E dimë se cigarja është e rrezikshme. Por, a e dini ekzaktësisht përse?

CigareQë cigarja është e dëmshme, nuk është më një lajm prej dekadash.

Megjithatë, të pyetur se përse është cigarja e dëmshme, mund të na duhet të mendohemi. Me siguri që përmban kimikate të dëmshme, por çfarë e nxit çlirimin e tyre? A është nikotina- përbërësi më i njohur i duhanit- me të vërtetë e dëmshme?

Pas provash të shumta shkencore, këto pyetje kanë marrë përgjigje tek një proces i vetëm, i cili në fakt është gjeneruesi i të gjitha kimikateve të dëmshme: djegia. Është pikërisht djegia ajo që gjeneron tymin, me të cilin çlirohen rreth 6 mijë kimikate, nga të cilat 100 janë të vërtetuara nga shkenca se janë të dëmshme ose potencialisht të dëmshme.

Nga ana tjetër, edhe pse shkakton varësi, nikotina nuk është shkaktar kryesor i sëmundjeve që lidhen me cigaren. Duke u nisur prej këtyre dy gjetjeve të rëndësishme, shkenca ka punuar intensivisht përgjatë dekadave të fundit për të krijuar alternativa që të përcjellin nikotinën, por duke reduktuar ekspozimin ndaj kimikateve të dëmshme.

Si një mënyrë për të shmangur procesin e djegies, qindra shkencëtarë nga e gjithë bota kanë punuar për të sjellë produktet me ngrohje. Kjo kategori e re e alternativave pa tym funksionon duke ngrohur fijen e duhanit në temperaturë të mjaftueshme sa për të çliruar nikotinën dhe duke mos çliruar tym, por aerosol.

Sipas testimeve të shumta shkencore, produktet me ngrohje e reduktojnë emetimin e kimikateve të dëmshme deri në 95%, duke u konsideruar kështu si një alternativë me risk të reduktuar për të rriturit që përndryshe do të vazhdonin të pinin cigare.

Një tjetër kategori e alternativave pa tym, janë cigaret elektronike. Edhe këto produkte nuk çlirojnë tym. Cigaret elektronike funksionojnë duke avulluar një lëng i cili përmban nikotinë.

Përballë riskut që paraqesin cigaret tradicionale, produktet me risk të reduktuar po shihen si një alternativë shpresëdhënëse nga ekspertët e shëndetit publik nga e gjithë bota, të cilët në forumet e reduktimit të dëmit, po bëjnë thirrje publike për pranimin e këtyre alternativave si metoda efektive, duke i implementuar ato në strategjitë e reduktimit të dëmit të cigareve.

Top Channel

Ulet sërish çmimi i naftës: 203 lekë/litër nga dita e sotme deri më 21 mars

naftaNë mbledhjen e radhës, Bordi i Transparencës ka vendosur të ulë më tej çmimet e karburanteve. Nafta do të shitet për 203 lekë për litër duke nisur nga dita e sotme e deri më 21 mars.

Ndërsa benzina do të shitet me 206 lekë/litër, ndërsa çmimi i gazit do të jetë i pandryshueshëm me 93 lekë/litri.

Ditën e hënë, bordi do të mblidhet sërish  për të pasqyruar çmimet e reja për konsumatorët në varësi të ndryshimit të kostos së tij në tregjet ndërkombëtare.

Vendimi i bordit është detyrues për të gjithë operatorët që operojnë në sektorin e hidrokarbureve në vend dhe në rast të shkeljeve të konstatuara nga autoritetet për kompanitë që e shmangin atë do të aplikohen gjoba deri në heqje të licencës në rast të përsëritjes sipas aktit normativ të qeverisë që ka marrë tashmë fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare një ditë më parë.

Top Channel

Presidenti Biden udhëton drejt Evropës për të biseduar për Ukrainën

BidenPresidenti Joe Biden do të udhëtojë drejt Evropës javën e ardhshme për të biseduar me udhëheqësit evropianë rreth sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, njoftoi të martën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Presidenti Biden do të takohet me udhëheqësit e NATO-s dhe të BE-së në një samit në Bruksel më 24 mars. Ai do të ndjekë gjithashtu një takim të planifikuar të Këshillit Evropian, ku po bëhen përpjekje për të vendosur sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, si dhe për ndihma humanitare për Ukrainën.

“Gjatë kohës që ai do të jetë atje, qëllimi i tij do të jetë të takohet drejtpërdrejtë me homologët e tij evropianë dhe të bisedojë e të vlerësojë gjendjen në këtë pikë të konfliktit ndërsa Rusia sulmon Ukrainën. Kemi patur qëndrime jashtëzakonisht të harmonizuara deri më tani”, tha zonja Psaki. “Kjo nuk ndodh rastësisht. Presidenti beson së tepërmi tek diplomacia kokë më kokë. Pra, kjo është një mundësi për të bërë pikërisht këtë gjë”.

