Rama takon Stoltenberg/ Shefi i Nato-s: Me rëndësi baza në Kuçovë

Rama StoltenbergSekretari i Përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg e ngushëlloi publikisht kryeministrin Edi Rama për humbjen e njeriut të dashur të djalit të tij në tërmetin e 26 nëntorit.

“Jemi të gjithë të shokuar nga tërmeti që goditi Shqipërinë nëntorin e kaluar. Të gjithë ndjemë dhimbjen e atyre që vuajtën. Edi, ju përjetuat gjithashtu një humbje personale, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia të sinqerta”, shprehet Jens Stoltenberg.

“Ju falenderoj për fjalët tuaja për tragjedinë që goditi Shqipërinë. Ashtu siç e konfirmova në takimin tonë privat Shqipëria përtej nevojës për operacionin e madh të rindërtimit i mbetet angazhimit të saj për buxhetin e dedikuar për NATO-n”, thotë Edi Rama.

Në konferencën e përbashkët, Rama rikonfirmoi vijimin e politikës me muxhahedinët, ndërsa shefi i NATO-s u ndal në rëndësinë e funksionimit te bazës ajrore së Kuçovës.

“Nuk do ta ndryshojmë traditën tone as qasjen tonë ndaj këtyre njerëzve të cilët duhet të mbrohen nga një regjim që përbën kërcënim për jetën e tyre. Do vijojnë të qëndroje fort, nuk jemi të vetëm. Ky është një operacion i zhvilluar krah SHBA”, shton Rama.

“Investimi në bazën ajrore të Kuçovës tregon vendosmërinë tonë ndaj Shqipërisë dhe rajonit. Kjo bazë mund të jetë qendër e veprimtarive të rëndësishme siç është policimi i përbashkët nga ajri. Është mirë jo vetëm për vendin, por dhe gjithë aleatët e Nato-s”, ka thënë Stoltenberg.

Rikthimi i dialogut Prishtinë-Beograd nuk mbeti jashtë fokusit të Ramës dhe Stoltenberg.

“Mbështesim rifillimin e dialogut. E mbështesim jo vetëm përmes mbështetjes politike, por edhe duke ndihmuar me zgjidhjen e një çështje që ka të bëjë me hapësirën ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, po punojmë fort për këtë”.

“Është hap i rëndësishëm dhe jam plotësisht dakord me ju, që duhet të ndiqet edhe nga të tjerët në procesin e bashkëpunimit paqësor dhe zhvillimit rajonal”, shprehet Rama.

Në cilësinë e kryetarit të OSBE, Rama u zotua për zgjidhjen e situatës në Ukrainë./Elda Menga/

Top Channel

Tetova dhe Kumanova sot me ajër më të ndotur

Banorët e Kumanovës dhe Tetovës sonte po thithin ajër shumë të ndotur.

Stacionet matëse tregojnë se Tetova dhe Kumanova janë qytetet me ndotje më të madhe të ajrit, ndërsa në Veles dhe Strumicë, ajri është i ndotur në mënyrë të mesatare.

Të gjitha qytetet e tjera kanë ndotje të ulët të ajrit. Në listën e “Air Visual”, Shkupi sonte është qyteti i 27-të më i ndotur në botë./Telegrafi/

Macron: Erdogan nuk e mbajti fjalën për konfliktin në Libi

MacronPresidenti francez, Emmanuel Macron ka akuzuar të mërkurën homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan se ka dështuar “në mbajtjen e fjalës” për t’i dhënë fund ndërhyrjes në konfliktin në Libi.

“Ne kemi parë në ditët e fundit anijet turke duke shoqëruar mercenarë sirianë që kanë arritur në tokën e Libisë”, ka thënë Macron në një takim me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Pozicionimi “është shkelje e pastër e asaj për të cilën është zotuar presidenti Erdogan në konferencën e Berlinit”, ku liderët botërorë kanë premtuar se do të qëndrojnë larg konfliktit, ka thënë Macron.

“Është dështim i mbajtjes së fjalës”, ka thënë lideri francez.

Nga prilli i vitit të kaluar, Qeveria e Libisë, e njohur nga Kombet e Bashkuara në Tripoli, ka luftuar kundër luftëtarëve të komandantit të pozicionuar në lindje të shtetit, Khalifa Haftar.

Ndonëse qeveria e Fayez al-Sarrajt njihet nga Kombet e Bashkuara, fuqitë botërore janë të ndara rreth asaj se kush duhet ta udhëheqë këtë vend.

Kjo qeveri mbështetet nga Katari dhe Turqia, e cila së fundmi ka dërguar trupa në Libi për t’i ndihmuar Sarrajt.

Moska dyshohet se mbështet Haftarin, mirëpo mohon se financon mercenarë rusë në tokën e Libisë.

