IKShPK: prej 1686 mostrave kemi 285 raste pozitive, 5 të vdekur dhe 260 të shëruar!

IKSHPKGjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.686 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 285 raste pozitive. Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 140 raste, Prizren 26 raste, Suharekë 16 raste, Podujevë 15 raste, Fushë-Kosovë 10 raste, Vushtrri 10 raste, Lipjan 8 raste, Pejë 8 raste, Gjilan 7 raste, Deçan 5 raste, Gjakovë 5 raste, Mitrovicë 5 raste, Rahovec 5 raste, Drenas 4 raste, Ferizaj 4 raste, Malishevë 4 raste, Klinë 3 raste, Obiliq 3 raste, Viti 3 raste dhe me nga një rast komunat Dragash, Istog, Kamenicë dhe Skenderaj.
Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Istog 1 rast (77 vjeç), Malishevë 1 rast (72 vjeç), Prishtinë 1 rast (84 vjeç), Shtime 1 rast (82 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (84 vjeç).
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 260 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 52.208 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.231. Numri total i rasteve pozitive është 59.931 raste nga 231.094 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.492 raste të vdekjes.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Covid 19: prej 2589 testeve, kemi 325 raste të reja, 7 viktima dhe 479 persona të shëruar

E shtuneGjatë 24 orëve të fundit, janë kryer 2589 teste dhe 325 raste të reja të Covid-19 u regjistruan në:
  • Shkup – 151(territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Tetovë – 27(në territorin e Tetovës me 200.678 banorë që dtth.: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, + Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, + Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, + Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, + Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe + Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë).
  • Kavadarci – 17(me 38.741 banorë)
  • Ohër- 16(51.591 banorë)
  • Veles –14(me  54.384 banorë)
  • Kumanovë – 13(me 109.228 banorë)
  • Delçevë –11(me 17.713 banorë)
  • Manastir – 9(me 91.983 banorë)
  • Strugë – 9(me 65.801 banorë)
  • Gjevgjeli – 8(me 22.706 banorë)
  • Gostivar – 6(111.252 banorë)
  • Demir Kapi – 6(me  4.039 banorë)
  • Shtip – 5(me 43.625 banorë)
  • Radovish – 4(me 29.100 banorë)
  • Berovë – 4(me 12.813 banorë)
  • Kërçovë – 3(me 56.937 banorë)
  • Resnjë –3(me 16.313 banorë)
  • Strumica – 3(me 57.175 banorë)
  • Negotinë – 3(me  19.327 banorë)
  • Prilep – 3(me 75.132 banorë)
  • Makedonski Brod – 2(me  6.166 banorë)
  • Kratovë – 2(me 9.376 banorë)
  • Krushevë – 2(me 9.418 banorë)
  • Koçani – 1(me 37.758 banorë)
  • Sveti Nikollë – 1(me 17.683 banorë)
  • Kriva Pallanka – 1(me  20.820 banorë)
  • Demir Hisar – 1(me 8.177 banorë)

(Vërejtje: Numri i banorëve është numri zyrtar i banorëve të regjistruar, por ajo realisht duhet të ketë rënie, për shkak të shpërnguljeve (kryesisht nga Maqedonia lindore) në Shkup dhe jashtë shtetit.) 

Kanë ndërruar jetë 7 pacientë, 2 pacientë nga Shkupi (89 dhe 79), dy nga Ohri (80 dhe 89) dhe nga një prej Gostivari (62), Struga (85) dhe Probishtipi (70).

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistron 479 pacientë të rikuperuar nga: -Shkup 358-Ohër 46-Struga 13-Strumica 11-Prilep 11-Kavadarci 9-Kumanovë 5-Veles 5-Gostivar 4-Manastir 3-Kërçovë 2
-Resnje 2-Radovish 2-Probishtip 2-Krushevë 2-Shtip 1-Dibër 1-Demir Kapi 1-Negotinë 1.
 
Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostifikuara që nga fillimi i epidemisë është 92.518, numri i pacientëve të rikuperuar është 81.316, numri i vdekjeve 2.848 dhe numri i rasteve aktive është 8.354.
Kujdes!
 
Kujdes, jo vetëm nga covid 19, por edhe nga “hulumtuesit e pavarur”, “ekspertët”, “analistët”, “mjekët”, “hoxhallarët”, “misionar”, njerëz të papërgjegjshëm,  injorantët, të cilët komentojnë me hamendje ndaj çdo studimi dhe ndaj çdo mase që ndërmerren nga institucionet përgjegjëse shëndetësore në të gjithë botën, si dhe kujdes edhe nga Televizionet komerciale, portalet e ndryshme, rrjetet sociale, të cilët për të plotësuar programet e tyre, janë në gjendje të emitojnë gjithçka, vetëm e vetëm që të përfitojnë personalisht, pa çarë kokën nëse veprimet e tyre shkaktojnë pasoja.
 

Besoni vetëm institucionet përgjegjëse shëndetësore dhe jo individët!

Mbani maskën, ashtu si që mbani pantallonat në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit.

Maska/Barriera mbrojtëse e fytyrës ndihmon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet duke minimizuar transmetimin e tij nëpërmjet spërklave nga individë të infektuar.
 

Ju lutemi mbroni vetveten = ashtu do ti mbroni edhe të afërmit tuaj.

- Besoni #faktet të mos e sfidojmë shkencën, komunitetin e mjekëve, e të ekspertëve të shëndetit publik dhe
- të mbrojmë veten, familjet tona dhe njerëzit që na rrethojnë.
- Secili mund të kontribuojë për kufizimin e përhapjes së #COVID19.

Në Shkup protesta kundër akuzave për të dyshuarit në rastin “Monstra”

Protesta-rasti-MonstraNë Shkup është mbajtur një protestë nga familjarët e të akuzuarve për rastin e njohur si “Monstra”, lidhur me vrasjen e pesë të rinjve në prill të vitit 2012 në afërsi të liqenit të Smilkovës në Shkup.

Për këtë ngjarje ishin dënuar gjashtë shqiptarë me dënim të përjetshëm, por rasti ishte rikthyer në fund të vitit 2017, ndërsa të dënuarit ishin liruar nga paraburgimi.

Megjithatë, gjatë rigjykimit që ka zgjatur më shumë se dy vjet, Prokuroria nuk ka gjetur prova lehtësuese andaj edhe kërkuar nga Gjykata dënimin e të akuzuarve; tre prej tyre Alil Demirin, Agim Ismailoviqin dhe Afrim Ismailoviqin me burgim të përjetshëm, ndërsa për dy të tjerë, Fejzi dhe Haki Azirin, me nga 20 vjet burgim, kurse Sami Luta është liruar nga akuzat.