Udhëtimi pason vizitën javën e kaluar të Nënpresidentes Kamala Harris në vendet e krahut lindor të NATO-s, Poloni dhe Rumani, për të diskutuar me zyrtarët për krizën në rritje të refugjatëve në Evropën Lindore, të shkaktuar nga sulmi i Rusisë dhe për të nënvizuar mbështetjen e administratës së Presidentit Biden për vendet e NATO-s.

voa

Bombardimet e forcave ruse i afrohen qendrës së Kievit

KyivBombardimet e forcave ruse iu afruan të martën më pranë qendrës së Kievit, ndërsa një sërë predhash goditën zona të banuara të kryeqytetit. Shpërthimet e fuqishme u dëgjuan të martën në agim.

Zyrtarët thonë se ato ishin goditje me artileri. Duket se sulmi i forcave ruse ndaj Kievit po bëhet më sistematik.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se predhat e artilerisë goditën katër ndërtesa shumë-katëshe në qytet duke shkaktuar dhjetëra të vrarë. Goditjet e së martës në një rajon në perëndim të Kievit, i dhanë fund një qetësie disa ditore në qytet, që kur autokolona e gjatë me mjete të blinduara ruse ishte bllokuar në afërsi të qytetit në ditët e para të luftës.

Bombardimet shkaktuan një zjarr të madh në një ndërtesë 15 katëshe. Kryetari i Bashkisë së Kievit Vitali Klitçko shpalli gjendjen e shtetrrethimit për një periudhë 35 orëshe, që do të zgjasë deri në orën 7 të mëngjesit të enjten.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit tha të martën se numri i banorëve ukrainas që janë larguar nga vendi i kaloi 3 milionë. OKB-ja thotë se kjo është kriza më e madhe e refugjatëve në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

 

voa

NATO, ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj sigurisë në përgjigje të luftës në Ukrainë

StoltenbergSekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të martën se aleanca ushtarake perëndimore do të ndryshojë rrënjësisht qëndrimin e saj ndaj sigurisë në Evropë në të ardhmen, si përgjigje ndaj sulmit të Rusisë kundër Ukrainës.

“Sulmi rus ndaj Ukrainës dhe integrimi i saj ushtarak me Bjellorusinë, krijojnë një realitet të ri sigurie në kontinentin evropian”, tha Stoltenberg të martën në Bruksel, në prag të një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s.

“Ne duhet të riorganizojmë pozicionimin tonë ushtarak në përputhje me këtë realitet të ri”, u tha ai gazetarëve. Zoti Stoltenberg tha se ministrat, të udhëhequr nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, do të diskutojnë ndryshimet e mundshme të mërkurën.

“Në terren, kjo mund të përfshijë vendosjen e më shumë forcave në pjesën lindore të aleancës, në gatishmëri më të lartë dhe stacionimin në baza të përhershme të më shumë pajisjeve”, tha zoti Stoltenberg.

Në vitet e fundit, aleanca e NATO-s ka dislokuar një forcë relativisht të vogël prej rreth 5,000 trupash në vendet baltike, Estoni, Letoni dhe Lituani, si dhe në Poloni në bazë të një rotacioni që synon të pengojë Rusinë nga fillimi i një përpjekje për të sulmuar këto vende.

Zoti Stoltenberg tha se ai pret që ministrat e mbrotjes do të kërkojnë nga komandantët ushtarakë të NATO-s që të propozojnë opsione për rritjen e sigurisë në Evropën Lindore, në mënyrë që udhëheqësit e aleancës të zgjedhin njërin prej tyre në takimin e qershorit.

voa

Borrell: Zgjidhja e raporteve Kosovë-Serbi vetëm me dialog

Josep BorrellNë intervistë për DW, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell ndalet edhe tek dialogu Kosovë-Serbi, për të cilin u shpreh i zhgënjyer. “Dialogu nuk po ecën” – tha Borrell.

 

Teksa lufta në Ukrainë vijon të përkeqësohet dita-ditës, rritet edhe shqetësimi, se ndikimi rus mund të fuqizohet akoma më tepër në Ballkanin Perëndimor. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëkohësisht Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, shpreson që në këto kohë të vështira të mbizotërojë ndikimi evropian dhe jo ai rus në rajon. Deklaratat e tij u bënë nga Shqipëria, ndalesa e tij e dytë në këtë tur në Ballkanin Perëndimor. Më herët, Borrell vizitoi Maqedoninë e Veriut dhe pas Shqipërisë, radhën e ka Bosnje Hercegovina.

DW: Z. Borrell, përse vendosët të vizitoni vendet e Ballkanit Perëndimor pikërisht në këtë moment?

Borrell: Është momenti i duhur, shumë i duhur. Siç e dini po zhvillohet një luftë. Ka shumë influencë ruse në Ballkan. Është moment kritik për procesin e zgjerimit. Ka një problem që duhet të zgjidhet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Dhe kemi perspektivën e anëtarësimit në mes të ndryshimeve gjeo-politike në panoramën evropiane.

DW: Sa gjasa ka që lufta në Ukrainë të ringjallë konflikte të vjetra në rajon?