Më herët gjatë këtij muaji në Gjermani, presidentët e Rusisë, Turqisë, Francës dhe Egjiptit, bashkë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe shefin e OKB-së, Antonio Guterres, kanë qenë pjesë e një samiti, në të cilin janë pajtuar për t’i dhënë fund ndërhyrjes në Libi.

Këto shtete janë pajtuar edhe për të zbatuar embargo në dërgimin e armëve në Libi, derisa të prezantohet ndonjë plan për dhënien fund të konfliktit.

rel

SHBA, thirrje Kinës të lejojë ekspertët e shëndetësisë

Kina virusiVirusi që shpërtheu muajin e kaluar në qytetin kinez Wuhan, është shpërndarë tashmë në mbi 18 vende, ndërkohë që qeveritë po marrin masa për ta frenuar. Kina ka një historik të larmishëm për sa i përket transparencës gjatë krizave publike, pjesërisht pasi qeveria e saj autoritare mban një kontroll të rreptë mbi rrjetet e komunikimit në vend. Pas një takimi me drejtorin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, presidenti kinez Xi Jinping theksoi se vendi i tij është i gatshëm të bashkëpunojë me OBT-në dhe komunitetin ndërkombëtar. Ky angazhim u shpreh ndërsa Uashingtoni i ka bërë thirrje Pekinit të lejojë më shumë ekspertë të shëndetit publik të hyjnë në Kinë për të ndihmuar në frenimin e sëmundjes.

Rastet e para të këtij lloji të ri korona-virusi u raportuan publikisht në fund të dhjetorit në Kinë. Që atëherë, janë dashur javë që zyrtarët të mbledhin të dhëna për shpejtësinë e përhapjes dhe se cilat janë kategoritë më të prekshme.

Tom Frieden, ish-drejtor në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, thotë se janë ende duke shqyrtuar fillimet.

“Nga pikëpamja infektive, deri tani është e qartë se kalon nga njeriu tek njeriu, por nuk dimë nëse për këtë duhet shumë kontakt apo pak kontakt. Ky është në fakt dallim i madh. Nga pikëpamja e vdekshmërisë, dimë se shkakton zakonisht pneumoni, dhe se mund të shkaktojë sëmundje të rënda apo vdekjen. Por, nuk dimë nëse ekzistojnë shumë njerëz që e kanë infeksionin dhe nuk paraqesin simptoma. Janë pra shumë gjëra që nuk dimë”, thotë Tom Frieden, drejtor i organizatës “Resolve to Save Lives”.
17 vite më parë, Kina mundohej të frenonte virusin SARS dhe u kritikua shumë se nuk ndau informacione të rëndësishme.

Tashmë shumë organizata, ndër to edhe OBT-ja, thonë se Kina është përmirësuar. Këtë radhë ajo ka dorëzuar me shpejtësi sekuencën e genomit të virusit, duke mundësuar kështu testimin e shpejtë.

“Janë disa fusha në të cilat ka përmirësime të ndjeshme në profesionalizëm dhe transparencë. Ka fusha të tjera ku vazhdojnë të jenë në shkelje dhe kjo na ka kushtuar shumë. Edhe tani rastet e para në Wuhan u njoftuan me dy javë vonesë”, thotë J. Stephen Morrison, i Qendrës për Studime Strategjike dhe të Sigurisë.

Por, mungesa e mbulimit të pavarur mediatik në atë vend autoritar, do të thotë se edhe tani ka pikëpyetje se sa e rëndë është situata në Kinë.

“Besoj e keni vënë re që janë infektuar edhe rreth 15 punonjës të shëndetësisë. Ky është një informacion tepër i rëndësishëm. Është tregues se sa i rrezikshëm është virusi, pasi punonjësit e shëndetësisë nuk infektohen kollaj. Ata e njoftuan këtë vetëm pas 20 janarit”, thotë Yanzhong Huang, i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Edhe brenda Kinës, zyrtarët janë kritikuar publikisht për reagimin e ngadaltë.

“Shpresoj që njerëzit të kuptojnë se publikimi i informacionit nuk ka qenë në kohën e duhur. Kur bëhet fjalë për sëmundje infektive, kemi një ligj në fuqi që parashikon shpëndarjen e informacionit. Si qeveri vendore, ne duhet të marrim autorizim përpara se të informojmë për këtë gjë”, thotë Zhou Xianwang, Kryetar i Bashkisë i qytetit Wuhan.

Sekretari amerikan i Shëndetësisë i bëri thirrje publikisht Pekinit të lejojë më shumë ekspertë të shëndetit publik të hyjnë në vend për të ndihmuar.

