Qytetarët iranianë – “të pashpresë dhe të pakënaqur”

Pamje nga protestat në Khuzestan. Korrik, 2021.Analistët thonë se dëshpërimi ekonomik dhe zhgënjimi në rritje në shoqëri kanë shkaktuar protesta në të gjithë Iranin.

Fillimisht, ato kanë shpërthyer në provincën jugperëndimore Khuzestan, për shkak të mungesës së ujit.

“Nëse shoqëria nuk do të ishte e pashpresë, ajo nuk do të dilte në rrugë, nuk do të reagonte, pakënaqësia e saj nuk do të rezultonte në protesta”, thotë për Radion Evropa e Lirë sociologu Saeed Madani, me qendër në Teheran.

Ditëve të fundit, mijëra njerëz kanë protestuar ndaj mungesës së ujit në Khuzestan, që është shkaktuar nga thatësira e rëndë dhe është përkeqësuar nga menaxhimi i dobët i burimeve natyrore.

Banorët atje, përfshirë komunitetin e madh arab, janë ankuar prej kohësh për trajtimin e tyre si qytetarë të klasës së dytë.

Në këtë provincë gjenden rreth 80 për qind e fushave të naftës në Iran dhe 60 për qind e rezervave të gazit natyror.

Por, banorët atje thonë se nuk përfitojnë nga këto pasuri, porse përballen me ndotje, shkatërrim të ligatinave dhe mungesa uji.

Autoritetet thonë se mbi 700 fshatra në rajon përballen me qasje të vështirë në ujë dhe se shumë banorë atje e sigurojnë ujin vetëm nga cisternat që shpërndan qeveria.

Sipas burimeve lokale dhe grupit Netblocks, që monitoron qasjen në internet në të gjithë botën, Qeveria iraniane u është përgjigjur protestave në Khuzestan me forcë dhe me ndërprerje të internetit.

Kjo taktikë përdoret nga Teherani për të parandaluar organizimin e protestuesve, si dhe për të kufizuar rrjedhën e lirë të informacionit.

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International ka thënë më 23 korrik se forcat e sigurisë kanë përdorur “armë vdekjeprurëse automatike, armë gjahu me municione dhe gaz lotsjellës” për t’i shpërndarë protestuesit.

Sipas organizatës me seli në Londër, së paku tetë protestues dhe kalimtarë të rastit, përfshirë një adoleshent, janë vrarë në qytete të ndryshme të provincës.

Të pafajshëm dhe të etur

Protestat në Khuzestan, që kanë shpërthyer më 15 korrik dhe kanë zgjatur gati një javë, kanë nxitur qytetarë në provinca dhe qytete të tjera të dalin në rrugë, për të shprehur solidaritet me banorët e Khuzestanit.

Ata kanë shfryer zemërimin e tyre me establishmentin klerik, ndërsa udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e kanë quajtur diktator.

Shumë gazetarë, avokatë, disidentë, artistë dhe iranianë të tjerë kanë bërë kohëve të fundit deklarata dhe komente në mbështetje të Khuzestanit, ndërsa kanë dënuar shtypjen nga autoritetet.

Një grup aktivistësh, përfshirë avokaten e shquar të të drejtave të njeriut, Narges Mohammadi, janë ndaluar për disa orë më 20 korrik, pasi kanë organizuar një tubim paqësor jashtë Ministrisë së Brendshme, për të shprehur shqetësimin e tyre për përdorimin e forcës kundër “njerëzve të pafajshëm dhe të etur” të Khuzestanit.

Më 27 korrik, protesta janë raportuar në Teheran dhe Karaj – në perëndim të kryeqytetit – ku protestuesit kanë thirrur slogane kundër establishmentit dhe udhëheqësve të tij, ndërsa kanë përmendur në mënyrë specifike Khamenein.

“Mullai duhet të humbasë”, kanë brohoritur protestuesit në Teheran.

Zëvendësguvernatori i Teheranit, Hamidreza Goodarzi, ka konfirmuar protestën në qytet, ndërsa ka thënë se arsye për të ishte “një mungesë e energjisë elektrike”.

Pretendimet e tij janë pritur me kritika dhe sarkazëm në mediat sociale.

“Le të supozojmë se keni të drejtë dhe se protesta në Teheran ishte për ndërprerjet e energjisë elektrike. Çfarë establishmenti i mjerueshëm [duhet të jetë] ai, që kur ka një ndërprerje të energjisë elektrike ose kur metroja vonohet, [njerëzit] brohorisin kundër autoritetit të tij më të lartë dhe [vënë në dyshim] të gjithë sistemin”, ka shkruar në Twitter aktivisti me qendër në Teheran, Hossein Razzagh.

Protestat në mbështetje të Khuzestanit janë raportuar gjithashtu në Isfahan, Tabriz, Bojnourd, Saghez dhe qytete të tjera të mëdha në Iran.

“Zëri i shoqërisë është i lartë. Khuzestani ka një zë të lartë”, thotë sociologu Madani, duke shtuar se iranianët duan të dëgjohen.

Sipas tij, klasa e mesme e vendit – e cila është tkurrur për shkak të përkeqësimit të ekonomisë nga sanksionet amerikane – nuk do që të shohë dhunë.

