SHBA, 400 milionë dollarë të tjera për të forcuar aftësitë ushtarake të Ukrainës

tankShtetet e Bashkuara kanë marrë vendim t’i dërgojnë një sasi të re ndihme Kievit, e cila ka për qëllim të ndihmojnë forcat ukrainase që të shkatërrojnë kapacitetet ushtarake të Rusisë çka do të dëmtonte aftësitë e saj për të vazhduar luftën në rajonin e Donbasit dhe më gjerë.

Zyrtarët amerikanë ofruan të premten detaje të një paketë të re prej 400 milionë dollarësh, që përfshin katër sisteme të tjera raketash të artilerisë së lartë (HIMARS) dhe municione artilerie me saktësi të lartë goditëse, të një lloji që nuk i ishin dhënë Kievit deri më tani.

Këto sisteme armësh kanë saktësi të lartë goditëse“, tha një zyrtar i lartë i Pentagonit, i cili informoi gazetarët në kushte anonimiteti.

Ne presim që ato të përdoren nga ukrainasit në mënyrë efektive, duke pasur parasysh suksesin e tyre të deritanishëm”, shtoi ai.

Sipas zyrtarit të Pentagonit ky sukses i forcave ukrainase ka ndihmuar në ngadalësimin e ndonjëherë pengimin e përpjekjeve ruse për të avancuar me operacionet e tyre, falë goditjes së qendrave ruse të komandës e kontrollit, si dhe atyre logjistike.

Por Uashingtoni shpreson që me paketën e fundit të ndihmës ushtarake, pjesë e asaj që cilësohet si një “mbështetje e qëndrueshme”, të bëhet më shumë.

Një element kryesor i asaj që ne po shohim tashmë është përparimi, i cili është jetik për ukrainasit që të jenë në gjendje të vazhdojnë luftën, dhe më e rëndësishmja, do të thosha, që rusët të dinë se ukrainasit do të jenë në gjendje që ta vazhdojnë atë (luftën)”, tha zyrtari.

Njoftimi për ndihmë shtesë nga Shtetet e Bashkuara vjen vetëm disa ditë pasi forcat ruse shpallën fitoren në provincën Luhansk, ndërsa forcat ukrainase u tërhoqën nga “fortesa”e tyre e fundit në qytetin e Lisiçaskut.

voa

Samsung njofton platformën e re të videolojërave për televizorët

Samsung platformaKompania koreanojugore e teknologjisë, Samsung, njoftoi një aplikacion të ri për televizorët dhe ekranet inteligjente, që do të shërbejë vetëm për lojërat në rrjet. Tashmë nuk do të nevojitet më njësia qendrore elektronike që duhej tradicionalisht për të përdorur këto videolojëra. E gjithë industria e lojërave elektronike po zhvendoset tashmë gradualisht drejt modelit me pagesë mujore.

Videolojërat në një ekran televiziv nuk janë diçka e re. Por mos kërkoni për njësinë elektronike, pasi ajo nuk ekziston më. Tashmë ato luhen drejtpërsëdrejti në rrjet nëpërmjet një serveri të fuqishëm qendror.

Kompania Samsung po e shton tashmë platformën e saj të re të lojërave tek disa prej televizorëve të saj. Nga aplikacioni i ri mund të fillohen lojërat e rrjeteve Utomik, Nvidia GeForce Now, Google Stadia, si dhe Xbox.

Përdoruesit duhet të jenë të regjistruar me këto rrjete, dhe të kenë një lidhje interneti me shpejtësi minimale prej 20 Mbps në sekondë. Për ata që kanë fatin të kenë internet të mirë, kjo eksperiencë e re rivalizon eksperiencën e deritanishme të lojërave me pajisje qendrore.

“Disa njerëz as nuk dalluan dot nëse loja ishte nëpërmjet rrjetit apo një pajisjeje lojërash. Pra, eksperienca është tepër e ngjashme dhe ajo që po mundohemi të arrijmë me produktin tonë është që ta hapim sektorin e videolojërave për të gjithë. Madje edhe nëse njerëzit kanë një paisje lojërash në dhomën e ndenjes, mund ta vazhdojnë lojën më vonë në ekranin e Samsungut që mund të kenë në dhomën e gjumit”, shpjegon Gus Grimaldi, drejtues për degën në Evropë të kompanisë Samsung.

Kompania Samsung do të përpiqet të ruajë rezolucionin e lartë të lojërave, si p.sh. ato të platformës Xbox. Përdoruesit do të kenë mundësinë që në një monitor inteligjent Samsung të aktivizojnë modalitetin e videolojërave dhe madje edhe të ndërlidhin paisje të tjera.

