Skadon afati, Meta nuk ka vendim për Lleshin

Ilir MetaNë Shqipëri, presidenti Ilir Meta tha të premten në mbrëmje se ende nuk ka marrë një vendim për të dekretuar ministrin e ri të Brendshëm Sandër Lleshi, të propozuar nga kryeministri Edi Rama. Në një intervistë për portalin informative “Syri.net”, zoti Meta nuk ngurroi të merrte dhe shembullin e presidentit italian, i cili pak muaj më parë vuri veton ndaj dekretimit të një prej ministrave të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet. Presidenti Meta komentoi dhe ngjarjen e Bularatit ku një minoritar mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë, duke u shprehur se “ajo është një ngjarje e provokuar” e cila sipas tij, “synon të krijojë një acarim artificial të marrëdhënieve shqiptaro-greke”.

Kushtetuta e vendit i lë Presidentit 7 ditë kohë afat për emërimin e një ministri. Ky afat skadoi mesnatën e së premtes. E megjithatë Kreu i Shtetit, Ilir Meta, tha se ai “do të gjejë mënyrën e duhur për t’u shprehur në kohën e duhur”, duke shtuar se nuk do të ndikohet nga askush dhe nga asgjë as nga orët dhe sekondat, ndërsa nuk u shpreh se cilat ishin pengesat që e kishin detyruar të kërkonte kohë për të marrë një vendim. “Presidenti ka për detyrë të ushtrojë të gjithë përgjegjësitë e tij kushtetuese për të krijuar bindje të plotë për çdo propozim që i bëhet për dekretim. Presidenti nuk mund të hedhë firmën për dekrete formale, sepse do të ishte papërgjegjshmëri. Aq më tepër për një detyrë të tillë, e cila në momentin aktual kërkon akoma edhe më shumë përgjegjësi dhe vëmendje”, nënvizoi zoti Meta

Kushtetuta në asnjë rresht të saj nuk parashikon shprehimisht, raste të mos dekretimit të një propozimi për emërimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Vitin e shkuar, ish presidenti Bujar Nishani, i cili u shfaq publikisht kundër propozimit për emërimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pranoi megjithatë se nuk kishte kompetenca për ta refuzuar atë. Por zoti Meta bëri mbrëmë një tjetër interpretim. “Kushtetuta është shumë e qartë: Presidenti ka përgjegjësi për çdo firmë që hedh. Përndryshe, Presidenti nuk do ta kishte këtë mundësi dhe këtë instrument konfirmimi, verifikimi, kontrollimi, dhe garantimit të integritetit të çdo ministri. Ndaj dua të them që çdo President ka për detyrë që me veprimet e tij, apo me mos veprimet e tij, të marrë përgjegjësinë e duhur publike dhe të tregojë përgjegjshmëri maksimale. Kështu që në këtë drejtim, askush të mos ketë dyshime që unë, përgjegjësitë e mia, sidomos, në këtë situatë do ti ushtroj në mënyrë mjaft maksimale dhe mjaft kurajoze”.

Zoti Meta madje duket se paralajmëroi refuzimin e emrit të zoti Lleshi, kur ju referua rastit të Italisë, pak muaj më pare, kur do formohej qeveria e te e dalë pas zgjedhjeve dhe “ku presidenti ka të njëjtat kompetenca dhe mendonte që një profesor i ekonomisë që e kishin propozuar për ministër të ekonomisë, rrezikonte me idetë e tij të cenonte objektivat e Italisë dhe prezencën e saj në Euro tha që nuk e firmos. Tha të bëhet ministër të zyra për Europën dhe u bë. Askush nuk mund ta detyrojë presidentit të firmosë apo të konfirmojë një emër për një detyrë të tillë kushtetuese, të cilën atij ja jep Kushtetuta, jashtë bindjes së tij”.

Kreu i Shtetit komentoi dhe ngjarjen e së dielës së shkuar në fshatin Bularat, ku 35 vjeçari Kostantinos Kacifa, pjesë e minoritetit grek në jug të vendit, mbeti i vrarë gjatë një shkëmbi zjarri me forcat. Zoti Meta u shpreh se ajo “është një ngjarje e rëndë, sepse është një ngjarje e provokuar”. Kjo është hera e parë që një përfaqësues i lartë shtetëror bën një përkufizim të tillë për ngjarjen e cila rindezi tensioned mes dy vendeve. Pikërisht për këtë, sipas zoti Meta “është detyrë e institucioneve që të bëjnë një hetim shterues, që të gjejnë qëllimet, prapavijën e saj nëse ka një të tillë. Por padyshim është një ngjarje, e cila synon të krijojë një acarim artificial të marrëdhënieve shqiptaro-greke, që nuk është hera e parë që ndodh. Që të duket sikur ka tensione, çështje, sikur ka probleme të mëdha mes Shqipërisë dhe Greqisë. Që natyrisht ka disa probleme, por ka përpjekje për t’i amplifikuar ato, sepse ndërkohë interesat e bashkëpunimit janë shumë herë më të mëdha”, theksoi ai.

