Tanket gjermane “Marder” gati për dorëzim për tre javë Ukrainës

Tanket MarderQeveria gjermane hezitoi për një kohë të gjatë, por armët e rënda tani do t’i dorëzohen Ukrainës. Gjermania dhe Republika Çeke po punojnë edhe për një shkëmbim qarkor armatimesh.

Koncerni i armatimit Rheinmetall mund të dorëzojë mjetet e para luftarake të këmbësorisë së blinduar të tipit “Marder” brenda tre javësh.

Rheinmetall, sipas drejtorit të tij Armin Papperger,  mund të dorëzojë së shpejti mjetet e para luftarake të këmbësorisë së blinduar, tanket “Marder”: “Në plan afatmesëm ne për shembull mund të vëmë në dispozicion 100 “Marder”, të parët do të ishin gati për tre javë”, tha Papperger në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”.

Rheinmetall thuhet se e ka nisur rinovimin e tankeve katër javë më parë, megjithëse ende nuk ka porosi konkrete. “Ne po presin vendimin e qeverisë federale. Por aktualisht ka mjaft vende që i duan këto mjete, jo vetëm Ukraina,” tha kreu i koncernit.

Lista e stoqeve pas fjalimit epokal

Pas fjalimit të kancelarit gjerman Olaf Scholz më 27 shkurt, në të cilin ai shpalli një fond special prej 100 miliardë eurosh për ushtrinë gjermane nën ndikimin e pushtimit rus të Ukrainës, Rheinmetall thuhet se komunikoi një listë të rezervave që ka në depo me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Lista përfshin 66 pozicione, duke përfshirë Marders dhe Leopard 1 që dikur iu shitën forcave të armatosura gjermane dhe më vonë u riblenë nga Rheinmetall.” Këto automjete aktualisht janë duke u rinovuar, tha Papperger.

Shkëmbim me Republikën Çeke

Qeveria Federale dëshiron ta furnizojë Ukrainën edhe me armë të tjera rënda në Ukrainë. Gjermania dhe Republika Çeke po punojnë aktualisht për një shkëmbim qarkor armatimesh. Republika Çeke do të dërgojë armë të rënda të prodhimit rus në Ukrainë, ndërsa Gjermania po ndihmon për zëvendësimin e tyre me armë moderne perëndimore.

Kryeministri çek Petr Fiala tha se shkëmbimi qarkor do të ishte i dobishëm si për Ukrainën ashtu edhe për Republikën Çeke.

tgsch, sz

 

Pedagogia: Do të kap prej fyti! Studentja nga “sulmi i panikut” përfundon në spital

E kap per fytiE gjitha ndodh vetëm për një reagim në facebook dhe profesoresha kërcënon studentin në auditor të universitetit.

Kjo situatë ka ndodhur në fakultetin e Arteve në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku është bërë shkak një reagim i një studenti në facebookun e pedagoges që kjo e fundit ta kërcënojë, por jo vetëm kaq, nga situata e krijuar një studente e asaj klase përjeton sulm paniku dhe përfundon në spital.

Studentët e Fakultetit të Arteve në Tetovë i drejtohen emisionit Fiks Fare për të gjetur zgjidhje në problemin që ata i shqetëson. Me një letër ankesë që mbërrin në redaksi, studentët e Tetovës luten që të bëhet publike sjellja pedagoges së tyre Besiana Mehmeti e cila jep lëndën “Histori muzike” në Fakultetin e Arteve në Tetovë. Shpresa e vetme për ta mbetet media ndaj dhe kanë bërë thirrje për vëmëndje ndaj këtij rasti.

Në letrën e tyre shprehet shqetësimi edhe për një studente e cila ka përfunduar në spital si pasojë e një sulmi paniku ardhur nga kërcënimet e pedagoges.

