Mbi 20 mijë të vdekur nga pasojat e tërmetit në Turqi dhe Siri

termetiEkipet e shpëtimit nxorën më shumë të mbijetuar nga rrënojat e ndërtesave të shembura të enjten, por shpresat për gjetjen e më shumë të gjallëve kanë filluar të zbehen më shumë se tre ditë pas një tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë, duke vrarë më shumë se 20 mijë veta.

 

Ekipet e emergjencave që punuan gjatë natës në qytetin e Antakias arritën të shpëtojnë një vajzë të re nga rrënojat e një ndërtese dhe dy orë më vonë shpëtuan të atin e saj, raportoi agjencia e lajmeve IHA.

Në Dijarbakir, në lindje të Antakias, shpëtimtarët nxorën një grua të plagosur nga një ndërtesë e shembur në orët e hershme të mëngjesit, por pranë saj gjetën trupat e tre personave të vdekur, raportoi agjencia e lajmeve DHA.

Numri i të vdekurve në Turqi u rrit në 17 mijë e 134, tha agjencia e menaxhimit të emergjencave. Në Sirinë e shkatërruar nga gati 12 vjet luftë civile, më shumë se 3 mijë e 200 njerëz kanë vdekur, sipas qeverisë dhe një shërbimi shpëtimi në veriperëndim të vendit të kontrolluar nga kryengritësit.

Dhjetëra mijëra besohet se kanë humbur shtëpitë e tyre. Në Antakia, ish-banorët e një ndërtese të shembur u grumbulluan rreth një zjarri nën qiellin e hapur gjatë natës së të enjtes, duke u mbështjellë fort me batanije.

Serap Arslan tha se shumë njerëz mbetën nën rrënojat e ndërtesës aty pranë, duke përfshirë nënën dhe vëllanë e saj. Ajo tha se makineritë filluan të lëvizin një pjesë të betonit të rëndë vetëm të mërkurën.

“Ne u përpoqëm të pastronim vetë mbeturinat, por fatkeqësisht përpjekjet tona qenë të pamjaftueshme”, tha 45-vjeçarja.

Selen Ekimen fshiu lotët nga fytyra e saj ndërsa shpjegoi se prindërit dhe vëllai i saj ishin ende të varrosur.

“Nuk kemi dëgjuar asnjë zë prej tyre për ditë të tëra”, tha ajo. “Asgjë”.

Ekspertët thanë se mundësitë e mbijetesës për ata që janë bllokuar nën rrënoja, po shuhen me shpejtësi. Në të njëjtën kohë, ata thanë se është shumë herët për të braktisur shpresën.

“72 orët e para konsiderohen si kritike”, tha Steven Godby, një ekspert i rreziqeve natyrore në Universitetin Nottingham Trent në Angli. “Mundësitë e mbijetesës mesatarisht brenda 24 orëve janë 74 për qind, pas 72 orësh 22 për qind dhe ne ditën e pestë, 6 për qind”.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan vizitoi të mërkurën provincën e goditur rëndë të Hatayit, ku banorët kritikuan përpjekjet e qeverisë, duke thënë se shpëtimtarët arritën vonë.

Sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive, më shumë se 110 mije veta po marrin pjesë në përpjekjet e shpëtimit me më shumë se 5 mijë e 500 automjete, duke përfshirë traktorë, vinça, buldozerë dhe ekskavatorë. Detyra është monumentale, me mijëra ndërtesa të rrënuara nga tërmeti.

Presidenti Erdogan, i cili është rikandiduar për zgjedhjet presidenciale të muajit maj, pranoi të mërkurën se përgjigjja fillestare e qeverisë së tij kishte qenë problematike, por tha se moti i lig ishte një faktor. Tërmeti shkatërroi gjithashtu pistën në aeroportin e Hatayt, duke penguar më tej reagimin.

“Nuk është e mundur të jesh i përgatitur për një fatkeqësi të tillë”, tha presidenti Erdogan. “Ne nuk do të lëmë asnjë nga qytetarët tanë pa kujdes”. Ai iu përgjigj gjithashtu kritikëve, duke thënë se “njerëz të pandershëm” po përhapnin “gënjeshtra dhe shpifje” për veprimet e qeverisë.

Ekipe nga shumë vende i janë bashkuar personelit lokal të urgjencës në përpjekjet e shpëtimit. Por shkalla e shkatërrimit nga tërmeti dhe pasgoditjet e tij të fuqishme është aq e madhe dhe e përhapur në një zonë të gjerë sa që shumë njerëz ende presin ndihmë.

Në Siri, përpjekjet për ndihmë janë penguar nga lufta e vazhdueshme dhe izolimi i rajonit të kontrolluar nga kryengritësit përgjatë kufirit, i cili është i rrethuar nga forcat qeveritare të mbështetura nga Rusia. Siria është nën sanksionet perëndimore të lidhura me luftën.

voa

ChatGPT, programi i inteligjencës artificiale që shkruan ese, shqetëson universitetet

ChatGPTProgrami i inteligjencës artificiale ChatGPT, që ka kapacitetin të shkruajë ese, po i bën universitetet të vendosin nëse duhet ndaluar përdorimi i tij. Një nga universitetet kryesore franceze e ka ndaluar tashmë, por të tjerët po presin të shohin se si do të zhvillohet situata, ndërkohë që po shqyrtojnë se si inteligjenca artificiale mund ta ndryshojë arsimin përgjithmonë.

 

Në mbarë botën, universitetet po shqyrtojnë se çfarë duhet të bëjnë me një mjet të fuqishëm të inteligjencës artificiale që është bërë i disponueshëm për publikun – ChatGPT.

I bërë publik në nëntor 2022 nga OpenAi, programi robotik tërhoqi shumë vëmendjen e mediave dhe studentëve për shkak të përgjigjeve të detajuara, që janë pothuajse të padallueshme nga një tekst i shkruajtur nga njeriu.

Programi ka aftësinë t’u përgjigjet pyetjeve të thjeshta, si p.sh. se kush është president i Shteteve të Bashkuara, apo edhe pyetjeve më të komplikuara në stilin e eseve, me argumenta të shumta dhe shtjellim.

