Partia Popullore Europiane miraton rezolutën që kërkon lirimin e Belerit, reagon Rama

EdiAsambleja e Partisë Popullore Europiane ka miratuar këtë të martë një rezolutë, të propozuar nga partia greke pjesë e këtij grupimi politik në BE, Nea Dimokratia, ku flitet për sundimin e ligjit në Shqipëri, veçanërisht për rastin e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, të burgosur për korrupsion zgjedhor.

“I bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe të vijojnë me ceremoninë e betimit të kryebashkiakut të zgjedhur”, tha Thanasis Bakolas, sekretar i përgjithshëm i Partive Popullore Europiane.

 

Dënojmë me forcë veprimet e qeverisë shqiptare kundër një kryebashkiaku të zgjedhur nga një minoritet dhe ndërhyrjen e tij të drejtpërdrejtë në proceset zgjedhore, që bien ndesh me vlerat europiane.

Thekson se mungesa e flagrante e respektimit të sundimit të ligjit, të drejtave themelore, të drejtave të minoritetit grek dhe, mbi të gjitha, ligjeve të unionit, krijon një hendek politik mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Nënvizojmë se asnjë shtet që kërkon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian nuk duhet të veprojë në këtë mënyrë.

Pjesë e rezolutës të PPE për Belerin

 

Për këtë rezolutë reagoi edhe kryeministri Edi Rama. “Interesante! “I bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare”! Një thirrje pa specifikuar se cilave autoritete dhe, me siguri, pa u informuar se problemi në këtë çështje nuk është rezultati i zgjedhjeve, por vendimi i gjykatave, që e kanë refuzuar këtë kërkesë”, shkruan Rama në “X”.

“Përdora “me siguri” sepse do të ishte vërtet shokuese që e madhja Parti Popullore Europiane të kalonte një rezolutë të titulluar “Sundimi i ligjit” që bën thirrje për një vendimmarrje të ndryshme na ajo e Prokurorit Special kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatës Speciale më të njëjtin emër. Këto institucione u ngritën me mbështetje të plotë të BE-së dhe SHBA-së dhe ndihmohen nga afër nga SHBA e BE në punën e tyre mbresëlënëse kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Rama shprehet i gatshëm t’i japë këtij grupimi informacionin e nevojshëm rreth çështjes. “Çështjet e nivelit të lartë hetohen plotësisht, pavarësisht përkatësive politike dhe kjo sinjalizon fundin e një periudhe të gjatë pandëshkueshmërie”, shkruan Rama.

Nga PPE rezolutë për Belerin, Rama: Të painformuar

 

Greqia vijon trysninë ndaj Shqipërisë për rastin e kryebashiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i cili ndodhet në paraburgim, në pritje të gjykimit, nën akuzat për shitblerje votash.

 

Partia NeaDemokratia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, e ka ngritur këtë çështje në asamblenë e Partive Popullore europiane (grupimi i forcave të djathta) ku është miratuar dhe një rezolutë mbi Shtetin ligjor në Shqipëri, e cila trajton rastin e Fredi Belerit. Sipas një postimi në rrjetin social X, Partitë popullore europiane i bëjnë “thirrje autoriteteve shqiptare që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve në Himarë dhe të vijojnë procedurat për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur”.

Njoftimit i është kundërpërgjigjur, po në rrjetin social X, kryeministri Edi Rama. Jo pa ironi, zoti Rama shkruan: “Interesante! “Ne i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare”… Një thirrje pa specifikuar se për cilat autoritete dhe, me siguri, pa qenë të informuar se në këtë rast problemi nuk është rezultati i zgjedhjeve, por i gjykatave, të cilat e kanë refuzuar një kërkesë të tillë”.

Kryeministri shjegon më tej se është i bindur se bëhet fjalë për mungesë informacioni, pasi në të kundërt sipas tij “do të ishte vërtetë shqetësuese nëse Partia e madhe Popullore Europiane do të kalonte një rezolutë me titullin “Sundimi i Ligjit” për të kërkuar një rezultat tjetër nga ai që është vendosur nga Prokuroria Speciale për Korrupsionin e Krimin e Organizuar dhe Gjykatat Speciale me të njëjtën emër”. Zoti Rama vë në dukje më tej, se “këto institucione u themeluan me mbështetje të plotë nga BE-ja dhe SHBA-të, dhe ndihmohen ngushtësisht nga SHBA-të dhe BE-ja në punën e tyre deri këtu mbresëlënëse kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Kryeministri shqiptar shprehet i gatshëm që “nëse është e nevojshme, të sigurojmë udhëheqjen e lartë të PPE-së me informacion mbi këtë çështje në çdo format dhe në çdo kohë”.

Autoritetet më të larta greke po kërkojnë me këmbëngulje që zotit Beleri, t’i jepet mundësia që të bëjë betimin, për të përmbyllur kështu të gjithë procesin e njohjes së tij si kryetar i Bashkisë së Himarës, shoqëruar me kërcënimet për bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Madje dy javë më parë, kryeministri grek, shmangu haptazi një ftesë për zotin Rama në një darkë informale në Athinë me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit, të organizuar më rastin e përvjetorin të samitit të Selanikut në vitin 2003, i cili pati në fokus pikërisht zgjerimin me shtetet e rajonit.

