Mali i Zi refuzon kërkesën e Beogradit për hapjen e tre qendrave të votimit për zgjedhjet në Serbi

Ministria e jashtme e Malit te ziMinistria e Jashtme e Malit të Zi refuzoi kërkesën e ambasadës serbe në Mal të Zi për hapjen e tre qendrave të votimit për zgjedhjet e 3 prillit në Serbi.

Vendimi u njoftua nga kryeministri malazez Zdravko Krivokapiç, pas kritikave të ashpra kundër tij nga partitë pro-serbe në Mal të Zi dhe nga zyrtarët e lartë të Beogradit.

Sipas një njoftimi të lëshuar të hënën nga zyra e kryeministrit Krivokapiç, Ministria e Jashtme malazeze kishte vendosur të refuzonte kërkesën e ambasadës serbe pa e njoftuar kryeministrin dhe shumicën e ministrave në qeveri.

Ata thanë se qeveria e udhëhequr nga zoti Krivokapiç, nuk ka marrë vendim për hapjen e qendrave të votimit në Mal të Zi, ku do të votonin qytetarët serbë që aktualisht jetojnë në vend.

“Vendimi i Ministrisë së Jashtme për të refuzuar kërkesën e Ambasadës së Republikës së Serbisë për hapjen e qendrave të votimit në Berane, Sutomore dhe Budva, për procesin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, parlamentare dhe lokale që pritet të mbahen më 3 prill në Serbi, është bërë nga ministri i jashtëm, Gjorgje Raduloviç”, thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit.

Partia pro-serbe, Fronti Demokratik kritikoi kryeministrin Zdravko Krivokapiç dhe ministrin Gjorgje Raduloviç për vendimin, duke thënë se ata po mundohen të pengojnë qytetarët serbë që jetojnë në këto komuna të marrin pjesë në zgjedhje.

“Ky është një vazhdim i politikës antiserbe. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse kemi parasysh se, ditë më parë, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç i ka kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, grurë dhe misër. Poashtu duhet kujtuar se vaksinat e para kundër COVID-19 kanë ardhur pikërisht nga Serbia, me pëlqimin dhe vullnetin e mirë të presidentit të Serbisë”, thuhet në deklaratë të Frontit Demokratik.

Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq paralajmëroi në lidhje me këtë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare “Mali i Zi do të marrë përgjigjen e Serbisë të martën, që do të jetë me pasoja të gjera”.

voa

Kurti: Për zgjedhjet serbe në Kosovë duhet të ketë marrëveshje mes dy vendeve

KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të martën, 22 mars, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, Kurti i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës.

Kurti u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

Ai është thënë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e vendeve të Kuintit në Kosovë.

Vendet e Kuintit janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën, në një aktivitet parazgjedhor, se “Qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet”, të cilat mbahen më 3 prill.

“Do të merrni nesër (të martën) përgjigjen”, ka thënë Vuçiq më 21 mars.

Autoritetet serbe kanë paralajmëruar që të martën, në ora 12:00 do të mbahet një takim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të vendosur “rreth hapave të ardhshëm”.

Udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë të hënën se autoritetet e Kosovës duan t’i pengojnë serbët e Kosovës që të votojnë më 3 prill.

Pjesëtarët e opozitës në Kuvendin e Kosovës i kanë bërë thirrje Qeverisë që të ketë kujdes në ruajtjen e sovranitetit të vendit në çfarëdo vendimi që mund të marrë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

 

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë referendum.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.

rel

DASH: Kosova të mos devijojë nga plani i tranzicionit të FSK-së

StatedepartamentShtetet e Bashkuara i mirëpresin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, por kërkesat për anëtarësim janë komplekse dhe kërkojnë një qasje afatgjate dhe të kujdesshme, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

“Kosova mund ta dëshmojë më së miri gatishmërinë e saj për përgjegjësitë që sjell anëtarësimi në NATO, duke vazhduar zbatimin aktiv të planit 10-vjeçar të tranzicionit [të Forcave të Sigurisë së Kosovës] dhe duke mos devijuar prej tij”, shtoi zëdhënësi.

Përgjigjja nga Departamenti amerikan i Shtetit vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një letre që mban datën e 10 marsit, i ka kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që të shfrytëzojë “udhëheqjen dhe ndikimin, për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit të Kosovës në NATO”.

“Meqë ndajmë qëllimin e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë i domosdoshëm”, ka thënë Osmani në letrën që ka parë Radio Evropa e Lirë.

Ajo ka thënë se sytë e botës tani janë te lufta në Ukrainë, por, sipas saj, “nuk duhet të harrojmë situatën e brishtë me të cilën përballemi në Ballkan”.

“Ne jemi të ekspozuar ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të minuar Kosovën dhe për të destabilizuar gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Osmani.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që “ta ndihmojnë Kosovën për të siguruar vendin e merituar përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.

“Ne vazhdojmë ta mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës derisa ajo bën përparim të rëndësishëm dhe domethënës në planin e saj 10-vjeçar të tranzicionit, i cili është zhvilluar me mbështetjen e SHBA-së, me qëllim të ndërtimit të një force mbrojtëse shumetnike, që nuk është vetëm në gjendje të mbrojë integritetin territorial të Kosovës, por edhe të kontribuojë në përpjekjet globale të sigurisë përtej kufijve të saj”, tha zëdhënësi.

Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të transformimit në ushtri të plotë që nga viti 2018. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Pritet që FSK-ja, gjatë transformimit, të dyfishojë numrin e forcave të saj dhe të bëhet një ushtri profesionale prej 5,000 trupash.

Detyrat e mëparshme të FSK-së kanë përfshirë reagimin ndaj krizave dhe mbrojtjen civile.

Pas miratimit të legjislacionit të nevojshëm për transformimin e saj, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se ky veprim është “i natyrshëm” për një “vend sovran dhe të pavarur” dhe kanë bërë thirrje për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.

NATO-ja, në anën tjetër, e ka cilësuar vendimin për FSK-në si “të pakohë” dhe ka thënë se është në kundërshtim me këshillat nga aleanca.

Rusia, aleate tradicionale e Serbisë – nga e cila Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 – e ka dënuar veprimin, duke thënë se ai është një shenjë se situata në Ballkan po përkeqësohet.

Krahas presidentes, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia nënkupton që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet ta bëjnë më të lehtë anëtarësimin e vendeve kandidate në radhët e tyre.

Kurti i ka bërë këto komente në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve AFP, më 8 mars.

“Në këtë situatë të jashtëzakonshme, ne nuk mund të sillemi normalisht… Prandaj, as anëtarësimi në BE, as anëtarësimi në NATO nuk mund të bëhen në mënyrat e vjetra”, ka thënë Kurti.

