Fauci: Nuk mund t’i varim shpresat te krijimi i vaksinës

FauciEksperti më i lartë i qeverisë së SHBA për sëmundjet infektive tha se Amerika nuk mund t’i varë shpresat te krijimi i vaksinës, sado e sigurt dhe efektive të jetë ajo.

Dr. Anthony Fauci paralajmëroi se rritja e përditshme e rasteve me koronavirus mundet që mëse të dyfishohet, nëse amerikanët nuk ndërmarrin hapa për ta vënë virusin nën kontroll.

Kalifornia, Teksasi dhe shumë shtete të tjera kanë raportuar një rritje të rasteve të reja, duke çuar në një rivlerësim të përpjekjeve të SHBA për të frenuar pandeminë.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi vaksina të efektshme, të disponueshme për të gjithë,” tha Dr Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve infektive, para një komisioni të Senatit të SHBA.

Djetëra vaksina janë duke u zhvilluar dhe testuar me një shpejtësi të madhe, si kurrë më parë. Por Dr. Fauci paralajmëroi se “nuk ka garanci se do të kemi një vaksinë të sigurt dhe efektive,” dhe u bëri thirrje amerikanëve të bashkojnë forcat për të frenuar virusin.

Dr. Fauci paralajmëroi se shtimi i rasteve të reja në Shtetet e Bashkuara, aktualisht në rreth 40,000 në ditë, mund të arrijnë 100,000 në ditë, nëse njerëzit nuk u përmbahen udhëzimeve për distancimin social dhe nuk përdorin maska.

“Jam shumë i shqetësuar sepse mund të bëhet shumë më keq,” tha ai.

Komentet e tij vijnë paralelisht me paralajmërimet e zyrtarëve të tjerë shëndetësorë se disa amerikanë, veçanërisht të rinjtë, kanë hequr dorë nga masat e sigurisë.

Shumë shtete ku infeksionet po shtohen, janë ato të cilat e filluan rihapjen e bizneseve pa përmbushur kriteret shëndetësore të qeverisë.

Ekzistojnë shqetësime se rritja e numrit të infektimeve mund të shtohet sidomos gjatë kësaj jave deri në 4 korrik me rastin e festimeve për Ditën e Pavarësisë, kur amerikanët tradicionalisht dynden nëpër plazhe apo piknikë si dhe mblidhen për të parë fishekzjarret.

Më shumë se 126,000 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19 dhe miliona kanë humbur punën. Ekonomia u tkurr mjaft në tremujorin e parë dhe pritet të shënojnë rënie edhe më të thellë për tremujorin prill-qershor.

Rastet me COVID-19 janë mëse dyfishuar gjatë qershorit në të paktën 10 shtete të SHBA, përfshirë Teksasin dhe Floridën. Los Angelesi, qyteti i dytë më i madh amerikan, është bërë një epiqendër e re e pandemisë.

voa

“Mos u përpiq të bëhesh një njeri i suksesit, por përpiqu të bëhesh një njeri me vlera”

albert“Çdo njeri që lexon shumë dhe përdor trurin, shumë pak bie në zakone të liga të të menduarit”

Fizikanti i famshëm Albert Ajnshtajni konsiderohet gjerësisht si një nga mendjet më të mëdha që ka jetuar ndonjëherë. Ai hapi qasjen ndaj një pasurie të madhe të dijes dhe fuqisë.

Nga studimet e tij u ngrit terreni mbi të cilën bazohen teoria e kuantikës, si dhe konceptet e energjisë në pikën zero, teoria e vrimave të zeza dhe kërkimi për një teori të unifikuar të forcave. Zbulimet e tij ishin gjithashtu përgjegjëse për bombën e parë atomike. Një dualitet i madh!

Çfarë është ajo që e bën mendjen e një individi të aftë për vepra të tilla të mahnitshme?

Besohet nga disa që, me çfarëdo lloj mënyre, për çfarëdo arsye – qoftë anomalie, fati ose të dyja – përmbajtja e mendjes së Ajnshtajnit u soll në një mënyrë që formoi çelësin e një prej mistereve më të thella të universit, duke lejuar një mençuri tjetër, atë shpirtërore të rrjedhë përmes saj.

Më poshtë gjeni 25 nga citimet më inteligjente dhe më intriguese të Albert Einstein. Ju këshillojmë që të mos i lexoni nxitimthi, disa kanë një kuptim më të thellë se sa mund të mendoni fillimisht dhe meritojnë një meditim të përzemërt.

1) “Imagjinata është më e rëndësishme sesa njohuria. Sepse njohuria është e kufizuar, ndërsa imagjinata përqafon gjithë botën, duke nxitur përparimin, duke lindur evolucionin”.

2) “Sekreti i krijimtarisë është të dish se si t’i fshehësh burimet e tua”.

3) “Natyra na tregon vetëm bishtin e luanit, por unë nuk dyshoj se bishti i përket luanit edhe pse ai nuk mund ta zbulojë menjëherë veten për shkak të madhësisë së tij të pamasë.”

4) “Përvoja më e bukur që mund të kemi është ajo e misterit. Është emocioni themelor që qëndron në djepin e gjithë artit dhe shkencës së vërtetë”.

5) “Përsosja e mjeteve dhe ndryshimi i qëllimeve duket të jetë problemi ynë kryesor”.

6) “Sa i përket ligjeve të matematikës që i referohen realitetit, ato nuk janë të sigurta, për aq sa janë të sigurta, nuk i referohen realitetit”.

