Sulmi kibernetik në Shqipëri, në hetime është përfshirë dhe FBI

Iran Russia TurkeyNë hetimet për sulmin kibernetik që goditi sistemet qeveritare të informacionit në Shqipëri, dy javë më parë, është përfshirë dhe FBI-ja amerikane. Këtë e pohoi sot zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Mirlinda Karçanaj, në një deklaratë për shtyp lidhur me sulmin, në prani dhe të një eksperti të Microsoft-it.

 

“Po bëhet një hetim i thelluar i plotë, jo vetëm nga Microsoft DART (Skuadra e sigurisë kibernetike), por edhe nga organet tona përgjegjëse që bashkë me ne po punojnë ngushtësisht me FBI-në”, tha zonja Karçanaj.

Nga ana e saj, zëvendëskryeministrja Balluku, foli për “një kontribut shumë të rëndësishëm që FBI-ja ka dhënë”. Më herët në një postim në Twitter, pas takimit me zonjën Balluku, ambasadorja amerikane shkruajti se “ekspertët amerikanë nga agjenci të ndryshme po mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për të kryer një analizë të plotë shkencore dhe teknike (forensike); rritjen e sigurisë kibernetike për të mbrojtur qeverinë dhe qytetarët; dhe për të parandaluar përsëritjen”. Zëvendëskryeministrja nga ana e saj u shpreh se sulmi “ka shqetësuar padyshim edhe partnerët, pasi Shqipëria është vënë në shënjestër dhe ky sulm ka krijuar një sërë problematikash”.

Sulmi kibernetikDrejtoresha e AKSHI deklaroi se nga 1225 shërbime elektronike që ofrohen përmes sistemit “e-albania”, vetëm 23 prej tyre nuk janë ende funksionalë. “Të vetmet shërbime me të cilat ende po punohet janë njehsimi i diplomave dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet e huaja, vërtetimi i ndihmës ekonomike, i pagesës së aftësisë të kufizuar, i kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social, lista e notave dhe vërtetimi i diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës, kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike dhe shërbimet që lidhen me to”, shpjegoi zonja Karçanaj.

Sipas saj, “llojet e sulmit ishin dy: Ransomware dhe ZeroCleare WipeOut. Aktiviteti i parë keqdashës nisi fillimisht në formën e një sulmi Ransomware, por mesa dimë çfarë është Ransomware tipik, ka për qëllim enkriptimin e të dhënave për të kërkuar më pas dekriptimin e tyre kundrejt një pagese, por në rastin konkret nuk ishte ashtu, ishte Ransomware decoy in, për të larguar vëmendjen nga objektivi i vërtetë i sulmit që në fakt ishte fshirja e të gjitha sistemeve kritike të rëndësishme qeveritare së bashku me të dhënat në to”.

Ndërkohë ZeroCleare WipeOut, është një virus i cili fshin file-t e sistemit dhe më pas fshin hardisqet. Por zonja Karçanaj siguroi se “nuk pati humbje të dhënash. Pavarësisht se sulmi ishte i një shkalle të lartë sofistikimi dhe sinkronizimi kundrejt sistemeve dhe infrastrukturave, u krye izolimi i menjëhershëm i tyre duke zbatuar rigorozisht protokollet dhe politikat ndërkombëtare të sigurisë kibernetike, deri në vlerësimin dhe analizën e plotë të situatës. Sistemet u verifikuan një nga një që të ishin të sigurt për çdo element para se të riktheheshin online dhe në funksionalitet”.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për shkresa dhe dokumenta të ndryshme zyrtare që janë publikuar ditët e fundit online. Ndërsa sot, sipas Gazetës Panorama “në faqen online “HomelandJustice.ru” (“Drejtësi për Atdheun”), kanë përfunduar të publikuara lejet e qëndrimit të muxhahedinëve, afatin e qëndrimit të tyre, bashkë me fotot personale, datën e lindjes, gjininë dhe vendndodhjen e tyre në Shqipëri”.

Zëvendëskryeministrja Balluku megjithatë pranoi se “ne po nxjerrim një mësim, po bëjmë një skanim të të gjitha sistemeve, skanim të forcave të cilat janë dhe punojnë për të mbrojtur apo për të operuar me këto sisteme dhe për të dalë më pas në një rezultat, qoftë edhe për një reformim të thellë të të gjithë sektorit, apo nga ana tjetër edhe për të ngritur të gjitha ato mburoja kibernetike që do të na duhen për të ardhmen”.

voa

 

Hakerat nxjerrin sekretet/ Kanë thyer sigurinë në Ministrinë e Brendshme, kanë dokumentet e opozitës iraniane

 

Sulmi kibernetik i hakerave iranianë ka nisur 12 ditë më parë, krahas bllokimit të shërbimit të e-Albania, ka pasur si qëllim edhe vjedhjen e dokumenteve të Shtetit Shqiptar.

 

Në faqen e tyre hakerat kanë lajmëruar se për dy ditë do bëjnë një surprizë që mund të jetë publikim i dokumenteve.

Pre e vjedhjes të dokumenteve sensitive ka rënë edhe Ministria e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë. Hakerat me emrin HomeLandJustice  (Drejtësi për Atdheun), publikuan dokumentet, identitetet dhe të dhënat që kanë marrë nga serverat e Ministrisë së Brendshme dhe të Shëndetësisë.

Ato janë dokumentet e identifikimit dhe lejet e qëndrimit të pjesëtarëve të opozitës iraniane që jetojnë në Shqipëri. Grupi i hakerave i lidhur me interesat e shtetit iranian ka vendosur në shënjestër Shqipërinë për shkak se këtu strehohen anëtarët e MEK, lëvizjes iraniane që synon përmbysjen e regjimit në Teheran.

Në kushtet e anonimatit një burim nga Ministria e Brendshme i tha Top Channel se prej 12 ditësh shumë kompjutera në këtë ministri nuk hapen nga frika e infektimit dhe pritet testimi i tyre.

HomeLandJustice  (Drejtësi për Atdheun) gjithashtu ka publikuar edhe Kartat e Shëndetit që i përkasin antarëve të MEK strehuar në Shqipëri por edhe disa dokumente që i përkasin shtetasve ukrainas që jetojnë në Shqipëri.

Kjo sugjeron se ata kanë mundur të depërtojnë edhe në regjistrat elektronikë të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për herë të parë HomeLandJustice  (Drejtësi për Atdheun) përmes një postimi sqaron përse e ndërmori këtë sulm kibernetik ndaj Shqipërisë.

 “Ne grupi HomeLandJustice (Drejtësi për Atdheun) nuk donim apo dëshirojmë të dëmtojmë interesat e popullin shqiptarë. Por kur vjen puna tek qeveritë dhe politikanët e korruptuar të Shqipërisë kjo është një histori tjetër. Shqipëria nuk mund të jetë shtëpia e terroristëve dhe mashtruesve”.

Në këtë mënyrë hakerat që sulmuan dhe gjetën dobësitë e sistemit të e-Albania duke e dëmtuar rëndë atë, po kërkojnë të ndikojnë edhe politikisht në Shqipëri.

Top Channel

Gjermania shqyrton kthimin te energjia bërthamore

centrali berthamorPas kthimit te termocentralet me qymyr, qeveria gjermane po shqyrton mbajtjen e centraleve bërthamore. Synimi është shmangia e krizës energjetike në dimër, shkruan Auron Dodi.

 

Gjermania druhet se mund të përballet në dimër me mungesë të energjisë elektrike. Në këtë situatë, qeveria po shqyrton të gjitha burimet e mundshme për të shmangur këtë skenar. Gazi, me të cilin mbusheshin më parë boshllëqet energjetike është kthyer tani në burim të papreferuar. Kjo pasi pas fillimit të luftës në Ukrainë Rusia e ka kufizuar në 20% të sasisë të mëparshme furnizimin për Gjermaninë. Qeveria po ndërton me shpejtësi katër terminale për të importuar gaz të lëngshëm, LNG. Por gazin e shtrenjtuar që do të importojë, ajo është e detyruar ta kursejë sa më shumë.

