SHBA-BE: Përpjekje e re për një marrëveshje Kosovë-Serbi për reciprocitet

Escobar lajcakI dërguari amerikan dhe ai evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Escobar dhe Lajçak zhvillojnë bisedime dyditore në Kosovë dhe Serbi në përpjekje për të siguruar një marrëveshjeje të reciprocitetit.

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po bëjnë përpjekje në Prishtinë dhe Beograd për të siguruar një marrëveshje për reciprocitetin në lidhje me targat e automjeteve dhe dokumentet e udhëtimit. Për këtë arsye në Prishtinë dhe më pas në Beograd qëndrojnë i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i ngarkuari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. I ngarkuari amerikan takoi mbrëmë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa  pasditen e së mërkurës së bashku me Lajçak, takojnë kryeministrin Kurti dhe udhëheqësit e opozitës në vazhdën e përpjekjeve për të shënuar përparim drejt një marrëveshjeje që do të shmangte tensionet në terren, sidomos në veriun e Kosovës.

Në një njoftim nga zyra e presidentes thuhet, se “me zotin Escobar, presidentja Osmani diskutoi për procesin e dialogut me Serbinë, si dhe zhvillimet e fundit, me theks të veçantë në veriun e Kosovës. “Presidentja ka potencuar se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.” Sipas Presidentes Osmani, “institucionet e Kosovës janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe çdo vendim i tyre, reflekton frymën kushtetuese të vendit dhe vlerat demokratike”. Prioritet i institucioneve të Kosovës është zbatimi i ligjit dhe në këtë kontekst vendimet e institucioneve të Kosovës janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe nuk drejtohet kundrejt asnjë komuniteti, theksohet në njoftimin e presidentes Osmani.

 

 

Vuçiq: Serbia serioze për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale

Vizita në Kosovë e të ngarkuarit amerikan dhe atij evropian për dialogun, Escobar dhe Lajçak, pason takimin e javës së shkuar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku nuk u arrit asnjë pajtim, por u tha se përpjekjet vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi që zhvilloi me ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se “Serbia është serioze për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale të shkaktuar”,  siç tha ai “nga lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”. Sipas zyrës së presidencës serbe, Vuçiq i ka thënë ambasadorit Hill, “se është e rëndësishme që Prishtina t’i përmbahet marrëveshjes që forcat speciale të policisë, të mund të lëvizin në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin e KFOR-it dhe kryetarëve të katër komunave veriore ku jetojnë serbët.

Nga ana e tij, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se “Serbia shkoi e përgatitur në raundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi që u mbajt në Bruksel më 18 gusht, ndërkohë që sipas tij, palët e tjera që nuk përmendi emra,  “nuk ishin të përgatitur që të flasin për specifika”. “Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”, tha ambasadori Hill, gjatë një interviste për medien në Beograd, N1. Sipas tij, në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja po tentohen të bëhen dy gjëra: adresimi i çështjeve urgjente, përkatësisht vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për targat dhe dokumentet serbe dhe adresimi i çështjeve, siç tha, të rëndësishme.

 

Dialog i brendshëm me serbët e Kosovës

Në Prishtinë në një studim të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, bëhet thirrje që Kosova dhe Serbia të përqendrohen në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, e cila do të zgjidhte të gjitha çështjet teknike. “Deri tani kemi parë që dialogu mbi çështjet teknike nuk ka sjellë rezultatet e pritura prandaj është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të diskutojnë lidhur me marrëveshjen finale. Në këtë aspekt ka një vullnet politik nga ana e palës së Kosovës që të diskutohen elementet e marrëveshjes finale, por si duket ka hezitim nga pala serbe që dialogu të shkoj drejt marrëveshjes finale, kjo mund të jetë edhe për arsye që kërkesa si e SHBA-ve dhe BE-së është që marrëveshja finale të ketë në qendër njohjen reciproke e prandaj kemi një hezitim nga pala serbe që të diskutohet për këtë marrëveshje”, thuhet në studim.

Sipas raportit të Institutit Demokratik, qeveria e Kosovës nga ana tjetër, “duhet të shtyjë përpara edhe idenë për dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, në mënyrë që të shmangen paqartësitë dhe dezinformatat sikurse në rastin e reciprocitetit me dokumentet e identifikimit dhe targat e automjeteve”. Në raportin me titull “Dialogu Kosovë-Serbi, një hap para, tre mbrapa” thuhet se “mungesa e vullnetit politik për të ecur përpara drejt marrëveshjes përfundimtare, do të vazhdojë të reflektohet në terren, duke mbajtur një situatë të paqëndrueshme që prodhon herë pas here tensione”.