“Klasa e mesme shmang dhunën dhe beson se ndryshimi duhet të vijë nga një rrugë jo e dhunshme”, thotë Madani.

Shumë iranianë kanë sinjalizuar pakënaqësinë e tyre me udhëheqësit, duke bojkotuar zgjedhjet presidenciale që janë mbajtur në qershor, e që kanë rezultuar me fitoren e klerikut të vijës së ashpër, Ebrahim Raisi.

Pjesëmarrja prej 48.8% në zgjedhje ka qenë më e ulëta ndonjëherë në Republikën Islamike, e cila është krijuar në vitin 1979.

Autoritetet kanë skualifikuar qindra kandidatë të mundshëm, përfshirë rivalët seriozë të Raisit.

Trajtimi i pandemisë së koronavirusit nga ana e Qeverisë iraniane dhe fushata e ngadalshme e vaksinimit kanë shkaktuar gjithashtu zhgënjim te qytetarët.

Irani aktualisht është duke u përballur me rritje të numrit të rasteve me koronavirus, për shkak të përhapjes së variantit më ngjitës Delta.

Hatam Ghaderi, profesor i shkencave politike në Teheran, thotë se vazhdimi i “rrugës aktuale të iracionalitetit” mund të çojë në një kolaps të establishmentit iranian.

“Republika Islamike po i intensifikon gabimet”, thotë ai.

Përgatiti: Valona Tela

Bosnje e Hercegovinë: Nga sot ndalohet mohimi i gjenocidit në Srebrenicë

Nga e mërkura në Bosnjë e Hercegovinë është i ndaluar me ligj mohimi i gjenocidit në Srebrenicë dhe shkelësit e ligjit mund të dënohen me burgim.

Vendimi i Përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje, Valentin Inzko për plotësimin e Kodit Penal për këtë çështje hyn sot në fuqi.

Javën e kaluar zoti Inzko, shpalli të premten vendimin me të cilin ndalon mohimin e gjenocidit, duke iu kundërvënë përpjekjeve të serbëve të Bosnjës për të mohuar masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë, gjenocidi i vetëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Vendimi nxiti reagime të ashpra nga Republika Sërpska, entiteti me shumicë serbe në Bosnje. Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, paralajmëroi se Bosnja mund të shpërbëhet dhe nisi një peticion për mospranimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

Përfaqësuesit e serbëve thanë se nuk do të marrin pjesë më në institucionet shtetërore të Bosnje-Hercegovinës.

Zyra e Përfaqësuesit të lartë tha se çdo veprim për bllokimin e institucioneve të Bosnjës është hap në drejtim të gabuar.

Republika Sërpska paralajmëroi për datën 30 korrik debatin mbi dy ligje që parashohin moslejimin e zbatimit të vendimit të zotit Inzko dhe dënimin e të gjithë atyre që, siç thuhet, “fyejnë” këtë entitet.

Ndryshimet në Kodin Penal të vendosura nga zoti Inzko parashohin dënime me heqje lirie deri në pesë vjet për mohuesit e gjenocidit dhe për çdo madhërim të kriminelëve të luftës, përfshirë emërtimin e rrugëve ose institucioneve publike me emrat e tyre.

Si organi më i lartë ndërkombëtar që mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995, OHR-ja ka autoritetin të imponojë vendime ose të shkarkojë zyrtarë që dëmtojnë ekuilibrin etnik të pasluftës dhe përpjekjet për pajtimin midis boshnjakëve myslimanë, serbëve dhe kroatëve të Bosnjës.

Gjenocidi në Srebrenicë u krye pasi serbët e Bosnjës morën kontrollin mbi enklavën lindore në korrik të vitit 1995, ndonëse ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Ata ekzekutuan burrat dhe djemtë boshnjakë dhe hodhën trupat e tyre në varre masive të cilat më vonë u hapën dhe trupat u rivarrosën në pjesë të ndryshme për të mbuluar krimin. Edhe më tej vazhdon procesi i zhvarrimit dhe identifikimit të viktimave.

Serbët e Bosnjës dhe Serbia e kanë quajtur masakrën një krim, por kanë refuzuar ta njohin atë si gjenocid.

Lufta e Bosnjës e viteve 1992-1995 që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur, mori fund me marrëveshjen e paqes që u arrit në vjeshtën e vitit 1995 në Dayton të Ohios.

voa

Ditë e nxehtë me temperatura mbi 40 gradë Celsius!

Moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të vogla lokale transmeton Alsat. Do të fryjë erë e lehtë veriperëndimore. Pasdite nëpër ambientet malore do të ketë kushte për reshje të shiut me intensitet të vogël dhe shkarkime të rralla elektrike. Temperatura do të jetë në intervalin prej 34 deri në 41 gradë Celsius. UV indeksi do të jetë 9.

Në Shkup, moti do të jetë me diell dhe i nxehtë Temperatura minimale do të bie në 40 gradë Celsius.

Moti ditëve në vijim do të jetë jashtë normales për këtë periudhë vjetore, ndërsa pritet të aktivizohet faza portokalli si pasojë e rrezikut nga temperaturat e larta. Përgjatë Vardarit temperaturat do të kalojnë 40 gradë Celsius. Të hënën do të fryjë erë e përforcuar në drejtimin perëndimor, ndërsa pasdite era do të përforcohet në drejtimin veriorë, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të temperaturave. Më nxehtë pritet të jetë gjatë ditës së mërkurë, ku temperaturat pritet të arrijnë mbi 40 gradë Celsius.