Zoti Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Një arrestim të cilin Athina e konsideron si të motivuar politikisht duke kërkuar dhe lirimin e tij. Por kryeministri Rama e ka bërë të qartë se kjo është një çështje që i përket Drejtësisë dhe se ai nuk mund të pranojë asnjë ndërhyrje ndaj saj. “Asnjë lloj interference, ngado që të vijë mbi sistemin e drejtësisë, nuk do të gjejë, jo përkrahjen, por nuk do të gjejë as mirëkuptimin tonë. Ne nuk ndërhyjmë në çështjet e sistemit të drejtësisë. Ne nuk i komentojmë vendimet e organeve të reja të drejtësisë”, deklaroi pak ditë më parë kreu i Qeverisë shqiptare.

 

Britania e Madhe do ta shpallë grupin rus Wagner – organizatë terroriste

WagnerGrupi mercenar rus Wagner do të cilësohet si një organizatë terroriste nga qeveria britanike, tha të mërkurën ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, duke e bërë të paligjshëm anëtarësimin ose mbështetjen e grupit.

 

Ministria tha në një deklaratë se një dokument që do të dërgohet në parlament do të lejojë që pasuritë e Wagnerit të kategorizohen si prona terroriste dhe të konfiskohen.

Ministrja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman e përshkroi Grupin Wagner si “të dhunshëm dhe shkatërrues”, duke shtuar se ai “veproi si një mjet ushtarak i Rusisë së Vladimir Putinit jashtë shtetit”.

Gjithandej Ukrainës, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, Wagneri është përfshirë në plaçkitje, tortura dhe “vrasje barbare”, thuhet në deklaratë, në të cilën grupi cilësohet një kërcënim për sigurinë globale.

Urdhri pritet të hyjë në fuqi më 13 shtator dhe pas asaj date t’i përkasësh ose të promovosh grupin, të organizosh ose të flasësh në takimet e tij dhe të mbash logon e tij në publik, do të cilësohet vepër penale e dënueshme deri në 14 vjet heqje lirie.

David Lammy, shefi i politikës së jashtme të Partisë Laburiste të opozitës, tha se masa ishte “e vonuar”.

“Tani qeveria duhet të bëjë trysni për një Gjykatë të Posaçme për të ndjekur penalisht (Vladimir) Putinin për krimin e tij të agresionit,” tha ai në rrjetin X, i njohur më parë si Twitter.

Grupi mercenar Wagner ka operuar në Siri, Libi dhe një numër vendesh në të gjithë Afrikën veriore dhe perëndimore. Ai rekrutoi mijëra të dënuar nga burgjet ruse për të luftuar në Ukrainë.

Në qershor të këtij viti grupi filloi një kryengritje të shkurtër në Rusi, që u dënua si tradhti nga presidenti Vladimir Putin, dhe më 23 gusht, shefi i tij Yevgeny Prigozhin dhe udhëheqësit kryesorë u vranë kur avioni më të cilin po udhëtonin u rrëzua.

Britania sanksionoi Prigozhinin në vitin 2020, grupin Wagner në tërësi në mars të vitit 2022 dhe në korrik të këtij viti sanksionoi individë dhe biznese që kishin lidhje me grupin në Republikën e Afrikës Qendrore, në Mali dhe në Sudan.

Ligjvënësit në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit kërkuan në muajin korrik sanksione më të shënjestruara mbi atë që u tha se ishte një “rrjet entitetesh” nën grupin Wagner.

voa

Kosova publikon dokumentin që i hap rrugë zgjedhjeve në veri

veriuPublikimi i Udhëzimit Administrativ që u mundëson qytetarëve serbë përmes peticionit të shkarkojnë kryetarët shqiptarë në veri, vjen vetëm disa ditë para takimit të 14 shtatorit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.

 

Qeveria e Kosovës publikoi Udhëzimin Administrativ, dokumentin që i hap rrugë shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe. Udhëzimi mundëson një peticion të qytetarëve, përmes të cilit mund të largohen kryetarët aktualë shqiptarë, që nuk janë të pranueshëm për komunitetin serb që jeton në atë pjesë. Autoritet qendrore kosovare janë  zotuar, se do të mbajnë zgjedhje të reja në katër komunat në veri, ndonëse dorëheqja e kryetarëve shqiptarë nuk është duke u shqyrtuar.

 

Mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pasi publikoi dokumentin, tha se udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së fillimit të organizimit dhe dorëzimit të nismës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në udhëzim thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion, por ka edhe një sërë procedurash.

“Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komuna përkatëse. Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal, në komunën përkatëse dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar”, thuhet në udhëzim.

Kërkesa për largim të kryetarëve aktualë duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në atë komunë. Nënshkrimet duhet të mblidhen në një afat brenda 30 ditësh me mundësinë e zgjatjes së afatit edhe për 15 ditë tjera dhe do të verifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Për të larguar kryetarin e një komune përmes peticioni sipas dokumentit duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote në atë komunë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e prillit të këtij viti në listën e votuesve në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, së bashku ishin rreth 45 mijë votues.

