Lajçak i kënaqur që Kosova ka pranuar në parim propozimin e BE-së

Lajcak AlbinPërfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shprehur i kënaqur që Kosova ka pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë. Sllovaku në një postim në Twitter, thotë se do të vazhdohet tutje me diskutohet në takimin e nivelit të lartë. 

Kjo deklaratë e tij ka ardhur pas takimeve që ai zhvilloi në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesin serb në dialog me Kosovën, Petar petkoviq.

“Udhëtova për në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe në Beogradit të bëjë të njëjtën gjë me presidentin serb, Aleksander Vuçiq dhe Petar Petkoviq. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim propozimin evropian. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ndryshe, një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar atë si një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara.

Ndërsa Lajçak tha pas takimit me Kurtin se kanë diskutuar gjithçka që lidhet me dialogun, por se diskutimi ka qenë i përqendruar te propozimi evropian. Ai përsëriti qëndrimin se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, ndërsa përmbajtja substanciale e këtij plani është njohja defakto e dy shteteve, duke respektuar integritetit territorial të dy vendeve dhe njohjen e simboleve shtetërore.

Propozimi i Bashkimit Evropian, që më herët njihej si plani franko-gjerman, ka marrë mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E aty ka edhe një angazhim shtesë të Kosovës për komunitetin serb.

rtk

Kurti: E pranojmë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se ai pranon propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me gjithë shqetësimet rreth trysnisë perëndimore për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai i bëri këto komente pas një takimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi në Prishtinë, me të cilin, siç tha, shkëmbyen mendime e propozime për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

“Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian, siç e kemi thënë edhe më herët, si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara. Çështje e pikëpyetje të caktuara kanë ngelur që të trajtohen së shpejti në bisedimet në Bruksel e që kanë të bëjnë me mekanizmat implementues, me garancitë ndërkombëtare dhe sekuencimin kohor, çka, si e kur, prandaj këto kanë mbetur të diskutohen në takimet të cilat do t’i kemi në Bruksel”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se Kosova është e interesuar për një marrëveshje me Serbinë por sipas tij, kjo nuk mjafton, pasi që duhet edhe gatishmëria e palës tjetër.

“Por ajo që mund të them është se konceptet demokratike të këtij propozimi dhe orientimi evropian neve na mban fuqishëm me shpresë”, tha ai.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të hënën pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel duhet të zbatohen, përfshirë edhe atë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai tha se ka diskutuar edhe për disa kushte të paraqitura javën e kaluar nga kryeministri Kurti që duhen plotësuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne kemi diskutuar për këtë çështje dhe kam informuar kryeministrin për qëndrimin tonë, por nuk dua të bëj analiza ligjore publike. Mendoj se ishte e dobishme që ne e bëmë këtë diskutim. Sërish ajo që duhet të përsëris është se gjithçka që është rënë dakord në dialog duhet të zbatohet”, tha ai.

Zoti Lajçak tha se vizita e tij është vazhdimësi e përpjekjeve diplomatike për të arritur përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin evropian.

“Ne diskutuam për propozimin dhe përgatitjen e një takimi konstruktiv të nivelit më të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç”, tha zoti Lajçak. I cili në orët e mbrëmjes u takua në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Presidenti serb shkroi në rrjetet sociale se kishte “një bisedë të hapur dhe miqësore me Miroslav Lajçakun. Kur them të hapur, atë vërtetë e mendoj. Më kuptuat të gjithë”, shkroi ai por pa dhënë hollësi të tjera.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, e ka lanë të kuptohet se do të pranojë propozimin, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë Serbia nëse e refuzon atë. Javën që lamë pas ai raportoi në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën, duke theksuar pasojat me të cilat do të përballet vendi i tij nëse refuzon propozimin evropian.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

voa

Mbi 3700 të vdekur nga pasojat e tërmetit në Turqi dhe Siri

termetiNjë tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi të hënën Turqinë dhe Sirinë, duke shkaktuar vdekjen e mbi 3 mijë e 700 personave.

 

Mijëra të tjerë janë plagosur, ndërsa një numër i madh njerëzish kanë ngelur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Qeveri të ndryshme dhe organizata të shumta ndërkombëtare kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar përpjekjet e kërkim-shpëtimit.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se ekipe amerikane kërkim-shpëtimi “po dislokohen me shpejtësi për të filluar mbështejen e operacioneve kërkimore të Turqisë dhe për të ndihmuar me nevojat e të lënduarve dhe të zhvendosurve nga tërmeti”.

Presidenti Biden foli të hënën me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për t’i shprehur ngushëllimet dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë të gjithë ndihmën e nevojshme, njoftoi Shtëpia e Bardhë nëpërmjet një deklarate.

John Kirby, koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, tha se Shtetet e Bashkuara po dërgojnë dy ekipe prej 79 anëtarësh për operacionet e kërkim-shpëtimit në zona urbane dhe se Pentagoni dhe USAID-i po koordinohen me homologët turq për ndihma të mëtejshme.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha homologut të tij turk, Ministrit të Jashtëm Mevlut Cavusoglu, se mjafton të shprehë nëpërmjet telefonit çfarë iu nevojitet dhe se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë ç’të munden për të ndihmuar, njoftoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Pjesa qendrore e Turqisë dhe veriperëndimi i Sirisë mëngjesin e së hënës u tronditën nga një tërmet i fuqishëm që shkaktoi qindra e qindra viktima dhe plagosi mijëra të tjerë.

Tërmeti me magnitudë 7.8 shembi një numër të madh ndërtesash, ndërsa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja.

Ky është tërmeti më i fuqishëm që godet Turqinë në këtë shekull. Dridhjet janë ndjerë edhe në Egjipt, Qipro dhe Liban.

Epiqendra e tërmetit ishte afër Gazientepit, qytetit industrial pranë kufirit Turqi-Siri. Në qytetin Mersin një banor i tha Zërit të Amerikës se lëkundjet zgjatën rreth një minutë.

“U zgjuam nga dridhjet. Pjesë të rrënojave po binin nga oxhaku dhe hapësirat boshe të ndërtesës. Ishte shumë e frikshme”, tha ai.

Qeveria turke shpalli alarmin e shkallës së 4-të, që do të thotë se po kërkon ndihmë ndërkombëtare.

“Nuk mund ta parashikojmë rritjen e numrit të viktimave dhe të plagosurve ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë. Shpresojmë të rikuperohemi nga kjo tragjedi me sa më pak jetë të humbura”, tha presidenti turk.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se pret që numri i viktimave të jetë shumë më i madh. Ministria e Brendshme e Turqisë tha se tërmeti u pasua me mbi 20 pasgoditje. Të paktën një nga to ishte me magnitude 7.5.

Qeveria turke shpalli alarmin e shkallës së 4-të, që do të thotë se po kërkon ndihmë ndërkombëtare.

Organizata “Shoqëria Mjekësore Siriano-Amerikane” tha se spitalet janë të mbingarkuara me pacientët që kanë mbushur korridoret.