Adoleshentët dhe studentët e universiteteve ishin ndër miliona njerëzit që filluan të eksperimentojnë me të. Dhe megjithëse shumë prej tyre gjetën mënyra për ta përdorur me krijimtari dhe pa rrezikshmëri, lehtësia me të cilën programi mundej t’u përgjigjej pyetjeve në testimet që studentët merrnin me vete për t’i plotësuar në shtëpi, si dhe ndihma që programi u jepte për detyrat të tjera, shkaktuan panik në radhët e arsimtarëve.

Kur po rihapeshin shkollat pas vitit të ri, në qytetin e Nju Jorkut, në Los Anxhelos dhe drejtori të mëdha arsimore në Shtetet e Bashkuara, filloi të ndalohej përdorimi i programit në klasa dhe në paisjet elektronike të shkollave.

Por një profesor në Angli ka publikuar një shkrim ku argumenton se ChatGPT mund të bëhet një mjet i vlefshëm. Megjithë fuqinë e këtij programi dhe mundësinë e abuzimit me të, profesori mendon se është gabim ndalimi i tij.

“Mendoj se është mirë që ta shikojmë këtë çështje nga këndvështrimi se si këto teknologji do të zënë vend në të ardhmen në qendrat e punës, aty ku do të shkojnë studentët tanë. Dhe është e rëndësishme që ne, si arsimtarë, t’i përgatisim studentët që t’i kuptojnë këto mjete me një sy kritik, që të njohin kufizimet e tyre dhe t’i bëjnë ato pjesë të arsenalit të tyre, dhe jo të refuzohen nga universitetet”, thotë profesor Balbir Ban, i cili është dekan i Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjisë, në Universitetin në Middlesex.

Ai po eksperimenton me programin ChatGPT, madje edhe duke e pyetur se cilat do të ishin disa nga pikat e debatueshme moralisht për përdorimin e tij nga studentët. Programi i përgjigjet me shpejtësi dhe me një strukturë që i ngjason një eseje në përgjigje të pyetjes, duke radhitur probleme si plagjiarizmi, mashtrimi, apo ndërvarësia.

“Nëse ne si arsimtarë mendojmë se ChatGPT përbën kërcënim, atëherë ne duhet të ngremë pyetjen se çfarë do të thotë arsim. Ka të bëjë me ofrimin e aftësive të nivelit të lartë që do t’iu duhen studentëve për të nxënë në vazhdimësi. Këto janë teknologjitë që ofrojnë mundësi. E kemi parë evolucionin që nga kontrolli për gabime ortografike në programin Word, dhe pastaj me kontrollin gramatikor, dhe tashmë me përpilimin e përmbledhjeve. Ajo që duhet të bëjmë është që t’i pajisim tani studentët me njohuritë për ta identifikuar. Mund të përdorim atë që prodhohet për ta përmirësuar, për ta vlerësuar me një sy kritik, për të identifikuar mangësitë dhe për të nxjerrë një produkt përfundimtar”, thotë profesor Barn.

Institucione të tjera arsimore, si Sciences Po Paris, një ndër universitetet më prestigjioze të Francës, ndaloi përdorimin e programit ChatGPT dhe të të gjitha mjeteve të tjera të inteligjencës artificiale dhe paralajmëroi me përjashtim studentët në rast të shkeljes së këtij rregulli.

“Studentët tanë vijnë për të studiuar këtu dhe për të marrë një diplomë cilësore. E pyetëm veten se si duhej të vepronim dhe menduam se është e rëndësishme të kufizohej përdorimi i kësaj inteligjence të re… Pikë së pari, pasi është një inteligjencë artificiale e bazuar në përllogaritje dhe jo në një arsyetim. Dhe mbi të gjitha, krijon iluzionin e një teksti të shkruar nga njeriu, dhe studentët tanë duhet ta dinë se për universitetin Sciences Po, përdorimi i këtij mjeti nuk shërben si garanci për ndershmërinë intelektuale”, thotë Myriam Dubois-Monkachi, drejtore për çështjet akademike në Universitetin “Sciences Po Paris”.

Organizata OpenAI publikoi edhe një program prototip që synon të pikasë materialet e prodhuara me inteligjencën artificiale. Megjithatë, programi “AI classifier” është në gjendje të dallojë vetëm rreth 26% të shkrimeve të prodhuara me inteligjencën artificiale.

“Mendoj se këto programe do të shërbejnë për të hartuar variantet fillestare të dorëshkrimeve, por për të cilat do të duhet sërish mbikqyrja e njeriut, për t’i kontrolluar për gabime dhe për të korrigjuar koncepte të gabuara që mund të kenë këto programe. Pra, pjesë e përgatitjes së studentëve do të jetë edhe që të kuptojnë se si t’i përdorin këto mjete me efikasitet dhe në mënyrë etike”, thotë Gregory Morgam, profesor i asociuar në Institutin Stevens të Teknologjisë.

Programi ChatGPT vazhdon të jetë i disponueshëm për çdo person që ka qasje në internet. Ai funksionon si një dialog i shkruar mes sistemit të inteligjencës artificiale dhe personit që i drejton pyetje.

voa

Përse Bertolt Brecht vihet në skenë në mbarë botën?

Bertolt Brecht 1947Më 10 shkurt 2023 shënohet 125 vjetori i shkrimtarit e dramaturgut gjerman Bertolt Brecht. I dëbuar prej nazistëve Brecht jetoi 15 vjet në emigracion. Heronjtë e tij ishin gjithmonë njerëzit e thjeshtë.

 

Qyteti i tij i lindjes Augsburg e nderon Bertolt Brechtin në 125 vjetorin e lindjes me një festival nën moton “Worldwide Brecht”, sepse shkrimtari, i cili i dëbuar prej nazistëve u detyrua të jetojë 15 vjet në emigracion, prej kohësh është kthyer në një ndër autorët më të frekuentuar në skenat e mbarë botës.

Opereta e tij “Opera për tri grosh” shkruar më 1928 është ndër teatrot muzikore të vëna më shpesh në skenë në mbarë botën. Me këtë vepër Brecht pushtoi jo vetëm skenat në Britaninë e Madhe dhe në SHBA, por edhe në Japoni, Togo e Poloni, ku veprat e tij vazhdojnë të vihen edhe sot e kësaj dite në skenë. “Opera për tri grosh” trajton problemet e kohës kur Brechti jetonte, por që janë aktuale edhe sot. Personazhet sjellin në skenë një botë, ku një hajdut xhepash duket njeriu më i ndershëm dhe parimor e korrupsioni dhe vjedhja kanë arritur kulmin duke kapur majat: kryepolici është kryemafiozi dhe koka e rrjetit kriminal.