Në këtë kuadër qeveria po shqyrton se a mund ta zbusin centralet bërthamore një krizë të furnizimit me energji të Gjermanisë. Kancelari Scholz ka lënë të kuptohet se centralet bërthamore të vendit mund të mos mbyllen sipas planit, në fund të këtij viti.

 

Gjasat që të mbeten hapur centralet bërthamore

Diskutimi publik për këtë hap ka nisur që në mars. Atëherë u kërkua edhe që të zgjatet koha në punë e termocentraleve me qymyr. Sa i madh është rreziku për krizën energjetike në Gjermani në dimër, këtë ministri i Ekonomisë Robert Habeck po përpiqet ta konstatojë aktualisht me një test stresi, me një skenar të rastit më të keq.

Edhe pa përfunduar testi, sipas një burimi mendohet se Bavaria, landi federal i dytë nga madhësia i Gjermanisë, mund të ndodhet në një situatë problematike në rast krize energjetike në dimër. Kjo pasi energjinë elektrike Bavaria e prodhon kryesisht nga gazi dhe energjia bërthamore. Ndaj centrali i parë bërthamor, mbajtja e të cilit mund të zgjatet është ai në Bavari, Isar 2. Gjermania ka në punë edhe dy centrale të tjera bërthamore: në Baden-Vyrrtemberg (Neckarwestheim 2), në landin e tretë për nga madhësia të Gjermanisë, dhe në Saksoninë e Poshtme (Emsland). Së bashku ato prodhojnë rreth gjashtë përqind të nevojës për energji të Gjermanisë.

 

Mbajtja e centraleve bërthamore – thyerje tabuje për Gjermaninë

Mbajtja e centraleve bërthamore konsiderohet thyerje tabuje për Gjermaninë, sepse braktisja e energjisë bërthamore qe vendosur me ligj, që në vitin 2011. Pas katastrofës së Fukushimës, kancelarja Angela Merkel vendosi mbylljen deri në fund të 2022-it të centraleve bërthamore të Gjermanisë. Për këtë vendim ajo pati atëherë mbështetje të gjerë: si një rrugë për siguri më të madhe; për të shpëtuar nga mbetjet bërthamore të centraleve; por edhe për të nxitur burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Deri kur nisi lufta në Ukrainë, as që mendohej që ky vendim të sprapsej. Por me shpërthimin e luftës dhe me ndryshimin e politikës së Rusisë, u pa e nevojshme qe Gjermania të shkëputej nga varësia e madhe energjetike nga Rusia, në radhë të parë për furnizim me gaz. Pra veç kthesës epokale në mbrojtje, u shtrua nevoja e një kthese edhe energjetike të Gjermanisë.

Centralet bërthamore mund të jenë një burim shtesë, për të kufizuar rritjen e çmimit të energjisë. Aq më tepër kur kërkesa për të mund të rritet: shumë njerëz mund të kalojnë në ngrohje me energji elektrike, po të mungojë gazi ose kur ai të shtrenjtohet.

Me gaz Gjermania mbulon 13 përqind të nevojave të saj energjetike. Gazin nga Rusia, Gjermania e përdor për industrinë dhe për ngrohje.

 

Programi atomik i Franz Josef Strauß-it dhe solidariteti evropian sot

Shumë shtete po i rikthehen energjisë bërthamore. Japonia do të vërë në punë deri në dimër nëntë centrale bërthamore. Franca do të ndërtojë gjashtë centrale të reja bërthamore, veç 56 centraleve ekzistueseve që ka. Gjermania ka pasur 22 centrale bërthamore. Deri në vitin 2011 në punë qenë 15 të tilla.

Në Gjermaninë Perëndimore ishte Franz Josef Strauß-i, “Ministri Federal për Çështjet Atomike” që nisi në vitet 1950 një program bërthamor. E bëri këtë i rrethuar nga mosbesimi i fqinjëve, pasi Gjermania hitleriane qe përpjekur deri në fund të ndërtonte një bombë bërthamore.

Por besimi në energjinë e lirë bërthamore u trondit me demonstratat e viteve 1970 dhe me katastrofën e Çernobilit, më 1986. Gjermania ka pasur që në këtë kohë edhe një lëvizje të fortë ekologjike. Ajo është nga të paktat vende, ku partia ekologjiste, Të Gjelbrit, kanë qenë dhe janë në pushtet. Fillesën si parti, Të Gjelbrit në Gjermani e kanë pikërisht në lëvizjen protestuese antibërthamore.

Edhe sot Të Gjelbrit e kundërshtojnë energjinë bërthamore. Megjithatë, ministrja e Jashtme e Gjelbër, Annalena Baerbock pranoi se “tani ndodhemi në një situatë emergjente, ku po shqyrtojmë edhe njëherë gjithçka”. Televizionit Bild-TV ajo i tha se ka rëndësi që “çdo hap të bëhet i bazuar në fakte.”

Nga anëtarët e tjerë të qeverisë, njësoj si Të Gjelbrit, të rezervuar janë socialdemokratët. Por një zëdhënës i kancelarit socialdemokrat Olaf Scholz tha se kancelari do ta vendosë kursin e veprimit “krejtësisht i lirë nga ideologjitë”. Për këtë ai pret rezultatet e testit aktual, të dytë, të stresit për energjinë.

Ndërsa partia liberale, FDP, e kërkon hapur zgjatjen e mbajtjes së centraleve bërthamore – si shenjë solidariteti me Evropën. Kërkohet solidaritet edhe me Francën, në situatë të vështirë pasi i ka jashtë funksionit për shkaqe teknike gjysmën e centraleve të saj bërthamore. Të njëjtën gjë kërkojnë edhe opozitarët e CDU/CSU-së.

 

Rikthimi te termocentralet me qymyr – hapi tjetër i dhimbshëm

Qeveria po kërkon rrugë për të kursyer gaz, por edhe që çmimet e energjisë të mbeten nën kontroll. Ngritjen e çmimit të gazit në treg dje ajo vendosi megjithatë t’ua transportojë pjesërisht edhe konsumatorëve.

Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck tha se çmimi i gazit do të rritet prej 1 tetorit. Për një familje në Gjermani, gazi do të kushtojë nga 300 deri 1000 euro më shumë në vit.

Është pikërisht kjo situatë kur qeveria gjermane bëri para pak ditësh (13.07.) një hap tjetër: riktheu në tregun e energjisë elektrike centralet që operojnë me qymyr dhe me naftë.

Me një dekret u vendos që për një periudhë të kufizuar, deri në fund të dimrit, energji të prodhojnë 27 termocentrale me qymyr. 11 prej këtyre termocentraleve, tashmë në rrjet, nuk do të nxirren prej tij. 16 të tjera do të rifuten në rrjet.

Ministri i Gjelbër i Ekonomisë, Habeck tha se përdorimi i qymyrit është një masë e dhimbshme, por e nevojshme. Objektivi i braktisjes së qymyrit në Gjermani, më e vonta në vitin 2038, sipas qeverisë, mbetet i paprekur.

dw

Mali i Zi, masa të reja pas shtimit të infektimeve me COVID-19

covid-19Gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi një person ka humbur jetën ndërsa janë regjistruar 1,022 raste të reja me COVID-19.

 

Aktualisht Mali i Zi ka 6,516 raste aktive, 300 prej të cilëve në qytetin e Ulqinit.

Nga fillimi i pandemisë, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të infektimit me COVID-19 në Mal të Zi është 257,546.

