Arrihet marrëveshja për qeverinë e Gjermanisë

dePartitë e koalicionit të ardhshëm qeveritar ranë dakord për të formuar qeverinë e re të Gjermanisë. Marrëveshjen e re ata e njoftuan të mërkurën pasdite.

Rreth dy muaj pas zgjedhjeve federale, SPD, të Gjelbrit dhe FDP prezantuan sot marrëveshjen e tyre të koalicionit për një qeveri të përbashkët. Deri tani, ata kishin heshtur për shumë detaje.

Kandidati i partisë socialdemokrate gjermane, Olaf Scholz tha se tre parti kishin arritur një marrëveshje për të formuar një qeveri të re të Gjermanisë. Kjo qeveri do t’i japë fund epokës së kancelares Angela Merkel.

Scholz, i cili do të zëvendësojë Merkelin, tha se qeveria e re nuk do të kërkojë “sa më pak të jetë e mundur”. Kjo qeveri nuk do të kërkojë “emëruesin më të vogël të përbashkët, por politikën e ndikimeve të mëdha”. Ai tha se pret që anëtarët e partive të japin mbështetje për marrëveshjen e koalicionit në 10 ditët e ardhshme.

Gjermania pioniere në mbrojtjen e klimës

SPD, të Gjelbrit dhe FDP paraqitën pikat e forta të marrëveshjes së tyre të koalicionit. Kandidati për kancelar i socialdemokratëve Scholz tha se aleanca trepalëshe dëshiron ta bëjë Gjermaninë pioniere në mbrojtjen e klimës. Sipas marrëveshjes së koalicionit, Gjermania synon marrë 80 për qind të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2030.

Fillimisht, Scholz mbajti një deklaratë për gjendjen e pandemisë së Coronas në Gjermani. Scholzi u shpreh në favor të një vaksinimi të detyrueshëm kundër koronas në disa institucione që strehojnë grupe me rrezik të lartë. “Vaksinimi është zgjidhja për të dalë nga kjo pandemi”, tha ai në Berlin. “Në institucionet ku ka veçanërisht grupe vulnerabël, duhet ta bëjmë të detyrueshëm vaksinimin”.

Qeveria e ardhshme, e cila do të drejtohet nga SPD, me partnerë Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë, do të formojnë një organ këshillues ekspertësh, i cili do të informojë çdo ditë administratën për pandeminë, u tha Scholz gazetarëve.

Punonjësit e shëndetësisë dhe personeli kujdestar do të marrë gjithashtu një ngritje të posaçme page. Për këtë partitë e koalicionit të ri kanë rezervuar një miliard euro. 

Politika e jashtme në marrëveshjen e koalicionit

Politika e jashtme në tërësi zuri pak vend në konferencën e shtypit.

Koalicioni i ri qeveritar do ta vendosë mbrojtjen e një “Evrope sovrane” në qendër të politikës së tij të jashtme, tha kancelari i ardhshëm Olaf Scholz.

“Evropa sovrane është çelësi dhe është një detyrë për politikën tonë të jashtme”, deklaroi socialdemokrati Olaf Scholz. Ai dëshiron “të bëjë të mundur këtë Evropë sovrane, ta nxisë dhe ta bëjë të përparojë”.

Në deklaratën qeveritare Olaf Scholz tha se politikën e jashtme Gjermania do ta zhvillojë në miqësi me Francën dhe në partneritet me SHBA.

Zgjerimin e BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor e mbështesin edhe partitë e koalicionit. Veçanërisht Të Gjelbrit dhe socialdemokratët e patën këtë edhe pjesë të programit të tyre elektoral.

Pyetjes së DW, pse politika e jashtme është pas faqes 100 në marrëveshje, Scholz-i tha se është i ndërgjegjshëm për vendin e Gjermanisë në politikën botërore. Ai tha se Gjermania nuk do të jetë në pozicionin e atyre që vetëm japin komente.

Veçanërisht bashkëpunimit me SHBA i kushtojmë rëndësi të madhe, në botën që është bërë multipolare tha kancelari i ardhshëm i Gjermanisë.

Bisedime me pak informacione publike

Partitë respektuan afatin që kishin shpallur, përkatësisht formimin e koalicionit të parë federal me ngjyrat e semaforit deri në Krishtlindje. Qëllimi i përbashkët është zgjedhja e Ministrit aktual të Financave Olaf Scholz (SPD) si Kancelar Federal.

Negociatat e koalicionit filluan më 21 tetor. Ato u zhvilluan rreth një tryeze kryesore të rrumbullakët të përbërë nga shtatë përfaqësues të nivelit të lartë nga secila parti dhe 22 grupe pune. Në këtë të fundit, ekspertë partiakë negociuan detajet e marrëveshjes së koalicionit.

Kandidati për kancelar i SPD, Olaf Scholz, vlerësoi atmosferën e negociatave.

Por të Gjelbërit, në veçanti, kanë shprehur ditët e fundit kritika. “Ndonjëherë ishim vërtet të ngopur, sepse patëm ndjesinë se vetëm të Gjelbrit ishin përgjegjës për mbrojtjen e klimës”, u shpreh para disa ditësh Annalena Baerbock, bashkëkryetare e të Gjelbërve.

Neutraliteti klimatik duhet të jetë udhërrëfyesi për çdo fushë politike – jo vetëm për një ministri mjedisi, por edhe për bujqësinë, transportin dhe mbi të gjitha për ekonominë dhe industrinë, u shpreh Baerbock-u.

Scholz nuk e sheh koalicionin si një aleancë të thjeshtë për një periudhë zgjedhore, njësoj si kreu i FDP-së, Christian Lindner. Po të shikoni platformat zgjedhore si një pikënisje, koalicioni tripartiak padyshim filloi si një aleancë për një synim të caktuar, por mund të rezultojë më shumë në të ardhmen, është shprehur Lindneri. “Një koalicion duhet të fillojë punën me synimin për t’u rizgjedhur së bashku”.

dw

Vazhdon hetimi për shkaqet e aksidentit në Sofje

BesatransMaqedonia e Veriut është në ditën e dytë të zisë pas tragjedisë së një dite më parë, kur humbën jetën 46 udhëtarë në një aksident komunikacioni.

Në mesin e 46 viktimave ishin edhe 12 fëmijë të moshës nën 18 vjeçare. Të vdekurit nga tragjedia e 23 nëntorit kryesisht janë nga komuna të qytetit të Shkupit

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka vizituar të mbijetuarit në spitalin e Sofjes.

“Është koha që tani të përqendrohemi te të lënduarit, te identifikimi viktimave dhe në realizimin e hetimit. Sapo të përfundojë hetimi, do të ketë kohë për të gjitha çështjet”, ka deklaruar Osmani.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe  ka zhvilluar një bisedë telefonike me drejtorin e spitalit Pirgov në Sofje, Ivan Poromanski. Në këtë spital po kurohen shtatë pacientë që i kanë mbijetuar aksidentit të tmerrshëm që ndodhi në autostradën “Struma” në Bullgari.