“Duhen në terren ekspertët e OBT-së dhe Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që të ndihmojnë ekspertët kinezë. Siç tha dr. Fauci, sa më shumë mostra të gjalla të mbledhim, aq më të mira mund të jenë ilaçet apo vaksinat”, tha Sekretari Azar.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u rekomandon udhëtarëve “të shmangin të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme” drejt Kinës.

voa

Mbi 5 mijë kosovarë kanë hequr dorë nga nënshtetësia

Pasaporta KSMbi 5 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës kanë hequr dorë nga nënshtetësia kosovare vetëm në vitin 2019 për të zgjedhur një nga shtetet e Bashkimit Evropian, të cilët nuk e lejojnë dyshtetësinë.

Heqja dorë nga nënshtetësia e Kosovës ka shënuar shifra të mëdha në vitet e fundit. 5394 qytetarë kosovarë kanë hequr dorë nga nënshtetësia, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës vetëm në vitin 2019. Nënshtetësitë që marrin më së shumti qytetarët e Kosovës janë nënshtetësia gjermane, austriake, sllovene, kroate etj. Qytetarët, të cilët kanë ndërruar nënshtetësinë e tyre nuk ndihen të kënaqur me vendimin që kanë marrë, edhe pse këtë gjë e kanë bërë për një të ardhme më të mirë për familjet dhe fëmijët e tyre.

Të detyruar për heqjen e nënshtetësisë

Fatime Reçica, e cila jeton tash e 20 vjet në Gjermani së bashku me burrin dhe tre fëmijët e saj, është detyruar të heqë dorë nga nënshtetësia e Republikës së Kosovës, vetëm që fëmijët e saj të kenë kushte të barabarta në shtetin ku po qëndrojnë. Ajo thotë, se ka qenë një prej vendimeve më të vështira në jetën e saj, por nuk kishte rrugë tjetër. “Ka qenë vendim shumë i vështirë së bashku me vendimin, kur kam vendosur që ta lë Kosovën. Ne mezi e kemi bërë shtetin tonë e tash po detyrohemi që të heqim dorë edhe nga e drejta për të qenë pjesë ligjore e atij shteti.”

Por ajo e pranon, se pranimi i nënshtetësisë gjermane ka përparësitë e veta. “Realisht, gjithçka është më e lehtë edhe për ne, por kryesisht për fëmijët, që jetojnë këtu, të pajisemi me dokumente gjermane. Por, që kjo nuk do të thotë se do ta harroj Kosovën. Normalisht, në Kosovë do të vazhdojmë të vijmë si zakonisht .Është paksa e padrejtë që Gjermania nuk e lejon dyshtetësinë, pasi që kështu na ka shtyrë të bëjmë një zgjedhje të vështirë. Por, Kosovën nuk do ta lëmë asnjëherë”, ka thënë ajo.

Të njëjtin vendim e ka marrë edhe Gentiana Krasniqi, e cila ka lindur në Prishtinë dhe që nga mosha 4 vjeçare jeton në Gjermani. Edhe ajo vendimin për heqjen dorë nga nënshtetësia e Republikës së Kosovës e ka marrë vetëm, sepse shteti gjerman nuk e lejon mbajtjen e dy nënshtetësive. “Edhe pse jam rritur dhe shkolluar në Gjermani, unë jam bërë shumë vonë shtetase gjermane, edhe pse kushtet bazike nga ana e Republikës së Gjermanisë i kam plotësuar që moti. Gjermania nuk lejon posedimin e dy nënshtetësive, prandaj kam hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës. Arsyeja kryesore pse i kam hyrë procedurës për nënshtetësi gjermane aq vonë ishte arsyeja se në landin e Bavarisë, ku jetoj unë, kërkohet që të jepet dorëheqje edhe nga nënshtetësia serbe dhe nga nënshtetësia e Republikës së Kosovës, pra dy shtetësi, edhe pse unë kurrë nuk kam pasur pasaportë serbe timen”, ka thënë Krasniqi.

Ajo thotë se jo vetëm lënia e nënshtetësisë kosovare e brengos, por edhe largimi i kaq shumë të rinjve nga Kosova. “Më brengos dhe më dhemb ky fakt qoftë vetëm për udhëtime apo për të emigruar në një vend tjetër. Por, e kuptoj çdo individ, i cili vepron kështu. Kështu që duhet të respektohet çdo vendim, sepse askush nuk e jep një „copë” të identitetit për qejf. Posaçërisht ata, të cilët kanë fëmijë, e duan një ardhmëri të shëndoshë për familjet e tyre. Nuk po them se jashtë Kosovës dhe në BE është çdo gjë më e mirë, por secili duhet t’i ketë të drejtat e njëjta, të mbledhin përvojat e tyre dhe pastaj të bëjnë vlerësime.” shprehet Krasniqi.