Fabrizi: Dialogu me Kosovën, kyç për pranimin e Serbisë në BE

Ambasadori i BE-së në Serbi, Sem Fabrizi.Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, tha se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës është një element kyç për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Rundi i fundit i dialogut mund të ketë qenë më i vështiri nga të vështirët. Të dyja palët duhet t’i përkushtohen atij. Dialogu është një element kyç për stabilitetin rajonal dhe pranimin e Serbisë në BE. Ka interes të madh që dialogu të ketë sukses dhe BE-ja po bën të pamundurën për këtë”, tha Fabrizi për Radio-Televizionin e Serbisë.

Rundi i fundit i bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u zhvillua më 19 korrik në Bruksel.

Palët akuzuan njëra-tjetrën për mungesë të vullnetit që procesi të ecë përpara.

Megjithatë, ato u pajtuan që t’i vazhdojnë bisedimet në shtator.

Fabrizi tha se kushtet që Brukseli ia ka vënë Serbisë për anëtarësim në BE, janë konstante dhe nuk ndryshojnë.

“Dihet se për çfarë bëhet fjalë – dialogu me Prishtinën, sundimi i ligjit, reformat ekonomike, prokurimi publik, subvencionet, ndihma shtetërore janë gjëra për të cilat duhet të punohet”, tha Fabrizi.

Serbia ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në BE.

Nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, negociatat e anëtarësimit i ka hapur edhe Mali i Zi.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së këtyre negociatave, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

rel

43 gradë në Elbasan dhe Berat, 8 gradë mbi normalen në Korçë/ Si paraqitet situata meteorologjike në vend

Kjo javë është ndër më të nxehtat e kësaj verë në vendin tonë.

Berati dhe Elbasani do të përjetojnë sot temperatura përvëluese deri në 42 gradë Celsius, konkretisht në Cërrik, Belsh, Kuçovë dhe Ura Vajgurore.

Edhe në kryeqytet, temperaturat variojnë nga 41 në 42 gardë Celsius.
Qyteti juglindor i Korçës po përballet me temperatura 70 gradë mbi normalen, teksa sot vlëra maksimale arrin 35 gradë Celsius.

Në qytetin bregdetar të Durrësit, vlerat maksimale arrijnë 39 gradë Celsius, ndërsa në Shkodër 41.5 gradë.

Sipas MeteoAlb, nesër Shqipëria veriore freskohet me 1 gardë, ndërsa Shqipëria qendrore dhe jugore mbetet në vlera të njëjta.

Top Channel

Kufijtë e SHBA mbeten të mbyllur për europianët për shkak të pandemisë

USA Pressesprecherin des Weißen Hauses Jen Psaki Shumë shpresonin, që amerikanët do t’i shfuqizonin së shpejti kufizimet prej pandemisë. Por ndryshe nga BE-ja, qeveria e SHBA-së ndjek kursin e rreptë duke dhënë për këtë një arsye të caktuar.

SHBA vazhdon t‘ua refuzojë udhëtimin brenda vendit të tyre europianëve dhe të huajve nga vende të tjera për shkak të pandemisë së koronavirusit. “Për shkak të varianit Delta ne do t’i mbajmë në fuqi edhe më tej kufizimet për udhëtimet”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së bardhë, Jen Psaki. Raste e infeksioneve me Corona po rriten, kryesisht në radhët e të pavaksinuarve, shpjegoi ajo. “Duket se me gjasë kjo do të vazhdojë edhe në javët e ardhëshme.” Ndonëse varainti është dominant tani edhe në SHBA, kjo nuk do të thotë, që ne duke hapur kufijtë të vijnë edhe më shumë njerëz më variantin Delta në SHBA. E pyetur se sa kohë do të mbahen në fuqi këto kufizime, zëdhënësja Psaki tha, se: “asgjë nuk është e pakufizaur.” Por aktualisht nuk ka një plan kohor.

Para më sumë se një viti SHBA i ka mbyllur kufijtë për qytetarët nga BE-ja, Britania e Madhe Kina dhe Irani. Më pas u shtuan edhe vende të tjera, ndër to edhe Brazili dhe India. Përjashtime nga kufizimet ka për gazetarët, studentët dhe biznesmenët.

BE-ja në qershor u bëri thirrje vendeve anëtare që të shfuqizojnë gradualisht kufizimet për udhëtarët nga SHBA-ja dhe vende të tjera. Gjermania si rrjedhojë lejon edhe udhëtime nga SHBA-ja për çfarëdolloj arsyeje duke përfshirë edhe turizmin.

se/ack (rtr, dpa, ap, afp)

Biden akuzon Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane të vitit 2022

President Joe Biden finishes speaking during a visit to the Office of the Director of National Intelligence in McLean, Va., July 27, 2021. Rusia tashmë po ndërhyn në zgjedhjet për Kongres të vitit të ardhshëm në SHBA, tha Presidenti Joe Biden të martën në një fjalim në Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI).

Duke iu referuar raportit sekret të ditës të përgatitur nga komuniteti i inteligjencës për të, Biden tha: “Shikoni se çfarë po bën tashmë Rusia në lidhje me zgjedhjet e vitit 2022 dhe dezinformimin.”