Nga premtja në Mal të Zi kanë hyrë në fuqi masat e reja epidemiologjike, sipas të cilave qytetarët obligohen të mbajnë maska në të gjitha institucionet publike, farmacitë, dyqanet, pikat e karburantit, aeroportet dhe stacionet e autobusëve, njoftuan autoritetet shëndetësore të Malit të Zi.

Nëse këto masa nuk ndikojnë në përmirësimin e situatës epidemiologjike në periudhën e ardhshme dhe numri i rasteve të vdekjes, infeksioneve dhe shtrimeve në spitale rritet, kryetari i Institutit të Shëndetit Publik Igor Galiq paralajmëroi se do të pasojë detyrimi për mbajtjen e maskave në të gjitha hapësirat e mbyllura.

“Për të parandaluar që kjo të ndodhë, me besimin se qytetarët do të respektojnë masat ekzistuese dhe masat e reja kundër pandemisë, është e nevojshme që ata persona të cilët nuk janë vaksinuar kundër COVID-19 ta bëjnë këtë sa më shpejt, ndërsa të tjerët të marri dozat përforcuese”, tha zoti Galiq.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë, Elvis Omeragiq, tha se varianti i ri i virusit SARS COV-19 është dukshëm më ngjitës dhe në krahasim me variantet e mëparshme, por është gjithashtu më pak i rrezikshëm.

“Shumica e të infektuarve rishtazi janë pa simptoma dhe ata që kanë simptoma përgjithësisht mund të trajtohen në nivelin e kujdesit parësor shëndetësor. Mund të thuhet se kjo gjendje do të thotë se virusi po përshtatet, duke u bërë përafërsisht si gripi sezonal, se do të jetë i pranishëm në një formë më të vogël ose më të madhe, por me një pasqyrë klinike që do të jetë më e lehtë në krahasim me variantet e mëparshme ose me një pasqyrë klinike që nuk kërkon trajtime më të forta mjekësore. Rekomandimet për masat kundër epidemisë duhet të vazhdojnë të jenë mjeti ynë bazë në luftën kundër virusit”, tha zotiOmeragiq.

Masat do të jenë në fuqi deri më 12 gusht.

voa

Hulumtim i REL-it: Milionat e Serbisë dhe Kosovës për persona dhe kompani nga lista e zezë e SHBA-së

investimet serbeIndividë dhe kompani nga “lista e zezë” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat u sanksionuan nga Uashingtoni për shkak të dyshimeve për krim të organizuar ndërkombëtar, marrin miliona nga buxheti i shtetit serb, tregon një hulumtim i Radios Evropa e Lirë.
Sanksionet e Departamentit të Financave të SHBA-së, të cilat u shqiptuan në dhjetor të vitit 2021 kundër 13 shtetasve të Kosovës me kombësi serbe dhe mbi 20 kompanive të lidhura me ta, nuk janë të detyrueshme për vendet e tjera.

Megjithatë, pas publikimit të “listës së zezë” të Uashingtonit, kompanitë nuk morën punë nga Qeveria e Kosovës, por Beogradi zyrtar bashkëpunon me to.

Serbia, e cila financon institucionet e saj paralele në Kosovë – komuna, shkolla e spitale – që nga vendosja e sanksioneve amerikane deri në korrik të këtij viti, i dha njërës prej këtyre kompanive më shumë se 20 punë, me vlerë mbi 7.5 milionë euro.

Kompania në fjalë është “Rad 028” nga Zveçani – komunë në veri të Kosovës – në pronësi të Radulle Steviqit.

Emri i kompanisë së Steviqit ndodhet në tabelat e ndërtimit në të gjithë veriun e Kosovës, bashkë me stemën e Serbisë.

Për vetëm një ditë, kompanisë së Steviqit iu besua një punë në vlerë mbi 4 milionë euro: ndërtimi i dhjetë objekteve banesore në Mitrovicën e Veriut dhe dy në Zveçan.

Si Steviq, ashtu edhe kompania e tij janë nën sanksionet e SHBA-së, për shkak të lidhjes së dyshuar me Zvonko Veselinovqin.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e etiketuan Veselinoviqin si udhëheqës të një grupi të organizuar kriminal dhe si njërën nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë, ndërsa Millan Radoiçiqin si zëvendës të tij.

Kompanitë në pronësi të Zvonko Veselinoviqit dhe Millan Radoiçiqit, sipas dokumenteve të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, nuk kanë kontraktuar punë në Kosovë që paguhen nga buxheti i Serbisë, as para dhe as pas sanksioneve amerikane.

Por në Serbi, edhe pas këtyre sanksioneve, atyre iu dhanë punë në vlerë prej miliona eurosh. Pesë kontrata për riparimin e rrugëve lokale në jugperëndim të Serbisë iu dhanë kompanisë së tyre “Novi Pazar put”, ndërsa “Betonjerka Aleksinac” prodhon shtylla për linjat e transmetimit për Kompaninë shtetërore të Energjisë Elektrike të Serbisë.

 

Kush janë Veselinoviq dhe Radoiçiq?

Zvonko Veselinoviq është biznesmen nga veriu i Kosovës, ndërsa Millan Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe – parti e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Qeveria aktuale e Serbisë. Lista serbe është në pushtet në dhjetë komuna të Kosovës me shumicë serbe.

Radoiçiq është në arrati nga autoritetet e Kosovës për shkak të akuzave për korrupsion, ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si njërin nga udhëheqësit e strukturave kriminale në veri të Kosovës.

Prokuroria e Kosovës lidh Veselinoviqin dhe Radoiçiqin me vrasjen e politikanit serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq. Ata janë përmendur si organizatorë të dyshuar të grupit kriminal, por ndaj tyre nuk është ngritur asnjë akuzë, pasi në atë kohë ata kanë qenë në arrati. Ligji i Kosovës nuk e lejon ngritjen e akuzave kundër të arratisurve, përveç nëse ata janë hetuar edhe më parë.

Lista Serbe i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat kundër Radoiçiqit, ndërsa edhe vetë Radoiçiq ka folur për rastin Ivanoviq, duke thënë se ai “nuk ishte miku më i ngushtë” i tij, por se ai “nuk është vrasës” dhe se “nuk ka lidhje me vrasjen” e politikanit.

 

Nga 10 euro deri në “milionin e parë” – brenda një viti

Çfarë mund të bësh me një mijë dinarë të Serbisë, apo rreth 10 euro?
Me këtë kapital fillestar, Steviq hapi kompaninë ndërtimore “Rad 028” në Zveçan, në janar të vitit 2014, tregojnë të dhënat e regjistrit tregtar të Serbisë.

Dhe, vetëm një vit pasi themeloi kompaninë me kapital modest, ai filloi të fitonte tenderë të mëdhenj. Në numrin më të madh të rasteve, kompania “Rad 028” ishte e vetmja që u paraqit në konkurse të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.

Punët, kryesisht në veri të Kosovës, paguheshin nga buxheti i Serbisë. Vetëm në vitin 2015 janë lidhur kontrata me vlerë gati një milion euro.

 

Në regjistrin e prokurimeve publike për vitin 2015, në të cilin REL ka pasur qasje, ka punime në vlerë prej së paku 950 mijë eurosh – kryesisht në Mitrovicën e Veriut: nga ndërtimi i banesave në Lagjen e Boshnjakëve, tri shtëpive dhe një çerdheje për fëmijë deri te riparimi i konviktit studentor “Prishtina”.

Bizneset në Kosovë – siç është e rregulluar me vendim të Qeverisë së Serbisë – janë të liruara nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), i cili arrin në 20 për qind.

Steviq nuk iu përgjigj as thirrjeve, as mesazheve të REL-it me pyetjen se si ka arritur nga dhjetë euro kapital në punë prej milionash. Pa përgjigje mbeten edhe pretendimet jozyrtare se Steviq është i lidhur me Millan Radoiçiqin dhe Listën Serbe dhe se tenderët në veri të Kosovës manipulohen.