“Të gjithë pacientët janë në gjendje të qëndrueshme dhe nën mbikqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po u jepet mbështetje psikologjike. Dy paciente iu nënshtruan operacionit. Të shtatë pacientët do të qëndrojnë në spital deri të premten, ditë pas së cilës do të bëhet plani për transportin e tyre për në Shkup”, ka deklaruar ministri Filipçe.

Vazhdon hetimi për shkaqet e aksidentit

Autobusi i “Besa Trans” në të cilin e humbën jetën të martën 46 persona në autostradë në Bullgari, nuk ka qenë i lajmëruar tek institucionet kompetente në shtet. Të dhënat e deritanishme thonë se autobusi i djegur nuk ka qenë i paraqitur nga pronari dhe nuk figuron në sistemin e Ministrisë. Pronari i agjencisë nuk ka nxjerrë patentë për atë makinë, ndërsa autobusi nuk është në bazën e të dhënave të ministrisë. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoja Boçvarski ka theksuar se kompania “Besa Trans”, së cilës iu dogj autobusi në Bullgari, kishte licencë të vlefshme për transport ndërkombëtar të udhëtarëve, por megjithatë është konstatuar një lëshim. Konkretisht është konstatuar se kompania kishte të regjistruar katër automjete që kishin leje transporti, por autobusi që shkaktoi aksidentin dhe ku humbën jetën 46 qytetarë nuk ndodhej në bazën e ministrisë.

“Pas kontrolleve në polici kemi konstatuar se autobusi i djegur nuk është raportuar dhe nuk gjendet në bazën elektronike të të dhënave të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, pra transporti është kryer pa çertifikatë-leje për atë mjet. Sipas ligjit, kanë pasur për detyrë që në afat prej 15 ditësh ta informojnë ministrinë, gjegjësisht ta raportojnë apo ta çregjistrojnë automjetin për atë periudhë kohore”, ka thënë Boçvarski.

Dy pista të dyshimit për fatkeqësinë

Nga Prokuroria publike e Maqedonisë thonë se po shqyrtohen dy versione si shkaktarë të tragjedisë së ndodhur në autostradën e Strumës- mosfunksionim teknik i autobusit apo një gabim i shoferit. Gjithnjë e më shumë po dyshohet se në autobusin e “Besa Transit” ka mundësi të jetë transportuar lëndë djegëse, nga e cila ka rënë zjarri në pjesën e përparme të automjetit.

Hetimi duhet të përcaktojë nëse shpërthimi është shkaktuar nga nafta që ishte vendosur para autobusit, apo nga materiale të tjera të ndezshme, por të gjitha këto pretendime duhet të përcaktohen nga autoritetet hetimore. Hetuesit bullgarë duhet të përcaktojnë fillimisht pse shoferi humbi kontrollin dhe doli nga rruga dhe më pas si ndodhi shpërthimi në pjesën e përparme të autobusit. Hetimi do të zgjasë gjashtë muaj, njoftuan ekspertët bullgarë.

“Dua të siguroj kolegët e mi nga Maqedonia e Veriut se Prokuroria Publike e Bullgarisë do të bëjë çdo përpjekje për të kryer hetim të shpejtë, objektiv dhe efektiv për të përcaktuar arsyet e këtij incidenti të rëndë”, ka deklaruar Sijka Mileva nga Prokuroria publike e Bullgarisë.

Kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Ljubomir Joveski, i cili poashtu po qëndron në Sofje ka thënë se do të bashkëpunojnë ngushtë me kolegët bullgarë për ndriçimin e rastit duke theksuar se nuk do të ketë hetim paralel në Maqedoninë e Veriut.

dw

Vuçiq: Kërkesa e Serbisë, të shpeshtohen takimet me Kosovën

vucicKërkesa zyrtare e Serbisë për Bashkimin Evropian është që të ketë sa më shumë takime në kuadër të dialogut me Kosovën, tha më 24 nëntor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë një konference për media, Vuçiq tha se këtë kërkesë e ka bërë edhe gjatë një takimi që zhvilloi më 23 nëntor në Beograd me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Serbia kërkon dhe dëshiron negociata me Prishtinën në çdo nivel, sa më parë, sa më shumë e sa më shpesh. Mendoj që është me rëndësi të flasim për secilën temë, për Asociacion e rrymën, por edhe të tentojmë të bëjmë çfarëdo, qoftë besim minimal mes nesh të mos vijmë në situata në të cilat ndodheshim para një muaji”, tha Vuçiq.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me temat që ka diskutuar me Lajçakun, Vuçiq tha se ka shumë çështje për të cilat bisedojnë me zyrtarët e BE-së, por tha se Serbia insiston në takime më të shpeshta me palën kosovare.

“Kishim biseda korrekte dhe ne jemi duke kërkuar negociata, jo që jam i fascinuar me Kurtin, por thjesht duhet të ketë rezultatet mes nesh, andaj është më mirë të negociojmë. Detaje të bisedës me Lajçakun nuk dua të shpalosi tani. Janë shumë çështje për të cilat flasim, që nga personat e zhdukur deri tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Përveç Vuçiqit, Lajçak është takuar më 22 tetor në Vjenë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin tha se diskutoi për progresin në dialog.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 16 nëntor, kryeministri Kurti ka thënë se për të zhvilluar takim me presidentin Vuçiq duhet të dihen elementet e takimit dhe që ai të jetë parimor.

Takimi i fundit – në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja – ndërmjet presidentit serb, Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka ndodhur në muajin korrik.

Presidenti i Serbisë po ashtu komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Kurti lidhur me bashkimin me Shqipërinë. Vuçiq tha se për të është e papranueshme që askush nuk ka reaguar ndaj deklaratave të tilla dhe paralajmëroi se do t’u dërgojë liderëve botërorë për të kërkuar sqarime për këtë.

“Do të kërkoj përgjigje se si është e mundur që Albin Kurti, kryeministër i institucioneve të përkohshme, shumë qartë para disa ditësh foli për bashkim me Shqipërinë dhe askush nuk reagoi”, tha Vuçiq.

Kurti, gjatë një interviste për “Monocle”, ka deklaruar se nëse në të ardhmen do të organizohej një referendum paqësor dhe demokratik, ai do të votonte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Gjatë kësaj konference, Vuçiq po ashtu njoftoi se më 24 nëntor do të niset drejt Soçit të Rusisë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, prej të cilit, siç tha Vuçiq, do të kërkojë mendimin se si të pozicionet Serbia në botë.

“Nesër do të kem takim me presidentin rus, Vladimir Putin e ky është takimi ynë i 19-të. Ky është takim i rëndësishëm për Serbinë dhe do të flasim për shumë çështje të rëndësishme, por dua të dëgjoj nga ai se si e sheh situatën në Evropë e Azi, e ne si shtet i vogël të gjejmë pozitën më të mirë për ne në këtë botë turbulente”, tha ai.

