Një aplikacion i ri celular për fëmijët që vuajnë nga astma

AplikacioniEdhe pse janë vetëm një e katërta e popullsisë totale me sëmundjen e astmës, fëmijët përbëjnë gati gjysmën e këtij grupi të sëmurësh që shtrihen në spital, thotë ekipi që ka krijuar një pajisje dhe aplikacion të ri për të ndihmuar fëmijët që vuajnë nga problemet e lidhura me mushkëritë.

Frymëmarrja mund të jetë e vështirë për njerëzit që vuajnë nga sëmundja e astmës. Një kompani ka krijuar një pajisje portative që përdor sensorë dhe një algoritëm për monitorimin frymëmarrjen çdo ditë, duke lejuar përdoruesit të kontrollojnë gjendjen e mushkërive të tyre ndërsa luajnë një lojë në aplikacionin e tyre.

Në fokus të aplikacionit janë fëmijët.

“Ne jemi të përqëndruar tek fëmijët sepse ata kanë vështirësi të komunikojnë se si ndihen. Dhe, megjithëse janë vetëm një e katërta e popullsisë totale e të prekurve me sëmundjen e asmtmës, ata përbëjnë gati gjysmën e të prekurve që marrin trajtime në spitale”, thotë Charvi Shetty, themeluese dhe presidente e kompanisë Aluna.

Tre themeluesit e kompanisë Aluna vuajnë nga astma, dy prej tyre që nga fëmijëria.

“Kur gjërat përkeqësoheshin, thjesht duhej të shkoje në spital”, thotë Inderjit Jutla, bashkëthemelues i kompanisë Aluna.

Aplikacioni i tyre i ri inkurajon fëmijët të bëjnë përpjekjet e tyre më të mira për frymëmarrje. Një algoritëm analizon forcën dhe shpejtësinë e frymëmarrjes së tyre.

“Fëmijët që nuk e kryejnë mirë procesin e frymëmarrjes inkurajohen që të përpiqen më shumë ta përmirësojnë atë. Ne e dimë që procesi frymëmarrjes nuk ka shkuar mirë kur ka ulje dhe ngritje dramatike të shpejtësisë”, thotë Dr. Ngoc Ly nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko.

“Ne përdorim inteligjencën artificiale për të analizuar në thelb format valore të krijuara gjatë frymëmarrjes për të parë se ku po bëhen gabimet”, thotë Inderjit Jutla, bashkëthemeluese e kompanisë Aluna.

Aplikacioni gjithashtu pyet fëmijët për mjedisin e tyre, si aktiviteti në natyrë, niveli i polenit, ndotja e ajrit, stërvitje, dhe krijon një regjistër për të parë se çfarë mund të ndikojë në shëndetin e mushkërive, duke parashikuar ndoshta edhe fillimin e një sulmi të sëmundjes së astmës.

“Disponimi i një pajisjeje personale mund të parandalojë sulme të rënda të astmës, për të cilat trajtimet në urgjencë janë të nevojshme”, thotë Dr. Ngoc Ly nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko.

Kompania Aluna shpreson të marrë miratimin e Administratës amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve për përdorim të gjërë të pasjisjes këtë pranverë.

voa

Takim në distancë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit

Salla e SigurimitSot, më 24 prill, Këshilli i Sigurimit të OKB mban një takim në distancë për Kosovën. Takimi informues është i pari për këtë vit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres ka përgatitur raportin gjashtëmujor.

