Ambasadorët dënojnë aktet e djegies së automjeteve me targa RKS në veri

makina e djegur nga banda e VucicitVënien e zjarrit disa automjeteve në veri të vendit që kishin targa RKS, e kanë dënuar ambasadorët e ndryshëm në Kosovë.

 

Shefi i zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ka deklaruar se dëmtimi i pronës private që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, ka synim frikësimin e popullatës lokale.

“Kjo është e papranueshme dhe duhet të dënohet nga të gjithë akterët relevant”, tha Szunyog.

Duke mbështetur deklarimin e zyrtarit evropian, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde,ka thënë se dhuna nuk është asnjëherë opsion.

“Unë kam besim të plotë që autoritetet kosovare do të hetojnë rastet plotësisht dhe do të sjellin përgjegjësit para drejtësisë”, ka thënë Rohde.

 

Edhe ambasadori britanik, Nicholas Abbott, u është bashkuar ambasadorëve tjerë që dënuan djegien e veturave me targa RKS në veri të vendit.

“Djegia e veturave pas riregjistrimit në targa RKS në veri të Kosovës është e papranueshme”, tha ai.

“Të gjithë aktorët seriozë politikë duhet t’i dënojnë këto akte dhune dhe rreziqet që ato paraqesin për stabilitetin dhe qetësinë. Hetimet e shpejta për këtë kriminalitet janë të nevojshme dhe duhet të kryhen me ndjeshmëri dhe seriozitet”.

Policia deklaroi se gjatë 24 orëve të fundit, disa automjete me targa RKS në veri të Kosovës, janë djegur nga persona ende të panjohur.

Në anën tjetër, edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas djegies së tri veturave në veri të vendit këtë të premte.

Hovenier tha se ShBA-ja dënon djegien dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë, ose synojnë të marrin targat RKS, sipas ligjit të Kosovës.

“Fatkeqësisht, më duhet ta përsëris këtë mesazh. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”, ka shkruar Hovenier, duke rikthyer mesazhin e tij të pesë muajve më parë.

rtk

Murphy: Njohja e ndërsjellë Kosovë – Serbi, pozitive për të ardhmen e tyre politike dhe ekonomike

Chris MurphySenatori Amerikan Chris Murphy, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se marrëveshja Kosovë-Serbi është shumë rëndësishme për të ardhmen euro-atlantike të të dyja vendeve, Shtetet e Bashkuara dhe Brukseli, që mbajnë çelësat e anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, tha ai, do të vazhdojnë ta bëjnë të qartë se do të jetë shumë e vështirë për cilindo vend që t’u bashkohet atyre organizatave, nëse nuk tejkalohen dallimet ndërmjet palëve. Zoti Murphy tha po ashtu se Serbia duhet t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

 

Zëri i Amerikës: Kosova dhe Serbia së fundmi kanë arritur një pajtim për zbatimin e marrëveshjes së mbështetur nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe ju e përmendët këtë gjatë seancës dëgjimore me sekretarin (Antony) Blinken. A jeni optimist se palët do ta zbatojnë marrëveshjen këtë herë dhe çfarë duhet të bëjnë Uashingtoni dhe Brukseli për t’u siguruar që kjo do të ndodhë?

Chris Murphy: Mendoj se është një marrëveshje shumë e rëndësishme. Kam kaluar shumë kohë në Ballkan. Unë mendoj se është një rajon tepër i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Është një rajon ku nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë. Kam kaluar shumë kohë me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiçin dhe të dy kanë bërë, mendoj, lëvizje shumë të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëveshja nuk është pa rrezik politik, por mendoj se është një rrezik që ia vlen të ndërmerret. Unë besoj se të dyja palët janë serioze për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe mendoj se mund të jetë gurthemel për punën e vazhdueshme për t’u siguruar që secili vend të njohë dhe respektojë qytetarët e vendit tjetër dhe të drejtën e secilit komb për t’u bashkuar me institucionet ndërkombëtare për t’u bërë anëtar i plotë i bashkësisë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Por çfarë mund të bëjnë Uashingtoni dhe Brukseli për t’u siguruar që kjo të ndodhë? Ne e dimë se ka pasur marrëveshje të Brukselit nga viti 2013. Disa nga pjesët e saj nuk janë zbatuar. Çfarë duhet të bëjnë ata për t’u siguruar që edhe Vuçiçi edhe Kurti të respektojnë atë për të cilën janë zotuar?

Chris Murphy: Epo, në fund të fundit ky është një vendim i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka asgjë përfundimtare që Evropa apo Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë. Ne mund të ofrojmë inkurajim. Dhe sigurisht, të dyja vendet mendoj se e shohin të ardhmen e tyre si të integruar në aleancën transatlantike. Sigurisht, të dyja kombet duan të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Kosova e sheh të ardhmen e saj në NATO. Së këndejmi Shtetet e Bashkuara dhe Brukseli, të cilët padyshim mbajnë çelësat e anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, do të vazhdojnë ta bëjnë të qartë se do të jetë shumë e vështirë për secilin vend që t’u bashkohet atyre organizatave nëse nuk ka një tejkalim të dallimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Zëri i Amerikës: Por, çfarë lloj stimujsh apo edhe pasojash mund t’u paraqes Uashingtoni të dyja palëve për t’u siguruar që po e zbatojnë marrëveshjen?

