Bislimi: Kosova nuk mund të krijojë Asociacion me kompetenca ekzekutive

BislimiZëvendëskryeministri i parë për integrim evropian dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për RTK-Prime, ka thënë se për asociacionin nuk negociojnë dhe se janë pajtuar me palën ndërkombëtare që nuk mund të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive.

 

Bislimi: Trashëgimia e Kishës Ortodokse Serbe, nuk është e rrezikuar

Edhe për vetmenaxhimin në bazë të neneve, ai tha se komunat e Kosovës, kanë liri më të madhe në menaxhim. “Të drejtat e minoriteteve përbëjnë pikën e fort të shtetit, shteti i Kosovës, është ndërtuar me premisën që minoritetet gëzojnë standarde të larta, por në asnjë masë që rrezikon stabilitetin e shtetit.

Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, sa i përket çështjes së Kishës Ortodokse Serbe, tha se çështja e saj është edhe në Pakon e Ahtisarit.  “Për të forcuar mbrojtje, ne kemi një trashëgimi shumë të pasur në Kosovë, ne mendojmë që as trashëgimia e Kishës Ortodokse Serbe, nuk është e rrezikuar, në fakt historikisht janë mbrojtur nga shqiptarët, janë trashëgimi e përbashkët. Ne mund të diskutojmë në bazë të Kornizës së Këshillit të Evropës”, tha ai.

Bislimi: Kosova nuk mund të krijojë Asociacion me kompetenca ekzekutive

Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se duhet të pritet që deri më 18 mars të finalizohet aneksi dhe pastaj do të shohim se cili ka qenë propozim i palës kosovare për planin franko-gjerman.

Për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe, Bislimi tha se nuk Kosova nuk mund të krijojë atë me kompetenca ekzekutive. “Ka një  harmoni mes qëndrimeve edhe të Bashkimit Evropian, edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, që Kosova nuk mund të krijojë asnjë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe mendoj se kjo është e qartë edhe për zotin Vuçiq”, tha ai.

Sipas tij edhe në pikën dy, thuhet qartë se çfarëdo trupe që krijohet në Kosovë, çfarë do emri që gjendet për të, ai nuk mund të jetë në kundërshtim me kushtetutën dhe kornizën ligjore të Republikës së Kosovës.

Ai ka folur edhe për Asociacionin. “Në fakt ai është një obligim që është pranuar nga nj ish qeveri në të kaluarën, rrjedhimisht është negociuar. Ne për Asociacionin nuk negociojmë, ajo që ne po themi është që ka dakordim mes palës tonë dhe asaj ndërkombëtare dhe kjo është dokumentuar me një letër të znj.Mogerini në vitin 2015 i ka dërguar institucioneve të Republikës së Kosovës,  ku thuhet se nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive”, tha ai.

Lajçak ka dërguar një listë me 15 modele sesi është rregulluar çështja e të drejtave të minoriteteve

I dyti i qeverisë së Kosovës, bëri me dije se Z.Lajçak i ka dërguar një listë me 15 modele, sesi është rregulluar çështja e të drejtave të minoriteteve. “Ne duhet të shohim se cili model na përshtatet, ne nuk do të kopjomë, ka modele të cilat logjikisht nuk mund te implementohen në Kosovë, e që janë zhvilluar për ishuj”, tha ai. Bislimi, tha se pas kësaj marrëveshje. Kosova me Serbinë do të ketë më pak probleme.

Për kohën e zbatimit të udhërrëfyesit, në fund të javës së ardhme, Lajçak do të vizitojë Kosovën. “Më 18 mars do të jetë takimi i ardhës mes z.Kurti dhe Z.Vuçiq, ku do diskutohet për një dokument të përbashkët të aneksit, ky është plani”, tha Bislimi.

Sipas tij në momentin kur palët dakordohen për aneksin, atëherë  Bashkimi Evropian, merr përsipër procedurat e nënshkrimit, apo finalizimit.

“Do të ketë një ceremoni, gjasat janë të mëdha që në ceremoni do të marrin pjesë të gjitha kryeministrat e 27 shteteve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të rritet përkushtimi politik i Bashkimit Evropian, prapa këtij dokumenti. Kjo është ideja apo plani, këtë duhet ta aranzhon z.Borell”, tha ai.

rtk

Asociacioni – midis nivelit lokal dhe autonomies

Asociacioni relNeni 7 i Propozimit Evropian – Marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, i cili flet për një “nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, nënkupton “pushtet të ndërmjetëm ose përkufizim të ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

 

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Sipas tij, vetëqeverisja për komunitetin serb në Kosovë, që përmendet në marrëveshje, “nuk është as në nivel të Republikës e as në nivel lokal”.

Një nivel i tillë i qeverisjes, shton ai, do të ishte i mundur me ndryshimin ose plotësimin e ligjeve të caktuara.

Për Marrëveshjen drejt normalizimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan më 27 shkurt, në një takim në Bruksel.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se fjala “vetëmenaxhim” në këtë marrëveshje mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, por se ai, personalisht, beson se ka të bëjë me dhënien e autonomisë territoriale për serbët në veri.

“Kur thuhet vetëmenaxhim, dihet se çfarë do të thotë, formohet shtet në shtet”, thotë Baraliu për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë i parapriu Marrëveshjes drejt normalizimit?

Marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar në vitin 2013. Gjashtë pikat e para të saj i referohen formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Çështja e këtij asociacioni ka vite që e ka penguar përparimin drejt normalizimit, sepse Kosova refuzon ta formojë atë, me arsyetimin se nuk është në përputhje me Kushtetutën e saj.

Po ashtu ka frikë se formimi i Asociacionit mund të çojë në “bosnjëzimin” e Kosovës, përkatësisht krijimin e një entiteti të ngjashëm me Republikën Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, e cila ka kompetenca ekzekutive.

 

Në anën tjetër, Beogradi zyrtar këmbëngul në formimin e Asociacionit, duke thënë se ai do të përfaqësojë një organizatë ombrellë për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare, gjithashtu, kërkon nga Kosova që ta formojë Asociacionin. Trysnia është rritur gjatë vitit të fundit, kur në veri të Kosovës – ku popullata shumicë është serbe – situata është përshkallëzuar disa herë, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për ta shtrirë pushtetin në atë pjesë.

 

Pasojë e këtyre trazirave ishte tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, të cilët e kanë kushtëzuar kthimin e tyre me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Autoriteteve në Prishtinë dhe në Beograd, ndërkohë, u është paraqitur një plan evropian për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin palët e kanë pranuar në parim.

Plani, i cili më pas është titulluar Plani Evropian – Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi, kërkon mes tjerash që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Kosova të pranojë një aranzhim të posaçëm për komunitetin serb.

 

A i referohet Neni 7 formimit të Asociacionit?

Në Nenin 10 të Marrëveshjes drejt normalizimit thuhet se “palët konfirmojnë detyrimin e tyre për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme në dialog, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”.

