Ula: shqiptarët dhe serbët nëpër shekuj nuk kanë pasur marrëdhënie të mira

UlaViktor Ula, është i lindur në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, me prejardhje nga Malësia e Gjakovës. Ai ka një shtëpi botuese, “Alerion”, e cila ka botuar librin “Serbët dhe Shqiptarët” të albanologut kroat Milan Shuflaj. Zoti Ula që e ka përkthyer librin në anglisht thotë për Zërin e Amerikës se ky libër është një nga më të rëndësishmit për historinë e kombit shqiptar.

 

 “Ky libër është botuar në vitin 1925 në Beograd në kroatishten e vjetër, është përkthyer disa herë në Tiranë e Prishtinë por për botën angleze nuk kanë pasur mundësi të njoftohen me historinë tonë, historinë e popullit shqiptar prej shekullit të shtatë deri në shekullin 15, do të thotë një kohë që ka qenë shumë e rëndësishme për formimin e identitetit shqiptar, do të thotë kur fillon të përdoret fjala Alban. Para kësaj të gjithë e dimë se jemi pasardhës së Ilirëve”, tha ai.

Zoti Ula thotë se Milan Shuflaj, ishte albanologu më i rëndësishëm me veprat e tij rreth historisë së shqiptarëve.

“Ka punu nëpër arkivat e Evropës dhe prej atyre arkivave që kanë qenë në gjuhën greke të vjetër, gjuhën latine të vjetër i ka tërheq të dhënat për popullin tonë dhe kontributi i tij nuk është vetëm në këtë libër, ka bërë edhe tjera veprime që fatkeqësisht ka ardhur deri te vrasja e tij, në atë kohë 1931 prej serbëve, e kanë vra sepse ai ka qenë duke zbulu identitetin tonë shqiptar dhe nuk ju ka konvenuar serbëve që për shembull punon një njeri për të njoftuar botën sidomos në atë kohë Evropën, kur ka qenë ideja se kush jemi ne shqiptarët”, tha ai.

Zoti Ula thotë se marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në shumicën e rasteve me shekuj nuk kanë qenë të mira.

“Nuk jemi pajtuar me serbë shumë herë, disa herë jemi pajtuar në bashkëpunim në aspektin historikisht por në përgjithësi ka qenë një lloj konflikti sepse serbët tërë kohën e kanë atë qëllimin dhe kush e lexon këtë libër e sheh qëllimin për me uzurpu tokat dhe trojet shqiptare deri te bregdeti, për shembull shihet në libër që serbët mundohen që jo vetëm Shkodrën qysh e dimë ne por deri në Vlorë mundohen me imponu vetën dhe me zhduk popullin shqiptar dhe e sheh që ai konflikt është momentalisht edhe sot, vazhdohet dhe e dimë që kjo ka qenë edhe konflikti i luftës së Kosovës”, tha ai.

Ai thotë se marrëdhëniet jo të mira në mes të shqiptarëve dhe serbëve edhe kësaj dite janë pasojë e politikës serbe.

“Besoj që në një mënyrë më shumë jemi ne të gatshëm me gjetë zgjidhje se sa serbët, e për fat të keq ata ende i kanë politikanët që i kanë shërbyer (Slobodan) Millosheviçit. Është absurd që (Aleksandër) Vuçiçi momentalisht është i njejti njeri që ka qenë ministër i informatave në Millosheviçin, është absurde që mund të ndryshoj politika e tij”, tha zoti Ula.

Zoti Ula tha se shqiptarët nëpër shekuj kanë humbur mundësinë për të treguar identitetin e tyre para shteteve evropiane, dhe kjo sipas tij ka çuar në paragjykimet me të cilat përballen edhe sot.

“Sepse e kanë një koncept Evropa se ne nuk jemi Evropë. Gjeografikisht jemi në Evropë por me mendje, me kulturë dhe ideja ne nuk jemi Evropë, ne jemi nga Lindja dhe kjo nuk është e vërtetë. Këtu mendoj se është një problem sepse nuk dimë të bëjmë marketing për të treguar se kush jemi ne, identiteti ynë dhe ky libër dhe tjerë na ndihmojnë që të identifikohemi me Evropë dhe me lidh historinë tonë 1 mijë vjeçare në atë kohë kur Evropa ka filluar të formojë identitetin e saj. Ne jemi jo vetëm pjesë e Evropës por jemi vërtetë thelbi i Evropës në atë kohë. Ne kemi ekzistuar në mes të Romës dhe Greqisë, nuk ka tjetër dalje, populli shqiptar ka qenë një popull i vjetër i Evropës dhe në atë kohë deri në kohën e Gjergj Kastriotit kemi qenë të barabartë në zhvillim ekonomik, shoqëror, kulturor me Evropë. Franca, Gjermania, Anglia kanë qenë në një mënyrë edhe më të pazhvilluar se sa ku kemi qenë ne”, tha ai.

