Mesazh për Shkupin nga Gjermania, Franca dhe Polonia

Anna LührmannDiplomatë të lartë nga Gjermania, Franca e Polonia kërkojnë prej poltikanëve në Maqedoninë e Veriut të mbështesin ndryshimet kushtetuese.

 

Integrimi evropian tani është ne duart tuaja. Miratoni ndryshimet kushtetuese dhe bëhuni pjesë e Bashkimit Evropian. Ky ishte mesazhi i tre diplomatëve të lartë nga Gjermania, Franca dhe Polonia pas takimit me autoritetet më të larta politike në Maqedoninë e Veriut.

Fazë kritike për të ardhmen e vendit

Sekretarja e shtetit për Evropën dhe Klimën pranë MPJ të Gjermanisë, Anna Lührmann, e quajti momentin aktual politik në Maqedonisë së Veriut si fazë kritike për të ardhmen e vendit. Ajo kërkoi nga liderët politikë që të mbështesin ndryshimet kushtetuese.

“Këto ndryshime do ta bëjnë Maqedoninë e Veriut shembull të një shteti multi-etnik. I inkurajojmë të gjithë personat, dhe aktorët politikë në RMV që ta mbështesin qeverinë që ta tejkalojë këtë hap të rëndësishëm, i cili çon drejt BE-së”, tha Lührmann.

Sekretari francez i shtetit për BE-në, Llorens Bun, thënë se ky shans që i jepet Maqedonisë së Veriut duhet të shfrytëzohet nga politikanët vendas. “Ky diskutim rreth ndryshimeve kushtetuese nuk do të shoqërohet me kërkesa të reja nga pala bullgare, apo nga ndonjë vend tjetër dhe kështu RMV në mënyrë automatike do të jetë në fazën e negociatave. Dua të jem i qartë, ne duam që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Bun.

Ballkanit Perëndimor ka mbështetje të fuqishme nga Polonia

Diplomati polak, Shimon Shinkovski, tha se e kupton zhgënjimin e RMV-së për shkak të progresit të ngadaltë drejt aderimit në BE, duke shtuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbështetje të fuqishme nga Polonia. “Vendimi tani gjendet në duart e klasës politike në Maqedoni, dhe janë dakorduar ndryshime në kushtetutë në mes mes RMV dhe BE e të cilat ndryshime do t’ju mundësojnë që të vazhdoni në hapin tjetër, apo më mirë të them hapin më vendimtar integrimin në Bashkimin Europian, dhe ky do të jetë një vendim serioz për RMV”, tha Shinkovski.

VMRO-DPMNE: Nuk pranojmë ndyshime nën diktatin e Bullgarisë

Opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE në takimin me treshen e Vajmarit edhe një herë u shprehkundër ndryshimeve kushtetuese. “Mbetemi në qëndrimin se ndryshimet kushtetuese në rrethana të diktatit politik nga fqinjësia nuk janë të pranueshme. Roli i fqinjve duhet të jetë rol mbështetës i integrimeve tona euroatlantike, e jo të mohohet identiteti kombëtar maqedonas.

Po për BE-në por jo për shantazhet nga ana e Bullgarisë, e cila nuk ofron asnjë siguri se procesi i integrimeve evropiane nuk do të bllokohet përsëri për çështje irracionale, të cilat Bullgaria duket se ende i ka ndaj Maqedonisë”, deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Shumica parlamentare humbet tre deputetë

Ndërkohë qeveria ka miratuar nismën për ndryshimet Kushtetuese. Tani janë në vijim procedurat që ajo të dorëzohen në Kuvend. Por shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut humbi më 18.07. tre deputetë, duke e rrezikuar kështu jo vetëm miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por edhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Tani numri i deputetëve të pozitës në Kuvend ka rënë nga 64 në 61, që do të thotë se mjafton largimi vetëm edhe i një deputeti që opozita të ngrejë mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Izet Mexheti, ka njoftuar se largohet nga BDI-ja dhe se do të formojë një lëvizjeje të re politike. Atij iu bashkua edhe një deputet tjetër i BDI-së, si dhe një deputet i pavarur, i cili më parë mbështeste politikat e BDI-së.

dw

Sa të rrezikshme janë temperaturat e larta?

vapeTemperaturat e larta dhe vapa, që do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, mund të shkaktojnë sëmundje serioze deri në vdekje.

Dhjetra qytete në të gjithë Evropën Jugore janë përfshirë nga valët e të nxehtit. Autoritetet paralajmërojnë për temperatura ekstreme që do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

Sipas statistikave vitin e kaluar nga fundi i majit deri në shtator temperaturat e larta shkaktuan vdekjen e rreth 62 mijë europianëve. Numri më i lartë u regjistrua në Itali, me mbi 18 mijë humbje jete, pasuar nga Spanja, Greqia dhe Gjermania.

 

Më në rrezik të moshuarit

Nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë përkeqësim të sëmundjeve kardiovaskulare ose atyre të frymëmarrjes. Kush qëndron për një kohë të gjatë në diell, rrezikon të digjet. Dhe kush qëndron për një kohë të gjatë në temperatura të larta, rrezikon hipertermi, një gjendje e ngjashme me ethet.

