Palmer: SHBA-të nuk i mbajnë anën askujt në Kosovë

PalmerZëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, njëherësh i dërguar i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Kosova dhe Serbia do t’u rikthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Gjatë një debati mbi Angazhimin Strategjik të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, Egje dhe në Turqi gjatë pandemisë së koronavirusit, të organizuar nga Fondi Gjerman Marshall, ai tha se normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për të hapur rrugën evropiane për të dyja vendet. Por, tha ai, ende ka shumë punë për të bërë.

Kosovës i duhet një qeveri. Ne po presim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapte rrugën zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë. Dua të nënvizoj se Shtetet e Bashkuara nuk duan të ndikojnë procesin në asnjë mënyrë, nuk duam të zgjedhim qeverinë e re të Kosovës, nuk kemi favorit, nuk mbajmë anë. Ajo çfarë duam të shohim është një proces që është i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës dhe kuadrin ligjor të Kosovës, që prodhon një qeveri që është përfaqësuese dhe ka fuqi të angazhohet në procesin e bisedimeve”, tha ai.

Zoti Palmer nuk deshi të flasë për afatet dhe lidhjen e mundshme të zgjidhjes së kësaj çështjeje me zgjedhjet presidenciale amerikane, por theksoi se “po përpiqemi të ndihmojmë palët që të gjejnë një zgjidhje”.

Bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe. Tashmë këto tarifa janë hequr dhe zëvendësuar me masa të reciprocitetit nga ana e qeverisë së Kosovës, një hap që nuk është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Në fillim të muajit mars Korporata “Sfidat e Mijëvjeçarit”, pezulloi programet për Kosovën ndërsa theksoi se rifillimi i tyre do të varet nga qëndrimi i qeverisë së Kosovës për tarifat ndaj mallrave serbe.

Me sa di unë Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit po pret demonstrim nga autoritetet e Kosovës që janë të interesuara për të ndjekur një hapje më të gjerë ekonomike që siguron mundësi më të mira për zhvillim ekonomik dhe vende pune. Ajo që duam të shohim është jo vetëm pezullimi i tarifave por edhe heqjen e masave reciproke. Shpresoj se do të shohim përparim në këto çështje dhe Korporata do të rikthehet me programet e saj”, tha zoti Plamer.

Shtetet e Bashkuara ndanë 20 milionë dollarë për Ballkani në kohë pandemie

Duke folur për situatën rreth pandemisë së COVID-19, zoti Palmer vlerësoi, siç tha, frymën bashkëpunuese, duke veçuar mënyrën se si “Serbia dhe Kosova lanë anash dallimet politike dhe punuan së bashku për ofrimin e ndihmës përtej kufijve për të lehtësuar lëvizjen e personelit mjekësor e pajisjeve dhe furnizimeve humanitare, përfshirë ushqimet”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë investuar miliarda dollarë për të nxitur qeverisjen e mirë, transparencën, llogaridhënien, sundimin e ligjit dhe ky është themeli mbi të cilin qeveritë në rajon ishin në gjendje të përgjigjen në mënyrë të efektshme kundrejt koronavirusit.

“Vetëm për të përballur krizën me COVD-19 Shtetet e Bashkuara kanë ndarë rreth 20 milionë dollarë si ndihmë e drejtpërdrejtë për vendet e Ballkanit”, tha ai.

Por,tha zoti Palmer, në rajon ka ende sfida dhe tensione, ndërsa “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë në partneritet me vendet e rajonit dhe me partneret dhe aleatët tanë evropian për të mbështetur zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin në familjen e kombeve evropiane”.

Ai tha se partneriteti transatlantik është shumë me rëndësi për t’u përballur me çështje sfiduese.

Në Ballkan e kemi parë posaçërisht përgjatë viteve se kur Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja punojnë ngushtë në partneritet dhe frymë bashkëpunuese, mund të bëjmë gjëra shumë të mira”, tha zoti Palmer.

Zoti Palmer vlerësoi me rëndësi historike vendimin e BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi se procesi i integrimit të rajonit do të jetë një proces i gjatë.

“Mendoj se kemi investuar kohë dhe përpjekje për të mbështetur integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, qoftë nëpërmjet mekanizmave ekzistues sic është CEFTA por edhe nismave të reja siç është ajo për mini Shengenin që është nismë rajonale”, tha ai.

Perëndimi përballë Rusisë dhe Kinës në Ballkan

Zoti Palmer tha se Rusia dhe Kina kanë dëshmuar se “janë të paturpshme” në fushën e dezinformimit, posaçërisht Rusia e cila sipas tij ka pasur njëfarë suksesi përgjatë viteve duke “ngritur tensionet, mosbesimin, duke ngritur mure aty ku njerëzit duhet të ndërtojnë ura. Ky ishte një shqetësim për një kohë dhe mendoj se pandemia e COVID-19 i ka shtuar shqetësimet”.

Megjithatë, ai tha se është inkurajuese që vendet e rajonit janë të ndërgjegjshme për këtë sfidë dhe janë të interesuar të rrisin mundësitë për t’iu kundërvënë.

Zoti Palmer ngriti edhe çështjen e cilësisë së ndihmës së ofruar nga Rusia dhe Kina në rajon, një pjesë e së cilës tha ai, madje nuk është as ndihmë por tregti.