Në praktikë, kjo do të thotë se duhet të formohet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

REL-i pyeti Qeverinë e Kosovës nëse Neni 7 i ofron garanci shtesë komunitetit serb, apo nëse i referohet ushtrimit të të drejtave të serbëve në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një konferencë virtuale me gazetarë, më 28 shkurt, se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet dhe se ai duhet të përfaqësojë “një nivel të vetëmenaxhimit, që nuk do të ndërhyjë në rendin kushtetues të Kosovës, në strukturën juridike dhe as funksionalitetin e Kosovës”.

 

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha Radio-Televizionit të Serbisë më 28 shkurt se në udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes, nuk është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sepse Kurti nuk e ka pranuar.

Ai, po ashtu, tha se Kurti nuk do ta formojë së shpejti Asociacionin, por se “për një, dy apo gjashtë muaj, dikush duhet ta formojë atë”.

Sipas tij, rëndësia e formimit të Asociacionit është e madhe, sepse përfshin edhe mbështetjen financiare të Serbisë.

Në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, institucionet funksionojnë sipas sistemit serb dhe në to është i punësuar një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit serb, që marrin paga nga buxheti i Serbisë.

Profesori Kadri Kryeziu thotë se Neni 7 i Marrëveshjes drejt normalizimit i referohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe, edhe pse nuk përmendet në mënyrë specifike.

“Ky është përkufizimi i Asociacionit, por [emri] nuk shihet, e shohim vetëm ne ekspertët, jo njerëzit e zakonshëm”, thotë Kryeziu.

Ai thotë se Kosova duhet t’i ofrojë të drejta shtesë komunitetit serb, sepse nga kjo varet marrëdhënia me Beogradin zyrtar dhe vetë normalizimi i marrëdhënieve.

“Në këtë mënyrë do të hiqen pengesat për integrimin evropian dhe për përfshirjen e Kosovës në NATO”, thotë Kryeziu.

Baraliu thotë se Kosova nuk është dashur ta pranojë marrëveshjen, pikërisht për shkak të Nenit 7, sepse beson se ai do t’i sigurojë autonomi komunitetit serb në veri.

“Synohet që përveç Asociacionit të ketë edhe vetadministrim territorial në nivelin më të lartë. Dokumenti është i papranueshëm për këdo që e di se çfarë do të thotë shteti dhe për këdo që dëshiron ta ruajë shtetin”, thotë Baraliu.

Problemi kryesor për formimin e Asociacionit lidhet me kompetencat e tij.

Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për formimin e Asociacionit nuk janë në përputhje me 23 nene të Kushtetutës, që kryesisht kanë të bëjnë me barazinë para ligjit, të drejtat dhe liritë themelore dhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe pjesëtarëve të tyre.

Kurti, duke iu referuar këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ka përsëritur vazhdimisht se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

Të drejtat aktuale të serbëve në Kosovë

Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë gëzojnë të drejtat e përcaktuara me Planin e Marti Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës dhe është hartuar Kushtetuta e Kosovës.

Mes tjerash, ata kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës, një ulëse ministrore në Qeveri dhe së paku dy zëvendësministra.

Gjuha serbe, ashtu sikurse shqipja, është në përdorim zyrtar në gjithë territorin e Kosovës.

Komunitetet joshumicë, përfshirë serbët, kanë të drejtën e arsimimit në gjuhën e tyre amtare. Megjithatë, serbët në Kosovë ndjekin mësimet sipas plan-programit të Serbisë në të gjitha nivelet.

Në Kosovë ekziston Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, i cili synon të sigurojë mbrojtjen e manastireve, kishave dhe objekteve të tjera fetare ortodokse serbe, si dhe të vendeve historike dhe kulturore, që kanë një rëndësi të veçantë për komunitetin serb të Kosovës.

Me këtë ligj, në Zonat e Veçanta të Mbrojtura ndalohet ndërtimi ose zhvillimi industrial, ndërtimi i digave, termocentraleve, rrugëve transitore e kështu me radhë.

rel

Perëndimi fiton përparësi ndërsa përballet me Rusinë për ndikimin ndaj Serbisë

BrukselTakimi i së hënës në Bruksel, ku udhëheqësit e Prishtinës dhe Beogradit u pajtuan për një marrëveshje të mundshme, shënon një fitore të Perëndimit, që po përpiqet të frenojë ndikimin e Rusisë ndaj Serbisë. Analistët thonë se synimi i Rusisë është ta mbajë Serbinë larg Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

 

Pajtimi i Kosovës dhe Serbisë, këtë javë, për një marrëveshje të mundshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, shënon një fitore të heshtur të Perëndimit ndërsa konkuron me Rusinë për ndikimin ndaj Beogradit.

Që kur nisi sulmi ndaj Ukrainës një vit më parë, ndjenjat pro serbe janë të dukshme në rrugët e Beogradit. Bluza me shkronjën Z, simbol i fushatës ruse, po shiten si suvenirë, ndërsa ndërsa grupet e ekstremit të djathtë, shprehin hapur mbështetjen për Rusinë.

Në përpjekje për arritjen e një ekuilibri të vështirë mes lidhjeve të thella kulturore dhe fetare me Rusinë, nga njëra anë dhe ambicieve për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe partneritet me NATO-n nga ana tjetër, Presidenti Aleksandar Vucic, ka bërë pak për t’iu kundërvënë ndjenjave pro-ruse nga frika e humbjes së mbështetjes popullore.

Por përtej tubimeve pro ruse nëpër rrugët e Beogradit, pa rënë në sy, Perëndimi po ndërrmerr disa hapa për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare me Beogradin, për të ulur varësinë ndaj gazit rus dhe për të zbutur tensionet mes Serbisë dhe Kosovës.

Për më shumë se dy dekada, Kremlini ka qenë aleat i fuqishëm i Serbisë, duke e mbështetur atë gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999 dhe më tej për të kundështuar pavarësinë e Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, një kusht për të dyja vendet për anëtarësimin e mundshëm në Bashkimin Europian, do të frenonte ndjeshëm ndikimin e Moskës ndaj Beogradit.

“Ndikimi i Rusisë këtu është primitiv. Nuk është shumë ekonomik, edhe pse energjia ka ende rëndësi për Rusinë dhe Serbia është një treg i rëndësishëm për gazin e naftën e Rusisë dhe Rusia ka ende në pronësi kompaninë më të madhe të naftës në Serbi, “NIS”. Pra ka rëndësi, por jo shumë të madhe, nëse e krahasojmë me tregjet e tjera europiane. Më e rëndësishme për Rusinë është që Serbia të mos jetë në NATO-s dhe Bashkimin Europian. Dhe qëllimi i të gjitha aktiviteteve të Rusisë këtu dhe i marrëdhënieve me Serbinë, është që ta mbajë Beogradin larg integrimit euro-atlantik”, thotë , Maxim Samorukov, Qendra “Carnegie Endowment for International Peace”.

