Aktivistja 16-vjeçare shpërthen para liderëve botërorë: Ju vodhët fëmijërinë time, me fjalët tuaja boshe!

GertaNë një fjalim emocionues në Samitin e Klimës së Kombeve të Bashkuara, aktivistja suedeze e klimës, 16-vjeçarja Gerta Thunberg, shpërthen para liderëve botërorë për hapat e dështuar që kanë ndjekur në lidhje me klimën.

“Kjo është e gjitha e gabuar. Unë nuk duhet të jem këtu, duhet të jem në shkollë, në anën tjetër të oqeanit. Si guxuat? Ju keni vjedhur fëmijërinë time, ëndrrat e mia, me fjalët tuaja boshe.

Njerëzit po vuajne. Njerëzit po vdesin. I gjithë ekosistemi po prishet. Ne jemi në fillimin e një zhdukje masive dhe e gjitha për çfarë ju flisni është një përrallë e rritjes së përjetshme ekonomike. Si guxuat?

Si guxoni të shikoni kaq larg dhe të vini këtu të thoni se keni bërë sa mundët. Ju thoni se na dëgjoni neve dhe se e kuptoni emergjencën, por pa marrë parasysh sesa e trishtuar dhe zemëruar jam, nuk dua ta besoj këtë. Nëse vërtet e kuptoni situatën dhe vazhdoni të mos veproni, kjo tregon se jeni djaj. Dhe unë nuk pranoj ta besoj”, tha Thunberg mes lotëve, informon dritare.net.

THONE ËSHTË PARË PJETËR BOGDANI

Një ditë vjeshte, në Prishtinë,
Thonë është parë Pjetër Bogdani,
Me Hoxha Tahsinin, Hoxhe Kadrinë
Me Pashko Vasen e Negovanin…
Se ç’kuvendonin për përjetësinë,
Për Stambollën, Romën, Vatikanin
Luteshin për Gjergjin, për Arbërinë,
Argjentën, Antarion, për Zvecanin;
Thonë, mallkonin djallëzinë,
Carin, krajlët e Sulltanin…

Është parë, thonë, Pjetër Bogdani,
Në oborr të namazxhasë,
Ku ia copëtuan eshtrat e zhvarrosur,
Qentë llaskucë të kasabasë…
Fërkojnë sytë besimtarët e mpirë,
Pas meshës shenjtë e pas xhymasë:
O zot! Një shqype e shenjtë, mjekërngrirë,
Buzëqesh nga froni i arabasë..:
-“Nuk janë gja, thotë, qentë e rrugës,
Që shkërmojnë eshtrat e Bogdanit,
Kujdes qentë që kafshojnë tokën,
Qe kafshojnë gjuhën,
Kafshojnë fisin,
Kafshojnë plisin…
Kafshojnë shpirtin e vatanit.

Qofsh i gjallë, qofsh i groposur,
Dhe të vërsulen zagarë e qenë,
Mos u thuaj: tyt!,qenve të zgjebosur,
Por atij që i ndërsen…!
Ai që qentë
T’i ndërsen,
Nga çdo lloj qeni
Është me qen…

Thonë, atë vjeshtë, me ngricë e brymë
Është rishfaqur Pjetër Bogdani,
Me Hoxha Tahsinin, Hoxhë Kadrinë
E me Papa Kristo Negovanin…
Thonë, atë vjeshtë, me suferinë
Përkundte hasiania, të vëllain, hasianin,
Në ninulla, zana e sibila,
Tok me Gjergjin,
Me Pjetër Bogdanin,
Me Hoxha Tahsinin, Hoxhë Kadrinë
Me Pashko Vasen, me Negovanin…
Se ç’ligjëronin për Arbërinë,
Për fisin, plisin, për Vatanin.

Hydajet Hyseni

Barnat nga Serbia dhe Bosnja drejt zhdukjes nga tregu farmaceutik i Kosovës

BarnatBarnat të cilat janë importuar në Kosovë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, tashmë janë zëvendësuar plotësisht me importe nga tregjet tjera, thonë autoritetet përgjegjëse nga kjo fushë.

Nevoja për zëvendësimin e këtyre barnave ndërlidhet me taksën 100 për qind të cilën Qeveria e Kosovës u ka vënë të gjitha importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Disa pacientë, kryesisht me sëmundje kronike, kanë përdorur me vite barna që janë importuar nga këto dy shtete. Tani, ata detyrimisht duhet t’i zëvendësojnë barnat që i kanë përdorur, me ato që vijnë nga tregjet tjera, kryesisht nga vendet e Bashkimit Evropian. Zëvendësimin e barnave, ata e bëjnë qoftë me ndihmën e mjekëve apo farmacistëve.