Presidenti Meta foli me një gjuhë të ashpër ndërsa u pyet për sulmet që ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri bëri pak ditë më parë ndaj tij. “Po ç’koment mund të kem unë për një delinkuent që mbyti me drogë, jo vetëm Shqipërinë, por edhe Europën”. Pozicionimi i tij është në fakt një sulm i drejtpërdrejtë dhe ndaj kryeministrit Rama. Një sulm i përforcuar dhe me kritikat ndaj qëndrimit që qeveria ka mbajtur ndaj ish oficerit të policisë Dritan Zagani i cili ishte i pari që denoncoi lidhjet që sipas tij zoti Tahiri kishte patur me Habilajt. “Nuk duhej ta kishin shkarkuar Zaganin, që ishte një kuadër i Policisë dhe shumë i trajnuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe ta detyronin që të shkonte në azil në Zvicër dhe ata më pas të arrestoheshin nga anti-mafia në Itali”, u shpreh zoti Meta.

Një qëndrim tërësisht të kundërt, Kreu i Shtetit pati për ministrin e Brendshëm të dorëhequr, Fatmir Xhafaj, për të cilin tha se “tregoi një vullnet për të ecur në këtë drejtim, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrethanat e komplikuara”.

Ballkani dhe hija e Luftës I Botërore

Paqja e ParisitMë 11 nëntor udhëheqës botërorë do të mblidhen në Paris për të kujtuar 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, një ndër konfliktet më të përgjakshme që ka njohur njerëzimi dhe që la gjurmë të thella në pejsazhin gjeopolitik të globit për dekada me radhë. Kolegia Ardita Dunellari bisedoi me dy historianë mbi trashëgiminë kryesore të këtij konflikti në zhvillimet e sotme ballkanike:

Kanë kaluar 100 vjet që nga përfundimi i Luftës I Botërore, por gjurmët e saj kanë vazhduar të ndjehen në botë për thuajse një shekull. Kaosi dhe shkatërrimi i pas-konfliktit krijuan terren për ideologji të ekstremit që diktuan zhvillimet politike në një pjesë të madhe të globit për dekada me radhë:

“Pa Luftën e Parë Botërore vështirë të imagjinohet një lëvizje radikale revolucionare si ajo e Leninit që mori pushtetin në Rusi, e që u bë faktor kyç në përhapjen e ideologjisë komuniste si alternativë funksionale. Dhe në skajin tjetër të spektrit – nazizmi dhe fashizmi, vështirë të imagjinohet që këto ideologji të skajshme do të bëheshin faktorë qëndrorë në Evropë dhe në historinë globale, pa Luftën e Parë Botërore,” thotë Aviel Roshwald, profesor i historisë në Universitetin “Georgetown” në Uashington.

Lufta I Botërore la pas perandori të shpërbëra, ekonomi të shkatërruara, miliona të vrarë, të plagosur e të zhvendosur që u bënë burim i radikalizimit të shoqërive të prekura nga konflikti, shpjegon historiani Aviel Roshwald.

“Menjëherë pas luftës, në 1918-1919 u duk sikur ithtarët e idealit të vetëvendosjes për kombet e vogla të Evropës dolën fitimtarë, pasi perandoritë shumetnike si Perandoria Austriake, Romanovët në Rusi, Perandoria Osmane në Lindjen e Mesme u shpërbënë dhe u lanë vend shteteve të reja. Por secili nga këto shtete i dalë nga hiri i perandorive të shpërbëra lindi në kaos, në sisteme ekonomike të ndërprera, nga shkatërrimi i luftës”.

John Lampe, njohës i zhvillimeve ballkanike, thotë se njësitë e reja që u krijuan në Ballkan, rezultante të marrëveshjeve arbitrare mes fuqive botërore, me popullsitë e përziera etnike dhe pretendimet për zgjerim territorial u bënë burim abuzimesh, masakrash, përndjekjesh të ndërsjellta mes kombeve ballkanike. Jehona e atyre ditëve ndjehet ende sot në zhvillimet politike në rajon:

“Këto kujtime nga koha e luftës… ky sfond i asaj periudhe ndihmon për të kuptuar sa e vështirë është tani të gjendet një zgjidhje për kufirin mes Serbisë dhe Kosovës”.

Ideali që prezantoi Lufta e Parë Botërore – e drejta e kombeve për vetëvendosje – është përfolur e analizuar shumë në 100 vjetët e fundit. Profesor Lampe thotë se vetëvendosja në praktikë nuk ofron gjithmonë zgjidhje të qëndrueshme të pretendimeve territoriale:

“Nëse me vetëvendosje nënkuptojmë një qeveri kushtetuese që u ofron të gjithë qytetarëve një shans për votë, dakord. Por nëse me këtë shprehje nënkuptojmë vetëvendosje vetëm për një grup etnik, është e qartë që nuk shërben për zgjidhje të suksesshme”.

Profesor Roshwald thotë se historia e njerëzimit ka dëshmuar se kur vetëvendosja rezulton në ndryshim kufijsh, dalin më shumë probleme të reja se sa zgjidhen. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, thotë ai, zgjidhja e vetme funksionale mund të gjendet tek marrëveshja mes palëve:

“Në shumë, shumë raste, ndryshimi i kufijve krijon burime të reja për hakmarrje dhe pretendime irredentiste vite më pas. Me rëndësi kyçe për Kosovën dhe Serbinë është gjetja e një zgjidhjeje që pranohet nga të dyja palët dhe jo që imponohet nga njëra palë”.