Duke mos dashur të rrezikojë procesin integrues, Beogradi ka dënuar në Kombet e Bashkuara dhe forumet botërore sulmin e ndërmarrë nga Rusia, ka njohur kufijtë e para-luftës të Ukrainës, i ka dërguar Kievit ndihmë humanitare dhe infrastukturore, si edhe ka mirëpritur refugjatë e luftës, qoftë ata ukrainas apo rus.

“Po, është e vërtet se politika e jashtme e Serbisë ndaj Rusisë ka ndryshuar shumë, si rezultat i çështjes me Kosovën. Për këtë janë bërë disa lëshime, në atë që mund t’i referohemi si sektori energjitik”, thotë historiani Aleksandar Zivotic

Një kthesë e lehtë pritet të ndërmerret edhe në sektorin energjitik. Deri më tani, Serbia ka qenë i varur nga gazi i lirë rus, ndërsa prodhuesi kryesor i naftës është kompania “NIS”, në pronësi të kompanive ruse Gazprom dhe Gazpromneft.

Sidoqoftë, vitin e kaluar, Serbia ndaloi importin e naftës së papërpunuar nga Rusia, duke respektuar sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian, duke u mbështetur kryesisht tek furnizimet nga Iraku dhe po punon me Bullgarinë në ndërtimin e një tubacioni gazi që do të transportonte gaz natyror dhe të lëngshëm nga Greqia dhe Turqia.

Beogradi do të vijojë të ketë nevojë për gazin rus, por nuk ka të ngjarë që Moska të ndërpresë furnizimet, thotë analisti Sasa Djogovic.

“Në momentin që do nisë zbatimi i projektit me Bullgarinë dhe falë importit të gazit të lëngshëm nga Greqia do të zvogëlohet nevoja për të importuar gaz nga tregu rus”, thotë Sasa Djogovic , analist, Insitututi për Studimin e Tregut.

Magjiithatë, pa asnjë dyshim nuk do jetë mjaftueshëm për të plotësuar të gjitha nevojat e tregut serb, kështu që do të ketë nevojë për importe shtesë të gazit rus. Nuk besoj se Serbia do të ketë ndonjë problem, vetëm në rast se Rusia thotë: “Ne po ju ndërpresim furnizimin me gaz dhe nuk do t’ju lejojmë të blini”. Megjithatë, nuk besoj se Rusia do të lejojë një skenar kaq drastik, kryesisht për interesat e saj, në mënyrë që të ruajë popullaritetin që gëzon ende në radhët qytetarvëve serbë”.

Pavarësisht kthimit nga Beogradi drejt perëndimit, ndjenja pro-ruse mbetet e rëndësishme në politikë dhe mjaft prezente në rrugët e kryeqytetit serb.

Rreth 80% e serbëve kundërshtojnë sanksionet kundër Rusisë, sipas një sondazhi të vitit 2022 nga qendra “Demostat”, në Beograd, kryesisht për shkak të sanksioneve dhe izolimit të vendosura në vitet 1990 ndaj Beogradit për rolin që pati në luftërat për shpërbërjen Ish-Jugoslavisë.

Kur studenti rus Ilya Zernov u përpoq të pikturonte grafitin “Vdekjet në Ukrainë” në një mur në Beograd, ai u rrethua nga një grup burrash që i njihte si ultranacionalistë serbë pro-rusë.

“Një burrë nxorri thikën dhe filloi të më kërcënonte Ai më goditi me grusht në veshin e djathtë,” thotë zoti Zernov, i cili iku në Serbi nga vendlindja e tij Kazan, vitin e kaluar pasi kundërshtoi publikisht sulmin e kryer nga Rusia”, thotë ai.

Cedomir Stojkovic, një avokat dhe aktivist i ”Grupit të Tetorit”, me qendër në Beograd, që publikon listat e serbëve të njohur që janë mbështetës të hapur të Rusisë, tha se Serbia është nën “pushtimin hibrid” rus.

Zoti Stojkovic ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit rus dhe kreut të shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë për ndikimin e grupit mercenar rus “Wagner” në Serbi.

Grupi ushtron ndikim përmes medias, si agjencive të lajmeve “Russia Today” dhe “Sputnik” që lejohen të veprojnë në Serbi pavarësisht se janë të ndaluara në Evropë, si dhe përmes të paktën tre gazeta ditore që mbështesin hapur kauzën e Kremlinit.

 

voa

Kosova dhe Serbia – marrëveshje për marrëveshjen por edhe shumë pengesa

takimi BorellDiplomacia e ndërmjetësuesve të BE-së do të zgjasë deri në pjesën e dytë të marsit. Shumë pyetje mbeten të hapura, ndonëse palët janë dakorduar.

 

Kosova dhe Serbia kanë rërë dakord lidhur me planin e Bashkimit Evropian për marrëveshje. Por plani nuk është nënshkruar dhe në rrugën prej ujdisë deri në zbatimin e marrëveshjes priten edhe shumë pengesa. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të hënën më 27 shkurt në Bruksel, njoftoi me gëzim se të dy të ftuarit, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, e kanë pranuar “propozimin evropian” dhe se nuk duan të diskutojnë më gjatë për këtë çështje. Borrell në fund filloi me analiza për suksesin dhe gjërat për të cilët palët janë dakorduar, që propozimi të jetë një bazë e qëndrueshme për një marrëveshje të përhershme.

Bashkimi Evropian publikoi pak më vonë gati të njëjtin tekst që është publikuar më parë edhe në disa media, e që quhej propozimi franko-gjerman. Siç u shpjegua, ky propozim duhet të jetë korniza për negociata të mëtejshme. Por plani nuk është nënshkruar dhe tani duhet të përcaktohet plani i zbatimit – çfarë, saktësisht si dhe në çfarë renditjeje do të zbatohet. E këtu ka mosmarrëveshje të mëdha mes palëve, sepse Kosova kërkon që marrëveshja të jetë pjesë e një njohjeje mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Serbia kërkon zbatimin në rend të parë të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, e më pas të flitet për gjëra  të tjera.

 

Dallimet shihen menjëherë pas takimit

Dallimet u bënë të qarta menjëherë në deklaratat pas takimit e më pas edhe pas kthimit të bashkëbiseduesve në vendet e tyre. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sapo dolën nga takimi me Borrellin, ku u dakorduan me dokumentin, dhanë deklarata me pikëpamje të ndryshme. Vuçiqi insistonte që asociacioni të jetë pika numër një e marrëveshjes, ndërsa Kurti thoshte se kjo çështje është vetëm një nga pikat e shumta.