Në pyetjen për tenderët nuk u përgjigjën as Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë dhe as katër komunat nga veriu i Kosovës, të cilat janë pjesë e institucioneve paralele të Serbisë.

“Rad” punon për shtetin e Serbisë, kontratat rriten

Të ardhurat e kompanisë “Rad” dhe kontratat me shtetin e Serbisë vazhduan të rriteshin edhe në vitet në vazhdim.

Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, kompania, nga viti 2016 deri në vitin 2019, ka lidhur marrëveshje në vlerë prej së paku 8.5 milionë eurosh me institucionet paralele në Kosovë, që operojnë në sistemin serb.

Se çdo vit ka qenë “më i mirë” dëshmohet edhe nga bilancet vjetore të atyre kontratave – nga punë me vlerë 573 mijë euro në vitin 2016 në punë prej 5.2 milionë eurosh në vitin 2019, tregojnë të dhënat e ofruara nga Zyra e Prokurimit Publik e Serbisë për Radion Evropa e Lirë.

Qendra studentore “Prishtina” në Mitrovicën e Veriut ka qenë një nga projektet kyçe gjatë atyre katër vjetëve, me investime mbi 685 mijë euro, ndërsa “Rad” ka marrë edhe kontrata të tjera – nga riparimi i rrugëve në veri të Kosovës dhe ndërtimi i apartamenteve deri te prokurimi i pajisjeve kompjuterike për universitetin.

 

Në dhjetor të vitit 2019, “Rad”-it i është besuar edhe ndërtimi i stadiumit të futbollit në Mitrovicën e Veriut – kontratë në vlerë prej 1.3 milion eurosh.

Atë vit, kryetar i klubit të futbollit të qytetit, Trepça, ka qenë Millan Radoiçiq, ashtu si edhe i Federatës së Futbollit të Kosovës në sistemin serb.

Më 26 shtator të vitit 2019, Radoiçiq u zëvendësua nga Goran Rakiq (kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe kryetari i Listës Serbe) në krye të klubit Trepça. Ndërsa, më 28 nëntor të po atij viti, Radoiçiq u largua edhe nga Federata e Futbollit.

Përfundimi i ndërtimit të stadiumit, sipas zyrtarit lokal, Aleksandar Spiriq, është planifikuar për gjysmën e parë të vitit 2022. Por, në vendin e stadiumit të ardhshëm aktualisht ndodhet një ekskavator, që pastron një livadh. Stadium nuk ka.

Biznesi “lulëzon” gjatë pandemisë së koronavirusit

Pandemia e koronavirusit, me sa duket, nuk e ka ngadalësuar lulëzimin e kompanisë së Steviqit. Raporti financiar i “Rad 028” për vitin 2020, i cili është dorëzuar në Agjencinë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë, tregon të hyra në vlerë prej më shumë se 15 milionë eurosh.

E, të dhënat e Administratës së Thesarit të Serbisë, të analizuara nga REL, tregojnë se në atë kohë klienti më i madh i kësaj kompanie ishte shteti i Serbisë. Në vitin 2020, kompanisë i janë paguar së paku 13.3 milionë euro nga arka e shtetit serb.

Sipas të dhënave zyrtare, “Rad 028” ka pasur mesatarisht 17 punonjës atë vit.
Shtatë kontrata me komunat në veri të Kosovës, nga buxheti i Serbisë, janë lidhur edhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi, të shpallur për shkak të pandemisë së koronavirusit, përkatësisht në periudhën mars-maj 2020.

 

Cilat kontrata janë lidhur më 2020?

Përveç tjerave, “Rad 028” është angazhuar në ndërtimin e shtëpive në Zubin Potok, të një shkolle fillore në Dren, të një rrethrrotullimi në veri të Mitrovicës dhe në riparimin e rrugëve lokale.

Në të njëjtin vit, pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, “Rad”-it i është besuar edhe mobilimi i konviktit të nxënësve në Leshak, ndërtimi i katër objekteve katërkatëshe në veri të Mitrovicës, i urës së re mbi lumin Ibër dhe i një kishe në varrezat në Rudar të Madh, si dhe sigurimi i pajisjeve për prodhimin e rakisë për Manastirin Duboki Potok.

 

Për shkak të pandemisë është shfaqur nevoja edhe për një objekt tjetër – laborator për teste PCR – në Qendrën Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut. Këtë punë, me vlerë prej 100 mijë eurosh, e ka fituar kompania “Rad” pa konkurs.

Mbi 60 kontrata – me vlerë prej së paku 20 milionë eurosh – është bilanci i biznesit të Steviqit me shtetin e Serbisë gjatë vitit 2021, para se Shtetet e Bashkuara të vendosnin sanksione kundër tij, më 8 dhjetor.

 

Cilat kontrata janë lidhur më 2021?

Nga “Rad 028”, institucionet serbe në veri të Kosovës kanë bërë blerje të ndryshme: fidanë, materiale ndërtimi për renovim shtëpish, traktorë, mobilie për zyra dhe pajisje për bletari e verari.

Kompania është angazhuar edhe në asfaltimin e rrugëve lokale dhe në ndërtimin e shtëpive dhe të rrjeteve energjetike në veri të Kosovës, në ndërtimin e një ure mbi Ibër në fshatin Dren, ndërsa në Mitrovicën e Veriut ka kontraktuar ndërtimin e shtatë objekteve të banimit, të selisë së re të universitetit, rikonstruksionin e ndërtesës së mjekësisë fizike në kompleksin spitalor dhe kompletimin e “Qendrës multimediale interaktive”.

 

Nga vendosja e sanksioneve deri në korrik të vitit 2022, përveç kontratave milionëshe për ndërtimin e objekteve të banimit, “Rad” ka kontraktuar edhe mbi 20 punë.

Ato, mes tjerash, përfshijnë renovimin e infermierisë në Soçanicë, të qendrës sportive në Zubin Potok, të kopshtit në vendbanimin Badovc dhe blerjen e agregateve për qendrën shëndetësore në veri të Mitrovicës.

 “Rad” ka marrë para edhe nga buxheti i Kosovës

Radulle Steviq ka marrë para edhe nga buxheti i Qeverisë së Kosovës për projekte, përmes dy kompanive të hapura në sistemin e Kosovës: “Rad D.O.O” dhe “P.T.P Rad”, tregojnë të dhënat nga viti 2018 deri më 2021, të analizuara nga Radio Evropa e Lirë.
Gjatë kësaj periudhe, këto dy kompani kanë lidhur 70 kontrata me institucionet e Qeverisë së Kosovës për projekte në veri të Kosovës, në vlerë prej rreth shtatë milionë eurosh.

Tenderët janë shpallur kryesisht nga komunat në veri – përkatësisht institucionet që janë të integruara në sistemin e Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Tenderin e fundit, Steviq e ka fituar në shtator të vitit 2021, ndërsa pas sanksioneve nga SHBA-ja, Qeveria e Kosovës nuk i ka dhënë më punë. Ministria e Infrastrukturës e ka përjashtuar “Rad”-in nga puna e kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe rajonale.

 

Derisa ka marrë punë nga Qeveria e Kosovës, projektet kanë qenë shumë të ngjashme me ato që ka financuar Serbia në veri: riparim i rrugëve lokale, ndërtim i rrjetit energjetik apo punime në rrugën kryesore të “Kral Petrit” në Mitrovicën e Veriut.
Të dyja shtetet kanë financuar gjithashtu punimet në shkollat fillore “Sveti Sava” dhe “Branko Radiçeviq” në Mitrovicën e Veriut dhe ndërtesat komunale në Leposaviq dhe Zubin Potok.

REL nuk ka arritur të përcaktojë nëse kompanitë e Steviqit janë paguar dy herë për të njëjtat projekte – nga buxhetet e Serbisë dhe Kosovës. As Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, as strukturat paralele komunale të Serbisë në Kosovë nuk kanë dhënë përgjigje në këtë pyetje.

