vdes ende pa u qartësuar se çfarë përmbante ajo?

Presidenti Meta: Besoj se ka pasur një debat të gjerë dhe natyrisht edhe intepretime apo spekulime nga më të ndryshmet. Ndaj kam thënë që në rastin më të mirë kjo është humbje kohe, kjo tema e ndryshimit të kufijve. Në rastin më të keq na rrezikon që të rihapim “Kutinë e Pandorës” në Ballkan.

Përsa i takon Presidentit Thaçi, mendoj se Presidenti Thaçi asnjëherë nuk ka folur për ndryshim kufijsh apo për shkëmbim territoresh. Ai ka përdorur një term të veçantë, “korrigjim”, duke pretenduar apo duke mirëkuptuar një aspiratë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën. Dhe natyrisht që pas kësaj ka patur një riaktivizm të atyre që realisht janë më të interesuar për ndryshimin e kufijve në Ballkan apo për të folur për territore, kur në fakt nuk duhet të harrojmë të gjithë përse u nis dialogu midis Serbisë dhe Kosovës dhe kur nisi ky dialog.

Ky dialog nisi pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në përgjigje të pretendimit të Serbisë për t’u shprehur për paligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, u shpreh pikërisht që kjo pavarësi ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Pra pavarësia nga ana politike ishte legjitime, sepse ishte një pavarësi e imponuar nga genocidi që ndodhi. Dhe ishte pastaj Paketa Ahtisaari ajo që çeli rrugën e pavarësisë në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar. Dhe së dyti, Kosova shumë shpejt u bë një realitet i njohur nga të gjithë, nga shumica e vendeve të OKB-së, nga të gjitha vendet fqinje, përveç Serbisë, dhe ndërkohë Serbia dëshironte të ecte përpara në procesin e integrimit europian për të hapur kapitujt e saj.

Kështu që në mënyrë të natyrshme u çel dialogu me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian për t’i dhënë zgjidhje problemeve të Serbisë me fqinjët, pra problemit me Kosovën, por njëkohësisht edhe për të normalizuar marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve. Çdo përpjekje tani për të dalë në tema të tjera më duket se është humbje kohe dhe është e rrezikshme. Nuk mendoj se duhet të spekulojmë dhe me qëndrimin amerikan, pra me idenë se ka ndryshuar qëndrimi amerikan. Qëndrimi amerikan, europian dhe i kujdo tjetër, sepse nëse dikush thotë që duam të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme, e cila nuk cënon stabilitetin, që garanton zbatueshmërinë, etj., do të ishte “OK”, shumë mirë dhe kjo do të ishte shumë normale. Por, në qoftë se ecet në një temë të tillë, të ndryshimit të kufijve, ne e dimë se kjo hap shumë çështje dhe hap shumë pasigurira, sepse kufijtë në kompjuter mund t’i bësh për dy minuta, por për t’i zbatuar në realitet, ne e dimë se çfarë ndodh.

Vetëm një gjë dua të them: Në Ballkan, dy vende, të cilat nuk kanë problem territoresh, por kanë problem demarkacioni le të themi, siç është Sllovenia dhe Kroacia, që janë edhe anëtare të BE-së, dhe ende, apo jo, dhe ka edhe vendim gjykate, ende nuk është një çështje e përfunduar. Dy vendeve do të thosha, shumë më të emancipuara dhe në një raport shumë më të afërt.

Kemi rastin e Malit të Zi me Kosovën. U miratua nga qeveria e mëparshme e Kosovës marrëveshja, edhe pse ishte me shumicën më të madhe në parlament që kishte dy të tretat, nuk e kaloi dot për tre vite. Përse? Për disa pyje ku nuk banon askush dhe kur dihet që marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën janë të shkëlqyera, janë shumë të mira.

Zëri i Amerikës: Kjo e sotmja është shumë më e komplikuar. Dua të ndalem në një çështje tjetër në Ballkan që është po kaq e mprehtë dhe që u konsiderua si një sukses i mundshëm që politikat perëndimore mund ta arrinin në Ballkan. E kam fjalën për çështjen e ndryshimit të emrit të Maqedonisë. Pas kaq vitesh u arrit marrëveshja me Greqinë. Referendumi u zhvillua. Nuk u arrit shumica e duhur që ai të quhej e të konsiderohej si i suksesshëm. Në mendimin tuaj, a ishte ky një dështim, në një farë mënyre edhe i Perëndimit dhe çfarë mësimi mund të nxirret nga ky rast? Pati një investim të madh nga Perëndimi në suksesin e referendumit në Maqedoni.