 

Mbështetje ndërkombëtare

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se presidenti Joe Biden udhëzoi Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe partnerët e tjerë federalë “të vlerësojnë mundësitë e reagimit amerikan për të ndihmuar më të prekurit”.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga raportet për tërmetin e sotëm shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë të nevojshme, “tha zoti Sullivan në një deklaratë.

Bashkimi Evropian tha se po dërgonte ekipe shpëtimi në rajon, me njësitë nga Holanda dhe Rumania “tashmë në rrugë e sipër”.

Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Rishi Sunak, thanë se qeveritë e tyre ishin të gatshme për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.

“Greqia po mobilizon burimet e saj dhe do të ndihmojë menjëherë”, shkroi në Twitter kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ekipet e kërkim-shpëtimit, si dhe ndihma mjekësore, do të dërgohen në Turqi në përgjigje të një kërkese nga qeveria turke.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ofroi gjithashtu mbështetjen e qeverisë së tij, “Jam i tronditur me vdekjet dhe plagosjet e qindra njerëzve si pasojë e tërmetit në Turqi”, shkroi presidenti Zelenskyy. “U shprehim ngushëllimet tona familjeve të viktimave dhe të plagosurve u urojmë shërim të shpejtë. Në këtë kohë, ne qëndrojmë pranë popullit mik turk dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme”.

 

Shqipëria dhe Kosova, dërgojnë njësi të kërkim-shpëtimit në Turqi

Autoritetet në Shqipëri dhe Kosovë nisën njësitë e kërkim shpëtimit për të ndihmuar Turqinë, për t’u përballur me pasojat e tërmetit.

“Një skuadër shqiptare prej 53 trupash të kërkim-shpëtimit dhe ndihmës shëndetësore, bashkë me mjetet e nevojshme u nisën drejt Turqisë mike, në një mision solidariteti vëllazëror përkrah të gjitha skuadrave të tjera aleate, për të bashkuar forcat në përballimin e plagëve të hapura të tërmetit tragjik”, shkroi kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Edhe nga Kosova për në Turqi është nisur një njësi për operacione humanitare e Forcës së Sigurisë.

“Solidarizohemi dhe i qëndrojmë pranë popullit dhe shtetit turk në këto kohë të vështira. Shpresojmë dhe urojmë që kjo tragjedi të kalojë me sa më pak viktima”, shkroi kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Turqia është në një nga zonat më aktive të tërmeteve në botë.

Në vitin 1999, 17,000 njerëz humbën jetën kur një tërmet me magnitudë 7.4 – më i rëndi në dekada goditi në veriperëndim të vendit.

Në tetor të vitit 2022, një tërmet me magnitudë 7.0 goditi Detin Egje duke vrarë 116 persona dhe duke plagosur mbi 1 mijë. Përveç dy viktimave, të gjithë të vdekurit ishin nga qyteti i Izmirit.

* Mbështetur në agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

voa

Pse ishte kaq i rëndë tërmeti në Turqi e Siri?

Tërmeti me magnitudë prej 7.8 ballësh që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e së hënës, ka të ngjarë të jetë një nga më vdekjeprurësit këtë dekadë, thanë sizmologët, me një thyerje prej më shumë se 100 kilometrash (62 milje) midis blloqeve të Anadollit dhe Arabisë.

Këtu është ajo që shkencëtarët thanë se ndodhi nën sipërfaqen e tokës dhe ajo se çfarë duhet të prisni pas kësaj: 

Ku ishte epiqendra e tërmetit?

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 26 kilometra në lindje të qytetit turk Nurdagi, në një thellësi prej rreth 18 kilometrash në Rripin e Anadollit Lindor. Tërmeti u përhap drejt verilindjes, duke shkaktuar shkatërrime në Turqi dhe Siri.

Gjatë shekullit XX, Rripi i Anadollit Lindor tregoi aktivitet pak më të madh sizmik.

“Nëse do të shkonim, thjesht, nga tërmetet (të mëdha) që u regjistruan nga sizmometrat, do të dukej pak a shumë bosh”, tha Roger Musson, një bashkëpunëtor nderi i kërkimit në Shërbimin Gjeologjik Britanik.

Që nga viti 1970 në këtë zonë, janë regjistruar vetëm tri tërmete me magnitudë mbi 6.0 ballësh të shkallës së Rihterit, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së. Por, më 1822, një tërmet prej 7.0 ballësh goditi rajonin, duke lënë të vdekur rreth 20.000 njerëz. 

Sa i rëndë ishte ky tërmet?

Mesatarisht, më pak se 20 tërmete mbi 7.0 ballësh ndodhin në çdo vit, duke e bërë ngjarjen e së hënës të rëndë.

Krahasuar me tërmetin prej 6.2 ballësh që goditi Italinë qendrore në vitin 2016 dhe vrau rreth 300 njerëz, tërmeti Turqi-Siri lëshoi 250 herë më shumë energji, sipas Joanna Faure Ëalker, drejtuese e Institutit të Kolegjit Universitar të Londrës për Reduktimin e Rrezikut dhe Fatkeqësive.

Vetëm dy nga tërmetet më vdekjeprurëse nga viti 2013 deri në vitin 2022 ishin të së njëjtës magnitudë me tërmetin e së hënës. 

Pse ishte kaq i ashpër?

Rripi i Anadollit Lindor është një rrip ku ndodhin lëvizje të shtresave shkëmbore.

Në to, pllakat e ngurta shkëmbore shtyhen kundër njëra-tjetrës përgjatë një linje prishjeje vertikale, duke krijuar presion derisa njëra më në fund rrëshqet në një lëvizje horizontale, duke u liruar nga tendosja e madhe që mund të shkaktojë një tërmet.

Rripi i San Andreas në Kaliforni është ndoshta rripi më i famshëm i lëvizjes së shtresave shkëmbore në botëku shkencëtarët paralajmëruan të ndodhte një tërmet kohë më parë. Thyerja fillestare për tërmetin Turqi-Siri filloi në një thellësi relativisht të cekët.

“Lëkundja në sipërfaqen e tokës do të ketë qenë më e rëndë se sa për një tërmet më të thellë të së njëjtës magnitudë në burim”, tha David Rothery, një gjeo-shkencëtar planetar në Universitetin e Hapur në Britani. 

Çfarë lloje tjera të goditjeve mund të priten?

Njëmbëdhjetë minuta pas tërmetit fillestar, rajoni u godit nga një tjetër tërmet me magnitudë prej 6.7 ballësh. Një tërmet me magnitudë 7.5 ballësh ndodhi disa orë më vonë, i ndjekur nga një tjetër spazmë me magnitudë 6.0 ballësh pasdite.

“Ajo që po shohim tani është se aktiviteti po përhapet në rripat fqinj”, tha Musson. “Presim që lëvizjet sizmike të vazhdojnë edhe për një kohë”.

Pas ngjarjes vdekjeprurëse të 1822-shit, të tjera lëkundje vazhduan edhe vitin e ardhshëm. 

