Shqipëri, opozita drejt bojkotit të zgjedhjeve lokale

zgjedhjet ALBNë Shqipëri opozita duket se përfundimisht ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale të 30 qershorit. Kryesia e Partisë Demokratike miratoi sot një propozim të kryetarit Lulzim Basha sipas të cilit “PD të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Sipas Partisë Demokratike “kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave”.

Por përveç mospjesmarrjes, PD-ja sipas propozimit të zotit Basha do të angazhohet dhe për të bllokuar zhvillimin e zgjedhjeve. “Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale”, thuhet në vendim ndërsa saktësohet se angazhohet gjithashtu dhe që “të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”.

Vendimi i kryesisë u miratua në mbrëmje dhe nga Këshilli Kombëtar i PD-së. Zoti Basha pas mbledhjes nuk dha detaje të tjera sei si do të konkretizohet ky aksion i opozitës. Ndërsa thirrjeve të përfaqësuesve ndërkombëtarë për një dialog mes palëve, ai ju përgjigj dhe sot se “parakushti për një dialog të vërtetë është largimi i Edi Ramës”.

Në të njejtën linjë dhe Lëvizja socialiste për integrim. Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, zëvendëskryetari Luan Rama u shpreh se sipas tij “Shqipëria është një shtet i kapur, një shtet i kapur nga strukturat kriminale që kanë imponuar vullnetin e tyre në zgjedhjet që kanë prodhuar maxhorancën që është në shërbim të krimit dhe mbi bazën e këtij realiteti, aksioni politik i LSI-së i inkuadruar në tërësinë e veprimit politik dhe qytetar të opozitës, do të vazhdojë me vendosmëri për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje farsë, për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje që komandohen dhe blihen nga grupet kriminale, për të zgjedhur pushtetin dhe qeverinë që u shërben atyre.”

Vendimet individuale të dy partive kryesore të opozitës pritet të jenë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë në të cilën do të bëhen pjesë dhe partitë e tjera opozitare.

Çka është Dinjiteti dhe çka është Demagogjia?

DINJITET m.
1. Tërësia e vlerave morale të njeriut a të një grupi njerëzish (nderi, krenaria etj.); vetëdija që ka njeriu a një grup njerëzish për këto vlera e për të drejtat e veta në shoqëri dhe nderimi i tij për vetveten; shfaqja e jashtme e kësaj vetëdije dhe e këtij nderimi.

Dinjiteti kombëtar. Dinjiteti i njeriut (i familjes, i ndërmarrjes, i institutit).
Me (pa, plot) dinjitet. Ngre (ul, fyen, merr nëpër këmbë) dinjitetin. S’ka pikë dinjiteti. Flet (sillet) me dinjitet.
2. Cilësia e mirë a vlera e lartë e diçkaje që e bën atë të çmohet. Me dinjitet artistik. Vepër plot dinjitet.

 

DEMAGOGJI f. sh.
Mashtrimi i masave punonjëse, duke i joshur me fjalë të bukura e me premtime të rreme për t’i bërë për vete për qëllime e synime të caktuara politike; qëndrim i politikanëve me dy faqe, që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë; fjalë të bukura e të zbrazëta që kanë për qëllim të mbulojnë e të shtrembërojnë të vërtetën. Demagogji politike (borgjeze, revizioniste).
Demagogji e stërholluar. Demagogjia e kishës (e klerit). Bën demagogji.

Çka presin Kosova dhe Serbia nga takimi i Berlinit

MerkelPresidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk presin që në takimin e Berlinit me (29.04) të ketë ndonjë marrëveshje finale Kosovë-Serbi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk pret që në takimin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që mbahet me datën 29 të  këtij muaji nën organizimin e Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron,  të ketë ndonjë propozim për marrëveshje Kosovë-Serbi. Në këtë mënyrë, Presidenti Thaçi hodhi poshtë spekulimet në disa medie të Prishtinës dhe ato të Serbisë, ku shkruhej se “po zhvillohen biseda të fshehta”, para takimit të Berlinit me synimin arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi.

“Si president jam në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Takimi i Berlinit do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin tonë. Ne e mirëpresim dhe e përshëndesim këtë iniciativë. Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi”, shkroi në profilin e tij Presidenti Thaçi. Ai thotë se nga takimi i Berlinit pret rikonfirmim të perspektivës evropiane për rajonin e Ballkanit.

