Kukan: Keni bërë gjithçka që kërkoi BE, duhet të merrni datë në tetor

eduard-kukanIsh-eurodeputeti Eduard Kukan tha se ju keni bërë gjithçka që kërkoi Bashkimi Evropian nga ju dhe mund të merrni vendim pozitiv për datë në tetor.

Kukan për AIM-në tha se personalisht mendoj se Maqedonia do të marrë datë për fillimin e bisedimeve. Keni pritur këtë moment shumë gjatë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Mendoj se kjo është çështja më e rëndësishme për të cilën përgjigje presin jo vetëm qytetarët e Maqedonisë, por edhe shumë politikanë tjerë në Evropë. Më nuk jam anëtarë i Parlamentit Evropian dhe për këtë mundem më hapur të flasë. Keni pritur këtë moment shumë gjatë, absolutisht është e pabesueshme që të jeni vendi kandidat për 12-13 vjet dhe tani të merrni datën. Por, mos të kthehemi prapa në histori. Ju gjithashtu, keni pasur disa probleme. Ta përfundojë, mendoj se ju keni bërë gjithçka që ka kërkuar BE nga ju, me qëllim që të merrni datë për bisedimet. Kjo është thënë nga shumë politikanë që vizituan vendin tuaj, përfshirë Donald Tusk, si dhe shumë krerë të tjerë të rëndësishëm të qeverisë që thanë se Maqedonia meriton datë”, thotë Kukan kur u pyet se si i vlerëson perspektivat e samitit të tetorit të Këshillit Evropian për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve.

Ai është optimist por përsëri, siç thekson, shikuar nga përvoja e tij do të besoj vetëm kur të ndodhë kjo.

Kukan nuk pajtohet me qëndrimin e presidentit të Francës, Emanuel Macron se së pari duhet të reformohet BE nga brenda, ndërsa pastaj të vazhdojë të zgjerohet. /Telegrafi/

Kosova në fushatë zgjedhore

zgjedhjetNë zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen me 6 tetor garojnë 25 subjekte politike. Për 120 vende në Parlament garojnë 1068 kandidatë. 1,937,868 qytetarë të Kosovës kanë të drejtë vote.

25 subjekte politike të regjistruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur, nisën zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme që mbahen me 6 tetor. Gjatë dhjetë ditëve të fushatës këto subjekte politike do të shpalosin programet e tyre për të fituar sa më shumë vota për 120 vendet e Parlamentit të Kosovës për mandatin kushtetues katër vjeçar. Sipas të dhënave të KQZ-së, për 120 vende në Parlament garojnë 1068 kandidatë nga të gjitha subjektet politike. 1,937,868 qytetar të Kosovës kanë të drejtë vote.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që është në kuadër të KQZ-së, paralajmëron subjektet politike që të zhvillojnë një fushatë në përputhje me ligjin, pasi në të kundërtën do të shqiptojë gjoba deri në 50 mijë euro.

Kërkesat për fushatë në përputhje me ligjin

“Fushata zgjedhore nis nga data 25 shtator deri më 4 tetor. Të gjitha subjektet politike kanë të drejtë të mbajnë tubime të bëjnë fushatë të drejtë në përputhje me ligjin. Por, janë kornizat ligjore për fushat zgjedhore, vendet e lejuara dhe të gabuara të fushatës zgjedhore. PZAP-ja mund të shqiptojë gjoba deri në 50 mijë euro”, paralajmëron PZAP.

Edhe kësaj radhe zgjedhjet do të monitorohen nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtar. Bashkimi Evropian me ftesë të Presidentit të Kosovës tashmë ka dërguar misionin vëzhgues për zgjedhjet e 6 tetorit me rreth 100 vëzhgues. Ata u kanë bërë thirrje subjekteve politike që procesi zgjedhor të mbahet në mënyrë të qetë, transparente dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sundimin e së drejtës.

“Të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit e tyre duhet të sigurojnë fushatë respektuese të përqendruar në programe konkrete në interes të popullit të Kosovës. Zgjedhjet janë një prej komponentëve themelorë të demokracisë. Ato janë një mundësi për popullin e Kosovës për ta ushtruar të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet”, thuhet në deklaratën e vëzhguesve të BE-së.

Kandidatët kryesorë

Pesë subjektet më të mëdha politike, Lidhja Demokratike e Kosovës,  Partia Demokratike e Kosovës, lëvizja Vetëvendosja, koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Social Demokrate dhe Nisma për Kosovën tashmë kanë nominuar kandidatët e tyre që kryesojnë listat dhe garojnë për postin e kryeministrit të vendit.

Vjosa Osmani nga LDK, Kadri Veseli nga PDK,  Albin Kurti nga Vetëvendosja, Ramush Haradinaj nga AAK-PSD dhe Fatmir Limaj nga Nisma-AKR, janë pesë kandidatët që garojnë për kryeministër të Kosovës. Në garë për zgjedhjet e 6 tetorit janë edhe komunitetet pakicë. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pakicave u garantohen 20 vende, 10 nga të cilat vetëm komunitetit serb të Kosovës.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, taksa 100% e vendosur për produktet serbe, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ulja e papunësisë dhe perspektiva evropiane e Kosovës, janë temat që kanë mbizotëruar parafushatën e këtyre ditëve që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt  nga posti i kryeministrit që i parapriu zgjedhjeve të parakohshme që mbahen me 6 tetor.

dw

Komenti: Populistët e mallkuar

PopullistetNjëri i dërguar i Zotit, tjetri i egër dhe tjetri, që anashkalon popullin dhe Mbretëreshën. Dita e martë tregoi se demokracia është në rrezik në shumë vende të botës. Prej populistëve, mendon Martin Muno.

Çfarë dite! Mëngjesin e ditës së martë, Gjykata e Lartë në Britani mori një vendim ndaj kryeministrit Boris Johnson, gjë që në kohë normale do të ishte quajtur shkatërrues. “Në kundërshtim me ligjin, hiçgjë dhe pa vlerë”, është pushimi i detyruar i parlamentit britanik, i inicuar prej kryeministrit, thotë vendimi i marrë në unanimitet. Në kohët e mëparshme ky verdikt do të kishte qenë fundi për kryeministrin britanik, i cili sapo ka ardhur në post dhe po përpiqet me çdo lloj mënyre të paskrupullt që t’i shpëtojë kushtetutës, të anashkalojë Mbretëreshën dhe t’i mbyllë gojën sovranit, popullit që e ka zgjedhur. Por kohët në ditët e sotme, janë të tjera. Johnson kërkon të qëndrojë në post, dhe me sa duket, do të qëndrojë ndërkohë.