Merita Sadriu, paciente, thotë se në fillim kishte hezituar ta zëvendësonte ilaçin që e kishte përdorur për disa vjet, i cili prodhohet në Bosnjë e Hercegovinë.

‘’Pasi kam kuptuar që e ka efektin e njejtë ilaçi, por vetëm brendi ndërron, kam pranuar ta zëvendësoj. Jam konsultuar me mjekun, por edhe me farmacistin, dhe më kanë treguar që efekti është i njejtë. Kam përdor ilaç për hipertension, ‘’Llopril’’, e që tash ka mungesë, por e kam zëvendësuar’’, thotë Sadriu.

Farmacisti Alban Desku, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se tregu farmaceutik, prodhimet e këtyre dy shteteve i ka zëvendësuar shumë shpejtë me prodhime nga vendet e rajonit, por edhe të Evropës.

Ai thotë po ashtu se një risi në treg është se ilaçet e reja, janë më të lira, sidomos ato që i takojnë prodhimit vendor.

“Mungesë barnash nuk ka. Ato po zëvendësohen me importe nga vendet e rajonit, por edhe të Evropës e gjithashtu edhe me produkte vendore. Çmimi dallon për të mirë, janë me lirë. Pra, substancë e njëjtë, ilaçi i njëjtë, por vetëm brendet dallojnë”, tha Desku.

rtk

Delegacioni qeveritar i Maqedonisë nga e hëna merr pjesë në Asamblenë e KB-së në Njur Jork

Zoran-ZaevDelegacioni qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev nga e hëna deri të shtunën do të jetë në Nju Jork ku do të marrë pjesë në Asamblenë e 74-të të Kombeve të Bashkuara.

Siç njoftojnë nga shërbimi qeveritar për shtyp, të pranishëm do të jenë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, njofton Telegrafi Maqedoni.

Fjalimi i kryeministrit Zoran Zaev në Asamblenë e KB-së është paraparë të jetë të shtunën.

Kryeministri dhe ministrat do të marrin pjesë në punën e forumeve në kuadër të katër samiteve që këtë vit kishin të bëjnë për ndryshimet klimatike, qasjes universale deri në shërbime cilësore shëndetësor, mirëmbajtjes së zhvillimit dhe finanacimit të tij.

Në agjendën e kryeministrit Zaev është paraparë takim zyrtar me Sekretarin e Përgjithshëm të KB-së, Guteres.

Tiranë: Stoku i dosjeve dhe vetingu bllokojnë Gjykatën e Lartë, thotë studimi i Qendrës INFOÇIP

INFOCIPQendra Studimore INFOÇIP publikoi të shtunën një studim mbi Gjykatën e Lartë para dhe pas Reformës në Drejtësi mbi transparencën dhe llogaridhënien e drejtësisë shqiptare.

Sipas studimit, Gjykata e Lartë dha 7 herë më pak vendime në vitin 2018, vetëm 217 vendime, nga 1500 që dha në 2015-ën, kur reforma nuk kishte nisur ende. Në 2019 u morën vetëm 12 vendime deri në 30 prill.

Gjyqtari i fundit u shkarkua nga vetingu në korrik 2019, dhe ky ishte kryetari Xhezair Zaganjori.

“Organet e reja gjyqësore ende nuk kanë marrë një vendim se sa duhet të jetë numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, kundrejt 19 anëtarë, që ishin deri dje. Gjykata e Lartë duhet plotësuar me trupë të shtuar gjyqësore urgjentisht. Rekurseve që presin të shqyrtohen i janë shtuar rreth 2 vjet vonesa, këtë herë jo për pasojë të eficencës problematike të Gjykatës së Lartë, por si pasojë e Reformës në Drejtësi dhe mos-plotësimit të vakancave” – thuhet në studim.

Në Gjykatën e Lartë presin shqyrtimin gjyqësor rreth 30 mijë dosje (28 mijë e 863 deri në fund të vitit 2018), ndaj për ta përballuar këtë mbingarkesë për 10 vjet duhen marë 3 mijë vendime në vit, ose 10 vendime në ditë, pa pranuar rekurse të reja gjatë kësaj dekade.

