Vizat e punës: Gjermania në disfavor me vendet e tjera

VisaDrejtuesja e Agjencisë Federale të Punës, Andrea Nahles shpreh dyshime për suksesin e ligjeve gjermane të imigrimit. Kohët e gjata të pritjes për vizë në konsullata krijojnë disavantazhe kundrejt vendeve të tjera.

 

Për shkak të procedurave të gjata të dhënies së vizave në përfaqësitë gjermane jashtë, drejtuesja e Agjencisë Federale të Punës, Andrea Nahles dyshon në suksesin e ligjeve për imigrimin. Nahles tha për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”, se “nuk është e bindur, që me këto propozime mund të arrihet numri i duhur i fuqisë punëtore”. Socialdemokratja theksoi, se ka ende shumë pika të vështira për t’u kaluar. Problem përbën edhe mungesa e personelit në zyrat e të huajve në komunat gjermane.

Për shkak të ndryshimit demografik, Gjermanisë i mungojnë qindra mijëra punëtorë, sipas mendimit të ekspertëve. Që tani ka ngushtica të mëdha në sektorin e edukatoreve dhe punonjësve socialë, por edhe në kujdesin shëndetësor. Sipas të dhënave të Institutit për Studimet e Tregut të Punës dhe Profesionit, nevojiten rreth 400.000 forca pune në vit për të përmbushur boshllëqet në tregun gjerman të punës.

 

Kritika konsullatave gjermane

Nahles ka kritikuar konsullatat gjermane për pritjet disa mujore të emigrantëve potencialë për punë. “Ky është një diavantazh i ndjeshëm konkurrence kundrejt vendeve të tjera, në një kohë që ne me gjuhën tonë të komplikuar, jemi gjithsesi në disavantazh me vendet e botës anglishtfolëse.” Drejtuesja e Agjencisë Federale të Punës propozon që për të përshpejtuar procedurat tek përfaqësitë jashtë të sqarohen vetëm çështjet që lidhen me sigurinë. Sipas Nahles “forcat e punës mund të vijnë në Gjermani dhe çështjet e tjera ligjore të sqarohen këtu.”

Duke iu referuar zyrave për të huajt, Nahles mori si shembull disa lande si Bavaria apo landi Saar që kanë krijuar pika qendrore të landit për punëtorët e huaj. “Këto rrugë mund t’i përshkojnë edhe lande të tjera.”. Përveç kësaj Gjermania duhet të bëjë publicitet në mënyrë aktive jashtë vendit. Kjo nuk është detyrë e Agjencisë Federale të Punës, tha Nahles, për këtë as nuk kemi personel. Kabineti qeveritar gjerman miratoi në fund të nëntorit projektdraftin për ligjin e imigrimit të fuqisë punëtore. Ai parashikon ndër të tjera “kartën e shanseve”, me të cilat mund të udhëtojë në Gjermani fuqi punëtore putenciale, pa paraqitur një kontratë pune nga jashtë. Përtej kësaj do të ulen kriteret për lartësinë e rrogës dhe do të lehtësohet njohja e kualifikimeve të huaja.

la/ag

Presidenti austriak në Shkup: Mos humbni kohë, ndryshoni Kushtetutën

Presidenti AustriakPresidenti i Austrisë, Aleksandar Van der Belen, ka kërkuar nga autoritetet maqedonase që sa më parë të miratojnë ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme sipas tij në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

 

Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovaki, ai tha se Shkupi duhet të vazhdojë të jetë shembull në rajon sa i përket respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarët, por me të gjitha pakicat tjera. Që procesi integrimit evropian të ecë përpara duhet të bëhet edhe një hapë tjetër, të miratohen ndryshimet kushtetuese, ashtu siç jeni marrë vesh”.

“Unë i kuptoj frustrimet sa i përket zgjatjes së procesit të integrimit evropian, por pikërisht për shkak të kësaj është me rëndësi që të shfrytëzohet momenti aktual dhe mos të humbet edhe më shumë kohë. Ju keni mbështetjen tonë të plotë”, tha presidenti austriak gjatë konferencës për media, më 29 mars, në Shkup.

Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.

Van der Belen i bëri thirrje opozitës maqedonase, që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, që t’i mbështes ndryshimet, për të cilat nevojiten dy të tretat, apo 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Por, shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen.

Pendarovski tha se ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen, pasi sipas tij nuk do të ketë kornizë negociuese më të mirë se kjo që është arritur me BE-në.

“Korniza për të cilët është biseduar disa muaj parasheh përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë dhe ajo duhet të miratohet. Këto ditë besoj se do të formohet grupi i ekspertëve, i cili do të nis punën për hartimin e amendamenteve kushtetuese – të cilat më pas duhet të miratohen në Kuvend”, tha ai.

Sipas tij, nëse këto ndryshime nuk kalojnë atëherë Sofja sërish mund të bllokojë procesin e bisedimeve.

“Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në botë që ndryshoi emrin e shtetit që të fillojë bisedimet me BE-në për anëtarësim, por akoma pret në oborrin e unionit edhe pse formalisht ka nisur bisedimet. Me qëllim të ruajtjes së kredibilitetit në rajon dhe më gjerë, Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që ndonjë anëtare e saj të paraqes ndonjë kërkesë apo të problematizojë ndonjë çështje me kritere që nuk kanë asnjë lidhje me anëtarësimin në BE. Të bllokoni një shtet për shkak të çështjeve me identitetin apo çështje historike është e papranueshme dhe nuk duhet të lejohet”, tha presidenti maqedonas.

Ndërsa presidenti austriak shprehu i mirënjohje për Maqedonisë së Veriut, e cila i mbështeti sanksionet e bllokut kundër Rusisë dhe ofroi ndihmë për Ukrainën.

“Maqedonia e Veriut është shembull shumë i mirë edhe për bashkëpunimin rajonal, përfshirë edhe procesin për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Para dhjetë ditëve këtu ishte nikoqir i bisedimeve mes dy vendeve. Ajo po jep rol të rëndësishëm edhe me kryesimin e OSBE-së”, tha ai.

Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes shteteve, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Më 18 mars, palët u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

rel

Maqedonia e Veriut: Mungesë serioze e fuqisë punëtore

salduesNë kushtet kur Maqedonia e Veriut po përballet me mungesën serioze të fuqisë punëtore, edhe vetë politikanët drejtues po shtrojnë si opsion tërheqjen e fuqisë së huaj punëtore nga vendet e Lindjes së Afërt.

 

Zv/kryeministri i Ekonomisë, Fatmir Bytyqi, ka konfirmuar se shumë kompani vendase ankohen se vështirë gjejnë fuqi punëtore. Zgjidhjen, siç tha ai, e sheh në importimin e punëtorëve nga vendet ku paga mesatare është 200 euro. Pavarësisht rritjes së pagës minimale, por edhe asaj mesatare, Maqedonia e Veriut, sipas tij ka nevojë për 10.000 punëtorë në vit.

“Ata po ikin për paga mesatare më të larta. Paga mesatare në vendin tonë ka arritur në 550 euro, ndërsa paga për të cilën shkojnë të punojnë është 1100 euro, ndërsa në vendet prej nga vijnë punëtorët tek ne rroga mesatare është 200 euro. Është një cikël i natyrshëm i lëvizjes së fuqisë punëtore”, vlerëson Fatmir Bytyqi, zv.kryeministër i Ekonomisë.

Qeveria është në bisedime me Odat Ekonomike për të konkretizuar se nga cilët sektorë të sjellë fuqi punëtore nga jashtë. Si sektor më të rrezikuar ku ndjehet mungesa e fuqisë punëtore janë ndërtimtimi, hoteleria dhe turizmi, sektorë nga të cilët shumica e punëtorëve tanë shkojnë jo vetëm si punëtorë sezonalë, por edhe qëndrojnë në vendet e Bashkimit Evropian ku ka paga shumë më të larta dhe kushte më të mira pune.

Deanoski: Importi i fuqisë punëtore nga jashtë nuk është zgjidhje

Kryetari i sindikatës së punëtorëve Tërpe Deanoski thekson, se punëtorët nga Bangladeshi ose Pakistani që vijnë në Maqedoninë e Veriut shfrytëzojnë rastin që  përmes vendit tonë të shkojnë në vendet e BE-së.

