Studimi: Inteligjenca Artificiale ndihmon në diktimin e kancerit të gjirit

AIInteligjenca artificiale mund të përdoret në ekzaminimet e kancerit të gjirit për të përmirësuar diagnozën dhe për të lehtësuar ngarkesën e punës së radiologëve, sipas rezultateve të një prove klinike në Suedi. Por studiuesit thonë se rezultatet paraprake të studimit, të përfunduar në gusht, tregojnë se kjo teknologji nuk është ende gati të zëvendësojë mbikëqyrjen nga radiologët.

 

Në universitetin e Lundit në Suedi rreth një milionë gra në vit u nënshtrohen ekzaminimit mamografik, thonë drejtuesit e tij.

Imazhet me rreze X të gjirit më pas analizohen zakonisht nga dy radiologë për të parë nëse ka shenja të kancerit, një metodë e quajtur “leximi i dyfishtë” që kërkon kohë. Një radiolog mund të analizojë mesatarisht rreth 50 ekzaminime në orë.

Por a mund të ndihmojë teknologjia për të lehtësuar këtë ngarkesë pune?

Studiuesit në Suedinë jugore po vlerësojnë efektin e ekzaminimeve të mbështetura nga Inteligjenca Artificiale. Kjo është prova e parë e këtij lloji që krahason dy metodat e diagnostikimit.

“Së pari ne analizojmë ekzaminimet pa përdorur Inteligjencën Artificiale, duke shfrytëzuar avantazhet tona si mundësinë për të parë të gjithë imazhin. Pastaj përdorim pajisjen me Inteligjencë Artificiale dhe më pas mund të analizojmë shenjat në imazh”, thotë Kristina Lang, drejtuese e studimit dhe profesore e radiologjisë në Universitetin e Lundit.

Në provën klinike, e cila përfshiu mbi 80 mijë gra, studiuesit përdorën Inteligjencën Artificiale për të identifikuar ekzaminimet me një “rrezik të lartë” të kancerit të gjirit, të cilat më pas iu nënshtruan leximeve tradicionale të dyfishta nga radiologët.

Rezultatet e provës zbuluan se ekzaminimi i mamografisë nga Inteligjenca Artificiale rezultoi në një shkallë të ngjashme të zbulimit të kancerit me metodën standarde të leximit të dyfishtë nga radiologët.

Kjo pothuajse përgjysmoi ngarkesën e punës së mjekëve, leximi i të dhënave në ekran u reduktua me rreth 44 për qind.

Zonja Lang thotë se ky nivel i kursimit të kohës mund të jetë jetik, veçanërisht në zonat me mungesë personeli.

“Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme ka një mungesë të madhe mjekësh. Pra, këto algoritme të analizimit të të dhënave mund të bëjnë një ndryshim vërtet të madh në rajonet, ku nuk ka ekspertë”, thotë ajo.

Në Kopenhagë, në Danimarkën fqinje, Inteligjenca Artificiale në ekzaminimet e përditshme të mamografisë është përdorur që nga nëntori i vitit 2021. Rezultatet e studimit aty ishin aq mbresëlënëse, saqë mjekët danezë në maj të vitit 2022, lejuan përdorimin e Inteligjencës Artificiale për leximin e parë të mamografive të pacientëve me “rrezik të ulët”, rreth 70 për qind e të gjitha ekzaminimeve, të cilat më pas analizohen nga një radiolog me përvojë.

“Mendoj se është emocionuese sepse kemi mungesë mjekësh në të gjithë vendin, veçanërisht të radiologëve për mamografitë. Tani, ne kemi një mjet të vlefshëm për të lehtësuar punën e tyre”, thotë Dr. Ilse Vejborg, e cila mori pjesë në vendimin për të përdorur Inteligjencën Artificiale si një metodë për zbulimin e kancerit të gjirit në Kopenhagë.

Studiuesit suedezë thonë se hapi i tyre i ardhshëm është të mësojnë se cilat lloje kanceri u zbuluan me dhe pa mbështetjen e Inteligjencës Artificiale. 100 mijë gra janë regjistruar tashmë për këtë provë klinike.

Duhen studime të mëtejshme përpara se përdorimi i Inteligjencës Artificiale të bëhet i zakonshëm, por për pacientët si 82-vjeçarja Elisabeth Colin, teknologjia rrit shpresat se simptomat e kancerit mund të diktohen në fazat më të hershme.

“Shpresoj që do të jeni në gjendje të diktoni ndryshimet shumë më herët se tani, në mënyrë që njerëzit të mund të ndihmohen në një mënyrë tjetër”, thotë ajo.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 2.3 milionë gra u diagnostikuan me kancer të gjirit në vitin 2020 dhe 685 mijë vdiqën nga kjo sëmundje në mbarë botën.

voa

Si arrijnë disa njerëz t’i shpëtojnë trashëgimisë gjenetike të sëmundjes Alzheimer?

AlzheimerShkencëtarët po studiojnë se përse tek disa persona të lindur me mutacionin gjenetik që lidhet me Alzheimerin, nuk shfaqet kurrë kjo sëmundje. Studiuesit amerikanë janë përqëndruar tek genet e familjeve ku ka disa raste me Alzheimer, me shpresën për të mësuar përse mutacioni nuk ndikon tek të gjithë personat që e kanë atë në kodin e tyre gjenetik.

 

Doug Whitney trashëgoi të njëjtin mutacion gjenetik që i dha sëmundjen Alzheimer nënës së tij, vëllait dhe disa brezave të të afërmve të tij, zakonisht që në moshën 50-vjeçare.

“Gjyshërit e mi patën 14 fëmijë. Dhjetë prej tyre përfunduan me shfaqje të hershme të sëmundjes Alzheimer”, thotë zoti Whitney.

E megjithatë, ai është një 73-vjeçar i shëndetshëm dhe logjikën e ka ende të mprehtë. Ka arritur pra t’i shpëtojë fatit të tij gjenetik.

