Kurti: masat e reciprocitetit me Serbinë, ndihmojnë vendosjen e ligjshmërisë në Kosovë

KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se vendimi i qeverisë mbi përdorimin e targave të makinave dhe dokumenteve personale të lëshuara nga autoritetet serbe, ndihmon vendosjen e ligjshmërisë në Kosovë.

Ai i bëri këto komente pas reagimeve që nxiti vendimi i qeverisë së tij që makinave të cilat kanë targa me shkurtesat e qyteteve të Kosovës e që janë lëshuar nga autoritetet serbe, t’u mundësohet regjistrimi me targa të Kosovës, RKS, deri më 30 shtator të këtij viti.

“Ne në mënyrë shumë gjeneroze kemi krijuar një hapësirë dy mujore për të bërë një konvertim të tillë, i cili i ndihmon ligjshmërisë dhe rregullsisë te ne”, tha zoti Kurti.

 

BE: Marrëveshjet e thonë qartë se në Kosovë do të përdoren vetëm targat e makinave të lëshuara prej saj

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se BE-ja është njoftuar në fillim të kësaj jave për vendimet e Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet e identifikimit, por nuk është këshilluar për planet e qeverisë e Kosovës.

Ai tha se sipas marrëveshjeve të arritura në vitet 2011 dhe 2016 në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes, Kosova ka të drejtë të heqë shkallë shkallë targat me shkurtesën KM, të lëshuara nga Serbia. “Marrëveshjet thonë qartë se në Kosovë do të përdoren vetëm targat e lëshuara nga Kosova”, thuhet në përgjigje.

“Megjithatë, është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet e zbatohet në këshillim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”, tha zoti Stano, duke shtuar se “liria e lëvizjes është një gur themel i Bashkimit Evropian”, prandaj tha ai “presim që Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon dhe të veprojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, dhe të mos vendosin pengesa të paarsyeshme që do të kufizonin lirinë e lëvizjes”.

Zoti Stano u bëri thirrje të dyja palëve të shfrytëzojnë bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian si platformë për të trajtuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe targat e makinave.

“Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për pajtimin, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre. Kjo është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, dhe të dyja palët duhet të përqendrohen plotësisht për këtë synim”, tha zoti Stano.

 

Qeveria vendosi të mërkurën po ashtu që personat të cilët hyjnë në Kosovë me dokumente personale serbe, të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve të tilla. Një masë e tillë zbatohet nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës që nga viti 2008 kur ajo shpalli pavarësinë, të cilën Serbia e mbështetur nga Moska vazhdon ta kundërshtojë.

Vendimi nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili në mbrëmjen e së mërkurës u takua me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirsollav Lajçak, tha se “dialogu është rrëfim bosh”, ndërsa akuzoi vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e vendimeve të Prishtinës.

Kryeministri Kurti, tha se Serbia po bën gabim me paralajmërimet për tërheqje nga bisedimet, ndërsa tha se Kosova është e gatshme për takimet e planifikuara që të mbahen gjatë këitj muaji në Bruksel.

Zoti Lajçak, i cili është vënë në përpjekje për të organizuar një takim politik të nivelit më të lartë, tha të enjten në Beograd se vendimet e qeverisë së Kosovës kanë krijuar një situatë të re në marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve.

“Edhe zoti Lajçak ka qenë, vazhdimisht është i njoftuar me veprimet tona. Unë e di që ekziston një plan për takime në muajin korrik edhe të kryenegociatorëve por ndoshta edhe më shumë se aq, por ta shohim se si e sa do të mund të përgatiten në Bruksel për këtë. Ne jemi të gatshëm, jemi të interesuar për marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, të qëndrueshme, me njohjen reciproke në qendër”, tha ai.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh që nga viti 2011 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Të dyja vendet skurse edhe katër shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, tha të premten se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mbështetja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane do të jenë përparësi gjatë kryesimit të Këshillit të Evropës nga Çekia e cila nga sot pason kryesimin gjashtëmuajor të Francës.

voa

Shkupi shqyrton propozimin francez për marrëveshjen me Bullgarinë

kovacevski_pres-konferencaAutoritetet në Maqedoninë e Veriut thanë sot se propozimi me ndryshime i Francës për arritjen e kompromisit me Bullgarinë do të diskutohet nga të gjitha institucionet e rëndësishme dhe se procesi do të jetë transparent. Ndërsa partnerët qeveritarë lënë të kuptohet se propozimi nuk imponon prekjen në çështjet kombëtare dhe historike maqedonase, opozita maqedonase, nga ana tjetër e akuzon qeverinë se po gënjen dhe tradhëton popullin maqedonas.