Veprime të tilla nga Moska janë një “shkelje e pastër e sovranitetit tonë”, tha presidenti, pa shtjelluar më tej, në komentet tij para rreth 120 përfaqësuesve të komunitetit të inteligjencës amerikane që u mblodhën në veri të Virxhinias në selinë e ODNI-së.

Referenca publike e Preisdentit Biden për diçka që është sekret presidencial i ditës me siguri se do të shkaktojë reagime.

“Ai është president. Ai mund të deklasifikojë çdo gjë që dëshiron kur të dojë”, tha Emily Harding, zëvendës drejtore e programit ndërkombëtar të sigurisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Dhe nuk jam i sigurt se do të jetë shokuese për këdo që Rusia po shqyrton mundësinë e dezinformimit për zgjedhjet e vitit 2022. Mendoj se është vërtet një kujtesë e mirë që Rusia vazhdon ta bëjë këtë dhe se asgjë nuk i ka dekurajuar ata ende”, tha ajo.

Presidenti gjithashtu kishte një parashikim ogurzi për përshkallëzimin e sulmeve kibernetike që kanë në shënjestër Shtetet e Bashkuara, për të cilat administrata e tij ka fajësuar hakerët e mbështetur nga shteti në Kinë dhe ata që veprojnë pa u ndëshkuar në Rusi.

Presidenti Biden tha se ai beson se po rriten gjithnjë e më shumë gjasat që Shtetet e Bashkuara të “mund të përfundojnë në një luftë të hapur me një fuqi të madhe”, si pasojë e sulmeve kibernetike.

Aftësitë kibernetike të kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara “po rriten në mënyrë eksponenciale”, tha presidenti amerikan.

Presidenti rus Vladimir Putin dukej se ishte shumë në mendjen e zotit Biden gjatë komenteve të tij para komunitetit të inteligjencës.

Putini ka “armë bërthamore, puse nafte dhe asgjë tjetër”, tha Preisdenti Biden, duke shtuar se udhëheqësi rus e di se është në telashe të vërteta ekonomikisht, “gjë që e bën atë edhe më të rrezikshëm”.

Biden gjithashtu vlerësoi komunitetin e inteligjencës amerikane për epërsinë e tij ndaj homologëve të tij në Moskë.

Putini “e di që ju jeni më të mirë se ekipi i tij. Dhe kjo e shqetëson atë shumë”, tha Presidenti Biden.

“Unë e shoh se si kjo mund të nxisë një reagim nga Moska”, tha Harding për Zërin e Amerikës.

Presidenti Biden iu referua Rusisë dhe Kinës si “konkurentë vdekjepruës të së ardhmes”.

Në komentet e tij, presidenti amerikan tha se presidenti kinez Xi Jinping “është shumë serioz në përpjekjet për ta bërë Kinën fuqinë më të madhe ushtarake dhe ekonomike në botë” nga mesi i viteve 2040.

Biden bëri disa referenca ndaj armëve hipersonike të kundërshtarëve. Por ai u ndal duke thënë se “Unë nuk e di, ne ndoshta kemi disa njerëz në dhomë pa biografi të kontrolluar për këtë lloj informacioni”. Në fakt, një grup gazetarësh të Shtëpisë së Bardhë ishin të pranishëm dhe një kamera televizive po regjistronte fjalimin në emër të medias.

Presidenti gjithashtu i bëri thirrje ekipit të tij të inteligjencës, i cili përbëhet nga 17 agjenci të ndryshme, “që të më raportoni realitetin ashtu siç është. Unë nuk po kërkoj një paraqitje argëtuese. Kur nuk jeni të sigurt, thoni që nuk jeni të sigurt ”.

Presidenti Biden tha se “nuk mund të marrë vendime të duhura nëse ju nuk me jepni vlerësimet tuaja më të mira, të paanshme dhe pa paragjykime. Nuk po kërkoj të dëgjoj gjëra të këndshme. Dua atë që ju mendoni se është e vërteta.”

Këto fjalë janë “një gjë e madhe. Kjo është gjëja që ai ndoshta më së shumti kishte nevojë ta thoshte” për këtë audiencë të veçantë, thotë analistja Harding.

Presidenti Biden theksoi se agjencitë e inteligjencës nuk duhet të ndikohen nga partia politike që kontrollon Kongresin ose Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se është “jetike që ju të jeni plotësisht të lirë nga çdo presion politik ose ndikim partiak”.

Presidenti Biden u zotua se gjatë mandatit të tij ai nuk do të përpiqet të “ndikojë ose ndryshojë gjykimet tuaja për atë që mendoni për situatat me të cilat përballemi. Unë kurrë nuk do ta politizoj punën që ju bëni. U jap fjalën për këtë. Kjo është tepër e rëndësishme për vendin tonë.”

Vizita e Presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara në ODNI kishte për qëllim, pjesërisht, të demonstronte një marrëdhënie të ndryshme me komunitetin e inteligjencës nga ajo që ky komunitet pati me paraardhësin i tij, Donald Trump.

“Mendoj se të gjithë ju mund të bëni një kontrast të qartë”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë një ditë më parë.