 

Kosova i trembet një plani “destabilizues nga Serbia”

Bashkimi Evropian kërkoi uljen e tensioneve në veri përmes një plani që parashikon pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës. Por autoritetet kosovare po i tremben një plani siç thonë “të Serbisë për destabilizim të situatës në veri”.

Një ditë më parë, në një shtepi në Zveçan, policia gjeti një sasie të madhe armatimi. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se  “shtëpia e bastisur është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje armësh për grupet kriminale serbe”. Sipas tij, policia gjeti aty “armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë”. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, tha se “Serbia po synon të zbatojë një plan destabilizues në Ballkanin Perëndimor, të ngjashëm me, siç u shpreh, atë që e realizoi Rusia në Ukrainë, në vitin 2014”. Sipas saj, “nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës”.

Deklaratat e Presidentes së Kosovës i hodhi poshtë Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili tha se “politika e Serbisë është e përgjegjshme dhe paqebërëse”. Sidoqoftë, zgjedhjet e reja në veri të Kosovës janë pjesë e hapave për uljen e tensioneve në këtë pjesë, ku kërkohet pjesëmarrje e pakushtëzuar e serbëve të Kosovës. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka paralajmëruar më 14 shtator një takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku do të kërkohen zgjidhje për situatën aktuale.

dw

Vdes nobelisti shqiptaro amerikan Ferid Murad

Ferid MFerid Murad, mjek e farmakolog shqiptaro amerikan, vdiq më 4 shtator në shtëpinë e tij Menlo Park.

Zoti Ferid Murad lindi në Whiting të Indianas, në vitin 1936. I ati ishte John (Xhabir) Murad nga Gostivari. Ai studioi në në Universitetin DePauw në Greencastle të Indianas, ku u diplomua në vitin 1958, ndërsa mori titullin doktor shkencash në Universitetin Case Western Reserve në Cleveland të Ohios.

 

Më pas punoi në Universitetin e Virxhinias deri në vitin 1981 për të kaluar në Universitetin e Stanfordit.

Në fillim të viteve të 70-ta Ferid Muradi filloi kërkimet mbi rolin e oksidit nitrik në sistemin kardiovaskular dhe zbuloi se ai luan një rol thelbësor në relaksimin e enëve të gjakut dhe përmirësimin e qarkullimit të gjakut. Ky zbulim çoi në zhvillimin e ilaçeve të reja për trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve të tjera kardiovaskulare, dhe i siguroi atij Çmimin Nobel në vitin 1998. /voa

 

Lamtumirë shkencëtarit e Nobelistit, Ferid Murad

 

Gazeta “Illyria” ishte e para që e zbuloi dhe ia prezantoi publikut shqiptar – mbeti deri në fund, Anëtar i Bordit të Nderit të gazetës, e miku ynë i mirë

Vehbi Bajrami

 

Që prej themelimit, gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” ka zbuluar shumë figura të shquara amerikane me prejardhje shqiptare, në mesin e të cilëve shkëlqente si rrallëkush nobelisti shqiptaro-amerikan Ferid Murad.

Kur morëm vesh, pas gjurmimeve tona, se ai ishte shqiptar në redaksinë e gazetës patëm festë. Deri në atë kohë, ai ishte fare i panjohur te shqiptarët në Amerikë, diasporë e Ballkan.

Kam pasur fatin ta takoj shumë herë këtë shkencëtar të përmasave botërore dhe gjithmonë ai e shprehte krenarinë e prejardhjes shqiptare.

Na nderoi shumë kur pranoi që të bëhej Anëtar i Bordit të Nderit të gazetës “Illyria”, ku qendroi deri në fund të jetës, duke u bërë pjesë e një grupi të shquar personalitetesh që na ndihmuan në rrugën tonë.

Pasi ai mori çmimin Nobel, filloi të prezantohej edhe në komunitetin shqiptar, në takime ku shoqërohej nga gazetarë të “Illyria”-s. Po kështu vizitoi vendlindjen e babait në Maqedoni, e më pas vizitoi trojet e tjera shqiptare.

Unë e shoqërova në një nga udhetimet e tij, gjatë pritjes madhështore që i bëri në Tetovë biznesmeni e aktivisti i njohur Lazim Destani.

Ferid Murad është i dyti Nobelist shqiptar pas Nënë Terezës, duke i mbushur shqiptarët me krenari.

“Ferid Murad vdiq mbrëmë në moshën 87-vjeçare. Me këtë rast po ribotojmë – këtu më poshtë – një nga shkrimet më të plota për jetën e tij, marrë nga Gazeta “Illyria”, pjesë e librit tim “Shqiptarët e Amerikës”

 

Dr. Ferid Muradi, ose rruga e gjatë nga larja e pjatave tek Çmimi Nobel

 

Murad familyKombi shqiptar përherë ka nxjerrë njerëz të shquar që ia kanë rritur krenarinë dhe e kanë radhitur përkrah kombeve të mëdhenj me njerëz të shquar. Njëri ndër shqiptarët me emër është pa dyshim edhe Ferid Muradi, fituesi i Çmimit Nobel në Mjekësi, më 1998. Ai përbën gjithashtu një nga figurat më të spikatura në radhët e shqiptaro – amerikanëve, shkencëtari që ka arritur të fitojë mirënjohjen më të madhe në botën akademike amerikane.

