Shkupi dhe Sofja mobilizohen për përvjetorin e Dellçevit

GoceMaqedonia e Veriut do të bëjë gjithçka që përvjetorin e lindjes së Goce Dellçevit, më 4 shkurt, në Shkup të kalojë në mënyrë të dinjitoze dhe pa incidente, ka deklaruar të hënën kryeministri Dimitar Kovaçevski.

 

Ai këto deklarata i bëri teksa komentoi tensionet mes dy vendeve pas incidentit në Ohër, më 16 janar, ku u sulmua fizikisht një pjesëtar i një klubi kulturor bullgar që mban emrin “Car Borisi i Tretë”.

Pas këtij incidenti që çoi edhe në tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Shkup, disa grupe bullgare të udhëhequra nga euro-deputeti, Angel Xhambaski, kanë paralajmëruar vizitë në Shkup, më 4 shkurt, që nga presidenti maqedonas, Stevo Pandarovski, është parë si një ngjarje me “rrezik të lartë”.

Në Shkup, të hënën, ka qëndruar ministri i Punëve të Brendshme i Bullgarisë, Ivan Demerxhiev, dhe në fokus të takimit me homologun e tij maqedonas, Oliver Spasovski, ka qenë pikërisht 4 shkurti dhe masat që kanë ndërmarrë dy ministritë për evitimin e incidenteve të mundshme.

Goce Dellçev është një personalitet që ka vepruar në periudhën e para Luftës së Dytë Botërore dhe si Shkupi ashtu edhe Sofja pretendojnë identitetin e tij kombëtar.

“Ne si shtet do të bëjmë gjithçka që 4 shkurti të festohet në mënyrë dinjitoze dhe pa provokime…Provokimet janë nxitur nga individë dhe grupe që janë kundër rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, por edhe kundër integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian. Ato provokime vijnë nga qendra të caktuara brenda shtetit, në shtetin fqinj [Bullgari] si dhe nga palë të treta të cilat historikisht punojnë që ky rajon të mos jetë pjesë e BE-së dhe e NATO-s”, deklaroi kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Ai theksoi se kjo i është bërë e ditur edhe kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, gjatë një bisede telefonike, sikur që i është bërë e ditur edhe ministrit të Brendshëm bullgar, Ivan Demerxhiev nga homologu maqedonas, Oliver Spasovski.

Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për marrëdhënie të mira me Bullgarinë, në frymën e vlerave evropiane si dhe për respektimin e të gjitha bashkësive etnike, të cilat e ndjejnë këtë shtet si të vetin, sipas tij.

Por, ai tensionet i ndërlidhi edhe me klimën politike në Bullgari, e cila është në fushatë zgjedhore dhe se këto tensione, sipas Kovaçevskit, dikush tenton t’i përdorë për qëllime politike.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Nikolai Milkov, deklaroi në Sofja se pala bullgare është e gatshme për shtensionimin e marrëdhënieve me Shkupin, por në kushte të caktuara.

Sipas tij, kushti më i rëndësishëm është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë drejtoi kritika ndaj autoriteteve maqedonase, për siç tha, “propagandë serioze antibullgare”.

“Ne jemi të gatshëm për shtensionimin e marrëdhënieve në kushte të caktuara. Nuk jemi të kënaqur me rikthimin në gjendjen e dhjetë ditëve më parë. Konkretisht ne kërkojmë mbrojtjen e të drejtave të bullgarëve atje”, tha Milkov për televizionin shtetëror bullgar (BTV).

Ndërkohë, kryeministri maqedonas Kovaçevski, tha se beson në ndryshimin e Kushtetutës që duhet të bëhet për përfshirjen e pakicës bullgare në të. Ai me këtë rast drejtoi akuza ndaj opozitës, e cila e kundërshton këtë me arsyetimin e kjo “nuk do ‘i jepte fund kërkesave bullgare”.

“Duhet të sillen vendime të mençura. Po, është e vështirë të sillen vendime të arsyeshme në kohën kur kemi provokime të paarsyeshme. Sjellja e disave po bën pikërisht atë që të kemi provokime. Nëse biem pre e provokimeve të tilla, ne atëherë do të humbim pasi do të lejojmë që të fitojnë përfituesit, populistët, njerëzit pa vlera, ata pa moral dhe etikë. Do t’i lëmë hapësirë veprimi armiqve të maqedonasve”, deklaroi Kovaçevski.

Tensionet mes dy shteteve janë acaruar në tre muajt e fundit pas hapjes së klubeve bullgare në Manastir dhe Ohër, që u kundërshtuan nga pala maqedonase pasi mbajnë emrat “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mihajlov”, personalitete bullgare që kanë luftuar për bashkimin e territoreve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vitin e kaluar hoqi veton ndaj Shkupit për t’i hapur rrugë bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, bisedimet mund të bllokohen nëse Maqedonia e Veriut nuk bën ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën saj, ashtu siç parashihet me marrëveshjen ndërmjet dy vendeve, bazuar mbi atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.

 

rel

SHBA: Koha për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë

Zoti Chollet duke biseduar në Beograd me Ndihmës Sekretarin e Shtetit Gabriel Escobar dhe me Ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher HillDerek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, i bënë thirrje Kosovës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke e siguruar atë se ky mekanizëm nuk e cenon Kushtetutën, sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

 

Në një shkrim të përbashkët të publikuar në Koha.net dhe Kossev, diplomatët amerikanë thanë se Kosova dhe Serbia duhet të pranojnë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre që do të ndërpriste ciklin e krizave dhe konfrontimit dhe të çonte përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian.

Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dyja palët duhet ta shfrytëzojnë”, thuhet në shkrim në të cilin theksohet se ndër detyrat më thelbësore mbetet zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Duke nënvizuar se zbatimi i kësaj marrëveshjeje është detyrim ligjor ndërkombëtar, të dy diplomatët theksuan se asociacioni “do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për t’i bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si: arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal”. Sipas tyre asociacioni është “mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës”.

Zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin, thuhet më tej “nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të qytetarëve”.

Në tekst theksohet se përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së ka vënë në pah se ekzistojnë 14 aranzhime të ngjashme brenda Bashkimit Evropian – “asnjëri nga to nuk cenon sistemet evropiane të qeverisjes efektive. Brenda kuadrit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova mund të refuzojë opsionet që kërcënojnë strukturën e saj ligjore, por nuk mund të refuzojë zotimet e saj. Si vendi më pro Kosovë në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të mbështesin popullin e Kosovës për të siguruar që struktura e saj kushtetuese dhe ligjore nuk cenohet”, thuhet në shkrimin e përbashkët të diplomatëve amerikanë. Të plotë mund ta lexoni këtu.

Shkrimi u publikua një ditë para një takimi të organizuar nga ambasada amerikane në Prishtinë me përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar këtë çështje që është pika më e vështirë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha javën që lamë pas se marrëveshja për Asociacionin nuk mund të trajtohet me përparësi ndaj marrëveshjeve të tjera. Ai tha se asociacionet e komunave që janë njësi territoriale dhe jo vetëm administrative, mbi baza etnike bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Andaj le të zhvillohen sa më shumë takime e diskutime mirëpo për normalizim të marrëdhënieve që na shpie më afër e drejt BE-së për paqe afatgjate e stabilitet të qëndrueshëm, për siguri për të gjithë pa diskriminuar asnjë njeri nevojitet njohja reciproke në qendër, jo Asociacioni në qendër, as Asociacioni parakusht por njohja reciproke në qendër. E ka thënë presidenti Biden, e ka thënë Kancelari Scholz dhe unë po ua përsëris këtu njëjtë”, tha kryeministri Kurti.

Diplomatët perëndimorë po u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përfitojnë nga propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre që nuk parasheh njohje të ndërsjellë por përkushtim të të dyja palëve që të mos e pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Kryeministri i Kosovës, tha se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutime rreth një marrëveshjeje që duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, por jo asociacionin në qendër.

Në Beograd presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Serbia do të përballej me pasoja të rënda nëse nuk do ta pranonte propozimin që sipas tij është shndërruar në kuadër të ri negociues të Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian.

voa

Schlee: Draft statuti për Asociacionin në Veri të Kosovës mbështetet në pragmatizëm politik

SchleeDraft Statuti për Asociacionin e komunave serbe i hartuar nga fondacioni Friedrich Ebert (FES), publikohet në kohën kur janë shtuar thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.