Chris Murphy: Nuk mendoj se do të paraqesim pasojat. Ne mendojmë se është në interesin më të mirë të Kosovës dhe Beogradit që të zbatohet kjo marrëveshje. Nuk mendoj se është një politikë e mirë për fuqitë ose entitetet e jashtme që t’i detyrojnë vendet të bëjnë diçka që nuk duan ta bëjnë ose mendojnë se nuk është në interesin e tyre më të mirë. Kështu që unë nuk e shoh këtë si një çështje që Shtetet e Bashkuara ofrojnë stimuj dhe pasoja. Kjo thjesht nuk është e dobishme sipas mendimit tim. Ne duhet të punojmë me udhëheqësit dhe grupet elektorale në Kosovë dhe Serbi për t’i bindur ata të bëjnë atë që është e drejtë për vendet e tyre. Dhe njohja e ndërsjellë është e drejtë dhe është pozitive si për të ardhmen politike ashtu edhe për atë ekonomike të të dyja vendeve.

Zëri i Amerikës: Sa realiste është ideja e njohjes së ndërsjellë kur, për shembull, presidenti i Serbisë pas takimit në Ohër tha se ka dy vija të kuqe dhe se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe nuk do ta lejojë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara? Sa realiste është të presim që kjo marrëveshje të çojë në njohje të ndërsjellë në fund?

Chris Murphy: Epo, le të ecim hap pas hapi. Unë e kuptoj se udhëheqësit politikë ndonjëherë duhet të pozicionohen në mënyra të caktuara, por mendoj se fakti që kjo marrëveshje u realizua tregon se si Vuçiçi ashtu edhe Kurti, të cilët kanë zgjedhës që nuk duan pajtim mes dy vendeve, janë të gatshëm të ndërmarrin rreziqe, janë të gatshëm për të bërë gjënë e duhur, për të nxitur paqen. Ka lloj-lloj gjërash në Ballkan për të cilat udhëheqësit thanë se nuk do të ndodhin kurrë, por pastaj ndodhën, sepse ju u jepni kohë, vazhdoni të flisni, vazhdoni të ndërtoni një rrugë drejt pajtimit dhe ndonjëherë ndodhin gjëra të habitshme.

Zëri i Amerikës: E dimë se zoti Kurti për shembull, i ka rezistuar idesë së formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe SHBA-ja dhe BE-ja kanë ngulur këmbë për këtë. A mendoni se zoti Kurti do ta formojë Asociacionin? Sa i rëndësishëm është formimi i tij për normalizimin e marrëdhënieve dhe a ka ndonjë rrezik që formimi i Asociacionit të çojë në një Republika Srpska tjetër, siç thonë disa nga kritikët?

Chris Murphy: Dëgjoni, askush nuk e dëshiron një Bosnjë tjetër. Kjo nuk duhet të jetë e ardhmja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Unë kam biseduar me zotin Kurti në disa raste dhe i kam shpjeguar se në Shtetet e Bashkuara, kemi një qeveri të fortë federale. Ne kemi një ndjenjë të fortë të patriotizmit amerikan, por kemi gjithashtu qeveri të forta shtetërore. Ne gjithashtu u kemi dhënë mundësinë njerëzve në Oklahoma dhe Connecticut për të krijuar një të ardhme për veten e tyre. Ky është ndryshimi. Mendoj se sigurisht që ka një mënyrë që Kosova të vërë në jetë një shkallë të kufizuar të vetëqeverisjes për ato që janë komunat me shumicë serbe dhe ta bëjë këtë në një mënyrë që nuk e copëton strukturën e vendit. Ky është një zotim që është bërë në Bruksel dhe që Kosova duhet ta bëjë si duhet. Më vjen mirë që kjo është pjesë e kësaj marrëveshjeje.

Zëri i Amerikës: Një aspekt më i rëndësishëm i kësaj është se kritikët mendojnë se komuniteti ndërkombëtar po i injoron çështjet me proceset demokratike në Serbi, siç theksohet në raporte të shumta, për hir të marrëveshjes me Vuçiçin. E shihni se kjo po ndodh në këtë rast?

