Deputetët e PD braktisin Kuvendin e Rithemelimit, kush janë figurat e vjetra në krah të Berishës

Sali Enver HoxhaKomisioni i Rithemelimit ka nisur punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve, ku pjesëmarrës janë 1800 delegatë të cilët do të zgjedhin Këshillin e ri Kombëtar.

Rreth 35 deputetë të PD, kanë braktisur Kuvendin e Rithemelimit. Mes emrave që mungojnë janë Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Jorinda Tabaku, Ervin Saljani, Grida Duma, Agron Gjekmarkaj, Afred Rushaj, Tomor Alizoti, Dashnor Sula, Dhurata Çupi, Helidon Bushait, Xhelal Mziu, Zef Hila, Orjola Pampuri, Flutura Açka,  Ferdinant Xhaferraj, Lulzim Basha, Saimir Korreshi, Lindita Metaliaj, etj.

Në fotot brenda sallës, te pranishëm janë figurat e vjetra të ritkthyera, si Topalli e Imami, të cilët pranuan ftesën e Sali Berishës për rikthim në PD.

Të pranishëm janë edhe deputeti Kasem Mahmutaj, dhe Ina Zhupa, të cilët i janë bashkuar për herë të parë Kuvendit të Berishës.

Ky i fundit, është ulur mes dy zonjave në sallë, bashkëshortes së tij dhe Albana Vokshit.

tch

Maqedoni, shtyhet greva në arsim, të pakënaqur një pjesë e anëtarëve të SASHK-ut

grevaSindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) e ka ndërprerë grevën pas njoftimit nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale se Ministria e Arsimit dhe Shkencës po i afrohet zgjidhjes paqësore të rastit. Nga sot nxënësit duhet të kthehen në mësime, por një pjesë e anëtarësimit të SASHK-ut të cilët janë të pakënaqur me vendimin e fundit të sindikatës, dje kanë protestuar duke kërkuar përgjegjësi nga personi i parë i sindikatës. Ata thonë se ata fëmijë që do të vijnë në shkollë nuk do të kthehen.

“Të gjithë ata që do të vijnë nesër në shkollë, do të pranohen. Ne do të jemi në shkollë, nëse vijnë fëmijët do t’i presim. Nëse ka nevojë do të mbajmë edhe mësim”, kanë thënë disa nga mësimdhënësit të cilët janë mbledhur dje para selisë së SASHK-ut.

Ata deklaruan se për ta nuk kanë rëndësi përqindjet e rritjes së pagave, por kontratat kolektive dhe se për këtë ndihen të mashtruar nga kryetari i sindikatës.

“Kthehet pa dijeninë e anëtarësisë dhe merret një vendim për të cilin anëtarësia nuk është e informuar. Jemi këtu për të shprehur revoltën tonë. Ne jemi baza, ne jemi anëtarësia dhe Nedelkov është i obliguar të vijë dhe të shpjegojë pse e ka ndryshuar vendimin”, kanë thënë anëtarët e sindikatës të pakënaqur.

LSDM akuzoi OBRM-PDUKM-në se po përpiqet të bëjë presion ndaj anëtarëve të SASHK-ut.

“Pasi SASHK-u njoftoi se greva ishte duke u zbutur, sipas Ligjit për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të punës, qytetarët e panë VMRO DPMNE-në dhe Mickoski-n duke ushtruar presion të dëshpëruar ndaj anëtarëve të SASHK-ut dhe drejtorëve të shkollave në komunat e drejtuara nga kryetarët e OBRM-PDUKM-së. Përpjekjet e tilla të OBRM-PDUKM-së dhe Mickoskit dëmtojnë edhe mësimdhënësit edhe anëtarët e SASHK-ut”, thanë nga LSDM.

Vendimin për ndërprerjen e grevës e ka bërë të ditur kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov, i cili ka thënë se është bërë konsultimi me subjektet juridike dhe se duhet të veprohet sipas ligjit. Ai ka bërë të ditur se nëse në periudhën e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjes nuk gjenden zgjidhje të përshtatshme, greva do të mund të riaktivizohet.

“Do të duhet të veprojmë në përputhje me ligjin dhe ta lëmë grevën në pritje. Kjo do të thotë se ne e vendosim në pritje vendimin për të hyrë në një grevë të përgjithshme derisa të zgjidhet mosmarrëveshja. Jemi të bindur se në periudhën e pajtimit do të gjejmë zgjidhjet e duhura dhe se nuk do të ketë nevojë për aktivizim të grevës. Nëse nuk pajtohemi me qëndrimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, greva do të riaktivizohet. Shpresoj se kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh Nedelkov.

Afati maksimal për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve është 20 ditë, ndërsa afati fillestar është 10 ditë.

“Nëse për 10 ditë njëra nga palët nuk është e kënaqur, kërkohet formimi i një organi plotësues pajtues, që procedura të përfundojë më së shumti për 20 ditë”, tha Nedelkov.

SASHK shpreson se do të rriten pagat, nuk do të zvogëlohen mëditjet gjatë grevës dhe do të nënshkruhen marrëveshjet kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm si dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe do të përcaktohen afate.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës përshëndeti vendimin e SASHK-ut, i cili siç vlerësoi, është në interes të nxënësve dhe vazhdimësisë së procesit arsimor.

“Duke u nisur nga urgjenca për mbrojtjen e interesit publik të qytetarëve, të drejtën për arsimim dhe pasojat që mund të ndodhin në rast të ndërprerjes së këtij procesi, dhe në të njëjtën kohë duke marrë parasysh kërkesat e SASHK-ut, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vepruar në përputhje me Ligjin për zgjidhjen paqësore të kontesteve të punës dhe sot ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale për caktimin e pajtuesit në këtë proces. Me këtë vendim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpreh gatishmërinë për të vazhduar procesin e negociatave me partnerët social dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të gjithë”, thuhet në njoftimin e MASH-it.

Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, negociatat nuk duhet të fokusohen vetëm në pagën minimale, por të shqyrtohen edhe mënyra të tjera për të motivuar dhe përmirësuar procesin arsimor. Për televizionin Telma, Shaqiri tha dje se propozimi për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes nuk ishte propozuar më herët sepse shpresonte se do të arrinin një marrëveshje pozitive me sindikatat.