 

Fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES) prezantoi në Prishtinë (30.01.2023) një draft-statut se si mund të dukej “Asociacioni i Komunave në të cilat komuniteti serb i Kosovës është shumicë”. Ky draft statut, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP) publikohet në kohën kur janë shtuar përpjekjet e komunitetit ndërkombëtarë për arritjen e një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi dhe debatet rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rene Schlee, përfaqësues i FES për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ka thënë se projekti për themelimin e draft statutit për Asociacionin është mbështetur në pragmatizëm politik. Ai ka thënë se tre objektivat e draft-statutit janë se “ai është në një linjë me Kushtetutën, merren parasysh shqetësimet dhe kërkesat e komunitetit serb dhe është në linjë me marrëveshjet e Brukselit, marrëveshjen e parimeve të vitit 2013”.

Në draft-statutin e fondacionit Friedrich Ebert, thuhet se “Asociacioni do të jetë si person juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës”.

“Asociacioni/Bashkësia përbëhet nga sa vijon, dhjetë komuna dhe përfaqëson interesat e tyre dhe të banorëve të tyre. Anëtarësimi në Asociacion/Komunitet është vullnetar. Procedurat për anëtarësim shtesë, largim nga anëtarësimi dhe shpërbërja e Asociacionit/Bashkësisë përcaktohen me Statut. Asociacioni/Bashkësia nuk do t’i zëvendësojë apo zvogëlojë të drejtat dhe interesat e komuniteteve në Republikën e Kosovës, siç parashihen në Kushtetutën e saj dhe të parashikuara me sistemin juridik”, thuhet në një ndër pikat e draftit.

Sipas draftit, një statut i Asociacionit që do të miratohet nga kuvendi themelues i Asociacionit, do të jetë akti më i lartë juridik, dhe ai “miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të marrë pushtetin e një qeverie rregullore sipas sistemit juridik të Kosovës pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”. Drafti përcakton se “aktivitetet e Asociacionit/Bashkësisë bazohen në parimet e pjesëmarrjes vullnetare nga anëtarët e saj, avancimin e demokracisë dhe qeverisjes lokale, si dhe respektimin e dispozitave për mbrojtjen dhe përfaqësimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve të ankoruara në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.

Sipas këtij drafti, Asociacioni/Bashkësia mund të shpërndahet vetëm me vendim të Kuvendit të saj të miratuar nga 2/3 e shumicës së anëtarëve të saj, ndërkaq në rast se vendimi për shpërbërjen merret nga Kuvendi i Asociacionit/Bashkësisë, shpërbërja e Asociacionit/Bashkësisë bëhet nga qeveria.

Asociacioni/Bashkësia sipas draftit “ka të drejtën e vet, buxhetin integral, llogaritë bankare dhe ka të drejtë të zotërojnë pronë dhe angazhohet në transaksione financiare”.

Objektivat kryesore të Asociacionit janë: forcimi i demokracisë lokale, promovimi dhe mbrojtja e etnisë, gjuhës, fesë, dhe formave të tjera të identiteteve kulturore.

“Asociacioni/Bashkësia gjithashtu mund të sigurojë këshilla teknike, ligjore dhe profesionale për bashkitë pjesëmarrëse dhe autoritetet qendrore lidhur me legjislacionin, politikat, aktivitetet dhe angazhimet publike në sferën e kulturës dhe diversitetit kulturor”, thuhet në draft. Po ashtu thuhet se Asociacioni mund të ushtrojë pasqyrë të plotë për të zhvilluar ekonominë lokale. “Asociacioni/Bashkësia e ushtron këtë funksion nëpërmjet lehtësimit të bashkëpunimit ndërmjet bashkive pjesëmarrëse, duke i mbështetur ato në projektim të projekteve, politikave dhe masave që zhvillojnë ekonomitë lokale të tyre”.

Më tej thuhet se Asociacioni, ushtron një “pasqyrë të plotë për të përmirësuar kujdesin shëndetësor parësor dhe sekondar lokal dhe atë social”.

Asociacioni i komunave më shumicë serbe, sipas draftit të hartuar nga  Fondacioni gjerman Friedrich Ebert,  do t’i përmbahet plotësisht Kushtetutës dhe sistemit juridik të Republikës së Kosovës. Mandati i Kuvendit të Asociacionit, do të lidhet me mandatin e kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse.

“Në çdo zgjedhje lokale, brenda një muaji pas themelimit të kuvendeve komunale, kuvendet komunale të themeluara do t’i nënshtrohen procedurës së zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Asociacionit/Bashkësisë sipas procedurave të përshkruara më lart dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në draft.

Thirrjet drejtuar qeverisë së Kosovës që ta bëjë një propozim për themelimin e Asociaiconit të komunave serbe janë shtuar kohët e fundit, sidomos nga emisarët amerikan dhe evropian të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi. Një takim konsultativ për Asociacionin është thirrur për datën 31 janar, nga ambasadae SHBA-së me të gjithë aktorët politik dhe shoqërinë civile. Në këtë takim, kryeministri Albin Kurti, siç ka thënë ai vet, nuk është ftuar.

Partitë politike opozitare që marrin pjesë në takimin e 31 janarit në ambasadën e SHBA-së, nga ana e tyre kanë thënë se është përgjegjësi e qeverisë  që të merret me Asociacionin.

Ndërsa partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, u deklarua kundër themelimit të një “Asociacioni dhe çdo marrëveshjeje tjetër mbi baza etnike”, sipas një njoftimi të kësaj partie. “Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë, brenda kornizave ligjore-kushtetuese”.

Kryeministri Albin Kurti, deri tash është deklaruar disa herë kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar po ashtu atë si një asociacion një-etnik dhe që rrezikon bosnjëzimin e Kosovës. Beogradi zyrtar kërkon me këmbëngulje që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin.

dw

Analistët serbë për rrezikun nga nacionalistët në rast marrëveshjeje me Kosovën

VucicEkspertët serbë të zhvillimeve politike thonë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç mund të përballet me reagime të ashpra dhe të rrezikshme pasi ka pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ata pohojnë se reagimet janë pasojë e retorikës anti-perëndimore të përdorur prej vitesh nga vetë presidenti serb. Sidoqoftë, analistët me të cilët bisedoi kolegu Artan Haraqija vlerësojnë se politika serbe nuk ka një figurë më të fuqishme se sa zoti Vuçiç që të përballet me këto reagime dhe pranimi i propozimit evropian mund ta nxjerrë atë fitues në nivel ndërkombëtar.

 

Pranimi i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, përbën një ndryshim të madh të politikave të tij nacionaliste, thanë për Zërin e Amerikës analistët, Maja Pishçeviç, eksperte nga Beogradi e Këshillit të Atlantikut dhe gazetari Boshko Jakshiç.

“Kemi ardhur deri te pika kur duhet të pyesim, çfarë duam dhe çfarë mund të bëjmë në lidhje me Kosovën? Gjithmonë kam vlerësuar se konflikti duhet shmangur… Vlerësoj se është e rëndësishme të kërkojmë zgjidhje kompromisi”, tha presidenti serb në fillim të konferencës së 23 janarit ku në mënyrë jo të drejtpërdrejtë pranoi propozimin që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Sipas presidentit serb, propozimi përfshin edhe pikën sipas së cilës Serbia nuk duhet të pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata si Këshilli i Evropës, NATO dhe me gjasë edhe OKB.

“Situata në të cilën është tani zoti Vuçiç është një lloj bumerangu. Atmosfera dhe mjedisi, që në masë të madhe është krijuar nga vetë zoti Vuçiç, e armiqësoi Serbinë me Perëndimin dhe tani është vetë ai që duhet të merret me këtë problem. Mendoj se kjo mund të jetë e rrezikshme”, tha për Zërin e Amerikës zonja Pishçeviç.

Qëndrim të njëjtë ka edhe gazetari, Boshko Jakshiç.

“Anëtarët e partisë së tij dhe këtu po flas për 700 000 anëtarë, që presidenti e përmend shpesh me krenari, tani janë në gjendje shoku dhe të hutuar: si ka mundësi që ai i cili u mësonte atyre se Kosova është pjesë e Serbisë, tani po ndryshon politikën e tij. Atij do t’i duhet kohë për të qetësuar këtë gjë. Nëse ai nënshkruan marrëveshje për Kosovën, kjo do të ishte një lloj drejtësie kozmike që ai i cili aktivisht e krijoi problemin e Kosovës, tani duhet ta zgjidhë atë” tha gazetari serb, Boshko Jakshiç.

