Shumica socialiste pritet të kalojë nesër projekt-amendamentet në dy ligjet për mediat, megjithë kundërshtimet e komunitetit të gazetarëve, që i sheh ato si një përpjekje për censurë dhe pengim të fjalës së lirë.
Kryeministri Edi Rama shkroi në rrjetet sociale se “Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë plenare pas një pune të përbashkët thuajse njëvjeçare me OSBE e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vjenës nën drejtimin e Harlem Desir”.
Menjëherë pas tij, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, Harlem Desir, shkroi në rrjetet sociale se “kemi punuar me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e Shqipërisë deri në minutën e fundit për të përmirësuar draft-ligjet mbi mediat, për t’i sjellë ato në vijën e standarteve ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së”.
Ai tha se sot u publikuan disa përmirësime në versionin e fundit të projekt-ligjeve, të cilat kanë të bëjnë me regjistrimin e mediave online, me afatet kohore për rrëzimin e përmbajtjes, kompetencat e AKEP-it, dhe me të drejtën e përgjigjes në publikimet elektronike si masa për të shmangur keqpërdorimin.
“Puna do të vazhdojë për të ulur nivelin e gjobave dhe për adoptimin e akteve nënligjore në të ardhmen, për të garantuar që gjoba disproporcionale të mos u vendosen shërbimeve dhe publikimeve elektronike. Zyra ime do të vëzhgojë nga afër zbatimin e ligjit, i cili nuk duhet në asnjë mënyrë të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. AMA duhet të zbatojë ligjin në mënyrë vërtet të pavarur” – shkroi zoti Desir.
Paketa antishpifje i është nënshtruar ndryshimeve të shumta që prej një viti kur u propozua, pas shqetësimeve të vazhdueshme të shprehura nga organizatat e gazetarëve dhe shoqëria civile në Shqipëri, si edhe presioni i organizatat ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe vetë OSBE-në.
Edhe pas ndryshimeve të fundit, organizatat e gazetarëve vazhdojnë të jenë kundër saj dhe do të vazhdojnë me planet për protestën e nesërme para parlamentit .
14 organizatat shpërndanë në mbrëmje një deklaratë ku sërish i kërkuan qeverisë shqiptare të tërheqë projektligjet nga procedura parlamentare, sepse sipas tyre, Nuk mund të ketë regjim rregullimi administrativ për median online, dhe se një institucion administrativ si AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e ankesave ndaj përmbajtjes së një publikimi.
voa