Po ashtu lëkura dhe indet e trurit ngacmohen nga nxehtësia e madhe dhe mund të shkaktojnë të ashtuquajturin meningjit aseptik, një infeksion truri që nuk shkaktohet nga ndonjë bakterie. Kjo goditje nga dielli është goditje e izoluar në kokë nga i nxehti.

Sipas studiuesve më të prekurit janë të moshuarit, sidomos ata mbi 65 vjeç.

 

Çfarë parashikohet për këtë verë?

Ekspertët thonë se është e lartë gjasa që moti të bëhet akoma më i nxehtë. Dhe kjo do të thotë potencialisht edhe më vdekjeprurës.

Deri tani, kjo verë ka thyer rekordet: me qershorin më të nxehtë dhe javën më të nxehtë të të regjistruar ndonjëherë në botë në fillim të korrikut.

Ndryshimet klimatike globale po shkaktojnë rritje të temperaturave në mbarë botën. Por në Evropë, temperaturat janë rritur dy herë më shpejt se mesatarja globale.

 

Masa për adaptimin ndaj nxehtësisë

Ekspertët thonë se qeveritë duhet të ndërmarrin menjëherë masa për parandalimin dhe adaptimin ndaj nxehtësisë, për të mbrojtur ata që janë në rrezik.

Kjo përfshin, për shembull, përmirësimin e njoftimeve rreth valëve të të nxehtit dhe vënien në dispozicion të mjediseve publike me ajër të kondicionuar, gjë që do të ndihmonte për të parandaluar deri në 100 mijë vdekje të parakohshme të lidhura me nxehtësinë.

dw

Aplikacioni për të verbrit pajiset me programin e intelegjencës artificiale “ChatGPT”

AIProgrami i inteligjencës artificiale “ChatGPT” po përdoret tani për të ndihmuar të verbrit. Teknologjia e inteligjencës artificiale është lidhur me një aplikacion të telefonave inteligjentë që ndihmon të verbërit dhe përdoruesit mund ta shfrytëzojnë atë për t’i përshkruar fotot me detaje të shkëlqyera. Ndonëse programi është në fazat e para të testimit, të verbrit, që po e përdorin atë, shpresojnë që ai do t’i ndihmojë ata të jenë më të pavarur.

 

Jesper Holten lindi tre muaj para kohe, gjë që shkaktoi dëmtimin e retinës së tij. Ai tani është tërësisht i verbër.

Kur është vetëm dhe ka nevojë për ndihmë, ai përdor aplikacionin “Be My Eyes”, i cili lidh njerëzit e verbër ose me shikim të dëmtuar me vullnetarë nëpërmjet video-telefonatave.

“E përdori aplikacionin në situata të përditshme, si në rastet kur jam duke gatuar dhe dua t’i hedh një sy kanaçeve me ushqime për ta kuptuar më mirë se çfarë përmbajnë ato”, thotë ai.

Tani, aplikacioni “Be My Eyes” është përmirësuar dhe fuqizuar me teknologjinë e inteligjencës artificiale, falë programit të ri ChatGPT, i cili i shpjegon imazhet me fjalë.

Përdoruesit mund të dërgojnë foto përmes aplikacionit tek një “Vullnetar Virtual”, i kontrolluar nga inteligjenca artificiale, i cili ofron identifikim pothuajse të menjëhershëm të imazheve.

Ata madje mund të shtojnë pyetje pasuese, si “Sa kohë duhet për të gatuar këto makarona?”

Nëse një përdorues dërgon një fotografi të brendësisë së frigoriferit të tij, “Vullnetari Virtual” mund të identifikojë se çfarë ka në të dhe gjithashtu të sugjerojë se çfarë mund të gatuhet me këta përbërës.

“Unë shoh një potencial që njerëzit të kenë më shumë pavarësi me ndihmën e këtij programi”, thotë zoti Holten, i cili po teston një version më të hershëm të “Vullnetarit Virtual” që nga marsi i këtij viti.

Aplikacioni “Be My Eyes”, i krijuar në vitin 2015, tani përdoret nga gati 500 mijë persona të verbër dhe 6.4 milionë vullnetarë që i ndihmojnë ata. Aplikacioni mund të ofrojë ndihmë në rreth 180 gjuhë të ndryshme.

Themeluesi i aplikacionit “Be My Eyes”, Hans Jørgen Wiberg thotë se “OpenAI” iu afrua atij në fillim të shkurtit për të ndihmuar në vënien në funksion të programit, që i shpjegon në mënyrë automatike imazhet me fjalë.

“Ata janë mahnitur nga ajo që kjo teknologji mund të përshkruajë. Ky program me teknologji të inteligjencës artificiale përshkruan në detaje atë që sheh”, thotë zoti Wiberg, cili është gjithashtu me shikim të dëmtuar.

Për momentin, “Vullnetari Virtual” është ende në fazën e testimit dhe nuk është i disponueshëm për përdorim të gjerë.

Zoti Holten shpreson se inteligjenca artificiale mund ta ndihmojë atë të eksplorojë vende të reja në mënyrë të pavarur.

