1 mijë e 219 raste të reja me COVID-19

covidMinistria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informoi se nga 3 mijë e 283 testime, 1 mijë e 219 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19.

 

Në 24-orëshin e fundit janë shënuar 1 mijë e 219 raste të reja me COVID-19 në Kosovë, dhe nuk ka pasur ndonjë të vdekur nga koronavirusi.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se sot janë shëruar 257 qytetarë. Në total numri i rasteve aktive është 4 mijë e 225.

Sipas këtij njoftimi, në 24-orët e fundit janë dhënë 267 doza të vaksinës kundër COVID-19.

rtk

Nga mesnata çmime të reja të derivateve të naftës

karburantiKomisioni Rregullator i Energjetikës i Republikës së Maqedonisë së Veriut solli vendimin, me të cilin bëhet ulja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht për 1,13% në raport me vendimin e datës 11.7.2022.

 

Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës

EUROSUPER BS-95 dhe ЕUROSUPER BS-98 ulen për 3,00 denarë/litër. Çmimet e shitjes me pakicë të EURODIZELIT (D-E V), të VAJIT EKSTRA TË LEHTË PËR AMVISËRI (EL-1) dhe të Mazutit М-1 SU nuk ndryshojnë.

 

Nga mesnata derivatet e naftës do të shiten me këto çmime:

EUROSUPER BS – 95 do të shitet për 102,50 (denarë/litër)

EUROSUPER BS – 98 do të shitet për 104,50 (denarë/litër),

EURODIZEL BS (D-E V) do të shitet për 100,00 (denarë/litër),

Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) do të shitet për 98,00 (denarë/litër),

Mazut М-1 SU do të shitet për 50,903 (denarë/kilogram)

Lamtumira për heroin 18 vjeçar/ Durrës, përcillet në banesën e fundit Anri Kashiku! U vetësakrifikua për të shpëtuar dy të mitur

Anri KashikuMes dhembjes dhe hidhërimit, të afërm dhe bashkëfshatarë kanë mbërritur të shumtë pranë familjes Kashiku për t’i dhënë lamtumirën e fundit 18-vjeçarit Anri Kashiku që humbi jetën për të shpëtuar vëllanë dhe shokun e tij 13-vjeçar.

 

Në Sektorin Rinia janë të shumtë ata që e konsiderojnë hero, pasi shpëtoi dy jetë. Gjëma që e goditi familjen e ka kthyer nga Anglia të atin që jetonte dhe punonte atje prej disa vitesh për të siguruar jetesën e tre djemve dhe gruas në atdhe.

Anri ishte djali i madh i familjes Kashiku që vite më parë u shpërngul nga Librazhdi në periferi të Durrësit, në lagjen ”Mirdita” të Sektorit Rinia.

”Ata janë të shkatërruar. I ati ka qenë 6 vjet në Angli. Pa i parë me sy. Shumë të tronditur. Jemi ne si bashkëfshatarë. Familje e mirë. Çuni ka qenë i paparë. I urtë, i mirë. Merrej me futbollin këtu në Sektor.”

 ”Si komunitet jemi shumë të indinjuar për ngjarjen. Prindërit nuk i takon dot. Janë keq. Vetëm gjyshin Naimin. Familje e shkëlqyer. Më vjen keq dhe mos u takofshim as me ju për këto ngjarje.” 

 ”Na vjen keq për të. Djalë 18 vjeç. Çfarë të themi ne?!”

 ”Ai është gjithë ai çun si me ngel në det ai po unë s’ua thoja dot familjes pa qenë i sigurtë.”

 ”Ma keq s’ka për atë familje dhe mosha e re, po ai ka shpëtuar vëllain dhe një tjetër.”

Pasdrekën e djeshme, tragjedia në plazhin e Sektor Rinia mund të kishte qenë më e rëndë, po fatmirësisht gjendja shëndetësore e dy të miturve që u shpëtuan nga mbytja, një ditë më pas është më e mirë.

”Ka shpëtuar ata të dy dhe ka ikur vetë. Fëmijët janë në spital. Jashtë rrezikut për jetën. Mbrëmë i kanë hequr oksigjenin dhe sot do t’i kontrollonin për ujë në veshka, thanë mjekët. Mirë janë ata. Ky i shkreti iku.”