Para disa vitesh do të kishte qenë e paimagjinueshme prezantimi në publik i një presidenti të zgjedhur, që ndihet pothuajse i dërguar i Zotit. Ai falenderon Zotin për mundësinë “që të verë në vend të vërtetën”, thotë Jair Bolsonaro në fillim të fjalimit të tij para Asamblesë së Përgjithshme. Çfarë kupton ai me këtë e shpjegon pa vonuar: “Nuk është e vërtetë që Amazona është mushkëria e botës”. Dhe: “Pyjet tona tropikale janë praktikisht të përsosura”. Instituti brazilian për kërkime në hapësirë pati deklaruar disa javë më parë, se shkatërrimi i pyjeve tropikale në territoret braziliane të Amazonas, pothuaj është dyfishuar brenda një viti.

Edhe prezantimi tjetër është pothuaj i çuditshmë. Donald Trump, mjeshtri i madh i populizmit, mban po ashtu fjalim para Kombeve të Bashkuara. E ecura e tij në podiumin e fjalimeve, fjalimi i tij monoton duke lexuar në letër: Të gjitha këto tregojnë për mungesën e respektit ndaj kësaj Asambleje të komunitetit ndërkombëtar. Dhe ai thotë qartë: “E ardhmja nuk i përket globalistëve, por patriotëve”. Me një fjalë: Nëse të gjithë luftojnë kundër të gjithëve, atëherë të gjithë i kanë punët më mirë. Trump u konfrontua në fund të fjalimit të tij me fillimin e procesit për largimin nga posti, dhe kjo i vuri kurorën dramatike ditës së martë.

Nuk është për të qeshur

Për ta bërë më të qartë: Nuk kemi të bëjmë këtu me diktatorë të përgjakshëm, të cilët janë mbledhur po ashtu në Nju Jork. Kemi të bëjmë me politikanë të zgjedhur, që sundojnë mbi shtetet, në të cilat ekzistojnë struktura demokratike.

Mund të qeshet me mendjemadhësinë, me njerëz që nuk lenë vend për të tjerët dhe politikanë që nuk flasin të vërtetën. Këta tre burra në moshë të mesme deri në moshë të thyer, nuk i përshtaten botës dixhitale, komplekse të shekullit të 21-të, ku faktikisht budallai me mjekër mendohet të jetë arketipi mashkullor.

Por nuk është koha për të qeshur. Në shumë vende ka plasur lufta e populistëve me demokracinë, jo vetëm në Britaninë e Madhe, Brazil dhe SHBA. Nëse do të kishte pasur tani zgjedhje të reja në Itali, kryeministër do të ishte bërë Matteo Salvini. Në Hungari, Poloni dhe Çeki populistët janë në pushtet prej vitesh. Në Francë liberali që edhe vetë erdhi në pushtet me hile populiste, Emmanuel Macron, arriti të pengonte arrdhjen e një qeverie populiste të djathtë.

Dhe kudo që të qeverisin, ata pördorin tre rrugë për të minuar demokracinë: mundohen të fshijnë dallimet midis të vërtetës dhe gënjeshtrës, duke gënjyer vetë gjatë gjithë kohës, dhe duke luftuar shtypin e lirë. Kjo mund të ndodhë duke bërë diskreditime, duke folur për “Fake News”, duke i ndaluar ose duke i blerë vetë botuesit privatë.

Çekani

Rruga e dytë është krijimi i imazhit të armikut të mundshëm, qoftë me pakicat e vendit, refugjatët, migrantët, pjesëtarët e feve të tjera ose thjeshtë intelektualët. “Ne këtu kundër atyre atje”, është pothuajse çekani në arsenalin e veglave të populistëve. Dhe të gjithë ata që kritikojnë Trumpin, Bolsonaron me kompani, dalin automatikisht jashtë këtij kolektivi “ne këtu”.

Rruga e tretë është përpjekja për të dobësuar institucionet demokratike ose për t’i shpërbërë ato krejt. Këtu, Boris Johnson merr flamurin duke dashur nga njëra anë të detyrojë parlamentin që të mbyllë gojën dhe nga tjetër duke deklaruar, që nuk do të respektojë vendimet e Dhomës së Ulët. Dhe dëshira për të keqpërdorur familjen mbretërore, të vetmin institucion që respektohet ende nga Britania e Madhe e stërmunduar nga Brexiti, doli që ishte gabim i madh.

Por pikërisht rasti Johnson tregon se demokratët nuk janë dorëzuar krejt. Është domethënëse që Lady Brenda Hale, presidente e Gjykatës së Lartë, një grua e arsimuar, ndihmon parlamentin të marrë të drejtën, duke argumentuar me qetësi, ligjshmëri dhe racionalitet. Gruaja me karficë një merimangë, pengon kryeministrin e paepur, vetëm me forcën e fjalëve. Kjo është shpresëdhënëse.

dw

Çmimi Nobel Alternativ për vizionarët praktikë

GretaPër të 40-n herë Çmimi Nobel Alternativ nderon njerëzit, që angazhohen për problemet globale. Sivjet ky vlerësim u bëhet një aktivisteje, një avokateje, një mbrojtësi të mjedisit dhe Greta Thunberg.

Kategoritë e Çmimit ishin të pamjaftueshme për Jakob von Uexkell për t’iu përgjigjur si duhet sfidave të njerëzimit. Shkrimtari gjermano-suedez dhe një koleksionist profesionist pullash si rrjedhojë themeloi “Right Livelihood Award”, i njohur edhe si “Çmimi Nobel Alternativ”.

Organizatorët në Stokholm që prej vitit 1980 çdo vit vlerësojnë njerëz, që angazhohen në mënyrë aktive kundër ndotjes së mjedisit, kërcënimit bërthamor, keqtrajtimit të njerëzve dhe abuzimit me minoritetet. “Right Livelihood Foundation” sivjet ka marrë mbi 100 propozime nga mbarë bota. Një juri përzgjedh fituesit e çmimit, që akordohet gjithmonë në dhjetor.

