Përse festohen karnavalet? Pak nga historia e Karnavaleve në Këln

Festime karnavaleshKarnavalet në Këln: Ç’lidhje kanë romakët e vjetër me karnavalet? Çfarë roli luan njëmbëdhjeta? Dhe pse është virgjëresha e Këlnit burrë? Zhytja në botën e harbimit të karnavalistëve.

 

Ditën e karnavaleve, në orën 11:11 fillon e gjitha, sidomos në zonën përreth lumit Rin, në Renani të Gjermanisë. Por jo vetëm atje. Mijëra vetë të veshur me kostume shumëngjyrëshe lëshohen në rrugët ku festohen karnevalet. Motoja e këtij viti në Këln është “sikur të ndodhte gjithandej”. Kjo gjë të kujton forcën e madhe të karnavaleve, shpjegon Christoph Kuckelkorn, president i komitetit të festës së karnavaleve në Këln. “Edhe në kohë krizash, gjatë krizave të mëdha ekonomike dhe së fundi gjatë pandemisë së Coronës, karnavalet janë një konstante për banorët e Këlnit, një shtyllë mbështetëse në kohë krizash, një moment çlirimi nga problemet e jetës së përditshme.”

 

Një udhëtim i shkurtër në kohë

Një moment shpëtimi nga jeta e përditshme është organizuar në Këln që 2000 vjet më parë, aty i kanë rrënjët karnavalet që festohen sot. Në atë kohë, Këlni quhej ende Colonia Claudia Ara Agrippinensium. Në qytetin e themeluar nga romakët, ashtu si në gjithë Perandorinë Romake festohej Saturnalia, festa për nder të perëndisë Saturn. Gjatë kësaj feste pihej shumë dhe kërcehej shumë, dhe për t’u bërë qejfin të gjithëve të pasurit i ndërronin veshjet e tyre aristokrate me fanellat e thjeshta të skllaveve dhe skllevërve, dhe viheshin madje në shërbim të tyre. Ata që nuk gëzonin liri, lejoheshin që gjatë ditëve të karnavaleve të kritikonin ashpër zotërinjtë për dënimet e ashpra që kishin dhënë ditët para karnavaleve. Në ditët e karnavaleve bota antike kthehej me kokë poshtë.

Organizohej madje një paradë me një karrocë që kishte mbi vete një varkë. Latinisht kjo quhej “Carrus navalis” – gjë që tingëllon si fjala karnavale. Banorët e Colonia Claudia Ara Agrippinensium-it visheshin me kostume karnavalesh dhe e shoqëronin karrocën e zbukuruar shumë duke bërë zhurmë me daulle, flaute dhe duke duartrokitur.

Në Perandorinë Romake, shpesh Saturnalia binte si ditë në muajin dhjetor, ndërkohë që gjermanët festonin në pranverë një festë të madhe pagane. Ata vinin maska që ngjallnin frikë dhe bënin zhurmë me daulle dhe këmbana, për të trembur demonët e dimrit. Këtu ndodhen rrënjët e tjera të karnavaleve. Ky zakon shfaqet edhe sot në karnavalet që festohen në Gjermaninë jugore, ditën para kreshmëve.

 

Si u kthyen karnavalet në festë fetare

Kur Perandori Konstantin e ktheu krishtërimin në fe shtetërore në vitin 343, Saturnalia nuk u festua më. Dhe zakoni pagan i gjermanëve, nuk shihej me sy të mirë nga kisha. Meqenëse ishte e vështirë që t’i ndaloje njerëzit që të festonin, festa u transformua. Ajo nuk organizohej më për të dëbuar shpirtërat e këqinj, por për të përzënë djallin, armikun kryesor të krishtërimit. Data kur organizohej festa u fut në liturgjinë e vitit kishtar. Në periudhën midis së mërkurës së hirtë dhe të shtunës së shenjtë, besimtarët duhet të hanin pak dhe të luteshin shumë. Para fillimit të agjërimit të gjatë që bëhet para Pashkëve, organizohej një festë e madhe. Mishit – latinisht “carne” – i thuhej lamtumirë – latinisht “vale”.

Kështu karnavalet u kthyen në festë fetare, që u fut sidomos në rajonet katolike, jo vetëm të Europës. Pushtuesit nga Spanja dhe Portugalia i çuan karnavalet në Karaibe, në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Dhe me sukses. Në Rio de Zhaneiro, çdo vit mijëra vetë festojnë në rrugë një festë të madhe nën tingujt e zambës. Por kjo është tjetër histori.

I kthehemi botës së vjetër: Vërtet që karnavalet u vendosën nën drejtimin kishtar, por priftërinjtë dhe ipeshkvët vazhdonin t’i shihnin me shqetësim aktivitetet e “të marrëve”. Megjithatë ata duruan talljet që populli u bënte ritualeve fetare ditëve të karnavaleve duke zgjedhur madje një “Papë të të marrëve”, i cili hynte në kishë hipur mbi një gomar.

 

Këngë tallëse, ballo me maska dhe shumë harbim

Por jo vetëm kisha, edhe drejtuesit e qytetit duhet të vendosnin si duhet të festoheshin karnavalet. Zejtarët këndonin këngë tallëse në sheshet publike dhe para bashkive, kurse xhonglerët dhe humoristët jepnin shfaqje nëpër rrugë. Nga ana tjetër shtresa e lartë qytetare festonte me stilin e vet. Për shembull princi i Këlnit, Clemens August organizonte çdo vit një ballo mbresëlënëse me maska, ku merrnin pjesë zotërinjtë e kishës dhe “dhjetë mijë më të pasurit” e qytetit.

Kur trupat e Napolonit pushtuan Renaninë dhe Këlnin, metropolin e festimeve, populli i harbuar filloi të shihej me sy skeptik dhe karnavalet u ndaluan përkohësisht. Kjo gjë nuk ishte e lehtë sepse të harbuarit vazhduan të festonin, jo më në rrugë, por në taverna.

Në vitin 1815, në Këln erdhën prusianët. Qyteti ra nën sundimin gjerman. Pushtuesit nuk i ndaluan aktivitetet e të harbuarve të kësaj feste, që sipas artikujve të gazetave, filloi të degradonte gjithnjë e më shumë: “Është përhapur shfrenimi i pacipë dhe kotësia. Kështu nën maskën e të krisurit, bëhen shumë marrëzira dhe shumë maska janë imorale dhe të pacipa.”

