Covid 19: prej 2291 testeve, kemi 350 raste të reja, 20 viktima dhe 266 persona të shëruar

E merkureGjatë 24 orëve të fundit, janë kryer 2291 teste dhe 350 raste të reja të Covid-19 u regjistruan në:
  • Shkup – 180 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Kavadarci – 24 (me 38.741 banorë)
  • Veles –19 (me  54.384 banorë)
  • Kumanovë – 14 (me 109.228 banorë)
  • Tetovë – 14 (në territorin e Tetovës me 200.678 banorë që dtth.: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, + Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, + Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, + Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, + Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe + Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë).
  • Gjevgjeli – 12 (me 22.706 banorë)
  • Ohër- 8 (51.591 banorë)
  • Gostivar – 7 (111.252 banorë)
  • Strumica – 7 (me 57.175 banorë)
  • Delçevë –7 (me 17.713 banorë)
  • Prilep – 6 (me 75.132 banorë)
  • Strugë – 6 (me 65.801 banorë)
  • Negotinë – 6 (me  19.327 banorë)
  • Koçani – 6 (me 37.758 banorë)
  • Radovish – 6 (me 29.100 banorë)
  • Demir Kapi – 5 (me  4.039 banorë)
  • Shtip – 5 (me 43.625 banorë)
  • Sveti Nikollë – 3 (me 17.683 banorë)
  • Kriva Pallanka – 3 (me  20.820 banorë)
  • Manastir – 2 (me 91.983 banorë)
  • Demir Hisar – 2 (me 8.177 banorë)
  • Berovë – 2 (me 12.813 banorë)
  • Probishtip – 1 (me 15.085 banorë)
  • Kërçovë – 1 (me 56.937 banorë)
  • Kratovë – 1 (me 9.376 banorë)
  • Dibër – 1 (me 20.863 banorë)
  • Resnjë –1 (me 16.313 banorë)
  • Vinicë – 1 (me 19.391 banorë)

(Vërejtje: Numri i banorëve është numri zyrtar i banorëve të regjistruar, por ajo realisht duhet të ketë rënie, për shkak të shpërnguljeve në Shkup (kryesisht nga Maqedonia lindore) dhe jashtë shtetit.) 

Kanë ndërruar jetë 20 persona , dymbëdhjetë pacientë nga Shkupi (59,61,62,62,66,66,68,71,74,75,80,83), dy nga Struga (69,76) dhe nga një nga Vinica (63), Strumica (67 ), Kavadarci (35), Krusheva (69), Probishtipi (73) dhe Radovishi (56).
 
Janë regjistruar 266 pacientë të rikuperuar nga:
-Shkup 152 -Kavadarci 17-Kumanovë 12 -Veles 11 -Resnje 8 -Negotina 7 -Shtipi 7 -Prilepi 6 -Strumica 5 -Kërçovë 5-Tetovë 4 -Koçani 4 -Gjevgjelia 3-Manastiri 3 -Berova 3 -Kratova 3 -Gostivari 2-Demir Kapia 2-Dibra 2 -Probishtipi 2 -Vinica 2-Bogdanci 2-Delçeva 1-Kriva Palanka 1-Makedonski Brod 1 -Pehçevë 1.
 
Deri më tani, janë kryer gjithsej 461.850 teste të Covid-19.
Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me COVID që nga fillimi i epidemisë është 93.510, numri i pacientëve të rikuperuar është 82.786, numri i vdekjeve është 2.893 dhe numri i rasteve aktive është 7.831.
 
Kujdes!
 
Kujdes, jo vetëm nga covid 19, por edhe nga “hulumtuesit e pavarur”, “ekspertët”, “analistët”, “mjekët”, “hoxhallarët”, “misionar”, njerëz të papërgjegjshëm,  injorantët, të cilët komentojnë me hamendje ndaj çdo studimi dhe ndaj çdo mase që ndërmerren nga institucionet përgjegjëse shëndetësore në të gjithë botën, si dhe kujdes edhe nga Televizionet komerciale, portalet e ndryshme, rrjetet sociale, të cilët për të plotësuar programet e tyre, janë në gjendje të emitojnë gjithçka, vetëm e vetëm që të përfitojnë personalisht, pa çarë kokën nëse veprimet e tyre shkaktojnë pasoja.
 

Besoni vetëm institucionet përgjegjëse shëndetësore dhe jo individët!

Mbani maskën, ashtu si që mbani pantallonat në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit.

Maska/Barriera mbrojtëse e fytyrës ndihmon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet duke minimizuar transmetimin e tij nëpërmjet spërklave nga individë të infektuar.
 

Ju lutemi mbroni vetveten = ashtu do ti mbroni edhe të afërmit tuaj.

- Besoni #faktet të mos e sfidojmë shkencën, komunitetin e mjekëve, e të ekspertëve të shëndetit publik dhe
- të mbrojmë veten, familjet tona dhe njerëzit që na rrethojnë.
- Secili mund të kontribuojë për kufizimin e përhapjes së #COVID19.

Kosovë: Fillon fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit

PrishtinaNë Kosovë fushata për zgjedhjet parlamentare që mbahen me 14 shkurt zhvillohet në kohë pandemie. 28 subjekte politike garojnë për 120 vende në parlament. Sfidë e parlamentit të ri mbetet edhe zgjedhja e presidentit.