“Punëtorët e importuar nuk shihen si garanci, sepse po të njëjtit sapo të fitojnë të drejtat e tyre mund ta shfrytëzojnë Maqedoninë e Veriut si “trampolinë” për të përfunduar në vendet e BE-së. Pas një apo dy muajve edhe ata që vijnë për të punuar këtu do të largohen në vendet e BE-së, ku gjithashtu ka nevojë të madhe për punëtorë si dhe ka paga më të larta”, thotë Tërpe Deanoski kryetar i sindikatës së punëtorëve.

Së paku tri agjenci maqedonase janë në negociata për import të fuqisë punëtore nga jashtë. Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve, thotë se kjo tashmë është praktikë e vendosur në Kroaci dhe Bullgari, ku kompanitë ndërtojnë edhe konvikte për punëtorët e huaj, të cilët kryesisht vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Largët. Dimitrov ka marrë një ofertë për punëtorë nga Nepali, por negociatat janë duke u zhvilluar edhe me Bangladeshin, Pakistanin dhe Indonezinë.

“Nëse nuk e bëjmë këtë, me largimin e të rinjve, do të mbetemi pa punëtorë, ekonomia dalëngadalë do të shembet dhe buxheti do të mbetet pa para”, thotë Dimitrov. Sipas tij, mungesa e punëtorëve është problem serioz, ndaj bizneset duhet të mbajnë llogari për mbajtjen e punëtorëve duke i nxitur me rritje të pagave dhe masa tjera stimuluese.

Largimi i fuqisë puntore nga vendi në rritje e sipër

Afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë, se mungesa e punëtorëve po bëhet problem gjithnjë e më serioz për funksionimin e shumë bizneseve. Hazbi Ibrahimi, i cili udhëheq një kompani ndërtimi thotë se mungesa e punëtorëve në vend, veçanërisht e atyre që punojnë në profile të caktuara si hidraulik, saldator etj, e ka detyruar të sjellë punëtorë nga Turqia dhe Shqipëria. Ai kërkon lehtësimin e proceduarave për prurjen e punëtorëve të huaj pasi ai personalisht është përballur me shumë telashe administrative gjatë marrjes së lejes së qëndrimit dhe asaj për punë për punëtorët e huaj në Maqedoninë e Veriut.

“Në bazë të Ligjit për marrëdhënie pune, një punëtor i huaj mund të sillet vetëm nëse kompania nuk ka arritur të sigurojë punëtorë pas tri shpalljeve publike”, thotë Ibrahimi.

Oda e Zejtarëve të Maqedonisë së Veriut ka theksuar se tanimë ka filluar të ndjehet mungesa e zejtarëve të ndryshëm dhe mjeshtrave në profile të caktuara si rrjedhojë e një numri të madh të atyre që janë larguar me punë të përkohshme në vendet evropiane.

“Shteti është dashur që më shumë të kujdeset për ne zejtarët. Tani kanë filluar të bëhen disa përpjekje, por kjo nuk mund ta ndalë tendencën e largimit, pasi në vendet evropiane puna e tyre vlerësohet shumë më tepër”, thotë Agron Fazliu nga Oda e Zejtarëve.

Zoran Koçoski, i cili drejton një agjenci që ndërmjetëson për angazhimin e punëtorëve nga Maqedonia e Veriut jashtë vendit thotë, se vetëm për në Gjermani brenda vitit largohen 2.000 deri 3.500 qytetarë.