Ai nuk ka dhënë detaje se cila mund të jetë mënyra tjetër për anëtarësimin e vendeve në NATO, por ka thënë se Brukseli, si kryeqytet i NATO-s dhe i BE-së, duhet ta rimendojë mënyrën e re të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor.

Një zyrtar i NATO-s i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 21 mars se kriteret për anëtarësim në NATO janë të përcaktuara qartë në Traktatin e Uashingtonit [ose Traktatin Veri-Atlantik] dhe se “vendimet për anëtarësim në NATO merren nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, me votim unanim”.

Nga 30 shtete anëtare të NATO-s, katër prej tyre ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.

Jamie Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se, derisa Kosova mbrohet nga NATO-ja, ajo duhet të punojë drejt anëtarësimit – së pari duke hequr barrierën e shteteve që nuk e njohin.

 

Zyrtari i NATO-s ka thënë se angazhimi i kësaj organizate në Kosovë nuk ka ndryshuar dhe se ajo mbetet fuqishëm e përkushtuar, përmes misionit të saj paqeruajtës KFOR, i cili “kontribuon për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor”.

“Përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, ne gjithashtu vazhdojmë t’i kryejmë aktivitetet tona për ngritjen e kapaciteteve në mbështetje të organizatave të sigurisë në Kosovë, brenda mandatit të tyre fillestar. Çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë në KFOR bazohet në kushte dhe jo kalendarë”, ka thënë zyrtari.

Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë që nga qershori i vitit 1999, kur ka përfunduar lufta dhe forcat serbe janë tërhequr. Mbi 3,700 ushtarë nga vende të ndryshme të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë.

rel

Pengesa e Serbisë për në BE

putin vucicPas zgjedhjeve të 3 prillit dhe formimit të një shumice të re parlamentare dhe një qeverie të re, udhëheqja politike e Serbisë duhet të jetë e qartë në përkushtimin e saj ndaj zgjedhjes strategjike të Serbisë për Evropën”, thotë për Radion Evropa e Lirë Vlladimir Billçik, raportues i Parlamentit Evropian (PE).

Billçik e thekson këtë në përgjigjen e tij ndaj pyetjes se a pret përparim në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) këtë vit.

Gjatë tri javëve të agresionit rus kundër Ukrainës, Serbia nuk tregoi synimin e saj për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

 

Më 15 mars, BE-ja vendosi një paketë të katërt sanksionesh ndaj Moskës, duke e izoluar Rusinë nga sektori bankar dhe tregtar, me synimin për t’i ndalur vuajtjet në Ukrainë.

Menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, Billçik shprehu keqardhjen që Serbia nuk iu bashkua të gjitha sanksioneve të BE-së kundër regjimit të Vladimir Putinit, duke vlerësuar se zgjedhja e Serbisë do të ketë pasoja të gjera politike.

“Qëndrimi i Serbisë tashmë ka nxitur një debat të gjerë në Parlamentin Evropian, për perspektivën e saj evropiane. Pres që kjo çështje gjithashtu të luajë një rol të rëndësishëm në debatet politike mbi raportin tim për Serbinë në Parlamentin Evropian, më vonë këtë pranverë”, theksoi Billçik për Radion Evropa e Lirë.

Si raportues, Vlladimir Billçik i paraqet Parlamentit Evropian një raport për progresin e Serbisë në integrimet evropiane.

 

Porositë nga Brukseli për Beogradin

Që nga fillimi i agresionit rus, Brukseli i ka dërguar disa herë porosi Beogradit se vendet kandidate për në BE nuk pritet të tërhiqen mënjanë kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë.

Gjithashtu, në deklaratat e zyrtarëve evropianë është theksuar se renditja në anën e gabuar të konfliktit, do të ketë çmimin e vet.

Një ditë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Serbia tha se e konsideronte të gabuar shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës dhe mbështeti rezolutën e OKB-së që dënonte agresionin rus kundër Ukrainës.

Por, është i vetmi vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE dhe që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërkaq që është pothuajse edhe i vetmi vend në Evropë me një vendim të tillë.

Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për politikat e demokratizimit në Berlin, thotë për Radion Evropa e Lirë se Beogradi mendon se mund të vazhdojë të mbajë qëndrimin “edhe Rusia edhe BE-ja”.

“Në këtë moment gjeopolitik ‘ose-ose’, Beogradi e ka shpenzuar kapitalin e tij që të mund të nxirret sikurse deri më tash”, vlerëson ai.

 

Politika e Vuçiqit ‘edhe BE-ja, edhe Rusia’

Një nga shpjegimet e presidentit Aleksandar Vuçiq se pse Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë ishte se ajo nuk do të nxitojë drejt armiqësive për shkak se dikush po ia kërkon një gjë të tillë. Në të njëjtën kohë, Vuçiq nënvizoi se Serbia është në rrugën evropiane, sepse ky është orientimi i saj.

Edhe para agresionit rus ndaj Ukrainës, Vuçiq pati thënë se Serbia kishte orientim pro-evropian, por edhe se ruan marrëdhënie të mira me SHBA-në, Rusinë dhe Kinën.

Tani zyrtarët në Beograd thonë se nuk mund të vendosin sanksione ndaj Rusisë, për shkak të interesave të tyre jetike ekonomike dhe politike. Gjithashtu, i theksojnë edhe marrëdhëniet “tradicionalisht të mira” mes dy vendeve.

Përveç varësisë nga burimet ruse të energjisë, Serbia llogarit edhe në mbështetjen politike të Rusisë për Kosovën, pavarësinë e së cilës nuk e njeh. Në të njëjtën kohë, Serbia, nën patronazhin e BE-së, është duke negociuar me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve, që do të duhej të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Weber vlerëson se do të jetë jashtëzakonisht i vështirë vazhdimi i politikës së uljes në dy karrige, veçanërisht sapo të kalojnë zgjedhjet e prillit.

Në Serbi, më 3 prill, mbahen zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare.

 

Përkujtim i situatës Merkel-Tadiq

“Ky është padyshim një moment vendimtar për regjimin e tij (të Vuçiqit) – ai kujton ndryshimin e kursit politik të BE-së ndaj Serbisë në gusht të vitit 2011, kur Angela Merkel ndaloi politikën e regjimit të Tadiqit ‘edhe Kosova edhe BE-ja’, duke e vënë atë përballë një zgjedhjeje”, thotë Weber.

“Vendimi kundër BE-së, siç dihet, pati një ndikim vendimtar në rënien e regjimit të Tadiqit”, shton ai.