Rusia është partnerja e katërt tregtare e Serbisë.

rel

Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria në zi kombëtare

fatkeqesia BullgariMaqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria kanë nisur të mërkurën në zi kombëtare, pas aksidentit me autobus, që ka lënë të vdekur 46 persona jashtë Sofjes.

Në mesin e viktimave ka pasur edhe fëmijë.

Qeveria e Kosovës, ashtu sikurse ajo e Bullgarisë, e kanë shpallur 24 nëntorin ditë zie kombëtare.

Maqedonia e Veriut, ndërkaq, ka shpallur tri ditë zie.

Flamujt do të ulen në gjysmë-shtizë dhe do të anulohen të gjitha organizimet publike.

Shumica e viktimave të aksidentit kanë qenë shtetas të Maqedonisë së Veriut me etni shqiptare.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, i cili ka udhëtuar në Bullgari menjëherë pas lajmit për aksident, ka thënë se të dyja shtetet janë duke bashkëpunuar për të gjetur shkakun e aksidentit dhe për të identifikuar viktimat.

Shtatë persona të mbijetuar janë në spital të Sofjes, duke u trajtuar për djegie.

Ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë se gjendja shëndetësore e të lënduarve është stabile.

“Dy të lënduar u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike, në këmbë dhe pjesë tjera të trupit, por edhe ata janë në gjendje të qëndrueshme”, ka deklaruar Filipçe.

Ende nuk dihet cili është shkaku i përplasjes së autobusit, i cili ka marrë flakë.

Mediat bullgare, kanë bërë të ditur se hetimet për aksidentin mund të zgjasin deri më gjashtë muaj.

Autobusi i aksidentuar, bashkë me tre autobusë tjerë kanë qenë duke udhëtuar nga Stambolli në Maqedoni të Veriut.

Vasko Pirgov, ekspert bullgar i motorëve, i cili është raportuar se ka qenë ndër të parët që ka shkuar në vendin e aksidentit, ka thënë se zjarri është përhapur në pjesën e përparme të autobusit ku edhe besohet të jenë mbajtur rezerva me karburante që mund të kenë nxitur zjarrin.

“Gjëja e parë që më ra në sy ishte se shoferi nuk frenoi. Nuk ka shanse ta ketë zënë gjumi, dhe për shkak se autobusi është i ri, ndonjë mosfunksionimi të mundshëm teknik i lë hapësirë vetëm 10 për qind. Mund të kenë dështuar frenat, por sinqerisht nuk besoj. Autobusi ka goditur me gomën e përparme djathtas në parmakët e autostradës dhe më pas ka shpërthyer zjarri. Në pjesën e gomës rezervë ka pasur tuba karburante. Në rrugë, ku ka ndodhur aksidenti, kam vërejtur rrjedhje të karburantit”, ka thënë Pirgov për nova.bg.

Në hetime janë përfshirë edhe autoritetet maqedonase, si nga prokuroria, Instituti i Mjekësisë Ligjore si dhe ekspertë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Maqedonisë së Veriut, Blagoj Boçvarski, ka deklaruar të martën në mbrëmje se autobusi nuk ka figuruar në sistemin e Ministrisë së Transportit dhe nuk ka pasur licencë për transport ndërkombëtar.

Sipas tij, institucionet kanë nisur procedurën për heqjen e licencës së kompanisë “Besa Trans” për transport me autobus.

Bullgaria, vend anëtar i BE-së me 6.9 milionë banorë, është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse në vjetët e fundit.

Ndër të fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.

Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë.

Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore më 2019 dhe 463 vitin e kaluar, në shtetin me 6.9 milionë banorë.

rel

Lufta kundër krimit, Kim: Ky është vetëm fillimi! Shqipëria pikë kyçe për trafikimin e qenieve njerëzore dhe drogës

kimAmbasadorja e SHBA në vend, Yuri Kim e pranishme në takimin konsultativ të Ministrit të Brendshëm me donatorët tha se Shqipëria duhet të çrrënjosë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Kim ka paralajmëruar se largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe pastrimi i politikës nga elementët e korruptuar është vetëm fillimi, ndërsa shtoi se e vetmja mënyrë për të luftuar krimin e organizuar është që të kemi institucione të pavarura që mbështesin zbatimin e ligjit.

Ambasadorja tha më tej se do bëhen investime në siguri dhe në pikat kufitare pasi trafikimi i qenieve njerëzore dhe drogës është një problematike shumë e madhe në vend.

Njerëzit dekurajohen kur shohin dhunë dhe krim sepse ata investojnë paratë në Shqipëri. Kur njerëzit e ndershëm shohin politikanë të korruptuar ata humbasin besimin në sistem. Atyre duhet t’u garantohet se do të kenë çdo shans përballë njerëzve të tillë. E vetmja mënyrë për të luftuar krimin e organizuar është të kemi institucione të pavarura që mbështesin zbatimin e ligjit. Shqipëria ka arritur suksese të vërteta në vitin 2021 që nga largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, arrestimi i politikanëve. Ky është vetëm fillimi. Ne po shohim një epokë të re. Ekziston ndjesia se pandëshkueshmëria po merr fund. Shqipëria është një rrugë kyçe për trafikimin e qenieve njerëzore për në Europën Perëndimore dhe jo vetëm, kontrabandohen sasi të mëdha heroine në rajon, ku korruptohen agjentë kufitare. Po ashtu është rritur numri i emigrantëve të paligjshëm. Korrupsioni luan një rol në gjithë këtë. Krimi po lidhet shpesh me gjykatës e police. Grupe e krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë paratë. Ajo për të cilën jemi për të folur këtu sot është se si ministria e Brendshme mund ta bëjë Shqipërinë një vend më të mirë për të gjithë. Duhet të rritet transparenca dhe llogaridhënia. Krijimi i një organi të duhur mbikëqyrës policor, sekuestrimi i pasurive të kriminelëve, investime në kufi dhe siguri. Ne kemi qenë vetë teksa instaluam më shumë pajisje në kufirin me Greqinë për të mbushur pikërisht këto boshllëqe. Le të punojmë së bashku për të rritur besimin, duke forcuar bashkëpunimin tonë si donatorë”, u shpreh Kim.

tch

SHBA vendosin sanksione të tjera kundër Nord Stream 2

nordstream 2SHBA vazhdon të jetë kundër Nord Stream. Gazsjellësi i kontestueshëm pritet të sjellë gaz rus në Gjermani. Kërcënimet për vendosje sanksionesh, nuk do të thonë patjetër se projekti mund të dështojë.

SHBA kanë vendosur sanksione të tjera kundër gazsjellësit të kontestueshëm, Nord Stream 2. Ministria e Jashtme amerikane në Uashington, bëri të ditur se sanksionet kanë të bëjnë me ndërmarrjen Transadria dhe anijen e saj “Merlin”. Sanksionet e vendosura deri tani përfshijnë tetë persona ose objekte si dhe 17 anije.

Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken theksoi se, qeveria amerikane vazhdon të jetë kundër projektit të gazsjellësit.