Ky vendim, marrë parasysh qëndrimet e ashpra ndër vite të presidentit serb, që mbështetet në përkrahjen ruse në qasjen ndaj Kosovës, dukej i pamundur deri më 23 janar.

Serbia kurrë nuk ka bërë dhe nuk do bëjë diçka të dëmshme për interesat e Federatës Ruse”, tha presidenti serb pas takimit me kryediplomatin rus, Sergei Lavrov në Beograd më 2018.

Dy vjet më vonë presidenti serb nuk la asnjë dyshim se ishte i gatshëm t’i thoshte jo integrimit në BE nëse i kërkohej ta njihte Kosovën dhe ta lejonte atë të bëhej anëtare e OKB-së.

“…Që të jem i qartë, përgjigja jonë do të jetë ‘jo'”,tha udhëheqësi serb në Beograd në qershorin e vitit 2020.

Presidenti Vuçiç i ka qëndruar besnik Moskës edhe pasi Rusia nisi agresionin e saj në Ukrainë.

Fjalimi i tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator të vitit të kaluar ishte pothuajse i tëri një sulm ndaj perëndimit.

“Shumë në këtë sallë kanë probleme me respektimin e integritetit territorial të Serbisë. Doni ta dini pse? Sepse ata e kanë pushtetin në duart e tyre dhe në sytë e tyre, ne jemi të vegjël dhe të dobët”, tha presidenti serb.

Perëndimi nuk e ka ndëshkuar dualizmin e politikës së Aleksandër Vuçiçit, që njëkohësisht kërkon integrimin në BE, por edhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Moskën. Jo rrallë herë kjo interpretohej si çështje që kishte adresë vetëm votuesin serb. Dhe, votuesi serb dëgjonte me vëmendje.

Serbia është ndër vendet e rralla ku mijëra veta kanë protestuar më se njëherë në përkrahje të Moskës pas agresionit rus në Ukrainë. Qëndrimet pro-ruse në Serbi kanë shkuar aq larg, sa ato i janë kthyer kundër edhe vetë zotit Vuçiç, kur ai bënte përpjekje që të shkëputej sadopak nga lidhjet me Rusinë.

“Unë erdha në këtë tubim… për të mbështetur Rusinë, duke kundërshtuar edhe veprimet e autoriteteve të Beogradit, të cilët morën vendimin e turpshëm për të votuar kundër Rusisë në Kombet e Bashkuara”,tha Mladen Obradoviç, një protestues serb pro rus në muajin prill të vitit 2022.

Me gjithë shqetësimet, analistët serbë besojnë se Aleksandër Vuçiç mund ta përballojë me sukses reagimin e ashpër që mund të ndodhë në rast të një marrëveshjeje me Kosovën. Zonja Pishçeviç, përmend një mori mediash që kontrollohen nga presidenti serb dhe tani, thotë ajo, po vërehen sinjale të vogla se gjuha e përdorur prej tyre po ndryshon.

“Është hera e parë pas shumë kohësh që shoh shtypin duke folur për nevojën e vendit tonë për t’u kthyer nga perëndimi. Shumë prej tyre nuk e thonin këtë në të kaluarën. Më së shumti publikonin kritika për presionin që i behej Serbisë dhe se perëndimi nuk i mban premtimet”, vlerëson për Zërin e Amerikës, Maja Pishçeviç.

“Nëse zoti Vuçiç e zgjidh problemin, mendoj se ai mund të vazhdojë lehtësisht të jetë një nga autokratët e preferuar të Evropës, siç e cilësoi dikur Angela Merkel (ish kancelarja e Gjermanisë). Nëse presidenti Vuçiç tregon gatishmëri, siç edhe duket, për marrëveshje atëherë ai mund të dalë nga kjo situatë si fitues në nivel ndërkombëtar. Por, jo një fitues në skenën vendore. Kritikat tani kanë filluar, do të ketë shumë armiq nga brenda. Pyetja është, pse zoti Vuçiç, i cili vetë është krijuesi i një politike dhe atmosfere të tillë në Serbi, po bën këtë kthesë të madhe tani?”, pyet gazetari serb, Bosko Jakshiç.

Analistët serbë thonë uniteti i perëndimit i treguar në Prishtinë dhe Beograd, nga tri shtetet më të fuqishme të BE-së, Gjermania, Franca dhe Italia me përkrahjen e Uashingtonit, nuk i ofron më mundësi për manovrime asnjërës palë, pasi pasojat janë të qarta, një gjë që e pranoi publikisht edhe presidenti serb.

“Që në fjalinë e dytë më është thënë, duhet ta pranoni këtë plan. Nëse nuk e pranoni, procesi i negociatave për integrim evropian do ndërpritet. Së dyti, do ndërpriten dhe tërhiqen investimet e huaja dhe me të gjitha masat gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike që do ndërmerren, do t’i bëhen dëme të mëdha Republikës së Serbisë. Kjo më është përsëritur tre herë”, tha presidenti Vuçiç më 23 janar.

“Shqetësimi im është kur dëgjoj opozitën duke thënë se nuk duam ta mbështesim zotin Vuçiç sepse, tani, kur ai ndodhet përballë kësaj zgjedhjeje të vështirë ka dëshirë ta ndajë përgjegjësinë dhe barrën me ne. Unë mendoj se kjo është e gabuar. Pranimi i këtij propozimi nuk është përkrahje për zotin Vuçiç. Ajo do të ishte një PO për të ardhmen e Serbisë. Ne kemi humbur mijëra të rinj të shkolluar vetëm gjatë vitit të kaluar. Largimi i trurit nga vendi është tejet i rrezikshëm. Pranimi i propozimit është PO edhe për dhjetëra mijëra serbët e Kosovës”, tha zonja Pishçeviç.

“Ndryshe nga opozita, përfshirë atë pro-evropiane unë nuk kam asgjë kundër që ai ta zgjidhë problemin. Kushdo që e zgjidh atë shpëton Serbinë, Kosovën dhe ndoshta tërë rajonin, shpëton unitetin evropian, që është i nevojshëm për t’u përballur me Rusinë. Me një marrëveshje për Kosovën, Serbia mund të zvogëlojë kapacitetin shantazhues të Rusisë, sepse në Moskë e përdorin Kosovën gjatë gjithë kohës, duke u paraqitur si mbështetës të integritetit territorial të Serbisë”, vlerëson gazetari Boshko Jakshiç.

Analistët serbë thonë se trysni e ngjashme nga perëndimi është bërë edhe ndaj Prishtinës. Por, sfida e kryeministrit Kurti, sidomos me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për çfarë ai është kritikuar sidomos nga Uashingtoni, nuk është sfidë më e madhe se sa ajo me të cilat përballet presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili, sipas tyre, duhet të bëjë kompromis me diçka që shkon në kundërshtim me të paktën dy dekada të të bërit politikë në Beograd, ku Kosova vazhdon të trajtohet si pjesë e pandashme e Serbisë.

rel

Zonat e mbrojtura natyrore në Shqipëri, një vit pas rishikimit të kufijve

VjosaQeveria shqiptare rishikoi një vit më parë kufijtë e zonave të mbrojtura natyrore në Shqipëri. Në disa prej sipërfaqeve të hequra nga Parku i Butrintit dhe i Divjakë – Karavastasë janë shfaqur pasojat e para negative, ndërsa një përparim pozitiv shihet në statusin e lumit Vjosa si Park Kombëtar. Disa organizata mjedisore në Shqipëri kanë krijuar një koalicion për zonat e mbrojtura që synon adresimin e problemeve që po krijohen, jo vetëm tek autoritetet, por edhe në gjykatë.

 

Në disa prej tyre kemi konflikte të drejtëpërdrejta. Në Butrint dihet që menjeherë pas heqjes së zonës së mbrojtur është dhënë një leje për resort turistik. Në Karavasta ne shikojmë zënie të territorit nëpërmjet infrastrukturës bujqësore dhe humbje të habitatit dhe jo vetëm. Po shikojmë madje edhe investime startegjike të dhëna brenda zonave të mbrojtura dhe janë inevstime që nuk shkojnë me integritetin ekologjik të vetë zonave të mbrojtura.