Alarm i sociologëve

Ndërkohë që analistët dhe sociologët vlerësojnë këtë situatë në Kosovë si alarmante. I shqetësuar me numrin e madh të dorëheqjeve të nënshtetësisë është shprehur edhe profesori dhe analisti, Nexhmedin Spahiu. “Braktisja e nënshtetësisë së Kosovës është pasojë e moskultivimit  të atdhedashurisë  në dy dekadat e fundit, rezultati i një sistemi arsimor tërësisht të dështuar.” Sipas Spahiut edhe një jetë kulturore me vlera të përmbysura dhe kthimi i korrupsionit si metodë jetese kanë luajtur rolin e tyre. “Në kohën e pasluftës, tri ministritë e para që iu lanë në dorë vendorëve, ishin arsimi, kultura e shëndetësia. Si duket ky ishte një hap i parakohshëm, kur ne ishim ende të papjekur si shoqëri, si komb. Pastaj privatizimi ndodhi po ashtu herët, kur shoqëria kosovare ishte e papërgatitur për këtë hap. Të gjitha këto bënë që niveli i patriotizmit në Kosovë të jetë shumë i ulët.”, shprehet Spahiu.

Sipas të dhënave të studimit të rinisë të vitit 2019 të bërë nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung afërsisht 40 për qind e shqiptarëve të Kosovës dëshirojnë të migrojnë për një periudhë të shkurtër kohe prej më pak se pesë vjet. Arsyet ekonomike përmenden si arsyeja kryesore për migrim nga rreth 63 për qind e atyre që dëshirojnë të lënë Kosovën për të shkuar në një vend tjetër.

Zvicra dhe Gjermania janë vendet më të preferuara për migrim nga kosovarët, ato janë më të preferuarat në 49 për qind të rasteve. Në 49 për qind të rasteve. Sociologët vlerësojnë se nëse vazhdon ky ritëm i heqjes dorë nga nënshtetësia e Republikës së Kosovës nga qytetarët kosovarë, shteti do të ketë probleme të mëdha. Profesori dhe sociologu Fadil Maloku shprehet se në Kosovë dhe rajon po “shpërngulet truri” i shtetit. “Nëse vazhdon ky trend i “ikjes” apo edhe largimit të detyrueshëm të rinisë kosovare nga nënshtetësia edhe ashtu ende infantile të Kosovës, padyshim qe pasojat do jenë alarmuese. Në gjithë botën është një lloj recesioni, në rajon po ashtu dhe unë mendoj se Qeveria e Kosovës do të duhej të merrte disa masa preventive, që në njëfarë mënyre ta zbuste pakënaqësinë e kësaj ikjeje kaq masive të rinise kosovare nga vendi i tyre”, shprehet Maloku.

Marrja e nënshtetësisë shqiptare dhe asaj serbe

Mosliberalizimi i vizave, pamundësia për të parë shtetet e zhvilluara, shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë kanë bërë që qytetarët kosovarë të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar lirshëm. Disa prej tyre kanë vendosur që krahas nënshtetësisë kosovare ta kenë edhe nënshtetësinë serbe në të njejtën kohë në mënyrë që të lëvizin lirshëm.

Leutrim Bajrami nga Prishtina ka tre vite që ka dy nënshtetësi atë të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë. “Unë kam nënshtetësi serbe që tre vite nga shteti i Serbisë, sepse gruaja ime është nga Bujanovci, një qytet i populluar me shqiptarë në shtetin serb, dhe pasi që kurorëzimi im është bërë në Serbi dhe lindja e fëmiut tim po ashtu, atëherë mua më është dhënë e drejta t’i bashkohem familjes time atje. Pasaportën e Serbisë e shfrytëzoj kryesisht për udhëtime, por ka edhe shumë lehtësira të tjera si qasja në mjekësi dhe spitalet serbe, pasi që kam pasur probleme me shëndet, është shumë e lehtë, e shpejtë dhe më profesionale se në Republikën e Kosovës.” shprehet Bajrami.

Krahas qytetarëve kosovarë, të cilët kanë vendosur të kenë në të njejtë kohë pasaportën kosovare dhe pasaportën e ndonjë shteti tjetër fqinj, janë edhe politikanë e artistë shqiptarë nga Kosova, të cilët janë të pajisur me pasaportën e Shqipërisë. Era Istrefi, Majlinda Kelmendi, Edita Tahiri e të tjerë janë vetëm disa nga emrat e personaliteteve të njohur në Kosovë që posedojnë pasaportë të shtetit shqiptar. Sociologu, Fadil Maloku e sheh me sy kritik këtë. Pajisjen e politikanëve kosovarë me pasaporta të shtetit shqiptar dhe rekomandimi i tyre për qytetarët e Kosovës që nuk mund të lëvizin lirshëm që mos ta lëshojnë Kosovën ai e sheh si degradim dhe një pasqyrë shumë e keqe për qytetarët e vendit. “Ky është një degradim dhe një pasqyrë e keqe për qytetarët e vendit. Në mënyrë që ata të kuptojnë se kush në fakt e udhëheq këtë shoqëri të vonuar edhe ashtu në krahasim me shoqëritë e rajonit dhe ato të kontinentit. Shoqëritë shqiptare andej e këndej kufirit janë në krizë: morale, sociale, politike, e sidomos ekonomike e kulturore. Një fenomen, që pa dyshim është duke e përcjellë këmba-këmbës procesin e shtetndërtimit të Kosovës, është edhe ai i teprisë së politizimit apo tendencës së “ngjyrimit”, të çdo gjëje që prodhoi në ndërkohë jeta sociale dhe ajo politike në “betejat” e konsolidimit të institucioneve shtetërore dhe ridefinimit të kauzave reja demokratike”, përfundon Maloku.