Por, krahas kësaj platforme për të ndërlidhur shërbimet e videolojërave të kompanive të tjera, a do të futet vetë në garë një ditë kompania Samsung?

“Ndoshta. Kurrë nuk i dihet. Bisedojmë gjithnjë me partnerët tanë dhe jemi gjithnjë novatorë. Po sjellim këtë përvojë të re për pajisjet tona televizive. Jemi të hapur për përvoja të reja dhe për të marrë njerëz të rinj. Ndoshta mund të jetë një alternativë”, thotë zoti Grimaldi.

Aplikacioni i lojërave Xbox është për momentin i disponueshëm në televizorët Samsung, por nuk është e qartë nëse do të zgjasë kjo marrëveshje.

“Për shumë konsumatorë kjo nuk do të përbënte interes nëse nuk do të kishte patur Xbox-in. Prania e aplikacionit Xbox e legjitimon të gjithë këtë platformë të re”, thotë Dominic Preston, redaktor në botimin për teknologjinë “Tech Advisor”.

Ndërsa kompania Samsung po përqëndrohet tek rritja e cilësisë për platformën e saj të videolojërave Gaming Hub, zoti Preston thotë se kufizimet teknologjike janë të pashmangshme.

“Loja në rrjet nuk ka arritur ende të ofrojë plotësisht cilësinë që ofrojnë videolojërat me njësi qendrore. Nuk di nëse do t’ia arrijë ndonjëherë pasi gjithnjë do të jetë faktori i vonesave të rrjetit”, thotë zoti Preston.

Platforma “Samsung Gaming Hub” doli në qarkullim më 30 qershor për televizorët dhe monitorët inteligjentë Samsung, dhe mund të instalohet automatikisht nëpërmjet sistemit operativ, Tizen.

voa

Kosova e Shqipëria zyrtarizojnë një abetare për të dy shtetet

vendimiU zyrtarizua me nënshkrime të Ministreve të Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci dhe Shqipërisë, Evis Kushi, përzgjedhja e Abetares së përbashkët, si e vetme e të gjithë shqiptarëve.

Shtëpitë botuese “Dukagjini” nga Kosova dhe “Botimet Pegi” nga Shqipëria të cilat u përzgjodhën më 31 maj të këtij vitit për të cilat kishte raportuar RTK, me nënshkrimin e marrëveshjes në fillimin e korrikut më datat 4 dhe 6 korrik të kërij viti, nga drejtuesit e arsimit të të dyja shteteve shqiptare, tashmë shtëpive botuese u është dhënë dritën jeshile për botimin e Abetares së re të përbashkët.

Nga shtatori, të gjithë fëmijët shqiptarë në Kosovë e Shqipëri, rrugën e arsimimit do ta fillojnë me të njëjtën abetare.

Në vendimin e përzgjedhjes së Abetares është theksuar se shtëpitë botuese “Botimet Pegi” dhe “Dukagjini” të përmbushin detyrimet e botimit për tekstin e vetëm të përbashkët “Abetare”, sipas paketës së dokumenteve :Mbi procedurat e zhvillimit të konkursit të tekstit të vetëm të përbashkët dhe kërkesat e ministrive gjegjëse.

Sipas këtij vendimi, teksti i vetëm i përbashkët “Abetare” duhet të përfshihet në katalogun e teksteve shkollore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Abetarja e përbashkët e këtyre dy shtëpive botuese, është renditur e para në listën fituese të konkursit për tekstin e përbashkët-Abetare, e cila do të jetë abetarja e dytë e përbashkët pas asaj të vitit 2012.

vendimi 2Kosova Abetaren e parë të përbashkët për një dekadë e kishte përdorur me nxënësit e saj, në Shqipëri ishin në përdorim 4 alternativa të abetares

Botimi i ri i Abetares së përbashkët andej dhe këtej kufirit të shqiptarëve do të jetë në duart e nxënësve në kopje fizik dhe digjitale në shtatorin e vitit 2022, në shënimin e 110 vjetori të formësimit të shtetit të Republikës së Shqipërisë, raporton rtk.

Ende nuk ka ndonjë prononcim nga partitë shqiptare në Maqedoninë veriore, dhe nuk dihet, nëse do të lejojnë koalicionet VMRO, ASH, BESA gjegjësisht LSDM, BDI, ALTERATIVA aplikimin e Abetares shqip edhe në territoret shqiptare nën Maqedoninë veriore.

Kjo ditë është dita që na kujton se duhet të jemi të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve.

bajramiKjo është dita për të kuptuar se vlera dhe dinjiteti njerëzor janë shumë të çmuara dhe ndaj tyre duhet kushtuar vëmendje e lartë.