 

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski u takua me të gjithë partnerët e koalicionit qeveritar për ta shqyrtuar atë që në opinionin publik tashmë njihet si ‘propozimi francez’, që ka të bëjë me dhënien fund të ngërçit në bisedimet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe që mundëson arritjen e një kompromisi midis dy vendeve për t’i hapur rrugën e integrimit fqinjit më të vogël.

Kryeministri Kovaçevski e quan propozimin e ri “një dokument të rëndësishëm për të ardhmen e vendit”.

Ndërsa qeveria e ka publikuar propozimin në faqen e saj të internetit, janë shtuar debatet lidhur me atë se a ka apo jo ndryshime në tekstin e propozimit.

Në tekst thuhet, mes tjerash se “për të çelur fazën e bisedimeve, Këshilli Evropian do të thërrasë një konferencë tjetër ndërqeveritare, sa po Maqedonia e Veriut të zbatojë zotimet që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese, në pajtim me procedurat e saj të brendshme”.

Kjo nënkupton futjen e pakicës bullgare në Preambulën e Kushtetutës, që nevojiten dy të tretat e votave në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Takimi i sotëm i partnerëve qeveritarë lidhur me propozimin do të pasohet me një proces të gjerë këshillimor, nëpër të githa institucionet e rëndësishme të vendit.

Zoti Kovaçevski tha se me partnerët u bisedua “me fakte dhe hollësi duke pasur parasysh qëllimin dhe qëndrimin strategjik që është integrimi në BE”.

“Para vetes kemi një propozim që ngërthen vërejtjet tona dhe qëndrimet e theksuara në mënyrë të qartë. Pozita në të cilën ndodhemi sot është shumë më e volitshme për Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

Qeveria e shikon propozimin si një bazë të fuqishme për ndërtimin e një qëndrimi serioz të përgjegjshëm dhe shtetëror për mundësinë që i jepet shtetit.

Dimitar Kovaçevski pretendon se janë ruajtur ‘vijat e kuqe’ të vendosura nga qeveria e tij lidhur me çështjet jetike si gjuha, identiteti e historia.

Pala maqedonase ngul këmbë se çështjet e historisë nuk do të jenë në tryezën e bisedimeve me palën bullgare, ndonëse ngërçi në bisedimet midis ekipeve të historianëve të të dy vendeve kishte qenë rezultat pikërisht i mosmarrëveshjeve mbi identitetin e disa prej figurave historike.

Po ashtu, gjuha maqedonase në kornizën negociuese do të jetë si “gjuhë maqedonase”, tha kryeministri Kovaçevski.

Presidenti Pendarovski tashmë ka theksuar se ky është një propozim shumë më i mirë se i mërparshmi. Ndërkaq, çështja do të hidhet për debat edhe në parlament dhe me opozitën. Edhe shoqëria civile dhe ekspertët mund të bëjnë vlerësimet e tyre.

Qeveria në Shkup bën të ditur se pasi Maqedonia e Veriut të ketë dhënë pëlqimin për kornizën negociuese dhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së atëherë do të thirret konferenca ndërqeveritare për hapat e mëtejmë dhe për miratimin e kornizës negociuese.

Autoritetet maqedonase nuk mund të thonë se sa mund ta zgjasë procesi i konsultave me institucionet e brendshme lidhur me propozimin e Francës për aritjen e kompromisit me Bullgarinë që do t’i hapte rrugën procesit integrues të Shkupit, por dhe Tiranës drejt Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja thotë se kryeministri Kovaçevski dhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani po gënjejnë sepse propozimi francez nuk ka ndonjë ndryshim.

VMRO-DPMNE-ja i refererohet një prononcimi të ministres së Jashtme bullgare, Teodora Gençovska e sila sipas tyre ka thënë për mediat në Sofje se “nuk ka asnjë ndryshim në modifikimet e tekstit të propozimit”.

VMRO-ja akuzon Lidhjen Social Demokrate në pushtet për tradhëti të re kundër popullit maqedonas.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim thekson se “shanset e këtilla të një kompromisi që nuk cënon aspak identitetin, gjuhën dhe dinjitetin kombëtar të maqedonasve nuk duhen lëshuar, për të mirën e së ardhmes së sigurtë dhe përparimtare të vendit dhe rajonit”.