Familjarët e tyre pretendojnë se të akuzuarit janë të pafajshëm andaj edhe kërkojnë lirimin e tyre.

“Kemi të bëjmë me një proces të montuar gjyqësor. Jemi këtu për ta ngritur zërin e shqiptarëve për institucione të drejta dhe funksionale. Të gjitha faktet dëshmojnë se ky është rast i montuar dhe politik. Ne ndiejmë keqardhje për viktimat, por të akuzuarit janë të pafajshëm. Kërkojmë shkarkimin e prokurores së lëndës, e cila me këtë rast po realizon urdhrat e partive politike. Kërkojmë ndihmë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që të na ndihmojmë që ky rast se dhe tjerët të trajtohen në mënyrë të pavarur juridik”, ka deklaruar Bedri Ajdari, kryetar i Këshillit të protestave.

Në fund të protestës, në grup personash tentuan të shpërthejnë kordonin policor për të vijuar drejt ndërtesës së Prokurorisë, por policia ka ndërhyrë me c’rast ka shpërndarë protestuesit.

Rasti “Monstra” është aktualizuar në aferën e përgjimeve në vitin 2013 nga ish-lideri i atëhershëm i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, tani kryeministër, i cili kishte deklaruar se ka dëshmi se të akuzuarit për këtë rast janë të pafajshëm. Por, tani Zaev ka thënë se atë kohë nuk ka thënë se persona të tjerë e kanë kryer aktin, porse materialet që ai posedonte hidhnin dyshime mbi autorët e vërtetë të krimit.

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se megjithatë për këtë rast fjalën e fundit e kanë organet e drejtësisë. (I.K.)

 

BE-ja autorizon përdorimin e vaksinës AstraZeneca për të gjithë të rriturit

AstraZenecaRregullatorët autorizuan të premten përdorimin e vaksinës së kompanisë AstraZeneca për koronavirusin tek të rriturit në të gjithë Bashkimin Evropian, mes kritikave se blloku nuk po lëviz aq shpejt sa duhet për të vaksinuar popullatën e tij.

Komisioni i ekspertëve të Agjencisë Evropiane të Barnave rekomandoi njëzëri që vaksina të përdoret tek moshat 18 vjeç e lart, megjithëse këtë javë u ngritën shqetësime se nuk ekzistonin të dhëna të mjaftueshme për të vërtetuar se vaksina funksionon tek të moshuarit dhe disa vende lanë të kuptohet se mund të mos i jepnin ato për të moshuarit.

Vaksina e AstraZenekës është vaksina e tretë e COVID-19 që merr dritën jeshile nga Agjencia Evropiane e Barnave pas atyre nga kompanitë Pfizer dhe Moderna. Vendimi i agjencisë evropiane kërkon miratimin përfundimtar nga Komisioni Evropian, një proces që u krye shpejt me vaksinat e tjera.

Disa orë më vonë, BE-ja dha mbështetjen e saj për përdorimin e vaksinës në të 27 vendet anëtare.

“Pres që kompania të dorëzojë 400 milionë doza siç është rënë dakord. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar vaksina për evropianët, fqinjët dhe partnerët tanë në të gjithë botën, “shkroi në Twitter presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

Me provat klinike që kanë treguar rreth 60% efektshmëri, vaksina duket se ofron më pak mbrojtje sesa ato të autorizuara më parë, por ekspertët kanë thënë se çdo vaksinë me një normë efikasiteti mbi 50% mund të ndihmojë në ndalimin e rasteve.

Agjencia rekomandoi përdorimin e vaksinës tek të moshuarit, pavarësisht të dhënave të kufizuara në lidhje me efikasitetin e saj tek njerëzit mbi 55 vjeç, duke cituar përgjigjen e sistemit imunitar dhe përvojën me vaksinat e tjera.

“Pritet të paktën një farë mbrojtjeje,” tha Bruno Sepodes, në komisionin e ekspertëve të agjencisë evropiane për barnat, të premten në një konferencë shtypi. Ai pranoi se “niveli i mbrojtjes nuk mund të vlerësohet saktë për momentin”.

Shumë vende në Evropë po përpiqen për të vaksinuar njerëzit po aq shpejt sa Britania, Izraeli, SHBA dhe shtete të tjera, dhe shpresohej prej kohësh që vaksina e AstraZenekës të ndihmonte në përshpejtimin e gjërave në një kohë kur vendet përballen me raste të shumta në një pandemi që u ka marë jetën më shumë se 400,000 njerëzve në bllok.

BE-ja vari shumë shpresa tek kjo vaksinë, e cila është më e lirë dhe më e lehtë për tu administruar se disa vaksina të tjera, duke porositur 300 milionë doza që do të shpërndahen pas autorizimit dhe mundësinë për të blerë 100 milionë doza të tjera.

“Asnjë prej tyre nuk është një shkop magjik më vete, por së bashku ato ofrojnë mjete dhe mundësi për të parandaluar aspekte të ndryshme të sëmundjes,” tha Emer Cooke, drejtuese e agjencisë evropiane të barnave.

Vaksina e AstraZenekës është autorizuar për përdorim tek të gjithë të rriturit në vendet e tjera, edhe pse vetëm 12% e pjesëmarrësve në provat e saj klinike ishin mbi 55 vjeç dhe ata u regjistruan më vonë, kështu që nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të marrë rezultate.

Vendimi i agjencisë evropiane autorizon vaksinën e AstraZenekas që do të përdoret në të gjitha vendet e bllokut, por vendet individuale mund të vendosin vetë se si dhe kujt do t’ia japin dozat që marrin.

Lituania, për shembull, nuk do të përdorë vaksinën tek njerëzit e moshuar, tha zëvendës Ministrja e Shëndetësisë Zivile Simonaityte. Nuk është e qartë se cilat grupmosha do të vaksinohen, por zonja Simonaityte vuri në dukje se provat klinike tek njerëzit 55 vjeç e lart nuk ishin “të mjaftueshme”.

Gjermania mund të ndjekë një rrugë të ngjashme. Komisioni i pavarur këshillues për vaksinat rekomandoi të premten që vaksina t’u jepet vetëm njerëzve nën moshën 65 vjeç. Vendimi përfundimtar mbetet të merret nga qeveria, por ka të ngjarë që ajo të ndjekë këtë këshillë.