“Deklarata retorike”

“Presim që, në fund, ky takim të rezultojë me një deklaratë retorike të përgjithshme, paraprakisht të dakorduar mes pjesëmarrësve, e cila ndër të tjera do të rikonfirmojë së paku perspektiven evropiane të rajonit tonë, thellimin e reformave sidomos në sundimin e ligjit, si dhe do të theksojë domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania, dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, shkroi Presidenti Thaçi, duke rikujtuar se “Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë”.

“Prandaj, të flasësh për perspektiven evropiane të Kosovës, qoftë edhe vetëm në mënyrë retorike, është më tepër se hipokrizi”, thotë Thaçi.

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk pret që nga takimi i Berlinit do të ketë ndonjë marrëveshje Kosovë-Serbi, por, e pranon që siç thotë “do të ketë biseda të vështira me përfaqësuesit shqiptar”.

“Bisedimet nuk kanë asnjë lidhje me asnjë zgjidhje për Kosovën, por atje tema e takimit do jenë taksat dhe vazhdimi eventual i dialogut me Prishtinën. Asnjë zgjidhje nuk është afër, kur bëhet fjalë për Kosovën. Priten bisedime të rënda me përfaqësuesit shqiptar, nuk do të jetë lehtë as me Merkel dhe Macron, por kjo nuk ka të bëjë me ndonjë zgjidhje për Kosovën”, citojnë mediet në Serbi, Presidentin Vuçiq. Presidenti i Serbisë, ka vënë një ultimatum për Kosovën që ta heq taksën ndaj mallrave të saj deri më datën (06.05), në të kundërtën do të ndëmerr siç thotë, “kundërmasa ndaj Kosovës”.

“Nëse taksa ndaj mallrave serbe nuk hiqet deri më 6 maj, atëherë do të mbahet një seancë speciale e Komitetit Kryesor të (SNS)-së në Serbi, në të cilin do të dalim me masa kundër Prishtinës”, citohet Aleksandar Vuçiq.

Haradinaj dhe taksat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon ta mbajë qëndrimin se taksa ndaj mallrave të Serbisë mund të hiqet vetëm atëherë kur Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës. “Nuk po paragjykoj çka do ndodhë me 6 dhe pas 6 majit, por ajo që po apeloj tek të gjithë vendimmarrësit në Serbi është që në vend të ultimatumeve duhet t’i kthehemi  tavolinës dhe të arrijmë një marrëveshje për njohje reciproke. Është pa që ultimatumet, kërcënimet, nuk japin rezultate të duhura në Ballkan dhe tavolina, marrëveshja mund të na çon përpara. Udhëheqësit serbë të ulen e ta arrijmë një marrëveshje për njohje reciproke me Kosovën në kufijtë ekzistues”, tha Ramush Haradinaj.

Nga ana tjetër, Kryetari i kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, thotë se “çështjet e hapura me Serbinë duhet të përfundohen në mënyrë që të hapet ardhmëria evropiane për vendin”.

“Unë besoj që do të bëhemi bashkërisht, pushteti dhe opozita që t’i lëmë inatet mes vete dhe të përfundojmë çështjen me Serbinë. Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe nuk ka asnjë dilemë dhe ne po flasim vetëm për raportet Kosovë-Serbi drejt Bashkimit Evropian, por në çështjen e së ardhmes së Kosovës, ne as që do të hapim diskutim për atë çështje për vet faktin se territori dhe institucionet janë një e të pandashme dhe janë të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Kadri Veseli.

Pritjet e analistëve

Sidoqoftë, takimi i Berlinit me datën 29 prill, ndodhë në kohën kur ka një ashpërsim të retorikes politike Prishtinë-Beograd dhe në periudhën e bllokadës së dialogut ndërmjet dy vendeve. Naim Rashiti, udhëheqës i Institutit Ballkanik për Politika Zhvillimore, thotë se “takimi në Berlin më 29 Prill, i liderëve të BE-se, Gjermanisë e Francës me vendet e Ballkanit ka për qellim të i jap shtytje:

– Miratimit të negociatave për Republikën Veriore të Maqedonisë,

– Shtytje përpara për fillimin e negociatave për Shqipërinë po ashtu, edhe pse gjithnjë e më e vështirë. Por ende duhet shtyrë ashtu që mos të ketë ndarje,

– Shtyrje përpara e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën,

– Dhe tentime për të rinisur dialogun Kosovë-Serbi.