Qëndrimi i ish-presidentit Trump ndaj komunitetit të inteligjencës u acarua publikisht pasi ai doli në anën e Putinit në lidhje me raportin e qeverisë amerikane se Kremlini kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Republikani Donald Trump mposhti me një rezultat të ngushtë rivalen demokrate Hillary Clinton në ato zgjedhje.

voa

CDC rekomandon mbajtjen e maskës edhe për ata që kanë bërë vaksinën

USA, Atlanta, A general view of the Centers for Disease Control and PreventionQendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ndryshoi disa udhëzime në lidhje me mbajtjen e maskës. CDC njoftoi rekomandimet e reja të martën, sipas të cilave, edhe njerëzit e vaksinuar duhet që të mbajnë maska në ambientet e brendshme në pjesët e Shteteve të Bashkuara, ku rastet e koronavirusit janë në rritje.

Shkencëtarët përmendën informacionet e reja në lidhje me aftësinë e variantit delta për t’u përhapur midis njerëzve të vaksinuar.

CDC gjithashtu rekomandoi mbajtjen e maskës në ambjente të mbyllura për të gjithë mësuesit, personelin, nxënësit dhe vizitorët në shkolla, pavarësisht nëse ata janë të vaksinuar apo jo.

Në Shtetet e Bashkuara tani shënohen mesatarisht më shumë se 57,000 raste në ditë me Covid-19 dhe 24,000 shtrime në spital.

Udhëzimi për mbajtjen e maskës në ambjente të mbyllura publike vlenë për rajonet e Shteteve të Bashkuara me të paktën 50 raste të reja në ditë për 100,000 banorë në javën e fundit. Në këtë kategori tani ndodhen 60 përqind të qarqeve të Shteteve të Bashkuara, thanë zyrtarët.

Udhëzimi i ri pason vendimet e fundit të ndërmarra në Los Anxhelos dhe Sejnt Luiz për të rikthyer në fuqi rregullin për mbajtjen me detyrim të maskës në ambiente të mbyllura për shkak të rritjes së rasteveme COVID-19 dhe shtrimeve në spital që kanë qenë veçanërisht të rënda në jug të vendit.

Sipas drejtoreshës së Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Dr. Rochelle Walensky, me variantet e mëparshme të virusit, njerëzit e vaksinuar treguan nivele të ulëta të infektimit dhe mendohej se ata nuk mund ta përhapnin koronavirusin.

Por, ajo tha se me variantin delta, nivelet e virusit të gjetura në hundë dhe fyt të njerëzve të vaksinuar të infektuar ishin “të padallueshme” nga ato të gjetura tek njerëzit e infektuar të pavaksinuar.

“Njoftimi i sotëm nga CDC… është një hap tjetër në rrugën tonë për të mposhtur këtë virus,” tha Presidenti Joe Biden në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë. “Shpresoj që të gjithë amerikanët që jetojnë në zonat që ndikohen nga udhëzimi i CDC do ta respektojnë atë. Sigurisht që unë do ta bëj këtë kur të udhëtoj në këto zona.”

Zyrtarët shëndetësorë thonë se vaksinat mbeten efektive kundër pasojave më të rënda të infeksionit me virusin, përfshirë atyre nga varianti delta.

Në maj, CDC tha se njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk kishin nevojë më të mbanin maskën ​ose distancimin fizik prej gjashtë metrash nga njerëzit e tjerë. Megjithatë, agjencia amerikane e shëndetësisë sugjeroi që njerëzit të mbanin maskën në hapësirëat e transportit publik dhe në vende të mbushura me njerëz në natyrë.

Për muaj me radhë, rastet e COVID-19, vdekjet dhe shtrimet në spital në Shtetet e Bashkuara shënuan rënie në mënyrë të qëndrueshme, por kjo prirje u përmbys gjatë dy muajve të fundit pasi varianti delta i koronavirusit filloi të përhapej në vend.

New York Times raporton se disa qytete kanë rikthyer rregullat që detyrojnë mbajtjen e maskës në ambjente të mbyllura në javët e fundit, duke përfshirë qytetin e Savanës në Xhorxhia, dhe atë të Princtaunit në Masaçusets.

voa

Si mund të shmangen epidemitë

Numri i vdekjeve të raportuara nga COVID-19 ka kaluar 4 milionë, sipas Universitetit Johns Hopkins që regjistron infektimet dhe vdekjet. Në 100 vitet e kaluara, ka patur epidemi të gripit dhe kolerës, epidemia e Sidës dhe sëmundje të tjera të shumta në të gjithë botën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson njofton se një studim i fundit tregon se shumë epidemi ose mund të ishin shmangur ose mund të frenohen.

Ndërsa disa vende përgatiten për një tjetër valë të koronavirusit, me më shumë shtrime në spital dhe vdekje, mjekët në vendet ku vaksinat janë lirshëm në dispozicion po u luten njerëzve që të vaksinohen.

“Unë jam Dr. Michael Bolding. Kam punuar në njësinë tonë për COVID-in gjatë 16 muajve të fundit. Më pyesin çdo ditë tani se si duket njësia jonë”, thotë Dr. Michael Bolding, nga Qendra Rajonale Mjekësore e Uashingtonit.

Dr. Bolding thotë se tani po sheh pacientë të pavaksinuar të sëmurë rëndë në të 20-tat dhe 30-tat.