Ajo që dihet është se, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se qeveria e tij me datën 1 shtator zbaton vendimin e reciprocitetit për targat e makinave dhe dokumentev të udhëtimit të Serbisë. Dy emisarët e dialogut, Escobar dhe Lajçak, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, nga Prishtina, nesër udhëtojnë për në Beograd, ku autoritetet e atjeshme pas takimeve me listën ‘Srpska’, kanë deklaruar se nëse nuk gjendet një zgjidhje kompromisi, “përfaqësuesit e serbëve, do të largohen nga institucionet e Kosovës”. “Së pari ne politikanët, e pastaj të gjithë me radhë, edhe prokurorët, edhe gjyqtarët, edhe policia”, ka deklaruar Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, dhe në këtë mënyrë sipas tij, “do të ketë një shpërbërje totale të dialogut të Brukselit”.

dw

SHBA-BE, përpjekje për të siguruar marrëveshje Kosovë – Serbi për reciprocitetin

Escobar Lajcak OsmaniI dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, filloi të martën në Prishtinë takimet me udhëheqësit e Kosovës, në kuadër të vizitës së tij të përbashkët me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

 

Zoti Escobar u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë mbrëmjes pritet të takohet me udhëheqësit e partive politike në opozitë ndërsa të mërkurën është paraparë që të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Dy të dërguarit pas Prishtinës do të qëndrojnë edhe në Beograd në vazhdën e përpjekjeve për të shënuar përparim drejt një marrëveshjeje që do të shmangte tensionet në terren, të cilat pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Vizita pason takimin e javës së kaluar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ku nuk u shënua ndonjë përparim por me pajtimin që të vazhdojnë përpjekjet për një zgjidhje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën në një bisedë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është serioze për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale të shkaktuar siç tha ai nga “lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”, njoftoi zyra e presidentit serb.

Sipas njoftimit, presidenti serb i tha ambasadorit Hill se është e rëndësishme që Prishtina t’i përmbahet marrëveshjes që forcat e posaçme të Kosovës të mund të lëvizin në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave ku jetojnë serbët

Bisedimet në Bruksel që filluan 11 vjet më parë, synojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Një studim i publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës bën thirrje që Kosova dhe Serbia të përqendrohen në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare e cila si rrjedhojë do të zgjidhte të gjitha çështjet teknike.

“Deri tani kemi parë që dialogu mbi çështjet teknike nuk ka sjellur rezultatet e pritura prandaj është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të diskutojnë lidhur me marrëveshjen finale. Në këtë aspekt ka një vullnet politik nga ana e palës së Kosovës që të diskutohen elementet e marrëveshjes finale por si duket ka hezitim nga pala serbe që dialogu të shkoj drejt marrëveshjes finale, kjo mund të jetë edhe për arsye që kërkesë si SHBA-ve dhe BE-së është që marrëveshja finale të ketë në qendër njohjen reciproke e prandaj kemi një hezitim nga pala serbe që të diskutohet për këtë marrëveshje”, tha Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas raportit të Institutit Demokratik, qeveria e Kosovës duhet të shtyjë përpara edhe idenë për dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, në mënyrë që të shmangen paqartësitë dhe dezinformatat sikurse në rastin e reciprocitetit me dokumentet e identifikimit dhe targat e automjeteve.

“Po shihet që tani edhe më e nevojshme që për vendimet e fundit të qeverisë që prekin këtë komunitet të ketë më shumë komunikim dhe më shumë informim nga ana e qeverisë së Kosovës sepse pastaj ky vakumi që po ekziston mes këtij komuniteti dhe shtetit të Kosovës po mbushet me informacione të pasakta nga pala serbe po rritet ndikimi i Serbisë tek ky komunitet”, tha zonja Haxholli.

Raporti me titull “Dialogu Kosovë-Serbi, një hap para, tre mbrapa” thekson se mungesa e vullnetit politik për të ecur përpara drejt marrëveshjes përfundimtare, do të vazhdojë të reflektojë në terren, duke mbajtur një situatë të paqëndrueshme që prodhon herë pas here tensione.

voa

Paralajmërimi britanik: Putin do tentojë të nxisë më shumë konflikt në Ballkan!

Sir Roderic LyneSa më shumë thellohen telashet e tij në Ukrainë, aq më shumë Vladimir Putin do të shtojë përpjekjet për të përçarë Perëndimin.

 

Në komentin e tij për Sky News, që më shumë i ngjasonte një paralajmërimi, ish-ambasadori britanik në Rusi, Sir Roderic Lyne e tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë tek rajoni i Ballkanit.

“Unë mendoj se ai do të përpiqet të inkurajojë më shumë konflikt në Ballkan. Them se do t`i shohim rusët të bëhen edhe më aktivë në lindje dhe në Afrikën veriore”,  u shpreh Roderic Lyne, ish ambasador britanik në Rusi.

Ambasadori përcolli bindjen e tij se në një moment te caktuar, lideri rus mund të ofrojë një lloj armëpushimi në këmbim të njohjes së aneksimit të katër provincave perëndimore të Ukrainës. Mendoj se ai do të përdorë një sërë taktikash pasi situata në terren në Ukrainë po bëhet gjithmonë e më e vështirë për trupat e tij, shtone Lyne.

Ndërkohë, planet ruse për Ballkanin vazhdojnë me në fokus minimin e mbështetjes politike të vendeve të rajonit për BE-në, dhe me përpjekjet për t`i kthyer në mbështetës të Moskës. Duke e mbajtur rajonin në dhomën e pritjes që prej 2003-shit, Brukseli e ka tkurrur ndjeshëm influencën e tij.

Bashkimi Europian nuk duhet të harrojë thonë ekspertët, se i nevojiten këta aleatë për të luftuar sfidat e mëdha të sigurisë. Përndryshe, do të lërë pas një Ballkan gjithnjë e më të përçarë, ku Rusia ka kultivuar grupe nacionaliste dhe përdor dezinformimin për të minuar narrativat pro-demokracisë.