Ndoshta është rastësi por, një mik i nderuar i shqiptarëve, senatori Bob Dole, do të reklamonte në tele- vizionin amerikan produktin mjekësor të bazuar në zbulimin e tij, një koincidencë kuptimplotë.

Babai i nobelisit, Xhabir Murad Ejupi, emigroi nga Gostivari, në moshë të re, kur ishte 18 vjeç nga nevoja për të ndihmuar familjen e madhe, e cila u ndodh ngushtë pas vdekjes së nënës, që e la atë jetim në moshën 12 vjeç. Të ardhurat nga shitja e ëmbëlsirave nuk mjaftonin për të siguruar jetesën.

Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e punës e detyruan djaloshin nga Gostivari të merrte rrugët e Evropës së turbulluar nga valët e Luftës së Parë Botërore, e cila sapo kishte filluar. Xhabirit iu dha mundësia që në vitin 1914 të marrë një anije dhe, nëpërmjet Ellis Island-it të fillojë jetën e re në Amerikë. Pas peripecive të para në New York, ai kursen para për udhëtimin në Ohio, ku punon në një uzinë të shkrirjes së çelikut. Shkëputet për një kohë në Detroit dhe më pas në Chicago, ku u vendos përfundimisht së bashku me gruan e tij, Henrietta Josephine Bowman.

Jetonin me të ardhurat e fituara nga një restorant i tij në veri të Indiana-s dhe më pas në Chicago. E gjithë familja, përfshirë nobelistin e ardhshëm dhe vëllezërit e tij, Abdurrahmanin dhe Turhanin, duhej të punonin për të siguruar jetesën dhe, mundësisht, të mbështesnin edhe të afërmit e lënë në vendlindje.

Ferid Muradi lindi më 4 shtator 1936, në Whiting, Indiana. Pas mësimeve në shkollë, Feridi i vogël duhej të lante pjatat dhe të ndihmonte në kuzhinë ose t’u shër- bente klientëve. Ndërkohë, pas punës, edhe pse i lod- hur në orët e vona, i duhej të përgatiste mësimet për të nesërmen. Ky regjim i ashpër ditor, që në fëmijërinë e hershme kaliti tek ai vullnetin, kultivoi respektin e thellë për punën dhe pasionin e rrallë për dijen.

Sipas Ferid Muradit, i ati e kishte ndjerë gjithmonë mungesën e shkollimit. Për këtë arsye i shtyu fëmijët e tij që të edukoheshin sa më mirë por njëkohësisht, që të ndihmonin edhe familjen. Të njëjtën nxitje, Feridi dhe vëllezërit e tij e merrnin edhe nga e ëma, e cila kishte pasur një fëmijëri disi të ngjashme me të shoqin, ndonëse ajo vetë rridhte prej një familje baptiste, nga Alton e Illinois-it. Të parët e familjes, nga ana e nënës, ishin vendosur në Shtetet e Bashkuara rreth viteve 1700, ndërsa vetë ajo largohet nga shtëpia në moshën 17 vjeç për t’u martuar me Xhabir Muradin, i cili në atë kohë ishte 39 vjeç.

Në disa intervista e biseda publike, apo edhe me autorin e këtij shkrimi, dr. Muradi shpreh pasionin e tij të hershëm për t’u bërë mjek. Që në moshë ende të njomë, rreth 12 vjeç, siç tregon ai, e parandjente se do t’i përkushtohej mjekësisë. “Unë e dija që atëhere se do të bëhesha mjek”, thotë nobelisti ynë.

I shtyrë nga dëshira për të ndërtuar një të ardhme sa më të sigurtë, larg halleve të përditshme që po përje- tonte familja e tij, por i nxitur edhe nga një ndjenjë ende jo shumë e qartë humanizmi njerëzor, ai i përkushtohet me të gjitha energjitë realizimit të ëndrrës së kahershme. “Nuk mund ta përcaktoj qartë se çfarë më motivoi të zgjidhja këtë profesion. Por, kur isha në shkollë, më pëlqenin veçanërisht matematika dhe lëndët shkencore”, më tha ai gjatë një interviste.

Duke zgjeruar vazhdimisht dijet e tij në mjekësi, Feridi bindet se jo vetëm i kishte mundësitë për t’u bërë një mjek i zoti, por edhe një kërkues shkencor i kompletuar. Një nga pedagogët e tij, Earl Sutherland, edhe ai nobelist në mjekësi, e nxit dhe mbështet studentin me origjinë shqiptare në rrugën e kërkimeve shkencore.

– Puna në laborator, – tregon ai, – është e vështirë, metikuloze.

– Zbulimet shkencore vijnë vetëm pas një pune të gjatë e këmbëngulëse, ndonëse, nganjëherë, rezultati i zbulimit të kërkimit mund të jetë i rastësishëm, ashtu siç ndodhi me viagran.

Jo se zbulimi i viagras nga ai ishte i rastësishëm. Ai erdhi si pasojë e efekteve që u zbuluan tek pacientët e ndryshëm që vuanin nga zemra, pas aplikimit tek ata të një medikamenti të zbuluar nga ai. Sot industria farmaceutike amerikane siguron qindra milionë dollarë në vit nga shitja e viagras, pa llogaritur ilaçet e tjera të bazuara në oksidin nitrik, që përdoren nga të sëmurët që vuajnë nga zemra.