Anëtarët e Këshillit kanë marrë më parë raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, për punën UNMIK-ut këta gjashtë muajt e fundit, më saktë nga 16 shtatori deri më 15 mars 2020. Raporti ndahet në disa pika, si ai për zhvillimet politike, gjendjen e sigurisë, zhvillimet në Veri, kthimin dhe pajtimin si dhe trashëgiminë kulturore, vendosjen e ligjit dhe të drejtat e njeriut, gruaja dhe paqja, krijimi i besimit. Ja çfarë fshihet pas këtyre termave:

Raporti 19 faqesh fillon me çështjet kryesore politike dhe të sigurisë. Duke folur për zgjedhjet e tetorit, që përfunduan me krijimin e parlamentit të ri në dhjetor dhe të qeverisë së re në shkurt, raporti vëren se ato nxorrën në pah “një brez të ri politikanësh dhe kandidatesh gra, duke rritur numrin e grave në parlament dhe duke zgjedhur gruan e parë si Kryetare të Parlamentit”. Pjesëmarrja e zgjedhësve në dhjetë komunat serbe ka qenë më e larta deri tani, me 48,6 përqind. Raporti përshkruan në vazhdim katër muajt bisedime midis Vetëvendosjes dhe LDK, për krijimin e qeverisë së koalicionit. “Pika kyçe e mosmarrëveshjeve ka pasur të bëjë me zgjedhjet për postin e Presidentit më 2021”. Qeveria e re u formua me 21 ministra, pesë prej të cilëve gra.

Dialogu

Në raport thuhet se “Dialogu i mbështetur nga Bashkimi Europian, ka ngecur, megjithë përpjekjet ndërkombëtare për vazhdimin e tij”, dhe përmend hapat e ndërmarrë për hapjen e një linje ajrore Prishtinë- Beograd dhe shtimin e linjave ajrore komerciale. “Megjithëse liderët në Prishtinë dhe Beograd kanë konfirmuar dëshirën e tyre për rifillimin e dialogut, ata i kanë kushtëzuar ato me kushte të ndryshme,” thotë raporti, duke folur për hapat për heqjen e tarifave dhe ndalimin e fushatës për anullimin e njohjeve të Kosovës nga vendet e tjera.

Më tej raporti citon presidentin Thaçi, të ketë folur pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin serb Aleksandar Vucic më 2 mars, “për domosdoshmërinë e një zgjidhjeje paqësore të çështjeve Kosovë- Serbi dhe mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje përfundimtare”. Më 15 mars, Parlamenti aprovoi rezolutën që konfirmon angazhimin e Prishtinës për bisedime politike me Beogradin, që mund të çojnë në njohje reciproke, duke i njohur qeverisë së Kosovës mandatin për drejtimin e bisedimeve dhe duke deklaruar se “integriteti i Kosovës dhe karakteri i saj unitar janë të panegociueshme”.

Raporti radhit në vazhdim disa incidente të ndodhura në objektet fetare si ato ortodokse ashtu edhe ato myslimane. Një nga pikat e raportit flet për gjykimin dhe dënimin e veprave të lidhura me aktet terroriste. Për 35 persona të kthyer nga Siria dhe që ndodhen nën hetim, 23 janë vendosur në bankën e të akuzuarve. Ata janë pjesë e 110 personave të kthyer në Kosovë në prill 2019. Prej tyre 74 janë fëmijë, 32 janë gra dhe 4 burra. Gratë janë akuzuar me pjesëmarrje në grupe terroriste, fëmijët janë dërguar për të qëndruar tek të afërmit.

Sa i përket kthimit të personave të zhvendosur, zyra e OKB për refugjatët, UNHCR, ka raportuar kthimin vullnetar të 152 personave, kryesisht roma dhe ashkali.

Sundimi i ligjit

Në pjesën që flet për vendosjen e ligjit, raporti shkruan se gjatë kësaj periudhe “sistemi juridik i Kosovës ka ngritur padi kundër disa personave të rangut të lartë”, duke përmendur paditjen e disa ministrave për shpërdorim posti dhe fondesh. Po ashtu radhit ngritjen e disa padive dhe marrjen e vendimeve në disa procese për krime lufte.