Zoti Bino thotë më tej se vetëm në Parkun e Divjakë Karavastasë pas rishikimit të kufijve gjatë vitit 2022 sipërfaqja e habitateve e zënë me aktivitete bujqësore, kryesisht sera, shkoi në 39,58% nga 0.82 % që ishte në vitin 2005 dhe 7,75 % që ishte në vitin 2012.

Pjesë e koalicionit për zonat e mbrojtura është një tjetër organizatë “Eco Albania” . Drejtuesi i saj Olsi Nika thotë se rishikimi i zonave të mbrojtura i ka hapur rrugë investimeve, të cilat po duken dita ditës në ato sipërfaqe që u hoqën nga zonat e mbrojtura.

“Duket dhe e po vërtetohet gjithnjë e më shumë që gjithë rishikimi i rrjetit kombëtar të zonave të mbrotjura është bërë pikërisht për t`i hapur rrugë investimeve. Ka raste që janë shumë të avancuara sic është rasti i Aeroportit të Vlorës, pra është hequr pjesa e zonës së mbrojtur për tu zhvilluar ky investim ashtu si ka të tjera që janë në fazë planifikimi. Unë mund t`ju them që 75% e gjithë investimeve strategjike që kanë kaluar përmes Komisionit të Investimeve Strategjike janë të lokalizuara brenda rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura dhe shumica e tyre pikërisht në këto hapësira që janë krijuar nga procesi i rishikimit.”

Konventa e Bernës, një instrument juridik ndërkombëtar, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar, u kërkoi autoriteteve shqiptare fundvitin e shkuar pezullimin e punimeve për Aeroportin e Vlorës për shkak “të mungesës së dukshme të respektimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Rishikimi i hartës së zonave të mbrojtura duhet parë si për efektet pozitive edhe ato negative, thotë Mirjant Topi, një tjetër studiues dhe aktivist i mjedisit.

“Një prej zhvillimeve pozitive që solli ky proces ishte rritja e sipërfaqes së përgjithshme të rrjetit kombëtar zonave të mbrojtura të vendit që sot ka arritur në 21 % të sipërfaqes së përgjithshme të vendit. Një zhvillim tjetër pozitiv ishte fakti që u përmirësua dhe u njësua statusi ligjor i disa zonave sepse ka pasur kontradiktë ligjore. Psh, Ligji i Zonave të Mbrojtura theksonte që një Monumet Natyre ka një sipërfaqe deri në 15 ha, ndërkohë që ne kishim Monumente Natyre me një sipërfaqe shumë më të madhe.

Ndërsa zhvillimet më negative thotë zoti Topi lidhen ngushtësisht me zonat ligatinore dhe bregdetare që përfaqësojnë dhe zonat më të rralla në Shqipëri të cilat përbëjnë rreth 3% të totalit të zonave të mbrojtura në Shqipërisë.

Por, ndërsa në disa zona të mbrojtur natyrore shihen efektet e para negative pëparime po bëhen në menaxhimin e zonës së lumit Vjosa si një Park Kombëtar.

Ministria e Mjedisit ka nisur këshillimet me komunitetin dhe synohet që brenda këtij viti Vjosa të shpallet Park Kombëtar në gjithë rrjedhën e saj dhe të nëndegëve, sipas Kordinatores Kombëtare të projektit Adelina Greca.

“Jemi në fazën e parë të proçesit kur do të shpallet Vjosa së bashku me tre degë të saj , Drinon, Bënçën dhe Shushicën , Park Kombëtar , ndërkohë që në fazën e dytë synohet shpallja e plotë e Vjosës Park Kombëtar duke përfshirë edhe degët e tjera të saj me derdhje të lirë”.

Organizatat mjedisore, pjesë e koalicionit të zonave të mbrojtura, krahas adresimit të problemeve të krijuara me rishikimin e zonave të mbrojtura tek institucionet përgjegjëse në disa raste u janë drejtuar edhe gjykatave.

Të paktën tre padi janë në shqyrtim e sipër lidhur me vendimarrjet për zonat e mbrojtura, thotë Dorian Matlia i Qendrës ligjore “Res Publika” pjesë e koaliconit të organizatave për zonat e mbrojtura.

Komunitetet e banorëve janë më pak të interesuara për zonat e mbrojtura. Ka disa komunitete në zona të caktuara që janë të interesuara, por jo kudo. Ndërsa organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet shkencore janë më të interesuara për procesin. Praktikisht deri tani janë tre vendim-marrje të Këshillit të Ministrave për zonat e mbrojtura , një prej të cilave është në gjykatë dhe dy të tjerat për pak ditë do të shkojnë në gjykatë”

Sipas Indeksit botëror të Performancës Mjedisore të vitit të shkuar Shqipëria renditet e 62-ta, nga 180 shtete të marra në studim, sa i përket performancës së mbrojtjes së mjedisit. Sipas vlerësimit Shqipëria ka treguesit më të dobët në adresimin e politikave të duhura për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe shëndetin mjedisor në tërësi.

voa

Draft-statuti nga FES-i: Asociacioni me simbole të veta, kuvend, kryetar…

Mitrovica

Në një draft-statut të publikuar të hënën nga organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), parashihet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të formohet në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës.

I përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet.
Për krijimin e tij, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që zhvillohet në Bruksel.
Me gjithë trysninë e faktorit ndërkombëtar, Kosova, deri më tash, nuk e ka zbatuar këtë marrëveshje. Kryeministri Albin Kurti, në disa raste, ka përsëritur se në Kosovë nuk mund të formohen asociacione njëetnike.
Duke prezantuar draft-statutin, përfaqësuesi i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Rene Schlee, tha se gjatë hartimit të tij, janë kujdesur që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit.
“Ky është një projekt i pragmatizmit politik, sepse ne kemi menduar se do të vijë koha kur do të ishte i nevojshëm statuti i Asociacionit”, tha ai.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 18 janar, Schlee ka thënë se beson se ky draft “është një bazë e mirë, e cila pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”.

Kush e ka nënshkruar marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe çfarë parasheh ajo?

Çfarë parasheh draft-statuti?
Sipas këtij dokumenti, Asociacioni parashihet t’i ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Statuti do të miratohet nga një kuvend themelues i Asociacionit, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse.
Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të hyjë në fuqi pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Sipas dokumentit, anëtare të këtij asociacioni mund të jenë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca. Anëtarësimi është vullnetar dhe çdo anëtar duhet t’i përmbahet statutit.
Asociacioni, sipas dokumentit të prezantuar, do të ketë të drejta të plota në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e edukimit, planifikimit urban, si dhe rural.
“Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhet të tijin, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare”, thuhet po ashtu në draft-statutin e prezantuar nga Friedrich-Ebert-Stiftung.