Thomas Mertens, kreu i komitetit këshillimor gjerman, tha se miratimi i përgjithshëm nga Agjencia Evropiane e Mjekësisë ishte “mjegullues” në dritën e të dhënave të siguruara nga AstraZeneca por që ai dhe kolegët e tij do të zbatonin rekomandimin e saj nëse paraqiten të dhëna të tjera.

Zoti Mertens theksoi se ekspertët gjermanë ishin kryesisht të shqetësuar për të dhënat klinike të siguruara nga kompania deri më tani.

“Studimi i AstraZeneca-s ishte në përgjithësi i i paorganizuar”, tha ai.

Julian Tang, virolog në Universitetin e Lesterit, tha se vendimi gjerman për të kufizuar përdorimin e vaksinës, duke injektuar vetëm të rinjtë do t’i bënte më të pambrojtur të moshuarit nga Covid-19 dhe një pjesë e tyre do të rrezikonin të vdisnin pa nevojë.

“Ka një kosto të jashtëzakonshme për këtë”, tha ai. “Kjo do të thotë që ju nuk do të përdorni një vaksinë që e keni në disponim për të mbrojtur njerëzit më të rrezikuar nga virusi.”

Zoti Tang e përshkroi autorizimin e Agjencisë Evropiane të Mjekësisë të premten si “vendimi më i mirë në situatën aktuale, ku BE-ja ka nevojë të dëshpëruar për një vaksinë që mund të përdoret”.

Agjencia analizoi katër prova në Britani, Brazil dhe Afrikën e Jugut dhe tha se studimi vërtetoi se vaksina ishte rreth 60 për qind efektive duke ulur numrin e njerëzve që mund të infektohen. Provat ende nuk kanë treguar nëse vaksina mund të ndalë transmetimin e sëmundjes.

Një studim i veçantë që po teston vaksinën AstraZeneca në Shtetet e Bashkuara është ende në process e sipër.

Ndërsa BE-ja po përballet me vështirësi në shpërndarjen e vaksinës, politikanët ia kanë hedhur fajin për këto probleme furnizimit, por edhe faktorëve të tjerë, si gabimet me dokumentacionet dhe planifikimit të dobët. Bashkimi Evropian ka sulmuar veçanërisht kompaninë AstraZeneca pasi prodhuesi i ilaçeve tha se do të dërgonte më pak vaksina nga sa kishte parashikuar fillimisht. Shqetësimet në lidhje me furnizimet në BE, një rajon me rreth 450 milionë banorë, i ka thelluar edhe kompania Moderna, e cila u ka thënë vendeve të këtij rajoni, duke përfshirë Italinë dhe Danimarkën, se ajo do të shpërndante më pak vaksina nga sa pritej fillimisht.

Ministri gjerman i shëndetësisë tha se ai e kuptonte që shumë njerëz po prisnin me padurim vaksinën, por paralajmëroi se “disa javë të vështira të mungesës së vaksinës ende do të qëndrojnë para nesh”.

Dy prodhues të tjerë të vaksinave gjithashtu njoftuan kohët e fundit rezultatet e provave të tyre klinike. Novavax njoftoi këtë javë se vaksina e saj është 89 përqind efektive bazuar në rezultatet paraprake, ndërsa Johnson & Johnson tha se vaksina e saj e shumëpritur që jepet me vetëm një dozë ishte 66 përqind efektive në parandalimin e koronavirusit. Nëse këto vaksina marrin miratimin për përdorim urgjent, kjo do të ndihmonte në zbutjen e presionit në lidhje me kërkesat e mëdha në botë për dozat e kufizuara të vaksinave aktualisht në dispozicion.

Autorizimi i vaksinës AstraZeneca vjen në mes të një mosmarrëveshje të ashpër midis prodhuesit të ilaçeve dhe Bashkimit Evropian pasi kompania tha se do të ulte ndjeshëm dërgesat fillestare nga 80 milionë doza në vetëm 31 milionë. BE gjithashtu paraqiti rregulla më të rrepta për eksportet e vaksinave kundër Covid-19 që mund të ndikojnë në eksportin e vaksinave në vendet si Britania e Madhe.

Vaksina e kompanisë AstraZeneca është autorizuar tashmë për përdorim në më shumë se 40 vende, përfshirë Britaninë, Indinë, Argjentinën dhe Meksikën. Organizata Botërore e Shëndetësisë është gjithashtu duke e shqyrtuar atë dhe një rekomandim nga kjo agjenci e OKB-së do të lejonte blerjen dhe shpërndarjen e saj në vendet në zhvillim përmes programit global të shpërndarjes së vaksinave, të njohur si COVAX.

voa

Si u shpërngulën shqiptarët nga trojet e tyre, me marrëveshjet turko-greke, turko-serbe, ku përkatësia fetare ishte si kriter për shpërngulje dhe jo përkatësia kombëtare.

shperngulja-masovikeMarrëveshja turko-greke, 98 vjet më parë në Lozanë të Zvicrës, firmosi shkëmbimin e popullatës. Më 30 janar të vitit 1923, u nënshkrua në Lozanë, marrëveshja e veçantë turko-greke, mbi shkëmbimin e grekëve të Anadollit, me “turqit” (këtu u përfshinë shqiptarët e besimit mysliman, nga Çamëria) e Greqisë. 

Në marrëveshje, përkatësia fetare ishte si kriter për shpërngulje dhe jo përkatësia kombëtare. (Prandaj edhe “hoxhallarët” sipas urdhërave të shërbimeve sekrete, propagandonin dhe vazhdojnë të propagandojnë, tek besimtarët, që të barazojnë besimin me kombësinë)

Me një dekret, Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë dhe jo zyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lozanës, për turqit e Greqisë.

Sipas marrëveshjes, duke filluar që nga 1 maji i vitit 1923: “…duhet të kryhet shkëmbimi, i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks.

Grekët e vendosur në tokat turke, gjithashtu edhe i shtetasve grekë të besimit mysliman, nga të vendosur në tokat greke.

Të shkëmbyerit duhet të linin vendin e origjinën dhe duhej të fitonin atë të vendit ku shkonin, pa të drejtë kthimi.

Ndërsa, në verë të vitit 1924, procesi i shkëmbimit mori karakter masiv.