“Gjermania po bën përpjekje që duke pasur presidentin francez në takim të shtyj se paku tri pikat e para, sepse Franca ende po kundërshton. Ky takim do të jetë kyç për këto tri çështje, mund të jetë takim i lajmeve të mira dhe takim i lajmeve shumë të këqija. Ceshtja e dialogut Kosovë Serbi është më e komplikuar sepse as këto dy vende nuk do të mund të përparojnë dialogun shumë, pa BE-në dhe SHBA-së”, thotë njohësi i politikave Ballkanike Naim Rashiti.

Qëndrimi i Gjermanisë lidhur me dialogun Kosovë-Serbi është që dialogu duhet të vazhdojë për normalizimin e marrëdhënieve. Këtë e thanë në Prishtinë dy deputetët e Bundestagut Gjerman, Peter Bayer nga (CDU)  dhe Christian Schmidt nga (CSU) që ishin për vizitë në Kosovë në fillim të këtij muaji. Ata thanë se “Kosova dhe Serbia, duhet të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”, por, ata janë “kundër këmbimit të territoreve”.

dw

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të monitorohen nga gjithsej 3513 vëzhgues

Zgjedhjet-në-MaqedoniZgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, të cilat do të mbahen më 21 prill do të vëzhgohen nga gjithsej 3513 vëzhgues, prej të cilëve 419 do të jenë ndërkombëtar, ndërsa 3094 vendor.

Nga vëzhguesit vendor më shumë do të ketë OJQ “Most”, e cila procesin zgjedhor do ta ndjek me gjithsej 1940 vëzhgues, ndërsa më shumë vëzhgues ndërkombëtar do të ketë Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (195), njofton Telegrafi Maqedoni.

Vëzhgues për votimin më 21 prill ka angazhuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, e cila zgjedhjet do të monitorojë me 42 vëzhgues.

Vëzhgues kanë angazhuar edhe disa ambasada tjera në vend, prej të cilave e Rusisë katër, e Francës 6, e Shqipërisë shtatë, ndërsa Delegacioni i BE-së ka angazhuar 16 vëzhgues.

Ndryshe, në garë për kryetar shteti janë Blerim Reka, Gordana Siljanovska-Davkovka dhe Stevo Pendarovski. /Telegrafi/

“Der Standard”: Në Berlin “varroset” ideja e shkëmbimit të territoreve – Merkel propozon status të veçantë për veriun e Kosovës

MerkelMë 29 prill, kancelarja gjermane është nikoqire e një samiti të Ballkanit në Berlin. Dhe siç shkruan mediumi austriak Der Standard, “diskutimi rreth ndryshimeve të kufijve sipas kritereve etnike duhet të varroset aty”.

Më 29 prill, në Berlin do të mbahet një “Samit i Ballkanit Perëndimor” me iniciativën e kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Të ftuar janë të gjithë liderët nga rajoni dhe kryeministrat e Sllovenisë dhe Kroacisë, si dhe presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi.

Sipas diplomatëve, shkruan DerStandard, përcjell Telegrafi, qëllimi i takimit në Berlin është “për të varrosur planin e shkëmbimit të territoreve”.

Ideja ishte që të “shkëmbejnë” zonat në veri të Kosovës dhe Serbinë jugore, sipas kritereve etnike.

Koncepti u mbështet nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, këshilltari i Sigurisë i SHBA-së, John Bolton, Austria dhe Hungaria – një koncept që është diametralisht i kundërt me politikën e Ballkanit Perëndimor deri më sot.

Por, siç shkruan mediumi austriak, kancelarja në Berlin tani dëshiron të sugjerojë se veriu i Kosovës do të ketë një lloj statusi të veçantë – që është ankoruar edhe në idenë e Komunave Serbe, për të cilën ishte rënë dakord nga të dyja palët në Bruksel në vitin 2013, por akoma nuk është implementuar.

Madje, edhe një mbështetës i hapët i zonës së këmbimit si këshilltari politik Ivan Krastev tani thotë: “Përshtypja ime është se negociatat kanë humbur vrullin. Në këtë kuptim nuk do të ketë shkëmbim të territorit”.

