Përse vetëm disa ndjejnë efekte anësore nga vaksina

Efektet anësore të vaksinës, si dhimbje koke, këputje apo temperaturë janë shenja të reagimit të sistemit imunitar dhe ndeshen rëndom gjatë imunizimeve.

“Një ditë pas vaksinimit nuk duhet të planifikoni aktivitete të rënda fizike,” thotë Dr. Peter Marks, shefi për vaksinat pranë Administratës amerikane për Ushqimin dhe Barnat, i cili thotë se edhe vetë ndjeu këputje pasi bëri dozën e parë.

Ja çfarë ndodh: Sistemi imunitar vepron me dy pista, njëra aktivizohet në momentin kur organizmi dikton një objekt të huaj në trup. Qelizat e bardha mobilizohen në atë pjesë të trupit ku ka ndërhyrë “armiku” duke shkaktuar enjtje gjë që shoqërohet edhe me ethe, dhimbje të lokalizuar dhe këputje.

Kjo përgjigje e shpejtë e sistemit imunitar dobësohet me kalimin e viteve. Për këtë arsye të rinjtë ndjejnë efekte më të forta anësore se sa të rriturit. Po ashtu, disa vaksina shkaktojnë reaksion më të fortë.

Por, çdokush reagon ndryshe. Nëse një apo dy ditë pas vaksinimit nuk ndjeni efekte anësore, mos mendoni se vaksina nuk po funksionon.

Edhe pa u ndjerë, vaksinat vënë në veprim pistën e dytë të sistemit imunitar, e cila ofron mbrojtjen e vërtetë duke prodhuar antitrupa.

Një tjetër efekt anësor i bezdisshëm vërehet kur ënjten nyjet limfatike, si për shembull gjendrat nën krahë. Grave u këshillohet të bëjnë një mamografi para vaksinës së COVID-it në mënyrë që gjendrat e enjtura të mos diagnostikohen gabimisht si kancer.

Jo të gjitha efektet anësore janë normale. Pas administrimit të qindra miliona dozash në mbarë botën dhe pas ndjekjes me vëmendje të reagimit të të vaksinuarve, një përqindje e vogël e atyre që bënë vaksinën AstraZeneca apo Johnson & Johnson raportuan mpiksje gjaku. Por autoritetet shëndetësore thonë se përfitimet nga vaksina i tejkalojnë disafish rreziqet.

Disa individë kanë pësuar reaksion të rëndë alergjik. Për këtë arsye, pas vaksinimit, të gjithë duhet të presin në klinikë për 15 minuta për të garantuar se nuk do të kenë reaksion.

Autoritetet po përpiqen të zbulojnë nëse enjtja e përkohëshme e indit të zemrës që ndodh gjatë disa formave të infeksionit, mund të jetë efekt anësor i vaksinave që përdorin kodin gjenetik RNA, si Pfizer dhe Moderna. Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë ende nuk e dinë nëse ka lidhje mes tyre, prandaj po ndjekin të dhënat sidomos për reagimin e adoleshentëve dhe të rinjve.

voa

Astronautët riparojnë panelet diellore të Stacionit Ndërkombëtar

Russia Space StationAstronautët e agjensisë hapësinore amerikane, NASA, dhe nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) dolën nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës (ISS) të mërkurën për të filluar një projekt për përmirësimin e sistemit të furnizimit me energji të panelit diellor të laboratorit.

Inxhinieri i fluturimeve të NASA-s Shane Kimbrough dhe astronauti i ESA-s Thomas Pesquet punuan për disa orë për të instaluar dy nga gjashtë panelet diellore që do të zëvendësojnë tetë panele ekzistuese të energjisë për stacionin.

NASA thotë se panelet aktuale diellore po funksionojnë mirë por janë projektuar për të patur një jetëgjatësi 15-vjeçare dhe janë në vitin e tyre të 21-të të funksionimit. Panelet e reja diellore do të pozicionohen përpara gjashtë paneleve aktuale, duke rritur energjinë totale të disponueshme të stacionit nga 160 kilovat në një maksimum prej 215 kilovatësh.

Energjia shtesë do të jetë e nevojshme për të akomoduar pasagjerët dhe ekipet e xhirimit që pritet të vizitojnë Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës më vonë këtë vit.

Pesquet dhe Kimbrough do të instalojnë dy panele të tjera diellore të dielën.

voa

Makina që spiunon

Ata që ngasin makinën mund të mos e dinë që makina i spiunon duke mbledhur informacion për lëvizjet e tyre. Agjencitë e rendit në Shtetet e Bashkuara janë ndër entitetet më të zellshme për të analizuar këto të dhëna që mblidhen nga automobilistët dhe itineraret e tyre.