Presidenti Meta: Unë besoj sePperëndimi bëri maksimumin për kohën në dispozicion, sepse nuk duhet të harrojmë që ka çështje të tjera edhe më të mëdha. Madje u tregua edhe një unitet shumë i fortë i lidhjes trans-atlantike, SHBA-BE, si rrallëherë për çështje të tjera – për çështjen e Maqedonisë – dhe mund të them se rezultati është i suksesshëm relativisht.

Është kuptohet, nga ana ligjore është jo shumë i vlefshëm, sepse nuk u kalua pjesëmarrja prej 50%, por të gjithë e dimë, edhe opozita e Maqedonisë besoj se di shumë mirë, që ato janë lista fiktive, pra të bëra shumë kohë më parë, jo të përditësuara.

Ndërkohë, ajo që unë mendoj dhe që e shoh si rrezikun më të madh për momentin, është që kjo situatë të shfrytëzohet politikisht nga të dy palët. Pra, njëra palë ndoshta të mos bëjë përpjekjet e duhura për një pakt të gjerë me opozitën kryesore për ta zgjidhur këtë çështje tani dhe jo më vonë. Sepse më vonë nuk i dihet, nuk ka më datë, por ta shfrytëzojë si të thuash për të shkuar në zgjedhje me shpresën që do të ketë një mazhorancë më të madhe dhe pala tjetër njëkohësisht duhet ta kuptojë që kjo është një çështje që duhet të marrë zgjidhje. Sepse VMRO-ja ishte në pushtet për gati 10 vite, nuk arriti dot t’i jepte zgjidhje kësaj çështjeje. Duke mos i dhënë zgjidhje kësaj, nuk arriti dot të fuste Maqedoninë në NATO, që duhet të hynte në të njëjtën kohë me Shqipërinë dhe me Kroacinë.

Procesi i integrimit europian është bllokuar dhe unë jam i bindur që edhe në VMRO-DPMNE janë shumë politikanë, të cilët dëshirojnë që Maqedonia të jetë në NATO, dëshirojnë që Maqedonia të ecë përpara në drejtim të integrimit europian dhe është momenti që të dy palët të mos e kthejnë këtë në një luftë për interesa të ngushta politike, por të gjejnë, të realizojnë, një pakt kombëtar që e mbyll këtë çështje një herë e përgjithmonë. Mendoj që edhe perëndimi këtu duhet t’i investojë energjitë në ditët e ardhshme për të realizuar një pakt të tillë.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta në çfarë momenti, në çfarë pike është dialogu me Greqinë për marrëveshjen e detit? Javën e kaluar, Ministri i Jashtëm grek deklaroi se negociatat kanë ngecur për shkak, sipas tij, të mosmarrëveshjeve mes jush dhe qeverisë shqiptare, duke lënë të kuptohet se mes palëve është gjetur një lloj gjuhe e përbashkët, porse jeni ju që po kundërshtoni një marrëveshje të arritur mes palëve.