Cili mund të jetë numri i përgjithshëm i vdekjeve?

Tërmetet me magnitudë të ngjashme në zonat e populluara kanë vrarë mijëra njerëz. Tërmeti i Nepalit me magnitudë 7.8 ballësh në vitin 2015 mori gati 9.000 jetë.

“Nuk duket se do të jetë mirë”, tha Musson.

“Do të jenë mijëra, mund të jenë dhjetëra mijëra”.

rel

Kryeministri Kurti u bën thirrje fuqive perëndimore të mos bëjnë trysni për Asociacionin

AlbinKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje fuqive perëndimore që të ndihmojnë në demokratizimin e Serbisë dhe siç tha ai “pavarësimin” e saj nga republikat e ish-Jugosllavisë, në vend që të ushtrojnë trysni mbi Kosovën për të pranuar një Asociacion të diskutueshëm të komunave me shumicë serbe të vendit.

 

 

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press, kryeministri Kurti tha se Serbia duhet “të shpallë pavarësinë nga të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë për t’u përballur me të kaluarën dhe për të shprehur vullnetin dhe interesimin për Bashkimin Evropian dhe NATO-n e jo për Federatën Ruse”.

“Nëse 15 vjet më parë pyetja kryesore në Evropë ishte se çfarë statusi do të ketë Kosova dhe ne kishim pavarësi të mbikëqyrur për katër vjetët e para, sot pyetja për këtë pjesë të Evropës është se çfarë statusi duhet të ketë Serbia? Ne e shpallëm pavarësinë nga Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar na ndihmoi. Tani komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndihmojë Serbinë të shpallë pavarësinë nga Kosova, jo të kthehen në Kosovë por të shpallin pavarësinë nga Kosova. Nëse ata çlirohen nga Kosova do të jenë shumë më demokratik, evropian dhe më larg presidentit despotik Putin”, tha ai.

Gjatë javëve të fundit, të dërguarit amerikanë dhe evropianë vizituan Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar ata të pranojnë një propozim të ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe për të shtuar gjasat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Hollësitë e këtij propozimi nuk janë bërë ende publike.

Një dialog Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja ka vazhduar që nga viti 2011, por pak nga 33 marrëveshjet e nënshkruara janë zbatuar.

Ndërkohë, së fundmi Shtetet e Bashkuara kanë shtuar trysninë ndaj Prishtinës për të zbatuar një marrëveshje të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili do të bashkërendonte punën në çështjet si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe zhvillimi ekonomik lokal.

Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli planin jokushtetues, duke vendosur se ai nuk përfshinte etni të tjera dhe mund të përfshinte përdorimin e pushtetit ekzekutiv.

Javën e kaluar zoti. Kurti vendosi kushte për formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe duke thënë se ai mund të formohet vetëm si pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën Serbia e ka refuzuar në të kaluarën.

Autoritetet e Kosovës kanë frikë se themelimi i Asociacionit do të mund të dëmtonte shtetësinë e vendit.

Kryeministri Kurti tha se fuqitë perëndimore duhet të mësojnë nga shembulli i Republikës Serbe të Bosnje e Hercegovinës, nga frika e krijimit të një shteti brenda shtetit, ndërsa theksoi se Beogradi e përdori krijimin e Asociacionit “si një armë kundër pavarësisë së Kosovës”.

“Nëse e paraqesim idenë e asociacionit të komunave me baza etnike në Ballkanin Perëndimor, dhe komunat nuk janë vetëm njësi administrative por janë edhe njësi territoriale, kjo është një recetë për konflikte të reja. Ndërsa unë dua paqe, dua siguri”, tha kryeministri Kurti.

Ai u bëri thirrje fuqive perëndimore që të mos ushtrojnë trysni mbi vendet më të vogla, si Kosova, e të cilat janë demokratike.

“Ky sukses ka nevojë për më shumë mbështetje dhe mirënjohje sesa trysni. Nuk bëhet fjalë vetëm për mua si kryeministër, por për njerëzit e Kosovës që kanë vuajtur kaq shumë dhe që janë aq shumë paqedashës dhe të orientuar drejt BE-së dhe NATO-s. Megjithatë, ankthi që ekziston në qendrat e ndryshme demokratike perëndimore nuk duhet të detyrojë asnjë lloj zgjidhjeje në Ballkan, zgjidhje këto që do t’u imponohen atyre që janë më të vegjël, edhe pse janë shumë më përparimtarë, demokratikë dhe të drejtë”, tha ai.

Njohja e ndërsjellë është pjesa qendrore e çdo procesi të negocimit, tha kryeministri Kurti, diçka që Beogradi e refuzon ashpër.

Mospajtimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mbesin një burim paqëndrueshmërie në Ballkan shumë kohë pas luftës së viteve 1998-99, e cila përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s.

Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë nga Serbia, të cilën Beogradi vazhdon ta refuzojë mbështetur nga aleatët si Rusia dhe Kina. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën.

voa

Sa i rrezikshëm është TikTok?

tiktokSuksesi i shpejtë i aplikacionit kinez të publikimit të videove TikTok ka alarmuar ligjvënësit dhe mbrojtësit e privatësisë në mbarë botën. Për çfarë shqetësohen ata?

 

TikTok është në qendër të vëmendjes së shumë autoriteteve dhe organeve monitoruese. Ligjvënësit në mbarë botën po debatojnë se si të kufizojnë, ose ta shpallin të jashtëligjshëm, përdorimin e shërbimit kinez të publikimit të videove, i cili është bërë një nga aplikacionet më të njohura mes adoleshentëve në mbarë botën.

Ndërsa Bashkimi Evropian është gati të zbatojë legjislacionin që do të detyrojë TikTok të kontrollojë në mënyrë agresive përmbajtjen e dëmshme, vendet nga SHBA-ja në Japoni po mendojnë se si ta rregullojnë aplikacionin – ose madje të ndjekin shembullin e Indisë dhe ta ndalojnë atë plotësisht.

Frika e tyre është se qeveria e Kinës mund të ndikojë tek TikTok për të nxitur interesat e saj. Ashtu si kali i Trojës në mitologjinë greke, ata paralajmërojnë se Pekini mund të përdorë aplikacionin për të fituar akses në të dhënat e ndjeshme të përdoruesve dhe për të përhapur informacione të rreme.

“Ka shqetësime legjitime për mbikëqyrjen e mundshme nga regjimi kinez,” tha për DW, Estelle Masse nga organizata jofitimprurëse e të drejtave dixhitale me bazë në Bruksel, Access Now. TikTok gjithashtu meriton vëmendje të madhe, “sepse është media sociale me rritjen më të shpejtë në botë dhe demografia e saj është shumë e re,” shtoi ajo.

Kompania amë e aplikacionit, konglomerati kinez i teknologjisë ByteDance, ka qenë prej kohësh nën shqyrtim për mënyrën se si mbledh dhe përpunon të dhënat e përdoruesve. Por presioni ndaj rregullatorëve për të frenuar platformën është rritur që kur u zbulua në dhjetor se punonjësit e ByteDance kishin akses në të dhënat e gazetarëve perëndimorë për të hetuar rrjedhjet në shtyp.