 

Karnavalet zhvillohen të organizuara

Qytetarët me influencë të Këlnit nuk donin ta lejonin më një gjë të tillë. Ata krijuan “Komitetin për organizimin e festës”, i cili festoi në vitin 2023, përvjetorin e 200-të të krijimit. Po ashtu u krijua figura e heroit të Karnavaleve, i cili duhet ta kthente në rrugën e duhur “degjenerimin e aktiviteteve që kishin zanafillë fisnike” dhe duhet të shmangte të gjitha të këqijat, për të arritur ditën që të parakalonte në paradën e Këlnit organizuar të hënën e trëndafave, të hënën para së mërkurës së kreshmës.

Heroi i karnavaleve kthehet më vonë në princ të karnavaleve. Që nga viti 1883, ai ka pasur në krah virgjëreshën e Këlnit, gjë që simbolizon qytetin e lirë të Këlnit, që nuk është përulur para asnjë force të huaj. Virgjëresha prezantohet nga një burrë, sepse shoqatat e karnavaleve kanë qenë trandicionalisht dhe janë edhe sot thjesht bashkime burrash.

Figura e fshatarit me kopan në dorë shihet si simbol i fuqisë mbrojtëse të Këlnit. Ky triumvirat bashkëqeveris qytetin gjatë një sezoni të tërë, duke qendruar në krye të karnavalistëve të harbuar.

 

Në vende të tjera të Renanisë sundimin e marrin çiftet princërore, por pavarësisht nga kjo të gjithë ata kanë një gjë të përbashkët: Më 11.11, pra më 11 nëntor, në orën 11:11′, ata hapin sezonin e karnavaleve, kurse karnavalet në rrugë fillojnë ditën kur nisin karnavalet e grave, po ashtu në orën 11:11′ të enjten pas mbylljes së kreshmës një ditë më parë.

 

Shifra 11 magjike 

Data 11, datë me shifër teke, është një shifër e krisur, një numër i marrë siç thuhej në mesjetë. Në atë kohë më 11 nëntor fillonte dita e shenjtë e Shën Martinit, një periudhë agjërimi që zgjaste deri para fillimit të Krishtlindjeve, të cilat festoheshin tamam. Kështu njëmbëdhjeta prezantonte barazinë midis gjithë të marrëve: dy njësha njëri pas tjetrit, asnjë shifër tjetër nuk ka vlerë më të madhe se kjo. Pëveç kësaj, kjo shifër ka një domethënie fetare: Njëmbëdhjeta, është një më shumë se dhjetë gishtërinjtë dhe një më pak se dymbëdhjetë apostujt, pra as gjysmë as krejt, e mbushur pra plot me mëkate.

 

Liria e harbimit të karnavalistëve

A ka mëkatuar njeriu në stinën e pestë të vitit, siç quhet periudha e karnavaleve? Si në kohën e romakëve të vjetër edhe sot, të marrët i bën bashkë një gjë: Ata thyejnë kufijtë dhe kritikojnë shtresat e larta. Pavarësisht se ku, si në fjalimin e shkruar me dorë kur dikush hipën në skenë dhe flet troç për politikanet dhe politikanët, ose në karrocat e parakalimit të së hënës së trëndafilit ku po ashtu satirizohet për gjendjen e keqe dhe politikën botërore, apo në zgjedhjen e kostumit të karnavaleve nga gjithsecili. Edhe me kostumin e karnavaleve bëhet protestë, kur dikush për shembull vishet si glob i nxehtë, ose si peshkaqen gllabërues financiar.

Sidoqoftë, prej disa vitesh është shtruar pyetja nëse disa kostume karnavalesh janë raciste dhe ofendojnë kulturat e tjera, për shembull duke lyer fytyrën me bojë të zezë. Po ndalime nuk kihet në plan të bëhen. Një gjë e tillë nuk është e zbatueshme në qytete ku mijëra vetë dalin në festë. Edhe për komitetin e karnavaleve në Këln është e qartë se “Karnavali i Këlnit prezanton vlera të caktura. Këtu bëjnë pjesë liria e të marrëve, po ashtu si toleranca, respekti dhe shumëllojshmëria. Secili duhet t’ia bëjë vetë pyetjen vetes nëse kostumi që zgjedh ofendon të tjerët, apo jo. Sepse alternativat janë pafund, fantazia nuk ka kufi për karnavale.”

dw

Revolucioni i Berishës/ Dhjetëra mbështetës të PD bllokojnë hyrjen e Kuvendit

revolucioni i BerishesAtmosfera para protestës ishte sinjal se ajo do ishte e qetë dhe pa tensione.

 

Sali Berishës iu mbyllen dyert e Parlamentit. Të njëjtin fat patën edhe deputet e përjashtuar;  Edi Paloka, Flamur Noka dhe Belind Këllici, të cilët tentuan të futen në sallën e seancave plenare, por u përballën me bllokadën e gardës.

Shkresa e tyre qe kërkonte te anulimin përjashtimit u refuzua nga Byroja.

Deputetët të cilët kaluan pragun e Parlamentit nisën shumë shpejt revoltën në parlament duke bllokuar foltoren dhe duke i rënë bilbilave.

“Ju edhe mund ta bëni këtë sjellje, nëse mendoni se i shkon thinjave tuaja, vazhdoni”- tha Ermonela Felaj.

“Ky është skenari i Berishës anti-kombëtar, përpjekje për të destabilizuar Shqipërinë”- tha Taulant Balla.

Protestuesit në rolin e spektatorit ndiqnin përmes ekranit  shfaqjen që ndodhte në sallën e  seancave plenare. Bashkë me ta edhe Sali Berisha.

Rama struket në  Surrel, përdor Linda Ramën për të përjashtuar deputetët e PD. Mc Gonigal tradhtoi vendin e tij, u pagua si vrasës me pagesë për të shkatërruar opozitën“- tha Berisha.

McGonigal për Sali Berishën është kali i betejës së opozitës që do të rrezojë Edi Ramën, por për protestuesit sot ishte një kal tjetër , i cili tentoi bashke me të zotin e tij te çante kordonin e policisë.

Ky ishte ishte i vetmi  “kërcenim ” për policët të vendosur gardh para traut të parlamentit, pasi tymi i flakadanëve u shua shpejt.

Vendimi i socialisteve që i hapi rrugë mocionin me debat të kërkuar nga opozita me kryeministrin  më datë dy mars, shpërndau protestën.

