Simboli i eksodit: Nëna me foshnjen “e vdekur” në gji

Nena me foshnjen ne gjiFotografia e nënës nga Kosova, me foshnjen në duar, e shkrepur në vitin 1999 zuri vend në mediat më të mëdha botërore. Nëna me vajzën “e vdekur” u shndërruan në simbol të luftës dhe sakrificës.

Ivajë, Kaçanik, 3 shtator 1998. Lufta në Kosovë kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme. Një pjesë e madhe e burrave ishte bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë bashkëshortet e tyre me të moshuarit dhe fëmijët. Ndër to ishte dhe Sherife Luta, 22 vjeç, shtatzënë, pak para lindjes.

“Kisha lindje shumë të vështirë. Shëndeti i lig nuk ishte e vetmja gjë që më shqetësonte. Edhe pse mjekët më kishin thënë të shkoja për të lindur në Prishtinë, ata (ushtarët serbë) nuk ma lejuan. Vajzën time, Besën, e linda në maternitetin e Ferizajt”, tregon Sherifja për Deutsche Wellen.

Ritregimi i të kaluarës e mbush me emocione të trazuara Sherifen, sot nënë e tre fëmijëve: një vajze dhe dy djemve. Rrëfimin për periudhën dramatike të 20 viteve më parë e nis nga e bija, e cila i përket gjeneratës së fëmijëve kosovarë të lindur në kushte lufte. Por sfida nuk ishte vetëm lindja.

Ikja me beben në gji

Ivajë, Kaçanik, 8 mars 1999. Kur Besa ishte vetëm 6 muajshe, Sherifes iu desh të linte shtëpinë e të kapërcente malet, për të shpëtuar nga forcat serbe që po afroheshin gjithnjë e më tepër në fshat. Me familjen e të shoqit dhe familjen e saj ajo nis rrugëtimin drejt Maqedonisë, shtet kufitar me Kaçanikun. Nuk kishte kohë të merrte rrobat me vete. Në furrë la bukën që po piqte për familjen, mori vajzën dhe dolën nxitimthi.

Vështirësitë e së kaluarës sot duken si një ëndërr e keqe për familjen Luta, e cila pas luftës ka ndërtuar një shtëpi të re në Kaçanik të vjetër. Besa vijon studimet në vitin e dytë në degën “Shkencat Politike” në Ferizaj. “Këto histori i kam dëgjuar nga nëna ime. Duke u rritur, kam nisur të kuptoj realitetin dhe sfidat e saj, babait tim dhe të gjithë shqiptarëve. Të njëjtat vështirësi dhe sfida kanë kaluar edhe shokët dhe shoqet e gjeneratës time. Shpeshherë bisedojmë dhe i rrëfejmë njëri-tjetrit këto histori. Ato janë aq të ngjashme dhe aq të ndryshme njëkohësisht nga njëra-tjetra” – i thotë Besa Luta DW-së.

Fotografia që shkroi historinë

Sherife Luta nuk di ta thotë me saktësi datën, se kur u shkrep fotografia që e shndërroi atë dhe të bijën, Besën, në simbolin e eksodit të refugjatëve kosovarë të luftës që u strehuan në Maqedoni. “Nuk e mbaj mend nëse ka qenë data 3 apo 4 prill i vitit 1999. Por momentin e shkrepjes së fotografisë e kam të freskët si sot. Atë ditë kishte shumë kameramanë dhe fotografë. Madje me kërkuan që edhe të jepja intervistë, por nuk pranova. Isha shumë e lodhur”,  rrëfen Sherifja, asokohe 22 vjeç.

Deri në vitin 2000 ajo dhe familja e saj nuk e kanë ditur ekzistencën e fotografisë. Ishte bashkëshorti i saj, Mirvati, i cili sheh në një reklamë të madhe në një rrugë të Prishtinës fotografinë e gruas dhe vajzës së tij. Me kalimin e viteve, ata nisën të kuptonin rëndësinë e madhe të fotografisë dhe kopertinës së revistës së famshme botërore “TIME”, e cila kishte vlerësuar që rrugëtimin e kosovarëve që i iknin forcave militare serbe ta rrëfente nëpërmjet këtij çasti. Vonë kuptuan që nënë e bijë ishin tashmë një pjesë e historisë së Kosovës. “Ajo fotografi është gjithçka. Tregon sakrificën e jashtëzakonshme të nënës time, që më mbajti në gji me javë të tëra duke ecur maleve. Ajo është simbol i sakrificës së gjithë popullit tonë”, thotë Besa Luta.

