Maqedonia me rritjen më të dobët të PBB-së në Ballkanin Perëndimor

rritja-ekonomikeMaqedonia këtë vit do të ketë rritjen më të dobët ekonomike në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan Alsat.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore për vendet e rajonit, theksohet se këtë vit vendi do të ketë një rritje të PBV-së prej vetëm 2.1 për qind.

Mali i Zi do të jetë lider me rritje gati 7 për qind, ndërsa lëvizjet ekonomike janë solide edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Serbia, Shqipëria dhe Kosova do të kenë rritje prej mbi 3 për qind.

Vendet që janë të varura nga importet e energjisë po kalojnë një kohë më të keqe në këtë krizë, dhe do ta kenë më të vështirë rikuperimin.

“Ndikimi fiskal i goditjes energjetike është i rëndësishëm dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për vendet e rajonit, që importojnë energjensë, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Aktivitetet ekonomike janë ngadalësuar veçanërisht në Eurozonë, e cila është kyçe për eksport të mallrave dhe kërkesës në Ballkanin Perëndimor”, tha Ksiaoking Ju – Drejtor i Bankës Botërore, për Ballkanin Perëndimor.

Banka Botërore pret që inflacioni të ulet në periudhën e ardhshme. Ajo që është inkurajuese është se ekonomistët e këtij institucioni financiar ndërkombëtar nuk presin që Maqedonia të hyjë në recesion. Sa i përket masave të qeverisë për qytetarët dhe kompanitë, banka thotë se ato janë më të lartat në rajon, por zbatimi i plotë i tyre do të kërkojë vullnet politik në Kuvend.

“Funksionimi aktual i Kuvendit mund të jetë pengesë që reformat të ecin më shpejt. Presim që qeveria të përqendrohet në lehtësimin e ndikimit të krizës tek familjet dhe firmat më të rrezikuara”, u shpreh Sanja Maxhareviq – Sujster, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore.

Vlerësimi fillestar për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte se ato do të kishin një rritje të PBV-së prej 4 për qind këtë vit.

Por kriza energjetike, rritja e çmimeve dhe paparashikueshmëria e luftës në Ukrainë kanë pasur efekte negative në ekonomitë e shteteve.

Tani projeksioni përmbledhës i rritjes ekonomike për këto vende është 3.4 për qind, që është dy herë më pak se në vitin 2021.

Sot në Prishtinë mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor

Ballkani PerendimorSot hapet Samiti i Ballkanit Perëndimor ‘’The Western Balkans Summit 2022’’, organizim i The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Në hapje të këtij Samiti do të flas kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, raporton RTKlive.

“Pushtimi rus i Ukrainës, mungesa e energjisë dhe mallrave dhe rritja e çmimeve po e çojnë botën drejt një krize të shumëanshme. Njerëzimi po lëviz në ujëra të paeksploruara. Në të njëjtën kohë, ka një diskutim domethënës për përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital dhe për forcimin e unitetit të Evropës kundër këtyre sfidave. A do të jetë Evropa në rrugën e duhur pavarësisht nga pengesat?. Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një rol unik për të luajtur kundër këtij mjedisi. Ideja se pa Ballkanin Perëndimor, Evropa nuk mund të jetë vërtet e bashkuar, gjithëpërfshirëse dhe politikisht efektive po fiton terren. Rajoni ka një rol kritik për të luajtur në nxitjen e paqes, bashkëpunimit dhe unitetit përmes diversitetit për Evropën. Megjithatë, për të përfituar nga ky rol, vendet e rajonit do të duhet të zgjidhin konfliktet rajonale dhe të lehtësojnë reformat që zvogëlojnë hendekun me pjesën e zhvilluar të kontinentit evropian”, thuhet në njoftimin e The Economist.

The Economist njofton se në Prishtinë këtë vit në Samit marrin pjesë zyrtarë të rangut të lartë nga BE-ja dhe SHBA-ja, krerët e shteteve nga rajoni, institucionet ndërkombëtare, liderët e biznesit dhe financave, akademikët të cilët do të ndajnë njohuritë e tyre mbi strategjitë e reja për të trajtuar krizën aktuale dhe për të rritur rritjen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon dhe më gjerë.

rtk

Të dielën, më 30 tetor, zhvendosni orën 60-minuta mbrapa

ora ndryshonKëtë fundjavë, të dielën, më 30 tetor përsëri ndryshon ora. Akrepat do ti zhvendosim 60-minuta mbrapa, ose thënë ndryshe, do të flejmë një orë më shumë.

 

Si zakonisht zhvendosja e orëve bëhet ditën e diell, rreth orës 03:00 të mëngjesit. Në aparatet e celularëve smart, ndërrimi bëhet automatikisht.

Lëvizja e akrepave të orës si fenomen ndodh dy herë në vit: në javën e fundit të tetorit (dimërore) dhe në të dielën e fundit të marsit (verore), kohë kur ora shkon para. Synimi është që të shfrytëzohet sa më mirë energjia diellore.

Kosova të shtyjë afatin për riregjistrimin e targave të makinave serbe

MitrovicaKomuniteti ndërkombëtar nuk dëshiron tensionim të situatës pas datës 31 tetor kur skadon afati i përdorimit të targave serbe. Por nga qeveria e Kosovës ende nuk e kanë konfirmuar qartë, nëse do të shtyhet afati.

 

Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri më 31 tetor kur skadon afati që targat me inicialet e qyteteve të Serbisë nga periudha e para luftës do të mund të përdoren në Kosovë. Qytetarët serbë të Kosovës që përdorin këto targa, duhet t’i konvertojnë ato në targa të Republikës së Kosovës, në të kundërtën, makinat e tyre nuk do të mund të qarkullojnë më në Kosovë. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Kosovës, qytetarët serbë të veriut të Kosovës po refuzojnë ti’ konvertojnë targat. Janë  rreth 10 mijë targa në qarkullim në veri të Kosovës, që qeveria e Kosovës i cilëson ilegale. Për të mos u tensionuar situata pas datës 31 tetor, diplomat ndërkombëtarë të përfshirë drejtpërdrejt në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, i kërkuan qeverisë së Kosovës që ta shtyjë këtë  afat.