 ”Ka bërë një heroizëm shumë të madh. Ka shpëtuar vëllain e vet dhe një djalë tjetër. Ai tjetri ishte djalë i vetëm, as motër, as vëlla. Nënën e kishte jashtë shtetit që punon dhe babain në punë. Medet për jetën e tij.”

Një ditë pas ngjarjes, këtë të premte, policia vendore deklaroi se në plazh ishte ngritur flamuri i kuq sinjalizues. Paralelisht me të ka folur edhe vrojtuesi i plazhit privat që është në pronësi të tij Igli Shahinaj, vrojtuesi i plazhit privat në pronësi të babait të tij.

 “Deti ishte me dallgë të mëdha dhe pamë dy persona në det pa lejen e familjarëve. Ngaqë kishim dhe flamurin që s’lejohet vrapuam për t’i ndihmuar dy të miturit që nuk dëgjonin thirrjen. Me mua vjen vëllai i tij dhe një punëtor i zonës për të na ndihmuar… Mundohemi t’i nxjerrim dhe kur kthyem kokën për të parë vetëm kapelja ishte aty.”

Të enjten pak çaste pas ngjarjes, kamera e Top Channel ka qenë në plazhin e Sektorit Rinia, aty ku ndodhi ngjarja dhe nuk ka konstatuar praninë e Flamurit të Kuq në kullat e vrojtimit ndërsa plazhi kishte pushues dhe deti vazhdonte të kishte dallgë. Madje kishte dhe fëmijë në det.

Siguria në plazhe mbetet një problematikë e vazhdueshme, ndërsa kontrolli i autoriteteve ndaj subjekteve që shfrytëzojnë me leje brezin e rërës dhe e kanë detyrim ligjor praninë e vrojtuesit të licencuar dhe mjeteve të shpëtimit është i papërfillshëm.

 

 

Shpëtoi vëllanë dhe shokun nga mbytja/ Mes dhembjes dhe hidhërimit, Anri Kashiku përcillet pasdite në banesën e fundit

 

18-vjeçari Anri Kashiku që shpëtoi dy jetë, vëllanë dhe shokun e tij, por humbi betejën me dallgët e Adriatikut, do të përcillet pasditen e sotme për në banesën e fundit.

Mes dhembjes dhe hidhërimit  të afërm e bashkëfshatarë kanë mbërritur pranë familjes e cila ka çelur dyert e mortit.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasdrekën e një dite më parë në plazhin Sektor Rinia të Durrësit.

Gjëma që e goditi familjen e ktheu nga Anglia të atin që jetonte dhe punonte atje prej disa vitesh për të siguruar të ardhmen e tre fëmijëve dhe gruas në atdhe.

Anri ishte djali i madh i familjes Kashiku që disa vite më parë u shpërngul nga Librazhdi në periferi të Durrësit, në lagjen ”Mirdita” të Sektorit Rinia.

Në emigracion i ati e konsideronte Anrin shtyllën e shtëpisë. Të gjithë e njohin si një djalë të mbarë, të përgjegjshëm dhe të apasionuar pas futbollit.

Top Channel

Arabia Saudie fyen dhe mirëpret SHBA

Joe BidenPara vizitës së presidentit, Joe Biden në Arabinë Saudite u bë e ditur, se Riadi ka rritur importet e naftës nga Rusia. Në të njëjtën kohë Arabia Saudite do të hapë hapësirën ajrore për shoqërite izraelite të fluturimit.

 

Autoriteti i aviacionit civil të Arabisë Saudite bëri të ditur në një mesazh në twitter, se hapësira ajrore do të “hapet për të gjitha shoqëritë e fluturimit, që përmbushin kërkesat e autoriteteve për kalim tranzit”. Kjo masë mundëson edhe fluturimin e avionëve nga Izraeli e për në Izrael dhe u përshëndet nga presidenti Biden si “historike”. “Ky vendim hap rrugën për një rajon të Lindjes së Afërt më të integruar, më të stabilizuar dhe më të sigurtë, gjë që ka rëndësi qendrore edhe për sigurinë dhe mirëqenien e SHBA dhe popullsisë amerikane dhe sigurinë e mirëqenien e Izraelit.”, bëri të ditur këshilltari i Bidenit për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan.

Arabia Saudite ka deklaruar, se nuk do të ketë marrëdhënie zyrtare me Izraelin, për sa kohë nuk është zgjidhur konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve. Pritet që Biden në vizitën e tij në Arabinë Saudite të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve Izrael-Arabi Saudite.