Megjithatë SHBA është duke punuar me Gjermaninë dhe aleatët e tjerë për të ulur rreziqet që projekti shkakton për Ukrainën dhe vendet e tjera, shtoi ministri Blinken. Sidoqoftë, qeveria amerikane heq dorë nga vendosje dënimesh të ashpra, që do ta çonin projektin drejt dështimit. Sanksionet e reja nuk kanë faktikisht ndonjë ndikim të madh mbi projektin. 

Pikat më të rëndësishme në kontradiktat midis Uashingtonit dhe Berlinit

SHBA kanë vendosur në të kaluarën disa sanksione kundër firmave, anijeve dhe personave të veçantë që marrin pjesë në Nord Stream 2. Sanksionet që vendosen tani kanë të bëjnë me një raport të ri që Ministria e Jashtme e SHBA-së, i dërgoi Kongresit amerikan lidhur me gazsjellësin.

Gjatë periudhës së pararendësit të Joe Bidenit, Donald Trumpit, Nord Stream 2 ka qenë një nga pikat më të rëndësishme të kontradiktave midis Uashingtonit dhe Berlinit. Qeveria e Trumpit vendosi në fund të vitit 2019 sanksione, që çuan në ndërprerjen e punimeve të gasjellësit. Aktualisht, Bideni po ashtu si Trump është i mendimit se nëpërmjet gasjellësit Gjermania dhe Europa bien në varësi të madhe ndaj Rusisë për furnizimin me energji. Korrikun e kaluar, SHBA e drejtuar nga Bideni arriti një marrëveshje me Gjermaninë për projektin. 

Ndërtimet kanë marrë fund, vënia në punë ende e pamundur

Të dy vendet publikuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën u shpreh përkrahje ndaj Ukraninës. Qeveria amerikane pranoi se nuk do të vazhdojë të pengojë gazsjellësin dhe hoqi dorë nga vendosja e sanksioneve të mëdha, si për shembull kundër ndërmarrjes që do të verë në punë gazsjellësin, e cila është regjistruar në Zvicër. Ajo është ndërmarrje satelite e koncernit rus të gazit, Gazprom.

Punimet për ndërtimin e Nord Stream 2 kanë përfunduar në muajin shtator. Ato patën filluar në maj 2018. Me anë të gazsjellësit 1200 kilometra të gjatë, i cili përbëhet tani nga dy tubacione, Gjermania pritet të marrë nga Rusia më shumë gaz se deri tani. Por, është ende e paqartë se kur do të rrjedhë vërtet gaz nëpër tubacione. Javën e kaluar Agjencia Federale e rrjetit, kërkoi paraprakisht një proces certifikimi të domosdoshëm për arsye formale.

fab/AR (dpa,afp,rtr)

Bullgari: Fitore e një kryetari ambivalent shteti

radevPresidenti i Bullgarisë, Rumen Radev u rizgjodh në post. Ai thotë se lufton për shtetin e së drejtës dhe kundër korrupsionit. Se për çfarë angazhohet ai në të vërtetë, mbetet e paqartë.

Bullgaria ka përjetuar shumë supriza politike muajt e fundit – disa herë zgjedhje parlamentare, ngritje të shpejta të partive të reja, refuzime të votuesve për të krijuar një qeveri. Por më spektakolarja ka qenë: Në zgjedhjet e balotazhit, ditën e dielë, (21.11.2021) u rizgjodh me shumicë të dukshme në postin e presidentit, mbajtësi i deritanishëm i postit, Rumen Radev – pikërisht siç kishin treguar sondazhet. 58 vjeçari aviator luftarak dhe ish-komandant i forcave të armatosura ajrore të Bullgarisë, Radev, morri 67 përqind të votave. Sfiduesi i tij, profesori konservator i universitetit, Anastas Gerdshikov, morri vetëm 32 përqind.

Në Bullgari morri kështu fund një maratonë historike votimesh: bullgarëve u është dashur të votojnë këtë vit tri herë për një parlament të ri – për herë të parë në zgjedhjet e rregullta në muajin prill, si dhe dy herë të tjera më vonë meqënëse ishte i pamundur krijimi i qeverisë. Paralelisht me zgjedhjet parlamentare më 14 nëntor, u zhvillua edhe raundi i parë i zgjedhjeve të rregullta presidenciale. Por Radev nuk arriti të merrte shumicën absolute.

Pasi fitoi në raundin e dytë, Radev deklaroi, se me zgjedhjen e tij i morri fund epoka e deritanishme politike me aferat e panumërta të shfrytëzimit të pushtetit dhe korrupsionit dhe bëri të ditur se ky është një fillim i ri për bullgarët: Qytetarët votuan për „ndryshimin, për t’u shkëputur nga korrupsioni, me plaçkitjet dhe mungesën e ligjit, për dëbimin e mafies nga pushteti,” tha kryetari i ri dhe i vjetër i shtetit. „Bullgaria është duke dalë nga qorrsokaku,” tha Radev.

Moment kthese për Bullgarinë

Megjithëse posti i presidentit të shtetit në Bullgari është më shumë post përfaqësimi dhe është i lidhur me pak pushtet ekzekutiv, rizgjedhja e Radevit përbën vërtet moment kthese. Kryetari i shtetit u përkrah gjatë fushatës elektorale nga ato parti të reformuara, të cilat morrën shumicën në zgjedhjet parlamentare të 14 nëntorit, mes të cilave edhe fituesja e zgjedhjeve, një parti e krijuar verën e fundit, e quajtur „Ne vazhdojmë me ndryshimet”, (PP). Këto parti duan tani të krijojnë një koalicion, që kërkon të vazhdojë reformat radikale të drejtësisë dhe antikorrupsionit. Radevi ka pohuar mbështetjen e tij.

Kështu merr fund edhe një luftë njëvjeçare idis presidentit dhe ish-kryeministrit. Radevi ka qenë kundërshtar i fortë i kryeministrit të larguar nga posti në muajin prill, Bojko Borisov dhe partisë së tij, GERB (Qytetarët për zhvillimin europian të Bullgarisë). Kjo parti dikur konservatore, e shfaqur si parti proeuropiane shihet nga shumë bullgarë si simbol i korrupsionit dhe shpërdorimit të pushtetit. “Zgjedhëset dhe zgjedhësit dërguan gjatë zgjedhjeve parlamentare të njëjtin mesazh si gjatë të gjitha zgjedhjeve të mëparshme të këtij viti,” thotë për Deutsche Wellen politologu Daniel Smilov, nga Qendra për studimet liberale (CLS), në Sofje. “Shumica e hedh poshtë modelin e deritanishëm të qeverisjes nga Borisovi dhe kërkon diçka të re.”