 

Kërkesa e Antony Blinken

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili javën që shkoi ishte në Beograd dhe Prishtinë tha se “është vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që ka kërkuar nga Kosova që ta shtyjë për 10 muaj afatin për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato të Kosovës”. “Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të QUINT-it dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken për ta shtyrë atë, për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, tha Escobar gjatë qëndrimit në Beograd.  Sipas tij, nëse Kosova pranon të shtyjë afatin, atëherë, gjatë këtyre dhjetë muajve “do t’iu kërkohet të bëjnë një fushatë informuese, të kryejnë më shumë konsultime me komunitetet që do të preken prej saj dhe të kenë më shumë koordinim me komunitetin ndërkombëtar”.

 

Edhe BE mbështet shtyrjen e afatit

Edhe Bashkimi Evropian, i kërkoi Kosovës që të shtyjë afatin për 10 muaj të konvertimit të targave serbe dhe regjistrimit të tyre në ato të Kosovës. “Konkluzionet për lirinë e lëvizjes nga viti 2016 përfshijnë një afat kohor për ri-regjistrim, i cili duhet të ketë edhe udhëzime. Prandaj ne, në bazë të këtij procesi i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një afat kohor prej 12 muajsh për riregjistrim. Sipas të njëjtës logjikë, tani kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të shtyjë afatin e tashëm edhe për 10 muaj”, ka thënë  zëdhënësi i  BE-së, Petter Stano.

Qeveria e Kosovës akoma nuk ka konfirmuar qartë, nëse do ta shtyjë këtë afat, ndonëse në këtë fazë para datës 31 tetor, ata vazhdojnë të mbajnë qëndrimin për respektim të afatit. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se “qeveria  i kupton shqetësimet dhe brengat e të ngarkuarit amerikan Gabriel Escobar dhe i ndajnë po ato shqetësime me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik i përbashkët”. “Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor akoma. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. Ju bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, tha zëdhënësi i qeverisë.

 

Osmani: Vetëm një pakicë nuk i ka konvertuar targat

Për çështjen e targave dhe kërkesën e emisarit të SHBA-ve që vendimi për konvertimin e tyre të shtyhet edhe për 10 muaj, foli edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Sipas saj, “çështja e targave është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit”. “Partnerët tanë ndërkombëtar nëse për vite kanë kërkuar që Kosova të punoj në sundimin e ligjit, ne këtë po e bëjmë. Andaj pres nga partnerët tanë që të na mbështesin në sundim të ligjit në trajtimin e të gjithëve në mënyrë të barabartë”, u shpreh Osmani. Sipas saj, shumica e qytetarëve serb të Kosovës i kanë konvertuar targat dhe të vetmit që po rezistojnë janë ata të veriut. “Mbi 90% e serbëve që jetojnë në Kosovë i kanë konvertuar targat e paligjshme në targat e Kosovës. Sa i përket një pakice që ende nuk i ka konvertuar targat dhe i shfrytëzojnë tagrat e kohës së Millosheviqit, kërkesa jonë është që të respektohet ligji. Është e pamoralshme që targat e Millosheviqit të ecin lirshëm në Kosovë, duhet tu jepet fund bandave kriminale që kërcënojnë qytetarët tanë serb”, u shpreh Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, “veprimet e institucioneve të Kosovës janë vetëm për rend e ligj e asnjëherë për tensionim”.

“Të vetmet veprime që kontribuojnë për tensionim janë kërcënimet, frikësimet, djegiet e makinave e shtëpive që po bëhen nga strukturat ilegale që mbështeten e financohen nga Vuçiqi. Fokusi duhet të jetë aty te burimi i tensioneve e shantazheve, ai burim nuk ka qenë e as nuk është në Kosovë, ai burim ka qenë edhe është sot vetëm në Serbi, aty duhet të drejtohet presioni e jo në Kosovë”, tha Osmani.

Ambasadorët e vendeve të Quint-it ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuara, Italia, Franca dhe Gjermania, dy ditë më parë takuan në Beograd, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilit i shprehën shqetësimin për prishjen e mundshme të stabilitetit në rajon, para përfundimit të afatit të Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrim të makinave me targa serbe në ato të  Republika e Kosovës. Sipas një komunikate të Presidencës serbe, “edhe vetë presidenti, Aleksandër Vuçiq ndan shqetësimet për tensionet e mundshme dhe ka thënë se Serbia është e përkushtuar për dialogun si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura”. Megjithatë, Aleksandër Vuçiq ka konsideruar siç thuhet në komunikatë se “tensionet janë shkaktuar për shkak të lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës”. Sidoqoftë, javët e fundit ka një angazhim të shtuar të komunitetit ndërkombëtar me vizita të shpeshta në Prishtinë dhe Beograd, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje finale për përmirësimin e marrëdhënieve dhe kjo marrëveshje të arrihet shpejt.

dw

Kontrolli i Kongresit: Çfarë është në lojë në zgjedhjet e 8 nëntorit?

US CapitolNë dy vitet e fundit demokratët kanë patur shumicën në të dy dhomat e Kongresit dhe presidencën, por mund të mos e kenë një pushtet të tillë të konsoliduar për shumë më gjatë.

 

Republikanët janë favoritë për të fituar Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e 8 nëntorit, të mbështetur nga zhgënjimi i amerikanëve mbi ekonominë dhe avantazhet në procesin e rindarjes së zonave zgjedhore që zhvillohet çdo 10 vjet. Por demokratët po punojnë për të mbajtur pozitat e tyre, duke bërë fushatë për ruajtjen e qasjes ndaj abortit dhe çështjeve të tjera.

Perspektiva është më e paqartë në Senat, ku republikanët po bëjnë përpjekje për të rimarrë kontrollin. Disa gara në shtetet kryesore të fushëbetejës janë të ngushta, duke bërë që udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell të thotë se shanset që partia e tij të fitojë një shumicë janë vetëm 50-50.

Një vështrim mbi kontrollin e Kongresit dhe çfarë do të ndodhë nëse republikanët fitojnë një shumicë në të dyja dhomat:

 

ÇFARË NDODH NËSE REPUBLIKANËT MARRIN DHOMËN E PËRFAQËSUESVE?