Kjo është diçka shumë e rrallë. Por në vazhdim studiuesit zbuluan një grua në Kolumbi, e cila i shpëtoi fatit të familjes së saj të prekur nga Alzheimeri për gati tre dekada, përpara se të vdiste nga kanceri.

Shkencëtarët mendojnë se këta persona që i shpëtuan sëmundjes nuk patën thjesht fat. Ata ofrojnë mundësinë e rrallë për të mësuar se si trupi mundet t’i rezistojë Alzheimerit në mënyrë të natyrshme.

“Janë shpesh individët unikalë ata që na mundësojnë zbulimet”, thotë Dr. Eric McDade, drejtues në Rrjetin për Alzheimerin e Trashëguar të Universitetit të Uashingtonit, ku po shqyrtohet ADN-ja e zotit Whitney për të gjetur një përgjigje.

Shpresa është se nëse shkencëtarët mund të zbulojnë dhe të imitojnë atë çfarë i mbron këta persona, atëherë ata mund të prodhojnë kura më të mira, madje edhe terapi parandaluese, jo vetëm për familjet e goditura nga Alzheimeri i trashëguar, por edhe për të gjithë të tjerët.

Tashmë shkencëtarët shpresojnë të krahasojnë të dhënat e edhe më shumë personave që i kanë shpëtuar Alzheimerit të trashëguar, persona që thjesht mund të kenë menduar se nuk e kanë patur mutacionin gjenetik të familjes së tyre, ngaqë kanë vazhduar të jenë të shëndetshëm shumë kohë pasi janë sëmurur të afërmit e tyre.

“A është kjo diçka tepër specifike për prejardhjen gjenetike të Doug-ut dhe për eksperiencat që ka patur në jetë, që mund të jenë unikale për të dhe ai thjesht pati fat të jashtëzakonshëm? Apo është diçka më mekanike, të cilën mund ta identifikojmë dhe të mund të themi se kjo është rruga që të mundësoi t’i rezistosh, megjithëse i ke mbartur gjurmët e sëmundjes prej kaq kohësh”, thotë zoti McDade.

Shkencëtarët po mbledhin të dhëna për gati 600 anëtarë familjesh me raste të shumta Alzheimeri. Ata madje ishin të parët që zbuluan se zoti Whitney ishte ndër personat që i shpëtoi fatit gjenetik.

Përgjigjet duhet të gjenden një orë e më parë. Brian, djali i zotit Whitney, gjithashtu ka të trashëguar genin e familjes.

Brian ka një vajzë, e cila do të përballet gjithashtu një ditë me pikëpyetjen nëse duhet të bëjë testin e saj gjenetik.

Për të mos pritur duarlidhur dhe me shpresën se mund të shpëtojë si babai i tij, Brian ka dalë vullnetar për testimin e një ilaçi eksperimental.

“Jam ngritur nga gjumi pasi kam parë makthe se mund të filloj të jem simptomatik, dhe jam ngritur duke qarë pasi kjo nuk është thjesht një ëndërr e keqe… Po e bëj këtë për vajzën time. Duhet ta bëj për të. Pra shpresa ime është se deri kur të bëhet 18 vjeçe dhe të bëjë testin e saj gjenetik, se deri atëherë do të ketë një përgjigje, se do të ketë shpresë për një lloj kure”, thotë Brian.

voa

Qelizat embrionale të njërit sy mund të shërojnë syrin e dëmtuar

syriPhil Durst pësoi një aksident në punë në vitin 2017, kur një kimikat nga një makinë komerciale që lan enët i ra në sy. Ai thotë se ishte dhimbja më e madhe që kishte përjetuar ndonjëherë në jetën e tij.

 

Në syrin e tij të majtë dallohen qartë shenjat e aksidentit të rëndë që i mori shikimin. Tjetër pasojë ishte se ai nuk mund ta toleronte dritën dhe përjetonte nga katër deri pesë dhimbje koke në ditë.

Më vonë ai iu nënshtrua një procedure eksperimentale që synon trajtimin e lëndimeve të rënda në njërin sy me qeliza embrionale, ose burimore nga syri tjetër.

“Nga një verbim i plotë me dhimbje të tmerrshme koke, të cilat më bënin të mendoja se nuk mund të jetohej më, më erdhi shikimi në një masë që mund ta ngisja makinën dhe të dilja nga errësira”, thotë ai ndërsa i bien lotët.

51-vjeçari nga qyteti Homewood i Alabamës, ishte një nga katër pacientët që iu nënshtruan transplantimit me qeliza embrionale pjesë e studimit të parë në Shtetet e Bashkuara për ta provuar këtë metodë mjekimi, e cila një ditë mund të ndihmojë mijëra njerëz.

Edhe pse në disa raste nevojitet trajtim shtesë, ekspertët thonë se transplanti me qeliza embrionale ofron shpresë për njerëzit me alternativa të pakta ose pa mundësi të tjera. Rezultatet e hulumtimit në fazën e hershme u botuan të premten në revistën “Science Advances” “Përparimet Shkencore” ndërsa vazhdon një studim më i gjerë.

Kjo procedure trajton “mungesën e qelizave formuese limbale”, një çrregullim i kornesë që mund të ndodhë pas djegieve kimike dhe lëndimeve të tjera të syrit.

Pacientët pa qeliza limbale, të cilat janë thelbësore për ripërtëritjen dhe ruajtjen e shtresës më të jashtme të kornesë, nuk mund t’i nënshtrohen transplanteve të kornesë që përdoren zakonisht për të përmirësuar shikimin.

Shkencëtarja Ula Jurkunas, mjeke për sytë në spitalin “ Mass Eye and Ear” në Boston është hulumtuesja kryesore e studimit. Në bazë të procesit, thotë ajo, merret një mostër e vogël e qelizave bazë apo embrionale nga syri i shëndoshë dhe rriten në laboratorin e Institutit të Kancerit Dana-Farber në Boston.