Në pikën “Gruaja,siguria dhe paqja”, raporti thotë se Komisioni për njohjen e statusit, ka marrë 143 kërkesa të reja për njohjen e statusit të të mbijetuarës së dhunës seksuale, duke e çuar në 1226 numrin e aplikimeve që kanë filluar në vitin 2018. Deri tani 785 personave u është njohur statusi, 758 gra dhe 27 burra. Në raport flitet më hollësisht për një rast: “Më 6 mars Zyra e Prokurorit Special në Kosovë ka ngritur padi për krime bërë ndaj popullsisë shqiptare në maj të 1999, përfshirë dhe krime që kanë të bëjnë me dhunë seksuale. Ky është rasti i pare kur një padi ngrihet nga zyra e prokurorit vendas për krime lufte që kanë lidhje me dhunë seksuale.”

Në pjesën që flet për ngritjen e besimit dhe bashkëpunimin, raporti thotë se “përpjekjet në këtë fushë drejtohen kryesisht nga shoqëria civile dhe se një e katërta e aktiviteteve të kësaj natyre janë organizuar nga institucionet lokale dhe qendrore”. Po ashtu flitet për ndihmën ligjore falas, që zyra e UNMIK ofron në fushën e drejtësisë.

Në dokumentat që anëtarët e Këshillit të Sigurimit marrin, raportit të Sekretarit të Përgjithshëm i bashkangjiten edhe raporti i EULEX-it për këtë periudhë si dhe raporti i Zyrës së Prokurorit special.

Në takimin e Këshillit të Sigurimit, që është takim në distancë, pritet të flasin fillimisht shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic dhe ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku. Mbas tyre fjalën e marrin të gjithë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, që kanë vend të përhershëm dhe të përkohshëm. Gjermania është aktualisht anëtare e Këshillit të Sigurimit. Takimi nesërm do të drejtohet nga José Singer Weisinger, përfaqësues i Republikës Domenikane në OKB. Është lënë që takimi të zgjasë 1 orë, që është sa gjysma e kohëzgjatjes së deritanishme. Për herë të fundit Këshilli i Sigurimit është marrë me Kosovën në tetor 2019, ku mori vendimin për uljen e ritmit të takimeve, që do të mbahen në të ardhmen jo çdo tre muaj, por çdo gjashtë muaj.

voa

Mjekët ngrenë alarmin për mpiksjen e gjakut tek pacientët me COVID-19

AmbulancaNë fund të muajit mars ndërsa koronavirusi vazhdonte të përhapej në qytetin e Nju Jork mjekët e spitalit “Mount Sinai” vunë re një fenomen të çuditshëm që po ndodhte me gjakun e pacientëve me COVID-19. Mjekë të specialiteteve të ndryshme vunë re shenja të trashjes dhe mpiksjes së gjakut në organe të ndryshme.

Në fund të muajit mars neurokirurgu J Mocco i spitalit “Mount Sinai” po mbante shënime rreth një simptome alarmante që po vinte re në shumë prej pacientëve të tij.

“Ndërsa kurba e pandemisë kishte nisur realisht të ngjitej në Nju Jork ne filluam të vërejmë, në të gjithë qytetin, një numër të madh goditjesh në tru dhe disa prej tyre ishin jashtëzakonisht shqetësuese”, thotë ai.

Përgjatë tre javëve duke nisur nga mesi i marsit, doktor Mocco vizitoi 32 pacientë që kishin pësuar goditje me bllokime të forta të gjakut në tru. Ky numër pacientësh përbënte dyfishin e numrit që ai ka trajtuar zakonisht në të njëjtën periudhë dhe të paktën gjysma e tyre ishin diagnostikuar me COVID-19.

Doktor Mocco i ndau gjetjet e tij me një tjetër mjek që kishte vënë re një fenomen të ngjashëm, pacientë me shenja të trashjes dhe mpiksjes së gjakut, por në mushkëri. Mjekët e spitalit “Mount Sinai” besojnë se kjo është një tjetër mënyrë se si koronavirusi mund ta shkatërrojë trupin e njeriut.

“Po vinim re shenja të mpiksjes së gjakut kudo, në vena, në këmbë, përtej asaj që ndeshet normalisht. Të gjithë ne besojmë dhe ka prova objektive, që kjo sëmundje rrit mundësinë empiksjes së gjakut”, thotë ai.