Demokratët, të udhëhequr nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kanë mbajtur shumicën që nga viti 2018, kur fituan kontrollin në zgjedhjet e para për në Kongres kur në detyrë ishte Presidenti i atëhershëm Donald Trump. Republikanët mund të rimarrin Dhomën e Përfaqësuesve nëse fitojnë vetëm pesë vende në dhjetëra zona konkurruese dhe po përpiqen të fitojnë shumë më tepër.

Historia gjithashtu u jep republikanëve arsye për optimizëm. Në epokën moderne, partia që mban Shtëpinë e Bardhë ka humbur vendet në kongres pothuajse në çdo zgjedhje afatmesme të presidentit në mandatin e parë.

Nëse republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve më 8 nëntor, grupi i tyre do të zgjedhë një kryetar të ri dhe do të marrë pushtetin më 3 janar 2023. Ata do të drejtojnë çdo komision dhe do të vendosin se cilat projektligje do të shqyrtohen në foltore.

 

SI DO TË DUKET NJË DHOMË E DREJTUAR NGA REPUBLIKANËT?

Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ka parashtruar tashmë strategjinë “Përkushtimi ndaj Amerikës”, një përmbledhje e gjerë e politikave ekonomike, të sigurisë kufitare dhe politikave të tjera që republikanët do të propozonin në ditët e para të Kongresit të ardhshëm.

Një kthim i republikanëve si shumicë në Dhomë do të ishte një fitore për ish-Presidentin Trump, i cili ka luftuar përpjekjet e udhëhequra nga demokratët për ta mbajtur atë përgjegjës për sulmin e 6 janarit 202 në Kongres. Shumica dërrmuese e republikanëve që pritet të kthehen në Uashington vitin e ardhshëm, së bashku me shumicën e atyre që shpresojnë të fitojnë një mandat të parë, janë besnikë ndaj zotit Trump dhe kanë ndjekur shembullin e tij në politikat dhe pozicionet e tyre.

Në mesin e këtyre aleatëve janë anëtarë të ekstremit të djathtë si deputetja Marjorie Taylor Greene e shtetit Xhorxhia, e cila u hoq nga detyrat e saj në komision nga demokratët për shkak të retorikës së saj ekstreme, por që do të ishte pjesë e një shumice të gjerë qeverisëse në një Dhomë të drejtuar nga republikanët. Zonja Greene qëndroi pas kryetarit McCarthy teksa ky i fundit prezantoi strategjinë “Përkushtimi ndaj Amerikës” në Pensilvani muajin e kaluar.

 

ÇFARË DO TË THOTË PËR PRESIDENTIN BIDEN NJË DHOMË E DREJTUAR NGA REPUBLIKANËT?

Përparësitë e demokratëve si qasja ndaj abortit, zgjidhja e sfidave të ndryshimeve klimatike dhe kontrolli më i rreptë i armëve do të mënjanoheshin menjëherë. Dhe pjesa më e madhe, nëse jo të gjitha planet e Presidentit Joe Biden do të ishte në fakt “të vdekura” për dy vitet e fundit të mandatit të tij.

Megjithatë, asgjë nuk kthehet në ligj pa nënshkrimin e Presidentit Biden. Projektligjet për financimin e qeverisë, rritjen e tavanit të borxhit dhe trajtimin e çështjeve ushtarake janë të nevojshme që qeveria të funksionojë. Këto projektligje ka të ngjarë të bëhen pika të nxehta në negociatat midis republikanëve, demokratëve dhe Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Biden, i cili shërbeu në Senat për dekada, shpesh ka mbrojtur kredencialet e tij dypartiake dhe ka thënë se dëshiron të punojë me republikanët. Por do të kishte pak oreks për këtë në një Kongres të kontrolluar nga republikanët që e kanë bërë kundërshtimin ndaj Presidentit Biden prioritetin e tyre kryesor.

 

PO SENATI?

Ndërsa Senati mund të anojë në secilën palë pas zgjedhjeve, partia e shumicës ka ende gjasa të ketë diferencë shumë të vogël. Kjo do të thotë se Presidenti Biden do të jetë në gjendje të gjejë pak më shumë gjuhë të përbashkët në senat, pavarësisht se kush është në krye. Pjesa më e madhe e arritjeve legjislative të zotit Biden në detyrë kanë qenë nënprodukt i negociatave dypartiake në Senat.

Megjithatë, një Senat i udhëhequr nga republikanët mund të miratojë projektligjet e dërguara nga një Dhomë e dominuar nga republikanët, duke ushtruar presion politik mbi Presidentin Biden. Republikanët do të rifitonin kontrollin e komisioneve dhe, me të, fuqinë për të kryer hetime dhe mbikëqyrje të administratës.

Një Senat republikan gjithashtu mund t’ia vështirësojë punën Presidentit Biden duke bllokuar ose vonuar kalimin e kandidatëve të presidentit për në degën gjyqësore dhe ekzekutive.

 

ÇFARË NDODH NËSE FITOJNË DEMOKRATËT?

Nëse demokratët do të mbanin Senatin dhe republikanët do të fitonin Dhomën, dy dhomat nuk do të kishin gjasa të gjenin shumë gjuhë të përbashkët. Por republikanët mund të përpiqen të fitojnë senatorët më të moderuar demokratë për disa legjislacione.

Nëse demokratët do të ishin në gjendje të mbanin Dhomën dhe Senatin, ata ka të ngjarë të rifillojnë negociatat për disa nga pikat e rendit të ditës të Presidentit Biden që nuk u miratuan kurrë, përfshirë paketën e tij të re të programeve sociale dhe ekonomike që ngeci nga mosmarrëveshjet e brendshme të demokratëve.

 

SI DUKET HARTA E DHOMËS SË PËRFAQËSUESVE?

Shumica e zonave elektorale për në Dhomën e Përfaqësuesve nuk janë konkurruese, falë një procesi të rindarjes që lejon legjislaturat e shtetit të përcaktojnë zonat zgjedhore nëse dëshirojnë. Shumë legjislatura hartojnë zonat për t’i dhënë përparësi njërës ose tjetrës palë. Megjithatë, dhjetëra vende janë në garë, përfshirë shumë prej atyre të mbajtura nga demokratët që fituan në rrethet periferike në vitin 2018, duke i dhënë partisë shumicën për atë vit.

voa

Kanali i ri në Detin Baltik do ta bëjë lundrimin e anijeve polake të pavarur nga Rusia

Kanali i ri ne SkowronkiPolonia po ndërton një kanal të ri në mënyrë që anijet që lundrojnë në drejtim të Detit Baltik të mos jenë të detyruara të kalojnë nëpër ujërat territoriale ruse.