Borrell: Lufta në Ukrainë do të ndikojë gjithçka, nga çmimi i ushqimeve që janë pasojë e drejtpërdrejtë e luftës, tek çmimet e energjisë. Marrëdhëniet me Rusinë nuk do të jenë më kurrë njësoj pas asaj që po bëjnë rusët me bombardimin e qyteteve, vrasjen e civilëve, shtypjen e popullit të Ukrainës. Kjo do të përforcojë bashkimin në Evropë dhe duhet të jetë shtysa e madhe për të tejkaluar disa nga problemet që kemi pasur, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Por, gjëja më e rëndësishme që rrezikohet sot, nuk është vetëm lufta midis Ukrainës dhe Rusisë, por respekti për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, lufta kundër ligjit të xhunglës, ku më i forti shtyp më të dobtin pa asnjë justifikim, dhe kjo është arsyeja përse njerëzit që duan lirinë dhe duan demokracinë duhet të përfshihen.

DW: Përse është shumë i rëndësishëm Ballkani Perëndimor në këtë moment?

Borrell: Nuk është më i rëndësishëm se dje, apo nesër. Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm. Ai ka qenë në krye të agjendës së Bashkimit Evropian dhe vijon të jetë po aty, por ama ka disa ngjarje që janë katalizatorë të historisë, disa ngjarje që ndryshojnë marrëdhëniet ndërmjet aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm. Rusia do të shtojë influencën në Ballkan, do të mundohet të fitojë shpirtin e njerëzve, do të mundohet të zbatojë shumë fushata dezinformimi, do të mundohet të bindë njerëzit që ajo po lufton kundër nazizmit, që Zelensky është kriminel lufte, apo që po bën gjenocid kundër rusëve, ashtu siç po deklarojnë. Ne duhet ta kundërshtojmë këtë narrativë dhe në Ballkanin Perëndimor ka shumë dezinformim …

DW: Dhe ka shumë influencë ruse?

Borrell: Shumë influencë ruse. Shpresoj që influenca evropiane të jetë më e madhe.

DW: Të shpresojmë. Por, kur flitet për Ballkanin Perëndimor nuk mund të lihet mënjanë marrëdhënia Kosovë-Serbi. Si e parashikoni dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit? A po ecën ai në drejtimin e duhur?

Borrell: Nuk po ecën. Unë jam i ngarkuar me këtë dialog dhe nuk po ecën. Të paktën nuk po ecën me ritmin që duhet të ecte. Bashkimi Evropian ka një mandat nga Kombet e Bashkuara për të koordinuar, shtyrë dhe aktivizuar këtë dialog. Unë kam caktuar një nga diplomatët më të mirë për këtë detyrë, dhe duhet të them që duhet bërë më shumë, duhet më shumë punë. Duhet të shtyjmë të dyja palët me qëllim që të kuptojnë se ka vetëm një zgjidhje për problemin dhe se ajo vjen përmes dialogut, duke e ditur ama që nuk do të jetë e lehtë. Është çështje shumë e komplikuar. Ju e dini sa e vështirë dhe e komplikuar ka qenë historia e Ballkanit gjatë 20 apo 30 viteve të shkuara. Por e vetmja zgjidhje e këtij problemi është dialogu, dhe unë këtë po nxis, por jam i zhgënjyer që nuk po ecim me ritmin që kërkon problemi, sepse perspektiva evropiane e të dy vendeve po mbizotërohet plotësisht nga rezultati i këtij dialogu.

DW: Po, por të dyja palët këmbëngulin se ka disa tema që nuk janë zgjidhur ende. Për shembull, qeveria e Kosovës ka probleme me zbatimin e marrëveshjes për përfshirjen e komunave me shumicë serbe, dhe nga ana tjetër para pak kohësh ju paralajmëruat Serbinë të mos mohojë gjenocidin dhe të mos lartësojë figurat e kriminelëve të luftës. Këto janë çështje të mëdha …

Borrell: Nuk besoj se mund t’i futemi detajeve të ankesave të ndërsjella, këtyre marrëveshjeve, çfarë ka ndodhur, çfarë kemi rënë dakord, çfarë nuk është përmbushur. Mos më bëni të përsëris dialogun prej shumë orëve që kam pasur me të dy palët. E di që ka disa pika për të cilat nuk ka dakordësi, por ky është qëllimi i dialogut. Si mund të zgjidhen gjërat nëse nuk flasin me njëri-tjetrin?

DW: A ka një zgjidhje që ata të flasin dhe të gjejnë një zgjidhje përfundimtare?

Borrell: Nuk di të ketë zgjidhje tjetër përveç dialogut.

DW: T’i kthehemi Shqipërisë. Në opinionin tuaj, a i ka përmbushur Shqipëria reformat që lidhen me integrimin evropian?