Gazetarët e Fiksit kontaktojnë me vetë studenten e dhunuar. Ajo rrëfen se nuk do që të rikujtojë situatën, pasi akoma nuk është mirë nga ana shëndetsore, por konfirmon se çdo gjë e thënë nga moshatarët e saj është e vërtetë. Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Fillimisht konflikti mes pedagoges dhe një studenti ka nisur për arsye banale ku më pas ka degraduar në dhunë psikologjike nga ana e pedagoges.

Studenti ka reaguar në rrjetin social Facebook me një të ikone qeshjeje në postimin që bëhej për ditëlindjen e bashkëshortit të pedagoges.Pas kësaj vijojnë mesazhet fyese të pedagoges ndaj studentit, ku thuhet se ka dozë të lartë injorance. Por si të mos mjaftonte kjo debati vijon edhe në klasë duke degraduar deri në kërcënime.

Pedagogia nxjerr studentin nga auditori, duke i thënë do ta kapte prej fyti. Madje e gjitha kjo është e regjistruar nga studentët dhe kur pedagogia vihet para faktit nga gazetarët e Fiksit ajo shprehet se përgjimet janë të paligjshme, por nuk komenton mbi to.

Gazetarët kontaktojnë me pedagogen, kjo e fundit thotë se përgjimet nuk janë të ligjshme dhe se me studentët do merret shteti. Ndërkohë kur gazetarët e pyesin për sjelljen e saj në auditor , pedagogia thotë “Mirupafshim, nuk kam asgjë për të thënë”. Gazetarët telefonojnë dekanin e fakultetit , Nafi Jashari, i cili thotë se është mbledhur Komisioni i Disiplinës dhe Këshilli i Fakultetit për rastin e pedagoges Besiana Mehmeti.

Në përfundim është vendosur dhe një pedagog tjetër për zhvillimin e të njëjtës lëndë në mënyrë që studentët të zgjedhin se më kë duan të bëjnë mësim.

Dekani thotë se aktualisht me pedagogun po marrin mësim 30 studentë, ndërsa me pedagogen Besiana Mehmeti vetëm 10 studentë. Në lidhje me pagesat që bën ky fakultet për dy pedagog që japin të njëjtën lëndë dhe pse duhet të jetë kështu , dekani anashkalon përgjigjen duke u shprehur se me pagesat dhe kontratat e pedagogëve me fakultetin nuk është ai personi që mund të jap përgjigje në lidhje me këtë pjesë.

tch

Radev: Është jashtëzakonisht e pavend dhe e pashëndetshme që Maqedonia e Veriut të lëshojë ultimatume

Rumen-Radev BGPresidenti bullgar Rumen Radev reagon ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani, se deri në qershor ka mundësi të zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet RMV-së dhe Bullgarisë.

Sipas tij, është jashtëzakonisht e pavend dhe e pashëndetshme që Maqedonia e Veriut të lëshojë ultimatume.

“Është jashtëzakonisht e pavend dhe e pashëndetshme të flitet për bullgarët dhe të lëshohen disa ultimatume. Presioni ishte edhe më i madh vitin e kaluar. Qeveria kalimtare dhe unë vazhduam këtë presion me dy këshilla të njëpasnjëshme për zgjerim. Ne i kemi shpjeguar shumë mirë qëndrimet e Bullgarisë dhe janë pranuar. Ata vetëm duhet të mbrohen. Bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, kriteret e Kopenhagës, gjuhën e urrejtjes. Ato janë gjëra që nuk janë në përputhje me parimet dhe vlerat evropiane”, tha ai.

Ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska, në takimin me homologun e saj austriak Aleksandër Shalenberg deklaroi se Sofja në periudhën e kaluar ka bërë përpjekje të konsiderueshme për marrëdhënie pozitive bilaterale me Shkupin.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë në ndërtimin e marrëdhënieve reale të mira fqinjësore me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, ato janë të mundshme vetëm me përpjekje të përbashkëta. Presim veprime konkrete dhe garanci nga Shkupi për zbatimin e përhershëm dhe të pakthyeshëm të Marrëveshjes së vitit 2017, si dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me vetëdije bullgare”, tha Gençovska.