Ai thotë se tashmë gjeneratat e reja kanë filluar të punojnë më shumë me prezantimin e identitetit shqiptar nëpër botë. Ai thotë se Kosova duhet të vazhdojë të punojë shumë që të përmbushë qëllimet e veta ekonomike dhe shoqërore që do t’i mundësonin përparimin drejt vendeve perëndimore.

“Mirë, çdo herë që vijë në Kosovë e ndjej vetën mirë, përndryshe unë jam dhëndër i Gjakovës, Kosova është në zemrën time”, tha ai.

voa

Qeveria: Jemi të përkushtuar që t’i përgjigjemi çdo situate të sigurisë

AlbinInstitucionet e Kosovës janë të bashkuara dhe të përkushtuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, në bashkëpunim me partnerët strategjikë, u tha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

 

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, të mbajtur më 31 korrik, u diskutua për dy vendimet e Qeverisë lidhur me targat serbe dhe dokumentet e Serbisë, vendime që hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Sipas Qeverisë së Kosovës, institucionet kanë zhvilluar të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve.

Ekzekutivi shtoi se këto dy vendime janë në funksion të sigurisë, të vendosjes së rendit publik, ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit.

“Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjikë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Nga 1 gushti, qytetarët që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – do të mund të riregjistrojnë makinat e tyre me targat RKS (Republika e Kosovës).

Në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, llogaritet qarkullojnë 10.000 makina me targa me emra të qyteteve të Kosovës, të tilla si PR (Prishtinë), KM (Mitrovica e Kosovës) e të tjera.

Po ashtu, nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia.

Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Vendimi i 29 qershorit i Qeverisë së Kosovës nuk është pritur mirë nga autoritetet në Serbi. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, më 30 korrik tha se nëse Kosova nuk heq dorë nga këto vendime, atëherë zyrtarët serbë në veri të Kosovës do të nisin krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Po ashtu, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është marrë vendimi që të shtyhet afati për mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore serbe në targat e makinave. Ky afat është shtyrë deri më 31 tetor të këtij viti.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë u rritën në shtatorin e vitit të kaluar, pasi Prishtina vendosi reciprocitet për targat, duke kërkuar nga shoferët e makinave me targat serbe, që mbulonin simbolet shtetërore në targa, gjatë qarkullimit të tyre në Kosovë.

Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një marrëveshje të përkohshme dhe më pas në negociatat në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje afatgjatë për këtë çështje, duke bërë që regjimi i letrave ngjitëse të vazhdojë.

rel

 

Petkoviq: Po nisim formimin e Asociacionit

PetkovicDrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha më 30 korrik se përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës do të fillojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

Gjatë një konference për media në Serbi, ai tha se kjo do të jetë përgjigja nëse autoritetet e Kosovës nuk heqin dorë nga synimi i tyre që nga 1 gushti të nisin zbatimin e vendimeve për targa të automjeteve dhe letërnjoftimet serbe.

“Serbët nuk kanë çfarë të presin. Nëse ata mund të sillen si të duan, atëherë është normale që serbët të nisin krijimin e Asociacionit. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe ata duhet të sigurojnë të drejtat e tyre”, tha Petkoviq.

I pyetur që të jap detaje lidhur me formimin e Asociacionit, Petkoviq u përgjigj:

“Ne do t’iu informojmë me kohë për çdo gjë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit më 2013, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja. Më 2015, palët po ashtu arritën Marrëveshjen mbi parimet e krijimit të këtij Asociacioni, por zbatimi i marrëveshjes ka ngecur.

Në të njëjtin vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte thënë se 23 pikat e marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, në vendim ishte thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës insiston se nuk mund të ketë asociacion njëetnik, ndërkaq Serbia vazhdimisht ka insistuar në formimin e tij.