Zbutni zemrat me njëri-tjetrin!

Largohuni nga veset. Ruani veten nga ligësitë dhe padrejtësitë!

Mos u bëni lakmitarë ndaj njëri-tjetrit!

Bujar SpahiuMijëra besimtarë myslimanë mbushën mëngjesin e sotëm sheshin “Skënderbej” dhe gjithë sheshet e xhamitë e vendit për faljen e Kurban Bajramit.

Programi i Kurban Bajramit në kryeqytet filloi që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të sabahut, për të vijuar më pas me këndimin e një pjese nga Kurani Famëlartë, të cilën e përcolli për besimtarët e pranishëm hafizi Enes Hyka.

Ceremonia vijoi me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili përcolli mesazhe të shumta urimi e solidariteti.

“Sot në vendin tonë dhe mbarë globin ka festë, ka bajram.

Kurban Bajrami është festa që simbolizon dashurinë dhe përkushtimin e robit të devotshëm ndaj Zotit të gjithësisë.”, nisi fjalën e tij z. Spahiu.

Më tej ai përcolli mesazhet e simbolikës së Kurban Bajramit dhe la disa mesazhe të rëndësishme sociale për familjen, rininë dhe rëndësinë e ndërtimit të një shoqërie të drejtë.

“Zoti në Kuran thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbanëve), por tek Ai arrin devotshmëria e juaj…” ky ajet kuranor reflekton esencën dhe domethënien e kësaj dite.

Kjo ditë është dita që na kujton se duhet të jemi të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve.

Kjo është dita për të kuptuar se vlera dhe dinjiteti njerëzor janë shumë të çmuara dhe ndaj tyre duhet kushtuar vëmendje e lartë.

Zbutni zemrat me njëri-tjetrin!

Largohuni nga veset. Ruani veten nga ligësitë dhe padrejtësitë!

Mos u bëni lakmitarë ndaj njëri-tjetrit!

Kjo botë nuk do t’i mbetet askujt!

Familja është qeliza bazë e shoqërisë.

Zoti krijoi Ademin dhe Havanë, e prej tyre u formua familja dhe u trashëgua gjinia njerëzore. Ky është një ligj i pa ndryshueshëm deri në fund të kësaj bote.

Edukoni fëmijët me moral të pastër investoni që ata të pajisen me dije të gjithanshme fetare, sociale e shkencore!

Ktheni vëmendjen nga prindërit, të sëmurët, të varfërit, tregoni dhembshuri ndaj tyre!

Kam një apel për rininë: Pajisuni me moral të bukur, kthejini sytë nga Zoti, rrini larg tundimeve të kota. Mos ikni nga vendi, projektojeni të ardhmen këtu, në vendin tuaj.”, – këto ishin disa nga mesazhet që kreu i Komunitetit Mysliman ndau me besimtarët.

Pas faljes së namazit, në orën 06:05, të cilin e priu kryetari Spahiu, programi vijoi më tej me Hutben e Bajramit që u mbajt nga Nënkryetarit i KMSH-së, z. Taulant Bica.

Ai ndau me mijëra besimtarët e pranishëm mesazhe të shumta paqeje dhe solidariteti.

“Sot është dita e bashkimit, shkrirjes së zemrave, largimit të mërive, solidaritetit dhe mirëkuptimit njerëzor. Në këtë ditë gëzimi dhe lumturia hyn në çdo shtëpi të pasuri apo të varfëri, jetimi e të pastrehi. Edhe ai që nuk ka mundësi të bëjë kurban sot, le të dhurojë një buzëqeshje” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Më pas besimtarët e pranishëm në shesh u shpërndanë për të festuar me familjet dhe të afërmit e tyre, njofton Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Shkup, qeveria dorëzon në parlament ‘propozimin francez’

qeveria e rvmQeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se në seancën e së enjtes ka marrë vendim dhe ia ka kaluar parlamentit propozimin për kornizën negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, të paraqitur nga presidenca franceze e Bashkimit Evropian.

 

Propozimi ka gjetur ndërkohë mbështetje të gjerë tek komuniteti ndërkombëtar dhe partnerët e Maqedonisë së Veriut. Departamenti amerikan i Shtetit thekson në një deklaratë për Zërin e Amerikës, mbështetjen e fuqishme për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Një zëdhënës i tha Zërit të Amerikës se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së. “Procesi i zgjerimit mundëson paqen afatgjatë, qëndrueshmërinë dhe përparimin në të gjithë rajonin. Ne jemi të vetëdijshëm për shumë deklarata të drejtuesve të BE-së mbi rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE për të forcuar sigurinë në Evropë, si dhe sigurinë tonë kolektive”, thekson zëdhënësi. Në vazhdim, zyrtari i Departamentit të Shtetit nënvizon se Maqedonia e Veriut ka hedhur bazat dhe se tani është koha për të lëvizur përpara në fazën e ardhshme të procesit të integrimit. “Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Evropën në përgjithësi, ne inkurajojmë miqtë tanë të shfrytëzojnë mundësinë për të filluar procesin e anëtarësimit në BE”, thotë zëdhënësi.