“Unë dua të kem një nivel më të lartë besimi të lëvizjes në hapësirat e panjohura. Do të ishte një gjë shumë e mirë, nëse teknologjia e inteligjencës artificiale do të më ndihmonte ta arrijë këtë”, thotë ai.

voa

Shkencëtarët dhe rregullatorët duan të eliminojnë kimikatet me efekt të përhershëm

kimikatetQeveria amerikane dhe ligjvënësit e shteteve amerikane po shtojnë përpjekjet për të kufizuar përdorimin e kimikateve helmuese, të njohura si PFAS (lexohet Pi-Fas) në produktet e përditshme si dhe për të vendosur kufij të pranisë së tyre në ujin e pijshëm. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, shkencëtarët po shkojnë një hap më tej duke shqyrtuar mënyrat për të eliminuar plotësisht të ashtuquajturat “kimikate me efekt të përhershëm”.

 

PFAS janë kimikate sintetike që shihen vetëm me mikroskop.

Meqenëse janë rezistente ndaj nxehtësisë, vajit dhe ujit, ato përdoren në produktet e përditshme, si veshjet rezistuese ndaj ujit dhe tiganët ku ushqimet nuk ngjiten. Por ato janë gjithnjë e më shumë të lidhura me problemet shëndetësore, përfshirë kancerin.

Prandaj, ka një nxitim për t’i eliminuar gradualisht të gjitha llojet e PFAS-it, thotë profesori i fizikës Graham Peaslee.

“Ka përpjekje për regullimin e tyre, që po shqyrtohen nga disa legjislacione shtetërore dhe industria po përgjigjet. Ndryshimi ka kosto, por është shumë më pak i kushtueshëm sesa paditë që do të pasonin nëse nuk do ta bënin këtë”, thotë Graham Peaslee nga Universiteti Notre Dame.

Meqenëse kimikatet toksike transportohen lehtësisht edhe nga uji….Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në mars propozoi një standard mbarëkombëtar mbrojtës shëndetësor për gjashtë lloje të PFAS-eve në ujin e pijshëm.

Kjo agjenci pret ta miratojë rregulloren deri në fund të vitit 2023.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit tha se pas miratimit, deri në 6,300 ndërmarrje publike të furnizmit me ujë do të kenë tre vjet afat për të zbatuar standardet e reja. Agjencia tha gjithashtu se këto masa do të zvogëlojnë rrezikun nga PFAS-et për afro 100 milionë amerikanë.

Komuniteti shkencor nuk po rri duarkryq. Në Universitetin Shtetëror të Arizonës, profesori i inxhinierisë mjedisore Bruce Rittmann po punon për përshtatjen e teknologjisë ekzistuese për të shkatërruar lidhjen e fortë midis elementëve kimikë të karbonit dhe fluorit, që pengon PFAS-et të shpërbëhet lehtësisht në mjedis. Kjo lidhje e fortë e dy elementëve është arsyeja pse ato quhen “kimikate me efekt të përhershëm”.

“Ne përdorim hidrogjenin si burim elektronesh, përdorim një katalizator dhe më pas fillojmë t’i shkatërrojmë atomet e fluorit dhe kështu këto molekula shpërbëhen dhe më pas bakteriet përfundojnë procesin e shndërrimit të tyre në elementë të padëmshëm”, thotë Bruce Rittman nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.

Në Kanada, profesori Madjid Mohseni ka ndërtuar një sistem të ri filtrimi, ai shpreson ta sjellë së shpejti në SHBA për zbatim.

“Kjo jo vetëm që mund të kapë të gjitha llojet e PFAS-eve por edhe mund t’i kthejë ato në materiale të riciklueshme”, thotë Madjid Mohseni nga Universiteti ‘British Columbia’.

Publiku, megjithatë, është i shqetësuar se përpjekjet për të zgjidhur ndotjen nga elementët PFAS në ujë dhe produkte të përditshme nuk po ecin shpejt, thotë Erin Reilly nga Shoqata jofitimprurëse “James River” në Virxhinia.

“Nuk i takon konsumatorit që të jetë në gjendje të mbrojë veten. Ajo që duhet të bëjmë është të nxjerrim rregulla se ku mund të përdoren këto kimikate, si mund të përdoren dhe çfarë etiketimi duhet të kenë”, thotë Erin Reilly nga Shoqata ‘James River’.

Shoqata Amerikane e Veshmbathjeve dhe Këpucëve dhe Këshilli i Produkteve të Kujdesit Personal përfshin firma që prodhojnë artikuj që përmbajnë PFAS. Ato i thanë Zërit të Amerikës se anëtarët e tyre janë të përkushtuar të heqin dorë nga përdorimi i qëllimshëm i PFAS-eve dhe të përdorin teknologji të reja dhe të sigurta.

voa

Televizionet kryesore në Shqipëri i zotërojnë 5 familje dhe 27 individë

Televizionet-shqiptareNë Shqipëri, një studim i Qendrës Open Data Albania zbuloi se pjesa dërrmuese e 14 bizneseve mediatike televizive më të fuqizuara janë në pronësi të 5 familjeve, si dhe në bashkëpronësi të 27 individëve me lidhje të ngushta familjare.

Studimi vëren se këta pronarë mediash zotërojnë një seri biznesesh të tjera dhe se në shumë raste janë përfitues të kontratave koncensionare, përfitues të programit Shqipëria 1 Euro si dhe të statusit investitor strategjik.

Sipas studimit të qendrës Open Data Albania, afro 80 për qind e mediave televizive shqiptare të konsodliduara janë prona të 5 familjeve, bashkëpronësi midis familjarëve dhe një grupi prej 27 individëve zotërues të mediave televizive kryesore.

