Mospajtimet në relacionin BE-Kosovë-Serbi për integrimin e gjyqësorit

LajcakSuspendimi i një gjyqtareje serbe të Kosovës që mori pjesë në një takim me Vuçiqin në Beograd, ka nxitur reagime të shumta. Serbët kanë protestuar, BE ka reaguar e kryeministri Kurti i ka shpjeguar procedurat.

Suspendimi ditë më parë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës i kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, pjesëtare e komunitetit serb, Liliana Stevanoviq, nxiti reagimin e Bashkimit Evropian, i cili kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi, që të ulin tensionet dhe bëri thirrje që të respektohet marrëveshja për integrimin e personelit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës, por edhe procedurat e rregullave disiplinore të Kosovës. Reagimi i BE-së u bë pasi që, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, suspendoi nga puna kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, e cila me 22 mars, së bashku me përfaqësues politik të serbëve të Kosovës mori pjesë në një mbledhje në Beograd, të thirrur nga presidenti i Serbisë,  Aleksandar Vuçiq. Zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha në Bruksel se duhet të kuptohet rëndësia e integrimit të personelit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës, sikundër që duhet të respektohen edhe procedurat.

“Kemi marrë në dijeni vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për suspendimin e përkohshëm të kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Personeli serb i Kosovës ishte integruar në sistemin ligjor të Kosovës më 2017 përmes një marrëveshjeje të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ky integrim kishte mundësuar qasje në sistemin ligjor të Kosovës dhe sistemin e drejtësisë për komunitetin serb”, tha Stano. Sipas tij, “personeli gjyqësor i integruar kryen detyra të rëndësishme nga të cilat përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë komunitetet jo shumicë në Kosovë”. Në këtë kuadër tha Stano, “BE-ja pret që autoritetet kompetente të Kosovës, por edhe të Serbisë, të respektojnë të gjitha pjesët e kësaj marrëveshjeje”.

“Procedurat disiplinore nuk janë pjesë e marrëveshjes. BE beson se autoritetet kompetente do të ndjekin procesin dhe procedurën e duhur lidhur me shqyrtimin e një rasti të tillë disiplinor. Në të njëjtën kohë, presim nga personeli i sistemit ligjor të Kosovës të veprojë në bazë të ligjeve dhe rregullave të Kosovës”, theksoi Peter Stano duke kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi, që të “veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë për një atmosferë të përshtatshme për normalizimin e raporteve të tyre.

Protestat serbe

Moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë dhe suspendimi i gjyqtares Liljana Stevanoviq, bëri që Lista Serbe, që përfaqësohet me 10 deputet në kuvendin e Kosovës, të organizojë protesta dhe ka deklaruar se përfaqësuesit e tyre do të pezullojnë punën deri në kthimin në punë të gjyqtares Stevanoviq. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi duke e akuzuar kryeministrin i Kosovës, Albin Kurtin, për siç tha “shkelje të marrëveshjeve të arritura në Bruksel”, dhe  tha se “Marrëveshja e Brukselit e arritur më 2013,  nuk ekziston më”.

Kryeministri Kurti nga ana e tij, tha se sistemi gjyqësor i Kosovës është i pavarur nga Qeveria dhe se ai nuk merr vendime për gjyqësorin.  E vet Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), njoftoi se vendimi për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës nga pozita e saj një ditë më parë, është marrë pa ndonjë ndikim politik. Sipas njoftimit, “ky vendim është marrë në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që ka KGJK-ja dhe se nuk paragjykon përfundimin e procedurës në raport me gjyqtaren e suspenduar, Liljana Stevanoviq.

Ndërkohë, njohësi i sistemit të drejtësisë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i tha DW-së, se “deklarata e Bashkimit Evropian lidhur me rastin e suspendimit të gjyqtares Stevanoviq, konfirmon rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë, dhe obligimin e Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime të cilat e pengojnë zbatimin e të njëjtës”.

Rëndësia e zbatimit të marrëveshjeve

“Nëse lexohet me vëmendje deklarata, e njëjta është kritikë e ashpër edhe ndaj presidentit Vuçiq dhe autoriteteve serbe, të cilët me veprime të një anshme në javët e fundit janë duke e minuar marrëveshjen për drejtësi. Deklarata e potencon në mënyrë të qartë se gjykatësit, prokurorët dhe policët serbë të integruar në sistemin juridik të Kosovës e kanë për obligim kushtetues dhe ligjor të zbatojnë dhe respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës.  Sikurse, njeh të drejtën e Këshillit Gjyqësor për të marr masa ndaj secilit gjykatës që nuk respekton ligjet e Kosovës, si në rastin konkret të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, tha Ehat Miftaraj. Sipas tij,  “Bashkimi Evropian përderisa njeh dhe respekton vendimin e fundit të KGJK-së, në të njëjtën kohë me të drejtë pret nga Këshilli Gjyqësor që të zbatoj ligjin, procedurën në mënyrë të drejtë, pavarur dhe të paanshme”.