“INFOÇIP vlerëson që nëse Gjykata e Lartë do të plotësohej me trupë të re gjyqësore prej 19 anëtarësh dhe kolegjet të nisnin punën rregullisht, për të marrë vendim për rekurset që presin, do të duheshin rreth 20 vjet, nëse e përllogarisim eficiencën me mesataren e vitit 2015, më e mira e 5 viteve të fundit” – tha Gerti Shella, drejtues i kësaj qendre studimore.

Nëse stoku i dosjeve duhej shmangur brenda një viti, pa pranuar rekurse të reja, do të duhej që të jepeshin 107 vendime përfundimtare çdo ditë pune, secili kolegj do të duhej të merte 36 vendime në një ditë të vetme pune.

“Për të përballuar volume të tilla, Gjykata e Lartë do të duhej të kishte një trupë gjyqësore me të paktën e dyfishin e anëtarëve dhe trefishin e ndihmësave ligjorë. Nëse Gjykata e Lartëë do të ketë të njëjtën trupë gjyqësore siç ka patur, pra me 19 anëtarë, me nga dy këshilltarë secili, ajo është e destinuar të zvarrisë shqyrtimin gjyqësor pashmangshmërisht për shkak të backlog-ut që trashëgon. Një nga premisat e Reformës në Drejtësi, që ishte eleminimi i zvarritjes së proçeseve gjyqësore, rrezikon të mbetet objektiv i parealizueshëm në Gjykatën e Lartë” – thuhet në studimin e INFOÇIP.

Sipas vëzhgimeve të vazhdueshme, në 5 vitet e fundit Gjykata e Lartë dha 4054 vendime përfundimtare. Në vitin 2019, për shkak të largimit të trupës gjyqësore si pasojë e vetingut, Kolegji Administrativ arriti të jepte vetëm 12 vendime deri më 30 prill 2019. Kolegji Penal dhe ai Civil vendimet e tyre të fundit i dhanë në 30 Qershor 2018.

Për periudhën 2015-2019, Gjykata e Lartë ka dhënë mesatarisht rreth 1 mijë vendime në vit. Viti 2015 ka të dhënat më të larta, me 1 mijë 462 vendime nga kjo gjykatë.

“Gjykata e Lartë është ankuar shpesh lidhur me ngarkesën që përballon, por nga ana tjetër, vetë ajo ka pranuar më shumë rekurse se sa ka patur mundësi të gjykojë. Raporti i përllogaritur nga ky studim është 2/1 (pra 2 pranime për 1 shqyrtim të përfunduara). Ky tregues e ngarkon me përgjegjësi vet Gjykatën e Lartë, tashmë të shpërbërë, pasi konsiderohet si shkaku kryesor i vonesave të theksuara në dhënien e drejtësisë prej saj” – tha zoti Shella i INFOÇIP.

Procesi i vetingut ekspozoi para publikut probleme serioze të integritetit të trupës gjyqësore të kësaj gjykate, thuhet në studim.

Vlerësohet si rasti më flagrant ai i gjyqtarit Admir Thanza, i cili u fshehu autoriteve shqiptare faktin se një gjykata italiane e kishte dënuar në vitin 1999 me vendim të formës së prerë (me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë). Dënimi i tij penal në Itali u zbulua nga përfaqësuesit e ONM-së. Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor atë dhe e dënoi më 31 mars 2018 me 9 muaj burg, të konvertuar në 18 muaj shërbim prove.

Një tjetër anëtare e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, u përfshi në marrje ryshfeti për një vendim pronësor. Ky skandal gjithashtu goditi rëndë reputacionin e Gjykatës së Lartë, e cila e shpalli fajtor të pandehurën Majlinda Andrea për veprën penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë.

“Prania e personave të tillë në trupën gjyqësore të Gjykatës së Lartë përbën padyshim një skandal me përmasa dramatike. Rrethana të tilla kanë legjitimuar plotësisht vetimin e ashpër të gjithë trupës gjyqësore, që përfundoi në korrik 2019 me largimit e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Besimi tek Gjykata e Lartë ka marrë goditje të rëndë” – vlerësoi INFOÇIP.

Qendra INFOÇIP thotë se mosplotësimi i vendeve vakant në Gjykatën e Lartë, është një e metë e reformës në drejtësi.