Në Kosovë filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme që mbahen me 14 shkurt. Fushata zgjedhore në Kosovë do të zgjasë vetëm 10 ditë. Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare marrin pjesë 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Të gjitha partitë garojnë për 120 vende në parlament. Në garë janë edhe tri subjekte politike serbe, ndërsa, më e madhja, Lista Srpska pos rajoneve të tjera të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kjo parti është më e strukturuar dhe ka degë në katër komunat veriore të Kosovës.

Autoritetet të përkushtuara për zgjedhje me standarde

Kryetarja e KQZ, Valdete Daka, tha se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve është një nga proceset më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse për një vend. Sipas saj Kosova tashmë ka traditë në organizimin e zgjedhjeve. “Dua të garantoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor dhe sidomos qytetarët tanë, se KQZ-ja mbetet e përkushtuar për organizimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe me standardet më të mira ndërkombëtare”, tha Daka. Në mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore, por edhe në ditën e organizimit të zgjedhjeve janë të përfshirë shumë mekanizma, siҫ janë KQZ, Policia e Kosovës, prokuroria e shtetit dhe Këshilli Gjyqësorë i Kosovës.

Laura Pula, koordinatore nacionale e zgjedhjeve në zyrën e Prokurorit të Shtetit, thotë se janë caktuar 88 prokurorë dhe 40 zyrtarë në mbrojtjen e votës së qytetarëve në ditën e zgjedhjeve. “Dua të dal me një mesazh që prokurori së bashku me policinë do të arrestojnë apo ndalojnë të gjithë zyrtarët që në çfarë do mënyrë ndikojnë në keqpërdorimin e votës së qytetarit të Kosovës”, thotë Laura Pula. Po ashtu nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës bëhet e ditur se janë angazhuar 30 gjyqtar kujdestar që do t’u përgjigjen kërkesave të prokurorisë.

Hera e parë që zgjedhjet organizohen vetëm nga KQZ-ja

Zgjedhjet për parlamentin e Kosovës zhvillohen në të gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Në këtë pjesë që nga viti 2013 proceset zgjedhore si ato lokale dhe të përgjithshme, zakonisht janë ndihmuar edhe nga misioni i OSBE-së. Por kësaj radhe është hera e parë që zgjedhjet në tërë territorin e vendit organizohen vetëm nga KQZ-ja.

“Misioni i OSBE-së në zgjedhjet paraprake ka pasur rol këshilldhënës dhe mbështetës për trupat lokale zgjedhore. Ne tani konsiderojmë se këto trupa janë konsoliduar mjaftueshëm dhe se janë të gatshëm që të përmbushin vetë detyrimet që dalin nga ligji dhe rregulloret në fuqi”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi. Për shkak të pandemisë për herë të parë Bashkimi Evropian nuk do të dërgojë ekipën e saj për vëzhgimin e zgjedhjeve. Mirëpo, stafi i ambasadave dhe vet ambasadorët thuhet se do të jenë vëzhguesit e procesit të zgjedhjeve, krahas mijëra vezhguesve të organizatave joqeveritare të Kosovës.

Ambasadorët e shteteve më të industrializuara QUINT, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, thonë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të kujdeset që procesi zgjedhor të jetë transparent dhe i pandikuar nga ndërhyrjet politike. Ata ju bënë thirrje të gjitha partive politike që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative dhe në të njëjtën kohë shprehin “përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt”.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë propozime të hollësishme të politikave, nga politikanët e tyre, me argumente të bëra në një frymë debati informues. Për të siguruar zgjedhje të suksesshme, i takon edhe popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat anti-COVID-19. Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën”, thuhet në një komunikatë të QUINT.

Fokusi i programeve politike të partive

Por çfarë ofrojnë në programet e tyre partitë politike garuese për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit? Rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë COVID-19 pritet të jetë sfida më të cilën do të përballet qeveria e ardhshme nga kushdo që do ta bëjë atë. Lëvizja Vetëvendosja që në zgjedhjet e vitit 2019 doli partia e parë, ka për synim që të marrë sa më shumë vende në parlament, mundësisht më shumë se gjysmën në mënyrë që të qeverisë e vetme. Kjo për faktin që zyrtarë të kësaj partie thonë se gjatë këtyre 21 vjetëve të pasluftës, asnjë parti politike që ka qenë në qeverisje nuk ka arritur të përmbushin pritjet e qytetarëve.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që pretendon postin e kryeministrit por që nuk garon në listë për deputet për shkak të problemeve me ligjin, thotë se nën qeverisjen e tij do të investohet për të fuqizuar bizneset dhe prodhimin vendor. “E ardhmja ku investojmë në energji të qëndrueshme që fuqizon bizneset dhe prodhimin, por e mbron shëndetin dhe mjedisin për gjeneratat që vijnë. E ardhmja ku biznesit nuk i vendoset ryshfeti për ta hapur, e as haraçi për ta mbajtur atë. E ardhmja ku bujku e fermeri jetojnë me dinjitet nga puna e tyre sepse shteti nxit dhe mbështet prodhimet vendore, e i mbron nga konkurrenca joluajle”, tha Kurti në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij.