Borrell: Të gjithë bien dakord që Shqipëria ka përmbushur kriteret teknike, kjo nuk është diçka e re. Komisioni Evropian e ka deklaruar këtë dhe ka informuar vendet anëtare, sepse është vendim i Këshillit që nga pikëpamja e Komisionit, që është i ngarkuar me drejtimin e procesit, kemi një Komisioner të ngarkuar për zgjerimin, homologun tim Oliver Varhelyi, Shqipëria ka përmbushur kriteret.

DW: Por, a do të vijojë Shqipëria të vlerësohet e pandashme nga Maqedonia e Veriut?

Borrell: Për momentin, Këshilli ka vendosur që është më e udhës nëse të dy vendet përparojnë së bashku, që ne e quajmë çiftim. Të dy vendet ecin përpara së bashku, ka sinergji, ka kursime sa i përket procedurave dhe është mirë, sepse sa më shumë vende të jenë, aq më mirë është. Por, është e qartë që ka probleme ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe këto probleme duhet t’i zgjidhim. Shumë njerëz janë të angazhuar plotësisht në këtë përpjekje. Unë personalisht, por edhe shumë të tjerë. Dhe unë shpresoj, dhe po bëj të gjitha përpjekjet e mia së bashku me shumë të tjerë, si Komisioneri Varhelyi, Presidenti i Komisionit, Presidenti i Këshillit, me qëllim zgjidhjen e këtij problemi dhe të bëjmë të mundur që të dy vendet të nisin negociatat me qëllim zgjidhjen e këtij problemi dhe të bëjmë të mundur që të dy vendet të nisin negociatat përpara mbylljes së presidencës franceze.

DW: Po lufta në Ukrainë a do të ngadalësojë apo përshpejtojë vendimin për hapjen e negociatave?

Borrell: Lufta në Ukrainë është këmbanë alarmi për Evropën. Lufta tregon nevojën për më shumë bashkim, nevojën që Ballkani Perëndimor të mos lejohet të mbetet pas në lidhje me zhvillimin evropian. Lufta në Ukrainë tregon nevojën që Evropa të jetë më e fuqishme, më e bashkuar dhe të përshpejtojë disa procese që kanë mbetur pas. Kështu besoj se ky është një rast i mirë, është moment historik. Dhe do të doja t’i jepja një mesazh të gjithëve atyre të përfshirë në proces të përpiqen të tejkalojnë vështirësitë, në mënyrë që të dy vendet të hapin negociatat përpara përfundimit të presidencës franceze.

DW: Si e shihni pozicionin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me luftën në Ukrainë? Për shembull, pozicionimin e Serbisë?

Borrell: Vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor kanë marrëdhënie të ndryshme me Rusinë. Ky është fakt historik e gjeografik, por kryesisht historik, dhe nuk është sekret që Shqipëria është shumë më tepër në përputhje me Bashkimin Evropian në politikën e saj të jashtme se sa Serbia. Megjithatë, duhet thënë që Serbia ka votuar kundër Rusisë në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si hap shumë i rëndësishëm që e çon drejt anës së Bashkimit Evropian, ndërkohë që flitet për të drejtat e njeriut, sovranitetin e kombeve dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare.

dw

Pushtimi i Rusisë e vë në provë “Ballkanin e Hapur”

Open BalkanMegjithëse përfaqësuesit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kishin planifikuar që të mbanin një takim të ri, në mes të marsit, në kuadër të nismës rajonale “Ballkani i Hapur”, ata u pajtuan që për shkak të luftës në Ukrainë, takimi të shtyhet për në muajin maj, thonë nga Oda Ekonomike e Serbisë për Radion Evropa e Lirë.

Siç kanë theksuar nga kjo odë, ky pajtim është arritur në mënyrë që deri atëherë “të gjithë mund të fokusohen në sigurimin e kushteve për funksionimin normal të ekonomive dhe të shohin efektet dhe pasojat e luftës në Ukrainë në ekonomitë tona”.

Oda Ekonomike e Serbisë vlerëson se për biznesmenët dhe kompanitë e tri shteteve anëtare të “Ballkanit të Hapur”, “kjo iniciativë është dhe do të jetë shumë e qëndrueshme”.

Por, megjithatë, nga kjo odë theksuan se “në të njëjtën kohë, ne jemi dëshmitarë të ngjarjeve tragjike të luftës në Ukrainë, pasojat e të cilave në ekonominë evropiane dhe botërore askush nuk mund t’i parashikojë me siguri”.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se nisma rajonale në asnjë mënyrë nuk është e rrezikuar dhe beson se do të bëhet gjithnjë e më tërheqëse.

Pasi që Federata Ruse, më 24 shkurt, nisi pushtimin e Ukrainës fqinje, i cili shpejt u shndërrua në një luftë totale, Bashkimi Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe vendosën sanksione ndaj Rusisë, të cilave Kremlini iu përgjigj në të njëjtën mënyrë.

 

Serbia dënoi pushtimin e Rusisë, por nuk iu bashkua sanksioneve, ndryshe nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, dy anëtarët e tjerë të nismës ekonomike rajonale “Ballkani i Hapur”.