Një ndër nenet flet edhe për objektivat e Asociacionit, të cilat, siç thuhet, janë: forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimi i interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.
Në draft-statut thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe kompetenca të tjera shtesë, që mund të delegohen nga autoritetet qendrore, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Sa i takon strukturës organizative, neni 6 parasheh që Asociacioni të ketë: kuvendin e Asociacionit, kryetarin e Asociacionit, nënkryetarin e Asociacionit, këshillin e Asociacionit dhe bordin e Asociacionit.
Neni 15 parasheh që Asociacioni të angazhohet me autoritetet qendrore të Kosovës në shkëmbimin e informacioneve, në frymën e promovimit të demokracisë dhe multietnicitetit, bazuar në sistemin ligjor të Kosovës.
Sa i takon rregullimit ligjor, neni 16 parasheh që Qeveria e Kosovës, përmes një akti juridik, t’i japë Asociacionit statusin e subjektit juridik.
“Kjo përfshin të drejtën e zotërimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme” dhe të “bashkëpronësisë së shoqërive që ofrojnë shërbime lokale brenda fushëveprimit të Asociacionit”.
Shpenzimet e Asociacionit parashihet të jenë subjekt i auditimeve nga autoritetet kompetente, përfshirë Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës.
Sipas dokumentit në fjalë, Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë.
Sipas draft-statutit, Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, në të njëjtën mënyrë sikurse komunat pjesëmarrëse.
Qeveria dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës parashihet që të kenë qasje në rishikimin e buxhetit vjetor të Asociacionit, përpara se ai të miratohet.
E pyetur nga REL-i se si e komenton këtë draft-statut, Qeveria e Kosovës tha se “për normalizim të plotë të marrëdhënieve [me Serbinë] nevojitet që në qendër të jetë njohja reciproke, jo Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.
Para publikimit të draft-statutit, zyrtarë të partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje – u takuan me zotin Schlee.
Në komunikatën dërguar mediave u tha se në këtë takim “u ritheksua qëndrimi i LV-së [Lëvizjes Vetëvendosje] kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshjeje tjetër mbi baza etnike”.
“Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë, brenda kornizave ligjore dhe kushtetuese”, u tha po ashtu në komunikatë.
Deri më tash, nuk ka komente nga Beogradi, por kur Friedrich-Ebert-Stiftung ka paralajmëruar publikimin e draft-statutit rreth dhjetë ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kjo nuk është punë e organizatave joqeveritare.
Publikimi i draft-statutit ndodh vetëm një ditë para se Ambasada amerikane në Prishtinë të organizojë një diskutim me përfaqësues politikë, qeveritarë dhe të shoqërisë civile për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ky diskutim me “partnerët alternativë” është paralajmëruar nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, qysh në dhjetor.
Kurti, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 27 janar, ka thënë se nuk ka marrë ftesë për këtë diskutim, por ministri për Komunitete në Qeverinë e tij, Nenad Rashiq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Çfarë e dallon ‘Asociacionin’ nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK)?
I themeluar në vitin 2001, Asociacioni i Komunave të Kosovës është organizatë jofitimprurëse dhe anëtarë të tij janë autoritetet lokale të Kosovës.
Autoritetet lokale anëtarësohen në këtë asociacion nga Kuvendi i Asociacionit, pas vendimit të marrë në Kuvendin Komunal.
AKK-ja angazhohet që në Kosovë të zbatohen rregullat nga Karta Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Mision i këtij asociacioni është të krijojë qeverisje lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike.
Ai, po ashtu, angazhohet që të nxisë decentralizimin e pushtetit, përmes mbështetjes praktike dhe bashkëpjesëmarrjes mbi baza të barabarta, mes autoriteteve qendrore dhe atyre lokale.
Mes tjerash, Asociacioni i Komunave të Kosovës fokusohet në rritjen e njohurive dhe kapaciteteve të komunave për të siguruar kualitete të larta dhe efektive në shërbimet lokale, si dhe në demonstrimin se komunat e Kosovës janë të barabarta.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së vitit 2013, të arritur në Bruksel, parasheh që pjesë e këtij organizimi të jenë vetëm komunat që kanë shumicë të banorëve serbë: Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca.
Qeveria e tanishme e Kosovës e ka kundërshtuar më së shumti idenë e formimit të një asociacioni njëetnik, por edhe nga qeveritë e kaluara është konsideruar si një mekanizëm që mund t’i sjellë telashe Kosovës, pasi do të kishte qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.
Siç thuhet në marrëveshje, Asociacioni do të ketë për qëllim t’i përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural, si dhe të ekonomisë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.
Chollet dhe Escobar: Është koha të themelohet Asociacioni
Komuniteti ndërkombëtar, javëve të fundit, e ka rritur trysninë mbi Qeverinë e Kosovës që të nisë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka qëndruar në fillim të janarit në Prishtinë, ku ka thënë se SHBA-ja është e angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani – përfshirë atë për Asociacionin.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se “Asociacioni në formën e Republikës Sërpska është një vijë e kuqe që SHBA-ja s’do ta lejojë”.

Këtë kërkesë, Chollet e ka përsëritur edhe më 30 janar në një tekst bashkautorial me Escobarin, i cili është publikuar nga disa media lokale në Kosovë.
Chollet dhe Escobar kanë thënë se ndër qëllimet më të rëndësishme të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmojnë në krijimin e kushteve për “marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, por si çështje kritike në këtë qëllim e kanë cilësuar themelimin e Asociacionit.
“Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe, për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet, si: arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse”, kanë shkruar Chollet dhe Escobar.
Ata kanë thënë se e kundërshtojnë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë zgjidhje.
Më herët, Kurti, duke iu përgjigjur një kërkese të SHBA-së që Kosova të vendosë në tryezë propozimet për formimin e Asociacionit, ka thënë se çështja mund të zgjidhet brenda kornizës së marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në Serbi insistojnë se nuk mund të ketë dialog për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Kosovën, pa themelimin e këtij asociacioni.

rel

Kurti për REL: Jemi paralajmëruar për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes ndërkombëtare

KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka marrë paralajmërime për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes së Perëndimit, nëse Kosova nuk do të tregohet konstruktive në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi. Ai, megjithatë, shprehu bindjen se Kosova është duke u dëshmuar si palë konstruktive në këtë proces.

 

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se nuk është ftuar në një takim që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

Duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti tha se ai nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtutjeshëm.

Ai përsëriti se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutim, por tha se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.

Kurti, po ashtu, tha se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor, përkatësisht marsi i vitit 2023.
Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, Kosovës dhe Serbisë u është propozuar ai që tani po quhet plan evropian për normalizimin e marrëdhënieve, i mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A e pranoni ju këtë plan?

Albin Kurti: Qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, unë kam thënë se propozimi i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, është platformë e kornizë e përshtatshme për të ecur përpara.

Andaj, kam qenë përherë konstruktiv në qasjen ndaj këtij propozimi, i cili e ka gjuhën e koncepteve dhe nocioneve – le të themi – universale, sikurse pavarësia, integriteti territorial, sovraniteti, pastaj demokracia, sundimi i ligjit, vetëvendosja. Pra, gjëra që i kemi afirmuar gjithmonë si Republikë e Kosovës dhe si popull – ndër vite e dekada.

 

“Vërejtja për planin evropian ka të bëjë me njohjen universale”

 

Radio Evropa e Lirë: A mund të thuhet se ky plan është një draft-marrëveshje, një kornizë e marrëveshjes, apo përmban parime, mbi të cilat mund të bëhet një marrëveshje e përgjithshme?
Albin Kurti: I ka pesë fjali në preambulë dhe i ka dhjetë nene gjithsejtë. Unë i kam dërguar edhe komentet e mia, meqenëse asnjëherë nuk më është thënë që ky është një propozim – merre ose lëre. Pra, nuk ka pasur një ultimatum të tillë asnjëherë. Andaj, edhe kemi thënë që, në parim, e konsiderojmë bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, për të cilat angazhohemi sa herë që të na ftojnë në Bruksel.

Natyrisht, shumëçka duhet të sqarohet aty, meqenëse një marrëveshje është e qëndrueshme kur hiqen dykuptimësitë. Dhe, vetëm kur është e qëndrueshme asisoj, bëhet edhe e zbatueshme përnjëmend.

Tash, në takimin e fundit që kishim më 20 janar, unë insistova që të jenë edhe pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian ato që do ta ndryshojnë qëndrimin me aktin e dakordimit, për shkak se normalizimi i plotë [i marrëdhënieve] ndihmohet pikërisht përmes njohjes nga pesëshja, e cila ende nuk i është bashkuar shumicës së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Pra, vërejtja ime – ka edhe të tjera – por ajo kryesorja që e kam përmendur në takimin e fundit, sigurisht që ka të bëjë me njohjen universale që na nevojitet brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ku ne aspirojmë të anëtarësohemi.

 

“Pranimi i planit nga Serbia, trysni mbi Kosovën”

 

Radio Evropa e Lirë: A mund të flasim edhe për vërejtjet e tjera që po i përmendni? Ju po thoni se është një bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, por për cilat pika jeni skeptik?
Albin Kurti: Unë kam thënë në takime dhe gjithashtu i kam dhënë të shkruara komentet e mia, andaj nuk është e përshtatshme që konfidencialitetin e bisedimeve ta lëndojmë. Por, e di që nuk është e vërtetë që pala tjetër e ka pranuar këtë propozim. Edhe ajo i ka dhënë vërejtjet e veta.

Përshtypja ime është se trumbetimi se Beogradi na e paska pranuar propozimin evropian, është më shumë në funksion të trysnisë mbi Kosovën, sesa që paraqet të vërtetën e saktë, për shkak se ata i kanë bërë kërkesat që na largojnë nga normalizimi. Pra, kanë bërë vërejtje që na largojnë nga normalizimi.