 

Ajo ishte një festë e madhe për një rrugë të shkurtër: Në mes të muajit shtator, kryeministri polak Mateusz Morawiecki dhe presidenti i shtetit Andrzej Duda inaguruan në bregdetin polak një kanal, që lidh portin e Elblagut me Detin Baltik. Kanali është një e çarë 1,3 kilometra e gjatë nëpër Vistula Spit, një rrip i gjatë gadishulli, një pjesë e të cilit ndodhet në Poloni, kurse pjesa tjetër në enklavën ruse të Kaliningradit. Kanali do t’u kursejë anijeve në të ardhmen një rrugë 60 kilometra të gjatë, që kalon nëpër ujërat territoriale ruse në afërsi të portit Baltijsk, në Kaliningrad. Midis Polonisë dhe Rusisë ekzistojnë marrëveshje që rregullojnë kalimin nëpër rrugët ujore, por shpesh qarkullimi pa problem në këtë rrugë varet nga moti në Poloni. Kjo varësi nuk do të ekzistojë më në të ardhmen, këtë gjë shpreson qeveria polake.

 

Një projekt simbolik – kohë më parë se të ndodhte sulmi rus mbi Ukrainë

Duke pasur parasysh sulmin rus ndaj Ukrainës dhe marrëdhëniet e keqësuara shumë së fundi midis Polonisë dhe Rusisë, Kanali duket se ka ardhur në momentin e duhur. Por projekti ka kohë që është duke u planifikuar dhe diskutuar. Në vitin 2006, kryetari i tanishëm i Partisë Drejtësi dhe Ligj (PiS) dhe ish- kryeministri Jaroslav Kazhynski, e patën shtyrë fillimin e projektit që është diskutuar me dekada të tëra, pasi Rusia u refuzoi anijeve ndërkombëtare kalimin në ngushticën detare të Baltijskut, për shkak të skadimit gjoja të afatit të kontratës. Kontrata e lidhur në vitin 2009, e qetësoi gjendjen sërish dhe Donald Tusk, pasardhësi i Kazhynskit në post, nuk vendosi ndonjë prioritet për projektin. Por me marrjen e pushtetit nga partia nacionalokonservatore PiS në vitin 2016, projekti për ndërtimin e kanalit morri hov të ri. Në vitin 2019 filluan më në fund punimet.

Segmenti i parë i ndërtuar i kanalit u hap më 17 shtator 2022, pikërisht në ditën e përvjetorit të sulmit sovjetik ndaj Polonisë – një ditë simbolike. Pak ditë pas sulmit gjerman më 1 shtator 1939 ndaj Polonisë, Ushtria e Kuqe pushtoi territoret lindore polake, duke u bazuar në një shtesë sekrete të Paktit midis Hitlerit dhe Stalinit. Dhe tani, pikërisht 83 vjet më vonë, kryeministri polak Moraviecki me krenari ditën e inagurimit postoi një mesazh në twitter duke thënë: “Kanali për lundrimin e anijeve nëpër Vistula Spit që po hapet sot, është një rrugë drejt lirisë, rrugë e shanseve dhe e mundësive të reja. Në përvjetorin e 83-të të sulmit të Bashkimit Sovjetik ndaj Polonisë ne marrim në mënyrë simbolike edhe kështjellën e fundit për të arritur pavarësinë nga Rusia.”

“Ideja ishte që të hapnim në mënyrë simbolike rrugën ujore, në mënyrë që të mos na duhet t’u lutemi për leje kalimi një vendi që nuk është miqësor me ne, një vendi që nuk druhet të sulmojë të tjerët dhe t’i skllavërojë,” tha presidenti i shtetit, Duda. Dhe shefi i PiS, Kazhynski, që ishte i pranishëm, premtoi shumë vende të reja pune që lidhen me ndërtimin e kanalit, që është kthyer në një nga projektet fanar për PiS.

 

Politikë simbolike: Kanali është ende në ndërtim

hartaEdhe festimet e hapjes së kanalit kishin natyrë simbolike. Për transportin ujor asgjë nuk ka ndryshuar: Anijet e transportit duhet të kalojnë ende nëpër ujërat ruse, sepse kanali i ri është ende dy metra e gjysmë i thellë, thellësi që nuk mjafton për anijet e mëdha të mallrave. Thellimi deri në pesë metra i vijës së lundrimit është ende në procesin e punimeve. Përveç kësaj në Elblag duhet ngritur një rrethore për kthimin e anijeve. 500 milionë eurove të dhëna deri tani u duhen shtuar edhe shumë miliona të tjerë.

Kur të përfundojnë punimet e ndërtimit të kanalit, pritet që anijet deri 100 metra të gjata dhe 20 metra të gjera të mbërrijnë në portin e Elblagut. Po ashtu pritet të lehtësohet edhe Gdansku, që ka portin më të madh të kontenierëve në hapësirën e Detit Baltik, sepse anijet mesatare të mallrave do të mund të dërgohen direkt për Elblag.

 

Ngarkesat që vijnë në Gdansk, mund të transportohen me anije më të vogla transporti, të ashtuquajturat anijet feeder, anijet ushqyese, për në Elblag, ku mund të bëhet zbarkimi dhe si rrjedhojë rrjeti i rrugëve dhe shinave do të lehtësohet, kështu shpresohet.

Aktualisht në Elblag përpunohen 90 mijë ton mallra, Me përfundimitn e rrugës së re detare, kapaciteti mund të rritet deri në 3,5 milionë ton në vit. Tingëllon si sasi e madhe, por nuk mjafton patjetër për ta kthyer portin në motor për zhvillimin ekonomik, siç ka premtuar PiS. Sa për krahasim: Në Gdansk përpunohen çdo vit 60 milionë tone mallra, në Hamburg rreth 130 milionë ton.

 

Kritika për kanalin: Gropa të mbushura me llum dhe ujëra të turbullta 

Reagimet e banorëve të gadishullit për projektin e madh prestigjioz të PiS në rajonet e lidhura direkt me të, janë të ndryshme. Krzysztof Rogovski punon dhe jeton në një shtëpi që ndodhet një kilometër larg kanalit të ri.