Disa javë më vonë, ato transplantohen në syrin e dëmtuar. Zoti Durst ishte pacienti i parë që iu nënshtrua procedurës.

“Gjëja krysore është se po përdorim indin e vetë pacientit”, tha mjekja Jurkunas, jo indet e donatorëve që mund të refuzohen nga trupi.

Ajo thotë se kjo metodë është më e mirë se procedura që kërkon marrjen e një pjese shumë të madhe të qelizave embrionale nga një sy i shëndetshëm për t’u përdorur në një sy të dëmtuar, çka rrezikon ta dëmtojë syrin e shëndoshë.

Zoti Durst i lëndoi të dy sytë në aksident. Shikimi i tij ishte aq i dobët sa gruaja dhe djali i tij e ndihmonin atë të lëvizte. Por syri i djathtë ishte më pak i dëmtuar dhe mund të ofronte qelizat bazë për të realizuar procedurën e transplantit.

Shkencëtarja Jurkunas, i cila është gjithashtu e lidhur me Shkollën Mjekësore të Harvardit, tha se operacioni i zotit Durst në vitin 2018 shënoi kulmin e pothuajse dy dekadave kërkimore.

Shtresa e kornesë së syrit u shërua tek të gjithë pacientët në studim. Zoti Durst dhe një pacient tjetër iu nënshtruan transplantimit me korne artificiale. Dy pacientë thanë se shikimi i tyre u përmirësua ndjeshëm vetëm nga transplantimi i qelizave embrionale. Një pacient i pestë nuk iu nënshtrua procedurës sepse qelizat e tij embrionale nuk ishin në gjendje të zgjeroheshin ashtu siç duhet.

Zoti Durst tha se shikimi me syrin e djathtë është pothuajse i përsosur, por në syrin e majtë është i turbullt. Ai do t’i nënshtrohet një procedure tjetër në shtator në syrin e majtë.

voa

Keqpërdorimi i religjionit dhe miqësisë

Ja si i klasifikon Lis Bukuroca:

Rrenat e mëdha

 

Rrena  e parë: “Me Turqinë kemi jetuar pesëqind vite!“

Rrena e dytë: “Perandoria, (Kalifati) Osman, nuk ishte pushtues!”

Rrena e tretë: “Shqiptarët kanë udhëhequr perandorinë dhe kishin 39 vezirë!”

Rrena e katërt: ”Në Turqi ka më shumë shqiptarë, sesa në Shqipëri.”

Rrena e pestë: “Skënderbeu nuk është heroi i im. Ai ka vrarë myslimanë!

 

Rrena  e parë: “Me Turqinë kemi jetuar pesëqind vjet!“

Shpjegim logjik i rrenës: rrenci në këtë rast nuk gënjen vetëm vetveten, por edhe ata që e lexojnë apo ata që e dëgjojnë. Gënjeshtari, që ka artikuluar i pari atë fjali dhe zëzmadhuesi i tij, vetmashtrohen. Ata që besojnë atë mendim, nuk kanë jetuar asnjë ditë me Turqinë. Shpirtërisht ndoshta, por jo fizikisht. As ne, as prindërit tanë, nuk kanë jetuar me Perandorinë. Mund të kenë gjalluar ndonjë vit gjyshërit, por asnjëri prej nesh! Vetëm ata që kanë lindur para vitit 1912 kanë jetuar bashkë me Perandorinë. Ata që kanë jetuar me Turqinë pesë shekuj, sot duhet të jenë diku 630 vjeç! Një njeri i tillë, nuk flet, nuk shkruan, por gjendet diku si skelet! Edhe pse, edhe ata skelete, pas vdekjes, nuk kanë mundur të jetojnë me Perandorinë.

 

Ai që thotë se ka jetuar me Turqinë pesë shekuj, duhet të ketë lindur në vitin 1468, menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut dhe në vitin 1912, do t’i kishte mbushur 444 vjet, kurse sot, në vitin 2018, do të bëhej 550 vjet! Vampirë të tillë, nuk kemi akoma!

 

Shpjegim racional i rrenës: artikulluesit i duhet një vetëbindje, për të dëshmuar vazhdimësinë dhe bashkëjetesën, ku osmanët ishin pushtues, shqiptari i pushtuar, pa asnjë të drejtë nacionale. Nëse pushtimi është bashkëjetesë, që prodhon nostalgji dhe obsesion për ta rikthyer, atëherë pushtimi romak, ka qenë më i gjatë! Atëherë do të shkaktonim një krizë kolektive, sepse kemi edhe shumë, të cilët do të dëshironin ta kthenin Romën, respektivisht Italinë, dhe një numër bukur i mirë, edhe Serbinë!

 

Rrena e dytë : “Perandoria turke, më vonë kalifati, nuk ishin pushtues!”

Nëse një njeri futet në shtëpi të huaj, është kriminel, nëse futen disa, janë një bandë kriminelësh,. Nëse një armatë lufton kundër popullit, që refuzonin ardhjen dhe praninë e huaj, atëherë ai quhet pushtim, skllavërim. Pushtim është kur popullit, që ka humbur luftën, nuk i lejohen të drejta elementare për të ruajtur dhe kultivuar kulturën e vet. Populli i pushtuar, nuk paguan tatime për shtetin e vet, por për pushtuesin. Meqenëse kultura shqiptare kishte arritur në pikën zero, kur u dëbua Perandoria, atëherë ai pushtim, ishte sa barbar, aq edhe primitiv, me regres kolektiv për disa shekuj: nuk na u lejuan as shkollat shqipe!

 

Rrena e tretë: “Ata janë vëllezër tanë!”