Më pas presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka dhënë një intervistë për mediat serbe ku tha se është i gatshëm të flasë për të gjitha, por jo për njohjen e shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Vuçiqi tha se këto janë “linjat e kuqe”, që nuk do t’i kalojë, ndonëse në propozimin e publikuar nga BE-ja thuhet qartë se palët “nuk do të kundërshtojnë njëra-tjetrën në anëtarësimin e tyre në organizatat ndërkombëtare”. Vuçiqi e ka pranuar pra dokumentin ku thuhet se nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk do të nxisë të tjerët ta pengojnë atë, ndërsa me t’u kthyer në Beograd tha se kjo është një linjë e kuqe që nuk do ta kalojë.

 

A mjafton dokumenti që vendet e BE-së ta njohin Kosovën?

“Edhe pse ende mungon nënshkrimi përfundimtar, ky është një sukses i madh politik për BE-në, por edhe për të gjithë rajonin”, thotë në një intervistë për DW, deputetja e Parlamentit Evropian Viola von Cramon-Taubadel, duke kujtuar tensionet e muajve të fundit. Politikanja e të Gjelbërve gjermanë është e bindur se ky tekst i marrëveshjes mund të bindë Greqinë, Spanjën, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë që ta njohin Kosovën dhe që Prishtina edhe formalisht të nisë rrugën drejt BE-së.

Bashkëbiseduesit e tjerë nuk janë kaq të bindur për këtë sukses të madh. Derisa të sqarohet gjithçka, nuk mund të thuhet se ky është një sukses i madh politik. “Ende jo”, thotë eksperti i Ballkanit, Florian Biber nga Universiteti i Gracit. Biber e sheh tekstin e marrëveshjes kornizë si një njohje de facto të Kosovës nga Serbia. Por shton se pilula e hidhur për Prishtinën është se nuk ka njohje të plotë. “Për Kosovën problemi më i rëndësishëm është bllokimi i anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare nga vendet që nuk e njohin pavarësinë”, tha ai. “Është e paqartë nëse një marrëveshje e tillë është e mjaftueshme për disa vende që të njohin Kosovën”, shtoi Bieber.

 

Vazhdimi i presioneve

Politologu Vedran Xhihiq nga Instituti Austriak për Politikë Ndërkombëtare thotë se është një “pikëpyetje e madhe”, nëse Serbia do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Xhihiq pret gjithashtu fërkime të mëtejshme për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilës Kurti nuk dëshiron t’i japë kompetenca më të gjera ekzekutive, nga frika e një “kali të Trojës” në Kosovë. Politologu po ashtu rikujton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës vështirëson formimin e asociacionit.

Pikat e tjera të marrëveshjes përmenden më rrallë si kontestuese dhe kanë të bëjnë me njohjen e dokumenteve dhe simboleve, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e misioneve të përhershme e të tjera.

Por kur dihet së çështjet më të rëndësishme janë të diskutueshme, atëherë pritet që i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, të vazhdojë me diplomacinë e vizitave të dy palëvenë mënyrë që deri në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së në fund të marsit, gjithçka të hidhet në letër dhe të nënshkruhet. Deri atëherë, si Vuçiq ashtu edhe Kurti mund të jenë nën presion diplomatik dhe politik. “Presioni politik është i mirë, por është me rëndësi edhe ajo që në anglisht quhet ownership. Pra është me rëndësi që në një moment ata vetë të thonë se duan ta nënshkruajnë këtë marrëveshje”, përfundon eurodeputetja Von Cramon-Taubadel.

dw

SHBA: Plani evropian thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

EskobarI dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kërkon nisjen menjëherë të diskutimeve për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po ashtu edhe përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është thelbësor për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës. Kështu thuhet në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit, një ditë pasi Kosova dhe Serbia u pajtuan në Bruksel me Planin Evropian që parasheh normalizimin e marrëdhënieve.

Escobar: Asociacioni obligim që duhet të zbatohet

“Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi planin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, shumetnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në Bruksel gjatë kohës së takimit të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, qëndroi edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili takoi ndarasi Vuçiqin dhe Kurtin. Escobar, sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ishte i prerë, “është obligim që duhet të zbatohet”.

“Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët”, tha Escobar në një konferecë për medie. I pyetur nëse Kosova ka afate kohore për formim të Asociacionit, ai u përgjigj se “pyetja është se sa shpejt do të formohet”. “Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë Asociacionin. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”, tha Gabriel Escobar.

 

Rruga pas ujdisë më 27 shkurt jo e lehtë

Për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti takimi i së hënës në Bruksel “konfirmoi që kemi të bëjmë me një platformë solide për të ecur përpara dhe gjithçka që na mundëson ecjen përpara është pozitive”. “Do të ketë bisedime jo të kollajshme, por qëllimi i Brukselit është që brenda muajit mars të ketë rezultate të prekshme”, tha Kurti, duke përsëritur se ai ishte i gatshëm të nënshkruante Planin Evropian, por kjo nuk ndodhi, meqë pala serbe nuk ishte e gatshme që ta nënshkruante.

E nga ana tjetër, Presidenti serb Vuçiq tha pas takimit të Brukselit se “një nga pikat e planit evropian nënkupton që Serbia do ta lejonte Kosovën të anëtarësohej në Kombet e Bashkuara, prandaj nuk kam nënshkruar”.”Do të ketë më shumë bisedime”, tha Vuçiq duke ritheksuar se “diplomatët perëndimorë u kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit evropian do të nënkuptonte sanksione”.

 

Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq, në takimin e 27 shkurtit në Bruksel nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrel, u pajtuan se nuk kanë nevojë të diskutojnë më për propozimin evropian për normalizimin e raporteve dhe ata u pajtuan që të punojnë për zbatimin e propozimit evropian. Bashkimi Evropian, tha se zbatimi i propozimit do të bëhet përmes diplomacisë ecejake, ku i ngarkuari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajcak, do të bëjë udhëtime të shpeshta në Prishtinë dhe Beograd. Takimi i radhës Kurti-Vuçiq, pritet të ndodhë me 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut, gjatë një vizite që do ta bëjë aty Josep Borrel. Bashkimi Evropian pret që udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes (planit evropian), të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që do të mbahet më 23-24 mars. Plani evropian nuk përfshin njohjen e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që Kosova dhe Serbia të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të njëra-tjetrës.

dw

Rritja ekonomike në Kinë përshpejtohet

roboti kinePas përfundimit të kufizimeve të rrepta të koronas në Kinë, rritja ekonomike po përshpejtohet. Bursat aziatike tashmë kanë përfituar nga këto shifra pozitive.

 

Ekonomia e Kinës po përjeton rritje pas përfundimit të politikës së rreptë “zero korona”. Indeksi i menaxherëve të blerjeve industriale (PMI)u ngjit nga 50.1 në 52.6 në shkurt, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave në Pekin. Indeksi PMI i kaloi në këtë mënyrë qartë parashikimet e analistëve, të cilët po llogaritnin 50.5. Ky është niveli më i lartë që nga prilli 2012.