Qeveria e Rusisë i ka vendosur të dyja këto vende në listën e shteteve dhe territoreve të huaja që “kryejnë veprime armiqësore kundër Rusisë, si dhe personave juridikë dhe fizikë rusë”.

Nisma “Ballkani i Hapur” është filluar nga përfaqësuesit më të lartë të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me idenë për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve, mallrave dhe kapitaleve në nivel të të tria vendeve.

 

“Nevojitet bashkëpunim dhe solidaritet i ndërsjellë”

Nga Oda Ekonomike e Serbisë thanë për Radion Evropa e Lirë se janë në kontakt të vazhdueshëm me biznesmenët për tema të ndryshme dhe shtojnë se në mesin e tyre, kriza momentale është më aktualja.

“Biznesmenët kanë nevojë për kushte të parashikueshme, për afarizëm dhe zbatim të marrëveshjeve dhe masave të arritura, të cilat do të lehtësojnë afarizmin”, thonë nga Oda Ekonomike e Serbisë.

Sipas tyre, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe madje edhe të të tria shteteve anëtare të “Ballkanit të Hapur” janë të fokusuara më së shumti në Bashkimin Evropian “i cili është partneri ynë më i madh tregtar i jashtëm dhe nga vjen numri më i madh i investimeve të huaja”.

“Besojmë se zbatimi i marrëveshjes do të jetë testi më i madh për suksesin e vetë nismës. Njëkohësisht, bashkëpunimi i ndërsjellë dhe solidariteti i vendeve të Ballkanit Perëndimor është veçanërisht i rëndësishëm në kohë krize, gjë të cilën e tregoi bashkëpunimi i jashtëzakonshëm gjatë pandemisë”, thonë nga Oda Ekonomike e Serbisë.

Një nga idetë kryesore të nismëtarëve të “Ballkanit të Hapur” është liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, ndërkaq që një pjesë e këtyre lehtësive në këtë drejtim, tashmë është miratuar.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a ekziston rreziku që mallrat nga Rusia, përmes Serbisë – e cila nuk vendosi sanksione ndaj Kremlinit – do të jenë në tregun e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Oda Ekonomike e Serbisë thekson që nisma e “Ballkanit të Hapur”, në fushën e lehtësimit të tregtisë, ka të bëjë vetëm me mallrat me origjinë nga këto tri shtete.

“Ne jemi të sigurt se tri administratat që kanë zhvilluar një marrëdhënie pune më operacionale dhe konstruktive përmes bashkëpunimit në zbatimin e nismës ‘Ballkani i Hapur’, do të gjejnë një mënyrë për të respektuar vendimet e qeverive të tyre pa rrezikuar thelbin e nismës”, thotë Oda Ekonomike e Serbisë.

Gjithashtu, nga kjo odë është theksuar se “në një pasiguri kaq të madhe politike dhe ekonomike, me të cilën po përballen të gjithë, përfshirë edhe anëtarët e Bashkimit Evropian, ne duhet të punojmë për lidhjen dhe bashkëpunimin sa më të fortë rajonal”.

“Besojmë se bashkëpunimi i shkëlqyer mes tri shteteve, si dhe besimi që po ndërtohet ndërmjet organeve dhe agjencive shtetërore, përmes funksionalizimit të marrëveshjes, do të kontribuojnë për gjetjen e përgjigjeve për të gjitha sfidat, që të mbrojnë ekonomitë e këtyre tri vendeve dhe gjithë rajonit, si dhe që të sigurojnë që në mënyrën më të mirë të tejkalohen sfidat politike dhe ekonomike që janë përpara nesh”, thonë nga Oda Ekonomike e Serbisë.

 

Qeveria në Shkup: Iniciativa, aktualisht, nuk është e rrezikuar

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thekson se nisma “Ballkani i Hapur” nuk është rrezikuar nga kriza aktuale.

“ ‘Ballkani i Hapur’ ka qëllime, iniciativa dhe projekte të përcaktuara qartë, të cilat nuk janë të rrezikuara në asnjë mënyrë për momentin, përkundrazi, po forcohet zbatimi i asaj për të cilën është arritur pajtimi dhe po zhvillohen ide për bashkëpunim në fusha të reja”, thotë Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Nga kjo Qeveri thonë se nisma tashmë ofron rezultate konkrete, përfitime dhe lehtësime për qytetarët dhe kompanitë, gjë që, siç shtojnë, është njohur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a ekziston rreziku që mallrat ruse të importohen përmes Serbisë brenda “Ballkanit të Hapur”, të cilat për shkak të sanksioneve nuk duhet të jenë në tregjet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Qeveria në Shkup tha:

“Angazhimet e marra në kuadër të nismës ‘Ballkani i Hapur’ nuk e përjashtojnë në asnjë mënyrë respektimin e sanksioneve të parashikuara në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së në lidhje me Federatën Ruse”.

Sa i përket pikëpamjes së Serbisë për krizën ukrainase, Qeveria e Maqedonisë së Veriut thekson që Serbia votoi, më 2 mars, në favor të një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon agresionin ushtarak kundër Ukrainës dhe se Beogradi zyrtar qëndroi prapa sovranitetit të Ukrainës.