Ndërmjetësuese në këtë rast do të jetë Dragica Isailovska-Mitrovska. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska beson se Isailovska-Mitrovska me përvojën e saj shumëvjeçare do të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjes.

“Ajo është e paanshme, njeh ligjin, ligjin e punës dhe ligjet e arsimit dhe ka kompetencë të jetë pajtuese. Me rolin e saj besoj se do të arrijmë një zgjidhje. Do të jenë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, SASHK-ut dhe së bashku me ndërmjetësuesin do të marrin pjesë në negociata, tha dje Trençevska për TV 24.

Sipas Trençevskës, mësimdhënësit duhet të kthehen në punë sepse greva është pezulluar dhe nëse nuk e bëjnë, atëherë do të konsiderohen si mungesë të pajustifikueshme dhe do të veprojnë në përputhje me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, ose mund të humbasin punën ose ndaj tyre të fillojë procedimi disiplinor.

“Kur afrohet zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjes, greva vihet në pritje. Këshilli i SASHK-ut ka vepruar në përputhje me ligjin dhe kur të pranohet ndërmjetësimi, greva ndërpritet. “Nëse mësimdhënësit nuk kthehen në punë dhe vazhdojnë grevën, e cila tashmë është ndërprerë me vendim të SASHK-ut, atëherë do të mbajnë përgjegjësi sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Punës – mund të humbasin vendin e punës, do të inicohet procedurë disiplinore. “, tha Trençevska.

Greva e të punësuarve në shkollat ​​fillore dhe të mesme dhe kopshtet filloi më 11 prill me kërkesë për rritje të menjëhershme të pagave për 18.4 për qind dhe më pas gjetjen e metodologjisë për harmonizimin e pagave me pagën minimale. Gjatë negociatave, sindikatës fillimisht iu ofrua rritje e pagave prej 10 për qind dhe më pas rritje prej 12 për qind, por propozimet nuk u pranuan nga anëtarësia e SASHK-ut. Në seancën e fundit të Këshillit të SASHK-ut dhe pas shpalljes së anëtarësimit, është marrë vendim që çerdhet të rifillojnë punën të mërkurën, ndërsa shkollat ​​kanë mbetur në grevë.

Sulmet ndaj policisë në veriun e Kosovës “tensionim i qëllimshëm”

Xhelal Sveçla ministri i Brendshëm i KosovësAutoritetet e rendit në Prishtinë shprehen të shqetësuara për sulmet e herëpashershme ndaj forcave policore në veriun e Kosovës. Sipas tyre, ato synojnë të shkaktojnë panik dhe destabilizim të situatës në Kosovë.

Sulmet që po ndodhin kohë pas kohe në veri të Kosovës mbi pjesëtarët e policisë kanë shqetësuar autoritetet e Prishtinës. Ato thonë se sulmet po ndodhin për “tensionim të qëllimshëm” të situatës së sigurisë në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga data 13 prill e deri tani janë sulmuar gjashtë herë. Persona të panjohur kanë qëlluar kundër automjeteve të policisë me armë automatike, AK 47, granata dore, po ashtu janë vendosur iriqë metalik në rrugë dhe mjete tjera të forta. Lëndime në njerëz nuk ka pasur, vetëm dëmeve materiale.

Hetime intensive

Gjatë një raportimi para komisionit të sigurisë në parlamentin e Kosovës, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se “autoritetet po punojnë intensivisht në hetimin e sulmeve të fundit ndaj Policisë së Kosovës në komunat veriore”, të banuara me shumicë serbe. Sipas ministrit Sveçla, “gjashtë sulmet ndaj policisë në javët e fundit kanë sjellë një ndjenjë të pasigurisë tek qytetarët në veri”. “Këto sulme mbi të gjitha kanë prapavijë tjetër, me synimin për të shkaktuar panik dhe pasiguri te qytetarët dhe për të destabilizuar situatën në vendin tonë”, deklaroi ministri i Brendshëm, i cili shprehur bindjen, se “për një afat shumë të shpejtë do të kemi rezultatet e duhura në këtë fushë”.

Reagon Lista Srpska

Sulmi i fundit  me armë zjarri mbi pjesëtarët e policisë së Kosovës ndodhi më 26 prill. Sipas zëdhënësit të policisë, zyrtarët policorë u sulmuan me armë zjarri në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. “Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cilat kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjete nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, deklaroi zëdhënësi Baki Kelani.

Për këtë sulm reagim pati edhe nga subjekti politik serb, më i madhi në Kosovë Lista Srpska,  e cila në kuvendin e Kosovës përfaqësohet me dhjetë deputetë. Sipas Listës Srpska, “një incident i tillë ka për qellim t’i paraqesë serbët si ngacmues”, gjë që sipas tyre nuk përputhet me të vërtetën.

“Ftojmë qytetarët të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë incidente të tilla që rrezikojnë paqen aq të nevojshme në këtë rajon. Kush e ka bërë këtë nuk i do të mirën popullit serb”, thuhet në një reagim për medie të Listës Serbe.

Të shmangen spekulimet që sjellin tensione

Pas sulmeve të njëpasnjëshme mbi pjesëtarët e policisë së Kosovës në veri, në reagimet e zyrtarëve të lartë në Prishtinë dhe Beograd, pati një retorikë  të ashpër për të cilën bëri që të reagojë edhe Bashkimi Evropian. BE kërkoi që të “shmangen spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione”.

“Bashkimi Evropian dënon ashpër sulmet e fundit ndaj patrullave të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës ndaj policëve të saj është i papranueshëm. I bëjmë thirrje të gjithëve që të shmangin spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme. Hetimi i rastit, do të bëhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, u shpreh në reagimin e tij Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Një seancë parlamentare për incidentet në veri të Kosovës ishte paraparë të mbahej më 19 prill, por ajo dështoi të mbahej për shkak të mospajtimeve pozitë opozite për çështje të tjera parlamentare.