E kuptojmë vlerën e diplomacisë publike të avionëve me flamuj në bisht, që aterrojnë në fazat e hershme të krizës dhe shkarkojnë pako. Nganjëherë nuk ka rëndësi se cfarë ka në ato pako. Ka rëndësi demonstrimi i dukshëm i mbështetjes dhe për të krijuar argumentin se përgjigja nga perëndimi, nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, nuk ishte e shpejtë sa duhet”, tha ai duke nënvizuar se ajo që është ofruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ofruar për këto vende lë nën hije çdo gjë që Moska apo Pekini kanë ofruar.

Zoti Palmer tha se Pekini që nga fillimi nuk pati qëndrim të drejtë. “Ata nuk ishin të vullnetshëm të ndajnë ato që dinë me pjesën tjetër të botës rreth sëmundjes, çfarë po ndodhë në Kinë. Ata fshehën dhe nuk deshën të jenë transparent rreth natyrës së kësaj sfide dhe të gjithë ne po paguajnë çmim për këtë”.

voa

Si vlerësohet në Kosovë Gjykata Speciale

Ekaterine Trendafilova Den HaagNjë Gjykatë Speciale pritet të merret tani, 20 vjet pas luftës së Kosovës me krimet kundër njerëzimit. Pyetja se kundër cilëve anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare UÇK, do të ngrihet akuzë është pyetje e nxehtë në Kosovë.

Në qershor 1999, ushtarë gjermanë të KFOR-it u qëlluan në Prizren nga një makinë e markës Lada. Janë të shtëna që vijnë prej serbëve që ndodhen në largim, pasi futja e trupave shënoi fundin e luftës së drejtuar nga NATO. Pas tërheqjes së serbëve ndodhin akte hakmarrëse kundër civilëve. Kryesisht kundër serbëve, por edhe kundër romëve ose shqiptarëve të Kosovës, për të cilët dyshohej se kishin bashkëpunuar. Ata burgosen, torturohen, përdhunohen, vriten dhe rrëmbehen.

Kirurgu serb Andrija Tomanovic zhduket më 24 qershor 1999 në mes të ditës në Prishtinë. Gruaja e tij, Verica, nuk e sheh më kurrë të shoqin. „Ai ndodhej në spital deri në orën 13:00 dhe ishte në mbledhje me kolegët. Pastaj mori në telefon vajzën dhe i tha që ishte duke ardhur në shtëpi. Kjo ishte e gjitha. Pastaj nuk morëm më gjë vesh për të. Në shtëpi nuk erdhi kurrë. Ne dëgjuam thashetheme, sipas të vilave ai është rrëmbyer nga dy burra, që e kanë futur në makinë. Përveç kësaj nuk kemi më asnjë informacion dhe jemi shumë të dëshpëruar.“

Sqarimi i krimeve të kësaj natyre janë në qendër të kësaj mbrëmjeje informimi në bibliothekën Hivzi Sylejmani në Prishtinë. Corona nuk është kthyer ende në temë këtu, dhe një projektor lëshon në mur imazhe të bardha dhe të purpurta. Rreth 15 studentë janë ulur në karrige ngjyrë portokallije dhe shikojnë kolonat dhe organigramet, që shpjegojnë si është ndërtuar Gjykata Speciale ndërkombëtare për Kosovën.

Një ekip i tribunalit i përgjigjet pyetjeve. Edhe ato të Burbuqe Kastratit. Unë kam lindur në fund të viteve nëntëdhjetë, prandaj nuk kam kujtime politike mbi luftën dhe konfliktin. Unë kam pasur fat dhe jam rritur në paqe. Por në kujtesën e njerëzve lufta dhe konflikti janë ende të gjalla, dhe ne duhet të konfrontohemi me të kaluarën.”

Michael Doyle ka përpara një tufë me dosje. Ai është amerikan dhe drejton ekipin vendas të Gjykatës. Ai mban veshur një xhaketë kostumi të veshur mbi këmishën bojë qielli. Mban po ashtu syze me skelet metali. Tribunali i Kosovës bën hetime për kohën 1998 deri 2000. Për periudhën në të cilën është zhdukur edhe kirurgu, Tomanovic.

„Gjykata Speciale e Kosovës ka mandatin të hetojë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera që kanë ndodhur duke shkelur ligjet e atëhershme. Bëhet fjalë për krime që kanë ndodhur në Kosovë, ose që kanë filluar të ndodhin në Kosovë, dhe janë kryer nga doras ose kundër viktimave që vijnë nga Kosova ose nga Republika Federale e Jugosllavisë. Dhe bëhet fjalë për krime që kanë lidhje me raportin e Këshillit të Europës të vitit 2011.“

Çështja kryesore

Raporti i Këshillit të Europës të ish-të dërguarit special Dick Marty njihet prej shumë vetëve në Kosovë. Marty, zviceran, ngre akuza të rënda kundër UÇK, ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo luftoi për pavarësimin e ish-provincës serbe të Kosovës dhe gëzon status heroik. Njëkohësisht thuhet se, ajo ka lidhje me vepra shumë të rënda, mes të cilave rrëmbim dhe tortura, vrasje ilegale dhe vrasje të civilëve serbë dhe kosovarë. Po ashtu akuzat ekzistojnë edhe për kriminalitet të organizuar si tregti droge, si dhe vrasje e kundërshtarëve politikë.