Deri në publikimin e këtij teksti, as Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes për tenderët e “Rad”-it.

Veselinoviq dhe Radoiçiq në biznes me shtetin

Në Serbi, makineritë nën udhëheqjen e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit kanë bërë punë ndërtimore për shtetin. Radio Evropa e Lirë ka analizuar skemën dhe biznesin e tyre.

Ka qenë tetori i vitit 2019 kur “Betonjerka Aleksinac”, një kompani në borxhe nga jugu i Serbisë, është bërë me pronarë të rinj.

Këtë kompani shtetërore të falimentuar e ka blerë në atë kohë “Inkop”, një kompani ndërtimore, pronarë të së cilës janë Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko, si dhe Millan Radoiçiq.

 

Me pronarët e rinj, gjatë viteve 2020 dhe 2021, “Betonjerka” ka nënshkruar kontrata të mëdha me shtetin serb dhe të ardhurat e kompanisë kanë filluar të rriten.
Gjatë vitit 2019, kompania ka pasur 325.000 euro të ardhura, ndërsa në fund të vitit 2020, të ardhurat i janë rritur në 1.4 milion euro.

Vitin e kaluar, kur pronarët dhe kompania janë futur në listën e zezë të SHBA-së, “Betonjerka” ka pasur të ardhura prej 2.1 milionë eurosh.

Në tenderët shtetërorë, “Betonjerka Aleksinac” nuk ka marrë pjesë e vetme, por me një grup kompanish dhe kanë qenë të vetmit ofertues. Pronarët e këtyre kompanive kanë qenë edhe më herët partnerë afaristë të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit.
Në dy vjetët e mëparshëm janë kontraktuar katër punë ndërtimi me Elektro-distribucionin e Serbisë, çmimi i vlerësuar i të cilave ka qenë mbi 20 milionë euro. Kompanisë “Betonjerka”, siç shihet nga dokumentet, i është besuar prodhimi i shtyllave prej betoni për linjat e transmetimit.

Para për rrugët lokale në jugperëndim të Serbisë

“Betonjerka Aleksinac” është në mesin e pesë kompanive të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit, të themeluara në Serbi, të cilat gjenden nën sanksionet e SHBA-së nga dhjetori i vitit 2021.

Në listën e zezë është edhe “Novi Pazar put”, kompani ndërtimore, e cila ka marrë punë edhe nga institucionet e Serbisë. Nga vendosja e sanksioneve amerikane deri në korrik të vitit 2022, kjo kompani ka fituar së paku pesë kontrata: në Novi Pazar, Tutin, Vërnjaçka Banja dhe Kralevë.

Puna më e vlefshme e saj, prej 1.8 milion eurosh, është ndërtimi i unazës rreth Novi Pazarit, e cila është kontraktuar nga kompania publike “Putevi Srbije”.

Sipas të dhënave nga regjistri tregtar, të ardhurat nga biznesi i kompanisë për vitin 2021 kanë qenë 42.6 milionë euro.

Radoiçiq dhe Veselinoviq kanë blerë kompaninë “Novi Pazar put” në janar të vitit 2020 dhe, në fund të atij viti, kompania ka pasur 27.4 milionë euro të ardhura. Me pronarët e rinj, të ardhurat janë rritur për mbi 50 për qind (dhjetë milionë euro), krahasuar me vitin 2019.

Në vitin kur vëllezërit Veselinoviq dhe Radoiçiq janë bërë pronarë të kompanisë, “Novi Pazar put” ka nënshkruar kontrata prej milionash me shtetin serb – ndër të tjera edhe për mirëmbajtjen e rrugëve lokale në Vërnjaçka Banja, Tutin dhe Novi Pazar.

 

Kontrata më e vlefshme është bërë me qytetin e Kralevës, në vlerë prej 2.6 milionë eurosh, për ndërtimin e rrugëve në vendbanimin “Voqareve Livade”, ku janë duke u ndërtuar banesa për pjesëtarët e forcave të sigurisë.

Ndërtimi i këtyre banesave, siç përshkruhet nga një ligj i posaçëm në Serbi, është pjesë e një projekti “të rëndësishëm për forcimin e sistemit të sigurisë kombëtare”.
Në nëntor të viti 2020, “Novi Pazar put” dhe një grup kompanish kanë fituar tenderin nga Ministria e Ekonomisë e Serbisë, në vlerë prej 304 mijë eurosh, për riparimin e rrugës lokale në Kopaonik.

Kjo rrugë çon edhe në hotelin “Grey” në Kopaonik, i cili është në pronësi të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit.

Gurëthyesit, në të cilët Radoiçiq dhe vëllezërit Veselinoviq kanë pjesë, kanë qenë po ashtu të përfshirë në punë me shtetin. Gurëthyesit janë pjesë e kompanisë ndërtimore “Granit-peshçar”. REL ka raportuar qysh në shkurt të vitit 2020 se kompania ka shkelur rregulloret dhe ka vazhduar me punën, pavarësisht ndalesës nga inspektorët.

Hulumtimi gjithashtu ka gjetur se si “Granit-peshçar” ka siguruar materiale ndërtimore për ndërtimin e seksioneve të autostradës ndërkombëtare Beograd – Adriatiku Jugor (Korridori 11).

REL ka tentuar të kontaktojë Radoiçiqin përmes Listës Serbe dhe avokatit të tij në Kosovë, Zhivojin Jokanoviq, por pa sukses.

Pyetjeve të REL-it për punët e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit nuk u janë përgjigjur as Lista Serbe, as “Betonjerka Aleksinac”, as “Novi Pazar put” dhe as “Inkop”.

Nga Qeveria e Serbisë, po ashtu, nuk i janë përgjigjur pyetjes nëse kanë konsideruar ndërprerjen e kontratave me kompani dhe individë nga lista e zezë amerikane.

Nga arka e Serbisë, 2.5 milionë euro për restorant dhe shtëpi mallrash

“Cilësia që meritoni” është slogani që përdor shtëpia e mallrave “Metal” nga veriu i Kosovës – në pronësi të Sinisha Nedelkoviqit – për t’u prezantuar në rrjetet sociale.
Nedelkovq, i cili është nën sanksionet e SHBA-së për shkak të lidhjeve të supozuara me Zvonko Veselinoviqin, përballet edhe me aktakuzë në Kosovë.

Prokuroria në Mitrovicë ka bërë të ditur për REL-in se kundër Nedelkoviqit ekziston një rast aktiv – ai akuzohet për tentim-vrasje, prodhim dhe shitje të paautorizuar të drogës dhe posedim të paautorizuar të armëve.

REL nuk ka arritur të bjerë në kontakt me Nedelkoviqin. Në mesazhet e shkëmbyera me REL-in, djali i tij, Stefani, ka thënë se babai i tij është “jashtë vendit” dhe se do t’ia përcjellë kërkesën e REL-it. Përgjigje tjetër nuk ka pasur.

Përderisa autoritetet e Kosovës e akuzojnë për krime të rënda, në sistemin serb, Sinisha Nedelkoviq është sipërmarrës, të cilin dikur e ka vizituar një përfaqësues i autoriteteve nga Beogradi. Lista Serbe nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it nëse ai është anëtar i saj.

 

Në media është prezantuar si pronar i shtëpisë së parë të mallrave në veri të Kosovës, pas luftës së vitit 1999.

Një dyqan i “Metal”-it është në Zveçan, në një ndërtesë trekatëshe në qendër, ndërsa tjetri është në qendër të Mitrovicës së Veriut. Nedelkoviq është pronar edhe i sallës së festave në katin e fundit të dyqanit në Zveçan dhe i restorantit “M”.