E përshkruar shkurt, jeta shkencore e Muradit në laborator filloi që në vitet e kolegjit. Ai gjithmonë ishte i pari i klasës. Ende sot ai vazhdon të studiojë e eksperimentojë me të njëjtin intensitet si 30 vite më parë. Si praktikant, Muradi me një grup kolegësh u përpoqën të zbulonin se si funksiononin dhe çfarë efektesh kishin ato që në mjekësinë laboratorike quhen sinjalizuesit molekularë dhe sistemet e transaksionit të sinjaleve.

Duke eksperimentuar për të identifikuar se si ndikonin ilaçet mbi hormonet dhe si reagonin këto të fundit ndaj tyre, Muradi dhe kolegët e tij, krejt rastësisht, gjetën që komponentë të tillë si nitroglicerina dhe ilaçe të tjera që përdoren për kurime kardiovaskulare të enëve të gjakut rrisin ndjeshëm hormonin e molekulës së quajtur “Cyclo GMP”.

Ndonëse nitroglicerina ishte përdorur për më se një shekull për kurim, askush deri në kryerjen e këtij eksperimenti nuk kishte mundur të identifikonte mekanizmin e funksionimit të molekulës së saj në trupin e njeriut.

Edhe pse efekti i nitroglicerinës në relaksimin e muskujve ka qenë i njohur për njerëzit, efekti i saj në zgjerimin e enëve të gjakut vetëm sa hamendësohej. Por, në laborator përmes eksperimentimeve të ilaçit, u zbulua se ajo shëronte edhe impotencën mashkullore.

Në vitet e para të botimit të rezultateve të kërkimeve të grupit të Muradit dhe kolegëve të tij, interesi nga qarqet shkencore ishte ende i pakët. Me kalimin e viteve, skepticizmi i la vendin prakticitetit deri në atë shkallë, sa sot, nuk ka revistë shkencore amerikane që të mos botojë në numrat e saj, të paktën një shkrim që ka të bëjë, qoftë edhe indirekt, me zbulimin e Muradit dhe kolegëve të tij, për oksidin nitrik.

Gjatë pushimeve verore të shkollës, më 1957, Muradi takohet në Fort Lauderdale të Floridas, me Carol Ann Leopold, me të cilën fejohet në prag të Krishtlindjeve të atij viti dhe martohet në verën e 1958-s. Sot, ata kanë pesë fëmijë.

Pas drejtimit të disa katedrave dhe laboratoreve kërkimore në universitetet më prestigjioze të Amerikës, sot Ferid Muradi drejton Departamentin e Biologjisë dhe Farmakologjisë Integruese në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Texas-it, në Houston.

Louis Ingarro, shoku i tij i shkollës, koleg në laborator dhe bashkëfitues i çmimit Nobel në Mjekësi për vitin 1998, është profesor në Universitetin e California-s në Los Angeles. Kolegu tjetër, i cili gjithashtu ndan nderin me Muradin dhe Ingarro-n, është Robert F. Furchgott, profesor i farmaceutikës në Univesitetin e Shtetit të New York-ut dhe punon në qendrën shëndetësore të këtij institucioni.

Dr. Muradi është modest. Ai nuk lë rast pa theksuar se burimi i çdo suksesi janë studimi dhe puna këmbëngulëse.

– Ka shumë faktorë që ndihmojnë për të arritur sukses, – thotë ai. – Ato përfshijnë këmbënguljen, punën e vazhdueshme, shkollimin e mirë, shmangien e trazi- rave, si dhe kolegë të mirë e të zotë, dhe në fund, pak fat.

Duke folur për momentin kur u njoftua se kishte fituar çmimin Nobel, dr. Muradi tregon:

– Isha shumë i entuziazmuar kur fitova Çmimin Nobel dhe kur pashë se kërkimet e mia shkencore u bënë kaq të rëndësishme për mjekësinë. Ishte një nder dhe kënaqësi tek shihja që kërkimet e mia u vlerësuan për rëndësinë e tyre dhe përdoren për kurimin e shumë sëmundjeve.

– Vazhdoj të punoj në të njejtën sferë të përgjithshme kërkimi, me ciklin e GMP-së dhe oksidin nitrik. Ndonëse ka rreth 50,000 botime, që nga zbulimi ynë më 1977, duhet akoma shumë punë për të krijuar ter- api të reja të rëndësishme për shumë sëmundje tjera, – thotë nobelisti ynë.

Ndonëse vetë ka lindur në Amerikë dhe shqip flet vetëm pak fjalë, Ferid Muradi është i pranishëm në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe ka marrë pjesë edhe në festa të tilla si dita e flamurit shqiptar më 28 Nëntor. Gjatë një festimi të tillë, në restorantin e famshëm të Anthony Athanasit, në Boston, në vitin 2001, ai u foli me pasion të pranishmëve dhe theksoi se rruga e suksesit në Amerikë kalon nëpërmjet shkollës, punës së përkushtuar dhe ruajtjes së familjes. Si shembull ai solli jetën e tij: nga një fëmijë që duhej të lante pjata në restorantin e familjes, deri në kurorëzimin e punës me çmimin ndërkombëtar më të lakmuar nga të gjithë shkencëtarët e botës. Kjo rrugë është një vijim i pandërprerë përkushtimi ndaj shkollës, i një karakteri të fortë, bazuar në një familje të moralshme dhe këmbëngulje të pafundme në fushën e kërkimeve.