Në psikologjinë shqiptare njihet si vëlla vetëm njeriu nga gjaku apo nga fisi. Mendësia shqiptare nuk njeh dhe nuk do të njohë vëllazëri fetare të llojit oriental, ku edhe pse quhen vëllezër, nuk kanë raporte të mira në mes vete! Nëse ne kemi dy shtete shqiptare, arabët kanë 22! Kur një i huaj na quan vëlla, domethënë dëshiron të na futet në shtëpi me të mirë, jo me luftë. Atë vëlla imagjinar e sjell ndenja, bindja imperialiste: Ai beson se është ndër popujt e zgjedhur në botë dhe të tjerët, për të mirën e tyre, duhet asimiluar!

 

Vëllazëria shqiptare turke nuk ka ekzistuar kurrë, por është në krijim e sipër, sepse identiteti shqiptar, nuk mbrohet më në mënyrë zyrtare nga shteti, por politikanët shqiptarë, i janë shtrirë Endoganit para shputave, si qenë të vegjël të dëgjueshëm! Si bub!

 

Në Turqi ka më shumë shqiptarë, se në Shqipëri.

Rrenë e madhe! Në vitin 1999 kudo në botë ka pasur protesta në mbështetje të Kosovës. Në Turqi jo! Në Turqi mund të ketë shumë turq me origjinë shqiptare, por jo shqiptarë! Diku çdo i gjashti amerikan, ka origjinë gjermane, por ata nuk janë më gjermanë. Amerikanët me origjinë gjermane kanë luftuar kundër Hitlerit, edhe ata  turq me origjinë shqiptare, do të luftonin kundër nesh për të na bërë turq. Jo nga urrejtja, por nga dashuria, se duke na zhdukur si komb, sipas tyre, na dhurojnë parajsën.

 

Nëse ka disa milionë shqiptarë në Turqi, atëherë duhet akuzuar Turqinë në Strasburg për gjenocid kulturor, për trajtim fashist dhe asimilim të tyre! Ata nuk kanë asnjë të drejtë nacionale dhe kulturore. Nëse ti, diktator, na quan vëlla, por vëllezërve tanë të vërtetë u mohon çdo të drejtë njerëzore, çfarë turqve në Evropë, nuk u ndalohet, atëherë mos përmend më ekzistencën e tyre atje, sepse nuk ka. Sikur të kishte disa milionë shqiptarë në Turqi, do të protestonin për shkolla. Shqiptarët dinë të bëjnë protesta për arsim, por edhe kryengritje! Në Gjermani kërkon turqit ta ruajnë gjuhën, por në të njëjtën kohë, të gjitha pakicave, ua mohon në Turqi! Ti mohon vendimin e perëndisë. Ai ka mundur t’i lindë turq, sikur të kishte dëshiruar, jo të asimilohen me dhunë!

 

Shqiptarët kanë udhëhequr perandorinë dhe kishin 39 vezirë!

Jo shqiptarët, por shqiptarët e konvertuar dhe shqiptarët e asimiluar. Ata kanë shtypur kryengritje shqiptare dhe ata kanë respektuar dekretin, i cili ndalonte gjuhën e tyre amtare, radhazi, asnjëri nuk e ka kundërshtuar, mu si Rrahman Morina në Kosovë! Edhe kryetari amerikan Trump, është me origjinë gjermane, por askush nuk mburret me të. Ai nuk i shërben Gjermanisë, por Amerikës. Vezirët shqiptarë nuk i shërbenin Shqipërisë, por vetëm Turqisë!

 

Rrena e pestë: “Skënderbeu nuk është heroi i im. Ai ka vrarë myslimanë!

Këtu nuk do të humbet shumë kohë, sepse edhe sot, nëse do të na sulmonte një shtet mysliman, ne përsëri do të mbroheshim, edhe atë, pa i pyetur se cilën përrallë besojnë!

 

Ju mund të vazhdoni me rrena, por mos mendoni se dikush beson. Politikanët tanë nuk kanë guxim t’ ju pyesin, se si është e mundur që në Kosovë, disa mijëra turq, kanë të drejtën e gjuhës dhe arsimit, madje gjuha tyre është zyrtare, por jo nëntë milionë shqiptarë në Turqi? Si është e mundur sulltan Erdogan, të pohosh se atje ka më shumë shqiptarë se në Shqipëri, por edhe pse na quan popull vëlla, ndalon kulturën dhe gjuhën shqiptare! Një shtet që shtyp pakicat e veta, nuk ka fytyrë dhe kredibilitet të angazhohet për çështjen palestineze, sepse ti e bën, pikërisht atë, që bën Izareli! Ti e din këtë, por të duhen parulla popullsitë, sa për sy e faqe, se gjoja po ndihmon. Ti e din shumë mirë, se si mund të ndihmohet Palestina!

 

Në fund një citat nga memoari numër 110 i Reisul Ulema efendi Sulejman Rexhepit, kryetarit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë:

 

“Në një takim të liderëve fetarë nga Europa Juglindore, të organizuar nga Dijaneti i Turqisë, larg mjeteve të informimit dhe në një konfidencë shumë të rreptë na e zbërthyen një projekt që e kishte qeveria e Eroganit. Kthimin e perandorisë Osmane në këto treva, por në mënyrë më të kulturuar. E vetmja portë për kthimin e kësaj Perandorie na paskan qenë Bashkësitë Islame.

Ua kuptova hilen menjëherë! Liderët fetarë më të dobët, e pranuam me gjithë qejf një propozim të tillë. E pranoi edhe djaloshi i sapoemërtuar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, pastaj e pranoi edhe Naim Tërnava, Zukorliqi i Sanxhakut, ai i Bosnjës e pranoi me të dy duar, po ashtu edhe ai i Bullgarisë, i Rumunisë etj.”