“Deklarata e Bashkimit Evropian si duket ka pasur ndikimin e saj, pasi që përkundër faktit se gjykatësit serbë kanë hyrë në grevë, kjo nuk po ndodh edhe me prokurorët serbë dhe stafin administrativ të cilët janë duke kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre sipas obligimeve që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, tha Ehat Miftaraj. Sipas tij, “Bashkimi Evropian po ashtu bën dallimin mes integrimit të stafit serb në sistemin juridik të Kosovës, rëndësisë që ka në ofrimin e shërbimeve për qytetarë, por edhe e bën një ndarje mes integrimit dhe nevojës për të zbatuar ligjet e Republikës së Kosovës”.

Në njohës tjetër i integrimeve evropiane, Demush Shasha, drejtor ekzekutiv nga instituti  (think-tank) EPIK, i tha DW-së  se “rasti i gjyqtares Stevanoviq ka shpërfaqur brishtshmërinë e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ku u konfirmua se çdo gjë mund të shndërrohet në çështje politike, madje edhe çështje totalisht të pavarura, sikur që janë çështjet e sundimi të ligjit”.

Respektimi i rregullave dhe ligjeve

“Unë e lexoj deklaratën e BE-së si mbështetje KGJK-së dhe thirrje Serbisë për përmbajtje nga veprimet të cilat cenojnë integrimin e personelit serb në sistemin gjyqësor”, thotë Demush Shasha. Sipas tij, “pas suspendimit të znj. Stevanoviq, ishte paralajmëruar bojkotimi i punës së personelit gjyqësor në veriun e vendit. Kësisoj, me 25 mars ata nuk janë paraqitur në punë. Në këtë drejtim, unë lexoj deklaratën e BE-së si thirrje gjyqtarëve serb për të vijuar punën e tyre, pasi që përfituesit e punës së tyre janë vet qytetarët serb dhe çfarëdo bojkotimi i punës do të afektonte pothuaj ekskluzivisht qytetarët serb”.

Sidoqoftë, në ditët e fundit para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, pati një retorikë të ashpër politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës ditë më parë tha se nuk ka arritur një marrëveshje me Serbinë për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë, pasi që Beogradi refuzoi që qeveria serbe t’i drejtohet me kërkesë qeverisë së Kosovës. Vendet e QUINT-tit, shprehën keqardhje për vendimin e Kosovës ndërsa u bëjnë thirrje palëve që të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të punojnë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për një marrëveshje normalizimi ndërmjet dy vendeve.

dw

Maqedoni e Veriut: 54.21 % maqedonas, 29.52% shqiptarë sipas regjistrimit

perqindja e shqiptareve sipas rajoneveEnti Shtetëror i Statistikave në Maqedoninë e Veriut ka shpallur rezultatet e regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe ekonomive familjare.

Në numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, që përfshin atë rezidente dhe jorezidente, janë regjistruar gjithsej 2.097.319 persona dhe prej tyre; 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind si serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.

Përsa i përket popullsisë jorezidente ose qytetarët të cilët kanë emigruar vendeve të jashtme vërehet se numri i shqiptarëve është pothuajse tri herë më i madh. Maqedonasit si popullsi jorezidente janë 24,45%, shqiptarët jo rezidentë janë regjistruar 66,36%, turq 4,79%, romë 1,02%, serbë 0,35%, boshnjakë 0,81%,  dhe vllehë 0,19%.

Përssa i përket qytetit të Shkupit, si njësi më e madhe administrative në vend, maqedonas janë deklaruar  58,71% e popullsisë, ndërsa shqiptarë 22,85% e banorëve. Vijojnë turqit me 1,62%, romët me 3,5%, serbët 1,8%, boshnjakët 1,4%, vllehët 0,53%.

Simovski: Regjistrimi i popullsisë përfundoi me sukses

Drejtori i Entit shtetror të Statistikës, Apostol Simovski ka thënë se regjistrimi i popullsisë u krye me sukses.

“Regjistrimi i popullsisë u realizua me sukses. Ne dëshmuam se mundemi dhe dimë të realizojmë regjistrim të popullsisë. Nëse më parë duheshin dy vite për shpalljen e rezultateve, në këtë e bëmë për gjashtë muaj, ashtu siç e kishim paraparë”, ka deklaruar Simovski.

Zëvendësdrejtori i Entit statistikor, Ilmi Selami, ka vlerësuar se është bërë punë e madhe me procesin e regjistrimit, duke pasur parasysh pengesat që kanë hasur. Ai gjithashtu ka thënë se është bërë punë e shkëlqyer me regjistrimin e diasporës.

Ahmeti: Pas 20 viteve kemi pasqyrë të qartë për numrin e popullsisë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti duke komentuar rezultatet nga regjistrimi i popullsisë në Maqedoni ka thënë se Maqedonia e Veriut pas 20 viteve ka një pasqyrë më të qartë sa i përket numrit të përgjithshëm të popullësisë dhe përqindjes së komuniteteve në vend.