Ai thotë se mban lidhje me disa të afërm në Gostivar dhe gjetkë dhe shton se është mahnitur nga bukuria natyrore e Shqipërisë dhe trojeve të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë, të cilat i ka vizituar tri herë gjatë viteve të fundit. Por, shton i brengosur, Shqipëria është ende një vend i varfër që i mungon infrastruktura moderne.

– Universitetet, spitalet, rrugët etj., kërkojnë investime të mëdha dhe përmirësime të thella. Krimi dhe korrupsioni po e dëmtojnë rëndë ekonominë shqiptare dhe turizmin e një vendi kaq të bukur, – thotë me dhimbje dr. Muradi.

Duke shprehur brengosjen për situatën e shqip- tarëve në Maqedoni dhe vuajtjet që kanë kaluar disa vite më parë shqiptarët e Kosovës, nobelisti shqiptar përcjell krenarinë që është i një gjaku me atë popull vital:

– Gjatë udhëtimeve të mia në këto vende jam kënaqur duke parë shpirtin dhe optimizmin e një pop- ulli në kërkim të përmirësimit të jetës së tij. Uroj që shqiptarët të kenë durim, sepse situata do të përmirësohet pasi bota tani është më e ndërgjegjshme për his- torinë dhe padyshim që do të ndihmojë në plotësimin e nevojave të tyre.

Midis gjërave të reja, të panjohura për lexuesin shqiptar, janë fotografitë që botohen për herë të parë, të cilat nobelsiti ynë, edhe pse aq shumë i zënë me punë, gjeti kohë t’ia dërgojë autorit të këtij shkrimi.

Dr. Ferid Muradi, i dyti nobelist shqiptar pas Nënë Terezes, me këtë çmim të lartë që ka fituar e me zbu- limet e tij në shërbim të njerëzimit na nderon sot të gjithëve ne. Shqiptarët edhe pse janë të ndarë e të copëtuar në disa shtete, mbeten krenarë për personalitetet e shquara të tyre. Kombi i Nënë Terezës, Ferid Muradit e Ismail Kadaresë, është ballëlartë që ka nxjerrë figura të tilla që e ngrejnë atë në lartësinë e kombeve të mëdhenj.

Vehbi Bajrami  (Mars, 2003)

 

IAA Mobility 2023: Po e pushtojnë automjetet kineze Evropën?

IAA Mobility 2023Më shumë se automjete. Në Mynih nis panairi i Industrisë së Automjetev, IAA. Prodhuesit kinezë të automjeteve priten me kureshtje.

 

Na ishte njëherë një ekspozitë automobilistike: Ajo që filloi në 1897 në Berlin me emrin International Motor Show (IAA), qëndroi atje për gati 50 vjet dhe më pas kishte selinë në Frankfurt am Main për shtatë dekada. Por tani ajo i përket historisë. Dy vjet më parë – ende nën kushtet e Coronas – organizatori, Shoqata Gjermane e Industrisë së Automjeteve (VDA), e rinovoi plotësisht konceptin në një përpjekje për të siguruar mbijetesën e panairit si një “platformë e vetme lëvizshmërie në botë”. në një vendndodhje të re: pikërisht me Mynihun.

Më 5 shtator kancelari gjerman Olaf Scholz do të hapë panairin. Dhe sa herë që shfaqet, Shoqata Gjermane e Industrisë së Automjeteve (VDA) deklaron se nuk bëhet fjalë më për makina si të tilla, por për “lëvizshmërinë urbane”, për “ekosistemet e lëvizshmërisë” dhe jo më për një transport të vetëm. Është e mundur që këto shaka verbale kanë për qëllim të largojnë vëmendjen nga fakti se në Mynih nuk vijnë më aq shumë prodhues makinash vijnë, por shumë më tepër prodhues të biçikletave.

Drejt pushtimit të tregut evropian

Sigurisht, prodhuesit kombëtarë gjermanë nuk do të humbasin mundësinë për t’u dukur në kryeqytetin bavarez: para së gjithash BMW, me bazë në Mynih, por edhe Volkswagen dhe Mercedes Benz.

Por lista mbaron shpejt: Renault nga Franca është aty, prodhuesi i makinave elektrike luksoze Lucid nga SHBA dhe Rimac, një prodhues fisnik i makinave sportive nga Kroacia. Grupi Evropian Stellantis i dërgon vetëm Opel filialit gjerman nga portofoli i tij i gjerë. I saposhfaquri Vinfast, nga Vietnami, tërhoqi angazhimin e tij pak para fillimit të panairit.

Por ajo që duhet të jetë veçanërisht interesante është prezantimi i prodhuesit kinez BYD (Build Your Dreams). Kompania Shenzhen – e cila së fundi ka zëvendësuar Volkswagen-in si lider në treg në Kinë – dëshiron të nisë pushtimin e tregut evropian në Mynih, ku planifikon të prezantojë gjashtë automjete në të njëjtën kohë.

