Mosnjohja e Kosovës nga pesëshja e BE-së, ende e pasqaruar

mos-njohja e ks hartaKosova vazhdon të mos njihet nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, e sigurisht që mosnjohja e tyre ka ndikuar në rrugën integruese të Kosovës. Arritja eventuale e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ende nuk dihet nëse do të hapte rrugë që këto pesë vende të ndryshonin qëndrimet e tyre karshi shtetësisë së Kosovës.

 

Kosova në dhjetor të vitit të kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), ndonëse vetë pesë vendet të BE-së nuk e kanë njohur atë si shtet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ka përparim në lobim për të marrë njohjen nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë që arritja eventuale e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ende nuk dihet nëse do të hapte rrugë që këto pesë vende të ndryshonin qëndrimet e tyre karshi shtetësisë së Kosovës.

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, në një intervistë për Radio Kosovën pati deklaruar se sipas diskutimeve që ka pasur me përfaqësues të këtyre shteteve, ata presin që të ketë përparime në dialog me Serbinë dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Sipas asaj që kam parë unë gjatë diskutimeve të mia me përfaqësues të zyrave ndërlidhëse të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën por që kanë zyrat e tyre në Prishtinë, ata presin të shohin përparim në dialogun me Serbinë dhe normalizim të raporteve. Kjo mendoj që mund të ndikojë te këto shtete për të parë se si do të vazhdojnë më tutje”, ka thënë ai.

Por, Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, në një prononcim për Radio Kosovën shpreh rezerva se edhe pas arritjes së mundshme të ndonjë marrëveshje të Kosovës me Serbinë, pesëshja evropiane do të ndryshojë qëndrim menjëherë.

“Aludimi aktual është se nëse Kosova dhe Serbia i mbyllin çështjet bilaterale me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, presim njohjen e menjëhershme nga pesëshja e BE-së. Kam dyshim që këto vende nuk do të lëvizin menjëherë. Ndoshta  presioni i madh diplomatik nga Brukseli, Franca, Gjermania ose SHBA mund ta ndryshojë këtë qëndrim, por disa nga deklaratat që i kanë ofruar këto vende, tregojnë se Qiproja edhe Spanja deri në një masë  janë hezituese e ndoshta edhe mund ta vonojnë njohjen e Kosovës”, tha Visoka.

Zëvendësndihmës sekretari  amerikan, Gabriel Escobar, në fund të vitit të kaluar pati deklaruar se në kontekstin e dialogut Kosovë- Serbi SHBA-ja   në mënyrë të vazhdueshme kërkon nga pesëshja evropiane që ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën si shtet, ku bëjnë pjesë Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia.

rtk

Incidente e fajësime reciproke mes qeverisë e opozitës në Serbi

VucicSeanca dyditore e parlamentit të Serbisë për Kosovën do të duhej të prezantonte një lloj dialogu të brendshëm ndaj propozimit gjermano-francez. Por ajo kaloi në zhurmë e debate të ashpra.

 

Seanca e posaçme e Kuvendit të Serbisë u zhvillua në atmosferë të tensionuar dhe mund të thuhet se pas zënkave dhe akuzave reciproke për tradhti u dëshmua edhe një ndarje e thellë brenda parlamentit në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Qeveria nga ana e saj vazhdon të akuzojë autoritetet e mëparshme se kanë kontribuar në pavarësinë e Kosovës, ndërsa opozita vetë është e ndarë përsa i përket mbështetjes për planin gjermano-francez për Kosovën. Pjesa proevropiane e opozitës mendon se ky plan duhet mbështetur, ndërsa opozita me orientim më nacionalist e sheh zbatimin e këtij plani si mbështetje për krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe shfuqizimin e Republikës Srpska.

 

Vijat e kuqe për Serbinë

Fjalën kryesore, që mund të quhet edhe monolog, e mbajti presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Ai kryesisht bëri thirrje për përkrahjen e Kushtetutës së Serbisë, dhe siç u theksua vijat e kuqe për Serbinë janë formimi i Asosiacionit të Komunave Serbe dhe mospranimi i një ulëseje për Kosovën në Kombet e Bashkuara. U tërhoq vëmendja edhe në faktin se ende po diskutohet për planin, i cili nuk është i njohur definitivisht, por qeveria thekson se ai është vetëm platformë për bisedime dhe se ende nuk është nënshkruar asgjë.

