Ukraina refuzon ultimatumin rus për dorëzimin e Mariupolit

ukrainaUkraina hodhi poshtë një ultimatum rus për të dorëzuar qytetin e rrethuar të Mariupolit të hënën, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha se është gati për negociata paqeje me presidentin rus, Vladimir Putin.

Zëvendëskryeministrja ukrainase, Irina Vereshchuk, hodhi poshtë kërkesën ruse dhe tha se Rusia duhet të hapë korridore humanitare, që civilët të mund të largohen nga Mariupoli.

“Nuk mund të flitet për ndonjë dorëzim, apo dorëzim të armëve. Ne e kemi informuar tashmë palën ruse për këtë”, tha zonja Vereshchuk për gazetën “Ukrainian Pravda”.

Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA, ministria ruse e Mbrojtjes i dha ushtrisë së Ukrainës një afat deri para agimit të së hënës dhe iu referua refuzimit për t’u dorëzuar si rreshtim me “banditët”.

Ultimatumi u bë disa orë pasi presidenti Zelenskyy i tha rrjetit CNN në një intervistë të transmetuar të dielën se dështimi për të arritur një marrëveshje të negociuar me Rusinë “do të thoshte se kjo është një Luftë e tretë Botërore”.

Presidenti Zelenskyy bëri thirrje për bisedime gjithëpërfshirëse për paqe me Moskën me të cilat do të rivendosej, siç tha ai, tërësia tokësore dhe do të sigurohej drejtësi për Ukrainën. Negociatori kryesor i Rusisë tha se palët janë më afër marrëveshjes që Ukraina të heqë dorë nga qëllimi i saj për t’u anëtarësuar në NATO.

Presidenti Zelenskyy i tha rrjetit CNN se forcat ruse hynë në Ukrainë: “për të na shfarosur, e vrarë”, por ai tha se Ukraina nuk do të hiqte dorë nga sovraniteti apo integriteti i saj.

“Rusët kanë vrarë fëmijët tanë. Nuk mund ta kthejmë pas atë që ka ndodhur. Nuk mund të kërkosh nga Ukraina të njohë disa territore si republika të pavarura. Këto kompromise janë thjesht të gabuara”, tha presidenti Zelenskyy.

 

voa

Shqipëria ndër 10 vendet më të korruptuara në botë, sipas indeksit të lumturisë

KorrupsionShqipëria renditet ndër 10 vendet më të korruptuara në botë, sipas perceptimit të qytetarëve të saj.

Një nga gjashtë variablat e Indeksit të Lumturisë 2022, të publikuar pak ditë më parë nga OKB, është dhe perceptimi për korrupsionin, që matet nga sondazhet me qytetarët për dy pyetje: “A është korrupsioni i përhapur në qeveri apo jo?” dhe “A është korrupsioni i përhapur tek bizneset?”.

Për periudhën 2019-2021, Shqipëria ka një pikëzim për këtë tregues prej 0.03, duke u renditur e 9-a në botë.

Qytetarët e Ballkanit në përgjithësi mendojnë se korrupsioni është i përhapur. Bosnjë Hercegovina është e dyta në botë, pas Afganistanit. Shtete të tjera të rajonit, qytetarët e të cilëve mendojnë që korrupsioni është i lartë janë Rumania, Bullgaria.

Në listë pas nesh është Maqedonia e veriut dhe më pas Kosova. Të dy këto shtete të fundit në renditjen e mëparshme ishin pozicionuar më keq sesa Shqipëria.

Shteti, që perceptohet nga qytetarët e vet si më pak i korruptuari në botë vijon të jetë, është Singapori.

Në listën e më pak të korruptuarave janë dhe vendet nordike, Danimarka, Finlanda, Suedia, Norvegjia. Suedia dhe Zelanda e Re vlerësohen gjithashtu nga qytetarët e tyre si më pak të korruptuarat.

Perceptimi i lartë që kanë qytetarët dhe bizneset shqiptare për korrupsionit është një nga treguesit që na penalizon në indeksin e lumturisë. Ky indeks e rendit Shqipërinë të parafundit në Europë.

Shqipëria renditej në vendin e 90, nga 146 shtete gjithsej, ndërsa nga shtetet e Europës lë pas Turqinë, që është në vendin e 112.

Raporti i Lumturisë është i bazuar në një anketë vjetore, ku pyeten rreth 1000 individë në rreth 150 vende të botës, të cilëve iu kërkohet që të rendisin, nga 1 në 10, për të parë nëse janë duke jetuar mirë apo jo. (Shqipëria ka marrë këtë vit 5.199 pikë).

Treguesit në të cilët bazohet indeksi marrin për bazë të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.

Studiuesit kanë përdorur gjashtë tregues për të kuptuar rezultatet: Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, bamirësinë, lirinë për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.

Në kontrast nga shqiptarët e Shqipërisë, shqiptarët e Kosovës renditen populli më i lumtur në rajon dhe ndër më të lumturit në botë, duke u renditur në vendin e 32, pothuajse njësoj sa italianët e spanjollët.