Presidenti Meta: Unë marrëdhëniet me fqinjët i kam shumë përzemër. Të tilla i kam pasur gjithmonë dhe nuk më pëlqen të hyj në polemika. Por, në respekt të pyetjes suaj dhe të rëndësisë së çështjes, sepse është çështje shumë e rëndësishme dhe ka gati më shumë se 10 vite që nuk është zgjidhur ende dhe për të cilën ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, dua të them që unë kam bërë përpjekjet e mia maksimale në mënyrën më konstruktive për t’i kontribuar zgjidhjes së drejtë të kësaj çështjeje dhe jo ndërlikimit të mëtejshëm të saj. Sepse kjo është një çështje delikate tek ne, por është një çështje delikate edhe në Greqi, kështu që kam bërë gjithçka. Me kryeministrin Rama kemi patur një dakordim të plotë. Kemi pasur disa mosmarrëveshje me Ministrin Bushati për këtë çështje. Dhe ia kam bërë të qartë kryeministrit që ai, në rast se ai është i bindur se është tërësisht e mundur për t’u finalizuar një marrëveshje e tillë, ai do ta ketë autorizimin nga ana ime, si kryeministër, por edhe si shef i mazhorancës, sepse është një marrëveshje që duhet të kalojë në parlament. Por, natyrisht ia kam bërë të qartë dhe më duhet ta them edhe këtu, se është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament në një moment kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Përndryshe, kjo nuk do t’i shërbente mbarëvajtjes dhe përmbylljes përfundimtare të kësaj çështjeje në interes të dy vendeve.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Shqipëria po kalon dy vitet e fundit një proces të thellë të reformimit të sistemit të drejtësisë, i ashtuquajtur procesi i Vetting-ut. Ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, ka qenë motori kryesor le të themi i këtij procesi. Në intervistën e tij të fundit para se të largohej nga Shqipëria, muajin e kaluar, ai tha mes të tjerash se “politikanët shqiptarë kanë qenë të frikësuar nga reforma në drejtësi në 2016-n dhe janë ende të frikësuar edhe sot”. Si i përgjigjeni ju këtij konstatimi të tij, që tingëllon si një akuzë tepër e rëndë për klasën politike shqiptare? A ka të drejtë ish-ambasadori Lu?

Presidenti Meta: Unë mendoj se, pa dashur për t’iu referuar ambasadorit, sepse nuk është hera e parë që ambasadori e ka dhënë këtë konsideratë, mendoj që mund të ishte bërë shumë më tepër edhe nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe të Bashkimit Europian, për të përshpejtuar zbatimin e reformës në drejtësi dhe njëkohësisht në frymën e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që reforma dhe zbatimi i saj të mos ishte objekt i polarizimit, i cili për fat të keq edhe ka sjellë një dëmtim të këtij procesi le të themi, apo qoftë edhe një zvarritje të tijën. Sepse u bënë më shumë se dy vite nga votimi konsensual në Kuvend dhe ne ende nuk i kemi institucionet kryesore të drejtësisë të ngritura dhe jemi edhe pa Gjykatë Kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Kryeinspektoriati i deklarimit të pasurive tha se vendi rrezikon të mbetet pa Gjykatë Apeli vitin e ardhshëm. A po mendon dikush me çfarë do të zëvendësohen këta njerëz që po “digjen” nga procesi i Vetting-ut?

Presidenti Meta: I kam bërë të gjitha përpjekjet e mia maksimale, edhe në detyrën e mëparshme të Kryetarit të Kuvendit, edhe në detyrën e Presidentit, për t’i dhënë një zgjidhje disa problemeve serioze në zbatimin e reformës në drejtësi. Që nga KED-ja, mënyra e hedhjes së shortit dhe krijimi i këtij institucioni që është kyç për gjykatat, për inspektorin e përgjithshëm të drejtësisë etj., dhe do t’i bëj të gjitha përpjekjet e mia edhe në të ardhmen për aq sa janë mundësitë e mia.

Vuçiç, hoqi gjendjen e “gatishmërisë së lartë ushtarake”

ushtria e serbiseMinistria e Mbrojtjes e Serbisë tha se ka marrë urdhër nga presidenti Aleksandër Vuçiç, për heqjen e “shkallës së lartë të gatishmërisë” për ushtrinë serbe. Të shtunën mbrëma, presidenti serb, tha se ka vënë ushtrinë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë dhe “Serbia nuk do të lejojë dhunë mbi serbët në Kosovë”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkoi të shtunën në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, në një vizitë të paparalajmëruar. Ai qëndroi edhe në liqenin e Gazivodës, që është edhe një nga pikat e nxehta të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një pjesë e liqenit artificial që është ndërtuar vitet e 80-ta, shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të Kosovës. përfshirë edhe kryeqytetin.

Në një deklaratë pas vizitës presidenti Thaçi ai tha se “ishte një vizitë e zakonshme fundjave” ndërsa ritheksoi se “Kosova është një, e pandashme, e pavarur dhe shumetnike”.