Autorët pohuan se shumica e tyre janë familjarë të afërt dhe pasardhës me të njëjtin mbiemër.

Eksperti Pajtim Nikolli i Institutit Shqiptar të Shkencave dhe bashkautor i studimit, thotë se këta 27 aksionerë dhe zotërues të bizneseve televizive janë ndërkohë aksionerë në 11 deri në 39 biznese të tjerë, në shumë raste të lidhura me fondet publike dhe me qeverinë.

“Në total, nga 10 biznese mediatike janë përfituar 10 kontrata apo marrëveshje PPP/koncensione, është fituar një status investitori strategjik, si dhe 3 vendime të këshillit të ministrave janë enkas si pjesë e programit Shqipëria 1 Euro”, thotë zoti Nikolli.

Këta pronarë mediatikë ndikohen në bizneset e shumta të tyre nga vendimet e qeverisë, vlerëson studiuesit, sepse përherë më shumë po përfitojnë kontrata publike, sepse janë njëkohësisht pronarë në sektorin e ndërtimit, në atë bankar, në tregti dhe eksport-importe, në energjitikë, në infrastrukturë kombëtare dhe universitete private.

Drejtuesja e Qendrës Open Data Albania, Aranita Brahaj, në Shqipëri po krijohen manjatët e mediave, të cilët janë shumë aktivë në biznese të tjerë, por kanë edhe një kartvizitë rezervë si pronarë mediash.

“Shohim se fitimet që këto biznese nxjerrin nga ky sektori mediatik, nga prodhimi mediatik, apo nga audienca përmes mënyrave të ndryshme, janë fare pak krahasuar me fitimin apo me kapitalin, me performancës ekonomike, që këta individë kanë në bizneset e tjera”, thotë zonja Brahaj.

Autorët pohojnë se Shqipëria e ka lënë pas periudhën kur pronarët e mediave nisnin edhe ndonjë biznes tjetër, ndërsa tani janë biznesmenët e fushave të tjera, që vijnë të investojnë në media, të cilat biznesi i tyre periferik me fitime të pakta në raport me duzinat e bizneseve të tjerë.

Është rritur nga viti në vit edhe pozicioni i pronarëve mediatikë si biznesmenë në marrëdhënie me qeverinë dhe fondet publike, si edhe rritet numri i përfitimeve të tyre në varësi nga vendimet e qeverisë dhe agjenci të tjera shtetërore.

“Përveç medias, ata operojnë edhe në shumë sektorë të tjerë si ndërtimi, turizmi, resorted, që janë një biznes i fuqishëm. Rezulton se pushtetin më të madh këta individë e kanë në këto sektorë dhe jo në media. Për më tepër, shumica e tyre janë bërë pjesë e bizneseve mediatike pasi kanë arritur nivele të larta në biznese të tjerë”, thotë zoti Nikolli.

Televizionet vazhdojnë të jenë të rëndësishme në Shqipëri, sepse shumica e qytetarëve vazhdojnë të informohen dhe të marrin mesazhe prej tyre, dhe janë industria kryesore e mendimit dhe opinionit, pohojnë studiuesit.

Por sa ndikon e gjithë kjo situatë në lirinë editoriale të mediave të këtyre pronarëve të shumëllojshëm?

“Ne nuk i kemi bërë një studim përmbajtjes së mediave të këtyre pronarëve, por nëse shohim fuqinë ekonomike të tyre, interesat ekonomike, lidhjet që këto interesa kanë drejtpërdrejt me vendimarrje të ekzekutivit, ose të forcës politike që është në pushtet, atëherë ne themi që opinion-bërja është deri diku e rrezikuar, sepse interesa kaq të shumëfishta nuk na garantojnë media, të cilat të mund funksionojë në interes të publikut, aq më shumë në një vend, ku monitorimi është proces i dobët,”, thotë zonja Brahaj.

Studimi i ekipit të Institutit Shqiptar të Shkencës në Qendrën Open Data Albania gërshetoi të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit me ato të Agjencisë së Trajtimit të Koncensioneve, (ku mblidhen të dhëna mbi kontratat koncensionare të bizneseve), me ato Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve, (ku mblidhen të dhënat mbi bizneset që kanë marrë statusin e Investitorit Strategjikë), me Transaksionet e Thesarit (mbi tenderat e fituara nga biznesi dhe paratë që ata kanë marrë nga buxheti i shtetit), si dhe me vendimet e qeverisë mbi bizneset përfituese të Programit Shqipëria 1 Euro.

Mes televizoneve të shqyrtuara 3 prej tyre kanë licensë kombëtare ndërsa 11 të tjerat janë licensuar si subjekte analoge transmetimi.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)

 

Ndaleni Dodikun!

BHUdhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, po rrezikon gjithnjë e më shumë paqen në Bosnje-Hercegovinë, shkruan autori ynë i ftuar Christian Schwarz-Schilling.

 

Më 1 korrik, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë-Hercegovinën, Christian Schmidt, përdori përsëri kompetencat e tij për të anuluar dy ligje antikushtetuese të Parlamentit të Republika Srpska-s dhe për të forcuar kodin penal të Bosnjë-Hercegovinës.