Në njoftimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk thuhet nëse propozimi është miratuar për t’iu shmangur përplasjeve në këto rrethana me protesta të dhunshme kundër institucioneve qeveritare.

Parlamenti do ta shqyrtojë dhe do të vendosë për propozimin në bazë të procedurave parlamentare.

VMRO-DPMNE-ja e opozitës thotë se do të marrë pjesë në debatin për atë që tanimë njihet si ‘propozimi francez’, ndërsa kërkon që vendimet nga debati të merren me konsensus dhe të mos miratohen vetëm me votat e shumicës.

Propozimi nuk është i pranueshëm për opozitën maqedonase, e cila ka mbështetur protestat e përditshme dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive.

VMRO-ja kërkon fshirjen e deklaratave të njëanshme, siç i quan, të Bullgarisë për gjuhën maqedonase, si dhe që marrëveshjet dypalëshe të mos jenë pjesë e kornizës negociuese dhe që Kushtetuta të mos ndryshohet para fillimit të bisedimeve me BE-në.

Nga ana tjetër, përfaqësues të pushtetit pohojnë se edhe Protokolli, ende i panënshkruar, mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, do t’i dorëzohet parlamentit. Zëvendës-Kryeministri Artan Grubi u tha gazetarëve se do të propozohet një vendim me anë të të cilit do t’i ndalohet çdo qeverie në të ardhmen që të marrë vendime dhe të bisedojë për çfarëdolloj kushtesh lidhur me çështjet historike, kulturore dhe veçoritë gjuhësore të popullit maqedonas, por dhe të komuniteteve të tjera etnike në vend.

Megjithatë, ‘propozimi francez’ kërkon që Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut të hapet për përfshirjen në Preambulën e saj të pakicës bullgare, që do të mundësonte menjëherë çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE të këtij vendi ballkanik.

Protestat e dhunshme janë dënuar nga krerët e institucioneve më të larta shtetërore, nga partitë në pushtet dhe nga disa prej përfaqësive diplomatike në Shkup, që kanë kërkuar të veprohet me dinjitet, qetësi dhe pa dhunë në protesta.

Ministria e Rendit njoftoi se pesë persona u arrestuan në protestat e mbrëmshme në sheshin Skënderbe, përfshirë edhe personin që i kishte drejtuar revolverin turmës. Sipas medias lokale, ai ishte pronar i një biznesi në këtë shesh, dhe se një ditë më parë protestuesit i kishin thyer xhamat e ndërtesës dhe kishin dëmtuar makinat e klientëve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ndërkohë tha se nuk kishte njohuri nëse jeta e drejtuesit opozitar Hristijan Mickovski (VMRO-DPMNE) ishte në rrezik, siç pohoi ky i fundit të mërkurën në mbrëmje, duke thënë se “arma që u nxor në sheshin Skënderbe e kishte vendosur atë në shënjestër”.

Ministri i Rendit theksoi se personi tashmë i ndaluar, ishte anëtar i Aleancës për Shqiptarët, në koalicion me VMRO-DPMNE-në në qytetin e Shkupit dhe se kishte bërë fushatë për kryetaren e tanishme të Komunës së Shkupit në zgjedhjet e fundit lokale.

voa

Në koordinimin e rregullt të së hënës në Kuvend, do të diskutohet se kur do të mund të mbahet seanca plenare për Informacionin për përmbajtjen e propozimit – kornizën negociuese për negociatat për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, të propozuar nga Presidenca e Francës me Këshillin e Bashkimit Evropian më 30 qershor 2022.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, deklaroi se për këtë do të diskutohet në koordinimin ku do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Bojan Mariçiq, si përfaqësues i qeverisë.

“Të hënën kemi një koordinim, ku do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i qeverisë dhe do të diskutojmë. Do të bëhet një vlerësim. Materiali ka ardhur në Kuvend, por seanca për ribalancin e buxhetit duhet të fillojë të hënën”, thotë Xhaferi.