Një fakt shqetësues për doktor Mocco-n është mosha e pacientëve. Nga 32 pacientë me goditje në tru që ai ka trajtuar që kur virusi nisi të përhapej gjerësisht, pesë ishin nën 49 vjeç dhe më i riu ndër ta 31. Ai thotë se në disa raste, goditja në tru ishte simptoma e parë që tregtonte se një pacient ishte infektuar nga COVID-19.

“Shumë gjëra nuk i kuptojmë lidhur me COVID-19, pra nëse mpiksja është një simptomë se diçka po shkon keq me enët e gjakut, apo nëse mpiksja është sipmtoma e parë e sëmundjes, por pa dyshim dimë që virusi po shkakton shumë prej problemeve që ne po vëmë re”, thotë ai.

Ky zbulim ka çuar në përdorimin e protokolleve të reja të trajtimit të të sëmurëve me COVID-19. Tashmë shumë pacientë po marrin doza të larta të një ilaçi për hollimin e gjakut edhe pa pasur ndonjë shenjë të mpiksjes së gjakut.

voa

Universiteti i Oksfordit fillon provat klinike për vaksinë kundër koronavirusit

VaksinaShkencëtarët britanikë kanë përzgjedhur 100 individë dhe kanë filluar provat klinike për një vaksinë kundër koronavirusit. Kjo tentativë në Universitetin e Oksfordit është një ndër disa prova që po zhvillohen në laboratore të ndryshme të botës me shpresën për të gjetur një mënyrë për mbrojtje nga infektimi.

Dy të rinj, Edward O’Neill dhe Elisa Granato, të dy shkencëtarë, kanë dalë vullnetarë për vaksinën e re që shpreson të zhvillojë një grup kërkimor në Universitetin e Oksfordit.

“Jam shkencëtare, prandaj dua ta provoj. Dua të mbështes shkencën, procesin shkencor. Ngaqë nuk studioj viruset, jam ndjerë disi pa vlerë këto ditë. Prandaj e mendova si mënyrë të thjeshtë për të mbështetur këtë kauzë,” thotë Elisa Granato, pjesëmarrëse në provë.

30- vjeçari O’Neill thotë se e kupton rrezikun, por ka besim tek ekipi kërkimor:

“Nuk mendoj se është e mundur të përjashtosh plotësisht rrezikun, por besoj se kur u futesh këtyre gjërave duhet t’u hysh me bindje. Duhet të besosh se po bëjnë të pamundurën dhe se e dinë që kjo është punë e rëndësishme,” thotë pjesëmarrësi në prova, Edward O’Neill.

Ai madje ka marrë edhe mbështetjen e bashkëshortes për këtë mision:

“Gruaja është plotësisht në dieni. Djali mendon se shkova në punë. Në fakt, edhe kjo është punë, por për diçka jashtë normales,” thotë O’Neill.

Shkencëtarët në Oksford thonë se fokusi kryesor i provave aktuale është për të parë nëse vaksina funksionon kundër koronavirusit dhe nëse ka apo jo efekte anësore,

Sarah Gilbert është profesore e vaksinologjisë në Oksford:

“Unë personalisht kam shumë besim tek vaksina, sepse është teknologji që e kemi përdorur përpara për të bërë shumë vaksina të tjera. Po ashtu kemi bërë një numër studimesh tek kafshët,” thotë profesorja e Universitetit të Oksfordit, Sarah Gilbert.

Ekipi i Universitetit të Oksfordit thotë se paralelisht me provat po punohet për të prodhuar miliona doza të kësaj vaksine ende pa marrë rezultatet e provave. Por çdo gjë do të bëhet në bazë të protokollot të duhur, me të gjitha masat e sigurisë shprehet Profesore Gilbert:

“Unë jam shumë optimiste se do të funksionojë. Po testojmë efikasitetin për të parë çfarë rezultati jep. Nuk duam në asnjë mënyrë të sugjerojmë se kjo vaksinë mund të përdoret në popullatën e gjerë para se të provojmë se funksionon dhe se të mbron nga infektimi,” thotë Profesore Gilbert.