“Kjo teknologji mbledh informacionin nga makina, e transmeton me Bluetooth apo me lidhjen Wi-Fi në telefon dhe në atë mënyrë mund të shihni të dhënat që mblidhen,” thotë eksperti i sigurisë Mark Rasch.

Sistemi quhet “mjetet e diagnostikimit” dhe përbëhet nga gjysmë-procesorë e programe kompiuterike që mbledhin të dhëna nga makina. Shumë njerëz mendojnë se kjo shërben për të ndihmuar për riparimin e makinës, por në fakt këto të dhëna kanë një përdorim shumë më të gjerë.

Kamera, mikrofoni apo ndjesorët përcjellin informacion që mblidhet dhe regjistrohet. Këto të dhëna janë minierë ari për kompanitë e reklamave, të sigurimeve, agjencitë rregullatore dhe të rendit,” thotë eksperti Rasch.

Ndër këto institucione rendi përfshihet Agjencia për Mbrojtjen e Kufirit.

Afro pesë vjet më parë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare, ku përfshihet Agjencia për Mbrojtjen e Kufirit organizoi një kurs mbi programet kompiuterike që mbledhin të dhëna nga makinat.

Këto të dhëna përfshijnë itinerarin, sa herë hapet e mbyllet dera e makinës. Nëse shoferi i mban duart mbi timon. Ku ndalon makina dhe për sa kohë.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës Agjencia për Mbrojtjen e Kufirit pohoi se blen teknologjinë për të analizuar provat në kuadër të punës për sigurimin e kufirit. Agjencia nuk përmendi të dhënat nga lëvizja e automjeteve.

Lëvizja me automjet përmban shumë të dhëna. Aktivistët për privatësinë janë të alarmuar.

Në rastin e Agjencisë për Mbrojtjen e Kufirit, ky department ka autoritet të gjerë në kufi. Prandaj mendoj se Kongresi dhe gjykatat duhet të veprojnë për të garantuar një mbrojtje më të mirë të privatësisë në bazë të Amendamentit të Katërt,” thotëJohn Davisson i Qendrës së Informimit për Privatësinë Elektronike.

Kushtetuta amerikane mbron qytetarin nga kontrolle të paarsyeshme dhe nga sekuestrimi i zotërimeve. Roja e Kufirit është kritikuar për sekuestrimin e kompiuterëve dhe celularëve pa urdhër gjykate. Por gjykatat nuk kanë dalë me një vendim të qartë se çfarë kompetencash ka qeveria federale.

Shumë amerikanë nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun. Ana Reyes u habit kur mësoi se sistemi kompiuterik në makinë regjistronte numrat e telefonatave, listën e këngëve dhe mesazhet që kishte dërguar ajo.

Kompania për prodhimin e automjeteve General Motors, i tha Zërit të Amerikës se përdoruesit mund të zgjedhin si përdoren të dhënat duke kërkuar të përjashtohen nga programi i grumbullimit të informacionit.

Kritikët thonë se të paktë janë ata që e dinë se ekziston ky program dhe janë në gjendje ta anulojnë.

Ekziston mundësia që pronari i makinës të fshijë të dhënat e mbledhura, por kjo nuk është e lehtë në makina që merren me qera.

Shoqata Amerikane për Makinat me Qera është pjesë e një koalicioni që i ka kërkuar Kongresit të miratojë një ligj për fshirjen e të dhënave.

Duhet të hartohen ligje federale për ta zgjidhur këtë problem, pasi asnjë kompani që ka ndoshta 200 makina që jep me qera nuk mund t’i fshijë të dhënat nga çdo makinë,” thotë Greg Scott, anëtar i shoqatës.

Babai i Anës, Juan Jose Reyes nuk ka në plan ta anulojë programin për mbledhjen e të dhënave por gjithsesi shqetësohet për informacionin që kanë mbledhur sistemet e makinave të tjera dhe i trembet mundësisë së shenjestrimit për arsye etnike e racore.

Të mos harrojmë se të gjithë jemi të pafajshëm deri kur të vërtetohet fajësia. Thjesht se i përket një grupi etnik, hispanik apo tjetër, nuk duhet të ndeshesh me policinë kufitare apo agjentët e imigracionit që duan të nxjerrin informacion privat prej nesh,” thotë zoti Reyes.

voa

Gara e re hapësinore

NASA MARSKina tani është një ndër vendet që ka zbarkuar një anije hapësinore dhe një mjet robotik, që njihet ndryshe si rover, në planetin Mars dhe po planifikon të rrisë më shumë prezencën. Ekspertët thonë se konkurrenca e shtuar do të shtyjë shkencëtarët të eksplorojnë më shumë.

Të dhënat e vazhdueshme që Edwin Kite merr nga SHBA dhe roverët kinezë duke eksploruar njëkohësisht sipërfaqen e planetit Mars e mbajnë atë pjesën më të madhe të ditës të zënë, në laboratorin e tij ku punon, në Universitetin e Çikagos.