dw

Borrell nis të enjten vizitën në Ballkan

BorrellPërfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell do ta vizitojë Kosovën më 30 dhe 31 janar, për të vazhduar vizitën e tij në Serbi më 31 dhe 1 shkurt.

Para vizitës së tij në këto dy shtete Borrell ka thënë se me dëshirë do të realizojë vizitën e tij të parë zyrtare në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij kjo vizitë flet për përkushtimin e BE-së në rajon, stabilitetin dhe sigurinë.

“Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet gjatë mandatit tim dhe duke marrë parasysh vendosshmërinë time për të avancuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, dëshirova të vizitoj Kosovën dhe Serbinë, të parat në rajon. Ka shumë punë të rëndësishme përpara, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Beogradit”, është cituar të ketë thënë Borrell.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Borrell do të takohet me liderët politikë, përfshirë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësues politikë dhe ata të shoqërisë civile.

Po në Kosovë, Borrell pritet të prezantojë një projekt të financuar nga BE-ja për përmirësimin e kualitetit të ajrit në Prishtinë.

Në Beograd, ai do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, përfaqësues politikë si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Për shkak të pozitës që ka në BE, Borrell pritet të ndërmjetësojë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ky dialog është pezulluar për shkak të taksës që autoritetet e Kosovës kanë vënë në importet serbe në nëntor të vitit 2018.

rel

Charles Michel në Tiranë: Qasje e re e BE ndaj Ballkanit Perëndimor

Michel RamaCharles Michel përfundon vizitën zyrtare në Tiranë. Ai theksoi, se ka një qasje të re të BE ndaj Ballkanit Perëndimor dhe se metodologjjia e re e zgjerimit do të jetë vendimtare për zhbllokimin e negociatave.

Presidenti i ri i Këshillit Europian, Charles Michel, i drejtoi shpresat e Shqipërisë për hapjen e negociatave të pranimit këtë pranverë tek metodologjia e re zgjerimit, vijimi i reformave dhe një qëndrimi pro të Francës, pas miratimit të kësaj metodologjie.

Në vizitën e tij të parë zyrtare në Tiranë, të premten, (24.01) Charles Michel zbuloi se përqasja e re në metodologjinë e zgjerimit bazohet në tri shtylla kryesore. “Shtylla e parë është domosdoshmëria që kryetarët e qeverive të vendeve anëtare të bien dakord mbi mënyrën e kryerjes së procesit të zgjerimit, të reformave që duan vendet e BE, që procesi i zgjerimit të jetë i besueshëm dhe të ketë lidership politik. Komisioni Europian, (KE) do të formulojë së shpejti propozimin për modernizimin e parimeve dhe të procesit të zgjerimit, në përgjithësi.”, tha Michel në Tiranë, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Por Presidenti Charles Michel, paralajmëroi se propozimi pro i Komisionit të BE në Këshillin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, (MV) do të jetë objekt debatesh mes vendeve anëtare dhe ky debat përbën edhe shtyllën e dytë të metodologjisë e re të zgjerimit. “Përsëri do ta kemi këtë debat në Këshillin Europian mbi bazën e propozimit që do të bëhet përsëri nga Komisioni Europian. Si President i Këshillit Europian do të inkurajoj afrimin e pikëpamjeve dhe do të inkurajoj Komisionin Europian që të vendosë”, tha në Tiranë Charles Michel.

Charles Michel solli në Tiranë një lajm të mirë: shtylla e tretë e metodologjisë së re të zgjerimit ka të bëjë me arritjen e një pakti mes vendeve anëtare për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe social të BP.

“Është arritja e një pakti investimesh dhe rritjeje për Ballkanin Perëndimor, që do të mobilizojë të gjitha sferat e mundshme, që të inkurajohet zhvillimi ekonomik, që është një kusht kyç për avancimin e progresit social dhe ekonomik dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal, e i cili mund të ndihmojë në 3 shtyllat”,  theksoi Charles Michel në Tiranë.