Në konferencën më 30 korrik, Petkoviq tha se Asociacioni do të mundësonte të drejta kolektive dhe individuale për serbët në Kosovë.

 

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

 

 

Deklaratat e Petkoviq vijnë teksa më 1 gusht pritet të nisë riregjistrimi i makinave që kanë targa me akronime të qyteteve të Kosovës dhe që lëshohen nga Serbia. Këto targa nga Prishtina zyrtare konsiderohen të jashtëligjshme.

Procesi i riregjistrimit pritet të zgjasë deri më 30 shtator.

Po ashtu më 1 gusht, të gjithë qytetarët që do të hyjnë nga territori i Serbisë në Kosovë, do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje. Sipas autoriteteve në Kosovë, praktikë të njëjtë Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Petkoviq tha se vendimet e Qeverisë së Kosovës, sa i përket riregjistrimit të makinave dhe dokumentit për hyrje-dalje, janë “joligjore”.

Ai tha se sa i përket letërnjoftimeve, autoritetet në Kosovë po i referohen nenit 3 të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë, të arritur në kuadër të dialogut.

Sipas këtij neni, “palët duhet të zbatojnë një sistem ku letërnjoftimeve do t’iu bashkëngjiten dokumente ku shkruhet ‘hyrje-dalje’ për banorët e palës tjetër që dëshirojnë të udhëtojnë transit për në një shtet të tretë”.

“Ajo që nuk shkruhet në këtë nen është për dokumentet që përdoren për të hyrë dhe dalë [nga shteti] që lëshohen për banorët e palës tjetër, është se ky [vendim] i referohet në mënyrë specifike serbëve që jetojnë në territorin e Kosovës”, tha Petkoviq.

Ai tha se neni 3 i marrëveshjes i referohet qytetarëve të Serbisë që jetojnë në Serbi, dhe jo, siç tha ai, atyre që jetojnë në Kosovë.

“[Kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti nuk është i interesuar për marrëveshje, ai është i interesuar në largimin e letërnjoftimeve serbe për serbët që jetojnë në Kosovë. Ai dëshiron që ta largoj nga territori i Kosovës ekzistencën e shtetit të Serbisë”, shtoi ai.

Ndërkaq, më herët gjatë 30 korrikut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Kosova nuk i preferon këto dokumente të përkohshme, por shtoi se autoritetet do të veprojnë ashtu siç vepron Serbia me shtetasit e Kosovës për më shumë se një dekadë.

Kurti po ashtu u ka kërkuar serbëve që të respektojnë këto vendime të Kosovës. Përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe, Kurti tha se vendimi i 29 qershorit i Qeverisë së Kosovës, nuk duhet të shihet ndryshe përmes si “përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaj, si nënshtetas të Republikës së Kosovës”.

“Kjo që po fillojmë ne tani më 1 gusht, Serbia ka filluar ta zbatojë para 11 vjetësh. Ne do të jemi në dispozicion duke dëshmuar që çdo veprim i yni është vetëm respektimi i ligjit i cili si i tillë, trajton secilin dhe të gjithë njësoj”, tha Kurti.

Ekzekutivi kosovar më herët ka njoftuar se dokumenti për hyrje-dalje do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.

rel

Gazpromi i mbyll Letonisë rubinetin e gazit

GazpromPasi reduktoi të mërkurën sërish dërgesat e gazit përmes Nord Stream 1 kompania ruse e energjisë Gazprom ndërpreu furnizimin me gaz për Letoninë.

 

Këtë veprim kompania e justifikoi me një postim në shërbimin Telegram me “shkelje të kushteve për tërheqjen e gazit”, por pa dhënë detaje. Sipas informacioneve të mëparshme qeveria letoneze kishte deklaruar se donte të bëhej e pavarur nga gazi rus deri në vitin 2023.

Pas pushtimit rus të Ukrainës Gazpromi e ka ndërprerë furnizimin me gaz natyror për disa vende të BE-së, ndër to edhe për Poloninë dhe Bullgarinë. Edhe pse kontratat ekzistuese ishin kryesisht në euro ose dollarë, si shkak u dha se këto vende nuk ishin të gatshme të paguanin në rubla, siç ka kërkuar shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, në përgjigje të sanksioneve perëndimore. Kohët e fundit Gazpromi ka kufizuar gjithashtu në shkallë të madhe edhe dërgesat e gazit për në Gjermani.