“Pamundësia e organeve të reja gjyqësore, por edhe e institucioneve të larta vendimarrëse për të menaxhuar krizën e thellë që ekspozoi procesi i vetingut në Gjykatën e Lartë është tregues që nuk flet në favor të një planifikimi të kujdesshëm”. Ligjvënësit shqiptarë duhet të kishin parashikuar “planin e kontigjencës” për një situatë të tillë të paprecedentë. Organet e reja gjyqësore duhet të marrin në dorë situatën pa vonesa dhe pa justifikime të mëtejshme, duke nxjerrë si fillim vendimin për organikën. Zbrazja e Gjykatës së Lartë nga trupa gjyqësore ka prodhuar një moment të vështirë jo vetëm sa i takon palëve që kanë depozituar rekurse, por edhe për gjithë sistemin gjyqësor në tërësi, i cili tashmë nuk orientohet dot përmes praktikës së unifikuar. Gjykata e Lartë, tashmë e zbrazur, ka paralizuar vendimmarrjen për trupën e Gjykatës Kushtetuese” – thotë zoti Shella.

Gjykata e Lartë ka trashëguar stokun më të lartë se çdo gjykatë analoge në Europë, me mbi 30 mijë dosje. Shumica dërrmuese e tyre janë rekurse administrative, ku palë e paditur janë institucionet shtetërore.

Rreth 60% e këtyre rekurseve kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore, pensionet e ushtarakëve dhe pushime nga puna. Gjykata e Lartë ka dhënë vendime të ndërmjetme për pezullim ekzekutimi të vendimit të apelit, ku shteti ka qenë palë humbëse.

“Kjo konsiderohet një praktikë negative, madje antikushtetuese, që ka mohuar drejtësinë për qytetarët që kanë fituar në Apel. Për më tepër, ajo rrezikon të rrisë në përmasa domethënëse kostot që mund t’i faturohen taksapaguesve shqiptarë në një kohë të dytë sa i takon dëmshpërblimeve nëse rekurset fitohen nga individët kur Gjykata e Lartë të rifillojë punën sërish” – vlerëson INFOÇIP në studimin e publikuar sot.

SHBA: Shkurajues dënimi për Tahirin, por tregon pavarësi në rritje të gjyqësorit

Ambasada e USA TiraneAmbasada amerikane në Tiranë e quajti shkurajues dënimin që iu dha ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, por tha se kjo sinjalizon një hap përpara për pavarësinë e gjyqësorit në Shqipëri.

Në deklaratë thuhet:

“Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta.

Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat.

Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë.”

Irani dhe strategjia e tij e përshkallëzimit

sulmi me drone Arabia SauditeTeherani pretendon se nuk ka të bëjë me sulmin me dron ndaj Arabisë Saudite. Por vëzhguesit shohin në të një strategji të pastër të Iranit: Rritje e presionit si reagim kundër “maximum pressure” të Trumpit.

Irani qëndron “padyshim” pas sulmeve me dron ndaj kompleksve të naftës në Arabinë Saudite, njoftoi qeveria në Riad të mërkurën (18.09) në mbrëmje. Hetimet kanë treguar, se predhat nuk mund të jenë lëshuar nga Jemeni në jugperëndim, por kanë ardhur nga veriu.  SHBA qysh në fundjavë bëri Iranin përgjegjës për sulmet. Dëshmi të qarta për Iranin deri tani megjithatë nuk janë paraqitur.

Lidhur me sulmet, që përkohësisht e përgjysmuan nxjerrjen e naftës saudite, e morën përgjegjësinë rebelët Huthi nga Jemeni në aleancë me Iranin, të cilët prej katër vjetësh luftohen prej aviacionit ushtarak saudit, sulme këto që kanë shkaktuar shumë viktima në radhët e popullsisë.

“Teherani do t’i tregojë kufijtë SHBA-së”

Në një shkresë zyrtare drejtuar SHBA-së, Ministria e Jashtme iraniane hedh poshtë pjesëmarrjejen në çfarëdolloj mënyre në këto sulme ndaj impianteve saudite të naftës. “Irani nuk ka të bëjë me sulmin”, thuhet në një letër, që iu dorëzua SHBA-së në Teheran nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës. Zvicra përfaqëson në Iran interesat diplomatike të SHBA-së. “Në rast se kundër Iranit do të kishte një aksion (ushtarak), ne do të kundërpërgjigjemi menjëherë dhe përmasat nuk do të ishin të kufizuara”, shkruhet ndër të tjera në këtë letër.