“Tani, le të betohemi këtu, në emër të të gjithë atyre që përfaqësojmë, po nuk u bë mocioni me debat në parlament, do bëhet në Surrel. Paqësor, urtë e butë! Por simboli, shpella e të keqes është Surreli. Ai nuk pranon të vijë këtu, ndaj ne do shkojmë aty ku struket ai!”,  tha Berisha.

Top Channel

Vazhdoi gjyqi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës, dëshmuan infermieret

gjykimi Modulari Tetove Seanca gjyqësore për spitalin modular në Tetovë vazhdoi me dëshminë e infermiereve të cilat y pyetën kryesisht nëse në objekt kishte aparate për shuarjen e zjarrit dhe a lejohej hyrja e personave tjerë që shoqëronin pacientët. Minivere Abduli tha se në momentin kritik kur ka shpërthyer zjarri, ka qenë duke ndarë terapinë për pacientët.

 

“Në atë moment ishim në punë dhe ndaheshim terapi, kishim një paciente në gjendje të rëndë dhe filloi zjarr dhe kishim tym. Ajo paciente ndërroi jetë, shkova të kërkojë ndihmë dhe për dy tre minuta u përhap zjarri dhe nuk mund të kthehesha në dhomë”, tha Minivere Abduli, dëshmitare.

Biljana Gjorgjevska, poashtu motër medicinale tha se në natën kritike ka qenë në dhomën numër 3, ku edhe shpërthyer zjarri.

“Në dhomën 3 kishim një pacient dhe pash zjarr që përhapej shumë shpejt. Dy mjekët dhe dy infermiere. Kishte një shoqërues për pacienten dhe si shoqërues ishte babai i saj. Nuk ka pasur shoqërues tjerë. Dera ishte e mbyllur prej brenda. Nuk kam lëshuar asnjëherë pacient të hyjë brenda. Ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit në dhomën e pritjes” tha ajo duke shtuar se ka ndihmuar në largimin e pacientëve”, u shpreh Biljana Gjorgjevska, dëshmitare.

Katica Dimovska ,nëna e njërës prej viktimave tha se natën kur shpërtheu zjarri ka qenë me vajzën e saj e cila vuante nga paraliza cerebrale. Ajo tha se zjarri që ka shpërthyer në dhomën ku ishte ajo.

“Kishte sulm dhe ishin ftuar mjekët. Ata erdhën që të ndihmojnë dhe dëgjova një shpërthim dhe kemi parë zjarr. Zjarri përfshiu edhe vajzën dhe tentuam që sa shuajmë zjarrin mbi atë. Të dy deri te korridori dhe tentuam ta nxjerrim, dera ishe larg, burri hapi derën me këmbë dhe e kemi nxjerrë. Kishte karrocë dhe e larguam dhe vajza me siguri kishte ndërruar jetë ndërkohë”, theksoi Katica Dimovska, nëna e njërës nga viktimat.

Në dëshminë e tij, bashkëshorti i Katicës, Bobani tha se në spitalin modular, mund të hyhej dhe dilej kur të doje. Eksperti Robin Boshkovski inxhinier i diplomuar dhe që ka kryer hetimin mbi shkaqet e zjarrit, edhe njëherë tha se zjarri është pasojë e kabllos vazhdues ku ishte i vendosur aparati për oksigjen. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 2 mars. Për këtë rast akuzohen ish drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, përgjegjësi i modularit Boban Vuçevski dhe Spitali Klinik i Tetovës. Në zjarrin që kaploi Spitalin Modular në Tetovë më 8 shtator të vitit 2021 humbën jetën 14 persona.

alsat

Bugajski: Serbia njeh Kosovën kur Rusia të humbë luftën!

BugajskiAnalisti i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, Janush Bugajski në një intervistë për Euronews Albania, mbështet kushtet e vendosura nga Albin Kurti për Asociacionin.

 

Por sipas tij, faktori ndërkombëtar duhet t’i bëjë më shume presion Serbisë dhe të kushtëzojë anëtarësimin e saj me kushtet e Kosovës.

Sipas Bugajskit, herët e vonë Serbia do ta njohë Kosovës, por kjo sipas tij ka më shume gjasa të ndodhë kur Rusia të humbasë luftën dhe rolin e ndërhyrjes së saj në Ballkan.

“Në fakt jam optimist që kjo gjë herët apo vonë do të ndodhë. Mbase nuk do të ndodhë gjatë kësaj qeverie, pra qeverisë së Vuçiç. Gjasat më shumë janë që të ndodhë kur Rusia ta humbë luftën në Ukrainë, të dobësohet dhe të mos ndërhyjë më në Ballkan. Ka gjasa të ndodhë më shumë. Dhe me shumë gjasa do të ndodhë kur kushte më të ashpra t’i vendosen Beogradit për të pranuar pavarësinë e Kosovës. Pra me fjalë të tjera, ti e pranon të hapet rruga e anëtarësimit në BE, në të kundërt nuk ka mundësi anëtarësimi, por do humbasësh dhe fondet e BE”,  tha analisti.

Heusgen shpreson që në Mynih të bëhet progres në lidhje me Kosovën

Konferenca e Sigurisë në MynihNë prag të Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryetari i saj, Christoph Heusgen thotë për DW se shpreson për një zgjidhje sa më të shpejtë të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Arritja e një kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë është imediate dhe e nevojshme, tha Christoph Heusgen, presidenti i Konferencës së Mynihut në një intervistë për DW në Berlin. Heusgen konkretizoi se tani duhen zbatuar Marrëveshjet e Brukselit dhe sidomos marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe. “Është më urgjent se kurrë që të gjejmë një zgjidhje”, tha ai. “Ne shpresojmë tani në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku kemi përfaqësues të Kosovës, ku kemi përfaqësues të Serbisë, ku kemi përfaqësues edhe të vendeve që po ndihmojnë për këtë konflikt, që të bëjmë progres. Unë besoj se çfarë ka rëndësi tani është që të zbatojmë me kujdes marrëveshjet e Brukselit, që janë bërë në të kaluarën. Sipas mendimit tim, është veçanërisht i rëndësishëm realizimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë”, tha Heusgen.

Ai kujtoi më tej se “Në Konferencën e Sigurisë në Mynih i kemi pasur në një panel si Presidentin Vuçiç dhe Presidentin Thaçi dhe unë dëshiroj që të ndodhë edhe në të ardhmen. Dhe që të pajtohemi për pyetje që, sipas mendimit tim, nuk janë pyetje themelore, dhe që të bëjmë progres në Ballkanin Perëndimor, progres, i cili është shumë i nevojshëm në këtë kohë, kur kemi përpara rreziqe të tjera”, ,tha Heusgen.