Chris Murphy: Sigurisht që jam i shqetësuar për shëndetin e opozitës politike në Serbi, për shkallën e kontrollit që qeveria në Beograd ushtron mbi median. Unë i kam ngritur shqetësimet e mia drejtpërdrejt me Vuçiçin dhe do të vazhdoj ta bëj këtë. Mendoj se, si zakonisht, Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë dy gjëra në të njëjtën kohë. Ne mund të punojmë me qeverinë serbe për t’i bërë ata që të marrin një qëndrim më të ashpër në mbështetje të Ukrainës, për t’i bërë ata të gjejnë rrugën drejt pajtimit me Kosovën dhe të sigurohemi që e kuptojnë që nëse nuk mbrojnë sundimin e ligjit, nëse nuk kanë një demokraci të shëndoshë, atëherë pa marrë parasysh sa përparim bëjnë në Ukrainë apo Kosovë, ata nuk do të hyjnë në Bashkimin Evropian, gjë që unë e di se është synim i Aleksandër Vuçiçit.

Zëri i Amerikës: Meqë e përmendët Ukrainën, ju e vizituat Serbinë herën e fundit në muajin prill, dhe më pas keni shkruar se Serbia do të duhet të zgjedhë për shkak të agresionit rus në Ukrainë, por duket që nga ajo kohë Vuçiçi është ulur në ato dy karriget proverbiale. Ai po mbështet rezolutat e OKB-së për Ukrainën, por ende refuzon të zbatojë sanksionet perëndimore ndaj Rusisë. A është ende e rëndësishme të bëhet kjo zgjedhje, Evropa apo Rusia për Serbinë dhe pse?

Chris Murphy: Është e rëndësishme që Serbia ta marrë atë vendim për çështjen e Ukrainës. Mendoj se është joreale të besohet se Serbia do të shkëpusë plotësisht një lloj lidhjeje kulturore dhe ekonomike me Rusinë dhe as nuk duhet të presim që ajo të bëjë një shkëputje të plotë. Por, për çështjen e Ukrainës, Serbia duhet të bëjë një zgjedhje. Serbia duhet t’u bashkohet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara dhe të zbatojë sanksionet e nevojshme për të dërguar një mesazh të përbashkët se ky akt brutal agresioni nuk do të tolerohet.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndodhë nëse ajo nuk e bën një gjë të tillë?

Chris Murphy: Mendoj se është shumë e vështirë për Serbinë të ketë një të ardhme evropiane nëse qëndron në kundërshtim të përpjekjes më të rëndësishme të politikës së jashtme të mbështetjes së pakushtëzuar të BE-së për Ukrainën.

Lidhjet ruse të Monika Kryemadhit, Balla: Është prekur siguria kombëtare, duhet të kishte dalë dhe t’i sqaronte këto çështje

BallaKreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me financimet dhe pagesat e dyshimta të Monika Kryemadhit nga kompani off shore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës.

 

Balla shprehet se përfshirja e një prej politikanëve të vendit tonë në financime ruse prek sigurinë kombëtare.

Kryemadhi duhej të kishte dalë që në mëngjes dhe të sqaronte këtë cështje, sipas socialistit, i cili shton se përfshirja e politikanëve në lidhje me oligarkë rusë është skemë e  mirëfilltë e përdorur nga Kremlini për të krijuar një front pro rus në këto vende.

 

Balla: Rreth 5 vite më parë kam dalë në mënyrë të rregullt para jush për një  çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare, edhe Shqipëria ka qenë vulnerabël dhe ka qenë target i financimeve nga kompani guackë, off shore të cilat financonin parti politike apo le të themi politikanë të caktuar. Ajo që ka vijuar Top Channel, e djeshmja është një panoramë e plotë është skema e mirëfilltë e përdorur nga Kremlini që përmes oligarkëve, biznesmenëve të fondeve nga bordorotë e Putinit të kenë financuar politikanë të caktuar në Evropë, një rast është zbuluar në Itali, Austri edhe në vende të rajonit të vendit tonë apo vende të ish bllokut komunist. Kjo është lidhja me politikanë për të dëmtuar demokracinë dhe për të krijuar një front pro rus në këto vende. Tek dokumentet e publikuara në Top Channel, unë mendoj vetë, që në orën 8 të mëngjesit duhej të kishte dalë dhe t’i sqaronte këto çështje. Si ka mundësi që gjendesh në dokumente, kur je përfitues dividenti je aksioner, por me kë aty, dalin emrat dhe media juaj ka thënë është ky, është ky, që janë të njohur se i ke nëpër listat e zeza të Amerikës për shkak të sanksioneve prej Ukrainës. Në deklarojmë çdo llogari bankare brenda dhe jashtë vendit. Ju mbani mend që doli Panama Papers se ç’tërmet shkaktoi vetëm të qenit emri i një politikani, dhe ata dhanë dorëheqjen. Në këtë rast është edhe shteti, a është prekur siguria kombëtare në këtë rast? Unë mendoj që po.

Në adresën zyrtare të Top Channel, ka mbërritur prej disa ditësh një e mail me të dhëna sensitive, të cilat tregojnë detajet dhe provat e lidhjeve ruse, të Kryemadhit me kompanitë që janë denoncuar si sponsorë të partisë së Vladimir Putinit në Rusi.