“Shqiptarët janë 29.5% në popullësinë e përgjithshme dhe 24.3% në popullësinë rezidente. Përgëzoj të gjitha institucionet që ishin të përfshira dhe ndihmuan procesin e regjistrimit  në vend dhe diaspor, proces dhe sfidë aspak e lehtë, por që ia dolëm ta përfundojmë me sukses”, ka deklaruar Ali Ahmeti.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të drejtat e tyre i realizojnë në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, që u arrit pas luftës së vitit 2001. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2002, të drejtat e shqiptarëve janë rregulluar në bazë të përqindjes së tyre në shtet.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që jetojnë përkohësisht jashtë vendi, shumica e të cilëve janë shqiptarë.

dw

Pentagoni: Trupat ruse në Ukrainë po “ripozicionohen”

tankeNë përshkrimin më specifik të forcave ruse që po largohen nga Kievi, Pentagoni tha të mërkuren se “më pak se 20 për qind” e kontingjentit të trupave ruse në afërsi të kryeqytetit ukrainas kanë filluar të “ripozicionohen”.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby nuk dha hollësi të tjera lidhur me numrin e trupave që përbëjnë këtë kontigjent. Ai tha se trupat që kanë filluar të largohen nga Kievi ishin në afërsi të aeroportit Hostomel në veriperëndim të Kievit.

Zoti Kirby tha se duket se Rusia po i tërheq trupat nga Kievi për t’i rifurnizuar dhe riorganizuar ato në përgatitje të operacioneve të tjera në Ukrainë, jo për t’i dërguar ato në Rusi.

Zyrtarët e Moskës thanë në fillim të kësaj jave se po reduktonin ndjeshëm operacionet ushtarake rreth Kievit si një gjest për të çuar përpara bisedimet e paqes. Por zyrtarët ukrainas dhe amerikanë kanë shprehur skepticizëm rreth synimeve ruse.

Në një fjalim të mërkurën pas takimit me presidentin amerikan, presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskyy tha: “Kam falënderuar SHBA-në për paketën e re të ndihmës humanitare me vlerë 1 miliardë dollarë amerikanë dhe 500 milionë dollarë shtesë në ndihmë buxhetore direkte. Unë gjithashtu theksova se tani jeni në pikë kthese.”

Ai përsëriti gjithashtu shqetësimet se Rusia po grumbullon trupa për sulme të reja në Donbas.

“Ne nuk i besojmë askujt dhe në asnjë fjalë të zbukuruar. Ekziston një situatë reale në fushën e betejës”, tha presidenti ukrainas.

voa

SPAK kërkoi arrestimin e tij, vetëdorëzohet në polici Alqi Bllako

Alqi BllakoIsh deputeti i PS, Alqi Bllako është vetëdorëzuar në polici.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”. Shoqërimi i tij u bë pasi GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Alqi Bllakon.

Ditën e djeshme, Bllako dorëzoi mandatin duke hequr dorë nga imuniteti i deputetit për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i thjeshtë.

Prokuroria e Posaçme vuri nën akuzë 11 zyrtarë dhe ish zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit e bashkisë së Elbasanit, një biznesmen dhe dy administratorë të incerenatorit në Fier.

Hetimi për këtë nisi pas kallëzimit penal të Partisë Demokratike, LSI dhe Nismës Thurje dhe në qendër të hetimit ishte kontrata koncesionare mes ministrisë së mjedisit dhe kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”. Hetuesit thonë se kanë gjetur veprime të kundërligjshme dhe korrupsion.

Top Channel

Plastikë në gjak: Si hyjnë grimcat mikroplastike në trupin tonë

pllastikaNjerëzit prodhojnë sasi të mëdha mbeturinash plastike. Sipas studimeve të fundit mjaft grimca mikroplastike depozitohen edhe në gjakun tonë.

Në detra dhe oqeane derdhen sasi të mëdha mbeturinash plastike. Sipas një studimi të organizatës mjedisore WWF në detra dhe oqeane ka rreth 86 deri 150 milionë tonë plastikë.

Në oqeane plastika shpërbëhet në grimca mikro- dhe nanoplastike. Sipas studimit të WWF në 30 vitet e ardhshme sasia e këtyre grimcave në oqeanet e botës do të dyfishohet.

Por grimcat plastike të mbeturinave tona nuk gjenden vetëm në natyrë. Ato hyjnë dhe depozitohen edhe në trupin e njeriut.

Plastikë në gjak dhe stomak

Grupe studiuesish nga universiteti Vrije Universiteit në Amsterdam dhe nga Universitetit MedUni në Vjenë gjetën gjatë analizave grimca mikro- dhe nanoplastike në gjak. Studiuesit e universitetit Vrije Universiteit në Amsterdam gjetën gjatë analizave 1.6 mikrogramë grimca plastike për mililitër, pra sa një lugë çaji me grimca plastike në 1000 litra ujë.

Kurse studiuesit e Universitetit MedUni në Vjenë konstatuan se në traktin gastrointestinal të çdo njeriu, pra në stomak dhe në zorrë, përfundojnë mesatarisht pesë gramë plastikë në javë – përafërsisht sa pesha e një karte krediti.

Si përfundojnë grimcat mikro- dhe nanoplastike në trupin e njeriut?

Grimcat e vogla plastike gjenden në objektet e përditshme, në produktet kozmetike, në pastën e dhëmbëve, apo shampo për flokët dhe trupin. Ato krijohen gjithashtu prej dekompozimit të prodhimeve plastike.