Në qendër të “Opera për tri grosh” është figura e Meki Thika, një gangster që me bëmat e paudhësitë e tij imponohej duke fituar pushtet. Motivi është marrë nga figura fiktive Captain Macheath e trajtuar si nga John Gays tek The Beggar’s Opera. Brecht e ripërdori këtë figurë në veprën e tij. Që në hapje të operetës shfaqet direkt karakteri i Meki Thikës me strofën të shoqëruar nga muzika e Kurt Weil:

“Peshkaqeni ka dhëmbë, që i mban dukshëm në fytyrë

Ndërsa Macheath mban një thikë, që ju s’mund ta shihni kurrë

Ah nga bishti i skuqur i peshkaqenit e kupton që është përlyer në gjak

Por Meki Thika mban doreza që paudhësia të mos diktohet aspak”

Edhe tek “Nënë kurajo dhe fëmijët e saj” (1941) në fokus janë njerëzit e përvuajtur të shoqërisë. Në të bëhet fjalë për një nënë, që përpiqet t’i nxjerrë fëmijët e saj shëndosh prej luftës. Në Lomé regjisori Ramsès Alfa e ka vënë në skenë “Nënë kurajo dhe fëmijët e saj” – që është gjithashtu një ndër pjesët më të njohura të Brechtit. Ramsès Alfan, thotë, se kjo pjesë i kujton atij ndihmëset e të korrave në fushat e lajthive në Togo, të cilat me fëmijët e tyre në kurriz punojnë në vapën përvëluese për një pagë sa për një kafshatë bukë. Ose i kujton shitëset e rrugës në kryeqytetin Lomé, të cilat në këkrim të klientëve lëvizin me ngarkesë të rëndë me limonata, fruta apo stofra duke trokitur derë më derë shtëpive për të siguruar të ardhura sado pak sa për të mbajtur frymën e familjes.

Por jo vetëm në Togo, edhe në Japoni Brecht është mjaft i njohur. Sipas hulumtimeve të studiueses Monika Ayugai nga City University në Nju Jork, në fillim të shekullit 21 Brecht renditej fare pranë Shakespeare. Në emigracion Brecht është marrë me letërsinë japoneze. I ftuar tek kolegia e tij Hella Wuolijoki në Finlandë ai zbuloi dramën japoneze “Historia e trishtë e një gruaje, historia e Chink Okichi”, në të cilën një geisha në shekullin e 19 josh një konsull nga SHBA, për të shpëtuar qytetin e saj Shimoda nga sulmet e amerikanëve, por atë e poshtërojnë si tradhëtare. Brecht nisi ta përkthejë këtë pjesë, u mrekullua nga fati i punonjëses së seksit, të cilën pavarësisht aktit të saj heorik shoqëria e poshtëron.

 

Brecht një i huaj në bllokun lindor

Brecht i kaloi 15 vjet të jetës në emigracion, përpara se pas Luftës së Dytë Botërore të kthehej sërish në Gjermani, por në Republikën Demokratike të Gjermanisë (RDGJ). Një ditë pasi ra zjarri në Rajshtag në vitin 1933 Bertolt Brecht bashkë me familjen dhe gruan e tij Helene Weigel u largua drejt Parisit dhe më pas në Danimarkë. Pak pas kësaj librat e tij u dogjën prej nacionalsocialistëve dhe u ndaluan. Më 1941 Brecht u vendos në Los Angeles në SHBA dhe më 1949 u kthye në Berlinin lindor.

Ai në pjesët e tij vazhdimisht kritikonte padrejtësitë e kapitalizmit. “Tingëllon paradoksale, por Brecht si njeri dhe artist me pikëpamje ekstrem të majta, mund të ishte fare pranë ideologjisë dhe estetikës së Rusisë sovjetike, e në fakt nuk qe kështu”, konstaton studiuesja ruse e teatrit, Marina Davydova. Ajo vëren, se Brecht u pranua me shumë ngurrim dhe rezerva në Rusinë sovjetike, sepse krerët e vendit e ndjenin potencialin shpërthyes të artit të tij. Brecht është i mprehtë dhe pa kompromis në artin e tij. Ai i flet direkt publikut, pa doreza, kjo sipas studiueses ka bërë që krerët sovjetikë të kishin rezerva ndaj veprave të tij.

Vetëm pas vdekjes së Stalinit dhe në vitet 1970 vepra e tij arriti të ketë sukses në Bashkimin Sovjetik. As sot në Rusinë e Putinit Brechti sërish nuk ka më shans të vihet në skenë, shpjegon Davydova.

Brechti ka qenë mjaft i diskutueshëm edhe në perëndim duke u konsideruar si komunist. Sidoqoftë ai ka lënë gjurmë me veprën e tij, e cila sipas regjisorit nga Togo Ramsès Alfa edhe sot pas 70 vjetësh së vdekjes është mjaft e preferuar, pasi ai rrëfen për njerëzit, që kanë pak, që janë të shtypur dhe të margjinalizuar. Brecht ka shkruar qysh në moshë fare të re: Për pjesët e tij të para “Daullja e natës” dhe “Baal” më 1922 ai u vlerësua me çmimin Kleist (Heinrich von Kleist).

dw

Samiti i BE-së – solidaritet i fortë për Ukrainën

Volodymyr ZelenskinFjalë shumë emocionale për presidentin ukrainas në Bruksel. Por premtimet konkrete me kursim. A ia vlejti për Volodymyr Zelenskin përpjekja në Bruksel?

 

Veshja e thjeshtë me një bluzë ngjyrë të errët pambuku e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski gjatë paraqitjeve në Bruksel, bënte të qartë se cili është qëllimi i vizitës së tij. Bluza mbante stampën “United24″. Kjo është një tregues për faqen e internetit, përmes së cilës Zelenski personalisht që nga maji i vitit të kaluar përpiqet të mbledhë donacione dhe mbështetje për luftën mbrojtëse të Ukrainës ndaj sulmit rus. Vizita në Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian, pra në raundin e samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, shërben për të kërkuar më shumë ndihma e mbështetje europiane për vendin e tij.