Sipas të dhënave të regjistrit tregtar të Serbisë, Nedelkoviq e ka filluar biznesin e tij në vitin 2000, me hapjen e dyqanit të pajisjeve “Metal” në Zveçan. Pesë vjet më vonë është themeluar kompania “Metal-robna kuqa D.O.O”, me kapital fillestar prej rreth 400 eurosh.

REL ka analizuar pagesat e institucioneve, të cilat financohen nga buxheti i Serbisë, në llogaritë e kompanisë së Nedelkoviqit gjatë dhjetë vjetëve të fundit – nga viti 2012 deri në fund të vitit 2021.

Për këta dhjetë vjet, sipas Administratës së Thesarit të Serbisë, kompanisë së Nedelkoviqit “Metal-robna kuqa” i janë paguar së paku 2.5 milionë euro nga buxheti i Serbisë.

Shtëpinë e mallrave “Metal” e ka vizituar në vitin 2013 Aleksandar Vulin, atëbotë ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ndërsa sot ministër i Brendshëm i këtij vendi.

Në vitin 2013, shtëpia e mallrave “Metal” ka marrë rreth 7 mijë euro nga llogaritë e institucioneve paralele serbe në Kosovë, ndërsa vitin pasues kjo shumë është rritur në mënyrë drastike – në mbi 600 mijë euro.

Një nga vitet më të suksesshme në biznes me shtetin e Serbisë për Sinisha Nedelkoviqin ka qenë viti 2019. Asokohe, ai është paguar pak më pak se 450.000 euro nga llogaritë shtetërore të Serbisë. Të ardhurat totale nga biznesi i kompanisë “Metal” atë vit kanë qenë 3.7 milionë euro, sipas të dhënave të regjistrit tregtar të Serbisë.

Vitin e kaluar, kompania ka marrë mbi 85.000 euro nga institucionet e shtetit serb dhe më shumë se 20 pagesa janë bërë pas vendosjes së sanksioneve amerikane kundër Nedelkoviqit dhe kompanisë së tij.

Kush tjetër është në listën e të sanksionuarve?

Përveç vëllezërve Zvonko dhe Zharko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiqit, si dhe sipërmarrësve të përmendur, Radulle Steviq dhe Sinisha Nedelkoviq, nën sanksionet e SHBA-së janë edhe tetë persona të tjerë.

Në listë është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i operativës së Policisë së Kosovës për veriun, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhet me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Një tjetër person i sanksionuar, Marko Roshiq, është në mesin e të akuzuarve në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, i cili po gjykohet para gjykatës në Prishtinë.

 

Departamenti Amerikan i Thesarit ka emëruar edhe gjashtë bashkëpunëtorë të tjerë që kanë punuar për Veselinoviqin ose në emër të tij: Andrija Bojiq, Sërgjan Vulloviq, Millan Mihajlloviq, Millan dhe Millojko Radisavleviq dhe Radovan Radiq.

Shtohet se grupi kriminal i Veselinoviqit dyshohet se është i përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit, së bashku me zyrtarë të sigurisë në Kosovë dhe Serbi, të cilët lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

rel

Pendarovski: Nga fqinjët na vijnë agjentë rusë, disa parti financohen nga Moska

PendarovskiPresidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për numrin e fundit të të përjavshmes “Fokus” ka komentuar edhe deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme rus Sergei Lavrov, i cili së fundi ka përsëritur se disponimi i popullit maqedonas është në kundërshtim me kursin euroatlantik të elitën politike.

 

Siç thotë Pendarovski, këto janë deklarata provokuese të cilat, sipas tij, janë pjesë e propagandës politike.

“Të gjitha institucionet shtetërore e dinë se Rusia ndërhyn në punët tona të brendshme. Herën e fundit me pjesëmarrje intensive përmes njerëzve të vet, subjekteve të veta politike, instalacioneve të veta. Nga fqinjët vijnë njerëz që janë agjentë rusë, pra njerëz të shërbimit rus. Nuk mund të zbuloj publikisht se nga vijnë saktësisht, sepse këto janë informacione të ndjeshme, por rusët po përpiqen të ndikojnë edhe përmes atyre kërcënimeve hibride të quajtura moderne, përmes propagandës politike”, thotë Pendarovski.

Ai tregon se në organet kompetente ka informacione për persona që kanë ardhur për të provokuar protestat e fundit qytetare, por edhe për financimin e “disa subjekteve politike”.

Në të njëjtën kohë, Pendarovski nuk zbulon se për cilat subjekte bëhet fjalë, por thekson se janë “disa subjekte në korrelacion të drejtpërdrejtë me Moskën disa vite më parë”.

Telegrafi

Në Maqedoni veprojnë mbi katër mijë lypsarë, fëmijët dhe të moshuarit abuzohen nga “pronarët” e tyre

lypsar“Dy mijë njerëz lypin çdo ditë në Shkup, pra janë lypsarë!. Hulumtimet tona tregojnë se në tërë territorin e vendit ka mbi katër mijë lypës”, theksoi në konferencën e sotme për media, Ilija Jovanov, kryetar i Shoqatës “Ndërtojmë të Ardhmen” – Shkup.

 

“Ne si shoqatë arritëm që për tetë muaj të largojmë 1500 persona nga lypja. I kemi paralajmëruar, i kemi drejtuar ku të kërkojnë ndihmë dhe se zgjidhja nuk është në lypjen dhe puna e tyre nuk është këtu”, tha Jovanov.

Ai informon se sot në stacionin policor në Gazi Babë kanë mbajtur takim me përfaqësues të stacioneve policore Qendër, Gjorçe Petrov, Kisella Vodë, Aerodrom, Novo Lisiçe, Karposh, Gazi Babë dhe Saraj për të gjetur zgjidhje për faktin se organizatorët dhe tutorët abuzojnë me fëmijët, dhe ua marrin paratë.

Siç tha ai, për fat të keq fëmijët nuk i marrin paratë nga qarkullimi ditor të cilin e bëjnë nga tre deri në pesë mijë denarë.

Ai theksoi se “përfaqësuesit e stacioneve policore deklaruan se detyrat e tyre i kryejnë me profesionalizëm, ndërgjegje dhe përgjegjësi, duke bërë kallëzime penale, duke ndaluar fëmijët e mitur dhe personat e moshuar që kryejnë kundërvajtje dhe vënë në rrezik veten e tyre, këmbësorët si dhe shoferët në rrugët ku lypin”.

Ai apelon komunitetet e biznesit dhe komunat që të përfshihen në projektin për të nxjerrë njerëzit nga lypja.

“Ky problem duhet të zgjidhet në nivel komunal. Pra, çdo komunë duhet të zgjidhë problemin e lypsarëve dhe u bëj thirrje të gjithë kryetarëve të komunave që të marrin më shumë përgjegjësi sociale në vend të punëve partiake. Konkretisht, familjeve rome duhet tu ofroni program pune, u ofroni kurse, trajnime për marrjen e njohurive të reja”, tha Jovanov.

Ai apeloi edhe ministren e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, Qeverinë dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski që këtë çështje ta zgjidhin institucionalisht.

Zjarri në spitalin e Tetovës, familjarët kërkojnë drejtësi

spital-i-djegurPasi që prokuroria publike në Tetovë ka dorëzuar akuzën në gjykatën themelore ndaj tre personave fizik dhe një juridik, për zjarrin në spitalin modular më 8 shtator të vitit të kaluar, ku humbën jetën 14 persona, familjarët e viktimave shprehen skeptik se drejtësia do të arrijë të zbardhë tërë rastin.

 

Mumin Ismaili nga fshati Nerasht, i rrethinës së Tetovës, thotë se natën kritike ka qenë në vendngjarje pasi që e kishte të shtruar nënën e tij në spitalin modular. Nuk i beson drejtësisë por megjithatë shpreson se më në fund ky rast do të ketë epilog. Nëse organet e drejtësisë nuk arrijnë të zbardhin rastin, drejtësi se do të kërkojë në Gjykatën e Strasburgut, thotë ai.

