Kroacia më në fund ka nisur të shfrytëzojë si duhet fondet evropiane

EuKroacia ka pasur për një kohë të gjatë probleme të mëdha me shfrytëzimin e fondeve të BE. Por kohët e fundit gjërat po ndryshojnë. A ka shpërdorime të fondeve?

Kur kryeministri kroat Andrej Plenkoviq pretendonte të dëshmonte para Presidentit të Komisionit Evropian Jean-Claudeu Juncker se Kroacia është një histori suksesi e anëtarësimit në BE, ata shkuan së bashku në Dubrovnik dhe disa rajone të tjera kroate. Jo rastësisht, sepse fjala është për zonat ku janë investuar më se shumti para nga fondet evropiane. Në këto zona është ndërtuar ura në Peljeshac, projekti më i madh dhe më i shtrenjtë, i financuar nga paratë evropiane – me rreth 357 milionë euro. Ndërkohë që projekti i rindërtimit të portit në Dubrovnik, me kosto prej 158 milionë euro, është në fazën e zbatimit.

Kjo është zona më jugore e Kroacisë dhe njëkohësisht më e izoluara nga pjesët e tjera, por sa i përket investimeve evropiane, atje janë investuar më së shumti para. Ndërsa në fund të listës së zonave që kanë thithur para evropiane janë zonat më të suksesshme dhe më të pasura – si ajo në Split, Dalmaci, Istër, Zarë dhe Varazhdin. Kjo do të thotë se me paratë evropiane vërtet hapen mundësi për zhvillim edhe në zonat periferike. E ky duhet të jetë edhe kuptimi kryesor i investimeve – në zonat më të varfra.

Fillimi i vështirë

Gjendja në Kroaci ka qenë e vështirë sikur në të gjitha vendet tjera, por gjërat po ndryshojnë për të mirë. Me futjen në BE, në vitin 2013, në Kroaci janë hapur mundësi për shfrytëzimin e fondeve të BE, por kjo kërkon shumë njohuri dhe punë. Të nevojshme janë dokumente strategjike dhe mekanizma për zbatimin e projekteve. Ndërkohë që procedurat shpesh janë tepër të komplikuara. Ura në Peljeshac është një shembull i mirë, sepse përgatitja e dokumentacionit dhe procedurat kanë zgjatur me vite të tëra. Ndërkohë që realizimi ka filluar para një viti.

Kroacia ka pasur nevojë për shumë kohë deri sa i ka kuptuar të gjitha procedurat. Përparim i madh është shënuar vetëm vitin e kaluar. Por ekspertët thonë, se Kroacia ende po përballet me probleme të mëdha në shfrytëzimin e parave evropiane. Ekspertët mungojnë në të gjitha fushat, drejtimi i programeve nga ministritë ka mangësi, ndërkohë që ka probleme të mëdha edhe me vetë zbatimin e projekteve në nivelin lokal.

Për periudhën prej vitit 2014 – 2020, Kroacia ka në dispozicion rreth 10,7 miliardë kuna. Janë parashikuar investime në infrastrukturë, energji, ujësjellës dhe kanalizime, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e sipërmarrjeve, shoqërisë civile dhe përparimin e gjendjes në shëndetësi, arsim, çështjet sociale dhe fusha të tjera.

Por në të dhënat zyrtare thuhet, se Kroacia ka shpenzuar më shumë para të vetat sesa para nga fondet evropiane. Ministria për Zhvillim Rajonal ka kumtuar se Kroacia ka paraqitur projekte për 69 % të fondeve të dedikuara për këtë vend, ndërkohë që deri tani janë paguar rreth 24% të mjeteve. Para dy vitesh niveli i pagesave ka qenë vetëm 7,5%, që do të thotë se në dy vitet e fundit është shënuar përparim i madh, por ky vend ende është shumë larg gjendjes ideale.

Pa shpërdorime të mëdha të parave evropiane

Në nivelin lokal dhe atë të vendit ka rreth 8000 sipërmarrje, të cilat janë financuar me mjete të BE. Janë ndërtuar rreth 900 shkolla, 500 kopshte për fëmijë dhe janë meremetuar apo ndërtuar rreth 50 spitale dhe qendra shëndetësore, si edhe 45 projekte kulturore dhe të infrastrukturës. Në Kroaci janë duke u rindërtuar edhe shumë objekte dhe godina publike si edhe projekte energjetike. Paratë e BE janë duke u investuar edhe në bujqësi në zonat e Sllavonisë si dhe për peshkim në Dalmaci.