Monitor

Opozita maqedonase kundër gjuhës shqipe në uniformat e policisë

PolicijaVendimi i Qeverisë që uniformat e policisë të jenë në dy gjuhë, në maqedonisht dhe shqip, ka shkaktuar reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut, në veçanti tek opozita maqedonase, e cila e kritikon Qeverinë se në vend që të merret me çështjet ekonomike, ajo po merr vendime të tjera të panevojshme, sipas VMRO DPMNE-së.

Kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski, tha se kryeministri Dimitar Kovaçevski është në gjendje, siç tha, që edhe në ballin e tij të shkruajë në tri apo pesë gjuhë, vetëm që të mos merret me problemet reale të qytetarëve.

“Unë do të befasohesha sikur dikush prej tyre të sillte këtu ndonjë fabrikë. Kjo që kanë bërë aspak nuk më befason pasi kryeministri Kovaçevski edhe në ballë mund të shkruajë në tri apo pesë gjuhë. E përsëris, do të befasohesha sikur ai të hapte ndonjë fabrikë të re, sikur të hapte vende pune, të rritej ekonomia, të kishte më shumë para, kjo do të më befasonte pasi nuk do të kishte skandale, të cilat i kemi çdo ditë”.

“Në rregull, ashtu kanë vendosur, por sa po bëjnë ata për problemet tjera, sa po i ndalojnë autobusët të mbushur plot me të rinj që mos të ikin nga vendi. Ata për punë tjera, sikur kjo që bënë, janë mjeshtër dhe fare nuk më befason”, ka deklaruar Mickoski.

Ndërkohë, partia e “E majta” duke komentuar vendimin, ka thënë se LSDM-ja e cila drejton Qeverinë është e “keqja më e madhe vendit, andaj edhe sipas saj, këtë që po bëjnë zyrtarët e saj do ta paguajnë me burgim pas ndërrimit të pushtetit.

“Lidhja Social Demokrate (LSDM) është e keqja më e madhe që i ka rënë ndonjëherë Maqedonisë. Do të kalbeni nëpër burgje kur të ndërrohet qeveria. Ju premtojmë publikisht”, ka shkruar Dimitar Apasiev në rrjetin social Facebook.

Vendimi që uniformat e policisë të jenë edhe në gjuhën shqipe, u mor në mbledhjen e Qeverisë të martën në mbrëmje dhe do të përfshijë të gjitha komunat ku mbi 20 për qind e popullsisë janë shqiptarë, përfshirë edhe Shkupin.

Vendimi hyn në fuqi tetë ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, ndërsa do të fillojë të zbatohet brenda një viti nga hyrja në fuqi.

“Është një vendim që del nga Ligji për përdorimin e gjuhëve. Vendimi do të nisë të zbatohet brenda një viti për shkak të nevojës për zëvendësimin e uniformave aktuale me të reja, pra kemi procedura tenderimi dhe më pas prodhimin e uniformave të reja”, ka deklaruar kryeministri Kovaçevski duke arsyetuar vendimin e Qeverisë.

dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se vendimi bazohet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Një tjetër detyrë e kryer me sukses konform Kushtetutës dhe Ligjit që reflekton zbatimin e përpiktë të parimeve të barazisë si garanci e progresit të vendit tonë”, ka thënë Ahmeti në një reagim me shkrim.

Por, Zijadin Sela nga opozita shqiptare ka thënë se vendimi për uniformat është i vonuar, ndërsa dyshon se mund të përjetojë dispozitat tjera të Ligjit për gjuhën, që sipas Selës, nuk janë zbatuar edhe tre vjet pas miratimit të Ligjit për gjuhët.

“Realisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për vonesën trevjeçare. Kuptohet se gishti gjithmonë duhet të drejtohet nga ata që i bënë një vonesë 15-vjeçare miratimit të këtij ligji, e të cilët janë 20 vjet në pushtet. Prandaj shpresoj që edhe ky vendim të mos ketë fatin e ligjit”, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela duke përmendur moszbatimin e Ligjit për gjuhën në Gjyqësor, në Polici, në shumë sektorë të administratës, por edhe në institucione tjera.

Ligji për përdorimin e gjuhëve, në bazë të të cilit gjuha shqipe përdoret gjerësisht në komunat me shumicë shqiptare, si dhe në institucionet shtetërore, është miratuar në janar të vitit 2019.

Në institucionet qendrore, të gjitha tabelat janë në dy gjuhë, ndërsa në Qeveri dhe Kuvend, ministrat shqiptarë, deputetët si dhe kryetari i Kuvendit, përdorin gjuhën shqipe, ndërsa dokumentet publikohen në dy gjuhë.

rel

Grupi i protestuesëve: Masat janë të pamjaftueshme, kemi 5 kërkesa!

protestaGrupi inciator i protestës për rritjen e çmimeve, i ka cilësuar si të pamjaftueshme masat e mara deri më tani nga qeveria, në paketën e mbrojtjes sociale.