Grimcat nanoplastike kanë një madhësi prej më pak se 0,001 milimetrash. Kurse ato mikroplastike kanë një madhësi deri në 5 milimetra dhe për këtë arsye mund të shihet edhe me sy të lirë.

Një nga rrugët që grimcat mikro- dhe nanoplastike përfundojnë në trupin e njeriut është uji i pishëm. Sipas një studimi të botuar në revistën Environmental Science and Technology, kushdo që pi 1,5 deri në dy litra ujë në ditë nga shishe plastike mund të gëlltisë rreth 90,000 grimca plastike në vit.

Një rrugë tjetër është konsumi i peshqëve dhe midhjeve si dhe kripa e detit, ku janë konstatuar gjithashtu grimca mikro- dhe nanoplastike të shkaktuara prej ndotjes së dhe mbeturinave plastike në detra dhe oqeane.

Edhe veshjet e bëra nga fibra sintetike lëshojnë shumë grimca mikroplastike që përfundojnë në trup përmes lëkurës.

Grimcat mikro- dhe nanoplastike madje mund t’i thithim edhe përmes ajrit. Një pjesë e madhe e grimcave mikroplastike që ne thithim shkaktohen prej fërkimit të gomave të makinave. “Për çdo 50,000 kilometra që bën një makinë, nga gomat shkaktohen gjashtë kilogramë grimca plastike”, thotë në një intervistë për DW Lukas Kenner, drejtor shkencor i projektit microONE të MedUni Vjenë që merret me studimin e tumoreve dhe të kancerit.

Pasojat ndaj shëndetit ende nuk janë të qarta

Qëllimi i projektit microONE është të analizojë pasojat e grimcave mikro- dhe nanoplastike që përfundojnë në trupin e njeriut për shëndetin e njeriut.

Deri tani ata nuk kanë ende përgjigje përfundimtare. Por nga analizat me kafshë laboratorike është vënë re se grimcat plastike ndikojnë në zhvillimin e kancereve, sepse shkaktojnë në trup procese që janë pjesë e zhvillimit të kancereve. Grimcat mikro- dhe nanoplastike shkaktojnë p.sh. infektime zorrësh me sa duket duke prishur sistemin mikrobiotik. Ky çrregullim mund të çojë në zhvillimin e tumoreve.

Po ashtu grimcat mikro- dhe nanoplastike mund të shkaktojnë gjithashtu alergji dhe reaksione të sistemit të imunitetit

Si mund ta reduktojmë rrezikun?

Gomat e makinës konsumohen më pak nëse e ngasim makinën më ngadalë. Prandaj studiuesit mendojnë se vendoja e kufijve të shpejtësisë është një masë e arsyeshme.

Po ashtu ekspertët rekomandojnë heqjen dorë nga blerja e ujit në shishe plastike dhe kufizimin e konsumit të frutave të detit. Sa u përket veshjeve ata rekomandojnë veshje që përbëhen nga materiale që nuk përmbajnë shumë fibra sintetike”.

dw

Një a dy Atdhe i kanë shqiptarët?

flamuriKosova, thotë shpesh, pa ia kërkuar kush është Atdheu ynë i vetëm! Dhe këtë mendim e thotë, përpos të tjerash, për të mohuar, cenuar, zhvlerësuar idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Duke e shqiptuar aq përkushtueshëm fjalinë e sipërthënë, ajo e thotë edhe një të pavërtetë: se Shqipëria s’ishte kurrë as Atdheu i të parëve të saj e as i të parëve tanë!

Gabim i dyfishtë.

Fjala At- dhe vjen prej fjalës toka, dheu i babait, i gjyshit, i stërgjyshit. Dhe i të parëve të tjerë.

Prejardhja, domethënia dhe kuptimi i fjalës At – dhe nuk lidhej me shtetin, siç lidhet sot në disa vende, më të vogla, më të reja, a më të mëdha, por lidhet me babanë, me atin, me gjyshin e stërgjyshin.

E Kosova, toka e saj, banorët e saj ishin gjatë, me shekuj, me mija vjet pjesë tokësore, gjeografike dhe demografike, e tërësisë gjeografike dhe etnike ilire, arbërore, shqiptare. Kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk e ka vendosur Zoti, as shqiptarët, por pushtuesi shekullor – Serbia!

Pse e thotë dhe e rithotë tash, pa ia kërkuar kush, se Kosova është i vetmi Atdhe i yni? A nuk është më e drejtë, më e drejtë dhe më e arsyeshme shkencërisht dhe etnikisht dhe historikisht të thuhet sot se Kosova, Kosova e Shqipëria janë Atdheu i ynë, janë dy Atdhetë tanë? Po, po, padyshim: Po.

Ata që thonë se Kosova është i vetmi Atdhe i yni janë, për fat, në numër shumë e shumë më pak sesa ata që e thonë, që e mendojnë dhe që e ndiejnë, se Kosova dhe Shqipëria janë Atdheu ynë. Dhe do të jenë Atdheu ynë, i pëlqeu a nuk i pëlqeu pakicës së papërfillshme, edhe kur gjendet në karrige të përfillshme.