Sipas Der Standard, ideja e një shkëmbimi të tillë ka shkaktuar frikë sidomos në mesin e serbëve në jug të Kosovës.

Ndërkohë, sipas diplomatëve, edhe SHBA tanimë janë distancuar nga sugjerimi, sepse siç thuhet, e kanë kuptuar se kjo do të sjellë probleme legale dhe të sigurisë dhe se fizibiliteti është i diskutueshëm.

Në këtë drejtim, shkruan Der Standard, përcjell Telegrafi, vlerësohet të jetë me rëndësi “një marrëveshje e mirë” në mes të Serbisë dhe Kosovës, se sa një marrëveshje e shpejtë.

Franca gjithashtu është e mendimit se përparësia e parë në Ballkan është të prezantojë më shumë sundim të ligjit.

Qëllimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve në kuadër të qasjes së BE-së.

Ky medium ka sjellë edhe një mendim të Albert Rohan, bashkautor i Planit të Ahtisarit, i cili përbën bazën kushtetuese në Kosovë.

“Ne supozuam se njerëzit në Ballkan në shekullin 21 mund të kapërcejnë të menduarit fisnor mesjetar dhe janë në gjendje të jetojnë në shoqëri multietnike. Ndoshta ka të bëjë më shumë me faktin se tani ka një administratë të re amerikane, e cila një shkëmbim të mundur territorial e ka vënë në konsideratë”, citohet të ketë thënë Rohan, i cili ka paralajmëruar se “nëse plani i Ahtisaarit do të shkatërrohej nga një shkëmbim territorial, të gjitha të drejtat e pakicave dhe kuadri i përgjithshëm do të vihen në pikëpyetje”. /Telegrafi/

Holanda na paragjykon! Kriminaliteti shqiptar atje, vetëm 0.2 për qind

albania-foto-Mospëlqimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Holanda është një histori e gjatë, e cila nuk nisi një ditë më parë me kërkesën e Parlamentit për heqjen e liberalizimit të vizave ndaj shtetasve shqiptarë.

Edhe një vit më parë, ishte Holanda, e cila nën moton “Strikt, por të drejtë”, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së shprehu skepticizëm të thellë për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Zëdhënësja e partisë CDA, deputetja Madeleine van Toorenburg tha fjalë të ashpra në Parlament dhe kërkoi më pak shqiptarë në vendin e saj, në një formë që do t’i përshtatej partisë politike të ekstremit të djathtë, PVV.

Deputetët kërkues të rikthimit të vizave nuk iu bindën fakteve dhe shifrave për kriminalitetin shqiptar, paraqitur në Parlament nga Qeveria e Holandës. Si arsye kryesore për rikthimin e vizave, 5 parti politike në Holandë përdorën atë që ata e cilësuan si “rritje serioze e krimit të organizuar të shqiptarëve në Amsterdam dhe Roterdam”.

Por, sa qëndron ky argument i përdorur në Parlament?
Top Channel, bazuar në të dhënat zyrtare të “Statline” të Holandës sjell të dhënat statistikore të shqiptarëve që kanë pasur probleme me ligjin gjatë dy viteve të fundit.

Po të shohim të dhënat mbi shkeljet penale nga shtetasit shqiptarë të dyshuar në Holandë, nga 710 persona në vitin 2016, ato kanë zbritur në 499 në vitin 2017 dhe në 470 persona të dyshuar në vitin 2018. Për më tepër, midis 244.500 të dyshuarve në regjistrin përkatës të autoriteve holandeze për vitin 2018, shqiptarët përbëjnë vetëm 0.2% të rasteve.

Në letrën dërguar nga ministri i Sigurisë dhe Drejtësisë, për Parlamentin e Holandës, theksohej që Komisioni Europian vlerëson kriteret që lidhen me udhëtimin pa viza për të gjitha vendet që kanë një regjim të tillë vizash.

Raporti i KE-së, i dhjetorit 2018, shprehet qartë se Shqipëria i plotëson të gjitha kriteret për udhëtim pa viza. Edhe ky fakt u anashkalua nga deputetja Van Toorenburg dhe disa deputetë të tjerë, duke e zhvendosur debatin në Parlamentin holandez, nga gjuha e fakteve tek urrejtja ndaj shqiptarëve.