Rimëkëmbjen e vendit pas pasojave nga pandemia me një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e synon edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK parti kjo që udhëheqi me qeverinë e fundit. “Normalisht interesi ynë si LDK dhe si parti e qendrës së djathtë është  të fokusohemi në nevojat imediate që i ka vendi tash në kohë pandemie. Ajo nënkupton rimëkëmbjen ekonomike, siç e kanë bërë kryeministri në detyrë deri më tani. Por me një pako më të fuqishme dhe më stabile për të rivendosur zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës si top-prioritet në sferën e ekonomisë”, thotë njëri nga zyrtarët e LDK-së, Faton Bislimi.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës PDK, premton mbi 1 miliardë euro për rimëkëmbje ekonomike. “Fokusi ynë do të jetë sektori privat, ku ne parashikojmë një fond prej mbi një miliardë euro dhe ky fond do të jetë i ndarë në disa pjesë. Mbi 500 milionë euro do të jenë kontributet financiare pa kthim për ndërmarrjet private në Kosovë dhe mbi 200 milionë euro do të jenë këtë vit”, thotë nënkryetari i PDK-së Bedri Hamza, i cili pret që vendi të ketë rritje ekonomike nga 5 %deri në 7 %. Një pako të ngjashme ekonomike e premton edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Ky i fundit kesaj radhe synon postin e presidentit të vendit.

Sidoqoftë, partitë kryesore që garojnë në këto zgjedhje, tashmë kanë emrat e tyre që synojnë postin e kryeministrit, i cili zgjidhet me votat e deputetëve në parlament pas zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosja ka kandidatin e saj Albin Kurti, i cili megjithatë në këto zgjedhje nuk mund të garojë në listën zgjedhore për shkak se KQZ nuk e certifikoi atë për shkak të problemeve me ligjin. LDK, garon për kryeministër me kandidatin Avdullah Hoti, kryeministër aktual në detyrë. PDK, garon me Enver Hoxhajn që tashmë udhëheq partinë, pas dorëheqjes së Kadri Veselit i cili në Gjykatën Speciale po përballet me akuzat për krime lufte. Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, ju bashkua listës Vetëvendosja dhe synon postin e presidentes. Të njëjtin post e synon edhe Ramush Haradinaj. Sfida e parë e parlamentit të ri do të jetë zgjedhja e presidentit, i cili më pas duhet ta propozojë formimin e qeverisë së re. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania në sallë e dy të tretave të deputetëve dhe nëse kjo nuk mund të arrihet në tre raunde, atëherë vendi serish shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

dw

Rritet trysnia ndaj Gjermanisë për Nord Stream 2

Gazsjellësi Nord Stream 2Arrestimi dhe dënimi i opozitarit rus Aleksej Navalni e ka vënë nën presion nga jashtë dhe brenda qeverinë gjermane. Aleatë perëndimorë dhe opinionistë vendas kërkojnë bllokimin e gazsjellësit rus Nord Stream 2.

Gazsjellësi Nord Stream 2 ka kohë që është bërë një çështje politike. Kundërshtarët kryesorë janë SHBA, por edhe Franca dhe vende të tjera perëndimore kërkojnë bllokimin e projektit, edhe pse secili ka arsyet e veta. Ndërkohë edhe opinioni i brendshëm po e rrit trysninë mbi qeverinë gjermane që të ndryshojë pozicion.

Franca i mëshon të drejtave të njeriut

Arsyeja për kërkesën franceze për një ngrirje të projektit është arrestimi i kritikut të Kremlinit, Alexej Navalny, dhe arrestimi i mijëra mbështetësve të tij gjatë protestave të ditëve të fundit në Rusi. Navalni u dënua të martën me tre vjet burg, në një gjyq tepër të diskutuar. Sanksionet e deritanishme të BE-së nuk mjaftojnë, kishte argumentuar më parë sekretari francez për Evropën, Clément Beaune.

Vetë Franca është e përfshirë në financimin e tubacionit të parë Nordstream 1 me rreth 950 milionë euro përmes kompanisë energjetike publike Engie. Por ajo vetë është shumë më pak e varur nga gazi natyror sesa Gjermania. Franca mbulon rreth 70 përqind të nevojave të saj për energji elektrike nga energjia bërthamore.

Çfarë roli luan SHBA?

Nord Stream 2 ishte një nga pikat e shumta të mosmarrëveshjeve mes administratës së ish-presidentit Donald Trump dhe qeverisë gjermane. Por në këtë çështje dhe presidenti i ri i SHBA-ve, Joe Biden, është në linjën e Trumpit. Ky i fundit kishte vendosur sanksione për kompanitë e pjesëmarrëse në projekt.

Analistët mendojnë se qëndrimi amerikan ka të bëjë me interesa të mirëfillta ekonomike, konkretisht me rezervat e gazit fraksionues të SHBA-ve në Evropë, shitja e të cilave në kuadër të programit “Buy american” të presidentit Biden, do ta ndihmonte ekonominë amerikane, të dëmtuar tashmë nga pandemia. Por ka edhe një interes në politikën e jashtme: që të mos forcohet rivali kryesor i saj, Rusia.

Edhe pse politika është e njëjtë si e Trumpit, administrata e Bidenit duket se ka zgjedhur një stil tjetër komunikimi me Gjermaninë. Sipas një  artikulli në revistën Handelsblatt, SHBA ka ofruar gatishmëri për bisedime:  “Gjermanët duhet të ofrojnë një zgjidhje si pako”, është shprehur një nëpunës i administratës për të përjavshmen gjermane ekonomike. “Ndryshe nuk do të arrijmë ta zgjidhim çështjen Nord Stream 2″.