Deri më sot “Right Livelihood Award” u është akorduar  174 personave nga 70 vende. Sivjet fituesit vijnë nga Saharaja Perëndimore, Kina, Suedia dhe Brazili. Të gjithë ata i bashkon lufta për drejtësi, vetëvendosje dhe për një të ardhme më të mirë. “Ne nderojmë katër vizionarë praktikë, angazhimi i të cilëve u mundëson miliona njerëzve të mbrojnë të drejtat e veta themelore dhe të luftojnë për një të ardhme të jetueshme në këtë planet”, shpjegon juria.

“Gandhi i Saharasë Perëndimore”

Qysh në rini ajo u bë aktiviste. Që nga ajo kohë Aminatou Haidar angazhohet me mjete paqësore për pavarësinë e vendit të saj, Saharasë Perëndimore. Ish-kolonia e Spanjës u pavarësua për një kohë të shkurtër më 1975-n. Pak pas kësaj Maroku e aneksoi Saharanë Perëndimore. Pas aneksimit autoritetet marokene i kundërvihen popullsisë indigjene të Saharsë Perëndimore, sahrauis.

Haidar është bërë figura e një lëvizjeje, që angazhohet për vetëvendosjen e etnisë së sahrauisve dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Ajo është gjithashtu bashkëthemeluese dhe presidente e Organizatës së të Drejtave të Njeriut “Collective of Sahraui Rights Defenders” (CODESA). Aktivistja organizon demonstrata, dokumenton torturat dhe hyn në grevë urie, për të sensibilizuar për gjendjen e popullit të saj. Këto aksione nuk i pëlqejnë qeverisë së Marokut. Haidar shpesh herë është burgosur – pa akuzë dhe pa proces gjyqësor. Ajo ka kaluar katër vjet në një burg sekret, e izoluar prej botës përreth.

Në mënyrë të palodhur ajo lufton për një zgjidhje politike të konfliktit shumë vjeçar në Saharanë Perëndimore duke u rezistuar edhe kërcënimeve me vrasje, sulmeve e taktikave të presionit, madje edhe kundër fëmijëve të saj. Rezistenca e saj dhe protesta paqësore kanë bërë që atë ta quajnë si “Gandhi i Saharasë Perëndimore”.

“Për rezistencën e saj paqësore dhe të vazhdueshme, pavarësisht burgut dhe torturave, në përpjekjet për drejtësi dhe vetëvendosje për popullin e saj në Saharanë Perëndimore” asaj i akordohet “Right Livelihood Award”.

Avokate për gratë e Kinës

Shifrat zyrtare nga Kina treguan në vitin 2014 për herë të parë një mal problemesh, që më parë mbaheshin në heshtje: Një në katër familje kineze përjeton dhunën e burrit ndaj gruas. Dy vjet më vonë udhëheqja në Pekin miratoi një ligj kundër dhunës në familje. Një arritje kjo falë angazhimit këmbëngulës të aktivisteve për mbrojtjen e grave si Guo Jianmei.

Guo është ndër avokatet më të njohura të mbrojtes së të drejtave të grave në Kinë. 25 vitet e kaluara ajo dhe ekipi i saj u kanë ofruar mbështetje ligjore falas 120.000 grave. Më shumë se 4000 padi janë ngritur për të kërkuar të drejtat e gruas dhe barazinë gjinore. Ajo është avokatja e parë e vendit, që është aktive si profesioniste për ndihmën juridike në mënyrë shoqërore.

Guo mbështet gratë në nivel kombëtar për çështje të tilla si paga jo e barabartë, ngacmimi seksual apo kontratat e punës mjaft të përhapura që ndalojnë shtatzaninë. Në rajone trurale Guo ndihmon gratë, të cilave u mohohen të drejtat e tokës. Kryesisht kjo në struktruat patriarkale, ku gruaja është e varur prej burrit. Ajo ka themeluar rrjetin “China Public Interest Lawyer Network”. Një shoqatë me mbi 600 avokate dhe avokatë, të cilët trajtojnë edhe rastet e rajoneve më të largëta në vend.

“Në sfondin e rritjes dramatike të kufizimeve të mundësive të veprimit në nivelin e shoqërisë civile Guo Jianmei ka dëshmuar guxim të madh dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme”, argumentojnë organizatorët e “Right Livelihood Award”. Guo vlerësohet sivjet “për punën udhërrëfyese dhe këmbëngulëse për sigurimin e të drejtave të gruas në Kinë”.

Të bashkuar për rezervatet indigjene

Në Brazil digjen pyjet tropikale. Bota shqetësohet për pasojat ndaj klimës. Por kjo prek në radhë të parë njerëzit në këto rajone. Ndaj Organizatorët e Çmimit Nobel Alternativ sivjet vlerësojnë Davi Kopenawa, një ndër zëdhënësit më të njohur të popullsive indigjene në Brazil.

Kopenawa i përket fisit Yanomami, i cili me rreth 35.000 anëtarë është ndër fiset më të populluara të Brazilit. Bashkë me territorin venezuelan, Yanomami ky është territori më i madh i brezit tropikal në mbarë botën me një madhësi më të madhe se Greqia i banuar nga një fis.

Yanomami angazhohet për mbrojtjen e të drejtave, të kulturës dhe të vendbanimit të banorëve indigjenë në zonën e Amazonës. Një shfrytëzim gjithnjë në rritje i pyllit tropikal për bujqësinë kërcënon jo vetëm natyrën, por edhe ekzistencën e banorëve indigjenë. Në vitet 1980- 1990 punëtorët e minierave të arit shkatërruan fshatrat, i vranë njerëzit dhe përçuan sëmundje. Sot të tilla sulme janë shtuar.

Kopenawa ka qenë i angazhaur masivisht derisa më 1992 Yanomami, një territor prej 96.000 metrash katror në Brazil  u shpall si zonë e mbrojtur. Përveç kësaj një rol vendimtar ka luajtur ai për bashkimin e bashkësive të ndryshme indigjene për t’i mbrojtur ata prej shfrytëzimit. Për këtë ai ka themeluar Hutukara Assoziation, që përfaqëson bashkësi të ndryshme Yanomami. “Në sfondin e humbjes së vazhdueshme të diversitetit dhe rritjes së pasojave të ndryshimit të klimës dija e  Yanomami mbi mundësinë se si të ruhet toka në mënyrë të qëndrueshme dhe në dobi të të gjithëve është me rëndësi globale”, deklarojnë organizatorët e “Right Livelihood Award”.