Lajmin se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria ndodhen shumë afër arritjes së një marrëveshjeje me mbështetjen e Francës e ka përshëndetur Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila thekson se kjo gjë merr në konsideratë interesat por dhe shqetësimet, siç shkruan ajo në Twitter, pas një bisede me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut.

Ajo shton se “Komisioni Evropian është i gatshëm ta fillojë procesin me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si hap i adhshëm në shtegun e tyre evropian”.

voa

Baerbock: Të mos humbasim kohë në afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në

Tanja Fajon dhe Annalena BaerbockMinistrja e Jashtme gjermane dhe kolegia e saj sllovene druajnë se pa afrimin e shpejtë me BE-në Rusia dhe Kina mund të fitojnë shumë terren në Ballkanin Perëndimor.

 

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, u shpreh sërish pro hapave të shpejtë për perspektivën e anëtarësimit në BE për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Nuk duhet humbur më kohë në përpjekjet për t’u integruar dhe për t’i afruar njerëzit, tha politikania e Partisë së Gjelbër pas bisedimeve me ministren e re të Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, (01.07.) në Berlin. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor bëjnë pjesë jo vetëm gjeografikisht në mes të Evropës, por edhe politikisht.

Asnjë hapësirë depërtimi në Ballkan

“Në Ballkan nuk duhet të krijohet asnjë hapësirë, ku mund të depërtojnë dhe të hedhin rrënjë Rusia apo aktorë të tjerë,” tha Baerbock. Përveç Moskës edhe Kina po përpiqet që të fitojë një ndikim më të madh në Ballkanin Perëndimor. Nga ana e saj Tanja Fajon theksoi mbështetjen e Sllovenisë si anëtare të BE-së për perspektivat e anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit.

Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina janë në faza të ndryshme të afrimit me Bashkimin Evropian. Ndërsa negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi tashmë kanë filluar, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë statusin e kandidatit, por Bullgaria po bllokon fillimin e negociatave. Kosova dhe Bosnje-Hercegovina nuk e kanë ende statusin e kandidatit.

Bosnje-Hercegovina rasti më i vështirë

Baerbock tha, se në samitin e javës së kaluar Bashkimi Evropian nuk arriti të vendoste lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sikurse kishte premtuar. Kurse lidhur me Bosnje-Hercegovinën ministrja tha se për shkak të situatës së brendshme politike nuk pritet ndonjë vendim për statusin e kandidatit. Në Bosnje-Hercegovinë po intensifikohet kursi i shkëputjes së Republikës Serbe (Republika Srpska) të Bosnjës nga shteti i përbashkët, që përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Srpska.

dw

 

NATO e pranon: Sulm i mundshëm ndaj një vendi anëtar, Ballkani në fokus

Nato Bruksel14 herë përmendet Rusia në konceptin e ri strategjik të NATO-s të shpallur në samitin e Madridit, dhe 11 herë Kina.

 

Fakti që këto dy vende dhe një aleancë e mundshme midis Moskës dhe Pekinit, janë në këtë pikë në qendër të vëmendjes, ilustron rreziqet e ardhshme që vendet e NATO-s shohin dhe për të cilat ato duhet të përgatiten në mënyrë imperative, thotë DW.

Krahu lindor i territorit të Aleancës përforcohet në disa mënyra: Polonisë dhe Rumanisë ju rrit vlera si shtylla thelbësore të NATO-s në Evropën Lindore. Trupa nën komandën e drejtpërdrejtë të SHBA do të vendosen në rajon për të frenuar Rusinë. Përveç kësaj, NATO-ja tani i klasifikon Ballkanin Perëndimor dhe Detin e Zi si “strategjikisht të rëndësishëm” dhe mbetet e hapur për anëtarët e tjerë të rinj. Koncepti i ri strategjik thekson se NATO nuk mund të përjashtojë më realisht mundësinë e një sulmi ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të anëtarëve të caktuar të Aleancës. Dokumenti përshkruan humnerën, në skajin e së cilës europianët nuk janë të vetmit që e gjejnë veten: Siria dhe Rusia kanë përdorur tashmë armë kimike në historinë e tyre të fundit, Kina dhe Irani po zhvillojnë fshehurazi aftësi bërthamore dhe aktorë të rrezikshëm jo-shtetërorë vazhdojnë të armatosen.