“Sulmet janë kryer nga individë me bagazh kriminal”

Por si i shohin sulmet që po ndodhin mbi pjesëtarët e policisë në veri, njohësit e çështjeve të sigurisë. Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, i cila e ka drejtuar Policinë e Kosovës nga viti 2018-2020, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, Rashit Qalaj, mendon se “sulmet janë kryer nga individë me bagazh kriminal, që veprojnë brenda territorit të Kosovës.”

Sipas Qalaj, “individët e atyre grupeve definitivisht janë nga Kosova, por ata shfrytëzojnë territorin e Serbisë, pra sulmojnë policët e Kosovës nga drejtimi i Serbisë”. Edhe në të kaluarën është dëshmuar se grupet kriminale që veprojnë në veri të Kosovës nuk veprojnë të vetme, thotë Qalaj. “Unë mendoj se këto grupe janë të koordinuara, nuk veprojnë të vetme, mirëpo ato i përdor Serbia më shumë, si elemente kriminale për të bërë ndonjë destabilizim të mundshëm në Kosovë”, thotë Rashit Qalaj.

Në shkurt të këtij viti, policia e Kosovës nisi të mbyllë disa rrugë malore në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi që shfrytëzohen për kontrabandë. Sipas Ministrisë së Brendshme qëllimi i mbylljes së këtyre ishte “për të parandaluar dhe luftuar krimin dhe të gjitha format e kontrabandës në zonat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë”. Në disa nga këto rrugë prej tri ditësh, KFOR-i në bashkëpunim me policinë e Kosovës punuan dhe hoqën pengesat e vëna duke liruar rrugët për banorët lokalë. Zyrtarë të KFOR-it thanë, se ky mision “mbështet përpjekjet e institucioneve në Kosovë për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të frenuar aktivitetet kriminale në Kosovë”.

“Ne vazhdojmë të mbështesim Policinë e Kosovës për të penguar aktivitetet e kontrabandës dhe trafikimit, edhe në veri të Kosovës dhe për të ruajtur një mjedis të sigurt”, i cili duhet të peshohet proporcionalisht me nevojat e komuniteteve lokale dhe me lirinë e lëvizjes për banorët lokal. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha misioni i KFOR-it për mediet lokale. Sidoqoftë, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe Zyra e BE-së, i kanë dënuar vazhdimisht sulmet kundër Policisë së Kosovës në veri, duke kërkuar që të mos bëhen veprime të nxituara që mund të përshkallëzojnë tensionet në zonën në veri të Kosovës.

dw

Lavrov: Armët e perëndimit objektiv sapo të hyjnë në Ukrainë

LavrovMinistri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov është shprehur se Rusia e di itinerarin e lëvizjes së armëve të perëndimit dhe se ato do të jenë objektiv sapo të mbërrijnë në Ukrainë.

Sipas ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov Rusia nuk e sheh veten në luftë me NATO-n. Më shumë beson NATO, se është në luftë me Rusinë, tha Lavrov në një intervistë për televizionin arab, Al-Arabija. Po ashtu Rusia nuk kërcënon me armë atomike, tha Lavrov, janë mediat perëndimore që ekzagjerojnë në këtë pikë. “Ne nuk luajmë me një luftë atomike”, citohet Lavrov nga agjencitë Ria dhe Tass. Së fundmi Lavrov kishte paralajmëruar nga rreziku i një lufte të tretë botërore. Rusia vendosi në gatishmëri në fund të shkurtit, armët kërcënuese, që u kuptua në botë si sinjal kërcënues me arsenalin atomik.

Sipas Lavrov, Rusia i di rrugët përmes të cilave, perëndimi do të dërgojë armë në Ukrainë. Këto armë do të bëhen objektiv sulmi “sapo të arrijnë në territorin e Ukrainës”. Ministri i Jashtëm rus përsëriti mbi atë që Rusia e quan “operacioni special”, por perëndimi luftë sulmuese në Ukrainë, se ky do të marrë fund sapo të jenë arritur të gjithë qëllimet. Këto janë mbrojtja e popullsisë civile në Ukrainën lindore dhe garancia se “nga territori i Ukrainës nuk vijnë kërcënime për këtë popullsi dhe për Rusinë. Kjo është e gjitha.”

SHBA: Ofensiva ruse jo sipas planit

Por sipas vlerësimit të SHBA, ofensiva ruse nuk po ecën sipas planit që kishte parashikuar Kremlini. “Ne besojmë (…), se ata me atë që duan të arrijnë në Donbas janë prapa planeve”, tha një funksionar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes në Uashington. “Ne besojmë, se me rrethimin e plotë të trupave ukrainase, ata duhet të kishin përparuar më shumë.” Trupat ukrainase po mbrohen me shumë efektivitet kundër përparimit të trupave ruse.

Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vlerësoi në videon e fundit gjendjen në Lindje, se “po e godasim pushtuesin në të gjitha drejtimet nga përpiqet të hyjë. Gjendja në rajonin e Kharkivit është e vështirë, por ushtria jonë dhe shërbimi sekret kanë arritur suksese të rëndësishme taktike. Zelensky nuk dha hollësi.

la/wa/ack (dpa, afp, rtr)

Policia në perëndim apelon mos u jepni para “Lypësve” – Mashtruesve

PolizeiEdhe në aspektin fetar thuhet që të ndihmoni ata që kanë vërtet nevojë dhe jo “Lypësit” – Mashtruesit

Würzburg: Policia paralajmëron për bandat e organizuara të lypësve

Qyteti i Würzburg aktualisht po paralajmëron nga lypësit në qendër të qytetit. Këto janë banda të organizuara nga Evropa Lindore.

Vetë lypësit nuk kanë asgjë nga paratë, ato mblidhen rregullisht nga mbështetësit (personat në prapavijë). Qyteti këshillon dhe insiston që mos u jepni para lypësve. Sepse kështu, lypja në Würzburg bëhet më pak tërheqëse dhe bandat tërhiqen.

Policia dhe shërbimi i sigurisë aktualisht janë gjithashtu gjithnjë e më shumë në lëvizje në qendër të qytetit.

rg

Sindikalistët kërkojnë harmonizimin e pagave

PunetoriMosharmonizimi i pagave të punëtorëve në raport me rritjen e pagës minimale, ka bërë që punëtorët në Maqedoninë e Veriut, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Punëtorëve, 1 Majin, ta presin me protesta masive.