Një zëdhënëse e TikTok tha për DW, se incidenti ishte “sjellje e pahijshme e individëve të caktuar që nuk janë më të punësuar në ByteDance”, duke shtuar se protokollet për ata që mund të kenë akses në të dhënat e përdoruesve që atëherë “janë ngurtësuar ndjeshëm”. Ajo argumentoi se ndërsa të dhënat e përdoruesve të TikTok ruheshin në qendrat e të dhënave jashtë Kinës, “një akses i kufizuar i punonjësve” në informacionin nga brenda Kinës ishte i nevojshëm “për të mbështetur komunitetin tonë global”.

Në të njëjtën kohë, zëdhënësja këmbënguli se “nuk na është kërkuar kurrë t’i ofrojmë qeverisë kineze të dhënat e përdoruesve të TikTok dhe kurrë nuk i kemi dorëzuar asnjë të dhënë asaj”.

 

Si u bë kaq i madh TikTok?

Ngjitja e shpejtë e aplikacionit është e paprecedentë në historinë e internetit. Brenda pak vitesh, ai u ngrit nga një aplikacion i veçantë për fëmijë që bëjnë sinkronizimin e buzëve në një nga platformat kryesore të mediave sociale në botë, të cilit përdoruesit i drejtohen gjithnjë e më shumë për të drejtuar pyetjet e kërkimit ose për të ndjekur lajmet.

Në vitin 2018, ByteDance lançoi në tregun global TikTok, i cili është modeluar sipas aplikacionit të tij kinez Douyin. Në shtator 2021, platforma njoftoi se kishte arritur një miliard përdorues aktivë mujorë, një moment historik që Facebook-ut iu deshën mbi tetë vjet për ta arritur. Statistikat e shkarkimit sugjerojnë se numri ka vazhduar të rritet që atëherë. TikTok nuk jep informacion në lidhje me numrin aktual të përdoruesve, duke cituar politikën e kompanisë.

Çelësi i suksesit të aplikacionit, sipas analistëve, është faqja “Për ty” e TikTok, një rrjedhë e individualizuar videosh që duket ndryshe për çdo përdorues. Fillon automatikisht sapo hapet aplikacioni dhe analizon gjithçka që tërheq vëmendjen e përdoruesve, si p.sh. sa kohë ata shikojnë një klip përpara se të kalojnë te tjetri. Kështu, me kalimin e kohës, softueri mëson gjithnjë e më shumë rreth tyre dhe i përshtat videot që ata shohin me interesat e tyre.

“Në fund të ditës, algoritmi i faqes ‘Për ty’ ka një objektiv mjaft të qartë,” tha Martin Degeling i fondacionit Neue Verantwortung, një Think Tank me qendër në Berlin, i cili ka analizuar sistemin e rekomandimeve të TikTok. “Ka të bëjë me vlerësimin se çfarë do të zgjojë interesin e përdoruesve pikërisht në atë moment dhe synon t’i mbajë ata në platformë për aq kohë sa të jetë e mundur.

 

A mund të rrëmbehet TikTok?

Ndërsa përdoruesit e përdorin gjithnjë e më shumë aplikacionin si burim lajmesh, me mediat kryesore duke përfshirë DW që postojnë rregullisht në platformë, kritikët paralajmërojnë se algoritmi i tij i fuqishëm mund të abuzohet për të përhapur qëllimisht disinformim.

Zyrtarët amerikanë si drejtori i FBI-së, Chris Wray, kanë paralajmëruar në mënyrë specifike se qeveria në Pekin mund të “manipulojë përmbajtjen” në aplikacion për të ndikuar në opinionin publik ose për të mbjellë trazira sociale jashtë vendit.

“Rreziku që TikTok po përdoret për të përhapur qëllimisht disinformimin është real”, sipas studiuesit Degeling, por ai “nuk e konsideron atë të jetë dukshëm më i madh se në platformat e tjera të mediave sociale”.

Zëdhënësja e TikTok hodhi poshtë akuzat, duke argumentuar se platforma po përpiqej “të kufizonte në mënyrë proaktive përhapjen e informacionit të rremë”. Ajo vuri në dukje partneritetet me organizatat e verifikimit të fakteve dhe një nismë të re që tani paralajmëron përdoruesit kur videot ngarkohen nga “llogari të drejtuara nga entitete prodhimi editorial i të cilave ose procesi i vendimmarrjes i nënshtrohet kontrollit ose ndikimit të një qeverie”.

 

A ka një ‘tru TikTok’?

Dhe pastaj lind pyetja se çfarë ndikimi mund të ketë përdorimi i aplikacionit në shëndetin mendor të përdoruesve të tij, kryesisht të rinj. Në SHBA, për shembull, mbi dy të tretat e të gjithë adoleshentëve përdorin aplikacionin, sipas një studimi të vitit 2022 nga qendra kërkimore Pew Research Center.

Disa ekspertë të kujdesit shëndetësor kanë paralajmëruar se dizajni i TikTok promovon sjellje varësie. Të tjerë kanë thënë se shumë kohë e shpenzuar në aplikacion mund të ndikojë në aftësitë njohëse duke ulur kapacitetin e vëmendjes apo edhe duke shkaktuar ankth ose depresion, një fenomen që tashmë është etiketuar “truri TikTok”. Në këtë sfond, Kina ka miratuar rregulla që kufizojnë përdorimin e ekuivalentit të TikTok Douyin për fëmijët nën moshën 14 deri në 40 minuta në ditë.

Por deri më tani, nuk ka prova të mjaftueshme shkencore, sipas Philipp Lorenz-Spreen, një shkencëtar kërkimor në Institutin Max Planck për Zhvillimin Njerëzor me qendër në Berlin. “Ne thjesht nuk e dimë ende se çfarë bën TikTok me psikologjinë dhe sjelljen e përdoruesve të tij”, tha ai për DW.

“TikTok është një platformë e re dhe nuk ka asnjë precedent historik nga i cili mund të mësojmë”, tha ai. Në të njëjtën kohë, shtoi ai, TikTok “e bën të vështirë për studiuesit të hetojnë ndikimin e tij, sepse u jep atyre vetëm pak akses në të dhënat e tij”.

 

Rregullorja po afrohet

Në Bashkimin Evropian, të paktën, kjo mund të ndryshojë kur ligjet e reja të fillojnë këtë vjeshtë dhe në fillim të vitit të ardhshëm. Ata do të detyrojnë platformat veçanërisht të mëdha sociale që, ndër të tjera, t’u ofrojnë studiuesve të verifikuar nga BE-ja informacion rreth funksionimit të tyre të brendshëm. BE-ja nuk ka specifikuar ende nëse do të llogarisë TikTok-un në ato platforma të mëdha, por pritet gjerësisht ta bëjë këtë.