Profesor Lampe thotë se problemi nuk qëndron tek kufiri aktual mes Kosovës dhe Serbisë, por tek gjurmët që ka lënë historia tek këto popullata, tek një mëri që mbartin dy kombet brenda vetes, të ushqyer në masë të madhe nga zhvillimet gjatë dhe pas Luftës I Botërore. Por ai sjell shembullin e Irlandës, për të dëshmuar se ka zgjidhje edhe për problemet e armiqësive të gjata mes popullatave, pa nevojën e ndryshimit të kufijve:

“Kërkohet një angazhim nga një numër kritik udhëheqësish si nga serbët ashtu edhe shqiptarët në Kosovë që të mbështesin një marrëveshje për t’i garantuar pjesëmarrje pakicës serbe. Edhe vetë pakica serbe duhet ta kuptojë se është në interesin e tyre të angazhohet, të marrë pjesë në parlamentin e Kosovës”.

Perëndimi punoi shumë për të nxjerrë mësime nga dy luftrat botërore dhe për të vënë në funksionim garanci që konflikte të tilla shkatërrimtare nuk do të përsëriteshin, duke krijuar institucione transatlantike, pista shkëmbimesh për të rritur besimin e ndërsjelltë dhe për të lehtësuar dialogun.

Fuqitë perëndimore, dikur armike në anë të kundërta të konfliktit, përqafuan parimet e tolerancës, shtetit ligjor, kompromisit, të drejtat e komuniteteve, të gjitha të frymëzuara nga mësimet e nxjerra nga konfliktet, mësime që Ballkani duket se nuk i ka përvetësuar ende 100 vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. (voa)

Maqedoni: Qeveria i dorëzon parlamentit projekt-amendamentet kushtetuese

ZaevQeveria e Maqedonisë i dorëzoi të premten parlamentit projekt-amendamentet kushtetuese për ndryshimin e emrit të vendit, sipas Marrëveshjes së Prespës. Parlamenti pritet që t’i miratojë ato në janarin e vitit të ardhshëm. Shumica parlamentare ka siguruar numrin e nevojshëm prej dy të tretave të ligjvënësve për t’i miratuar ndryshimet e kushtetutës.

Për përmbajtjen e këtyre amendamenteve dihej që më parë: në Kushetutë do të fshihet emri Republika e Maqedonisë dhe do të zëvendësohet me fjalët Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në preambulën e Kushtetutës pëson ndryshim edhe deklarata historike nga formimi i Republikës së Maqedonisë pas Luftës së Dytë Botërore, i njohur si manifesti i ASNOM-it apo Këshillit Antifashist për çlirimin e Maqedonisë ku u bëhej thirrje maqedonasve të Greqisë dhe Bullgarisë që të bashkoheshin me ata të Maqedonisë. Në këtë amendament shtohet edhe Marrëveshja e Ohrit.

“Marrëveshja Kornizë e Ohrit tashmë është përfshirë plotësisht në kushtetutën e vendit dhe ne të gjithë e pamë të udhës që këtë marrëveshje ta vendosnim në preambulë si element kushtetues”, tha kryeministri Zoran Zaev gjatë një konference për media.

Më pas, në amendamentin e radhës theksohet respektimi i sovranitetit dhe integritetit tokësor të shteteve fqinje.

Në amendamentin 36 theksohet përkujdesja e shtetit për pjesëtarët e popullit maqedonas në shtetet e huaja, ndërkohë që republika, siç qëndron në amendament, nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve të tjera as në punët e tyre të brendshme.

Kryeministri maqedonas tha se amendamente të reja veç këtyre nuk do të mund të propozohen nga faktorët tjerë politikë, por ato mund të propozojnë shtesa ndaj këtyre katër amendamenteve kushtetuese.

Çështja e Marrëveshjes së Ohrit në preambulë që ishte kërkesë e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk duket se kënaq shumë shqiptarët me që populli dhe gjuha shqipe nuk figurojnë me emrin e tyre por si “njëzet përqind e një komuniteti”.

Aleanca për Shqiptarët dhe krahu tjetër opozitar i Lëvizjes Besa të cilët kërkojnë që në preambulë të qëndrojë populli shqiptar dhe gjuha shqipe, megjithatë kanë lënë të kuptohet se këtë nuk e kushtëzojnë me votat e tyre për ndryshimet kushetuese.

Shumica parlamentare me katër deputetët e partive opozitare shqiptare dhe tetë të opozitës maqedonase ka siguruar numrin e nevojshëm prej dy të tretave nga 120 vendet sa ka gjithsej parlamenti, ndërsa nuk është për t’u habitur nëse edhe ndonjë ligjvënës i VMRO-DPMNE-së të votojë pro këtyre ndryshimeve të kushtetutës.

Nga ana tjetër, pushteti ka pranuar kushtin e tetë deputetëve opozitarë maqedonas për formimin e një komisioni parlamentar që do të mundësonte faljen apo pajtimin, siç e quan pushteti, të atyre personave të përfshirë në dhunën në parlament në 27 prillin e vitit të kaluar.