Më herët, diplomacia e RMV-së njoftoi se javët e ardhshme janë vendimtare për arritjen e zgjidhjes me Sofjen.

Telegrafi

Udhëtim në Legoland/ Dhurata për tre fëmijët e shtruar në spitalin pediatrik

femija e gezuar“Çdo fëmijë ka lindur që të gëzoje”, tha Prof. Dr. Anila Godo, shefe e shërbimit të Onkohematologjisë në pediatri.

Tre pacientë të vegjël të shërbimit të Onkohematologjisë në pediatri, për katër ditë kanë udhëtuar drejt Qytetit Bilund të Danimarkës, për t’u argëtuar bashkë me familjarët e tyre në Parkun e Lodrave Legoland.

Kjo eksperiencë e paharruar e tre vogëlushëve  u mundësua nga Aeroporti Nënë Tereza,  i cili për të inauguruar destinacionin më të ri atë të Biluntit zgjodhi këtë mënyrë duke gëzuar tre vogëlushët, diagnozat e të cilëve janë leucemi, hemofili dhe talasemi.

Por ky udhëtim nuk është thjesht zbavitës për fëmijët , pasi gëzimi i tyre, shpjegon prof. Godo, ndihmon në terapitë e tyre mjekësore.

Duke falënderuar Aeroportin Nënë Tereza, ajo fton biznese të tjera   për ta vijuar këtë nismë.

Burime nga Aeroporti Nene Tereza konfirmojnë  se kjo nuk  është eksperienca e parë dhe e fundit pasi  do të vijojnë me pacientë të tjerë të vegjël edhe në pasione të tjera.

Top Channel

Gjermania, plan krize në rast ndërprerjeje të papritur të furnizimit me gaz nga Rusia

gaziZyrtarët gjermanë po përgatiten pa bujë në rast se Rusia ndalon papritur furnizimin me gaz, duke hartuar një paketë emergjente, e cila mund të parashikojë edhe marrjen e kontrollit të disa kompanive kritike. Lajmi u bë i ditur për agjencinë Reuters nga tre persona në dijeni të kësaj çështjeje.

Përgatitjet që po udhëhiqen nga Ministria e Çështjeve Ekonomike tregojnë shqetësimet në rritje mbi furnizimin me gaz të fuqisë më të madhe ekonomike të Evropës, një produkt kritik për prodhimin e çelikut, plastikës dhe makinave.

Vitin e kaluar Gjermania siguroi 55% të importeve të saj të gazit nga Rusia. Berlini ndodhet nën trysni për t’u “çliruar” nga kjo marrëdhënie biznesi që kritikët thonë se po ndihmon në financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Gjermania ka bërë të ditur se po kërkon të heqë dorë nga importet ruse, por pritshmëritë janë që ajo të jetë kryesisht e varur nga Moska për gaz, deri në mesin e vitit 2024.

Mbetet e paqartë nëse do të ketë një ndalesim të menjëhershëm të furnizimit me gaz. Zyrtarët thanë se Gjermania dëshiron të shmangë një përshkallëzim si pasojë e mbështetjes së një embargoje evropiane ndaj gazit rus, ndërsa ka mbështetur tashmë sanksionet ndaj qymyrit dhe naftën ruse.

Por tashmë zyrtarët gjermanë druhen se Moska mund të ndërpresë në mënyrë të njëanshme furnizimin me gaz dhe po përpiqen të gjejnë mënyra për ta përballuar një situatë të tillë.

Zyrtarët thanë se detajet rreth një plani që do të trajtojnë këtë situatë janë aktualisht duke u shqyrtuar.