Ndërkohë, ligjvënësit amerikanë në Dhomën e Përfaqësuesve po mbajnë një votim këtë muaj mbi një projektligj që synon ndalimin e aplikacionit. Nëse miratohet, ai mund t’i japë Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Biden mjetet ligjore për të nxjerrë jashtë ligjit platformën në të gjithë vendin për shqetësimet e sigurisë kombëtare.

TikTok po përpiqet të parandalojë që kjo të ndodhë. Lobistët e ByteDance kanë grumbulluar zyrat e ligjvënësve nga Uashingtoni DC në Bruksel për t’i bindur ata të minimizojnë rregulloret e ardhshme.

Kjo iniciativë vjen pas vitesh përpjekjesh të TikTok për të shtrirë kufijtë se si mbledh dhe përpunon të dhënat e përdoruesve, tha eksperti i privatësisë Masse nga Access Now. Në të njëjtën kohë, ajo vuri në dukje se grumbullimi i masës së të dhënave është bërë prej kohësh praktikë e zakonshme me platformat e mediave sociale në shkallë të gjerë.

“Fakti që ne kemi ende pyetje rreth TikTok është një lloj standard i zakonshëm dëshpërues në këtë industri,” tha ajo. Kjo është arsyeja pse, ndërsa ata po monitorojnë TikTok, qeveritë nuk duhet të harrojnë atë që po bëjnë platformat e tjera si Instagram me bazë në SHBA, paralajmëroi ajo.

“Është e drejtë që TikTok është tani në qendër kritikës, por mund të jetë gjithashtu e përshtatshme që platformat e tjera të fshihen pas TikTok, ndërkohë që ata po ndjekin të njëjtat praktika ose të ngjashme”, tha Masse. Njëkohësisht, shefi ekzekutiv i TikTok, Shou Zi Chew, ka qenë në turne në kryeqytetet botërore për t’u takuar me vendimmarrësit politikë.

dw

Schlee: Asociacioni nuk minon as kompetencat qendrore, as ato të komunave

SchleeRene Schlee, përfaqësues i Fondacionit gjerman Friedrich Ebert për Kosovën e Maqedoninë e Veriut thotë për DW, se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mund të jetë një trupë koordinuese, pa kompetenca ekzekutive.

 

DW: Zoti Schlee, kryeministri i Kosovës  prezantoi para kuvendit gjashtë parime apo gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Si i vlerësoni Ju këto parime, të cilat u shpalosën brenda një debati të gjerë që po zhvillohet për Asociacionin?   

Schlee: E kam dëgjuar por, nuk i di detajet e asaj  le të themi 6 principet që kryeministri Kurti prezantoi në Kuvend. Mendoj se kryeministri po vazhdon t’i thotë shqetësimet e tij të mëhershme rreth Asociacionit dhe nuk shoh që ka ndonjë devijim të madh në atë që e ka thënë edhe më herët. Për herë të parë e kam takuar kryeministrin Kurti në  shtator të vitit 2019 para zgjedhjeve dhe ai qysh në atë kohë proklamonte që dialogu duhet zhvilluar mbi disa parime dhe ai tash vetëm po thotë që jemi të hapur për dialog konstruktiv dhe se dialogu duhet zhvilluar mbi disa parime. Deklarata në parlamentin e Kosovës mendoj që është ajo që e ka thënë edhe më parë, që jemi të hapur për dialog konstruktiv, por që duhet bazuar në disa parime.

 

DW: Zoti Schlee, ditë më parë ju prezantuat një draft se si do të dukej Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Me intereson të di, ku e mbështesni Ju draftin?

Schlee: E para është një propozim i parë si një lloj statuti për Asociacionin, por është e rëndësishme për mua që ta bëjë të qartë se ky nuk është statut dhe nuk është një statut gjerman. Ne jemi të pavarur në punën tonë, jemi një fondacion politik gjerman, por kjo nuk është një nismë qeveritare nga qeveria gjermane, kjo është një punë e jona e vetme e pavarur. Pra, drafti që propozuam është i bazuar tërësisht në kuadrin juridiko ligjor aktual të Kosovës.

 

DW: Shqetësimi kryesor që është krijuar në opinionin kosovar është që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, është një pushtet i tretë brenda Kosovës. Sa e rrezikon Asociacioni sistemin juridik të Kosovës?

Schlee: Këto shqetësime natyrisht që merren seriozisht. Unë mendoj që këtu ka dy shqetësime kryesore. E para lidhet me deklaratat publike të qeverisë së Kosovës që thotë, se nuk duhet që në Kosovë të krijohet një Republika Srpska si në Bosnje ku ka një pushtet të tretë, apo siç thuhet një shtet brenda shtetit. Dhe shqetësimi tjetër bazuar në planin e Ahtisarit është mbrojtja e pakicave dhe bazuar në atë plan për pakicat kanë përfitime të mëdha në planin e Ahtisarit ku përfshihet edhe niveli qendror. Pra, shqetësimi i opinionit kosovar është nga njëra anë, nëse pakica serbe ka të drejta në nivel qendror dhe në të njëjtën kohë në nivel lokal ka kompetenca të forta, kjo mund ta bëjë jofunksional shtetin e Kosovës.

Në propozimin tonë ne e kemi bërë të qartë, se në statutin që mund të hartohet, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Asociacioni mund të jetë një trupë koordinuese horizontale që punon me komunat dhe që nuk do të minojë kompetencat qendrore ose ato të komunave apo në forma të tjera. Pra, po flasim për funksione të përbashkëta të koordinuara. Po do të marrë ndihma financiare ndërkombëtare, natyrisht edhe nga Serbia, por kjo duhet të jetë e rregulluar përmes Auditorit Gjeneral (kontrolli i përgjithshëm i financave, shën red.). Pra dua të them, nëse draft propozimin tonë, si shembull, e merr dikush dhe thotë ok, këtë po e implementojmë, atëherë mund të rregullohet çështja e financimit të Asociacionit. Pra, njerëzit kur ta shohin këtë draft propozim është thelbësore të dihet dhe e rëndësishme që të thuhet se ka më shumë nga ajo që nuk lejohet sesa ajo që lejohet.

 

DW: Sipas jush a është e rëndësishme që ky draft i Asociacionit të diskutohet edhe me autoritetet serbe, pra në Beograd?

Schlee: Kjo nuk varet nga unë. Ajo çfarë unë mund të them, ja ku është drafti, në një debat publik. Edhe kur e bëmë publik draftin nuk e thamë se kush e merr draftin ose kush mund ta implementojë atë. Kjo është pyetje për ata që vendosin, pra vendimmarrësit. Pra baza jonë është se çfarë mund të implementohet dhe se bazohet në atë se çfarë është nënshkruar në Bruksel. Pra, nëse duhet implementuar, si duket ky implementim, të merren parasysh shqetësimet e përbashkëta të qeverisë qendrore dhe qytetarëve të këtyre komunave dhe natyrisht të merret në konsideratë ajo që është marrëveshje e Brukselit dhe këtu natyrisht që përfshihen edhe shqetësimet e qeverisë Serbe.