Mbledhja e informacionit në fushën e studimit të tij ishte realizuar tradicionalisht duke përdorur teleskopë dhe analizuar meteorët apo gurët e paktë të Hënës, të sjellë nga astronautët amerikanë në Tokë në vitet 1960 dhe ‘70.

Por misionet e reja në planetin Mars po ndihmojnë zotin Kite dhe kolegët e tij të kuptojnë më mirë planetin e kuq, pas provave të mbledhura nga mjetet robotike.

“Ne vetëm kemi gërvishtur sipërfaqen e asaj që mund të zbulojmë. Ne nuk e dimë se çfarë do sjellë faza tjetër të eksplorimit”, thotë zoti Edwin Kite, gjeoshkencëtar.

Gjatë një seance dëgjimore me Dhomën e Përfaqësuesve, që u zhvillua në distancë, administratori i NASA-s Bill Nelson, një ish-astronaut dhe ish-senator amerikan nga Florida, dha alarmin për suksesin e fundit të programit hapësinor kinez. Ai tha se ky mision nuk është i kufizuar vetëm në planetin e kuq.

Por cila është arsyeja pse zoti Nelson po nxit ligjvënësit të mbështesin programin “Artemis” të NASA-s, i cili planifikon të kthejë njerëzit, përfshirë gruan e parë, në Hënë, ndërsa planeti Mars do të jetë destinacioni përfundimtar. Administratori i NASA-s thotë se Kina është në një rrugë të ngjashme.

Unë mendoj se kjo është duke shtuar një element të ri nëse duam të bëhemi seriozë dhe duhet të marrim shumë aktivitete duke ulur njerëzit përsëri në sipërfaqen e Hënës”, thotë zoti Bill Nelson.

Kina po fiton me shpejtësi ndaj SHBA dhe evropianët janë gjithashtu në këtë garë hapësinore”, thotë profesori i Astronomisë dhe Astrofizikës, Rocky Kolb.

Rocky Kolb, profesor i Astronomisë dhe Astrofizikës në Universitetin e Çikagos, beson se një garë e re hapësinore mund të jetë pozitive. Ai thotë se programet hapësinore të SHBA dhe Kinës të bashkëpunonin më shumë sesa të konkurronin.

Ka shumë talent në Kinë që ne mund të përdorim dhe shumë burime në Kinë. Dhe ata kanë shumë para për të eksploruar hapësirën”, thotë zoti Rocky Kolb.

Por, si zoti Kite edhe zoti Kolb pranojnë se ekziston një kufi për bashkëpunim midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

“Teknologjia e përfshirë në eksplorimin paqësor të hapësirës mund të futet në përdorime ushtarake”, thotë Rocky Kolb

Ka pengesa ligjore për bashkëpunimin dypalësh midis NASA dhe programit hapësinor kinez”, thotë Edwin Kite, gjeoshkencëtar.

Të etur për më shumë informacione, dy ekspertët thonë se ka vetëm një planet Mars dhe ai nuk i përket SHBA-ve dhe as Kinës.

voa

EDHE NJË RAST TJETËR ME VARIANTIN AFRIKAN TË COVID-19 NË KOSOVË

IKSHPNë Kosovë është konfirmuar edhe një rast me variantin afrikan COVID-19, njofton Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).

Nga IKShPK kanë njoftuar se pacienti është duke u hospitalizuar në Klinikën Infektive.

Komunikata e plotë e IKShPK-së:

Në laboratoret e Mikrobiologjisë të IKSHPK, në baza ditore testohen mesatarisht mijëra mostra në ditë. Nga mostrat e testuara në SARS-CoV-2, është konfirmuar edhe një rast me variantin afrikan të SARS CoV-2: South Africa (S.A) Lineage B.11351 (N501Y) (WHO label: Beta).

Pacienti është i hospitalizuar dhe duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja.

Rastet e tilla të virusit mutagjen janë regjistruar tashmë në shumë vende të botës.

Ekipet hulumtuese të IKSHPK po gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut.

Masat parandaluese janë të njëjta. Personat të cilët rezultojnë pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit.

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Qytetarë të nderuar,

Ju lutemi për kujdes të shtuar!

Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:

Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

Mbani higjienën!

Respektoni distancën!

Mbani në mend:

FYTYRA E MBULUAR ME MASKË!

DUART E PASTRA!

DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!

Procesi i Berlinit: Maas do të drejtojë konferencën e ministrave të Jashtëm

Heiko Maas, ministri i jashtëm i GjermanisëTë martën mblidhen virtualisht ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndirmor dhe disa vendeve të BE-së për të biseduar për ecurinë e mëtejshme të procesit të Berlinit.