Top Channel

Soreca për vizat: Pavarësisht vendimit të Holandës, shqiptarët mund të lëvizin të lirë

holandaParlamenti i Holandës votoi pro rikthimit të vizave për shqiptarët. Pritet të shihet se cilat do të jenë reagimet e autoriteteve evropiane.

Sipas kreut të misionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca: Shqipëria i ka plotësuar kriteret sipas KE-së për lëvizjen e lirë në zonën Schengen. “Asgjë nuk ka ndryshuar deri në këtë moment, vijon udhëtimi pa viza në zonën Shengen”.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca reagoi (17.04) pas vendimit të parlamentit në Hoalndë për rikthimin e vizave me Shqipërinë duke theksuar, se: “pavarësisht këtij vendimi asgjë s’ka ndryshuar dhe shqiptarët mund të lëvizin të lirë”. Sipas Sorecas Shqipëria i ka plotësuarkriteret sipas Komissionit Europian për lëzivjene lirë në zonën Shengen.

Ambasada e Holandës në Tiranë, përmes një deklarate zyrtare, bëri me dije të martën (16.04.) që “qeverisë holandeze i është kërkuar nga Parlamenti i saj të pezullojë mekanizmin e regjimit pa viza për shqiptarët. Për momentin qeveria është duke shqyrtuar hapat që duhet të ndërmarrë. Për momentin politika e vizave për  udhëtimin drejt Holandës për nënshtetasit shqiptarë nuk ka ndryshuar”. Deklarata e qeverisë së Holandës, përmes ambasadës së saj në Tiranë, erdhi pas botimit në mediat e Tiranës të lajmit për votimin në Parlamentin holandez të martën, pro rikthimit të lëvizjes me viza drejt Holandës, për nënshtetasit e Shqipërisë, si pasojë e „rritjes së kriminalitetit nga shqiptarët që mbrrijnë në Holandë”. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka sqaruar, përmes një deklarate, të martën në mbrëmje, se “votimi në Parlamentin holandez për t’i kërkuar BE fillimin e procedurave për pezullimin e përkohshëm të liberalizimit të vizave, nuk ndryshon rregullat e lëvizjes drej vendeve Shengen. Shtetasit shqiptarë do të vazhdojnë të lëvizin të lirë drejt vendeve Shengen sipas praktikës së derisotme dhe duke plotësuar kushtet aktualisht në fuqi”.

Qeveria e Tiranës : Shifra dhe fakte 

Në deklaratën e MEPJ bëhet me dije se “një shtet anëtar i BE, mund t’i kërkojë Komisionit Europian (KE) hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza, vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE. Asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë. MEPJ është besimplotë se rezoluta e Parlamentit holandez nuk mund të gjejë mbështetje në KE, pasi asnjë nga kriteret, që do të ҫonin në aplikimin e pëzullimit të përkohshëm, nuk është plotësuar në rastin e Shqipërisë.”

Deklarata e MEPJ i referohet shifrave dhe fakteve kur vë në dukje se „migracioni i paligjshën i shtetasve shqiptarë drejt Holandës ka rënë vazhdimisht, ndërkohë që pëzullimi aplikohet në rast rritjeje mbi 50%. Shifrat e krimit shënojnë rënie përmbajtësore”. Sipas MEPJ në miratimin e rezolutës në fjalë ka ndikuar klima elektorale e zgjedhjeve europiane që e „fut Shqipërinë në agjendën e partive në garë”, thekson deklarata. MEPJ shprehet se „nuk ka asnjë dyshim që përtej horizontit të zgjedhjeve europiane, faktet do të mbizotërojnë mbi klishetë elektorale”.

Presidenti Meta – Akt i paprecedent

Presidenti Ilir Meta e konsideroi të martën në mbrëmje rezolutën e Parlamentit holandez, „një akt të paprecedentë, një këmbanë alarmi për të reflektuar të gjithë dhe dhënë mesazhe me efektive në luftën kundër krimit të organizuar”. Ai shprehu shqetësimin për kthimn në efekt domino edhe për vendet e tjera të BE..