Nxitëse e një lëvizjeje mbarëbotërore

E vlerësuara më e njohur me këtë çmim është padyshim aktivistja për klimën, suedezja Greta Thunberg. Në gusht 2018, pak javë para zgjedhjeve parlamentare në Suedi, 15 vjeçarja nisi një grevë ndaj shkollës duke protestuar para parlamentit të Suedisë. Qëllimi i saj: Të verë në lëvizje politikën për të vepruar për ta kufizuar në 1,5 grad celsius ngrohjen globale të Tokës. Ajo është zëri i një brezi, që e konsideron ndryshimin e klimës si rrezik të madh për të ardhmen e tij dhe brezat pasues.

Miliona të rinj në mbarë botën e kanë ndjekur suedezen duke protestuar të premteve në rrugë për më shumë mbrojtje të klimës. Greta Thunberg u kthye në ikonën mbarëbotërore të lëvizjes “Fridays for Future”, që kulmoi me një grevë globale për klimën të premten e kaluar (20.09). Thunberg flet në konferenca të mëdha dhe takon politikanë të nivelit të lartë nga e mbarë bota: Mesazhi i saj është: Bota duhet ta pranojë ndryshimin e klimës, të kuptojë urgjencën e krizës së klimës dhe të veprojë konform kësaj.

“Mënyra e saj e pakompromis për t’u thënë të vërtetën të pushtetshmëve në botë, has në një jehonë të jashtëzakonshme”, deklarojnë organizatorët e “Right Livelihood Award”. Thunberg vlerësohet, sepse ajo ka krijuar sensibilitet ndaj kërkesës politike për masa urgjente në mbrojtje të klimës.

dw

Raporti i OKB-së: Pjesa më e madhe e njerëzimit kërcënohet nga ngrohja globale

Ngrohja globaleNjë raport i posaçëm i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se një pjesë e madhe e njerëzimit kërcënohet nga ndikimi shkatërrues i ngrohjes globale në oqeane dhe në pjesët e ngrira të tokës.

Raporti i Komisionit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) arrin në përfundimin se ndryshimi i klimës po përshpejton ngrohjen e oqeaneve, rritjen e nivelit të detit, shkrirjen e akullnajave dhe po shkakton probleme të tjera mjedisore.

Raporti i publikuar të mërkurën, paralajmëron më tej se nëse ngrohja globale nuk ngadalësohet, niveli i detit do të rritet gati një metër deri në fund të shekullit. Një dukuri e tillë do të rezultonte në pakësimin e popullatës së peshqve, më pak dëborë e akull si dhe uraganë më të fuqishëm.

Raporti hedh një vështrim mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike të nxitura nga njerëzit tek akullnajat apo oqeanet.

Ai dokumenton mënyrat se si oqeani ka vepruar si një sfungjer, duke thithur dioksid karboni dhe nxehtësi për të rregulluar temperaturën. Por kjo nuk mund të mos vazhdojë kështu”, sipas nënkryetarit i IPCC-së Ko Barrett.

Të marra së bashku, të dhënat tregojnë se oqeanet dhe shtresat e ndryshme të atmosferës kanë thithur prej dekadash të tëra nxehtësi falë ndryshimeve klimatike. Pasojat për natyrën dhe njerëzimin janë të mëdha e të rënda“, thotë ai.

Ky është raporti i tretë kryesor i IPCC-së brenda një viti lidhur me ndikimin e ndryshimeve klimatike. Publikimi i tij vjen pas protestës javën e kaluar nga miliona vetë në mbarë botën duke kërkuar veprime urgjente ndaj ndryshimeve klimatike. Raporti pason gjithashtu takimin e nivelit të lartë mbi klimën mbajtur në selinë e Kombet e Bashkuara në New York, për të cilin kritikët thanë se kishte më shumë fjalë, sesa vepra.

Politikani i të Gjelbërve Manuel Sarrazin kritikon kushtet e reja për Shqipërinë

SarazzinPolitikani i Të Gjelbërve, Sarrazin tha, se partia e tij do të japë miratimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Ai ka kritikuar njëkohësisht zvarritjen taktike të grupit parlamentar CDU/CSU.

“Ne, Të Gjelbrit, do ta miratojmë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ky vendim vjen i vonuar dhe u vonua vetëm për shkak të taktikës së zvarritjes të disa pjesëve të grupit parlamentar CDU / CSU. Të dy vendet i kanë përmbushur mjaftueshëm kushtet. BE-ja tani duhet të tregojë se është një partner i besueshëm dhe të hapë bisedimet e anëtarësimit në BE”, shprehet eksperti i Evropës Juglindore të Të Gjelbërve, Manuel Sarrazin në një deklaratë për Deutsche Welle-n.

Më tej ai shton, se “kushtet shtesë të formuluara nga koalicioni për Shqipërinë e tejkalojnë objektivin. Është e papranueshme që Shqipëria çdo vit të duhet të përmbushë kushte të reja për negociatat e anëtarësimit në BE.  Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por edhe e padenjë për një bashkëekzistencë evropiane,” – përmbyll Sarrazin deklaratën për DW.

Të Gjelbrit janë partia e tretë që ka deklaruar tashmë hapur se do ta miratojnë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e VEriut, pas miratimit të djeshëm të kërkesës së qeverisë gjermane nga grupet parlamentare CDU/CSU dhe SPD: Po pritet edhe nga liberalët, E majta deri dje ishte ende në mëdyshje. Vetëm  AfD, Alternativa për Gjermaninë është e mendimit se as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut nuk janë gati për të çelur negociatat në BE.