Ai sqaron se seanca plenare me një pikë të vetme të rendit të ditës për ribalancin e buxhetit duhet të zgjasë më së shumti pesë ditë dhe është caktuar sipas afateve dhe sepse duhet të fillojë, por nëse është e nevojshme do të ndërpritet dhe do të caktohet seancë e re në të cilën në rend dite do të ishte Informacioni i dërguar nga Qeveria.

Duke e marrë parasysh se në Kuvend ishte dërguar vetëm Informacioni, ndërsa jo edhe dokumenti gjegjësisht propozimi francez, Xhaferi thotë se të gjitha dokumentet tashmë janë publikisht të qasshme dhe secili mund t’i shohë.

Informacionin për përmbajtjen e propozim – kornizës negociuese për negociatat inkuadruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian në Kuvend nga Qeveria u dërguan mbrëmë.

Sipas procedurave, materiali është i arritshëm për deputetët, por në të nuk janë përmbajtur propozimi francez dhe dokumentet shoqëruse.

 

Podgoricë, vazhdojnë protestat kundër nënshkrimit të marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe

podgorice protestaProtesta e qytetarëve që kundërshtojnë nënshkrimin e marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe u mbajte edhe të enjten mbrëma para ndërtesës së qeverisë së Malit të Zi në Podgoricë.

 

Protestuesit thanë se nënshkrimi i propozim-marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe nuk është zgjidhje e problemeve, por thellim i tyre.

Aktivisti për të drejtat e njeriut Aleksandar Zekoviq, vuri në dukje se janë “mbledhur sërish para qeverisë për t’u thënë atyre që marrin vendime se mbi 80 për qind e qytetarëve të këtij vendi janë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe se kjo duhet të përdoret si udhërrëfyesi potencial për të forcuar kohezionin social dhe mirëkuptim më të mirë”, tha Zekoviq.

“ Çdo agjendë e fshehtë në vend të agjendës së Brukselit është e papranueshme, e dëmshme, katastrofike. Synimi është që një pjesë serioze e historisë kombëtare dhe e trashëgimisë kulturore, që i përket krenarisë së të gjithëve, dikujt jashtë këtij vendi dëshiron ta shpërdorojë edhe më tej për dominim politik, ideologjik dhe kulturor mbi të tjerët, “ tha Zekoviq.

Zekoviq shtoi se kontrata e propozuar ndërmjet qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe nuk është zgjidhje e problemeve në Mal të Zi.

“Ne po themi se nënshkrimi i një kontrate të tillë nuk është zgjidhje e problemeve, por përkundrazi thellim i tyre”, tha Zekoviq.
Me qindra protestuese brohorisnin parulla për tradhti dhe mbanin pankarta që shkruanin, ndër të tjera, “Traktat themelor – tradhti themelore”.

Siç është paralajmëruar, qytetarët do të kalojnë tërë natën para ndërtesës së qeverisë deri në ditën e premte kur qeveria malazeze paralajmëroi nënshkrimin e marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.

Kryeministri Dritan Abazoviq ka paralajmëruar se të premten do të nënshkruajë Marrëveshjen bazë me Kishën Ortodokse Serbe.
Ky fakt ka shkaktuar polemika të shumta nëse kryeministri Abazoviq, si shqiptar etnik, duhet të nënshkruajë marrëveshjen bazë, për të cilën nuk ka konsensus në vend, veçanërisht në mesin e partive që mbështesin qeverinë e pakicës.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd më 30 qershor, kryeministri Abazoviq njoftoi se së shpejti do të nënshkruhet Marrëveshja Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Pas publikimit të versionit të dakorduar të punës të marrëveshjes bazë, më shumë se 3000 qytetarë nënshkruan një peticion, duke kundërshtuar fuqishëm synimin e qeverisë së Malit të Zi për të nënshkruar marrëveshjen bazë të dakorduar me Kishën Ortodokse Serbe.

voa

Rusia dhe fillimi i një lufte të re të ftohtë

rusia lufta e ftohteDeri më 24 shkurt, kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi futjen e trupave ruse në Ukrainë, Lufta e Ftohtë i përkiste muzeve të historisë, si një periudhë e errët në historinë e Evropës. Por ndasitë mes Moskës dhe Perëndimit nuk po tregojnë shenja përmirësimi. Analistët thonë se situata aktuale e marrëdhënieve Rusi-Perëndim mund të jetë fillimi i një lufte të re të ftohtë, ose vazhdimi i luftës së vjetër.

 

Më shumë se katër muaj pas fillimit të sulmit rus në Ukrainë, bota ka ndryshuar, ndërsa Rusia është pozicionuar sërish kundër Perëndimit. Udhëheqja ruse e akuzon NATO-n se ka ngritur në Evropë një perde të re të hekurt, pas takimit të krerëve të vendeve të aleancës në Madrid muajin e kaluar.