7) “Nëse nuk mund ta shpjegosh në mënyrën më të thjeshtë, ti nuk e ke kuptuar mirë.”

8) “Asnjë problem nuk mund të zgjidhet nga niveli i njëjtë i ndërgjegjes që e krijoi atë”.

9) “Vetëm njohuritë dhe aftësitë njerëzore nuk mund ta çojnë njerëzimin drejt një jete të lumtur dhe dinjitoze. Njerëzimi ka çdo arsye të mundshme për t’i vendosur lajmëtarët e standardeve dhe vlerave të larta morale mbi zbuluesit e së vërtetës objektive”.

10) “Informacioni nuk është dituri”.

11) “Gjëja më e pakuptueshme për botën është se është e kuptueshme”.

12) “Çdo gjë që mund të numërohet nuk numërohet domosdoshmërisht, gjithçka që llogaritet nuk mund të llogaritet domosdoshmërisht “.

13) “Për të formuar një anëtar të pastër të një kopeje delesh, duhet të jetë mbi të gjitha një dele”.

14) “Çdo gjë duhet të jetë e thjeshtë, por jo të thjeshtohet më tej”.

15) “Njeriu duhet të kërkojë për atë që është dhe jo për atë që mendon se duhet të jetë.”

16) “Çdo njeri që lexon shumë dhe përdor trurin e tij shumë pak bie në zakone të liga të të menduarit”.

17) “Veprimi është forma më e lartë e kërkimit.”

18) “Perëndia nuk kujdeset për vështirësitë tona matematikore. Ai integron në mënyrë empirike”.

19) “Kushdo që nuk e merr seriozisht të vërtetën në çështje të vogla nuk mund të besohet as në ato të mëdha”.

20) “Shpirtrat e mëdhenj kanë hasur gjithmonë kundërshtim të dhunshëm nga mendjet mediokre. Mendja mediokre është e paaftë për të kuptuar njeriun që refuzon të përkulet verbërisht ndaj paragjykimeve konvencionale dhe zgjedh që t’i shprehë mendimet e tij me guxim dhe ndershmëri”.

21) “Ekuacionet janë më të rëndësishme për mua, sepse politika është për të tashmen, por një ekuacion është diçka për përjetësinë”.

22) “Mos u përpiq të bëhesh një njeri i suksesit, por përpiqu të bëhesh një njeri me vlera”.

23) “Feja ime përbëhet nga një admirim i përulur i frymës së pafundme superiore që zbulon veten në detajet më të lehta që ne mund t’i perceptojmë me mendjen tonë të brishtë dhe të pafuqishme”.

24) “Mendimi praktik nuk është asgjë më shumë se një depozitë e paragjykimeve të përcaktuara nga mendja para se të arrini tetëmbëdhjetë vjeç.”

25) “Lirimi i fuqisë atomike ka ndryshuar gjithçka, përveç mënyrës sonë të të menduarit… zgjidhja e këtij problemi qëndron në zemrën e njerëzimit. Po ta kisha ditur, do të bëhesha orëndreqës!”

kultplus

Rama: Shqipëria e ka për obligim ta mbështesë Kosovën

Edi RamaKryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Kosovë takoi udhëheqësit politikë kosovarë dhe bisedoi rreth aktakuzës për krime lufte që ka paraqitur Zyra e Prokurorit Special kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha në Prishtinë se Shqipëria e ka për obligim ta mbështesë Kosovën pa kushte. Por ajo nuk do të marrë detyrën e kujdestarit që t’i tregojë udhëheqësve kosovarë se çfarë duhet të bëjnë. I shoqëruar nga ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj, Rama qëndroi në Kosovë të hënën dhe të martën, ku takoi të gjithë udhëheqësit politikë kosovarë.

Rama tha se ka ardhur në Kosovë “për të biseduar rreth aktakuzës për krime lufte që ka paraqitur Zyra e Prokurorit Special kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerëve. Rama tha se nuk erdhi në Kosovë për të bashkuar në këtë fazë spektrin politik kosovar.

“Unë nuk erdha këtu për t’i bashkuar të gjithë partitë politike apo të gjithë udhëheqësit e tyre në një tryezë, sepse e para kjo nuk është detyra ime, dhe e dyta, ky do të ishte një kapërcim i kuadrit etik brenda të cilit, sipas meje, duhet të veprojë një kryeministër i Shqipërisë, kur është fjala për Kosovën apo një kryeministër i Kosovës, kur është fjala për Shqipërinë”, tha Rama. Sipas tij, Shqipëria dhe kushdo që është kryeministër i saj e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte.

“Shqipëria as nuk e ka, e as nuk do ta marrë përsipër detyrën e kujdestarit apo tutorit, mentorit, që nga lart i tregon udhëheqësisë në Kosovë se çfarë duhet të bëjë. E dimë mirë që natyrshëm nuk është që të gjithë të mendojnë njësoj për të gjithë në këtë situatë, dhe për të pasur një sens real të realitetit politik, sipas tërësisë së këtyre këndvështrimeve dhe opinioneve që përfaqësojnë këtu pjesë të caktuara të shoqërisë, unë i takova një nga një”, tha kryeministri Rama, i cili aktakuzën për krime lufte të paraqitur për opinion nga Prokurori Special kundër Presidentit Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit, e quajti të “padrejtë që paraqet sprovë të natyrës kombëtare”.