Ndërkaq, vërejtjet që i kam bërë unë, janë vërejtje që pikërisht na e afrojnë edhe më shumë marrëveshjen drejt normalizimit. Ju e dini që presidenti [amerikan, Joe] Biden, kancelari [gjerman, Olaf] Scholz e thonë se kemi nevojë për marrëveshje ligjërisht, ndërkombëtarisht të obligueshme, e cila bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër.

 

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ka kundërshtuar pala tjetër?
Albin Kurti: Unë, sërish, nuk mund t’i them këto në emër të palës tjetër, por e di që ata i kanë dërguar komentet dhe vërejtjet e tyre dhe nuk është e vërtetë që e kanë pranuar plotësisht propozimin. Ndërkohë, mos të harrojmë që me datën 27 tetor në fakt, zyrtarisht, me votim në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë, në Beograd është hedhur poshtë propozimi në mënyrë unanime.

Pra, të gjithë që kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë në Beograd, ku ka qenë edhe presidenti i Serbisë, edhe kryeministrja, edhe ministri i Jashtëm, edhe shumë institucione shtetërore, në mënyrë unanime, pra njëzëri, e kanë hedhur poshtë propozimin e Bashkimit Evropian. Ndërkaq, tash kanë qenë më pozitivë – më 20 janar – mirëpo nuk është e vërtetë që e kanë pranuar plotësisht, meqenëse i kanë dhënë vërejtjet e tyre, të cilat janë – për bindjen time të fuqishme – vërejtje abnormalizuese.

 

Kurti kundër diplomacisë fluturuese

 

Radio Evropa e Lirë: A ka pasur ndryshime substanciale të propozimit nga ajo kohë deri më tani?

Albin Kurti: Besoj që themeli është ai i 9 shtatorit i vitit të kaluar i cili erdhi pas tri javësh që ne ishim takuar në Bruksel, në takimin e 18 gushtit që ka qenë tejet i rëndësishëm, për shkak se agjenda ishte e qartë, me një rend logjik: pika e parë – korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë – çështjet aktuale. Pra, në funksion të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes edhe emisarët [Mirosllav] Lajçak, [Jens Ploetner] dhe [Emmanuel] Bonne e patën sjellë më 9 shtator.

Unë kam pritur që do të kemi takime të rregullta mujore, siç jemi dakorduar më 18 gusht. Kjo nuk ndodhi. Kam besuar se mbase është për shkak të refuzimit të Serbisë, ose ndoshta ndërmjetësit kanë ndonjë plan që s’e dimë as ne. Por, është gabim që takimi i 20 janarit ka ndodhur më 20 shtator dhe në të njëjtën kohë, nuk mendoj që është mënyrë e duhur zëvendësimi i takimeve direkte në Bruksel me ndërmjetësit me diplomacinë fluturuese Prishtinë e në Beograd.

 

“Nuk mund të përzgjidhet marrëveshja që preferohet nga dikush”

 

Radio Evropa e Lirë: Emisarët ndërkombëtarë, pas takimit të javës së kaluar, kanë thënë se kanë pritur më shumë mirëkuptim nga ana juaj. Për çfarë e kanë pasur fjalën, në cilat pjesë nuk keni treguar mirëkuptim?
Albin Kurti: Unë nuk kam thënë diçka që ata nuk e kanë pritur, duke pasur parasysh komentet që ua kam dërguar dhe deklarimet e mia, gjithmonë publike. Tash, nëse kanë pritur diçka më shumë, do të duhej të tregojnë ata. Nga pikëpamja ime gjithçka ka qenë korrekte, në rregull dhe takimi ka qenë shumë përmbajtjesor.

Por, së pari unë nuk jam dakord që 33 marrëveshjet e Brukselit të dekadës para se unë të vij në qeverisje, të krijohet hierarki e tyre, sepse nuk është e drejtë. Ato kanë kronologji, por nuk kanë hierarki. I përkasin një rrafshi horizontal që të 33 marrëveshjet e Brukselit dhe nuk mund të bësh zgjedhje duke ndarë marrëveshjet e preferuara për dikë. Dhe, në anën tjetër, nga ato 10 nene të marrëveshjes së synuar nëpërmjet propozimit të Bashkimit Evropian, pra ato 10 nene gjithashtu nuk mund të kenë ndryshim të renditjes në kundërshti me numrat që i kanë fjalitë dhe paragrafët në fillim.

Pra, 10 nene kanë numra dhe nuk mund të përzgjedhësh një nen që të preferohet nga ndonjë palë dhe as nuk mund të përzgjidhet ndonjëra prej marrëveshjeve që të preferohet e të imponohet nga njëra palë.

 

Plani evropian “nuk është krejt ajo çfarë dëshirojmë ne”

 

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, para se të dalim te marrëveshjet e kaluara, zoti Lajçak ka thënë në intervistën e tij të fundit se me planin evropian Kosova fiton shumë dhe nuk humb asgjë. A e ndani këtë mendim me të?
Albin Kurti: Kosova nuk mund të humbë sepse ne jemi këtu si Qeveri e Republikës së Kosovës për ta mbrojtur dhe lartësuar Kosovën.

 

Radio Evropa e Lirë: Po flasim për propozimin si të tillë…
Albin Kurti: Por, nuk është krejt ajo çfarë dëshirojmë ne. Pra, nuk është se Kosova humbet, por Kosova nuk e arrin atë që besojmë se është e drejtë, jo vetëm se e dëshirueshme. Por, kur të fillojmë bisedimet dhe të hapet çështja e marrëveshjes, bazuar në propozimin evropian, atëherë ne do të mund të diskutojmë hollësitë e tilla. Por, kjo do të thotë që jo vetëm me palën serbe, por edhe me ndërmjetësit nuk e kemi leximin identik.

 

Plani evropian, “platformë” jo version “merre ose lëre”

 

Radio Evropa e Lirë: Deri më tani, në versionet që janë publikuar të këtij plani nuk përmendet njohja e ndërsjellë. A është kjo pika, në të cilën ju keni më së shumti problem?

Albin Kurti: Padyshim që për neve çfarëdo marrëveshje që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk është marrëveshje e normalizimit të plotë dhe në anën tjetër, nuk pretendohet me propozimin e Bashkimit Evropian që të kemi një marrëveshje finale. Ajo as nuk quhet marrëveshje finale dhe unë besoj me të drejtë nuk quhet, meqenëse duhet të ketë bisedime. Ajo është platformë e përbashkët për bisedime. Nuk është version përfundimtar i llojit ‘merre ose lëre’.

As neve, as në Bruksel, as në Prishtinë nuk është thënë kësisoj.

 

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, sipas emisarëve, ekziston një kohë e përshtatshme që ata e konsiderojnë se duhet të ketë lëvizje përpara. Marsi është përmendur si një kohë në të cilën duhet të dihet se si do të vazhdohet tutje. A mendoni ju se do të ketë lëvizje domethënëse në atë drejtim deri në mars?

Albin Kurti: Me datën 18 nëntor të vitit të kaluar unë kam qenë në Talin të Estonisë në një vizitë zyrtare atje dhe atje më erdhi ftesa që me datën 21 të marrë pjesë në takimin e Brukselit dhe aty e kam parë për herë të parë marsin e vitit 2023, si afat të fundit kur do të duhej të arrinim marrëveshje. Për mua është plotësisht e arsyeshme që sa më parë ta arrijmë marrëveshjen, mirëpo për këtë duhet të ketë bisedime intensive. Andaj unë jam çuditur se si në njërën anë sillet propozimi, e në anën tjetër nuk insistohet për takime të dendura.

 

Radio Evropa e Lirë: Z. Lajçak, gjithashtu, ka thënë se deri në mars do të dihet edhe se cila palë mund të jetë jobashkëpunuese në proces. Madje, ka përmendur edhe sanksione ndaj Kosovës ose Serbisë, varësisht se cili shtet do të jetë jobashkëpunues. A ju janë përmendur juve sanksione të mundshme nëse nuk do të ketë sukses në këto negociata?

Albin Kurti: Kosova është rreshtuar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe sa u përket sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe agresionit të invazionit të tyre në Ukrainë. Serbia nuk i ka vënë sanksione Federatës Ruse dhe mbase do të duhej të mendohej njëherë për sanksionet që duhet t’i ketë Serbia pse s’po i vë sanksione Rusisë.