Përmes një deklarate për shtyp, ata kërkojnë 5 masa të tjera konkrete, të cilat do të lehtësojnë ndjeshëm jetesën e qytetarëve të cilët janë prekur nga rritje e çmimeve.

“Kërkesat dhe propozimet tona, të përpiluara me grupet e interesit,për të përballuar në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme këtë krizë si dhe për të garantuar mirëfunksionimin e tregut dhe mbështetjen e biznesit, janë si në vijim:

Heqje i taksës së qarkullimit dhe pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.

Pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë.

Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.

Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri në tejkalimin e krizës.

Hetim e mbikëqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit, si dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve”, theksohet në deklaratë.

Sipas grupit të protestueseve nesër protesta do të nisë me marshim drejt kryeministrisë, por nëse s’do ketë reagim nga ana e qeverisë, do ketë përshkallëzim duke qendruar në shesh.

Top Channel

Mali i Zi, dështon përpjekja e qeverisë për të miratuar sanksionet kundër Rusisë

Qeveria e Malit të ZiMbledhja e Qeverisë së Malit të Zi u ndërpre të enjten për shkak të mosmarrëveshjeve mbi procedurën e miratimit të vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Arsyeja e ndërprerjes së seancës nuk është vetëm në pjesën procedurale, por edhe në mungesën e respektit dhe sjelljes së pahijshme të ministrit të jashtëm Raduloviç ndaj kryeministrit Zdravko Krivokapiç”, njoftoi qeveria e Malit të Zi.

Për situatën e krijuar zëvëndëskryeministri Dritan Abazoviç mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku bëri të ditur qëndrimin e kryeministrit për sanksionet ndaj Rusisë.

“Gjithçka ishte në rregull derisa arritëm në pikat që kishin të bënin me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat kaluan në komisionet qeveritare. Erdhëm në një situatë që kryeministri propozoi konkluzione të reja, që kishte për qëllim ta bënte të pakuptimtë vendimin për sanksionet. Ne nuk mund t’i bëjmë të pakuptimta këto gjëra në lidhje me reputacionin ndërkombëtar të Malit të Zi. Konkluzionet ishin shumë të qarta dhe të harmonizuara me atë që miratoi Këshilli i Bashkimit Evropian, dhe gjithçka përtej kësaj nuk është as juridikisht e as politikisht e vlefshme”, tha zoti Abazoviç.

Zëvendëskryeministri malazez gjithashtu tha se “Qeveria është në një mandat teknik dhe se ajo përbëhet nga njerëz që mund të mos kenë një profil të qartë pro-perëndimor dhe se mund të na duhet pak më shumë kohë për ta përfunduar këtë punë”.

Komisioni për Sistemin Politik të Qeverisë, i kryesuar nga zoti Abazoviç, të martën propozoi njëzëri një paketë sanksionesh kundër Rusisë, e cila më parë ishte miratuar nga Brukseli zyrtar.

Lufta në Ukrainë i ka ndarë në dy grupe aktorët politikë në Mal të Zi.

Derisa pjesa më e madhe e zyrtarëve malazezë i kanë mbështetur të gjitha veprimet e BE-së lidhur me luftën në Ukrainë, partitë pro-serbe dhe pro-ruse si dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi nxisin një mbështetje të hapur për Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin.

voa

Cili është kriminel lufte dhe kush duhet të vendosë?

World Court Russia UkrainePresidenti Joe Biden e quajti Vladimir Putinin e Rusisë një “kriminel lufte” për sulmet e kryera në Ukrainë, ku spitalet dhe repartet e maternitetit janë bombarduar.

Por të shpallësh dikë kriminel lufte nuk është aq e thjeshtë sa të thuash fjalët. Ka përkufizime dhe procese të veçanta për të përcaktuar se kush është kriminel lufte dhe si duhet të dënohen.

Shtëpia e Bardhë e kishte shmangur këtë emërtim ndaj Putinit, duke thënë se kërkon hetim dhe një vendosmëri ndërkombëtare.

Pasi Presidenti Biden përdori termin të mërkurën, sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se presidenti “po fliste nga zemra” dhe ripërsëriti deklaratat e saj se ekziston një proces për marrjen e një përcaktimi zyrtar.

Sidoqoftë, në përdorimin popullor, fraza ka marrë një kuptim të zakonshëm si një term i përgjithshëm për dikë që është i tmerrshëm.

“Është e qartë se Putini është një kriminel lufte, por presidenti po flet në sensin politik për këtë”, tha David Crane, i cili ka punuar për krimet e luftës për dekada dhe ka shërbyer si kryeprokuror për Gjykatën Speciale të OKB-së për Sierra Leonen, e cila gjykoi ish-presidentin liberian Charles Taylor.

Hetimet për veprimet e Putinit tashmë kanë filluar. SHBA dhe 44 vende të tjera po punojnë së bashku për të hetuar shkeljet dhe abuzimet e mundshme, pas miratimit të një rezolute nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për të krijuar një komision hetimor. Ekziston një tjetër hetim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, një organ i pavarur me qendër në Holandë.