Qeveria pritet të mbështesë dhënien e kredive dhe garancive të mëtejshme për të mbështetur kompanitë që operojnë në fushën e energjisë, duke i ndihmuar ato të përballen me çmimet në rritje si dhe mund të marrë nën krahët e saj, kompani kritike, sikurse rafineritë, thanë tre zyrtarët në dijeni të kësaj çështjeje.

Të pyetur për një koment lidhur me masat, zyrtarët e ministrisë së ekonomisë së Gjermanisë vunë në dukje deklaratat e kreut të këtij institucioni, zëvendës kancelarit Robert Habeck, i cili ka thënë se vendi kishte bërë përpjekje intensive në javët e fundit për të reduktuar përdorimin e energjisë ruse.

Muajin e kaluar, Berlini miratoi një ndryshim ligjor për të lejuar marrjen nën kontroll të kompanive energjitike si mjetin e fundit për të zgjidhur situatën.

Dy zyrtarë gjermanë thanë se aktualisht po diskutohet rreth mënyrave se si kjo masë mund të përdoret në praktikë, si për shembull duke marrë kontrollin e rafinerisë “PCK”, të operuar nga “Rosneft ROSN.MM” e Rusisë e cila ndodhet në qytetin Schwedt pranë Polonisë.

Në të trajtohet pjesa më e madhe e sasisë së mbetur të naftës ruse që importohet nga Gjermania dhe mund të goditet nga një embargo e Bashkimit Evropian.

Kompania “Rosneft” nuk pranoi të komentojë lidhur me masat që mund të ndërmerren nga autoritetet gjermane.

voa

Tone pro-ruse në Beograd në parakalimin për Ditën e Fitores

Beograd pro rusiseDisa qindra veta parakaluan të hënën në Beograd për të nderuar trupat serbe dhe sovjetike që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përgjatë parakalimit pjesëmarrësit mbanin në duar simbole në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë. Serbia një aleate e vjetër e Moskës, ka refuzuar deri tani t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

Tingujt e himnit kombëtar rus u dëgjuan të hënën në Beograd, ku qindra serbë, përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, u mblodhën për Ditën e Fitores, duke shfaqur kështu sforcimin politik të një vendi të lidhur prej kohësh me Moskën, por që tani po përpiqet të integrohet në Bashkimin Evropian.

Një nga pjesëmarrësit në një parakalim për nder të trupave serbe dhe sovjetike që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbante një shkronjë të madhe Z – simbol i pushtimit rus të Ukrainës, ndërsa një tjetër solli një fotografi të madhësisë reale të presidentit rus, Vladimir Putin.

Disa qindra persona u mblodhën të hënën në një park të qytetit për të parakaluar së bashku deri te varrezat, ndërsa po mbanin në duar fotografi të paraardhësve që kanë luftuar në Luftën e Dytë Botërore.

“Besoj se është thelbësorr, posaçërisht tani, që njerëzit të kujtojnë sakrificat e bëra në atë ditë të fitores”, tha pjesëmarrësja Marija Deuriç, stërgjyshi i së cilës ishte gjeneral gjatë luftës.

“Paqja do të rikthehet. Shpresoj që të gjithë, si paraardhësit tanë që luftuan për liri, do të luftojnë për paqen e vërtetë”, tha ndërkaq, Nebojsa Radiç.

Serbia, e cila ishte bombarduar nga NATO dy dekada me parë, dhe e cila ka pasur lidhje kulturore me Rusinë për disa shekuj, i është shmangur trysnisë për të marrë anë që kur Rusia pushtoi Ukrainën, pavarësisht thirrjeve të perëndimit që t’u bashkohet sanksioneve kundër Moskës.

voa

Macron dhe Scholz duan ta afrojnë më shumë Ballkanin Perëndimor me BE-në

Macron ScholzMacron hedh idenë e një organizate politikë përtej BE-së, ku mund të anëtarësohen edhe vende të Ballkanit Perëndimor dhe Ukraina. Scholz e quan propozimin interesant

 

Gjermania dhe Franca duan të forcojnë më tej aftësinë e Evropës për të vepruar, sidomos në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Këtë e theksuan kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i rizgjedhur francez Emmanuel Macron, i cili bëri të hënën në Berlin vizitën e tij të parë jashtë vendit në mandatin e dytë. Të dy politikanët siguruan se i duhet dërguar një sinjal vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i lidhur ato më ngushtë me Bashkimin Evropian. “Ne u qëndrojmë premtimeve tona për anëtarësim,” theksoi Scholz.