Por fotografia kapi vetëm një prej çasteve të vështira të vuajtjeve të Sherifes, e cila me foshnjën 6 muajshe nisi luftën e saj për mbijetesë, që nga 8 marsi e deri në javën e parë të prillit. “Në një moment, kur ishim të strehuar në një shtëpi me 300 refugjatë të tjerë, Besa nuk po qante më. Ajo kish ngrirë nga i ftohti dhe nuk kishte çfarë të pinte. U trembëm shumë. Në ato momente, kunata ime e merr vajzën dhe e fut në furrën për pjekjen e bukës, që të shkrinte. Në fakt, të gjithë mendonim se ka vdekur. Mund të kenë kaluar 10 minuta, kur befas Besa nisi të qajë. E nxorëm nga furra dhe i hodhëm sipër një batanije – të cilën e ruaj ende si kujtim. Duartrokitjet e njerëzve nuk kishin fund”, tregon mes emocioneve Sherife Luta.

20 vite më pas…

Nëse lindjen dhe fëmijërinë i ka dëgjuar si histori të rrëfyera nga e ëma, sot Besa jeton rininë e saj në një Kosovë të lirë. “Kosova sot ka shumë probleme, por më e rëndësishme është se tashmë ajo është e pavarur dhe shpresoj që gjërat që aktualisht nuk funksionojnë, të përmirësohen me kalimin e kohës”.

Për të ardhmen ka shumë plane, e plani i parë është të kryejë studimet master. Besa nuk interesohet shumë për politikën në Kosovë. “Kur jemi në fakultet, miqtë e mi flasin në pjesën më të madhe të kohës për politikën. Vetëm i dëgjoj dhe kam preferuar të mos përfshihem asnjëherë në debate të tilla”, tregon duke buzëqeshur. Ajo nuk e ka menduar asnjëherë të ndërtojë një jetë jashtë Kosovës. “Kam shumë dëshirë të udhëtoj dhe të vizitoj vende të tjera të botës, por jetën dhe të ardhmen time i shoh këtu”. Ajo do të jetojë e qetë në Kosovë, vendin të cilin e do aq shumë dhe që në mënyrë të rastësishme e përfaqëson gjithmonë – së bashku me të ëmën.

 

Qytetet dhe artet e lashta përmes teknologjisë

HartaTeknologjia e ndërtimit të hartave dixhitale ka ekzistuar për një kohë të gjatë, por vetëm kohët e fundit ka filluar të përdoret për historinë e artit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeta Lee, thotë se hulumtuesit nëpër universitete po ndihmohen financiarisht nga burime si Fondacioni Getty për të ndërtuar programe interneti që mundësojnë përdoruesit të eksplorojnë dhe hulumtojnë vendet historike. Materiali në vazhdim tregon se historianët e artit po e kuptojmë më mirë të kaluarën falë teknologjisë.

Historianët gjithnjë e më shumë po marrin një perspektivë të re mbi të kaluarën duke e lidhur botën e historisë me atë të artit përmes teknologjisë kompjuterike.

“Të ndihmon të mendosh se si kanë jetuar dhe lëvizur njërëzit në këto hapësira. Se si veprat e artit janë parë nga njerëzit në kontekstin e marrëdhënieve mes tyre”, thotë Heather MacDonald nga Fondacioni Getty.

Animacionet tre dimensionale dhe hartat dixhitale ndihmojnë njerëzit që të eksplorojnë dhe hulumtojnë mjediset arkeologjike dhe qytetet historike për të kuptuar më mirë mjedisin ku janë gjetur objektet e artit.

Paul Jaskot, profesor i historisë së artit në Universitetin Duke, Skype

“Përparimet në teknologjinë kompjuterike e kanë bërë më të lehtë këtë punë për historianët e artit”, thotë Paul Jaskot, profesor i historisë së artit në Universitetin Duke.