Në vitin 2011, kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel, i kërkoi presidentit serb, Boris Tadiq në Beograd, ndër të tjera, të shfuqizojë institucionet paralele (të cilat funksiononin sipas sistemit serb) në veri të Kosovës, gjë që ai nuk e pranoi.

Tadiq, i cili i humbi zgjedhjet në vitin 2012, proklamonte politikën “edhe BE-ja edhe Kosova”.

Pas bisedimeve me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, më 11 mars, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se ata që ndajnë “vlerat evropiane nuk mund të qëndrojnë anash kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë”.

 

Bodo Weber thekson se tani nuk është viti 2014.

“Me pushtimin rus të Ukrainës, i cili shkaktoi një unitet deri më tani të paimagjinueshëm si të BE-së, ashtu edhe të Perëndimit, situata ndryshoi brenda natës”, thotë Bodo Weber.

Serbia nuk iu bashkua sanksioneve që BE-ja i vendosi ndaj Rusisë në vitin 2014, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjes për forcat separatiste pro-ruse në lindje të vendit në Donjeck dhe Luhansk.

Serbia, gjithashtu, në OKB voton në anën e Rusisë, kur bëhet fjalë për rezolutat që dënojnë pushtimin rus të gadishullit ukrainas të Krimesë. ​

 

Rezervat e Beogradit rreth Rusisë

Edhe para pushtimit rus në Ukrainë, domosdoshmëria e harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së, përkatësisht bashkimi me sanksionet kundër Rusisë, ishte një temë e domosdoshme gjatë takimit të zyrtarëve evropianë me ata në Beograd.

“Do të ishte mirë që Serbia të vendoste më herët, tani presioni është edhe më i fortë në këtë situatë krize”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Natasha Dragojlloviq, koordinatore e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian.

Kjo platformë e shoqërisë civile bashkon më shumë se 750 organizata dhe ofron mbështetje të organizuar për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Konventa Kombëtare ka theksuar në mënyrë të përsëritur, në rekomandimet e saj drejtuar autoriteteve, se Serbia duhet të lëvizë më me vendosmëri drejt harmonizimit, pa marrë parasysh faktin se ajo nuk është formalisht e detyruar të pajtohet plotësisht me politikën e jashtme të BE-së deri në anëtarësim”, thekson Dragojlloviq.

Sipas saj, Serbia ka rritur nivelin e harmonizimit me vendimet e politikës së jashtme të BE-së, por tregon rezervën e vetme ndaj vendimeve që kanë të bëjnë me çështjet e Rusisë dhe Ukrainës.

Për herë të parë, Serbia respektoi vendimin e BE-së për sanksionet rreth Ukrainës që nga13 marsi, por ato sanksione nuk kanë të bëjnë me agresionin e Rusisë ndaj këtij vendi.

Gjegjësisht, bëhet fjalë për zgjerimin e sanksioneve ndaj ish-politikanëve ukrainas, përfshirë edhe ish-presidentin pro-rus, Viktor Yanukovych, për shkak të keqpërdorimit të fondeve shtetërore.

Më parë, në korrik të vitit 2021, Serbia pjesërisht u pajtua me sanksionet që BE-ja vendosi ndaj Bjellorusisë për shkak të shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut në atë vend.

Në prill të vitit 2021, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha kreut të atëhershëm të diplomacisë gjermane, Heiko Mass, se Beogradi do të kujdeset që për të gjitha çështjet, që nuk rrezikojnë drejtpërdrejt interesat më vitale kombëtare dhe shtetërore serbe, të arrijë harmonizim sa më të madh të mundshëm me vendet e BE-së. ​

 

A është i mundur pezullimi i përkohshëm i negociatave?

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vlladimir Billçik, thotë se instrumentet ekzistuese sikurse negociatat e pranimit, korniza e zgjerimit dhe instrumentet financiare të lidhura me zgjerimin, duhet të përdoren plotësisht për të arritur stimuj pozitivë për Serbinë pro-evropiane, duke përfshirë pozicionin e saj ndaj sanksioneve.

“Kjo është qasja që unë do ta mbështesja në javët dhe muajt e ardhshëm, për të punuar në ndryshimin e pozicionit të Serbisë. Ne duhet t’i përdorim të gjitha mjetet ekzistuese drejt zhvillimeve të mundshme pozitive në këtë çështje dhe jo për pezullimin”, thotë Billçik.

Më herët, grupi prej nëntë parlamentarësh nga grupimi politik liberal në Parlamentin Evropian i kërkuan Komisionit Evropian të ngrijë përkohësisht bisedimet e pranimit me Qeverinë serbe dhe të mohojë mbështetjen financiare për shkak të dështimit për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

“Serbia është e lirë të vendosë se në cilin drejtim dëshiron të shkojë, por nuk mund të vazhdojë të konsiderohet një bashkëbisedues i besueshëm dhe nuk mund të vazhdojë të përdorë ndihmën financiare të para-anëtarësimit derisa të vendosë”, thuhet në letrën e parlamentarëve.

Natasha Dragojlloviq, nga Konventa nacionale, thekson se nuk ka bazë formale për ndërprerjen e negociatave me Serbinë dhe ndërprerjen e asistencës para anëtarësimit, sepse përpos Komisionit Evropian, këtë vendim duhet ta përkrahin edhe të gjitha shtetet anëtare.

“Ky është një sinjal se kjo mund të radikalizohet, por nuk besoj se është e mundur të pezullohen negociatat me Serbinë ose të pezullohet ndihma e para-pranimit”, thotë Dragojlloviq për thirrjen që kanë bërë nëntë euro-deputetët.

Ajo, gjithashtu, vlerëson se është joreale të pritet ndonjë kthesë e papritur e politikës së jashtme apo tregtisë së jashtme të Serbisë në fushatën zgjedhore.

“Në qoftë se Serbia do të bënte një kthesë pak më radikale të politikës së jashtme, nuk është realiste të pritet një gjë e tillë para majit”, beson Dragojlloviq.

Sipas sondazheve të opinionit publik, shumë njerëz në Serbi e shohin Rusinë si një mbrojtëse dhe presidenti rus, Vladimir Putin, gëzon një popullaritet të madh.

Sipas një hulumtimi të Institutit joqeveritar për Çështjet Evropiane me qendër në Beograd, të publikuar në korrik të vitit 2021, numri më i madh i qytetarëve të anketuar të Serbisë, 83 për qind, besojnë se Rusia është mike e Serbisë.

Hulumtimi lidhur me BE-në nga e njëjta organizatë, në maj të vitit 2021, ka treguar që për anëtarësimin e Serbisë në BE do të votonin 48.9 për qind e të anketuarve, kundër do të ishin 28.4 për qind, nuk do të votonin 11.2 për qind e të anketuarve, ndërkaq 11.5 për qind nuk e dinë se si do të votonin. ​

 

Sa larg ka arritur Serbia në integrimin evropian?