Top Channel

Gjykata e Elbasanit lë në burg dy rusët dhe ukrainasin e arrestuar në Gramsh, avokatët kundërshtojnë: U trembën prandaj përdorën spray

Gjykata ElbasanGjykata e Elbasanit ka lënë në burg dy rusët dhe ukrainasin të arrestuar në Gramsh.

Gjyqtarja Pajrime Fetahu vlerësoi se arrestimi është i ligjshëm dhe akuzat bazohen ne prova.

Ndërsa avokatët e vlerësojnë si të pabazuar kërkesës e prokurorisë dhe akuzat e ngritura.

 

Nuk janë garantuar të drejtat e klientit tim. Nuk është caktuar përkthyes ne gjuhen ukrainase dhe pavarësisht se ai kupton rusisht kam kërkuar te deklarata e tij te mos merret për baze. Edhe dy shtetasit e tjerë kane kërkuar avokat por gjykata i ka detyruar te marrin avokat kryesisht. Spray neuroparalizues mbajnë femrat. Nuk është arme kimike. Nuk është cenuar një perimetër i ndaluar pasi ka pasur mungesë sinjalistike. Nuk kishin nga ta dinin“, është shprehur avokati Sajmir Visha, i cili ka marrë në mbrojtje ukrainasin.

Avokati  Demir Çiftja i cili ka marrë në mbrojtje rusin Mikail Zorin, ka kërkuar masën detyrim paraqitje, duke pretenduar se klienti i tij është trembur pasi u ndoq nga ushtarët ndaj përdori spray.

“E kam vlerësuar të ligjshëm arrestimin por kam kërkuar detyrim paraqitje. Klienti im është trembur pasi e kanë ndjekur ushtaret ndaj ka reaguar me spray. Nuk ka prova për vepra te tjera penale ndaj tij” , është shprehur avokati.

Veç avokatit i cili ka marrë në mbrojtje rusin Mikail Zorin, dy avokatët e tjerë kane kërkuar vlerësimin e arrestimit te paligjshëm dhe lirimin e menjëhershëm ose si alternative detyrim paraqitje bllokim pasaportash dhe moslejim largimi nga vendi.

33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse,  dhe Fedir Alpatov me pasaportë ukrainase u arrestuan nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh dhe u përballën me akuzat “goditje për shkak të detyrës” dhe “dhënia e informacioneve sekrete”.

 

Si ndodhi ngjarja?

Rreth orës 17:40 të ditës së shtunë 20 gusht, roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit vuri re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftoi  përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi, më pas efektivët i kanë bërë thirrje të ndalojë, por ai ka nisur të largohet. Në momentin që personi është ndaluar iu është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar.

Pas kapjes së personave, policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z. 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme. Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zonë të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjeç, të cilët sot u lanë nën masën e arrestit me burg.

Top Channel

Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim

energjia-elektrikeGjendje krize në pjesën e energjetikës pritet të shpallet nesër. Vendimi do të jetë i vlefshëm nga 1 shtatori, ndërsa sipas paralajmërimeve të autoriteteve nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike në periudhën e dimrit nëse gjithçka shkon sipas planit. Madje, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursimin e energjisë elektrike që i miratoi Qeveria të cilat do të vlejnë deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

 

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, së fundmi në konferencë për media tha se nuk pret të ketë kufizime nëse gjithçka shkon sipas planit të Kompanisë elektroekonomike të Maqedonisë së Veriut.

“Nëse shkohet sipas planit të EMV, nuk presim të ketë restrikcione. Po bisedojmë edhe me udhëheqësitë e ministrive në Serbi dhe Bullgari që të mos ketë ndërprerje të kapaciteteve ndërkufitare si në vitin 2009 që të mos ketë problem në pjesën e furnizimit të konsumatorëve në tregun e lirë dhe këto janë kompanitë më të mëdha që bëjnë tregti përmes interkonektorëve me fqinjët”, tha Bekteshi në konferencën e përbashkët për shtyp me drejtorin e EMV-së ku u publikuan masat për kursimin e energjisë elektrike.

Sipas drejtorit SHA EMV, Vasko Kovaçevski, madje kompania punon me kapacitet maksimal sipas kapaciteteve aktuale të termocentraleve dhe resurseve dhe siç shtoi, “plotësojmë nevojat e furnizuesit universal EVN Home për qytetarët dhe konsumatorët e vegjël”.

“Bllok 3 në TEC Manastir është në ngecje për shkak të transformatorit të djegur shkaktuar nga ndikimi i jashtëm gjatë dhjetorit të vitit të kaluar dhe janarit të këtij viti. Për momentin transformatori ekzistues gjendet për servisim në Beograd dhe njëkohësisht është bërë edhe furnizimi publik për blerjen e një transformatori të ri i cili nuk është riparuar për 40 vjet që nga vënia në funksion e TEC Manastir. Presim që në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit njëri prej transformatorëve të arrijë dhe në fund të tetorit të jemi me kapacitet të plotë me TEC Manastir që të mund një nga blloqet t’i nënshtrohet një riparimi të shkurtër”, tha Kovaçevski.

Sipas Kovaçevskit, aktualisht ka prodhim të energjisë elektrike nga dy blloqe në REK Manastir, një kaldajë në TEC Negotinë, prodhim hidro, prodhim energjie nga era dhe dielli, ndërsa tepricat e natës prej rreth 50 megavat shiten në tregun e lirë me çmime në bursë.