 

“Vijmë në shtëpi”

“Ukraina do të jetë anëtare e Bashkimit Europian, një Ukrainë fitimtare”, tha Volodymyr Zelenski në pultin e referuesit përpara Parlamentit Europian. Kjo do të ishte edhe një fitim për BE-në, sipas tij. Përpara sallës plenare të mbushur plot në Bruksel presidenti ukrainas u përbetua, se do të mbrojë vlerat e përbashkëta europiane ndaj diktatorit rus, që do t’i shkatërrojë këto vlera. “Kjo është Europa jonë. Kjo është mënyra jonë e jetesës. Për Ukrainën kjo është sikur të vijë në shtëpi”, bëri thirrje Zelenski para eurodeputetëve duke iu referuar bisedimeve për anëtarësim me BE-në.

 

Natyrisht presidenti ukrainas falenderoi deputetët dhe jo vetëm ata, por të gjitha qeveritë europiane dhe njerëzit europianë për mbështetjen unikale dhe historike ndaj shtetit të sulmuar. Fjalimi i tij u ndërpre e u shoqërua vazhdimisht me duartrokitje frenetike për minuta të tëra nga parlamentarët. “këto duartrokitje nuk më takojnë mua, por juve të gjithëve”, tha Zelenski i emocionuar dhe me këtë kishte parasysh të gjithë europianet dhe europianët. “Europa do të ekzistojë për aq kohë sa ne do të qendrojmë bashkë”, tha Zelenski.

 

Shumë simbole

Presidenti përsëriti fare shkurt kërkesën e tij të parashtruar gjatë vizitës në Londër për avionë luftarakë dhe raketa me rreze më të gjatë veprimi. Kërkesat konkrete ai nuk i bëri publikisht. Edhe sa i përket dëshirës së vendit të tij për një anëtarësim të shpejtë në BE ai nuk u shpreh me ndonjë theks të veçantë duke mbetur me gjeste simbolike. Me presidenten e Parlamentit të BE-së, Roberta Metsola ai mbajti një flamur të madh të Europës. Bashkarisht u këndua himni i Europës në sallën plenare. Volodymyr Zelenski mbajti dorën e djathtë në zemër dhe këndoi himnin gjithashtu.

Roberta Metsola vlerësoi në mbyllje forcën drejtuese të të mikut të ftuar si një frymëzim për popullin e tij dhe për të gjithë botën. Ajo tha, se vendi i Ukrainës është në BE. Ajo shprehu atë, që Volodymir Zelenski nuk e tha në mënyrë eksplicite. Sakrificat e Ukrainës duhet të vlerësohen me vepra të europianëve, tha Metsola, e kjo “me një proces sa më të shpejtë anëtarësimi në BE, me më shumë ndihmë ushtarake. Hapi tjetër për vendet anëtare: Ato duhet të furnizojnë raketa me rreze më të gjatë veprimi dhe avionë luftarakë.”

 

Asnjë premtim konkret

Kërkesën e presidentes së Parlamentit të BE-së e dëgjuan krerët e 27 vendeve anëtare, por ata nuk dhanë premtime konkrete në samitin që vazhdoi pasdite. I pyetur nga reporterët lidhur me konsultime e zhvilluara, presidenti ukrainas tha, se është mirënjohës për garancitë, që BE do të qendrojë në krah të Ukrainës, derisa ajo të jetë fituese. Por do të flitet për avionët luftarakë. Puna po vazhdon. Nuk mund të flasë hapur për gjithçka, sepse Rusia dëgjon, u shpreh Zelenski para gazetarëve. “Nuk kam marrë premtime konkrete, që të duhej të vendosnim tani për vendime praktike”, tha Zelenski. “Por unë mund ta përballoj, të kthehem në shtëpi pa premtime konkrete.”

 

Antarësimi në BE varet nga progresi

Disi më konkrete ishte presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. Ajo tha, se paketa e dhjetë e sanksioneve ndaj Rusisë, është përgatitur që do të përmbajë edhe masa kundër propagandës dhe pushtetmbajtësit të Rusisë, Vladimir Putin. Këto masa kundër propagandës i pati kërkuar shprehimisht Zelenski. Nëse dëshira e Ukrainës do të përmbushet sivjet me hapjen e negociatave të anëtarësimit, këtë e la të hapur von der Leyen. Kjo varet nga progresi i reformave. Hapat e deritanishëm në gjendjen e luftës janë për t’u vlerësuar. Në vjeshtë shpresojmë të kemi dëshmi pozitive në të ashtuquajturin “progres-raport” për vendin kandidat. Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh për një proces të shpejtë. Këtë herë ky proces nuk duhet të zgjasë 20 vjet, si për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që kanë marrë premtimin qysh më 2003 në samitin e Selanikut.

Një Tribunal Lufte kundër të pandehurve rusë për krime lufte në Ukrainë sikurse e kërkon Parlamenti Europian, samiti i BE-së nuk e mbështeti direkt. “Unë të siguroj ty, Volydymyr, që ne kemi vullnetin politik për t’i nxjerrë para drejtësisë dorasit”, tha presidentja e Komisionit von der Leyen në konferencën e përbashkët të shtypit me presidentin ukrainas. “Ne do të gjejmë një rrugë.” Fillimisht duhet të krijohet një qendër e posaçme hetimi pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë.

dw

Mjeshtëria romake e ndërtimit me beton rezistent e më pak emisione CO2

Koloseu në RomëBetoni që ripërtërihet vetë përbën bazën e trashëgimisë arkitektonike të Romës antike. Një studim i ri tregon si mund të përdoret ky material çudibërës për të përgatitur ditëve të sotme betone më të qëndrueshme.

 

Në “Eneidën” e Virgjilit, një poemë epike latine, perëndia Jupiter profetizon se Enea, një hero që i shpëton rënies së Trojës, do të marrë si dhuratë një perandori, fundi i së cilës nuk vjen kurrë. Kjo perandori ka qenë Perandoria Romake.