 

Shfaqje për rejting

“Situata është e tillë, që në një mjedis kaq autoritar ju nuk mund të besoni gjithçka që dëgjoni”, thekson për DW Dragan Popoviç, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike dhe përmend demantimet e politikanëve evropianë “se si i kanë vënë Vuçiçit një lloj ultimatumi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. “Prandaj nuk mund të pritet as një diskutim normal, ku të kryqëzohen argumentet apo të zhvillohet ndonjë debat kuptimplotë për një çështje kaq të rëndësishme shtetërore. Thjesht gjithçka i nënshtrohet rejtingut politik të Aleksandër Vuçiçit, ne si qytetarë tani vetëm mund të supozojmë se çfarë i është shtruar përpara Serbisë dhe cila është përgjigja e Serbisë për të gjitha këto”, vlerëson Popoviç.

Polarizimin e mprehtë politik brenda opozitës serbe, Popoviç e sheh si ndihmë me apo pa vetëdije për Aleksandar Vuçiçin. “Partitë e djathta të opozitës sillen në mënyrë iracionale dhe ndihmojnë kështu autoritetet. I ndihmojnë pikësëpari duke krijuar iluzionin se ka një lloj presioni të madh nga e djathta, apo nga ndonjë opinion publik pro rus. Dhe në këtë mënyrë i japin atij hapësirë për t’u paraqitur para perëndimit dhe opinionit vendas si martir dhe viktimë. Kështu Vuçici, i cili në fakt është sundues mbi jeten dhe vdekjen në Serbi, e paraqet veten si dikush që është në situatë të vështirë, sepse i bëhet presion nga ndonjë Milica dhe Boshko”, thotë Popoviç.

 

Diskutim rreth të panjohurës

Edhe Dejan Bursaç nga Instituti për Studime Politike, tërheq vëmendjen për DW lidhur me mostransparencën e palës serbe për negociatat me Kosovën dhe shton “se ne ende nuk jemi të sigurtë se çfarë përmban propozimi gjermano-francez, megjithëse kemi disa përvijëzime në mediat serbe. Atëherë na mbetet vetëm t’i besojmë Vuçiçit se është vërtet ai propozim, ose është ndonjë strategji e tij për të dalë në publik me skenarin më të keq, me qëllim që më vonë ndonjë variant më të butë ta paraqesë si suksesin e madh të tijin”, mendon Bursaç.

Në seancën e Parlamentit të Serbisë, Presidenti i Serbisë prezantoi edhe politikën e tij, apo planin 10-pikësh për Kosovën e Metohinë, sipas tij, i cili përfshin edhe integrimin evropian dhe zhvillimin ekonomik. Këtu nuk kishte surpriza të mëdha, u fol për paqen dhe stabilitetin, sigurinë për serbët në Kosovë, ku thuhet se Serbia nuk do t’u përgjigjet provokimeve, përveç nëse jeta dhe pasuria e serbëve rrezikohen si në vitin 2004.

 

Mbajtja e konfliktit?

“Aleksandar Vuçiçit thjesht i është dashur të dalë me diçka para opinionit publik”, mendon Dejan Bursaç, “sepse ishte krijuar përshtypja nga reagimet se Vuçiçi kishte pranuar diçka, që thënë thjesht mund të shihet si njohje e Kosovës. Kështu e shoh edhe këtë paraqitje në parlament, si përpjekje për ta reduktuar këtë dëm në publik”.

Disa herë në këtë seancë të posaçme u përsërit se vijat e kuqe për Beogradin janë krijimi i Asosiacionit të Komunave Serbe dhe kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Dragan Popoviç thekson se “e gjithë drama rreth kësaj është që të mbahet konflikti, sepse pa të nuk ka aq mundësi për rritje tensionesh dhe futjen e frikës tek njerëzit në Serbi. Sa i përket Kosovës në OKB, ajo nuk do të varet nga Serbia. Serbia mund të thotë edhe se nuk ka asgjë kundër, por në fund vendosin shumë faktorë më të rëndësishëm si Rusia dhe Kina”, thekson drejtori i Qendrës për Politikë Praktike.