Serbia filloi negociatat e anëtarësimit me BE-në, në vitin 2014. Që atëherë, janë hapur 18 kapituj negociues dhe dy janë mbyllur përkohësisht.

Megjithatë, gjatë vitit 2020, Serbia nuk hapi asnjë kapitull negociues.

Në shkurt të vitit 2020, u miratua një metodologji e re, kështu që 35 kapituj negociues u sistemuan në 6 grupime.

Deri më tani, janë hapur dy grupime, 1 – Bazat dhe 4- Agjenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme.

rel

Shqipëri, Basha jep dorëheqjen nga drejtimi i PD-së

PD BashaNë Shqipëri, kryetari demokrat Lulzim Basha dha sot dorëheqjen nga drejtimi i forcës kryesore politike të së djathtës. Zoti Basha udhëhoqi PD-në prej gati 9 vitesh, duke pasuar në këtë detyrë zotin Sali Berisha, i cili u largua pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013.

Pavarësisht disa humbjeve zgjedhore radhazi, ai mundi të ruajë pozitat drejtuese falë mbështetjes, që gëzonte nga ish kryeministri Berisha. Ishte përplasja me të, që shënoi dhe fillimin e fundit të tij në krye të një partie, që u përça dhe u dobësua nga lufta e brendshme.

Në shtator të vitit të kaluar, zoti Basha vendosi të linte jashtë grupit parlamentar zotin Berisha, për shkak të vendimit të autoriteteve amerikane për ta përcaktuar atë në listën e zyrtarëve të përfshirë “në korrupsion në nivel të lartë”, e për pasojë duke mos lejuar më hyrjen e tij dhe familjes së tij në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Ish kryeministri ndërmori menjëherë një lëvizje në bazën e partisë, duke tërhequr pas vetes mbështetësit e tij në degët e partisë dhe nga radhët e deputetëve. Në dhjetor, ai thirri një kuvend të demokratëve, në të cilin u votua shkarkimi i zotit Basha, vendim për të cilin u organizua dhe një referendum.

Lëvizjet e ish kryeministrit nuk u njohën nga zoti Basha, i cili po ashtu thirri një tjetër kuvend të demokratëve, duke ju kundërvënë zotit Berisha.

Përplasjet mes palëve u acaruan deri në konfrontime brenda selisë dhe ato kulmuan në 8 Janar, kur ish kryeministri dhe përkrahësit e tij u munduan të marrin me forcë selinë e partisë. Kjo shënoi atë që zoti Basha e cilësoi si “ndarjen përfundimtare” me ish kryeministrin.

Fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit i vuri sërish përballë të dyja palët. Këto zgjedhje u panë më së shumti si një test, se kush gëzonte mbështetjen më të madhe në gjirin e demokratëve. Me përjashtim të Shkodrës, ku fitoi kandidati i zotit Berisha, 5 bashkitë e tjera i mbetën socialistëve që regjistruan një diferencë të thellë me opozitën. Por ish kryeministri iu gëzua faktit që kandidatët e tij, me përjashtim të Rrogozhinës, arritën të kishin ndjeshëm më shumë vota se kandidatët e Bashës.

Kryetari demokrat habiti me deklararatën e tij, një ditë pas 6 marsit, kur tha se ai nuk kishte humbur asnjëherë, asnjë betejë elektorale. Por në të vërtetë, rezultati i atyre zgjedhjeve, ishte goditja që duket se e rrëzoi zotin Basha. Në kor, shumica dërrmuese e deputetëve që zgjodhën të qëndronin me të, i kërkuan largimin.

Në fjalën e mbajtur sot përballë mbledhjes së kryesisë dhe grupit parlamentar, kur deklaroi dorëheqjen, zoti Basha u shpreh se “fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shumë demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh të paparimta dhe të pavërteta që krijuan një frymë përcarje, dhe si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë. Për këtë arsye dhe për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, për atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët”.

Zoti Basha theksoi më tej se “këtë hap e hedh në funksion të shërimit të plagëve të hapura padrejtësisht në mendjet dhe zemrat e demokratëve”.

Por sa do të ndikojë kjo lëvizje e zotit Basha në ribashkimin e demokratëve? Mbështetësit e tij i kërkuan ditët e fundit të bënte një hap pas, dhe e kushtëzuan këtë lëvizje edhe me një tërheqje të zotit Berisha nga ambicia për të rimarrë drejtimin e PD-së. Edhe sonte, në një deklaratë që pasoi largimin e zotit Basha kërkohet që pala tjetër “të ofrojë të njëjtin mekanizëm për tërheqjen e zotit Berisha, i cili duhet të distancohet nga vendimmarrja në PD, duke u bërë kështu pjesë e zgjidhjes për të shmangur përçarjen e PD dhe për të bërë të mundur bashkimin mes demokratëve”. Grupi parlamentar madje shton se “në këtë rast kërkojmë respektimin e vlerave dhe parimeve statutore të PD, me qëllim shmangien e pasojave të deklaruara publikisht nga SHBA”. Me fjalë të tjera, grupi parlamentar duket se nuk ka bërë asnjë hap pas nga qëndrimi që ka mbajtur zoti Basha lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara ndaj zotit Berisha.

Sipas tekstit të deklaratës, grupi “shpeh gatishmërinë për të negociuar me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme, që sjell ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të brendshëm dhe i hap rrugë Bashkimit”, duke njoftuar se do të kërkojë ndërmjetësimin e Partive Popullore Europiane, “me qëllim lehtësimin e komunikimit dhe gjetjen e një zgjidhje afatgjatë dhe të pranueshme”.

Por ish kryeministri Berisha e ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë e tërheqjes, duke theksuar se në një demokraci funksionon mekanizmi i votës së lirë. Edhe sonte në një reagim, pas dorëheqjes së zoti Basha, ai i mëshoi sërish kësaj teze. “Rikthimi tek vota e lirë i çdo demokrati dhe njohja e kontributeve të gjithesecilit është rruga e vetme që sjell bashkimin dhe më pas fitoren e PD-së”, shkroi ai në një status në Facebook. Fakti që deputetët e grupit parlamentar demokrat ripohojnë se i qëndrojnë besnikë pozicionit të mëparshëm ndaj raportit të krijuar mes SHBA-ve dhe ish kryeministrit, që ishte dhe shkaku i ndarjes, vështirë se mund të çojë në një afrim mes palëve.