Shpesh kemi të bëjmë me projekte dhe fonde shumë të mëdha, por në Kroaci deri tani nuk ka pasur raste të shpërdorimeve të mëdha të fondeve, që për këtë vend nuk është edhe e zakonshme. Për këtë fajin e kanë mbase kontrollet e rrepta dhe zbulimi i rasteve të keqmenaxhimit të fondeve para disa vitesh. Këto ditë është publikuar rasti i shpërdorimit të parave në Viroviticë, por pritet që edhe ky rast të sqarohet deri në fund.

dw

Mogherini edhe një herë shprehet pro hapjes së negociatave

MogheriniPara takimit të rregullt të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së në Luksemburg të martën, Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme ritheksoi nevojën e hapjes së negociatave.

Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme edhe njëherë ka kërkuar nga vendet anëtare të BE që të marrin vendim pozitiv në lidhje me çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këto komente ajo i ka bërë para takimit të rregullt të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së.

Mogherini: Çelja e negociatave të bëhet sa më shpejt

Mogherini para takimit theksoi, se dëshiron të fillojë “me një koment pozitiv, pasi sot është plot një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës në mes të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Mendoj se duhet ta kujtojmë fuqinë e lidershipit dhe guximit dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë në Ballkanin Perëndimor. Vendet anëtare duhet ta kujtojnë këtë dhe të vlerësojnë hapat e bëra përpara, sidomos kur në ditët në vazhdim do të merret një vendim i rëndësishëm për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjë që mendoj se duhet të bëhet sa më shpejt”, ka thënë ajo.

Të martën në takimin e ministrave të Jashtëm në Luksemburg vendet anëtare pritet që të merren shkurt edhe me Ballkanin. Disa vende të BE kanë kërkuar që të merret një vendim pozitiv për çeljen e negociatave. Por duket se atmosfera e përgjithshme nuk është në favor të një vendimi të tillë, pavarësisht premtimeve të mëhershme.

Vendimi pritet të shtyhet

Sipas të gjitha gjasave vendimi do të shtyhet deri në shtator të këtij viti. Në një draft të takimit, i cili ka qarkulluar që të hënën për mediat, e që Deutsche Welle e zotëron thuhet, se në konkluzionet e takimit të ministrave të Jashtëm vetëm do të theksohet përparimi i bërë dhe vlerësimi pozitiv i përparimit që nga raporti i kaluar. Në kuadër të kohës së kufizuar dhe rëndësisë së çështjes, Këshilli do t’i kthehet çështjes me qëllim të marrjes pozitive të vendimit sa më shpejtë që është e mundur dhe jo më vonë se shtatori 2019.

Gjasat për çelje të negociatave për Maqedoninë e Veriut janë mjaft të larta, mirëpo ato të Shqipërisë janë goditur rishtas me një vendim të Qeverisë së Holandës e cila ka vlerësuar se çelja e negociatave me Shqipërinë është e parakohshme. Holanda edhe pse një vend i vogël ka peshë në Bashkimin Evropian pasi është kontribuesi më i madh për kokë banori në buxhetin e BE-së dhe shihet si përfaqësues i vendeve të vogla ne BE. Para disa ditëve në një takim me anëtarë të Parlamentit Evropian u theksua, se Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij në shumicë janë për zgjerim dhe çelje të negociatave por kjo nuk përcillet edhe nga vendet anëtare. Deklarata nga ky takim i rëndësishëm do të bëhet të martën (18.06) në një konferencë për gazetarë në Luksemburg në orët  e pasdites.  (dw)

Palmer: Rusia po bllokon Ballkanin Perëndimor

PalmerDiplomati amerikan, Matthew Palmer pohon se Rusia është duke bllokuar shumë procese në Ballkanin Perëndimor. Gjatë qëndrimit në Sarajevë ai foli edhe për çështjen e Kosovës.

Zëvendësi i ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën, Matthew Palmer ka deklaruar se SHBA angazhohet për një raport shumë të ngushtë partneriteti mes NATO-s dhe Bosnjë-Hercegovinës. Gjatë qëndrimit në Sarajevë ai tha se SHBA-ja e mbështetë B-H në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike.