“Kjo fletërrufe është e pashembullt dhe e kombinuar me momentin e publikimit. Mund të thuhet se funksionimi i Gjykatës Speciale nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces politik  që lidhet me paqen. Takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm dhe është vijim i një përpjekjeje me shumë stacione, por edhe një mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA”, tha Edi Rama.

Cakaj sjell mesazhe nga takimi me Grenellin

Ministri në detyrë i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj  para disa dite ishte për vizitë në SHBA, ku takoi të ngarkuarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell. Gent Cakaj, që e shoqëronte kryeministrin Rama në Kosovë, shpalosi disa mesazhe.

“Kam tri mesazhe për Kosovën nga ai takim. Nuk ka marrëveshje sekrete dhe për konsum të brendshëm politik nuk është e nevojshme të abuzohet për një temë të interesit nacional. E dyta, nuk ka ndarje të Kosovës dhe kush i ka sytë në ballë dhe këmbët në tokë, nuk beson që as Qeveria e Shqipërisë, këtu po shfrytëzoj rastin edhe për ta theksuar këtë, meqë është përmendur fort, e askush në Kosovë nuk bën plane në llogari personale për ta ndarë Kosovën, pikë. Këtë po e sjell si mesazh nga Uashingtoni. Nuk ka asnjë nxitim për të arritur asnjë marrëveshje të shpejtë në dëm të Kosovës për çfarëdo interesi elektoral në Amerikë”, u shpreh Gent Cakaj.

Rama tërheq padinë ndaj Ramush Haradinajt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, disa muaj më parë e kishte paditur për shpifje në një gjykatë në Prishtinë ish-kryeminstrin e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili në paraqitjet publike e kishte akuzuar Edi Ramën se ka kontribuar në një plan për ndarje të Kosovës.  Edi Rama në Prishtinë tha se e tërheq publikisht dhe zyrtarisht padinë ndaj Ramush Haradinajt edhe pse, siç tha, ”nuk e di se çfarë roli mund të ketë kjo padi në marrëdhëniet mes tyre”.

“E kam njoftuar që nuk do të bëj komunikime me mediat të vazhdueshme në çdo derë, por do të bëj një konferencë për shtyp, ku do ta tërheq padinë. Do ta tërheq padinë jo se është e vogël për mua, por sepse është shumë më e madhe ajo që sot duhet të bashkojë të gjithë”, tha Edi Rama.

dw

Kritika për çmimin e lartë të ilaçit për trajtimin e koronavirusit

GILEADProdhuesi i ilaçit që duket se shkurton kohën e rikuperimit për pacientët e sëmurë rëndë me COVID-19, thotë se do të faturojë çmimin prej 2,340 dollarë për një kurs trajtimi tipik për individët e mbuluar nga programet shëndetësore të shteteve amerikane dhe vende të tjera të zhvilluara.

Kompania “Gilead Sciences” njoftoi çmimin të hënën për ilaçin remdesivir, ndërsa tha se për pacientët me siguracione shëndetësore private kura do të kushtonte 3’120 dollarë. Shuma që pacientët do të paguajnë nga xhepi varet nga siguracioni, të ardhurat dhe faktorë të tjerë.

“Jemi në një territor të panjohur me çmimet e ilaçit të ri, një ilaç të ri në kohën e pandemisë”, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press Dan O’Day, shefi ekzekutiv i kompanisë Gilead.

“Besojmë se na është dashur të devijojmë nga rrethanat normale dhe të çmojmë ilaçin për të siguruar qasje të gjerë në vend që të bazohemi vetëm tek vlera e ilaçit për pacientët.”

Por çmimi u kritikua menjëherë, ndërsa një grup për konsumatorët e quajti veprimin si fyerje, si rezultat i shumës së parave nga taksapaguesit të investuar për zhvillimin e ilaçit.

Kurat e trajtimit që kompania ka dhuruar për Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera do të përfundojnë brenda një jave, ndërsa çmimet do të zbatohen për ilaçin pas mbarimit të këtyre kurave të dhuruara, tha zoti O’Day.

Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët federalë të shëndetit kanë shpërndarë për shtetet furnizime të kufizuara, ndërsa marrëveshja me kompaninë Gilead do të përfundojë pas muajit shtator. Ata thanë të hënën se qeveria ka siguruar 500 mijë kura shtesë, të cilat kompania Gilead do të prodhojë në korrik për të furnizuar spitalet deri në muajin shtator, duke theksuar se kjo nuk nënkupton se qeveria aktualisht po blinte kaq shumë, vetëm duke siguruar disponueshmërinë.

“Ne duhet të kemi furnizim të mjaftueshëm, por duhet të sigurohemi që është në vendin dhe kohën e duhur”, tha zoti O’Day.

Në 127 vende të varfëra ose me të ardhura të mesme, kompania Gilead po i lejon kompanitë farmaceutike të prodhimit të ilaçeve të zakonshme që të furnizojnë klientët me ilaçin në fjalë. Dy shtete po zbatojnë këtë praktikë duke ofruar ilaçin me një çmim prej 600 dollarësh për kurë.

Çmimi i ilaçit remdesivir ka patur parashikime të shumta që kur u bë i pari ilaç që tregonte përmirësime ndaj koronavirusit, i cili u ka marrë

jetën më shumë se gjysëm milion njerëzve në mbarë botën gjatë gjashtë muajve. Ilaçi ndërhyn në aftësitë e koronavirusit për të kopjuar të dhënat e veta gjenetike.