Ideja e krijimit të trashëgimisë kulturore të një perandorie të përjetshme ka pasur rëndësi shumë të madhe për Romën, gjë që nuk e tregon asgjë tjetër më shumë se sa e tregojnë projektet e mëdha të ndërtimit.

“Ideja e krijimit të një kujtese ka qenë vërtetë e rëndësishme për Romën antike, ka qenë baza e fuqisë së saj. Ndërtesat si harqe dhe tempuj kanë qenë mbase kujtesat më të rëndësishme pamore, të krijuara nga perandorët dhe gjeneralët. Trashëgiminë e tyre ata e çimentuan në histori”, i tha Deutsche Welles, Hannah Platts, një historiane nga Universiteti Royal Holloway në Londër.

Betoni romak ka qenë kryesorja në këtë trashëgimi, ka përbërë shprehimisht dhe simbolikisht themelin e pushtetit të Romës. Dhe ndërkohë që ndërtesat romake janë të famshme për mozaikët dhe mermerin, betoni, me modestinë e tij, është gjeniu i vërtetë.

Betoni inicoi hovin e ndërtimeve arkitektonike

Betoni romak është material i qendrueshëm. Llojet moderne të betonit krisen dhe shpërbëhen brenda disa dekadave, kurse betoni romak ka mbajtur në vend pallate, ura dhe tempuj për mijëra vjet. Materiali i ndërtimit është ai që bën që ndërtesa si Koloseumi të jenë në këmbë edhe sot. Romakët kanë pas eksperimentuar për shekuj me betonet, por hov zhvillimi morri vetëm në shekullin e parë para erës sonë.

“Ka qenë koha e novacioneve me llaçin dhe betonin,” thotë Riley Snyder, një inxhinier ndërtimi në Universitetin e Edinburgut, në Mbretërinë e Bashkuar. “Ata e dinin se nëse i shtonin llaçit qeramika të thyera, atëherë rritej rezistenca e betonit kundër aktiviteteve sizmike, ose shtimi i hirit të vullkaneve e bënte betonin më të qendrueshëm.”

Kjo teknologji revolucionarizoi arkitekturën. Duke pasur beton të fortë, arkitektët arritën të ndërtonin ndërtesa më të mëdha dhe më të rafinuara. “Betoni romak bëri të mundur ndërtimin e harqeve dhe kupolave, të cilat ndryshuan për gjithnjë arkitekturën. Harqet masive përreth Koloseumit, për shembull, janë bërë me beton të derdhur”, thotë Snyder.

Por shembulli më i mirë për përdorimin gjenial të betonit është ndërtesa e Panteonit, një tempull ndërtuar në Romë nga viti 113 deri në vitin 126 të erës sonë. “Arkitektët e dinin se për të ndërtuar një ndërtesë kaq të madhe, duhet të përdornin përzierje më të rënda betoni poshtë, në dyshemenë e ndërtesës dhe përzierje më të lehta betoni lart, në krye, kështu që ndërtesa fillon të bëhet më e lehtë me rritjen e lartësisë”, thotë Platts. “E gjitha kjo ndihmoi Romën të shfaqë fuqinë e saj.”

Beton romak që ripërtërihet vetë

Pse është betoni romak më i qëndrueshëm nga betonet e tjera? Admir Masic, një inxhinier ndërtimi në Institutin e Teknologjisë në Masaçuset të SHBA-së, i tha Deutsche Welles se kjo ka të bëjë me përdorimin e hirit vullkanik, marrë nga malet e Vezuvit ose Entas. “Romakët i shtonin përzierjes së llaçit hirin vullkanik”, thotë Masic. “Kështu krijohet një material i jashtëzakonshëm ndërtimi, i cili është në gjendje të ripërtërihet vetë mbasi çahet. Ju mund të çani në dysh një copë betoni dhe ai ringjitet pas dy javësh, po t’i hedhësh ujë.”

Aftësia vetë-ripërtëritëse është veçanërisht efektive në ujin e kripur të deteve. Kjo i ndihmoi romakët të ndërtonin porte detare të forta dhe objekte nënujore portesh përgjatë Mesdheut, si ato të Cezaresë në Izraelin e sotëm.

Zbulohet një formulë e humbur betoni?

Atëherë, pse nuk përdorim ne sot betonin romak? Për fat të keq, receta për përgatitjen e betonit që ripërtërihet vetë ka humbur gjatë kohërave dhe nuk dihet kur është përdorur ekzaktësisht për herë të fundit, para se ky material ndërtimi të zhdukej. Shkencëtarë si Masici janë marrë me studimin e betonit dhe llaçit romak për të kuptuar pse ky material është kaq i fortë.

Studimi më i fundit i Masicit, më 6 janar 2023, në revistën Science Advances, tregon se qendrueshmëria e materialit mund të ketë të bëjë me mënyrën e përzierjes së llaçit. “Studimet tona tregojnë se romakët kanë përdorur një proces të quajtur “përzierje e nxehtë” e gëlqeres, hirit vullkanik dhe ujit”, thotë Masic.

Ky proces i përzierjes së nxehtë krijon të ashtuquajturat klasta (petëza) gëlqerore, të cilat gjenden kudo në përbërësit mineralë të betonit romak.” “Njerëzit menduan fillimisht se klastat ishin shkaktuar për shkak të përzierjes së keqe, por unë dyshova për këtë gjë sepse romakët ishin shumë të kujdesshëm kur bëhej fjalë për përgatitjen e betonit”, thotë ai. Në fakt, studimi i Masicit tregon se përzierja e nxehtë dhe klastat gëlqerore janë thelbësore për aftësinë e vetë-ripërtëritës të materialit, duke krijuar një reaksion kimik me ujin, i cili ngjit të çarat.

 

Beton më ambientalist?

Masic shpreson që studimi i tij të ndihmojë industrinë e ndërtimit për të krijuar beton më të fortë dhe më të qëndrueshëm, i cili ripërtërihet vetë. “Betoni që ripërtërihet vetë është shumë rezistent, që do të thotë se nevojitet më pak beton, ose se betoni nuk ka nevojë të ribëhet. Kështu që kërkesat e prodhimit ulen më shumë, duke ulur edhe sasinë e energjisë së përdorur”, thotë ai.