In Memoriam Nijazi Fanda (15.10.1923 – 24.09.1979)

Nijazi Fanda Foto 1Sot, më 24 shtator 2023, bëhen 44 vite nga ndarja nga jeta e babait tonë Nijazi /Abedin/ Fanda.
Gjithë jetën e tij, ai punoi me nder, sakrificë dhe përkushtim në profesionin e tij si arsimtar, me çka fitoi respektin e kolegëve dhe nxënësve të tij të shumtë.
Për veprimtarinë e tij atdhetare, në vitin 1950 u dënua, pa një proces të mirëfilltë gjyqësor, me vuajtje të burgut të rëndë në burgun famëkeq të Goli Otokut. Edhe pas daljes nga burgu, pushteti drejtpërsëdrejti por edhe me ndihmën e veglave të tij shqiptarë, ushtroi diskriminim dhe diferencimin “ideo-politik” ndaj tij deri në përfundim të jetës së tij, gjë që, për fat të keq, vazhdon edhe sot e kësaj dite ndaj familjes të tij.
Ne, fëmijët, nipërit dhe mbesat e tu, jemi të bekuar dhe krenarë që të patëm prind dhe gjysh. Duke na edukuar dhe treguar qartë kufijtë mes të moralshmes dhe të pamoralshmes, na mësove si të jetojmë me nder dhe dinjitet, me kokën lart, pa i’u servilosur dhe pa i’u nënshtruar pushtetit antishqiptar dhe veglave të tij shqiptarë. Sot, jemi krenarë që edhe ne, pa hezituar, ndoqëm hapat e tua në rrugën tënde të drejtë, pavarësisht që edhe ne si ti, deri tani nuk arritëm t’a përfundonim misionin tënd dhe tonin, në zgjidhjen e çështjes kombëtare.

Fatmir Fanda, Afrim Fanda, Vasfi Fanda, Lora Fanda, Lek Fanda, Bled Fanda, Lisa Fanda, Arb Fanda

“Perandoria e Erdoganit” dhe politika e jashtme e presidentit të Turqisë

ErdoganAutori i librit të ri “Perandoria e Erdoganit” që sapo ka dalë në treg në Shtetete Bashkuara (më 19 shtator), argumenton se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan është udhëheqësi më me peshë i këtij vendi, që pas Mustafa Kemal Ataturkut. Por Soner Cagaptay, drejtor i programit për Turqinë në Institutin e Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërme, thotë se përpjekjet intensive të zotit Erdogan për të rritur ndikimin në politikën e jashtme, nuk kanë sjellë shumë sukses. Në një intervistë me kolegen Keida Kostreci, ai thotë se një rajon që bën përjashtim, është “Brezi i Bajramit”, siç e quan ai, ku bën pjesë edhe Ballkani Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Zoti Cagaptay, në librin tuaj ju trajtoni synimet e Presidentit Erdogan, për të zgjeruar ndikimin e tij në Lindjen e Mesme, dhe në atë që ju e quani “Brezi i Bajramit”. Sa ia ka arritur libri synimit?

Soner Cagaptay: Libri “Perandoria e Erdoganit” është një analizë e politikës së jashtme turke në dy dekadat e fundit nën drejtimin e udhëheqësit të Turqisë, Erdogan që erdhi në pushtet në 2003 si kryeministër, u bë president në 2014 dhe shtoi kompetencat e tij përmes një ndryshimi kushtetues, duke u bërë një president me fuqi ekzekutive në vitin 2018.

Ai është udhëheqësi më i fuqishëm turk që kur Turqia u bë një demokraci pluraliste në 1950. Unë gjithashtu do të thosha se ai është udhëheqësi turk më me peshë që kur Mustafa Kemal Ataturku themeloi Turqinë mbi rrënojat e Perandorisë Osmane. Ndërsa Ataturku e ngiti Turqinë sipas imazhit të tij, si një republikë laikeevropiano-perëndimore, Erdogani e ka rimodeluar Turqinë sipas vizionit të tij si një shoqëri konservatore, politikisht islamiste dhe të prirur nga Lindja e Mesme.

Ky nuk është një projekt i përfunduar. Presidenti Erdogan përballet me kundërshtime të forta nga brenda. Siç e pamë së fundmi partia e tij humbi zgjedhjet për Stambollin, Ankaranë, Izmirin dhe një numër qytetesh të tjera.

Por duke lënë mënjanë axhendën e brendshme të Erdoganit, libri im i ri “Perandoria e Erdoganit”, analizon politikën e tij të jashtme, nëse Erdogani ka arritur ta shkëpusë Turqinë nga Evropa – atje ku e kishte drejtuar Ataturku – dhe ta çojë drejt Lindjes së Mesme.

Për këtë temë, unë arrij në përfundimin se megjithë përpjekjet intensive të Erdoganit, politika e jashtme e Turqisë nuk ka arriturta bëjë Turqinë një vend dominues në Lindjen e Mesme. Përkundër premtimeve të Erdoganit për të rritur ndikimin e Turqisë në të gjithë Lindjen e Mesme, sot Turqia është më e izoluar në Lindjen e Mesme sesa ishte para se Erdogani të vinte në pushtet. Ajo nuk ka miq, nuk ka aleatë në këtë rajon, vetëm rivalë, konkurrentë dhe kundërshtarë.

Në fakt me përjashtim të Katarit, Turqia nuk ka aleatë të Lindjes së Mesme sot dhe kjo është mjaft ironike. Po ashtu ai ka bërë hapa pas edhe në drejtime të tjera. Ai nuk mund të mbështetet në miqësitë tradicionale të Turqisë mePerëndimin. Lidhjet e Turqisë me Izraelin të cilat ishin të forta para Erdoganit, janë shpërbërë. Lidhjet e Turqisë me BE-në kanë marrëkryesisht natyrë transaksionesh. Askush nuk mendon se Turqia po hedh hapa përpara për t’u afruar ose anëtarësuar në BE. Dhe Turqia as nuk mund t’i ketë shpresat tek mbështetja e pakushtëzuar e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Kështu që Turqia në fakt ironikisht është pa miq në Lindjen e Mesme dhe nuk mund të mbështetet te partnerët e saj tradicionalë në Perëndim.

Por nga ana tjetër unë ia njoh meritën zotit Erdogan aty ku i takon, për zonat ku ai ka pasur sukses në rritjen e ndikimit, në ato rajone që unë i quaj “Brezi i Bajramit”, duke përdorur termin turk për festën më të rëndësishme për myslimanët. Kjo përfshin zonat në veri të Turqisë, që shtrihen nga deti Adriatik përmes Ballkanit, Rusisë dhe Kaukazeve në Azinë Qendrore. Për dallim nga “Brezi e Bajramit” në zonat që përdorin fjalën arabe “Eid” për festën, që unë e quaj “Brezi Eid” dhe përfshin vendet në Jug të Turqisë, në Afrikën Veriorenë Lindjen e Mesme, unë argumentoj se Erdogani nuk ka arritur të krijojë ndikim. Edhe suksesi në vendosjen e ndikimit në Brezin e Bajramitmendoj se nuk është falë Erdoganit, por falë rolit të faktorëve historikë, lidhjeve kulturore, politike dhe ekonomike të turqve me komunitetet muslimane që jetojnë në Ballkan, Rusi, Azinë Qendrore dhe Kaukazet, të cilat mungojnë në aspektin e marrëdhënieve të Turqisë me fqinjët e saj arabë për shembull. Unë shpjegoj në libër se përkundrazi lidhjet e Turqisë me fqinjët e saj arabë, zakonisht janë mjaft të tensionuara dhe për shembull egjiptianët dhe sirianët, nuk e shikojnë Turqinë edhe aq ndryshe nga ç’e shohin grekët dhe serbët.