Nga Lidhja e Sindikatave, e cila është organizatore e protestës të së dielës, kanë bërë të ditur se kërkesë thelbësore mbetet rritja lineare e pagave të të gjithë punëtorëve në harmonizim me pagën minimale, përfshirë këtu sektorin publik dhe atë privat.

Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave shpenzimet për jetesë brenda vitit janë rritur për 9 për qind, kundrejt rritjes së pagës mesatare prej 7 për qind krahasuar me muajin shkurt të një viti më herët.

Sindikalistët thonë se vala e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, karburanteve etj., e bën të papërballueshme mbijetesën me të ardhurat që marrin.

Një nga ata që shpreh indinjatën për mosrritjen e pagës në harmoni me rritjen e pagës minimale është dhe Ismail Samakova, i cili më shumë se 30 vjet punon në administratën e shtetit.

Ai për Radion Evropa e Lirë thotë se pagat në Maqedoninë e Veriut nuk mundësojnë një jetë me dinjitet.

“Kërkesë jo vetëm e imja, por e të gjithë punëtorëve është që të gjitha pagat të rriten ashtu siç u rrit paga minimale që të kemi një jetë normale. Ne nuk jemi mësuar të jetojmë në luks, por thjesht kërkojmë të kemi një jetë me dinjitet. E shini sa është shtrenjtuar rryma, faturat bëhen të papërballueshme, një shishe vaj ka shkuar në 150 denarë nuk di se çka të flas. Është bërë e vështirë të kalohet muaji me këto paga”, thotë Samakova.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, Darko Dimovski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se përmes protestës së një majit ku është paraparë të marrin pjesë punëtorët nga sektori publik dhe ai privat, synohet t’i dërgohet një porosi e qartë Qeverisë, po njëkohësisht të gjithë punëdhënëse, se nuk do të lejojnë t’u shkelet dinjiteti punëtorëve.

“Do të mblidhemi të gjithë punëtorët që t’i çojmë dhe t’i kërkojmë të drejtat tona në pajtim me ligjet dhe me marrëveshjet kolektive dhe t’u drejtojmë porosi të qartë të zgjedhurve të popullit, punëdhënësve dhe Qeverisë, se kërkojmë rroga më të larta në këtë krizë ekonomike, energjetike dhe, më e reja, krizë të luftës, që të mund të mbijetojmë si punëtorë dhe ajo çka e punojmë të jetë e vlerësuar me dinjitet”, thotë Dimovski, duke bërë të ditur se në bazë të analizave që ka Lidhja e Sindikatave, më shumë se 700.000 punëtorë në Maqedoninë e Veriut, janë të prekur nga nevoja e rritjes së pagës si rrjedhojë e rritjes së inflacionit.

Kërkesa për harmonizimin e pagave pasoi rritjen e pagës minimale për rreth 50 euro, përkatësisht rritjes nga 15 mijë në 18 mijë denarë ku janë të përfshirë rreth 80 mijë punonjës.

Ligji për pagën minimale parashikon që brenda gjashtë muajve, sipas nenit 8, të gjitha pagat e tjera, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, të rriten gradualisht.

Nga Konfederata e Sindikatave të Lira theksojnë se rritja e pagave të tjera në harmoi me pagën minimale duhet të ndodhë menjëherë dhe jo në mënyrë graduale, pasi thonë se “rritja e pagës minimale, ka sjellë deri te barazimi i pagave në vende të ndryshme të punës”.

Nga Konfederata e Sindikatave të Lira thonë se në këtë situatë kur ka pësuar rritje paga minimale, por jo dhe pagat tjera, meqë punëtorët më pak të kualifikuar që marrin paga të njëjta me ata me kualifikime më të larta.

“Kërkojmë harmonizimin e pagave në bazë të rritjes së pagës minimale, sepse në 4 vitet e fundit paga minimale u rrit për 78 për qind, ndërsa pagat në sektorin publik vetëm 5 për qind”, ka thotë Bllagoje Ralpovski, kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira.

Ndër kërkesat thelbësore të punëtorëve mbetet dhe respektimi i ligjeve që garantojnë të drejtat e punëtorëve.

Nga Lidhja e Sindikatave thonë se një pjesë e konsiderueshme e punëdhënësve shkelin Ligjin për marrëdhënie pune, me të cilin e diela është ditë pushimi.

Autoritetet qeveritare thonë se nuk janë kundër rritjes lineare të pagave për çka, siç bëjnë të ditur, janë duke u zhvilluar bisedime me sindikalistët në kuadër të dialogut social, por shtojnë se nevojitet kohë, pa precizuar se sa është ajo, që rritja e pagave mos prodhojë efekte inflacioni.

Ndryshe, pas grevës prej më shumë se dy javëve, Sindikata e Arsimit dhe Shkencës e ka pezulluar grevën me arritjen e ujdisë që pagat e mësimdhënësve të rriten për 12 për qind.

Por, këtë javë është futur në grevë Drejtoria e librave amë, me ç’rast qytetarët nuk mund të nxjerrin asnjë dokument nga ky institucion.

rel

Republika e Moldavisë në shënjestër të Rusisë

MoldaviaNë Moldavi është rritur shqetësimi se vendi mund të kthehet në objektivin e ardhshëm të agresionit rus. Sulmet e inskenuara në rajonin separatist prorus, Transilvani, janë shenja jo të mira, mendon Vitalie Ciobanu.

 

Kohët në të cilat Republika e Moldavisë ndihej relativisht e sigurt për shkak të rezistencës heroike të Ukrainës kundër agresionit të Putinit, përfshirë këtu edhe fitoren ushtarake të mbytjes së anijes „Moskwa” të flotës ruse të Detit të Zi, kanë marrë fund. Gjendja në rajonin separatist të Transilvanisë nuk është nën ogur të mirë.

Ditën e hënë më 25 prill 2022, ditën e dytë të Pashkëve ortodokse, u sulmua me granata qendra e shërbimit sekret (KGB) në Tiraspol, kryeqytetin e rajonit të trazuar. Nuk ka pasur të lënduar, godina ishte bosh në momentin e sulmit. Ditën tjetër, më 26 prill pasuan sulme të tjera ushtarake në Transilvani: u shkatërruan dy antena komunikacioni në rajonin Grigoriopol dhe pati shpërthime në Parcani, një qytet 13 kilometra larg kufirit me Ukrainën dhe në një aerodrom në Tiraspol. Ngjarje të tjera të ngjashme mund të ndodhin ende.