Qeveria në ditët në vijim pritet të shpallë edhe thirrjet publike për përzgjedhjen e kontraktorëve për prodhim, shpërndarje dhe furnizim me energji termike pasi që BEG-ut iu mor licenca për punë.

Qeveria më 16 gusht shpalli edhe masat për kursimin e energjisë elektrike deri në 15 për qind të cilat do të vlejnë deri në mars të vitit të ardhshëm. Për familjet dhe kompanitë ato janë në formë rekomandimi, ndërsa për institucionet shtetërore ka detyrime konkrete që do të duhet t’i respektojnë pasi në të kundërtën do të pasojnë sanksione.

“Para nesh është një nga dimrat më të rëndë në planin energjetik, jo vetëm për ne, por edhe për të gjitha vendet në rajon, si dhe në Evropë. Në mënyrë që më lehtë të përballemi me atë që na pret, për furnizim të papengueshëm me energji elektrike, shpenzim racional dhe fatura më të ulëta, përgatitëm plan dhe rekomandime për kursim të rrymës. Masat janë ndarë në disa kategori, varësisht nëse bëhet fjalë për amvisëri, kompani apo objekte, institucione dhe ndërmarrje në pronësi shtetërore. Qëllimi është ulja e konsumit për 15 për qind krahasuar me muajin e njëjtë vitin e kaluar. Nëse nuk arrihet ky qëllim, do të pasojnë, në pajtim me kodin etik dhe të gjitha dekretet, sanksione të caktuara për të gjithë udhëheqësit e institucioneve”, theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

telegrafi

Borrell: Nuk ka marrëveshje Kosovë – Serbi, bisedimet vazhdojnë

BorellShefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, tha se Kurti dhe Vuҫiq kanë dallime të qarta në mënyrën se si e shohin zgjidhjen përfundimtare të statusit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, në Bruksel përfundoi pa ndonjë marrëveshje. Gjithësesi dy palët ranë dakord që në ditët e ardhshme të vazhdojnë diskutimet.

Në një konferencë shtypi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili së bashku me të ngarkuarin e BE-së për bisedime Mirosllav Lajqak, ishin ndërmjetësues në takimin Kurti-Vuҫiq tha: “Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur marrëveshje sot, jo, më vjen keq. Por ky nuk është fundi i rrëfimit meqë të dy udhëheqësit u pajtuan që procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimet do të vazhdojnë në ditët në vijim. Ka ende kohë deri më 1 shtator. Pra sot nuk pati marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi, ne duhet të vazhdojmë diskutimet, duhet të kërkojmë zgjidhje, procesi do të vazhdojë”.

 

Borell: Koha kërkon zgjidhje dhe jo shtim tensionesh

Pika kryesore në të cilën BE-ja nguli këmbë ishte arritja e një marrëveshjeje në lidhje me reciprocitetin e Prishtinës për dokumentet e udhëtimit të Serbisë dhe targat e makinave. Takimi i 18 gushtit, ndërmjet Kurtit dhe Vuҫiqit, erdhi pas tensioneve të 31 korrikut në veriun e Kosovës, ku serbët lokal bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit. Prishtina zyrtare e shtyu zbatimin e tij deri më një shtator. Shefi i diplomacisë evropiane, zoti Borrel tha se “ky nuk është momenti për të ngritur tensionet, është koha të kërkohen zgjidhje dhe për të zgjidhur çështjet e hapura për shumë kohë”.

“U thashë edhe dy udhëheqësve se ky ishte një takim për menaxhimit të krizës, jo një takim i zakonshëm. Synimi i këtij takimi ishte të qetësojmë situatën në teren”, tha Borrel, duke u shprehur i bindur që “si kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, e kuptuan se nuk ka një alternativë përveç bisedimeve për të zgjidhur çështjet e hapura.”

Borrel shtoi se Kurti dhe Vuçiq kanë dallime të qarta ndërmjet tyre “në mënyrën se si e shohin zgjidhjen përfundimtare të statusit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

 

Borell: Kurti dhe Vuçiq kanë dallime të qarta në qëndrime

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, para takimit tre palësh zhvilluan takime të ndara me zotin Borrel dhe zotin Lajҫak. Gjatë këtyre takimeve sipas shefit të diplomacisë evropiane, “është biseduar për marrëveshjen gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne po ashtu u përqendruam për vazhdimin e rrugës drejt normalizimit gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë. Të dy liderët patën mundësi që të tregonin në detaje lidhur me këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse, teksa tensionet aktuale në terren janë simptoma të problemit më të gjerë të statusit të pazgjidhur të raporteve”, tha Josep Borrell, duke shtuar se “çështja e normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është lart në agjendën e tij”. Sipas tij, qëndrimi I BE-së është i qartë që “liderët e Kosovës dhe Serbisë do të mbahen përgjegjës për çdo përshkallëzim të situatës në terren”.

Zyra e kryeministrit të Kosovës lëshoi një deklaratë të shkurtër për media duke njoftuar për temat që u diskutuan në takim. “Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

 

Vuçiq thërret për takim në Beograd përfaqësuesit e serbëve të Kosovës

Mediet në Serbisë ndërkaq, shkruajnë shkruajnë se ndörsa në Bruksel po zhvilloheshin takime në kuadër të dialogut, Kosovë-Serbi, presidenti Vuçiq ka thirrur pör një takim në Beograd përfaqësuesit e serbëve nga Kosova. Takimi do të mbahet të dielën, më 21 gusht.