Përtej kësaj tabloje të përgjithshme dëshpëruese të përshkruar në konceptin e ri strategjik, ka një sërë kërcënimesh që vijnë nga brenda shteteve të NATO-s. Aleanca duket se nuk po i merr seriozisht për momentin. Disa vende të NATO-s kanë probleme serioze të besnikërisë ndaj vlerave thelbësore euroatlantike. Paqëndrueshmëria politike në disa vende anëtare po dëmton kohezionin e Aleancës dhe Ballkani vazhdon të lëkundet nën peshën e armiqësive historike në rajon, kujtojnë ekspertët. Në samitin e saj në Madrid, NATO-ja ka bërë të ditur se do të rrisë numrin e forcave që ka në gatishmëri të lartë në Evropën Lindore nga 40,000 në mbi 300,000. Kjo vjen si përgjigje pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ende nuk ka informacione zyrtare se ku do të dërgohen këta trupa.

Top Channel

Kurti mirëpret deklarimin e KE se vendi përmbushë kushtet për liberalizim

albin twiterKryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur deklaratën e Komisionit Evropian, përkatësisht të Ylva Johansson, Komisonare e BE- së për Çështje të Brendshme, sipas së cilës, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara për liberalizim të vizave.

 

“E vlerësoj shumë rikonfirmimin e Komisonares se ne kemi përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara për liberalizim”, shkroi kryeministri Kurti në llogarinë e tij në Twitter.

Kryeministri deklaroi se rikonfirmimi i konisionares është se Kosova ka përmbushur kriteret edhe në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

“Pres që të punoj me ju për ta bërë liberalizimin e vizave realitet për qyetarët e Kosovës”, shkroi kryeministri Kurti.

Deklarimi i Kurtit vjen pas takimit që komisonarja Johanssen pati me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili qëndroi në Bruksel, për të parë situatën sa i përket liberalizimit të vizave.

rtk

BE thotë se Kosova ka të drejtë t’i heqë targat “KM”, “PR” që i lëshon Serbia

targat-be-Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se Brukseli gjatë kësaj jave ishte informuar, por nuk ishte konsultuar në lidhje me planet e Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe lirinë e lëvizjes në territorin e Kosovës.

“Sipas marrëveshjeve nga dialogu për lirinë e lëvizjes të vitit 2011 dhe 2016, Kosova ka të drejtë që gradualisht t’i heqë targat KM (të cilat i lëshon Serbia). Marrëveshjet janë të qarta se në Kosovë përdoren vetëm targa të lëshuara nga Kosova”, ka theksuar Stano, raporton EruonewsSerbia, transmeton Telegrafi.

Ai shton se është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani, dhe të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane.

“Liria e lëvizjes është gurthemeli i Bashkimit Evropian. Ne presim që  Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon dhe të veprojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim dhe të mos paraqesin ndonjë pengesë të paarsyeshme që do të kufizonte lirinë e lëvizjes”, tha Stano.

Në emër të BE-së, ai përsëriti thirrjen ndaj të dyja palëve të shfrytëzojnë dialogun e udhëhequr nga BE si një platformë për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura, duke përfshirë ato që lidhen me lirinë e lëvizjes dhe targat e automjeteve.

“BE pret që Kosova dhe Serbia të kultivojnë një mjedis të favorshëm për pajtimin, stabilitet rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre. Ky është çelësi për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, në të cilën palët tani duhet të fokusohen plotësisht”, përfundoi Stano.

Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën vendimin për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë – të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – në RKS (Republika e Kosovës).

Bëhet fjalë për veturat me targat PR (Prishtinë), GL (Gjilan), PZ (Prizren), KM (Mitrovicë e Kosovës) e kështu me radhë.

Në deklaratën e Qeverisë së Kosovës, të lëshuar më 29 qershor, sqarohet se riregjistrimi i këtyre veturave do të fillojë më 1 gusht dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.

“Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në deklaratë.

Aty, po ashtu, theksohet se riregjistrimi i veturave me targat e përmendura, nuk do të jetë i mundur pas afatit.

 

 

74% e kompanive shqiptare planifikojnë të punësojnë të huaj, niveli më i lartë në Rajon

E-ardhmja-e-punes-biznes-kompaniBizneset shqiptare kanë më shumë prirje të punësojnë njerëz nga jashtë vendit në krahasim me vendet e tjera të rajonit (Serbi, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Bosnje).