 

Arabia Saudite dyfishon importet ruse

Pak më parë u bë e ditur, se mbretëria saudite nga prilli deri në qershor 2022 ka importuar 647.000 tonë naftë përmes porteve ruse dhe estoneze. Mbretëria saudite e përdor naftën e importuar për prodhimin e rrymës elektrike, dhe mund të eksporttojë naftën e saj të papërpunuar. Në muajt e nxehtë të verës në Arabinë Saudite konsumohet shumë energji elektrike.

Rusia e shet naftën e saj në tregjet botërore me ulje të dukshme çmimi për shkak të sanksioneve të BE. Ka shumë shtete që refuzojnë të blejnë naftë nga Rusia për shkak të luftës ruse në Ukrainë. Por vende si Kina, India dhe shumë vende afrikane dhe në Lindjen e Afërt kanë rritur importet e tyre.

 

Të premten, Joe Biden qëndron në Arabinë Saudite, stacioni i fundit i vizitës së tij në Lindjen e Afërt. Pritet që Biden të nxisë mbretërinë saudite për rritjen e eksporteve të naftës. Jo vetëm në BE, edhe në SHBA çmimet e larta të karburanteve janë temë e ditës. Biden ndodhet nën presion në SHBA për shkak të rritjes së këtyre çmimeve, e kjo katër muaj para zgjedhjeve të rëndësishme për kongresin. Biden i hodhi poshtë akuzat, se me vizitën e tij ai po i vendos në rend të dytë të drejtat e njeriut, pas nevojës për naftë.

la/nob/as/qu/ie (rtr, afp)

Von der Leyen: I takon RMV-së të bëjë hapin vendimtar përpara

Von der LeyenPresidentja e Komisionit të BE-së u drejtohet deputetëve të parlamentit në Shkup përpara seancës për votimin e propozimit francez për zhbllokimin e ngërçit me Bullgarinë.

 

Para fillimit të seancës prlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut(RMV) ku deputetët duhet të diskutojnë për propozimin Francës që ka të bëjë me zhbllokimin e kontestit maqedono-bullgar, para deputetëve në seancë të veçantë ka folur Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Fjalimi i saj kishte për qëllim për të bindur deputetët që të kalojnë propzimin francez. Ajo u shpreh se tani është momenti të vazhdojmë përpara drejt së ardhmes, propozimi francez do të jetë vendimtar për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Treguat vendosmëri. Marrëveshja e Prespës ishte shembull i guximit. Ajo ju hapi rrugën për anëtarësim në NATO, dhe tani pas dy viteve RMV tregoi se është partner i besueshëm. Unë e di se e njëjta gjë do të ndodhë kur ju do të bëheni vend anëtar i BE-së. Këtë e di sepse tanimë keni treguar kapacitet vital të ndryshoni shoqërinë tuaj drejt më të mirës. Keni zgjedhur rrugën e paqes në vend të konfliktit”, deklaroi von der Leyen.

Vendimi është i juaji dhe vetëm i juaji

Kryetarja e Komisionit të BE-së theksoi se në fund të fundit, bëhet fjalë për rrugën që ju e zgjodhët, ashtu siç e zgjodhët edhe më parë me Marrëveshjen e Ohrit, me atë të Prespës. Nëse vendosni të miratoni propozimin francez, ditëve në vijim do të organizohet konferenca e parë ndëreqveritare. Ne menjëherë do të fillojmë me shqyrtimin e së drejtës ndërkombëtare. Do të jetë nder të presim ekipin tuaj dhe do të jetë nder të punojmë së bashku me ju, nënvizoi von der Leyen. Sa i përket brengosjes së maqedonasve lidhur me identietin dhe gjuhën maqedonase, von der Leyen siguroi, se gjuha maqedonase në BE do të njihet si gjuhë maqedonase. Asgjë nuk do të rrezikohet.

“Me kujdes dëgjova brengosjen tuaj lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase. Nuk ka dyshim, se gjuha maqedonase është gjuha e juaj. Do ta përsëris, nuk ka dyshime se gjuha maqedonase është gjuha e juaj. Ne tërësisht e mbështesim këtë, e për këtë në propozim qëndron gjuha maqedonase pa asnjë kualifikim tjetër nga Bashkimi Evropian. Propozimi e respekton identitetn tuaj dhe është i rëndësishëm për të gjithë ne. Mund të konsideroni tek unë si kryetare e Komisionit Europian dhe do të siguroj se procesi për inkuadrim do të respektojë parimet dhe standardet europiane. Keni një shoqëri të suksesshme multietnike dhe kjo e pasqyron moton europiane”, deklaroi von der Leyen.