Konferenca e sivjetshme e Sigurisë në Mynih, që i fillon punimet të premten, më 17 shkurt, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të jetë e para që bëhet nën kryesimin e ish-ambasadorit gjerman pranë OKB-së dhe ish-këshilltarit për politikë të jashtme të Angela Merkelit, Christoph Heusgen. Heusgen e mori kështu stafetën nga një tjetër njohës i rajonit të Ballkanit, Wolfgang Ischinger

Konferenca është një platformë për këmbimin e mendimeve mes krerëve të vendeve të ndryshme të botës, për çështje aktuale të politikës globale. Këtë vit priten të vijnë në kryeqytetin e Bavarisë në jug të Gjermanisë rreth 40 krerë shtetesh dhe qeverish si edhe rreth 100 ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga vende të ndryshme të botës. Por në konferencë ka edhe shumë përfaqësues të parlamenteve, ekspertë, ojq e diplomatë.

 

Programi i konferencës nuk është bërë ende publik, por sipas listës së publikuar në faqen e  Konferencës, Serbia përfaqësohet vetëm nga ministrja e Evropës, Tanja Mishçevic, ndërsa Kosova nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz. Ballkani Perëndimor është ndër dhjetë detyrat kryesore të të ashtuquajturës Listë të detyrave Transatlantike, që përcaktuan krerët e 40 shteteve të ndryshme, në samitin e liderëve të konferencës, që u mbajt në maj 2022, në Uashington.

 

Ukraina në fokus

Por fokusi kryesor është padyshim Ukraina dhe ndihma ushtarake për mbrojtjen e saj nga agresori rus. Për organizatorin e Konferencës së Mynihut, Heusgen, është e qartë, se Ukraina ka nevojë për mbështetje të gjatë dhe se presidenti rus, Vladimir Putin nuk duhet të dalë fitimtar: “Ne duhet ta bëjmë të qartë se nëse Putin e fiton këtë luftë, ajo nuk ka mbaruar me Ukrainën. Ai dhe ministri i tij i Jashtëm, disa javë më parë, thanë se më pas e ka radhën Moldavia. Dhe pyesni vendet baltike – ata mendojnë se Putin do të kthehet edhe kundër tyre në rast se do të ketë sukses. Prandaj, ne duhet të jemi të vendosur, duhet të vijojmë të mbështesim Ukrainën dhe t’ia bëjmë të qartë edhe qytetarëve se kjo është diçka në planin afatgjatë”, tha Heusgen.

(ash, walker)

Parlamenti i Studentëve i UP-së organizon marsh kundër Asociacionit

AntiasociacionParlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës sot mban një marsh kundër themelimit të Asociacionit të komunave serbe.

 

“Më 15 shkurt të këtij viti shënojmë 53 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, universitet ky që përgjatë historikut gjysëm shekullor, përveçse tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës. Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997 që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj. Ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme, përsëri është i domosdoshëm mobilizimi e organizimi studentor për të kundërshtuar një të keqe që po provohet të instalohet brenda shtetit tonë”, Parlamenti i studentëve të “Hasan Prishtinës.

Në njoftimin e publikuar të enjten në Facebook, Parlamenti i studentëve të “Hasan Prishtinës” tha se grumbullimi do të nisë në orën 16:00 te Biblioteka Kombëtare, raporton RTKlive.

Asociacioni sipas Parlamentit të studentëve një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu sepse asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës.

“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpier në luftë. Në vend se të flasim lidhur me marrëveshjen e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sot flitet vetëm për asociacionin një etnik që cenon stabilitetin dhe paqen e shtetit tonë”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, që të na bashkohen në marshin kundër asociacionit një etnik.

rtk

Rada Trajkoviq: Vuçiqi po bashkëpunon me mafian

Rada Trajkoviq Presidente e Lëvizjes Europiane të Serbëve të KosovësKryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve në Kosovë, Rada Trajkoviq, thotë se serbët janë nën kontrollin e kriminelëve, që kontrollohen nga Beogradi.

 

Emri i Rado Trajkoviqit është përmendur shumë shpesh së fundmi. Ajo është bërë këshilltare në Qeverinë e Kosovës dhe për këtë ka pasur probleme jo vetëm në pikat kufitare Serbi-Kosovë.

“Kam lindur atje dhe dua të punoj për qetësimin e gjendjes, dhe që kjo të jetë jo vetëm retorike, por mbi të gjitha njerëzore”, tha Trajkoviq për DW. Ajo shton se dy kombet janë të afërta mes vete dhe se së bashku duhet të arrijnë “në Evropë.”

Autoritetet e Beogradit, shton ajo, po e pengojnë punën e saj, sepse e shohin atë si dikë që dëshiron t’ia “heqë Kosovës një pjesë të sundimit mbi serbët nga z. Vuçiq dhe pjesën e tij kriminale që e udhëheq atë, e që është Milan Radoiçiq”.

Trajkoviq thotë se kur është në Beograd jeton në thelb “nën arrest shtëpiak” dhe se atje jeton “aspak e lirë”. Ajo “ndihet më e relaksuar” në Kosovë, edhe pse dikur ishte nën mbrojtjen e fortë të bashkësisë ndërkombëtare.

 

„Dy realitete“ të serbëve në Kosovë

Në Kosovë – kur bëhet fjalë për serbët – sipas Rada Trajkoviqit, ka “dy realitete”. “Në veri serbët janë shumë të frikësuar dhe janë nën kontroll të plotë – si mendor ashtu edhe fizik – nga elementët kriminalë, Radoiçiq dhe grupet e tij, përmes të cilëve ai kontrollon sjelljen e mbarë popullit serb.” “Serbët poshtë Ibrit kohët e fundit ndjehen po aq të frikësuar, por më shumë nga sulmet që vijnë nga shqiptarët ekstremë”. Prandaj është e nevojshme të parandalohet rrënimi i gjendjes së sigurisë dhe të rikthehet ndjenja e lirisë “sepse pa liri nuk ka përparim”.