 

Lis Bukuroca

IRL: “Prokurorët e refuzuan ekspertizën gjermane si të pakuptimtë”

Spitali-Modular_tetoveProkurorët kërkuan që gjykata e Tetovës t’i refuzojë ekspertët gjermanë si dëshmitarë me arsyetimin se ekspertiza gjermane ishte “i parëndësishme” për këtë rast. Ata vetë e kanë prezantuar aktekspertimin si provë, pa shpjeguar se për çfarë bëhet fjalë për provat dhe më pas kërkojnë që të mos diskutohet.

 

Në regjistrimin audio të seancës gjyqësore, prokurorët Zorica Pavloviq dhe Dejan Petreski nga Prokuroria e Shkupit refuzojnë kërkesën për seancë dhe dëshminë e ekspertit gjerman dhe sigurojnë mbrojtjen se qëllimi i tyre është vetëm zvarritja e gjykimit, transmeton TS.mk.

Prokuroria Publike e Republikës lëshoi ​​një demant publik për IRL duke pretenduar se gazetarët gënjejnë se ekspertiza gjermane nuk ishte ofruar si provë në procedurë. Po ashtu, në njoftimin publik të shpërndarë më 14 gusht 2023 pas transmetimit të dokumentarit hulumtues “Vrasja në Tetovë”, po ashtu thuhet se ekspertiza gjermane praktikisht ka vërtetuar se kush është fajtori për aksidentin, duke aluduar për lidhjen nga kabllot.

“Pretendimet se ekspertiza e ekspertëve gjermanë nuk është paraqitur si provë në procedurë gjyqësore janë absolutisht të pavërteta. Ekspertiza zyrtare nga Instituti Kriminalistik i Shërbimit Penal Federal dhe laboratori nga Gjermania është pjesë përbërëse e materialit dëshmues. Ajo iu është dorëzuar në mënyrë të rregullt palëve në procedurë, bashkëngjitur me aktakuzën dhe gjatë gjykimit është paraqitur publikisht si provë para Gjykatës. Seancat gjyqësore për këtë rast kanë qenë të hapura për publikun, andaj paraqitja e gënjeshtrave të tilla është tërësisht tendencioze”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.

Nga zyra e Joveskit theksohet se e gjithë kjo është e dukshme për të gjithë ata që kanë përcjellë seancat. Ekipi i IRL-së e ka përcjellë gjykimin në Tetovë dhe ka marrë të gjitha transkriptet gjyqësore dhe audio incizimet e seancave dhe këto kanë qenë bazë që dokumentari i IRL-së të argumentojë se kjo ekspertizë nuk është marrë parasysh. Pikërisht për këtë pretendim të IRL-së ka reaguar ashpër në demantin e tij prokurori i shtetit Joveski.

Seanca ku u diskutua nëse ekspertiza gjermane duhet pranuar si provë është mbajtur më 02.03.2023 në Tetovë. Atë ditë në sallën e gjyqit Joveski i përfaqësoi dy prokurorët e prokurorisë së Shkupit, Zorica Pavloviq dhe Dejan Petreski.

IRL ka transkript dhe audio incizim të gjykimit, kur avokatët mbrojtës kërkojnë që në sallën e gjyqit të thirret eksperti mjeko-ligjor nga policia gjermane, i cili ka kryer kontrollin dhe ka përgatitur ekspertizën e dorëzuar nga autoritetet hetuese maqedonase.

Në procedurë gjyqësore nuk janë paraqitur as konstatimet e ekspertëve të mjekësisë ligjore nga policia gjermane. Dhe, në fakt, është një nga ekspertizat kyçe, përveç atij të ekspertit elektrik, që vë në dukje marrëdhëniet shkak-pasojë të zjarrit dhe përhapjes së tij të shpejtë, përcjell TS.

Ekspertët gjermanë shprehen qartë në përfundimet e tyre se materialet dhe vetë ndërtesa ishin problematike dhe lejuan që zjarri të përhapej me shpejtësi. Ata theksojnë se prania e një sasie të madhe oksigjeni në kombinim me poliuretani ose panelet pur-nga të cilat është ndërtuar. Më pas, fakti që në spital nuk kishte barriera kundër zjarrit që do të kishin penguar përhapjen e mëtejshme të zjarrit, ose të paktën do ta vështirësonin atë, që mbi të gjitha është një detyrim ligjor për t’u instaluar sipas standardeve të sigurisë.

Dhe së fundi, si arsye tregohet edhe ndërtimi i hapur i ndërtesës në papafingo, ku gazi i dëmshëm mund të përzihet me oksigjen dhe të përhapet kudo në një kohë shumë të shpejtë. Kjo është edhe arsyeja që spitali u dogj deri në themel në një kohë kaq të shkurtër.

Prokurorët në asnjërën nga seancat nuk lejuan pyetje për arsyet që çuan në përhapjen e shpejtë të zjarrit, pasi ato rrethana nuk ishin objekt i aktakuzës. Gjyqtari Jordan Velkovski i pranoi të gjitha kundërshtimet, sepse siç ka theksuar disa herë se gjykimi ka të bëjë me krime të tjera, përkatësisht mosveprim sipas rregullave shëndetësore. ts

Historia e këngës ‘Moj e bukura more’, për herë të parë e dokumentuar më 1708

moj e bukura more Kënga “Moj e bukura more” cilësohet si një himn i emigrimeve, i dhimbjes dhe i mallit të të larguarve nga vendi amë dhe është ndër këngët arbëreshe të interpretuara më shpesh.

 

Dokumenti i këngës arbëreshe “Moj e bukura more” për herë të parë gjendet në dorëshkrimin e Kieutit, botim i vitit 1708, më pas këtë material do ta ribotonte në librin e tij filologu arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), në vitin 1866.

Në këtë dokument është publikuar teksti i kësaj kënge shkruar në shqip, por me alfabet grek.

Botim i këtij libri u realizua në Itali në vitin 1866 nga shtëpia botuese “F. ALBERGUETI E.C.”, i cili mban si titull: “Appendice al Saggio di Grammatologia Comprata Sulla Lingua Albanese” (Shtojcë e esesë së gramatikës e blerë në gjuhën shqipe) përgatitur me shumë kujdes nga filologu arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), duke pasur për bazë dorëshkrimin e Kieutit (1708).