Gjykata Speciale për Kosovën në Hagë nuk merret me organizata të caktuara, thekson Solene Moutier. Francezja me flokë ngjyrë kafe punon për ekipin vendas të Tribunalit të Hagës dhe është ulur përballë Michael Doyle, duke parë imazhet me ngjyrë të bardhë dhe të purpurtë.

„Kjo gjykatë merret vetëm me persona të veçantë dhe vetëm me përgjegjësi individuale. Akuzat ngrihen kundër njerëzve që janë përgjegjës për vepra që i kanë kryer si persona të veçantë, jo si përfaqësues të një grupi, një komuniteti, apo një etnie. Kemi të bëjmë vetëm me vepra individuale. Por kjo nuk do të thotë se për vepra të caktuara, Gjykata mund të akuzojë vetëm një doras. Ajo mund të akuzojë edhe dikë që e ka organizuar veprën ose ka dhënë idenë për të. Mund të akuzojë dike që është më lart në post, i cili nuk e ka penguar kryerjen e krimit ose që nuk e ka dënuar dorasin për krimin e bërë.”

Solene Moutier nuk e zë në gojë UÇK-në. Një student i ri me flokë të zeza që ndodhet mes publikut bëlbëzon tërë kohën. Deri sa një moment e ngre zërin. „Unë mendoj se kemi të bëjmë me një gjë thelbësore, të cilën jemi duke e injoruar. Ne e dimë shumë mirë se Gjykata u krijua duke u bazuar në raportin e Dick Marty-t. Dhe kemi të bëjmë gjithnjë me anëtarë të UÇK. Dhe ne mund të flasim hapur për këtë gjë.“ Pjesa më e madhe pohojnë me kokë. Ata mendojnë se përgjigjet që jep ekipi i Hagës janë shumë të përgjithësuara, edhe kur bëhet  fjalë për akuzat e mundshme që mund të ngrihen.

Michael Doyle i njeh mirë këto lloj reagimesh. Raporti i Këshillit të Europës thotë se anëtarë të UÇK kanë bërë krime. Por a mund të luajë raporti rol në gjyq apo jo, varet vetëm nga akuza dhe nga gjykatësi.

Samire Rexhepi ndihet e provokuar nga një mendim i tillë. Në atë kohë dorasit kanë qenë serbët, jo shqiptarët. „Unë jam nga fshati Qirez, në afërsi të Likoshanit, ku janë vrarë më shumë se 20 vetë, mes të cilëve një grua shtatzënë. Unë kam qenë fëmijë dhe nuk më kujtohet çdo gjë që ka ndodhur atë ditë.”

E reja mësuese, vjen nga rajoni i Drenicës në Kosovën qendrore, ish kështjellë e UÇK. Kundërshtarët e UÇK, ishin në fillim policët serbë, pastaj ish-ushtarët e Ushtrisë jugosllave që dominohej nga serbët, ushtri që ekzistonte ende në atë kohë. Duke u drejtuar nga regjia e përgjakshme e kryetarit nacionalist të shtetit, Sllobodan Millosheviç, ata terrorizojnë njerëzit në Kosovë. Ata plaçkisin, shkatërrojnë dhe vrasin familje të tëra gjatë masakrave që kryejnë.

Salla pa dritare e bibliothekës Hivzi Sylejmani fillon të zbrazet dhe Bekim Blakaj e merr me qetësi. Ky burrë që duket i qetë dhe shtruar e ndoqi me vëmendje diskutimin e ndezur për Gjykatën e Hagës. Bekim Blakaj drejton Qendrën për të drejtën humanitare dhe lufton për shtetin e së drejtës dhe për përndjekjen sistematike të veprave të dënueshme, edhe të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Organizata është e pavarur dhe e ushtron veprimtarinë si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd.

Rreth 100 të vrarë dhe të plagosur nëpër atentate

„Me thënë të drejtën Gjykata ka ngjallur tek viktimat shpresa shumë të mëdha. Dhe mund të ndodhë që ata të zhgënjehen me shpresat e tyre. Gjykata Speciale nuk do të merret me të gjitha krimet për të cilat flitet në Raportin e Këshillit të Europës. Aq më tepër që nuk do të merret me të gjitha rastet e vrasjeve, që kanë ndodhur pas luftës dhe janë klasifikuar si vrasje politike.“

Nga viti 1998 deri në vitin 2005, janë vrarë dhe plagosur rreth 100 vetë nëpër atentate nga të cilat preken më shumë politikanë të „Ligës Demokratike të Kosovës“, të Ibrahim Rugovës, i cili mezi i shpëton edhe vetë një sulmi. Ndryshe nga UÇK, Rugova organizon rezistencën pa dhunë kundër serbëve.

Ai është Babai me ndikim shumë të madh në pavarësinë e Kosovës dhe ka qenë mbas fillimit të viteve nëntëdhjetë president i shtetit në hije të Kosovës. Sepse pala serbe i dëboi shqiptarët në mënyrë sistematike nga jeta publike. Mbas vitit 1996, shfaqet për herë të parë UÇK. Në luftën e Kosovës të drejtuar nga NATO mbas marsit të 1999, trupa e armatosur guerilase kthehet në aleate të Perëndimit. Në qershor të 1999-ës, serbët detyrohen të tërhiqen nga Kosova, dhe KFOR futet në Kosovë. Rruga e gjatë për pavarësinë e shumëdëshiruar të Kosovës është e lirë.