 

Pas kësaj në vitin 1938 qeveria e mbretërisë jugosllave ka nënshkruar një konventë me qeverinë e Republikës së Turqisë për emigrimin e popullatës turke (në të vërtet ishte fjala për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman), nga pjesa jugore e Serbisë, gjegjësisht nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare që shtriheshin në 3 banovina: në banovinën e Zetës, Moravës dhe të Vardarit.

 

KONVENTA:

Mbi rregullat e emigrimit të popullatës turke * (*Fjala është për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman) nga regjioni i Serbisë së Jugut në Jugosllavi.

Qeveria e Republikës së Turqisë dhe Qeveria e Madhërisë së Mbretit të Jugosllavisë konstatojnë:

– Emigrimin (shpërnguljen) e myslimanëve nga regjioni i Serbisë së Jugut, dhe

– Njëheri vlerësojnë se kjo popullatë nga ana tjetër, në përgjithësi, i ka humbur të drejtat e regjimit të lirë në Jugosllavi, dhe së bashku janë përcaktuar ta braktisin territorin e Mbretërisë, me dëshirën e tyre legjitime, në mënyrë që t’u bashkohen etnikëve të tyre natyral në Turqi.

Ata shfaqën dëshirën që të nënshkruajnë Konventën sipas së cilës caktohen mënyrat e shpërnguljes si dhe pre-impotencat e tyre përkatëse të:

Madhërisë së tij, Mbretit të Jugosllavisë;

M.

Ekselenca e tij, Zoti Kryetar i Republikës së Turqisë.

M.

Ato do të komunikojnë dhe do t’i përmbushin dëshirat e tyre, sipas mënyrave të caktuara me dispozitat vijuese:

Neni 1.

Me këtë konventë identifikohen shtetasit jugosllavë me fe, kulturë dhe kombësi myslimane dhe që flasin gjuhën turqishte.

Ndërsa, me këtë Konventë nuk identifikohen, personat për të cilët hyrja në Turqi është ndaluar sipas ligjeve dhe rregullave të Turqisë, të cilat janë në fuqi, edhe atë: popullata nomade dhe ajo jevge.

Neni 2.

Regjionet, të cilat i nënshtrohen emigrimit sipas kësaj Konvente, janë si vijon:

1. Rajoni i Banovinës së Vardarit:

Rajoni i Malit Sharr (Prizreni); Gora (Dragashi); Podgora (Suha-Reka); Nerodimja (Ferizaj); Donji Pollog-Pollogu i Ulët (Tetova); Gornji Pollog-Polloga i Sipërm (Gostivari); Galica (Rostusha); Dibra (Dibër); Struga (Strugë); Graçanica (Prishtinë); Kaçaniku (Kaçanik); Gjilani (Gjilan); Presheva (Preshevë); Prespa (Resnja); Poreçi (Juzhni Brod-Makedonski Brod); Prilepi (Prilep); Bitoli (Manastiri); Kavadarci (Kavadari); Marihovo (Manastiri-Marihovë); Negotin Na Vardaru (Negotini i Vardarit); Skopje (Shkupi), Kumanova (Kumanovë); Velesi (Velesi); Ovçe Pole (Ovçe Pole); Radovishte (Radovishta); Strumica (Strumicë); Dojrani (Valandova); Gjevgjelija (Gjevgjelia); Kriva Pallanka (Kriva Pallanka); Kratovo (Kratova); Carevo Sello (Carevo Sello); Malesi (Berovo).

2. Rajoni i Banovinës së Zetës, përfshin:

Pejën (Pejë); Istokun (Istog); Mitrovicën e Kosovës (Mitrovicë e Kosovës); Gjakovën (Gjakovë); Podrimjen (Rahovec).

3. Rajoni i Banovinës së Moravës përfshin:

Llapin (Podujevë); Vuçiternën (Vuçitërnë); Drenicën (Sërbicë).

Qeveria jugosllave do të caktonte se nga cili regjion do të fillonte emigrimi (shpërngulja).

Neni 3.

Numri i familjeve, për të cilat Qeveria turke merr obligimin që t’i pranojë nga regjionet e përmendura në Nenin 2, sipas kushteve të kësaj Konvente, përbëhet prej 40.000 familjesh. Këtu përfshihen familjet e përbashkëta dhe anëtarët e tyre (personat) dhe fëmijët e një gjaku, të cilët në momentin e nënshkrimit të kësaj Konvente, jetojnë në një bashkësi familjare të pandarë dhe nën një kulm të përbashkët.

Neni 4.

Riatdhesimi i këtyre 40.000 familjeve do të realizohet për gjashtë (6) vjet, sipas këtyre proporcioneve:

1. Në vitin 1939 4.000 familje

2. Në vitin 1940 6.000 familje

3. Në vitin 1941 7.000 familje

4. Në vitin 1942 7.000 familje

5. Në vitin 1943 8.000 familje

6. Në vitin 1944 8.000 familje

Nëse ky numër i familjeve nuk mund të realizohet sipas viteve të parapara për shkak të pengesave-vështirësive eventuale, dy palët kontraktuese, do të bëjnë marrëveshje sipas dispozitave përkatëse ligjore mbi numrin e të emigruarve (të shpërngulurve), të cilët do të evakuohen nga njëra anë, dhe do të pranohen nga pala tjetër, tre muaj para fillimit të emigrimit. Por, kuptohet se këto ndryshime eventuale të numrit të të emigruarve (të shpërngulurve) në vit, nuk mund të zgjatet më tepër se një vit gjatë gjashtë (6) viteve të caktuara -të fiksuara për emigrim (për shpërngulje). Koha e emigrimit (shpërnguljes) për çdo vit do të zgjasë (do të fillojë) prej muajit maj deri më 15 tetor, pos kontingjentit të vitit të parë, i cili do të fillojë në fillim të muajit korrik të vitit 1939.

Neni 7.

Qeveria jugosllave duhet t’i paguajë Qeverisë turke shumën prej 500 lirash turke për një familje, ndërsa shuma e tërësishme do të jetë 20.000.000 lira turke për 40.000 familje, në bazë të së cilës shumë, këto familje do të merren në konsiderim. Përkundër kësaj pagese globale, të gjitha pasuritë e patundshme fshatare që u përkasin të shpërngulurve, në pajtim me Nenin 6, mbeten pronë e Qeverisë Jugosllave. Sa i perket pasurisë së tundshme dhe të patundshme fshatare, e cila i takon kombësisë myslimane ose Evkafit (Vakëfit), kuptohet se kjo Konventë nuk i dëmton dispozitat e Ligjit ekzistues, i cili i rregullon ato.