Parlamenti i Republikës Serbe, një ndër dy entitetet e Bosnjë-Hercegovinës e që banohet kryesisht nga serbët, më parë  kishte miratuar një ligj që pezullonte zbatimin e të gjitha vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës në RS. Projekt-ligji u propozua nga Milorad Dodik, presidenti i RS, i cili ka lidhje të shkëlqyera me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Ky ligj është shkelja më e rëndë e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit që nga fundi i luftës në vitin 1995 dhe kësisoj ka shkaktuar trazira të mëdha. Nuk është për t’u habitur që komuniteti ndërkombëtar – Departamenti i Shtetit i SHBA-së, BE-ja, NATO dhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) – reaguan menjëherë dhe paralajmëruan  kundërmasa.

 

Jo më luftë, terror dhe akte mizore

Masa e parë erdhi nga Christian Schmidt, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës së tmerrshme në Bosnjë. Më 1 korrik, Schmidt anuloi dy ligje të miratuara nga parlamenti i Republikës Srpska dhe ndryshoi kodin penal në Bosnje dhe Hercegovinë në mënyrë që kushdo që sulmon rendin kushtetues të shtetit të përballet me një dënim me burg deri në pesë vjet. I njëjti ndëshkim do t’u jepej edhe atyre që nuk respektojnë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë. Kjo i jep zyrës së prokurorit publik të Bosnje dhe Hercegovinës një bazë ligjore të fortë për të ndjekur penalisht si Dodik ashtu edhe kriminelë të tjerë. Por, se a do të zbatohet, kjo është një pyetje tjetër.

Në fjalimin e tij të jashtëzakonshëm për shtyp, Schmidt bëri të qartë se veprimet e Dodikut dhe Parlamentit të Republikës Srpska janë një shkelje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Ai kujtoi se mandati i marrëveshjes së paqes është të sigurojë që lufta, terrori dhe mizoritë siç i ka përjetuar popullsia në  Srebrenicë dhe gjatë rrethimit të Sarajevës të mos ndodhin më kurrë. Christian Schmidt i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vendosë sanksione të reja kundër kujtdo që dëmton qëllimisht rendin kushtetues të Bosnje-Hercegovinës.

 

Përmbushja e qëllimeve të luftës së mëparshme

Vendimin e Schmidtit, Dodik jo vetëm që e injoroi, por përkundrazi, më 2 korrik, në një fjalim konfuz, ai deklaroi se Republika Srpska nuk do ta njohë më Gjykatën e Drejtësisë, Prokurorinë Publike dhe Agjencinë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) të Bosnjë- Hercegovinës dhe se ai, Dodik,  mund të thërrasë një referendum mbi statusin e Republikës Srpska, nëse rritet presioni ndaj tij.  Përveç kësaj, ai tha se do të donte të forconte kufirin midis Republikës Srpska dhe Federatës.

Në fjalimin e tij, Dodik gjithashtu u përpoq të fuste në lojë Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandar Vuçiq si dhe konfliktin me Kosovën. Kjo nuk është për t’u habitur. Nuk është sekret se tani është një luftë për pushtet midis dy presidentëve – dhe përfundimisht se kush duhet të udhëheqë të gjithë kombin serb në të ardhmen. Dodik tha se “vendimet e Schmidt përfaqësojnë një sulm të sinkronizuar ndaj Republika Srpska, Serbisë dhe Aleksandar Vučić dhe meje.” Ai përsëriti se “beson në bashkimin me Serbinë,” që në fakt do të thotë përmbushje e qëllimeve të luftës së Serbisë së Madhe të ish-Presidentit serb Slobodan Milosheviq.

 

Sanksione konsenkuente

Presidenti Vučić deri tani është treguar i përmbajtur në  deklarata, duke vënë në dukje vetëm se është shumë i shqetësuar për ngjarjet në Republikën Serbe dhe se ka frikë se komuniteti ndërkombëtar ka vendosur të marrë një qasje shumë të ashpër.

Ekonomistja Jelena Trivic, një e preferuara politike e Presidentit Vuçiç, e cila në tetor 2022, kandidoi si riveale e Dodikut dhe në rrethana shumë të dyshimta, i humbi zgjedhjet presidenciale në Republikën Srpska, komentoi për kanalin e pavarur televiziv Face TV-Sarajevo: “Unë nuk jam për atë, që ne si komb dhe si Republika Srpska të bëhemi viktima të një individi të papërgjegjshëm, në një aksion që quhet: ‘Si t’i shpëtoj miliardat e mia?’ Kjo është ajo që po bën Dodik.” Ajo paralajmëroi se “Dodik kërcënon të gjithë RS-në dhe njerëzit që për shkak të vendimeve të tij irracionale do të bëhen mish për top.”

Tani bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë. Nuk duhet të bëjmë të njëjtat gabime si asokohe, kur une isha Përfaqësues i Lartë, kur Shtetet e Bashkuara më penguan që të ndërmerrja veprime për t’i treguar vendin Dodik. Sot, komuniteti ndërkombëtar ka shumë mundësi për të sanksionuar Dodik. Vetëm se sanksionet duhen zbatuar në mënyrë konsekuente.