Duket se dhe anëtarët e grupit parlamentar janë të vetdijshëm për këtë duke qenë se në deklaratën e tyre vlerësojnë se “se pas realizimit të dakordësisë për pikat e mësipërme, i hapet rrugë mundësisë për të gjetur një mekanizëm konsensual, në konsultim edhe me institucionet e tjera të Partisë”, që do të ketë si synim “ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve; përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe riorganizimin e partisë në bazë; dhe përgatitjen e kushteve të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve në të gjitha strukturat drejtuese në qendër menjëherë pas zgjedhjeve lokale”.

Në një situatë të tillë, Partia Demokratike duket se do të kalojë një periudhë të gjatë paqartësish dhe në një garë të vazhdueshme mes palëve. Për më tepër, qëndrimi i grupit parlamentar nuk është marrë në unanimitet, por vetëm nga “shumica e anëtarëve të tij”, siç deklaroi kryetari i grupit Enkelejd Alibeaj. Gjë e cila mund të çojë në rrjedhje të tjera drejt zotit Berisha.

Sipas statutit të Partisë Demokratike, në rastin e dorëheqjes “Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”. Nga katër nënkryetarë, PD-ka ka aktualisht vetëm dy në detyrë, zotin Enkelejd Alibeaj dhe zonjën Jorida Tabaku. Dy të tjerët, Agron Gjekmarkaj dhe Grida Duma, dhanë dorëheqjen pas 6 marsit.

Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi bëri të ditur më vonë, se ai kishte thirrur menjëherë dy nënkryetarët dhe drjetuesen e Këshillit Kombëtar Arta Sakja. “Në takim kam marrë konfirmimin e Nënkryetares znj. Tabaku se heq dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë. Për pasojë, në përputhje me nenit 46 të Statutit, drejtimi i partisë në këtë periudhë tranzitore, deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë, do të behet nga Nënkryetari i Partisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar zoti Enkelejd Alibeaj”, njoftoi zoti Bardhi.

 

Reagimet ndërkombë​tare

Ambasada amerikane reagoi pak pas dorëheqjes se zotit Basha duke vlerësuar se vendimi i marrë prej tij “meriton respekt. Vënia e interesave të partisë dhe të vendit mbi ato personale është shenjë e udhëheqësisë së vërtetë”.

Ambasada shprehet më tej se “shpresojmë që vendimi do të përcaktojë rrugën, që Partia Demokratike të ecë përpara drejt së ardhmes; do të forcojë marrëdhënien e veçantë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara; do të përforcojë mbështetjen për reformat dhe përpjekjet e tjera për qëllimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian; dhe do të ritheksojë parimet dhe idealet demokratike, mbi të cilat u themelua. Një opozitë e fortë, që mund të jetë e gatshme për të udhëhequr, është thelbësore për demokracinë”, nënvizon deklarata e cila mbyllet duke theksuar se “mbështetja e Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe përkushtimi për të luftuar korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë mbeten të pandryshuara”, një referencë e qartë për vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit, kundrejt zotit Berisha.

Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë u shpreh gjithashtu se respekton vendimin e zotit Basha, duke shtuar se “si çdo demokraci tjetër, Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë që i kërkon llogari qeverisë dhe e kontrollon atë. Ne presim që lidershipi i ri ta luajë këtë rol vendimtar dhe të vazhdojë të mbështesë integrimin në BE, si qëllim themelor të veprimit të tij, duke nxitur reformat dhe duke mbështetur reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit”, përfundon deklarata e Delegacionit të BE-së.

 

voa

Inflacioni dhe çmimet rekorde

InflacioniProdhuesit kanë rritur në mënyrë drastike çmimet e tyre në shkurt. E në këto çmime nuk merret parasysh lufta në Ukrainë!

Çmimet e prodhimit të produkteve komerciale u rritën mesatarisht me 25.9 përqind në shkurt në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. “Kjo ishte rritja më e lartë që nga fillimi i matjeve në vitin 1949,” kumtoi Zyra Federale e Statistikave të hënën.

Çmimet e prodhimit shihen si pararendës i zhvillimit të inflacionit. Në statistika shënohen çmimet e produkteve që nga porta e fabrikës – pra edhe para se produktet të përpunohen ose shiten më tej.

Sipas statisticienëve, arsyeja kryesore e rritjes së madhe të çmimeve të prodhimit është prapë energjia. Çmimi i energjisë është rritur në shkurt me një mesatare prej 68 përqind. Gazi natyror ka kushtuar 125,4 përqind më shumë se në shkurtin e vitit 2021. Energjia elektrike dhe vaji për ngrohje janë rritur me 56,9 përqind.

 

Lufta në Ukrainë

Nëse nuk përfshihet në përqindje rritja e çmimit të energjisë, atëherë çmimet e prodhimit janë rritur me rreth 12.4 përqind më shumë se një vit më parë. Çmimet e gjërave ushqimore janë rritur me 9.2 përqind. Çmimet e vajrave bimore janë rritur 50,1 përqind, gjalpit me 64,4 përqind dhe kafeja 16,9 përqind. Rritje të larta ka pasur edhe për metalet, plehrat dhe ambalazhet prej druri.

“Zhvillimet aktuale të çmimeve nuk kanë përfshirë edhe pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”, thotë autoritetet e statistikave. Llogaritjet e këtyre çmimeve janë bërë me 15 shkurt, pra para fillimit të luftës.

Që nga sulmi rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022, çmimet e energjisë, plehrave dhe ushqimeve si gruri dhe vaji i lulediellit kanë vazhduar të rriten, me pasoja shkatërruese në veçanti për vendet në zhvillim.

 

Në ndërtimtari mungojnë gjërat elementare

 

Duke pasur parasysh luftën dhe sanksionet që kanë lidhje me luftën, industria gjermane e ndërtimit paralajmëroi madje se mund të arrihet deri tek ndërprerja e ndërtimeve në Gjermani. “Nuk mund të themi me siguri sot, nëse do të ketë material të mjaftueshëm për të gjitha kantieret e ndërtimtarisë në Gjermani”, tha të premten menaxheri i përgjithshëm i Shoqatës kryesore të Industrisë Gjermane të Ndërtimit (HDB), Tim Oliver Müller.

Ndërkohë janë ndërprerë edhe dërgesat e gjërave elementare si gozhdat apo vidat, të cilat mungojnë për shkak të sanksioneve. Si pasojë e luftës, ditët e fundit ka pasur rritje të mëdha të çmimeve edhe për çelikun, aluminin dhe lëndën e parë bitum, që kërkohet për prodhimin e asfaltit.

Ndaj furnizuesit me materiale nuk bëjnë më asnjë ofertë detyruese për këto materiale. “Në disa raste, çmimet garantohen vetëm për disa orë. Prandaj është e pamundur të llogariten dhe të dorëzohen ofertat si më parë,” thotë Müller.