Shtëpia e vjetër me tulla është e shekullit të 19-të, në atë kohë këto territore në verilindje të Polonisë së sotme ishin pjesë e Prusisë Lindore. Në vitin 1945 Elblingu prusiano-lindor u kthye në Elblagun polak. Nga dritarja e shtëpisë së tij, Rogovski sheh çdo ditë makinat e ndërtimit. Ai mendon se projekti është një “aksion thjesht propagandistik”, që megjithë premtimet nuk hap vende të reja pune. Përveç kësaj ekskavatorët që ndodhen para dritareve të shtëpisë nuk do të mbarojnë kurrë punë, mendon ai. “Rrymat detare i mbushin vazhdimisht me rërë të re vendet e sapohapura, toka vazhdon të mbetet e mbuluar nga balta. Ekskavatorët do të qëndrojnë këtu përjetë, për të thelluar vazhdimisht korsinë e lundrimit në kanal”, thotë 50-vjeçari.

Edhe Krzysztof Cibor nga Greenpeace i Polonisë, mendon se ekziston një problem: “Nëpërmjet gërrmimeve të vazhdueshme të  korsisë së lundrimit ujërat turbullohen, gjë që dëmton peshqit e vegjël dhe organizmat filtrues të ujit”, thotë ai.

Përveç kësaj nga çarja e kanalit, që kalon nëpër një zonë të mbrojtur natyrore, shkëputet korridori ekologjik për shumë lloje kafshësh që jetojnë tani në ishull. Ishulli i krijuar në mënyrë artificiale në lagunën e sapokrijuar, midis Elblagut dhe Vistulës, që krijohet nga dheu i gërryer pritet të kthehet në parajsë për zogjtë, por kjo nga ana e saj nuk do t‘i neutralizojë dëmet ndaj natyrës, mendon Cibori.

 

Porti i Elblagut: Plane pa kujdes apo shtetëzim i planifikuar 

Kritika vijnë edhe nga opozita, megjithëse më parë edhe qeveria liberale e ka mbështetur ndërtimin e kanalit. Jerzy Vcisla nga Elblagu, që është anëtar i senatit polak që nga viti 2019 duke marrë vendin e koalicionit qytetar, publikoi tre vjet më parë dokumenta që tregojnë se projekti nuk është planifikuar asnjëherë përfundimisht. Prandaj rrethorja për kthimin e anijeve dhe kilometrat e fundit të korsisë së lundrimit do të duhet të paguhen nga qyteti i Elblagut. Meqenëse qyteti nuk i ka 23 milionët që kërkohen, qeveria ka propozuar që të japë paratë që mungojnë dhe të marrë njëkohësisht portin.

Vcisla i ka kërkuar qeverisë me anë të një apeli që të përfundojë projektin e ndërtimit dhe mijëra polakë kanë nënshkruar thirrjen e tij. “Të mos planifikosh deri në fund me qëllim një investim dhe të bësh që në këtë mënyrë projekti të dështojë, është joekonomike dhe shpërdorim detyre,” tha senatori. Ai mendon se në afat të gjatë kanali pritet të forcojë kryesisht PiS. “PiS kërkon të përmirësojë pozicionin e vet në zgjedhjet parlamentare dhe lokale që pritet të mbahen. Në fushatën zgjedhore në Elblag përfitojnë shumë politikanë duke premtuar për portin një zhvillim të madh, me kushtin që porti të kontrollohet nga shteti”, thotë Vcisla.

Politikani druhet se nëse shteti merr kontrollin, atëherë PiS do të japë postet lukrative tek anëtarët e partisë duke u forcuar më shumë në Elblag, një zonë ku votuesit ia japin votën më shumë liberalëve.

Për politikanin lokal të PiS, Marek Pruszak, anëtar i Këshillit të qytetit të Elblagut, shtetëzimi i portit do të thoshte që qyteti të marrë më shumë para nga shteti. “Është po ashtu një shans për zhvillimin në shumë sektorë si gastronomi, hoteleri dhe turizëm,” thotë ai. Pruszak shpreson tek shuarja e grindjeve të tanishme midis qytetit dhe qeverisë. “Sipas planit aktual deri në fund të vitit 2023 në port do të zbarkojnë anijet e para të mëdha”, shpjegon politikani lokal. Ai shpreson që anijet të vijnë më mirë që para vjeshtës, kur në Poloni të zhvillohen zgjedhjet parlamentare.

dw

BB: Ekonomitë e Ballkanit po vuajnë ndikimet e luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve

bb ballkaniNjë raport periodik i Bankës Botërore, i publikuar sot, vë në dukje se ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor vijojnë të ndikohen nga lufta në Ukrainë, rritja e mprehtë e çmimeve të energjisë dhe ngadalësimi i rritjes globale.

 

“Ndërsa rritja në gjysmën e parë të vitit 2022 rezultoi relativisht e fuqishme, është e qartë se rajoni tani po shkon drejt një stuhie tjetër,” deklaroi gjatë prezantimit të raportit në Vjenë, të Austrisë, Sanja Madzarevic-Sujster, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe autore kryesore e raportit. “Një kombinim goditjesh po rëndojnë shumë në perspektivën e rajonit. Kushtet më të shtrënguara të financimit global, një ngadalësim i kërkesës së brendshme dhe të jashtme, si dhe dobësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit sigurisht që do të ndikojnë në sektorin financiar të rajonit”, u shpreh ajo.

Përveç shtrëngimit të kushteve të financimit, raporti thekson se rreziqet e një shpërthimi dimëror të COVID-19 mbeten dhe zinxhirët globalë të furnizimit vazhdojnë të jenë nën trysni. “Në afat të shkurtër, qeveritë duhet t’i japin përparësi mbështetjes së politikave për shtresat vulnerabël, duke siguruar që masat të jenë të synuara dhe të kufizuara kohore për të minimizuar rreziqet fiskale”, nënvizon raporti.