„Programi kombëtar vjetor (të cilin do të duhej të hartonte B-H) do të mundësonte forcimin e raporteve të B-H me NATO-n. Por këtë punë duhet ta bëjnë autoritetet e B-H e jo SHBA“, tha Palmer, duke shtuar, se vendi i tij e mbështet vendosjen e raporteve më të ngushta të mundshme mes NATO-s dhe B-H“.

Palmer tha, se këtu bëhet fjalë për një çështje teknike dhe jo vendimin e anëtarësimit në NATO. “Kjo mundëson bashkëpunimin e NATO-s dhe B-H për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe sigurisë. Shpresoj se liderët e Bosnjes do të jenë në gjendje të arrijnë marrëveshje dhe të hartojnë programin e tyre të parë vjetor kombëtar“, tha diplomati amerikan. Liderët e Bosnjes duhet të arrijnë marrëveshje edhe për krijimin dhe forcimin e autoriteteve federale. „Në të gjitha këto procese SHBA do të jetë partner dhe mik i popujve të B-H”, tha Palmer.

Qëllimet e ndryshme të Moskës dhe Uashingtonit në Ballkan

Diplomati amerikan tha se SHBA dhe Rusia kanë qëllime të ndryshme në Ballkanin Perëndimor dhe në Bosnje-Hercegovinë. „Themeli i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor është mbështetja e integrimeve euroatlantike. Kjo do të thotë anëtarësim në BE dhe në NATO për të gjitha vendet e Ballkanit, që duan të anëtarësohen. Rusët kanë qëllime të tjera në Ballkan. Ata duan të shohin rajonin e ndarë me një nivel të lartë të tensioneve. Rusët në vitin 2016 kanë sponsorizuar përpjekjet për puç në Mal të Zi. Kanë punuar kundër Marrëveshjes së Prespës dhe kanë bllokuar rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Nuk ka dëshmi për të besuar se Rusia do të donte diçka tjetër në B-H”, tha Palmer.

Diplomati amerikan theksoi se vazhdojnë të mbeten në fuqi sanksionet kundër krerëve të serbëve në këtë vend Milorad Dodik dhe Nikola Shpiriq, sepse SHBA nuk ka parë kurrfarë ndryshimi në politikën e tyre. „Dodiku dhe Shpiriqi janë nën sanksione, e ato janë rezultat  i vendimeve dhe qëndrimeve të tyre publike. Nëse duan heqjen e sanksioneve, ata e dinë se çfarë duhet të bëjnë”, tha Palmer duke shtuar se “SHBA mbetet një partner i fuqishëm në zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, ndërsa B-H është një partner i fuqishëm në luftën kundër terrorizmit”.

Ahatoviq: „Dodiku dhe të tjerët janë satelitë rusë në Ballkan“

Gjatë vizitës së Matthew Palmer në Banjalukë është mbajtur kongresi i partisë serbe SNSD, në të cilin Milorad Dodik është rizgjedhur kryetar i partisë. Dodik tha se Matthew Palmer është i mirëseardhur edhe në Banjalukë.

„Shpresoj se e ka kuptuar se ky është një qytet normal, me njerëz dhe institucione normale dhe se këtu nuk ka faktorë që përpiqen të dëmtojnë proceset“, tha Dodik. „E kuptoj pse boshnjakët dhe kroatët duan të futen në NATO, sepse në këtë aleancë janë edhe Kroacia dhe Turqia. Por edhe ata duhet të kuptojnë pse ne nuk duam të futemi në NATO”. Dodiku dhe Shpiriqi nuk do të hiqen nga lista e sanksioneve amerikane, përderisa vazhdojnë të punojnë kundër interesave amerikane, thotë analisti Nexhad Ahatoviq.

„Interesat amerikane në këtë rast janë të ngjashme me ato të B-H, e ato janë proceset euroatlantike. Ndaj Palmer ka fajësuar drejtpërdrejt Rusinë për frenimin e proceseve në Ballkan. Destabilizimi i B-H dhe rajonit përmes Dodikut dhe satelitëve tjerë rusë, i përgjigjet edhe interesave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin i cili në këtë mënyrë do të kundërshtojë interesat amerikane në këtë rajon, e nuk e do shtrirjen e NATO-s në këtë rajon. Konfliktet në Ballkan mund të destabilizojnë edhe BE-në dhe do të lehtësonin futjen e Rusisë në këtë rajon. Shikuar nga zhvillimet e deritanishme, Serbia është protagonisti kryesor i zbatimit të këtyre ideve”, thotë Ahatoviq për Deutsche Wellen.