Natyrisht që procese të caktuara do të mund të na i vonojnë, mirëpo unë besoj që garancia më e fuqishme që ka Republika e Kosovës është Raporti i fundit i Progresit nga tetori i vitit të kaluar, i cili është raporti më i mirë që kemi marrë ndonjëherë si vlerësim për shtetin tonë. Me këtë rast duhet theksuar që nuk ekziston asnjë fushë, në të cilën kemi ose regres ose stagnim. Bëhet fjalë vetëm për lloje të ndryshme të progresit, prandaj vlerësimi për Kosovën duhet të bazohet ekskluzivisht në atë çfarë ne bëjmë në vendin tonë sa u përket vlerave evropiane dhe rritjes ekonomike e jo për nga dëgjueshmëria, le të themi politike, ndaj cilitdo zyrtar.

 

“Serbia do një Republikë Serbe brenda Kosovës”

 

Radio Evropa e Lirë: Po e përsëris pyetjen. A ju është thënë që Kosova mund të ketë sanksione si humbja e mbështetjes ose zvogëlimi i mbështetjes ndërkombëtare në rast se nuk ka progres?

Albin Kurti: Shikoni, nuk kemi diçka konkrete. Por, mund ta kenë thënë në mënyrë implicite ose të aluduar që mbështetja për Kosovën që pritet, nuk do të mund të jetë e tillë nëse Kosova nuk, le të themi… nuk cilësohet si konstruktive. Mirëpo, ne jemi shumë konstruktivë, përveç që jemi të përkushtuar dhe kreativë.

 

Radio Evropa e Lirë: Faktori ndërkombëtar së fundi e ka rritur edhe presionin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ju keni thënë që nuk doni të ketë një Republika Sërpska brenda Kosovës. Megjithatë, SHBA-ja insiston se nuk do ta lejonte një Republikë Sërpska brenda Kosovës. Pse nuk po i besoni garancisë së SHBA-së për këtë?

Albin Kurti: Natyrisht që Beogradi e dëshiron një Republikë Serbe brenda Kosovës, siç e ka në Bosnjë [dhe Hercegovinë]. Ju e dini që Serbia de jure e njeh Bosnjë dhe Hercegovinën, por de facto nuk e njeh. Dhe, ata nuk e fshehin qëllimin e tyre për ta krijuar një Republikë Serbe [brenda Kosovës]. Ne konsiderojmë që një rrezik i tillë ekziston, mirëpo ne duhet të jemi të kujdesshëm, të jemi vigjilentë dhe të mos e lejojmë atë. Por, pa harruar edhe faktin që nëse diçka është pak më mirë se Republika Serbe, jo domosdo është mirë. Pra, edhe nëse themi që nuk do të jetë Republikë Serbe bash tamam qysh është Republika Serbe, kjo nuk është ndonjë garanci që nëse nuk qenka Republikë Serbe, atëherë na qenka shumë mirë puna.

Unë e kam theksuar disa herë që ne nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë gabime të mëdha dhe na e kanë lënë trashëgimi gjendjen me të cilën përballemi ne. Mirëpo, në anën tjetër, duhet ta ritheksojmë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe përderisa është Asociacion njëetnik, nuk e duron Kushtetutshmëria e Kosovës, e cila është bazuar në propozimin e ish-presidentit [Marti] Ahtisaari.

Pastaj, nuk ka mundësi që Serbia thotë që shteti i Kosovës është i rrejshëm e ma jepni Asociacionin e vërtetë, pra nuk ka kurrfarë logjike ai insistim. Dhe, gjithashtu, Serbia kur kërkon diçka për serbët në Kosovë, do të duhej ta mendojë e paramendojë shumë seriozisht që nuk mund të anashkalohet parimi i reciprocitetit.

Më shumë ka joserbë në Serbi sesa që ka joshqiptarë në Kosovë dhe vetëm katër për qind janë serbë në Kosovë. Para 15 vjetëve, Kosova u shpall multietnike dhe insistimi në Asociacionin njëetnik me të vërtetë nuk është i drejtë. Unë angazhohem për të gjithë serbët për t’ua mbrojtur të drejtat, për t’ua dëgjuar kërkesat dhe për t’ua plotësuar nevojat. Mirëpo, nuk mund ta kompensoj Serbinë për humbjen e luftës në pranverën e vitit 1999.

 

Radio Evropa e Lirë: Më 31 janar Ambasada amerikane në Kosovë do të organizojë takim ku do të diskutohet për Asociacionin. A do të merrni pjesë në këtë takim?

Albin Kurti: Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.

Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni.

 

Asociacioni “pas hapjes së çështjes së marrëveshjes finale”

 

Radio Evropa e Lirë: Kryeministër, a jeni duke thënë që derisa ju jeni në krye të Qeverisë, nuk mund të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe?

Albin Kurti: Nuk po e them vetëm unë këtë. Asociacioni – pa u hapur çështja e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër – Asociacioni me bazë njëetnie; Asociacioni me ato struktura ilegale në veri, të cilat 16 rrugëve ilegale që na i mbyllën, iu përgjigjën me 16 barrikada në rrugë ilegale, ky Asociacion as nuk është i qëndrueshëm, as i zbatueshëm e natyrisht as i pranueshëm.

 

Radio Evropa e Lirë: Por, a ka ndonjë lloj të Asociacionit të pranueshëm për ju? Në çfarë formati ju do të pranonit një lloj bashkimi të komunave apo të komunitetit serb në Kosovë?

Albin Kurti: Ne e kemi Asociacionin e komunave të Kosovës dhe aty janë anëtare edhe komunat me shumicë serbe. Unë jam për asociacione që janë zhvillimore, demokratike, mbi vlerat evropiane e jo mbi baza etnie, jo etnia të jetë baza e Asociacionit të komunave.

Ju e dini që edhe propozimi i ish-presidentit Ahtisaari ka dhënë të drejtë vetoje për aq shumë gjëra në Kuvendin e Republikës për përfaqësuesit e pakicës serbe pikërisht që të mos lejohet territorializimi i të drejtave. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e synon rritjen e të drejtave për serbët, por territorializimin e atyre të drejtave, siç e kanë bërë në Bosnjë [dhe Hercegovinë]. Pra, në Bosnjë e kanë të drejtën e vetos, por në të njëjtën kohë e kanë edhe territorializimin e pranisë së tyre. Këtë gjë po e synojnë edhe në Kosovë, ndërkohë vazhdojnë të mos i pranojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe t’i mirëmbajnë raportet e mira me Kremlinin në Rusi.

 

Radio Evropa e Lirë: I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 13 dhjetor ka thënë se – po e citoj – “Asociacioni do të formohet, SHBA-ja do të jetë pjesë e procesit dhe aty duhet të përfshihet Qeveria e Kosovës”, në të kundërtën, siç ka thënë ai, “mund të zhvillojmë këtë diskutim me partnerë alternativë”. Kush mund të jenë partnerët alternativë, sipas jush, dhe a është ky një mesazh për ju?

Albin Kurti: Unë mendoj që duhet ta pyesni atë. Duhet ta pyesni z.Escobar se çfarë ka menduar. Unë i di shumë gjëra, por nuk është në rregull të flas se çfarë kanë menduar të tjerët kur kanë folur diçka. Besoj që më mirë është t’i pyesim ata.

 

Kosova nuk e ka “nevojë urgjente” krijimin e Asociacionit

 

Radio Evropa e Lirë: Insistimi ndërkombëtar për formimin e Asociacionit vazhdon. Vazhdon edhe insistimi juaj për të mos u formuar një Asociacion i tillë. A mund të bëhet Asociacioni shkas për dorëheqjen tuaj?

Albin Kurti: Nuk mendoj që Asociacioni është thjesht një projekt, i cili ka pengesë vetëm kryeministrin. E ka pengesë kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, demokracinë, popullin e Kosovës dhe unë nuk besoj që Kosova e ka nevojë urgjente një Asociacion të tillë.

Kosova ka nevojë urgjente për njohje reciproke me Serbinë.

Ata të cilët flasin ditë e natë për Asociacionin ndërkohë kur Serbia të thotë se s’të njeh asnjëherë, për besë i ndihmojnë asaj. Nuk është fer [e drejtë] ndaj popullit shumë të vuajtur të Kosovës. Nuk mund të nxirret qerrja para kalit. Njohja reciproke është në qendër. Presidenti [Joe] Biden ka thënë normalizim i marrëdhënieve me marrëveshje që e ka në qendër njohjen reciproke. Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik të hiqet njohja reciproke prej qendrës e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan. Unë nuk mund ta pranoj këtë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjera dhe ne do të duhej që shtetin tonë, atdheun tonë, ta duam edhe më shumë se presidenti Biden, jo më pak se ai.