Prodhimi modern i betonit është përgjegjës për 8 përqind të emisioneve të dioksidit të karbonit në botë. Gjithçka që ndërtohet rrugët, shtëpitë dhe gradaçelat kanë nevojë për beton kur ndërtohen, kështu që Masiv mendon se zbulimi i tij ka potencial të madh. “Kemi të bëjmë me materialin e përdorur më shumë në botë, dhe me një material që shkakton prodhimin e shumë dioksidi karboni. Ulja e emisioneve të dioksidit të karbonit në industrinë e prodhimit të betonit mund të jetë e madhe”, thotë ai.

dw

 

Vazhdon Aleanca Shqiptare me Alternativa “për kulaç”

ASHANë rast se Alternativa mbetet në qeveri, ASH do ta marrë Zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, por nëse Alternativa largohet nga qeveria, Aleanca për Shqiptarët do ta fitojë Ministrinë për Shoqëri Informative, këto janë hesapet partiake që qarkullojnë në media.

Sot është paralajmëruar takim i kreut të LSDM-së, si dhe Kovaçevskit me partnerët e koalicionit për të definuar përfundimisht ndarjen e kulaçit me ASH-në edhe Alternativën.

Flitet se Shëndetësia dhe Drejtësia do të drejtohen nga kuadro të ASH-së, gjithashtu, janë arritur marrëveshje për drejtoritë si MEPSO, Fondi Pensional dhe Invalidor apo Posta e Maqedonisë. ASH do të fitojë edhe pozitën e zëvendësministrit në Mbrojtje, ndihmësdrejtor në Dogana dhe zëvendësdrejtor në DAP.

Në rezidencën e ambasadorit amerikan vazhdon diskutimi për Asociacionin

USAAmbasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka konfirmuar se sot do të ketë vazhdim të diskutimit të temës së 31 janarit.

 

Në një përgjigje për RTK-në, Ambasada thotë se ambasadori Jeff Hovenier sot do t’i mbledhë në një takim joformal palët e interesit.

Në ambasadën e SHBA-së, më 31 janar u diskutua për themelimin e Asociacionit, ku morën pjesë përfaqësues institucionale, të partive politike dhe të shoqërisë civile.

rtk

 

mitrovicaKosovë, serbët dhe shqiptarët të ndarë për çështjen e Asociacionit

 

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha të mërkurën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë do të duhej të themelohej deri në verën e këtij viti.

 

Në një intervistë me televizionin K1 në Beograd, ambasadori Hill tha se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, mund të zbatohet deri në fund të këtij viti.

Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e të dyja vendeve për t’i bindur që të nënshkruajnë një marrëveshje mbi atë propozim, që parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Krahas përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve për propozimin, diplomatët perëndimorë kanë shtuar trysninë mbi Prishtinën që të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Qytetarët shqiptarë dhe serbë, të ndarë në veri dhe në jug të qytetit të Mitrovicës, duken të ndarë edhe në mendimet e tyre mbi Asociacionin.

Disa qytetarë serbë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thanë se ai paraqet mundësi për mbijetesë dhe përparim të të drejtave të tyre, ndërkaq qytetarët shqiptarë këmbëngulin në përputhshmërinë e këtij mekanizmi me Kushtetutën e Kosovës.

“Rreth Asociacionit presim që të drejtat e serbëve lokalë të shtohen dhe që ata të kenë qasje në integrim”, tha Miroslav Lakediç, banor i veriut të Mitrovicës.

“Ai do të mund të ishte një hap drejt ndonjë zgjidhje për mbijetesën e popullit serb në Kosovë. Kjo do të mund të ishte zgjidhje ose parakusht ndoshta për bisedime të mëtejshme dhe marrëveshje. Shumë thjeshtë ne duhet patjetër të kemi marrëveshje me shqiptarët në Kosovë dhe bashkëjetesë sepse ne këtu jetojmë bashkë, ky është realiteti”, thotë Stevica Joviç, banor i veriut të Mitrovicës.

“Asociacioni duhet patjetër të themelohet, Evropa ka marrë një vendim të tillë dhe mendoj që duhet të bëhet, do të jetë mirë edhe për ju edhe për ne”, tha një tjetër qytetar i cili nuk pranoi të identifikohet.

“Duhet të bëhet një kompromis që t’i kenë edhe ata të drejtat si qytetarë të Kosovës që janë, as më tepër as më pak. Ose të bëhet një krahasim me banorët shqiptarë që jetojnë në Serbi, sa kanë të drejta ata”, tha për Zërin e Amerikës Maliq Sylejmani, banor i pjesës jugore të Mitrovicës.

“Asociacioni është si t’ua japësh autonominë serbëve andej urës. Për pesë apo gjashtë vjet këtu ndahet dhe mbetet si Republikë brenda Republikës”, thotë një tjetër qytetar shqiptar që jeton në pjesën jugore të Mitrovicës.

“Duhet të formohet vetëm Kushtetuta si e thotë, në bazë të Kushtetutës së Kosovës mund të pranohet, por jo si thonë ata”, thotë Bedri Haxhimehmeti, një tjetër banor i jugut të Mitrovicës.

Qytetarët në të dyja anët e qytetit shprehen të rezervuar për procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

“E shoh pozitivisht, është duke shkuar në drejtimin e duhur si proces dhe përfundimisht duhet që të bëhet marrëveshje me serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës. Fqinjët tanë shqiptarë duhet që të kuptojnë përfundimisht se serbët janë pjesë kushtetuese e Kosovës, kanë pasur shtet dhe do të kenë nëse ka bashkëpunim, që do të thotë se asnjë vendim nuk mund të merret pa pajtueshmëri. Është më mirë njëqind vjet bisedime sesa një ditë luftë, paqja është e domosdoshme. Po shkojmë drejt pëparimit, e kemi një rini dhe duhet të mendojmë në atë drejtim”, tha Miroslav Lakediç.

“Bisedimet janë më të mira se lufta. Duhet patjetër të bisedojmë, nuk duhet të ketë shantazhe dhe nuk duhet të ketë kushtëzime, është punë që dihet. Për serbët këtu është Serbi dhe për shqiptarët është shteti i tyre i pavarur, kjo është e tëra. Por mbi të gjitha bisedime, dialog, marrëveshje, jo luftë, nga lufta askush nuk do të dalë i lumtur”, tha Stevica Joviç.