Dosja përmban fakte të pagesave të dyshimta, të bëra dhe të marra nga Monika Kryemadhi. Faktet e zbuluara tregojnë se në vitin 2017, Kryemadhi ka bërë dhe ka marrë këto pagesa të dyshimta nga llogaria e saj bankare offshore për kompanitë e kontrolluara nga biznesmenët rusë të naftës.

Top Channel

Ngrihen akuza penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump

TrumpVotimi i një jurie të madhe në Manhatan ka hapur dritën jeshile për ngritjen e një padie ndaj ish-Presidentit Donald Trump, nën akuza që kanë të bëjnë me pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për të blerë heshjen e një aktoreje të filmave pornografikë lidhur me pretendimet për mardhënie jashtëmartesore.

 

Republikani Donald Trump, i cili po kandidon për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024, tha përmes një deklerate në rrjetin e tij “Truth Social” se: “Ky është një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje në nivelin më të lartë në histori”.

Ish-Presidenti Trump tha në dekleratë se, demokratët e majtë radikalë u përpoqën me çdo mënyrë të minonin presidencën e tij që nga momenti që ai u deklarua fitues i zgjedhjeve presidenciale.

Ky është rasti i parë ndonjëherë i ngritjes së akuzave penale ndaj një ish-presidenti amerikan dhe një goditje ndaj përpjekjeve të zotit Trump për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024.

“Demokratët kanë gënjyer, mashtruar dhe vjedhur në përpjekjet e tyre për të shtënë në dorë Trump-in. Por tani kanë bërë të paimagjinueshmen, duke ngritur padi ndaj një personi plotësisht të pafajshëm, në një akt flagrant të ndërhyrjes në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e zotit Trump.

Aktakuza u konfirmuar të enjten nga Joe Tacopina, një avokat i zotit Trump, dhe të tjerë që kanë njohuri mbi këtë çështje por nuk janë të autorizuar për të diskutuar akuzat që ende nuk janë bërë publike.

Hapja e dritës jeshile nga juria e madhe për ngritjen e akuzave ndaj 76-vjeçarit Trump, është një ngjarje e jashtëzakonshme pas vitesh hetimesh mbi marrëdhëniet e tij në fushën e biznesit dhe politikës.

Ngritja e padisë ka të ngjarë të nxisë kritikët që thonë se zoti Trump bëri manipulime deri në marrjen e Shtëpisë e Bardhë, por nga ana tjetër, kjo do të angazhojë mbështetësit e tij, të cilët thonë se republikani Trump po vihet padrejtësisht në shënjestër nga një prokuror demokrat.

“Prokurori i Mahatanit Alvin Bragg, i cili u zgjodh dhe u financua nga George Soros, është një turp. Në vend që të ndalojë valën e paprecedentë të krimit që ka pushtuar qytetin e Nju Jorkut, ai po bën punën e pistë të Joe Biden-it”, shprehet zoti Trump në deklaratën e tij të postuar në rrjetin ‘Truth Social”.

Avokati Tacopina tha në një deklaratë se: “Ai nuk ka kryer asnjë krim. Ne do ta luftojmë fuqishëm në gjykatë këtë ndjekje politike”.

Hetimi i prokurorit u përqendrua tek paratë e paguara aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish-modeles së revistës “Playboy” Karen McDougal, për të cilat ai druhej se do t’i shprehnin publikisht pretendimet se kishin patur mardhënënie intime me të.

Zoti Trump, i cili ka hedhur poshtë akuzat dhe ka sulmuar në mënyrë të përsëritur hetimin si të motivuar politikisht, pritet t’u dorëzohet autoriteteve javën e ardhshme, megjithëse detajet janë ende duke u përpunuar, sipas një personi anonim që ka njohuri për çështjen.

Prokurori i qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, po ndërmerr një hap të pazakontë. Rasti në fjalë u hetua nga dy prokurorë të mëparshëm, të cilët refuzuan të ndërmarrin hapin me peshë të madhe politike për të kërkuar ngritjen e padisë ndaj zotit Trump.

voa

 

Konjufca: Mërgata shqiptare në SHBA e gatshme për të ndihmuar Kosovën

Mërgata shqiptare në Amerikë është e gatshme si gjithmonë për të ndihmuar Kosovën, veçanërisht në fushën e arsimit dhe të zhvillimit ekonomik. Kështu deklaroi kryeparlamentari Glauk Konjufca në takimin përmbyllës me mërgatën shqiptare në Uashington, gjatë vizitës që kryetari i Kuvendit po i bënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe ish-ambasadorit William Walker, mbështetësi i madh i Kosovës, i cili sipas tij, ka ndihmuar gjithmonë në nivele ndërkombëtare.

Ambasadori Walker, siç deklaron Konjufca në rrjetin social Facboook, inkurajoi Kosovën të vazhdojë rrugën e reformave dhe modernizimit të shoqërisë së saj.