 

DW: Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë Asociacion një-etnik, sepse shteti i Kosovës është shumetnik? Në draftin tuaj a paraqitet Asociacioni një-etnik?

Schlee: Jo drafti i prezantuar nga ne nuk është draft monoetnik, kjo nuk e ndryshon linjën e rregullt të legjislacionit kosovar që është multieniciteti. Pra, komuna është komunë dhe nuk ka etni, për shembull Kaçaniku nuk është komunë etnike shqiptare, ajo është komunë, por natyrisht që në atë komunë jetojnë shumica shqiptare. Pra, kur flasim për asociacionin, – e para anëtarësimi  është vullnetar dhe çdo gjë që ndodh në Asociacion është vullnetare. Në lidhje me pyetjen tuaj, në njërën anë është koncepti legal i qeverisë qendrore dhe e dyta është niveli lokal i komunave dhe këtu nuk flasim për ndonjë etni, pra nuk flasim për monoetni.

 

DW: Në draftin tuaj thuhet se Asociacioni do të ketë dhjetë komuna me shumicë serbe. Aty mund të shtohen edhe komuna të tjera, por kjo duhet përcaktuar vetëm me statut. Çfarë ndodh  nëse nuk shtohen komuna të tjera, a nuk do të thotë kjo, se kemi të bëjmë me Asociacion monoetnik?

Schlee: Në draftin që publikuam ne thuhet se popullata e komunës është trupa e Asociacionit, pra është kuvendi komunal, apo kuvendet komunale të asociacionit dhe kjo e bën asociacionin shumë etnik, pra nuk janë 100% në një komunë qytetarë serbë, e për këtë nuk mund të themi se kemi të bëjmë me një Asociacion  monoetnik. Pra, Asociacioni apo qëllimi i Asociacionit nuk është që të minojë kompetencat e një komune dhe shërbimet që i ofron komuna dhe natyrisht  në të ardhmen Asociacionit mund t’i bashkohen edhe anëtarë të tjerë dhe këtë e lejon statuti i tij.

 

DW: Në draftin tuaj thuhet se Asociacioni mund të shpërbëhet me 2/3 e votave të kuvendit të Asociacionit, që i bie që asnjë institucion qendror i Kosovës nuk mund ta shpërbëjë Asociacionin, vetëm nëse vetë kuvendi i Asociacionit dëshiron që ta shpërbëjë veten e tij dhe kjo ka pak gjasa të ndodhë?

Schlee: Kjo është një pyetje e mirë por mendoj se natyrisht që mund të ndodhë, por kjo thuhet dhe shkruhet në tekstet legale të secilit Asociacion, secili Asociacion ka të drejtë që ta shpërbëjë vetveten. Nëse Asociacioni shkel rregullat e shkruara në draft atëherë niveli qendror mund ta zgjidhë këtë problem. Vizioni politik i  secilit shtet multietnik është që  ju përket atyre qytetarëve që përfshijnë edhe etninë e tyre. Në këtë rast kemi të bëjmë më shumë me një refleksion të një realiteti politik të vitit 2022-2023 dhe çështja është se po flasim për të drejtat e pakicave.

 

DW: Sipas pikëpamjes tuaj, sa konsensus ndërkombëtar ka rreth draftit që e prezantuat Ju për Asociacionin e Komunave Serbe. Si shembull, kishte një qëndrim të Britanisë së Madhe e cila është kundër themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe? Ka qëndrim të SHBA-së që Asociacioni duhet të themelohet. Nga drafti që prezantuat Ju, nga Friedrich-Ebert-Stiftung në opinion është krijuar përshtypja se ai është një propozim gjerman. Është ky një propozim gjerman?

Schlee: Drafti ynë nuk është një draft i qeverisë gjermane. Kam parë shumë reagime qysh në fillim kur kemi filluar të punojmë se kush ju ka autorizuar Juve si Friedrich-Ebert-Stiftung që ta bëni këtë draft, a mos po punoni në emër të qeverisë gjermane, apo  në ekipin e Lajҫakut, por unë e kam bërë të qartë -Jo- dhe se neve nuk na ka autorizuar askush. Pas 23 vitesh pune ne kemi pasur programe dhe aktivitete politike. Një nga pjesët e programit tonë është që ta mbështesim  Kosovën si një partner rajonal për paqe dhe stabilitet dhe në këtë linjë kemi të bëjmë me vazhdim të dialogut për normalizim të raporteve dhe Asociacioni është një çështje e rëndësishme dhe në interes të Kosovës dhe Serbisë.

Serbia nga ana e saj kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe kemi anën tjetër qeverinë e Kosovës që është kategorike kundër  kësaj. Dhe në këtë linjë drafti ynë, ky propozim është i bazuar në pragmatizëm politik dhe në mes të një diҫkaje, pra një propozim konstruktiv dhe të paktën një fillim i diçkaje për një debat publik që mund të çojë gjërat përpara. Ka qenë një punë e vështirë dhe e gjatë dhe mund t’iu siguroj që nuk është autorizuar nga askush apo kërkuar nga qeveria gjermane. Ne jemi një fondacion i pavarur politik dhe e di që është e vështirë që të pranohet kështu siҫ po them, por ajo që mund të them është që edhe kjo punë, drafti ynë është pjesë e punës që e bëjmë njësoj prej 23 vjetësh. Kësaj here po punojmë në një çështje të ndërlikuar, por jo nuk ndryshon aspak natyrën e punës që ne bëjmë. Ne punojmë me partnerë nga shoqëria civile dhe me ekspertë kosovarë, po ashtu edhe me pjesëtarë të komunitetit  serb, prandaj mendoj, se drafti ynë për Asociacionin është një propozim konstruktiv për një çështje të rëndësishme.

dw

Rusët në Serbi të befasuar nga adhurimi për presidentin Putin

ruset ne serbiRreth 200,000 rusë janë larguar nga vendi i tyre për në Serbi, që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Serbia është një aleat i ngushtë i Rusisë me të cilën ka lidhje historike, fetare dhe kulturore. Rusia mbështet pretendimin e Serbisë mbi Kosovën, por lidhja ruso-serbe është një marrëdhënie komplekse. Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Moskës si ndëshkim për agresionin rus në Ukrainë, por gjithashtu kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Rusët që u larguan nga vendi i tyre kanë zhvilluar protesta kundër presidentit Vladimir Putin në Beograd, ndërsa vërejnë përpjekje të vazhdueshme propagandistike pro presidentit rus Putin në Serbi.

 

Në sheshin qendror në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, dhjetëra rusë u mblodhën kohët e fundit për të kundërshtuar luftën e presidentit Vladimir Putin në Ukrainë, duke mbajtur fotografi të të burgosurve politikë nga atdheu i tyre.

Në anën tjetër të sheshit, një tabelë e madhe reklamon median propagandistike ruse RT, e cila ka hapur një portal lajmesh në Serbi. RT e ka të ndaluar të funksionojë në vende të tjera të Evropës. Nëpër Serbi mund të gjesh bluza ku janë vizatuar portrete heroike të presidentit Putin me gjoks të zhveshur, por edhe në suvenire dhe filxhanë kafeje, ose janë pikturuar në muret e qytetit.