Një ditë më parë, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, zhvilluan takime të ndara me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe më vonë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, si dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Albin Kurti ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë.

“Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator dhe me atë rast kemi dëshmuar me datën 1 gusht se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”, deklaroi një ditë më parë Kurti.

Presidenti Vuҫiq tha se ai ka rikonfirmuar “vendosmërinë e Serbisë për të bërë gjithçka që të ruajë paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin, si dhe të arrijë zgjidhje kompromisi përmes dialogut, por pa presion dhe ultimatume”.

dpa

PS dy ligje të reja për “spiunët”! Ndalohet regjistrimi i partive krijuara nga kryetar bashkëpunëtor të sigurimit

spiunetTë enjten ekskluzivisht Top Channel publikoi ndryshimet që kanë gati socialistët për ligjin e dekriminalizimit.

 

Shtohen disa nene ku ndalohet kandidimi për deputet apo u ndërpritet mandati, ish bashkëpunëtorëve ose të favorizuesve nga sigurimi shtetit.

Këto ndryshime nuk janë të vetmet që socialistët do të ndërmarrin për të pastruar majtas dhe djathtas politikën shqiptare nga bashkëpuntorët e ish sigurimit.

Nga grupi i punës në PS që po u jep dorën e fundit këtyre ndryshime, gazetari Muhamed Veliu mëson për Top Channel se po studiohet mundësia, të ndërhyhet me amendime edhe ligji për partitë politike.

Pikërisht në këtë ligj do të sanksionohet ndalimi për të drejtuar një parti politike nga persona të cilëve Autoriteti Dosjeve u vërteton se kanë qenë bashkëpunëtor të ish sigurimit.

Megjithëse kryetarët e partive në Shqipëri votohen nga gjiri partive politike kjo nuk shikohet si problem prej socialistëve.

Sipas tyre parashikohet të vendoset në ligjin për partitë politike një nen, ku parashikohet se nëse autoriteti dosjeve fakton se një kryetar  i sotëm partie politike ka qenë bashkëpunëtor i ish sigurimit të shtetit, gjykata nuk e regjistron atë forcë politike.

Nëse këto ndryshime do të arrijnë të miratohen në kuvend dhe nëse vërtetohet se ish presidenti Ilir Meta ka pasur rol bashkëpunimi me ish sigurimin gjë të cilën ai mohon, atëherë gjykata do të vihet përpara faktit të kryer për të mos lejuat regjistrimin apo vijimin e aktivitetit nga Partia e Lirisë.

I vënë në dijeni të kësaj lëvizje të socialistëve për ta kapur shah mat ish presidentin, Ilir Meta u shfaq këtë të premte me një ton të ashpër dhe kërcënues ndaj Edi Ramës në lidhje më këto ndryshime ligjore.

Top Channel

Nesër Tetova voton për përbërjen e re të Këshillit Komunal

zgjedhjeBanorët e Komunës së Tetovës do të dalin nesër në zgjedhje për të votuar përbërjen e re të Këshillit Komunal.

 

Të gjitha vendvotimet, 117, do të hapen në orën 7, ndërsa sot kanë votuar të sëmurët dhe të burgosurit.

Qeveria vendosi ta çojë në zgjedhje këshillin e kësaj komune, pasi nuk arriti ta miratojë llogarinë përfundimtare për vitin paraprak.

Qytetarët që i intervistuam thonë se do të dalin në zgjedhje . Ata presin nga këshilltarët e rinj të punojnë për të mirën e qytetit.

Për Këshillin e komunës së Tetovës, që udhëhiqet nga kryetari Bilall Kasami, garojnë 13 lista këshilltarësh nga parti politike dhe nisma qytetare.

Komuna e Tetovës është më e madhja shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku del edhe numri më i madh deputetëve shqiptarë në këtë vend.

rtk

“Diplomacia me tensione, lojë e rrezikshme në Ballkan”

Damir Marushiq, bashkëpunëtor i lartë i Qendrës Evropiane të Këshillit Atlantik nga Uashingtoni.Damir Marushiq, bashkëpunëtor i lartë i Qendrës Evropiane të Këshillit Atlantik nga Uashingtoni.

 

Liderët e Kosovës dhe Serbisë mund të jenë duke kontribuar në rritjen e tensioneve, për të shtyrë përpara arritjen e një marrëveshjeje finale mes dy shteteve.

Kështu mendon, Damir Marushiq, bashkëpunëtor i lartë i Qendrës Evropiane të Këshillit Atlantik nga Uashingtoni.

Marushiq ka komentuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, bisedimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë më 18 gusht, që nuk prodhuan rezultat. Ai tha se nuk ka shpresa që së shpejti do të arrihet një marrëveshje finale.

Sipas tij, diplomacia që inkurajon tensione, është një lojë e rrezikshme në një situatë me tensione në veri të Kosovës.

Disa ditë para se të zbatohen vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, Mashuriq nuk pret ndonjë konflikt të zgjeruar, por thotë se nuk përjashtohen skenarët e dhunshëm.