 

Barometri i Ballkanit 2022 në anketën me bizneset e rajonit gjeti se, kompanitë shqiptare kishin përqindjen më të lartë të përgjigjeve pozitive për të punësuar punonjës të huaj.

Pyetje se, “Sa gjasa keni të punësoni persona nga jashtë vendit”, 74% e kompanive shqiptare u përgjigjen ‘po’, ndërsa mesatarisht në të gjithë rajonin, 47% e kompanive pohuan se ka gjasa të punësojnë të huaj.

Ballkani por sidomos Shqipëria, po përjeton mungesë të fuqisë punëtore prej mungesave që po krijon emigracioni i të rinjve. Anketa e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për llogari të Barometrit 2022 ka evidentuar se, kompanitë shqiptare kanë më shumë prirje për të punësuar të huaj.

Tendenca për të punësuar të huaj në Shqipëri dhe shënoi rritje të fortë në barometrin e vitit 2022, pasi një vit më parë vetëm 32% e kompanive shqiptare kishin gjasa ose shumë gjasa për të punësuar të huaj.

Kjo prirje po rritet, për faktin se, Shqipëria ka normat më të larta të emigrimit në raport me popullsinë. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin 2021 emigracioni neto shënoi 32 mijë persona. Të dhëna më të detajuara tregojnë se shumica (80%) janë nën moshën 34 vjeç.

Nga ana tjetër kërkesa për punonjës në disa sektorë, të tillë si turizmi, ndërtimi dhe industria tekstile po rritet me shpejtësi, për shkak të zgjerimit të aktivitetit.

Kompanitë në të gjitha aktivitetet po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore. Për shumicën e tyre, gjetja e punonjësve është kthyer në shqetësim kryesor, ndryshe nga një dekadë kur fuqia punëtore nuk ishte shqetësim i kësaj natyre.

Nga ana tjetër vendet e Rajonit vuajnë nga niveli i lartë i papunësisë. Në vitin 2021 papunësia shënoi mesatarisht 16%. Papunësia në njërën anë dhe kërkesa për punonjës në anën tjetër tregojnë për një mungesë vizioni për të integruar nevojat e tregut të punës me arsimin.

Kërkesat për punësim nga bizneset janë zakonisht për pozicione pa kualifikimin, sidomos në Shqipëri ndërkohë që të papunët e regjistruar në një masë të madhe janë të kualifikuar.

Banka Botërore i ka rekomanduar Shqipërisë të ndryshojë modelin ekonomik nga krahu intensiv i punë në teknologji dhe në punë me vlerë të shtuar.

Monitor.al

Cilësia e ajrit në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese

Ndotja e ajritNdotja e ajrit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është në nivel të lartë. Problem shqetësues është edhe rritja e vdekjeve të parakohshme nga ndotja e ajrit.

 

Një raport të Qendrës së Përbashkët Kërkimore lidhur me statusin e ajrit, të mjedisit dhe të klimës në Ballkanin Perëndimor arrin në përfundimin që ndotja e ajrit në rajon është në nivel të lartë dhe “cilësia e ajrit mbetet një problem shqetësues”.

Gjetjet e raportit i shërbejnë arritjes së qëllimit për “ndotje zero” në bazë të “Marrëveshjes së Gjelbër”. Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor miratuan në Samitin e Sofjes në nëntor 2020 “Agjendën e Gjelber” si dhe një udhërrëfyes që synon ta përafrojë rajonin me “Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane” për ta bërë Evropën një kontinent neutral ndaj gazit karbonik deri në vitin 2050.

Raporti në fjalë e konsideron shumë të rëndësishëm reduktimin e ndotjes së ajrit në rajonin e BP pasi ” redukton ndotjen në shtetet fqinjë anëtare të BE”.

Rritje e vdekjeve të parakohshme nga ndotja e ajrit

Duke iu referuar pasojave të rrezikshme për jetën që shkakton cilësia e dobët e ajrit, raporti thekson se në vitin 2019 ndotja e ajrit, në Ballkanin Perëndimor ka shkaktuar 28,400 vdekje të parakohshme, kurse në vendet e BE-së 307.000. Numri i vdekjeve të parakohshme në Ballkanin Perëndimor është 30 përqind më i lartë se numri i vdekjeve të parakohshme të shkaktuara nga ndotja e ajrit në vitin 2012, ndërsa në BE janë ulur me 16 përqind, vë në dukje raporti.