“Ky hap u mirëprit publikisht më 9 mars nga nënsekretarja e SHBA-së për çështje politike, Victoria Nuland”, përkujton Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

 

Ambasada e SHBA-së: Rusia nuk ka ‘veto’ në integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse vazhdimi i iniciativës “Ballkani i Hapur” është i qëndrueshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në situatën aktuale gjeopolitike, Ambasada e SHBA-së tha se është në dorën e shteteve anëtare të vendosin. Ajo shtoi se Federata Ruse “nuk ka ‘veto’ për integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor”.

“Ne mbetemi optimistë se anëtarët do të vazhdojnë ta avancojnë këtë qëllim përmes këtij mekanizmi dhe mekanizmave të tjerë, si dhe të punojnë për të siguruar që politikat e prekura të jenë në përputhje me Bashkimin Evropian. Demokracitë në mbarë botën janë të bashkuara në dënimin e agresionit të pajustifikuar dhe të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Ambasada e SHBA-së në Beograd.

Misioni diplomatik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës thekson që integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor e konsideron si kyç për ndërtimin e prosperitetit dhe stabilitetit afatgjatë për rajonin.

“Heqja e barrierave për përmirësimin e tregtisë dhe biznesit në rajon, si dhe ndërtimi i besimit midis fqinjëve, është një veprim i zgjuar”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së për Radion Evropa e Lirë.

 

Mesazhet e zyrtarëve nga Serbia dhe Shqipëria

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk i ka kushtuar shumë vëmendje publike “Ballkanit të Hapur”. Ai iu referua kësaj teme në një intervistë për televizionin “Pink” më 12 mars, duke thënë se Serbia është e përkushtuar për “Ballkanin e Hapur” dhe se do të furnizojë fqinjët me miell dhe mallra të tjera.

Më 10 mars, Qeveria e Serbisë ndaloi eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit. Sipas Vuçiqit, kjo është bërë për shkak se eksporti i grurit dhe miellit është rritur në mënyrë drastike ditëve të fundit.

Sipas Vuçiqit, Serbia do të heqë dorë nga 20 për qind e akcizës, për të stabilizuar çmimin e derivateve. Shteti, gjithashtu në mars, do të duhet të sigurojë një shtesë prej 150 milionë eurosh për Elektro-ekonominë e Serbisë dhe Serbiagazin, për shkak të mungesës së qymyrit dhe gazit.

Më herët, Ukraina – eksportuesi i katërt më i madh i ushqimit në botë – vendosi të bllokojë eksportet e thekrës, elbit, hikërrorit, melit, sheqerit, kripës dhe mishit, deri në fund të vitit 2022.

Më 13 mars, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Shqipëria po negocionte me Serbinë për të nxjerrë një pjesë të grurit të kontraktuar nga kompanitë shqiptare.

“Besoj se do ta arrijmë këtë falë ‘Ballkanit të Hapur’ ”, tha Rama.

Në fillim të muajit mars, kryeministri i Shqipërisë deklaroi se kjo nismë tashmë është “më e rëndësishme se sa dje”, dhe se këtë do ta tregojë koha.

 

“Ballkani i hapur” dhe çfarë është arritur deri më tani?

Nisma “Ballkani i Hapur”, që fillimisht quhej “mini-Schengen”, u themelua në tetor të vitit 2019. Në atë kohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe dy kryeministrat, i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev, u takuan në Novi Sad, tetëdhjetë kilometra në veri të Beogradit, ku nënshkruan një deklaratë me qëllim themelimin e ‘mini-Schengen-it” mes tri vendeve.

Ideja e deklaratës, siç shpjeguan nënshkruesit, ishte që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të fillojë të funksionojë mbi katër liritë kryesore të Bashkimit Evropian – lirinë e lëvizjes së kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Që atëherë janë mbajtur disa takime të përfaqësuesve më të lartë të tre shteteve. Takimi i fundit u organizua në dhjetor të vitit 2021, në Tiranë, ku delegacionet nënshkruan marrëveshje që lehtësojnë marrjen e letrave për punëtorët nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dhe disa marrëveshje në fushën e inspektimit veterinar dhe fitosanitar.

Në takimet e mëparshme delegacionet e këtyre tri vendeve vendosën që lëvizja e lirë e qytetarëve të tyre të bëhet me letërnjoftime dhe që nga 1 janari 2023, të hiqen kontrollet doganore. Gjithashtu, u nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim për parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore.

Ndonëse nismëtarët e “Ballkanit të Hapur” kanë përsëritur vazhdimisht se kjo nismë është “përfshirëse” dhe u kanë bërë thirrje vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen asaj, vendet fqinje – Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova – nuk e shohin me entuziazëm këtë ide.

Partitë politike në Kosovë, në pushtet dhe në opozitë, vlerësojnë se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan “Ballkanit të Hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për një treg të përbashkët rajonal.