 

Duhet vepruar me mençuri dhe vendosmëri

Nuk duhet humbur kurrë nga sytë fakti se Dodik është në fakt krahu i zgjatur i Putinit në Ballkanin Perëndimor. Ai e ka përsëritur vazhdimisht se do të shkojë deri në fund,  sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Kjo fjali në veçanti duhet të na shkundë të gjithëve, sepse Dodik nuk ka çfarë të humbasë. Kjo e bën atë shumë të rrezikshëm.

Bashkohem me zërat e disa intelektualëve të njohur boshnjakë që shkruajnë në një artikull në portalin Bosnja e Lirë: “Përgjigja ndaj këtij grusht-shteti të ngadalshëm që po bën Dodik duhet të jetë konfrontim, e jo kompromise dhe lëshime. Vendosja e forcave policore, forcave të misionit Althea të EUFOR-it ose vendosja e forcave të “Over the horizon” te NATO-s do të duhej të shqyrtohej urgjentisht, fillimisht duke vendosur forcat e ndërhyrjes në pikën  më të rëndësishme gjeostrategjike, në qarkun Brcko. Dodik nuk do të ndalet derisa ta ndalin.”

Duhet vepruar me shumë mençuri dhe me shumë vullnet tani. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të përsërisë gabimet e viteve 1990. Dodik nuk duhet të fillojë një luftë të re.

Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë Përfaqësues i Lartë dhe Përfaqësues Special i BE-së në Bosnje-Hercegovinë në vitet 2006/07. Nga viti 1982 deri në vitin 1992, politikani i CDU-së ka qenë Ministër Federal i Postës dhe Telekomunikacionit. Ai dha dorëheqjen në shenjë proteste kundër qëndrimit të qeverisë gjermane të atëhershme ndaj luftës së Bosnjës.

Christian Schwarz-Schilling / dw

Modele embrionësh për të kuptuar fillimet e jetës

EmbrioniShkencëtarët kanë krijuar modele embrionësh për t’i ndihmuar në studimin e mistereve të fazave të hershme të zhvillimit njerëzor, të problemeve mjekësore që ndodhin përpara lindjes dhe arsyet përse dështojnë shumë shtatëzani. Këto modele krijohen nga qeliza staminale, dhe jo nga vezët dhe sperma, dhe nuk munden të rriten më tej për t’u bërë foshnje.

 

Lajmi se shkencëtarët mund të prodhojnë formën më të hershme të jetës së njeriut në kushte laboratorike ka shkaktuar përshtjellim në mbarë botën.

Kjo u njoftua për herë të parë gjatë një fjalimi më 14 qershor në Boston të profesores Magdalena Zerinka-Goetz, në takimin vjetor të Shoqatës Ndërkombëtare për Studimin e Qelizave Staminale. Në atë periudhë, studimi nuk i ishte nënshtruar ende oponencës shkencore.

Zonja Zerinka-Goetz bashkëpunon me Universitetin e Kembrixhit dhe Institutin e Kalifornisë për Teknologjinë. Tashmë studimi i saj është publikuar në revistën shkencore “Nature”, së bashku me një studim tjetër nga shkencëtarët e Universitetit Jeill në Shtetet e Bashkuara. Të dy studimet arritën të prodhojnë embrionë 14-ditësh nga qeliza staminale njerëzore. Modelet përfaqësojnë fazën menjëherë pas krijimit të embrionit, kur është i vështirë studimi i tij. Teknikat e dy ekipeve mjekësore variojnë. Ekipi i Kembrixhit p.sh., përdori qeliza burimore të modifikuara paraprakisht. Gjithashtu, shkencëtarë të tjerë në Izrael dhe në Kinë kanë publikuar studimet e tyre këtë muaj.

Profesorja Zerinka-Goetz shpjegoi gjatë një konference në Los Anxhelos sfidat më të mëdha me të cilat përballet ekipi i saj në krijimin e një modeli që imiton plotësisht embrionin njerëzor.

“Do të donim gjithashtu ta përmirësonim modelin tonë pasi megjithëse shohim nga një anë sa i mrekullueshëm është, dimë se ka disa aspekte që nuk imitojnë plotësisht një embrion të vërtetë njerëzor. Pra po mendohemi se si ta përmirësojmë dhe kjo është diçka për të cilën po vazhdohet të punohet dhe nuk flasim dot për detajet. Por, sigurisht nëse zbulojmë një ide apo mënyrë për ta realizuar, atëherë do ta raportojmë sërish”, tha ajo.

Dy modelet e Kembrixhit dhe Kalifornisë imitojnë zhvillimin deri në 14 ditë pas fertilizimit. Modeli përmban qeliza embrionale që vazhdojnë të prodhojnë struktura përreth embrionit, si p.sh. placentën. Modeli i ekipit të Jeillit fillon t’i ngjasojë embrionit njerëzor gjatë periudhës 9-14 ditë pas fertilizimit.

“Këto janë struktura që vijnë nga qeliza staminale të rritura në laborator dhe të vendosura së bashku në mënyra që inkurajojnë krijimin e formacioneve të ngjashme me embrionët. Pra ato imitojnë organizimin e embrionëve dhe fillojnë të sillen në njëfarë mënyre si embrionët. Këtu përqëndrohet puna kërkimore, për të kuptuar se si ndodh vërtet, se çfarë duhet bërë për të mbështetur ndërveprimin për krijimin e embrionëve dhe duke e bërë këtë të kuptojmë më shumë rreth zhvillimit të hershëm, qoftë tek kafshët apo tek njerëzit”, thotë Dr. James Briscoe, shkencëtar në Qendrën kërkimore “Francis Crick” në Londër.