“Strategjia e Iranit është pikërisht kjo: Në rast se Irani sulmohet ushtarakisht, i gjithë rajoni do të përfshihet në një luftë të gjerë. Teherani do t’i ekzagjerojë kostot e konfliktit mes SHBA-së dhe aleatëve të tyre nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër”, thotë në intervistë për DW, Farzaneh Roostaei. Gazetarja dhe ekspertja për çështjet ushtarake në rajonin e Gjirit Persik nuk beson, se Irani “nuk ka të bëjë” me sulmin ndaj komplekseve saudite të naftës. “Dyshimi lind logjikshëm, që Irani përpiqet me ndihmën e Huthi-ve dhe të tjerëve milicë shiitë që t’i tregojë kufirin SHBA-së”.

SHBA në maj 2018 doli në mënyrë të njëanshme nga Marrëveshja Ndërkombëtare Atomike me Iranin dhe në valën e strategjisë së vet “presion maksimal” ka vendosur një sërë sanksionesh në shkallë të gjerë kundër Iranit. Presidenti i SHBA-së, sipas të dhënave të veta me këtë do ta imponojë Iranin për një marrëveshje të re më gjithëpërfshirëse, e cila të trajtojë edhe politikën rajonale të Iranit dhe programin e raketave.

Arabia Saudite partnere e SHBA-së në Gjirin Persik

Arabia Saudite, partnerja më e rëndësishme e SHBA-së në Gjirin Persik dhe kryerivalja e Iranit, e mbështet politikën e SHBA-së. Njëkohësisht mes Arabisë Saudite dhe Iranit ekziston një luftë e rrezikshme pushteti për influencë në Lindjen e Mesme. Ndërsa Irani për shkak të Rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit të vitit 2015 nuk mund të importojë armë, Arabia Saudite është ndër vendet me shpenzimet më të larta për armatime në nivel mbarëbotëror.

“Arabia Saudite është një blerëse e rëndësishme e armëve amerikane. Dhjetë përqind e të gjitha eksporteve të armëve të SHBA-së shkojnë në Arabinë Saudite”, vë në dukje eksperti i Lindjes së Mesme, Michael Lüders në intervistë për DW. “Megjithatë disa dron relativisht të thjeshtë mjaftojnë për të paralizuar pjesët qendrore të industrisë së prodhimit të naftës. Ky do të ishte një turpërim për Arabinë Saudite”, gjykon Lüders.

Princi i kurorës në Arabinë Saudite dhe ministri i Mbrojtjes Mohammed bin Salman sulmin me dron e cilësoi si një “test të vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare për të reaguar ndaj akteve të tilla, që rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar”. Presidenti i SHBA Trump ka deklaruar, se ai do t’i “përforocojë ndjeshëm” sanksionet kundër Iranit.

Irani nën presion edhe nga brenda vendit

Irani që ndodhet qysh tani nën presion të jashtëzakonshëm prej sanksioneve të SHBA-së, po përballet edhe me protestat thuajse të përditshme brenda vendit. Këtyre protestave forcat e rendit u kundërvihen duke i sprapsur brutalisht, sikurse ndodhi edhe të hënën (16.09) në qytetin perëndimor të Iranit, Arak. Atje qindra punëtorë të kompanisë Heavy Equipment Production Company (HEPCO) protestuan, sepse që nga qershori nuk kanë marrë pagat. Prodhuesi më i madh i makinerive të rënda në Lindjen e Mesme rrezikon të falimentojë.

Presioni në rritje nga jashtë dhe nga brenda ka pasoja. “Irani është në limitet e veta me durimin strategjik”, analizon Ellie Geranmayeh, eksperte e Iranit nga think-tank European Council on Foreign Relations (ECFR). Fillimisht Irani shpresonte, që europianët dhe kinezët do të hartonin për të një paketë ekonomike. Kësisoj Irani do të mund të priste zgjedhjet e ardhshme në SHBA me shpresë që ato mund t’i fitojë ndonjë përfaqësues nga kampi i demokratëve,  mendon  Geranmayeh.

Por mungesa e të ardhurave prej naftës dhe në përgjithësi gjendja në rënie ekonomike do ta zhvleftësonin këtë plan. Si reagim Irani fillimisht shkeli me hapa të matur disa prej detyrimeve të tij nga marrëveshja atomike. Ndërsa tani, mendon Geranmayeh, strategjia e Iranit është rritja e presionit në nivelin rajonal.