“Ne jemi ende në fillim”, tha zoti Crane, i cili tani drejton Rrjetin Global të Përgjegjshmërisë, i cili punon ndër të tjera me gjykatën ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara.

Në ditën e sulmit, organizata e tij ngriti një grup pune që përpilon informacione kriminale për krimet e luftës. Ai po harton gjithashtu një model aktakuze kundër Putinit. Ai parashikon se një aktakuzë ndaj Putinit mund të ngrihet brenda një viti. Por nuk ka asnjë statut kufizimi.

Ja një vështrim se si funksionon e gjithë kjo:

 

KUSH ËSHTË KRIMINEL LUFTE?

Termi vlen për këdo që shkel një sërë rregullash të miratuara nga udhëheqësit botërorë të njohur si ligji i konfliktit të armatosur. Rregullat përcaktojnë normat e sjelles së vendeve në kohë lufte.

Këto rregulla të nxjerra nga Konventat e Gjenevës pas Luftës së Dytë Botërore janë modifikuar dhe zgjeruar gjatë shekullit të kaluar, me protokolle të shtuara më vonë.

Rregullat synojnë të mbrojnë njerëzit që nuk marrin pjesë në luftime dhe ata që nuk mund të luftojnë më, përfshirë civilët, mjekët dhe infermierët, trupat e plagosura dhe të burgosurit e luftës. Traktatet dhe protokollet përcaktojnë se kush mund të shënjestrohet dhe me çfarë armësh. Disa armë janë të ndaluara, duke përfshirë agjentët kimikë ose biologjikë.

 

CILAT KRIME E BËJNË DIKË KRIMINEL LUFTE?

Të ashtuquajturat “shkelje të rënda” të konventave që përbëjnë krime lufte përfshijnë vrasjet e qëllimshme, shkatërrimin dhe përvetësimin në shkallë të gjerë të pronës që nuk justifikohet nga nevoja ushtarake.

Krimet të tjera lufte janë edhe vënia në shënjestër në mënyrë të qëllimshme e popullsisë civile, përdorimi i forcës së tepruar, përdorimi i individëve si mburoja njerëzore dhe marrja e pengjeve.

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve gjithashtu ndjek penalisht krimet kundër njerëzimit të kryera në kontekstin e “një sulmi të përhapur ose sistematik kundër çdo popullsie civile”. Këtu përfshihen vrasjet, shfarosja, transferimi me forcë, tortura, përdhunimi dhe skllavëria seksuale.

Mënyra më e mundshme që Putini mund akuzohet si një kriminel lufte është përmes doktrinës ligjore të njohur gjerësisht si përgjegjësi komanduese.

Nëse komandantët urdhërojnë, dinë ose janë në gjendje të dinë për krime dhe nuk kanë bërë asgjë për t’i parandaluar ato, ata mund të mbahen ligjërisht përgjegjës.

 

CILAT JANË RRUGËT PËR DREJTËSI?

Në përgjithësi, ekzistojnë katër rrugë për të hetuar dhe përcaktuar krimet e luftës, megjithëse secila prej tyre ka kufizime. Njëra është përmes Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Një alternativë e dytë do të ishte nëse Kombet e Bashkuara do të ofronin të dhënat e tyre të komisionit hetimor një gjykate hibride ndërkombëtare për krimet e luftës për të ndjekur penalisht Vladimir Putinin.

Variani i tretë do të ishte krijimi i një tribunali për të gjykuar Putinin nga një grup shtetesh të interesuara si NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja. Një shembull i ngjashëm janë tribunalet ushtarake të Nuremberg-ut pas Luftës së Dytë Botërore kundër udhëheqësve nazistë.

Së fundmi, disa vende kanë ligjet e tyre për ndjekjen penale të krimeve të luftës. Gjermania, për shembull, tashmë po heton Putinin. Shtetet e Bashkuara nuk kanë një ligj të tillë, por Departamenti i Drejtësisë ka një seksion të veçantë që fokusohet në akte që përfshijnë gjenocidin ndërkombëtar, torturën, rekrutimin e fëmijëve ushtarë dhe gjymtimin gjenital të femrave.

 

KU MUND TË GJYKOHET PUTINI?

Nuk është e qartë. Rusia nuk e njeh juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe nuk do të dërgonte asnjë të dyshuar në gjykatën e Hagës në Holandë.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu nuk e njohin autoritetin e gjykatës. Presidenti Putin mund të gjykohet në një vend të përzgjedhur nga Kombet e Bashkuara ose nga bashkësia e shteteve të interesuara. Por dërgimi i tij atje do të ishte i vështirë.

 

A JANË NDËSHKUAR UDHËHEQËS NË TË SHKUARËN?

Po. Nga gjykatat e pas Luftës së Dytë Botërore në Nuremberg dhe Tokio e deri tek gjykatat e posaçme të krijuara dekadën e fundit. Udhëheqës të lartë janë ndjekur penalisht për veprimet e tyre në shtete si Bosnja, Kamboxhia dhe Ruanda.