Këto pamje kontradiktore pasqyrojnë marrëdhëniet komplekse dhe delikate që ekzistojnë këto ditë midis Rusisë dhe Serbisë.

Serbia është aleati më i afërt i Moskës në Evropë, me lidhje historike, fetare dhe kulturore që bëhen më të forta nga fushatat e ndikimit politik të Kremlinit. Rusia mbështet pretendimin e Serbisë mbi Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen e Perëndimit. Serbia ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës si ndëshkim për agresionin në Ukrainë.

Në të njëjtën kohë, Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Shumica e rusëve në Serbi kërkojnë një jetë të re në një vend vëllazëror, por pa shtypjen e Kremlinit.

Anastasia Demidova, e cila mbërriti në Beograd nga Moska para tre muajsh, thotë se njerëzit nuk e konsiderojnë si armike.

“Këtu në Beograd, ne nuk konsiderohemi si armiq dhe kjo do të thotë shumë. Kam folur me shumë serbë, ata më pyesin se çfarë po bën këtu, unë u them se ne jemi kundër Putinit dhe për një Rusi demokratike dhe natyrisht jemi kundër luftës në Ukrainë”, tha Anastasia Demidova, banore ruse në Beograd.

Rusë të tjerë thonë se u larguan për të mos u prekur nga sanksionet perëndimore, që kanë dëmtuar bizneset ose vendet e tyre të punës.

Për këtë arsye, rusishtja mund të dëgjohet të flitet kudo në Beograd, një qytet me rreth dy milionë banorë. Rusët kanë filluar të hapin restorante dhe bare. Në masë të madhe janë rritur edhe ndërmarrjet private ruse, veçanërisht në sektorin e teknologjisë informative. Fluksi i rusëve ka çuar në rritjen e çmimit të banesave.

Disa serbëve kjo u kujton valën e rusëve që ikën nga Revolucioni Bolshevik më 1917 dhe shumë nga ata që qëndruan në Serbi lanë gjurmët e tyre në kulturën dhe artin serb.

“Emigracioni bashkëkohor rus, diaspora bashkëkohore ruse në Serbi nuk e zgjodhi këtë vend, por erdhën këtu sepse është i vetmi që i pranon. Emigracioni i mëparshëm qëndroi këtu sepse donin të rrinin në Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe ata që nuk donin, mund të vazhdonin për në vende të tjera”, thotë historiani Aleksej Timofejev.

Rusët që tani kanë shkuar në Serbi nuk mund të udhëtojnë për në Perëndim për shkak të sanksioneve dhe kanë nevojë për viza.

Të sapoardhurit thonë se ende mund ta ndiejnë ndikimin e egër të Kremlinit, veçanërisht kur bëhet fjalë për mendimin pozitiv që serbët kanë për presidentin rus, nëpërmjet mediave propaganduese si RT dhe Sputnik.

Aktivisti rus Petar Nikitin e quan këtë një “përpjekje të koordinuar propagandistike” që filloi për herë të parë në Serbi në fillim të viteve 2000.

“Në atë kohë, ky pëlqim për qeverinë ruse ishte më pak i rëndësishëm. Por është rritur jashtëzakonisht shumë. Rusët e ardhur rishtazi, që më parë nuk dinin shumë për Serbinë, janë krejtësisht të tronditur nga ky adhurim, veçanërisht për zotin Putin dhe për këtë imazh të Rusisë, që është plotësisht i ndarë nga realiteti”, thotë aktivisti rus, Nikitin.

Moska e fuqizon këtë ndjenjë përmes mediave pro-ruse, duke ushqyer zemërimin serb ndaj Perëndimit për shkak të Kosovës. Refuzimi i Serbisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës ka mbështetjen e Moskës, një nga arsyet pse Beogradi mban marrëdhënie miqësore me presidentin Putin dhe ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e ka kritikuar pushtimin e Ukrainës, por sa herë e bënë këtë, ai e lidh këtë çështje me Ballkanin.

“Ne mbështesim integritetin territorial të Ukrainës, siç e mbështesim integritetin territorial të Serbisë. Pra… kur më pyesin: ‘A është Krimea pjesë e Ukrainës apo e Rusisë?’ Po, është pjesë e Ukrainës. Donbasi është pjesë e Ukrainës. Ne do të jemi më besnikë ndaj integritetit territorial të vendeve anëtare të OKB-së ndryshe nga vende të tjera që ndryshuan qëndrimin e tyre për integritetin territorial të Serbisë”, tha presidenti serb Vuçi gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos muajin e kaluar.

Zyrtarët perëndimorë kanë rritur presionin ndaj zotit Vuçiç për të bërë një kthesë vendimtare duke u larguar nga Moska nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE. Ata kanë frikë se Rusia mund të shkaktojë telashe në Ballkan nëpërmjet përfaqësuesve të saj serbë për të shmangur një pjesë të vëmendjes ndërkombëtare nga Ukraina.

Kohët e fundit, grupi privat ushtarak rus “Wagner Group” publikoi reklama në mediumin rus, RT në gjuhën serbe në kërkim të rekrutimit të serbëve për të luftuar në Ukrainë. Në Serbi është e paligjshme që banorët e saj të marrin pjesë në konflikte jashtë vendit, megjithëse disa prej tyre iu bashkuan separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore pas betejave që shpërthyen atje në vitin 2014.

Aktivisti rus Nikitin i cili ka formuar një grup të quajtur Komuniteti Demokratik Rus, ka bashkuar forcat me një avokat serb për të ngritur një padi duke kërkuar hetim të grupit mercenar rus, Wagner. Kjo çoi në rritjen e kërcënimeve kundër rusëve më liberalë nga organizatat serbe të krahut të djathtë me lidhje të ngushta me Wagnerin dhe Moskën.

“Kërcënimet që marr direkt dhe në kutinë time postare janë të formuluara me mjaft kujdes, por janë mjaft të dukshme. Ato janë nga ‘largohuni nga Serbia’ deri tek ofendime shumë të turpshme që përfshijnë familjen time. Ka edhe kërcënime se së shpejti do t’iu bashkohem të vdekurve”, tha zoti Nikitin.

Ai thotë se bashkatdhetarët e tij më liberalë në Serbi janë të etur të tregojnë se nuk e mbështesin luftën e presidentit Putin ose shtypjen e grupeve opozitare në vend.

Stanislav Shenkevich, 29 vjeçar nga Shën Petërburgu, mbërriti në Beograd më 1 nëntor, pasi mbeti pa punë në Rusi. Ai tani punon si berber në qendër të Beogradit.

“Në fillim nuk kisha plane afatgjata të rrija, por pasi kaluan dy muaj e gjysmë në Beograd vendosa të qëndrojë. Gruaja ime do të arrijë së shpejti dhe ne do të qëndrojmë këtu”, tha zoti Shenkevich.