Nën drejtimin e ministrit të jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, zhvillohet të martën, 8.6. konferenca e ministrave te jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit. Këtë e bëri të ditur të hënën në  Berlin, zëvendëszëdhënësja e ministrisë së punëve të jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse. Konferenca ka për qëllim të parapërgatisë samitin e ardhshëm të krerëve të qeverive, i cili do të zhvillohet nën drejtimin e kancelares Angela Merkel në fillim të  korrikut.​​

Sipas Sasses, veç ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, aty marrrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të disa vendeve anëtare të  BE-së, si edhe Komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, Stefano Sannino. ​​​​

Paradhomë  e Evropës

Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014.  Ai ka si synim përmirërimsin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.

Procesi konsiderohet edhe si “paradhomë e BE-së”.  Pas Gjermanisë, si nismëtare, organizatorë të samitit kanë qenë deri tani Austria, Franca, Britania e Madhe, Italia, Polonia dhe Bullgari/Maqedonia. Një nga arritjet e deritanishme të prorcesit të Berlinit është miratimi i planit për tregune  përbashkët rajonal dhe afrimi i të rinjve nëpërmjet rrjetit RYCO (Regional Youth Cooperation Office). Megjithatë konfliktet e pazgjidhura ndërmjet shteteve në rajon kanë qenë pengesë e vazhdueshme për funksionimin si duhet të nismave të dala nga Procesi i Berlinit.

dw

Gjermania paralajmëron: Ka nisur gara për armatimin me IA

Drone luftarake britanikeMë shpejt, më inteligjent dhe më efikas: Bota po hyn në një epokë të re të të bërit luftë, një botë në të cilën inteligjenca artificiale (IA) ka rol qendror. Por pa kontroll IA mund të kthehet në rrezik.

Një garë armatimesh në sfondin e inteligjencës artificiale ndërkohë ka nisur. Ky është paralajmërimi i hapur i ministrit të Jashtëm gjerman, Heiko Maas. “Ndodhemi në valën e këtij zhvillimi”, thotë ai duke u prononcuar për një dokumentar të ri të Deutsche Welle-s me temë: “Future Wars – and How to Prevent Them”. “Ky është realiteti, me të cilin kemi të bëjmë”, thotë Maas.

Një realitet, që është në qendër të luftës për dominim  botëror. “Kjo është një garë, që shtrihet në sektorin ushtarak dhe civil”, shpjegon Amandeep Singh Gill, ish-kryetar i grupit të ekspertëve të OKB-së për sistemet autonome të armatimit.

Fuqitë e mëdha në garë

Edhe një raport aktual i Komisionit të Sigurisë të SHBA-së për Inteligjencën Artificiale tregon, se sa e rëndësishme është kjo temë për qeveritë në mbarë botën. Në të bëhet fjalë për „një paradigmë të re të të luftuarit, në të cilën përballja është algoritmet kundër algoritmeve”. Bëhet thirrje për investime masive „për të qenë vazhdimisht më inovator se kundërshtari”.

Plani i fundit pesëvjeçar i Kinës vendos në qendër hulumtimin dhe zhvillimin, ndërsa Ushtria Popullore armatoset për një të ardhme, sikurse e quan ajo „të luftës së bazuar tek inteligjenca”.

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin tha në vitin 2017: „Kush do të kryesojë gjithmonë në këtë fushë, do të bëhet sundimtari i botës.” Por nuk janë vetëm fuqitë e mëdha, që ndërveprojnë në këtë drejtim. Edhe në nivelet më të ulëta të renditjes së pushtetit kjo epokë e re është një realitet i stërvitur në luftë.

Nagorni-Karabah një pikëkthese

Në fund të vitit 2020, në kohën që bota u përfshi nga pandemia e koronavirusit, kulmuan në një luftë tensionet që zienin nën rrogoz mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Ky u duk si një konflikt rajonal nga librat shkollorë: Të dyja vendet luftonin për rajonin e Nagorni Karabahut. Por për ata, që ishin të vëmendshëm, kjo ishte një pikëkthese në mënyrën e të bërit luftë.

“Aspekti vërtetë i rëndësishëm në konfliktin e Nagorni-Karabahut sipas mendimit tim ishte përdorimi i “Loitering Munition”, të ashtuquajturit „dronë kamikaz”, shpjegon Ulrike Franke, eksperte për luftën me dron në “European Council on Foreign Relations”.

Bombat, që qarkullojnë në qiell

Modelet e përparuara të Loitering Munition janë në një shkallë të lartë të afta të veprojnë në mënyrë autonome. Pas nisjes ato fluturojnë në një territor të përcaktuar, ku qarkullojnë mbi të dhe vrojtojnë për objektiva – tipike si sistemet e mbrojtjes nga ajri.

Sapo ato zbulojnë një objektiv të tillë, fluturojnë drejt tij dhe e shkatërrojnë atë duke depërtuar brenda tij përmes goditjes me bordin e ngarkuar me lëndë shpërthyese. Ndaj dhe ato emërtohen si „dronë kamikaz”.