Gjermania e izoluar

Qeveria gjermane deri tani është shprehur kundër ndërprerjes së projektit. Të hënën, në konferencën e shtypit të qeverisë, zëvendëszëdhënësja, Martina Fietz, e theksoi se “qëndrimi i qeverisë nuk ka ndryshuar”. Argumentimi i deritanishëm i Gjermanisë është se ky projekt është i karakterit ekonomik. Por vëzhgues të ndryshëm janë të mendimit se këtu ka një kundërthënie: Gjermania, e cila nga njëra anë paralajmëron për shkeljet e të drejtave të njeriut në Rusi dhe kërcënon me sanskione, nuk është e gatshme ta ndërpresë këtë projekt.

Edhe Parlamenti Evropian është kundër projektit. Bashkimi Evropian këmbëngul që gazsjellësi Nord Stream 2 nuk është një projekt evropian, por në thelb një çështje gjermane. Përfaqësuesi i jashtëm i BE, Josep Borrell, tha në fund të vitit të kaluar se e ardhmja e projektit ishte në duart gjermane.

Trysni nga brenda 

Në Gjermani, gjithashtu, ka zëra në rritje kundër tubacionit. Mbi të gjitha të Gjelbrit dhe FDP janë shprehur kundër ndërtimit të mëtejshëm. Por edhe shumë analistë në gazetat gjermane kërkojnë nga Gjermania që të heqë dorë nga ky projekt. Kështu për shembull portali Ntv.de shkruan në një koment të botuar të mërkurën, 3.2.2021, se pas dënimit të Navalnit, “qeveria gjermane duhet të shfrytëzojë shansin e fundit për të korrigjuar një gabim të rëndë”. Ndërsa revista “Der Spiegel” argumentonte në numrin e djeshëm të versionit online për përparësinë e shmangies së kostos politike ndaj dëmit ekonomik. “Çmimi politik i gazsjellësit është shumë i lartë. Ndërtimi i Nord Stream 2 duhet të ndalet dhe ky do t’i sinjalizonte Navalnit dhe torturuesit të tij, Putinit, se me Gjermaninë nuk mund të bëhet më biznes kaq lehtë”. 

Nord Stream 2Gazsjellësi Nord Stream 2 kalon nëpërmjet Detit Baltik. Ai nis në Rusi dhe përfundon në Gjermani

Çfarë është në Nord Stream 2

Nord Stream 2 është një tubacion gazi prej 1 200 kilometrash, që do të përshkojë Detin Baltik. Është projekti i dytë pas gazsjellësit Nord Stream 1, i cili hyri në punë në vitin 2011. Së bashku, të dy gazsjellësit pritet të sjellin në Evropë deri në 110 miliardë metra kub gaz natyror. Gazsjellësi fillon në Ust-Luga, Rusi dhe do të përfundojë në Lubmin afër Greifswaldit në Gjermani. Pronari i tij është kompania shtetërore ruse, Gazprom. Pesë kompani energjetike evropiane janë përfshirë si investitorë financiarë, të cilët po financojnë deri në 50 përqind të vëllimit të investimeve të vlerësuar fillimisht në 8 miliardë euro: Engie (Francë), OMV (Austri), Shell (Britani/Holandë) si edhe Wintershall dhe Uniper nga Gjermania.

dw

Merkel & Co për një rend të ri global

Perendimi“Pas koronavirusit bota do të jetë ndryshe.” Kjo bindje i nixiti kancelaren gjermane Merkel dhe politikanë të tjerë ndërkombëtar të nivelit të lartë të drejtohen me një apel për bashkëpunim.

Për autorët e ftuar nga „Frankfurter Allgemeine Zeitung” të një artikulli publikuar në numrin e së mërkurës (03.02) ka ardhur koha për një bazë të re të përbashkët.

Pandemia Corona, sipas mendimit të kancelares Angela Merkel dhe të tjerë poliitkanëve ndërkombëtar të nivelit të lartë ofron shansin për një rend të ri të politikës botërore. Kriza aktuale jep shkas që „përmes bashkëpunimit dhe koordinimit efikas të arrihet sërish një konsensus mbi rendin ndërkombëtar, i cili të bazohet tek multilateralizmi dhe shteti ligjor”, thuhet në artikullin e të ftuarve në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” botuar edhe në gazeta të tjera.

Artikulli është nënshkruar edhe nga preisdenti i Francës Emmanuel Macron dhe kreu i shtetit në Senegal Macky Sall. Në shkrim marrin pjesë përfaqësues të organizatave dhe institutcioneve ndërkombëtare duke u nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres, Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel.

Të gjithë për një

Kriza e COVID-19 është „prej gjeneratash sprova më e madhe për solidaritetin mbarëbotëror”, thuhet më tej në tekst. “Edhe nëse vetëm një vend i vetëm në botë preket prej COVID-19, të rrezikuar janë njerëzit dhe ekonomitë popullore anë e mbanë.” Prej kësaj duhen nxjerrë mësime për krizat e ardhëshme. „Në vend të përballjes së kulturave dhe vlerave kundrejt njeri-tjetrit, ne duhet të ndërtojmë një multilateralizëm integrues. Në këtë kontekst ne duhet të respektojmë dallimet mes nesh po ashtu si edhe vlerat e përbashkëta, që janë të ankoruara në Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut.”