Qeveria përpiqet të jetë e kujdesshme për të mos e quajtur këtë amnisti që të mos i minojë para syve të komunitetit ndërkombëtar synimet rreth sundimit të ligjit dhe shtetit ligjor. Kryeminstri Zaev premtoi një proces transparent të procedurave të këtij pajtimi.

Komisionet parlamentare kanë një afat prej një muaji të debatojnë mbi amendamentet kushtetuese dhe sipas pritshmërive Parlamenti do t’i miratojë ato në muajin janar të vitit të ardhshëm. (voa)

Maqedoni: Marrëveshja e Ohrit në preambulën e Kushtetutës

qeveria e rmQeveria në Maqedoni miratoi projekt-amendamentet për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë hartuar në konsensus me grupin e pavarur opozitar të VMRO-DPMNE-së dhe që i janë dorzuar në shqyrtim Kuvendit.

“Amendamenti i parë ka të bëjë me ndryshimin emrit të Maqedonisë me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut në tërë Kushtetutë. Amendamenti i dytë ka të bëjë me shtimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në Preambul dhe mendoj se ky vendim është korrekt, ndërkaq amendamenti i tretë thotë se Republika e Maqedonisë do ta respektojë integritetin territorial të shteteve të tjera. Me amendamentin e katërt mbrohet popullata e Maqedonisë, që jeton jashtë vendit pa u përzier në punët e brendshme të shteteve”,  deklaroi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Në konsultimet me deputetët është vendosur që tanimë kur hapet Kushtetuta, në Preambul të shtohet edhe dokumenti i Marrëveshjes së Ohrit, i cili gjihtësesi është i përfshirë në tërë Kushtetutën.

“Marrëveshja e Ohrit është e ndërtuar konform Kushtetutës së Maqedonisë dhe argumentimi në këtë debat me deputetë dhe në Qeveri ka qenë se kur hapet Kushtetuta është e udhës të përfshihet edhe Marrëveshja e Ohrit si element konstituiv, pasi edhe ajo është pjesë e Kushtetutës”, tha kryeministri Zaev.

Marrëveshja e Ohrit është zgjidhje për Maqedoninë multietnike dhe duhet të saktësohet në Preambul, vlerëson edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani. “Në Marrëveshjen e Prespës është parashikuar saktësimi i KAÇKM-së me definimin e Manifestit si dokument kryesor. Ne vlerësojmë se gjatë definimit të dokumenteve konstituive të shtetit është logjike ndjekja e hapave, që nuk është kërkesë vetëm e shqiptarëve, por edhe e të gjitha partive politike në shtet, pasi Marrëveshja e Ohrit është futur në Kushtetutë me amendamente, vetëm se nuk është përmendur si dokument. Është logjike që të ketë një tërësi të elementeve konstituive të shtetit në mënyrë kronologjike dhe këtu bënë pjesë edhe Marrëveshja e Ohrit”, shprehet Bujar Osmani zëvendëskryeministër.

Pranohen kërkesat e deputetëve të pavarur të VMRO-DPMNE-së

Koordinatorja e grupit të deputetëve të pavarur, të cilët u përjashtuan nga VMRO-DPMNE, Elizabeta Kamçeska-Milevska, tha se kërkesat e tyre për ndryshimin e Kushtetutës janë pranuar nga qeveria. “Kërkesa jonë ka të bëjë me garantimin e identitetit maqedonas. Kërkesa e dytë është nëse Greqia nuk ratifikon marrëveshjen dhe sërish bllokon rrugën euroatlantike, do të ketë shfuqizim të të gjitha amendamenteve që dalin nga marrëveshja me Greqinë. Kërkesa e tretë është për ndryshimin e emrit dhe përdorimin e jashtëm të tij. Gjegjësisht në çdo dokument, ndryshimet duhet të bëhen brenda pesë viteve”, u shpreh Elizabeta Kamçeska-Milevska. Ajo tha se pret që pjesë e diskutimeve për amendamentet të jenë edhe deputetët e tjerë të VMRO-DPMNE-së.

Më 7 nëntor fillon debati për projekt-amendamentet

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ka caktuar seancën plenare më 1 dhjetor për ndryshimet kushtetuese, kurse më 7 nëntor do të jetë komisioni për rishqyrtimin e amendamenteve. Pasi Kuvendi me shumicë absolute me përkrahjen e 61 deputetëve do të deklarohet për çdo amendament do të caktohet seancë për ndryshim të Kushtetutës, për të cilën është e nevojshme shumica e dy të tretave dhe me këtë bëhet ndryshimi i Kushtetutës. Deri në ndryshimin e Kushtetutës është e nevojshme që të votohet edhe dy herë, njëherë me shumicë absolute 61 vota nga numri i përgjithshëm dhe një herë me shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht me 80 vota. Para fillimit të debatit për projekt-amendamentet, shumica parlamentare ka siguruar numrin e deputetëve për të votuar me dy të tretat e votave.

Tetova në mesin e qyteteve më të ndotura në Evropë

TetovaHulumtimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2018 kanë vendosur qytetin e Tetovës dhe Tuzllës, mes dhjetë qyteteve më të ndotura në Evropë.