Opozita – vendimi i parlamentit holandez, akt mosbesimi ndaj qeverisë 

Për kryetarin e PD dhe liderin e opozitës Lulzim Basha, votimi në Parlamentin holandez pro rikthimit të vizave për shqiptarët është „një akt racizmi ndaj popullit shqiptar dhe një akt i pastër  mosbesimi ndaj qeverisë aktuale”. Në një kanal televiziv të Tiranës, Basha tha mbrëmë se “prej më shumë se 3 vitesh  policia holandeze dhe autoritetet e drejtësisë dhe ligjit në Holandë kanë konstatuar jo thjesht një rritje të numrit të krimeve të kryera nga rrjetet kriminale me bazë në Shqipëri, por rritje të influencës së tyre financiare dhe organizative. „Këto rrjete kriminale, duke operuar me bazë Shqipërinë, kanë futur në dorë trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt portit të Roterdamit apo Anversës në Belgjikë”, tha Basha .

Rezoluta e Parlamentit hollandez i është drejtuar qeverisë së Holandës. Nëse qeveria e miraton, që zbatohet duhet edhe miratimi i Komisionit Europian. Sidoqoftë vendimi i qeverisë holandeze dhe më pas i KE, rezoluta e parlamentit holandez pë rikthimin e vizave për shqiptarët hedh hije në shpresat e Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE në qershor apo pak muaj më vonë.

dw

Notre-Dame do të ringrihet

Notre DameFlakët në Katedralen e njohur në të gjithë botën e prekën në palcë Parisin. Por vetëm pak orë më vonë është e qartë: kisha do të restaurohet plotësisht. Kjo është gjë e mirë, Parisi pa Notre-Dame nuk përfytyrohet dot.

Pamjet apokaliptike të flakëve në katedralen më famshme në të gjithë botën janë ende të freskëta. Ashtu si apokalipsi i Kullave Binjake në New York në 11 shtator 2001, ato janë gdhendur që tani në kujtesën kolektive.

A mund të ketë një ngjarje tjetër, që do t’u shkaktonte me shumë dhimbje besimtarëve, të interesuarve për artin dhe turistëve? Katedralja e Notre-Dame-t është simbol i ndërtimit të stilit gotik, monumenti më i vizituar i Evropës, një vepër arkitekturore, e cila e prej gati 900 vjetësh e ka vendin në zemrën e Parisit dhe ka një peshë të pakrahasueshme si për të krishterët, ashtu edhe për artin dhe të interesuarit për artin njësoj.

Dhe sërish Parisi! Pas atentateve të tmerrshme terroriste të Charlie Hebdosë dhe të Bataclanit, ky lajm i trishtë e godet Parisin në palcë dhe tregon sa i hollë dhe i prishshëm është vërniku i civilizimit. Sa plagë duhet të marrë dhe duhet të durojë ende ky qytet krenar?

Solidaritet dhe këshilla

Menjëherë politikanët kryesorë të botës i drejtuan Francës fjalë të tronditjes dhe të solidaritetit. Presidenti francez, Emmanuel Macron e quajti Notre-Dame “epiqendrën e jetës sonë” dhe shprehu dhimbjen kolektive të të gjithë francezëve: “Këtu digjet edhe një pjesë e jona”.

Edhe vetë Presidenti i SHBA, për të cilin nuk kanë dyshimin se nderon civilizimin e vjetër, u ankua për shkatërrimin e njërit “prej thesareve më të mëdha të botës” dhe “një pjese të kulturës sonë”.

Rehabilitim = shkatërrim?

Për dy shekuj me radhë e ndërtuan Katedralen. Që prej vitit 1345 ajo qëndron e përfunduar në Ile de la Cité të Parisit. Çfarë nuk ka kaluar kjo zonjë e vjetër? Luigjit XIV iu duk i vjetëruar interiori; ai e transformoi krejtësisht. Në Revolucionin Francez kisha u përdhos, u hoqën figurat e gurta dhe ndërtesa u përdor si depo vere. Katedralja mbijetoi edhe dy luftëra botërore: përshtypja që u krijua ishte se ajo do të, jo: ajo duhet të qëndronte aty përjetësisht.

Por në fakt ndërtesa kishte nevojë të madhe për rinovim. Shkaku i flakëve nuk është sqaruar përfundimisht, ekspertët aktualisht megjithatë nuk besojnë se ajo që ndodhi qe shkatërrim i qëllimshëm ose atentat, por një aksident, i cili ka të bëjë me punimet e rehabilitimit.