„Menjëherë me përfundimin e luftës pati një zhvillim, gjatë të cilit forcat e armatosura dhe jo UÇK e çarmatosur, filloi të përdorte dhunën e armëve. Bëhet fjalë për një deri dy muaj, mbas qershorit 1999, gjatë të cilit UÇK nuk ishte çarmatosur ende. Filloi të përdorte dhunë nga njëra anë për të zvogëluar postet me pushtet, që mbaheshin nga LDK. LDK nuk pati pushtet në situatën e luftës, por ajo kishte pozicione dhe struktura brenda shtetit paralel të shqiptarëve të Kosovës -që tani pas përfundimit të luftës, u morën nga të rinjtë që erdhën në pushtet, që ishin më të rinj në moshë dhe të armatosur. Dhe një nga metodat ka qenë vrasja politike.“ Kështu analizon historiani i Ballkanit, Konrad Clewing nga Instituti i Lajbnicit për studimet në Europën Lindore dhe Juglindore, në Regensburg.

UÇK shpërbëhet në shtator 1999, dhe çarmatoset zyrtarisht, por zemra e saj vazhdon të rrahë: Në shoqatën e veteranëve, një shoqatë me ndikim në Prishtinë. Duke kaluar krah flamurit të UÇK, me shqiponjën e zezë me dy krena, shkohet në zyrën e Hysni Gucatit. Kryetari i Shoqatës së Veteranëve, i veshur me një kuti me vija, i pret njerëzit rreth tavolinës së madhe prej druri.

“Ne nuk jemi kundër drejtësisë, por jemi kundër një gjykate të qëllimshme, edhe kundër Gjykatës Speciale të Kosovës, të cilën nuk e pranojmë sepse mendojmë se është raciste. Asnjë nga vrasjet dhe dhunimet për të cilat flitet, nuk është e vërtetë. E gjithë bota e di, që serbët kanë bërë krime lufte. Prandaj në Kosovë erdhën vendet më të mëdha europiane dhe SHBA. Sipas mendimit tim, UÇK sulmohet vetëm për t‘ i bërë qejfin Serbisë dhe Rusisë.“

Thashethemet lëvrojnë

Është ende e paqartë, kundër kujt dhe për cilat krime flitet në Hagë, por thashethemet kanë kohë që lëvrojnë. Sepse raporti i Këshillit të Europës së Dick Marty-t përmend emra, edhe atë të Hashim Thaçit, president i Kosovës dhe njeriu i orëve të para në UÇK. Epiteti që i kanë vënë, është gjarpër.

„Nëse Gjykata nuk thërret Hashim Thaçin për ta marrë në pyetje, atëherë le të mbyllet.“ Konstaton gazetari investigativ, Visar Duriqi. Kur parlamenti kosovar krijoi në vitin 2015 Gjykatën, Hashim Thaçi është ministër i Jashtëm. Lobi i UÇK lufton kundër stuhisë së krijuar, por Thaçi detyrohet që të votojë pro krijimit të Gjykatës.

Presioni që i bëhet Hashim Thaçit nga Brukseli dhe nga Uashingtoni është i madh dhe ai e formulon më vonë duke thënë: “Ajo që kam pas menduar më 2015 dhe që mendoj edhe sot, është se Gjykata Speciale është një padrejtësi historike për njerëzit në Kosovë. Komuniteti Ndërkombëtar na detyroi të krijonim Gjykatën duke kërcënuar me marrjen e masave drastike kundër Kosovës, nëse nuk e krijonim. Nuk ekziston asnjë Gjykatë që të mund të cënonte dinjitetin, integritetin dhe krenarinë e luftës sime për pavarësinë e Kosovës.“

Gjykata Speciale e Hagës është krijuar njësoj si sistemi juridik kosovar. Kryeprokuror është amerikani, Jack Smith. Gati pesë vjet pas krijimit të Tribunalit, ai bëri të ditur akuzën e parë. Një Gjykatë në Hagë është duke parë nëse akuza duhet ngritur tërësisht apo pjesërisht. Vendimi për akuzën e parë do të merret deri në fund të gushtit. Nuk dihet nëse Hashim Thaçi do të merret në pyetje nga Gjykata Speciale. Prokuroria në Hagë nuk e konfirmon as nuk e komenton pyetjen e bërë për këtë. Që nga viti 2019, një seri ish UÇK-shash kanë bërë publike thirrjen nga Gjykata. Mes tyre edhe presidenti shumëvjeçar i Parlamentit, Kadri Veseli. Më parë ai ka qenë shef i shërbimit të frikshëm sekret të UÇK, SHIK, i cili është shpërbërë ndërkohë.

Edhe ish komandanti i UÇK, Ramush Haradinaj e pati bërë publike thirrjen nga Gjykata, duke dhënë dorëheqjen si kryeministër në korrik 2019. Deklarata e tij e bërë mbas marrjes në pyetje ishte: „Jo, nuk e di pse. Ne kërkuam sqarime. Bëhej fjalë për rolin që kam luajtur unë në UÇK dhe aspekte të tjera, por jo për gjëra konkrete.“

Ramush Haradinaj ka përvojë me gjykatat ndërkombëtare. Në vitin 2005, ai u akuzua nga Tribunali Ndërkombëtar i Jugosllavisë. Për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së Kosovës. Mbas dy proceseve, Haradinaj u shpall i lirë më 2012. Një çlirim nga akuza me hije të gjata. Sepse dëshmitarëve që do të dëshmonin kundër tij iu bë presion, dhe iu morr jeta. Dëshmitarët luajnë rol të rëndësishëm edhe në Gjykatën Speciale. Krimet për të cilat bëhet fjalë, kanë ndodhur para një kohe të gjatë dhe nga hetimet në vendin e ngjarjes rezultatet janë të pakta.