 

Asosiacioni – i rëndësishëm vetëm në letër

Nëse shikojmë atë që paraqitet si propozim gjermano-francez, aty shohim se në fakt bëhet fjalë për njohjen e Kosovës, tërheq vëmendjen Dejan Bursaç: “Nga ana tjetër Serbia fiton Asociacionin si diçka që për qëllime marketingu mund t´u paraqitet si sukses qytetarëve të Serbisë. Por Asociacioni mund të rezultojë si diçka, që nuk ka rëndësi veçse në letër. Kemi këtu shembullin e Këshillit të përbashkët të komunave, që është formuar në bazë të marrëveshjes së Erdutit në vitin 1997. Ai në letër ka kompetenca të mëdha, por në praktikë funksionon si një organizatë e zakonshme joqeveritare”, vëren Bursaç.

 

Sanksionet ndaj Rusisë  pashmangshme?

Një pjesë shoqëruese e debatit në parlament, por jo më pak e rëndësishme, ishin edhe sanksionet ndaj Rusisë, për të cilat politikanët serbë flasin gjithnjë e më hapur. Presidenti i Serbisë thotë kështu “se Serbia me shumë gjasa do të duhet t`i vendosë sanksione Rusisë”, dhe se “shteti për shkak të mosvendosjes së sanksioneve paguan ndërkohë një çmim të lartë”. Kjo është përsëritur njëzëri edhe nga përfaqësues të tjerë të lartë të pushteit në Serbi, dhe Dragan Popoviç konstaton “se Vuçiçi të gjitha këto i ka lidhur në një pako, së bashku me presionet e Perëndimit rreth Kosovës dhe se ai do të mundohet të negociojë diçka me të dyja çështjet. Sinqerisht aty nuk kam vënë re ndonjë presion të tepruar lidhur me sanksionet kundër Rusisë. Po të kishte patur, do ta kishim tashmë të paktën një lloj sanksioni kundër Rusisë”, beson Popoviç.

Dejan Bursaç thotë se ky presion ekziston dhe se hapësira për të manovruar është ngushtuar pas luftës në Ukrainë. “Besoj se do të bëhet kujdes, që nëqoftëse kjo ndodh, të jetë në një volum sa më të vogël. Megjithatë mendoj se do të arrihet një ekuilibër. Ky mund të jetë pranim i një pjesë të sanksioneve, por aq sa të mos rrezikohen interesat kombëtare dhe ekonomike të Serbisë. Natyrisht, pyetja është se si do ta kuptojë atë ana ruse”, përfundon Dejan Bursaç.

dw

 

A ka korruptuar qeveria Rama një ish-zyrtar të FBI?

ediA është përfshirë kryeministri Rama në një aferë korruptive me nëpunësin e lartë të FBI Charles McGonigal? Opozia kërkon ngritjen e Komisiont parlamentar hetues, Rama mohon akuzat.

 
Deputetët e opozitës në Shqipëri kërkuan të enjten (02.02) ngritjen e një komisioni parlamentar që të hetojë pretendimet e tyre lidhur me korruptimin nga qeveria e kryeministrit Rama të ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, me qëllim që ky i fundit të nxiste hetime nga FBI per financim me para ruse të përpjekjeve lobuese në SHBA të opozitës shqiptare.

Kërkesa e tyre përkon në kohë me fillimin e hetimit nga Kongresi amerikan të McGonigal ”për përfshirje në afera korruptive dhe veprime që vënë në rrezik sigurinë kombëtare”.

McGonigal akuzohet nga autoritet amerikane për shkelje të sanksioneve të SHBA ndaj oligarkut rus Oleg Deripaska, të lidhur me Kremlinin, në këmbim të pagesave të fshehta që i ka dhënë atij Deripaska. Ai akuzohet gjithashtu për mosraportim në FBI të marrrjes në vitin 2017 të 225 mijë dollarëve nga një shqiptaro-amerikan, ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë, për vizitat në Shqipëri dhe takimet me kryeministrin Rama po në të njëjtin vit. Akuzat përfshijnë edhe mosraportim të marrdhënies së tij me një politikan kosovar dhe dy politikanë boshnjakë

 

Rama hedh poshtë pretendimet e opozitës

Në një postim në twitter kryeministri Rama hodhi poshtë të enjten (02.02) pretendimet e deputetëve të opozitës lidhur me natyrën korruptive të marrdhënies së tij me ish-zyrtarin e lartë të FBI, McGonigal.

“Ky është abuzim i plotë me lirinë e fjalës dhe me të vërtetën. Me shpifjet ekstreme synohet manipulimi i opinionit publik me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane, që ka shkuar në gjykatë dhe pa asnjë lloj lidhjeje me ne, në Shqipëri”, shkroi ai në twitter.