Në një studim të drejtuar nga qeveria amerikane, remdesiviri shkurtoi kohën e rimëkëmbjes me 31 përqind – mesatarisht 11 ditë nga 15 ditë të pacientëve të trajtuar me kujdesin e zakonshëm. Ilaçi nuk kishte përmirësime të mbijetesës, sipas rezultateve paraprake pas dy javësh mbikëqyrjeje. Rezultatet pas katër javësh mbikëqyrjeje pritet të dalin së shpejti.

Instituti për Rishikime Klinike dhe Ekonomike, një grup jofitimprurës që analizon çmimet e ilaçeve, tha se remdesivir do të kishte një kosto efektive në një shkallë prej 4,580 dollarësh deri në 5,080 dollarësh nëse shpëton jetë. Por njoftimet e kohëve të fundit se një ilaç me kosto të ulët, në kategorinë e steroidëve, i quajtur ‘dexamethasone’ përmirëson mbijetesën, nënkupton se remdesivir duhet të ketë çmimin ndërmjet 2,520 – 2,800 dollarëve, tha grupi.

“Ky është një çmim i lartë për një ilaç që nuk tregon se ul numrin e vdekjeve”, tha përmes një emaili Dr. Steven Nissen me Klinikën e Klivlandit.

“Duke patur parasysh natyrën serioze të pandemisë, do të preferoja që qeveria të marrë përsipër prodhimin dhe shpërndarjen e ilaçit falas. Ilaçi u prodhua duke përdorur fonde të konsiderueshme nga taksapaguesit.”

Peter Maybarduk, një avokat me grupin e konsumatorëve ‘Public Citizen’ e quajti skandaloz çmimin.

“Remdesiviri duhet të jetë publik sepse për prodhimin e ilaçit u përdorën 70 milion dollarë nga fondet publike. Çmimi hedh poshtë çdo nocion se kompanitë farmaceutike do të bëjnë veprimin e duhur në kohën e pandemisë”, tha Dr. Peter Bach, ekspert i politikave shëndetësore me ‘Memorial Sloan Kettering Cancer Center’ në Nju Jork.

“Çmimi mund të kishte qënë i kuptueshëm nëse kompania do të kishte demostruar se trajtimi shpëton jetë. Por kjo nuk ndodhi.”

“Ndërsa për shumë njerëz çmimi i ilaçit remdesivir mund të jetë shokues, nga perspektiva e sistemit shëndetësor, ilaçi mund të shkurtojë me katër ditë shtrimin në spital, atëherë ilaçi ofron një vlerë të arsyeshme”, tha përmes një emaili specialisti i sëmundjeve infektive Dr. Davod Boulware me Universitetin e Minesotës.

Zoti O’Day tha se shkurtimi i kohëzgjatjes së shtrimit në spital kursen rreth 12 mijë dollarë për pacientin. Kompania Gilead thotë se deri në fund të vitit do të ketë shpenzuar 1 miliard dollarë për zhvillimin dhe prodhimin e ilaçit. Ilaçi ka marrë miratimin e qeverisë amerikane për përdorim emergjent dhe kompania Gilead ka aplikuar për të marrë edhe autorizimin e plotë.

voa

Covid 19: 126 raste të reja, 4 të vdekur dhe 48 persona të shëruar

Diagrami 30 qershorMinistria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 1140 teste dhe janë regjistruar 126 raste të reja të covid-19 edhe atë në – Shkup 66 – Tetovë 19 – Shtip 15 – Kumanovë 6 – Kavadarci 4 – Resnjë 3 – Prilep 3 – Gostivar 2  – Veles 2 – Strugë 2 – Probishtip 2 – Sveti Nikollë 1  dhe Manastir 1.

Gjatë 24 orëve u regjistruan 4 viktima edhe atë 1 nga Shkupi, 1 nga Tetova, 1 nga Prilepi dhe 1 nga Gostivari:

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 48 pacient të shëruar në – Shkup 43 – Resnje 3 – Shtip 1 dhe Manastir 1 .

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara që nga fillimi i epidemisë është 6334, numri i pacientëve të rikuperuar është 2475, numri i të ndjerëve është 302 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend për momentin është 3557.

Ndërsa në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 19 raste të reja dhe 1 te vdekur, numri i përgjithshëm i rasteve aktive me Covid-19 është 389.

Dehumanizimi si tipar i normalitetit të ri pas Coronës

Corona monitoringFrika nga infeksioni i Coronës vazhdon të jetë i lartë në të gjithë botën dhe njerëzit po mësohen me normalitetin e ri, që sipas kryetarit të shoqatës GIA-s, Kanço Stojçev, karakterizohet nga dehumanizimi.

Shoqata Ndërkombëtare për demoskopinë Gallup (GIA) botoi raportin e saj të tretë që nga fillimi i krizës së Coronës. GIA intervistoi rreth 18,000 vetë në 19 shtete, përfshirë edhe disa vende evropiane, si Austria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Italia dhe Zvicra.

Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Kanço Stojçev, frika nga infeksioni i Coronës vazhdon të jetë i lartë në të gjithë botën edhe pse kurba e infeksioneve dhe numri i vdekjeve ka shënuar rënie. Në SHBA dhe Itali p.sh. respektivisht 71 përqind dhe 79 përqind e të anketuarve vazhdojnë të kenë frikë se me COVID 19 mund të sëmuren ata vetë ose dikush nga familja e tyre. Në total në të 19 vendet e anketuara 67 përqind e njerëzve kanë frikë se mund të infektohen, kurse 30 përqind nuk kanë.

A është frika nga rreziku e ekzagjëruar?