Nuk ka dyshim se edhe për pasardhësit e atyre që thonë sot se Kosova është i vetmi Atdhe i tyre, pashmangshëm do të vijë dita kur do të thonë se Shqipëria e bashkuar me Kosovën, se Kosova e bashkuar me Shqipërinë, është Atdheu i tyre, siç ishte kurdoherë. Mospajtimi me këtë ideal kombëtar domethënë mospajtim me kohezionin shpirtëror, shoqëror, moral e kombëtar të shqiptarëve që është kusht i zhvillimit e i përparimit të tyre.

Të thuash, prandaj, siç thotë ajo se Kosova është i vetmi Atdhe i yni, domethënë të bësh atë që e ndëshkon e përtashmja dhe historia kombëtare: veprim kundër vetvetes!

Rexhep Qosja

Rusia angazhohet të reduktojë sulmet ndaj Kievit. SHBA: Situata mbetet e rrezikshme

stambollRusia premtoi të martën të reduktojë operacionet ushtarake rreth Kievit dhe qytetit Chernihiv, por Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se rreziku nuk ka marrë fund. Ky zhvillim vjen ndërsa Ukraina propozoi miratimin e një statusi neutral në shenjë progresi në negociatat që po zhvillohen ballë për ballë mes palëve.

Bisedimet u zhvilluan në Stamboll ndërsa është shënuar më shumë se një muaj që kur Moska sulmoi Ukrainën, një konflikt që ka shkaktuar vrasjen e plagosjen e mijëra personave, ka detyruar afro 4 milionë ukrainas të largohen nga vendi si dhe ka goditur rëndë me sanksione ekonominë e Rusisë.

Forcat ushtarake ruse janë frenuar në shumicën e fronteve për shkak të rezistencën së fortë nga trupat ushtarake ukrainase që kanë rimarrë territore, megjithatë civilët vazhdojnë të jenë të bllokuar në qytetet e rrethuara.

“U mor një vendim për të reduktuar rrënjësisht, me një diferencë të madhe, operacionet ushtarake në drejtim të Kievit dhe Chernihivit”, u tha gazetarëve të martën zëvendësministri rus i Mbrojtjes Alexander Fomin.

Por ai nuk përmendi zonat e tjera që janë ndeshur me luftime të ashpra, sikurse Mariupoli në juglindje, Sumy dhe Kharkivi në lindje dhe Khersoni dhe Mykolaivi në jug të Ukrainës.

I pyetur nga gazetarët lidhur me komentet e Moskës, Presidenti Joe Biden tha të martën se vendet aleate perëndimore janë duke pritur të shohin nëse Rusia do të përmbushë angazhimin që ka marrë për të reduktuar sulmet rreth kryeqytetit të Ukrainës, Kievit dhe qytetit verior të Chernihivit.

Komentet Presidenti Biden i bëri pas një bisede telefonike me udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë. “Duket se ka një konsensus (mbi këtë çështje) të shohim se çfarë kanë për të ofruar”, tha zoti Biden.

Rusia ka filluar të largojë një numër shumë të vogël trupash nga pozicionet rreth Kievit, në një lëvizje që është më shumë një ripozicionim sesa një tërheqje tha Pentagoni të martën.

“Kjo nuk do të thotë se rreziku ndaj Kievit ka marrë fund”, tha zëdhënësi John Kirby në një konferencë shtypi.

Zoti Kirbi tha se 10 avionë amerikanë F-18 dhe më shumë se 200 trupa janë dislokuar Lituani një vend anëtar i NATO-s dhe fqinj me Rusinë. Nga ana tjetër trupat amerikane në Poloni po ndërveprojnë me forcat ukrainase duke u dorëzuar armët.

Rusia e quan sulmin në Ukrainë një operacion special ushtarak për të çarmatosur dhe hequr qafe siç thotë nazizmin dhe ndikimin e tij në këtë vend. Por Perëndimi thotë se Moska ka nisur një sulm të paprovokuar.

Disa analistë vunë re se premtimi i Rusisë për të reduktuar luftimet mbulonte kryesisht zonat ku ajo ka humbur terren.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy tha se vetëm një rezultat konkret nga bisedimet mund të ishte i besueshëm.

“Mund të themi se sinjalet që marrim nga bisedimet janë pozitive, por ato nuk po i mbysin shpërthimet e predhave ruse”, tha ai.

voa

Çfarë do të thotë pagesa e gazit me rubla?

MastercardÇmimet veçse të larta të gazit në Evropë kanë lëvizur që kur presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi për kërkesën që importuesit të paguajnë për gazin natyror rus me rubla në vend të dollarëve dhe eurove.

Ja disa nga implikimet që mund të ketë një lëvizje e tillë:

Çfarë po propozon Putini?

Evropa importon sasi të mëdha të gazit natyror rus për të ngrohur shtëpitë, për të prodhuar energji elektrike e të tjera dhe këto importe kanë vazhduar pavarësisht luftës në Ukrainë.

Rreth 60 për qind e importeve paguhen me euro, ndërsa pjesa tjetër me dollarë. Putini dëshiron ta ndryshojë këtë duke u kërkuar importuesve të huaj të gazit të blejnë rubla dhe t’i përdorin ato për të paguar furnizuesin shtetëror, Gazprom.