Rama iu referua drejtësisë amerikane kur në postimin e tij theksoi se “drejtësia amerikane nuk ka asnjë akuzë apo pretendim se është Rama ai që korruptoi ish-zyrtarin e FBI.”

Kërkesa e deputetëve opozitarë për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar vjen pas refuzimit të kryeministritt Rama për t’iu përgjigjur pyetjeve të saj, të enjten, në interpelancë.

“Mungova në Parlament sepse deputetët e opozitës nuk meritojnë asnjë përgjigje”, tha Rama në kanalin televiziv ”Top Channel” të enjten në mbrëmje.

 

Ajo që opozita i kërkon tani komisionit parlamentar hetimor është të zbardhë të vërtetën nëse qeveria Rama “nxiti, ndikoi, përdori pasuri publike, ryshfet apo favore të tjera për ish-agjentin e FBI-së, në kurriz të opozitës dhe nëse favorizoi lidhjet e biznesit të McGonigal me oligarkun rus Oleg Deripaska.”

 

McGonigal dhe Shqipëria

Drejtësia amerikane ka bërë publike ecurinë e marrëdhënies së ish-zyrtarit të lartë të FBI, McGonigal me Shqipërinë. Në prill 2019, shtatë muaj pas dorëheqjes së tij nga posti i lartë i drejtorit të kundërzbulimit në FBI, ai dhe tre bashkëpunëtorë, blenë studion ligjore në Tiranë, ”Law office and Investigation”, ku McGonigal kishte 25 për qind të aksioneve, studio që u mbyll pas disa muajve.

Opozita shqiptare pretendon që McGonigal erdhi disa herë në Shqipëri dhe u takua me kryeministrin Rama në Tiranë dhe në Washington.

Që komisioni hetimor parlamentar të ngrihet dhe të hetojë nëse Rama e korruptoi ose jo McGonigal duhet edhe vota pro e maxhorancës socialiste gjë që vë në pikëpyetje hetimin sipas kerkesave të opozitës ndaj kryeministrit Rama.

dw

Moti sot do të jetë do të jetë me vranësira të ndryshueshme me reshje të kohëpaskohshme bore në male

Moti boreMoti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme me reshje të kohëpaskohshme bore në male dhe në vendet më të larta dhe reshje shiu e bore në zonat më të ulëta. Pasdite do të fillojë të fryjë erë e fortë veriperëndimore, e cila do të vazhdojë gjatë gjithë natës, ku në shumë vende do të jetë e fortë me mbi 80 kilometra në orë, kurse në male mbi 90 kilometra në orë, e cila do të shkaktojë rënie e mprehtë e temperaturës drejt të dielës.

 

Meteorologët njoftojnë se nesër do të mbajë mot pjesërisht i vranët dhe dukshëm më i ftohtë, e në disa vende do të fryjë borë dhe do të fryjë erë e fortë veriore.

Në ditët në vijim do të mbajë mot stabil, i ftohtë dhe me erë me temperatura minimale nën -10 gradë, e vende-vende temperaturat ditore do të jenë nën zero.

alsat

„Republika Serbe në Kosovë“ nuk kalon!

kurti u zmbrapsCili është mesazhi i vërtetë, psikologjik, që fshihet në prapavijën e fushatës të orkestruar nga LDK, PDK, AAK, kundër Albin Kurtit dhe “zmbrapsjes” së tij, përmes 6 kushteve të pakapërcyeshme për Vuçiçin për “Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë”:

 

“Ja e shihni, edhe Albin Kurti e pranoi Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë”, ashtu siç e pranuam dhe e nënshkruam edhe ne”. Pra “edhe Albin Kurti, Vetvendosja janë të prishur dhe të shitur siç jemi ne”. Pra, rrjedhimisht “të jesh i prishur dhe i shitur nuk është diçka e keqe, sepse kështu jemi të gjithë”

Është e padiskutueshme përkrahja që ka Albin Kurti në qëndresën e tij kundër rrezikut të “Republikës Serbe Në Kosovë” tek çdo shqiptar me vetëdije minimale kombëtare, si brenda, ashtu edhe tek shqiptarët jashtë Kosovës.