Një indeks i veçantë i menaxherëve të blerjeve i publikuar nga revista kineze e biznesit Caixin pa një rritje të ngjashme: ai u rrit nga 49.2 në 51.6 pikë në shkurt. Madje sektori i shërbimeve arriti 56.3 pikë, kundrejt 54.4 pikëve në dhjetor.

“Tendenca e përgjithshme tregon një rikuperim”

“Megjithëse këto shifra duhet të merren me kujdes, pasi mund të ketë faktorë të rëndësishëm sezonalë dhe të nxitur nga ngjarjet, tendenca e përgjithshme ende tregon për një rikuperim solid në fillim të vitit 2023,” tha Zhou Hao, një ekonomist në Guotai Junan International. Në të vërtetë, kur vlerat i kalojnë 50 pikë, ato sinjalizojnë një zgjerim të aktivitetit ekonomik.

Të dhënat e publikuara sot tregojnë se ekonomia kineze po rimëkëmbet nga efektet e masave të rrepta të Korona. “Vlerat e mira të PMI japin një notë pozitive për Kongresin e ardhshëm Popullor Kombëtar. Ne presim që qeveria të marrë masa të mëtejshme mbështetëse për të konsoliduar rimëkëmbjen ekonomike,” tha Zhou Hao.

 

A do të rriten çmimet e energjisë?

Sipas ekspertëve, një rimëkëmbje e ekonomisë kineze mund të çojë në tension të mëtejshëm në tregun e energjisë. Pas rënies së fundit të çmimeve të naftës dhe gazit, rritja e kërkesës kineze mund ta kthejë këtë prirje. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) pret një rritje të kërkesës për energji nga Kina dhe për këtë arsye pret gjithashtu rritje të çmimeve.

Tregjet aziatike të aksioneve rriten

Në hapjen e Kongresit Popullor, qeveria e Pekinit do të shpallë objektivin e saj të rritjes për këtë vit këtë fundjavë. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon rritje ekonomike prej 5.2 për qind për Kinën këtë vit.

Tregjet aziatike të aksioneve kanë qenë në gjendje të përfitojnë nga të dhënat pozitive që vijnë nga Pekini: aksionet aziatike dhe dollari australian kanë eleminuar humbjet e tyre të mëparshme, juani është vlerësuar dhe çmimi i naftës është rritur, pasi investitorët janë më optimistë për Kinën. perspektiva ekonomike.

 

aud (dw, tgsch)

Blinken vë në dyshim seriozitetin e Rusisë dhe Kinës, për paqe në Ukrainë

UkrainaSekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken vuri në dyshim seriozitetin e Rusisë dhe Kinës, për arritjen e paqes në Ukrainë. Ai përmendi mungesën e hapave thelbësorë për të mbështetur qëndrime që do të konfirmonin ndonjë përpjekje reale për paqe.

 

Duke folur gjatë një vizite në Uzbekistan, zoti Blinken u tha gazetarëve se nëse Rusia do të ishte vërtet e përgatitur të angazhohej në diplomaci kuptimplotë, për t’i dhënë fund agresionit të saj, atëherë Shtetet e Bashkuara do të përfshiheshin me shpejtësi në këtë përpjekje. Por, tha më tej ai, veprimet e Rusisë, duke përfshirë kërkesën e Presidentit Vladimir Putin që Ukraina të njohë aneksimin nga Moska, të një pjese të territorit të saj, tregojnë se Rusia nuk është e interesuar për paqe.

Çështja kryesore që shtrohet është nëse Rusia do të arrijë në një pikë, ku ajo të tregojë se është vërtet e përgatitur për t’i dhënë fund agresionit të saj dhe ta bëjë këtë në një mënyrë që është në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe parimet e saj”, tha ai

Sekretari Blinken tha se propozimi kinez për paqe përmban disa elemente pozitive, duke përfshirë disa që gjenden në planin e paqes të vetë Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Por zoti Blinken tha nëse Kina do të ishte serioze në lidhje me thirrjen e saj për të mbështetur sovranitetin e të gjitha kombeve, atëherë vitin e kaluar e ka pasur mundësinë të punonte në mbështetje të sovranitetit të plotë të Ukrainës përballë agresionit të Rusisë.

Ai tha se Kina ka bërë të kundërtën, përfshirë avancimin e propagandës ruse dhe duke krijuar bllokada në favor të Rusisë në organizatat ndërkombëtare, si dhe duke shqyrtuar mundësinë për dërgimin e armëve të zjarrit, forcave ruse, për t’i përdorur ato në Ukrainë.

Zyrtarët ukrainas i cilësuan luftimet të martën rreth qytetit lindor të Bakhmutit si intensive, megjithëse ka pak ndryshime në kontrollin e territorit mes forcave të Moskës dhe Kievit.

Situata më e vështirë paraqitet në Bakhmut dhe në betejat që janë të rëndësishme për mbrojtjen e qytetit”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në fjalimin e tij mbrëmjen e së martës.

Rusia nuk do t’ia dijë fare për ushtarët, duke i dërguar ata të sulmojnë vazhdimisht pozicionet tona. Intensiteti i luftimeve po vetëm rritet”.

Presidenti Zelenskyy tha se komandanti ukrainas i ngarkuar për mbrojtjen e Bakhmutit, gjeneral koloneli Oleksandr Syrskyi, raportoi se 800 trupa ruse janë vrarë në atë zonë që nga e enjtja.

Më herët të martën, gjeneral kolonel Syrskyi shkruante në rrjetet sociale: “Pavarësisht se ka përjetuar humbje të konsiderueshme, armiku ka dërguar njësitë e tij më të stërvitura, ato të grupit Wagner në përpjekje për të thyer mbrojtjen e trupave tona dhe për të rrethuar qytetin”.

Grupi Wagner, është një njësi paraushtarake ruse që lufton përkrah trupave të Moskës.

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në disa zona në Ukrainën lindore, duke përfshirë Bakhmutin, qytetin e rrënuar ku dikur jetonin 75,000 njerëz.

Luftimet për muaj të tërë janë përqendruar në qytetet dhe fshatrat përreth Bakhmutit, me Moskën që po përpiqet të rrethojë qytetin për të ndërprerë rrugët e furnizimit të Ukrainës.

Pasi dështoi një vit më parë për të marrë me shpejtësi Kievin, kryeqytetin ukrainas, në ditët më të hershme të luftës, Rusia e ka përqendruar luftën, në rajonin lindor të Donbasit. Të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha në luftë.

Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një organizatë studimore me seli në Uashington, tha në një raport të ri të martën se 60,000 deri në 70,000 trupa ruse janë vrarë vitin e fundit, duke pësuan numrin më të madh të humbje në mesin e trupave ushtarake, krahasuar me të gjitha konfliktet ku Rusia ka marrë pjesë, që nga Lufta e Dytë Botërore, përfshirë luftimet në Çeçeni dhe Afganistan.

Disa informacione në këtë raport u morën nga Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.

voa

A u duhet shqiptarëve në ish-IRJM një “Asociacion i Komunave Shqiptare”?