Papa Piu II i shkruante Dukës së Burgonjës, Filipit: “Nuk mund t’i shohë njeriu pa derdhur lot këta refugjatë nëpër limanet e Italisë të uritur e të zhveshur, të shpërngulur nga vatrat e tyre që rrinë anës detit e ngrenë në qiell duart. Qajnë e vajtojnë në një gjuhë që s’ua marrim dot vesh.”

 

Sipas G. Schirò di Maggio, “O e Bukura More, përpara se t’i nënshtrohej ripunimit ideologjik të romantizmit të vonë, ishte pjesë e këngëve të festave të lashta të atdheut” dhe u interpretua, veçanërisht nga Arbereshët e Siçilisë, me rastin e disa festimeve rituale.

Në Palazzo Adriano u këndua në Malin e Trëndafilave në fund të pranverës, çdo vit në qershor, në të njëjtën periudhë në Mezzojuso u këndua në majë të një prej maleve me pamje nga qyteti, në Contessa Entellina u interpretua në majë të malit me pamje nga Santa Maria del Bosco dhe në Horën e Arbëreshëve, më në fund, në ditët e Rrëshajëve, në rrëzë të malit Pizzuta. Për faktin se kënga u interpretua nga maja e një mali përballë Lindjes, në një periudhë e cila nuk shkon para Pashkëve dhe përtej fundit të pranverës, si dhe për faktin se teksti i dedikohet të afërmve më të ngushtë të varrosur në vendlindjen e braktisur.

 

“Moj e bukura More

si të lash e më ngë të pash

Si të lash, si të lash

siç të gjeta ngë të lash

Atje kam unë zotin At

atje kam unë zonjën Mëmë

atje kam dhe tim vëlla

gjithë mbuluar

të gjithë mbuluar

të gjithë mbuluar nën dhe

Ah e bukura More”.

 

diapsorashqiptare

Sot në Tetovë protesta për zjarrin në Spitalin Modular

protesteSot në ora 12 para Gjykatës Themelore në Tetovë do të mbahet protestë për drejtësi dhe përcaktim të përgjegjësisë për zjarrin në spitalin modular në Tetovë në të cilin dy vite më parë u dogjën 14 persona.

Familjarët e të vdekurve dhe qytetarët e Tetovës u organizuan për protestën e sotme nëpërmjet rrjeteve sociale, të nxitur nga përmbajtja e filmit dokumentar të Laboratorit të Gazetarëve Hulumtues me titull “Vrasja në Tetovë”.

IRL rindërtoi rastin, ndau dokumente dhe dëshmi, publikoi detaje për tenderin për ndërtimin e spitaleve modulare, për dyshimet se nga çfarë materialesh ishin bërë ato objekte, për dyshimet për ndërtimin e papërshtatshëm dhe instalimin e keq elektrik.

Për këtë rast ka pasur aktakuzë dhe aktgjykim. Prokurori ka ndjekur penalisht dy ish-drejtorët e spitalit të Tetovës dhe mjekun përgjegjës të objektit modular. Por jo për shkaqet e zjarrit, për mbrojtjen nga zjarri në godinë.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po kryen një tjetër hetim, i cili ka të bëjë me mënyrën se si është zhvilluar tenderi për ndërtimin e të gjitha objekteve modulare, nëse janë inkorporuar të gjitha materialet e përcaktuara në specifikacionin teknik dhe si ka qenë performanca. Rasti është nën hetim prej disa muajsh.

Nervozizëm në Prishtinë për mos heqjen e masave ndaj Kosovës

kuvendiNë Kosovë nuk ka mirëkuptim për hezitimin e BE-së në heqjen e masave ndaj Kosovës, kur ky vend i ka pranuar kushtet e unionit. Sipas analistëve, BE duhet pjesërisht të kishte hequr masat kundër Kosovës.

Prishtina zyrtare vazhdon t’i cilësojë të padrejta masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i vendosi Kosovës për shkak të siç thuhet “paaftësisë së qeverisë për të vepruar në mënyrë evropiane”, në raport me situatën në veri. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret që partnerët e BE-së të bëjnë tërheqjen e këtyre masave, pasi sipas saj, “institucionet janë duke e respektuar marrëveshjen e arritur në Bratislavë për deeskalim të situatës në veri”.

Osmani kërkon të ushtrohet presion ndaj Vuçiqit

“Tashmë ka reduktim të forcave policore në përputhje me marrëveshjen, e që kërkon konsultim edhe me EULEX-in edhe me misionin e NATO-s këtu. Është duke u krijuar baza ligjore për zgjedhje të jashtëzakonshme në këto komuna veriore. Të gjitha këto kanë qenë pjesë e marrëveshjes së Bratislavës. Tani presim që hapat t’i marrin partnerët tanë në Bashkimin Evropian, sepse, masat e tyre kanë qenë komplet disproporcionale me  çfarëdo pakënaqësie që mund të kenë pasur në raport me veprimet e Qeverisë së Kosovës”, tha presidentja Osmani. Me një dozë nervozizmi, Presidentja tha se “e ka përshtypjen se shumë shtete e kanë trajtuar Kosovën sikurse ta pushtonte dikë”.

“Kosova nuk e ka pushtuar asnjë territor të shtetit fqinj, Kosova ka vepruar në territorin e Republikës së saj, Republikë sovrane e cila është njohur nga shumica dërrmuese e shteteve të Bashkimit Evropian. Si presidente e vendit natyrisht kërkoj  çdo ditë të ketë koordinim me aleatët dhe partnerët tanë, sepse çështjet e sigurisë janë tema kolektive dhe jo individuale”, tha Presidentja Osmani. Ajo kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të bëjë presion mbi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’i dhënë fund “ndikimit negativ ndaj qytetarëve serbë në veri të Kosovës”.