Gazprom: Problemet me turbinat vazhdojnë

Kompania shtetërore ruse u ankua se kishte ende probleme me një turbinë me gaz që ishte kthyer pas riparimeve në Kanadaja. Pa konsultim dhe në kundërshtim me kontratën me Gazprom, kjo turbinë u çua në Gjermani dhe jo drejtpërdrejt në Rusi, shpjegoi nënkryetari i kompanisë shtetërore, Vitaly Markelov. Dhe Rusia mund ta pranojë turbinën vetëm nëse ka garanci nga BE dhe Britania e Madhe se sanksionet perëndimore nuk do të zbatohen.

 

Po ashtu Gazpromi i ka raportuar partnerit kontraktual Siemens Energy për probleme me tri turbina të tjera, të cilat duhet të riparohen në terren nga ekspertët e tyre. “Ne presim me padurim ardhjen e specialistëve të tyre në stacionin e kompresorit”, tha Markelow. Në stacionin e kompresorit të gazit, i cili është i rëndësishëm për gazsjellësin Nord Stream 1, aktualisht është në përdorim vetëm një nga gjashtë turbinat.

Kurse Siemens Energy tha se aktualisht nuk kishte qasje në turbina dhe se kompania nuk kishte marrë asnjë raport për dëme. Pas një ndërprerjeje të planifikuar për  mirëmbajtje, Gazprom i reduktoi  të mërkurën sërish dërgesat e gazit përmes Nord Stream 1 në 20 për qind të kapacitetit maksimal. Si arsye u dhanë rregulloret e sigurisë. Qeveria gjermane e akuzon Rusinë se po luan një lojë force në këtë çështje.

dw

Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën i shqetësuar për një destabilizim të mundshëm të vendit

Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje - Hercegovinën Christian SchmidtPërfaqësuesi i lartë për Bosnjë-Hercegovinën ka vendosur disa ndryshime – kryesisht të natyrës teknike – në ligjin zgjedhor. Dhe është i shqetësuar për një destabilizim të mundshëm të vendit

 

Para disa ditësh, kur në opinionin boshnjak u shfaq një dokument, që supozohej se përmbante vendime të përgatitura për disa ndryshime në ligjin zgjedhor, shpërtheu një stuhi indinjate. Kryesisht nga boshnjakët, të cilët përbëjnë shumicën në vend. Ky dokument qe përgatitur nga Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje – Hercegovinën, i cili ka një rol të rëndësishëm: mbikëqyrjen e zbatimit të aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës, e cila zgjati tre vjet e gjysëm në këtë vend. Ai ka kompentenca të mëdha për ta bërë këtë. Për shembull mund të miratojë ligje ose të shkarkojë njerëz të caktuar nga postet shtetërore. Aktualisht postin e Përfaqësuesit të Lartë e mban ish-ministri gjerman i Bujqësisë, Christian Schmidt.

 

Schmidt u akuzua për thellimin e mëtejshëm të ndarjes etnike në Bosnje dhe për favorizimin e kroatëve kundrejt boshnjakëve. Disa politikanë të lartë boshnjakë madje e lanë të nënkuptohet mundësinë e ripërtëritjes së konfliktit të armatosur. Tani Përfaqësuesi i Lartë i ka shpallur vendimet e tij. Dhe nga ndryshimet e paralajmëruara në modalitetet zgjedhore, të cilat me siguri do të kishin patur pasoja në përbërjen e parlamentit në Federatën Boshnjako-Kroate, nuk ka mbetur asgjë. Për momentin janë marrë vetëm disa vendime teknike. Ato do të mundësojnë zhvillimin më të mirë të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në shtator.

“Ruajtja e integritetit territorial”

Në një intervistë për DW Christian Schmidt hedh poshtë me vendosmëri akuzat, se ai synonte të përdorte ndryshimet legjislative për të çuar më tej ndarjen etnike të vendit: “Disa njerëz patën përshtypjen se nga kjo do të përfitonin vetëm ata, që jetojnë në një zonë me shumë bashkatdhetarë etnikë, për shembull kroatët tek kroatët. Por nuk ishte kështu. Dhe mbi të gjitha nuk duhet të krijohet përshtypja se kërkohet ndarja e Bosnjë – Hercegovinës në rajone të ndryshme etnike. Jo, në asnjë mënyrë! Unë jam këtu për ta parandaluar këtë, unë jam këtu për të mbrojtur atë që quhet integritet territorial”.