“Këto armë janë përdorur edhe më parë në një farë mënyre, por kësaj here përdorimi i tyre arriti një tjetër dimension”, thotë Franke. “U bë e dukshme, se sa e vështirë është qër t’u kundërvihesh këtyre sistemeve.”

Hetimet e “Center for Strategic and International Studies” në Uashington D.C. kanë treguar, se Loitering Munition i Azerbajxhanit ishte dukshëm më superior – me mbi 200 njësi në katër forma dizajnimi zhvilluar me teknologji të lartë izraelite. Ndërsa Armenia dispononte vetëm një model vendas. Të tjera ushtri e kanë vrojtuar me vëmendje këtë. “Që pas konfliktit të Nagorni-Karabahut ka pasur interes të shtuar ndaj këtij sistemi armatimesh”, vë në dukje Franke. “Ne konstatojmë, që më shumë ushtri në mbarë botën blejnë ose duan të blejnë Loitering Munition.”

Luftëra blic me dron?

Ky është vetëm fillimi. Në të ardhmen teknologjitë e komanduara prej inteligjencës artificiale mund të vihen ushtarakisht në masë në përdorim – shumë dron veprojnë bashkarisht si një tërësi vrasëse.

“Në këtë mënyrë p.sh. mund të asgjësohet një sistem i mbrojtjes nga ajri. Prej një sasie dhe mase të madhe të dronëve ky sistem mund të mposhtej”, thotë Martijn Rasser nga Think Tank “Center for a New American Security”. Ndaj sipas tij, nuk është e habitshme, që „shumë vende janë të interesuar për armë të tilla”. Një numër i madh dronësh që ndërveprojnë i bëjnë të mundshme përplasjet ushtarake, të cilat janë shumë të shpejta dhe komplekse e njerëzit nuk mund t’i ndjekin. Kjo e nxit edhe më tej dinamikën e garës së armatimit.

Ulrike Franke beson, se „mund të ndodhë që disa dronë të duhet të fitojnë një lloj mase autonomie, të paktën në aspektin e mbrojtjes. Sepse njerëzit nuk do të ishin në gjendje, që të komportohen shpejt me sulmet autonome.” Faktori i shpejtësisë është kritik dhe madje mund të çojë në luftë, që mund të duket sikur shpërthen nga hiçi e gjatë së cilës sistemet autonome reagojnë në një spirale ndaj njeri-tjetrit. “Në zhargonin e kësaj fushe bëhet fjalë për „luftra blic”, ve në dukje Franke, “një konflikt ushtarak padashje.”

“Ndal robotëve vrasës”

Bonnie Docherty do ta pengojë një zhvillim të tillë. Docentja e Harvard Law School qendron pas fushatës “Campaign to Stop Killer Robots” (“fushata ndal robotëve vrasës”). Kjo është një aleancë organizatash joqeveritare (OJQ), që kërkojnë një marrëveshje ndërkombëtare për ndalimin e armëve vrasëse autonome. “Kjo marrëveshje duhet të detyrojë ruajtjen e kontrollit të arsyeshëm njerëzor ndaj ushtrimit të dhunës”, thotë Docherty në bisedë për Deutsche Welle-n. “Kjo marrëveshje duhet të përfshijë të gjitha armët që operojnë në mënyrë autonome, përzgjedhin objektivat dhe hapin zjarr ndaj tyre duke vepruar mbi bazën e të dhënave të sensorëve dhe jo të njeriut.”

Fokusi i kësaj fushate konsiston tek „Konventa për Armët e Caktuara Konvencionale” të OKB-së. Kjo marrëveshje që ka hyrë në fuqi më 1983 synon të kontrollojë armët, që „shkaktojnë vuajtje të panevojshme dhe të pajustifikueshme”. Çështja e armëve autonome ka qenë vazhdimisht gjatë viteve të fundit në rend të ditës mes vendeve anëtare në Gjenevë. Por në këtë drejtim ecet shumë ngadalë. Procesi ka bërë të formulohen “parimet orientuese”, që ndër të tjera parashikojnë, që armët autonome u nënshtrohen të drejtave të njeriut dhe që njeriu mban përgjegjësinë përfundimtare për përdorimin e tyre. Por kjo mund të krijojë bazën për diskutime të mëtejshme.

Docherty druan, që procesi i orientuar nga konsesusi i Gjenevës ka mbetur në vend numëro dhe frenohet prej atyre, që nuk kanë interes të vendosin rregulla të forta ndaj sistemeve të armatimeve autonome. “Rusia deri tani ka refuzuar me këmbëngulje”, thotë juristja eksperte e armatimeve. Por edhe „disa shtete të tjera, që zhvillojnë sisteme armësh autonome, si Izraeli, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe të tjerë, nuk e mbështesin një marrëveshje të re”.