Palmer për Kosovën.

Diplomati amerikan për Evropën Matthew Palmer tha se përpjekjet për zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk mund të ndërlidhen me Bosnje-Hercegovinën. „Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të përmirësonte gjendjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e kjo do të hapte edhe rrugën e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE, që do të ishte shumë mirë edhe për B-H“, tha Palmer.

dw

Ambasadorët e BE-së hartojnë draft-konkluzione, opsion të mundshëm që Maqedoninë dhe Shqipërinë të ndahen

BE-MKAmbasadorët e Bashkimit Evropian kanë gjasa të punojnë këtë fundjavë për të harmonizuar përfundimet që do të gjenden në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të martën në Luksemburg.

Një pjesë e konkluzioneve kanë të bëjnë me Maqedoninë dhe Shqipërinë. AIM nga Brukseli, duke u thirrur në burimet diplomatike, thotë se të gjitha opsionet janë ende të hapura, nga kjo, Maqedonia dhe Shqipëria duhet të ndahen deri në shtator, për t’u përcaktuar si vijë kufitare deri sa të shtyhet vendimi në datën për negociata me vendin.

“Versioni më i fundit për Maqedoninë dhe Shqipërinë thuhet se vendet anëtare të BE-së do të kthehen në këtë çështje me mundësinë e marrjes së një vendimi pozitiv në kohën sa më të shkurtër të mundshme dhe jo më vonë se shtatori”, përcjell AIM, duke cituar burimet diplomatike.

Sipas tyre, kishte vende me qëndrime të ndryshme që nuk u tejkaluan, dhe ata i referohen dhënies së një date ose jo për të negociuar në seancën e këshillit të këshillit. Kërkohet modelet se si të qasen deri tek kjo çështje në përputhje me funksionimin e Bundestagut, i cili ka afatet e saj. Ndër anëtarë e BE-së ka pasur dallime nëse Maqedonia dhe Shqipëria të jenë në një paket.

Nuk ishte një numër i vogël i vendeve që përcaktonin dallimin mes dy vendeve në progresin drejt BE-së, por se ato ende nuk ishin ndarë në draft-konkluzionet. Megjithatë burimet diplomatike për AIM-në thanë se ndarja e Shkupit dhe Tiranës është një opsion i mundshëm./Telegrafi/

SHBA publikon filmimet; anija ushtarake iraniane largon një minë të paplasur

PompeoMarina e Shteteve të Bashkuara publikoi një video ku tregohet një anije patrullimi iraniane ndërsa po heq një minë detare të paplasur nga trupi i një prej anijeve çisternë që u sulmuan të enjten në Gjirin e Omanit. Pak më herët, Sekretari amerikan i Shtetit akuzoi Teheranin për autorësinë e sulmeve më të fundit ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Njëra prej anijeve çisternë është në pronësi të një kompanie norvegjeze, ndërsa tjetra i përket një kompanie japoneze.

Mina ishte kapur pas trupit të anijes japoneze, jo larg minës tjetër që kishte shpërthyer. Ndërkohë, anija norvegjeze po digjej nga flakët.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka fajësuar Iranin për sulmet e djeshme.

“Ky konkluzion bazohet tek të dhënat e zbulimit, armët e përdorura, nivelin e ekspertizës që duhet për të ekzekutuar një operacion të tillë, sulme të tjera të ngjashme të kryera nga Irani ndaj anije të mallrave, si dhe faktin që asnjë grup tjetër në rajon nuk ka burimet dhe zotësinë të veprojë me një nivel kaq të lartë sofistikimi. Ky është vetëm sulmi më i fundit nga një seri sulmesh të Republikës Islamike të Iranit dhe vasalëve të saj, ndaj interesave amerikane dhe të aleatëve”, deklaroi Sekretari Pompeo.

Sulmet u zhvilluan ndërsa Kryeministri japonez Shinzo Abe ndodhej në Teheran për t’u takuar me Udhëheqësin Suprem Ayatollah Ali Khameini me qëllim uljen e tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit.

“Irani e vlerësoi vizitën dhe jemi në të njëjtën frekuencë për sa i përket uljes së tensioneve”, tha Yoshihide Suga, shefi i kabinetit japonez.

Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së po fliste gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit me Lidhjen Arabe, ku dënoi çdo sulm ndaj anijeve civile.

“Duhet të parashtrohen faktet dhe të qartësohen përgjegjësitë. Nëse ekziston diçka që botës nuk i duhet, është një tjetër përplasje madhore në rajonin e Gjirit”, tha zoti Guterres.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara akuzuan Iranin se përdori minat për të sulmuar katër anije çisternë pranë bregdetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, një akuzë që Irani e ka mohuar.

voa

Lobimi në SHBA, Basha i pandehur

BashaNë Shqipëri, Prokuroria ka vendosur të marrë të pandehur kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani dhe Drejtorin e Financës në Partinë Demokoratike Ilir Dervishi, lidhur me fondet e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas hetimit, mësohet se ka rezultuar se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke ju shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”. Zoti Basha është thirrur më datë 17 në Prokurori ku atij do t’i komunikohet akuza dhe do merret në pyetje.

Nuk ka vonuar reagimi i kryetarit demokrat Basha, i cili bën përgjëgjës direkt kryeministrin Rama që sipas tij “me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike. Edi Rama ka një vit e gjysëm që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike. Tani që është në dëshpërim për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të sajojë akuza absurde për të shpërqendruar publikun”. Sipas zotit Basha “Edi Rama ka menduar se do të më trembë mua apo do të stepë opozitën, por do ta kuptojë shpejt se unë as nuk trembem dhe as nuk tërhiqem!”.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Sipas një investigimi të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”. Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev.

Një tjetër material investigues, i publikuar nga Top Channel, lidhur me hetimet në Skoci, bën të ditur se pronarët e vërtetë që qëndrojnë pas “Biniatta Trade LP”, janë dy shtetase ruse, Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva, e para jeton në ishujt Seychelles, një vend i njohur si “parajsë fiskale” për kompanitë “offshore”, ndërsa Radysheva në shtetin Belize. Edhe këto, sipas artikulit të Top Channel, të lidhura përmes fijesh të shumta me emra të tjerë që të çojnë sërish në Rusi.

Kur vitin e kaluar shpërtheu debate mbi fondet e lobimit, pas artikullit të “Mother Jones” PD deklaroi publikisht se “nuk ka thyer asnjë ligj, as shqiptar, as amerikan dhe të asnjë vendi tjetër. Partia Demokratike nuk ka patur e nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me individë apo kompani ruse”.

Megjithatë angazhimi i “Biniatta Trade LP” në favor të Partisë Demokratike, duke paguar 150 mijë dollarë, përbën një moment të paqartë. “Muzin Capitol Partners” ka deklaruar se është “kompensuar nga “Biniatta Trade LP” për aktivitetet e organizuara në emër të Partisë Demokratike për të promovuar lidershipin konservator shqiptar pranë biznesve dhe udhëheqësve politikë​ në Shtetet e Bashkuara”.

“Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”, deklaroi marsin e viti të shkuar zoti Basha, duke dhënë të njejtin arsyetim dhe për shumën prej 500 mijë dollarësh e cila në dokumentat e Muzin rezulton e paguar nga PD. Nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”, theksoi zoti Basha, ndërsa në nëntor të 2017 e kishte shpjeguar këtë shumë me pagesën e kryer falë një mbledhje fondesh nga një numër i madh shqiptaro amerikanësh, por që nuk kishte kaluar përmes partisë.

Por ndërsa PD ka pranuar që ka paguar vetëm 25 mijë dollarë, nga ana e saj Muzin ka deklaruar se vetëm shpenzimet e saj për nënkontraktorët e angazhuar për aktivitetetet në favor të partisë shqiptare, shkojnë mbi 100 mijë dollarë.