Bashkimi Evropian po kërkon nga qeveria e Kosovës veprime shtesë në drejtim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës. BE po ashtu është e gatshme të vendosë masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë, nëse ajo nuk ndërmerr veprime të kërkuara nga unioni. Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, ka thënë se masat ndëshkuese të vëna ndaj Kosovës janë masa të kthyeshme dhe kjo varet nga Prishtina por edhe nga Beogradi se si i qasen shtensionimit të situatës dhe kthimit në proces normal të dialogut.

Rraci: Hezitimi i BE – i pakuptueshëm

Për njohësit e zhvillimeve politike është i pakuptueshëm aktualisht hezitimi i BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi ajo i ka ndërmarrë veprimet e kërkuara nga vet  BE-ja. Gazmir Rraci, analist politik  i tha DW-së, se “Kosova i tha po propozimit të Bratislavës për shtensionimin e situatës në veri dhe në kohë reale përsëri përmbushi obligimet e dalura nga plani 4 pikësh”.  “Nuk e kuptoj hezitimin e ndërmjetësve për t’i hequr ato masa të njëanshme që ju vendosen Kosovës edhe pse kur janë vendosur është thënë që në momentin që pranohet propozimi, ato mund të hiqen. Kosova është partnere serioze e perëndimit dhe se nuk ka aleancë tjetër përpos me atë euroatlantike. Nuk ka alternativë të dytë dhe nuk bën pazare me fuqi të tjera destruktive në botë siç po e bën Serbia, ku së fundi ka blerë armë edhe nga Irani e s’po flas edhe për blerjet e mëhershme nga Kina e Rusia në kohën kur ajo, Serbia, është kandidate potenciale për t’u bërë anëtare e BE-se”, shprehet Gazmir Rraci.

Sipas Rracit letra e kongresistëve dhe parlamentarëve amerikanë dhe evropianë që iu dërgua Josep Borrellit dhe Sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, “po ashtu flet për këtë lloj trajtimi jo të duhur nga ana e BE-së ndaj Kosovës në raport me Serbinë. “Është koha që Gjermania dhe Franca së bashku me SHBA-të të kenë rol aktiv në zbatimin e plotë dhe pakushte të planit franko-gjerman dhe aneksit të Ohrit”, thotë Rraci.

 

Burjani: BE duhet pjesërisht të kishte hequr masat kundër Kosovës

Edhe një njohës tjetër i zhvillimeve politike, Blerim Burjani, i tha DW-së, se Kosova ka bërë hapat e parë në drejtim të shtensionimit të gjendjes në veri, por ato nuk po i duken të mjaftueshme BE-së. “Kjo nuk mjafton pa  shpalljen e zgjedhjeve për katër komunat veriore, dhe për të hequr dorë nga politika e qeverisë jo e qartë dhe siç po perceptohet jo e sinqertë me partnerët ndërkombëtarë. Politika e Kurtit po perceptohet nga disa shtete të BE-së si humbje e besimit, ky është problemi kryesor që BE-ja po heziton të heqë masat administrative, financiare, ekonomike dhe investive ndaj Kosovës. BE-ja ishte dashur së paku pjesërisht të largojë masat e ndërmarra kundër  Kosovës”, thotë analisti Burjani.

Sipas tij, reagimi i BE duhet të jetë proporcional në heqjen e masave, sikundër që duhet përmirësuar edhe sjellja e qeverisë së Kosovës dhe përmirësimi i gabimeve të saj në raport me BE-në. “Kjo Qeveri duhet të jetë jashtëzakonisht e matur me vendime apo gjuhë politike që tingëllon jo adekuate dhe jo proporcionale me politikën e BE-së. Tash korrigjimi i sjelljes politike  është me i vështirë për të rikthyer besimin para gjendjes së krijuar në veri. Letra e disa deputetëve dhe  zyrtarëve të shteteve perëndimore mund të ndikojë në zbutjen dhe edhe heqjen e këtyre masave ndaj Kosovës. Çdo politikë dhe vendim jo proporcional me politikën e BE-së dhe SHBA-së, mund të rezultojë negative për palët. Pra, as Serbia nuk do të jetë më e ledhatuar nga perëndimi”, thotë analisti Burjani.

“Edhe Serbia mund t’i nënshtrohet masave sanksionuese nëse nuk tregon sinqeritet dhe rol aktiv në shtensionimin e gjendjes në veri, pra duhet të inkurajojë serbët kosovar të marrin pjesë në zgjedhjet në veri”, thotë Burjani.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, dhe Mitrovicë e veriut, po kërkohen me ngulm nga komuniteti ndërkombëtar si një nga kushtet kryesore për shtensionim të situatës në veri. Përderisa nuk ndodh kjo, si duket Bashkimi Evropian do të mbajë masat ndëshkuese ndaj Kosovës që përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale. Sipas qeverisë në Prishtinë është çështje ditësh kur do të përfundojë baza ligjore sa i përket afateve dhe procedurave lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.

dw

Si ndikojnë dhe përfitimet nga kremrat kundër diellit

krem kunder diellitNuk ka një kohëzgjatje të caktuar për sa kohë një krem kundër diellit të mbron nga rrezet e dëmshme. Por dermatologët këshillojnë që çdo njeri duhet të përdor krem kundër diellit për të parandaluar, siç thonë ata, plakjen e parakohëshme të lëkurës, si dhe për të parandaluar llojet e ndryshme të kancerit të lëkurës.

 

Ndërsa temperaturat po shënojnë nivele rekord, dermatologët theksojnë se përdorimi i kremrave kundër diellit, është gjithnjë e më i rëndësishëm.