Ai tha se bisedimet me Serbinë, që po zhvillohen në Bruksel, do të jenë për paqe dhe qëndrueshmëri, për njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi dhe për ardhmërinë euroatlantike.

Por, vizita nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti i Serbisë, tha të shtunën mbrëma se shfaqja e njësive të posaçme të policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe është sulm mbi paqen. Ai tha se veprimi i tillë “ishte orvatje që nga Serbia të nxitet përgjigja që do të mund të shfrytëzohej për satanizimin e saj”.

Duke akuzuar Prishtinën për shkelje të marrëveshjeve të arritura në bisedimet në Bruksel dhe se synim i saj “është marrja e veriut të Kosovës”, ai kritikoi edhe forcat paqeruajtëse dhe Bashkimin Evropian për mosveprim dhe u shpreh i zemëruar edhe me thirrjet e Bashkimit Evropian që “palët të reagojnë me qetësi dhe vetëpërmbajtje”.

Liqeni i Gazivodës/Ujmanit, u vizitua nga presidenti serb më 8 shtator, vetëm një ditë pasi kishte dështuar një raund i ri bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Gjatë verës, ai dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.

Presidenti Thaçi, po vazhdon të përsërisë idenë e tij për “korrigjimin e kufirit”, që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

Ai tha të martën gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Zvicër, se ka një mundësi shume të vogël për një marrëveshje historike me Serbinë dhe nëse nuk shfrytëzohet, do të ketë një dekadë tjetër të konfliktit të ngrirë dhe status quos.

Ideja e tij nuk është përkrahur në Kosovë, ku edhe është protestuar kundër saj.

Presidenti serb ditë më parë e shpalli të humbur politikën e tij të vënies së kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës.

Idetë për prekje kufijsh kanë nxitur edhe reagime të ndara në skenën ndërkombëtare ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje ndërmjet palëve dhe atyre që pohojnë se kjo do të kishte pasoja të rënda për rajonin e Ballkanit Perëndimor. (voa)

Tre veta fitues të çmimit Nobel në kimi

nobel kimiAkademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, tha se tre shkencëtarë, Frances Arnold, George Smith and Gregory Winter, janë fitues të çmimit Nobel në kimi për vitin 2018, për hulumtime që mundësojnë prodhimin e enzimave dhe antitrupave për kimikate dhe prodhime farmaceutike të reja.

Frances Arnold, gruaja e pestë që fiton çmimin në këtë fushë, shpërblehet me gjysmën e çmimit prej 9 milionë koronash suedeze, afërsisht një milion dollarë amerikan, ndërsa gjysmën tjetër e ndajnë amerikani Smith dhe britaniku Winter.

“Fituesit e këtij viti në kimi, janë frymëzuar nga fuqia e evolucionit dhe kanë përdorur të njëjtat parime – ndryshimin gjenetik dhe përzgjedhjen – për të zhvilluar proteina që zgjidhin problemet kimike të njerëzimit”, thuhet në një deklaratë të Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave.

Zonja Arnold është gruaja e dytë që fiton çmimin Nobel sivjet, pas kanadezes Donna Strickland, e cila dje u shpall një nga fituesit e këtij çmimi në fizikë.

Përdorimi i enzimave, i zhvilluar prej saj, përfshinë prodhimin më miqësor ndaj mjedisit të substancave kimike, siç janë prodhimet farmaceutike dhe prodhimin e karburanteve të ripërtërishme për fushën e transporteve.

George Smith zhvilloi një metodë të përdorimit të një virusi që infekton bakteret për të prodhuar proteina të reja, ndërkohë që Gregory Winter përdori të njëjtën metodë për evolucionin e drejtuar të antitrupave për prodhime të reja farmaceutike.

Çmimi në kimi është i treti që ndahet sivjet pas shpalljes së fituesve në fushën e mjekësisë dhe të fizikës më herët gjatë javës.

Çmimi mori emrin nga zbuluesi i dinamitit, Alfred Nobel, që ishte edhe themelues i tij dhe është ndarë që nga vitit 1901 për arritjet në shkencë, letërsi dhe paqe, sipas amanetit të tij

Të premten pritet të shpallet çmimi për paqen, ndërsa të hënën ai për ekonominë. (voa)