Ata e shohin përgjithësisht Turqinë si një ish-sundues kolonialist përgjithësisht dhe për këtë arsye unë argumentoj se politika e Erdoganit edhe pse u përpoq të krijonte ndikim në Lindjen e Mesme, nuk ia arriti qëllimit.

Zëri i Amerikës: Por Ballkani po ashtu ka qenë i pushtuar ngaPerandoria Osmane për shekuj. Si e shpjegoni ndikimin e madh të Turqisë atje?

Soner Cagaptay: Mendoj se merita për ndikimin në Brezin e Bajramit nuk i takon zotit Erdogan në vetvete, por edhe udhëheqësve tëTurqisë para Erdoganit, të cilët në fund të Luftës së Ftohtë ndërmorën hapa në Azinë Qendrore, Kaukaze dhe Ballkan për të ngritur misionet diplomatike dhe bizneseve turke që hynë në të njëjtin rajon.

Po ashtu është edhe trashëgimia osmane e cila ka krijuar një ndjenjë familjariteti midis muslimanëve në Ballkan në përgjithësi dhe atyre në Turqi.

Por sigurisht kjo nuk do të thotë që Turqia ka vendosur ndikim të plotë në të gjithë brezin e Bajramit, përfshirë Ballkanin. Unë mendoj se në këtë drejtim vendet e Ballkanit Perëndimor janë veçanërisht interesante, sipas librit tim. Unë e analizoj Ballkanin Perëndimor si një zonë që po përjeton konkurrencën për fuqi mesTurqisë dhe Bashkimit Evropian.

Të kujtojmë që zoti Erdogan nuk është më i dëshiruar, siç u pa kur vendet evropiane nuk e lejuan të bëjë fushatë para zgjedhjeve. Dhe çfarë bëri ai? Shkoi në një tubim në Sarajevë për të treguar se është i mirëpritur në Evropë, edhe pse disa evropianë të tjerë mund të mos e dëshirojnë. Po ashtu shtetet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi janë demografikisht dhe ekonomikisht jo shumë të mëdha.

Kështuqë është më e lehtë për Turqinë të krijojë ndikim në ato vende sesa të themi në disa vende të tjera si Irani ose Siria dhe Iraku.

Mendoj se roli i historisë, dhe faktorët e tjerë që në përgjithësi kanë krijuar të paktën midis myslimanëve (të atyre vendeve) një qëndrim më pozitiv ndaj Turqisë, janëpjesë e arsyes se pse politika e Erdoganit për ndikim në Ballkanin Perëndimor ka funksionuar. Arsyeja tjetër është hendeku që paraqet Ballkani Perëndimor. Janë të vetmet vende evropiane që nuk janë në BE dhe shumë prej tyre as në NATO, përveç Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Por në përgjithësi, ato nuk janë pjesë e një perspektive të afërt të zgjerimit të BE-së, dhe kjo i hap një shteg Turqisë për ndikim. Por unë gjithashtu dua të them se ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor do të jetë i pranishëm për sa kohë që ekonomia turke është e fortë.

Nëse ekonomia turke shkon mirë, atëherë Turqia mund të tregojëmuskujt dhe të ndërtojë institucione dhe të kryejë projekte ndihmash në Ballkanin Perëndimor. Nëse ekonomia ngadalësohet,siç edhe ka ndodhur atëherë kjo do të kufizonte ndikimin eTurqisë në Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Nëse e shohim nga këndvështrimi i atyre vendeve në mes të këtyre dy ndikimeve, a mund të themi se zoti Erdogan dhe përpjekjet e qeverisë së tij synojnë gjithashtu të nervozojnë Bashkimin Evropian dhe të dërgojnë një sinjal, gjë që mund të thuhet se bie ndesh me interesat e atyre vendeve që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian? A janë synimet e tij thjesht strategjike, apo edhe me qëllime jo të mira, për t’i futur këto vende në sferën e ndikimit turk, dhe jo të BE-së?

Soner Cagaptay: Unë nuk mendoj se Turqia po përpiqet të bllokojë pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Unë mendoj se ashtu siç Turqia inkurajoi dhe mbështeti anëtarësimi e Shqipërisë dhe Malit të Zi në NATO, ashtu dëshiron t’i shohë vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian sepse kjo do t’i bënte ata aleatë të Turqisë brenda Bashkimit Evropian.

Kështu që nuk mendoj se politika turke është që shtetet e Ballkanit Perëndimor të zgjedhin midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian. Mendoj se politika turke ka të bëjë me rritjen e ndikimit, me pritshmërinë se me kalimin e kohës, vendet e Ballkanit Perëndimor do të hyjnë në BE dhe kjo do të ishte pozitive, sepse do të thoshte që Turqia do të kishte ndikim të tërthortë brenda Bashkimit Evropian.

Por sigurisht kjo e gjitha varet nga fakti nëse Turqia mund ta menaxhojë balancën aktuale të pushtetit në Ballkanin Perëndimor.

Siç thashë më parë, shumë nga ndikimi që ka Turqia është nxitur nga rritja e saj ekonomike në dy dekadat e fundit dhe kjo është pjesa më e shndritshme e trashëgimisë së Erdoganit. Ai ka arritur një rritje të jashtëzakonshme, i ka nxjerrë shumë njerëz nga varfëria.

Ekonomia e Turqisë është rritur produktet e saj janë kërkuar në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë botën dhe Lindjen e Mesme në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Por Bashkimi Evropian mund të mos e pëlqejë këtë dhe ka paralajmëruar vendet për afrimin me Turqinë. Nga këndvështrimi juaj, a duhet që vetë këto vende të jenë të kujdesshme në mënyrën se si zgjedhin partnerët dhe aleatët e tyre edhe pse mund të përfitojnë shumë nga fuqia ekonomike e Turqisë?