Neni 8.

Qeveria jugosllave më 1. prill dhe më 1. tetor të çdo viti do të kryejë (bëjë) pagesën periodike (semestrale), e cila do të jetë në proporcion me familjet që shpërngulen, të cilat do të evakuohen gjatë vitit, e që mund të zvogëlohet ose të rritet në proporcion me numrin e tyre. Pagesa, shuma e së cilës është caktuar me nenin e mëparshëm (Neni 7) do të bëhet në 12 kiste e ndarë për gjashtë (6) vjet.

Neni 9.

Qeveria jugosllave, secilën pagesë do ta bëjë në këtë mënyrë:

30% në deviza, të cilat duhet t’ia lejojë në dispozicion Qeverisë së Republikës së Turqisë përmes Bankës Popullore të Jugosllavisë;

70% në dinarë, duke i deponuar në Bankën Popullore të Jugosllavisë, në dobi të xhirollogarisë – në favor të Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Banka Popullore e Jugosllavisë, për secilën pagesë do ta njoftojë menjëherë Legatën e Turqisë në Beograd, se depozita është bërë në xhirollogarinë e tyre.

Neni 10.

Për shndërrimin e dinarëve në lira turke, Banka Popullore e Jugosllavisë dhe Banka Qendrore e Republikës së Turqisë do të realizojnë, në marrëveshje të përbashkët, sipas kursit të ndërrimit në lira turke, i cili vlen ditën e ndërrimit, përkatësisht në ditën e secilës pagesë.

Neni 11.

Shumat (fondet) e deponuara në Bankën Popullore të Jugosllavisë do të shfrytëzohen nga ana e Qeverisë së Republikës së Turqisë, qoftë në të gjitha format ose pagesat dhe shpenzimet, të cilat do të bëhen në Jugosllavi, qoftë për blerje në tregun jugosllav, përveç mallrave, eksportimi i të cilave është i ndaluar dhe i kushtëzuar me pagesat e tyre në deviza (siç janë): bakri, leshi, prodhimet nga lëkura, prodhimet nga druri i arrës, frutat e vajrave, ullinjtë, gruri dhe misri.

Blerja e të gjitha këtyre mallrave do të realizohet, duke ia destinuar ato Turqisë. Këto mallra do të lirohen nga çdo tatim, taksë ose nga çdo ngarkim tjetër i eksportimit. Kuptohet se, për eksportim nuk do të zbatohen dispozitat e parashikuara në bazë të marrëveshjeve komerciale (tregtare) të lidhura ose që do të lidhen, por ajo do të bëhet në pajtim me dispozitat e kësaj Konvente.

Neni 12.

Personat që do të evakuohen gjatë periudhës së shpërnguljes, të cilët do të shpërngulen sipas listës vjetore, duhet të japin (paraqesin) deklaratë me shkrim para autoriteteve jugosllave në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi shtetasit jugosllavë që është në fuqi, se heqin dorë nga shtetësia Jugosllave me dëshirë. Këta persona do t’i kenë cilësitë dhe do t’i gëzojnë të drejtat e të shpërngulurve sipas ligjeve turke, që nga momenti kur përfaqësuesit e Turqisë, të cilët do të emërohen për këtë çështje, do t’i nënshkruajnë listat vjetore të emigrimit në Turqi.

Neni 13.

Të shpërngulurit, në përgjithësi, do të jenë të lirë t’i likuidojnë ose t’i bartin me vete të gjitha mallrat (e pasurinë) e veta të tundshme të të gjitha llojeve, me të cilat posedojnë (si pronë personale), pastaj shtazët e shpezët nga fermat e tyre, instrumentet, makinat etj. të cilat përdoren në punë bujqësore ose industriale ose për ushtrimin e zejeve e profesioneve të tjera.

Megjithatë, për transportin e mallrave dhe të pasurisë së tyre të tundshme, veglave bujqësore, pastaj nga 4 kafshë të trasha dhe nga 10 kafshë të vogla, duke mos i llogaritur të vegjlit e tyre, vjetët etj.; Qeveria Jugosllave merr përsipër që ato t’i transportojë gratis deri në limanin e zbarkimit të tyre në Selanik.

Për transportin e mallrave, të shpërngulurit gëzojnë zvogëlimin e taksave sipas tarifës në fuqi. Megjithatë, nuk gëzojnë zvogëlimin e taksave për kafshë, si p.sh. gjashtë kafshë të trasha dhe 20 kafshë të imëta (të vogla) duke mos i llogaritur të vegjlit e tyre, për secilën familje që shpërngulet.

Eksportimi i kafshëve bëhet sipas dispozitave të Konventës ekzistuese veterinare dhe në bazë të certifikatës së veterinarit, të cilat do të sigurohen gratis për ata që shpërngulen.

Neni 14

Ata që shpërngulen janë të autorizuar, që në mënyrë të barabartë të importojnë: ekskluzivisht stolitë e tyre personale, pikërisht qaforet ose pjesët e tyre, gjerdanët nga ari, argjendi, të cilat i mbajnë në qafë femrat, si dhe secili nga ata nuk mund të importojnë më shumë se një sosh.

Përkundër kësaj, secili kujdestar i familjes është i autorizuar që lirisht të importojë, në të dalë nga Jugosllavia, shumën prej 2.000 dinarësh, si dhe shumën prej 4.000 dinarësh të shndërruar në kundërvlerë në deviza. brendshëm, pas likuidimit të pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme në qytet e në fshat, mallrat, eksportimi i të cilave nuk është i kushtëzuar në deviza ose i ndaluar në Jugosllavi si dhe importimi i të cilave nuk është i ndaluar në Turqi. Të gjitha këto mallra do t’i nënshtrohen taksave dhe ngarkesave të tjera të eksportimit dhe të importimit.

Neni 15.

Banka Popullore e Jugosllavisë do të hapë xhiro-llogarinë speciale në emër të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë, në të cilën secili i shpërngulur do të ketë mundësinë të deponojë të gjitha shumat që i takojnë dhe me të cilat disponon, në pikëpamje të garantimit të transferimit përmes blerjes së mallrave në Jugosllavi, Banka Popullore e Jugosllavisë do ta njoftojë Legatën e Turqisë në Beograd për secilën pagesë të bërë në efektiv, me udhëzim të detalizuar të deponuesit. Këto shuma, kështu të transferuara në Turqi, përmes mallrave të blera në Jugosllavia, do t’u kthehen të interesuarve nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë.