Relativizimi i së kaluarës totalitare 

Megjithatë nuk dihet nëse Radevi mund të përfaqësojë dëshirën për një ndryshim të pakufizuar. Ish-piloti ushtarak, ka qenë dikur anëtar i Partisë Komuniste Bullgare (BKP) – njësoj si ish-kryeministri Borisov – dhe e ka relativizuar herë pas here të kaluarën e rëndë totalitare të Bullgarisë. Ai e filloi karrierën politike në vitin 2016, me përkrahjen e socialistëve (BSP), partisë që pasoi atë komuniste, parti e cila ka rënë në sy prej kohësh për nacionalizmin, homofobinë dhe simpatinë ndaj Putinit.

Kur u zgjodh për herë të parë si kryetar shteti në nëntor 2016, qëndrimi opozitar i Radevit ndaj regjimit të Borisovit kishte kohë që kishte lënë shijen e politikës partiake. Kjo ndryshoi vitin e kaluar: Në korrik 2020 hetuesit kontrolluan selinë e tij zyrtare. Aksioni i motivuar politikisht u bë me urdhërin e Prokurorit të Përgjithshëm Ivan Geshev, një person i kontestushëm, emërimin e të cilit Radevi ishte munduar më kot një vit më parë ta pengonte dhe t‘ i bllokonte herë pas here hetimet për korrupsion.

“Ka bërë zhvillim personal”

Kontrolli i selisë së Radevit u bë një një kohë kur dhjetra mijëra bullgarë protestonin rrugëve të Bullgarisë kundër regjimit të Borisovit dhe kur ishte krijuar një lëvizje masive që kërkonte reforma. Pas kontrollit të presidencës, Radev u pozicionua si zë i fortë i protestës. Politologu Smilov mendon se kjo nuk ishte kalkuluar më parë. “Unë mendoj se në atë kohë ai pati një zhvillim personal,” thotë Smilov për Deutsche Wellen. “Që nga ajo kohë ai shfaqet në mënyrë të besueshme si luftëtar i korrupsionit, dhe unë mendoj se e ka seriozisht.”

Studiuesja e shkencave politike, Vesela Tcherneva nga zyra në Sofje e Këshillit të Europës për marrëdhëniet me jashtë (ECFR) thotë për DW, se Radev duhet të tregojë tani sa i besueshëm është. “Ai mund ta bëjë këtë duke përkrahur ligjet reformuese të një koalicioni të ri, sidomos duke mbështetur koalicionin e ri reformues, me gjeste simbolike.”

Qëndrim i çuditshëm ndaj Rusisë

Pika më e diskutueshme gjatë mbajtjes së postit të presidentit, është për Radevin qëndrimi ndaj Rusisë. Në fillim të ushtrimit të detyrës ai shihej si prorus, sidomos jashtë vendit. Megjithëse perceptimi i tij në atë kohë nuk ishte shumë i qartë, ai provokonte herë pas here me konflikte me deklaratat dykuptimshme ndaj Rusisë. Shumë herë ai pati kërkuar dhënien fund të sanksioneve kundër Rusisë. Javën e kaluar gjatë një dueli televiziv me rivalin

Anastas Gerdshikov, ai tha se „me Rusinë duhen mbajtur marrëdhënie pragmatike”.

Pastaj formuloi në një fjali me pasoja të mëdha: „Krimi këto kohë është rus, çfarë të jetë tjetër.” Ai shkaktoi trazira të mëdha jo vetëm në politikën e brendshme, por shkaktoi edhe një krizë diplomatike me Ukrainën.

Politologia Tcherneva mendon se gjatë diskutimeve Radevi padashje është ngatërruar me tema delikate. Pavarësisht nga kjo, ai ndjek një ide të përhapur në Bullgari për politikën e jashtme, „që thotë se duke qenë vend i vogël duhet ruajtur ekuilibri ndaj aktorëve të mëdhenj të gjeopolitikës.” Gjatë viteve të para të mbajtjes së postit të presidentit, Radev ka pasur „vlerësime pjesërisht të gabuara”, lidhur me pamjen që duhet të kishte ky ekuilibër.

“Por më vonë ai tregoi se nuk është prorus, por mbështet linjën properëndimore të Bullgarisë në marrëdhëniet e saj transatlantike.”

Së shpejti vetëm violina e dytë?

Në deklaratat proruse të Radevit, Daniel Smilov sheh arsye që kanë të bëjnë me taktikat zgjedhore, sepse shumë bullgarë kanë simpati për Rusinë, gjë që nuk duhet ngatërruar me aprovimin për Putinin. “Sidoqoftë ekziston një paqartësi në qëndrimin e Radevit ndaj Rusisë, dhe kjo është pjesa më e diskutueshme e presidencës së tij.”

Me pikëpyetje mbetet edhe roli që do të luajë Radevi në politikën e brendshme pas rizgjedhjes. Në krizën që po vazhdon prej muajsh me vakum pushteti, ai është i vetmi aktor politik me ndikim të madh në Bullgari, gjë që nuk e ka me Kushtetutë. E paqartë është nëse ai do tërhiqet nga pozicioni i presidentit të fortë dhe shumë aktiv në politikë.

Politologia Vessela Tcherneva thotë se vazhdon të mbetet një çështje e hapur nëse Radevi do ta instrumentalizojë mbështetjen e madhe politike përtej socialistëve, edhe nga pikëpamja e politikës partiake. Kolegu i saj Daniel Smilov mendon se Radevi duhet të mbledhë bishtin. “Unë nuk mendoj se udhëheqësit e partive politike do heqin dorë nga projekti i tyre.

Radevi duhet të pajtohet me faktin që së shpejti, do të jetë violina e dytë në orkestrën e pushtetit në Bullgari.”

dw

Rënie rekord e vlerës së lirës turke kundrejt dollarit dhe euros

lira turkeLira turke ka rënë sërish kundrejt dollarit amerikan dhe euros. Analistët konsiderojnë si shkak përqindjen e ulët të interesit dhe politikat monetare që ndjek presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Lira turke ka rënë në një nivel rekord duke arritur ditën e martë 12,25 kundrejt dollarit amerikan dhe 14,03 kundrejt euros.

Lira turke është monedha që ka pasur aktivitetet më të dobta sivjet në tregun e monedhave. Ajo ka humbur 40 përqind të vlerës këtë vit, përfshirë humbjen 17 për qind me fillimin e kësaj jave.

Pjesa më e madhe analistëve mendojnë se kjo ka të bëjë me devalvimin e papërgjegjshëm monetar dhe përqindjet e ulta të interesit, politika që mbështeten nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili ka ushtruar presion politik ndaj Bankës Qendrore të vendit.

Qytetarët e thjeshtë janë duke vuajtur nga rritja e shpejtë e inflacionit, e cila shkakton pasiguri në shoqëri. Inflacioni është rritur më 2021 me 20 përqind në Turqi dhe zhvleftësimi i monedhës ka gëlltitur rrogat dhe kursimet e njerëzve.

Erdogani mbron uljet e mëdha të përqindjes së interesit dhe premton të fitojë “luftën ekonomike për pavarësi” megjithëse gjithnjë e më shumë ekonomistë konservatorë nuk e pranojnë qasjen e tij.