 

Të prekur gati të gjithë

Shumica e kompanive gjermane po i vërejnë tani efektet e luftës në Ukrainë, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Në një anketë të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK), për të cilën javën e kaluar u anketuan 3700 kompani, 78 përqind prej tyre deklaruan se ishin të prekura nga kjo luftë. Vetëm 22 përqind nuk kanë ndjerë deri tani asnjë pasojë të luftës dhe sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.

Rezultatet për industrinë janë veçanërisht alarmante, tha drejtori i përgjithshëm i DIHK, Martin Wansleben. Dy nga tre kompani gjermane deklarojnë se janë të detyruara që çmimet t’ua faturojnë klientëve. “Këtu ka një potencial shtesë inflacioni.” Tre të katërtat e kompanive industriale kanë probleme në logjistikë dhe në zinxhirët e furnizimit, pothuajse 90 përqind raportojnë mungesë të lëndëve të para dhe produkteve paraprake. Importet e rëndësishme nga Rusia për industrinë gjermane përfshijnë aluminin, nikelin dhe titanin.

Sipas një sondazhi në industrinë metalike dhe elektrike, 69 përqind e të gjitha kompanive presin rritje të kostos dhe pothuajse gjysma prej tyre presin humbje të dukshme në shitje dhe fitime, raporton Shoqata e punëdhënësve Gesamtmetall.

 

Rënia më e madhe se ajo nga pandemia?

Shefi ekzekutiv i shoqatës, Oliver Zander, paralajmëroi nga ndalimi i blerjes së naftës dhe gazit rus, me qëllim që Rusia të dëmtohet dhe të tregohet solidaritet me Ukrainën. “Ndalimi i blerjes së naftës dhe gazit rus do të shoqërohej me pengesa të furnizimit të llojit më të rëndë dhe nuk do të ishte ekonomikisht i qëndrueshëm”, tha Zander. Shumë vende pune do të humbnin. “Ne ndoshta tashmë mund të supozojmë se situata aktuale dhe sanksionet aktuale do të çojnë në një rënie ekonomike që do t’i afrohet Coronës, por ndoshta edhe do ta tejkalojë atë.”

Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore (IfW) nuk pret që çmimet të normalizohen për momentin. “Norma e inflacionit këtë vit, me rreth 5.8 përqind, mund të jetë më e lartë se kurrë më parë në Gjermaninë e ribashkuar,” thotë parashikimi aktual. Nëse çmimet e gazit rriten me 50 përqind krahasuar me një vit më parë, e mundur është edhe një normë inflacioni prej më shumë se gjashtë përqind.

Nga ana tjetër, IfW ka ulur ndjeshëm parashikimin e saj për rritjen ekonomike në Gjermani, sikur edhe institutet e tjera të mëdha.

 

 

bc/bea/hb (dpa, reuters, afp)

Drejtoresha e Gjimnazit të Tetovës: Persona të punësuar në komunë më kanë kërkuar të jap dorëheqje

Gjimnazi-TetovëDrejtoresha e Gjimnazit të Tetovës, “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Kamberi Llalla, ka akuzuar sot këshilltarin e jashtëm të kryetarit të komunës, Sedat Sulejmani, se ditë më parë, ka kërkuar nga ajo që të jep dorëheqje me shkrim nga posti i drejtorit të shkollës.

Teuta Kamberi Llalla këtë rast e ka paraqitur edhe në polici, ndërsa tha se dy persona të punësuar në Komunën e Tetovës i kanë kërkuar të jep dorëheqje pa i dhënë asnjë sqarim.

“U prezantua si i autorizuar nga kreu i komunës dhe kërkoi që deri ditën e sotme ta ofroj dorëheqjen time me shkrim tek kryetari i komunës. Arsyet unë vërtetë nuk i di dhe cili është qëllimi. Kërkova takim me kryetarin e komunës por zotëri Sadati më tha sa edhe pse e kishte parapri kryetari takimin me mua, nuk do të më takojë. Më është shkelur një e drejtë themelore se unë jam person juridik dhe drejtoj një institucion dhe kërkoj nga organet kompetente të më tregojnë se cili është statusi juridik i zotëri Sadatit në komunën e Tetovës dhe me çfarë arsye është angazhuar që të komunikojë me një drejtor shkolle”, tha Teuta Llalla.

Nga komuna e Tetovës, mohojnë të ketë ndodhur një gjë e tillë.

Drejtuesi i sektorit për arsim të komunës së Tetovës Nazmi Dauti, është shprehur se, me drejtoreshën në fjalë, përkundrazi kanë pasur dhe kanë raporte shumë të mira.

“Zyrtarisht nga komuna e Tetovës nuk është e vërtetë që drejtoreshës i është kërkuar dorëheqja, pasi unë, me autorizim të kreut të komunës jam udhëheqës i Sektorit për veprimtari publike dhe ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me drejtorinë e shkollës, konkretisht me Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” dhe për çfarëdo problematike të shfaqur ne kemi qenë në koordinim të vazhdueshëm me drejtorinë. Sa i përket kërcënimeve në fjalë nuk kam informatë se nga ana e komunës, personat në fjalë që ju i apostrofuat kanë kërcënuar drejtoreshën e shkollës”, u shpreh Nazmi Dauti – përgjegjës për arsim.

Rasti u konfirmua edhe nga Policia e Tetovës, nga ku njoftojnë se, personat e apostrofuar, janë thirrur në bisedë informative dhe pas zbardhjes së rastit, do të merren edhe masat me parashtresat adekuate.

telegrafi

Çfarë janë armët hipersonike dhe kush i disponon ato?

hipersonik 1Shumë vende kanë folur për përpjekjet e tyre për të prodhuar armë hipersonike, të cilat i konsiderojnë si vendimtare.

Por cilat janë këto armë? Kush i disponon ato? Dhe sa revolucionare janë ato?

 

Çfarë janë armët hipersonike?

Armët hipersonike fluturojnë me shpejtësi të paktën mbi pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit dhe janë lehtësisht të manovrueshme, me aftësinë madje për të ndërruar kursin gjatë fluturimit. Ato ndryshojnë nga raketat balistike, të cilat gjithashtu mund të lëvizin me shpejtësi hipersonike, por e kanë trajektoren të paracaktuar dhe manovrueshmërinë të kufizuar.

 

Cilat janë llojet e ndryshme të armëve hipersonike?

Ekzistojnë dy kategori kryesore të armëve hipersonike: mjete hipersonike që mbarten nga një mjet tjetër fluturues; dhe raketa hipersonike me vetëdrejtim (kruz).