Neni 16.

Fondet, mallrat, vlerat, mobilet dhe të gjitha objektet e tjera, të cilat u përkasin të miturve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, të cilëve ua ka besuar kujdestari i familjes dhe të besuara nga organet kompetente jugosllave, do t’i paguhen ose do t’i lejohen Qeverisë së Republikës së Turqisë, që në të ardhmen do t’i sigurojë administrata dhe mbrojtja e tyre, deri sa të rriten ata, ndërsa shpagimi i tyre do t’i bëhet kryetarit të familjes, i cili e gëzon këtë të drejtë në pajtim me ligjet e Turqisë.

Neni 17.

Të gjithë të rinjtë myslimanë, familjet e të cilëve janë regjistruar në listat vjetore të shpërnguljes, e të cilët ende gjenden në radhët e armatës jugosllave, menjëherë do të lirohen nga shërbimi ushtarak i mëtejmë, dhe në të njëjtën kohë do të shpërngulen së bashku me familjet e tyre. Nën të njëjtat kushte, nuk do të përfshihen, të rinjtë myslimanë turq që jetojnë në regjionet, popullsia e të cilave është caktuar të emigrohet gjatë vitit vijues.

Neni 18.

Nga ana e Qeverisë jugosllave do të emërohet një Komision special, i cili do të angazhohet për hartimin e listës vjetore për të shpërngulurit, duke e detalizuar me të gjitha shënimet e nevojshme mbi kushtet, profesionin dhe zejet e emigrantëve. Listat duhet t’u prezantohen përfaqësuesve të Qeverisë turke, dhe njëherit duhet të zbatohen nga ana e tyre, ato do të shërbejnë si bazë për lejimin e dhënies së pasaportit turk, si dhe për llogaritjen e numrit të familjeve të të shpërngulurve.

Ky Komision jugosllav do të mbajë bashkëpunim të përhershëm me të deleguarit turq, dhe në kërkesë të tyre, duhet t’u ofrojë atyre të gjitha informatat për të cilat ata kanë nevojë.

Neni 19.

Nisja dhe ngarkimi i të shpërngulurve do të bëhet në bazë të pasaportave turke kolektive, të cilat do t’u lejohen atyre nga autoritetet konsullore të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Jugosllavi. Pasaportat kolektive turke si dhe të gjitha dokumentet e tjera të nevojshme, të cilat vlejnë si dëshmi, përgatitja e listave vjetore dhe e vizave përkatëse në pasaporta për të dalë nga Jugosllavia, absolutisht do të bëhen gratis.

Neni 20.

Në zonën e lirë të Jugosllavisë, në Selanik, do të konstituohet një komision mikso turko-jugosllav i përbërë nga nëpunësit, të emëruar nga të dy qeveritë, i cili do të angazhohet, në marrëveshje të përbashkët, për të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme, sipas rrethanave dhe kushteve të ngarkimit dhe të zbarkimit të të shpërngulurve.

Neni 21.

Kjo Konventë hyn në fuqi ditën e ratifikimit të saj nga ana e të dy qeverive.

Njëheri, nënshkruesit, këtë Konventë do ta vërtetojnë me vulat përkatëse.

E hartuar në gjuhën frënge në vitin 1938.

Me rastin e 85-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë ju sjell disa nga thëniet e tij të vlefshme.

Ismail Kadare

“Ka gjithmonë kohë që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre”.

“Të falësh nuk do të thotë të harrosh”.

“Sillu aq mirë me ata që të lëndojnë, sa t’iu vijë neveri nga vetja e tyre”.

“Ata që shohin qartë edhe larg, në të ardhmen janë të padëshirueshëm për çdo pushtet tiranik”.

“Armiku mbetet armik, edhe i vdekur qoftë”.

“Sa i hollë është kufiri mes urrejtjes dhe dashurisë. Në ankthin e dhimbjes klith: Të urrej, sepse nuk mund të dashuroj askënd tjetër”.

“Fjala është si bleta që ka edhe mjaltin, edhe thumbin”.

“Kultura antike është pasaporta autentike e kulturës kombëtare”.

“Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve”.

“Popujt, librat e tyre të mëdhenj, me gjak zakonisht i kanë larë. – Ata që shpikën shpejtësinë reaktive, larg Atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë!”

“Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.”

“Letërsia autentike nuk përputhet me diktaturat. Shkrimtari është armiku natyror i diktaturave.”

“Njeriu në jetë ka nevojë për një filxhan shkencë, një shishe kujdes dhe një oqean durim.”

“Nëpër Shqipëri” – Brezi “call center” dhe përçarje në shoqëri

Franziska TschinderleGazetarja austriake, Franziska Tschinderle ka shkruar një libër për Shqipërinë. Libri me titull “Nëpër Shqipëri”, u mor si bazë në një diskutim online për Shqipërinë me deputetë të Parlamentit Europian.

„Në asnjë vend të Europës nuk shkëlqen dielli më shpesh dhe më gjatë se në Shqipëri. E megjithatë në këtë libër nuk do të gjeni Shqipërinë e guidave turisitke e të broshurave promocionale, por do të njiheni me një vend, që është ndër më të varfërit në Europë dhe që ende e ka të vështirë të zbardhë të kaluarën e errët të tij.“ Shkruan Franziska Tschinderle në hyrje të librit të saj “Unterwegs in Albanien” (Nëpër Shqipëri”). Pikërisht për të diskutuar me publikun mbi Shqipërinë ecurinë e saj në këto 30 vjet dhe problemet, eurodeputetët eudeputetët, Viola von Cramon-Taubadel dhe Andreas Schieder dhe autorja kishin ftuar për një diskutim on-line dhe lexim të pjesëve nga libri.

Diskutimi i zhvilluar më 27 janar, ditën e përkujtimit të viktimave të nacionalsocializmit në hyrje iu kushtua pikërisht kësaj teme, duke u ndalur tek shpëtimi i 26 hebrejve në Shqipëri. Historia dhe rishikimi i saj është një çështje që e ndan shoqërinë shqiptare edhe sot, 30 vjet pas ndryshimeve politike, “të cilat erdhën me vonesë në Shqipëri”, thotë autorja Tschinderle. Shkollat, imazhi historik, monumentet publike, mënyra si trajtohet Lufta e Dytë Botërore janë tema që kanë krijuar përçarje të shoqërisë shqiptare. “Është e vështirë të kuptohen 30 vitet e fundit të Shqipërisë, nëse nuk hedh sytë në shekullin e 20-të”, thotë ajo. Tschinderle, që ka zhvilluar 100 intervista në Shqipëri e fillon librin me figurën e Enver Hoxhës, dhe se si ka ndryshuar ajo 30 vitet e fundit. Ajo lexon pjesë nga libri, një reportazh shkruar nga Blloku. Austriaku socialdemokrat, Andreas Schieder, flet për orientimin amerikan të gjithë vendeve të Ballkanit dhe për Shqipërinë, “ku kjo gjë është në katror”, në krahasim me vendet e tjera.