Përfaqësuesit politikë të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se nuk duhet të bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë për rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

 

Qëndrimi i Serbisë ndaj pushtimit rus

Më 2 mars, Serbia votoi për një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që dënon sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Megjithatë, Beogradi zyrtar nuk iu bashkua komunitetit ndërkombëtar në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Në një deklaratë për mediat, më 10 mars, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ishte thelbësore që Serbia të mos merrte pjesë në luftën në Ukrainë dhe se nuk ka mungesë të artikujve, por ka karburant dhe drithëra.

Beogradi zyrtar përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira si me Rusinë, ashtu edhe me Ukrainën. Pasi Federata Ruse aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014, Serbia e dënoi këtë veprim, por, ashtu sikurse edhe tash, nuk iu bashkua sanksioneve të bashkësisë ndërkombëtare kundër Rusisë.

Arsyeja për këtë është, ndër të tjera, se Beogradi zyrtar ka mbështetjen e Kremlinit në Kombet e Bashkuara për çështjen e Kosovës. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli në vitin 2008.

Përveç shkakut të Kosovës, Serbia mban marrëdhënie të mira me Kremlinin edhe për gazin që e blen nga Rusia.

rel

Lufta në Ukrainë ndan opinionin në Maqedoninë e Veriut

ShkupiKundrejt qëndrimit të udhëheqësve politikë në Maqedoninë e Veriut që është rreshtuar përkrah forcave euroatlantike, të cilat i kanë dhënë mbështetje sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, në mediat sociale paraqiten grupe të caktuara që vihen në mbrojtje të palës ruse, gjë që ka çuar në polarizimin e shoqërisë.

 

Në rrjetet sociale janë paraqitur qëndrime që përmbajnë gjuhë të urrejtjes në pretendimet se Ukraina ka mbështetur bombardimin e viseve të banuara me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001. Kjo po bëhet përmes informacioneve të përsëritshme, pa i paraqitur të gjitha faktet, rrjedhimisht duke përhapur në formë indirekte propagandë pro-ruse.

Ilia Xhugumanov, nënkryetar i Këshillit Veri-Atlantik thotë për Radion Evropa e Lirë se “mendimi publik është shumë i polarizuar, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por në të gjitha vendet e rajonit që krijon një peizazh të komplikuar për situatën në Ukrainë.

“Këtu do të theksoja hapësirën informative dhe mediale nga të dyja palët, e cila për fat të keq edhe pse është e polarizuar, ne megjithatë nuk marrim informata të sakta prej të dyja palëve. Megjithatë, kemi informacione të llojllojshme nga të dyja palët. E, ato informacione megjithatë kanë një agjendë të caktuar, do të kisha thënë me apetite të caktuara të biznesit, apo apetite të caktuara politike, kështu që krahas opinionit publik, krahas institucioneve, konsideroj se këtu mjaft e lëndueshme është edhe hapësira informative, përkatësisht hapësira mediatike në vend”, thotë Xhugumanov.

 

Ndërkohë, Oleksandr Urbanoviq, kryetar i Shoqatës së Ukrainasve në Maqedoninë e Veriut thotë se në këtë situatë, çdo mbështetje për Rusinë sado e vogël të jetë e nga cilido qoftë grupim, paraqet mbështetje për vrasjen e popullit të pafajshëm ukrainas.

“Mbështetja për Rusinë në këtë moment paraqet mbështetje ndaj krimit që po bëhet në Ukrainë. Një gjë tjetër është të mbushesh simpati ndaj një populli dhe diçka krejtësisht tjetër është të mbështesësh aktivitetet e një shteti siç është invazioni rus në Ukrainë. Nuk dua të besoj se ka njerëz të tillë në Maqedoninë e Veriut që mbështesin vrasjen e fëmijëve e civilëve në Ukrainë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Urbanoviq.

Në një intervistë për TV Sitel, ambasadori rus në Maqedoninë e Veriut, Sergei Bazdnikin (më 9 mars ) theksoi se kundërshtarët e Rusisë nuk hezitojnë të publikojnë lajme të rreme për veprimet e trupave ruse duke iu referuar lajmeve edhe mediave në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk garantojmë as spitalet e fëmijëve e as çfarëdo objekti civil. Janë shqetësuese lajmet e rreme kundrejt veprimeve të Rusisë”, tha ai.

Rritet besimi i qytetarëve ndaj marrëdhënieve me Kinën dhe Rusinë

Anketa e realizuar së fundi nga Qendra për Hulumtime e Institutit Republikan Ndërkombëtarë (IRI), rezultatet e së cilës janë prezantuar javën që shkoi, ka nxjerrë në pah se është në rritje ndikimi rus dhe ai kinez në Maqedoninë e Veriut.

Megjithëse, anketa është realizuar në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar (2021) për sa i përket politikës së jashtme, 64 për qind e të anketuarve vlerësojnë se marrëdhëniet e forta me Kinën u shërbejnë interesave të tyre, që paraqet një rritje prej 11 për qind krahasuar me anketën e realizuar në shkurt të vitit 2020.