Hapësira e Shkupit nën masa të repta, kontrollohet edhe me helikopter

Gjatë debatit në kuvend, para godinës po mbahen protesta. Simpatizantë të partisë E Majta dhe VMRO-DPMNE gjatë mbajtjes së fjalimit të kreut të Komisionit të BE-së von der Leyen, kanë qëlluar me vezë dhe sende të rënda godinën e parlamentit.    Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë masa të forta sigurie para ndërtesës së kuvendit dhe institucioneve të tjera në Shkup.

Kërcënohet me jetë deputeti Panço Minov

Deputeti i OQM-së, Panço Minov, ka denoncuar në polici kërcënime me jetë, të cilat pretendon se i ka marrë përmes telefonit. Numri i telefonit të Minov ishte në listën e publikuar në rrjetet sociale e cilësuar nga persona akoma të panjohur për organet e ndjekjes penale si “lista e tradhëtarëve të Maqedonisë”.

Seanca e Parlametare ku po diskutohet për propozimin frances nuk dihet se kur do të përfundojë, sepse janë paraqitur numër rekord deputetësh për të marrë fjalën.

dw

Zakonisht prej Intelektualëve pritet pak më shumë Dinjitet

Dinjiteti

Çka është dinjiteti

 

DINJITET m.

  1. Tërësia e vlerave morale të njeriut a të një grupi njerëzish (nderi, krenaria etj.); vetëdija që ka njeriu a një grup njerëzish për këto vlera e për të drejtat e veta në shoqëri dhe nderimi i tij për vetveten; shfaqja e jashtme e kësaj vetëdije dhe e këtij nderimi. Dinjiteti kombëtar. Dinjiteti i njeriut (i familjes, i ndërmarrjes, i institutit).
    Me (pa, plot) dinjitet. Ngre (ul, fyen, merr nëpër këmbë) dinjitetin. S’ka pikë dinjiteti. Flet (sillet) me dinjitet.
    2. Cilësia e mirë a vlera e lartë e diçkaje që e bën atë të çmohet. Me dinjitet artistik. Vepër plot dinjitet.

 

Ja disa aforizma mbi DINJITETIN, për ata, që nuk e kanë humbur ende:

 

„E mira e parë e një populli është dinjiteti i tij.“

Camillo Benso di Cavour

 

„Dinjiteti njerëzor nuk mund të blihet.“

Robert Lerch

 

„Dinjiteti vetjak matet me metrën e ndërgjegjes vetjake, jo me përshtypjet e të tjerëve.“

Fausto Cercignani

 

“Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton.”

Aristoteli

 

„Pjesa më e madhe e njerëzve jetojnë duke konsumuar gjysmën e energjive të tyre në përpjekje për të mbrojtur një dinjitet që nuk kanë pasur kurrë.“

Raymond Chandler

 

„Çdo marrëdhënie njerëzore përfshin kompromiset, por kufiri i kompromisit është dinjiteti i çdonjërit.“

Fausto Cercignani

 

„Uria shkon e vjen, por dinjiteti njëherë që ikën, nuk kthehet më.“

Nicolai Lilin

 

„Nuk do t’i lejoj askujt që të ecë në mendjen time me këmbë të palara.“

Gandi

 

„Sapo dikush të vetëdijësohet se t’u bindesh ligjeve të padrejta bie në kundërshtim me dinjitetin e njeriut, nuk ekzistojnë më tirani që të mund ta sundojnë.“

 

Gandi

 

„Ju lutem: më pak dashuri e më shumë dinjitet!“

Kurt Vonnegut

 

„Kur bëhet fjalë për dinjitetin njerëzor, nuk mund të bëjmë kompromise.“

Angela Merkel

 

„Nëse një njeri nuk ka zbuluar diçka për të cilën ia vlen të vdesë, nuk është i denjë të jetojë.“

Martin Luther King

 

„Askush nuk do na hipë mbi shpinë nëse ne vetë nuk e përkulim kurrizin.“

Martin Luther King

Propaganda me ose pa qëllim e disa Portaleve

fatura ushqime Ja edhe një reagim huazuar nga Facebook-u i SH.Ç.:

 

Vëllezër Shqiptarë të Kosovës (disa kokrra ), a mundeni dikurë ta ndaloni shërbimin që u bëni armiqve të Shqipërisë, duke vazhduar një fushatë të poshtër denigruese, ndaj Nanës Shqypni? ! ..