Është një punë e vështirë për të arritur përparim në një situatë ku njerëzit janë kryesisht të indoktrinuar në të menduarit se nuk mund të jetojnë së bashku, beson Rada Trajkoviq. “Deficiti i ekipit të Beogradit dhe Prishtinës në negociata (deri më tani) ka qenë se në to nuk morën pjesë njerëz inteligjentë.” Asnjëra palë nuk e kupton thelbësisht realitetin dhe kjo pengon negociatat e mëtejshme.

Sipas bashkëbisedueses sonë, bashkësia ndërkombëtare dhe Vuçiq kanë bërë një gabim të madh kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit: “Ata kanë lejuar që integrimi i serbëve të bëhet nga mafia.” E kur integrimin e bën mafia, “rezultati duhet të jetë vetëm përfitimi.” “Në momentin kur e panë se u kërcënohej përfitimi” ata “kaluan në incidente, në destabilizimin e veriut të Kosovës dhe të vetë Kosovës”, thekson ajo.

Në anën tjetër, “z. Kurti nuk e kupton ose ende nuk e pranon se mbijetesa e serbëve është shumë e rëndësishme dhe se modeli i Republikës Srpska, (…) për shkak të numrit të serbëve që jetojnë në Kosovë, nuk është diçka që komuniteti ndërkombëtar do ta lejojë. Por i jep atyre hapësirë ​​për të krijuar njëfarë modaliteti të mbijetesës funksionale, dhe shumë ekspertë (…) që kuptojnë zgjidhjet evropiane për probleme të tilla po punojnë në këtë drejtim.”

 

„Shantazhi” i serbëve

“Qeveria e Serbisë dhe zoti Vuçiq, për mendimin tim, janë financuesit kryesorë të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit, të cilët përndryshe janë në listën e Departamentit amerikan të Thesarit, si kriminelë apo mafiozë transnacionalë dhe janë të dyshuar për krimin ndaj Oliver Ivanoviqit. Përkundër gjithë kësaj, ata ende i marrin projektet më fitimprurëse nga qeveria serbe dhe kryeministrja Ana Brnabiq”, pohon Trajkoviq.

Serbët e larguar nga institucionet e Kosovës kanë mundësinë e “kompensimit” nga Beogradi. Është “shantazh financiar” dhe “kontroll” i serbëve që nënshkruajnë kontratë me punëdhënësin – Qeverinë e Serbisë. Në këtë mënyrë, qeveria serbe “i detyron njerëzit të jenë besnikë”. “Për aktivitetet e ardhshme, ata janë duke rekrutuar popullatën në drejtim të kontrollit të tyre”, thotë Rada Trajkoviq.

Trajkoviq beson se nuk do të ketë një “zgjidhje përfundimtare” mes Serbisë dhe Kosovës, por se tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve mund të ulen, me kusht që Serbia të jetë në anën e Evropës, Amerikës dhe NATO-s “në këtë kohë kur duhet thënë qartë se ne mbështesim Ukrainën”.

dw

Kosovë: Analistët me pikëpamje të ndara rreth propozimit për marrëveshjen Kosovë – Serbi

newbornUdhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë thanë se diplomacia perëndimore ua ka bërë të qartë se mospranimi i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, do të çojë në përballje me sanksione. Të dyja palët thanë se e pranojnë në parim propozimin, që ka nxitur mëdyshje e debate në shoqëritë e të dyja vendeve.

 

Mëdyshjet përshkojnë edhe pikëpamjet e analistëve rreth propozimit që nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Engjëllushe Morina nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thotë se plani ndonëse nuk e thekson prerazi njohjen e ndërsjellë, megjithatë ka elementet e pranimit të realiteteve politike dhe legale të të dyja shteteve.

“Domethënë de facto njohja është aty, mirëpo unë e kuptoj fare mirë se në Kosovë ka disponim që mos të pranohet një plan asisoj që nuk thërret në mënyrë eksplicite për njohje të ndërsjellë sepse kjo atëherë do të ketë implikime të tjera. Por duke pasur parasysh situatën në të cilën gjendet Evropa, Ballkani, pak a shumë edhe Shtetet e Bashkuara si faktori kryesor i mbështetjes së sigurisë dhe politikës në Evropë karshi luftës e cila po ndodhë në Ukrainë, mendoj që plani është diçka që duhet të konsiderohet me seriozitet prej të dyja palëve, por sidomos prej palës së Kosovës, e cila është shumë e interesuar dhe është në interesin e Kosovës që të shkëputet një herë e përgjithmonë prej këtij konflikti që e ka me Serbinë”, tha zonja Morina në një intervistë me Zërin e Amerikës .

Aleksandar Popov, udhëheqës i Qendrës për rajonalizëm me seli në Novi Sad, thotë se propozimi tani për tani është varianti me optimal i mundshëm i zgjidhjes dhe se kriza e Ukrainës i përshpejtoi përpjekjet e perëndimit që në një mënyrë të zgjidhë “nyjën e Kosovës”, duke i vendosur çështjet në një kuadër më real kundruall kërkesave maksimale të palëve.

“Ai plan është real meqë parasheh diçka që është e pranueshme për Serbinë në një masë, sepse nëse shihet neni i katërtë i tij atëherë ai plan sjell njohjen implicite të Kosovës dhe kjo i është parë për të madhe (presidentit Aleksandar) Vuçiç gjatë debatit në parlament për këtë çështje. Megjithatë, ai ka arritur tash për tash të amortizojë pakënaqësitë. Ndërsa zoti Kurti nuk është i kënaqur sepse kishte shtruar kërkesa maksimale dhe nuk di si t’ia dalë në krye me opinionin publik, posaçërisht zgjedhësit së tij meqë kishte thënë se zgjidhja e vetme është njohja e ndërsjellë dhe pastaj mund të bisedohet për të gjitha çështjet. Megjithatë Beogradi është i vetëdijshëm se kur të ndodhë kjo, nuk ka më për çfarë të bisedohet”, tha analisti Popov në një intervistë me Zërin e Amerikës.

Por, profesori James Ker-Lindsay nga London School of Economics kundërshton vlerësimet që dolën javën e kaluar nga Bashkimi Evropian se propozimi është një mundësi historike për të dyja palët.