Putin i tha Bankës Qendrore ruse të mërkurën e kaluar që të krijonte një sistem të zbatueshëm.

Çfarë efekti mund të ketë ky plan?

Importuesit do të duhej të gjenin një bankë që do të shkëmbente euro dhe dollarë për rubla. Kjo mund të jetë e rëndë sepse disa banka ruse janë bllokuar ose janë shkëputur nga sistemi i transfereve SWIFT që lehtëson pagesat ndërkombëtare.

Megjithatë, ka disa banka që nuk e kanë ndërprerë punën dhe aktualisht, sanksionet e vendosura nga Thesari i SHBA-së që ndalojnë transaksionet bankare përmbajnë përjashtime për pagesat e energjisë.

Ky është një koncesion për aleatët evropianë që janë shumë më të varur nga nafta dhe gazi rus dhe kanë frikë se një ndërprerje totale mund ta çojë ekonominë e tyre në recesion.

Nëse Rusia paguhet për gazin me monedhën e saj në rastin më të mirë do të ndihmonte në shmangien e sanksioneve financiare, duke mbështetur vlerën e rublës ose mbrojtjen e ekonomisë ruse, tha Eswar Prasad, profesor i politikës tregtare në Universitetin Cornell dhe një ish-zyrtar në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Ose Putini po merr këshilla të tmerrshme ekonomike ose po largohet më tej nga binarët me urrejtjen e tij për Perëndimin”, tha Prasad.

“Do të ishte më e lirë për importuesit e huaj të paguajnë për eksportet e Rusisë me një monedhë vlera e së cilës po bie, por është e vështirë të blesh rubla dhe të bësh pagesa në një mënyrë që shmang sanksionet”, tha ai.

Ai paralajmëroi se masa “mund të tronditë më tej tregjet globale të energjisë duke përkeqësuar ndërprerjet aktuale të furnizimit dhe duke shtuar pasigurinë për furnizimet e ardhshme, të cilat të gjitha mund të shtojnë më shumë rritjen e çmimeve”.

Si u prit kërkesa e Putinit në Evropë?

Qeveritë evropiane dhe kompanitë e energjisë po e refuzojnë idenë, duke thënë se kontratat e importit të gazit specifikojnë monedhën dhe se njëra palë nuk mund ta ndryshojë atë brenda natës. Ata thonë se synojnë të vazhdojnë të paguajnë në euro dhe dollarë.

Më gjerësisht, Grupi i Shtatë ekonomive kryesore, duke përfshirë Japoninë, SHBA-në dhe Kanadanë, si dhe Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Britaninë (G7) kanë rënë dakord të refuzojnë kërkesën e Moskës. Komisionari i Energjisë i Bashkimit Evropian gjithashtu ra dakord, thuhet në një deklaratë të G7-s.

Zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck, u tha gazetarëve të hënën se “të gjithë ministrat e G7-s ranë dakord plotësisht” se një hap i tillë do të ishte “një shkelje e njëanshme dhe e qartë e kontratave ekzistuese”.

Cili është motivi i Putinit?

Në teori, kërkesa për pagesa me rubla mund të mbështesë kërkesën për monedhën dhe kursin e saj të këmbimit.

Por jo shumë, tha Prasad. Euro dhe dollari tashmë po përdoren për të blerë rubla kur Gazprom-i shkëmben të ardhurat nga jashtë.

Qendra për Studime Lindore në Varshavë ka sugjeruar që duke lëvizur rrjedhën e valutës së huaj nga Gazprom-i në sistemin bankar kryesisht të kontrolluar nga shteti, Kremlini do të fitojë kontroll të shtuar mbi valutën e huaj që është bërë më e rrallë që kur vendet perëndimore ngrinë pjesën më të madhe të rezervave të Rusisë jashtë vendit.

Megjithatë, kjo do ta linte Gazprom pa valutë të fortë për të bërë pagesat e borxhit të jashtëm ose për të blerë furnizime jashtë vendit. Siç qëndron, furnizuesi i gazit tashmë duhet të shesë 80 për qind të valutës së tij të huaj në Bankën Qendrore të Rusisë.

Mosmarrëveshja për rubla ka ngritur shqetësime se mund të çojë në një ndërprerje të furnizimit me gaz natyror. Kjo mund ta ekspozojë Rusinë ndaj akuzave për mosrespektimin e kontratave afatgjata të energjisë, gjë që ka bërë deri më tani.

Sistemi i tubacioneve evropiane është shumë i lidhur, kështu që çdo përpjekje për të kufizuar flukset në disa vende do të ndikonte në të tjerët, sipas analistëve në Rystad Energy. Përtej kësaj, shitjet e energjisë janë një burim kyç i të ardhurave për Rusinë.

I pyetur nga gazetarët nëse Rusia mund të shkurtojë furnizimin me gaz për klientët evropianë nëse ata refuzojnë kërkesën për të paguar në rubla, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha në një konferencë të hënën se “ne sigurisht nuk do të furnizojmë gaz falas”.

“Në situatën tonë, është vështirë se është e mundur dhe e realizueshme të angazhohemi për bamirësi për Evropën”, tha Peskov.