“Këto shifra kanë të bëjnë me migrimin e personave me dokumentacion të rregullt, përkatësisht leje për punë dhe vizë që nënkupton leje qëndrimi. Por, në bazë të parashikimeve tona, tre mijë deri në pesë mijë qytetarë të tjerë përmes kanaleve të ndryshme kërkojnë mënyra për t`u shpërngulur në Gjermani”, thotë Koçoski.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut për çdo vit përcakton kuotën e lejeve për punëtorët e huaj, e cila bazohet në politikën e migracionit, si dhe luhatjet në tregun e punës. Kjo kuotë nuk mund të kalojë 5 për qind të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, e cila është në marrëdhënie pune.

dw

Thirrje për pauzë në zhvillimin e inteligjencës artificiale

Open AINdërsa inteligjenca artificiale po bën përparime të shpejta, një grup ekspertësh bën thirrje për një pauzë. Ata kanë paralajmëruar për efektet negative që mund të ketë ky zhvillim mbi shoqërinë dhe njerëzimin.

 

Një numër liderësh në fushën e teknologjisë kanë nënshkruar një letër në të cilën u bëjnë thirrje zhvilluesve të inteligjencës artificiale të ndalojnë punën e tyre për gjashtë muaj.

Letra paralajmëron për rreziqe të mundshme për shoqërinë dhe njerëzimin ndërkohë që gjigantët e teknologjisë si Google dhe Microsoft janë në garë për të ndërtuar programe të inteligjencës artificiale që mund të mësojnë në mënyrë të pavarur.

Paralajmërimi vjen pas lëshimit në fillim të këtij muaji të GPT-4 (Generative Pre-trained Transformer), një program AI i zhvilluar nga OpenAI me mbështetjen e Microsoft.

“Sistemet e fuqishme të inteligjencës artificiale duhet të zhvillohen vetëm pasi të kemi besim se efektet e tyre do të jenë pozitive dhe rreziqet e tyre do të jenë të menaxhueshme”, thuhet në letër.

Kush e nënshkroi letrën?

Ndër nënshkruesit e letrës janë emra të mëdhenj si drejtori ekzekutiv i Teslas dhe Twitter, Elon Musk, bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak, drejtori ekzekutiv i Stability AI Emad Mostaque, etj.

Letra thotë se “muajt e fundit laboratorët e AI kanë hyrë në një garë që ka dalë jashtë kontrollit për të zhvilluar dhe mendje digjitale gjithnjë e më të fuqishme që askush – madje as krijuesit e tyre – nuk mund t’i kuptojë, parashikojë ose kontrollojë në mënyrë të besueshme.”

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë laboratorëve të AI që të ndalojnë menjëherë për të paktën 6 muaj trajnimin e sistemeve të AI më të fuqishme se GPT-4”, shton ai. “Kjo pauzë duhet të jetë publike dhe e verifikueshme dhe të përfshijë të gjithë aktorët kryesorë. Nëse një pauzë e tillë nuk mund të zbatohet shpejt, qeveritë duhet të ndërhyjnë dhe të vendosin një moratorium.”

Qeveritë po mendojnë për hapat që mund të ndërmarrin

Letra u organizua nga Instituti jofitimprurës Future of Life – i cili sipas regjistrit të transparencës së BE-së financohet kryesisht nga Musk – dhe ndjek përpjekjet e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së për të gjetur se si ta rregullojnë këtë teknologji që po përparon me shpejtësi.

Qeveria britanike publikoi të mërkurën një dokument që jepte një ide për qasjen e saj, por tha se do të “shmangte legjislacionin e ashpër që mund të mbysë inovacionin”. Ligjvënësit e BE-së kanë zhvilluat gjithashtu në bisedime në lidhje me nevojën për të vendosur rregulla për AI. BE-ja ka frikë se inteligjenca arftificiale mund të përdoret për të përhapur dezinformata të dëmshme dhe për t’i bërë profesione të tëra të panevojshme.

dw

Blinken: Milorad Dodik – në rrugën autoritare të Putinit

BlinkenSekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të mërkurën se politikani serb i Bosnjës, Milorad Dodik është në rrugën autoritare të presidentit rus Putin. Në një postim në rrjetet sociale, sekretari Blinken tha se këtë e dëshmojnë sulmet e tij ndaj të drejtave themelore dhe liritë e njeriut në Republikën Serbe.