“E di që Bashkimi Evropian i ka duart e zëna me Ukrainën dhe kjo është arsyeja pse dëshiron të përpiqet të bëjë disa ose të japë përshtypjen e një lëvizjeje për Serbinë dhe Kosovën. Por, a është me të vërtetë kjo më e mira që mund të arrijmë pas 15 vitesh? Dhjetë vjet më parë, Marrëveshja e Brukselit ishte shumë më e avancuar. Ky propozim nuk është duke ofruar asgjë me sa mund të shoh. Për të arritur një marrëveshje do të duhet trysni, pa dyshim, por në vend që të ushtrohet mbi palët për të pranuar një marrëveshje shumë të dobët, që nuk do t’i pëlqejë askujt, atëherë me siguri do të kishte qenë më mirë të përdorej ajo trysni për të bindur kryeministrin Kurti, për të bindur presidentin Vuçiç të shkojnë deri në fund”, tha analisti James Ker-Lindsay në intervistë me Zërin e Amerikës.

Krahas përpjekjeve për të siguruar një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, diplomatët perëndimorë kanë shtuar trysninë mbi Kosovën që të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Prishtina ka hezituar të themelojë Asociacionin për të cilin është arritur një marrëveshje që në vitin 2013, nga frika se ai mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit, ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje.

Zonja Morina thekson se marrëveshja e vitit 2013, është në kundërshtim me konceptin shumetnik të Kosovës, që ishte synim i bashkësisë ndërkombëtare.

“Domethënë me marrëveshjen e vitit 2013 thyhet ky koncept komplet, sepse dy komunitetet ai shqiptar dhe serb dhe mos të flasim për komunitete tjera që jetojnë në Kosovë siç janë boshnjakët, turqit, komuniteti RAE dhe të tjerët, por këto dy komunitete komplet ndahen njëra prej tjetrës dhe formohet jetë paralele për dy komunitetet. Komuniteti serb atëherë do ta ketë në njëfarë mënyre drejtimin e vet dhe duart e lira që ta rregullojnë jetën e tyre se si e shohin ata me një lidhje shumë të fortë me Beogradin”, tha ajo.

Profesori James Ker Lindsay thotë ndërkaq se për të arritur marrëveshjen me Serbinë, asociacioni është ndoshta mënyra më pak e dhimbshme.

“Alternativa, dhe do të jem vërtet i sinqertë, është ndryshimi i kufijve etnik, për të cilin është folur. Nëse Kosova nuk dëshiron ta pranojë këtë, atëherë gjëja më e mirë që mund të bëjë është të thotë se do t’i ruajmë kufijtë, por do t’u japim serbëve autonomi kuptimplotë. Dhe në këtë pikë më duhet të them se gjithnjë flitet se do të krijohet një tjetër Republikë Serbe. Kjo është e pakuptimtë. Republika Serbe është një model shumë i veçantë i autonomisë që u krijua në një situatë shumë të ndryshme ku serbët ishin një përqindje mjaft e madhe e popullsisë në Bosnje dhe u bë për të ndaluar një luftë shumë brutale. Askush, nuk flet për Republikë Serbe në Kosovë. Sinqerisht, mendoj se disa njerëz po e kundërshtojnë atë sepse nuk e kuptojnë që nuk është Republika Serbe. Ka edhe shumë njerëz të tjerë, veçanërisht nga jashtë, të cilët po flisnin për këtë sepse duan të shkaktojnë telashe. Milorad Dodik po e bën këtë sepse dëshiron të shkaktojë telashe”, tha ai.

“Asociacioni, pavarësisht se kur dhe si do të themelohet, nuk do t’i ketë sigurisht atributet e Republikës Serbe. Kjo është larg së vërtetës por me këtë nxitet frikë që nëse e pranojmë këtë do të kemi Republikën e re Serbe. Ajo që propozohet është larg nga Republika Serbe. Ajo është faktikisht një shërbim i komunave me shumicë serbe që kryen disa punë për të cilat autorizohet nga komunat”, tha analisti Popov.

Më gjithë mëdyshjet, zoti Popov është i bindur se fuqitë perëndimore nuk do të lejojnë dështimin e procesit e as zvarritjen e tij pavarësisht veprimeve të të dyja palëve.

Të premten Kosova shënon 15 vjetorin e pavarësisë që u shpall me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia. Nga këto gati 12 vjet janë të përshkuara nga bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që siguruan një gamë marrëveshjesh, por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

voa

Stefan Lehne: Nuk jam optimist për planin e BE-së për Kosovën dhe Serbinë

StefanStefan Lehne, dhjetor 2018

Ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet për statusin e Kosovës, Stefan Lehne, nuk beson se plani i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do t’iu jepte fund mosmarrëveshjeve mes tyre.

Palët e paraqesin atë plan si “imponim prej jashtë” dhe nuk ka gjasa të jenë konstruktive në zbatimin e tij, thotë Lehne në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Për më tepër, shton ai, plani nuk e përfshin njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia dhe kjo do t’i shkurajojë edhe vendet e tjera që nuk e njohin pavarësinë e saj.

“Edhe nëse Serbia do të ishte e gatshme ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, kjo nuk do të ndodhte, sepse Rusia nuk do ta lejonte”, shton Lehne, tani analist në Institutin Carnegie Europe.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai thotë se ky asociacion “nuk do të sillte mrekulli” në raportet Kosovë-Serbi, por do ta zhbllokonte procesin e integrimit evropian të të dyja vendeve.

 

Radio Evropa e Lirë: Zoti Lehne – dikur në pozitën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për çështjen e statusit të Kosovës – si do ta përshkruanit Kosovën sot, 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë?

Stefan Lehne: Mendoj se Kosova ka bërë shumë përparim në shumë aspekte, por ka edhe shumë të meta. Nuk është vend i rregulluar. Dhe, disa nga gjërat që dëshiron t’i bëjë, janë ende të bllokuara nga çështja e statusit ende të pazgjidhur plotësisht.

 

Radio Evropa e Lirë: Për çfarë konkretisht e keni fjalën?

Stefan Lehne: Më konkretisht për perspektivën evropiane. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, dhjetorin e kaluar. Ka Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit [me BE-në], që ka qenë një fillim i mirë. Do të ketë liberalizim të vizave, që është një përparim i madh, edhe pse shumë i vonuar.

Por, përparimi drejt anëtarësimit në BE, drejt negociatave të zgjerimit, mbetet jashtëzakonisht i vështirë, sepse pesë vende të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. E, që Kosova të lëvizë përpara në këtë proces, duhet dakordimi i të 27 vendeve anëtare.

 

“Plani i BE-së nuk është krejtësisht ide e re”

 

Radio Evropa e Lirë: Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë mbeten po ashtu të larta, me gjithë përpjekjet e Bashkimit Evropian për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre qysh nga viti 2011. Tani po bëhet një tjetër përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje – përmes të ashtuquajturit plan të BE-së. Si e shini ju këtë plan?