“… të shoqëruar nga simptoma përfundojnë në ventilator, oksigjen me rrjedhë të lartë dhe janë jashtëzakonisht të sëmurë … më të sëmurë se në çdo kohë gjatë kësaj pandemie”, thotë ai.

Me vaksinimin, sëmundja e rëndë dhe vdekja nga COVID-19 mund të shmangen.

“Ne po bëjmë thirrje për një objektiv global 7-1-7. Dmth shtatë ditë për të zbuluar një vatër, një ditë për të njoftuar dhe shtatë ditë për të arritur një përgjigje efikase”, thotë Amanda McClelland, nga organizata “Resolve to Save Life” që punon për parandalimin e epidemive.

Zëri i Amerikës e intervistoi zonjën McClelland gjatë një takimi mbi Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Ajo thotë se është e mundur të parandalohen epidemitë dhe përmend Ugandën si shembull. Uganda ndaloi rishtazi një epidemi të Ebolës në kufirin e saj me Republikën Demokratike të Kongos.

“Uganda iu përgjigj rrezikut. Mobilizoi komunitetet dhe sistemet shëndetësore për të forcuar mbikëqyrjen përgjatë kufirit dhe arriti të mbrojë të infektuarit… dhe të kujdeset për ta në mënyrë efikase. Pra, ata nuk patën një epidemi të Ebolas”, thotë zonja McClelland.

Në fakt, një studim i publikuar në muajin prill nga organizata “Resolve to Save Lives”, i titulluar “Epidemitë që nuk ndodhën”, përfshiu shembuj të shumtë të situatave ku vendet shmangën ose ndalën epidemitë.

Shembuj të tjerë janë p.sh. Nigeria, e cila në vitin 2014 ndali një epidemi të Ebola-s, si dhe Brazili që në vitin 2016 parandaloi përhapjen e një epidemie të etheve të verdha. Në të dy rastet, zyrtarët e shëndetësisë reaguan me veprime të koordinuara, komunikim efikas dhe udhëheqje të përkushtuar.

Zonja McClelland thotë se çelësi janë aftësitë e mira drejtuese dhe ndërtimi i besimit në komunitet.

“Nuk mund të vini vetëm kur ndodh diçka e keqe. Duhet të jeni aty gjatë gjithë kohës. Duhet të takoheni me komunitetet aty ku ndodhen dhe të merreni me nevojat e tyre të përditshme shëndetësore, dhe kjo krijon besim”, thotë zonja McClelland.

Zonja McClelland thotë se besimi, gazetaria e mirë dhe një shoqëri e fortë civile ndihmojnë komunitetet të refuzojnë disinformimin dhe politizimin e sëmundjeve, vaksinave dhe trajtimin shëndetësor.

voa

Ben-Meir: Kosova të ketë kujdes nga agjenda islamike e Erdoganit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi. Profesori amerikan, njëherësh ekspert i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se institucionet e Kosovës duhet të tregohen të kujdesshme me iniciativën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili ditë më parë tha se së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden, do të angazhohet që të sigurojë njohje të reja për Kosovën.

Ben-Meir, që është profesor pranë Qendrës për Çështje Globale në Universitetin e Nju Jorkut, thotë se është në rregull që Kosova të ketë raporte të mira me Turqinë, por sipas tij Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet agjendës së këtij shteti si dhe agjendës islamike të Erdoganit.

Profesori Ben-Meir në këtë intervistë flet edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilin proces nuk është shumë optimist se shpejt mund të përfundojë me një marrëveshje finale.

Pos tjerash, Ben-Meir është një ekspert në çështjet e Lindjes së Mesme, negociatat ndërkombëtare dhe zgjidhjen e konflikteve. Një pjesë të konsiderueshme të karrierës së tij e ka kaluar duke u marrë me konfliktin izraelito-palestinez.

Radio Evropa e Lirë: Janë bërë 13 vjet prej se Kosova shpalli pavarësinë. Po ashtu më 22 korrik janë bërë 11 vjet prej se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) vendosi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Por, përkundër kësaj Kosova vazhdon të jetë e pafuqishme në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Mungojnë njohje si nuk është e anëtarësuar në organizatat kryesor e ndërkombëtare. Pse e kemi këtë situatë?

“Erdogan të kërkojë nga Putini që Serbia ta njohë Kosovën”

Alon Ben-Meir: Problemi kryesor është se ne nuk kemi pasur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Kështu që ne kemi stagnuar në OKB dhe ky është problemi kryesor. Problemi i dytë është fakti se që Serbia dhe Kosova ende nuk i kanë normalizuar raportet, pra Kosovës i duhet njohja e Serbisë, si dhe anasjelltas. Pa njohjen e Serbisë është duke u bërë më e vështirë edhe për Bashkimin Evropian që të provojë që ta integrojë Kosovën.

Derisa OKB-ja nuk e njeh Kosovën dhe përderisa Serbia vazhdon të mohojë pavarësinë e Kosovës do të marrë kohë që shtete të reja të njohin Kosovën. Por, një gjë dua them, se pjesa më e madhe e vendeve të BE-së, po ashtu SHBA-ja si dhe shtete të tjera të rëndësishme, e kanë njohur Kosovën. Pra duhet ta kujtojmë faktin se janë mbi 100 shtete dhe janë disa nga shtetet më të rëndësishme në botë.