Kryeministri Rama këtë përqasje e konsideroi “jo vetëm në funksion të procesit të integrimit të mëtejshëm individualisht të vendeve, por edhe në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal dhe të një qasjeje të re të Brukselit në raport me zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit

BE ende pa unanimitet për zgjerimin

Presidenti i Këshillit Europian tha në Tiranë se “fati i Ballkanit Perëndimor duhet të jetë krejtësisht i kthyer drejt Europës”. Që Shqipëria t#i afrohet më tej këtij fati duhet “angazhim për të vazhduar reformat, modernizimin, mobilizimin për shtetin e së drejtës, për luftën kundër krimit të organizuar”, fusha ku Michel premtoi mbështetjen dhe bashkëpunimin me BE sidomos “për të bërë hapa përpara në javët e ardhshme dhe muajt e ardhshëm,” duke lënë të kuptohet pranverën, ku janë përqëndruar shpresat e Shqipërisë për hapjen e negociatave. Por ai pranoi se Franca, që bllokoi hapjen e negociatave vitin e kaluar, ende nuk ka ndryshuar qëndrim.

“Si President i Këshillit Europian, them që sot nuk kemi unanimitet. Do të organizojmë mbledhje javët dhe muajt e ardhshëm, për të parë se si mund të punojmë bashkë, se si mund të kemi një pozicion unanim”, tha Michel në Tiranë.

Shpresa për të arritur një qëndrim unanim të 28 vendeve pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut këtë pranverë qendron në ”ambicien e përbashkët të 28 vendeve të  BE-së, që konsiderojnë, se e ardhmja e Ballkanit duhet të jetë drejt BE-së, për të vazhduar, zgjeruar punën e bashkëpunimit të ngushtë, për të inkurajuar reformat”, tha Michel në Tiranë

dw

Turqia i jep fund operacionit të gjerë për kërkimin e të mbijetuarve

termeti TurqiAutoritetet në Turqi i dhanë fund të dielën një operacioni të gjerë për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënojat e shkaktuara nga një tërmet i fuqishëm që goditi vendin të premten në mbrëmje.

Ekipet punuan gjatë gjithë natës duke shpëtuar 45 persona njoftoi Autoriteti për Fatkeqsitë dhe Emergjencat.

Tërmeti me magnitudë 6.8 goditi goditi tre zona në provincën Elazig duke shkaktuar vdekjen e 32 personave atje si dhe katër të tjerëve në provincën fqinje atë të Malatya-s.

Sipas të dhënave zyrtare rreth 1.600 persona rezultojnë të plagosur. Tërmeti i fuqishëm u shoqërua me 700 pas-goditje, disa prej tyre me magnitudë 4.

voa

Miliona vetë izolohen në Kinë – Virusi mban në ankth botën

Corona visrusTë paktën 41 të vdekur në Kinë pas infektimit me virusin corona. Mijëra të infektuar. Kina ka ashpërsuar masat e kontrollit në fundjavën e festimeve të Vitit të Ri kinez, duke përdorur edhe ushtrinë.Autoritetet kineze për shkak të përhapjes gjithnjë e më të madhe të virusit corona kanë marrë masa në të gjithë vendin për udhëtimet me tren, avionë apo autobusë. Sipas njoftimit të autoritetit kombëtar kinez janë instaluar në të gjithë trafikun publik aparate të matjes së temperaturës. Një nga simptomat e para të sëmundjes së mushkërive është rritja e temperaturës së trupit. Pasagjerët me dyshim për infeksion duhet të dërgohen „menjëherë“ në spital, thuhet në urdhëresat e Këshillit Shtetëror, ku kërkohet që të merren masa si ajrosja dhe dezinfektimi.

Kryetarja e qeverisë së Hongkongut, Carrie Lam shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Për të ulur mundësinë e shpërndarjes së virusit, Lam anuloi të gjitha festimet zyrtare të Vitit të Ri kinez. Në festimet e Vitit të Ri që zhvillohen në fundjavë, miliona vetë vizitojnë familjet apo festojnë në ambiente publike. Por si reagim ndaj shpërthimit të sëmundjes së mushkërive janë anuluar festimet në shumë qytete kineze për të mënjanuar grumbullimet e njerëzve.

Rritje e papritur

Televizioni shtetëror kinez raportoi për ndërkohë 41 viktima dhe afër 1.300 të infektuar në Republikën Popullore të Kinës, rreth një e treta më shumë se një ditë më parë. Ndër viktimat ndodhet edhe një mjek spitali, 62-vjeçar, i cili ishte infektuar në një spital të Vuhanit.