Mungon rishikimi i historisë

Franziska Tschinderle, që mendon se socialistët në Shqipëri bëjnë politikë të majtë, e pyet eurodeputetin Schieder, çfarë do t’i këshillonte kryeministrit Edi Rama, nëse do t’i duhej të jepte ndonjë këshillë. Schieder, i shmanget pyetjes, duke thënë se “Rama është politikan jo konvencional”. Në Shqipëri, brezi i ri nuk i largohet gjurmëve të familjes, nuk distancohet nga prindërit dhe kjo bën që dualizmi në shoqëri të vazhdojë.

Edhe politikania e partisë ekologjiste gjermane, Viola von Cramon flet për polarizimin e shoqërisë shqiptare dhe dualizmin e saj. “BE mund të luajë një rol për këtë çështje në Shqipëri,” thotë ajo.

Lidhur me pyetjen a ka ardhur koha për t’u marrë me rishikimin e historisë, Franziska Tschinderle, e cila ka studiuar histori thotë se “gjithnjë ekziston koha për t’u marrë me rishikimin e historisë”.  Duke folur për muzeumet shqiptare, edhe ato që trajtojnë temën e komunizmit, ajo thotë se ato i shërbejnë më shumë “turizmit të errët”, njerëzve që shkojnë të shohin bunkerët. “Ky nuk është rishikim i historisë”, thotë ajo. Në Shqipëri mungojnë vendet e kujtesës, ku njerëzit shkojnë të reflektojnë, mendon autorja e librit, “Nëpër Shqipëri”.

Edhe eurodeputeti Schieder thotë, se Shqipëria nuk është shembulli i mirë për rishikimin e historisë. “Në Ballkan nuk është bërë zbardhja e historisë, thotë ai, dhe këtë e tregojnë shumë mirë shembujt e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ku vendet nuk kanë “narrativë të përbashkët”. Sipas tij, shembulli i Maqedonisë së Veriut dhe çështjet e pazgjidhura me Bullgarinë, vend anëtar i BE, e tregojnë më së miri që kjo është pengesë në rrugën drejt BE.

Franziska Tschinderle Unterwegs in AlbanienShembuj të suksesshëm të rikthimit në atdhe

Franziska Tschinderle, kalon në temën tjetër, atë të largimit të shqiptarëve nga vendi duke lexuar pjesë nga libri. Leximi ka të bëjë me historinë e suksesshme të kthimit në atdhe të një migranti, që ka fituar famë duke u bërë kuzhinier. Historia e Bledar Kolës, histori që ngjan me filmat hollivudian të pjatalarësit që bëhet pronar restoranti, tregon për një të ri që pasi mëson profesionin e kuzhinjerit jashtë vendit, kthehet në Shqipëri për “të zbuluar kuzhinën shqiptare”.

Viola von Cramon tregon histori të njerëzve që ajo njeh nga Shqipëria dhe Kosova, që duke pasur nënshtetësinë e një vendi tjetër, kthehen në atdhe për ta ndërtuar atje të ardhmen. Ajo citon njerëz që i kanë treguar se vendet e punës në Kosovë dhe Shqipëri jepen “nga familjet dhe partitë” dhe jo në bazë të aftësive.

Dikush nga publiku shkruan në chat mbi infermierët dhe mjekët që largohen nga Shqipëria për të punuar në Austri apo Gjermani. Kështu që diskutimi kalon tek kjo temë. Franziska Tschinderle thotë, se njerëzit me këto profesione kërkohen me qëllim, për të mbushur boshllëkun që ekziston në Gjermani dhe Austri. Rroga mesatare në këto profesione është 420 euro në Shqipëri, ndërkohë që gjetkë rrogat janë më të larta.

Brezi “call center”

Përveç rrogave të ulta, në Shqipëri ekzistojnë dhe kushte të këqija pune, thotë gazetarja austriake. Ajo tregon shembullin e një call center që punon për Vodafon Italia, një kompani që ka 26 milionë abonentë, me volum pune 6 milardë euro, që i paguan punonjësit shqiptarë me 2,60 euro orën. Pagesat në Shqipëri për punonjësit e call center janë dhjetë herë më të ulta se në vendet e BE. “Kjo tregon për moralin e dyfishtë të BE,” thotë Franziska Tschinderle. Viola con Cramon flet për presionin që bëhet për uljen e pagave, dhe kërkon që BE të bëjë diçka që të mos lejojë që Shqipëria të kthehet në treg të punës me kosto të ulët. “Nuk duhet lejuar, thotë ajo, që punëmarrësit në Shqipëri të bëjnë konkurencë me punëmarrësit në Azi.” Ajo mendon se për të luftuar brain drain duhen krijuar perspektiva për njerëzit.

Eurodeputeti Schieder kërkon që programet e BE të përshtaten me problemet që ka vendi. Ai mendon se vendosja e kufijve për pagat minimale europiane do të ndihmohne për të luftuar brain drain. Ai thotë se të gjitha ish-vendet komuniste kanë probleme me kushtet e këqija të punës, “të cilat nuk i kanë përmirësuar”. Ai përmend mungesën e sindikatave, mungesën e sigurimeve shoqërore, mungesën e spitaleve, që të gjitha luajnë rol në pranimin e vendit në BE. “Dimensionet sociale nuk mund të arrihen nga një vend i vetëm. Në arritjen e tyre duhet të luajë rol edhe BE,” thotë ai.