Ish-udhëheqësi jugosllav Slobodan Millosheviç u gjykua nga një tribunal i OKB-së në Hagë për nxitje të konflikteve të përgjakshme.

Ai vdiq në qeli para se gjykata të merrte një vendim. Aleati i tij serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe udhëheqësi ushtarak serb i Bosnjës, Gjenerali Ratko Mlladiç, u hetuan me sukses dhe të dy po vuajnë dënimin e përjetshëm.

 

voa

Kundërsulmet ukrainase komplikojnë ofensivën ushtarake ruse

ukraina tanket ruseAnijet luftarake ruse bombarduan objektiva në afërsi të qytetit Odesa të mërkurën në mëngjes, ndoshta si pjesë taktike në përgatitje të një sulmi ndaj qytetit port.

Por disa strategë ushtarakë thonë se forcat ruse po mbajnë me vështirësi territoret që kanë kapur dhe kanë pësuar goditje serioze në përleshje të ashpra gjetkë, çfarë ka gjasa të vonojë një sulm mbi qytetin Odesa.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë, në njoftimet e saj të përditshëm mbi zhvillimet e betejës, tha se forcat ruse po përpiqen të kapërcejnë sfidat që paraqet terreni i Ukrainës dhe se njësitë ruse po ngurrojnë të dalin jashtë rrugëve automobilistike për të vepruar.

Britania thotë se forcat ukrainase kanë hedhur në erë ura duke penguar avacimin rus.

“Taktika e ushtrisë ukrainase ka shfrytëzuar me mjeshtëri mungesën e manovrimit të Rusisë, duke penguar përparimin rus dhe duke shkaktuar humbje të mëdha tek forcat pushtuese”, njofton Ministria e Mbrojtjes së Britanisë.

Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak shkroi të mërkurën në rrjetin Twitter se një seri kundërsulmesh në “disa zona operacionale” kishin ndryshuar “avantazhet e palëve ndërluftuese”.

Oleksiy Arestovych, një ndihmës tjetër i Presidentit Volodymyr Zelenskyy, tha se kundërsulmet ukrainase në shkallë të vogël nënkuptojnë se forcat ruse nuk kanë arritur të spastrojnë “vatrat kryesore” rreth Kievit dhe kanë pak shanse që ta bëjnë, pasi “Rusisë po i mbarojnë burimet e saj”.

Dy të tretat e raketave ruse po godasin ndërtesat dhe infrastrukturën civile, tha zoti Arestovych në një video-konferencë.

Autoritetet ukrainase thanë se forcat ruse vazhduan bombardimet intensive në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, dhe fshatrat përreth.

Një bllok apartamentesh shumëkatëshe u bombardua në sulmin e fundit në kryeqytetin Kiev të mërkurën, duke shkatërruar katin e fundit dhe shkaktuar zjarre.

Raportohet për dy viktima, por nuk ka konfirmime nëse janë vrarë apo plagosur. Autoritetet ukrainase thonë se deri më tani Rusia ka shkatërruar 3,500 ndërtesa gjatë luftës 21 ditore, përfshirë më shumë se 200 shkolla.

Ushtria ukrainase pretendon se 13,800 ushtarë rusë janë vrarë ose kapur që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt. Zyrtarët thonë se kanë shkatërruar ose nxjerrë jashtë funksionimi 430 tanke dhe 1375 automjete të blinduara. Pretendimet e Ukrainës nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Një gjeneral i katërt rus, 47-vjeçari Oleg Mityaev, komandant i divizionit të 150 të Rusisë, thuhet se është vrarë. Kievi tha se komandanti Mityaev, i cili kishte luftuar në Siri, u vra pranë qytetit Mariupol dhe publikoi një foto ku tregohet trupi i pa jetë. Moska nuk e ka konfirmuar vdekjen.

Nëse pretendimi është i saktë, ai do të ishte gjenerali i katërt rus i vrarë dhe oficeri i 13-të që nga fillimi i ofensivës ruse me 24 shkurt.

Mes gjeneralëve të tjerë të vrarë janë: Gjeneralmajor Andrei Kolesnikov, komandant i Ushtrisë së Kombinuar të 29-të; Gjeneralmajor Vitaly Gerasimov, zëvendëskomandant i ushtrisë së 41-të të Rusisë, një tjetër veteran i luftës në Siri, si dhe Gjeneralmajor Andrei Sukhovetsky, i cili thuhet se u vra nga një snajper.

Po ashtu janë varër katër kolonelë rusë. Një gjeneral çeçen, Magomed Tushaev, është raportuar si i vrarë nga Kievi në një pritë pranë zonës Hostomel, pranë kryeqytetit ukrainas, ku janë zhvilluar disa nga luftimet më të ashpra tokësore që nga ndërhyrja ruse.