 

Radio Evropa e Lirë: Liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë përfunduar një rund të bisedimeve më 18 gusht. Bisedimet kanë qenë pa rezultat. Çfarë mendoni se do të thotë kjo për progresin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Damir Marushiq: Në njërën anë, me të vërtetë duket se jemi në një ngërç serioz, ku është vështirë të shihet kur do të arrihet rezultat. Por në të njëjtën kohë, ka të bëjë me diplomacinë. Unë mendoj që (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti është duke shtyrë këtë linjë, që në parim duhet të theksohen kundërshtimet, para se të arrihet ndonjë rezultat. Roli i diplomacisë është të merren situata të tilla dhe të jenë kreativë me to. Patjetër, ajo çfarë është e nevojshme për këtë është një vullnet i mirë, nga të dyja anët, dhe nuk e kemi parë këtë.

Megjithatë, një nga gjërat e rëndësishme këtu është që lehtësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, dhe partnerët perëndimorë në përgjithësi, të luajnë po ashtu një rol proaktiv dhe kreativ për të arritur një zgjidhje për këtë situatë. Rreziku është i lartë, ky dialog është shumë i rëndësishëm për të arritur çfarëdo zgjidhje të qëndrueshme për çështjet mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të them se kam shpresa [ për zgjidhje], por mund të them se nuk jam edhe i pashpresë në këtë pikë.

“Nuk pati shumë përgatitje për dialog”

 

Radio Evropa e Lirë: Më 18 gusht, kemi parë se lehtësuesit e dialogut hynë me shpresa në bisedime, por palët pas përfundimit të bisedimeve hezitonin edhe të flisnin. A mendoni se ka pasur përgatitje të mjaftueshme për bisedimet, a është edhe kjo ndonjë lojë diplomatike para 1 shtatorit?

Damir Marushiq: Në fakt jam i zhgënjyer që nuk ka pasur më shumë përgatitje. Më duket se duke hyrë në bisedime, pozicionet publike të të dyja anëve kanë qenë mjaft jofleksibile, që tregonin se ishim në drejtim të rezultatit që morëm. Por, prapëseprapë, nganjëherë magjia ndodh në dhomë.

Ndoshta kjo ishte shpresa, se nëse i vendosin ata (kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiqin) në një dhomë, duke pasur parasysh tensionet e rritura dhe afrimin e datës për hyrjen në fuqi të masave reciproke, kjo do të koncentronte mendjet në dhomë, dhe do të arrihej një rezultat. Është e rëndësishme të rikujtohet se derisa prapavija për këtë takim ishte kriza e fundit, sa e di unë, ky takim ishte caktuar për më herët, por pastaj Serbia kishte kërkuar shtyrjen e tij.

Dhe në një mënyrë, ky ishte një dialog i planifikuar dhe nga çfarë kam lexuar, Kurti e ka trajtuar si të tillë. Ai dëshironte të bisedonte për çështjet siç ishin planifikuar për t’u biseduar me krizën vetëm në prapavijë. Unë besoj që kjo është një taktikë negociuese nga ana e Kosovës. Nëse do të jetë e suksseshme nuk e di. Pyetja mbetet si gjithmonë, nëse ka ndonjë hapësirë mes Kurtit dhe Vuçiqit që mund të përdoret për një zgjidhje kreative.

 

Radio Evropa e Lirë: Folët për atë që mendoni se ishte strategjia e Kosovës. Çfarë mendoni për anën e Serbisë, a kanë përdorur ata një strategji?

Damir Marushiq: Më duhet të them, po flasim disa ditë para se Vuçiqi t’iu drejtohet serbëve nga veriu i Kosovës. Ai do të ketë një bisedë me anëtarë të Listës Serbe këtë fundjavë. Besoj se do të kuptojmë saktësisht çfarë ishte strategjia e Serbisë. Kam parë spekulime në mediat serbe se Vuçiqi, në një anë po përgatitet që t’iu thotë serbëve që situata është e vështirë dhe ndonjë kompromis duhet të bëhet, por, në të njëjtën kohë mund të shohim një fjalim që është pa kompromis.

Në këtë rast, strategjia e të dyja anëve do të jetë për të rritur tensionet në një nivel tjetër dhe më pas t’i angazhojnë evropianët në Perëndim, për ta detyruar palën tjetër për një kompromis. Është një lojë e rrezikshme. Është një lojë e njohur për të gjithë në Ballkan. Është mënyra sesi kryesisht bëhet diplomacia në këtë pjesë të botës. Përderisa është e rëndësishme të kujtohet se është një strategji racionale, është një strategji me rrezik, sepse kalkulimet mund të gabohen dhe liderët nuk mund të kontrollojnë çfarë ndodh në terren. Shpresat janë që të dyja anët do të jenë të kujdesshme në dy javët e ardhshme.

“Nuk frikësohem se mund të ketë konflikt më të gjerë”

 

Radio Evropa e Lirë:Po afrohet 1 shtatori. Çfarë mendoni se janë skenarët e mundshëm për këtë ditë dhe ditët në vazhdim?

Damir Marushiq: Imagjinata ime është shumë e bllokuar në atë se çfarë mund të ndodhë. Mund të kemi një përsëritje të vendosjes së barrikadave në veri. Nëse shkon në atë formë, do të shohim anën e Serbisë që thotë se ky është një reagim lokal dhe i pakontrollueshëm ndaj ndjenjës së kërcënimit që e kanë serbët lokalë. Shumë nga raportimet që kam parë megjithatë thonë se Serbia ishte shumë e përfshirë në kordinimin e krizës së kaluar, kshtu që kredibiliteti i një deklarate të tillë vihet në pikëpyetje.