Radio Evropa e Lirë: Pesë shtete të Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, por mungojnë njohje edhe nga shtete të tjera të rëndësishme. Çka duhet të bëjë Kosova që të sigurojë njohje të reja dhe që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare?

Profesori Alon Ben-Meir.Alon Ben-Meir: Të jesh pjesë e organizatave ndërkombëtare  sigurisht se është e rëndësishme, por ne gjithashtu duhet të dimë se Kosova ka një qeveri e cila duhet të fokusohet në zhvillimin e shtetit, zhvillimin ekonomik, reforma politike, luftimin e korrupsionit, pra të gjitha këto. Kjo mund të ndihmojë Kosovën duke dërguar një mesazh te komuniteti ndërkombëtar se ne nuk jemi të pavarur vetëm nga definicioni, por shikoni se çfarë kemi arritur brenda vendit. Kosova duhet të forcojë pozicionin e saj nga brenda, në çdo mënyrë. Kështu do të marrë më shumë vëmendje dhe më shumë njohje nga komuniteti ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Para pak ditësh presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se do të fillojë një iniciativë që së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden, të sigurojnë njohje të reja për Kosovën. Pse beson se erdhi deri te kjo iniciativë dhe pse pikërisht tani?

Alon Ben-Meir: Çdokush që e mbështet apo që bën fushatë për t’i shtyrë shtetet e tjera që të njohin Kosovën, është i mirëseardhur. Por, sido që të jetë, unë kam dyshime serioze sa i takon synimeve të (Recep Tayyip) Erdogan dhe Turqisë. Presidenti Erdogan është një narcizist, egocentrik, nacionalist islamik dhe ndoshta çfarë dëshiron të bëjë është që të promovojë agjendën e tij dhe krejt çfarë mund t’i them popullit të Kosovës është se është shumë në rregull të kesh raporte të mira me Turqinë, por Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet agjendës së Erdoganit si dhe agjendës së tij islamike. Ky do të ishte gabim. Kjo është ajo që Turqia po bën sot, duke u përpjekur të tregojë që e mbështetë Kosovën, por në të njëjtën kohë Erdogani dëshiron të marrë diçka nga Kosova. Këtu i këshillojë njerëzit që të jenë të kujdesshëm sesa mund t’i besohet Erdoganit.

Erdogan të lobojë te Rusia për njohjen e Kosovës

Radio Evropa e Lirë: A është kjo një çështje me prioritet për SHBA-në dhe në të vërtetë, a mund të punojë SHBA-ja me Turqinë në sigurimin e njohjeve për Kosovën?

Alon Ben-Meir: Nëse Recep Tayyip Erdogan do të dëshironte që më shumë shtete ta njohin Kosovën, ai do të duhej që të përdorte raportet e tij të tërthorta dhe të bisedonte me Rusinë sepse Rusia është kundër faktit që Serbia ta njohë Kosovën. Pra, ai do të mund të përdorte këtë anë të tij, si një mik i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që të kërkojë nga Serbia që ta njohë Kosovën. Ky do të duhej të ishte angazhimi i tij përpara se të mundohet që t’i bindë disa shtete që të njohin Kosovën. Këtu esenciale është njohja nga OKB-ja dhe njohja nga Serbia, dhe ky duhet të jetë fokusi. Çdo ndihmë që vjen nga kushdo është e mirëseardhur, edhe pse unë kam dyshime dhe jam dyshues sa i takon qëllimeve personale të Erdoganit dhe se çfarë në të vërtetë dëshiron të promovojë.

Radio Evropa e Lirë: Në të kaluarën kemi parë raporte të tensionuara në mes të SHBA-së dhe Turqisë, por kanë qenë lidhjet personale mes ish-presidentit Donald Trump dhe presidentit, Recep Tayyip Erdogan që kanë mbajtur larg tensionet. Tani me presidentin Biden në detyrë dhe problemet globale që kërkojnë zgjidhje më të shpejt, a mund të shihet iniciativa e presidentit turk si një përpjekje për t’u afruar me administratën Biden apo mund të qëndrojë diçka tjetër pas kësaj?

Alon Ben-Meir: Deri në një masë mund të themi se është kështu. Administrata Biden është shumë, shumë mbështetëse e Kosovës, e dimë këtë, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sikur Erdogan do të dëshironte të tregojë se edhe ai e mbështetë Kosovën dhe se në këtë apo në një mënyrë tjetër dëshiron të punojë së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden, nuk do të kishte gjë të keqe këtu. Por, ajo që dua të ju them është se Erdogani gjithmonë ka agjendat e tij politike dhe ai nuk bën asgjë që t’i ndihmojë Kosovës apo ndonjë shteti tjetër, përderisa kjo nuk i ndihmon vetes së tij apo Turqisë. Kështu që çdo qeveri e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme me Turqinë pasi atij (Erdoganit) nuk mund t’i besohet.

Radio Evropa e Lirë: Kosova prej vitesh po përballet me një fushatë të Serbisë që kërkon tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës. Në anën tjetër e dimë se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka krijuar raporte shumë të mira me Serbinë dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Mund të ketë tensionim raportesh?