Ish- zëvendësdrejtori i Bankës Qendrore, Semih Tumen i shkarkuar muajin e kaluar nga Erdogani, shkruajti në twitter: “Ky eksperiment jorracional, që nuk ka asnjë shans të fitojë, duhet abandonuar menjëherë dhe ne duhet të kthehemi tek politikat cilësore që mbrojnë vlerën e lirës turke dhe sjellin prosperitet për njerëzit në Turqi.”

Ndërkohë që lira është duke rënë, indeksi kryesor i bursës turke u rrit me 1,5 përqind, me gjasë sepse investitorët ndërkombëtarë janë përpjekur të përfitojnë nga kursi i mirë i këmbimit me monedhat e zhvleftësuara.

dw

Pandemia: Në Gjermani hyn në fuqi ligji i ri i mbrojtjes nga infektimet

maskaNë autobus dhe tren vetëm me teste negative, çertifikatë shërimi ose vaksinimi. Por a mjafton ky ligj për të thyer valën e katërt të infektimit?

Këtë të mërkurë, në Gjermani, hyn në fuqi ligji i mbrojtjes nga infektimet, i cili u miratua javën e kaluar nga parlamenti gjerman (Bundestag) dhe nga Këshilli Federal (Bundesrat).

Ai parashikon mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura. Vizitorët dhe bashkëpunëtorët në azilet e të moshuarve dhe të personave me aftësi të kufizuar ose në spitale duhet të paraqesin çdo ditë nga një test negativ. Kjo vlen edhe për të vaksinuarit.

Në të gjithë Gjermaninë që sot e tutje mund të udhëtohet me mjete të transportit publik vetëm me test negativ, çertifikatë vaksinimi ose çertifikatë shërimi. Kjo vlen edhe për vendin e punës. Kontrollet do të shpeshtohen dhe shkeljet do të ndëshkohen më me konsekuencë.

Ligji parashikon gjithashtu masa të veçanta për ato lande, ku shkalla e hospitalizimeve është mbi tre, pra, 3 në100.000 dërgohen në spital pas një infektimi me Covid.

Në varësi nga zhvillimi i pandemisë në secilin land, këto masa parashikojnë për shembull, ndalimin e hyrjes në restorant, në ambjente të kohës së lirë, si palestra, stadiume, bare e koncerte për personat e pavaksinuar.

Masa të tilla ndërkohë kanë filluar të merren në shumë lande të Gjermanisë, sidomos në Bavari, Berlin, Baden Württenberg, Saksoni etj, ku incidencat sa vijnë e shtohen.

Situata sa vjen e keqësohet 

Shifrat e infektimeve me Covid në Gjermani vazhdojnë të rriten. Instituti Robert Koch (RKI) raporton 66 884 teste pozitive brenda 24 orëve të fundit. Janë 14 058 raste më shumë se të mërkurën e kaluar, kur u raportuan 52 826 infektime të reja. Incidenca shtatë-ditore u rrit sërish në një nivel rekord prej 404.5 nga 399.8 një ditë më parë. Ky është numri i të infektuarve me koronavirus në 100 000 banorë gjatë shtatë ditëve të fundit.

Pas Saksonisë dhe Bavarisë, shtetet federale Baden-Württemberg dhe Saksonia e Ulët kanë ashpërsuar masat për aktivitetet sportive për shkak të situatës së rënduar. Qeveria e landit në Stuttgart lëshoi një rregullore të re për koronën, e cila hyn në fuqi nga kjo e mërkurë dhe parashikon që stadiumet dhe ambjentet sportive, mund të përdoren vetëm me 50 për qind të kapaciteteve. Kufiri i sipërm është 25,000 spektatorë.

Lockdown i pashmangshëm?

Për Helge Leonhardt, presidenti i klubit Erzgebirge Aue (Liga e Dytë), kjo nuk mjafton: “Ne kemi nevojë për një lockdown të futbollit deri në fund të dhjetorit. Katër javët e ardhshme janë jashtëzakonisht të vështira”, tha ai në një intervistë për media.

Edhe politikanë dhe ekspertë të tjerë thonë se masat aktuale nuk mjaftojnë për të thyer këtë valë të katërt. Ministri Federal i Shëndetësisë Jens Spahn është shprehur në një intervistë për Rheinische Post se “në këtë gjendje nuk duhet përjashtuar asgjë, sado e hidhur qoftë.” Spahn do të dëshironte që të veprohet një orë e më parë: “Ne shohim se gjendja në Saksoni, Bavari, Baden-Württemberg dhe Thüringen është shumë serioze”, tha ministri në detyrë.

Kandidati për kryetar të CDU-së, Friedrich Merz, ka sugjeruar një lockdown për të pavaksinuarit. “Kush nuk është vaksinuar apo shëruar mund të shkojë vetëm në farmaci, supermarket dhe te mjeku”, tha Merz për rrjetin e korresondentëve të Berlinit, Redaktionsnetwerk Deutschland, RND.

Merz madje thotë se edhe në punë duhet të lejohen vetëm te vaksinuar ose të shëruar. “Të mos ketë më asnjë të pavaksinuar në zyrë, asnjë deputet të pavaksinuar në Bundestag, asnjë student të pavaksinuar në leksion dhe asnjë futbollist të pavaksinuar në fushë.”

Kritika ndaj  shpalljes së mbylljes së gjendjes epidemike

Një element kundërthënës i ligjit të miratuar javën e kaluar është se ai e shpall gjendjen epidemike si të përfunduar. Ligji u miratua javën e kaluar me votat e shumicës së re parlamentare,  socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët, të cilët së shpejti pritet të krijojnë qeverinë e re.

Ligji nuk e pengon marrjen e masave të rrepta për ndalimin e pandemisë, por shpallja gjendjes së pandemisë si të përfunduar, ishte një sinjal në momentin e papërshtatshëm, mendojnë shumë kritikë. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe shumë kolegë të saj nga partitë e Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial, e kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre për këtë fakt. Merkel tha javën e kaluar në një konferencë shtypi, se “konstatimi i gjendjes epidemike si të përfunduar ishte i një hap psikologjikisht i gabuar”. Landi i Bavarisë, i  udhëhequr nga kristiansociali Markus Söder, mori vendim dje që ta zgjasë gjendjen epidemike, ndryshe nga ç’parashikon ligji federal.

dw

Të paktën 46 të vdekur nga zjarri që përfshiu një autobus në Bullgari / Tri ditë zie në Maqedoninë / “Shoferin e zuri gjumi!”/ I mbijetuari nga tragjedia në Bullgari rrëfen momentet e betejës me flakëte Veriut /

aksidenti bullgari 1Autoritetet bullgare thanë se të paktën 46 veta humbën jetën kur një autobus u përfshi nga flakët të martën në Bullgarinë perëndimore.Pothuaj se të gjithë ishin shtetas të Maqedonisë së Veriut. Në mesin e viktimave ka 12 fëmijë. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit.

Në mesin e 46 viktimave të aksidentit të rëndë të autobusit të së martes në Bullgari, janë 12 fëmijë, më i riu 4 vjeç. Pesë prej fëmijëve ishin nxënës të shkollës nëntëvjeçare “Ismail Qemali” në Shkup.