Aktualisht po zhvillohen prova me rreth 100 vaksina kandidate nga laboratore në mbarë botën. Të paktën pesë prej tyre janë në fazën e testimit paraprak në njerëz, apo në fazën e provave klinike.

voa

OBSH paralajmëron ndaj zbutjes së masave për Coronën

OBSHEdhe pse nga disa vende evropiane po vijnë sinjale pozitive Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdon ta konsiderojë situatën në Evropë si “shumë shqetësuese”.

Zyra Rajonale Evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron prej heqjes së përshpejtuar të masave mbrojtëse për Coronën në Evropë. Megjithë “sinjalet pozitive” nga disa vende, është ende shumë herët për të folur për suksese, tha drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge. “Kjo nuk është koha për zbutjen e masave”. Në vend të kësaj duhet të “dyfishohen dhe trefishohen” përpjekjet për të kufizimin e virusit.

Situata në Evropë ende shumë shqetësuese

Kluge tha në konferencën e tij javore për shtyp se në lidhje me krizën e Coronës situata në Evropë është ende “shumë shqetësuese”. Ai bëri thirrje që masat të përforcohen në tri fusha: mbrojtjen e punonjësve të shëndetësisë, ndarjen e njerëzve të shëndetshëm prej atyre që dyshohet se jane infektuar dhe komunikimin me popullatën. Për këtë duhet që shtetet të bashkëpunojnë edhe më afër: “Një vend nuk mund ta luftojë ose ta ndalojë i vetëm Covid-19″ – tha ai.

Gjermania, Austria, Norvegjia dhe Danimarka kanë njoftuar se do të lehtësojnë gradualisht masat kufizuese që kishin marrë për të frenuar pandeminë e virusit Corona.

dw

Kryeministri në detyrë Kurti priti në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë

Albini me QUINTKryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot gjatë ditës kanë pritur në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përkatësisht ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Philip Kosnett, ambasadorin e Gjermanisë, z. Christian Heldt, ambasadoren e Francës, znj. Marie-Christine Butel, ambasadorin e Britanisë së Madhe, z. Nicholas Abbott, ambasadorin e Italisë, z. Nicola Orlando, dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova.

Fillimisht, Kryeministri në detyrë i njoftoi ambasadorët mbi mbarëvajtjen e vendimeve të Qeverisë për menaxhimin dhe parandalimin e COVID-19 dhe me situatën aktuale me numrin e të infektuarëve si dhe gjendjen e tyre. Ai po ashtu i njoftoi se pas Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria në detyrë po zhvillon përgatitjet e nevojshme për hartimin e pakos së dytë financiare, e cila do të ketë për qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë pas goditjes nga pandemia.

Më pastaj, në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se veprimet e fundit të Presidentit Thaçi janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik. Ai shtoi se, si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar Qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar. Veprime të tilla shkojnë kundër vullnetit të qytetarëve dhe janë cenim i parimit të demokracisë.

kryeministria

GJENDJA E JASHTËZAKONSHME DHE ORA POLICORE

qeveria e rmvRepublika e Maqedonisë së Veriut prej më 19 mars të vitit 2020, është në gjendje të jashtëzakonshme.

Çdo ditë pune, nga e hëna deri të premten do të jetë e lejuar lëvizja e qytetarëve prej në ora 05:00 të mëngjesit deri në orën 19:00. Ndalimi në lëvizje në gjithë vendin do të fillojë në ora 19:00 dhe do të zgjasë deri në orën 05:00 në mëngjes.

Ndalimi për lëvizje gjatë fundjavës do të fillojë prej në ora 15:00 të shtunën dhe do të zgjasë deri të hënën në orën 05:00 të mënegjesit.