Sipas vlerësimeve të OBSh-së, në Maqedoni rreth 1350 persona humbin jetën për shkak të ajrit të ndotur, përderisa shpenzimet ekonomike tejkalojnë vlerën e 200 milionë eurove, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Tetova dhe Tuzlla fuqishëm mbështeten në thëngjill – linjit, në industrinë e nxehjes së amvisërive që ndot shumë mjedisin.

Qyteti i Tetovës për disa vite me radhë ka pasur probleme me ndotjen e ajrit, ndërsa në disa raste ka qenë  në mesin e qyteteve më të ndotura në botë.

Edhe përkundër këtyre fakteve, qeveria e Maqedonisë, ende mendon ta riaktivizojë njërën nga ndotësit më të mëdhenj në rajonin e Pollogut Fabrikën “Jugohrom”.

Tahiri: Hetimet në Itali nuk gjetën asgjë të paligjshme

Saimir TairiNë Shqipëri, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, tha sot se hetimet e kryera në Itali për lidhjet e tij me grupin e vëllezërve Habilaj të përfshirë në trafikun e marijuanës janë pushuar pasi siç tha ai, nuk është gjetur asnjë provë e përfshirjes së tij

Zoti Tahiri tha se kishte në dorë vendimin e një gjykate italiane për pushimin e hetimeve pas nuk ka rezultuar asnjë lidhje me aktivitete të paligjshme. Ai deklaroi se megjithatë do të presë me qetësi përfundimin e hetimeve në Shqipëri ku akuzohet për “trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal”, si edhe “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Zoti Tahiri foli megjithatë me tone të ashpra ndaj prokurorisë e cila siç deklaroi “ka një vit që po heton dhe nuk më ka marrë asnjë herë të vetme në pyetje”. Sipas tij, si asnjëherë më parë, prokuroria ka angazhar një grup me 7 prokurorë. Nëse nuk mjaftojnë të bëhen dhe 70. Vetëm mbaroni hetimet dhe tregoni të vërtetën”, tha ish ministri. Dy javë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi shtyrjen me tre muaj të tjerë të afatit të hetimeve, për të patur më shumë kohë për kryerjen e disa veprimeve të tjera hetimore duke shpjeguar se është në pritje të një përgjigjeje nga Italia, se po bën verifikime për disa të dhëna të dërguara nga Mali i zi si dhe verifikime pasurore.

Hetimet ndaj ish ministrit të Brendshëm, nisën tetorin e vitit të shkuar, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet u hapën menjëherë pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i tij përmendet disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi me shpejtësi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë.

Në fillim të muajit maj, zoti Tahiri dha dorëheqjen si deputet. Menjëherë pas kësaj ndaj tij u mor masa e arrestit të shtëpisë, e cila më pas u hoq me vendim të Gjykatës së Apelit.

Ndaj deklaratës së sotme të ish ministrit reagoi dhe Partia Demokratike sipas së cilës, dokumentat e paraqitura prej tij nuk kanë asnjë vlerë, pasi ai “është hetuar nga autoritetet italiane vetëm për veprimtari kriminale në territorin italian”, tha eksperti demokrat Gazmend Bardhi, duke shtuar se “si ministër i Brendshëm, akuzohet për lehtësimin dhe mbështetjen shtetërore për trafikun e drogës nga organizata kriminale e Habilajve në Shqipëri. Kjo veprimtari kriminale është zhvilluar në territorin shqiptar dhe si e tillë nuk mund të hetohet dhe as procedohet nga drejtësia italiane. Italia nuk ka juridksion për vepra penale të ndodhura në territorin e një vendi të huaj nga një shtetas i huaj”, u shpreh zoti Bardhi. (voa)

Parlamenti debaton në Prishtinë – Thaçi bisedon me Serbinë në Bjellorusi

kuvendi ksPartitë politike në parlamentin e Kosovës dështuan të enjten të harmonizojnë një rezolutë rreth bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, rreth së cilës diskutuan gjatë tërë ditës së mërkurë.

Në tekstin e rezolutës së propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila mori 50 vota dhe rrjedhimisht nuk u miratua, thuhet se “Kuvendi i Kosovës rithekson se kushtetuta e Kosovës, sovraniteti, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar janë të pacenueshme. As presidenti dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të diskutoj për territorin”.

Paraditen e së enjtes grupet parlamentare nuk arritën të pajtohen edhe për disa pika të propozuara nga partitë në pushtet për rezolutën e cila pasoi seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, lidhur me, siç thuhet, angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufijve” në bisedimet Kosovë Serbi.

“Këta ankohen pse po shkon presidenti në Bruksel. Vet këta me këtë kryeneqësi po ia mundësojnë presidentit të shkojë vetë në Bruksel, me mandatin kushtetues që e ka, sepse nuk po krijohet mundësia të krijohet një komision i parlamentit që ta mbikëqyr dialogun e as t’i japim dritën e gjelbër qeverisë të vazhdojë me obligimet kushtetuese”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Memli Krasniqi.

Çështja e kufijve të Kosovës me Serbinë, është diskutuar ndërkaq në një konferencë për sigurinë në Minsk të Bjellorusisë, ku morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç.