 

Shqipëria

Për Shqipërinë Banka Botërore pret që rritja ekonomike të ngadalësohet në 3.2 përqind, më poshtë se parashikimet për një rritje prej 3.7 përqind, të qeverisë shqiptare, por dhe Fondit Monetar ndërkombëtar. Për dy vitet e ardhshme, aktiviteti ekonomik pritet të zbresë më tej, respektivisht në 2.3 përqind në 2023-shin dhe 2.5 përqind në vitin 2024, niveli më i ulët në rajon. Për vitin e ardhshëm qeveria shqiptare parashikon një rritje në nivelin e 2.6 përqind, ndërsa FMN-ja afro 2 përqind.

Në raportin e saj, Banka Botërore vë në dukje se inflacioni i lartë, i përkthyer veçanërisht në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe kostove të transportit, do të ndikojë negativisht te qytetarët më të varfër, duke frenuar përparimin në uljen e varfërisë. Sipas Bankës Botërore në muajin korrik inflacioni i çmimeve të ushqimit dhe të transportit u rrit përkatësisht në 13.2 dhe 19.7 përqind.

“Inflacioni ushqimeve dhe energjisë janë faktorë që mund të çojnë drejt varfërisë një numër relativisht të madh të njerëzve duke qënë se këto elemente kanë një peshë të rëndësishme në shportën e mallrave të konsumit, për këto grupe vulnerabël”, vuri në dukje gjatë prezantimit të raportit për Shqipërinë, Ilda Shllaku, ekonomiste e lartë e Bankës. Sipas saj, skema e ndihmës sociale, dhe instrumentat që duhen përdorur nga qeveria, duhet t’i përshtaten në kohë situatës.

Sa i përket projektit të qeverisë shqiptare për aministinë fiskale, menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë Emanuel Salinas, shpjegoi se Banka Botërore ka qenë pjesë e konsultimeve të ndërmarra nga autoritetet. “Ne e kuptojmë se në këto momente qeveria po përpiqet të rrisë të ardhurat, dhe kjo perceptohet si një mundësi. Fryma e këtij projeligji ka një sërë rreziqesh dhe ne ia kemi komunikuar qeverisë. Kështu që çdo vendim që do të marrin, duhet të jetë një vendim mbi të gjithë informacionin e duhur, me shpresën që të minimizojë këto rreziqe gjatë përpjekjes për të marrë maksimumin nga ky vendim”, u shpreh ai.

Kundër aministrisë fiskale është rreshtuar haptazi dhe Bashkimi europian por dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit Shqipëria nuk i ka kushtet për realizimin e një amnistie në formën e propozuar.

 

Kosova

Rritja ekonomike u ngadalësua në fillim të vitit 2022 dhe veprimtaritë ekonomike në Kosovë, u ndikuan nga rritja globale e çmimeve, thuhet në raportin e Bankës Botërore, sipas së cilës, rritja vjetore ekonomike e Kosovës do të tkurret në 3.1 për qind.

Gjatë muajve të parë të vitit 2022 rritja ekonomike e humbi vrullin për shkak të inflacionit dhe krizës në sektorin energjetik. Si importuese e ushqimeve dhe energjisë, Kosova është veçanërisht e cënueshme nga inflacioni i importuar i cili në muajin gusht arriti në 13 për qind nga 7.1 për qind sa ishte në muajin janar.

Tregu i punës, sipas raportit, vazhdon të pasqyrojë dobësi kronike dhe karakterizohet nga çekuilibri i dukshëm gjinor si dhe me mospërputhje të shkathtësive dhe emigrim të fuqisë punëtore.

voa

Ischinger: Rajoni i Ballkanit mbart potencial shpërthyes

IschingerIsh i dërguari i Bashkimit Evropian në negociatat për statusin e Kosovës, Wolfgang Ischinger, tha të hënën se Ballkani Perëndimor është rajoni i vetëm në Evropë që bart potencial shpërthyes për shkak të historisë dhe arsyeve të tjera.

 

Ai i bëri këto komente gjatë një konference në Prishtinë me temën “gjeopolitika e re pas agresionit rus kundër Ukrainës”, ku tha se afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian do të rriste qëndrueshmërinë e rajonit.

“Rajoni juaj është i vetmi rajon në Evropë që ende bart potencial shpërthyes për shkak të historisë dhe arsyeve tjera. Dhe nëse jam i sigurt për një gjë pas 45 vjetësh përvojë diplomatike, e di se kolegët, diplomatët dhe strategët rusë shumë të zgjuar, e dinë saktësisht se si dhe ku të eksplorojnë dobësitë, dhe nëse shoh dobësi përtej kufijve të vendit tim, e di se këto dobësi janë jo aq të shumta, të themi në Danimarkë ose Irlandë ose në vende të tjera të Bashkimit Evropës, por ato janë shumë të dukshme në këtë pjesë të Evropës. Prandaj ne duhet të përshpejtojmë proceset për afrimin e vendeve të rajonit më afër, më shpejt nën ombrellën e BE-së”, tha ai.

Zoti Ischinger tha se duke pasur parasysh vështirësitë aktuale dhe të vazhdueshme që kalon Kosova, duhet një proces i përshpejtuar për anëtarësim në NATO.

“Hapi i parë i këtij procesi duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në partneritet për paqe, ky është një hap i lehtë për t’u ndërmarrë. Unë mendoj se ky do të ishte projektimi i hapave për të ndihmuar në qëndrueshmërinë e rajonit dhe për të dërguar një sinjal të drejtë për Moskën dhe për ta bashkuar rajonin më afër”, tha zoti Ischinger.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola van Cramon, bëri thirrje për një marrëveshje Kosovë-Serbi për të hapur mundësinë e integrimeve evropiane.

“Por ne duhet të marrim parasysh se kur bëhet fjalë për dialogun, ne kemi nevojë gjithashtu për një shkallë të caktuar të kompromisit nga të dyja palët dhe me të vërtetë shpresojmë se do ta arrijmë këtë sepse ne kemi nevojë që ky proces dhe dialogu të përfundojë për të kaluar nëpër gjëra tjera që janë në tryezë, qoftë në Këshillin e Evropës, qoftë në anëtarësim në Bashkimin Evropian apo qoftë në NATO, e shoh që ky dialog pa asnjë mëdyshje është gjëja e parë që duhet ta përfundojmë”, tha ajo.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çelësi i qëndrueshmërisë në rajon.

“Njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është vitale për gjithë Evropën sepse mbyll disa çështje të hapura e të rrezikshme. Nëse ato mbyllen mendoj se do të mund të hapin një kapitull të ri të rëndësishëm për integrime evropiane por edhe ë paqes e sigurisë në kontinentin tonë”, tha zoti Konjufca.

Diplomatët evropianë bën thirrje që Bashkimi Evropian të përshpejtojë proceset integruese për Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të fitojë besimin e humbur gjatë këtyre viteve të fundit.

voa

 

Von der Leyen viziton Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der LeyenBashkimi Evropian ka përsëritur se lidhjet me vendet e Ballkanit Perëndimor i sheh me një rëndësi të veçantë dhe ka ritheksuar gatishmërinë që ato lidhje të forcohen.

 

Në të njëjtën kohë, BE-ja është shprehur e gatshme të përfshijë edhe vendet e këtij rajoni në disa politika të saj, përfshirë edhe në planet për sigurimin e burimeve të reja të furnizimit me energji elektrike, gaz dhe naftë, në kohën kur BE-ja po ndërmerr masa për të zvogëluar ndikimin nga Rusia.

Për këto, si dhe për temat tjera, pritet të diskutohet në takimet që liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kenë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila këtë javë do të nisë një turne katër ditësh nëpër gjashtë vendet e këtij rajoni.

Vizitat në vendet e Ballkanit Perëndimor presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyn do t’i nisë në Shkup të mërkurën. Prej atje të enjten do të vizitojë Kosovën, prej nga të njëjtën ditë do të vazhdojë për në Tiranë.

 

Von der Leyen do ta vazhdojë turneun në Sarajevë më 28 tetor dhe në Beograd. Këtë turne nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor presidentja e Komisionit Evropian do ta përmbyllë me vizitë në Mal të Zi të shtunën, më 29 tetor.

Von der Leyen në rajon do të diskutojë me bashkëbiseduesit e saj edhe për bashkëpunimin rajonal, reformat evropiane, gjetjet e raporteve të fundit të progresit dhe për sfidat e përbashkëta, siç janë edhe menaxhimi i migracionit dhe përballja me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimit. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe pasojat që ka, si për rajonin e Ballkanit, ashtu edhe për tërë Evropën, do të jetë po ashtu një prej temave që pritet të diskutohen.

Në Bruksel thonë se tashmë është evidente se ka ardhur deri tek intensifikimi i kontakteve në nivele më të larta mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo do të vazhdojë. Janë zhvilluar disa takime në nivel të ministrave edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, ku merr pjesë edhe BE-ja.

Ndërkaq, në javën e parë të nëntorit pritet të zhvillohet edhe samiti i Procesit të Berlinit. Më pas, më gjashtë dhjetor, pritet të zhvillohet edhe një samit i veçantë i liderëve të BE-së dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka konfirmuar se samiti do të zhvillohet më 6 dhjetor, por në Tiranë e jo në Bruksel apo Pragë.

“Ne do të zhvillojmë samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në rajon. Më 6 dhjetor në Tiranë, në Shqipëri, për të rikonfirmuar angazhimin tonë të përforcuar” ka shkruar në rrjetet sociale Michel.

 

Ai më tej është shprehur se Ballkani Perëndimor është prioritet kyç për Bashkimin Evropian” dhe se BE-ja dhe se këto vende “kanë nevojë për njëra-tjetrën”.

Samiti i fundit i Ballkanit Perëndimor ishte zhvilluar në Bruksel në fund të qershorit të këtij viti kur kryesimin e radhës me BE-në e kishte Franca. Takimi kishte kaluar në një atmosferë jo edhe aq pozitive, sepse ishin dëgjuar shumë kritika drejtuar BE-së për dështime ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në atë kohë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin të bllokuara në procesin e integrimit dhe nuk mund të nisnin negociatat e anëtarësimit. Nuk kishte lëvizje as në procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën.

Burimet në Bruksel thonë se ndërkohë kanë ndodhur ndryshime pozitive që japin shpresë se procesi i zgjerimit po hyn në një fazë të re. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria tashmë kanë hapur negociatat e anëtarësimit, që nga Komisioni Evropian është quajtur si “kthesë historike në procesin e zgjerimit”.

Para dy javësh Komisioni Evropian ka rekomanduar me kusht që Bosnje e Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat. Ky vendim, nëse Bosnja e Hercegovina përmbush disa kushte, mund të miratohet edhe në muajin dhjetor.

 

Edhe procesi i liberalizimit të vizave me Kosovën ka lëvizur nga vendi dhe është zhvilluar diskutimi i parë në grupin punues të Këshillit për vizat. Me përjashtim të Serbisë, të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

Të gjitha këto nga zyrtarët e BE-së në Bruksel shihen si dëshmi se në muajt e fundit ka pasur lëvizje pozitive në raportet e BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe kjo do të konfirmohej në një samit të përbashkët në kryeqytetin e Shqipërisë.

Edhe në këtë samit do të marrë pjesë po ashtu presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përgatitjet për atë takim mund të jenë ndër temat që ajo do t’i diskutojë gjatë qëndrimit të saj këtë javë në vendet e rajonit.

rel

Joseph: Arritja e pesë njohjeve nga BE-ja e përfundon lojën e Vuçiqit

Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns HopkinsNjë ndryshim në “qasje dhe mendësi” për dialogun Kosovë-Serbi nga faktori ndërkombëtar, mund të çojë në njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende s’e njohin, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë profesori Edward P. Joseph, nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington.

 

Sipas tij, ka përpjekje serioze që Kosova të sigurojë njohjen nga pesë shtetet e BE-së: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Ai thotë se një sinjal për këtë është edhe deklarata e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë televizionit Kanal 10 më 19 tetor, se “njohja nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së është më e rëndësishmja që Kosova mund të marrë nga cilido proces”.

Në të njëjtën kohë, shton Joseph, “kemi raportime të pakonfimuara, por raportime se propozimi franko-gjerman vendos në qendër njohjen e Kosovës nga shtetet jonjohëse të BE-së”.

Ky propozim, në të cilin thirret Joseph, qarkullon në mediat në Kosovë tash e një muaj dhe thuhet se ka për qëllim të lehtësojë zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Mes tjerash, propozimi parasheh që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në këmbim të anëtarësimit më të shpejtë në BE.