Prania ruse në Transilvani 

Një rast ekstrem, “Worst Case” do të ishte përshembull ndonjë aksion sabotazhi në  depon ushtarake në Cobasna, që ndodhet nën kontrollin e trupave ruse të stacionuara ilegalisht. Atje janë magazinuar 20 000 tonë municione sovjetike, që u tërhoqën në fillim të viteve 1990-të nga ish-vendet komuniste të Europës qëndrore dhe lindore. Leje hyrjeje në këtë magazinë nuk kanë as autoritetet moldave të kryeqytetit Kisinau, as ekspertët e huaj. Për gjendjen e municioneve nuk ka informacione.

 

Kërkesat e përsëritura të Kishinaut drejtuar Moskës për t’i larguar armët nga Cosbana dhe për t’i dërguar në Rusi, kanë mbetur pa përgjigje po ashtu si kërkesa e largimit nga Transilvania të 2000 ushtarëve rus.

Lajme të fallsifikuara dhe përshkallëzime 

Dëshmia e parë konkrete që tregon se Rusia e ka „në shënjestër” Republikën e Moldavisë që prej shpërthimit të luftës në Ukrainë, qe fjala e gjeneralit rus Rustam Minnekajew, zëvendëskomandant i sektorit qëndor ushtarak. Ai foli hapur për „fazën e dytë të operacionit special”, i cili pritet të ndodhë për të marrë kontrollin në jugperëndim të Ukrainës, në Detin e Zi si dhe për krijimin e një korridori tokësos drejt Transilvanisë, ku “ka raste të shkeljes së të drejtave të rusëve etnike”. Një gënjeshtër paturp. Rajoni kontrollohet plotësisht nga Moska, kush do i shkelte atje të drejtat e popullsisë ruse?

Nën presion dhe të terrorizuar nuk janë ata që flasin rusisht, por banorët rumanisht-folës dhe institucionet e tyre, mes të cilave shkollat, që varen nga ministria e Arsimit, në Kisinau. Fshatarët moldavë torturohen nga terrori i milicëve separatistë, që zgjat prej 30 vjetësh.

Kurse Wiktor Wodolatsky, zëvendëskryetari i parë i komisionit të Dumas për çështjet e ish republikave të pavarura, GUS, integrimin euroaziatik dhe marrëdhëniet me patriotët, e tha edhe më troç qëllimin: „Nazizmit” të pushtetmbajtësve në Kisinau, që përkrahet nga „mbrojtësit rumunë” i „duhet dhënë fund” njësoj si skenarit të ngjashëm në Ukrainë.

Simbole të urrejtjes dhe luftës 

Javën e kaluar zëdhënësja e Ministrisë të Jashtme të Rusisë, Maria Sacharova, dhe deputeti rus Alexej Puschkow kritikuan presidenten moldave, Maia Sandu sepse pati guximin të ndalonte simbolet ruse të urrejtjes dhe luftës: të ashtuquajturën band të Sankt Georgut, si dhe inicialet „Z” dhe „V”. Ky ligj u aprovua nga shumica parlamentae pro-europiane e Republikës së Moldavisë.

Opozita pro-ruse, Blloku i komunistëve dhe socialistëve, kryesuar nga ish presidentët e shtetit,  Wladimir Woronin und Igor Dodon, si dhe partia e Ilan Shorit, të arratisurit, („arkitekt i mashtrimit bankar të 2014, ku u zhdukën një miliardë euro) –protestuan kundër dhe kërcënuan se do të shfaqen në paradën e 9 majit, „Ditën e fitores”, me sinjalet e Putinit në gjoks, megjithë gjobën e vogël që mund të marrin prej 500 eurosh. Në Republikën e Moldavisë, hajdutët, banditët, kriminelët, me ose pa „kollare”, kanë qenë gjithnjë agjentë të ndikimit rus në hapësirën ish sovjetike.

Skenare si në lindje të Ukrainës 

Zyra për politikën e reintegrimit, një struktur e qeverisë moldave për Transilvaninë, deklaroi se sulmi me granata ditën e hënë mbi ndërtesën e KGB në Tiraspul, është vetëm pretekst për të përforcuar sigurinë në rajon. Mbas toneve luftarakë të politikanit rus për krijimin e një „korridori” tokësor për Transilvani, ministria e Jashtme moldave thirri ambasadorin rus në Kisinau, Oleg Wasnetsow. Pak më vonë, zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrej Rudenko dha një mesazh qetësues: „Rusia nuk sheh ndonjë rrezik për qytetarët e Transilvanisë dhe vazhdon të jetë për zgjidhjen paqësore të çështjes së Transilvanisë, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Moldavisë.”

Ne jemi kthyer në dëshmitarë të një loje si macja me miun, një lloj testimi të aftësisë së reagimit të autoriteteve të Kisinaut në rastin e ndonjë veprimi të mundshëm rus në rajon.

Sipas kushtetutës, Republika e Moldavisë është neutrale dhe duke pasur parasysh konfliktin aktual, i ka kërkuar të gjitha shteteve, mes të cilave edhe Federatës Ruse që të respektojë këtë status. Por Rusia nuk le të pengohet për shkak të neutralitetit të Moldavisë dhe mund të njohë në çdo kohë pavarësinë e rajonit separatist në bregun lindor të Dnjestrës. Ajo çka do të pasonte do të ishte një sulm ushtarak, për „të mbrojtur qytetarët e vet”- një skenar i ngjashëm si ai i republikave të vetëshpallura, të Luhanskit dhe Donjeckut në lindje të Ukrainës, si më 24 shkurt 2022, ose si më gusht 2008 në Gjeorgji, mbas njohjes nga Moska të pavarësisë së Osetisë Jugore. Vetëm një ndërhyrje masive diplomatike e shteteve perëndimore arriti t’i mbante tanket rusë në atë kohë vetëm pak kilometra larg kryeqytetit gjeorgjian, Tiflis.