Sërish pritet prej G7 dhe G20

Po jo vetëm pandemia kërkon një përgjigje të fortë dhe të koordinuar ndërkombëtarisht. Nga situata aktuale duhet të nxirren mësimet për krizat e së ardhmes. Si shembuj autorët e artikullit përmendin urinë dhe varfërinë ekstreme, shkatërrimin e mjedisit, sëmundjet, krizat ekonomike dhe konfliktet. Ata kërkojnë një angazhim më të fortë për demokracinë, arsimin dhe barazinë si dhe kundër nacionalizmit e proteksionizmit. Grupi propozon një bashkëpunim më të ngushtë në kuadër të forumeve ndërkombëtare të G7 dhe G20. Në fushën e shëndetësisë autorët bëjnë thirrje për një akses më të drejtë dhe të përshpejtuar tek testimet, trajtimet dhe vaksinat.

Të mos harrohet mbrojtja e klimës

Autorët fokusohen edhe tek ndryshimi i klimës. Të gjitha qeveritë, sipërmarrjet, qytetet dhe institucionet financiare duhet të marrin pjesë në proceisn e pakësimit të emisioneve të dioksidit të karbonit. Mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit si dhe standardet më sociale duhet të jenë në „qendër të modeleve tona ekonomike dhe njëkohësisht të mundësojnë novacionin e nevojshëm”, thuhet në shkrim: „Ne duhet të garantojmë, që hopi global të jetë i prekshëm për të gjithë. Ne duhet të përforocojmë mbështetjen tonë për vendet në zhvillim veçanërisht në Afrikë.

dw

Filmi “Zgjoi” nga Kosova – fitues i tri çmimeve në festivalin Sundance

zgjoi“Zgjoi”, një film me regji të Blerta Bashollit nga Kosova, fitoi tri nga çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit, “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filmi i cili flet për jetën e një gruaje që mbeti e ve pas luftës në Kosovë, fitoi çmimet: filmi më i mirë, regjisorja më e mirë si dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit.

Regjisorja Blerta Basholli, në një videomesazh gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të festivalit, që këtë vit u zhvillua online për shkak të pandemisë, falënderoi zonjën Fahrije Hoti, një grua e ve nga Krusha e Madhe, jeta e së cilës është në qendër të zhvillimeve në këtë film.

“Mbi të gjitha falënderoj festivalin Sundance i cili na dha mundësinë ta bëjmë të dëgjueshëm zërin e grave nga Kosova të cilat përmes punës dhe këmbëngulësisë së tyre do t’i japin shoqërisë mundësi për ta bërë botën një vend më të shëndetshëm e më të barabartë për të jetuar”, tha zonja Basholli.

Fahrije Hoti, rolin e të cilës në film e luan aktorja, Yllka Gashi, ishte vetëm 28 vjeçe, kur bashkëshorti i saj së bashku me 225 burra të fshatit Krushë e Madhe, u vranë nga forcat serbe.

Ajo ngeli vetëm me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh. Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, Fahrija u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja, dhe krijuan kooperativën bujqësore “Krusha”, ku merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit. Tash ndërmarrja e tyre punëson mbi 50 gra, pjesa më e madhe e të cilave familjare të personave të vrarë e të zhdukur në Kosovë.

Filmi “Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cineforom, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi në Shqipëri. Ky film është prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio në bashkëprodhim nga Alva Film Production, Blac Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV.

voa

Shpërthen gjatë provës raketa “Starship” e kompanisë SpaceX

Starship ExplosionFluturimi i dytë provë i raketës futuriste “Starship”, e kompanisë SpaceX, përfundoi me një tjetër shpërthim të martën.

Kompania e sipërmarrësit Elon Musk lëshoi prototipin e saj të fundit të raketës “Starship” në pjesën juglindore të Teksasit, dy muaj pasi prova e mëparshme përfundoi me një shpërthim të madh.

https://www.zeriamerikes.com/a/5763119.html

Raketa prej çeliku arriti lartësinë e synuar prej 10 kilometrash, pak më poshtë se prova e fundit. Gjithçka dukej se po shkonte mirë, ndërsa raketa 50 metra e gjatë ra në pozitë të pjerrët dhe filloi të zbriste. Por ajo nuk arriti të drejtohej në kohë për një ulje të sukseshme dhe u përplas në tokë.

“Duhet të punojmë ende për realizimin e zbritjes”, tha inxhinieri i kompanisë SpaceX, John Insprucker. “Duhet të kujtojmë se fluturimi ishte një provë”, shtoi ai.

Një prototip tjetër i raketës “Starship”, ndodhej shumë afër vendit të nisjes në Boca Chica të Teksasit, gjatë provës të së martës, që zgjati 6.5 minuta.

Elon Musk po zhvillon raketën “Starship” për të dërguar njerëzit në Mars, mbase pas disa vjetësh. Kjo është faza e përparuar e anijeve të tij hapësinore për udhëtimet në Hënë dhe Mars, që janë në plan të leshohen në hapësirë me një mega raketë të quajtur “Super Heavy” e cila është në krijim e sipër.

SpaceX u përpoq të lëshonte raketën Starship javën e kaluar por nuk arriti të merrte miratimin e nevojshëm nga Administrata Federale e Aviacionit, duke nxitur një reagim të ashpër në Twitter nga Elon Musk.