 

rel

SHBA-ja vendosi sanksione ndaj radikalëve serbë Radeta dhe Jojiq

radeta jojiqShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vendosën sanksione ndaj anëtarëve të Partisë Radikale Serbe dhe ish-deputetëve të Kuvendit të Serbisë, Vjerica Radeta dhe Petar Jojiq, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit, më 27 janar.

 

“Radeta dhe Jojiq, derisa ishin deputetë të Parlamentit të Serbisë, korruptuan dhe frikësuan dëshmitarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), në mënyrë që ata të mos paraqisnin provat inkriminuese kundër liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, i cili më pas u dënua për krime lufte”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit Ned Price.

Gjithashtu, thuhet se sjellja e Radetës dhe Jojiqit pengoi procesin gjyqësor dhe për këtë arsye Tribunali i Hagës lëshoi fletarrest ndërkombëtar për ta. Kjo sjellje, siç thuhet, kërcënoi stabilitetin rajonal dhe ndikoi negativisht në interesat e SHBA-së.

Në deklaratë theksohet se vendimi i SHBA-së konfirmon “angazhimin në luftën kundër korrupsionit që dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të partnerëve dhe kufizon aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të qytetarëve”.

Siç thuhet në deklaratë, SHBA-të mbështesin demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi dhe vazhdojnë të kërkojnë llogari për ata që keqpërdorin pushtetin publik për përfitime personale.

Siç thuhet, sanksionet përfshijnë edhe djalin e Petar Jojiqit, Gojko Jojiq. Sanksionet, siç u përmend, u vendosën sipas dispozitës 7031 të Ligjit për buxhet të Departamentit të Shtetit, i cili ndalon individët e sanksionuar të hyjnë në SHBA.

Tribunali i Hagës kërkon Radetën dhe Jojiqin, Serbia nuk i dorëzon

Në tetor 2012, Tribunali i Hagës akuzoi Petar Jojiqin dhe Vjerica Radetën se kishin ndikuar te dëshmitarët e prokurorisë në procesin gjyqësor në Hagë kundër liderit të partisë së tyre, Vojisllav Sheshel, duke i bindur ata përmes kërcënimeve, shantazheve dhe ryshfetit, të ndryshonin deklaratat e tyre ose të mos dëshmonin.

Që nga viti 2015, kur Gjykata e Hagës u dërgoi fletarrestin e parë, autoritetet serbe kanë refuzuar arrestimin e Jojiqit dhe Radetës dhe dërgimin e tyre në Hagë.

Në vitin 2016, Gjykata e Lartë në Beograd vendosi se nuk ka baza ligjore për arrestimin dhe dërgimin e radikalëve në Hagë, sepse ligji kombëtar për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës parashikon detyrimin për të ekstraduar vetëm ata të akuzuar për krime lufte dhe jo ata që akuzohen për mosrespektim të gjykatës.

Në të njëjtën kohë, Serbia shprehu gatishmërinë e saj për të gjykuar Jojiqin dhe Radetën në gjykatat vendore.

Ky interpretim u refuzua në mënyrë të përsëritur nga gjykata në Hagë, duke theksuar se Beogradi zyrtar, sipas të drejtës ndërkombëtare, por edhe sipas ligjit vendor, ka detyrimin të bashkëpunojë edhe për rastet e shpërfilljes së gjykatës, ashtu siç kishte bërë edhe më parë.

rel

Në veri të vendit sulmohet me armë zjarri një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës

policia sulmohetMe datën 27/01/2023, nga person/a të dyshuar është shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare në lokacionin Banjskë – Izvor të komunës së Zveqanit.

 

Fatmirësisht nuk raportohet për zyrtar policor të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.

Lidhur me rastin janë ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore, përfshirë edhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes, nga ku është konstatuar se vetura është goditur me një predhë të armës së zjarrit.

Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur (xhip-opel), në një rrugë malore në distance prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur.

Automjeti i dyshuar i cili ka poseduar targa të dyshuara, të cilat dyshohet se nuk i përkasin të njëjtit automjet, është konfiskuar nga Policia e Kosovës për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore dhe të ekzaminimit.

Në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti, vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të sigurisë dhe rendit kushtetues të RKS-së.

PK

Kurti: Asociacioni i komunave serbe nuk mund të ketë përparësi

Lajçak, Kurti, Vuçiq arkiviKryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se propozimi evropian për marrëveshjen Kosovë-Serbi, është bazë e mirë për diskutime dhe kjo marrëveshje në qendër duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë me Serbinë.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se asnjë nga marrëveshjet e arritura më parë në Bruksel nuk mund të ketë përparësi ndaj marrëveshjeve tjera. Ai tha se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është bazë e mirë për diskutime dhe kjo marrëveshje në qendër duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë me Serbinë. Këto deklarime, kryeministri Kurti i bëri pas një darke punë që pati në Prishtinë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky i fundit, pas darkës me Kurtin shkroi në Twitter se, “ne jemi pajtuar që të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në dialog, duhet të zbatohen plotësisht”.

Për këtë njoftim të Lajçakut që disa nga mediet në Prishtinë e interpretuan se “Kurti është pajtuar që ta themelojë asociacionin”, kryeministri Kurti u deklarua vetë duke thënë se “diplomatët po këmbëngulin që marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të theksohet më shumë”.

 

“Por ajo marrëveshje tashmë është e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, pra në një mënyrë përnjëmend mund të themi se ajo marrëveshje është e theksuar, është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues për shkak se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Tash procesi negociator duhet të na shpie përpara. Unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve, por po e ritheksoj që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierarkik”, tha kryeministri Kurti.

 

Ftesa amerikane

Me datën 21 janar, ambasada amerikane ka ftuar në një takim përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar mbi çështjen e Asociacionit. Kërkesa e SHBA-së dhe BE-së është e qartë: Qeverisë i bëhet thirrje të paraqesë propozimet e saj për Asociacionin. Kryeministri Albin Kurti, këmbëngulë që Asociacioni nuk duhet të jetë në qendër të marrëveshjes me Serbinë, por në qendër duhet të jetë njohja reciproke.

“Le të zhvillohen sa më shumë takime e diskutime mirëpo për normalizim të marrëdhënieve që na shpie më afër e drejt BE-së për paqe afatgjatë e stabilitet të qëndrueshëm, për siguri për të gjithë pa diskriminuar asnjë njeri, nevojitet njohja reciproke në qendër, jo Asociacioni në qendër, as Asociacioni parakusht, por njohja reciproke në qendër. E ka thënë presidenti Biden, e ka thënë kancelari Olaf Scholz dhe unë po ua përsëris këtu njëjtë”, tha kryeministri Kurti.

Pesë diplomatët perëndimorë që në fund të javës së kaluar qëndruan në Prishtinë dhe Beograd, zoti Lajçak i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, po u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përfitojnë nga propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

 

Vuçiq dhe kushtëzimet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi pas takimit me diplomatet perëndimorë, se i kanë thënë që “nëse Serbia nuk e pranon planin franko-gjerman, atëherë vendi do të përballet me pasoja të rënda. Bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse, politike dhe ekonomike”.

“Në fjalinë e dytë më është thënë se duhet ta pranoni këtë plan. Në rast të mospranimit, Serbia do të përballet me, ndërprerjen e proceseve integruese, ndërprerjen dhe tërheqjen e investimeve dhe me masat gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike që do ta dëmtojnë Serbinë”, tha Vuçiq. Sipas presidentit të Serbisë, “plani de fakto u shndërrua si kornizë e re e bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunojmë për këtë”.

Në fillim të kësaj jave, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, informoi ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së lidhur me zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, dhe tha se pret përkushtim serioz dhe gatishmëri nga Kosova dhe Serbia për ta çuar përpara propozimin evropian.

“Theksojmë se përparimi në këtë proces mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për të dyja palët. Unë vlerësoj se është mënyra e vetme për të ndalur këtë rreth vicioz të krizave në terren dhe për të zbutur rrezikun e përshkallëzimit të mëtutjeshëm”, tha Josep Borrell. Plani franko-gjerman, apo siç parapëlqen Borrell ta quajë ‘propozimi evropian’,  parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ku përfshihet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

dw