Por është shumë e gabuar që e drejta e pamohueshme e shqiptarëve autoktonë në ish IRJM për njësinë e tyre shtetërore përmes federalizimit të ish IRJM si dhe e drejta e shqiptarëve autoktonë në luginën e Preshevës dhe Malin e Zi për autonomi territorialo-politike, të përdoret si kërcënim e jo si e drejtë e pakushtëzueshme dhe e pakrahasueshme me kërkesat e Beogradti në emër të një grushti kolonësh paramilitarë serbë në Kosovë.

Afrim Fanda

Monolog mbi Dinjitetin nga Nderi i kombit Mirush Kabashi

Më falni, çfarë të bëja më thua ti?

Ah të gjeja një të fortë, një të madh…

P.sh një politikan apo pushtetar edhe të mbrohesha nga ai?

Ndërsa unë për turp ta përqafonja? Të varesha pas tij dhe si kacavjerrsa trungut që i lutet atë ta lëpija e kështu tu lartësoja jo më fuqitë e mia?

Jo o tungjatjeta!!!

Apo të bëj siç bën çdo horr, çdo legen. Për të mëdhenjtë bejte, të shndërrohesha në gaztor pa turp por me shpresë se mbase po i qesh nga simpatia ndonjë ministri buza për marrëzitë e mia?

Jo or tungjatjeta!!!

Të përulem, të telendisem dhe për një kothere buke si bolla të zvarrisem?

E duke shkarë të ndotem gjunjë e lëkurë dhe nga përulja shpina të më krruset e të bëhem urë?

Jo or mik, tungjatjeta!!!

Oh më mirë të këndosh, të ëndërrosh e të qeshësh i vetmuar por i lirë…

Të vështrosh sypetrit edhe tja thuash me drithëtirë dhe fesin, fesin të ma vesh mbi sy si ta ka ënda.

Për një po, apo për një jo të luftosh apo të të shkasë penda.

E të punosh pa gajle për pasuri, për lavdi, mor sikur dhe në hënë të të ngjisin, të mbetesh njeri.

Dhe të mos shkruash edhe të mos thuash gjësendi që zemra sta thotë, porse diçka që vetes ti thuash gojëplotë kënaqu miku im…

Se çdo pemë apo frut që mblodhe sti dhanë sadaka, në kopshtin tënd i mblodhe .

E në të dhëntë rasti të fitosh ndonjë çmim kult apo arit të mos kesh pse të thuash në sajë të Çezarit, por vetëm vetes tënde tja njohësh për meritë.

E kështu dukë i përbuzur të gjitha bimët parazite, ndonëse nuk do të rritesh vigan si plep me fletë, nuk ka gjë, mjaft paksa të rritësh por di që je ngritur vetë.

Si më falni? Ç’më ka zënë ky vesi i marrëzisë që dua ti bëj të gjithë armiq?

Më detyroni ju. Po po ju që i zini të gjithë miq.

Dhe u qeshni plot nur e gjithë gaz, me buzët rrudha -rrudha siç kanë pulat pas.

Ndërsa unë miqësinë e sëmurë apo miqësinë mediokre dua ta rralloj dhe them me gaz në zemër –Ja dhë një armik që shtoj.

Ja ky është zakoni im. Dua tju neveritem intrigantëve, atëherë ndjej gëzim.

Oh si më bëhet zemra ta dish të vërtetën mik, kur shikoj që më sulmojnë me ato vështrimet fikse atëherë tu bësh sehirin.

Kur nxjerrin vrer selie, pështymë e jargë nga goja këto kërma fëllishtërsie.

Miqësia e sëmurë që juve ju ka rrethuar, më përngjan me ato kollarot ngrirë-praruar të Italisë ku qafa të rri si qafë pate.

Jo sigurisht që kështu ju vjen mirë miqve, zotërisë tate se balli pa karakter dhe moral që ta pengojë, lehtë-lehtë nga çdo anë mund të anojë.

Ndërsa mua që dinjiteti më shtyp kuptohet qartë me thumb më shpon, që kryet t’i mbaj gjithnjë lart.

Një armik më shumë është një gjemb i ri vërtet, më nxjerr telashe por më shton edhe një stoli.

Sepse siç ishin qaforet që mbanin burrat spanjollë, dinjiteti është një hallkë por edhe një aureolë…

Rama publikon foto nga kantieri për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë.

Elbasan_Qaf-ThaneKryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka publikuar disa foto nga punimet për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë.