Organizatori i konferencës shkroi në twitter se presidenti Thaçi dhe kryeministrja Bërnabiç, “nënvizuan se një shkëmbim shumë i diskutuar i territoreve është vetëm një element i një pakoje më të gjerë diskutimesh dhe se nuk do të hapte kutinë e Pandorës nëse një marrëveshje e tillë do të bazohej në vendimet e të dyja qeverive”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së kufijve.

Këto ide nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të rajonit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Gjermania ishte më e zëshmja kundër ideve të tilla.

Kryetari i Konferencës së Sigurisë të Munihut, Wolfgang Ischinger, shkroi në rrjetet sociale se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, kritikuan qëndrimin gjerman.

Por, presidenti Thaçi mohoi një gjë të tillë. Ai publikoi në rrjetet sociale fjalimin e tij ndërsa theksoi se “Gjermania është aleat strategjik i Republikës së Kosovës. Besoj, sot, sikurse kam besuar gjithmonë, se nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme në Ballkan pa mbështetjen edhe të Gjermanisë. Berlini është porta e Kosovës dhe e rajonit për integrim në BE. Kritikat negative për Gjermaninë nuk mund të më atribuohen mua”, shkroi ai.

Në fjalimin e tij të mërkurën ai tha se janë duke u shqyrtuar të gjitha idetë, por ende nuk ka asnjë marrëveshje. Ai tha se nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë shkëmbim të popullatës në mes të dy vendeve dhe do të ruhet shpirti shumetnik dhe realiteti i Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka përsëritur për muaj të tërë se angazhohet për korrigjim kufiri që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptarë në jug të Serbisë, me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, theksoi të mërkurën se ideja e tij për vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, nuk është pritur mirë në Serbi dhe se për këtë arsye nuk ka dhënë hollësi rreth kësaj ideje duke e ditur reagimin e opinionit serb. Kufizimi ndërmjet dy popujve nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës, përkatësisht që veriu i saj me shumicë serbe t’i bashkohet Serbisë.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimet në Bashkimin Evropian, i cili edhe ndërmjetëson bisedimet. Por, ndonëse ishte thënë se vjeshta mund të shënojë një periudhë takimesh të ngjeshura ndërmjet të dyja palëve, takimi i fillimit të shtatorit dështoi dhe tash për tash nuk ka asnjë lëvizje nga Brukseli.

Opozita në Kosovë ka ngritur dyshimin që presidenti Thaçi në Francë do të diskutojë për kufijtë e Kosovës, gjatë manifestimeve me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ku pritet të marr pjesë edhe presidenti i Serbisë. Presidenti Thaçi e ka hedhur poshtë çdo mundësi që të bisedohet në Paris, ndërsa presidenti serb, Vuçiç, tha të mërkurën se mund të ketë një takim me praninë e zyrtarëve të lartë perëndimorë, por nuk pritet të ketë asgjë me peshë në Francë.

Të dy presidentët pohojnë se janë larg ndonjë marrëveshjeje dhe nuk kanë pranuar të thonë nëse tashmë kanë hedhur në letër idetë që një pjesë e veriut të Kosovës, të shkëmbehet me një pjesë të luginës së Preshevës.

voa

Shkup: gjykata urdhëron ngrirjen e pasurisë së VMRO-DPMNE

partia vmroNjë gjykatë në Shkup, me kërkesë të Prokurorisë së posaçme ka urdhëruar ngrirjen e pasurisë së partisë opozitare VMRO-DPMNE. Prokuroria ka njoftuar se bëhet fjalë për 69 objekte, ndër to edhe selia e partisë në Shkup. Me këtë, masë, ndalohet shitja, ose dhënia me qira e këtyre objekteve. Prokuroria ka vepruar kështu, për shkak të një rasti që po procedohet në gjykatë dhe për shkak të mundësisë së tjetërsimit të pasurisë nga partia, para përfundimit të gjyqit.

VMRO-DPMNE-ja vlerësohet si partia më e pasur në Evropë dhe pronat e saj arrijnë vlerën e 60 milionë eurove, sipas hulumtimeve të organizatës SCOOP-Macedonia.

Partia e ka quajtur këtë vendim të gjykatës si absurd, ndërsa ka akuzuar gjykatën si “dorë e shtrirë e kryeministrit Zoran Zaev”.

Sekretari i Përgjithshëm i VMRO-së, Igor Janushev u tha të enjten gazetërave se “pushteti përmes instalimeve të tij në gjyqësor po niset në betejë kundër secilit që nuk është i gatshëm të bëjë pazar me Maqedoninë”.

VMRO-ja thotë se pushteti po synon të pengojë funksionimin normal të saj. Por, Lidhja Social Demokrate, partia e kryeministrit Zaev i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Prokuroria e Posaçme është një institucion i pavarur.

Prokuroria e Posaçme ka dyshime për dhjetra pjesëtarë në pozita të larta të partisë më të madhe opozitare, për shkak se gjatë ndërtimit të selisë në qendër të Shkupit kishin bërë marrëveshje me një kompani që i bënte favore VMRO-DPMNE-së.

“Pallati i bardhë”, siç njihet selia e opozitës në qendër të Shkupit, vlerësohet nga 7 deri në 15 milionë euro. VMRO-ja ka paralajmëruar se do të ankohet në instanca më të larta, ndërkohë që ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë e konfiskimit të pasurisë së kësaj partie.