Neutraliteti nuk e pengoi qeverinë pro-europiane të Kishinaut që të dënonte ashpër Rusinë për agresionin kundër Ukrainës dhe të përkrahte sa të mundte Kievin. Tani duhen gjetur me shpejtësi zgjidhjet në mënyrë që Republika e Moldavisë të mos futet në vorbullën e luftës.

 

Vitalie Ciobanu është një nga shkrimtarët dhe publicistët më të njohur të Republikës së Moldavisë. Ai është president i Klubit-PEN në Moldavi.

 

dw

Scholz pret Kurtin, Vuçiçin dhe Lajçakun në Berlin

ScholzScholz gjatë konferencës së shtypit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Berlin, më 11 prill 2022

 

Temat në takimet e veçanta janë: dialogu Kosovë-Serbi, koordinimi i qëndrimit ndaj agresionit në Ukrainë dhe marrëdhëniet dypalëshe.

 

Të mërkurën, më 04.05. 2022, Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të presë në selinë e tij në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciç. Këtë e bëri të ditur zëvendës-zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner, të premten, 29.04.2022, në Berlin, në kuadër të konferencës së rregullt të qeverisë gjermane për media. Në qendër të të dy takimeve veç e veç do të jenë “qëndrimet ndaj luftës agresore të Rusisë në Ukrainë, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve”, tha Büchner. Kurti dhe Vuçiç do të takohen në Berlin, po atë mbrëmje, në prani të ndërmjetësuesit të BE-së për çështjen e dialogut, Miroslav Lajçak, i cili vjen në Berlin me ftesë të kancelarit Scholz.

dw

Varhelyi: Hapja e negociatave me BE deri në fund të qershorit

VarhelyiShpresa të reja në Tiranë nga Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Ai pret një vendim pozitiv të Këshillit Europian për çeljen pas dy muajsh të negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Në vizitën e tij zyrtare në Tiranë, të enjten (28.04.) në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi tha, se “BE synon hapjen e negociatave në fund të qershorit, pasi po punohet intensivisht me Bullgarinë që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Objektivi ynë është që kjo punë të mbarohet gjatë Presidencës Franceze.”

Deklarata e Komisionerit Varhelyi në Tiranë vjen pas asaj në Forumin për Marrëdhëniet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor të mbajtur  të martën (26,04) ku ai pohoi zhgënjimin nga zvarritja e hapjes së negociatave për dy vendet dhe theksoi që ”BE nuk ka as kohë, as interes të shtyjë konferencat e para ndërqeveritare me Shkupin dhe Tiranën. Lufta në Ukrainë dhe mësimet e së kaluarës kanë treguar se procesi i integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të përshpejtohet”.

Lufta në Europë kërkon stabilitet në Ballkanin Perëndimor

Në vijim të kësaj përqasjeje ndaj zhvillimeve në Ukrainë dhe pasojave potenciale në BP, komisioneri Varhelyi vuri në dukje rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. „Europa nuk mund të mos përdorë të gjitha mundësitë e saj që të stabilizojë BP kur në Europë ka një luftë. Ne duhet që këtë vendim ta marrim në tryezë e të ecim përpara me punën, sepse në rast se nuk marrim ato vendime që mund të marrim, atëherë do të thotë që ne po heqim dorë nga ai mandat që ne kemi”, theksoi ai.Zvarritja e hapjes së negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe MV „kompromenton sigurinë e BE dhe vë në pikëpyetje besueshmërinë e tij”, tha Varhelyi.

Nuk ka plan B – anëtarësimi i dy vendeve në BE ꞔështja e vërtetë

Shpresat që solli komisioneri Varhelyi në Tiranë për hapjen e negociatave në fund të qershorit u shoqëruan edhe me paralajmërimin e kryeministrit Rama për kërkesën e Shqipërisë për ndarje nga Maqedonia e Veriut, nëse Bullgaria vazhdon të mos heqë veton ndaj MV dhe ngërꞔi i krijuar nga Bullgaria nuk zhbllokohet. “Nëse negociatat nuk hapen në qershor, Shqipëria do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut edhe pse kjo nuk duhet të jetë prioritet dhe mbetet për t’u aktivizuar si qasje mbas mbledhjes së Këshillit Europian. Deri atëherë ne jemi absolutisht në pozicionin që të dyja vendet duhet të hapin negociatat”, tha kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp

Komisioneri Várhelyi e konsideroi ndarjen e Shqipërisë nga MV “një çështje të nxehtë, por jo çështjen e vërtetë”. “Nuk mendoj që ndarja me MV është çështja e vërtetë, por anëtarësimi i tyre në BE. Çështja është që të kemi marrëveshje për të dyja shtetet. Ideja është sesi do të arrihet anëtarësimi. Nuk ka plan B. Jam besimplotë që të gjithë kanë të njëjtin mentalitet dhe këndvështrim kur flasim për këtë çështje”, theksoi ai.

Lufta në Ukrainë e bën urgjent integrimin e BP në BE

Çështja e përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE në kushtet e agresionit rus ndaj Ukrainës ishte në qendër të bisedimeve që Komisioneri i zgjerimit, Oliver Varhelyi zhvilloi në Tiranë edhe me Ndihmëssekretaren e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, dhe Zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që  zhvilluan po ashtu një vizitë zyrtare në Tiranë. Burime zyrtare bënë me dije se të dyja palët „ranë dakord që  pushtimi i pajustifikuar i Ukrainës nga Rusia e ka bërë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE edhe më urgjent dhe se integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përbën një prioritet të përbashkët.”

dw

Intervistë e nd/Sekretares së shtetit Donfried për VOA: Reformat, lufta kundër korrupsionit dhe raportet me opozitën në Shqipëri

DonfriedNdihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, zhvilloi një vizitë dy ditore në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo pati sot takime me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, si dhe me deputetë të opozitës. Thellimi i partneritetit mes dy vendeve ishte në qendër të vizitës. Para largimit nga Tirana, zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit, foli me Zërin e Amerikës mbi marrëdhëniet me Shqipërinë dhe pritshmëritë lidhur me reformat dhe luftën ndaj korrupsionit. Ndihmës Sekretarja jep detaje dhe mbi takimin që pati sot me deputetët e PD-së Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi dhe Jorida Tabaku, të cilët i konsideron si drejtues të opozitës duke shpjeguar se biseda ishte përqendruar jo te e kaluara, por tek e ardhmja. Zonja Donfried nënvizoi qëndrimin e njohur se zyrtarët amerikanë nuk mund të takohen me persona të shpallur “non grata”, siç është rasti i ish kryeministrit Sali Berisha. Në intervistën ekskluzive me korrespondentin e Zërit të Amerikës në Tiranë Armand Mero, Ndihmës Sekretarja e Shtetit ndalet dhe te ndikimi në Ballkan i agresionit rus në Ukrainë.