Propozimi, sipas raportimeve, nuk përmend njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, por njohjen e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se ajo nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Joseph thotë se pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, deri më tani, i kanë dhënë një avantazh apo fuqi të padrejtë Serbisë për të bllokuar Kosovën në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kur ia largon fuqinë Serbisë, krijon mundësinë për atë që të gjithë e duan. Një negociatë të drejtë (të balancuar). Askush nuk dëshiron ta poshtërojë Serbinë, por qëllimi është një negociatë e drejtë”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se këto njohje do ta përfundonin “lojën e Aleksandar Vuçiqit”, president i Serbisë, i cili, siç thotë Joseph, pretendon se “dëshiron kompromis të drejtë me Kosovën” dhe se “është partner i Perëndimit”.

“(Kur të arrihet njohja nga pesë vendet e BE-së) njohja e Serbisë do të jetë e pashmangshme dhe më pak e rëndësishme”, thotë Joseph.

Qasja e re në dialog

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

Kosova insiston që marrëveshja përfundimtare me Serbinë ta ketë njohjen reciproke në qendër, por Serbia kundërshton.

Në javët e fundit, në Kosovë dhe Serbi ka pasur vizita të shpeshta të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, me qëllim të diskutimit të dialogut.

Joseph thotë se këto vizita sinjalizojnë një ndjesi urgjente për ndryshimin e qasjes karshi këtij procesi.

Kjo qasje e re në dialog, thotë ai, është propozuar edhe në një raport analitik, të publikuar nga Instituti për Politika të Jashtme dhe Qendra Wilson në Uashington, në janar të këtij viti.

Në këtë raport, ku ka edhe autorë nga Ballkani, thuhet se “njohja e Republikës së Kosovës nga shtetet mosnjohëse do ta transformonte dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës të udhëhequr nga BE-ja”.

Sipas këtij raporti, një lëvizje e tillë do të ndikonte në stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit.

Ky raport, po ashtu, përshkruan disa hapa se si një strategji e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, do të mund të siguronte njohjet e kërkuara, duke punuar së pari me Greqinë.

Joseph thotë se ka sinjale që kjo mendësi karshi dialogut Kosovë-Serbi vjen nga administrata e presidentit aktual të SHBA-së, Joe Biden.

“Ky është një ndryshim shumë i madh në perceptim dhe pozicion nga Shtetet e Bashkuara dhe administrata Biden”, thotë Joseph.

Sipas tij, “është krejtësisht e mundur” që hapa konkretë drejt këtij plani, të ndodhin në një të ardhme të afërt.

Joseph shton se SHBA-ja ka filluar ta ndërlidhë situatën mes Kosovës dhe Serbisë me “situatën e mjerë në Evropë”, që ka shkaktuar pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Ai përmend faktin se Serbia është ndër vendet e vetme në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Duhet të largohen iluzionet se [Aleksandar] Vuçiq është partner [i Perëndimit] apo se Serbia është në anën e duhur të historisë”, thotë Joseph.

Problemet me Asociacionin dhe targat: “Po shpërblehet Serbia”

Dy nga çështjet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë dhe ndër më problematiket kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe me ndërrimin e targave ilegale të veturave në veri të Kosovës.

Formimi i një asociacioni prej dhjetë komunash me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me një marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, në vitin 2013.

Në vitin 2015, ndërkaq, palët kanë arritur një marrëveshje mbi parimet për krijimin e këtij asociacioni. Por, ajo nuk është zbatuar asnjëherë, pasi, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka pasur elemente që bien në kundërshtim me Kushtetutën.

Që nga ajo kohë, BE-ja ka përsëritur vazhdimisht qëndrimin se Kosova dhe Serbia duhet t‘i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe atë për Asociacionin. Kjo është kërkesë e vazhdueshme edhe e SHBA-së.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik, ndërsa Serbia këmbëngul që ai të formohet dhe kërkon që të ketë kompetenca ekzekutive.

Joseph mendon se fjala kyçe në këtë çështje është sekuenca (rendi i veprimeve) e jo përmbajtja (si duket Asociacioni).

Ai mendon se është obligim i Kosovës zbatimi i kësaj marrëveshjeje, por shton se “nuk mund të finalizohet statusi i serbëve të Kosovës pa pasur në të njëjtën kohë një finalizim të marrëdhënies mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Në esencë, ekziston një pozicion i armiqësisë aktive nga Serbia për Kosovën. Nuk mund të kesh një fqinj armiqësor dhe në të njëjtën kohë të zgjidhet statusi i serbëve të Kosovës, që kontrollohen nga Serbia përmes Listës Serbe [subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë]”, thotë Joseph.

Në veri të Kosovës, ndërkohë, serbët kanë edhe më pak se dhjetë ditë kohë për t’i riregjistruar makinat e tyre me targa që i lëshon Kosova.

Që nga paslufta, më 1999, ata vozisin makina me targa që i lëshon Serbia, e që nga Kosova konsiderohen si të paligjshme.

Qeveria e Kosovës ka dhënë dy muaj kohë për riregjistrimin e makinave, nga 1 shtatori deri me 31 tetor.

Meqë kjo çështje, më herët, ka qenë burim i tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, Escobar tha se ka kërkuar shtyrjen e afatit të riregjistrimit për rreth dhjetë muaj.

Joseph mendon se kjo kërkesë, qoftë nga SHBA-ja apo BE-ja, është e padrejtë t’i bëhet Kosovës, pa e balancuar me një kërkesë për sundimin e ligjit në veri.

“Problemi është që po shpërblehen ata që krijojnë jostabilitet. Nuk mjafton që SHBA-ja dhe BE-ja vetëm t’i kërkojnë shtyrje Kosovës. Problemi nuk është [vetëm] të shmanget dhuna në veri, por sundimi i ligjit në Kosovë, përfshirë veriun, dhe adresimi i strukturave kriminale në veri”, thotë Joseph.

Në veri të Kosovës, me vite, funksionojnë struktura paralele që financohen nga shteti serb.

Rikujtojmë se në lidhje me kërkesën për shtyrje të riregjistrimit, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka për obligim “zbatimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe vendimt qeveritare”.