Të dhënat mund të përfshijnë informacione arkivore për disa qindra vite, sikurse kjo hartë e zgjerimit të Rio de Zhaneiros në Brazil.

Në këtë projekt, studiuesit kombinuan hartat dixhitale dhe modelet tre dimensionale të parkut perandorak të dinastisë Qing në Kinë. Ata përdorën harta dhe të dhëna historike si tekstet dhe piktura nga shekujt e 18 dhe 19 për të treguar se si ka ndryshuar parku me kalimin e kohës.

Në projektin për Firencën në Itali është përdorur realiteti i shtuar për të eksploruar historinë e artit të kohës së rilindjes. Përdoruesit mund të përdorin një hartë të shekullit të 16-të të instaluar përmes një aplikacioni ndërsa vizitojnë këtë qytet të lashtë italian.

“Mund të shtoni dëshmi, pamje ose materiale të tjera historike në këtë mjedis fizik”, thotë profesori Jaskot.

“Mendoj se një gjë shumë e mirë për historinë e artit dixhital është se ofron mënyra të ndryshme si për të gjetur përgjigje për pyetjet e lashta si dhe për të shtruar pyetje të reja”, thotë Heather MacDonald e Fondacionit Getty.

Me një kuptim më të mirë mbi të kaluarën kjo teknologji mund të shtojë ndërgjegjësimin për artin aktual që gjendet nëpër qytetet e sotme.

voa

Zaev dhe Mickoski dje kanë pasur takim për PSP-në, dallimet mbesin akoma

Zaev-MickoskiKryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski dje kanë pasur takim në të cilin kanë diskutuar për çështjen e Prokurorisë Speciale Publike (PSP).

Në takim kanë marrë pjesë edhe ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska dhe Toni Mekinoski, i cili është pjesë e ekipit negociues të OBRM-PDUKM-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Siç njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë, në takim është arritur marrëveshje që konsultimet të vazhdojnë, pasi siç thonë, dallimet kyçe akoma ngelen.

“Potencojmë që gjitha partitë politike duhet t’i japin prioritet perspektivës evropiane të shtetit tonë, duke marrë parasysh rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës dhe shtetit juridik, e të cilat janë kyçe për fillimin e negociatave me BE-në”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme kryeministri Zoran Zaev deklaroi se është përpunuar version i ri i Ligjit për Prokurorinë Publike, duke shtuar se janë pranuar një pjesë e madhe e propozimeve të OBRM-PDUKM-së. Zaev tha se “bombat” nuk do të përdoren si dëshmi në rastet të cilat janë hapur pas skadimit të afatit 18 mujor të PSP-së.

Por, këto deklarata i mohuan nga partia opozitare maqedonase duke thënë se Zoran Zaev nuk e ka lexuar ligjin i cili është dërguar tek ata.

Pritet që grupet e punës të dy partive maqedonase gjatë ditës së sotme të vazhdojnë negociatat për të arritur marrëveshje për Ligjin për Prokurorinë Publike, i cili në Kuvend duhet të miratohet me shumicë prej dy të tretave (80 vota)./Telegrafi/

Palmer nis vizitën në Tiranë

palmer ramaZëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer nisi të hënën vizitën e tij në Tiranë, me një takim të gjatë me kryeministrin Edi Rama. Vizita e tij e gjen Shqipërinë në një moment politik të pa precedent, kur opozita është tërhequr nga parlamenti duke dorëzuar në bllok mandatet e deputetëve të saj dhe ka zgjedhur protestat për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohëshme.

Eshtë pikërisht kjo arsyeja që vizita e zotit Palmer shihet me një interes të veçantë në Tiranë, ndonëse sipas burimeve diplomatike, bëhet fjalë për një vizitë të programuar më parë dhe pjesë e një turi diplomatik të tij në disa vende të rajonit.

Në muajin shkurt, pas protestës së dhunshme të opozitës para selisë së qeverisë dhe bërjes publike të vendimit për të “djegur mandatet”, zyrtari amerikan pati telefonata me dy drejtuesit kryesorë të opozitës, kryetarin demokrat Lulzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës në atë kohë, se zoti Palmer “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë” si dhe të hedhin poshtë dhe të dënojnë publikisht gjithë dhunën.