Analistët ushtarakë sugjerojnë se numri i madh i vrasjeve të oficerëve të lartë është për shkak se atyre u është dashur të lëvizin më pranë vijave të frontit për të zgjidhur problemet logjistike të furnizimit dhe për të nxitur avancimin e trupave tokësore.

Moska thotë se vetëm 498 ushtarë rusë janë vrarë dhe 1,597 janë plagosur, shifra të datës 2 mars që nuk janë përditsuar më pas.

Zyrtarë perëndimorë të mbrojtjes kanë vlerësime më të ulëta se ato të ofruara nga Ukraina lidhur me numrin e ushtarëve të vrarë rus. Ata përllogarisin se mund të jenë vrarë rreth 6,000 rusë, shifër e ngjashme me personelin ushtarak amerikan të vrarë në Afganistan dhe Irak gjatë dy dekada luftërash.

Zëdhënësit e ushtrisë ruse kanë një pikëpamje të ndryshme për gjendjen e betejës, duke thënë se forcat e saj kanë rrëzuar gjatë 24 orëve të fundit dy avionë luftarakë ukrainas SU-25 dhe një avion luftarak MiG-29, si dhe katër dronë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov, tha gjithashtu të mërkurën se forcat ruse shkatërruan 128 objekte ushtarake ukrainase një ditë më parë.

Vëzhgues dhe strategë të pavarur ushtarakë pajtohen me vlerësimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë, duke thënë se forcat ukrainase me armatime dhe personel më të vogël ia kanë dalë që të pengojnë forcën pushtuese ruse, kryesisht në veri dhe lindje të Ukrainës.

“Putini e ka zënë veten mat, forcat e tij të blinduara nuk mund të futen në Kiev pa pësuar disfata të mëdha, dhe jashtë saj nuk mund t’u shpëtojnë sulmeve me dronë dhe raketa anti-tank”, shkroi në rrjetin Twitter Edward Luttwak, një strateg ushtarak amerikan i njohur.

Forcat ruse kanë bërë më shumë përparim në jug të Ukrainës, por nuk kanë mundur të nënshtrojnë qytetin e vogël portual të Mariupolit, i cili për ditë të tëra ka qenë i rrethuar dhe pa ujë, furnizime ushqimore dhe energji elektrike.

Po ashtu avancimi rus drejt Odesës ka ngecur si rezultat i një mbrotje të ashpër nga forcat ukrainase të qytetit Mykolayiv, 120 kilometra në lindje të Odesës, ku ukrainasit arritën të rimarrin aeroportin lokal disa ditë më parë.

Zyrtarë ushtarakë ukrainas dhe perëndimorë mendojnë se Rusia po planifikon të sulmojë qytetin Odesa dhe anijet luftarake ruse janë mbledhur pranë brigjeve, thonë ata. Një alternativë për rusët do të ishte të anashkalonin qytetin Mykolayiv dhe të realizonin një zbarkim amfib.

Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, tha javën e kaluar se ishte planifikuar një sulm nga deti ndaj qytetit Odesa, por ishte braktisur për shkak të kushteve të këqija të motit. Odesa është përgatitur për një sulm rus, duke fortifikuar rrugët për luftime dhe duke vendosur mina në bregdet.

voa

Do të mbahen në Kosovë zgjedhjet serbe të 3 prillit?

zgjedhjet serbe ne kosoveKërkohet zgjidhje për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Duhet bërë dallimi ndërmjet referendumit të Serbisë që Kosova e ndaloi të mbahet në territorin e saj dhe zgjedhjeve të Serbisë, thonë ekspertët.

 

3 prilli, dita kur pritet të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë po afron, ndërkohë që presioni po rritet mbi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që ta lejojnë mbajtjen e tyre në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se ai është në kontakt me ambasadat e vendeve më të industrializuara QUINT dhe me Bashkimit Evropian, që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit në Serbi.

 

Kurti: Të mos shkelen të drejtat e serbëve po as shtetësia e Kosovës

Sipas kryeministrit Kurti, qeveria që ai drejton synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por në të njëjtën kohë edhe të mos cenohet shtetësia e Kosovës. “Konsiderojmë që në njërën anë, nuk duhet t’iu pamundësojmë serbëve në Kosovë, që e kanë përveçse nënshtetësinë e Kosovës edhe atë të Serbisë, ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër, kushtetutshmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e Kuvendit e 15 janarit, neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhjeje që do të marrim në të ardhmen”, u shpreh Kurti.

Kuvendi i Kosovës me 15 janar, ka miratuar një rezolutë përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve të organizuara nga Serbia në Kosovë,  për një referendum të Serbisë për ndryshime kushtetuese. Kjo përfshin edhe organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Vendet e QUINT-tit dhe Bashkimi Evropian, e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës që nuk lejoi mbajtjen e referendumit në Kosovë.