Koha për rikonceptim?

Docherty kërkon një qasje të re, në rast se nuk ka rezultat raundi i ardhshëm i bisedimeve në Gjenevë, që duhet të zhvillohet brenda këtij viti. Ideja e saj është „një proces i pavarur, që të drejtohet nga shtetet, që e trajtojnë këtë temë vërtetë me seriozitet dhe janë të gatshëm të zhvillojnë standarde të forta rregulluese”.

Por shumë janë skeptikë ndaj kësaj ideje. Ministri i Jashtëm gjernam Heiko Maas e mbështet fort thirrjen për ndalimin e sistemeve autonome të armatimit, por ai nuk e mbështet nismën “Campaign to Stop Killer Robots”. “Në indtervistë për Deutsche Welle-n Maas thekson, se nuk është parimisht kundër thelbit të kësaj nisme. Por Gjermania do, që në të të përfshihen pikërisht vendet e fuqishme ushtarakisht, të cilat janë në gjendje t’i zhvillojnë dhe t’i venë në përdorim sistemet e armatimeve autonome.

Sidoqoftë, sipas Maas, duhet që objektivi të jetë një marrëveshje. „Pikërisht sikurse e kemi arritur marrëveshjen për armët bërthamore përgjatë disa dekadave, duhet të arrijmë edhe në marrëveshje ndërkombëtare për teknologjitë e reja të armatimit”, thotë ai. Në këtë marrëveshje duhet të theksohet, se „zhvillime të caktuara ndonëse janë të mundshme teknikisht, nuk janë të përgjegjshme dhe duhet të ndalohen në nivel ndërkombëtar”.

Ç‘duhet bërë tani?

Deri tani nuk ka konsensus. Sipas ekspertes Franke më e mira që mund të shpresojë bota është që të përcaktojë norma se si të përdoren teknologjitë. “Të bihet dakord p.sh. që aftësi të caktuara të përdoren vetëm për mbrojtje ose vetëm kundër makinerive e jo kundër njerëzve, ose që ato të përdoren vetëm në kontekste të caktuara”, shpjegon ajo. Por edhe kjo do të ishte një sfidë: „Të biesh dakord për këtë dhe ta zbatosh atë është shumë më e vështirë nga disa marrëveshje të mëparshme për kontrollin e armatimeve.” Por ndërkohë që diplomatët mundohen t’u shmangen këtyre çështjeve, teknologjia po përparon.

dw

Përpjekje e BE për uljen e tensioneve midis Shkupit dhe Sofjes

Mazedonien Skopje Archäologisches MuseumShkupi e sheh me shpresa vizitën në Ballkanin Perëndimor të Presidentit portugez De Souza, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e radhës të BE.

“Pozicioni i Portugalisë është për dialog të vazhdueshëm, duke kuptuar problemet e tjetrit, pa paragjykime ose komplekse rreth zgjerimit të BE”, ka thënë Marcelo De Souza. Presidenti bullgar Rumen Radev thotë se Bullgaria po kërkon garanci në zgjerimin e Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut. Detyra më e rëndësishme është rivendosja e dialogut në të gjitha nivelet midis Sofjes dhe Shkupit. Ai theksoi se presidenca portugeze mund të ndihmojë në gjetjen e një qasjeje konstruktive.

“Në bazë të kësaj qasjeje, unë shoh hapjen e një perspektive për vazhdimin intensiv të dialogut, për zhvillimin e udhërrëfyesve të duhur, të cilët do të ofrojnë garancitë e duhura për ne, veçanërisht për t’u bindur se procesi i zgjerimit do të jetë efikas, i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm”, thekson Radev.

Zaev: Ende shpresojm për samitin e qershorit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev vlerëson se propozimi portugez për Shkupin është një pikënisje e shkëlqyeshme për arritjen e marrëveshjes me Bullgarinë, në mënyrë që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare deri në fund të qershorit.

“Për ne është veçanërisht e rëndësishme që ky projektpropozim të mos prekë ose të cenojë çështjet e identitetit tonë maqedonas, gjë që plotëson pozicionin tonë thelbësor, dhe ne jemi fort të bindur se propozimi është një bazë e mirë për pozicionet thelbësore të Bullgarisë”, ka deklaruar Zaevi.

Kryeministri Zaev thekson se qeveria teknike në Sofje ka mundësi kushtetuese për të marrë një vendim dhe kjo është ajo që ai pret. Sidoqoftë, ai përsëriti se megjithëse ka një shans për të bërë një hap përpara në integrimin evropian më 22 qershor, në rast se nuk do të ndodhë, në shtator do të ketë qeveri politike në Bullgari.

“Sigurisht, duhet të presim pak. Bullgaria ka qeveri teknike dhe është e lehtë të kuptohet e gjithë kjo, por nuk është e pamundur. Vjen shtatori, në shtator do të ketë qeveri politike, që mund të marrë vendime. Por nëse biem dakord, do të ishte shkëlqyeshëm”, tha Zaevi.