54 përqind e të anketuarve mendojnë se rreziku nga virusi nuk është i ekzagjeruar, kurse 41 përqind medojnë se rreziku është i ekzagjeruar. Ky perceptim është më i lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë (66 përqind), Kazakistan (61 përqind), Bullgari (58 përqind) dhe Moldavi (58 përqind).

Dehumanizimi si tipar i normalitetit të ri

Sipas Kanço Stojçev “normaliteti i ri” për të cilin po diskutohet kaq shumë, përbëhet nga diçka jonormale: izolimi. “Qeniet njerëzore janë qenie njerëzore, sepse ndërveprojnë intensivisht. Ndërveprimi në internet është një arritje që plotëson ndërveprimin tonë, por nuk duhet të zëvendësojë realitetin.” – thotë Stojçev.

Ai sjell dy shembuj për atë që e quan “dehumanizim dhe largim nga liria” mësimin online dhe punën nga shtëpia.

Sipas tij shkollimi dhe edukimi nuk kanë të bëjnë vetëm me njohuritë që transmetohen përmes internetit. “Ndërveprimi mes nxënësve nuk mund të zëvendësohet nga mësimi në distancë.” – thotë Kanço Stojçev. Po ashtu edhe “puna nga shtëpia mund të jenë produktive për sa i përket rezultateve – por puna është shumë më tepër sesa rezultatet e saj, puna është një formë themelore e ndërveprimit njerëzor.”

Më optimistët në Kazakistan, më pesimistët në Japoni

41 përqind e të anketuarve besojnë se gjithçka do të normalizohet deri në fund të vitit, 47 përqind nuk besojnë. Më optimistë janë banorët e Kazakistanit (65 përqind), Bullgarisë (61 përqind), Malajzisë (60 përqind) dhe Pakistanit (59 përqind), ndërsa më pak optimistë janë qytetarët e Shteteve të Bashkuara (28 përqind), të Mbretërisë së Bashkuar (20 përqind) dhe të Japonisë (11 përqind). Optimizmi për normalizimin varet qartësisht nga mënyra se si qytetarët e perceptojnë krizën në vendet e tyre dhe atë çfarë bëjnë qeveritë e tyre.

P.sh. në Korenë e Jugut, Malajzi, Zvicër, Kazakistan apo Bullgari, besimi tek masat që kanë marrë qeveritë e këtyre vendeve është relativisht i lartë. Kurse në Japoni (33 përqind), Bosnjë dhe Hercegovinë (36 përqind) dhe Britani të Madhe (38 përqind) ky besim është mjaft i ulët.

dw

Koment: Të mos personalizohet historia e Kosovës!

ThaciZbardhja e së shkuarës në Kosovë është pa alternativë për demokratizimin dhe të ardhmen e shtetit të ri, edhe në aspektin juridik, mendon Vilma Filaj-Ballvora.

Në dukje i prerë në fytyrë, por megjithatë me ton të qetë dhe mjaft të kontrolluar, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi iu drejtua përmes një videomesazhi popullit: Unë do të tërhiqem menjëherë, nëse konfirmohen akuzat ndaj meje, tha ai. Me këtë ai theu heshtjen e pakuptimtë prej disa ditësh, që pas bërjes publik të lajmit për akuzën e Prokurorisë Speciale për krime lufte ndaj tij. Ky lajm e gjeti Thaçin rrugës drejt Uashingtonit, ku ishte planifikuar një samit me Serbinë me ndërmjetësimin e SHBA-së. Takimi, që mund t’i jepte impuls të ri dialogut të ngrirë mes Beogradit dhe Prishtinës, u shty.

Deri në tetor është afati i konfirmimit ose rrëzimit gjyqësor të akuzës. Deri atëherë Thaçi do të qëndrojë në post. Është e vështirë ta përfytyrosh që ai do të mundet të vazhdojë ta përfaqësojë Kosovën me besueshmëri në dialogun me Serbinë, pasi pozicioni i tij në tryezën ndërkombëtare të bisedimeve është dobësuar masivisht në sfondin e një padie, që ende nuk është konfirmuar.

Në fjalën e tij Thaçi u përbetua për pafajësinë, vlerësoi meritat e UÇK-së në luftën për liri dhe kundër represionit të regjimit të Slodoban Milosheviçit si dhe lëvdoi arritjet e deritanishme në Kosovë. Sipas tij është hapur një kapitull i ri i vështirë dhe Kosova duhet të përballet me të shkuarën. Edhe ai vetë, tha, do të përballet me këtë proces.

Njëkohësisht Thaçi e akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për njëanshmëri, për trajtimin jo proporcional të Kosovës lidhur me zbardhjen e së kaluarës nga lufta. Presidenti nuk la pa komentuar as veprimet juridike, duke e quajtur „skandal” kohën dhe mënyrën se si u bë publik lajmi për aktakuzën nga Prokuroria Speciale.

Por pikërisht hapave juridikë nuk do të duhej t’u referohej Presidenti. Sepse drejtësia nuk duhet paragjykuar. Po ashtu vlen prezumimi i pafajësisë së të pandehurit për aq kohë sa ai nuk është gjykuar. Ndaj tani është e papërshtatshme të flitet për faj apo pafajësi. Po ashtu sikurse është e papërshtatshme që t’u referohesh spekulimeve dhe teorive të komplotit lidhur me kohën e publikimit të aktakuzës paraprake. Këto nuk i shërbejnë askujt. Fakt është që gjatë njëzet viteve pas luftës në Kosovë është arritur shumë për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Vetë fakti që tani mund të ngrihet një akuzë edhe ndaj presidentit tregon që sistemi funksionon.