VMRO-DPME-ja po kalon përmes një situate të vështirë këto ditë, ndërsa ish-funksionarë të lartë dhe deputetë të saj po ia kthejnë shpinën drejtuesit Hristijan Mickovski, që ka larguar nga partia disa eksponentë të njohur, duke lënë përshtypjen në opinionin pubik për një përçarje serioze brenda partisë. (voa)

Maqedoni, tjetër “rrjedhje” deputetësh nga opozita me në krye VMRO-në

Hristijan-Misckoski-Hristijan Mickoski, kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare në Maqedoni.

Numri i deputetëve që janë larguar nga koalicioni opozitar i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja ka shkuar në 12, e tashmë nga 51 deputetë sa kishte ka mbetur me 39.

Fillimisht nga partia u përjashtuan 8 deputetët, të cilët mbështetën ndryshimet kushtetuese, por të pakënaqur me këtë vendim, si dhe me qasjen e partisë ndaj procesit për marrëveshjen me Greqinë janë larguar edhe 4 të tjerë.

Nga VMRO-ja kanë akuzuar për këtë partitë në pushtet, me pretendimin se “me kërcënime e shantazhe të ulëta kanë marrë mbështetjen për marrëveshjen kapitulluese”.

Por, deputetët e përjashtuar dhe ata të larguar kanë denoncuar kërcënime të ndryshme, që sipas tyre kanë ardhur nga struktura të ndryshme. Disa prej tyre tashmë po ruhen nga policia, ndërsa kanë nisur edhe procedura gjyqësore, gjë që konfirmohet edhe nga ministrja e Drejtësisë, Renata Dskoska.

Për zhvillimet në VMRO, disa nga ish-anëtarët e saj akuzojnë kreun e partisë, Hristijan Mickovski, se interesat shtetërore i ka vendosur mbi ato partiake, ndërsa kërkojnë mbajtjen e Kongresit të jashtëzakonshëm.

VMRO-DPMNE-ja ka qeverisur në 10 vitet e fundit Maqedoninë, me në krye Nikola Gruevskin, i cili tani po gjykohet në disa procese gjyqësore për shpërdorim të detyrës zyrtare. Procese po zhvillohen edhe ndaj personaliteteve të tjera të larta të kësaj partie, e cila kundërshton fuqishëm marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes 27-vjeçare për emrin e shtetit.

Top Channel

Kush mund ta pasojё Angela Merkelin nё krye tё CDU-sё?

MerkelAngela Merkel deklaron, se nuk kandidon mё pёr kryetare tё CDU-sё. Mbetet e hapur, se kush mund ta pasojё atё nё kёtё post. Kongresi i CDU zhvillohet pas gjashtё javёsh nё Hamburg.

Angela Merkel nuk do tё rikandidojё pёr kryetare partie nё kongresin e CDU-sё. Por kush do tё pasojё nё kёtё post? Disa kandidatё konsiderohen si favoritё, ndёr ta figura tё njohura. Por veçanёrisht njёri nga kandidatёt konsiderohet suprizues.

Nё CDU ka papritur sёrish mundёsi pёr ndarjen e posteve. Deklarimi i papritur i Angela Merkelit, se nuk do tё kandidojё mё pёr postin e kryetares sё partisё, nё kongresin e CDU-sё nё dhjetor, po nxit spekulimet mbi personin qё do ta pasojё atё. Deri tani Merkel pati theksuar, se posti i kancelares me atё tё kryetarit tё partisё janё tё pandashёm. 18 vjet Merkel ёshtё nё krye tё CDU-sё, 13 vjet ajo ёshtё kancelare. Humbjet masive tё partisё nё zgjedhjet pёr parlamentin e landit nё Hesen, duket se tashmё e kanё bindur Merkelin, qё heqja dorё prej pushtetit nё CDU mund tё ndihmojё nё stabilizimin ose madje shpёtimin e qeverisjes sё çalё.

“Eshtё koha pёr njё kapitull tё ri”, tha Merkel tё hёnёn gjatё njё konference shtypi, duke deklaruar tёrheqjen e saj prej postit mё tё lartё partiak. Po ashtu ajo dekalroi, se mё 2021 nuk do tё rikandidojё pёr kancelare, por do tё qendrojё kancelare deri nё fund tё kёsaj periudhe legjislative. Pas kёtij vendimi tё Merkelit ka nisur gara pёr kandidatёt e mundshёm nё CDU, pёr ta pasuar atё.