Osmani: Po përpiqemi t’i argumentojmë parimet para miqve tanë

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani beson se ajo që  mbron Maqedonin e Veriut në mosmarrëveshjen me Bullgarinë janë parimet, mbi të gjitha ato evropiane dhe kjo sipas tij është argumenti më i fortë në këtë mosmarrëveshje.

“Po përpiqemi t’i argumentojmë këto parime para Bullgarisë dhe miqve tanë. Ka shumë parime që kanë mbrojtur idenë evropiane për 75 vitet e fundit. Në të gjitha valët e zgjerimit të BE-së, ka pasur përpjekje për të imponuar çështje bilaterale, për të ngadalësuar procesin, por tani BE besoj se do të dalë më i fortë për t’i menjanuar këto pengesa”, thotë Osmani.

Sipas tij, qershori dhe pastaj dhjetori janë datat e mundshme për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të BE me Maqedoninë e Veriut.

“Qershori më duket një mundësi më e mirë, por fatkeqësisht, ajo që ndodhi në Bullgari pa një qeveri e ndërlikon atë dritare të mundësive”, vlerëson Osmani.

Mickoski: Po përgatitet tradhëti e re për Maqedoninë e Veriut

Kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare Hrisitjan Mickoski paralajmëron tradhëti të re të kryeministrit Zaev dhe përfaqësuesit në bisedimet me Bullgarinë, Vllado Buçkovski. Sipas Mickovskit dyshja Buçkovski-Zaev koordinojnë bisedime të fshehta ku ofrohet që Deklarata e miratuar nga Parlamenti bullgar të bëhet pjesë e kornizës negociuese me BE.

“Një veprim i tillë është tradhëti ndaj popullit maqedonas. Nëse Zaevi e pranon një gjë të tillë, na vendos në pozitën që të mohojmë identitetin maqedonas dhe të pranojmë se si popull ekzistojmë që nga viti 1945”, vlerëson Mickoski.

dw

SHBA rimerr pjesën më të madhe të pagesës së bërë pas sulmit kibernetik

Departamenti i Drejtësisë ka rikuperuar shumicën e një pagese shumë milionëshe për hakerat pas një sulmi kibernetik që ndali funksionimin e operatorit të tubacionit më të madh të karburantit në vend muajin e kaluar, thanë zyrtarët të hënën.

Operacioni për të rikuperuar kriptovalutën nga grupi i hakerëve me bazë në Rusi besohet të jetë i pari i këtij lloji dhe pasqyron atë që zyrtarët amerikanë thonë se është një qasje gjithnjë e më agresive kundër kërcënimeve për shërblime që muajin e fundit ka vënë në shënjestër industri kritike në të gjithë botën.

“Duke vënë në shënjestër një ekosistem të tërë që nxit kërcënime për pagesa dhe monedhën dixhitale, ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet tona dhe të gjitha burimet tona për të rritur kostot dhe pasojat e sulmeve të këtij lloji dhe sulme të tjera kibernetike”, tha zëvendës Prokurorja e Përgjithshme, Lisa Monaco në një konferencë shtypi ku njoftoi për operacionin.

Gazsjellësi Kolonial me bazë në Xhorxhia që furnizon afërsisht gjysmën e karburantit për pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara, ndërpreu përkohësisht operacionet më 7 maj pasi një bandë kriminale hakerash të njohur si DarkSide depërtuan në sistemin e tij kompjuterik.

Zyrtarët kompanisë Colonial kanë thënë që ata e fikën sistemin e tubacionit përpara se sulmi të arrinte në sistemin e tij operativ dhe vendosën të paguajnë një shpërblim prej afro 4.4 milionë dollarësh në një përpjekje për të rifilluar operacionet sa më shpejt që të ishte e mundur.

Pjesa e pagesës me Bitcoin vlerësohet aktualisht në 2.3 milionë dollarë.

FBI-ja në përgjithësi e dekurajon pagesën e shpërblimit, nga frika se mund të inkurajojë sulme të tjera të hakerave.

voa

SHBA: Miratimi i ilaçit për sëmundjen Alzheimer shoqërohet me debate

Ilaçi i kompanisë Biogen, AduhelmIlaçi i parë i ri kundër sëmundjes Alzheimer në gati dy dekada mori një dritë jeshile të kushtëzuar dhe të diskutueshme të hënën nga organizmat rregullatore të barnave në Shtetet e Bashkuara.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi kurën me antitrupa të kompanisë bioteknike Biogen, aducanumab. Ilaçi i ri zvogëlon pllakat amiloide të pranishme në trurin e pacientëve me Alzheimer.