Autobusi po kthehej nga Turqia, ku këta shtetas të Maqedonisë së Veriut kishin qëndruar për fundjavë. Një nga viktimat ishte nga Presheva dhe një tjetër me pasaportë belge, tha kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili së bashku me ministrat e Jashtëm dhe të Shëndetësisë, Bujar Osmani e Venko Filipçe shkuan në Sofje për t’u njohur nga afër me ngjarjen e rëndë. Sipas zyrtarëve të lartë qeveritarë të Maqedonisë së Veriut, ata i vizituan në spital shtatë personat e plagosur.

“Disa prej familjarëve të të lënduarve kanë ardhur këtu në Sofje dhe biseduam me ata. Ata patën rast t’i shohin të afërmit e tyre dhe të flasin me ta”, tha kryeministri Zaev.

Ndërkaq, në Shkup, familjarë të viktimave kur kishin mësuar lajmin në orët e mëngjesit u drejtuan tek agjencia turistike “Besa trans”, e cila kishte organizuar shkuarjen me autobusë në Turqi, por hasën në dyer të mbyllura të agjencisë të cilat nuk u hapën gjatë gjithë ditës.

Ata thanë se nuk mund të merrnin asnjë lloj njoftimi dhe se për orë të tëra prisnin para dyerve të agjencisë.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës dy të mëngjesit në autostradën ‘Struma’, 45 kilometra në perëndim të Sofjes. Ministri bullgar i Rendit, Bojko Rashkov,i cili kishte dalur në vendin e ngjarjes e përshkruajti atë si të tmerrshme, diçka që nuk kishte parë në karrierën e tij:

“Shumë e vështitrë për t’u parë. Ishin grumbulluar brenda dhe të shkrumbuar”, tha ai për viktimat brenda autobusit.

Në Sofje ka udhëtuar një ekip i Prokurorisë maqedonase së bashku me kryeprokurorin Lubomir Jovevski për t’u ndihmuar hetuesve dhe prokurorëve në vendin fqinj. Ekspertë bullgarë kanë thënë për median e atjeshme se shoferi kishte mbushur tuba me naftë dhe i kishte vendosur ato pranë gomave të autobusit, dhe pasi autobusi kishte goditur bankinat e rrugës, shpejtë kishte marrë flakë. Udhëtarët në ulëset e pasme kishin arritur ta thyejnë xhamin e pasmë dhe të shpëtojnë. Sipas njoftimeve nga autoritetet bullgare, edhe shoferi i autobusit ka humbur jetën.

Ngjarja ka prekur opinionin në vendet e rajonit dhe me gjerë. Komisioni Evropian ka ngushëlluar familjarët e viktimave dhe autoritetet shetërore në Shkup, siç kanë vepruar njësoj edhe drejtues të shteteve të rajonit, ndër të parat Shqipëria e Kosova duke shprehur ngushëllime dhe keqardhje të thellë për tragjedinë ku humbën jetën 46 persona.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli tre ditë zie, ndërsa edhe Bullgaria ku ndodhi aksidenti ka njoftuar se do të shpallë ditë zie.

Shkaku i aksidentit nuk ishte menjëherë i qartë dhe autoritetet thanë se kanë nisur një hetim.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili bashkë me zëvendëskryeministrin Bujar Osmani dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, ndodhet në Bullgari, u shprehu ngushëllime familjeve.

Kryeministri bullgar në detyrë, Stefan Yanev, vizitoi vendin e aksidentit dhe u tha gazetarëve se kjo ishte “një tragjedi e madhe”.

“Përfitoj nga rasti të shpreh ngushëllimet e mia për të afërmit e viktimave”, tha zoti Yanev. “Le të shpresojmë se do të nxjerrim mësime nga ky aksident tragjik dhe të mund të parandalojmë ngjarje të tilla në të ardhmen”.

Në vitin 2019, Bullgaria, një anëtare e Bashkimit Evropian, me 7 milionë banorë, kishte shkallën e dytë më të lartë të vdekshmërisë në aksidente rrugore në bllokun 27 vendësh, me 89 njerëz të vrarë për një milion banorë, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ngushëlloi familjet e viktimave të “aksidentit të tmerrshëm në Bullgari”, ndërsa theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ofrojë mbështetje në çdo mënyrë që është e mundur.

Ngushëllimet e tyre i shprehën edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe komisionari per zgjerim Oliver Varhelyi.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrnes, ngushëlloi familjet dhe u shprehu mbështetje atyre që u plagosën në aksident. /voa

aksidenti bullgariTri ditë zie në Maqedoninë e Veriut për viktimat e aksidentit në Bullgari

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur të martën tri ditë zie kombëtare pas aksidentit me autobus në Bullgari, që la të vdekur të paktën 46 persona. Ndërkaq, më 24 nëntor në Kosovë do të jetë ditë zie në nderim të viktimave të aksidentit në Bullgari.

Zyrtarët thanë se aksidenti ndodhi në një autostradë në perëndim të Bullgarisë, ku një autobus me 53 pasagjerë, shumica nga Maqedonia e Veriut, u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Në mesin e viktimave ka edhe të paktën 12 fëmijë. Një zyrtar nga spitali në Sofje ka thënë se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi. Gjendja e tyre është stabile.

Sipas zyrtarëve maqedonas, shumica e viktimave ishin nga Shkupi dhe ishin duke u kthyer nga Stambolli i Turqisë, ku kishin qëndruar në një vizitë treditore.

Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes. Në këtë aksident nuk janë përfshirë automjete të tjera.

Autobusi që shkaktoi aksidentin është në pronësi të agjencisë turistike Besa Trans, e cila sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut, ka pasur licencë të rregullt për transport ndërkombëtar, por Inspektorati Shtetëror për Transport ka bërë të ditur se ndaj kësaj kompanie gjatë këtij viti janë ngritur katër padi për mosrespektimin të protokolleve kundër COVID-19.

Një hetim për shkakun e aksidentit është duke u zhvilluar.

Shefi i shërbimit të hetimeve në Bullgari, Borislav Sarafov tha se katër autobusë nga agjencitë e udhëtimeve të Maqedonisë së Veriut, kishin hyrë në Bullgari nga Turqia në orët e vona të së hënës.

“Gabimi njerëzor i shoferit ose problemet teknike janë dy versionet e para për aksidentin”, tha Sarafov për gazetarët.

Më herët gjatë të martës, ministri i Brendshëm bullgar, Bojko Rashkov tha se autobusi shkatërroi parmakun mbrojtës të autostradës, duke shtuar se ka gjasa që zjarri të jetë shkaktuar nga kontakti i autobusit me parmakun mbrojtës.

Prokurorja e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskoska tha se agjencia turistike është duke u hetuar dhe se ajo e ka kontaktuar pronarin e saj.