“Unë nuk mendoj se do shkoj gjykimi siç pretendohet të jetë, sepse deri më tani nuk është zbardhur asgjë, e në këtë rast edhe modulari. Tash hyjmë në muajin e njëmbëdhjetë prej kur ndodhi rasti, nuk pres gjykim transparent por presim. Shpresat nuk i humbim. Por gjithsesi ne nuk do dorëzohemi. Për këtë rast do shkojmë edhe në gjykatën e Strasburgut nëse ka nevojë të ankohemi, sepse kemi humb familjarët, sidomos mua që nëna mu dogj në krah. Por do shohim është e patjetërsueshme dikush të merr përgjegjësi për këtë rast”, thotë Mumim Ismaili, familjarë.

Ismaili thotë se përgjegjësi duhet të ketë për më shumë persona.

“Unë 28 ditë kam qenë në spital aty, nuk ka pasur asnjë kusht për trajtim të të sëmurëve me kovid. Mungesa e parë ka qenë stafi mjekësor, unë isha 28 ditë kishte gjashtë dhoma me nga gjashtë krevate ndërsa ka pasur katër ekipe mjekësore. Dhe më tregoni me logjikën tuaj katër mjekë a mund të trajtojnë 36 pacientë kur secili pacient çdo sekondë kishte nevojë për trajtim”, u shpreh Mumim Ismaili, familjarë.

Sipas informacioneve, dy persona akuzohen se kanë kryer nga një vepër penale, “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. I akuzuari i tretë sipas prokurorisë ka kryer vepër penale “mosveprim sipas ligjeve shëndetësore në kohë pandemie”. Ndërsa personi juridik (spitali klinik) ka kryer vepër penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Në 8 shtator të vitit të kaluar spitali modular i Tetovës, ku po trajtoheshin 26 pacientë, u përfshi nga zjarri. Jetën e humbën 14 persona, prej të cilëve 12 pacientë dhe dy persona që kujdeseshin për familjarët e tyre.

koha

Kurti: Dialogu me Serbinë i rëndësishëm, por synimi duhet të jetë njohja reciproke

KurtiKryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në një fazë të re, duke qenë se sfidat në botë janë duke u shtuar.

 

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë një vizite në Uashington, zoti Kurti vlerësoi marrëveshjen prej mbi 236 milionë dollarë për energjinë dhe tha se dy vendet synojnë të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare. Ndërsa bisedimet me Serbinë kanë ngecur dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken theksoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve, kryeministri Kurti tha në intervistën me kolegen Keida Kostreci, se Kosova asnjëherë nuk e ka mohuar rëndësinë e bisedimeve por se ato duhet të jenë parimore dhe me synimin përfundimtar për njohje reciproke.

 

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër në takimin me sekretarin Blinken dhe zyrtarët amerikanë në Washington u theksua marrëdhënia e fortë mes dy vendeve. Cilat janë mesazhet konkrete që merrni këtu dhe që po i përcillni me vete në vendin tuaj?

Albin Kurti: Kur isha para dy muajve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizita dy javore u dominua nga nevoja e investimeve shtesë amerikane në Kosovë por gjithashtu edhe për një siguri shtesë për Kosovën në kushtet kur përballemi me pasojat kontinentale dhe jo vetëm të invazionit të pajutifikueshëm dhe të paprovokueshëm të Federatës Ruse në Ukrainë. Ndërkaq kësaj radhe erdhëm për ta bërë konkrete një bashkëpunim në fushën e energjisë përkatësisht nënshkrimin e programit Kompakt prej gjithsejt 236.7 milionë dollarëve që do të kontribuojë shumë për pavarësinë energjetike të Kosovës duke filluar me bateritë akumuluese e deri te trajnimet dhe shkathtësitë tjera profesionale dhe teknike në veçanti për gratë në Kosovë. Mirëpo ne me sekretarin Blinken nuk u ndalëm me kaq, diskutuam që është e domosdoshme që marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme bilaterale e shtetërore t’i thellojmë dhe avancojmë me bashkëpunim ekonomik dhe rritje të shkëmbimit tregtar por gjithashtu edhe duke pasur se dy sektorë që Kosova e ka rritur buxhetin vjetor; bujqësia dhe mbrojtja janë dy fusha ku ne duam ta rrisim bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takimi me sekretarin Blinken ishte i shkëlqyeshëm, ishte i frytshëm dhe shumë i përzemërt, është kremtim i marrëdhënieve tona të cilat po hyjnë në një fazë të re për shkak se sfidat në botë janë duke u shtuar por njëkohësisht edhe investimi amerikan në Kosovë gjithashtu mund të vijë duke u shtuar.

 

Zëri i Amerikës: Sekretari Blinken theksoi rëndësinë e normalizimit të marëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë ndërkaq se zyrtarë amerikanë kanë thënë mes të tjerash se një normalizim i tillë do të pengonte synimet ruse për destabilizimin e rajonit. Në dritën e një situate të re gjeo-politike a ka ndryshuar qëndrimi juaj për përparësinë e këtyre bisedimeve?

Albin Kurti: Ne asnjëherë nuk e kemi mohuar rëndësinë e këtyre bisedimeve por kemi thënë që ato duhet të jenë bisedime parimore në të cilat Kosova është palë dhe jo temë siç ka qenë në të kaluarën. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe për qeverinë e Republikës së Kosovës, Kosova është vend i pavarur, sovran, demokratik dhe integritet të qartë territorial por në të njejtën kohë ne e pranojmë se marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale, ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore rrjedhimisht duam normalizim të këtyre marrëdhënieve dhe normalizimi bëhet me dialog i cili duhet ta ketë qëllimin e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme të përqendruar te njohja reciproke dhe këtu kemi dakordim të plotë me sekretarin Blinken i cili është aleat, partner dhe mik i madh i Kosovës.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Beogradi reagoi me zemërim ndaj vendimit tuaj për të kufizuar përdorimin aktual të targave të makinave që hyjnë nga Serbia apo janë të regjistruara në Serbi dhe për masën e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serb që hyjnë në Kosovë. Ka shqetësime se vendosja e masave të tilla mund të nxisë tensione të reja mes dy palëve. Si ju përgjigjeni juve?

Albin Kurti: Para më shumë se një muaji ne kemi marrë dy vendime në qeverinë e Republikës së Kosovës, në njërën anë japim një afat dy mujor i cili fillon prej të hënës së një gushtit që të gjithë qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb të cilët kanë targa të automjeteve nga koha e (Slobodan) Millosheviçit si PR, KM, PE, UR, GL, DJ, PZ e kështu me radhë t’i shndërrojnë ato në targa legjitime dhe legale të Republikës së Kosovës, me ç’rast ne kemi ofruar edhe lehtësime për ta bërë një shndërrim të tillë dhe gjithashtu nga e hëna të gjithë ata që kanë dokumente të lëshuara nga Serbia dhe duan të hyjnë në Kosovë ne do t’i pajisim me një dokument të veçantë i cili tregon që ata do të mund të lëvizin lirisht në Republikën e Kosovës. Kjo është një masë që e marrim 11 vjet pasi që këtë tashmë e ka ndërmarrë Serbia ndërkaq sa i përket atyre targave të kohës së Millosheviçit, Serbia vetë e ka pranuar në Bruksel që ato duhet të marrin fund mirëpo duket që po i pengon zbatimi. Ne nuk jemi kundër qytetarëve serbë përkundrazi ne dëshirojmë që me ata të bashkëpunojmë për të mirën e përgjithshme dhe në zbatim të ligj e respektim kushtetutshmërisë. Pra këto janë masa për ligj dhe barazi dhe kundër askujt.