 

Komentet e sekretarit Blinken pasuan zhvillimet e fundit në entitetin serb të Bosnjës dhe paralajmërimin e udhëheqësit të atij entiteti Milorad Dodik për shkëputjen e marrëdhënieve me ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Qeveria e Republikës Serbe tha se do ta shpallë vepër penale “shpifjen”, do të miratojë ligjin mbi agjentët e huaj si dhe qasjen e pjesëtarëve të komunitetit LGBT në institucionet arsimore të këtij entiteti.

Sekretari Blinken tha se Departamenti i Shtetit i përfaqësuar nga ambasadori

Michael Murphy, vazhdon të angazhohet “për të ardhmen demokratike dhe të begatë që e meritojnë të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Më herët gjatë të mërkurës ambasada amerikane në Sarajevë shkroi se “asnjë vend, asnjë grup qytetarësh, jashtë Shteteve të Bashkuara, nuk është kujdesur më shumë, nuk ka investuar më shumë ose ka bërë më shumë për të mbështetur dhe ndihmuar popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës, pavarësisht se çfarë thotë dikush tjetër. Dhe kjo nuk do të ndryshojë”.

Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republikën Serbe dhe Federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u shohin veprimet e Milorad Dodikut dhe kërcënimet e tij për shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina, si të rrezikshme për paqen në vend dhe në rajon.

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dhjetëra persona në Bosnjë dhe Hercegovinë përfshirë presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik, “për veprimtari korruptive” dhe “kërcënim të vazhdueshëm ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Moska i ka shfrytëzuar ndasitë në Bosnjë duke mbështetur politikat e Milorad Dodikut, i cili nderoi presidenti rus Putin me 9 janar të këtij viti me rastin e “ditës së Republikës Serbe”, një kremtim që është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.

voa

Arabia Saudite i bashkohet organizatës së sigurisë të udhëhequr nga Kina

OS KinezeArabia Saudite ka rënë dakort t’i bashkohet Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait, në rolin e një “partneri për dialog”, njoftuan mediat zyrtare të mërkurën. Ky është treguesi më i fundit i lidhjeve më të afërta politike të këtij vendi me Kinën.

 

Organizata e Bashkëpunimit të Shanghait u themelua në vitin 2001 si një organizatë politike, ekonomike dhe e sigurisë, për të rivalizuar institucionet perëndimore.

Krahas Kinës, ndër tetë vendet anëtare janë India, Pakistani, dhe Rusia, si dhe katër vende të Azisë Qendrore: Kazakistani, Kirkistani, Uzbekistani dhe Taxhikistani.

Kabineti saudit miratoi vendimin gjatë një takimi të kryesuar nga Mbreti Salman, njoftoi Agjencia Saudite e Shtypit.

Ky vendim do t’i japë Riadit “statusin e partnerit për dialog në Organizatën e Bashkëpunimit të Shanghait”, thuhet në njoftim.

Ndër vendet e tjera, me status vëzhguesi apo partneri për dialog, janë Egjipti, Irani dhe Katari.

Vendimi i Riadit për t’iu bashkuar këtij blloku vjen vetëm tre javë pas njoftimit për arritjen e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Kina për ripajtimin me Iranin dhe rivendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike, të cilat u ndërprenë shtatë vite më parë.

Rivalë të ashpër dhe të hershëm, Irani me shumicë shiite dhe Arabia Saudite kryesisht sunite janë angazhuar në disa konflikte nëpërmjet palëve të treta në rajon, si në luftimet e zgjatura në Jemen.

Riadi ka thënë se megjithëse ishte angazhuar në bisedime të mëparshme dypalëshe me Teheranin, procesi i paqtimit u fillua nga oferta e Presidentit Xi Jinping vitin e kaluar për të shërbyer si një urë mes dy vendeve me peshë në Lindjen e Mesme.

Roli i zotit Xi shkaktoi habi për shkak të partneritetit tradicionalisht të afërt të Arabisë Saudite me Uashingtonin, megjithëse marrëdhënia është testuar rishtazi për shkak të mosmarrëveshjeve për të drejtat e njeriut dhe për prodhimin e naftës.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, nuk i kushtoi shumë rëndësi pasojave të vendimit të Arabisë Saudite, duke thënë se pritej prej kohësh.