Stefan Lehne: Siç e dini, ai ndjek pak modelin e dy Gjermanive të fillimit të viteve ’70. Është një ide që nuk është krejtësisht e re. Mendoj se [Wolfgang] Ischinger [ish i dërguari i BE-së për statusin e Kosovës] ka folur për të në vitin 2007. Por, përpjekjet e tanishme duket se kanë gjetur tërheqje më të madhe, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq është shprehur i hapur në këtë drejtim. Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti e ka pranuar, po ashtu, si bazë për negociata. Por, mendoj se shumë çështje mbeten të hapura. Vuçiq mendon se Asociacioni i komunave [me shumicë serbe në Kosovë] duhet të themelohet përpara angazhimit në këtë proces, ndërsa Kurti i sheh ndryshe prioritetet. Mendoj se ka ende shumë gjëra që duhen zgjidhur.

Por, ajo që është pozitive, është se të dyja palët duket se janë të gatshme të angazhohen në këtë proces në një mënyrë serioze.

 

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ky plan do t’u jepte fund mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë?

Stefan Lehne: Nuk jam i sigurt. Ajo çfarë më shqetëson është se të dyja palët e paraqesin këtë si diçka të imponuar nga jashtë, nga BE-ja, nga SHBA-ja. Ato nuk e paraqesin atë si diçka që, në thelb, është zgjidhje e mirë për problemet. Sipas tyre, është diçka që nuk e duam, nuk na pëlqen, e urrejmë, por duhet ta pranojmë, sepse nuk kemi zgjidhje. Në të kundërtën, rruga drejt BE-së bllokohet, amerikanët nuk do të jenë të kënaqur e kështu me radhë.

Kjo nuk më mbush me shumë optimizëm. Sepse, nëse bëni diçka që ju imponohet prej dikujt tjetër, atëherë nuk ka gjasa që të jeni shumë konstruktivë në procesin e zbatimit. Ka shumë çështje që duhet të zgjidhen dhe kjo e zvogëlon optimizmin tim.

 

Radio Evropa e Lirë: A do të ishit më optimist nëse ky plan do ta përfshinte edhe njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë?

Stefan Lehne: Po, mendoj se shkon në këtë drejtim. Sipas dokumenteve që kanë rrjedhur, të dyja vendet do t’i zbatojnë parimet e Kartës së OKB-së, sa i përket integritetit territorial, pavarësisë, mospërdorimit të forcës kundër njëra-tjetrës, mosbllokimit të anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare… Ky padyshim se do të ishte një përparim i madh, por ai nuk e përfshin njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia. Kjo do të thotë se edhe vendet e tjera, që nuk e kanë njohur Kosovën deri tash, mund të hezitojnë të lëvizin në këtë drejtim.

Mendoj se, në thelb, janë tri motive për mosnjohjen e Kosovës. I pari përfshin vendet që, në përgjithësi, janë skeptike ndaj nismave perëndimore. Do të përmendja Kinën, Indinë, Afrikën e Jugut… Pastaj janë vendet që kanë një miqësi të veçantë me Serbinë. Kjo, qartazi, është Rusia. Deri në një masë ndoshta edhe Greqia. Dhe vijnë vendet që kanë vetë probleme me pakicat, çështje të pazgjidhura të statusit, kanë arsye të brendshme politike. Këtu e kam fjalën për Spanjën, Qipron, Rumaninë, Sllovakinë…

Pra, ka një përzierje motivesh. Dhe unë kam dyshime, që nëse Serbia nuk e njeh qartazi pavarësinë e Kosovës, këto vende që kanë probleme të mëdha të brendshme, si Spanja, Qiproja, do ta bëjnë të njëjtën gjë.

Pastaj është edhe anëtarësimi në OKB. Në parim, nëse Serbia nuk do ta bllokonte më Kosovën nga anëtarësimi në OKB, ky do të ishte një hap i madh përpara për Kosovën. Por, nuk mendoj se Rusia, në këtë kohë, kur është në luftë me botën perëndimore, nuk do ta bllokojë [Kosovën] në Këshillin e Sigurimit. Pra, edhe nëse Serbia do të ishte e gatshme ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, kjo nuk do të ndodhte, sepse Rusia nuk do ta lejonte.

 

“Asociacioni – një autonomi e kufizuar”

 

Radio Evropa e Lirë: Kosova është po ashtu nën presion për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Shumë në Kosovë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, shprehen të shqetësuar se ai do të krijojë një mini-shtet ose një tjetër Republika Sërpska. A do të ishte Asociacioni rrezik për sovranitetin e Kosovës?

Stefan Lehne: Varet tërësisht nga mënyra se si zbatohet. Mendoj se idetë themelore të marrëveshjes së vitit 2013 [për krijimin e Asociacionit] janë plotësisht në përputhje me kapacitetet e Kosovës për të funksionuar si shtet unitar. Do të ishte një lloj autonomie e kufizuar dhe mund të jetë me kompetenca të kufizuara. [Asociacioni] është diçka që Kosova e ka pranuar dhe më pas është bllokuar për arsye të ndryshme të brendshme. Është diçka që Kosova duhet ta zbatojë dhe varet tërësisht nga mënyra se si rregullohet.

Në vitet e fundit nuk e kam përcjellë shumë afër për t’ju thënë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por, është diçka që Kosova duhet ta sjellë në tryezë. Pa lëvizur në këtë drejtim, i gjithë procesi do të bllokohet.

 

Radio Evropa e Lirë: Problem kryesor në Kosovë janë kompetencat e tij ekzekutive. Si duhet të duket ky asociacion sipas jush?

Stefan Lehne: Nuk dua të futem në detaje dhe spekulime. Mendoj se [duhet të jetë] një autonomi e kufizuar. Sigurisht që duhet të jetë kuptimplotë. Komunat me shumicë serbe do të duhej të ishin në gjendje të organizonin vetë pjesë të përditshmërisë. Por, nuk duhet të jetë një Republika Sërpska, nuk duhet ta ketë mundësinë e bllokimit të funksionimit të shtetit të Kosovës.

Mendoj se ka shembuj të ndryshëm ku funksionojnë struktura të tilla, por varet nga mënyra se si zbatohen. Nuk dua të futem në detaje, sepse ka vite që nuk e kam përcjellë nga afër.