Dr. Briscoe mendon se kjo lloj pune kërkimore mund të shpjegojë në të ardhmen se përse ndodh dështimi i shtatëzanisë.

Edhe Jacob Hanna, nga Instituti i Shkencave “Weizmann” në Izrael, thotë se puna e tyre studimore gjithashtu imiton embrionin deri në ditën e 14-të pas fertilizimit. Ai thotë se kjo punë kërkimore është e domosdoshme, pasi nuk ka mënyrë tjetër për të kuptuar sjelljen e embrionit në fazat e hershme.

“Po bëhet një përpjekje e madhe në kërkimin shkencor se si mund të arrijmë nga qelizat staminale në organet që na duhen për të imituar embrionin njerëzor. Pengesa e madhe ka qenë se nuk kemi qasje tek zhvillimi embrional që nga dita e shtatë dhe deri tek dita e 28-të, për shkak se është fazë tepër e hershme e shtatëzanisë. Madje zakonisht gratë as nuk e dinë që janë shtatzëna. Ka edhe shumë probleme etike dhe teknike në marrjen e të dhënave të tilla”, thotë profesor Hanna.

Avantazhi tjetër është se duke qenë se modelet nuk janë embrionë të vërtetë, nuk ekzistojnë kufizime ligjore ndaj tyre. Në të ardhmen, ato mund të përdoren edhe për të eksploruar efektet nga mjedisi dhe kimikatet në zhvillimin e hershëm të embrionëve.

voa

Rama viziton Kosovën, nuk pritet nga Kurti

Rama VjosaKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron të enjten në Prishtinë në kuadër të një vizite që po i bënë rajonit për përgatitjet e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që pritet të mbahet në muajin tetor në Tiranë.

 

Ai takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetarin e parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, por deri tani nuk ka konfirmim për ndonjë takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti një ditë më parë tha se nuk e sheh të arsyeshëm një takim të tillë pa mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive, e cila u anulua një ditë para se të niste punimet në muajin qershor nga kryeministri Rama. Ai tha se “për shkak të anulimit të paarsyeshëm të kësaj mbledhjeje po dëmtohen qytetarët e të dyja vendeve duke mos përfituar nga 13 marrëveshje që ishin planifikuar të nënshkruheshin gjatë saj”.

Kryeministri Rama tha sot para nisjes së vizitës në rajon se ka nënshkruar këto marrëveshje dhe i ka dorëzuar te autoritetet e Kosovës, duke theksuar se me nënshkrimin e Kosovës ato hyjnë menjëherë në fuqi. Ai shfaqi shpresën se kryeministri Kurti pas këtij veprimi do të konfirmojë takimin dypalësh.

Zyra e kryeministrit Kurti njoftoi të enjten mbrëma se marrëveshjet, të cilat mbulojnë siç thuhet bashkëpunimin në siguri, drejtësi, arsim dhe kulturë, janë nënshkruar edhe nga ministrat e qeverisë së Kosovës.

“Marrëveshjet e sotme, së bashku me ato të nënshkruara në dy mbledhjet e mbajtura në dy vitet e fundit mes qeverive, i sjellin vendet e qytetarët tanë më pranë njëri-tjetrit dhe ritheksojnë fuqizimin e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftim. Me gjithë nënshkrimet, takimi nuk ndodhi.

Në një komunikatë për media pas takimit me kryeministrin shqiptar, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se është diskutuar ndër të tjera edhe për situatën aktuale në Kosovë e rajon, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

“Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për t`i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë. Ajo theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit” thuhet në njoftim, ndërsa theksohet se presidentja Osmani e vlereson “të domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë”.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, tha pas takimit me kryeministrin Rama se nuk ka një acarim të marrëdhënieve ndërmjet kryeministrave aq sa mos të takohen fare.

“Unë do ta kisha përdorur shprehjen lëndim, kur të lëndon dikush. Ne kemi qenë të lënduar prej anulimit të mbledhjes së qeverive, po jo aq të lënduar sa mos ta presim fare sepse mendoj që ne gjithmonë duhet të shohim nga këndvështrimi i interesit të kombit tonë”, tha zoti Konjufca duke shtuar se beson që “kjo çështje do të rregullohet dhe ata do të takohen së shpejti edhe nëse jo sonte”.

Partitë opozitare në Kosovë e kanë kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit Kurti ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës e cilësuan refuzimin e kryeministrit Kurti për të takuar kryeministrin Rama si hipokrizi politike.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se diskutimet për takim ose jo të kryeministrit shqiptar janë tregues i krizës në të cilën ndodhet aktualisht Kosova në marrëdhënie me aletatët e saj.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vendimi i kryeministrit Kurti u cilësua si “skandaloz dhe i turpshëm” duke theksuar se “çdo kryeministër shqiptar cilido qoftë ai që vjen në Kosovë, vjen në shtëpinë e vet”.

voa

Serbia do të kërkojë seancë emergjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë

VucicPresidenti i Serbisë akuzoi të enjten Kosovën për siç tha “spastrim të heshtur etnik” të serbëve, ndërsa paralajmëroi se do të kërkojë një takim me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, para se të kërkojë një seancë emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

 

Në një konferencë me gazetarë në Beograd, ai la të kuptohet se Serbia mund të ndërmarrë më pas “veprimtari” të papërcaktuara për të ndalur atë që ai e përshkroi një “përndjekje” të serbëve në Kosovë.