“Çdo vend ka marrëdhëniet e tij”, tha zoti Patel.

Presidenti kinez Xi gjatë një telefonate të martën me Princin saudit të Kurorës Mohammed bin Salman, djali i Mbretit Salman dhe drejtuesi de facto i vendit, lavdëroi atë që e quajti ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Në komentet e tij të para publike që kur u njoftua se ishte arritur marrëveshja Arabi Saudite-Iran, zoti Xi tha se dialogu i mbështetur nga Kina do të “luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e unitetit dhe bashkëpunimit rajonal”.

voa

98 vjet nga vrasja e Bajram Currit

Bajram CurriSot mbushen 98 vjet vrasja e heroit të popullit, Bajram Curri, nga ushtria e Ahmet Zogut. Bajram Curri ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920.

 

Më 29 mars 1925, në një shpellë në Grykën e Dragobisë u vra Bajram Curri, një ndër veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithëse kanë kaluar 96 vjet, akoma edhe sot e kësaj dite ka diskutime dhe kundërshti për rrethanat në të cilat mori fund jeta e tij. Ndërkohë, shkaqet që e çuan Bajram Currin në këtë përfundim tragjik janë të evidentuara në dokumentet arkivore të shtetit shqiptar, një pjesë e të cilave, për arsye të ndryshme, akoma nuk janë bërë publike.

 

U kalit me idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që e përjetoi mjaft të afërt si periudhë, me vrasjen e t’atit, Shaqir agës. Shtëpia e Currve të Gjakovës, kanë qenë zotní, të cilësuar me këtë titull, të Krasniqes. Titullin deri te Bajrami, familja e pati Agë. Prej qëndresës së të atit ndaj trupave turke më 1860 në malësitë e Krasniqes, Mahmud Pasha shtrëngohet të tërhiqet në Gjakovë, ku rreshtoi disa anëtarë të familjes së tij dhe parinë e vendit për t’i burgosur në Krushën e Madhe, fshat në komunën e Rahovecit.

 

Këtu i burgosur, lindi më 1862 Bajram Curri. Pas gjashtë muajsh Sulltan Abdyl Hazizi vendos t’i lirojë kosovarët. Duke qenë se Bajramit me kohën iu dëgjua zëri në krahinën e tij, si për kundërshtitë ndaj bejlerëve të Kryeziut, një komandant xhandarmërie e zgjodhi kapiten në Prizren, më vonë major në Prishtinë, e së fundi kolonel (allajbeg) në Shkup, ku kishte në dorë xhandarmërinë e gjithë Vilajetit të Kosovës. Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899-1900. Udhëheqës i lëvizjes antiimperialiste në Kosovë dhe një nga prijësit kryesor të Mbledhjes së Ferizajt, të korrikut 1908, ku përkrahu kërkesën për vendosjen e kushtetutës.

 

Ndihmoi në themelimin e klubeve e të shkollave shqipe në Kosovë, mbrojti alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në Kongresin e Manastirit. Nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Shkupit nga viti 1908. Ndihmoi kryengritjen e armatosur të Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911, u bëri një qëndresë të fortë ushtrive osmane në Qafën e Morinës.

 

Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga komandantët e talentuar popullorë që theu ushtritë osmane në Qafën e Prushit në korrikun e 1912, dhe në fushën e Kosovës. Së bashku me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Idriz Seferin dhe Riza bej Gjakova në krye të forcave kryengritëse hyri në Shkup. Mbresëlënëse në futjen në dorë të Shkupit është besa e përgjithshme që u vendos për të mos cenuar rendin e rehatinë e qytetarëve.

 

Pas 1912 punoi në Kosovë për mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar. Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 ishte një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbo-malazeze. Në vitin 1914 mori pjesë në luftën kundër veprimeve antikombëtare e separatiste të Revoltës së Shqipërisë së Mesme në Durrës. Me të hyrë ushtritë austriake në Gjakovë më 1916, shkon në terren ku interesohet për rendin dhe qetësinë, dhe për zhvillimin arsimor.