Artemi, 33-vjeçar nga Shën Petersburgu, tregoi se u largua nga Rusia me gruan e tij dhe dy kafshët shtëpiake menjëherë pas fillimit të luftës. Ai nuk pranoi të tregoi mbiemrin për arsye sigurie.

“Për mua ishte një lloj proteste, sepse nuk isha dakord fare me luftën, por nuk mund të bëj asgjë në Rusi, sepse nëse provoj të kundërshtojë, mund të përfundojë në burg”, tha Artem.

Rreth 200,000 rusë janë larguar nga atdheu i tyre për në Serbi që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

voa

 

Ulen çmimet e derivateve të naftës

karburantiÇmimet e derivateve të naftës pas mesnates 06.02.2023 u ulën për 2 denarë për litër, ndërsa çmimi i naftës u ul për 1,5 denarë për litër.

Sipas vendimit të fundit të KRRE-së, çmimet e kraburanteve pas mesnates 06.02.2023 do të jenë:

Eurosuper BS-95 -82 denarë/l

Eurosuper BS-98 -84 denarë/l

Nafta -78 denarë/l

Vaji Ekstra i lehtë 77 denarë/l

 

Asociacioni, Bugajski: SHBA i ka bërë llogaritë gabim! Ka tre dobësi të mëdha me pasoja të rënda jo vetëm në Kosovë

Bugajski_VoANë analizën e tij të përmuajshme në DITA, ku flet për efektet e shpërbërjes së Federatës Ruse, Janusz Bugajski prek edhe temën e Asociacionit në Kosovë.

 

“Uashingtonit dhe Brukselit i duhet të jenë të kujdesshëm që të mos ndezin konflikte të tjera përmes ndonjë kompromisi me mini-imperializmin e Beogradit. Krijimi i çfarëdo entiteti të veçantë serb në Kosovë do t’i japë zemër qeverisë separatiste serbe në Banja Luka dhe gjithashtu mund të çojë në thirrje për ndarjen e Malit të Zi” – shkruan Bugajski.

DITA iu drejtua analistit të njohur amerikan për një zgjerim të këtij argumenti. Në bisedën e shkurtër, z. Bugajski hodhi dritë mbi arsyet që shtyjnë ShBA dhe BE-në të mbështesin fuqishëm krijimin e ASM-së në Kosovë, mbi dobësitë e propozimit, pritshmëritë e Serbisë nga kjo nismë, si dhe mbi ndikimin që krijimi i Asocacionit mund të ketë në rajon e më tej.

Me zotin Bugajski bisedoi bashkëpunëtorja e DITA, pedagogia Edona Llukaçaj:

 

DITA: Z.Bugajski, Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë po përkrahet dukshëm nga perëndimi, si nga ShBA ashtu dhe nga BE. Është e vështirë për shqiptarët në Kosovë, por në Shqipëri dhe vende të tjera që ta kuptojnë këtë presion ndaj autoriteteve të Kosovës. Në këndvështrimin tuaj, cilat janë arsyet e këtij presioni, veçanërisht në këtë moment?

  1. Bugajski: Uashingtoni dhe Brukseli po ushtrojnë presion mbi qeverinë e Kosovës sepse mendojnë se Prishtina duhet të bëjë një lëshim të madh në mënyrë që negociatat me Beogradin të zhbllokohen. Por unë, jam i mendimit se ata i kanë bërë llogaritë gabim, pasi Serbia dëshiron të përfitojë nga krijimi i Asociacionit, pa iu dashur të njohë shtetësinë e Kosovës.

Propozimi ka të paktën tre dobësi të mëdha. Së pari, në të mungojnë garanci të besueshme se në Asosacionin e ri të Komunave Serbe (ASM) nuk do të infiltrohen dhe se (këto komuna) nuk do të dominohen nga agjentë apo aktivistë të dërguar ose të rekrutuar nga Beogradi.

Së dyti, në propozim nuk parashikohet asnjë mekanizëm që qeveria e Kosovës të mundet të pezullojë ASM-të nëse liderët e saj shkelin kushtetutën.

Dhe së treti, ASM-të mund të gjenerojnë përçarje në mesin e komuniteteve të tjera etnike, veçanërisht nëse minoriteti serb favorizohet me institucione të veçanta dhe financime shtesë.

Në përputhje me urdhrat e Beogradit, autoritetet komunale, gjithashtu, mund të provokojnë konfrontime dhe të pretendojnë se Prishtina nuk po i përmbush obligimet e veta. Lëvizje të tilla do të projektohen për të vonuar pafundësisht objektivin e SHBA-ve dhe BE-së për njohje ndërshtetërore.

 

DITA: A nënkupton kjo forcimin e mëtejshëm të faktorit serb në rajon dhe destabilizimin e Ballkanit Perëndimor? Dhe, çfarë ndikimi prisni ju të ketë kjo për Shqipërinë?

  1. Bugajski: Krijimi i ASM në Kosovë mund ta ketë ndikimin jashtë saj edhe më të madh (se brenda Kosovës). Kjo mund t’ia shtojë Beogradit fuqinë të ndërhyjë në politikat e shteteve të tjera dhe të stimulojë nismat separatiste në mbarë rajonin.

Bashkësitë etnike që përbëjnë shumicën në disa komuna në një numër të pacaktuar shtetesh mund të kërkojnë status të veçantë dhe të bëjnë thirrje për mbështetje ndërkombëtare, pas precedentit që do të jetë krijuar në Kosovë. Këtu mund të përfshihen shqiptarët në Luginën e Preshevës në Serbi, ata në Maqedoninë veriperëndimore dhe ata në jug të Malit të Zi; boshnjakët në rajonin e Sanxhakut të Serbisë dhe të Malit të Zi; hungarezët në Vojvodinë; si dhe serbët në Mal të Zi.

Për më tepër, eksperimenti etnik ndërkomunal në Kosovë do të ketë efekt negativ në Bosnje-Hercegovinë, ku kroatët do të inkurajohen të përpiqen për një entitet të veçantë dhe objektivat separatiste të entitetit ekzistues serb do të rriten.

Me pak fjalë, nisma e ASM-së do të rezultonte në destabilizim më të gjerë në rajon dhe të ofronte më shumë mundësi për infiltrimin e Moskës dhe destabilizim (të shtyrë) nga ana e saj.

Dita

Lajçak sot në Prishtinë, drekë pune me kryeministrin Kurti

LacakI dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, sot do të qëndrojë në Kosovë.

 

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeizu. Ai ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, do të kenë një drekë pune me Lajçakun.

Pritet që pas Prishtinës, Lajçak të shkojë edhe në Beograd, ku do të zhvillojë takim edhe me

Dialogu Kosovë-Serbi mbetet një nga preokupimet kryesore të BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Së fundmi, komuniteti ndërkombëtar është duke i kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si kusht për ta trasuar rrugën për një dialog të mirëfilltë me Serbinë.

Mirëpo, një gjë të tillë po e refuzon kryeministri Albin Kurti, duke thënë se komuniteti serb në Kosovë ka të drejta më shumë se çdo minoritet në cilin do vend të Evropës.

rtk