Kush kërkon për lidhjet, jeton në rrezik

Bullgarja Ekaterina Trendafilowa është presidente e Gjykatës Speciale të Kosovës. Në nëntor të 2017, ajo bëri një vizitë që tërhoqi vëmendjen në Kosovë. Konferenca e saj e shtypit kishte publik të madh dhe shumë prej tyre ishin të interesuar edhe për mbrojtjen e dëshmitarëve.

„Kjo është një nga pikat më të rëndësishme për ne, dhe ne jemi duke punuar në mënyrë intensive. Ne në asnjë mënyrë nuk do ta ngrejmë punën tonë në kurriz të jetës dhe sigurisë së atyre që kemi përballë.“ Por Kosova është e vogël dhe shumë ish-komandantë të UÇK janë ngritur duke u bërë pjesë e elitave më me influencë në politikë dhe ekonomi, thotë gazetari Visar Duriqi.

„Komandantët kontrollojnë pompat e benzinës, industrinë e ndërtimit dhe janë aktivë në bujqësi, ku përfitojnë nga subvencionet shtetërore… Kjo do të thotë që firmat kryesore që marrin para publike për ndërtimin e rrugëve apo ndërtesave shtetërore, mbajnë direkt ose indirekt nënshkrimin e tyre.“

Kush kërkon të mësojë për lidhje të tilla, jeton në rrezik. Serbeze Haxhiaj, punon për gazetat dhe portalet kosovare dhe të huaja, duke raportuar shumë për krimet e luftës në Kosovë. „Raportet për krimet që kanë bërë shqiptarët vazhdojnë të jenë tabu. Duhet të jesh shumë i kujdesshëm me faktet. Unë personalisht kam marrë kërcënime dhe më është bërë presion pikërisht për shkak të raporteve për krimet e mundshme nga të dy palët. Gazetarët që mundohen të raportojnë për krimet e mundshme të kryera nga shqiptarët gjatë dhe mbas luftës, kanë pasur deri tani një ngarkesë të madhe.

Kur bëhet fjalë për proceset për krimet e luftës ose krimet kundër njerëzimit, dëshmitarët kërcënohen, atyre u bëhet presion, ata vriten, thotë Serbeze Haxhiaj. Një rrezik, të cilin ajo nuk e përjashton si mundësi edhe për Gjykatësn Speciale. „Të akuzuarit e mundshëm do të mundohen të eliminojnë dëshmitarët, për të çliruar veten nga akuzat. Mbas 21 viteve, Gjykata do të mbështetet tek dëshmitarët, sepse faktet e tjera nuk janë më prezente.“

Mungon besimi tek mbrojtja e dëshmitarëve

Ky është një lokal i vogël në Graçanicë, afër Prishtinës. Ekipi vendas i Tribunalit të Hagës sapo ka treguar për mandatin dhe mundësinë e pjesëmarrjes së viktimave në proces. Por çështja nuk duket se ngjall shumë interes. Në këtë qytezë të vogël jetojnë kryesisht serbë, njëri prej të cilëve është Oliver Vujovic. Besimi tek mbrojtja e dëshmitarëve do të mungojë, sepse në Kosovë presioni që bëhet nga pushtetarët politikë është gjë e zakonshme. Në punë, gjatë zgjedhjeve, dhe natyrisht edhe para Gjykatës. „Ne jemi duke folur për dëshmitarët. Para se ata të shkojnë të dëshmojnë, u vjen dikush në shtëpi dhe u shtin frikën. Unë nuk po flas për Haradinajn, për njerin apo për tjetrin. Por nëse një i tillë ka pushtet, atëherë njerëzit kanë frikë të flasin.“

Që nga fillimi i 2018, ekipet vendase të Gjykatës Speciale kanë zhvilluar më shumë se 50 takime në Kosovë. Solene Moutier ka folur me shumë njerëz në Pejë, në Mitrovicë, Prizren dhe Prishtinë.
„Gjykata është një gjë që diskutohet, njerëzit kanë mendime të ndryshme për Gjykatën. E rëndësishme është të thuhet se ne nuk vijmë në Kosovë për të bindur njerëzit se Gjykata është një gjë shumë e mirë. Ne nuk mundohemi të ndikojmë mbi perceptimin e njerëzve, por duam të informojmë dhe t’i përgjigjemi pyetjeve.“

Në Kosovë mungon besimi për bashkëjetesën paqësore midis njëri tjetrit, thotë duke shprehur keqardhjen aktivisti serb, Oliver Vujovic. „Tek pajtimi nuk të çon vetëm Gjykata. Ne kemi kaq shumë probleme. Ne mësojmë histori të ndryshme dhe nëse serbët dhe shqiptarët duan të jetojnë bashkë, ata duhet të mësojnë të njëjtën histori, dhe të vazhdojnë hap pas hapi më tej“.