 

Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe u bë një nga udhëheqësit e tij kryesorë. I ngarkuar nga ky Komitet, i dërgoi një protestë Konferencës së Paqes në Paris (1919) në të cilën kërkonte që të njiheshin të drejtat e Shqipërisë dhe që popullsisë shqiptare në Kosovë t’i jepej e drejta të shprehte lirisht aspiratat kombëtare. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol të qeverisë dhe komandant të përgjithshëm te forcave të armatosura.

 

Ai udhëhoqi veprimet ushtarake për shtypjen e lëvizjes e sadiste. Me anë të ndikimit të tij bën të mundur që të dërgojë jashtë shteti me bursë shtetërore të rinj premtues, si Rexhep Krasniqi, Xhevat Kortsha e Krist Maloki. Ishte kundër forcimit të pozitave të Ahmet Zogut në shtetin shqiptar, iu kundërvu atij qysh në fillim. Në ndihmë të qeverisë së Tiranës bashkëpunon për paqësimin e situatës në Revoltën e Mirditës. Në dhjetor 1921 u caktua Komandant i Përgjithshëm i forcave të armatosura në qeverinë disa ditore të Hasan Prishtinës. Pas marrjes së pushtetit nga Ahmet Zogu u vendos në Krasniqe nga ku vazhdoi luftën në gjirin e malësorëve të Veriut ndaj masave të çpopullimit që kishin ndërmarrë serbo-malazezët. Mori pjesë në Lëvizjen e Marsit të vitit 1922 kundër Ahmet Zogut, bashkë me ElezIsuf Ndreun dhe M. Krujën me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Krijoi një zonë të lirë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) nga ku kërcënonte qeverinë e Tiranës dhe bashkëpunoi me çetën e Azem Galicës që luftonte në Kosovë për çlirim kombëtar.

 

Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hap rrugën fitores së Lëvizjes së Qershorit 1924. Në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbomëdhenjtë. E vazhdoi luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit.

 

Sot po iu sjellim një foto i shtrirë vetëm pak çaste pasi kishte vdekur. Akoma nuk është studiuar ( për sa jemi në dijeni ), se kush është autori i fotografisë, e kush kishte aparat me vete në shpellën e Dragobisë në momentet kur Bajram Curri ia shkrepi vetes, por kjo foto vlen sa njëmijë fjalë dhe duhet vlerësuar si material historik dhe me vlera.

 

Në një intervistë para disa vitesh, Nehat Zherka nga Gjakova, flet për gjyshin e tij fotograf dhe negativat e filmave të ruajtur, e ku Ahmet Zherka ka fiksuar në celuloid këto pamje të Bajram Currit vetëm pak çaste pas vrasjes. Por ky fakt mbetet i pazbuluar.

 

Gjyshi i Nehatit, Ahmet Zherka, konsiderohet si një nga fotografët e parë të Kosovës që me aparatin e tij ka bërë të përjetshëm shumë personalitete, por edhe ngjarje të rëndësishme.

 

Në një nga negativet e pazhvilluar ndonjëherë tregon për një njeri të shtrirë që sipas Nehatit, është Bajram Curri i vrarë.

 

Sidoqoftë u mbetet historianëve të eksplorojnë më shumë në gjenezën e Bajram Currit, “Heroit të Vegjëlisë” siç e ka cilësuar populli.

rtk

Bislimi-Lajçak-Petkoviq, më 4 prill takim në Bruksel

BislimiKosova e Serbia do t’i vazhdojnë bisedimet në kuadër të dialogut me takimin e radhës të caktuar për datën 4 prill në Bruksel.

 

Megjithatë, këtë herë  në kryeqytetin e BE-së do të takohen shefat e ekipeve negociatore, Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga pala serbe, shef i së ashtuquajturës, Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në takim,është  paraparë  të diksutohen hapat e ardhshëm në zbatimin e marrveshjës për rrugen drejt normalizimit të raporteve  mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky takim është i pari pas atij të nivelit edhe më të lartë të mbajtur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, javën e kaluar.