Problemi është se nëse ka bllokada dhe barrikada, problemi për Perëndimin do të jetë si të kthehet rendi, veçanërisht nëse vetë Serbia nuk intervenon. Kjo pastaj bëhet një lojë e pritjes, dhe nëse kokat e ftohta dominojnë në Kosovë, do të ketë një proces të gjatë negociimi në ditët pas 1 shtatorit. Ndoshta ngadalë do të kthehet në një situatë të “normalitetit në tension”.

Më duhet të them se nuk e di se si do të jetë modaliteti i krizës, nëse masat reciproke do të mund të zbatohen. Dyshoj nëse do të mund ta bëjnë në kufi, dhe vetëm do të dëgjoni shumë retorikë. Gjithashtu, shpresoj se jo, por mund të ketë edhe dhunë në shkallë të vogël. Nuk mund ta imagjinoj se do të shkoj më larg se kaq. Por siç thashë më parë, ky është problemi me diplomacinë e rrezikshme që praktikohet në Ballkan, është shumë e paparashikueshme, dhe është shumë e vështirë të kontrollohen akterët në terren.

 

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të nënkuptojnë tensionet e mundshme për shtetet e përfshira dhe për rajonin e Ballkanit. A mendoni se mund të ketë konflikt?

Damir Marushiq: Unë nuk frikësohem se mund të ketë një konflikt më të gjerë. Mendoj se mund të jetë një situatë e tensionuar që do të zgjasë me javë, që pas një kohe do të çojë në negociata të mëtutjeshme. Mund të ketë dhunë, mund të ketë të shtëna, ndoshta edhe vdekje.

Unë besoj se (misioni i NATO-s në Kosovë) KFOR-i është gati nëse do të ketë eskalim, për të qetësuar situatën. Kjo është në radarin e Uashingtonit. Mendoj se konflikti më i gjerë nuk ka gjasa të ndodhë. Është një situatë shumë e vështirë ndërkombëtare në këtë pikë. Nuk është i mirëpritur në Perëndim fakti se duhet të merren edhe me një konflikt, derisa po ndodh lufta në Ukrainë.

“Evropianët janë të fokusuar në stabilizim të krizës”

 

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se momentumi në Evropë është i favorshëm për të arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur në mendje edhe luftën në Ukrainë?

Damir Marushiq: Mendoj se logjika e Kurtit është se duke insistuar dhe duke theksuar kundërthëniet në dialog, do t’i shtyjë evropianët të jenë më proaktivë dhe t’i bëjnë presion Serbisë të pajtohet. Çfarë po shoh deri më tani megjithatë, evropianët specifikisht nuk janë të angazhuar aktivisht në këtë. Janë më të interesuar vetëm për stabilizimin e situatës.

Prandaj, derisa mendoj se Kurti ka të drejtë që mendon se është në interesin e evropianëve që të jenë më proaktivë dhe të provojnë ta zgjidhin këtë çështje njëherë e përgjithmonë, nuk mendoj se janë aty ende. Më duket mua se mentaliteti është që vetëm[problemet] të largohen, sesa të punohet në drejtim të një zgjidhjeje të qëndrueshme. Sigurisht që ekziston qëllimi që të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme, por nuk po shoh ende prova për mendime të reja se si të arrihet aty.

“Nuk shoh rrugë të shpejtë për zgjidhjen e krizës”

 

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri Kurti ka thënë në vazhdimësi se nuk është i interesuar të dialogojë për hir të dialogut, por për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Ai beson se marrëveshja do të ndodhë brenda mandatit të tij. A mendoni se është qasje realiste?

Damir Marushiq: Është definitivisht pozita e tij negociuese. E kam takuar Kurtin dy herë. Unë besoj se është një burrë që në përgjithësi thotë atë që beson. Ndryshe nga ajo kur shpesh na duhet të gjejmë se çfarë është pozita negociuese e dikujt, mendoj se me Kurtin, ai beson se rritja e presionit mund të çojë në ndonjë rezultat, ose ndonjë presion i shtuar ndaj Serbisë, për të arritur te një marrëveshje finale. Ai është i vendosur ta bëjë këtë. Por nuk shoh ndonjë rrugë të shpejtë për zgjidhjen e krizës, ashtu siç janë gjërat momentalisht.

Kthesë në politikën e Erdoganit ndaj Sirisë?

Erdo putinNga pushtimi deri tek afrimi me regjimin e Asadit. Ankaraja ka filluar të manovrojë në politikën e saj ndaj Sirisë.

 

Katër orë negociuan presidenti turk Erdogan dhe ai rus, Putin në fillim të muajit në Sotçi. Në fund nuk pati as konferencë shtypi dhe as një deklaratë të përbashkët, që të linte të kuptoje, se Moska dhe Ankaraja në çështjet e rëndësishme nuk janë të një mendimi. Erdogna u takua me Putinin për të marrë dritën jeshile për operacionin ushtarak turk në veri të Sirisë të paralajmëruar që në maj të këtij viti, por kjo dritë nuk u ndez.

Ka qenë hera e dytë në pak javë që presidenti turk është përpjekur të marrë mbështetje diplomatike për planet e pushtimit të Sirisë veriore, po pa sukses.Nuk luan rol parësor në llogarinë e Erdoganit, që SHBA apo ministrja e Jashtme gjermane e kanë paralajmëruar me fjalë të qarta presidentin turk. Më shumë efekt ka pasur refuzimi i qartë që iu bë presidentit turk në samitin tresh me Putinin dhe presidentin iranian muajin e kaluar në Teheran. 