Studentja kosovare shqiptare Burbuqe Kastrati, flet po ashtu në drejtim të ngjashëm: „Në këtë rajon ne mësojmë vetëm për njërën anë të luftës dhe unë mendoj se është gabim i madh, ky që bëjmë ne në rajon. Drejtësia ndërshtetërore mbetet një çështje e rëndësishme, ne duhet të punojmë më shumë në këtë drejtim. Dhe të sqarojmë çfarë ka ndodhur këtu në vitet nëntëdhjetë.“

Pa drejtësi të pavarur dhe pa bashkëpunim nuk mund të përndiqen krimet, thotë aktivisti për të drejtat e njeriut, Bekim Blakaj. Sepse ai e di se janë dorasit ata që e pengojnë drejtësinë. „Viktimat nuk përfitojnë asgjë nga status quo-ja. Viktimat e krimeve të luftës bëhen edhe një herë tjetër humbësit më të mëdhenj. Dhe ata që kanë bërë krime lufte fitojnë edhe një herë, sepse ata nuk dënohen.“

 

Autore: Andrea Beer, dlf

Covid 19: 38 raste të reja, 3 të vdekur dhe 16 persona të shëruar

e enjteMinistria e Shëndetësisë informon se në gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 560 testime dhe janë regjistruar 38 raste të reja të COVID-19 edhe atë: – Shkup 24 – Kumanovë 4 – Shtip 4 – Tetovë 3 – Negotinë 2 – Manastir 1.

Fatkeqësisht u regjistruan edhe 3 të vdekur prej tyre, në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendjes Febrile, ndërroi jetë një pacientë 74 vjeçar, i trajtuar në klinik prej me 21 majit, ndërsa në spitalin ‘’8 shtatori’’ ndërroi jetë një pacient 57-vjeçar i hospitalizuar prej me 23 maj “.  Në Institutin e shëndetit publik nga Spitali i Remedikës aritën strishiot-materiali pas vdekjes (post-mortum) për analizë për një pacientë nga Shkupi (53 vjeçar) dhe ai rezultoi pozitiv për COVID-19.

Instituti i Shëndetit Publik sot regjistroi 16 pacientë të rikuperuar: – Veles 9 – Prilep 4 – Shkup 1 – Kumanovë 1 dhe  Manastir 1.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 2077, numri i pacientëve të rikuperuar është 1486, numri i të ndjerëve është 122 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 469.

Në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 3 raste të reja, fatkeqësisht u regjistrua edhe 2 të vdekur nga territori i Tetovës, dhe nuk kemi asnjë të shëruar, numri i pacientëve aktiv me covid-19 është 71.

Ja edhe renditja e qyteteve me  rastet më të larta aktive :
• Shkup – 771, aktiv 232

• Tetovë – 182, aktive 71

• Prilep -211, aktiv 43

• Velesi – 128, aktiv 31

• Kumanova – 442, aktive 36

• Shtip-54, aktiv 19

• Struga – 77, aktive 9

• Ohër-23, aktiv 8

• Manastir –29, aktiv 7

• Gostivar-22, aktiv 4

 

Ismail Kadare në një intervistë me gazetarin Adi Krasta

Ismail Kadare, është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, një shkrimtar i pazakontë, i lidhur shumë ngushtë me fatin e popullit të vet. Në një intervistë ekskluzive në programin “E Diell” e vitit 2008 me gazetarin Adi Krasta, në rubrikën #Nostalgji si çdo të martë, “Shkrimtari nuk ka asnjë detyrim para askujt dhe vetëm para ndërgjegjes dhe artit të vet” https://youtu.be/ZnAHK4oVIWY

tch

Produktet nga Serbia rikthehen në tregun e Kosovës

Merdare nga arkiviProduktet e prodhuara në Serbi janë rikthyer në tregun e Kosovës, që kur Qeveria në detyrë e Kosovës ka zëvendësuar taksën 100 për qind për produktet serbe, me masat reciproke më 1 prill të këtij viti.

Sipas Doganës së Kosovës, nga 1 prilli deri më datë 25 maj nga Serbia në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë 29 milionë euro, kryesisht produkte ushqimore dhe grurë.

Gjatë muajit prill, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, importi i mallrave nga Serbia në Kosovë ka arritur në vlerën mbi 15 milionë euro përderisa në periudhën e njëjtë të vitit 2019, kur ka qenë në fuqi taksa 100 për qind, vlera e mallrave serbe në Kosovë ishte 637 mijë euro.

Nga Kosova në Serbi në muajin prill janë eksportuar mallra në vlerë prej 1.1 milion euro.

Një ndër kompanitë që ka filluar importin e disa produkteve nga Serbia është kompania tregtare “Elkos Group”. Kushtrim Mujaj menaxher i importit në këtë kompani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se kanë importuar sasi të vogël të produkteve, kryesisht ato produkte që kanë çmim më të ulët, sesa në vendet e Bashkimit Evropian.

“Ka disa lehtësira për disa kategori që të furnizohemi prej Serbisë me çmime më të lira, sesa jemi furnizuar deri më tash nga shtetet e tjera. Një nga produktet që në tregun e Serbisë është më i lirë, është vaji i produkteve ushqimore. Disa lloje që kemi importuar më herët, kemi filluar importin gradual të tyre në sasi të vogël”, tha Mujaj.