Prioriteti i Iranit të ardhurat nga nafta

Edhe pse është ende e paqartë, se deri në ç’masë Irani vërtetë qëndron pas këtij sulmi, mundësitë e tij ushtarake dhe forca goditëse e luftës asimetrike është bërë po aq e dukshme, sa edhe pika nevralgjike e tij në aspektin e furnizmit mbarëbotëror me energji. Kësisoj Irani ndodhet në fokus të bashkësisë ndërkombëtare. E duket, se ai është i gatshëm për gjithçka që të mbetet në këtë fokus derisa të arrijë qëllimin primar të tij: shfuqizimin e embargos amerikane të naftës.

dw

Zbulohet shkaku i mundshëm për diplomatët e sëmurë në Kubë

USA Ambasada ne KubeHumbje e dëgjimit, marrje mendsh, vjellje – që prej gati tre vjetësh nuk gjendej shkaku për ankesat misterioze të personelit të ambasadës në Kubë. U fol për sulme me tinguj. Tani shkencëtarët duket se e gjetën shkakun.

Ankesat e çuditshme për shëndetin nga diplomatët e Kanadasë dhe të SHBA në Kubë ndoshta e kanë burimin te pesticidet e përdorura për luftimin e insekteve. Ky është rezultat i një studimi të Universitetit Dalhousie me porosi të Ministrisë së Jashtme Kanadeze, të cilën e publikoi Stacioni Radio-Kanada.

Që nga viti 2016, Kuba veproi ndërmori hapa të vendosur kundër mushkonjave, që mbartnin virusin Zika. Ndër të tjera, mjetet kundër mushkonjave u përdorën edhe në zyrat dhe ambientet e banimit të diplomatëve.

Dhjetëra diplomatë që jetojnë në kryeqytetin e Kubës, Havanë, dhe të afërmit e tyre ishin ankuar që nga viti 2016 për dhimbje koke, përgjumje, probleme me dëgjimin dhe shikimin, marrje mendsh dhe të vjella si dhe për çrregullime të gjumit. Kombinimi i simptomave u bë i njohur me emrin “sindroma Havana”.

“Mushkonja tigër egjiptiane” transmeton virusin Zika

Ekspertët fillimisht pas ankesave dyshuan për “sulme akustike” të mundshme. Qeveria e Otavës më vonë e kategorizoi përdorimin e një arme akustike si “pa gjasa”. Kanadaja dhe SHBA e reduktuan personelin e tyre të ambasadave në Kubë. Havana reagoi me moskuptim.

Tani shkencëtarët dyshojnë, se helme nervore nga mjetet për asgjësimin e insekteve mund të jenë përgjegjës për simptomat. Njëri nga autorët e studimit, Alon Friedman, i konfirmoi agjencisë së lajmeve Reuters se fondet u përdorën sipas udhëzimeve si të autoriteteve kubane, ashtu edhe të atyre kanadeze. Për SHBA ai nuk bëri asnjë deklaratë.

Në studimin që u publikua tani, u morën në pyetje 26 pjesëmarrës, përfshirë një grup kontrolli njerëzish që nuk kishte jetuar kurrë në Kubë. Nga të gjitha subjektet u mor gjak dhe u bënë skanime me aparate të rezonancës magnetike. U vizitua edhe një qen, të cilin e patën mbajtur si kafshë shtëpiake.

Studiuesit tani duan të bashkëpunojnë me autoritetet në Kubë për të zbuluar nëse ka pasur raste të ngjashme të sëmundjes në popullatën vendase. Prej vitit 2015, vetëm në Brazil mendohet se janë infektuar me virusin Zika më shumë se një milion vetë. Infektimi mund të çojë në deformime të kafkës tek foshnjet që lindin. Sëmundja transmetohet nga mushkonja e ethes së verdhë (Aedes aegypti).

SHBA dëbojnë diplomatë kubanë

Ndërkohë, pavarësisht njoftimit për shkakun e mundshëm të ankesave, qeveria amerikane u ka kërkuar dy diplomatëve kubanë që të largohen menjëherë nga Shtetet e Bashkuara. Diplomatët që punojnë për Misionin Kuban në Kombet e Bashkuara (OKB) në New York kanë kryer “akte që dëmtojnë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Morgan Ortagus. Ministria po verifikon edhe nëse përfaqësuesit e tjerë kanë abuzuar me “privilegjet e tyre të qëndrimit” në SHBA.