Po të dalë e saktë kjo, atëherë këtu do të kishim një tragjikë të veçantë, thuajse paradoksale: në përpjekje për të shpëtuar strukturën e vjetër të Katedrales, ajo u shkatërrua. Takimi i materialit të vjetër me teknikën e re pati pasoja shkatërrimtare.

Parisi pa Notre-Dame? Non!

Ndoshta dikur do të dihet më shumë për rrjedhën e ngjarjeve. Për momentin thjesht nuk të besohet ajo që ka ndodhur. Po Parisi pa Notre-Dame? I papërfytyrueshëm. Pa kaluar 24 orë nga shpërthimi i zjarrit, qeveria polake dhe gjermane premtuan ndihmë për rindërtimin. Dy familje miliardere të Parisit vunë në dispozicion 300 milionë euro për restaurimin. Qyteti i Parisit premtoi 50 milionë euro dhe një konferencë për koordinimin e donacioneve ndërkombëtare.

Pas zjarrit shkatërrimtar muret e jashtme dhe kullat ende qëndrojnë, disa thesare artistike dhe organoja e famshme e viteve 1730 me sa duket u arritën të shpëtohen.

Një gjë është e sigurtë që tani: edhe nëse rruga do të jetë e gjatë dhe ndoshta do të kërkojë dekada: Notre-Dame do të ngrihet sërish në këmbë.

dw

Beograd: Pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie për krime lufte në Kosovë

Gjykata e Lartë në Beograd, dënoi të martën me 15 vjet heqje lirie një ish oficer të ushtrisë jugosllave për krime lufte kundër civilëve në Kosovë.

Rajko Kozlina, u shpall fajtor për vrasjet në fshatin Tërrnje në komunën e Suharekës më 25 mars të vitit 1999, ndërsa komandanti i tij, Pavle Gavriloviç, u la i lirë.

Mediet serbe e cituan gjykatësen e rastit, Mirjana Iliç, të ketë thënë se Rajko Kozlina drejtoi njësinë e tij në fshat ku u vranë të paktën 31 civilë shqiptarë, mes tyre 12 gra dhe katër fëmijë. Por, sipas saj, nuk u gjetën prova për të dëshmuar se Pavle Gavriloviçi, atëbotë komandant i një brigade të ushtrisë jugosllave kishte dhënë urdhër që “të mos jetë të mbijetuar”, siç thuhet në akuzë.

Veprimtarët e Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, të cilët kishin ngritur kallëzimin penal për këtë rast në vitin 2008, duke përfshirë 11 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave, thanë se me dënimin e sotëm nuk është vënë drejtësia.

Akuza që ishte ngritur në vitin 2013 përfshiu vetëm dy veta, ndonëse Fondi kishte ofruar dëshmi se numri i të përfshirëve në vrasje ishte shumë më i lartë.

Procesi gjyqësor kishte filluar në vitin 2015 duke u zvarritur për katër vjet me radhë.

voa

Partia e Presidentit Erdogan kërkon anulimin e zgjedhjeve në Stamboll

ErdoganPartia AK e Presidentit turk, Tayyip Erdogan ka paraqitur zyrtarisht kërkesën për anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve lokale të Stambollit, më shumë se dy javë pas votimit.

Rezultatet fillestare tregojnë se opozita kryesore, Partia Popullore republikane (CHP) fitoi me rezultat të ngushtë në qytetin më të madh të vendit duke i dhënë fund kontrollit 25 vjeçar të Partisë AK dhe paraardhësve të saj islamistë.

Nënkryetari i Partisë AK Ali Ihsan Yavuz paraqiti në Bordin e Lartë Zgjedhor kërkesën e jashtëzakonshme të partisë për anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve me tre valixhe të mbushura me dokumente, sipas televizionit CNN Turk.

Nëse kërkesa miratohet, përsëritja e zgjedhjeve do të bëhej 60 ditë pas votimit fillestar, ose më 2 qershor. Nëse ajo refuzohet, rezultatet do të finalizohen dhe fituesi merr mandatin për të filluar punën.

Humbja në Stambolli, ku zoti Erdogan ka qenë kryetar i bashkisë në vitet 1990, do të ishte një goditje e madhe për presidentin turk.

voa