Takimi i zotit Palmer me kryeministrin Rama ka zgjatur rreth 90 minuta. Ka qenë vetë zoti Rama i cili ka njoftuar shkurtimisht mbi temat e bisedës përmes një postimi në Twitter. “Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer”, shkruan zoti Rama duke e renditur çështjen e zhvillimeve të brendshme politike, në fund të listës së temave të diskutuara më zyrtarin amerikan, duke hedhur poshtë kështu zërat se synimi i vizitës ishte një përpjekje për zgjidhjen e krizës politike.

Zoti Palmer do të vijojë nesër takimet me Presidentin Ilir Meta dhe drejtuesë të opozitës.

voa

Erdogan, hedh idenë e përsëritjes së zgjedhjeve në Stamboll

ErdoganPresidenti turk, Recep Tayyip Erdogan po përdor gjithë peshën e tij politike në përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve lokale në Stamboll, sipas së cilave partia e tij AK ka humbur.

Duke folur para gazetarëve të hënën para se të shkonte në Moskë, zoti Erdogan vuri në pikëpyetje vlefshmërinë e votës.

“Ne, si parti politike kemi vërejtur krim të organizuar dhe disa aktivitete të koordinuara”, tha ai.

Deri tani, zoti Erdogan dukej se ishte tërhequr nga debati gjithnjë e më i ashpër politik lidhur me suksesin e partisë opozitare Republikane të Popullit (CHP) në Stamboll. AKP-ja në Stamboll po sfidon rezultatin e zgjedhjeve të 31 marsit, në përpjekje për të përmbysur epërsinë prej 24 mijë votash të Ekram Imamoglut ndaj Binali Yildirimit.

Përpjekjet e AKP-së e ngushtuan epërsinë, duke e çuar në 15 mijë. Por rinumërimi i 300 mijë votave të pavlefshme pothuajse ka përfunduar. AKP-ja po kërkon tani një rinumërim të plotë të afro 10 milionë votave.

Presidenti Erdogan hodhi gjithashtu idenë e një përsëritjeje të votimit në Stamboll.

“Askush nuk ka të drejtën të thotë ‘Fitova’ me një diferencë prej 13 mijë ose 14 mijë votash”, tha ai.

“Ne bëmë një premtim. Ne thamë se do të mbronim votat në kutitë e votimit, dhe ashtu bëmë. Pasi mbrojtëm votat në kutitë e votimit, kemi vazhduar të bëjmë të njëjtën gjë në procesin që e pasoi atë”, shtoi ai.

Ideja e përsëritjes së votimit u shpërfill nga udhëheqësit e opozitës.

“Të përsëritësh zgjedhjet deri kur të fitojë AKP-ja, është diçka që ndodh në diktaturat afrikane. Ka shembuj të tillë”, tha udhëheqësi i Partisë së Mirë, Meral Aksener.

Me tensionet politike në rritje lidhur me votimet e debatueshme, udhëheqësi i CHP-së, Kemal Kilicdaroglu, ia la përgjegjësinë Komisionit të Lartë të Zgjedhjeve, për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes.

“Çfarëdo që ka bërë AKP-ja deri tani, nuk i ka ndryshuar rezultatet. Anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve duhet veprojnë në mënyrë të pavarur dhe të vendosin në përputhje me ligjin. Bëhet fjalë për fatin e demokracisë sonë”, tha zoti Kilicdaroglu.

Shumica e Komisionit përbëhet nga të emëruar të zotit Erdogan dhe qeverisë. Vendimet e tij për rinumërim kanë ngjallur tashmë dyshime për paanshmërinë e tij.

“Organizmi i mbikqyrjes së zgjedhjeve, YSK që duhet të jetë i pavarusr dhe që do të marrë vendimin për apelimin për Stambollin, deri tani ka pranuar 86 për qind të kërkesave të AKP-së për rinumërim, vetëm 12 për qind të atyre të CHP-së dhe 0 për qind të HDP-së (pro-kurde)”, shkruante në Twitter Sonar Cagaptay, drejtor i Programit të Studimeve për Turqinë në Uashington.