-Sot ishim ulur 5 veta në një tavolinë, në një restorant, jo shumë larg bregut të Detit, dhe jo me 5 yje, hëngrëm, pivëm dhe na u bë një shërbim special nga kamarierët, dhe në fund na erdhi fatura 35 euro, pra nga 7 euro secilit!

Ju lutemi boll më. ..

 

Mos kërkoni të shkoni në restorantet anës detit dhe të paguani sikur të ishit te lokali i lagjes..

Turisti paguan atë që zgjedh. .

Ju lutemi, boll me këtë denigrim e poshtërim të Shqipërisë! !

Europa Nostra: Manastiri i Deçanit është “monument i rrezikuar”

Manastiri i DecanitAutoritetet e Kosovës thonë se përfshirja e Manastirit të Deçanit nga organizata Europa Nostra në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë nuk është bazuar në argumente profesionale dhe nuk reflekton realitetin.

 

Organizata Evropiane e Trashëgimisë Kulturore, “Europa Nostra” i mbetet qëndrimit të saj, se Manastiri i Deçanit është “monument i rrezikuar”, pavarësisht kundërshtimit të Prishtinës zyrtare që e mohon një gjë të tillë. Një vit më parë organizata Europa Nostra, e përfshiu Manastirin e Deçanit në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë. Këtë javë një delegacion i “Europa Nostra” kreu një vizitë në Kosovë dhe zhvilloi takime me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, ministra të qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.

 

Ende nuk ka zgjidhje përfundimtare

Për “Europa Nostra” ka disa arsye, pse Manastiri i Deçanit vazhdon të jetë “Monument në Rrezik”. “Së pari, ende nuk është rënë dakord nga të gjitha palët për një zgjidhje përfundimtare lidhur me pasojat e shkaktuara nga planet për rritjen e trafikut brenda dhe rreth Zonës së Veçantë Mbrojtëse të Manastirit të Deçanit, si dhe as në lidhje me ndërhyrjet e tjera të paralajmëruara, siç është projekti buzë lumit, që mund të ndikojnë negativisht në mjedisin natyror të Manastirit i cili do të konsiderohet si pjesë përbërëse e vlerës së tij të jashtëzakonshme të trashëgimisë”, thuhet në një komunikatë të Europa Nostra.

Nër argumentet e saj, “Europa Nostra” përmend edhe mos-zbatimin nga autoritetet e Kosovës të vendimit të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit në 24 hektarë tokë përreth Manastirit, duke konsideruar se “kjo gjë cenon sundimin e ligjit dhe sigurinë juridike të këtij Manastiri”. Sipas Europa Nostra, “Manastiri duhet të vazhdojë të ruhet 24/7 nga trupat paqeruajtëse të KFOR-it.

 

Reagime nga Kosova: Qasje joprofesionale

Por autoritetet e Kosovës nuk pajtohen me argumentet e “Europa Nostra”. Sipas Ministrisë së Kulturës së qeverisë së Kosovës, “përfshirja e Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë nuk është e drejtë, pasi nuk është e bazuar në argumente profesionale dhe nuk reflekton pasqyrën reale të Manastirit”.

Dy ministra të qeverisë së Kosovës, ai i Infrastrukturës Liburn Aliu dhe ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, deklaruan se “mungesa e vlerësimit të rrezikut që i kanoset Kalasë së Novobërdës, dhe insistimi për “rrezikun” ndaj Manastirit të Deçanit, është edhe një dëshmi për qasjen jo-profesionale, politikisht të ndikuar të organizatës Europa Nostra”. Ata theksuan edhe njëherë që “Europa Nostra i detyrohet një kërkim falje Kosovës dhe kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj reputacionit të Institucioneve të Kosovës”.

Sipas tyre gjendja e sigurisë në objektet e trashëgimisë kulturore, në veçanti të atyre fetare është përmirësuar, dhe ky fakt argumentohet me raportet e organeve të sigurisë, Policisë së Kosovës dhe Misionit të KFOR-it në Kosovë.