Eurodeputetja von Cramon kërkon që BE të vlerësojë më mirë, në cilat fusha financon projektet në Shqipëri duke patur parasysh rreziqet që shkaktohen nga projektet e hidrocentraleve në lumejtë e virgjër të Shqipërisë.

dw

Ministria e Shëndetësisë: 3761 testime, 896 raste të reja, 8 humbje jete dhe 514 të shëruar

tabela 29 janarMinistria e Shëndetësisë  ju informon se në 24 orët e fundit janë kryer 3761 testime dhe 896 qytetarë kanë rezultuar pozitivë  edhe ate në këto bashki: 306 raste në Tiranë, 55 raste në Durrës, 54 raste në Tiranë, 49 raste Elbasan, 47 raste në Fier, 28 raste në Lushnje, 26 raste në Shkodër, 22 raste në Kavajë, 20 raste në Berat, 18 raste në Sarandë, Krujë, Kurbin, 16 raste në Korçë, Lezhë, Gjirokastër, 15 raste në Kukës, Kamëz, 13 raste në Mat dhe Gramsh, 12 raste në Patos, 10 raste në Vorë, 9 raste në Divjakë, Librazhd, 7 raste në Prrenjas, Mallakastër, 6 raste në Mirditë, Ura Vajgurore, Dibër, Kuçovë, 5 raste në Pogradec, Delvinë, Rrogozhinë, 4 raste në Tepelenë, Vau i Dejës, Peqin, 3 raste në Belsh, Malësi e Madhe, Bulqizë, 2 raste në Rroskovec, Skrapar, Cërrik, Poliçan, Këlcyrë, 1 rast në Devoll, Has, Tropojë, Himarë, Klos, Shijak, Dropull.

Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 8 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19 në spitalet COVID. 3 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Kurbini, 1 qytetar nga Lezha, të moshave 46-86 vjeç.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 514 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 46,420 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 309 pacientë, 20 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat antiCOVID duke vendosur maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë; duke shmangur grumbullimet dhe duke ruajtur distancimin fizik; duke u kujdesur për higjenën vetjake, në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për të mësuar mjekun tuaj të familjes dhe për të kontaktuar me të. Gjithashtu, telefononi në numri unik 127 i Urgjencës Kombëtare mund të telefononi kur dyshoni se keni shenja të sëmundjes dhe duhet të kryeni testimin për COVID19 apo nëse keni nevojë për trajtim të specializuar spitalor në spitalet COVID.

COVID-19 – Statistika (29 Janar 2021)
Raste të reja ditore 896
Të shëruar në 24 orë 514
Të shtruar në spitale 309
Humbje jete në 24 orë 8
Testime ditore 3761

Testime totale 351,485
Raste pozitive 76,350
Raste të shëruara 46,420
Raste Aktive 28,572
Humbje jete 1358

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 16528
Fier 2207
Durrës 1560
Shkodër 1382
Elbasan 1322
Vlorë 1242
Lezhë 1031
Korçë 895
Berat 914
Gjirokastër 589
Dibër 447
Kukës 455

OBSH, hetime në Wuhan për të zbuluar origjinën e koronavirusit

who-wuhanNjë ekip i Organizatës Botërore të Shëndetësisë nisi sot (e premte) në Kinë një mision hetimor për të zbuluar origjinën e koronavirusit.

Një nga ndalesat e para të hetuesve ishte një spital në qytetin e Wuhan-it, ku u kuruan disa nga pacientët e parë me COVID-19.

Ekipi i OBSH-së pritet gjithashtu të vizitojë një treg prodhimesh deti po në Wuhan, ku u identifikuan rastet e para të sëmundjes, Institutin e Virologjisë dhe një laborator të Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Koronavirusi i ri u shfaq në Wuhan në fund të vitit 2019 dhe prej asaj kohe është përhapur në të gjithë botën.

Më shumë se 120 vende kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur mbi origjinën e virusit dhe shumë qeveri kanë akuzuar Kinën se nuk ka bërë sa duhet për të frenuar përhapjen e tij.

voa

Vaksina e J&J, 72 për qind efektive në SHBA, por më pak në rajone të tjera

Kompania farmaceutike Johnson & Johnson bëri të ditur të premten se vaksina e saj, e cila merret me një dozë të vetme, ishte 72 për qind efektive në parandalimin e COVID-19-s në Shtetet e Bashkuara. Nga ana tjetër vaksina kishte dëshmuar një normë më të ulët mbrojtjeje globalisht, 66 për qind, gjatë kryerjes së provës përfundimtare në tre kontinente, kundër disa varianteve të virusit.

Në provën me rreth 44,000 vullnetarë, niveli i mbrojtjes kundër rasteve të lehta e të rënda me COVID-19 ishte 66 për qind në Amerikën Latine dhe vetëm 57 për qind në Afrikën e Jugut, ku po qarkullon një variant shumë shqetësues i koronavirusit të ri.

Këto rezultate ndryshojnë në raport me nivelin e lartë të efektivitetit të shënuar nga dy vaksina që tashmë kanë marrë autorizim për përdorim emergjent, të prodhuara nga Pfizer/ BioNTech-u dhe Moderna, të cilat janë rreth 95 për qind efektive në parandalimin e sëmundjes pas marrjes së të dy dozave. Megjithatë provat me to janë zhvilluar kryesisht në Shtetet e Bashkuara, përpara përhapjes së gjerë të varianteve të reja, që tani janë në qendër të vëmendjes.

Qëllimi kryesor i studimit të J & J ishte parandalimi i rasteve të lehta deri tek ato të rënda të COVID-19-s. Vaksina rezulton të jetë 85 për qind efektive në ndalimin e rasteve të rënda si dhe në parandalimin e shtrimeve në spital për të gjitha rajonet ku është testuar si dhe kundër varianteve të ndryshme, 28 ditë pas imunizimit.

Ky nivel parandalim,i “potencialisht do të mbrojë qindra miliona njerëz nga raste serioze apo me pasoja fatale të COVID-19-s”, tha në një deklaratë doktor Paul Stoffels, shkencëtari kryesor i kompanisë amerikane J & J.

Javën e ardhshme kompania ka në plan të kërkojë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, autorizimin për përdorim emergjent të vaksinës.

Zyrtarët amerikanë të shëndetit publik i kanë varuar shpresat tek vaksina e J&J-it për të rritur sasinë e furnizimit me vaksina, diçka tejet e nevojshme si dhe për të thjeshtuar fushatën e imunizimit në vend.

Ndryshe nga vaksinat e Pfizer / BioNTech-ut dhe Moderna-s, vaksina e J & J-it merret me një dozë të vetme si dhe nuk mbahet e ngrirë, duke e bërë atë një kandidate të fortë për përdorim në ato pjesë të botës me infrastrukturë të dobët transporti dhe ambiente të pamjaftueshme për ruajtjen e vaksinave në të ftohtë.

voa