Për personat e moshës mbi 67 vjeçare do të lejohet lëvizja çdo ditë punë prej orës 05:00 deri në orën 12:00 pasdite. Të shtunën, për personat e moshës mbi 67 vjeçare do të lejohet lëvizja prej orës 05 të mëngjesit deri në orën 11 të mëngjesit.

Të rinjtë deri në moshën 18 vjeçare, do të mund të dalin prej të hënës deri të premten prej në ora 13:00 deri në orën 19:00. Të shtunën, të rinjtë deri në moshën 18 vjeçare do të mund të dalin prej në ora 12:00 deri në orën 15:00.

Të gjithë qytetarët janë të obliguar të mbajnë pajisje personale mbrojtëse në fytyrë kur dalin jashtë shtëpisë së tyre, gjegjësisht gjatë lëvizjes në vende dhe hapësira publike të tipit të hapur dhe të mbyllur, në tregje, në transportin publik dhe gjatë hyrjes në hapësira të mbyllura ku mblidhen më shumë njerëz (institucione shtetërore, markete, shitore, banka, posta, dhoma të pritjes, institucione shëndetësore e të ngjashme).

Të gjithë qytetarët janë të obliguar në selitë, filialet dhe objektet në të cilët e kryejnë veprimtarinë e tyre, të sigurojnë mbajtjen e pajisjes personale mbrojtëse mbi hundë dhe gojë për të gjithë personat fizik të cilët punojnë dhe të ndalojnë hyrjen dhe lëvizjen në këto hapësira për çdo person fizik i cili hyn si vizitor në këto hapësira e i cili nuk mban pajisje personale mbrojtëse.

Të gjithë personat fizik nga vendi dhe jashtë tij, simptomatik dhe asimptomatik, të cilëve u është bërë testimi për praninë e virusit korona KOVID – 19 në organizmin e tyre, vendosen në vetizolim të detyrueshëm dhe atë nga çasti i marrjes së materialit për testim (tampon nga goja, tampon nga fyti, tampon nga hunda, gjak e të ngjashme), deri në çastin e marrjes së rezultatit negativ.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut

Kosovë: Diplomatët perëndimorë nuk mbështesin asnjë pozicion politik

PrishtinaAmbasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, thanë të enjten se takimet e tyre me udhëheqës politikë dhe institucional nuk nënkuptojnë mbështetje për ndonjë pozicion të caktuar.

Në një deklaratë të përbashkët, këto ambasada thanë se dëshirojnë të njoftojnë që “ne bëjmë takime me udhëheqës politikë dhe institucionalë që t’i dëgjojmë pikëpamjet e tyre dhe për të marrë informata, në mënyrë që t’i mbajmë qeveritë tona të informuara lidhur me zhvillimet. Pjesëmarrja në takime të tilla nuk sinjalizon miratim ose mbështetje për ndonjë pozicion të veçantë apo rrjedhë veprimesh. Kjo është në përputhje me praktikën normale diplomatike”, thuhet në komunikatë.

Këto komente u bënë pak orë pasi që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se i ka njoftuar ambasadorët perëndimorë “se shumica absolute e partive politike janë në favor të formimit të qeverisë së re pa shpërbërjen e Kuvendit dhe konform këtij vullneti të shprehur dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës ka kërkuar nga LDK-ja kandidatin apo kandidaten për të formuar Qeverinë e re”.

Më herët gjatë ditës Lidhja Demokratike e Kosovës Avdullah Hotin mandatar për formimin e qeverisë së re të Kosovës, pak kohë pasi mori kërkesën nga presidenti Hashim Thaçi për emrin e mandatarit të mundshëm.