Është si ironi e fatit që më 2015 ishte pikërisht Hashim Thaçi kryeministër, i cili u angazhua fuqishëm për ta çuar përpara krijimin e Gjykatës Speciale. Themelimi i kësaj gjykate për zbardhjen e krimeve të luftës të kryera nga shqiptarët në vitet 1998-1999 ishte një ndër ligjet më të debatuara në Kosovë. Me krijimin e saj Kosova tregoi forcë dhe bëri një hap të pashembullt në rajon.

Këto procese duhet të shihen edhe si një shans për një fillim të ri: Kosovës i duhen tani raporte të qarta, në mënyrë që energjitë të përqendrohen në nismat për zgjidhjen e problemeve. Historia e Kosovës në asnjë mënyrë nuk duhet personalizuar. Është e padiskutueshme që shumë nga politikanët që drejtojnë sot vendin kanë kontribuuar fuqishëm për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Por në radhë të parë këto arritje janë meritë e njerëzve të Kosovës. E pikërisht ata meritojnë një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Ndaj ka pak rëndësi se prej kujt dhe ku do të nënshkruhet një ditë një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. E rëndësishme është që përmes këtyre proceseve Kosova në fund të dalë më e fortë, më e konsoliduar dhe më e besueshme. Këto procese janë të pa alternativë për demokratizimin e vendit.

Vilma Filaj-Ballvora /dw

Tradhëtorët

Naim_FrasheriShokë, kemi në mest tënë
Shum` armik` e trathëtorë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Veç që s`kanë gjë në dorë.

Harruanë mëmëdhenë
Dh` e lanë kombinë tënë
E një tjatërë na gjenë!
Popo! mos u qoftë thënë!

Lanë zonjën e lëvduar
E zunë një kurvë shtrigë,
Të ndyr` e të mallëkuar,
Të fëlliqur e të ligë.

Lanë mëmën të xhveshur
Dhe mundohenë për botë,
Pa dhe bota duke qeshur
U thotë: mundohi kotë!

Qysh u bënë Efialtë
E nuk e njohin të mirën,
Uthullën pandehin mjaltë
Edhe dritë errësirën!

Buk` e mëmëdheut zëntë
Tradhëtorët e pabesë!
Dhe Zoti dërrmën u dhëntë,
Kurrë mos paçinë pjesë!

Miqt` armiq i kanë bërë,
Armikëtë miq i zunë,
Qysh janë fyell të tërë!
Ç`është kjo e madhe punë!

Fajn` e math kur do ta njohin
Njerëzit e mallëkuar?
Dritënë pse nuk e shohin,
Apo janë të verbuar?

Janë së gjithash të marrë
Dhe të liq me të vërtetë,
Mëmëdheut bëjnë varrë,
Po do të bienë vetë,

Se mbretëron e vërteta,
S`del kurrë gënjeshtr` e shkretë
T`ish ashtu, qe prishur jeta,
S`kish mbetur gjë e vërtetë.

Ata turpinë fitojnë,
Nder` e tyre posht` e hedhin
Dhe armikëtë gëzojnë
E në errësirët bredhin.

Nuk është kurrë haruar
Dh`e mira dh`e lig` e shkretë,
Të gjitha janë paguar,
S`ka mbeturë gjë në jetë.

Lerini, pa do ta gjejnë,
Të vërtetën do ta njohin,
Se tani s`e dinë ç`bëjnë,
Janë të verbër e s`shohin.

O, popo ç`turp kanë marrë!
Janë bërë tradhëtorë
Dhe s`janë më shqipëtarë,
Se nga kombi hoqnë dorë.

Me të huajnë u bënë,
Me armikn` e Shqipërisë,
S`duanë gjuhënë tënë
Armikët` e Perëndisë!

Ndjej, o Zot, se nukë dinë
Se ç`bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë
Pun` e lig` edh` e mërzitur.

Të gjorët janë në gjumë,
Të vërtetënë s`e dinë,
Do të mundohenë shumë,
Pasdaj mënttë do t`u vinë.

Vëllazërin` e harrojnë
Dhe kombin e mëmëdhenë,
Dhe armikëtë dëgjojnë
Edhe s`dinë se ku venë.

Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithni mëntt` e tupërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pasdaj do të pendohi.

Naim Frashëri

Thaçi: Do të jap dorëheqje nëse konfirmohen akuzat

Hashim ThaciPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një deklaratë për media tha se do të jap dorëheqjen dhe do të përballet me akuzat nëse ato konfirmohen.

Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat.

Ai i bëri këto komente në paraqitjen e parë publike që nga e mërkura kur zyra e Prokurorit të Posaçëm në Hagë, publikoi njoftimin se ka ngritur akuza ende të pakonfirmuara ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veselit, ja edhe fjalimi i plotë drejtuar qytetarëve:

Motra dhe vëllezër,

bashkëqytetarë dhe bashkatdhetarë,

në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe në diasporë,

Ju drejtohem sonte nga kjo zyrë ku prej 1542 ditësh kam nderin e jashtëzakonshëm të ushtrimit të detyrës së lartë të Presidentit të shtetit tonë, Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike!

Zemra ime është e lënduar, por jo e thyer.

Mendja ime është e rënduar, por jo e turbulluar.

Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëjtësuar me gjakun e bashkëluftëtarëve që humba në luftë.