Annegret Kramp-Karrenbauer me Angela MerkelinSekretarja e pёrgjithshme e CDU-sё Kramp-Karrenbauer deklaron kandidaturёn

E para qё paraqiti kandidaturёn pёr drejtimin e partisё ishte sekretarja e pёrgjithshme e CDU-sё, Kramp-Karrenbauer. Tё hёnёn (29.10) nё takimin e kryesisё federale tё partisё ajo bёri tё qartё, se do tё kandidojё. Vendimi do tё merret nё kongresin e partisё nё fillim tё dhjetorit nё Hamburg. Kramp-Karrenbauer konsiderohet si e besuara e kancelares. Ajo deri nё shkurt ishte kryeministre nё Saarland dhe mё pas kaloi nё Berlin nё postin e sekretares sё pёrgjithshme tё CDU-sё. Nё kёtё detyrё ajo u shqua veçanёrish si ndёrmjetёsuese mes krahёve rivalizuese dhe interesave tё ndryshme brenda partisё. Deri tani projekti mё i rёndёsishёm i saj si sekretare e pёrgjithshme ёshtё hartimi i njё programi parimor. Pasi CDU nёn kancelaren Angela Merkel ka humbur besimin kryesisht nё grupet e zgjedhёsve konservatorё e liberal nё ekonomi, nё kёtё program parimor duhet tё pёrcaktohet qartё tipari konservator i CDU-sё. Kancelarja Merkel nё rast se kryetare e CDU-sё do tё jetё Kramp-Karrenbauer do tё gёzohej, sepse tё dyja janё tё lidhura miqёsisht. Puna mes tyre funksionon mjaft mirё.

Jens SpahnNdryshe do tё jetё nёse drejtimin e CDU-sё e merr pёrsipёr ndonjёri nga kandidatёt e tjerё. Jens Spahn, aktualisht ministёr i Shёndetёsisё nё qeverinё Merkel, deklaroi gjithashtu, se do tё kandidojё. 38-vjeҁari konsiderohet prej kohёsh si kritik  i Merkelit – dhe si zёdhёnës pёr tё gjithё ata nё parti, qё mendojnё se nёn Merkelin CDU-ja ka marrё njё profil socialdemokrat. Pikёrisht krahu pёr ekonominё liberale nё parti, qё prej vitesh e ka ndjerё veten tё anashkaluar lidhur me politikёn e shpёtimit tё Euros dhe krizёn e refugjatёve, me njё kandidat si Spahn mund tё nxisё njё kthesё pragmatike nё partinё e fundit popullore tё Gjermanisё. Edhe pse Spahn ёshtё relativisht i ri, atij shumё nё parti ia besojnё detyrёn e kryetarit. Ai shpesh gjatё debateve kontroverse ёshtё dёshmuar i qëndrueshёm. Nisur nga kandidatura e paraqitur nga Kramp-Karrenbauer dhe Spahn, Merkel tha: “Unё e konsideroj kёtё si njё fazё tё mirё dhe tё rёndёsishme, gjatё sё cilёs partia mund tё fitojё sigurinё nё vetvete.”

Friedrich MerzKandidati i surprizёs: A do ta shpёtojё Friedrich Merz profilin konservator tё CDU-sё?

Pak ose pothuajse aspak nuk dinte kancelarja Merkel pёr njё tjetёr kandidaturё tё mundshme pёr pasues tё saj nё krye tё partisё. “Lidhur me kёtё nuk mund tё them asgjё tё sigurtё”, u pёrgjigj Merkel pas pyetjes sё gazetarёve, nёse ka dёgjuar pёr kandidaturёn e Friedrich Merz. 62 vjeҁari jurist dhe ekspert financash, Friedrich Merz para shumё vitesh u shkёput nga Gjermania dhe konsiderohej si kritik gjuhёmprehtё i Merkelit.  Merz nё vitet 2000 deri mё 2002 kryesonte grupin parlamentar tё CDU-sё dhe CSU-sё – derisa Merkel e spostoi atё nga ky post. Shumё vёzhgues e konsiderojnё Merzin si figurёn drejtuese tё konservatorёve nё parti. Merz e konfirmoi para gazetarёve gatishmёrinё e tij pёr tё kandiduar.  Qё nga viti 2009 Merz ёshtё kryetar i “Rrjetit Ura-Atlantik”.

Kёta janё tre ndёr favoritёt qё e kanё shprehur hapur, se duan tё kandidojnё pёr tё pasuar kancelaren Merkel nё postin e kryetares sё partisё. Ndёrkohё nё Berlin qarkullojnё edhe emra tё tjerё si Armin Laschet, aktualisht kryeministёr nё landin e Renanisё Veriore-Vestfalisё (NRW). Edhe Laschet konsiderohet si pasues i mundshёm i Merkelit. Ai prej vitesh shprehet edhe pёr aleancё mes CDU-sё dhe ekologjistёve, edhe pse ndёrkohё qeveris nё NRW nё koalicion me liberalёt. Disa komentatorё konsiderojnё edhe Wolfgang Schäuble, njё ndёr figurat mё solide tё CDU-sё si kandidatin e duhur. Schäuble, qё ёshtё aktualisht president i Bundestagut, ka qenё pёr shumё vite ministёr i Financave dhe i Brendshёm. Zgjedhja e tij kryetar partie do tё ishte njё sinjal pёr vazhdimёsinё nё CDU mё shumё se sa sinjal pёr fillim tё ri. Nёse ai do tё kandidojё, kjo nuk ёshtё ende e qartё. Se edhe sa kandidatё mund tё paraqiten nga rajonet deri nё kongresin e patisё, kjo ende nuk ёshtё e qartё. Mbeten edhe gjashtё javё deri atёherё e me siguri qё do tё spekulohet edhe pёr shumё emra tё tjerё.

dw