 

Zëri i Amerikës: Znj. Donfried, së pari, dua t’ju falenderoj për këtë mundësi. Në komunikatën e shtypit që njoftonte turin tuaj në rajon, thuhej se në Shqipëri, ndër të tjera do të theksonit nevojën për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit. Çfarë konkretisht keni kërkuar nga pala shqiptare?

Nd/Sekretarja Donfried: Së pari, faleminderit që më jepni mundësinë të flas me ju. Është e mrekullueshme të jem këtu në Tiranë, në një ditë kaq të bukur plot diell dhe që rastis të jetë viti kur festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Është një kënaqësi e veçantë të jem këtu tani.

Kemi punuar ngushtë me Shqipërinë për disa dhjetëvjeçarë tashmë dhe jam e emocionuar të shoh se si Shqipëria po lëviz drejt një integrimi gjithnjë e më të thellë euro-atlantik. Festojmë faktin që e kemi Shqipërinë aleate në NATO dhe mbështesim jashtëzakonisht fort lëvizjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Si pjesë e atij procesi, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash demokratike. Disa prej tyre, siç e dini, kanë vënë në shënjestër korrupsionin dhe janë përqendruar tek reforma në drejtësi.

Në bisedat e mia këtu, edhe kam duartrokitur përparimin që ka bërë Shqipëria, por edhe kam thënë vazhdoni, ka më shumë për të bërë dhe SHBA-të janë me Shqipërinë për të mbështetur përparim më të madh me këto reforma.

Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, së fundmi, Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut. Sipas Raportit, problemet kryesore në Shqipëri janë “pavarësia e gjyqësorit, pandëshkueshmëria, apo dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes.” Sipas raportit, Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim në vitet e fundit, pasi të njëjtat probleme përsëriten vazhdimisht. Çfarë mendoni për këtë? Çfarë ju tregon për gjendjen e demokracisë shqiptare? Freedom House, vetëm një javë më parë e quajti sistemin shqiptar hibrid/kalimtar.

Nd/Sekretarja Donfried: Mendoj që ajo që ka rëndësi në lidhje me këto raporte është që në disa raste ato edhe njohin përparimin e bërë, por edhe theksojnë se çfarë mbetet për t’u bërë. Dhe në rastin e këtyre reformave në Shqipëri, do të argumentoja se ju, tani po filloni të shihni ndikimin e legjislacionit që u miratua këtu në Shqipëri, i cili po zbatohet tani. Dhe, po, siç thashë kur u përgjigja për pyetjen e mëparshme, mendoj që ka ende shumë që Shqipëria duhet të bëjë dhe ne e mbështesim këtë. Por, mendoj se tani po filloni të shihni pikërisht atë ndikimin e rëndësishëm të legjislacionit që Shqipëria ka.

Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, vitin e kaluar Sekretari amerikan i Shtetit përcaktoi ish kryeministrin Sali Berisha, për korrupsion madhor. Por përcaktimi i tij dhe këmbëngulja e SHBA-ve për ta lënë zotin Berisha jashtë grupit parlamentar, e forcoi pozitën e tij në parti dhe sot duket se ai, thuajse “de facto” ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, duke synuar rizgjedhjen si kryetar i saj. A ju shqetëson ju kjo situatë? Dhe deri ku do të shkonin marrëdhëniet e SHBA-së me një opozitë të drejtuar nga zoti Berisha? Çfarë ndikimi mund të ketë kjo për marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë?

Nd/Sekretarja Donfried: Sekretari Blinken e shpalli Z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur. Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë. Në fakt u takova sot me drejtues të opozitës dhe do të ndaj me ju faktin që më bëri përshtypje se sa shumë biseda jonë u përqendrua jo tek e kaluara por tek e ardhmja dhe se çfarë PD kërkon të arrijë dhe pret për sa i përket çuarjes përpara të objektivave të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se sot takuat tre deputetë të Partisë Demokratike, zotin Alibeaj, zonjën Tabaku dhe zotin Bardhi. Në çfarë kapaciteti i takuat ata, sespe zoti Berisha nuk i njeh ata si drejtues të PD-së?

Nd/Sekretarja Donfried: U takova me ta në cilësinë time si Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë dhe në cilësinë e tyre si drejtues të Partisë Demokratike. Dhe është diçka shumë e zakonshme kur udhëtoj që të takohem si me anëtarë të qeverisë ashtu edhe me anëtarë të opozitës. Dhe për mua është gjithnjë shumë frymëzuese, diçka që të ngacmon të menduarin dhe e dobishme të dëgjosh perspektiva të ndryshme nga këndvështrime të ndryshme.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit kemi parë shumë kritika dhe reagime ndaj ambasadores së SHBA-së, veçanërisht nga një segment i madh i opozitës, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në politikën shqiptare. Cili është reagimi juaj?

Nd/Sekretarja Donfried: Mund t’ju siguroj që Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Tony Blinken dhe unë, të gjithë kemi besim të plotë tek Ambasadorja Yuri Kim. Dhe është një kënaqësi e madhe që kemi njerëz të kalibrit të saj dhe me integritetin e saj në qeverinë e SHBA-së. Dhe mendoj që edhe ky vend, Shqipëria, nuk mund të kishte më shumë fat se sa të ketë atë si përfaqësuese të vendit tim dhe duke punuar çdo ditë për të forcuar atë që është tashmë një marrëdhënie e rëndësishme midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Përveç Berishës, Uashingtoni sanksionoi së fundmi edhe një ish-deputet, Aqif Rakipin, me lidhje të qarta me partinë e shumicës në pushtet. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga autoritetet shqiptare?