“Konkluzioni më i mirë që mund të nxjerrim është se në takimin e Madridit, NATO-ja bëri një lloj evolucioni, që pas themelimit në vitin 1949 duke u kthyer tek rrënjët e saj, në parimet e ofrimit të sigurisë ushtarake, që daton që nga periudha e kohës së Luftës së Ftohtë”, tha Zëvendësministri i Jashtëm rus Aleksandër Grushko.

I izoluar në arenën ndërkombëtare, presidenti rus po kërkon të forcojë lidhjet me ata pak aleatë që i kanë mbetur, veçanërisht me udhëheqësin bjellorus, Alexander Lukashenko. Ata kanë në plan të unifikojnë vendet e tyre dhe Presidenti Putin thotë se në fakt Perëndimi po ndihmon në arritjen e këtij qëllimi.

“Trysnia e pashembullt politike dhe me sanksione, e ushtruar nga i ashtuquajturi ‘Perëndim kolektiv’ po na shtyn të përshpejtojmë procesin e integrimit”, tha Presidenti Putin.

Në një Evropë të ndarë, mundësia që Ukraina dhe Moldavia, dikur pjesë të Bashkimit Sovjetik, të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, është gjithashtu një çështje shqetësuese për Kremlinin. Por analistët thonë se NATO-ja është frika kryesore e Moskës.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Andrey Kortunov, Drejtor i Përgjithshëm i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse, një institut hulumtues për politikën e jashtme me seli në Moskë.

“Udhëheqja ruse është kryesisht e shqetësuar nga vendosja e infrastrukturës ushtarake armiqësore në territorin e këtyre vendeve. Por meqenëse Bashkimi Evropian nuk është një lojtar i fortë në fushën e sigurisë, afrimi i Ukrainës me BE-në duhet të përbëjë më pak shqetësim për Kremlinin sesa afrimi i Ukrainës me NATO-n”.

Në rrugët e Moskës, opinionet ndaj NATO-s janë shpesh negative.

“Ne nuk jemi agresivë. Por, ju (NATO), mos u futni në territorin tonë. Putini ka të drejtë kur thotë: ‘Ne nuk ju prekim ju. Dhe ju (NATO) mos prekni kufijtë tanë’”, thotë një banor i Moskës.

Por ka edhe nga ata që, pasi sigurohen se nuk i përkasim televizionit shtetëror rus, shprehen ndryshe.

“Nuk e konsideroj (NATO) armiqësore, as nuk e konsideroj se ka vënë në shënjestër Rusinë. Le të themi se është një klub interesash. Nuk shoh se përbën ndonjë kërcënim për Rusinë”, thotë për Zërin e Amerikës një banore e Moskës.

Ndërkohë që situata vazhdon të jetë e rëndë, shumë njerëz në Rusi besojnë se një perde e re e hekurt po shtrihet në të gjithë Evropën, një luftë e ftohtë e dytë, ose ndoshta rikthimi i Luftës së Ftohtë që nuk u zhduk kurrë.

voa

 

Geoana: Ballkani Perëndimor nuk po përballet me asnjë kërcënim

Mircea Geoana NatoZëvendëssekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoană, tha në Prishtinë se Ballkani Perëndimor nuk përballet me kërcënime. Udhëheqësit e Kosovës thonë se anëtarësimi në NATO është garancia më e mirë për paqe.

 

Zëvendëssekretari i NATO-s, gjenerali Mircea Geoana, tha në Prishtinë se NATO ka një interes strategjik në Ballkanin Perëndimor, duke denoncuar kështu, siç tha, “luftën e palogjikshme dhe brutale” të Rusisë në Ukrainë si dhe “ndikimin e saj agresiv dhe keqdashës mbi Ballkanin Perëndimor”. Gjenerali Geoana, vizitoi të enjten pasdite Prishtinën ku takoi presidenten Vjosa Osmani dhe trupat paqeruajtëse të NATO-os në kuadër të KFOR-it.

“Ne kemi një interes strategjik në Ballkanin Perëndimor. Dua të dërgoj një mesazh shprese për të gjithë njerëzit në Ballkanin Perëndimor se në fund të gjithë ne do ta gjejmë veten në familjen evropiane dhe euroatlantike”, tha Geoana. Geoana përshëndeti vendimet e shteteve anëtare të NATO-s në rajon, të cilët kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes siç tha si “një reagim i natyrshëm ndaj agresivitetit rus”, dhe shtoi se “NATO do të mbronte të gjithë aleatët dhe çdo centimetër katror të territorit të tyre”.

Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, tashmë janë anëtare të NATO-os. Ndërsa Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina janë partnerë. Pas luftës në Ukrainë, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës tashmë kanë konfirmuar se do të aplikojë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, që konsiderohet si hapi i parë në procesin drejt anëtarësimit në NATO.

 

Osmani: Uniteti transatlantik është vendimtar

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nga ana e saj, pas takimit me gjeneralin e NATO-os, nënvizoi përkushtimin e Aleancës për Kosovën, si dhe për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë. Sipas presidentes “uniteti transatlantik është vendimtar për t’i mbrojtur vlerat e përbashkëta të paqes, demokracisë dhe lirisë dhe për ta luftuar ndikimin keqdashës të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin tonë”, thuhet në një deklaratë nga presidenca e Kosovës.

Presidentja Osmani ritheksoi mirënjohjen e Kosovës për prezencën e vazhdueshme të NATO-s në Kosovë, si dhe për gatishmërinë për t’i mirëpritur vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në NATO, ashtu siç është konfirmuar në Konceptin Strategjik të NATO-s, të miratuar së fundi. Presidentja Osmani, po ashtu “nënvizoi vullnetin e qartë të Kosovës për anëtarësim në strukturat euroatlantike me përfshirjen e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimin në NATO”, thuhet në deklaratë.

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm  i NATO-os, Mircea Geoană, e ka vlerësuar lartë qëndrimin e Kosovës “për strehimin e refugjatëve afganë dhe për mbështetjen e Kosovës për popullin e Ukrainës, përmes mbështetjes së gazetarëve, sanksioneve kundër Rusisë dhe gatishmërisë për t’i strehuar refugjatët ukrainas”.

 

Vizita e delegacionit të NATO-s

Në Kosovë pas vizitës së zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të NATO-os, qëndroi edhe një delegacion i lartë i përbërë nga përfaqësues të përhershëm të 26 vendeve anëtare të NATO-s dhe Suedisë, e cila së fundi aplikoi për anëtarësim në këtë organizatë. Sipas udhëheqësve më të lartë të institucioneve të Kosovës që takuan delegacionin e NATO-s, “uniteti transatlantik është i domosdoshëm për ta garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe në Evropë kundër qëllimeve dashakeqe të Rusisë”.

Sidoqoftë, Kosova 10 vjet më parë aplikoi për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, por kjo nuk u mundësua për shkak se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), kishte statusin e organizatës për ndërhyrje në emergjenca dhe katastrofa natyrore, dhe jo atë të ushtrisë. Në vitin 2016, qeveria e Kosovës bëri përpjekje të serishme për të forcuar bashkëpunimin me NATO-n, por ishte Spanja që e kundërshtoi atë. Në vitin 2017, NATO pranoi ta forcojë bashkëpunimin e saj me FSK-n, por vetëm midis forcës paqeruajtëse të KFOR-it që ka mandat nga OKB  dhe zyrës ndërlidhëse dhe ekipit këshillues të NATO-s në Prishtinë. Në vitin 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin i cili i shton kompetencat Forcës së Sigurisë së Kosovës, për ta shndërruar atë në ushtri në një periudhë brenda 10 vitesh, por pa ia ndërruar emrin.

Aleanca Veriatlantike e NATO-s me trupat e saja në kuadër të KFOR-it,  është e pranishme në Kosovë që nga 10 qershori i vitit 1999 pas luftës ndaj Serbisë. Tash për tash, në Kosovë ka rreth 3.700 trupa,  në kuadër të misionit të KFOR-it, që akoma funksionon nën mandatin e rezolutës 1244 të KS-it të OKB-së.

dw

Shtatë pikat e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes

mk bg euNë Shkup, për disa ditë me radhë po mbahen protesta kundër propozimit francez.

Qëllimi i propozimit është që Bullgaria t’i tërheqë kundërshtimet e saj për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE).

Bullgaria, e cila si anëtare e BE-së ka të drejtën e vetos ndaj anëtarësimit të shteteve të reja, dëshiron që Maqedonia e Veriut të njohë zyrtarisht se gjuha e saj ka rrënjë bullgare, të njohë pakicën bullgare në vend dhe të heqë “gjuhën e urrejtjes” kundër Bullgarisë. Bullgaria tashmë dy vjet, përmes vetos, e ka bllokuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, me këtë edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë drejt rrugëtimit në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

Dokumenti i njohur si “Propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është prezantuar gjatë kryesimit të Francës me Presidencën e BE-së dhe përbëhet nga shtatë pika. Dokumentin Qeveria maqedonase e ka publikuar më 1 korrik.

Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë edhe në propozimin francez.