Në një postim në Facebook Rama shkruan:

“ MIRËMËNGJES dhe nga kantieri për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, ku aktualisht po ndërtohet nënkalimi dhe ura automobilistike, një projekt që do të shkurtojë distancat dhe do të kthehet në një rrugë interurbane me katër korsi, si pjesë e korridorit të 8-të, tanimë i përfshirë në rrjetin europian, ju uroj një ditë të mbarë” .

Targat e automjeteve MK, deri në datën 12 shkurt 2024 duhet t’i ndërrohen me shenjën NMK

Targat_NMKMinistria e Punëve të Brendshme ka njoftuar së fundmi se qytetarët dhe personat juridikë, përkatësisht pronarët e automjeteve, deri në datën 12 shkurt 2024 duhet t’i ndërrojnë targat nga shënimi MK me shenjën NMK.

Ndërrimin e targave me shenjë MK me NMK duhet ta bëjnë qytetarët në stacionet e autorizuara për kontrollim teknik dhe do të kushtojë nga 1400 deri në 1500 denarë.

“Pronarët e automjeteve duhet të paraqesin kërkesë për ndryshimin e targave në stacionet e autorizuara për kontroll teknik, ku në bazë të kërkesës në sportelin e MPB-së, paraqitet kërkesa për ndryshimin e targave dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme lëshon leje të re qarkullimi dhe targa të reja me shpenzimet e pronarit të mjetit. Çmimi i lejes së qarkullimit është 200 denarë, ndërsa çmimi i targave është 1200 deri në 1300 denarë, varësisht nga forma e targës”, informojnë nga MPB.

Sipas Ligjit për automjete, nëse automjeti është në komunikacion me targa të ndryshme nga ato të parapara, parashihet gjobë në shumë prej 100 euro në kundërvlerë të denarit.

Qeveria pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Korridoret 8 dhe 10-D: Investojmë në infrastrukturë, Maqedonia e Veriut bëhet rrugë e rëndësishme për transport

Koridori 8Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot mori pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes për Mbikëqyrës dhe Këshilltar të konsulencës juridike për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10-D, ku mbajti fjalim.

 

Marrëveshja është nënshkruar me kompaninë “IRD ENGINEERING” e cila është përzgjedhur për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e transaksioneve për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10-D. Në ngjarje morën pjesë dhe mbajtën fjalime edhe zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ministri për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski, zëvendësministri për Transport dhe Lidhje, Bekim Rexhepi, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi dhe drejtori i “IRD ENGINEERING”, Paolo Orsini

 

Me nënshkrimin e Marrëveshjes, fillojnë aktivitetet për realizimin e Projektit për ndërtimin e infrastrukturës në Korridorin 8 për autostradën Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë, si dhe për Korridorin 10-d, për autostradën Prilep- Manastir.

“Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje, vazhdojmë ta përforcojmë përcaktimin tonë si Qeveri, se akset rrugore, rrugët dhe infrastruktura në shtetin tonë janë një nga prioritetet kryesore në të cilat do të vazhdojmë të fokusohemi edhe këtë vit”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi theksoi se ky është projekti më i madh kapital.

“Sot me të vërtetë është ditë historike për Republikën e Maqedonisë së Veriut, siç tha edhe Kryeministri, fillojmë me ndërtimin e projektit më të madh në historinë e Republikës së Maqedonisë së pavarur, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët tanë, për gjithë ekonominë tonë dhe për ndërlidhjen rajonale”, tha zëvendëskryeministri Grubi, duke shtuar se tashmë është caktuar mbledhje e Komitetit drejtues, ku do të merret vendim për të filluar bisedimet mes konsulentit të zgjedhur dhe mbikëqyrës  IRD dhe konsorciumi “Behtel” dhe “Enka”, i cili do t’i ndërtojë të dy Korridoret 8 dhe 10-D.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, theksoi se infrastruktura është prioriteti kryesor i kësaj Qeverie, dhe nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje është një tjetër dëshmi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet në rrugën e duhur për një shtet bashkëkohor evropian.

“Prej sot dhe në periudhën e ardhshme grupi i punës në bashkëpunim me konsulentin, i cili është edhe mbikëqyrës, do të nisë procesin e bisedimet me “Behtel” dhe “Enka” për të arritur një marrëveshje cilësore për ndërtimin e mbi 120 kilometra akse të autostradave të Korridorit 8 dhe Korridorit 10-D. Tashmë në pranverë presim të fillojmë ofensivën e fuqishme ndërtimore për ndërtimin e pjesës perëndimore të Korridorit 8”, tha ministri Boçvarski.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, shprehu nderin dhe kënaqësinë që e nënshkruan Marrëveshjen për Mbikëqyrje të Këshilltarin e konsulencës juridike për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10 D me Grupin e „IRD INGINEERING Srl“, nga Italia.