Zoti Basha u thirr dhe në muajin mars në Prokurori për t’u njohur me aktet e nisura nga SHBA-të dhe Skocia. Dhe në atë kohë, ai deklaroi se “ka një vit e gjysmë që ka nisur ky hetim, ka 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA e Britania e Madhe. Ato vërtetojnë se PD dhe drejtuesit e saj nuk kanë shkelur asnjë ligj në Shqipëri, Amerikë e Britani. I kërkoj prokurorisë të bëjë publike përgjigjet e SHBA dhe Britanisë”. Pas këtyre deklaratave Prokuroria reagoi duke u shprehur se “Ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga PD dhe shpenzimeve reale të saj: PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh. Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin” – theksohet në deklaratën e prokurorisë. Sipas saj, nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 mijë dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat PD nuk i ka deklaruar ligjërisht. “Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade” – deklaroi prokuroria e Tiranës në mars, ndërkohë që zoti Basha tha se “çështja po hetohet me kërkesë të PD-së dhe thelbi është nëse formularët e KQZ-së janë mbushur apo jo si duhet. Ky është hetimi dhe jo gënjeshtrat dhe shpifjet për të cilat është investuar fuqimisht qeveria, e cila e aktivizon këtë hetim, sa herë i duhet për nevoja politike” – shpjegoi zoti Basha, ndërsa theksoi se në prokurori ishte thirrur si person, që mund të kishte dijeni për rrethanat e hetimit.

voa

Maqedonia e Veriut pret mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e negociatave me BE-në

Zaev MerkelKryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendës-kryeministri Bujar Osmani dhe ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, u prit të enjten në Berlin nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, për të diskutuar synimet e Shkupit për të hapur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Komisioni Evropian muajin e kaluar propozoi hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe çështja pritet të diskutohet në një takim të ministrave të BE-së gjatë javës së ardhshme në Luksemburg.

Zonja Merkel ka thënë se Bundestagu gjerman do ta marrë vendimin në muajin shtator për këtë çështje.

Në një njoftim të zyrës së kryeministrit Zaev, kancelaria Merkel citohet te ketë thënë se Maqedonia e Veriut ka përmbushur atë që pritej dhe se Berlini e shikon këtë si mjaft pozitive.

Ndërsa kryeministri Zaev, tha se vendi i tij ka besim të plotë tek kancelarja gjermane dhe e mbështetë politikën e saj kundrejt procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, sikundër dhe politikat lidhur me Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se Gjermania është partner strategjik për Maqedoninë e Veriut dhe se dy vendet po punojnë së bashku për politikat e pajtimit në Ballkanin Perëndimor, për qëndrueshmërinë e rajonit dhe për mirëqenien ekonomike, “procese këto që do të përmbylleshin me integrimin në BE”.

Autoritetet maqedonase thonë se këtë vit do të hapen bisedimet dhe se do t’i bashkohen Serbisë dhe Malit të Zi në këtë proces.

Por, nëse data për çeljen e bisedimeve vonon, atëherë, sipas analistëve besimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut tek institucionet evropiane mund të bjerë sikurse edhe mbështetja për qeverinë e drejtuar nga socialdemokratët e zotit Zaev.

Në atë rast, këtij të fundit do t’i duhej të krijojë mundësitë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vet kryeministri Zaev ka paralajmëruar se nëse nuk merret data, atëherë ai do t’ia kthente mandatin presidentit të vendit Stevo Pendarovski. Por, disa analistë e shohin këtë si një lojë politike, meqë presidenti, thonë ata, përsëri do t’ia jepte mandatin zotit Zaev për krijimin e një qeverie të re.

Maqedonia e Veriut shtoi shpresat për hapjen e negociatave pas marrëveshjes së vitit të kaluar me Greqinë për t’i dhënë fund konfliktit rreth emrit.

Por, një ditë më parë, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se “jo të gjitha shtetet anëtare janë të përgatitura për të marrë vendimin për hapjen e negociatave në ditët në vijim”.

voa

Kosovë: Alex Whiting shefi i hetimeve në Prokurorinë Speciale

drejtesiaEmërohet shefi i hetimeve në Prokurorinë Speciale pranë Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë. Prokurori me francezo-amerikan Alex Whiting, ka punuar në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish Jugosllavi.

Prokuroria Speciale në kuadër të Gjykatës Speciale për Krimete Luftës në Kosovë, bën të ditur se ka emëruar Alex Whiting, shef të hetimeve në Prokurorinë Speciale të Dhomave të Specializuara. 54 vjecari Alex White me shtetësi amerikane dhe franceze, ka punuar nga 2002 deri në vitin 2007 në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Ai ka qenë prokuror kryesor në procesin gjyqësor kundër ish- pjesëtarëve të UÇK-së, Fatmir Limaj, Isak Musliu e Haradin Balaj, por edhe në procesin gjyqësor ndaj Milan Martiçit, ish-udhëheqës i kryengritësve serbë në Kroaci dhe Dragomir Milosheviçit, ish- ushtarak i serbëve të Bosnjës.