Që prej tani, të gjithë anëtarët e Misionit Kuban në OKB, me udhëzim të Ministrisë së Jashtme të SHBA lejohen të qëndrojnë në lagjen e Nju Jorkut Manhattan, ku ndodhet selia e OKB-së.

ust/kis (dpa, afp, rtr)

Përgatitje për ekspeditë një vjeçare në Arktik

ArktikShkencëtarë nga 19 vende të botës po përgatiten të nisin një ekspeditë një vjeçare në Arktik, projekti më i gjatë i këtij lloji, në përpjekje për të kuptuar më mirë ndryshimet klimatike. Anija akullthyese Polarstern pritet të nisë lundrimin nga Tromsoe në veriu të Norvegjisë, duke i dhënë mundësi qindra studiuesve ta kalojnë vitin pranë Polit të Veriut.

“Ne duam të shkojmë në Arktik sepse është epiqendra e ndryshimeve klimatike”, tha për agjencinë Reuters Markus Rex, një shkencëtar në institutin gjerman Alfred Wegener i cili udhëheq projektin. Ekspedita, e quajtur Mozaiku, është mundësia e parë për shkencëtarët e klimës që të studiojnë Arktikun gjatë sezonin dimror pasi u kanë munguar pajisjet e nevojshme që thyejnë akullit.

“Nuk e kuptojmë mirë sistemin e klimës në Arktik pasi nuk kemi qenë kurrë atje në dimër”, tha zoti Rex.

Shkencëtarët për herë të parë do të jenë në gjendje të vëzhgojnë proceset kryesore klimatike në pjesën qëndrore të Arktikut përgjatë gjithë vitit, me shpresën që do të jenë në gjendje të bëjnë parashikime më të sakta në të ardhmen mbi klimën.

voa

Tahiri dënohet me 3.4 vjet shërbim prove

TahiriNë Shqipëri, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të dënojë mbrëmjen e së enjtes, me 5 vite burgim ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Duke qenë se ai kishte pranuar më parë gjykimin e shkurtuar, atëherë dënimi sipas vendimit, konvertohet në 3 vite e 4 muaj shërbim prove. Po ashtu zotit Tahiri i ndalohet të ushtrojë funksione publike po për të njejtën periudhë.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim, duke e akuzuar ish ministrin për të paktën tre vepra të rënda: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal. Por gjykata i rrëzoi ato, duke vlerësuar se nuk kishte prova që të mbështesnin këto akuza, por se megjithatë, ishin sipas saj të mjaftueshme për ta dënuar zotin Tahiri për shpërdorim detyre.

Ish ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë prove. Në maj të vitit të kaluar zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Zoti Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll shkurtin e kaluar.

Si zoti Tahiri dhe avokati i tij kanë këmbëngulur në pafajësi duke u shprehur se prokuroria dështoi të ofronte një provë konkrete në mbështetje të akuzave të ngritura. Ndërsa pas vendimit të gjykatës zoti Tahiri u shpreh i habitur. “Për 2 vjet u hetova si pjesë e një grupi kriminal që kam bërë trafik droge, sot gjykata thotë se meqë kushërinjtë kanë përdorur emrin tim, paskam shpërdoruar detyrën. Jam pa fjalë se Gjykata më quan përgjegjës se disa kushërinj të mi përdorën emrin tim”, tha zoti Tahiri jo pa ironi, duke njoftuar se ai do ta ankimojë në Gjykatën e Apelit, vendimin e mbrëmjes së sotme.

Pak pasi Gjykata u shpreh për ish ministrin e Brendshëm, reagoi dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha: “Vendimi i turpshëm për të mos bërë drejtësi për krahun e djathtë të Edi Ramës, që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe e shndërroi atë në njollën e zezë të krimit në Europë, provon se drejtësia në Shqipëri është peng i Edi Ramës, dhe Edi Rama është peng i krimit”, shkroi zoti Bashan ë një status në Facebook, duke htuar se “vendimi i sotëm konfirmon se Edi Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin”.

Ndërsa për ish ministrin e Brendshëm mund të flitet për një “fitore si e Pirros”, vendimi ishte një shuplakë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila pas gati një vit e gjysëm hetimesh, nuk mundi, sipas vlerësimit të vetë gjykatës, të mbështeste në prova akuzat e rënda që ajo ngriti ndaj zotit Tahiri.

voa