“Mërgata kosovare ishte e përfaqësuar nga një grup i përzgjedhur i biznesmenëve, profesionistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile. U tregova nga afër për situatën aktuale në Kosovë dhe për progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe theksova rëndësinë e zhvillimit të ekonomisë dhe të investimeve, si dhe nevojën për të punuar për integrimin e Kosovës në familjen e BE-së”, shkruan Konjufca, i cili takimin me ish-ambasadorin e quan si nderë të veçantë të paharrueshëm.

Së bashku, ai thotë se kanë diskutuar për proceset aktuale në Kosovë dhe për sfidat e ardhshme që pritet të ballafaqohemi.

“Gjithashtu u dakorduam se marrëdhëniet midis dy vendeve duhet të forcohen edhe më shumë, duke përfshirë bashkëpunimin në fusha si ekonomia, arsimi, kultura dhe siguria. Vlerësova përpjekjet dhe ndihmën e diasporës kosovare dhe ritheksova se ne jemi të hapur për të dëgjuar mendimet dhe sugjerimet e tyre në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe dyert e investimeve në vendlindjen e tyre janë të hapura sot më shumë se kurdoherë më parë”, deklaroi kryeparlamentari Konjufca.

Takimi, sipas tij, është mbyllur me premtimet “që të punojmë së bashku në interes të Kosovës dhe të mërgatës!”

rtk

 

Gjuha shqipe shkilet me “dy këmbë” nga Fondi për Sigurim Shëndetësor

GJUHA SHQIPEPacientët humbin mijëra denarë sepse nuk dinë maqedonisht, drejtori Faton Ahmeti i pakapshëm

 

Luftë, jetë të humbura, marrëveshje paqësore…

E gjithë kjo që të respektohet gjuha dhe flamuri i shqiptarit të Maqedonisë. Por 22 vite pas luftës, gjuha shqipe nuk po respektohet edhe pse ka ligj që e përcakton këtë çështje. Tabela para institucionit në dy gjuhë, por një kërkesë të thjeshtë nuk mund të dorëzohet në gjuhën shqipe.

I operuar, dy herë vjen nga Tetova për të marrë një vërtetim të thjeshtë se ka qenë i punësuar kur e ka kryer operacionin, por endet prej një sporteli në sportel tjetër. Kjo për shkak se nuk e ka mbushur kërkesën në gjuhën maqedonase.

Gazetari: Mirëdita. Kërkoj falje.
Punonjësja: Nuk guxoni të xhironi.
Gazetari: Guxojmë për shkak se kryeni funksion publik. Përse nuk ka kërkesa në shqip? Dhe perse silleni keq me pacientin?
Punonjësja: Të ju pyes, a po ju dukemi si arkiv?
Gazetari: Përse pra e dërgojnë këtu?

Prej në dere në derën tjetër, pacient që sapo ka dalë prej një operacioni të rëndë.

Administratori: Nuk dua shumë të hy në detaje, kolegja i tha që duhet ta bëjë…
Gazetari: Ku është kolegja?
Administratori: Sapo doli.
Gazetari: Por nuk mundet të dalë tash.
Administratori: E si nuk mundet?
Gazetari: 15:26 është, jo 15:30.
Administratori: Ti a punon në ndonjë institucion? 2,3 minuta do të ndryshojnë diçka?
Gazetari: Po, sepse ai do të mbetet pa vërtetim.
Administratori: Ka në dhomën 9, shko atje. Atje lartë.
Gazetari: Atje na thanë se nuk jemi për aty.
Administratori: Si nuk jeni për atje?
Vetëm pak.

Administratori – (kolegeve të zyrës me numër 9): Pala prej në mëngjes që është këtu…
Koleget: Të lutem Toni, shefi na kërkon.

Me gënjeshtrën se i kërkon shefi, të gjithë të punësuarit u larguan nga dera e pasme, e pacienti mbeti edhe një ditë pa dokument.

Është refuzuar kërkesa juaj. I thash a mund ta di arsyen se përse kur i kam të gjitha dokumentet në rregull. Më tha për shkak se nuk e ke shkruar në gjuhën maqedonase dhe në alfabetin cirilik. Po thash që unë nuk e di alfabetin cirilik… Ose tha ta mbushë dikush tjetër poshtë. I thash zonjë nuk mund t’ia jap të dhënat e mia dikujt… Publikisht e them se i shkrova te faqja zyrtare Zëvendëskryeministrit tonë shqiptar që e promovon dygjuhësinë në çdo tubim, në çdo takim me qytetarët. Dua t’ia përkujtoj atij se aspak nuk ekziston dygjuhësia. Dy herë, tre herë shkoj pyes a mundet të ma jepni të paktën në gjuhën shqipe, siç më takon ta kryej shërbimin, jo nëse don në gjuhën maqedonase, ose nuk ka”, thotë qytetari i mërzitur.

 

Tentuam ta kontaktojmë edhe drejtorin e Fondit për sigurim shëndetësor, Faton Ahmetin, por nuk u përgjigj thirrjeve tona.