Alon Ben-Meir: Nëse Erdogan dëshiron të ndihmojë Kosovën ai duhet të ndërmjetësojë, ai definitivisht është në një pozitë që të ndërmjetësojë sinqerisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse dëshiron, kuptohet. Por, ai dëshiron të përfitojë gjithmonë diçka. Unë nuk po them se ai mund të bindë Serbinë që të njohë Kosovën, por ai mund të luajë një rol mbështetës. Kjo do të duhej të ishte çështja në të cilën ai do të duhej të fokusohej në vend që të përpiqet që të takohet me presidentin Biden dhe që ta bëjë të duket si gjë e madhe fushatën për njohje të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Siç e dini, në shtator të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje në Uashington për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje po komentohet ndryshe në Kosovë e ndryshe në Serbi. Duket se asnjëra palë nuk dëshiron ta zbatojë. Çfarë duhet të ndodhë me zotimet që palët i kanë dhënë duke nënshkruar dokumentin në Shtëpinë e Bardhë?

Alon Ben-Meir: E gjithë ajo shfaqje që ish-presidenti, Donld Trump dëshironte ta kishte nuk ishte për Kosovën apo për Serbinë, ishte vetëm për vetveten e tij. Ai bëri atë vetëm se dëshironte të tregonte se është një lider dhe se mund të arrijë paqe në mes armiqsh dhe gjëra të tilla. Por, nëse e shihni me kujdes dokumentin e shihni se nuk ka asgjë të vlefshme.

Normalizimi “jo në llogari të pavarësisë së Kosovës”

Radio Evropa e Lirë: Serbia dhe Kosova vazhdojnë të mos pajtohen për një marrëveshje përfundimtare për paqe. Dialogu në Bruksel po vazhdon, por pa rezultat. A mendoni se është koha për të nënshkruar një marrëveshje përfundimtare?

Alon Ben-Meir: Nuk mund të them se do të ndodhë shumë shpejt, për një, dy apo tre vjet me shumë gjasë nuk do të ndodhë. Por, është më rëndësi që për të shtyrë përpara këtë proces të bëhet një lloj presioni mbi Serbinë. Për shembull komuniteti ndërkombëtar do të mund të punonte më shumë me Kosovën, më shumë sesa që janë duke punuar tani, që të ndihmojnë Kosovën që ta pastrojë shtëpinë e saj, që të ndihmojnë në zhvillim ekonomik, zhvillim institucional dhe zhvillim të demokracisë. Këtë do të duhej bërë në mënyrë që ta ofrojnë më shumë me kulturën dhe vlerat evropiane, në mënyrë që të jetë e gatshme për integrim në një pikë të caktuar.

“SHBA-ja do të emërojë një të dërguar për dialogun Kosovë-Serbi”

Kjo qasje e BE-së me Kosovën mund të vendosë presion indirekt mbi Serbinë dhe Serbia do të shohë se Kosova është duke u ofruar çdo ditë e më shumë me BE-në. BE-ja po ashtu nuk duhet të ndalet kurrë duke adresuar një pikë: çdo çështje është e rëndësishme në negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe është i mirëpritur çfarëdolloj normalizimi, por nuk mund të jetë në llogari të pavarësisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A besoni se presidenti amerikan, Joe Biden do të përfshihet më shumë në gjetjen e një kompromisi në mes të Kosovës dhe Serbisë, kur e dimë faktin se ai ka një raport pak më personal me shtetin e Kosovës?

Alon Ben-Meir: Sinqerisht më duhet të ju them se unë kam qenë i përfshirë në konfliktin izraelito-palestinez për tri dekada dhe tani njerëzit me pyesin se cila është perspektiva dhe unë them se duhet një proces i pajtimit.

Kjo i nevojitet Kosovës dhe Serbisë, proces pajtimi. Serbia duhet t’i pranojë para botës krimet që i ka kryer ndaj kosovarëve. Kjo është fundamentale. Nuk mund të ketë normalizim marrëdhëniesh kur ke këtë të kaluar historike e cila nuk është adresuar plotësisht. Mendoj se është shumë kritike për SHBA-në dhe BE-në që të vendosin këtë lloj presioni mbi Serbinë që të ballafaqohet me realitetin, të ballafaqohet me të kaluarën e saj. Kjo është tepër me rëndësi në procesin e pajtimit sepse ndryshe pavarësisht sesa ke shkëmbime tregtare e kulturore e të tjera, përderisa ajo tragjedi historike nuk është adresuar, do të ketë gjithmonë njerëz që do të rezistojnë normalizimin e plotë të raporteve në mes të të dyja vendeve.

Radio Evropa e Lirë: Kemi dëgjuar zëra këtu në Prishtinë që thonë se për të arritur një marrëveshje finale është i nevojshëm një i dërguar special i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi. A mendoni se kështu mund t’i jepet një shtytje dialogut?

Alon Ben-Meir: Mendoj se për aq gjatë se SHBA-ja është një fuqi dhe partner i rëndësishëm në hemisferën perëndimore, SHBA-ja, sidomos tani e përfaqësuar nga presidenti, Joe Biden që krahasuar me ish-presidentin, Donald Trump, çfarë mund të them?! Presidenti Biden është një njeri fisnik që mund dhe do të bëjë shumë gjëra të mira. Pra të kemi një përfaqësues të tij në këtë dialog, gjithmonë është një ndihmë. Është mirë të kemi një përfaqësues të tillë dhe me sa kam informacione, do të emërohet një i tillë.