“Procesin e shoh ashtu që bazohem shumë te miqtë tanë amerikanë, përndryshe evropianët kanë ditur shumë herë të na zhgënjejnë. E aty kam shpresa shumë të mëdha se do të bëhet mirë”, thotë Maliq Sylejmani.

“Serbia kurrë nuk është e gatshme ta përfundojë dialogun, vetëm për sy e faqe. Ne jemi të sinqertë në dialog por Serbisë vetëm i konvenon ta shtyjë e zvarris më tutje. Angazhimi ndërkombëtar kohën e fundit po duket i mirëfilltë, është i mirëseardhur”, thotë Skender Peci, një tjetër banor i pjesës jugore.

Kosova dhe Serbia thanë se e pranojnë propozimin evropian i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjkeje për të gjetur një zgjidhje të mospajtimeve ndërmjet të dyja palëve që mbesin një burim paqëndrueshmërie në Ballkan duke rritur shqetësimet për sigurinë në rajon, në një periudhë kur kontinenti po përballet me pasojat e agresionit rus në Ukrainë.

voa

 

 

 

Hill: Kosova në organizatat ndërkombëtare e serbët Asociacionin

acham Serbia Amb HillAmbasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë sonte në Beograd se zgjidhja e çështjes së Kosovës është e mundur në bazë të parimit të koncesioneve reciproke. Ai ka porositur Serbisë se është koha për një vendim për sanksione kundër Rusisë.

 

“SHBA-të po bëhen partneri kryesor ekonomik i Serbisë dhe asgjë nuk do të ndërtonte më shumë besimin e investitorëve sesa Serbia të tregojë më në fund guximin për të zgjidhur konfliktin me Kosovën dhe për të pranuar fatin e saj evropian”, tha ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të Odës Ekonomike Amerikane në Beograd, Hill tha se një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Serbia është arritja e një zgjidhjeje me Kosovën.

“Ata që mendojnë se Kosova zgjidhet lehtë, nuk e kuptojnë problemin. Është një nga ato probleme për të cilat nëse ka zgjidhje, me atë zgjidhje të gjithë fitojnë diçka dhe humbin diçka”, tha Hill.

Siç tha diplomati amerikan, në procesin e negociatave po tentohet të arrihen dy gjëra, formimi i Asociacionit të komunave me shumice serbe dhe mundësimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Sot, negociatorët nga Bashkimi Evropian, të cilëve u janë bashkuar edhe kolegët e tyre amerikanë, po përpiqen të zbatojnë Bashkësinë e Komunave Serbe dhe të krijojnë një hapësirë ​​ku Kosova mund të ketë të drejtat dhe obligimet e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Për vëzhguesit e rastësishëm, kjo duket e thjeshtë. Por, sigurisht, është larg nga kjo”, tha Hill.

Ambasadori amerikan theksoi se është e rëndësishme që të zgjidhen problemet e serbëve në Kosovë dhe se ata kanë të drejtë të dinë se cila do të jetë e ardhmja e tyre.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale politike, serbët dhe shqiptarët në Kosovë kanë nevojë për struktura që përmirësojnë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe ndjenjën e përkatësisë. Marrëveshja e Brukselit plotëson nevojat e popullatës serbe. Nuk është rastësi që gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 i referohen krijimit të Asociacionit. Edhe pas dhjetë vjetësh, kjo nuk është arritur”, tha Hill.

Ambasadori amerikan tha se tensioni dhe destabiliteti nuk do të ndihmojnë askënd dhe se marrëveshja do të varet nga të dyja palët.

“A do të arrihet një marrëveshje do të varet nga përpjekja, këmbëngulja dhe kreativiteti i Beogradit dhe Prishtinës. Do të varet gjithashtu nga një proces i dhënies dhe marrjes, dhe nga negociatorët që pranojnë se të gjithë kanë një legjitimitet në marrjen e qëndrimeve të tyre, edhe kur janë kundër”, tha ai.

Sipas ambasadorit, zgjidhja e situatës në Kosovë është e rëndësishme që Serbia t’i përkushtohet detyrës qendrore të përgatitjes për anëtarësim në BE.

Në Asamblenë e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Hill tha se Beogradi heziton të harmonizohet me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, elementi më i rëndësishëm i së cilës është vendosja e sanksioneve kundër Rusisë.

“Askujt nuk i pëlqen të vendosë sanksione ndaj dikujt, por pjesë e saj është nevoja për solidaritet dhe qëllim të përbashkët. Serbia duhet të vendosë. Ajo ka kundërshtuar prej kohësh sanksionet, por ajo kohë po mbaron dhe ajo duhet të bëjë atë që është në interesin e saj më të mirë. Ajo që Serbia ka nevojë dhe dëshiron të bëjë është të anëtarësohet në BE”, tha Hill.

rtk

Siria dhe Turqia do të marrin ndihma nga BE pas tërmetit shkatërrimtar

qeni nuhatesBE-ja do të nisë ndihma jo vetëm në Turqi, por edhe në Siri. Qeveria në Damask pas tërmetit me pasoja të rënda kërkoi ndihmë nga BE pavarësisht kundërshtive politike.

 

Punonjëset dhe punonjësit e Qendrës së BE-së për Ndihmën Civile qendrojnë në një godinë me zyra të Komisionit të BE-së para monitorëve të mëdhenj dhe hartave. Në këtë sallë të vogël gjithçka zhvillohet bashkarisht – konsultime për llojin e ndihmës që nevojitet dhe se çfarë oferte mund të bëjne 27 vendet anëtare të BE-së dhe tetë shtete të tjera europiane? Këtu koordinohet kryesisht ndihma për viktimat e tërmetit në Turqi. Ndersa më parë detyra e madhe ishte ndihma për Ukrainën, që është sulmuar nga Rusia.

 

36 ekipe shpëtimi janë nisur drejt vendit të katastrofës

Tani janë mbledhur kërkesat e autoriteteve dhe organizatave të ndihmës nga Turqia dhe janë pranuar ofertat për mbrojtjen civile nga shtetet pjesëmarrëse. Punonjësit në Bruksel u drejtohen me kërkesa të qarta organizatave të ndryshme të ndihmave, zjarrëfikësave, policisë dhe forcave të ushtrisë të vendeve anëtare, për të mundësuar ndihmën.