 

Schmidt thotë se ai është i interesuar për eliminimin e mangësive ekzistuese: “Nga njëra anë për fat të keq ligji zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme dhe të lira në Bosnje – Hercegovinë ka ende nevojë për përmirësim, kur është fjala për të penguar mashtrimet elektorale. Për shembull, numërimi i gabuar i votave, ose kur dikush tenton të ushtrojë ndikim me gjuhë urrejtjeje dhe kërcënon të tjerët. Për këtë kam rritur masën e dënimit. Me këtë unë jam në përputhje me idetë e Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias (Shënim i redaktorit: Komisioni i Venecias këshillon Këshillin e Evropës nga ana juridike). Propozimet e tyre janë mbështetur nga të gjitha partitë në Bosnje dhe Hercegovinë. Dhe çfarë ndodhi? Asgjë. Dështoi në parlament. Për dy muaj ka zgjedhje dhe gjërat, që janë ende të nevojshme dhe mund të kryhen, duhet të implementohen. Dhe këtë e kam bërë tani, edhe në koordinim me Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare”.

“Nuk dua të ndryshoj ligjin ekzistues zgjedhor”

Nga ana tjetër institucionet qendrore të vendit – qeveria e federatës boshnjako-kroate dhe gjykata kushtetuese – janë paralizuar nga taktikat bllokuese të partive: “Vitet e fundit nuk është zgjedhur asnjë president i federatës, sepse është bllokuar zgjedhja. Po gjykata kushtetuese? Duhet të jenë nëntë gjyqtarë. Por sa vende janë plotësuar? Pesë. Në gjashtë muajt e ardhshëm do të largohet një gjykatëse, e cila do të mbushë 70 vjeç. Kështu mbeten vetëm katër gjyqtarë, të cilët nuk do të mund të marrin dot vendime. Kjo për arsyen se kryeministri ne detyrë nuk i dërgon propozimet për emërimin e gjyqtarëve në parlament. Kjo do të thotë se ka një ngecje në administrimin e drejtësisë për arsye politike dhe taktike. Dua që të krijohet një qeveri dhe që gjykata kushtetuese të jetë në gjendje të marrë vendime”.

 

Për momentin Schmidt nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me ndryshimin e modaliteteve zgjedhore në njësitë e veçanta elektorale – gjë që para pak kohe shkaktoi kritika të ashpra dhe protesta të shumta: “Diçka është komunikuar gabim. Unë nuk dua të ndryshoj ligjin zgjedhor aktual, por kam vendosur të gjej rrugën e duhur për çështje të ndryshme më të vogla. Dhe aty mund të mbështetem në mandatin tim, në të ashtuquajturat komptenca të Bonit, nëse nuk ka rrugë tjetër.”

“Ky vend është si një enë porcelani”

Schmidt tani u ka dhënë partive politike gjashtë javë kohë për të gjetur me anë të negociatave të ndërsjella një zgjidhje lidhur me mospërputhjet në modalitetet zgjedhore: “Zgjedhjet janë pas dy muajsh. Presioni nga ana ime po shtohet. Dhe pastaj do të shohim! Por partitë nuk duhet të harrojnë se mundësitë e mia ekzekutive ekzistojnë. Unë nuk kam hequr dorë prej tyre, thjesht nuk i kam përdorur deri tani.”

 

Megjithatë Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën është i shqetësuar për një destabilizim të mundshëm të vendit:

“Jam i shqetësuar edhe për shkak të retorikës nxitëse. Tani një lider partie, është Bakir Izetbegoviç (shënimi i redaktorit: kryetar i Partisë më të madhe Boshnjake SDA), ka devijuar fare duke folur sesi të rinjtë mund të armatosen. Ai ka thënë edhe gjepura te tjera. Këtë duhet ta kundërshtoj qartë. Ky vend është një enë porcelani. Nuk mund të përdoresh retorika të tilla, sidomos duke patur parasysh luftën në Ukrainë. Unë nuk supozoj se këtu duan të fillojnë një luftë, por kush e di se çfarë lloj mendimesh ruse ekzistojnë.”

dw

Gjurmuesi i lëngshëm në trajtimin e kancerit të gjirit

gjurmues kanceriTeknologjia e re që ndihmon për të zbuluar nëse një tumor është përhapur tek pacientët me kancer gjiri, mund të ndihmojë në transformimin e trajtimit të këtij kanceri, duke eliminuar nevojën për trajtimin me rreze dhe kimioterapi në disa raste.