“Ai është këtu në vendngjarje, ku është autobusi. Fola shkurt me të dhe më tha që 20 vjet ka kompani transporti. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident. Kështu më ka thënë ai. Por, ne do ta sigurojmë dokumentacionin e plotë për të gjithë autobusët e kompanisë, kur janë të regjistruar, kur kanë qenë për kontroll teknik dhe do t’ua dërgojmë kolegëve këtu në Bullgari për hetime të mëtejme”, ka deklaruar prokurorja maqedonase, Ruskoska.

Stanislav Vladimirov, kryetari i Komunës së Pernikut që gjendet në afërsi të vendit ku ndodhi aksidenti, tha se në këtë autostradë ka shpesh aksidente sepse rruga nuk është e nivelizuar si duhet dhe trafiku është mjaft i rënduar.

“Përveç kësaj, rruga ishte e lagësht për shkak të shiut, kështu që arsyet mund të jenë shumë të ndryshme”, tha ai.

Kryeministri bullgar, Stefan Yanev tha se tragjedia e ka vendosur Bullgarinë para një sfide të madhe, për të zbuluar sa më shpejt shkaqet e aksidentit.

“Është një tragjedi që ka tronditur Bullgarinë, duke e vënë para një situate që të reagojë shumë shpejt. Do të bëjmë gjithçka të mundur që ky aksident trafiku të hetohet. Të zbulojmë se pse humbën jetën 46 persona dhe çfarë mund të bëhet për të lënduarit. Tani gjithçka është në duart e organeve të hetuesisë dhe vetëm më pas mund të komentojmë shkakun dhe çfarë ka ndodhur saktësisht. Për momentin, e vetmja gjë që mund të themi është se kemi një tragjedi të madhe dhe shfrytëzoj rastin që të shpreh ngushëllimet e mia për të afërmit e viktimave”, ka deklaruar kryeministri bullgar, Stefan Yanev.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, së bashku me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, kanë shkuar në Bullgari.

“Jam në kontakt me kryeministrin Stefan Janev, i cili tashmë ka vizituar njerëzit. Pata mundësinë të bisedoja me një nga të mbijetuarit. Ai shpjegoi se ata ishin duke fjetur në autobus kur u dëgjua një shpërthim i fortë. Ata kanë mundur të thyejnë njërin nga xhamat dhe të shpëtojnë disa persona. Fatkeqësisht, të tjerët nuk ia arritën. Është një tragjedi e tmerrshme. Shumica prej tyre – 12 – janë fëmijë nën 18 vjeç, dhe të tjerët janë të rinj rreth 20-30 vjeç. Shumica prej tyre janë shtetas tanë, por ka edhe nga Serbia”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe pasi ka vizituar të lënduarit të spitalin e Sofjes, tha se ata janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Sipas tij, në mesin e atyre që kanë mbijetuar aksidentin e rëndë, është edhe një vajzë 16-vjeçare.

“Të shtatë të lënduarit që u shtruan në spitalin Pirogov në Sofje, pas aksidentit në Bullgari, janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe askush nuk është në rrezik për jetën. Vetëm një pacient ka frakturë për të cilën duhet të bëhen analiza shtesë dhe të përcaktohet nëse do të duhet operim. Në mesin e të lënduarve është një vajzë 16-vjeçare, ndërsa të tjerët janë të moshës 40-50-vjeçare”, ka deklaruar Filipçe.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka thënë se shumica e viktimave janë nga Shkupi, të cilët po ktheheshin nga Turqia ku kishin shkuar për një vizitë treditëshe në Stamboll.

“Sipas të dhënave të para që kam, bëhet fjalë për një agjenci turistike nga Shkupi, dhe shumica e viktimave janë nga Shkupi. Në mesin e tyre ka më shumë se dhjetë fëmijë, por kishte edhe shumë të rinj tjerë që po kishin shfrytëzuar pushimin e zgjatur, pasi të hënën ishte ditë feste”, ka deklaruar Osmani.

Në disa raportime të pakonfirmuara është thënë se pjesa më e madhe e pasagjerëve kanë qenë shqiptarë dhe jo maqedonas.

Ndërkaq, liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë shprehur solidaritetin e tyre me Maqedoninë e Veriut pas aksidentit.

Bullgaria është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse në vjetët e fundit.

Ndër të fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.

Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë.

Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore më 2019 dhe 463 vitin e kaluar, në shtetin me 6.9 milionë banorë./rel

top news“Shoferin e zuri gjumi!”/ I mbijetuari nga tragjedia në Bullgari rrëfen momentet e betejës me flakët

Një prej të mbijetuarve të aksidentit të rëndë në Bullgari ka rrëfyer për emisionin “Zona Zero” momentet e tragjedisë.

Sipas tij, shkaku i aksidentit ishte se shoferin e zuri gjumi dhe nuk mundi të merrte kontrollin e autobusit.

Ai rrëfen se si bashkë me të fejuarën çanë me çekiç xhamin e autobusit dhe u hodhën për t’u shpëtuar flakëve.

“Shoferin e zuri gjumi. Autobusi ka qenë në flakë, askush nuk ka mundur të dilte jashtë autobusit. Ka pasur ndalesë 100 km para se me mbërrit në kufi të Bullgarisë, kemi bërë një pushim janë ndërruar shoferët. Unë kam qenë 4 ditë me pushime me të fejuarën, jam nga Presheva. Nga viktimat më i vogli ka qenë nga 2 vjeç. Përveç meje janë hedhur edhe të tjerë nga dritarja. Koha ka qenë me shi. Aty kur i ka rënë bordurës i është çarë goma dhe ka marrë flakë përnjëherë. Shkaku ka qenë se shoferin e zuri gjumi. Për gjysmë ore muzika është ndalur dhe fëmijët nuk bënin më zhurmë. Unë munda të dilja nga dritarja  me të fejuarën. Njëri pas meje e provoi ta thyente me këmbë dritaren, por nuk u thye, unë mora cekiçin dhe e theva. E fejuara ka thyer këmbën, por pa rrezik”, tha ai.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli të martën, tri ditë zie kombëtare pas aksidentit me autobus në Bullgari, që la të vdekur të paktën 46 persona.

Aksidenti ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes në perëndim të Bullgarisë, ku një autobus me 53 pasagjerë, shumica nga Maqedonia e Veriut, u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte.

Në mesin e viktimave kishte edhe të paktën 12 fëmijë. Një zyrtar nga spitali në Sofje tha se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi.

Sipas zyrtarëve maqedonas, shumica e viktimave ishin nga Shkupi dhe ishin duke u kthyer nga Stambolli i Turqisë, ku kishin qëndruar në një vizitë treditore.

Autobusi që shkaktoi aksidentin është në pronësi të agjencisë turistike ‘Besa Trans’, e cila sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut, ka pasur licencë të rregullt për transport ndërkombëtar, por Inspektorati Shtetëror për Transport ka bërë të ditur se ndaj kësaj kompanie gjatë këtij viti janë ngritur katër padi për mosrespektimin të protokolleve kundër COVID-19.

tch