Këto të parat shkëputen për t’u lëshuar nga raketa, që i ka transportuar dhe “rrëshkasin” në hapësirë drejt objektivit me shpejtësi 5 herë më të lartë se shpejtësia e zërit.

Raketat hipersonike kruz përdorin motorë të shpejtësisë së lartë.

 

Cila është domethënia e tyre?

Kapaciteti për të nisur armë me manovrueshmëri të lartë dhe shpejtësi hipersonike i jep vendeve një avantazh të konsiderueshëm, pasi armë të tilla mund të shmangin pothuajse të gjitha sistemet mbrojtëse që janë aktualisht në përdorim.

“Nuk ka rëndësi se cili është kërcënimi. Nëse nuk e shikon dot, nuk mund të mbrohesh ndaj tij”, i tha një audience në Uashington, Gjenerali John Hyten, ish-shef shtabi i ushtrisë amerikane.

Kur ishte komandant i Komandës Strategjike të Shteteve të Bashkuara në vitin 2018, zoti Hyten tha se “nuk kemi asnjë mbrojtje që do të neutralizonte përdorimin e një arme të tillë ndaj nesh… Mbrojtja jonë e vetme, janë kapacitetet që dekurajojnë vënien e tyre në përdorim”.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se megjithëse ekzistojnë disa radarë tokësorë, që mund të diktojnë armët hipersonike, ato nuk mjaftojnë për të dhënë në kohën e duhur paralajmërimin për sulmin. Zyrtarët, ndër ta edhe Gjenerali tashmë në pension Hyden, kanë bërë thirrje për ndërtimin e një sistemi radarësh në hapësirë.

 

hipersonikÇfarë i dallon armët hipersonike nga raketat balistike?

Edhe raketat balistike munden të fluturojnë me shpejtësi hipersonike, por ato kanë trajektore të përcaktuar dhe manovrueshmëri të kufizuar.

 

Cilat vende po prodhojnë armë hipersonike?

Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina po prodhojnë armë hipersonike. Edhe vende të tjera po bëjnë punë kërkimore për këto lloj armësh, ndërsa disa vende kanë bërë pretendime të paverifikueshme se kanë testuar armë të tilla.

Në vazhdim një pasqyrë e vendeve që po prodhojnë aktualisht armë hipersonike.

 

Shtetet e Bashkuara

Ushtria amerikane kërkoi një fond prej 3.8 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2022 për prodhimin e armëve hipersonike, si dhe 246.9 milionë dollarë për të bërë punë kërkimore për mbrojtjen ndaj armëve të tilla. Pjesa më e madhe e armëve hipersonike amerikane janë ende në fazën e prodhimit apo testimit. Të paktën një sistem i këtillë pritet të arrijë stadin operacional brenda këtij viti. Armët hipersonike amerikane mbartin mbushje konvencionale.

 

Rusia

Rusia është marrë me teknologjinë e armëve hipersonike që në vitet 1980. Zyrtarët ushtarakë rusë thanë më 19 mars se dërguan për herë të parë raketa hipersonike ndaj një objektivi në Ukrainë, që thanë se shërbente si një depo e nëndheshme armësh në pjesën perëndimore të vendit. Në vitin 2018, Presidenti Vladimir Putin u krenua me raketën hipersonike Kinzhal dhe mjetin hipersonik Avangard. Moska po prodhon edhe raketën hipersonike Tsirkon, që mund të niset nga bordi i një anijeje. Mediat ruse kanë pretenduar gjithashtu se sistemi Avangard është futur në funksionim që në dhjetor 2019.

 

Kina

Zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe të shërbimeve të zbulimit thonë se Kina po prodhon raketa dhe mjete hipersonike, dhe se mund të ketë futur tashmë në përdorim të paktën një raketë që ka kapacitetin të transportojë mjete hipersonike. Zyrtarët amerikanë thonë se Pekini ka kryer “qindra” testime të armëve hipersonike gjatë periudhës 2016-2021, ndërsa Uashingtoni bëri vetëm nëntë testime gjatë të njëjtës periudhë. Gjenerali Mark Milley, shef shtabi i ushtrisë amerikane, e cilësoi si “shumë domethënës” një testim të rëndësishëm hipersonik të bërë nga Kina në gusht 2021.

“Po përjetojmë një nga zhvendosjet më të mëdha të fuqisë gjeostrategjike globale… Ndodh vetëm një herë në kaq kohë”, tha Gjenerali Milley.

 

Koreja e Veriut

Koreja e Veriut pretendon se ka testuar deri më tani me sukses nisjen e dy raketave hipersonike gjatë këtij viti – njërën më 5 janar, dhe të dytën më 11 janar, sipas njoftimeve të agjensisë shtetërore të lajmeve koreanoveriore. Zyrtarët amerikanë nuk i kanë konfirmuar deri më tani këto pretendime dhe kanë thënë se kanë qenë vetëm testime raketash balistike. Udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un ka thënë se raketat hipersonike do të rrisnin së tepërmi aftësinë e vendit të tij për të dekurajuar një sulm bërthamor, një pozicion ky që shumë ekspertë thonë se vendos në rrezik Korenë e Jugut.

 

Vende të tjera

Australia, India, Franca, Gjermania dhe Japonia po prodhojnë teknologjinë që nevojitet për armët hipersonike. Irani, Izraeli dhe Koreja e Veriut gjithashtu njoftohet se kanë përmbushur atë që konsiderohet si “puna themelore kërkimore” për armët hipersonike.

voa

Katari do të ndihmojë Gjermaninë të reduktojë varësinë nga gazi rus

Ministri gjerman i Ekonomisë Habeck në KatarMinistri i Ekonomisë, Robert Habeck ishte në Doha për bisedime mbi forcimin e sigurisë energjetike të Gjermanisë pas pushtimit rus të Ukrainës. Të dyja palët kanë rënë dakord për një partneritet afatgjatë.

Gjermania dhe Katari kanë rënë dakord për një partneritet afatgjatë energjetik për të reduktuar varësinë nga gazi rus pas pushtimit të Ukrainës, tha të dielën ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck. Habecku, i cili është në një vizitë në dy vende në Gjirin Arab, takoi Emirin e Katarit Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani në Doha. “Dita fitoi një dinamikë të fortë,” tha Habecku, duke shtuar se Emiri kishte premtuar më shumë mbështetje sesa priste Gjermania.

“Edhe pse ne mund të kemi ende nevojë për gazin rus këtë vit, në të ardhmen nuk do të jetë kështu. Dhe ky është vetëm fillimi,” shtoi Habecku. Katari është një nga tre eksportuesit më të mëdhenj të gazit natyror të lëngshëm (LNG). 