Megjithatë YSK-ja hodhi poshtë kërkesën e AKP-së për një numërim të plotë të votave për zgjedhjet bashkiake në Ankara, ku CHP-ja fitoi kontrollin e qytetit pasd 25 viteve. Në Stamboll, komisioni hodhi gjithashtu poshtë apelimin për përsëritjen e zgjedhjeve për një distrikt bashkiak.

Analisti Atilla Yesilada i Partnerëve për Burime Globale tha se ndërhyrja e Presidentit Erdogan në debat, ndryshon relievin politik.

“Megjithëse YSK-ja ka treguar në një farë mase se ka shtyllë kurrizore gjatë këtij debati, nuk duhet të gënjejmë veten. Asnjë entitet në Turqi nuk ka guxim t’i bëjë ballë zemërimit të Erdoganit”, tha ai.

Kritikët paralajmërojnë se përmbysja e rezultatit dhe përsëritja e zgjedhjeve në Stamboll, do ta shuante çdo besim të turqve në sistemin politik demokratik të Turqisë.

Vëzhguesit thonë se rreziqet politike dhe ekonomike do të ishin të konsiderueshme nëse zgjat beteja politike për Stambollin që ka qenë baza politike e Erdoganit për 25 vjet.

voa

Kosovë: Më 19 maj zgjedhje të jashtëzakonshme në veri

Kosova veriorePresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komuna në veri. Kryetarët e këtyre komunave patën dhënë dorëheqjen për shkak të taksës së Prishtinës ndaj mallrave serbe.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, shpalli 19 majin datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok, dhanë dorëheqje në fund të nëntorit të vitit të shkuar, në shenjë kundërshtimi dhe proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarfiës shtesë prej 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës.

Në vendimin zyrtar të Presidentit thuhet, se “në mbështetje të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, duke marrë parasysh shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe pas një procesi të konsultimeve përkatëse me partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Presidenti sot ka nxjerrë vendimin për caktimin dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Në pajtim me këtë vendim, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në këto katër komuna të Republikës së Kosovës do të mbahen më 19 maj 2019”.

Deri tani vendimi i Presidentit për zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, nuk është komentuar nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Katër kryetarët serb të komunave veriore të Kosovës, në dorëheqjen e tyre me 27 nëntor të vitit të shkuar në një deklaratë të përbashkët për opinion, patën thënë se “Funksionimi i mëtejmë i qeverisjes lokale përmes sistemit të Prishtinës është pezulluar. Autoritetet dhe shërbimet komunale nuk do të funksionojnë dhe kuvendet komunale nuk do të mbajnë më takime. Ky vendim është përfundimtar dhe do të mbetet në fuqi derisa Prishtina nuk i tërheq të gjitha masat diskriminuese”, pati thënë Dejan Gureshiq, kryetari i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut. Katër kryetarët e komunave veriore patën nënshkruar një deklaratë të përbashkët ku thuhej se “vendimi për dorëheqje është marrë për shkak të ngritjes së taksës në 100% për mallrat serbe, përmes së cilës serbëve të Kosovës u është kërcënuar e drejta për jetesë, për shërim dhe mbijetesë gjë që çon në krizë edhe më të thellë”.

Qeveria e Kosovës në atë kohë nuk i pati pranuar dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, duke thënë se “dorëheqjet nuk mund të pranohen pasi në letër dorëheqje, kryetarët serbë të këtyre komunave i janë referuar Republikës së Kosovës si “Kosova e Metohija”, emër ky që nuk figuron në Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, pavarësisht nga natyra e dorëheqjeve ose arsyetimi i tyre në letër, sipas ligjit aktual për zgjedhjet lokale, nëse kryetari i një komune mungon 30 ditë në vendin e punës pa arsye e humbet atë vend me ligj. E kjo u ndodhi edhe kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Sidoqoftë, pavarësisht dorëheqjes së kryetarëve të komunave që sipas tyre shkas ishte “vendosja e taksës ndaj mallrave të Serbisë” qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend ta heqë taksën ndaj Serbisë. Presion qeverisë së Kosovës vazhdimisht po i bën edhe Serbia dhe Bashkësia Ndërkombëtare që ta heq taksën në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi, por, kryeministri Ramush Haradinaj, vazhdimisht e përsërit që “taksa ndaj mallrave serbe mund të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës”.

dw

Presidenti Thaçi: Zgjedhjet në veriun e Kosovës, më 19 maj

zgjedhjet ksPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpalli të hënën vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunash në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të banuara me shumicë serbe.