Sa real është kërcënimi?

Propozimi i rublës bëri që shoqata e shërbimeve komunale të Gjermanisë, BDEW, t’i bënte thirrje qeverisë të shpallte një “paralajmërim të hershëm” për një mungesë të rëndë të energjisë.

Kjo është e para nga tri fazat e emergjencës energjetike në ligjin e BE-së dhe Gjermanisë, ku më e larta është mungesa aq e rëndë sa qeveria duhet të mbyllë gazin për industrinë për të mbrojtur familjet.

Qeveria gjermane nuk e sheh të nevojshme një deklaratë të tillë, tha një zëdhënëse të hënën.

Është e mundur që Putini po bën bllof. Këtë muaj, Rusia kërcënoi se do të përdorte rubla për të paguar investitorët e huaj që mbajnë letra me vlerë qeveritare të dominuara në dollarë. Ai kaloi me një pagesë në dollarë pasi agjencitë e vlerësimit thanë se pagesa në rubla do ta vendoste Rusinë prapa.

Kur bëhet fjalë për pagesat për gazin, “Putini mund të kërkojë rubla, por kontratat janë të qarta”, tha Carl Weinberg, kryeekonomist dhe drejtor menaxhues në High Frequency Economics në White Plains, Nju Jork.

“Opsioni i tij i vetëm për të detyruar ndryshimin është të refuzojë të ofrojë produkte dhe kjo nuk mund të ndodhë: Ai nuk mund të ndalojë daljen e naftës dhe gazit nga toka pa puset mbuluese dhe kapaciteti i magazinimit do të mbushet shumë shpejt nëse dërgesat ndalen”.

“Pra, le ta quajmë bllof”, tha Weinberg.

“Rusia nuk mund të ndalojë dërgimin e produkteve më shumë se sa Gjermania dhe BE-ja mund të ndalojnë blerjen e tij”.

Pse është energjia një faktor i rëndësishëm në luftë?

Ekonomia evropiane mbetet shumë e varur nga Rusia për 40 për qind të importeve të saj të gazit dhe 25 për qind të naftës së saj.

Ndërsa, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë thënë se do të ndalojnë blerjen e naftës ruse, liderët evropianë i janë shmangur një bojkoti total të naftës dhe gazit rus. Në vend të kësaj, ata janë fokusuar në zvogëlimin e importeve të tyre gjatë disa viteve të ardhshme përmes ruajtjes, burimeve të tjera dhe kalimit në energji me erë dhe diell sa më shpejt që të munden.

Vlerësimet janë të ndryshme për ndikimin e një mbylljeje totale të gazit në Evropë, por ato përgjithësisht përfshijnë një humbje të konsiderueshme të prodhimit ekonomik.

rel

 

Shpallen rezultatet e regjistrimit, 29.52% e popullsisë në Maqedoni janë shqiptarë

regjistrimi-MKEnti Shtetëror i Statistikave në Maqedoni sot ka shpallur rezultatet e regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe ekonomive familjare.

 

Sipas rezultateve, nga popullsia e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut, 54.21% janë deklaruar maqedonas, 29.52% shqiptarë, 3.98% turq, 2.34% rom, 0.44% vlleh, 1.18% serb dhe të tjerë.

 

Janë regjistruar gjithsejë 2. 097 319 persona, shkruan Alsat.

Rezident: 1. 836 713

Jo rezident: 260 606

 

Nga numri i përgjithshëm i qytetarëve të regjistruar:

54, 21 për qind maqedonas

29.52 për qind shqiptarë

3.98 për qind turq

2, 34 për qind rom

1.18 për qind serb

0.87 për qind boshnjak

0.44 për qind vlleh

 

Nga numri rezident:

Maqedonas 58.44%

Shqiptarë 24.03 %

Turq 3.86 %

Romë 2.53%

Vlleh 0.47 %

Serb 1.3%

Boshnjak 0.87 %

 

Nga numri jo-rezident

Maqedonas 24.45%

Shqiptarë 66.36 %

Turq 4.79%

Romë 1.02%

Vlleh 0,19%

Serb 0.35%

Boshnjak 0.81 %

Drejtori i ESHS-së Apostoll Simovski, në fjalimin e tij tha se me sukses është zbatuar regjistrimi i popullsisë.

“Ekipi i regjistruesve tregoi se mund dhe dijmë të kryejmë operacione profesionale. Nëse regjistrimet e mëparshme janë dashur vite, dhe më shumë njerëz, këtë herë kemi tejkaluar të gjitha parashikimet”, tha Simovski.

Ndërsa zv.drejtori i ESHS-së Ilmi Selami, tha se është bërë punë e madhe me procesin e regjistrimit, duke pasur parasysh pengesat që kanë hasur. Ai gjithashtu ta se është bërë punë e shkëlqyer me regjistrimin e diasporës./Telegrafi/

Para disa ditëve Z-ri Zijadin Sela (Kryetari i Aleancave) deklaroi se Shqiptaret në Maqedoni janë 34%, pa dhënë sqarime se prej nga burojnë këta rezulltate (prej çajtores në Livadhi ose muhabeteve nëpër kafene). Ai u detyrohet shqiptarëve të sqaroj, gjegjësisht të vërtetoj me fakte këtë deklaratë sepse përndryshe del përsëris joserioz si para faktorit të brendshëm ashtu edhe atij të jashtëm.