Duke pasur parasysh se jeta e serbëve në Kosovë, siguria e tyre, por edhe dinjiteti dhe mbijetesa njerëzore janë në rrezik, ne do të kërkojmë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit. Pse nuk e kemi kërkuar më parë? Sepse ne e dimë se kjo është gjëja e fundit që duhet të bëjmë para se të ndërmerren disa veprimtari, të cilat janë të vështira, shumë të vështira, por nuk kemi të drejtë të lejojmë përndjekjen dhe spastrimin etnik të popullit tonë”, tha presidenti serb.

Tensionet Kosovë – Serbi u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill në prill, të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për vetëqeverisje.

Dhuna shpërtheu midis serbëve dhe forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, duke lënë pas vetes dhjetëra të plagosur

Diplomacia perëndimore kërkon uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

Serbia i ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian. Jemi të gatshëm të punojmë më tej për shtensionimin, por kjo nuk varet vetëm nga ne“, tha presidenti serb duke përmendur arrestimet e fundit të serbëve në Kosovë për të mbështetur pretendimin e tij për spastrim etnik, të cilin ai e përshkroi si “të planifikuar”, “të organizuar mirë” dhe të mbështetur nga “disa qarqe ndërkombëtare”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe uljes së pranisë së njësive të posaçme të policisë në veri, krahas vendosjes së sundimit të ligjit.

Presidenti serb tha sot se është duke shqyrtuar mundësinë e nënshkrimit të një vendimi për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të armëve dhe municioneve nga Serbia, meqë siç tha, “interesi jetik kombëtar i Serbisë është i kërcënuar”.

Serbia nuk po përgatitet për asnjë luftë, por është e gatshme të shpëtojë jetën e njerëzve të saj. Serbia është e gatshme të mbrojë veten nga të gjithë ata që do të mund të dëshironin të rrezikonin tërësinë, sovranitetin dhe jetën e qytetarëve tanë”, tha ai.

Presidenti serb foli një ditë pasi u takua me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, i cili vizitoi të dy vendet në një përpjekje për të qetësuar situatën dhe për të çuar përpara bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-a për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjithashtu këtë javë, kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut udhëtuan në Serbi dhe Kosovë, duke kërkuar uljen e tensioneve.

Vetëm katër muaj më parë, presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti u pajtuan për një plan të hartuar nga Bashkimi Evropian për t’u dhënë fund armiqësive dhe për të ndihmuar përmirësimin e marrëdhënieve, por tensionet kanë vazhduar dhe palët akuzuan njëra-tjetrën për nxitjen e tyre.

Tensionet kanë nxitur frikën për ripërtëritjen e konfliktit në rajon, ku gjatë viteve 1998 – 1999 u vranë mbi 10 mijë veta, pjesa më e madhe shqiptarë të Kosovës,. Lufta mori fund me ndërhyrjen e NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe.

voa

Hovenier: Presim që Kosova t’i përmbushë idealet e Deklaratës së Pavarësisë së saj

HovenierNë shënimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ambasadën amerikane në Prishtinë, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier e nisi fjalimin e tij duke cituar një pjesë të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

 

Në këtë pjesë të deklaratës thuhet se: “Kosova [shpallet] një Republikë demokratike, laike dhe multietnike, e udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”.

“Ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe bazë e pavarësisë së saj”, tha Hovenier.

Megjithatë, tha ai, “shpresoj se mund të pajtohemi që ndonjëherë Kosova nuk i ka përmbushur premtimet e këtyre idealeve”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës në konceptimin, dhe më pas realizimin e vizionit të pavarësisë së saj, dhe se do të mbeten të palëkundur për të vazhduar këtë mbështetje.

“Në këtë frymë dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës në avancimin dhe arritjen e vizionit të saj themelues: shtetin demokratik, sovran, laik, multietnik”, tha Hovenier.

Ambasadori theksioi se SHBA dhe partnerët perëndimorë mbështesin Kosovën duke ofruar këshilla, e edhe pse kërkojnë “gjëra që duken ose janë vërtet të vështira për t’u bërë”, por se këtë e bëjnë në përputhje me “përkushtimin afatgjatë për të mbështetur popullin e Kosovës dhe për t’iu afruar atyre idealeve shumë ambicioze që ata kanë krijuar për veten e tyre”.

“Kështu që sot, teksa ne festojmë 247 vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një shtet i lirë, sovran, i pavarur, ne gjithashtu duam të festojmë së bashku, pasi Kosova arriti pavarësinë e saj të merituar; përparimin e jashtëzakonshëm që populli i Kosovës ka bërë në këtë periudhë të shkurtë kohore, dhe premtimin për përparim të mëtejshëm në dobi të të gjithë popullit të Kosovës”, u shpreh ai.

Fjalimi i ambasadorit amerikan në këtë frymë, vjen në kohën kur raportet mes Kosovës dhe partnerëve të tjerë ndëkombëtarë janë në një pikë të ulët.

Kjo çarje ndodhi si pasojë e tensioneve në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe, që u shkaktuan kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja lokale.

 

rel