Zgjedhjet do të mbahen më 19 maj të këtij viti.

Të katër komunat janë pa kryetarë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar kur ish kryetarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Tarifat qenë vënë më 21 nëntor nga qeveria e Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve të Kosovës.

Vendosja e tarifave bllokoi edhe procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa qeveria e Kosovës refuzoi të heqë dorë prej tyre me gjithë trysninë nga Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara.

voa

Zaev: Janë pranuar një pjesë e sugjerimeve të opozitës, “bombat” nuk do të vlejnë për rastet pas 30 qershorit të vitit 2017

Zoran-Zaev“Është përpunuar version i ri për ligjin e PSP-së, në të cilin në segmente të caktuara pranohen një pjesë e madhe e sugjerimeve të OBRM-PDUKM-së dhe tashmë janë dërguar deri te përfaqësuesi i partisë më të madhe opozitare”.

Këtë e theksoi sot kryeministri Zoran Zaev në punëtorinë “Garancion për rininë” në organizim të Agjencisë për Rini dhe Sport, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Zaev pret sot të shqyrtohet nga ana e opozitës, ndërsa nesër të fillojnë negociatat në nivel të grupeve të punës.

“Pas këtyre sugjerimeve që i pranuam në bazë të amendamenteve të tyre, është bërë hap i rëndësishëm. Kjo në tërësi edhe ishte kërkuar nga Delegacioni Evropian dhe Komisioni i Venecias, ndërsa janë respektuar edhe linjat e kuqe për këto punë. Jo për shkak të asaj që Komisioni Venecias dhe Evropa atë e kërkuan nga ne, por për shkak të sistemit tonë juridik dhe parimet për të cilat mundohemi”, tha Zaev.

Kryeministri tha se i di të gjitha detajet në katër aspektet ku janë bërë ndryshimet të cilat, siç tha, kanë impakt serioz ndaj thelbit të amendamenteve të parashtruara nga OBRM-PDUKM. Zaev pret pas këtyre ndryshimeve procesi të arrijë dhe u lut të ndodh sa më shpejtë për shkak të procedurës parlamentare.

Në lidhje me kërkesën e opozitës për hedhje të “bombave” si dëshmi, kryeministri tha se ajo çështje është pranuar.

““Bombat”, ose materialet për përgjim të paautorizuar nuk do të jenë në këtë procedurë dëshmuese në punën e ardhshme të Prokurorisë Publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Atje qartë qëndron në nenin 105, paragrafi 4, se “bombat”, më nuk do të jenë në procedurë dëshmuese, ndërsa dëshmitë e materialeve normalisht do të ekzistojnë”, ato janë të gjalla”, tha Zaev.

Ai sqaroi se “bombat”, që tashmë janë në procedurë gjyqësore në 18-të lëndët e PSP-së do të vazhdojnë edhe më tutje të shfrytëzohen, derisa për lëndët pas 30 qershorit të vitit 2017 ato nuk do të jenë dëshmi në procedurat./Telegrafi/

Përfundon takimi mes Ramës e zv/ndihmës sekretarit amerikan në Tiranë

takimiPërfundon takimi mes Ramës e zv/ndihmës sekretarit amerikan në Tiranë

Takimi mes kryeministrit Rama dhe Zv.ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Mathew Palmer ka përfunduar

Zyrtari mbërriti sot në Tiranë, ndërsa u prit nga kryeministri Rama rreth orës 15:45, në një takim që zgjati më shumë se një orë e gjysmë.

Deri më tani nuk ka detaje nga takimi, por tema e diskutimit ka qenë situata politike në vend.

Palmer pritet të takohet me kryetaren e LSI-, Monika Kryemadhi ditën e martë, ndërsa në drekë është parashikuar takimi me kreun e opozitës Lulzim Basha dhe rreth orës 17:30 zyrtari amerikan do të pritet në Presidencë nga kreu i shtetit, Ilir Meta.