Ndërkohë 20 vende anëtare të BE-së dhe tre shtete të tjera europiane kanë vënë në disozicion në terren 36 ekipe kërkimi dhe shpëtimi. Janë rreth 1500 persona dhe 100 qen kërkimi dhe nuhatjeje. Rreth gjysma e këtyre forcave, sipas të dhënave të Qendrës Europiane për Mbrojtjen Civile kanë mbërritur në Turqi.

Më e rëndësishmja është koordinimi me qendrën turke të operacionit dhe ndihmësit nga rajonet e tjera të botës, tha komisari i BE-së për Ndihmën nga Katastrofat, Janez Lenarcic, të mërkurën (08.02.2023) në Bruksel. Numri i ofertave për ndihma rritet nga ora në orë, sepse përmasat e katastrofës në Turqi dhe Siri po zmadhohen gjithnjë e më shumë. Ndërkohë autoritetet deri të enjten në mëngjes (09.02.)bëjnë të ditur për 16.000 të vdekur në Turqi e Siri. Disa dhjetëra mijëra njerëz janë plagosur. Komisioni i BE-së ka vendosur një ekip të vetin koordinues në Turqi, ku bashkëpunohet me autoritetet, aeroportet, qendrat lokale të logjistikës.

 

BE i ofron ndihmë gjtihashtu edhe Sirisë

Pas një ngurrimi në fillim edhe qeveria e Sirisë e sundimtarit Baschar al-Assad kërkoi ndihmë nga Qendra e BE-së për Mbrojtjen Civile, vuri në dukje komisari Lenarcic. “Lista e ndihmave që kërkon Siria është mjaft e gjatë.” Kërkesat nisin që me ekipe kërkimi dhe shpëtimi, deri tek aparaturat mjekësore dhe furnizimet me ushqime. “Ne i inkurajojmë vendet anëtare, që edhe në Siri të furnizojnë shpejt”, siguroi komisari i BE-së.

Qeveria e Sirisë për shkak të luftës civile prej vitesh ndodhet nën sanksione nga BE-ja, por sipas diplomatëve të BE-së, ky vend në situatë emergjence do të ndihmohet. Mbrojtja Civile e BE-së është e paanshme dhe nuk pyet për politikën në raste katastrofash.

Megjithatë është e paqartë, se si mund të furnizohen me ndihma rajonet e rebelëve në veri-perëndim të Sirisë, që janë kryesisht të prekura nga tërmeti. OKB tërheq vëmendjen, se nga tërmeti janë shkatërruar shumë rëndë rrugët për në Bab-al-Hava, pika e vetme kufitare e hapur mes Turqisë dhe Sirisë për ndihmat humanitare.

Organizata e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) bën fjalë për katër milionë refugjatë sirianë në të dyja anët e kufirit, që edhe përpara tërmetit kishin nevojë për furnizime me ushqime.

 

Sanksionet e BE-së nuk pengojnë ndihmat

Komisari për Ndihmën nga Katastrofat siguroi, se nga furnizimet e ndihmave të BE-së duhet të përfitojnë vetëm njerëzit në Siri, por jo regjimi. “Ne do t’i mbikqyrim saktësisht ato.” Akuzat nga Siria, se sanksionet ndërkombëtare pengojnë ndihmat për viktimat e tërmetit, Lenarcici i hodhi poshtë duke iu përgjigjur pyetjes së DW-së: “Nuk ka asgjë, që mund të pengojë furnizimin me ndihma”, tha Lenarcic.

Sanksionet drejtohen kundër pasurive dhe udhëtimeve të anëtarëve të regjimit, kundër firmave, që fitojnë nga lufta dhe kundër importimit të armatimeve, që mund të përdoren për të shtyputr njerëzit. Fjala është për pajisje për policinë dhe impiantet e mbikqyrjes së telekomunikacionit. Përveç kësaj Bashkimi Europian ka ndaluar importin e naftës nga Siria si dhe blerjen e bonove sirine të thesarit.

 

Hapi tjetër i ndihmës: çadra dhe ngrohje

Ndërkohë Turqia po përgatitet për fazën e dytë të  ndihmës për katastrofën që pason pasi të përfundojnë aksionet e kërkimit dhe gjetjes së njerëzve nën rrenoja. Për këtë fazë BE premtoi të mërkurën (08.02.2023) furnizimin me batanije, çadra, soba dhe aparatura të tjera ngrohëse si dhe material medicinal në mënyrë që të mund të përkujdesen dhjetra mijëra të plagosur dhe të pastrehë. “Këto ndihma do t’i dërgojmë sam ë shpejt të jetë e mundur”, premtoi Lenarcic.

dw

Mbi 15 mijë viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri

termetiMbi 15 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit në Turqi dhe Siri.

 

Në Turqi, mbi 60,000 njerëz janë plagosur dhe më shumë se 12,873 kanë humbur jetën, sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive. Në Siri janë raportuar mbi 2,900 viktima.

Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.

 

Gjatë natës, ekipet e shpëtimit vazhduan të kërkojnë për të mbijetuar mes rrënojave të strukturave të shembura, por shpresat për të gjetur më shumë njerëz të gjallë shkojnë duke u zvogëluar pasi kanë kaluar më shumë se tre ditë që nga tërmetet.

Përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre.

Ekspertët thanë se koha po mbaron për të mbijetuarit e bllokuar nën rrënojat e tërmeteve në Turqi dhe Siri, teksa përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë vendimtre në 72 orët e para.

 

Më shumë se 90 për qind e të mbijetuarve të tërmetit shpëtohen brenda tri ditëve të para, thanë ata.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan vizitoi të mërkurën provincën e Hataitit, e cila është goditur rëndë, prej ku banorët kanë kritikuar përpjekjet e qeverisë, duke thënë se ekipet e kërkim-shpëtimit shkuan me vonesë.

Sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive, më shumë se 110,000 trupa të ekipeve të shpëtimit po marrin pjesë në përpjekjet për të shpëtuar sa më shumë jetë, dhe më shumë se 5,500 automjete, përfshirë traktorë, vinça, buldozerë dhe ekskavatorë janë dërguar në zonat e prekura nga tërmetet.

rel