“Me nënshkrimin e Marrëveshjes për punë ndërtimore të akseve të autostradës do të fillojë faza e dytë nga Marrëveshje me kryerjen e mbikëqyrjen profesionale në implementimin e katër akseve rrugore edhe atë: ndërtim i autostradës Tetovë – Gostivar; ndërtim i autostradës Gostivar – Bukojçan; ndërtim i autostradës Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë, si dhe ndërtim i autostradës Prilep- Manastir”, tha drejtori Rustemi.

Drejtori i “IRD Engeineering“, Paolo Orsini theksoi se është “nder dhe privilegj të jesh pjesë e kësaj ngjarje në Qeveri”.

“IRD Inzhenering janë të pranishëm në Maqedoni për shërbime inxhinierike në 20 vitet e fundit. Një nga avantazhet tona konkurruese është dhe do të jetë prania jonë lokale me një kombinim të përvojës dhe ekspertizës ndërkombëtare. Së bashku me partnerët tanë vendas në këtë projekt do të bëjmë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të ndërtuar 4 akset rrugore me standardin dhe cilësinë më të lartë që korrespondojnë me cilësinë e rrugëve që po ndërtohen në BE”, potencoi Orsini.

klan

Tetova po zbrazet, për pesë muaj shuhen tetë paralele

shkollaVetëm për katër muaj rreth 200 nxënës të shkollave fillore edhe të mesme nga komuna e Tetovës janë shpërngulur jashtë vendit. Sipas përllogaritjeve, rreth tetë paralele janë shuar vetëm për pesë muaj në Tetovë.

 

Nga sektori për arsim në komunën e Tetovës thonë se këta të dhëna janë shqetësuese pasi që shkollat janë duke ngelur pa nxënës.

“Me fillimin e gjysme vjetorit të dytë në shkollat e mesme kërkuam informacion nga të gjitha shkollat fillore edhe të mesme se sa nxënës kanë marr fletëshpërngulje ku nga informacionet nga shkollat fillore kanë marrë 143 nxënës, ndërsa nga shkollat e mesme fletëshpërngulje kanë marrë 59 nxënës edhe në qoftë se këta numra i përllogaritim në numër të paraleleve, duke marr minimum prej 25 nxënës në një paralele I bije që kemi tetë paralele më pak”, thotë Nazmi Dauti, udhëheqës i sektori për arsim në komunën e Tetovës.

Vetëm në shkollën e mesme të mjekësisë janë shpërngulur tetë nxënës në gjysme vjetorin e parë ndërsa nga janari deri në fund të vitit 2022 janë shpërngulur edhe 13 nxënës, thotë drejtori Binas Pajaziti.

“Nga shtatori në dhjetor në shkollën tonë janë shpërngulur tetë nxënës edhe nëse e marrim vitin paraprak që është nga janari në dhjetor është 21 në total, tetë janë nga shtatori edhe 13 janë nga janari në qershor”, njofton Binaz Pajaziti drejtor i shkollës së mesme të mjekësisë. Fenomeni i ikjes masive më së shumë ka goditur edhe fshatrat e Malësisë së Tetovës. Numri i nxënësve ka rënë dukshëm dhe shifrat janë alarmante, pohon drejtori i shkollës fillore të fshatit Veshallë.

Ai thotë se ky është një trend i dhimbshëm për këtë rajon sepse rrezikohen edhe vendet e punës për shumë arsimtarë.

“Ky fenomen na ka goditur shumë, pasi që nëse në vitet e 90-ta por pas vitit 2000 kemi, pasur 300 nxënës dhe gradualisht kohëve të fundit kemi numër gjithnjë më të vogël të nxënësve. Ndërsa tani ky numër është pothuajse i barabartë me numrin që kemi pasur të nxënësve kur janë hapur shkollat e para në malësinë e Tetovës, pra është numër tejet i dhimbshëm, apo nën 100 nxënës”, deklaroi Shefajet Ramadani, drejtor i shkollës fillore në fshatin Veshallë.