Njëherësh, 60 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur se marrëdhëniet e forta me Rusinë do të jenë në interes të tyre, që do të thotë se ka shënuar një rritje prej 6 për qind krahasuar me anketën e realizuar në shkurtin e vitit 2020.

Megjithatë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë mbështetjen më të madhe te qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Sipas rezultateve, të anketuarit pajtohen se marrëdhëniet e forta me BE-në më së miri u shërbejnë interesave të Maqedonisë së Veriut dhe 76 për qind e qytetarëve e ndajnë këtë mendim për SHBA-në.

Po ashtu, anketa e IRI-t tregon se 75 për qind e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, e mbështesin iniciativën ‘Ballkani i Hapur’.

Ndryshe, që në ditën e parë të invazionit rus në Ukrainë, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i ndjekin informacionet zyrtare nga institucionet, me qëllim parandalimin e efekteve negative nga lajmet e rreme dhe krijimin e panikut lidhur me situatën e sigurisë dhe atë ekonomike.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, me nisjen e luftimeve në Ukrainë, u ka bërë thirrje të gjitha mediave që të informojnë me përgjegjësi dhe profesionalizëm maksimal, duke mos kontribuar në përhapjen e spekulimeve dhe të pavërtetave në opinion.

 

rel

Protesta e qytetarëve, Rama: Më alarmon cenimi i drejtpërdrejtë i dinjitetit tonë si komb

ramaKryeministri Edi Rama kritikoi këtë të hënë sërish qytetarët që u vendosën para Kryeministrisë në ditën e gjashtë të protestës.

Ai tha se e vetmja gjë që e alarmonte nga protesta është cenimi i drejtpërdrejtë i dinjitetit të kombit shqiptar.

“300-fish të ishte kjo protestë taksat mbi karburantet sa të jem këtu dhe kjo qeveri këtu nuk hiqet, nuk lëvizin Mua më alarmon diçka tjetër, cenimi i drejtpërdrejtë i dinjitetit tonë si komb si popull si shtet, si shoqëri. Shqiptarë nga ky reagim mund të gëzojë vetëm ata që e nxisin vetëm ata që janë në Kremlin. Se për çfarë një kryeministër duhet të luajë me nervat e njerëzve dhe të paralajmërojë kriza atë e dinë vetëm ata. Çmimi që blihet në tregjet ndërkombëtarë ka ikur aty ku nuk e imagjinoni kur e morëm këtë vendim.

Ai theksoi se protestuesit po turpërojnë Shqipërinë në sytë e Evropës dhe botës, pasi janë të vetmit që po protestojnë në këtë kohë krize.

Shumë pak ditë pasi ndeshet e gjithë bota me befasinë e kësaj lufte që vjen këtu vjen dhe thotë brenda javës do të kemi skenarët dhe masat që do të marrim, çfarë ka këtu për të investuar që të derdhet helm, të zgjatet më shumë kjo re mërzitje. Nuk ka asnjë lidhje as me popullin as me pensionistët që ua qajnë hallin medemek ata që turpërojnë Shqipërinë. Po sikur kjo situatë të shkojë në ato pika që të mungojë nafta, energjia, një seri produktesh të tjera çfarë bëjmë ne këtu? Pse kaq pak jemi ne nga pikëpamja e forcës së karakterit, këta janë një pakicë e pakicës që po kërkojnë me çdo çmim të instrumentalizojnë një dynja të tërë”, tha Rama.

Rama përsëriti se pas protestave në vend fshihet Rusia, duka i quajtur qytetarët që po marrin pjesë vegël të saj.

“Më erdhi nga dikush në Bruksel një mesazh para dy ditëve. Keni informacion kush qëndron prapa këtyre protestave në Tiranë është legjitime t’i bëhet presion qeverisë shqiptare është pjesë e NATO-s dhe defacto kundër Rusinë. Se si mund të bëhesh vegël e dikujt tjetër duke bërë këtë veprim të turpshëm. nëse do isha personi arrogant, përse do të isha në komunikim me ju?! Unë e bëj këtë se jam në këtë detyrë me pasionin e madh për ta bërë këtë punë sa më mirë dhe me ndjenjën shumë të lartë të detyrimit të atyre që më kanë vënë këtu shumica dërrmuese e shqiptarëve, nuk ka pasuri, nuk ka asgjë më të madhe se kjo për mua dhe kjo prodhon shqetësim për të komunikuar”, shtoi Rama.

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur prej gjashtë ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit duke protestuar kundër rritjes së çmimit të ushqimeve dhe hidrokarbureve.

Paketa e Rezistencës Sociale e miratuar nga qeveria nuk është masa e duhur sipas protestuesve, pasi është anashkaluar pjesa tjetër e popullsisë.

Çdo ditë jave ata do të takohen në orën 17:00 përballë Kryeministrisë, ndërsa e shtuna do të jetë marshim kombëtar.

Kjo revoltë e qytetarëve erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimit të produkteve ushqimore dhe hidrokarbureve si efekt i luftës në Ukrainë.

Top Channel