Macron doli me një propozim të ri, të cilin e prezantoi edhe gjatë një fjalimi në Strasburg, disa orë para takimit të tij me kancelarin gjerman Scholz: Krijimin e një organizmi evropian, anëtarë të së cilës mund të jenë edhe vende jo anëtare të BE-së, si vende të Ballkanit Perëndimor, Ukraina ose Britania e Madhe.

 

Bashkim politik

Macron argumentoi: Bashkimit Evropian i duheshin procedura të përshpejtuara për t’u dhënë këtyre vendeve statusin kandidat, duke përmendur Ukrainën si shembull, por edhe vende në Ballkanin Perëndimor që nuk i përmbushin ende standardet ekonomike apo kushtetuese të BE-së, “por janë gati të bashkohen me ne”. Për këtë do të duheshin formate politike. Por ai shtoi se ka edhe vende si Britania e Madhe, të cilët thjesht nuk duan të jenë anëtarë të BE-së.

Kancelari gjerman Olaf Scholz e quajti propozimin interesant. Por theksoi se nuk duhet hequr dorë nga procesi i zgjerimit. Qysh në fjalën e tij hyrëse ai përsëriti sërish kërkesën e tij për heqjen e bllokadave, qartazi në adresë të Bullgarisë, por pa e përmendur këtë të fundit: “Bllokadat aktuale duhet të kapërcehen për hir të përgjegjësisë ndaj Evropës dhe arsyes gjeostrategjike”, duke pasur parasysh bllokadën aktuale që po i bën Bullgaria Maqedonisë së Veriut në procesin e çeljes së negociatave, Scholz gjithashtu nënvizoi edhe perspektivën evropiane të Ukrainës.

Maqedonia e Veriut nuk duhet zhgënjyer

Duke dhënë si shembull Maqedoninë e Veriut, Scholz argumentoi se ka vende që kanë marrë vendime shumë kurajoze, dhe që duhen shpërblyer,  Kjo kurajë nuk duhet të zhgënjehet, tha ai. Scholz dhe Macron paralajmëruan se do të bëjnë një samit të përbashkët franko-gjerman me vendet e Ballkanit Perëndimor në qershor.

Të dy politikanët thanë se në të ardhmen do të koordinohen ngushtë për mbështetjen e Ukrainës, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe për mundësinë embargos. Varësia e Evropës nga karburantet fosile nga Rusia gjithashtu duhet të jetë e kufizuar. “Ne po përjetojmë një kthesë epokale”. Miqësia franko-gjermane është më e rëndësishme se kurrë. “Evropa mund të ketë sukses vetëm e bashkuar”, tha kancelari.

dw

Shqipëri: GIZ protagonist në zbutjen e ndryshimeve klimatike

permbytjet LezheNë raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor Shqipëria rezulton të jetë vendi më i prekur nga ndryshimet klimatike. Me ndihmën e GIZ synohet që krijimi i stacioneve të monitorimit ta ndryshojnë për mirë situatën.

 

Ballkani Perëndimor (BP) vlerësohet si zonë e nxehtë e biodiversitetit në Evropë me një një larmi të madhe eko-sistemesh që nuk mund t‘u shpëtojnë dot pasojave të ndryshimeve klimatike. “Përmbytjet, erozioni, zjarret, valët e të nxehtit, thatësirat e gjata janë çdo ditë e më të shpeshta në vendet e BP përfshirë edhe Shqipërinë. Vendet në BP nuk po ia dalin dot mbanë të menaxhojnë këto ndryshime për shkak të ekonomive të tyre të brishta,” thotë për DW, Ornela Çuçi, zv/ministre e Turizmit dhe Mjedisit.