 

Niveli i vdekjeve të parakohshme në Ballkanin Perëndimor nga ndotja e ajrit është më i lartë se mesatarja e vendeve të BE dhe në disa raste është dy herë më e madhe, thekson raporti. Ndër vendet anëtare të BE vendet fqinjë me Ballkanin Perëndimor, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Greqia dhe Kroacia, kanë nivel më të lartë të vdekjeve të parakohshme, gjë që tregon qartë “praninë e një hotspoti ndërkufitar”.

Gjetjet e raportit paralajmëojnë që sëmundjet që shkaktohen nga ndotja e ajrit si ato “pulmonare, kanceri i mushkërive, infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, diabeti ,sëmundjet ishemike të zemrës apo goditjet në tru, kanë të ngjarë të bëhen edhe më të përhapura në Ballkanin Perendimor, nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme.”

Nivel i lartë emetimi i gazrave serrë

Niveli i lartë i emetimit të gazrave serrë që ndotin ajrin në Ballkanin Perendimor, rreth 61,7 përqind, vjen nga termocentralet që punojnë me qymyr, ”16 termocentrale që operojnë në rajon përdorin linjit me përmbajtje të lartë squfuri” thekson raporti.

“Marrveshja e Gjelbër” e BE-së synon të reduktojë ne vitin 2030 me 55 përqind vdekjet e parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit.

dw

Vazhdon gjëegjëza për kompromisin mes Sofjes dhe Shkupit

mareveshjeQeveria e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar arritjen e propozimit francez për kompromisin mes Sofjes dhe Shkupit, por nuk jep detaje për përmbajtjen.

 

Jam i bindur se kemi gjetur një zgjidhje kompromisi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut tha presidenti francez Emanuel Makron në fund të Samitit të NATO-s, në Madrid. Sipas tij gjatë takimit të NATO-s u bënë përparime drejt gjetjes së një zgjidhjeje mes dy vendeve.

“Mund të them se është gjetur kompromis, një kompromis që është në përputhje me të dyja palët dhe besoj se është i pranueshëm. Në ditët në vijim, të dyja palët do ta konfirmojnë këtë.

Presidenti dhe kryeministri bullgar tashmë e kanë mbështetur propozimin francez dhe do të ketë diskutime në ditët në vijim në Shkup. Kjo është e rëndësishme për sigurinë, stabilitetin dhe se e kaluara mund të tejkalohet”, deklaroi Emanuel Makron, President i Francës.

Shkupi konfirmon arritjen e propozimit francez

Menjëherë pas konferencës për shtyp të Makronit qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka mbërritur zyrtarisht në Shkup një propozim nga presidenca franceze. Nga qeveria shtojnë se kanë mbërritur ide që kanë të bëjnë me pozicionet dhe qëndrimet e deklaruara publikisht të autoriteteve të vendit.

“Kjo është baza për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ fillimisht në qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas edhe me Presidentin e Shtetit, me Parlamentin dhe me opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë të vendit. Siç kemi premtuar, vendimin për të ardhmen tonë do ta marrim bashkërisht, me merita, në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të gjithë qytetarëve të tij”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Nuk jepen detaje se çfarë përmban propozimi

Qeveria nuk ka dhënë detaje se çfarë përmban saktësisht propozimi francez dhe nëse teksti ka pësuar disa ndryshime për të cilat këmbënguli Shkupi. Bëhet fjalë për formulim të qartë të gjuhës maqedonase në kornizën negociatore dhe mbrojtje të qartë të identitetit maqedonas, përjashtimin e çështjeve historike nga korniza negociuese dhe fillimin e negociatave para se të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese, për inkorporim të bullgarëve.

Dy pikat e kontestuara kishin të bënin me mbajtjen e dy konferencave ndërqeveritare, e para “politike” dhe e dyta formale, pas së cilës do të fillonin realisht negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Bullgaria kërkon që fillimit të negociatave t’i paraprihet një ndryshim në Kushtetutë që do t’i lejojë bullgarët të regjistrohen si popull përbërës. Pika e dytë e mosmarrëveshjes është përfshirja e protokolleve nga takimet ndërqeveritare në kornizën negociuese.

Sipas informacioneve jozyrtare, shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe të Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, kanë pasur një takim dypalësh në kuadrin e Samitit të NATO-s në Madrid.

dw