Lëvizja Vetëvendosje i cilëson këto zhvillime jokushtetuese dhe ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nëse presidenti mandaton dikë jashtë kësaj lëvizjeje, që është fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u takua po ashtu me diplomatët perëndimorë të cilëve, siç thuhet në një njoftim, u tha se “veprimet e fundit të Presidentit Thaçi janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik. Ai shtoi se, si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar Qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar. Veprime të tilla shkojnë kundër vullnetit të qytetarëve dhe janë cenim i parimit të demokracisë”.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti u rrëzua me një mocion votëbesimi të ngritur nga Lidhja Demokratike më 25 mars.

voa

Kurti i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të respektojë legjislacionin në fuqi

qeveriaKryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës një parashtresë përmes të cilës ka theksuar shqetësimet e Qeverisë në lidhje me procedurat që po zhvillohen pranë kësaj Gjykate pas kërkesës së dorëzuar nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri në detyrë ka theksuar rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese gjatë zhvillimit të procedurave. Ai i ka kërkuar Gjykatës që të respektojë afatet ligjore të përcaktuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese i cili i njeh Qeverisë një afat prej 45 ditësh për t’u përgjigjur në kërkesën e dorëzuar, dhe jo një afat 4 ditor sikurse e kishte theksuar Gjykata në njoftimin e saj.

Po ashtu, ai theksoi shqetësimin se për dallim nga rasti konkret, ku po procedohet me kërkesën e deputetëve të Kuvendit, ndonëse të njëjtit nuk e kanë qartësuar dhe saktësuar kërkesën e tyre, në praktikën e Gjykatës Kushtetuese ka disa raste të cilat janë refuzuar në procedurë të shkurtër sipas Rregullit 35.5 të Rregullores së Punës së Gjykatës.

Për fund, Kryeministri në detyrë ritheksoi faktin se Qeveria me tërë kapacitetin e saj është e përkushtuar në luftën kundër infeksionit COVID-19 dhe pret që Gjykata, ngjashëm sikurse institucionet ekuivalente me të në shtetet perëndimore, të tregojë kujdes të veçantë ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

kryeminstria

Albin Kurti mbi takimin e presidentit Thaçi me partitë politike në Kosovë

Albin KurtiPas thirrjes për moszbatim të vendimeve të qeverisë, kjo e sotmja është përpjekja më e egër e Presidentit për të shthurur rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Vullnetin e shprehur me votë nga qytetarët po përpiqet që ta mbyllë me një dekret antikushtetues ku do të përjashtojë partinë e parë fituese të zgjedhjeve. Nga roli unifikues dhe nga kompetencat që ia përcakton kushtetuta, Presidenti sot doli në ilegalitet. Andaj formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese pa dyshim.

Është e qartë që këtë mundësi Presidentit ilegalisht, ia dhanë krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilët paraprakisht me vullnet braktisën çdo fjalë të thënë e të dhënë ndaj qytetarëve dhe ndaj nesh.

Me këso veprimesh e taktikash shpaloset përpjekja për të blerë ilegalisht kohën që ua shkurtoi vullneti i votuesve më 6 tetor.

Kështu, në mes të pandemisë u organizuan dhe komplotuan kundër sigurisë së shëndetit publik e kundër qeverisë legjitime duke e orkestruar mocionin e mosbesimit në Kuvend.

Presidenti Thaçi vazhdon të thirret në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO 103/14, por veprimet e tij, të cilat qartazi janë në kundërshtim me nenet e Kushtetutës të cilëve ai ju referohet dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të cilin ai e përmend, tregojnë se ai dhe stafi i tij nuk i kanë lexuar mjaftueshëm dhe me kujdes të njëjtat. Ose, mbase edhe s’i kanë kuptuar, ku i dihet.

Presidenti sot ka zhvilluar takime konsultative me përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend me qëllim të vlerësimit të interesit të partive politike për zgjedhje të reja apo formim të Qeverisë së re. Por, nuk është në kompetencën e Presidentit të Republikës së Kosovës vlerësimi i interesave të partive politike, por mbrojtja e interesit shtetëror. Çfarë rendi kushtetues paskeshim ne që me i mbledh partitë dhe me i pyet se si dëshirojnë të procedojnë? Kjo çka ka ndodhur sot është e paparë më herët dhe rrezikon seriozisht rendin tonë kushtetues e bazën mbi të cilën kemi formuar rendin parlamentar.

Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, përmes të cilit është shkarkuar Qeveria e Republikës së Kosovës, Presidentit nuk i krijohet hapësirë që të luaj rolin e një akteri politik duke tentuar të imponojë vullnetin e tij në jetën politike. Presidenti në Republikën Demokratike Parlamentare të Kosovës është figurë pasive politike e jo aktive.

Presidentit të Republikës së Kosovës, si organ kushtetues, një mocion mosbesimi i jep të drejtën që të përmbushë vetëm një veprim të përcaktuar nga kushtetutëdhënësi. Pra, shpërndarjen e Kuvendit në përputhje me nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Se kjo është procedura e vetme të cilën e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vënë asnjëherë në dyshim as në praktikën e deritanishme kushtetuese. Se nuk ka pasur asnjëherë takime konsultative me partinë politike që ka fituar shumicën në Kuvend është një fakt notor i njohur nga të gjithë. Se presidenca shpërfill rastet e vitit 2010 dhe 2017 kur është shpërndarë Kuvendi dhe janë shpallur zgjedhjet në po të njëjtën ditë kur mocioni i mosbesimit është votuar në Kuvend, po ashtu është një fakt i mire njohur.

Në fakt, se zgjedhjet janë opsioni i vetëm pas një mocioni të suksesshëm të mosbesimit është theksuar edhe nga vet Presidenti në vitin 2010, kur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të datës 02.11.2010 kur kanë kërkuar votat pro mocionit të mosbesimit ai ka theksuar se “Sot besoj se do të votoni drejt duke i vënë fund krizës institucionale e politike e pastaj të dilni para qytetarëve në zgjedhje të reja për të rimarrë besimin e tyre. Duke e bërë një veprim të tillë, i cili është plotësisht në përputhje me kushtetutën tonë, ju i hapni rrugë krijimit të institucioneve të reja më të fuqishme të shtetit tonë me një legjitimitet të ri.

Ështe krejtësisht e pakuptueshme për mua se mbi çfarë po ndërtohet ky standard i dyfishtë i cili jo që nuk po ndihmon në menaxhimin e krizës aktuale, por përkundrazi, po e thellon vendin në një krizë tjetër të panevojshme. Krizë pasigurie dhe frustrimi.

Situata aktuale njëmend nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve tash për tash, dhe kjo është diçka që ne nuk kemi kërkuar të bëhet tani, por sapo të krijohen kushtet pas kalimit të pandemisë. Ajo që nuk e kam të qartë, është standardi i dyfishtë që Presidenti dhe partitë politike po tentojnë ta imponojnë në rrugë jokushtetuese, pas atij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme. Edhe pse dy herë kam kërkuar përgjigje me shkrim në lidhje me këtë, akoma s’kam marrë asnjë përgjigje dhe e kam të vështirë të kuptoj logjikën me të cilën ky President po navigon.

Nuk ka asgjë kushtetuese e legjitime në këso veprimesh e deklarimesh të presidentit. Nuk i ka ato kompetenca për të përcaktuar ai vet a refuzuam a jo, apo si duhet të duket qeveria e vendit tonë. Duke u mundur të na rrëzojë ne është duke e rrëzuar veten, edhe atë pakthyeshëm.

Sot njëzëri, një klub i stërvjetëruar politikisht kumtoi se nuk janë për zgjedhje. Duke thënë kështu të vërtetën e tyre të madhe: frikën nga përballja me vullnetin qytetar.

Unë sonte dëshiroj të ritheksoj se prioriteti im i parë si kryeministër, si dhe prioriteti i parë i gjithë Qeverisë të cilën e udhëheq, është parandalimi i përhapjes së mëtejshme të virusit COVID-19, dhe çdo çështje tjetër partiake apo politike nuk ka asnjë rëndësi,  duke përfshirë në veçanti ndërhyrjet e vazhdueshme, të cilat po e pengojnë punën e Qeverisë në mes të një gjendjeje emergjente të shëndetit publik.

Albin Kurti