“Alex Whiting, është një prokuror me kombësi franceze dhe amerikane me përvojë të gjerë në fushat e ndjekjes penale kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka qenë profesor në fakultetin juridik në Harvard dhe më parë prokuror federal në SHBA, fillimisht në Sektorin e Kriminalistikës së Departamentit të të Drejtave Civile në Washington DC e më pas në Zyrën e Prokurorit Federal në Boston, Massachusetts, ku ka ndjekur rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin e zyrës së Prokurorisë Speciale pranë Gjykatës Speciale.

Tash e gjashtë muaj, Prokurorisa Speciale ka intervistuar dhjetra ish-pjesëtar të UÇK-së, disa në cilësinë e dëshmitarëve e disa në cilësinë e të dyshuarve për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999. Asnjë aktakuzë deri tani nuk është ngitur nga Gjykata Speciale për Krimet e Luftë në Kosovë.

Ideja për themelimin e kesaj Gjykate Speciale, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të ish-UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Në vitin 2015 Kuvendi i Kosovës, miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën Speciale që njohet me emërtimin zyrtar “dhomat e specializuara”, e që selinë e saj e ka në Hagë. Kjo Gjykatë funksionon me ligjet e Kosovës, por në të nuk punon asnjë gjykatës apo prokuror nga Kosova. Në Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar punojnë rreth 150 persona, të cilët vijnë nga shtete të ndryshme të botës, ndërsa nuk punon asnjë person nga Kosova.

Gjykata Speciale do të trajtojë “krimet e pretenduara”, të ish- pjesëtarëve të UÇK-së ndaj civilëve, gjatë luftës së Kosovës. Emërimi i francezo-amerikanit Alex Whiting, shef i hetimeve në zyrën e Prokurorit të Posaçëm për krimet e luftës në Kosovë, vjen në kohën kur në Kosovë po vazhdon debati në kuvend për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë. Kjo nismë përmes një rezolute tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës, ndërsa, është themeluar edhe një komision që do të nisë procedurat për themelimin e këtij Tribunali.

Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se “Për 186 masakra të kryera në Kosovë e për mijëra të vrarë nga forca serbe gjatë viteve 1998-1999, institucionet e Kosovës do të kërkojnë drejtësi”.

Mirëpo nga ana tjetër, Beogradi zyrtar nuk beson, se bashkësia ndërkombëtare do ta përkrahë nismën e Kosovës për krijimin e një Gjykate kundër krimeve serbe në Kosovë. Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daciq, ka thënë se “paralajmërimet e Prishtinës rreth iniciativës së formimit të një Gjykate, e cila do të merrej me krimet e serbëve në Kosovë, është përpjekje për të gjetur një baraspeshë me punën e Gjykatës Speciale”.

dw

SHBA, përdorimi i dronëve kinezë dhe rreziqet e tyre

dronDJI, gjigandi kinez i dronëve, shet produktetet e tij tek policia amerikane dhe departamentet e zjarrfikësve. Por në një paralajmërim të qeverisë amerikane kohëve të fundit thuhet se dronët kinezë mund të vjedhin informacione sensitive. Korrespondentja e Zërit të Amerikës,

Michelle Quinn shkoi në një departament të zjarrfikësve në Fremont të Kalifornisë, i cili ka përdorur dronët kinezë DJI në më shumë se 200 raste gjatë dy viteve të fundit, për të mësuar më shumë në lidhje me përparësitë dhe rreziqet e kësaj teknologjie.

Shpëtimi kohët e fundit i një fëmije të shurdhër në Fremont të Kalifornisë u bë i mundur pjesërisht nga kamerat infra të kuqe të një droni që arriti të diktonte trupin e fëmijës në një luginë gjatë natës. Kjo pajisje që ofron informacione të çmueshme për ekipet e kërkim shpëtimit, është prodhuar nga DJI, një kompani kineze e dronëve që dominon tregun.

“Dronët janë bërë pjesë integrale e operacioneve tona të përditshme. Ne i përdorim ata për çdo gjë, përfshirë shuarjen e zjarreve, trajtimin e materialeve të rrezikshme, dhe operacionet e kërkim shpëtimit”, thotë Jeff Kleven nga Departamenti i Zjarrfikësve në Fremont.