Top Channel

Roth: Ka rënë interesi strategjik për Ballkanin Perëndimor

RothBE vërtet aktualisht është shumë e mbingarkuar, por nuk duhet ta harrojë Ballkanin Perëndimor, thotë Michael Roth, Sekretari i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane në bisedë me Deutsche Wellen.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme Michael Roth ishte pjesë e delegacionit që shoqëroi presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, në vizitën e tij nga 4-5 Prill në Bullgari.

Deutsche Welle: Zoti ministër Roth gjatë vizitës në Bullgari, presidenti gjerman përmendi disa herë angazhimin e Bullgarisë për Ballkanin Perëndimor. A mendoni ju se afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE ka humbur dinamikën e vet si temë? Kemi nevojë për një impuls të ri?

Michael Roth: Kam përshtypjen, si edhe më parë, se interesi strategjik i BE dhe shumë vendeve anëtare për Ballkanin Perëndimor ka rënë. Kjo është problematike dhe më shqetëson, sepse ne si BE mund të jetojmë të sigurtë dhe në stabilitet, vetëm nëse mund të bëjmë më shumë për stabilitetin dhe pajtimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Prandaj gëzohem aq më shumë, kur shoh, se ka partnerë në BE, që e kanë kuptuar rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.

Çarë mund të bëhet sot në këtë drejtim?

Michael Roth: Rëndësi ka që të rrisim prezencën e BE-së, që të bëhet e qartë, se ne nuk i harrojmë njerëzit në Ballkanin Perëndimor, edhe sepse procesi i transformimit, rruga në BE është kaq e mundimshme, me kaq vështirësi për njerëzit atje. Këtë ne po e përjetojmë tani tek të rinjtë, që duan të largohen nga vendi e që vijnë në Gjermani, sepse nuk shohin më perspektivë në vendin e tyre. Përveç kësaj duhet të bëjmë të qartë, se për çfarë bëhet fjalë kur flasim për BE. BE nuk është në radhë të parë një treg i brendshëm, një projekt ekonomik, por para së gjithash një bashkësi vlerash. Demokracia, shteti ligjor, respekti ndaj pakicave kanë rëndësi parësore për ne. E për këtë nuk duhet të ketë rabat politik.

Gjatë presidencës së BE, Bullgaria e ktheu në temë qendrore afrimin e Ballkanit me BE. Mendoni se edhe Rumania, presidentja e radhës po angazhohet po kaq shumë Ballkanin?

Michael Roth: Ballkani Perëndimor duhet gëzojë prioritet për të gjitha presidencat e radhës. Një angazhim të madh e dëshiroj nga të gjithë, jo vetëm nga Gjermania, presidenca jonë e radhës është vitin e ardhshëm. Natyrisht tani jemi bllokuar nga tema të tjera. Si për shembull Brexit, që kushton shumë energji dhe kohë. Kemi edhe negociatat për kuadrin financiar buxhetor. Prandaj ka aq më shumë rëndësi që në këtë moment të mos e lëmë të humbasë si temë Ballkani Perëndimor.

Ju përmendët të rinjtë në rajon. Gjatë vizitës në Bullgari, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier u mor intensivisht me këtë temë, me shkollimin profesional dhe sistemin dual arsimor, dy instrumenta që mund t’u hapin perspektiva të rinjve të qëndrojnë në vend.

Micheal Roth: Fillimisht duhet të mbajmë parasysh që të mos e harrojmë Bullgarinë, se ky vend në muajt e fundit është larguar disi nga vëmendja. Ne kemi disa mesazhe: Demokracia, luftimi i korrupsionit, shteti ligjor janë ato që ne si europianë na mbajnë së bashku. Gjermania është e gatshme të bëjë më shumë në drejtim të arsimit dual profesional. E nëse kushtet plotësohen, edhe firmat gjermane janë të gatshme të investojnë në Bullgari dhe Ballkan për të krijuar vende pune. Por kjo nuk është vetëm një çështje e infrastrukturës, por edhe e shtetit ligjor. Kjo është bërë e qartë edhe në bisedimet në Bullgari.

Bisedën e zhvilloi Alexander Andreev drejtuesi i ekipit bullgar të redaksisë së Ballkanit Perëndimor në Deutsche Welle