Maqedonia etnike harta

 

Ishte vetëm çështje kohe kur ndonjëra nga partitë shqiptare në ish-IRJM do të abuzonte me situatën delikate të krijuar me insistimin e Serbisë për “Republikën Serbska” në Kosovë, duke bërë paralelizma mes serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në ish-IRJM.  Dhe ashtu ndodhi.

 

Partia erdoganiste Alternativa, e sapodëbuar nga koalicioni qeverisës me LSDM dhe BDI, doli me “shashkën patriotike” të thirrjes drejtuar partive shqiptare BDI, ASH dhe BESA, të cilat drejtojnë Komuna në RMV, të ngrejnë nismën për themelimin e “Asociacionit të Komunave Shqiptare në RMV”, duke kërkuar që ky Asociacion të ketë po ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”.

Motivi skajshmërisht abuzues i krerëve të kësaj partie, i bën moskokëçarës për pasojat dhe pikëpyetjet që ngren kjo iniciativë: – Do ishin dakord ata që “Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë” të ketë kompetenca ekzekutive, në mënyrë që në saje të paralelizmit, këto kompetenca t’i ketë edhe “Asociacioni i Komunave shqiptare në ish IRJM”? Cilat janë pasojat nga refuzimi i pritur i kësaj iniciative nga partitë  tjera shqiptare të akomoduara në pushtetin qendror dhe atë lokal? A i jepet mesazhi i gabuar bashkësisë ndërkombëtare se shqiptarët në ish IRJM janë kundër iniciativave për të vetëvendosur dhe për t’u vetëqeverisur?

Padyshim, çdo kërkesë e shqiptarëve të cilët përfaqësojnë së paku 30% të popullsisë në ish-IRJM, për ridefinimin e shtetit dhe sistemit qeverisës, nga ai unitar në federativ/konfederativ është e drejtë dhe e ligjshme.  Është zgjidhja e vetme që atyre do t’u jepte mundësinë për t’u vetëqeverisur në njësitë e tyre shtetërore. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do të gëzonin të gjitha të drejtat kolektive si popull autokton dhe shtetformues, jo vetëm që përfaqësuesit e tyre politikë do ju jepnin llogari drejtpërdrejt zgjedhësve në vend të partive sllave, jo vetëm që do të ishin në gjendje të zbatojnë politika kombëtare zhvillimore, arsimore dhe kulturore me buxhetin që ju takon, për të parandaluar egzodin e të rinjve jashtë vendit, por kjo do të shuante edhe konfliktet dhe do të relaksonte njëherë e mirë marrëdhëniet ndëretnike në këtë vend.

Por jo duke imituar më pak se 4% kolonë serbë në Kosovë, të mbledhur rreth grupeve kriminale serbe që zbatojnë urdhërat e Beogradit në Kosovën me mbi 90% shqiptarë! Kërkesa për “Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë” nuk është një kërkesë e ligjshme e banorëve të Kosovës që mund të merret si shembull, por një rrugë e tërthortë, invazive, hegjemoniste e Beogradit, për të formuar “Rebpublikën Serbska” në Kosovë, që do të coptonte dhe Bosnjëzonte Kosovën, për ta shëndruar atë në një shtet jofunksional, dhe në këtë mënyrë, në një pre të lehtë që në një të ardhme të afërt ta kthente përsëri si pjesë të Serbisë.

Shqiptarët në ish IRJM, që edhe sipas Censusit të fundit i cili nuk fitoi besueshmërinë jo vetëm të shqiptarëve, por gjithë popujve të regjionit, përfaqësojnë 30% të popullsisë, nuk kanë nevojë për një rrugë të ndërmjetjme për të realizuar të drejtat e tyre kolektive, aq më pak duke marrë shembullin e serbëve të Kosovës!

Zgjidhja është shumë e vonuar, por një hap larg!

Mjafton që krerët e korruptuar të partive shqiptare të heqin dorë nga shtëpitë milionshe në lagjet ekskluzive të Shkupit, postet, tenderat dhe përfitimet e tjera në shkëmbim të mercenarizmit të tyre politik, dhe të tërhiqen jo vetëm nga pushteti ekzekutiv, por edhe nga ai legjislativ, duke kushtëzuar çdo komunikim me palën tjetër, me ridefinimin e kushtetutës dhe të shtetit,  për të fituar pjesën e shtetit dhe pushtetit që u takon shqiptarëve.

E nëse ata nuk duan ta bëjnë këtë, janë vetë qytetarët shqiptarë ata që duhet t’i detyrojnë, duke mbushur sheshet dhe rrugët e qyteteve të tyre, për të luftuar sot për një të ardhme më të mirë dhe vende pune për fëmijët e tyre, për dallim nga ajo që kanë bërë deri tani, duke kërkuar vende pune për veten e tyre në shkëmbim të nënshtrimit ndaj këtyre partive.

Është kaq e thjeshtë!

 

Afrim Fanda

Analistët të ndarë mbi rëndësinë e rezultatit të takimit Kosovë-Serbi

Charles Kupchan studiues në Këshillin Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë dhe David Kanin profesor për Studime Evropiane në Universitetin Johns HopkinsAnalistët janë të ndarë lidhur me rëndësinë e arritjes së takimit të së hënës mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por bien dakord se ecuria e mëtejshme varet nga qasja ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, Charles Kupchan, studiues në Këshillin Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë dhe David Kanin, profesor për Studime Evropiane në Universitetin Johns Hopkins, në intervista për Zërin e Amerikës shprehën qëndrimet e tyre për përmbajtjen e propozimit dhe parashikimet e tyre për hapat e mëtejshëm në procesin e normalizimit.

 

Analisti i Këshillit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, Kupchan thotë se megjithëse ata që prisnin një nënshkrim marrëveshjeje të hënën mund të jenë zhgënjyer, takimi ishte i suksesshëm, pasi të dyja palët kanë rënë dakord me elementët kryesorë të dokumentit.

“Mendoj se mund të thuhet me siguri se pavarësisht mungesës së një firme, gota është më shumë se gjysëm plot. Unë do të thoja se është tre të katërtat plot.Askush nuk mund ta dijë se çfarë do të ndodhë më tej, por unë mendoj se palët kanë shënuar një pikë të rëndësishme kthese politike. Ato po shkojnë drejt vijës së finishit”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Dhe vija e finishit për të është njohja zyrtare e Kosovës nga Serbia.

“Mendoj se serbët e dinë se duhet të bëjnë njohjen zyrtare të Kosovës si hapin e fundit përpara hyrjes në Bashkimin Evropian. Kështu që unë e shoh këtë si një proces me faza ku dokumenti që u publikua në Bruksel detajon se si do të zhvillohet faza e parë”, thotë zoti Kupchan.