 

KlanMacedonia / Furkan Saliu

Tuberkulozi, ende i pranishëm në Maqedoninë e Veriut

ShkupNë Maqedoninë e Veriut gjatë 15 vjetëve të fundit në vazhdimësi shënon ulje numri i të prekurve nga tuberkulozi, bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore. Megjithëkëtë shtojnë se kjo sëmundje ende mbetet e pranishme në vend.
Gjatë vitit të fundit në Maqedoninë e Veriut janë prekur nga tuberkulozi 141 persona.

Besnik Zeqiri, drejtor i Institutit për sëmundje të mushkërive te fëmijët, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga fillimi i vitit e deri më tani në Klinikën për fëmijë janë pranuar 11 fëmijë me këtë sëmundje.

“Gjatë pandemisë numri i pacientëve të pranuar në klinikë ishte më i vogël, pra gjatë asaj kohe ne kishim 5 deri 6 fëmijë të hospitalizuar me tuberkuloz brenda vitit.
Po nga ky vit, ne vetëm brenda tremujorit të parë kemi 11 fëmijë të hospitalizuar me tuberkuloz dhe 20 fëmijë të tjerë, të cilët janë në fazën latente të kësaj sëmundjeje”, bën të ditur Zeqiri.

Në fund të shkurtit betejën ndaj tuberkulozit e ka humbur edhe një foshnje 9-muajshe. Si rrjedhojë e komplikimeve me frymëmarrjen për shkak të sëmundjes së tuberkulozit në spital është trajtuar nëna e foshnjës, derisa pozitivë nga kjo sëmundje kanë rezultuar edhe babai dhe tre fëmijët e tjerë të kësaj familjeje, por pa simptoma.

Avokati i Popullit ka bërë të ditur se me vetiniciativë ka proceduar hetimet për këtë rast për të kërkuar përgjigje rreth kushteve, kujdesit si dhe ushqyerjes së foshnjës 9-muajshe si dhe përkujdesjen nga ana e shërbimeve sociale.

Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut theksojnë se vaksina, kontrollet e rregullta dhe mirëqenia sociale mbeten mbrojtja më e mirë nga tuberkulozi.

“Për fat ët keq kohën e fundit kemi njerëz që merren me dezinformata shmangin vaksinimin e fëmijëve – siç është grupi anti-vaksinë – dhe është shumë gabim pasi gjithmonë duhet të merren vaksinat”, thekson Zeqiri duke shtuar se faktor tjetër i shfaqjes së tuberkulozit mbetet fakti se Maqedonia e Veriut mbetet në grupin e vendeve ku ka më shumë familje që nuk kanë shtëpi por jetojnë në ambiente të hapura që paraqet rrezik ndaj ekspozimit të kësaj sëmundjeje.

Mjekët, gjithashtu, theksojnë rëndësinë e mjekimit me kohë dhe në mënyrë adekuate të tuberkulozit, pasi një i prekur me formë aktive të tuberkulozit, nëse nuk mjekohet, mund të infektojë 10-15 persona.

Ministria e Shëndetësisë thotë se vaksinat janë të sigurta

Vaksinimi kundër tuberkulozit është i detyrueshëm dhe vaksina e parë realizohet në maternitet, menjëherë pas lindjes së foshnjave derisa t’i mbushë dy muaj.

Ata fëmijë që për arsye të ndryshme nuk arrijnë ta marrin këtë vaksinë derisa t’i mbushin dy muaj, atë mund ta marrin deri në 12 muaj.

Autoritetet shëndetësore nuk kanë dhënë detaje për sa i përket përfshirjes së popullsisë me këtë vaksinë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë vaksinat janë të sigurta dhe se të gjitha vaksinat e importuara në vend posedojnë dokumentacion shoqërues që vërteton cilësinë e tyre. Ky dokumentacion vlerësohet në mënyrë plotësuese nga një ekspert në Institutin e Shëndetit Publik.

rel

Ç’po ndodh me temperaturat në vend? Parashikimi nga Meteoalb

motiDita e sotme do karakterizohet nga temperatura disi më të larta nga ditët e kaluara, ku përmirësimi është vënë re që në orët e para të mëngjesit.

Sipas meteorologut Hakil Osmani i cili ishte në një lidhje direkte me “Breaking” në Top News, u shpreh se temperaturat në ditët në vazhdim do përsojnë një rritje ku do jenë temperature pranë vlerave normale.

“Dita e sotme do të jetë në mbizotërimin e temperaturave disi më të larta, ku në orët e para të mëngjesit kemi patur përmirësim të tyre duke bërë që të kemi rritje me 2 apo 3 gradë celsius ku vlerat minimale janë ngjitur në -1 gradë në qytetet e zonave malore. Do të ketë rritje të temperaturave të ajrit edhe në orët e mesditës, do të regjistrohet vlera 17 apo 18 gradë celsius. Vijon të kemi rritje të temperaturave edhe gjatë ditës së premte duke bërë që maksimumet të ngjiten në vlerën 20-21 gradë celsius që në fakt janë temperatura shumë pranë vlerave normale, po ashtu edhe temperaturat e mëngjesit do të kenë rritjen e tyre.