Stavileci: Reciprociteti po zbatohet në tërësi

Qeveria në detyrë e Kosovës e ka zëvendësuar taksën prej 100 për qind për produktet nga Serbia, të vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018, duke futur gradualisht masat reciproke.

Masa e parë e tillë ka të bëjë me emërtimin e Kosovës në dokumente që duhet të përputhen me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Këto dokumente janë si certifikata fitosanitare dhe veterinare dhe dokumente të tjera ndihmëse për ushqim dhe produkte të tjera me origjinë bimore, joshtazore dhe shtazore, që janë objekt i kontrollit kufitar.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se nga 1 prilli –kur është shfuqizuar taksa dhe është vendos reciprociteti –e deri më tani, vlera e mallrave nga Serbia ka arritur në 29 milionë euro. Shumica e këtyre produkteve janë nga industria ushqimore, konkretisht gruri.

Të gjitha dërgesat nga Serbia vijnë më dokumentacion që i përmbahet vendimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës për reciprocitet.

“Në fillim kemi pasur disa problematika, por me kalimin e kohës të gjitha dërgesat që vijnë nga Serbia, janë komplet në rregull. Deri më tani nuk kemi hasur asnjë dokument i cili nuk i përmbahet vendimit për reciprocitet të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Stavileci.

Eliminimi barrierave, në interes të bizneseve

Edhe ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se eliminimi i barrierave me vendet e rajonit është në interes të komunitetit të biznesit. Safet Gërxhaliu, ish-kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se shifrat e shkëmbimeve tregtare me Serbinë kanë tejkaluar pritjet dhe njëherësh është tregues sa ka vështirësuar taksa tregtinë e lirë në mes këtyre dy shteteve.

“Barrierat nuk i bëjnë nderë proceseve integruese dhe partneritetit të vendeve të rajonit. Është koha kur më tepër të bëhet garë për të eliminuar barrierat, për t’i zhbërë ato. Me heqjen e asaj takse është një frymëmarrje tjetër e bizneseve të Kosovës, ku kemi të rritje të shkëmbimeve tregtare dhe importit të mallrave nga Kosova në Serbi. Prandaj, në këtë drejtim duhet të mësohemi nga e tërë kjo që dialogu nuk ka alternativë, që definitivisht eliminimi i barrierave në interes të biznesit duhet të jetë gjithmonë në funksion dhe nuk fitohet nga populizmi”, thotë Gërxhaliu.

Më 1 prill, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka hequr taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, derisa masën ndaj mallrave serbe e ka zëvendësuar me reciprocitet.

Taksa 100 për qind ishte vënë nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018.

Që nga ajo kohë është pezulluar dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar vendimin për të zëvendësuar taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe me masa reciprociteti.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se Kosova “duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika janë në dëm të qytetarëve të Kosovës dhe janë duke e bllokuar ekonominë e Kosovës”.

rel

21 raste të reja në Tiranë, asnjë rast në zonat e tjera

Dr Flutura BeqoShkon në 1050 numri i të prekurve, prej tyre 205 janë raste aktive. Tirana mbetet vatra kryesore
Ministria e Shëndetësisë njofton se janë testuar 262 qytetarë të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 21 raste pozitive, të gjitha në Tiranë.
Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit.
Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetëizoluar, ndërsa 4 pacientë jane transferuar në spitalin infektiv.

Deri tani janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1050. Prej tyre aktualisht janë 205 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.

Ne 24 orët e fundit janë të shëruar 9 qytetarë, duke e çuar mbi 800 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo rast të dyshuar, telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (27 Maj 2020)
Testime totale 15094
Testime molekulare 13768
Testime serologjike 1326
Raste pozitive 1050
Raste të shëruara 812
Raste Aktive 205
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 101
Durrës 51
Krujë 23
Shkodër 12
Kamëz 9
Berat 6
Fier 2
Korçë 1

Covid 19: 25 raste të reja, 3 të vdekur dhe 17 persona të shëruar

E merkureMinistria e Shëndetësisë informon se në gjatë 24 orët e fundit janë realizuar 622 testime dhe janë regjistruar 25 raste të reja të covid-19 edhe atë në Shkup 14 raste të reja, në Shtip 4, në Tetovë 2, në Kumanovë 2, në Prilep 1, në Strugë 1 dhe në Veles 1.

Fatkeqësisht u regjistruan edhe 3 të vdekur prej tyre, një pacient nga Tetova (41 vjeç) i shtruar në spital, më 19 maj, ndërroi jetë në Spitalin “8 Shtator”, një pacient nga Struga (58 vjeç) dhe një pacient nga Shkupi (47 vjeç) ndërruan jetë, të dy në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, që të dy kanë qenë në ventilim mekanik për një kohë të gjatë.

Përndryshe, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 17 pacientë të rikuperuar:  Shkup 11, Kumanovë 4, Tetovë 1 dhe Veles 1.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 2039, numri i pacientëve të rikuperuar është 1470, numri i të ndjerëve është 119, dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 450.

Në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 2 raste të reja, fatkeqësisht u regjistrua edhe 1 të vdekur (41 vjeç) i shtruar në spital, më 19 maj, ndërroi jetë në Spitalin “8 Shtator” në Shkup, dhe kemi 1 të shëruar, numri i pacientëve aktiv me covid-19 është 70.