Soner Cagaptay: Unë mendoj se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor po luajnë nga të dyja anët. Janë të angazhuar seriozisht për pranimin në BE, por janë gjithashtu mjaft seriozë në miqësinë e tyre me Turqinë.

Zoti Erdogan bëri betimin si president me kompetenca ekzekutivenë korrik 2018, pasi ndryshoi kushtetutën në vitin 2017 pas referendumit që i dha kompetenca të zgjeruara.

Ishte një ceremoni mjaft domethënëse në qendër të Ankarasë, në korrik 2018.

Në atë ceremoni, nuk morën pjesë udhëheqës të vendeve të Evropës Perëndimore ose Shteteve të Bashkuara, duke përçuar sinjalin se Turqia nuk mund të mbështetet lehtësisht tek ato vende.

Nuk kishte krerë shtetesh nga Lindja e Mesme, përveç emirit të Katarit, gjë që tregon se Turqia nuk ka me të vërtetë miq në Lindjen e Mesme.

Gjithashtu mungonin udhëheqës të Rusisë, Kinës dhe Iranit, që të bën të mendosh se Turqia mund të ketë marrëveshje për çështje të ndryshme me Rusinë në lidhje me Sirinë. Mund të ketë marrëveshje financiare me Kinën, që ka ndërtuar linja metroje në Ankara dhe Stamboll.

Mund të ketë ka marrëveshje energjitike me Iranin, por askush nga udhëheqësit e atyre vendeve nuk e konsideron zotit Erdogan mjaftueshëm si mik për të qenë të pranishëm në kulmin e karrierës së Erdoganit.

Ajo që është domethënëse është se udhëheqësit e shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, në fakt i gjithë rajoni përfaqësohej nga Kroacia deri në Maqedoni, si edhe udhëheqës nga vendet e Azisë Qendrore dhe Kaukazet. Dhe, natyrisht, kishte udhëheqës nga Afrika Lindore dhe Perëndimore.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri është vendosur një memorial i debatueshëm për viktimat e përpjekjes për grusht shteti në Turqi. Shumë thonë se nuk ka pse të ketë një memorial në Tiranë, për një ngjarje që nuk ka lidhje fare me Shqipërinë. Po ashtu Turqia ushtroi ndikim që Kosova të ekstradonte disa persona për të cilët Ankaraja tha se ishin Gulenistë. A janë këto tregues, se ndikimi ekonomik po përdoret si mjet strategjik për kontroll?

Soner Cagaptay: Grushti i dështuar i shtetit i vitit 2016 ka shndërruar në mënyrë dramatike Turqinë.

Ishte një ngjarje traumatike. Pjesë të ushtrisë sulmuan pjesë të tjera të ushtrisë dhe u përpoqën të rrëzojnë qeverinë. Komplotistët e grushtit të shtetit u përpoqën të vrisnin zotin Erdogan. Ajo ngjarje e ka ndryshuar rrënjësisht shoqërinë turke. Besohet nga shumë njerëz në komunitetin analitik në Uashington që oficerë të afërt me lëvizjen Gulen luajtën një rol të rëndësishëm në këtë grusht shteti dhe sistemi dështoi. Zoti Erdogan ka shkuar pas Gulenistëve brenda Turqisë dhe jashtë Turqisë dhe në fakt është bërë një nga preokupimet kryesore të diplomatëve të Turqisë.

Ata po bëjnë presion në çdo vend ku ka shkolla dhe institucione të lidhura me Gulenin në mënyrë që këto institucione dhe shkolla të mbyllen.

Dhe ekstradimi i qytetarëve të Kosovës që mendohej qe ishin anëtarë të lëvizjes Guleniste në Turqi, janë vetëm një episod i kësaj lëvizjeje.

Mendoj se megjithëse Turqia është e justifikuar në përpjekjet e saj për të gjetur komplotuesit e pretenduar të grushtit të shtetit, një pjesë e problemit këtu është se edhe në vendet ku Turqia shihet tradicionalisht pozitivisht, këto përpjekje mund të japin efektin e kundërt. Shpesherë në marrëdhëniet me vendet e ish-perandorisë Osmane, Ankaraja harron se mënyra se si turqit i shohin këto vende është shumë e ndryshme nga ajo se si këto vende e shohin Turqinë.Historiografia e Turqisë e përshkruan shumë pozitivisht praninë Otomane në ato vende, gjë që nuk ndodh në historiografinë e atyre vendeve, ku historia otomane shihet si më e komplikuar dhe ndonjëherë edhe më negative.

Kështu që, si rrjedhojë mendoj se rreziku për Turqinë në Brezin e Bajramit është se këto përpjekje mund të japin efektin e kundërt, nëse vendet e këtij rajoni, si Shqipëria dhe të tjera kanë ndjesinë se Turqia po ushtron ndikim të tepruar dhe po kthehet përsëri si “sundimtar kolonialist”.

Zëri i Amerikës: Por nëse e sheh nga këndvështrimi i publikut të këtyre vendeve dhe ai perëndimor,duke marrë parasysh natyrën autoritare të regjimit të Erdoganit, shqetësimi është se nëse këto vende afrohen shumë me Turqinë, Turqia mund të ushtrojë kontroll përtej bashkëpunimit ekonomik. Si e shihni ju?

Soner Cagaptay: Nëse Bashkimi Evropian do të ofronte një rrugë më realiste dhe afatshkurtër anëtarësimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, unë mendoj se kjo do ta zgjidhte dilemën nëse vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhen shumë miqësore ndaj Ankarasë, sepse edhe atyre u duhen partnerë të politikës së jashtme.

Mendoj se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të veprojëdhe nëse me të vërtetë nuk do që këto vende të bien nën ndikimin turk, atëherë sigurisht që duhet t’u ofrojë atyre një rrugë më realiste dhe afatshkurtër anëtarësimi.

Zëri i Amerikës: Dhe a mendoni se ky ndikim do të rritet. Si e parashikoni ecurinë e mëtejshme?

Soner Cagaptay: Unë mendoj se ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor është mjaft i qëndrueshëm. Ka faktorë historikë që ndihmojnë praninë e Turqisë atje, ka lidhje etnike, kulturore dhe gjuhësore. Dhe ekziston gjithashtu një politikë shumë e koordinuar turke për të mbushur zbrazëtirën e mungesës së BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Unë mendoj se e gjithë kjo është konstante përsa kohë që ekonomia e Turqisë është e fortë.