SpaceX nuk ishte në përputhje me rregullat e sigurisë për fluturimin e 9 dhjetorit, tha një zëdhënës i Administratës Federale të Aviacionit të martën dhe duhej të bënte korrigjime përpara se të vazhdonte me operacionet e lëshimit të raketës. Sipas Administratës Federale të Aviacionit, fluturimi i së martës i plotësonte të gjitha kriteret e sigurisë. Megjithatë, në një njoftim tjetër kjo agjenci tha se do të hetonte shkaqet e shpërthimit të raketës “Starship” për të parë nëse është e nevojshme të bëhen përmirësime në procedurat e sigurisë gjatë provave të këtij lloji.

voa

NASA tregon si do të realizohet ulja në Mars

https://www.zeriamerikes.com/a/5762407.html

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, njoftoi këto ditë hollësitë se si planifikon ta ulë sondën e saj të re “Perseverance” në planetin Mars. Sonda vetëlëvizëse e filloi udhëtimin drejt planetit të kuq në korrik të vitit të kaluar, duke u lëshuar me një raketë të fuqishme nga Kepi Kanaveral i Floridës. Ajo pritet të ulet në planetin Mars më 18 shkurt.

Ajo është sonda më e madhe dhe më e sofistikuar vetëlëvizëse deri më sot që do të ulet në planetin Mars. Është një mjet robotik sa një makinë e zakonshme, e mbushur me kamera, mikrofonë, sonda shpimi dhe pajisje lazeri.

Sonda Perseverance ka gjashtë rrota dhe funksionon me plutonium. Ajo do të shpojë sipërfaqen dhe do të mbledhë mostra të vogla të cilat do të sillen në Tokë aty nga viti 2031, me një udhëtim stafetë, që përfshin disa anije hapësire dhe disa vende të botës.

Shkencëtarët e NASA-s treguan hollësitë se si do ta ulin mjetin në sipërfaqen e Marsit më 18 shkurt.

NASA e quan procesin e uljes “shtatë minutat e frikës”, gjatë së cilës mjeti i hapësirës do të ngadalësojë shpejtësinë nga 20,000 kilometra në orë në një ndalesë të plotë.

Ai do të përdorë atmosferën e Marsit, një parashutë 70 metra të gjatë dhe një mekanizëm manovrimi të quajtur Vinçi Qiellor, që funksion si një mini raketë dhe që bën të mundur një ulje të butë.

Sonda do të ulet në Kraterin Jezero, një zonë e paeksploruar me gurë, shkëmbinj dhe duna. Më shumë se tre miliardë vjet më parë këtu ka patur një liqen dhe ndoshta shkëmbinjtë përmbajnë shenja të ekzistencës së mikrobeve.

“Krateri Jezero është një vend i mrekullueshëm për shkencën. Por nga këndvështrimi i uljes e shoh me rrezik. Është një sfidë e madhe”, thotë eksperti Allen Chen që merret me procedurën e zbritjes.

“Vendi është plot me shkëmbinj të pjerrët që kalojnë përmes zonës së uljes. Ka rërë, gurë, dhe kratere të vegjël. Do të ishte një ditë e keqe nëse i preknim këto gjatë uljes,” thotë ai.

Plani është që NASA dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës të lëshojnë një mjet në vitin 2026 për të marrë mostrat e shkëmbinjve, plus një anije që do t’i vendosë ato në orbitë rreth Marsit.

Pastaj një anije tjetër do t’i marrë mostrat për t’i sjellë në Tokë.

“Ato mund të sillen në Tokë nga një mision i ardhshëm, i cili do t’i lejojë shkencëtarët t’i analizojnë duke përdorur arsenalin e plotë të laboratorëve tokësorë”, shpjegon shkencëtari i projektit Ken Farley.

Gjatë konferencës për shtyp, zëvendës menaxheri i projektit Matt Wallace tregoi një pllakë që nderon punonjësit shëndetësorë në vijat e para të betejës me koronavirusin në të gjithë botën. Ajo u vendos në mjetin robotik pak kohë para nisjes.

“Ne po e dërgojmë këtë pllakë me krenari në planetin Mars, që njerëzit të kujtojnë se këtu në Tokë, në vitin 2020 dhe 2021 ekzistonte një komunitet i cili bëri me guxim detyrën e tij, në mënyrë që ne të bënim tonën,” tha shkencëtari.

voa

Ministria e Shëndetësisë: 3856 testime, 942 raste të reja, 5 humbje jete dhe 455 të shëruar

Tabela-2-shkurtMinistria e Shëndetësisë ju informon se në 24 orët e fundit janë kryer 3856 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 942 qytetarë Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki:
199 raste në Tiranë, 80 në Tiranë, 57 në Elbasan, 52 në Vlorë, nga 39 raste në Shkodër, Lushnje, 33 në Lezhë, 32 në Fier, 30 në Krujë, 29 në Kavajë, 26 në Kamëz, 25 në Sarandë, 22 në Kukës, 17 në Patos, nga 16 raste në Gjirokastër, Shijak, 14 në Librazhd, nga 12 raste në Berat, Dibër, nga 11 raste në Korçë, Rrogozhinë, Gramsh, Kuçovë, 10 në Kurbin, nga 9 raste në Mallakastër, Vau i Dejës, Divjakë, nga 8 raste në Pogradec, Peqin, Skrapar, nga 7 raste në Mirditë, Mat, Bulqizë, nga 6 raste në Delvinë, Malësi e Madhe, Prrenjas, nga 5 raste në Tepelenë, Cerrik, nga 4 raste në Pukë, Ura Vajgurore, Belsh, 3 në Devoll, nga 2 raste në Has, Tropojë, Përmet, Selenicë, Memaliaj, Kolonjë, Poliçan, Këlcyrë, Konispol, nga 1 rast në Roskovec, Klos, Vorë, Pustec, Dropull.

Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 5 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19 në spitalet COVID. 2 qytetarë nga Tirana, 2 qytetare nga Lushnja, 1 qytetare nga Tepelena, të moshave 43-87 vjeç.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 455 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 48,377 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 405 pacientë, 25 në terapi intensive nga të cilët 10 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat antiCOVID duke vendosur maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë; duke shmangur grumbullimet dhe duke ruajtur distancimin fizik; duke u kujdesur për higjenën vetjake, në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për të mësuar mjekun tuaj të familjes dhe për të kontaktuar me të. Gjithashtu, telefononi në numri unik 127 i Urgjencës Kombëtare mund të telefononi kur dyshoni se keni shenja të sëmundjes dhe duhet të kryeni testimin për COVID19 apo nëse keni nevojë për trajtim të specializuar spitalor në spitalet COVID.

COVID-19 – Statistika (2 Shkurt 2021)
Raste të reja ditore 942
Të shëruar në 24 orë 455
Të shtruar në spitale 405
Humbje jete në 24 orë 5
Testime ditore 3856
Testime totale 365,309
Raste pozitive 79,934
Raste të shëruara 48,377
Raste Aktive 30,159
Humbje jete 1398

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 17144
Fier 2479
Durrës 1708
Shkodër 1494
Vlorë 1445
Elbasan 1418
Lezhë 1064
Korçë 948
Berat 924
Gjirokastër 631
Kukës 474
Dibër 430

BE: Nuk po i themi Kosovës çfarë të bëjë – por të rreshtohet me ne

USA Izrael KosovaBashkimi Evropian ritheksoi të martën qëndrimin për statusin e Jerusalemit si kryeqytet i të dyja shteteve, ndërsa keqardhjen për vendimin e Kosovës që të hap ambasadën e saj atje.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se vendimi i Kosovës e largon atë nga qëndrimet e Bashkimit Evropian.

“Për BE-në çështja e Jerusalemit është diçka shumë, shumë e qartë kur bëhet fjalë për përfaqësimin diplomatik të shteteve anëtare. E theksoj se të gjitha ambasadat dhe delegacionet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë të vendosura në Tel Aviv, bazuar në vendimet përkatëse të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, si dhe përfundimet e Këshillit Evropian”, tha ai.

Së këndejmi tha ai, është logjike që Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare presin nga Kosova që të përparojë në rrugën drejt BE-së duke u rreshtuar me politikat dhe parimet e Bashkimit Evropian.

“Ne nuk po kërkojmë nga Kosova të bëjë apo të mos bëjë diçka, ne po themi që ‘nëse ju po pretendoni se aspiratat tuaja dhe ambiciet tuaja të përgjithshme strategjike janë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është një kuadër kriteresh që duhet përmbushur. Ne po bëjmë vetëm këtë, dhe po rikujtojmë se cilat janë parimet e Bashkimit Evropian, qëndrimet që duhen përshtatur”, tha zoti Stano.

Të hënën në një ceremoni virtuale, Kosova dhe Izraeli firmosën marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dyja vendeve, ngjarje që u cilësua si historike nga të dyja palët.

Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia nënshkruan dakordimin për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump.

Pjesë e dakordimit ishte edhe pajtim i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Dokumenti që u nënshkrua ndarazi parasheh që Kosova të hap ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia të lëvizë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, i tha Zërit të Amerikës se gjuha e përdorur nga Bashkimi Evropian pas këtyre zhvillimeve është e papranueshme duke pasur parasysh se vendimi i Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem nuk është marrë kokë më vete, por është pjesë e marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë.

As vet Bashkimi Evropian nuk është aq i unifikuar në qëndrimet e veta sa i takon politikës së jashtme. Në anën tjetër e kemi parë se si Serbia nuk ka respektuar shumë vendime të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe nuk kemi parë një reagim të tillë”, tha zonja Krasniqi.

Ajo tha se në vend të trysnisë ndaj Kosovës, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian duhet t’u bëjnë trysni pesë shteteve të veta që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Bashkimi Evropian duhet ta shfrytëzojë këtë moment për t’u thënë pesë shteteve anëtare që nuk ka nevojë që Serbia ta njoh Kosovën, në mënyrë që atë ta njoh një shtet tjetër që ende nuk e ka njohur, pra ta nxjerrë aspektin pozitiv duke parë vështirësitë nëpër të cilat Kosova është ndodhur për këtë hap dhe duke bërë unifikimin e politikës së vet të jashtme”, tha zonja Krasniqi.

I pyetur nga gazetarët për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, meqë edhe përfaqësuesit e saj e kanë nënshkruar marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, zoti Stano tha se “sot po reagohet lidhur me faktet dhe veprimet konkrete që tashmë janë bërë”.