Por blerja e teknologjisë kineze është bërë më delikate. Kohët e fundit, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare përsëriti paralajmërimet se dronët kinezë mund të transferojnë të dhëna në Kinë, akuza që DJI i ka mohuar.

Për Departamentin e Zjarrfikësve në Fremont, paralajmërimet shërbejnë si një kujtesë e praktikave më të mira për ruajtjen dhe transferimin e informacionit.

“Ka metoda për t’i lokalizuar të dhënat tona në mënyrë që ato të mos dalin jashtë. Ka mënyra përmes të cilave nuk kemi nevojë të lidhemi me internetin, nuk kemi nevojë të transferojmë të dhënat në internet. Mund

të izolojmë të dhënat brenda sistemit tonë”, thotë Jeff Kleven nga Departamenti i zjarrfikësve në Fremont.

Rreth 1.000 departamente të sigurisë publike përdorin dronët, thotë Romeo Durscher, drejtor për sigurinë në DJI. Kompania punon me këto agjenci për t’i trajnuar dhe përgatitur për fatkeqësi natyrore si zjarret në Kaliforni. Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësime rreth sigurisë së dronëve, DJI ka rritur llojet e sigurisë dhe kontrollin e të dhënave që u ofron klientëve të saj.

“Ne kemi bërë më shumë në përmirësimin e sigurisë në mënyrë që operatori të ketë aftësinë për të kontrolluar të dhënat. Nuk jemi në biznesin e kontrollimit të të dhënave. Por duam t’ua japim këtë mundësi operatorëve të pajisjeve tona në mënyrë që ata të kenë kontroll mbi mënyrën se si ruhen, përpunohen ose transmetohen të dhënat. Dhe kjo

tashmë është në dispozicion të konsumatorit”, thotë Romeo Durscher, drejtor për sigurinë publike në kompaninë DJI.

Departamenti i Zjarrfikësve në Fremont shpreson që një ditë të ketë sensorë për materialet e rrezikshme në dronët e saj për të patur këtë informacion para se t’i dërgojë njerëzit në situata të panjohura. Dhe ndoshta një ditë dronët autonomë do të dalin në vendin e ngjarjes para arritjes së ekipeve të kërkim shpëtimit. Dronët do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm për agjencinë, thotë zoti Kleven.

“Në 10 vitet e ardhshme dronët do të jenë aq të zakonshëm sa pompat e ujit në kamionët e zjarrëfiksave. Informacionet e mbledhura nga një dronë janë të pazëvendësueshme. Është me të vërtetë një mjet me përdorim të përditshëm”.

Një teknologji e përditshme që shpëton jetë, por që është bërë objekt dyshimi mes dy superfuqive teknologjike.

voa

Zaev: NATO-ja nuk do të lejonte krijimin e “Shqipërisë së Madhe”

ZZaevKryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se do të dorëhiqet nga pozita, nëse në qershor, Bashkimi Evropian, nuk e miraton fillimin e bisedimeve për anëtarësim me vendin e tij.

Në një intervistë për gazetën belge Soar, Zaev ka thënë se BE-ja i ka premtuar Maqedonisë së Veriut caktimin e datës, për faktin se vendi ka përmbushur reformat dhe në veçanti ka realizuar marrëveshjet për ridefinimin e raporteve me Greqinë dhe Bullgarinë.

Ai ka komentuar edhe raportet e Shqipërisë me BE-në pasi edhe Tirana, sikurse Shkupi, po pret miratimin e vendimit për nisjen e negociatave për anëtarësim.

Zaev tha se nuk beson që në rast se BE-ja nuk e miraton fillimin e negociatave me Shqipërinë, kjo do të çonte në krijimin e një “Shqipërie të Madhe”, pasi sipas tij, këtë nuk do ta lejonte as NATO-ja, anëtare e së cilës është Shqipëria.

“Ky është një kërcënim por nuk është e mundur të ndodhë”, tha Zaev.

Megjithatë, sipas tij, “nëse Shqipëria do të përpiqej të bashkohej me Kosovën, do të humbiste dhjetë vjet dhe do të reduktohet në nivelin e Kosovës”.

Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian miratimin e fillimit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë ende nuk është e qartë nëse ky institucion i BE-së do të miratojë një vendim të tillë.

rel