Por miratimi mori kritika të ashpra nga ekspertët, të cilët vërejnë se kompania nuk ka provuar se ngadalëson rënien e aftësive njohëse te pacientët me këtë sëmundje.

FDA-ja do të kërkojë që kompania Biogen të vazhdojë testimin e ilaçit pasi të dalë në treg dhe përfundimisht të demonstrojë se pacientët në të vërtetë kanë ecuri më të mirë me ilaçin.

Ndërkohë, kompania tha se ilaçi do t’i kushtojë secilit pacient 56 000 dollarë në vit, por se ka të ngjarë të mbulohet nga shumica e kompanive të sigurimeve, përfshirë programin Medicare.

Alzheimeri, një sëmundje neurologjike degjenerative, është përgjegjëse për afërsisht dy të tretat e 50 milionë rasteve të demencias në të gjithë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ilaçi Aducanumab, i shitur me emërtimin Aduhelm, është trajtimi i parë i aprovuar që synon procesin themelor të sëmundjes së Alzheimerit dhe jo thjesht trajtimin e simptomave.

Në dy prova klinike, aducanumab uli pllakat amiloide me 59% – 71% pas 18 muajsh.

Sidoqoftë, këto studime u ndalën herët sepse nuk treguan se aducanumab po u ngadalësonte pacientëve rënien e funksionimit të trurit, më shumë se atyre që nuk po e merrnin atë.

Kompania Biogen rivlerësoi të dhënat nga një nëngrup i pacientëve në një provë dhe gjeti një përmirësim të lehtë te pacientët që marrin dozën më të lartë.

FDA-ja vendosi ta miratojë ilaçin me procedurë të përshpejtuar që ka një standard më të ulët sesa aprovimi i plotë. FDA-ja tha se të dhënat e kompanisë Biogen tregojnë se zvogëlimi i pllakave amiloide “ka të ngjarë të sjellë rezultate të favorshme klinike”.

“Kjo mëmyrë lejon që FDA-ja t’u sigurojë pacientëve që vuajnë me një sëmundje serioze, qasje të hershme tek një ilaç potencialisht i vlefshëm kur ka disa paqartësi të mbetura në lidhje me përfitimin klinik të ilaçit”, tha Patrizia Cavazzoni, drejtoreshë e Qendrës së Vlerësimit dhe Studimit të Barnave të FDA-së, në një telefonatë me gazetarët.

Grupet e pacientëve përshëndetën njoftimin.

“Ky aprovim është një fitore për njerëzit që jetojnë me Alzheimer dhe familjet e tyre”, tha në një deklaratë Harry Johns, president dhe drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Alzheimerit, një grup aktivizmi.

“Është një ditë e re”, tha ai. “Ky aprovim u mundëson njerëzve që jetojnë me Alzheimer më shumë kohë për të jetuar më mirë. Për familjet do të thotë se do të jenë në gjendje të jenë më gjatë me njerëzit e tyre të dashur. Bëhet fjalë për rigjallërimin e shkencëtarëve dhe kompanive në luftën kundër kësaj sëmundjeje të tmerrshme. Bëhet fjalë për shpresë”.

Jo të gjithë janë dakord.

“FDA-ja po thotë: Mos u shqetësoni për mungesën e përcaktimit të efektivitetit”, tha Lon Schneider, drejtor i Qendrës së Kalifornisë për Sëmundjen e Alzheimerit, në Universitetin e Kalifornisë Jugore.

Reduktimi i pllakave nuk është i njëjtë me ngadalësimin e keqësimit të gjendjes së pacientit, vuri në dukje ai.

Të tjerët ishin skeptikë se kompania Biogen do të bëjë një studim të kënaqshëm vijues për të treguar se ilaçi i saj funksionon vërtet.

“Përvoja në të kaluarën me kushte ‘të përshpejtuara’ të miratimit ka qenë zhgënjyese në shumë aspekte”, tha profesori i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Harvardit, Aaron Kesselheim, “me shumë raste kur provat konfirmuese zgjasin shumë, duke mos testuar provat përfundimtare klinike, dhe madje edhe është mbajtur emërtimi i ilaçit në etiketa kur provat konfirmuese kanë qenë negative”.

Terapitë të tjera janë në proces, dhe disa shpresojnë se lëvizja e FDA-së i hap rrugën trajtimeve më të mira në të ardhmen.

“Historia ka treguar se miratimi i ilaçit të parë në një kategori të re e gjallëron sektorin, rrit investimet në kura të reja dhe inkurajon një risi më të madhe”, tha në një deklaratë drejtorja shkencore e Shoqatës Alzheimer, Maria Carrillo.

“Ndërsa miratimi i sotëm është një hap i parë i rëndësishëm në luftën tonë të vazhdueshme kundër Alzheimerit”, tha zonja Cavazzoni e FDA-së, “ky është vetëm kaq: një hap i parë”.

voa