Ndërkohë janë izoluar edhe pesë qytete të tjera nga provincën Hubei. Sipas të dhënave të autoriteteve aty është ndaluar transporti publik dhe futja në autostrada. Me këtë shkon në 18 numri i qyteteve të izoluara në Kinë. Faktikisht janë në izolim afër 56 milionë vetë. Në Vuhan, metropolin 11 milionësh, prej nga doli edhe virusi, i pari qytet i izoluar, deri të dielën janë ndaluar udhëtimet në qendër. Siç bëjnë të ditura mediat kineze, afër 400 mjekë ushtarakë kanë ardhur me avion në qytet në luftë kundër virusit corona. Përveç kësaj në ndihmë ka ardhur edhe personel mjekësor nga Shangai dhe qytete të tjera. Në Vuhan qeveria ndërkohë ka filluar me ndërtimin e një spitali special me 1000 shtretër, që pritet të jetë gati brenda 10 ditësh.

Virusi mbërriti në Europë

ranca ishte vendi i parë në BE, që bëri të ditur të premten se tre pacientë me virusin corona ndodhen në izolim. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të gjithë pacientët më parë kishin qenë në Kinë. Ministrja e Shëndetësisë, Agnes Buzyn bëri të ditur, se qeveria do të bëjë gjithçka për mospërhapjen e virusit. „Ne duhet ta trajtojmë një epidemi si rënien e zjarrit“, tha ajo. Edhe autoritetet australiane kanë konfirmar katër rastet e para me virusin. Edhe aty pacientët kanë qenë më parë në Kinë. Deri më tani janë konfirmuar raste me virusin corona në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë, Vietnam Tajvan, Malajzi, Singapor, Arabi-Saudite, dhe SHBA. Në Nepal një person pas shërimit u lirua nga izolimi.

Ndërkohë disa koncerne ndërkombëtare kanë reaguar pas përhapjes së virusit. Rrjeti amerikan i kafesë, Starbucks i ka mbyllur një sërë filialesh në provincën Hubei për festimet e Vitit të Ri. Edhe furnizimi është ndërprerë. Më parë ishte rrjeti McDonald’ që kishte mbyllur filialet në 5 qytete.

Jo arsye për panik?

Kundër virusit nuk ka vaksinë apo terapi të posaçme për trajtimin e tij, simptomat mund të zbuten me ilaçe. Sipas vlerësimit të ekspertëve, kjo sëmundje e re zhvillohet në shumicën e rasteve butë, nganjëherë edhe pa asnjë simptomë. Në shumicën e rasteve të vdekjeve të regjistruara në Kinë, sipas stadit të deritanishëm, shumica kanë qenë pacientë të moshuar me sëmundje të rënda paraprake. Virusi ri është shumë i afërt me virusin që shkaktoi epideminë sars në vitet 2002-2003.

la/ust/mak (afp, dpa, rtr, ap)

Maqedoni e Veriut: Pagë e mjerueshme për “Made in Europe”

textil“Made in Europe”- Sigla e veshjeve lë të kuptohet prodhimin në kushte korrekte pune. Por kjo shpesh është vetëm fasadë: Në Maqedoninë e Veriut rrobaqepëset punojnë për një pagë të mjerueshme.

“Made in Europe” – kjo tingëllon për blerësit e veshjeve të tekstilit si një sigël për kushte korrekte pune në prodhimin e tyre. Por në të vërtetë rrobaqepëset rropaten për një pagë qesharake. Matur në raportin e kostove të jetesës, kjo pagë është nën nivelin e pagave në Azinë Juglindore.

Në Makedonka, ku dikur ka qenë qendra e industrisë jugosllave të tekstileve, punonin rreth 9000 vetë dikur dhe fabrika u përkiste të punësuarve, shefi nuk fitonte gjë më shumë se punëtorët. Ndërmarrjet funksiononin sipas sistemit të vetadministrimit jugosllav. Po ashtu edhe kushtet e punës ishin mjaft të mira e madje pranë fabrikave kompleksi kishte edhe kopështe fëmijësh për fëmijët e të punësuarve. Kjo ishte pra një zonë e zhvilluar me socializmin e fillimit të viteve 90-të.

Sot në Stip në Maqedoninë e Veriut, pikërisht në të njëjtin vend, ende vazhdojnë të punojnë 9000 vetë në industrinë e tekstilit, shumica janë gra, pothuajse asnjëra prej tyre nuk fiton më shumë se pagën minimale ligjore në Maqedoninë e Veriut: 200 Euro në muaj. Kjo pagë është më e ulët se në Bangladesh apo në Kinë – në raport me kostot e jetesës. Në Maqedoninë e Veriut kostot e jetesës janë katër herë më të larta se paga minimale. Për  një familje me katër pjesëtarë duhen 750 Euro.

Lufta për një pagë të drejtë: Këtë qëllim i ka vënë vetes Kristina Ampeva. Ajo ka punuar vite të tëra si rrobaqepëse. Meqënëse ngriti krye kundër pagës për mëshirë, atë e pushuan nga puna. Tani Kristina  lufton në një mënyrë tjetër për rrobaqepëset. Ajo ka krijuar rrjetin e saj „Glasen Tekstilek” (Zëri i punëtorëve të tekstilit), që e financon nga donacionet.