Është i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur e më kanë mbështetur pa kursim në këtë rrugëtim për liri dhe shtet-ndërtim.

E në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë kundërshtuar, më kanë paragjykuar apo gjykuar ndryshe nga çfarë unë do të dëshiroja.

Ndjehem sot, si asnjëherë më parë, krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike.

Këto brenga nganjëherë kanë marrë përmasa më të mëdha se sa që e kanë merituar.

Kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bij e bija të kësaj toke dhe të gjithë e duam më të mirën për atdheun tonë, Kosovën.

Por, politika i ka edhe këto.

Është krejt e natyrshme që në këtë moment jo të lehtë për mua, më janë kujtuar ata që kanë dhënë jetën për liri.

Të tjerë që i kam njohur gjatë rrugës time të gjatë, nga koha kur isha një djalë idealist që doja të ndryshoja botën, e deri tek e sotmja me thinja të bardha.

Kam kujtuar momente historike e momente krejt personale.

Kam menduar për prindërit e mi, gjyshërit, familjen dhe djalin tim, Endritin.

Ai që sot është bërë burrë e mund ta shoh në sy pa mu dridhur qerpiku lidhur me gjoja nisjen e një procesi për krime lufte!

E kam kuptuar shumë herët se ne, luftëtarët e UÇK-së, do të paguanim një çmim të madhe njerëzor, familjar e politik.

Ky është çmimi për lirinë e Kosovës.

Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo pretendim e çdo akuzë për krime lufte, prej kujtdo dhe kudo që ka ndodh.

Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze.

Njëjtë do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli.

Të dashur qytetarë,

Gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë!

Edhe po të kthehesha mbrapa, në kohën e zezë të Slobodan Millosheviqit, do të bëja të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar.

Por, një gjë më lejoni ta bëj shumë të qartë:

Mbi dy dekada i kam mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave me përfshirje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.

Ky parim mbetet i njëjtë edhe sot, kur jam unë, Hashim Thaçi, që personalisht do të mund të përballem me një gjykatë për të cilën kam dhënë mbështetjen time politike, me fjalë e me votë.

Në atë kohë, kishim përballë vetëm dy rrugë.

Njëra të cilës i kam besuar tërë jetën e i besoj edhe sot – ecjes përpara në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian;

Dhe e dyta që kjo çështje t’i lihet në dorë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku kanë ndikim të fuqishëm vendet që e kundërshtojnë shtetin e Kosovës.

Vendimi im ishte strategjik në përputhje me vizionin për të ardhmen e Kosovës.

Dhe nuk kam shikuar për përfitime ditore e politike.

Sot, kush thotë se qenkam bërë pengesë, madje edhe sabotues i kësaj gjykate, në rastin më të mirëështë i keqinformuar dhe në rastin më të keq është tendencioz.

Por, nga ana tjetër, dikush duhet ta bëjë bilancin e këtyre 21 viteve hetime, procese dhe gjykime për krimet e luftës në Kosovë.

Të dashur qytetarë,

Unë do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja se bashkësia ndërkombëtare aplikon standarde të njëjta mes Kosovës e Serbisë në adresimin e krimeve të luftës.

Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk e shoh këtë standard e proporcionalitet, por shoh të kundërtën e tij.

Dhe ja ku jemi sot.

Serbia ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim evropian, ndërsa Kosova nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë!

Natyrisht që unë nuk shoh këtu ndonjë komplot kundër Kosovës.

Por është fakt dallimi në qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj dy vendeve.

Padyshim edhe ne kemi gabimet dhe përgjegjësitë tona.

Unë i pari dhe bashkë me mua krejt udhëheqësit e partive politike në Kosovë, që prej disa vitesh nuk kemi arritur ta ruajmë kohezionin politik.

Por asnjë faj a gabim i yni apo i imi, nuk e justifikon faktin që Kosova qe 21 vjet vazhdon me proceset e ballafaqimit me krime lufte në hapësirën e saj.

E në anën tjetër në Serbi ka rënë heshtja e varrit për krimet e luftës.

Këtë heshtje të Serbisë e bën edhe më të rëndë heshtja e bashkësisë ndërkombëtare.

Ne jemi angazhuar, unë personalisht jam angazhuar fuqimisht, për dialog e paqe me Serbinë.

Por, nuk pajtohem as nuk e pranoj dot faktin që për mijëra shqiptarë të zhdukur nga makineria vrastare e Sllobodan Millosheviqit, eshtrat e të cilëve janë në dheun e Serbisë, të mos ketë as deklarata të ndërkombëtarëve.

A mos vallë duhet të presim edhe ditën kur të na thuhet se duhet t’i kërkojmë falje Serbisë për të zhdukurit tanë, për nënat e motrat tona ta përdhunuara, për spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër nesh?!

Kjo pyetje absurde lind natyrshëm pasi askujt në Serbi më nuk i kërkohet llogari për krimet e luftës!

Megjithatë, nuk dua të zgjatem sot me këtë teme krahasimi të proporcioneve të drejtësisë për krimet e luftës, e cila me siguri do të zërë vend në historinë e drejtësisë dhe politikës ndërkombëtare si një faqe e zymtë e tyre për këto dy dekada.

Qytetarë të nderuar,

Në këto dy dekada kam pasur privilegjin të kem mbështetjen e shumicës prej jush, duke shërbyer në krye të institucioneve më të larta shtetërore.

Natyrisht, në këto dy dekada, pa dashje, kam bërë edhe ndonjë lëshim.