“Kur flasim për Serbinë, Serbia ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për hapjen e ambasadës në Jerusalem deri tash, por pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë Bashkimi Evropian ka përsëritur qëndrimin e vet dhe pritshmërinë nga Serbia që po ashtu të rreshtohet me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme”, tha zoti Stano.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të martën se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e parlamentit të Izraelit, Yariv Levin, gjatë së cilës ka theksuar se marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin janë të rëndësisë strategjike.

Shteti i Kosovës me njohjen nga Izraeli e ka forcuar edhe më tej pozicionin ndërkombëtar, teksa ka shfaqur shpresën se veprimin e këtij shteti ta ndjekin edhe shtetet e tjera mosnjohëse”, thuhet në njoftimin e zyrës së zonjës Osmani.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është vlerësuar lartë edhe nga udhëheqësit tjerë të Kosovës dhe nga diplomacia amerikane.

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës është shprehur e pakënaqur duke paralajmëruar se kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet e saj me Izraelin.

voa

Gjykata urdhëron dënim me burg për opozitarin rus Alexei Navalny

Udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny në seancën kundër tij në një Gjykatë të MoskësNjë gjykatë ruse në Moskë urdhëroi sot dënim me burg prej më shumë se 2 vite e gjysmë për kritikun më të ashpër të Kremlimit, Alexei Navalny, nën akuzat e shkeljes së rregullave të një dënimi me kusht të vitit 2014, gjatë kohës sa po shërohej në Gjermani pas helmimit me një agjent nervor, për çka ai akuzon Kremlinin.

Kritiku më i ashpër i Presidentit Vladimir Putin, u arrestua në një rast që sipas opozitarit është i motivuar politikisht.

Kjo çështje ka shkaktuar protesta në të gjthë vendin dhe reagime nga perëndimi. Edhe sot autoritetet ruse penguan protestat afër ndërtesës ku u zhvillua seanca kundër Navalny-t, duke arrestuar një numër të konsiderueshëm qytetarësh.

Udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny bëri kritika të ashpra nga Gjykata në Moskë.

Duke folur nga një kafaz qelqi në sallën e gjyqit, zoti Navalny e quajti arrestimin e tij si frikë dhe urrejtje të Presidentit Putin, duke thënë se udhëheqësi rus do të hyjë në histori si një helmues.

“Unë e kam ofenduar atë duke i mbijetuar atentatit që ai urdhëroi”, tha Navalny gjatë seancës.

“Qëllimi I kësaj seance është trembja e një numri të madh njerëzish. Ju nuk mund të burgosni miliona njerëz. Nuk mund të burgosni gjithë vendin”, tha ai

44 vjeçari u arrestua më 17 janar pas kthimit nga Gjermania, ku kaloi rreth pesë muaj, për t’u shëruar pas helmimit me një agjent nervor, për të cilin ai fajëson Kremlinin.

Autoritetet ruse i mohojnë akuzat, duke thënë se nuk ka prova të helmimit.

Shërbimi i burgjeve të Rusisë kërkon që Navalny ta vuajë dënimin e vitit 2014 prej tre vite e gjysmë në burg, pasi ai shkeli lirimin me kusht.

Alexei Navalny theksoi se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi se dënimi i tij i vitit 2014 ishte i jashtëligjshëm dhe se Rusia i pagoi atij kompensim në përputhje me vendimin.

Ai dhe avokatët e tij thanë se ndërsa ai po shërohej në Gjermani nga helmimi, nuk kishte si të regjistrohej personalisht tek autoritetet ruse siç kërkon ligji.

“U ktheva në Moskë pasi përfundova trajtimin. Çfarë tjetër mund të bëja”, tha Navalny të martën.

“Po luftoj dhe do të vazhdoj edhe pse jam në duart e njerëzve që pëlqejnë shpërndarjen e armëve kimike gjithandej dhe të cilët nuk mërziten për jetën time”, shton ai.

Burgosja e Navalnit nxiti protesta të mëdha në gjithë Rusinë.

“E burgosën në kundërshtim me ligjin, për arsye politike. Gjithçka është e qartë. Ata që kanë sy mund ta shohin”, thotë Serbey, protestues.

Por jo të gjithë besojnë në pafajësinë e Alexei Navalnyt.

“Nuk e respektoj Navalnyn, për mënyrën se si e helmoi veten. Mendoj se gjithçka duhet bërë me mënyra të civilizuara”, thotë Yelena, një qytetare e Moskës që mendon ndryshe.

Grupet e pavarura të monitorimit njoftojnë se më shumë se 120 persona u arrestuan të martën pranë ndërtesës ku po zhvillohej seanca.

Marina Litvinenko, e veja e ish agjentit rus Alexandër Litvenko i cili u vra me helm radioaktiv më 2006, tha se administrata ruse po frikësohet nga zgjerimi i protestave.

“Administrata ruse është në panik, ata mund ta ndalnin përshkallëzimin në ditën kur Alexei Navalny erdhi, duke injoruar atë. Mendoj se ashtu nuk do të kishte protesta. Por ata po frikësoheshin. Nuk dinë si të veprojnë ndërsa shohin më shumë njerëz që vendosin të dalin në rrugë”, tha ajo.

Vetëm dy ditë më parë policia arrestoi më shumë se 5 mijë e 750 protestues.

Vendet perëndimore kërkuan lirimin e menjëhershëm të Navalnit dhe të arrestuarve tjerë. gjatë demonstratave.

Autoritetet ruse akuzojnë perëndimin se po ndërhyn në punët e brendshme të Rusisë.

voa