Projekte të energjisë së rinovueshme në horizont

Në një kohë që vizita e ministrit pritej gjerësisht të siguronte furnizimin me LNG të Gjermanisë, Habecku tha se marrëveshja mbulonte gjithashtu zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe masat për të promovuar eficiencën e energjisë.

Një zëdhënës i ministrisë gjermane të Ekonomisë në Berlin konfirmoi më vonë se ishte arritur një marrëveshje. “Kompanitë që erdhën në Katar me [Habeckun] tani do të fillojnë negociatat e kontratës me palën e Katarit”, tha zëdhënësi.

Berlini planifikon të sjellë LNG në Gjermani duke e ngarkuar në bordin e anijeve. Por nuk ka terminale për ta pranuar atë për shkak të varësisë së trashëguar nga gazi i tubacionit.Gjermania ka njoftuar plane për të ndërtuar dy terminale të rinj LNG, por ata nuk ka gjasa të përfundojnë përpara vitit 2026. 

Ndalesa tjetër: Emiratet e Bashkuara Arabe

Udhëtimi i Habeckut tani vazhdon në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), të cilat po ripozicionohen si një qendër e gjelbër hidrogjeni.

Emiratet e Bashkuara Arabe mund të ndihmojnë gjithashtu Gjermaninë të arrijë qëllimin e saj afatgjatë për kalimin në burime më të pastra të energjisë. Gjermania po shqyrton mënyra për të diversifikuar burimet e saj të gazit natyror për ta bërë vendin më pak të varur nga Rusia.

Megjithatë, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ndaluar eksportet ruse të naftës, Gjermania thotë se do të duhen disa muaj ose më shumë për të diversifikuar furnizimet e saj. Berlini tashmë ka pezulluar licencën e funksionimit për gazsjellësin e ri Nord Stream 2, i cili do të transportonte gazin natyror rus në Gjermani nëpërmjet Detit Baltik. 

Kërkesa për gaz rus mbetet e lartë

Megjithatë, shoqata gjermane e industrisë së energjisë BDEW tha javën e kaluar se pjesa e Rusisë në furnizimin me gaz në Gjermani në periudhën janar-mars, e cila nuk është publikuar zyrtarisht, mbeti në 40%.

Një grup ekonomistësh vlerësuan javën e kaluar se vendet e BE kanë transferuar më shumë se 13.3 miliardë euro (14.7 miliardë dollarë) në Rusi për naftë, gaz natyror dhe qymyr që nga fillimi i luftës.

aud/mm/fb (dpa, Reuters)

Ndihma prej 1.000 denarë, e papërfillshme përballë rritjes së çmimeve në Maqedoni

pensionistePensionistët dhe personat me status të rrezikuar social në Maqedoninë e Veriut, që marrin ndihmë nga shteti, thonë se 1 mijë denarë (16 euro) që shteti u ka ndarë si ndihmë shtesë, janë të pamjaftueshme për të përballuar valën e rritjes së çmimeve.

Qeveria maqedonase ka ndarë këtë ndihmë shtesë për këtë kategori shoqërore për muajt mars, prill dhe maj.

Nikolla Georgievski, pensionist, i cili jeton i vetëm me një pension prej 11 mijë denarësh (178 euro), thotë se për të është blerja e produkteve ushqimore është bërë e papërballueshme pas shtrenjtimit të çmimeve.

“Është shumë e vështirë pasi produktet ushqimore, gjithçka që sheh, është shtrenjtuar. Mos të flasim për rritjen e faturave. Çfarë të bëjë me 1 mijë denarë më përpara, të blej ushqim që ta mbaj gjallë veten apo të paguaj faturat që janë shtrenjtuar? Nga pensioni prej 11 mijë denarëve, më shumë se një e treta shkon për fatura, po aq duhet të ndaj për ilaçe pasi vuaj nga shumë sëmundje. Kështu që, më pak se 4 mijë denarë [65 euro] mbeten për ushqim”, thotë ai.

Ndërkaq, Naser Fetahi, i cili jeton me ndihmë sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se me të ardhurat që merr nuk mund të sigurojë rezerva ushqimore për një muaj.

“Janë rritur shumë çmimet, gjithçka është më shtrenjtë. Mund të sigurojmë rezerva me çmime më të ulëta. Nëse më angazhon dikush [për punë], blej diçka atë ditë për shtëpi”, thotë Fetahi.

Për shkak të rritjes së çmimeve pas krizës botërore për shkak të konfliktit në Ukrainë, në Maqedoninë e Veriut që nga 17 marsit është hequr Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për produktet bazë ushqimore, masë që është pjesë e pakos kundër krizës në vlerë prej 400 milionë eurosh, që është miratuar në Kuvendin e RMV-së.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Terençevska, thotë për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i ekzekutivit është që të ndihmohet kategoria e shoqërisë, që preket më së shumti nga kriza e rritjes së çmimeve.

“Ndoshta kjo shumë nuk është e mjaftueshme, mirëpo qëllimi i Qeverisë është që në periudhën e krizës me COVID-19, në periudhën e krizës ekonomike, të mbulojë një numër sa më të lartë qytetarësh. Në atë drejtim janë edhe masat që kanë të bëjnë edhe me pranuesit e ndihmave të garantuara minimale, të masave për mbështetje financiare që merren edhe për pensionistët dhe të gjitha masat nga Paketa – që janë 26 masa – me të cilat duam të prekim edhe qytetarët, edhe kompanitë që t’iu mundësojmë qytetarëve që më lehtë ta përballojnë krizën ekonomike. Ndërkaq, edhe kompanive mëtojmë t’iu ndihmojmë në lidhje me likuiditetin e tyre”, thekson Terençevska.

Por, ekspertët e ekonomisë theksojnë se për kategorinë e rrezikuar sociale më e rëndësishmja është të sigurohet burime të qëndrueshme për këto familje, pasi ndihmat paraqesin një sanim të përkohshëm të situatës dhe jo zgjidhje.

“Ky 1 mijë denarëshi që Qeveria e ka ndërmarrë si parim për të ndihmuar këtë kategori të njerëzve, patjetër është për t’u përshëndetur dhe nuk mund ta llogarisim si masë përmes së cilës tentohet të ruhet revolta e qytetarëve nga rritja e çmimeve. Pasi, ai 1 mijë denarësh nuk është se do t’iu hyjë shumë në punë njerëzve që janë me të ardhura të ulëta, por gjithsesi se kjo shumë për pensionistët ka vlerë të shtuar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arben Halili, ligjërues i ekonomisë në Universitetin e Tetovës.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i atyre që marrin ndihmë sociale që prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit më 2020 është rritur nga 27 mijë në mbi 36 mijë familje.

telegrafi