 

Vuçiq kërkon mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se zgjedhjet serbe të 3 prillit do të mbahen edhe në Kosovë. Ai ka paralajmëruar “pasoja”, nëse ato pengohen nga autoritetet e Prishtinës. “Shpresoj që të mos ndërhyjë dikush në votimin e serbëve në Kosovë dhe po ashtu shpresoj që dikush do ta kuptojë, se cilat do të ishin pasojat nëse ndërhyn”, citojnë mediet në Serbi presidentin Vuçiq.

 

Ndikimi i bashkësisë ndërkombëtare

Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bisedoi në telefon me Këshilltarin e  Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet lidhur me zgjedhjet e Serbisë edhe në Kosovë. Chollet tha në Twitter se pati “bisedë të mirë” me kryeministrin Kurti dhe përmendi rëndësinë që votuesit në Kosovë me të drejtë vote “të mund të marrin pjesë në zgjedhje”. “Pata një bisedë të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. E falënderova atë për mbështetjen e tij të fortë në çështjen e Ukrainës dhe theksova rëndësinë e sigurimit të votuesve me të drejtë vote në Kosovë, që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare serbe të 3 prillit”, shkroi zyrtari amerikan në Twitter.

Gjatë vizitës së saj në Kosovë javën e shkuar, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë mënyra që të mbahen zgjedhjet. “Një ndër çështjet më të rëndësishme është forcimi i besimit në rajon. Para se gjithash nevojiten përparime në procesin e dialogut për normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet të gjejnë një zgjidhje edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale të Serbisë, me 3 prill”, tha Baerbock.

 

Ngecja e dialogut

Megjithë thirrjet e përfaqësuesve ndërkombëtarë që Kosova dhe Serbia të shënojnë përparim në dialog, kjo duket se nuk po ndodh aktualisht. Që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk po ecën mirë, e konfirmoi në një intervistë për DW edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell. “Nuk po ecën. Unë jam i ngarkuar me këtë dialog dhe nuk po ecën. Të paktën nuk po ecën me ritmin që duhet të ecte. Bashkimi Evropian ka një mandat nga Kombet e Bashkuara për të koordinuar, shtyrë dhe aktivizuar këtë dialog. Unë kam caktuar një nga diplomatët më të mirë për këtë detyrë, dhe duhet të them që duhet bërë më shumë, duhet më shumë punë. Duhet të shtyjmë të dyja palët me qëllim që të kuptojnë se ka vetëm një zgjidhje për problemin dhe se ajo vjen përmes dialogut, duke e ditur ama që nuk do të jetë e lehtë”, tha Borrell për DW.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha se “pas agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe vendosjen e Serbisë në anën e Rusisë, edhe takimet në mes Kosovës dhe shtetit serb janë vështirësuar shumë krahasuar me vitin e kaluar”. Megjithatë ai tha se “takimet në nivel të lartë mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq varen edhe nga Brukseli”. “Besoj që situata është më e vështirë sesa dikur, varet se kur na vjen ftesa nga Brukseli, por pas invazionit rus në Ukrainë dhe agresionit shokues ushtarak të Kremlinit mbi popullin e Ukrainës që po zhvillon luftë të paepur çlirimtare, me ç’rast ne edhe shprehëm gatishmërinë tonë për të marrë 20 gazetarë dhe 5 mijë refugjatë por edhe iu bashkuam sanksioneve të SHBA-ve dhe BE-së, ndërkohë që Serbia praktikisht u vendos në anën e Federatës Ruse takimet janë në një situatë tejet më të vështirë sesa vitin e kaluar”, deklaroi Kurti.

 

Mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve

Ajo që dihet deri tani është se Kosova do ta shqyrtonte mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, nëse Beogradi zyrtar i dërgon kërkesë Qeverisë së Kosovës. Këtë e tha pas një mbledhje të kryesisë së kuvendit, shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet Mimoza Kusari-Lila. “Përgjigjja e institucioneve të Kosovës, tashmë e konfirmuar edhe në nivel të legjislativit, është që vetëm në një pranim të kërkesës zyrtare nga shteti i Serbisë drejtuar shtetit të Kosovës me kërkesë bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane, do të shqyrtohej ajo kërkesë dhe do të merrej vendimi për apo kundër mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Partitë opozitare ndërkaq, presin koordinim më të mirë ndërmjet qeverisë dhe opozitës lidhur me çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

 

Dallim mes referendumit dhe zgjedhjeve

Njohësit e çështjeve politike dhe të drejtësisë, thonë se duhet bërë dallimi ndërmjet referendumit të Serbisë dhe zgjedhjeve të saj. Drejtori i institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, i tha DW-së  se, “institucionet e Republikës së Kosovës me të drejtë kanë pasur qëndrim të prerë për të mos lejuar organizimin e referendumit serb në territorin e Republikës së Kosovës, pasi lejimi i organizimit të referendumit serb në Kosovë, do të mund të ndërlidhej drejtpërdrejt edhe si ushtrim i sovranitetit të Republikës së Serbisë në territorin e Kosovës”. “Ndërsa, organizimi i zgjedhjeve nacionale në bazë të kushteve të përcaktuara nga Republika e Kosovës, për shtetasit e Republikës së Kosovës nga komuniteti serb, dallon skajshmërisht nga referendumi, dhe një gjë e tillë do të duhej të konsiderohej nga institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo duke u bazuar edhe në kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë më theks të veçantë të State-Departmentit Amerikan’, thotë Miftaraj.