Disa prej këtyre sot i di edhe vetë.

Unë nuk hezitova që me bashkëluftëtarët të bëj luftë me armë e me diplomaci kundër Serbisë, pa marrë parasysh çmimin që mund të paguaja, deri edhe me jetën time.

Lufta ka përfunduar.

Kosova është e lirë dhe shtet sovran.

Prandaj në dy dekadat e fundit kam punuar dhe do të punoj për paqe dhe pajtim me Serbinë dhe në tërë Ballkanin.

Sot jetoj jo thjesht për veten e për familjen time,

…por edhe për ata shokë që kam varrosur gjatë luftës,

…për prindërit dhe për fëmijët e tyre e për nipat e mbesat e tyre.

Jetoj për misionin historik të cilit i përkas bashkë me Kadri Veselin, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, e shumë të tjerë që ishin të parët në luftën për liri, por edhe të parët të goditur e të sulmuar pas lufte.

Të dashur qytetarë,

Ne nuk shkuam në luftë për të fituar zgjedhje e as për të marrë pushtet.

Shkuam ja për të jetuar të lirë, ja për të vdekur për liri!

Nuk kishim asgjë përveç ëndrrës së madhe për liri dhe pavarësi.

Bashkërisht ëndrrën e bëmë realitet.

Por, kalimi nga shtigjet e luftës çlirimtare në korridoret e institucioneve nuk mund të ishte për ne as i thjeshtë, as i lehtë.

Mund t’ju them se më shumë kisha drojë nga këto korridore, se sa shtigjeve të luftës.

Në luftë flija pak, por gjumi më ripërtërinte.

E pas luftës, flija pak po ngrihesha i sfilitur nga dilemat si ta bëja më mirë punën e ditës së re.

Bëra sa munda, por jo aq sa do të doja.

Por, sot nuk dua të rendis të arriturat e karrierës sime, sepse ky nuk është as një mesazh lamtumire, as një moment bilanci pune për mua.

Dua vetëm t’ju them se kam mbajtur mbi kurriz shumë akuza dhe shumë ofendime gjatë tërë këtyre viteve.

As nuk e kam mohuar ndonjëherë kur kam qenë në krye të Qeverisë, as nuk e mohoj sot, se ashtu siç ka pasur arritje në zhvillimin e Kosovës, po ashtu kam pasur sfida në qeverisje dhe drejtim të shtetit.

Kjo është e natyrshme për një lider.

Por, një gjë është e sigurt: nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji.

Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit.

Unë nuk jam i ramë prej qiellit dhe nuk jam shenjtor.

Fati im në rrethana krejt të veçanta historike ma përcaktoi vijën e jetës dhe të sjelljes sime.

Politika nuk ishte asnjëherë burim jetese për mua, por mision i shenjtë për t’i shërbyer vendit dhe juve qytetarë të dashur.

Nuk gjendet as në Kosovë e askund në këtë botë dikush që t’i kem borxh.

Por, kujtdo që ma ka dhënë edhe vetëm njëherë votën përgjatë gjithë kësaj pjese të karrierës sime që ende vazhdon, sonte dua t’i them:

Me fal në qoftë se s’kam bërë gjitha ato që ke pritur prej meje, por të jesh i bindur që besimin tënd nuk e kam shpërdoruar.

Përkulem para besimit tuaj.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Kosova po hyn në një kapitull të ri dhe aspak të lehtë.

Por kjo nuk është asgjë e re, pasi historia jonë ka pasur shumë periudha të vështira.

Ky është një kapitull i ri edhe për mua dhe në këto momente ende nuk e di se sa i vështirë do të jetë.

Por, unë jam gati ta shkruaj këtë kapitull me të vërtetën time përballë kujtdo qoftë.

Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që –në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar.

A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës?

Rrugën ma prenë.

Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës.

Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh.

Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik.

Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës,pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë.

Cilës drejtësi i intereson kjo ngutje e rrufeshme dhe kjo shkelje flagrante e rregullave të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor?

Kjo pyetje do të duhet shtjelluar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

Ndërsa përgjigja e shkurtër për këtë pyetje është se:

Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi.

Prandaj apeli me të cilin dua ta mbyll ketë mesazh sonte është:

Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabil të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë.

Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë.

Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë.

Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat.

Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë.

Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam.

Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.

Një shtet evropian e një shoqëri multi-etnike.

I them edhe një herë JO hakmarrjes dhe PO tolerancës ndëretnike.

Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhme euroatlantike.

Të dashur qytetarë,

Duke ju falënderuar të gjithëve që me keni çuar fjalë dhe mesazhe inkurajuese, ju uroj nga zemra çdo të mirë.

Ju falënderoj për vëmendjen!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe kombin shqiptar!

Lëvizja VETËVENDOSJE!: Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, kurse instalimi i Gjykatës Speciale ka qenë faj i madh

Ata shqiptarë që kontribuojnë në normalizimin e Serbisë pa e njohur ajo Kosovën dhe pa dënuar krimet e luftës që ka bërë, njëkohësisht i kontribuojnë edhe gënjeshtrës serbe për “shqiptarët kriminelë”. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, kurse instalimi i Gjykatës Speciale ka qenë faj i madh politik, për të cilin mbajnë përgjegjësi gjithë ata që e votuan në parlament.

Ndiqeni fjalimin e Albin Kurtit në parlamentin e Kosovës para miratimit të ligjit për Gjykatën speciale më 23 prill 2014:

https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/2927662084157667/