 

Gjatë fundjavës parashikohet të kemi rritje të temperaturave të ajrit në orët e para të mëngjesit duke bërë që vlerat minimale të ngjiten në zonat malore në orët e para të mëngjesit në 3-4 gradë, ndërsa në orët e mesditës do të kemi rënie të temperaturave të ajrit me 2-4 gradë celsius duke bërë që maksimumet të zbresin në vlerën 17 gradë celsius.

Përsa i përket kushteve atmosferike sot dhe nesër do të kemi dominim të kthjellimeve, kalimeve të pakta të vranësirave të cilat më të fokusuara do të jenë në zona malore dhe më së shumti do të jenë gjatë ditës së premte, kryesisht në veri të territorit shqiptar gjatë mbrëmjes. Dita e shtunë dhe e diel do të sjellë shpeshtim të vranësirave të cilat do të krijojnë mundësi për momente të pakta me reshje shiu kryesisht në zonat veriore dhe pjesërisht në zonat qendrore”, është shprehur meteorologu Hakil Osmani.

tch

 

 

 

 

 

 

Kurti: Marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet në tërësi, jo vetëm pjesët e preferuara nga palët

AlbinKryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkurën se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhet të zbatohet e tëra dhe jo vetëm pjesët e preferuara nga palët, duke vënë theksin te Asociacioni të komunave me shumicë serbe.

 

Plani evropian për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel ndërsa me 18 mars në Ohër për zbatimin e tij, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra, nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet ashtu qysh nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes dhe as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes, prandaj marrëveshjen nuk duhet ta copëtojmë duke marrë pjesët e preferuara”, tha kryeministri Albin Kurti.

Kryeministri Kurti tha se urgjencë e zbatimit sipas marrëveshjes është vetëm çështja e personave të zhdukur me forcë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë ftuar për datën 4 prill një takim ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Mosnënshkrimi i dokumentit në takimin e Ohrit ka nxitur mëdyshje nëse palët do t’i përmbahen zbatimit të marrëveshjes, e cila nga faktori ndërkombëtarë po trajtohet si ligjërisht e detyrueshme.

Kryeministri Albin Kurti tha se me 4 prill në Bruksel do të diskutohet zbatimi i marrëveshjes për të cilën ka pajtim të të dyja palëve.

Pra ka marrëveshja, ekziston marrëveshja, ajo është shumë e qartë, publike për të gjithë dhe kemi nevojë për zbatim të saktë dhe të shpejtë të saj, prandaj edhe do të organizohet edhe një takim ndërmjet kryenegociatorëve”, tha ai.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, thotë Serbia do të zbatojë marrëveshjen e arritur në Ohër por jo edhe pjesët e saj që kanë të bëjnë me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Diplomatët perëndimorë u kanë bërë thirrje të Kosovës dhe Serbisë që të fillojnë sa më shpejt zbatimin e marrëveshjes, që do të jetë pjesë e rrugëtimit të të dyja vendeve drejt integrimit evropian.

voa

 

Gjermani: Qeveria miraton projektligjin për migracionin

Ministri gjerman i Punës, Hubertus HeilQeveria gjermane miratoi projektligjin e ri për migracionin. Ndër të tjera aty parashikohet dyfishimi i kontingjentit të rregullores së Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu rregullorja do të bëhet pa afat.

 

Gjermania synon të lejojë në të ardhmen mbi 50 mijë punëtorë të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor që të vijnë për të punuar në Gjermani. Këtë e miratoi qeveria gjermane të mërkurën (29.03.2023) në kuader të projektligjit të ri të migrimit të fuqisë punëtore. Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, tha në konferencën e shtypit në Berlin se ky kontingjent do të dyfishohet nga 25.000 që është aktualisht në maksimumi 50 mijë vetë në vit. Por ministri shtoi se ka plane që kjo rregullore të zgjerohet edhe për vende të tjera.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ekziston që nga viti 2015 dhe u mundëson shtetasve të gjashtë vendeve të BP (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi që kanë.

Parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të migracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat. Sipas Burimeve të DW deri më 31 dhjetor 2022 në Regjistrin Qendror të të Huajve, (AZR), figuronin rreth 62.000 imigrantë me leje qëndrimi në bazë kësaj rregulloreje.

Njohja e diplomave mund të bëhet edhe në Gjermani

Por drafti i prezantuar nga Ministri gjerman i Punës dhe Çështjeve Sociale Hubertus Heil dhe ministrja e Brendshme Nancy Faser përmban edhe risi të tjera.