Në raport me vendet e tjera të BP, Shqipëria rezulton të jetë vendi më i prekur nga ndryshimet klimatike, thekson për DW, Merita Meksi, eksperte për klimën, zv/menazhere e programeve të klimës të GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit – Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar).

“Në Europë Shqipëria renditet si vendi që ka rrezikun më të lartë nga fatkeqësitë natyrore, që janë duke u intensifikuar dhe rritur në frekuencë. Në periudhën 1980 dhe 2010 në Shqipëri kanë ndodhur 23 fatkeqësi të mëdha: nëntë përmbytje, katër tërmete dhe tri ngjarje ekstreme të temperaturave, që prekën rreth 4 milionë njerëz. Vlerësohet se mesatarisht 50.000 shqiptarë preken nga përmbyjet çdo vit dhe ndikimi negativ vjetor në Prodhimin e Brendshëm Brutto, (PBB) është rreth 200 milionë dollarë, ” thotë për DW, ekspertja e GIZ, Merita Meksi.

GIZ dhe ndryshimet klimatie në bazenin e Drinit

Një projekt novator në llojin e vet për Shqipërinë dhe BP, i mbështetur nga GIZ, është në përfundim e sipër. Në sajë të zbatimit të tij gjatë vitit të kaluar janë instaluar stacione monitorimi për përmbytjet në´zonat që ndodhen në breg të lumit Drin, të cilat kanë vuajtur për tri dekada nga përmbytjet kronike. Qindra shtëpi dhe hektarë tokë të përmbytura çdo vit me humbje ekonomike të pallogaritshme.

Stacionet e monitorimit synojnë ta ndryshojnë për mirë situatën. „Këto stacione mundësojnë parashikimin e përmbytjeve, paralajmërimin e hershëm dhe vizualizojnë hartën e përmbytjeve. Kësisoj, institucionet kompetente kanë mundësi që të përgatiten në kohë, të koordinohen, të reagojnë dhe të njoftojnë publikun me qëllim minimizimin e rrezikut nga përmbytjet në bazenin e lumit Drin,” thotë për DW Merita Meksi.

Shqipëria pa një shërbim kombëtar hidrometereologjik

Për një vend si Shqipëria me rrezik të lartë ndaj fatkeqësive natyrore për shkak të ndryshimeve klimatike, duket e pabesueshme mungesa e një shërbimi kombëtar modern hidrometereologjik, të aftë të paralajmërojë katastrofat natyrore para se ato të ndodhin.

Shqipëria rezulton të jetë i vetmi vend të rajon dhe në Europë pa një shërbim të tillë. Situata pritet të ndryshojë këtë vit. “GIZ, i mbështetur nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, (BMZ) po punon për realizimin e projektit të parë në rajon për të ngritur shërbimin kombëtar hidrometeorologjik 24 orë në 7 ditë të javës. Ky shërbim do të përdorë teknologjinë moderne dhe inovacionin për ta bërë infomacionin e tij të aksesueshëm për të gjithë palët e interesuara”, thotë për DW, Merita Meksi. Ajo thekson që ky projekt kërkon një financim prej 40 milion euro, për të cilin do të kontribojë qeveria gjermane, ajo shqiptare, donatorë të tjerë dhe Fondi Global për Ndryshimet Klimatike, (Global Climate Fund, GCF) GCF-i pranishëm në BP.