„Unë nuk mundesha të krijoj një këshill profesional, punëtoret as nuk e dinë se çfarë është kjo dhe se si funksionon përfaqësimi i të drejtave të punëtorëve. E vetmja mundësi ishte të themeloja një organizate për t’u vetëndihmuar, që më në fund të luftojë kundër shfrytëzimit të punëtoreve.”

Kushte katastrofale pune

Rrobaqepëset jo vetëm që paguhen keq, por edhe trajtohen keq. Puna monotone me trupin vazhdimisht të kërrusur, pluhuri i copave, fabrikat pa ngrohje në dimër dhe të nxehta në vapën e verës. Orë shtesë pune të papaguar, punë me detyrim edhe në fundjavë.

Rrobaqepësja Katarina bën pjesë në rrjetin e Kristinas dhe tregon për gjendjen në fabrika: „Pati një problem me një kolege që punon direkt pranë meje. Shefi i bërtiti asaj, sepse kishte qepur vetëm tre copë, ndërkohë që unë pata bërë dhjetë. Ai i ulërinte asaj duke i thënë, bëj më shumë, bëj më shumë.”

Katarina nuk del dot nga puna. Ajo është e shkolluar si infermiere, por duke mos pasur miq nuk arrij të gjej një punë në shëndetësi, na thotë. Vetëm nëse i jap ryshfet ndokujt. Katarinas do t’i duhet të vazhdojë të qepë për 200 Euro në muaj. „Në dhjetë vjet, qëkurse unë punoj, nuk kam pasur asnjë fundjavë të lirë dhe as nuk kam mundur të pagujë një herë pushime për vajzën time. Vajza është e mbarë, asnjëherë nuk më kërkon para për veshje të kushtueshme. Ajo blen vetëm gjëra të lira dhe mëson mirë. Eshtë e vështirë, o Zot, shumë e vështirë.”

Edhe në Maqedoninë e Veriut ka ndërmarrje, që paguajnë më shumë se paga minimale, që paguajnë orët shtesë dhe i përmirësojnë kushtet e punës. Moda është një sipërmarrje e tillë. Por klientët, e markave të njohura ndërkombëtare duan t’i blejnë ato për sa më pak para. Për qepjen e një këmishe që shitet 60 Euro, firma Moda paguan vetëm 3 Euro për prerjen, qepjen dhe ambalazhimin. Pas siglës „prodhuar në Europë”, me të cilën bëjnë reklamë koncernet, fshihet rëndom paga e ulët dhe shfrytëzimi.

Angel Dimitrov nga firma Moda Stip na thotë:„Markat e mëdha të huaja përpiqen të realizojnë standarde më të larta sociale. Por këto standarde kushtojnë para. Këto duhet t’i paguajmë ne, sepse koncerni nuk paguan. Ata duan standarde, por nuk duan të paguajnë vet.”

Gjendja edhe në vendet tjera të Ballkanit e ngjashme

Kristina Ampeva, aktivistja e tekstileve, përpiqet të bashkojë grupime të ndryshme që të luftojnë për kushte më të mira pune. Autoritetet shtetërore të mbikqyrjes, sipërmarrësit, organizatat joqeveritare nga vendet fqinjë. Situata në të gjithë Ballkanin është e njëjtë, shfrytëzim në kurriz të dinjitetit njerëzor, thotë Aleksandra Vidanovic nga Olof Palme International Center Serbi: „Disa punëtore në Serbi i kanë detyruar të mbajnë pelena, sepse nuk lejoheshin të bënin pushim për të shkuar në tualet. Kjo është shkelje e të çdo të drejte të njeriut.”

Por jo vetëm aktivistja, edhe markat ndërkombëtare nuk duan më t’i pranojnë kushtet jo normale të punës. Një sipërmarrjeje subkontraktuese në Maqedoninë e Veriut iu hoq e drejta e ekskluzivitetit nga i vetmi porositës, prodhuesi gjerman i këmishëve Olymp.  Mark Bezner nga Olymp Bietigheim: „Ne vendosëm disa kërkesa që t’u përgjigjeshin standardeve tona duke rregulluar konform edhe pagat e punëtoreve. Në fund kjo sipërmarrje nuk iu përgjigj më kërkesave tona.”

Vazhdimisht ai kishte kërkuar, na thotë Mark Bezner, që të përmirësoheshin kushtet. Olymp për këtë i paguante më shumë kontraktuesit Stobi. Por ky nuk bënte asgjë. Kjo bëri që Stobi të falimentojë dhe 250 punëtore janë të prekura tani. Presioni i koncerneve të mëdha është në rritje, sepse duan të ruajnë imazhin. Konsumatorët janë sensibilizuar dhe ka gjithnjë e më pak syresh që pranojnë të blejnë tekstile të prodhuara në kushte jo njerëzore.

dw