Nëse ekonomia e Turqisë dobësohet, unë mendoj se ndikimi i Turqisë në Ballkanin Perëndimor gjithashtu do të vuajë pasojat.

Zëri i Amerikës: Ju e njihni mirë zotin Erdogan nga hulumtimet tuaja. A ju rezulton se ky lloj ndikimi nga ana e zotit Erdogan është për t’u pasur frikë?

Soner Cagaptay: Unë mendoj se politika e zgjerimit të ndikimit në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm vizioni i zotit Erdogan, por edhe më gjerësisht i elitave të politikës së jashtme turke.

Unë mendoj se Turqia e ndjen se është e izoluar në botë. Ka pak miq. Është një forcë që përballet me rivalen e saj historike Rusinë, e cila është shfaqur si konkurruese kryesore e Turqisë në Siri. Turqia po përballet me kundërshtarin e saj tradicional Iranin i cili përsëri po përballet me Turqinë dhe Sirinë. Kështu që unë mendoj se në këtë mjedis të izoluar Turqia po përpiqet të mbajë sa më shumë miqësi dhe sa më shumë vende pranë saj, për këtë arsye unë mendoj që Brezi i Bajramit, duket se është një zonë ku Turqia mund t’i gjejë këto marrëdhënie.

Syri.net shkaktoi panik në Tiranë, portali sajoi një lajm të rremë për kohën kur do bjerë tërmet

syri-fake-newsTirana u trondit dje nga një lajm i rremë që u përhap me shpejtësi edhe për shkak të ndjeshmërisë së njerëzve nga lëkundjet e tokës. Paniku ndodhi per shkak të një lajmi terësisht të sajuar nga ana e këtij portali. Portali Syri, pak pas orës 22:00, shkroi lajm kryesor thirrjen “dilni nga shtëpia” dhe këtë e shpjegonte me një sajesë tërësisht fund e krye.

Portali Syri dje terrorizoi Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin duke postuar këtë lajm tërësisht të sajuar. Kjo është foto e lajmit që u ndodh në faqen e këtij protali pak pas orës 22:00, dje në mbrëmje. Mashtrimi mundohej të bëhej i besueshëm duke thenë se parashimin e orës së kur bie tërmeti e kishte bërë sizmiologu grek, Akis Tselentis, i cili 12 orë më parë kishte dhënë një intervistë për Top Channel.

Në intervistën e transmetuar dje, nuk ka asnjë rresht ku të përmenden fjalët që i ka vendosur në gojën e tij, Syri.net. Këtë intervistë fjalë për fjalë ky portal e ka publikuar mesditen e së dielës, por çuditërisht të njëjtët persona, sajuan një tekst dhe thënie të paqena mbrëmjen e së dielës.

Titulli i Syrit u bë viral në rrjet dhe njerëzit në alarm dolën në rrugë aq sa u desh ndërhyrja dhe sqarimet e shumë institucioneve, por edhe e gjithë mediave në bllok për të thënë që lajmi i publikuar nga Syri është mashtrim dashakeqës.

Një nga gazetarët e Syrit është shoqëruar dhe janë marrë në pyetje 5 persona ndërsa çështjen po e heton antiterrori. Policia dje shoqëroi edhe një gazetare të Shekullit e cila u la e lirë dhe sot ka sqaruar se edhe emri i saj ishte përdorur në këtë mashtrim.

Ndërkohë portali Syri e fshiu me urgjencë lajmin e në vend të tij botonte shpifje dhe justifikime duke e rënduar akoma më shumë pozitën në këtë akt kriminal. Ndërsa sot, ata që të dielën shkaktuan panik kërkojnë të fshihen ndërsa krimin e kanë shkruajtur e zeza mbi të bardhë. (tch)

Pagat në arsim, SASHK-u kërcënon me protesta

klasaSindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës nuk heq dorë nga kërkesat për rritjen e pagave për mësimdhënësit për 25%, nga janari i vitit të ardhshëm. Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkovski thotë se takimi i fundit i mbajtur të premten me drejtuesit e Ministrisë së Arsimit ka përfunduar pa marrëveshje. Sipas tij, nëse do të ketë ose jo grevë do të varet nga ministria, përkatësisht plotësimi apo jo i kërkesës së sindikatës.

“A do të ketë ose jo grevë kjo nuk varet prej nesh, por varet nga Ministria e Arsimit dhe nga Qeveria. 01-20 Mendoj se Qeveria dhe ministra nuk guxojnë të blejnë kohë, pikërisht në këtë periudhë kur anëtarët tonë na bëjnë presion edhe ndaj nesh por edhe ndaj Ministrisë pra për rritjen e pagave dhe mendoj se duhet të gjendet gjuhë e përbashkët”, tha Jakim Nedellkovski, kryetar i SASHK-ut.

Sipas Nedellkovskit, sindikata ende nuk ka vendosur për formën e protestës, por nuk e përjashton edhe mundësinë e protestave.

“Pas 1 tetorit do të kemi seancë të këshillit dhe atëherë do të vendosim se cilat do të jenë hapat e ardhshëm. Ende nuk është vendosur, mund të ketë grevë, kur do të ndodh nuk e dimë ende, mund të organizojmë protesta, bllokadë e komunikacionit”, pohoi Jakim Nedellkovski.

Nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës mbeten në qëndrimin se rritje të pagave nuk mund të ketë pa shqyrtimin e të gjithë parametrave dhe të dhënave konkrete. Ministri Ademi më parë ka thënë se me rritjen e pagave këtë shtator për 5%, arsimtarët në krahasim me muajin gusht të vitit të kaluar, do të kenë pagë 10% më të lartë.

“Greva organizohet kur nuk ka zgjidhje. Ne themi se, ofrojmë zgjidhje dhe kemi zgjidhje. Në të ardhmen do të ketë rritje të rrogave, por pasi të shqyrtohen të gjithë parametrat dhe të dhënat”, theksoi Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Për shkak të pakënaqësisë ndaj pagave të ulëta, Sindikata e Arsimit në fillim të vitit shkollorë organizoi grevë paralajmëruese duke i dhënë kohë ekzekutivit 1 muaj kohë që të marrin vendim për rritjen e pagave të mësimdhënësve për 25%./Alsat/