 

Teknologjia gjithashtu nënkupton se kirurgët që heqin qelizat kancerogjene kanë më pak gjasa të heqin indet e shëndetshme.

Në shkurt të këtij viti Anita Harding u diagnostikua me kancer në gji.

Ajo u zbulua në një kontroll rutinë në një klinikë të gjirit, në një takim që ishte një vit me vonesë.

Takimi i saj i mëparshëm ishte anuluar për shkak të pandemisë.

Harding mendon se shtyrja ishte me fat. Ajo beson se mjekët mund të mos e kishin diktuar kancerin më herët sepse ishte shumë i vogël.

Mjekët e kapën tumorin herët, ishte vetëm milimetra i gjerë.

Megjithëse humbi burrin nga kanceri i ezofagut një vit më parë, Harding thotë se nuk ndihej tepër e shqetësuar.

Ajo thotë se mjekët në Spitalin Saint Georges në Londër shpjeguan se si do të vazhdonte operacioni duke përdorur një teknologji të re gjurmimi.

Unë kam një prerje rreth 5 cm ku ishte kanceri dhe më pas një prerje pak më të gjatë ku nyjet limfatike u kontrolluan për të parë nëse kanceri ishte përhapur. Plagët u shëruan shumë shpejt, vërtet nuk ishin problem fare. Dy ose tre javë pothuajse nuk mund t’i dalloje më“, thotë zonja Harding.

Ajo thotë se shërimi i saj ka qenë i shpejtë dhe pa efekte anësore.

Ishte e çuditshme sepse nuk kam bërë kurrë një operacion më parë. Nuk kam pasur asgjë problem mjekësor më parë. Me të vërtetë kam qenë shumë me fat. Kështu që ishte mjaft interesante për të parë se si funksionoi gjithçka,” thotë zonja Harding.

Ajo kaloi një procedurë të ngjashme me këtë pacient të paidentifikuar në këtë sallë operacioni.

Spitali po përdor një sistem të tërë të quajtur Endomag.

Tumori i gjirit hiqet me operacion, radioterapi, kimioterapi ose ndoshta një kombinim terapish.

Më pas është thelbësore që mjekët të kontrollojnë nëse kanceri është trajtuar ose nëse është përhapur.

Ata e bëjnë këtë duke i injektuar një pacienti Magtrace, një gjurmues i lëngshëm magnetik që përmban hekur.

Magtrace vepron si një shënues magnetik dhe një ngjyrues vizual dhe pasi injektohet në indin rreth një tumori, grimcat në të përthithen në sistemin limfatik.

Grimcat ndjekin të njëjtën rrugë të ndjekur nga qelizat e kancerit të cilat mund të përhapen nga tumori primar në nyjet limfatike.

Ai vepron si një udhërrëthyes, duke i udhëhequr kirurgët drejt nyjeve limfatike që kanë më shumë gjasa të sulmohen nga kanceri.

Nyje të veçanta të quajtura nyje sentinel janë në gjendje të identifikojnë nëse tumori ka lëshuar metastaza.

Gjendrat limfatike janë të lidhura me nyjet të cilat filtrojnë substancat e dëmshme nga trupi ynë.

Brenda nyjeve janë qelizat e bardha të gjakut të cilat veprojnë si një pjesë e rëndësishme e sistemit tonë imunitar.

Ato sulmojnë dhe shpërbëjnë bakteret, viruset, qelizat e dëmtuara ose qelizat e kancerit.

Lëngu nga këto gjëndra sjell mbetje në qarkullimin e gjakut dhe përfundimisht ato kalojnë përmes mëlçisë ose veshkave dhe largohen si mbeturina

Përpara se kjo procedurë të bëhej më e përdorur, kirurgët duhej të hiqnin të gjithë sistemin limfatik të një gruaje me efekte anësore potencialisht të rënda, siç shpjegon kirurgja Sarah Tang.