 

Zv/ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, anëtare e Bordit të GCF dhe njëherazi përfaqësuese e disa vendeve të ECCA, (Eastern European and Central Asia) në këtë Bord, thotë për DW, se “ky fond synon të ndërhyjë edhe në BP në mënyrë direkte dhe qasje konkrete, gjithëpërfshirëse për zvogëlimin e emetimit të gazrave me efekt sere dhe zbutjen e riskut nga efektet e ndryshimeve klimatike”. “Ballkani Perëndimor është rajoni më pak i financuar globalisht nga fondet e mjedisit dhe klimës pasi ka marrë vetëm 4 përqind të fondeve globale deri në fund të vitit 2020 edhe pse përcaktohet si një nga rajonet me rrezikun më të madh nga ndryshimet klimatike”, thotë për DW zv/inistrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi.

Në fund të vitit të kaluar GCF arriti të ketë burime financiare prej 10 miliardë dollarësh amerikanë dhe të mbështesë gjatë këij viti 190 projekte në 127 vende të botës. „Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut marrin pjesë në një nismë rajonale dhe globale të financuar nga GCF, që mbështet me asistencë teknike bizneset për të operuar sipas standarteve të energjisë së pastër dhe të teknologjive të rinovueshme” thekson Ornela Çuçi.

Ajo thotë që edhe Bashkia e Tiranës është një prej përfituesve nga GCF përmes projektit “Green Cities ” si edhe bashki të tjera në Shqipëri po mbështeten me asistencë teknike nga GCF. Ky fond po mbështet financiarisht edhe menaxhimin e integruar te burimeve ujore përmes Austrian Development Fund.

 

Lidershipi i grave në përshtatjen me ndryshimet klimatike

Me nismën e zv/ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi në Bordin e GCF kohët e fundit u krijua një grup jo formal i grave, anëtare të Bordit të GCF. “Në tryezën e Bordit të GCF tani paraqiten edhe argumenta që i shërbejnë grave dhe vajzave, pra gjysmës së globit. Kontributi i grave dhe vajzave në axhendën e zbutjes së ndryshimeve klimatike është i domosdoshëm. Barazia gjinore dhe lidershipi i grave në ndryshimet klimatike janë të një rëndësie kyçe në përpjekjet globale në përputhje me Angazhimet Ndërkombëtare të OKB-së dhe Axhendën 2030”, thekson zv/ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.

Gratë rezultojnë të jenë më të prekurat nga ndryshimet klimatike, fatkeqësitë natyrore dhe degradimet mjedisore, zbutja e të cilave kërkon pjesëmarrjen aktive të grave. Shqipëria ratifikoi Marrëveshjen e Parisit më 14 Korrik 2016, duke hyrë në epokën e re të procesit të politikave ndërkombëtare për klimën. Marrëveshja e Parisit përcaktoi një kornizë globale për të shmangur ndryshimet e rrezikshme klimatike duke kufizuar ngrohjen globale nën 2°C dhe bërë përpjekje për ta kufizuar ulur në 1.5°C. Marrëveshja synon të forcojë aftësinë e vendeve për t’u marrë me ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe për t’i mbështetur ato në përpjekjet e tyre.

dw

Patriarkana e Stambollit njeh Kishën kanonike të Maqedonisë së Veriut

Patriakana StambollSinodi i Shenjtë i Patriarkanës së Stambollit e ka njohur Kishën Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit (KOM – AO) si kishë kanonike dhe të njohur në botën ortodokse.