Sipas ministrit Heil të huajve nga vendet e treta do t’u ofrohen tri mënyra për të ardhur në Gjermani: nëpërmjet kualifikimit, përvojës së punës dhe sistemit të pikëve. E para  ekzistonte edhe me parë, në ligjin e migracionit të fuqisë së kualifikuar, që kishte hyrë në fuqi para pandemisë. Por drafti i ri i koalicionit të qendrës së majtë ka bërë disa lehtësime:

Kështu për shembull, është ulur paga minimale vjetore që nevojitet për të marrë kartat blu: Për momentin ajo është 49.581 euro, duke përbërë kështu 1,25-fishin e pagës vjetore mesatare bruto në Gjermani. Për të rinj dhe me më pak përvojë madje nën 40 mijë euro.

Veç kësaj, kush ka mbaruar një shkollë të lartë ose një shollë profesionale prej së paku dyvjeçare, ka të drejtë të vijë për të kërkuar punë në Gjermani, edhe pa e bërë njohjen e kualifikimit qysh në vendlindje. Procedura e njohjes së kualifikimeve ka qenë një nga pengesat kryesore të deritanishme për ardhjen e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani.

Përveç kësaj personave të kualifikuar do t’u lejohet të punojnë në çfarëdo profesioni, pavarësisht nga kualifikimi që kanë.

Si kualifikim do të quhet jo vetëm kualifikimi arsimor, Edhe përvoja e punës do të luajë rol në njohjen e kualifikimit.

Sistemi i pikëve ose karta e shanseve, më në fund realitet

Por risia kryesore e këtij ligji, ajo që i bën krenarë dy ministrat socialdemokratë që prezantuan draftin, është sistemi i pikëve, ose Karta e  Shanseve (Chancenkarte), .

Ngjashëm me sistemin kanadez të migrimit, Karta e Shanseve jep mundësi migrimi në Gjermani edhe në bazë të një sistemi pikësh bazuar në katër kritere: njohja e gjuhës, përvoja profesionale, mosha dhe lidhja me Gjermaninë.

Sipas draftit, mjaftojnë gjashtë pikë për të marrë një vizë njëvjeçare dhe për të kërkuar punë në Gjermani. Si mund të mblidhen ato?

Katër pikë për një kualifikim profesional.

Tri pikë për përvojën e punës

Tre pikë për njohuri të mira të gjermanishtes.

Dy pikë për njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes

Dy pikë për moshën e re (nën 35-vjeçare) ose

Dy pikë për përvojë pune deri dy vjet.

Një pikë për lidhjet me Gjermaninë, pra, nëse ke qëndruar më parë në Gjermani për së paku gjashtë muaj.

Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, tha se me këtë kemi krijuar një ligj të ri modern migracioni.  Faeser kritikoi qeverinë e mëparshme, kryesisht krahun konservator të saj, që e nuk e kishte lejuar ta realizonte këtë që më parë, por në vend të saj kishte jetuar me një siç e quajti ajo “gënjeshtrën e përhershme se Gjermania nuk qenka vend migrimi”.

Strategji për të luftuar mungesën e fuqisë punëtore

Projektligji i ri është pjesë e një strategjie të re të qeverisë për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, e cila tani po shqyrtohet nga komisionet përkatëse në Bundestag. Ai parashikon përveç shfrytëzimit te potencialit të fuqisë punëtore brenda vendit, duke rritur ofertat e trajnimeve profesionale për të rinjtë që lënë shkollën, përmirësuar kushtet e punës për nënat me fëmijë, apo duke rritur shanset për punësimin e refugjatëve apo azilkërkuesve të refuzuar.

Në një studim i Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë që u prezantua në mes të janarit në Berlin, Gjermania që tani ka 2 milionë vende pune të pazëna. Nga kjo mungesë punëtorësh ekonomia më e madhe e Evropës ka 100 miliardë euro më pak të ardhura kombëtare në vit. Situata përkeqësohet nga viti në vit:

Sipas projektligjit të ri të migracionit, përllogaritet që në bazë të këtyre ndryshimeve në Gjermani të vijnë mesatarisht deri në 75.000 vetë si fuqi punëtore e kualifikuar në vit. Këtyre u shtohet edhe kontingjenti i Ballkanit Perëndimor, me 50 mijë punëtorë në vit.

Për shumë ekspertë kjo shifër nuk i plotëson aspak nevojat e Gjermanisë për fuqi punëtore, Ekspertët përllogarisin se Gjermanisë i duhen 400.000 imigrantë të kualifikuar në vit.

Por ministri i Punës tha se nuk duhet harruar se pjesa më e madhe e fuqisë punëtore të kualifikuar vijnë nga vendet e BE-së, që nuk kanë nevojë për vizë pune. Numri i përgjithshëm i imigrantëve neto në vitin  2019 para pandemisë, ka qenë 350 mijë vetë.

Nga njëra anë për shkak të hartës demografike të vendit: në 15 vjetët e ardhshëm një e treta e të punësuarve aktualë do të dalin në pension. Por edhe për shkak të ndryshimeve strukturore të shkaktuara nga digjitalizimi, si dhe ndryshimeve për shkak të pandemisë së koronës dhe luftës në Ukrainë.

dw