Nd/Sekretarja Donfried: Mendoj se kam qenë e qartë në lidhje me rolin që luajnë shpalljet. Në lidhje me çfarë ndodh në Shqipëri pas tyre, do të thoja se unë besoj që qytetarët shqiptarë, si njerëzit në të gjithë botën, duan të mbështesin kandidatë të pastër.

Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, bota demokratike sfidohet sot nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Cilat mendoni se janë pasojat për Ballkanin, duke pasur parasysh ndikimin rus në disa vende të rajonit tonë?

Nd/Sekretarja Donfried: Fillimisht më lejoni të them se sa e trishtueshme është të shohësh ukrainasit të vriten çdo ditë.

Rusia më 24 shkurt ndërmori një agresion frontal të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës dhe gjatë dy muajve të fundit kemi parë brutalitetin i atij agresioni, qoftë tek bombardimi i pandërprerë i Mariupolit, apo krimet që kemi parë në Buça.

Ka kaq shumë raste të tmerrshme që mund të përmend. Çdo ditë është një ditë tragjike për Ukrainën.

Dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një pozicion shumë të fortë në atë konflikt. Pozicioni ynë forcohet edhe më shumë për faktin se aleatë si Shqipëria po qëndrojnë me vendosmëri krah nesh. Shqipëria ka rol kyç në të treja shtyllat e strategjisë sonë: Ajo po ndihmon Ukrainën: po i imponon kosto Rusisë, po kontribuon në NATO, duke u siguruar që krahu ynë lindor dhe juglindor të mbrohet siç duhet; dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku Shqipëria është një bashkëpenëmbajtëse me ne për Ukrainën. Mund të vazhdoja edhe më tej.

Por kjo është një betejë jo vetëm për Ukrainën. Bëhet fjalë sigurisht për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Por bëhet fjalë gjithashtu për ambjentin e sigurisë evropiane dhe në thelb ka të bëjë me parimet tek të cilat ne besojmë, sipas së cilave çdo shtet ka të drejtën të marrë vendimet e veta sovrane për politikën e vet të jashtme dhe të sigurisë, shumë nga parimet themelore të sigurisë evropiane me të cilat në fakt, Rusia ka rënë dakord në OSBE dhe organizma të tjera. Kështu që rëndësia e këtij momenti është e jashtzakonshme.

Dhe përsëris që Presidenti Biden, Sekretari Blinken besojnë thellësisht se pozita jonë në përballimin e këtij momenti është e fortë falë aleatëve si Shqipëria.

Zëri i Amerikës: A jeni e shqetësuar me qëndrimin e Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë?

Nd/Sekretarja Donfried: Më lejoni të filloj duke thënë se Serbia qëndroi në anën e duhur të historisë në fillim të marsit në votimin e parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kur njëqind e dyzet e një vende, përfshirë Serbinë, votuan për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërkuan që Rusia të tërhiqet. Në OKB ishin pesë vende që votuan kundër kësaj rezolute. Edhe në një rezolutë të dytë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një rezolutë humanitare, Serbia votoi krah Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe më pas u bë votimi për të pezulluar Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Dhe përsëri, Serbia votoi me ne. Mendoj se është e rëndësishme ta pranojmë se këto ishin vendime të vështira dhe të vlerësojmë vendimin që mori Serbia.

Përsa u takon sanksioneve, siç e përmenda, Shtetet e Bashkuara besojnë se ështe e rëndësishme t’i imponohen kosto Vladimir Putinit. Veprimet që po ndërmerr ai, janë të pajustifikuara, të paprovokuara dhe brutale dhe lidhur me këtë, ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përputhë qëndrimin e saj me BE-në dhe sanksionet që ajo ka vendosur. Dhe do të theksoja këtu se ajo që po bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në frontin e sanksioneve, koordinimi në këtë drejtim, është një shembull për t’u shënuar i bashkëpunimit tonë.

Dua të theksoj gjithashtu se paketa e reagimit përfshin sanksione dhe kontrolle për eksportin dhe mendoj se këto kontrolle për eksportet janë gjithashtu të rëndësishme. Dua të theksoj se ky koalicion që qëndron me forcë kundër veprimeve brutale të Rusisë përfshin jo vetëm aleatët dhe partnerët tanë evropianë, por edhe aleatët dhe partnerët tanë në Azi. Dhe mendoj se fakti që një pjesë e madhe e botës po i del kundër, ka një rëndësi të madhe.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje: A mendoni se blerjet e armëve që Serbia ka bërë nga Rusia e së fundmi dhe nga Kina, përbëjnë një rrezik për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan?

Karen Donfried: Më duhet të them që kishte një dallim opinionesh midis disa evropianëve dhe Shteteve të Bashkuara për planet e Rusisë në prag të 24 shkurtit dhe mendoj se meqenëse disa nga aleatët dhe partnerët tanë evropianë nuk besonin se Rusia do ta ndërmerrte atë sulm, në shumë mënyra 24 shkurti ishte për pjesën më të madhe të Evropës i barazvlefshëm me atë që ishte 11 shtatori për Shtetet e Bashkuara dhe na ka treguar të gjithëve një anë të Rusisë që ne shpresonim të mos ekzistonte.

Kur një vend merr vendime për blerjet e armëve dhe sigurisht kur mendon në këndvështrim të gjerë për marrëdhëniet me atë vend, është shumë e vështirë të imagjinosh ndonjë vend që të ketë një marrëdhënie të pandryshuar me Rusinë pas 24 shkurtit. Unë do t’i referohesha përsëri vendimeve që mori Serbia në OKB.

Kina, besoj se ka marrë një vendim strategjik për të qenë aleate me Rusinë.

Dhe, e përsëris, mendoj se çdo vendim që një vend merr në lidhje me blerjet e armëve është i informuar nga ai këndvështrim i gjerë mbi mënyrën se si duhet të jetë në vazhdim një marrëdhënie me Rusinë apo me Kinën. Po mjaftohem me kaq.

Zëri i Amerikës: Faleminderit shumë.

Karen Donfried: Kënaqësia ime dhe faleminderit për gjithë punën e shkëlqyer tek Zëri i Amerikës.