“Nga vitet 2014-2021, në policinë e Kosovës janë raportuar 537 raste në ndërtesa fetare (shumica raste të vjedhjes), prej tyre 61 % në ndërtesa fetare myslimane, 31% në ndërtesa Katolike dhe 6% në ndërtesa Ortodokse. Shumica e tyre janë raste të vjedhjeve, përderisa asnjë rast nuk është klasifikuar si rast me motive fetare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

 

QUINT i rikujtoi qeverisë së Kosovës zbatimin e vendimit

Çështja e Manastirit të Deçanit, vazhdon të mbetet temë debati edhe brenda pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Krerët e misioneve të vendeve më të industrializuara QUINT, për të disatën herë me radhë i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’ia kaluar në pronësi, rreth 24 hektar tokë përreth Manastirit të Deçanit. Qeveria e Kosovës dhe komuna e Deçanit ku gjendet Manastiri, hezitojnë ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre tokat përreth manastirit kanë qenë prona të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa, shprehin habinë “se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë”. Megjithkëtë QUINT ia rikujtojë qeverisë së Kosovës që është obligim zbatimi i vendimit.

“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar. Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në një deklaratë të fundit të QUINT.

Në deklaratë më tej thuhet se “shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës. Thirrjes së QUINT-it ju bashkua edhe Kisha Ortodokse Serbe, përmes igumenit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, duke shprehur shqetësimin e saj për siç thotë “shkeljen e të drejtave pronësore të Kishës Ortodokse Serbe nga institucionet e Kosovës”.

 

A mund ta pengojë Kosovën çështja e Manastirit të Deçanit?

Qeveria e Kosovës nga ana e saj, thotë se ajo do të angazhohet maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit, por në të njëjtën kohë, u bëhet thirrje liderëve fetarë të Manastirit që ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje nëpërmjet dialogut e marrëveshjeve me popullatën lokale. “Jemi të vetëdijshëm që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, por duhet t’i kemi parasysh edhe kundërthëniet që i kanë përcjellë çështjet e tokave përreth Manastirit në aspektin historik dhe atë ligjor. Së pari gjithçka e ka burimin te vendimi i Qeverisë së Serbisë në vitin 1997 kur iu dhanë tokat Manastirit në mënyrë diskriminuese sepse ato ishin pronë e dy ndërmarrjeve publike. Së dyti Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor sepse ligjërisht i përket kishës ortodokse serbe. Është pak e habitshme se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë. Aq sa është edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces duke i dhënë të drejtë Manastirit”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit  të Deçanit mund ta pengojë Kosovën në rrugëtimin  saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, thonë analistët. Madje sipas tyre, pengesa e parë që mund t’i paraqitet Kosovës pas aplikimit zyrtar, është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për faktin që demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë tri vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

dw

Turistë me Covid, paraqiten në qendrat shëndetësore pranë plazheve në Durrës

durresHeqja e kufizimeve anti-covid për sezonin turistik i ka mbushur plazhet plot me pushues, po vala e re e infektimeve i ka prekur edhe ata.

 

Me simptoma të lehta, apo të moderuara, pushuesit paraqiten pranë qendrave shëndetësore verore të hapura përgjatë plazheve të Durrësit nga Gjiri i Lalëzit deri te Shkëmbi i Kavajës.

”Ka turistë të huaj që kanë dalë pozitiv, të Kosovës, Italisë, Rusisë, Ukrainës. Ka nga më të ndryshmit. Në këto raste bëjmë testin, u japim mjekimin dhe të huajve u themi të vijnë këtu që t’i ndjekim dhe banorët t’i drejtohen qendrave shëndetësore”, tha Ylfete Sema, mjeke pranë QSHV Currila.

Në qendrën verore të Currilave rezulton se pothuajse të gjitha rastet pozitive janë persona të pavaksinuar dhe në moshë të re, ndërsa nuk mungojnë as çuditë. Ka pacientë që përveçse të vaksinohen kanë frikë të kryejnë dhe tamponin.

”Moshat e reja. Edhe këta që vijnë nga jashtë. Nuk kanë besim. Biles edhe tamponin është e vështirë, sepse mendojnë se e marrin infeksionin përmes tamponit. Është psikologjike”, tha mjekja.

Edhe në urgjencën e spitalit të Durrësit, numri i personave të sëmurë me Covid dhe që kanë nevojë për t’u trajtuar po rritet ndjeshëm.