Grupi AstanasëGrupi i Astanasë

Me iniciativë të Moskës, Irani, Turqia dhe Rusia zhvillojnë takime konsultuese në grupin që njihet si grupi i Astanasë. Secili në koalicionin tresh që është i angazhuar me trupa në luftën e përgjakshme në Siri ndjek qëllimin të përfundojë lufta civile në Siri me përmbushjen e interesave të veta. Të përbashkëtat e treshes janë të kufizuara: Irani dhe Rusia janë mbështetësit kryesorë të regjimit të Asadit. Politika zyrtare e Ankarasë ka synimin e rrëzimit të Asadit. Erdogani dështoi edhe në Teheran me synimin, që të merrte miratimin ose të paktën tolerimin për politikën e tij ushtarake në Siri. Në dokumentin përfundimtar, Irani, Turqia e Rusia përforcuan “besimin e tyre për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin e Republikës Arabe të Sirisë.” Ky formulim nuk pajtohet me prezencën e vazhdueshme ushtarake të Erdoganit në Sirinë veriore dhe akoma më pak me planet e Erdoganit për sulme të reja.

Aktualisht po shtohen sinjalet, se Putini po punon në drejtim të korrigjimit të kursit të politikës turke në Siri. Sipas njoftimeve të disa mediave që përputhen me njëra-tjetrën, bëhet fjalë që Erdogan të dorëzojë kursin e tij konfrontues me regjimin e Asadit dhe të shkojë drejt një kompromisi. Kjo do të ishte një arritje e madhe për regjimin jolegjitim dhe të izoluar prej vitesh në shkallë ndërkombëtare. Në botën arabe janë shtuar madje zërat për të hequr dorë nga bojkotimi i regjimit të Asadit. Në krye Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia.

 

Kthesë e Turqisë?

Të bien në sy edhe deklaratat e ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu. Ai bëri fjalë javën e kaluar para një publiku ndërkombëtar për një takim të para disa muajve me ministrin e Jashtëm të Asadit. Sipas të dhënave të Cavusoglu, ai i ka thënë ministrit të Asadit: “Ne duhet në një farë mënyre të gjejmë një kompromis mes opozitës dhe regjimit në Siri”, ndryshe nuk do të ketë paqe të qëndrueshme. Është herët që nga kaq pak fjalë të konkludosh se kemi të bëjmë me një kthesë të fortë të Turqisë në politikën ndaj Asadit. Por deklaratat e Cavusoglu të lenë të kuptosh, se në botën e diplomacisë ndodhin gjëra, që mbeten të paditura për publikun.

Një kompromis mes Ankarasë dhe Damaskut kërkon që të dyja palët të bëjnë ndryshime të forta të kursit të tyre. Për regjimin e Asadit tërheqja e trupave turke nga veriu i Sirisë dhe dhënia fund e mbështetjes për organizatat paramilitare dhe ushtarake është një kusht i patjetërsueshëm. Ankaraja nga ana e saj kërkon shkrirjen e strukturave autonome të mbështetura nga grupet kurde në verilindje të Sirisë si edhe hapjen e rajoneve kufitare për të vendosur në mënyrë masive refugjatët sirianë nga Turqia.

 

Lufta në varësi të politikës së brendshme?

Politika e Ankarasë ndaj Sirisë përcaktohet edhe nga politika e brendshme. Asnjë temë tjetër nuk mobilizon kaq shpejt masat sa lufta kundër milicëve kurdë përtej kufijve. Demoskopët kanë llogaritur se një operacion ushtarak në Siri i sjell Erdoganit e partisë së tij tre deri në katër pikë më shumë tek votuesit.

Fushata zgjedhore në Turqi është futur në fazën e nxehtë. Tema e refugjatëve sirianë është një temë e preferuar, sidomos për opozitën. Turqia ka pranuar rreth 4 milionë sirianë, për shumë prej tyre Turqia është tani një atdhe i dytë. Por mikpritja e popullsisë ka arritur limitet e saj, për shkak të gjendjes ekonomike janë shtuar zërat, që refugjatët të kthehen andej nga vijnë.

Kthimi i refugjatëve sirianë është pjesë e rëndësishme e politikës së Erdoganit. Ata do të kthehen “vullnetarisht” dhe të organizuar, sipas tij. Por shumë të prekur nuk i besojnë këtyre premtimeve dhe askush nuk ka motiv të kthehet në një vend në luftë civile. Aktualisht Turqia po bën përgatitje të ethshme për vendndodhjen e refugjatëve sirianë në rajonet veriore kufitare të Sirisë. Në një fazë të parë, bëri të ditur ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, duhet që të zhvendosen 64.000 refugjatë. Mediat turke bëjnë fjalë për 1 milionë vetë që do të zhvendosen me projektin pilot.

Në maj presidenti Erdogan bëri të ditur për herë të parë operacionin e pushtimit në Sirinë veriore. Për shkak të luftës në Ukrainë, krizës së Tajvanit, konflikti me Sirinë ka kaluar në plan të dytë të vëmendjes ndërkombëtare. Por kjo mund të ndryshojë shpejt, nëse Erdogan do të mbërrijë në përfundimin, që një luftë e re e ndihmon më shumë se e dëmton politikisht.

 

 

Dr Ronald Meinardus është drejtues i Programit të Mesdheut në Institutin e Athinës, ELIAMEP.