Megjithëse vendimi nuk ka të bëjë me autoqefalinë e Kishës maqedonase e cila bie nën juridiksionin e Kishës ortodokse serbe, akti është cilësuar si historik në Shkup. Kisha maqedonase ishte e izoluar ndërkombëtarisht.
Kisha maqedonase e shtoi para pak vitesh atributin “Arqipeshkvia e Ohrit”, ndërsa në vitin 2018 iu drejtua Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës në Stamboll për njohjen e autoqefalisë së KOM-AO.
Patriarkana e Stambollit e drejtuar nga Patriarku Bartolomeu është subjekt i vetëm me të drejta kanonike që mund ta njohë autoqefalinë e një kishe ortodokse.
Por vendimi i Patriarkanës së Stambollit thekson se “i mbetet Kishës së shenjtë të Serbisë t’i rregullojë çështjet që ka me Kishën e Maqedonisë së Veriut, gjithsesi në kuadër të aktit të shenjtë kanonik dhe traditave kishtare”.
Autoritetet kishtare maqedonase i kanë thënë medias lokale në Shkup se për statusin përfundimtar do të ketë bisedime shtesë, dhe se kisha maqedonase nuk është e përçarë me kishën e përgjithshme ortodokse.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski falenderoi në rrjetet sociale Patriarkun Bartolomeu për “veprën e madhe ndaj një populli të madh ortodoks dhe për misionin historik dhe për përgjegjësinë”. Zoti Kovaçevski vlerëson se me këtë është bërë një hap i madh dhe më i rëndësishëm.
Kisha Ortodokse Serbe nuk ka pranuar ta njohë kishën maqedonase me emrin Kisha Ortodokse Maqedonase, ndonëse kjo e fundit ka vepruar pa pengesa brenda vendit që nga themelimi në vitin 1967. Kisha serbe konsideron se ndarja e Kishës Maqedonase nuk është bërë sipas rregullave kishtare. Problemet midis dy kishave dolën në sipërfaqe sidomos pas pavarësisë së Maqedonisë (së Veriut) në vitin 1991.
voa

Inflacioni shkoi në 6.2 për qind. Niveli më i lartë në 20 vitet e fundit. Çmimet e konsumit me rritjen më të madhe

inflacioni“Kriza e çmimeve në tregjet botërore po godet gjithnjë e më shumë xhepat e qytetarëve shqiptarëve. Shtrenjtimi i fortë veçanërisht i produkteve ushqimore dhe karburanteve ka bërë që inflacioni në Prill të arrijë në 6.2%, norma më e lartë e shënuar në dy dekada.”

Edhe pse ndikimin më të fortë në inflacion e dha transporti me një rritje prej 22.5% dhe mallrat e shportës , gjatë prillit u shtrenjtua gjithçka duke rritur ndjeshëm kostot e jetesës, pasi për të njëjtat sasi malli kanë paguar shumë më shumë se krahasuar me një vit më parë.

Brenda grupit të ushqimeve që u rritën me 10% për të cilat shqiptarët shpenzojnë mbi 40% të buxheteve të tyre, rritja më e madhe e çmimeve është vërejtur te vaji.

Aktualisht, një litër vaj shitet për 381 lekë me vendimin e ri të bordit të transparencës, një nga produktet më të shtrenjta të shportës bazë. Më tej janë rritur edhe kostot për blerjen e produkteve të bulmetit, mishit dhe ato për fruta perimet.

Me shpejtësi gjatë prillit janë shtrenjtuar edhe çmimet për qiratë e shtëpive, energjinë e ujin, ndërsa edhe për veshjet qytetarët kanë paguar më shumë para për blerjen e tyre.

Mobilimi dhe arredimi i shtëpive po kushton gjithnjë e më shumë, pasi trendi rritës i çmimeve vijoi edhe përgjatë prillit për këtë grup si pasojë e rritjes së kostove të transportit dhe energjisë elektrike.

Presionet që vijnë nga situata e krijuar nga lufta në Ukrainë po e bëjnë rritjen e çmimeve të papërballueshme për konsumatorët dhe shqetësues është fakti se projeksionet flasin që do të vazhdojnë të qëndrojnë të larta për një periudhë afatgjatë, duke rrezikuar tkurrjen e konsumit.

Me këtë normë, inflacioni është 2 herë më i lartë se objektivi i Bankës së Shqipërisë prej 3%, për të cilin vetë institucioni parashikon që të kthehet në normalitet të paktën në pjesën e parë të vitit 2024.

Top Channel