Zyrtarisht në qarkun e Durrësit numërohen rreth 470 raste aktive. Gjithsesi pushuesit vijojnë të qetë qëndrimin në bregdet, por tashmë më të kujdesshëm.

”Jam pensionist italian dhe jetoj këtu. Shijoj plazhin dhe shtëpinë, nuk shkoj nëpër lokale. Bëj gjithnjë kujdes dhe jam i vaksinuar”.

”Për masat mbrojtëse dhe higjienën duhet t’i kemi parasysh të gjithë, pastaj vaksinimi është vendim personal. Unë jam e vaksinuar dhe shqetësohem pasi duhet të mbrohemi të gjithë. E nëse mbrojmë veten kemi mbrojtur dhe të tjerët”.

”Frikë është, por po mbajte distancën me njëri-tjetrin s’e kam problem”.

Përveç vaksinimit, mjekët apelojnë që të infektuarit dhe kur nuk kanë simptoma të shmangin grumbullimet dhe të mbajnë maskë kur ndodhen në ambiente të përbashkëta.

Top Channel

Kuvendi nis debatin për propozimin francez, opozita proteston

protesta vmro shkupNë Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të enjten ka nisur debati për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

 

Dy vendet, prej kohësh, kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.

Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por jo edhe opozita, e cila, tash e dy javë gati, organizon protesta. Para ndërtesës së Kuvendit, janë mbledhur protestues me flamujt maqedonas e pankarta në duar.

Deputetëve të Maqedonisë së Veriut pritet t’iu drejtohet sot me një fjalim edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zyrtarë të lartë evropianë dhe amerikanë kanë bërë thirrje për miratimin e propozimit, si mundësi e vetme për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, por edhe për, siç kanë thënë, forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë vend dhe më gjerë.

 

Miratimi i propozimit në Kuvend do të nënkuptonte mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit, ndërsa kapitujt e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE do të nisnin vetëm pas ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.

Pika e propozimit që ka nxitur më së shumti debat, është ajo e gjuhës maqedonase, e cila kontestohet nga Sofja, me pretendimin se para vitit 1945 ajo ka pasur “rrënjë bullgare”, sikurse edhe e kaluara e shumë figurave historike, identiteti i të cilave pretendohet nga të dyja shtetet.

 

Opozita maqedonase, e udhëhequr nga partitë VMRO DPMNE dhe E Majta, mbetet në qëndrimin se propozimi “rrënon” identitetin maqedonas, gjuhën dhe të kaluarën historike.

Sipas saj, propozimi nuk do të kalojë në momentin kur do të nevojitet miratimi i ndryshimeve kushtetuese me dy të tretat e votave, të cilat shumica parlamentare nuk i ka.

“Konkluzionet do të kishin kuptim vetëm nëse Qeveria [e Maqedonisë së Veriut] pranon të korrigjohet propozimi francez, duke hedhur poshtë të gjitha shantazhet, përfshirë ndryshimin e Kushtetutës. Nëse pranohet kështu, Maqedoninë [e Veriut] do ta fusin në një proces të krizave politike dhe tensioneve, në dhjetë vjetët e ardhshëm. Por, besoj se propozimi do të ngecë te ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Antonio Milloshoski, deputet i VMRO DPMNE-së.

Partia qeverisëse, Lidhja Social Demokrate (LSDM), beson në të kundërtën, duke thënë se propozimi nuk dëmton asnjë interes kombëtar apo shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski u ka bërë thirrje deputetëve që interesat shtetërore t’i vendosin, siç ka thënë, para atyre partiake.

Sipas Grupit Parlamentar të LSDM-së, konkluzionet që do t’i miratojë Kuvendi, janë në përputhje të plotë më interesat kombëtare maqedonase.

Partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet dhe Aleanca për Shqiptarët në opozitë, e mbështesin propozimin, si “zgjedhja e vetme dhe më e mirë e mundshme për zhbllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”.

Miratimi i propozimit, sipas tyre, “do të evitonte mundësinë e rritjes së ndikimeve ruse në vend dhe do të forconte stabilitetin jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë”.

Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në BE tash e 17 vjet. Edhe pse zyrtarët evropianë kanë dhënë dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit, Bullgaria, si vend i BE-së, i ka vënë veto procesit.

Gjatë debatit në Kuvend priten edhe protesta, por Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë masa të forta sigurie para ndërtesës së Kuvendit dhe institucioneve të tjera në Shkup.

rel