Më poshtë mund të gjeni shtatë pikat nga ky propozim, të cilat bazohen në dy dokumente të tjera më voluminoze:

1.Duke përsëritur konkluzionet e tij të datës 14 dhjetor 2021, Këshilli mirëpret vendosmërinë e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për të vazhduar agjendën e reformave të Bashkimit Evropian dhe për të ofruar rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme.

2. Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të dukshme dhe zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe në mirëbesim, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë.

3. Në këtë drejtim, Këshilli mirëpret marrëveshjen për protokollin e takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar të formuar sipas nenit 12 të kësaj Marrëveshjeje. Ky hap i rëndësishëm do të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal, të cilat mbeten elemente thelbësore në procesin e zgjerimit, si dhe procesin e stabilizimit dhe asociimit.

4. Gjithashtu, do të mundësojë forcimin e të drejtave të barabarta të pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve në Maqedoninë e Veriut dhe si të tilla do të kontribuojnë në pajtueshmëri me kriteret politike të Kopenhagës. Në këtë drejtim, Këshilli mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut për t’i filluar me prioritet ndryshimeve në amendamentet përkatëse kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e kombeve të tjera, si p.sh bullgarët.

5. Marrë parasysh progresin dhe harmonizimin e papenguar në të gjitha zonat e identifikuara nga Këshilli në qershor 2018, Këshilli vendosi të miratojë Kornizën e Negocimit dhe, në përputhje me Metodologjinë e Përmirësuar dhe vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të marrë më 25 mars 2020, për të mbajtur konferencën politike ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut për të paraqitur hapat e ardhshëm të procesit të zgjerimit, pas miratimit të Kornizës së Negocimit, siç përshkruhet në “Deklaratën hyrëse të BE-së”.

6. Për të përfunduar këtë fazë të hapjes së negociatave të anëtarësimit, Këshilli gjithashtu vendos të thërrasë një tjetër konferencë ndërqeveritare me qëllim që të prezantoj Kornizën Negociuese dhe gjendjen aktuale të punëve përgatitore të kryera nga Komisioni dhe është gati ta mbajë pa vonesa të mëtejshme ose vendime të mëtejshme politike, sapo Maqedonia e Veriut të zbatojë angazhimin e saj për amendamentet kushtetuese të sipërpërmendura, në përputhje me procedurat e brendshme të saj.

7. Në këtë drejtim, Këshilli vëren se Komisioni ka bërë përparim në të punën e tij për zbatimin dhe përfundimin e procesit të shqyrtimit analitik të ligjit të BE-së (acquis) dhe është i gatshëm të prezantojë menjëherë rezultatet e Maqedonisë së Veriut. Bazuar në këtë, Këshilli fton Komisionin që të vazhdojë të vlerësojë shkallën e gatishmërisë së Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave në fusha të caktuara dhe për të identifikuar çështjet që ka të ngjarë të shfaqen në negociata, duke filluar nga grupi themelor, vlera, të cilat, në përputhje me Kornizën Negociuese, do të hapen pasi Maqedonia e Veriut do të përmbushë kriteret përkatëse të dakorduara nga Këshilli.

rel

Protesta e Berishës në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’

Pankarta e paqart kujt I dedikohetKush?  Klani Berisha? Klani Meta? Klani Kryemadhi? Klani Rama? Pankarta e paqartë kujt i dedikohet!?

Ka nisur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protesta e Sali Berishës me moton kundër rritjes së çmimeve .

Në fillim të protestës me moto “Shqipëria në Rrezik”, u mbajt ‘himni’ dedikuar këtij tubimi, ndërsa vijojnë të mbajnë fjalimet e tyre në podium aktivistë të ndryshëm, për ti lënë radhën më pas figurave politike njofton Top Channel.

Podiumi i fjalimeve është ngritur në sheshin para kryeministrisë. Vetë ish kryeministri mbërriti në selinë e PD rreth orë 19:00, ku ka zhvilluar një takim me deputetët demokratë, mbështetës të tij, para se t’i drejtohet bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Qytetarët e mbledhur në protestë, mbajnë pankarta kundër qeverisë në duar, ndërsa në kor vijojnë thirrjet ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’.

Protesta nisi me dy këngëtarët Renis Gjoka dhe Big Basta të cilët kënduan këngën himn të protestës “Një hap përpara”.

Protestës i është bashkuar edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila qëndron krah ish kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshortes së tij, Liri Berisha.

Sakaq një numër i konsiderueshëm efektivësh ndodhen në terren për mbarëvajtjen e protestës, ndërsa në godinën e kryeministrisë dyert, ashtu si në cdo protest janë ‘blinduar’ me llamarina.