Përpara se të bënim biopsi të nyjeve sentinel, ishte procedurë standarde të hiqeshin të gjitha nyjet limfatike dhe kjo i linte pacientët me efekte anësore potencialisht mjaft serioze. Pra, një e çarë më e madhe, më shumë dhimbje, mpirje të shpatullave. Disa pacientë mund të zhvillonin limfademë, e cila është enjtje e të gjithë krahut, dhe kjo mund të ndikojë vërtet në cilësinë e jetës. Pra, hyrja e biopsisë së nyjeve sentinel ishte me të vërtetë revolucionarizuese për kirurgjinë e gjirit, sepse do të thotë që duhet vetëm të kontrollojmë disa nyje limfatike dhe nëse ato janë normale, nuk ka pse të heqim të gjitha nyjet limfatike nën sqetull, që do të thotë më pak dhimbje, shërim më të shpejtë dhe mundësi më të ulëta për limfademë”, thotë ajo.

Kirurgia Tang thotë se ky informacion është shumë i rëndësishëm, sepse tregon nëse një kancer është shumë i hershëm, vetëm në gji apo pak më i avancuar sepse ka shkuar në sqetull dhe ky informacion ndihmon për prognozën e pacientit në të ardhmen, mbijetesën dhe nëse ata kanë nevojë për trajtim të mëtejshëm si kimioterapia apo radioterapia.

Përparimi më i madh i këtij gjurmuesi është se eliminon nevojën për mjekësi bërthamore.

Deri tani mjekët përdornin gjurmues radioaktivë me ngjyrë blu për të gjetur nyjet limfatike.

Sipas kirurges Tang, boja blu mund të shkaktojë anafilaksi dhe nuk mund të përdoret për pacientët e pambrojtur, siç janë gratë shtatzëna.

Gjurmuesit radioaktivë mund të përdoren vetëm në spitale me njësi speciale të mjekësisë bërthamore.

Kjo e bën trajtimin të shtrenjtë dhe ka pak qendra të tilla, shumica janë të vendosura në spitalet më të mëdha.

Ajo thotë se “një nga përfitimet e Magtrace është se nuk është radioaktiv, është një lëng inert.

Në thelb është hekur i lëngshëm, kështu që mund të ruhet për një kohë të gjatë, dhe pa probleme. Pra, ndryshe nga radioaktiviteti, ai nuk ka nevojë për ndonjë pajisje të veçantë.”

Kjo do të thotë që pacientëve mund t’u jepet një injeksion shumë përpara operacionit të tyre dhe mjekët mund të planifikojnë operacionin në mënyrë më efikase.

Duke mbajtur një shishe me lëngun Magtrace dhe sondën Sentimag, kirurgia Tang tregon se si lëngu gjurmues dhe makina skanuese funksionojnë së bashku.

Ndërsa afrohen, makina Sentimag lëshon një zhurmë të mprehtë dhe vlera numerike në monitorin e saj rritet me shpejtësi.

Megjithëse përbërësit e lëngut nuk janë të rrallë dhe të vështirë për t’u marrë, prodhimi i tij nuk është i thjeshtë thotë drejtori ekzekutiv i kompanisë Endomag, Eric Mayes.

Materiali në vetvete nuk është veçanërisht i shtrenjtë, por është shumë i ndërlikuar për t’u prodhuar dhe gjithashtu, ai injektohet në trup, dhe duhet të jetë shumë steril, duhet të kalojë nëpër një proces shumë të sofistikuar prodhimi. Megjithatë, gjëja e rëndësishme në lidhje me materialin është se ai mund të qëndrojë në raft, për vite përpara se të përdornet dhe kështu, mund të transportohet kudo” shpjegon Mayes.

Sistemi Endomag po përdoret në spitale në 43 vende të botës.

Është miratuar tashmë për përdorim në BE dhe është miratuar nga rregullatori amerikan, Administrata e Ushqimit dhe Barnave.

Zoti Mayes thotë se sistemi Endomag po përdoret në spitale në 43 vende të botës.

tashmë është duke u përdorur nga disa kirurgë për të gjurmuar përhapjen e tumoreve në sistemet e tjera limfatike të trupit.

Një vendim përfundimtar nëse sistemi është me kosto efektive për përdorim në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar pritet në tetor.

Kompania thotë se teknologjia mund të zbusë gjithashtu mbështetjen në gjurmuesit e izotopëve radioaktivë të dërguar nga jashtë Britanisë së Madhe.

voa