 

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër një përpjekje e Bashkimit Evropian për një takim ndërmjet jush dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç më 19 korrik dështoi. Ju thatë se faji duhet të kërkohet në Beograd, ndërsa përmendët që përpjekjet nuk duhet të jenë të njëanshme dhe e kritikuat Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve. A mund të ishte bërë diçka nga pala juaj që ky takim të mos dështonte dhe më gjerë si mund të kontribuojë Kosova drejt një dialogu konstruktiv?

Albin Kurti: Unë jam gjithmonë i gatshëm që të udhëtoj në Bruksel për takimin e radhës të përgatitur mirë për çështje bilaterale dhe një takim i tillë ka pasur plan që të mbahet me datën 19 korrik, mirëpo nuk u mbajt për shkak se Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyrje mbi një mujore. Pra dikur thoshin se duhet të presin meqenëse nuk i kanë mbajtur zgjedhjet, e tash ndonëse po bëhen gati katër muaj që i kanë mbajtur zgjedhjet, sërish shkaktojnë vonesa të paarsyeshme, që kanë të bëjnë thjesht me faktin se përkundër kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ata nuk dëshirojnë që të distancohen nga presidenti despotik Putin, nga Kremlini zyrtar dhe lufta që e shkaktoi kundër Ukrainës. Pra, nuk duan që t’i vënë sanksione Moskës, andaj edhe nuk e konstituojnë kuvendin, nuk e formojnë qeverinë dhe kërkojnë që takimet e parapara në Bruksel me mua të spostohen në kohë. Me këtë rast unë do të theksoj që Kosova ka qenë përherë me çdo zyrtar të saj, gjatë procesit të Brukselit, konstruktive, kreative dhe e përkushtuar. Sekretari Blinken kërkoi që ne edhe më tej të jemi të tillë, ne do të vazhdojmë të jemi të tillë, por është Beogradi ai i cili po punon kundër marrëveshjeve dhe kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërkohë që ne jemi konstruktivë dhe këtë Brukseli tashmë e ka regjistruar. Pra, në vend se të ndodhë takimi me 19 korrik, tash shpresohet që mbase mund të mbahet në fund të gushtit.

 

Zëri i Amerikës: Ndërkohë Beogradi thekson se ju nuk doni t’i zbatoni marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e manastirit të Deçanit, për të cilin ushtrohet trysni edhe nga autoritetet ndërkombëtare. Si do t’i zgjidhni këto dy çështje?

Albin Kurti: Janë rreth 33 marrëveshje të Brukselit dhe midis tyre nuk ka hierarki për ndonjë marrëveshje më të rëndësishme se një tjetër. Pra Beogradi dëshiron që marrëveshjet në të kaluarën t’i trajtoj si një tryezë suedeze ku mund të përzgjedhin ata sipas interesave të tyre shtetërore. Më duhet të them që nuk është në interesin as të serbëve të Kosovës një Asociacion i tillë çfarë e ka dashur gjithmonë Serbia. Ata më shumë dëshirojnë të kompensohen në stilin e një Republike Serbe në Bosnjë edhe në Kosovë për faktin që e kanë humbur Kosovën, ndërkohë që nuk është dashur ta kenë asnjëherë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës praktikisht ka konstatuar që asnjëri prej shtatë kapitujve të asaj marrëveshje të vitit 2015, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht më gjithsej 23 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Por përkundër këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse unë marrë shumë letra nga serbët në Kosovë, asnjëra prej tyre nuk është për këtë Asociacion. Pra, është më tepër interes i Beogradit, sesa nevojë e serbëve. Ndërkaq, sa i përket çështjes së manastirit të Deçanit, ne jemi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, pa dallim religjioni por trashëgimia kulturore dhe pronësia nuk janë e njëjta gjë dhe unë kam shprehur gatishmërinë time që të fillojmë bisedimet me autoritetet religjioze ortodokse në Kosovë të nacionalitetit serb, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të mirë. Por duhet theksuar se ashtu siç ne kërkojmë nga Serbia të distancohet në të tashmen nga Putini, kërkojmë që të distancohet edhe nga e kakuara, përkatësisht nga Millosheviqi sepse bëhet fjalë për 24 hektarë të cilët kanë qenë dhuratë e Millosheviqit për manastirin e Deçanit, ajo ka qenë pronë publike dhe nuk do të duhej që ta abstrahojmë këtë fakt. Por, unë dua një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe për të mirën publike, pa cënuar e diskriminuar askënd.

voa

Escobar: Pavarësia energjetike, e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor

EscobarI dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar i tha Zërit të Amerikës pas nënshkrimit të marrëveshjes energjetike mes Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit dhe Kosovës se marrëveshja është shenjë e thellimit të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shteteve të bashkuara.

 

“Kosova është një partner jashtëzakonisht i mirë në rajon, është një vend kompentent në marrëdhënien tonë në rajon. Gjithçka që mund të bëjmë për ta thelluar bashkëpunimin, jemi të lumtur ta bëjmë”, tha ai.

Zoti Escobar tha se është e rëndësishme për të gjithë rajonin që të distancohet nga energjia ruse pasi Rusia e shfrytëzon atë si armë.

Në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës, lidhur me rrezikun e ndikimit të situatës së krijuar në Ukrainë dhe synimeve të Moskës tek Ballkani Perëndimor, zoti Escobar u shpreh optimist për zmbrapjsen e këtyre synimeve në rajon.

“Asnjëherë nuk kemi parë një unitet të tillë që kemi tani brenda NATO-s dhe unitetin që kemi me partnerët tanë evropianë për t’u siguruar që siguria evropiane është përparësia jonë më e madhe. Në këtë kontekst e konsiderojmë edhe Ballkanin Perëndimor dhe besoj që Ballkani Perëndimor do të jetë në rregull”, tha ai.

Ai shtoi se megjithë sfidat e ndryshme, të gjitha vendet e rajonit kanë përkrahjen dhe vëmendjen e Shteteve të Bashkuara.

voa

Politikanët dhe qytetarët festojnë në shesh çeljen e negociatave dhe 100-vjetorin e marrëdhënieve me SHBA-në

Sheshi SkenderbejSheshi “Skënderbej” është mbushur këtë mbrëmje me politikanë, zyrtarë, diplomatë e qytetarë që po festojnë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe 100-vjetorin e marrëdhënieve me SHBA.

 

Në skenën e dizajnuar me yjet e flamurit europian, teksa në sfond është statuja e heroit kombëtar Skënderbeu, po përformojnë zërat më të dashur të muzikës shqiptare: Flori Mumajesi, Alban Skënderaj, Anxhela Peristeri, Elton Deda, Soni Malaj, Ylli Limani, Fifi, Eneida Tarifa, Ronela Hajati dhe Xhensila Myrtezaj. Interpretimet e tyre alternohen me mesazhet e personazheve nga politika shqiptare, europiane dhe amerikane.

Në radhën e parë të qytetarëve që shijojnë këtë koncert gjigant janë presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri Yuri Kim, ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damian Gjknuri, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe diplomatë të tjerë.

16 vite pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, Shqipëria çeli në 19 korrik negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Tani, hapi i parë në procesin e bisedimeve pas Konferencës Ndërqeveritare do të pasohet nga puna mes Komisionit dhe ekipeve negociuese për shqyrtimin e akteve europiane që do të bëjë të mundur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të dinë detyrimet mbi traktatet e marrëveshjet europiane.Ulja në tryezë për bisedimet konkrete kalon përmes procedurave të tjera, të cila zgjasin në kohë. Në shtator pritet që Shqipërisë t’i kërkohet të japë shpjegime se ku qëndron ajo në raport me çështjet që përmban grup-kapitulli i parë që lidhet me shtetin e së drejtës. Sipas metodologjisë së re, bisedimet nuk zhvillohen më mbi bazë kapitujsh të veçantë, por mbi 6 grup-kapitujsh, ku pa u hapur ai për shtetin ligjor, nuk mund të hapet asnjë tjetër.

tch