 

Radio Evropa e Lirë: Por, unë do të doja t’ju pyesja edhe një pyetje në lidhje me këtë. Kryeministri Kurti i referohet Asociacionit si “Ahtisaari Plus” dhe thotë se Kosova tashmë i ofron pakicës serbe mjaft të drejta dhe përfitime. A i ofron?

Stefan Lehne: Në vitin 2013, Kosova ka pranuar që të bëjë më shumë se paketa e Ahtisaarit. Paraardhësit e Kurtit janë angazhuar që të veprojnë në këtë drejtim. Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar e presin këtë nga Kosova. Komuniteti ndërkombëtar është i bindur se mund të bëhet në atë mënyrë që nuk e kërcënon ekzistencën apo funksionimin e shtetit të Kosovës. Çështja është se si do të zbatohet.

 

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë gjasat që Asociacioni ta zgjidhë konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë?

Stefan Lehne: Jo plotësisht. Ka bagazh të madh historik në të dyja anët. Dhe, nuk ka gjasa që Kosova dhe Serbia të jenë miket më të mira në 10-15 vjetët e ardhshëm. Por, është një proces drejt normalizimit. Do ta zhbllokojë rrugën e anëtarësimit në BE si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë. Do ta lehtësojë shumë bashkëpunimin ekonomik mes dy palëve.

Mendoj se, në përgjithësi, është një gjë shumë pozitive, por nuk pres mrekulli. Nuk shoh një pajtim të madh. Mendoj se problemi është thellë në psikikën kombëtare në të dyja anët. Nuk ka gjasa të kapërcehet shumë shpejt.

 

“Çnjohjet nuk ndryshojnjë asgjë”

 

Radio Evropa e Lirë: Kosova njihet nga më shumë se 100 vende. Megjithatë, viteve të kaluara, ritmi i njohjeve është ngadalësuar. Pse mendoni se ka ndodhur kështu?

Stefan Lehne: Mendoj se Serbia ka bërë një fushatë shumë aktive për çnjohjen e Kosovës dhe ka pasur një sukses të kufizuar. Serbia beson se rreth 84 vende e njohin Kosovën, ndërsa Ministria e Jashtme e Kosovës thotë se janë 117 vende.

Shumë vende janë sjellë në një mënyrë shumë të paqartë. Kanë dërguar disa sinjale pozitive, pastaj i kanë tërhequr ato, pastaj i kanë konfirmuar… Mendoj se për një vend në Jugun Global kjo nuk është një çështje shumë e rëndësishme. Kur takojnë një ministër serb, thonë diçka tjetër, e kur flasin me një ambasador amerikan, thonë diçka tjetër.

Nuk mendoj se bën ndonjë dallim të madh nëse janë 100 vende apo 110 vende [që e njohin Kosovën]. Dallimin e bëjnë shtetet mosnjohëse të BE-së, sepse ato e bllokojnë përparimin.

 

Radio Evropa e Lirë: A paraqet ndonjë rrezik për Kosovën fushata e çnjohjeve e Serbisë?

Stefan Lehne: Mendoj se është e bezdisshme për Kosovën. Nuk ndryshon asgjë. Shtetet e rëndësishme, shumica e shteteve perëndimore që e kanë njohur Kosovën, nuk do të zhbinden nga zyrtarët serbë. Nëse Togoja e njeh Kosovën, nuk është shumë e rëndësishme. Pra, nuk mendoj se [fushata e Serbisë] paraqet kërcënim për Kosovën, por besoj se është shumë e bezdisshme.

Mendoj se është e rëndësishme për Serbinë që ta ndalojë këtë. Mendoj se plani që tani është në diskutim, do ta ndalojë këtë. Mendoj se dy palët do të angazhohen që të mos bëjnë ndonjë gjë të tillë në të ardhmen.

SHBA, shqetësime për shëndetin mendor tek nxënësit e shkollave të mesme

shendeti mendorGati tre në pesë vajza të shkollës së mesme thanë se ndiheshin të trishtuara ose të pashpresa në vitin 2021, çka trego një rritje prej 60% gjatë dekadës së fundit, sipas të dhënave nga qeveria amerikane.Të dhënat tregojnë se vajzat ndihen më keq krahasuar me djemtë e së njëjtës moshë në pothuajse të gjitha aspektet e shëndetit mendor.

 

Të dhënat tregojnë një rritje “dramatike” të dhunës, shëndetit të dobët mendor dhe rrezikut të vetëvrasjes tek adoleshentët, veçanërisht tek vajzat, sipas njoftimit të hënën nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC.

“Nivelet e shëndetit të dobët mendor si dhe ndjenjat dhe sjelljet për vetvrase të regjistruara mes vajzave adoleshente, tani janë më të larta se ndonjëherë më parë”, tha për gazetarët Kathleen Ethier me Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC.

Studimi në fjalë nuk shqyrtoi shkakun e rritjes, por CDC thekson se u shënua një rritje prej 20% të raporteve për dhunë seksuale ndaj vajzave të shkollës së mesme që nga viti 2017, kur agjencia filloi vëzhgimin e këtyre problemeve.

“CDC dhe shumë hulumtues e kanë shqyrtuar këtë çështje dhe e dimë se dhuna seksuale lidhet me çështje të shëndetit mendor, përdorimin e substancave dhe pasojat afatgjata shëndetësore”, tha Debra Hours me CDC.

Rreth 57% e vajzave të shkollës së mesme raportuan se ndiheshin vazhdimisht të trishtuara ose të dëshpëruara, nga 36% në vitin 2011, sipas të dhënave nga CDC. Ndërsa tek djemtë, kjo shirër u rrit 29% nga 21% në vitin 2011.

Por gjithashtu u vunë re përmirësime në disa fusha, si sjelljet e rrezikshme seksuale, abuzimi me substanca dhe bullizmi. Por shëndeti mendor dhe ndjenjat për vetëvrasje, si dhe dhuna u përkeqësuan, vëren raporti.

Në përgjithësi, 42% e nxënësve të shkollave të mesme u ndjenë shumë të trishtuar ose të pashpresë pothuajse çdo ditë, për të paktën dy javë rresht, saqë ndaluan aktivitetet e tyre të zakonshme.

Studimi gjeti se 22% e adoleshentëve kishin menduar të tentonin vetëvrasjen vitin e kaluar, ku studentet femra përbënin më shumë se dyfishin e studentëve meshkuj.

voa