Por për profesorin e Universitetit Johns Hopkins dhe ish-analist i lartë i CIA-s për Ballkanin dhe Evropën, David Kanin, asgjë thelbësore nuk është zgjidhur dhe në fakt ndryshimi më i madh është që ka një tekst mbi të cilin mund të punohet.

“Por negociatat e vështira nuk kanë ardhur ende dhe aty do të jetë ose nuk do të jetë marrëveshja. Ky është thjesht një hap paraprak përpara drejt asaj që ata (Perëndimi) shpresojnë se do të jetë një marrëdhënie praktike mes dy palëve”, thotë profesori Kanin për Zërin e Amerikës.

Megjithëse ai vë në dukje se pika për shkëmbimin e misioneve është e rëndësishme, prof. Kanin thotë se dokumenti nuk e zgjidh çështjen e statusit të Kosovës.

“Prova e vërtetë e gjithë kësaj do të jetë nëse pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën deri më tani, do të shohin në këtë tekst dhe në diplomacinë tani e tutje, një bazë për ndryshimin e qëndrimeve të tyre dhe ta njohin Kosovën. Nëse kjo ndodh, do të ishte diçka e rëndësishme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë është e diskutueshme se sa e rëndësishme është gjithë kjo”, thotë ai.

Dy analistët bien dakord se Thembra e Akilit është çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha pas takimit se aneksi i zbatimit, i cili do të jetë udhërrëfyes i fazës së zbatimit të marrëveshjes, është “një pjesë integrale” e saj. Pika më e ndjeshme e zbatimit është pikërisht Asociacioni. Prof. Kanin thotë se fakti që Asociacioni nuk përmendet por ajo është pika më kritike, e bën të mendojë se ky dokument nuk është më i rëndësishmi.

“Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë para se të kemi një marrëveshje, dhe ajo qëndron tek aneksi i zbatimit, aty është marrëveshja. Kjo është thjesht një marrëveshje për t’u përpjekur për të arritur një marrëveshje”, thotë ai.

Madje ai shton se edhe qëndrimet e Kryeministrit Albin Kurti pas takimit se ishte gati të nënshkruante marrëveshjen, dhe të Presidentit Vuçiç se nuk ishte gati ta bënte këtë, duke e vënë theksin tek Asociacioni, tregojnë se gjendja në thelb mbetet e njëjtë.

“Ata kështu kanë folur edhe më parë: Serbia ka këmbëngulur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kurti ka thënë se kjo nuk është përparësi. Ata kanë përparësi të ndryshme dhe qëndrime të ndryshme. Kjo nuk ka ndryshuar”, thotë ai.

Zoti Kupchan është dakord se pengesa kryesore janë detajet e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Djalli qëndron tek detajet dhe ne nuk i dimë detajet. Ne e dimë se Asociacioni është pjesë e marrëveshjes dhe është një pjesë e mozaikut, gjë që u bë e qartë kohë më parë. Ne e dimë gjithashtu se Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka konstatuar se kjo mund të jetë në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës dhe rrjedhimisht duhet menduar se si të koordinohet një farë niveli i autonomisë për komunitetin serb dhe pakicën serbe në Kosovë, me kompetencat e vetë qeverisë së Kosovës”, thotë ai.

Zoti Kupchan thotë se nuk dihet ende se për çfarë saktësisht është rënë dakord.

“Por unë mendoj se kjo është pika ku do të përqendrohet pjesa më e madhe e vëmendjes në javët në vijim, pasi duket të jetë pengesa më e rëndësishme. Të paktën me aq sa dimë arsyeja që dokumenti nuk u nënshkrua është se nuk kishte marrëveshje për modalitetet e Asociacionit”, thotë ai.

Por ato që zoti Kupchan i sheh si detaje për t’u sheshuar drejt një vije finishi, zoti Kanin i quan pengesa që mund ta lënë situatën në vend numëro për një kohë të gjatë.

Zoti Kupchan mendon se mesa duket propozimi parashikon një normalizim me faza.

“Në fazën e parë kemi marrëdhënie të mira fqinjësore, Kosova hyn në institucionet ndërkombëtare, dy palët shkëmbejnë misione diplomatike. Por nuk marrim një njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia”, thotë ai, duke shtuar se njohja zyrtare do të jetë pika përfundimtare e këtij procesi.

Për zotin Kupchan, diplomacia perëndimore ka qenë e suksesshme dhe këtë e tregon fakti që të dyja palët kanë rënë dakord për elementët thelbësorë të propozimit.

“Unë nuk mendoj se Perëndimi po favorizonte njërën palë apo tjetrën, ose po bënte më shumë presion ndaj Kosovës se sa ndaj Serbisë. Mendoj se po bënte gjithçka që mundej për të ushtruar ndikim për t’i bërë palët që të kapërcenin një ngërç, një mungesë fleksibiliteti që e ka mbajtur rajonin në vend numëro për një kohë të gjatë”, thotë ai.

Por ndryshe nga zoti Kupchan që mendon se të dyja palët duket se po negociojnë tani me mirëbesim, zoti Kanin thotë se BE-ja dhe SHBA-ja po përpiqen të detyrojnë dy palë mosbesuese për një marrëveshje.

“Janë negociata ngurruese mes dy palëve që nuk i besojnë njëra-tjetrës, por që po detyrohen nga Perëndimi të arrijnë në një lloj marrëveshjeje”, thotë ai, duke shtuar se nuk beson që do të ketë një zgjidhje të shpejtë për statusin.

Dy analistët bien dakord se si kryeministrit Kurti, edhe Presidentit Vuçiç do t’u duhet të përballen edhe me konsideratat e brendshme politike në vendet e tyre. Por thotë zoti Kupchan…

“Mendoj se kjo është një ditë optimiste për Kosovën dhe Serbinë dhe për rajonin në përgjithësi”.

 

voa

Origjina e virusit mbetet ende mister dhe tre vjet pas pandemisë

origjina e virusitQëkurse shpërtheu Pandemia Covid 19, një pyetje ka mbetur ende pa përgjigje: a e kishte origjinën ky virus tek kafshët, apo lindi dhe u përhap nga një laborator kinez?

 

Departamenti Amerikan i Energjisë, ndonëse jo me siguri të plotë, ka arritur në përfundimin se virusi rrodhi nga një laborator”, tha një person me njohuri mbi raportin, por që nuk është i autorizuar të flasë mbi të. Raporti nuk është bërë ende publik.

Mirëpo, me këtë përfundim nuk janë dakord persona të tjerë në shërbimet inteligjente amerikane.

“Deri më tani në qeverinë amerikane nuk ka ende konsensus mbi orgjigjinën e vërtetë të Covid 19”, tha të hënën John Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. “Nuk ka konsensus, as ndër radhët e shërbimeve inteligjente”.