 

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë janë mbajtur më 21 qershor të vitit 2020. Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni i OSBE-së në Kosovë, ka grumbulluar votat, praktikë kjo e krijuar që nga viti 2017. OSBE-ja ka grumbulluar votat e serbëve të Kosovës pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa, ato më pas janë dërguar për numërim në dy qytete kufitare të Serbisë.

dw

Kosova kërkon ndihmën e presidentit Biden për anëtarësim në NATO

usa kosovaPresidentja e Kosovës të enjten i kërkoi presidentit amerikan Joe Biden që ta ndihmojë Kosovën të bëhet anëtare e NATO-s në një kohë kur Rusia po bën përpjekje për të destabilizuar Ballkanin.

Presidentja Vjosa Osmani i dërgoi një letër presidentit Biden, në të cilën thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë një çështje jetike për Prishtinën.

Kosova, “shteti më pro-amerikan dhe pro-NATO-s në botë”, është i përjashtuar nga proceset e zgjerimit të NATO-s, tha ajo në një letër që e ka siguruar agjencia e lajmeve Associated Press.

Zonja Osmani i kërkoi presidentit Biden që të përdorë “udhëheqjen dhe ndikimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit të Kosovës në NATO”.

 

Ndërsa sytë e botës janë përqendruar tek lufta shkatërruese në Ukrainë, presidentja Osmani thotë se “nuk duhet të harrojmë situatën e brishtë me të cilën përballemi në Ballkan”.

“Ne jemi të ekspozuar ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të minuar Kosovën dhe destabilizuar të gjithë Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letrën dërguar Presidentit Biden.

voa

TAP: 10 miliardë metër kub gaz në Europë

TAP1Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) njoftoi të enjten se 10 miliardë metër kub gaz natyror nga Azerbajxhani ka hyrë në Europë nga shtatori i vitit të shkuar nëpërmjet pikës së interkonjeksionit në Kipoi, në kufirin Greqi – Turqi, aty ku TAP bashkohet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP).

Nga sasia e përgjithshme rreth 8.5 miliardë metër kub janë dërguar në Itali. Drejtori Menaxherial i TAP-it, Luca Schieppati, tha se “10 miliardë metër kub është një arritje simbolike, por shumë e rëndësishme”.

Sipas tij, “prej rreth një viti aktivitet tregtar, TAP-i ka ofruar shërbim efikas, të vazhdueshëm dhe të besueshëm, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në Europë.

Zoti Schieppati ka pohuar se aktualisht është mundësia të arrihet kapaciteti i plotë i transportit prej 10 miliardë metër kub në vit dhe mund të shtohen më tej kapacitetet nëpërmjet ankandeve me afat të shkurtër.

Ndërsa Drejtoresha Komerciale e TAP-it, Marija Savova, tha se “Transportimi i sasisë së parë të gazit natyror prej 10 miliardë metër kub në Europë rrit likuiditetin në tregjet e gazit dhe përforcon rolin e TAP-it si një transportues i besueshëm që mund të japë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë e energjisë në Europë”.

Ajo tha se brenda 45-65 muajve, mund të dyfishohet kapaciteti, duke u zgjeruar në disa faza, deri në 20 miliardë metër kub në bazë të kërkesave.

Sipas kompanisë TAP, segmenti europian i korridorit jugor të gazit ka kapacitet të transportojë afërsisht 10 miliardë metër kub gaz në vit në disa tregje evropiane.

TAPTAP transporton gaz natyror nga fusha e Shah Deniz-it në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Europë.

Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore. TAP-i pritet të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Europës Juglindore përmes interkonektorëve të ardhshëm.

Në veçanti, Bullgaria do të jetë në gjendje të mbulojë deri në 33% të kërkesës së saj totale për gaz përmes gazsjellësit TAP, pas përfundimit të interkonektorit Greqi- Bullgari. Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të shumta për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha europiane.

TAP-i është i rëndësishëm për Europën, si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike.

Në Shqipëri Presidenti Ilir Meta e përshëndeti vendimin e furnizimit me gaz natyror të Europës Perëndimore përmes gazsjellësit TAP.

“TAP është investimi i huaj më i rëndësishëm strategjik në Shqipëri, frut i bashkëpunimit të suksesshëm dhe strategjik ndërmjet Shqipërisë, partnerëve europianë dhe SHBA-ve me qeverinë e Azerbajxhanit”, deklaroi Presidenti Meta.

Sipas tij “përveç ndikimit të jashtëzakonshëm të këtij investimi madhor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, veçanërisht në zonat e kalimit të gazsjellësit, ky projekt rrit ndjeshëm pavarësinë e Europës nga gazi rus”.

 

voa