Ka një mori produktesh që mbrojnë lëkurën tonë nga pasojat e dëmshme të diellit. Kremi i diellit, thonë dermatologët, vepron si një shtresë mbrojtëse për lëkurën, duke mos lejuar që rrezatimi ultravjollcë të depërtojë në lëkurë dhe përmes qelizave të shkaktojë dëme në ADN dhe të prishë strukturën aktuale të vetë lëkurës.

Janë disa lloje të ndryshme rrezesh ultravjollcë, që depërtojnë në lëkurë, në forma të ndryshme. Ato ndikojnë në procesin e plakjes së lëkurës, por më e rënda, mund të shaktojnë lloje të ndryshme të kancerit të lëkurës.

Mjekët janë të shqetësuar nga dy lloje të rrezatimit ultjaviolet: UV-A dhe UV-B.

“Pra, ekziston rrezatimi ultraviolet A, ka pak rrezik për kancer, por lidhet më shumë me plakjen. Ndikmi kryesor është tek rrudhat, është i lidhur me zbehjen e lëkurës, është i lidhur me pigmentin, lidhet me enët e gjakut duke i bërë më të dukshme në sipërfaqe, pra përshpejton plakjen e lëkurës”, thotë dermatologia Emma Craythorne..

Rreziku më i madh vjen nga rrezet UV-B, që mund të shkaktojnë kancer.

“Rrezet, UVB, hyjnë drejpërdrejt në ADN-në e lëkurës dhe dëmtojnë bërthamën e qelizave së lëkurës. Trupi i njeriut është shumë i zgjuar, sepse e riparon dëmin. Por ekspozimi i përsëritur dhe dëmtimi i përsëritur do të krijonte shumë mutacione. Dhe kur ka shumë mutacione brenda një qelize, atëherë shndërrohet në kancer të lëkurës”, thotë dermatologia Emma Craythorne.

Sipas dermatologes kremrat kundër diellit mund të ndahen përafërsisht në dy kategori: krem mbrojtës kimik dhe krem mbrojtës fizik.

Kremrat fizikë, që kanë në përbërje bazë minerale, si dioksid titani dhe oksid zinku, shërbejnë për të bllokuar rrezet ultraviolet, duke shërbyer si pasqyra që i thyejnë dhe reflektojnë mbrapsht rrezet e diellit.

Ndërsa kremrat kimikë thithin dhe shpërndajnë rrezet ultraviolet të diellit, duke e shndërruar energjinë e dritës në nxehtësi. Por nxehtësia që çlirohet është kaq e vogël, sa nuk mund të kapet as me aparatura.

Vende të ndryshme kanë rregulla të ndryshme se cilat kimikate lejojnë. Doktoreshë Emma po ashtu këshillon se mbrojtja që ofron çdo krem kundër diellit varet nga kohëzgjatja e ekspozimit ndaj diellit.

“Ju si konsumator mund të keni blerë një krem që ka si faktor mbrojtjeje 30 ose 50 (SFP). Këto shifra tregojnë se kremi ju mbron nga ana e djegies, pra rrezet UVB. Nuk tregon se sa shumë ju mbron nga rrezet UVA. Dhe për ta zbuluar këtë, është pak më e ndërlikuar”, thotë dermatologia Emma Craythorne.

Doktoresha këshillon se çdo njeri duhet të lexojë të dhënat e produktit për të parë nëse ofron mbrojtje afatgjatë. Po ashtu, sipas saj, çdo njeri mund të qëndrojë jo më shumë se 30 minuta në diell, pa shkaktuar djegie nga dielli dhe këshillohen orët e mëngjesit, ose orë e pasdites vonë.

voa

McGonigal pranon fajësinë, punoi për oligarkun rus në shkelje të sanksioneve amerikane

McGonogalIsh-agjent i FBI-së, Charles McGonigal, pranoi para një gjykate në Nju Jork të martën se kishte punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska, në shkelje të sanksioneve amerikane.

 

Ish-agjenti i kundërzbulimit të FBI-së e pranoi fajin për një akuzë në këmbim të tërheqjes së akuzave të tjera.

Ish-agjenti McGonigal, i cili jeton në Nju Jork, është akuzuar veçmas në një gjykatë federale në Uashington për fshehjen e të paktën 225,000 dollarëve, që dyshohet se ka marrë nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar ndërsa punonte për FBI-në.

 

Në janar, prokurorët e akuzuan ish-agjentin special Charles McGonigal, i cili drejtonte divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork përpara se të dilte në pension në vitin 2018, se ishte paguar fshehurazi nga oligarku rus Deripaska në këmbim të hetimit të një biznesmeni rival. Ai akuzohet se punoi për të hequr sanksionet kundër oligarkut Deripaska në vitin 2019, qëllim që nuk u arrit.

Në atë kohë, ish-agjenti McGonigal nuk e pranoi fajësinë përballë katër akuzave penale, përfshirë akuzat për pastrim parashë dhe shkeljen e sanksioneve.

Zoti McGonigal, 55 vjeç, tha në gjykatën federale në Manhattan të martën se ai kishte punuar për oligarkun Deripaska midis pranverës dhe vjeshtës së vitit 2021 për të gjetur informacione negative për rivalin Vladimir Potanin, në një përpjekje për ta vendosur atë në listën e sanksioneve amerikane.

Ish-agjenti i FBI-së u pagua 17,500 dollarë, të transferua nga Rusia përmes llogarive në Qipro dhe Nju Xhersi, në një përpjekje për të maskuar burimin e pagesave, tha ai.

Zoti McGonigal i tha gjykatës se ishte “thellësisht i penduar” për veprimet e tij. Avokati i tij, Seth DuCharme, u tha gazetarëve pas seancës se klienti i tij ishte trajtuar në mënyrë të drejtë.

Akuza për konspiracion parashikon një dënim maksimal prej 5 vitesh burg. Gjyqtarja Jennifer Rearden ka në plan të shpall dënimin për zotin McGonigal më 14 dhjetor.

 

voa