Përfundimet e nxjerra nga Departamenti Amerikan i Energjisë u njoftuan fillimisht këtë fundjavë në gazetën “Wall Street Journal” e cila shkruante se raporti i klasifikuar bazohet në të dhënat e reja të shërbimeve inteligjente dhe u përfshi në një dokument të përditësuar të vitit 2021. Departamenti i Energjisë mbikqyr rrjetin e laboratorëve kombëtarë.

Të hënën, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë refuzuan të konfirmonin të dhënat e raportuara në media.

Në vitin 2021, një raport i shërbimeve inteligjente mbi origjinën e virusit, vinte në dukje se 4 anëtarë të këtyre shërbimeve besonin, por jo me shumë siguri, se virusi u transferua nga kafshët te njeriu; ndërsa një tjetër anëtar, besonte me siguri më të madhe, se rast i parë i infektimit i përkiste një laboratori.

Ndërsa shkencëtarët janë të hapur ndaj teorisë së virusi është shkaktuar nga një rrjedhje në një laborator, të tjerët vazhdojnë të besojnë se ky virus erdhi nga kafshët, pësoi mutacion dhe u transferua te njerëzit, ashtu si ka ndodhur dhe me viruset e tjera në të kaluarën.

Ekspertët mendojnë se origjina e vërtetë e pandemisë mund të mos mësohet dhe për shumë vite të tjera ose edhe asnjëherë.

 

THIRRJE PËR MË SHUMË HETIME

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara nuk pranoi të bënte një koment mbi raportin. Të 18 agjencitë e shërbimeve. inteligjente kishin qasje tek informacioni të cilin përdori për të dhënë vlerësimet e tij Departamenti Amerikan i Energjisë.

Alina Chan, biologe e fushës molekulare në Institutin “Broad” të univerisiteteve “Massachusetts Institute of Technology” dhe “Harvard” tha se ajo nuk ishte e sigurt se çfarë të dhënash të reja kishte Agjencia, por gjithsesi “është e arsyeshme të besohet ” se kjo lidhet me aktivitetin e Institutit të Virologjisë Vuhan, në Kinë.

Ajo pohoi se një studim kërkimor me autorësi të shkencëtarëve kinezë dhe bashkëpunëtorëve të tyre amerikanë në vitin 2018 “në thelb përshkruan një projekt lidhur me viruse të ngjashëm me Covid”.

“Në më pak se dy vjet, një virus i tillë shpërtheu në të gjithë qytetin”, tha ajo.

Intituti i Vuhanit kishte kryer për vite me radhë studime mbi koronavirusët, kryesisht për shkak të shqetësimeve të krijuara pas përhapjes së infeksionit të rrugëve të frymëmarjes SARS, se koronavirusët mund të ishin burim për pandeminë e radhës.

Asnjë agjenci e shërbimeve inteligjente nuk ka deklaruar se beson se koronavirusi që shkaktoi COVID-19 u përhap qëllimisht. Dokumenti i paklasifikuar i vitit 2021 ishte i qartë në këtë pikë: “Gjykojmë se virusi nuk u krijua si armë biologjike”, thuhej në të.

“Aksidentet laboratorike ndodhin me një shpeshtësi të habitshme. Shumë njerëz nuk kanë dëgjuar për aksidentet laboratorike sepse nuk flitet publikisht për to”, tha zonja Chan, bashkëautore e një libri mbi origjinën e Covid-19. Këto aksidente “nënvizojnë nevojën për më shumë transparencë dhe llogaridhënie për kërkimet me viruse ose mikroorganizma të rrezikshëm”.

Vitin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandoi një hetim të thelluar mbi një aksident të mundshëm laboratorik.

Zonja Chan tha se shpreson që raporti i fundit të nxisë më shumë hetime në Shtetet e Bashkuara.

Kina e ka cilësuar të pabazë sugjerimin se COVID-19 rrodhi nga një laborator kinez.

 

MBËSHTETJE PER TEORINË SE VIRUSI U TRANFERUA NGA KAFSHËT TEK NJERIU

Shumë shkencëtarë besojnë se teoria që virusi ka kaluar nga kafshët tek njeriu është shumë më e besueshme. Sipas saj, virusi lindi në natyrë dhe u transferua nga lakuriqët e natës te njerëzit, drejtpërdrejt, ose nëpërmjet një kafshe tjetër.

Në një raport kërkimor të vitit 2021 në revistën “Cell”, shkencëtarët thanë se COVID-19 është koronavirusi i nëntë i dokumentuar që infekton njerëzit dhe se të gjithë virusët e mëparshëm e kishin orgjininën te kafshët.

Dy studime të botuara vitin e kaluar nga revista “Science” përforcuan teorinë se virusi erdhi nga kafshët. Sipas këtij studimi, epiqendra e parë e virusit ishte në një treg të hapur të gjësë së gjallë, në Vuhan. Shkencëtarët arritën në përfundimin se virusi ka të ngjarë të jetë transferuar nga kafshët te njerëzit në dy periudha të ndara.

“Literatura shkencore përfshin në thelb artikujt kërkimore origjinale që mbështesin origjinën natyrore të virusit”, tha Michael Worobey, biolog në Universitetin e Arizonës, i cili ka studiuar në mënyrë të vazhdueshme origjinën e Covid 19.

Ai tha se i sheh me rezerva përfundimet e shërbimeve inteligjente, mbasi ata nuk kanë ekspertizë shkencore për të kuptuar të dhënat më të rëndësishme. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më transparente dhe të botojnë raportin e ri të Departamentit të Energjisë.

 

REAGIMET MBI RAPORTIN

Përfundimet e Departamentit të Energjisë dalin në dritë në kohën kur ligjvenësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë kërkuar hetime për të gjitha aspektet e pandemisë, përfshirë origjinën, si dhe pretendimet se zyrtarët u përpoqën të fshinin faktin se virusi rrodhi nga një laborator në Vuhan.

Në fillim të këtij muaji, në kuadër të përpjekjeve për hetime, republikanët dërguan letra në adresë të Doktor Anthony Fauci, Drejtores së Zbulimit Kombëtar, Avril Haines, Sekretarit të Shëndetësisë Xavier Beccera, si edhe disa zyrtarëve të tjerë.

Zoti Fauci, i cili tani ka dalë në pension, por ka shërbyer si eksperti më lartë në vend mbi sëmundjet infektive, si nën udhëheqjen e presidentëve republikanë edhe të atyre demokratë, i ka cilësuar kritikat e Partisë Republikane si të pakuptimta.

Republikani Mike McCaul, kryetar i Komisionit të Jashtëm në Dhomën e Përfaqësuesve i ka kërkuar administratës së Presidentit Biden informacion të plotë mbi raportin dhe të dhënat rreth tij.

Zoti Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nënvizoi se Presidenti Joe Biden beson se është e rëndësishme të mësohet se çfarë ka ndodhur për të bërë të mundur parandalimin e pandemive të tjera, por se puna kërkimore duhet të bëhet në mënyre të sigurtë dhe sa më transparente ndaj pjesës tjetër të botës.

voa