Ushtria ruse pritet të pakësojë operacionet përreth Kievit

ukrainaNdërsa negociatorët ukrainas dhe rusë filluan një raund të ri bisedimesh në Turqi që synon t’i japë fund sulmit rus në Ukrainë, ushtria ruse tha se do të pakësonte operacionet rreth kryeqytetit Kiev dhe qytetit verior të Chernihivit.

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Alexander Fomin tha se masa kishte për qëllim të “rriste besimin” mes palëve në bisedimet që kanë për qëllim t’i japin fund luftimeve. Përparimi i forcave ruse kishte ngecur kohët e fundit për shkak të rezistencës së fortë të luftëtarëve ukrainas.

Gjithashtu të martën, ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu tha se forcat ruse do të fokusohen në Donbas, i cili përfshin rajonet e shkëputura të Luhanskut dhe Donetskut. Ai tha se Moska kishte mbaruar kryesisht fazën e parë të “operacionit të saj special ushtarak”, përfshirë degradimin e kapacitetit ushtarak të Ukrainës.

Presidenti rus Vladimir Putin njohu pavarësinë e rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut në lindje të Ukrainës vetëm disa ditë përpara se të niste sulmin ushtarak më 24 shkurt.

Zhvillimet e fundit rreth luftës në Ukrainë pritet të diskutohen të martën gjatë një takimi virtual të Presidentit amerikan Joe Biden me udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Italisë, njoftoi kanalit CBS.

Në Stamboll, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u tha negociatorëve ukrainas dhe rusë përpara fillimit të bisedimeve se u takonte të dyja palëve të arrinin një marrëveshje konkrete dhe “të ndalnin këtë tragjedi”.

Një ndihmës i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se dy palët diskutuan kushtet e një armëpushimi të mundshëm gjatë bisedimeve të së martës, plus garancitë ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën. Negociatat pritet të rifillojnë të mërkurën.

Në bisedime mori pjesë edhe miliarderi rus Roman Abramovich, i cili pati simptoma që dyshohej se mund të ishin nga një helmim pas një takimi në Kiev në fillim të këtij muaji. Simptoma të ngjashme patën edhe të paktën dy anëtarë të delegacionit ukrainas. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se miliarderi Abramovich mori pjesë në bisedimet e së martës me një status jozyrtar. Peskov tha se raportet se zoti Abramovich dhe dy negociatorët e tjerë ishin helmuar ishin pjesë e “luftës së informacionit” të nisur nga vendet perëndimore.

Por në momentet kur po zhvilloheshin bisedimet në Stamboll, një sulm ajror rus goditi një ndërtesë qeveritare në qytetin ukrainas të Mykolaivit, duke lënë të paktën tetë persona të bllokuar nën rrënoja.

Zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk njoftoi në një video-mesazh të postuar në faqen e mediave sociale Telegram se korridoret humanitare për evakuimin e civilëve nga rajonet e shkatërruara nga lufta ishin hapur pas një pauze njëditore për shkak të atyre që Kievi i quajti “provokime të mundshme ruse”.

Kombet e Bashkuara thonë se sulmi i Rusisë në Ukrainë ka larguar nga shtëpitë e tyre 10 milionë njerëz dhe mbi 3.8 milionë kanë dalë tashm nga Ukraina.

Duke folur rreth bisedimeve të paqes, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha në televizionin kombëtar të hënën se “programi minimal do të jenë çështjet humanitare, dhe se programi maksimal do të ishte arritja e një marrëveshjeje për armë-pushimin”.

Gjatë një interviste të dielën nëpërmjet telefonit me gazetarë rusë, Presidenti Zelenskyy tha se Ukraina ishte e hapur ndaj mundësisë së mbajtjes së një statusi neutral, në kuadrin e një marrëveshjeje për paqe, nëse shoqërohet nga garanci të palëve të treta dhe në vazhdim merrte miratimin në një referendum.

Disa orë përpara se të fillonin negociatat, Presidenti Zelenskyy këmbënguli se sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore ndaj Moskës, duhet të jenë “të efektshme dhe thelbësore”, në mënyrë që të kenë efektin e dëshiruar tek ekonomia ruse.

Zoti Zelenskyy tha se nëse Rusia arrin “të shmangë” sanksionet, kjo “krijon iluzion e rrezikshëm për udhëheqësit rusë se mund të vazhdojnë me veprimet e deritanishme. Dhe ukrainasit e paguajnë këtë gjë me jetën e tyre. Me mijëra jetë”.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes i tha gazetarëve se forcat ukrainase kanë rimarrë qytetin Trostyanets, i ndodhur pranë qytetit verilindor Sumy, ndërsa zoti Zelenskyy tha në fjalimin e tij mbrëmjen e së hënës se forcat ukrainase kanë çliruar Irpinin, i ndodhur në rrethinat e kryeqytetit Kiev.

*Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjensitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe Agence France-Presse.