Atje, kryeministri i Koosvës,  Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ndërmjetësit e BE-së dhe SHBA-së, u dakorduan me aneksin për zbatimin e propozimit të marrëveshjes së propozuar nga BE-ja.

rtk

Lajçak në Berlin e Londër, konsultime për dialogun Kosovë-Serbi

LajcakPërfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se dje në Berlin kishte takime të shumta dhe konsultime me krerët e politikës gjermane, lidhur me dialogun.

 

Ai, në një postim në Twitter, ka njoftuar se konsultimin për dialogun Kosovë – Serbi do ta vazhdojë edhe në Londër, ku do të qëndrojë dy ditë.

“Pas një dite intensive në Berlin në Gjermani, dje kisha takime në Kancelarinë, Ministrinë e Jashtme Federale dhe Bundestag, tani po shkoj në Londër në Mbretërinë e Bashkuar, për dy ditë konsultimesh mbi Dialogun”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

rtk

Presidenti Zelenskyy e sheh të domosdoshme fitoren në Bakhmut

ZelenskiyPresidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, theksoi rëndësinë e luftës për qytetin lindor të Bakhmutit, duke i thënë agjencisë së lajmeve Associated Press të martën se një disfatë e Ukrainës atje, do të sillte trysni nga komuniteti ndërkombëtar dhe disa në Ukrainë, për të bërë kompromise me Rusinë.

 

Presidenti Zelenskyy tha se nuk do të angazhohet në bisedimet e paqes me Rusinë derisa forcat ruse të tërhiqen nga i gjithë territori i Ukrainës. Që nga fillimi i agresionit të saj në shkallë të gjerë vitin e kaluar, Rusia ka pretenduar të aneksojë katër zona në Ukrainë, një veprim i dënuar me shumicë dërrmuese si i paligjshëm nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Aleatët perëndimorë e kanë ulur rëndësinë e Bakhmutit, duke thënë se një humbje e Ukrainës atje nuk do të kishte ndikime të mëdha në konfliktin e përgjithshëm.

Por, presidenti Zelenskyy i tha agjencisë Associated Press se çdo pjesë e luftës është e rëndësishme.

“Ne nuk mund t’i humbim hapat sepse lufta është – copa fitoresh. Fitore të vogla, hapa të vegjël”, tha ai.

Presidenti Zelenskyy foli për Associated Press ndërsa udhëtonte me një tren në disa pjesë përgjatë vijës së frontit, përfshirë rajonin Sumy në verilindje të Ukrainës.

“Rajoni është pranë armikut. Kërcënimi është i vazhdueshëm. Bombardimet e kufirit tonë janë të vazhdueshme. Por jeta, njerëzit tanë janë padyshim më të fortë se çdo frikë”, tha presidenti Zelenskyy në fjalimin e tij të rregullt gjatë natës.

Ai gjithashtu udhëtoi në një vend të panjohur pranë kufirit rus dhe foli me rojet kufitare.

“Kam pasur një bisedë të veçantë edhe me shefin e Shërbimit të Rojës Kufitare. Ne folëm për mbrojtjen e Sumyt dhe rajoneve të tjera, për forcimin e rojeve kufitare, të cilët së bashku me të gjitha forcat e mbrojtjes po luftojnë në vijën e frontit”, tha presidenti Zelenskyy.

Një marrëveshje për të siguruar centralin më të madh bërthamor të Evropës në Ukrainë mund të jetë “afër”, edhe pse hollësitë përfundimtare ende do të diskutohen nga zyrtarët rusë dhe ukrainas, tha të martën Rafael Mariano Grossi, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

Zoti Grossi u tha gazetarëve se “me gjasë” do të shkojë në Rusi në ditët në vijim për të provuar të përmbyllë një marrëveshje për të mbrojtur centralin bërthamor në Zaporizhia. Luftimet e ashpra për muaj të tërë pranë objektit kanë shqetësuar zyrtarët ndërkombëtarë për një katastrofë bërthamore, me mundësinë që rrezatimi të përhapet përtej zonës së luftës.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, ka kërkuar prej kohësh që të krijohet një zonë mbrojtëse rreth centralit që ndodhet shumë pranë vijës së parë të luftës. Por asnjë marrëveshje nuk është arritur.

Disa pjesw tw këtij artikulli u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

voa