Ja edhe renditja e qyteteve me  rastet më të larta aktive :
• Shkup – 747, aktiv 210

• Tetovë – 211, aktive 70

• Prilep -211, aktiv 47

• Velesi – 128, aktiv 40

• Kumanova – 438, aktive 33

• Shtip-50, aktiv 15

• Struga – 77, aktive 9

• Ohër-23, aktiv 8

• Manastir –28, aktiv 7

• Gostivar-22, aktiv 4

 

Shkarkohet Sulejman Rexhepin nga posti i kryetarit të BFI

BFINë një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur në Gostivar, ku morën pjesë 2/3 e anëtarëve të Këshillit morrën vendim për shkarkimin nga posti i kryetarit të BFI-së, Sulejman Rexhepin dhe në vend të tij si ushtrues detyre kanë emëruar myftiniun e Gostivarit Shaqir Fetahu.

Ja deklarata e plotë:

“Bazuar në procesverbalin e mbledhjes së jashtëzakonshme të shumicës së anëtarëve të Rijasetit të BFI-së të mbajtur më 27.05.2020, ne të nënshkruarit më poshtë në bazë të Nenit 36 dhe 58 të Kushtetutës së BFI-së, që e përbëjnë më shumë se 2/3 e anëtarëve të Rijasetit të BFI-së, vendosëm njëzëri shkarkimin e Sulejman Rexhepit nga posti Reisul Ulemasë, kryetar i BFI-së. Deri në përgatirjen e kushteve për zgjedhje të reja për ushtrues detyre, kryetar i BFI-së është caktuar myftiu i Gostivarit Shaqir Fetahu”.

Vendimi në origjinal, me vula dhe me nënshkrime :

VendimiPor logjikisht lind pyetja: Pse deri më tani nuk u shkarkua ?

Prej sot tërësisht ndalon të vlejë Vendimi për ndalesë dhe regjim të posaçëm të lëvizjes së qytetarëve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministria e ShendetesisePrej sot tërësisht ndalon të vlejë Vendimi për ndalesë dhe regjim të posaçëm të lëvizjes së qytetarëve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ky vendim është miratuar në bazë të analizës së detajuar për periudhën e deritanishme tremujore, që kur u diagnostifikua rasti i parë me virusin korona në vend. Konkluzioni është se në mënyrë adekuate janë duke u respektuar rekomandimet dhe algoritmet të Komisionit për Sëmundje Infektive, me ç’rast masat e ndërmarra dhanë rezultate të caktuara.

Një prej faktorëve për zbutjen e masave restriktive është numri i ulët i të infektuarve, të vdekshmërisë dhe të proporcionit ndërmjet personave të vdekur dhe personave të sëmurë nga e njëjta sëmundje, që i ndjek trendet evropiane dhe botërore. Në raport me rastet e regjistruara të COVID-19, ato kontrollohen edhe në komunikim të vazhdueshëm me stafin mjekësor. Për momentin, 50% nga kapacitetet e institucioneve spitalore janë të mbushura. Ka numër të mjaftueshëm të shtretërve, pajisjes mbrojtëse, si dhe aparateve respiratore.

Por, qytetarët duhet që tërësisht t’i respektojnë masat dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtje nga ky virus edhe krahas zbutjes së masave restriktive.

Nevojitet mbajtja e obligueshme e pajisjes mbrojtëse, larja e shpeshtë dhe dezinfektimi i duarve, si dhe mbajtja e distancës fizike të nevojshme prej 1.5 deri në 2 metra. Vetëm duke respektuar këto masave, ne mund të mbrojmë shëndetin tonë dhe shëndetin e të afërmve. Nga të gjithë ne varet përballja me virusin korona.

Britania fillon provat klinike për trajtimin me remedesivir të pacientëve me Covid-19

remdesivirMinistria Britanike e Shëndetësisë njoftoi të martën për fillimin e provave të reja klinike të trajtimit me ilaçin antiviral remdesivirit të pacientëve me Covid-19.

Në konferencën e tij të zakonshme për koronavirusin në Londër, Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock i quajti provat klinike për ilaçin premtues si “ndoshta hapin më të madh përpara në trajtimin e koronavirusit që prej fillimit të krizës.” Ai tha se përparësi për këtë trajtim do të kenë rastet në të cilat përfitimi është më të madh.

Ilaçi remdesivir, i prodhuar nga kompania farmaceutike amerikane Gilead, u miratua për trajtimin e pacientëve amerikanë me Covid-19 në fillim të këtij muaji pasi provat klinike nga Instituti Kombëtar i Amerikës për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive (NIAID) treguan rezultate pozitive. Pakë kohë më vonë, edhe Japonia e miratoi me një procedurë të shpejtë përdorimin e këtij ilaçi për trajtimin e pacientëve të infektuar me Covid-19.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Amerikës për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, Dr. Anthony Fauci, tha se ilaçi rezultoi efektiv në shkurtimin e kohës së shërimit të pacientëve me Covid-19, dhe megjithëse nuk ofron “shërim të plotë”, ai mund të ofrojë një trajtim i dobishëm.

Ministri britanik i Shëndetësisë, Hancock gjithashtu njoftoi se të hënën u raportuan 134 vdekje nga Covid-19 në të gjithë Britaninë. Dhe për herë të parë që nga 18 marsi, në Irlandën Veriore nuk u regjistruan asnjë vdekje nga koronavirusi.

voa