Në Mynih, kinezët do të prezantojnë SEAL U dhe nën-markën e tij luksoze DENZA si një premierë evropiane. BYD, i cili u bë i madh si zhvillues i baterive të smartfonëve, përfiton pikërisht nga ky avantazh: bateria në makinat BYD nuk kërkon nikel, kobalt ose mangan dhe është relativisht e lirë për t’u prodhuar. Sa i përket softuerit dhe trukeve teknike për automjetet elektrike, kinezët kanë qenë prej kohësh pikë referimi, të paktën në tregun e tyre vendas.

 

Mbërrin edhe Tesla

Megjithëse makinat elektrike kineze janë ende një gjë e rrallë në rrugët gjermane (sipas Qendrës së Menaxhimit të Automobilave, vetëm 1,448 BYD sheh në rrugë, krahasuar me 207,000 VW), situata mund të ndryshojë shpejt, veçanërisht pasi te makinat kineze, si për shumë produkte të tjera edhe çmimet bien. Prodhuesit nga Japonia dhe Koreja e Jugut, të cilët erdhën në Evropë në vitet 1980 dhe 1990, duhet të shërbejnë si shembull (paralajmërim): pasu me ata u tallën, ata tani janë po aq pjesë e skenës së përditshme në rrugët gjermane sa një VW Golf.

Por që të mos flasin të gjithë vetëm për kinezët, organizatorët kanë investuar shumë përpjekje për të tërhequr në Mynih pionieren e makinave elektrike Tesla, e cila përndryshe u drejtohet vetëm eventeve të brendshme për të prezantuar produktet e saj. Tesla do të jetë e pranishme në të ashtuquajturën Hapësirë ​​të Hapur në qendër të Mynihut dhe do të shfaqë atje modelin 3 të rishikuar.

Është e rëndësishme të dihet se koncepti i panairit parashikon dy vendndodhje: nga njëra anë, Hapësira e Hapur e lartpërmendur në pika të ndryshme në qendër të qytetit për publikun e gjerë dhe, nga ana tjetër, terrenet e panairit në periferi të qytetit për vizitorët profesionistë.Sipas organizatorëve, pavionet janë 90% të rezervuara. BYD është i pranishëm në të dyja vendet.

Kohë të vështira

Natyrisht, edhe prodhuesit gjermanë do të marrin forcë nga dobësia dhe nuk do të duan t’ua lënë terrenin kinezëve pa luftë. Boshllëku i Coronas është mbushur dhe zinxhirët e furnizimit në pjesën më të madhe funksionojnë përsëri. Rrjedhimisht, qarkullimi dhe fitimet u rritën fuqishëm në tremujorin e dytë: industria automobilistike mbetet një motor rritjeje në ekonominë gjermane të goditur.

Por gjendja nuk do të vazhdojë kështu. Ekspertët parashikojnë kohë të vështira. Konsulenca AlixPartners beson se “Kina është në rrugën për t’u bërë një superfuqi e automobilave” dhe se epokës së fitimeve rekord për prodhuesit gjermanë “po i vjen fundi”. Konsulentët e EY besojnë se “era po fryn gjithnjë e më shumë kundër” prodhuesve perëndimorë.

Në këtë kuptim, panairi do të sillet sërish rreth automobilit dhe në atë e kush është përpara në garën për automjetet elektrike. Për tregun kinez, përgjigja duket e qartë: studimet parashikojnë një pjesë të tregut prej 65% për prodhuesit vendas në vitin 2030.

Për ata që e gjitha kjo u duket shumë, se flitet shumë për automjetet, mund të ngasin një biçikletë edhe në Mynih. Në kopshtin anglez, “mushkëria e gjelbër” e Mynihut, do të ketë një pistë testimi katër kilometrash për biçikleta të të gjitha llojeve. Dhe ata për të cilët makina është armiku i mirëfilltë do të jenë gjithashtu të pranishëm. Disa aleanca veprimi kanë njoftuar tashmë një demonstratë të madhe dhe bllokada dhe veprime të tjera penguese.

Intervistë Ekskluzive | Hashim Thaçi nga Haga flet për veten, familjen, Edi Ramën dhe të ardhmen e Kosovës

thaciPas afro tri vitesh që nga arrestimi i tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë, Nacionalja ka realizuar një intervistë ekskluzive me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, brenda dhomave të paraburgimit, ku ai flet për veten, familjen, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, për domosdoshmërinë jetike të vendit që të qëndrojë në aleancën e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos qëndrojë në një gjendje të vazhdueshme krizas të njëpasnjëshme, si dhe për nevojën e përmbylljes njëherë e përgjithmonë të çështjeve me Serbinë – në njohje të ndërsjellë.

 

Në fillim të intervistës zoti Thaçi thotë se “sot jam në izolim fizik, por jo burg mendor” dhe shprehet se ka “energjinë fizike” dhe “freskinë mendore”. Por për çka është në veçanti i përmalluar është për familjen në rend të parë, dhe miqt e tij jetësor.

Mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore”, e quajti ish-Presidenti Thaçi vizitën e tij të parë që nga paraburgimi në Burojë të Skenderajt më 29 maj të këtij viti, kur i ishte aprovuar vizita për shkaqe shëndetësore të së ëmës së tij; ku tregon se “koha dhe biseda me ta ishte më e veçanta në jetën time”.

Jam i mallëngjyer për njerëzit që i dua dhe më duan, që më besuan për më tepër se dy dekada, në procesin e përbashkët të ndërtimit të Kosovës së lirë, të pavarur, tolerante, zhvillimore”, u shpreh zoti Thaçi.

Teksa kujton edhe takimin me kryeministrin shqiptar, Edi Ramën, ai i gëzohet edhe librat që ky i fundit i solli. “Si zakonisht, ishte me plot humor të mirë. Por, kur u ndamë, e ndjeva se u emocionua shumë, por gjithmonë me besim për të ardhmen më të mirë dhe më të sigurt, përtej hapësirës ku qëndruam duke pirë kafe rreth dy orë”.

Më pas, ish-Presidenti Thaçi duke komentuar në vija të trasha gjendjen e tanishme në vend, kërkon të hiqet dorë nga marrja për së tepërmi me të kaluarën, dhe “të mos rrezikohet apo humbet e ardhmja”.

Uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik janë çelësi i suksesit për Kosovën. Bota po lëviz dhe po ndryshon më shpejtë se sa intuitat apo agjendat tona lokale”, na tha ish-Presidenti i vendit.

Çka duket se ia ka marrë vëmendjen Presidentit është krizat e njëpasnjëshme në vend, për çka shprehet se “Çdo krizë e vonon shumë Kosovën”.

Por edhe i minon përpjekjet e miqve ndërkombëtarë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës në rrafshin e brendshëm, por edhe në afirmimin e saj ndërkombëtar”.

Përkrahja ndërkombëtare nuk duhet të merren si e mirëqenë. Atë gjithmonë duhet merituar. Kosova çdo ditë duhet të vazhdojë të prodhojë argumente që e lehtësojnë mbështetjen e miqëve ndërkombëtar”.

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sheh në retrospektivë për të treguar se Kosova, po, është storie suksesi, por është “storie e përbashkët suksesi” me aleatët e saj jetik perëndimor.

Ta mendojmë Konferencën e Rambujesë, kohën e bombardimeve, çlirimin e Kosovës, bërjen e Kosovës shtet, njohjen e saj nga mbi 100 shtete, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, integrimin e saj në shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare”.

Këtu, ish Presidenti e kthen kokën kah skeptikët dhe kundërshtarët e bërjes së Kosovës shtet dhe të pavarur, dhe kërkon që të qëndrohet kah aleatët.

Sepse, përkundrazi “Kosova do ta ketë pamjen e zymtë, të pasigurt, dekurajuese dhe me shumë dilema. Do të jetë ekonomikisht më e varfër, fare investime të huaja dhe me demokraci të lëkundur”.

Një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson”.

Ish-Presidenti thotë se Kosovën që ai e beson është një Kosovë që është në NATO, në BE, “dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA’në”.

Me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke, ligjërisht obliguese. Sa më shumë që vonohet kjo marrëveshje, aq më e vonuar do të jetë Kosova në NATO dhe BE, e aq më e zbehtë do të jetë mbështetja e ShBA’së.Përvoja ime më tregon se Brukseli e mbështet Kosovën, për aq sa e inkurajon dhe e mbanë në vëmendje atë Uashingtoni. Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi. Suksesi ynë është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund të pranojë dhe vlerësojë nga Kosova”, tha ish-Presidenti në intervistë me Nacionalen.

 

Intervista e plotë me Hashim Thaçin:

 

NacionaleDisa vite para se të arrestoheshit, disa herë e keni përsëritur se do të dilnit në pension pas përfundimit të mandatit të Presidentit. A e keni pasur përnjëmend?

Hashim Thaçi: Nuk më mungon zyra e Presidentit apo e Kryeministrit, dhe as agjenda apo debatet ditore politike, partiake apo parlamentare. Pas përfundimit të angazhimit politik dhe procesit që po kaloj aktualisht, dua të jetoj kapituj të angazhimeve tjera jetësore.

Unë sot jam në izolim fizik, por jo në burg mendor.

Ndjej se kam energjinë fizike e krijuese, përvojnë dhe freskinë mendore të bëjë gjëra të mira, të dobishme dhe kreative për shoqërinë dhe vendin tim.

Për qytetarët kosovarë, liria dhe pavarësia nuk duhet të jenë të mjaftueshme.

Kosova ka shumë oportunitete të parealizuara; kapitali human përbën pasurinë më të çmueshme. Unë besoj në shoqërinë aktive, dinamike dhe inovative kosovare; besoj në të ardhmen e sigurt të fëmijve tanë dhe fëmijët e fëmijve tanë.

 

NacionaleÇka ju ka marrë malli më së shumti në Kosovë?

Hashim Thaçi: Për familjen, të rri dhe të bisedojë i lirë me ta: Lumen, Endritin, i cili tani u rrit dhe u bë burrë, të merrja pjesë në ceremoninë e tij të diplomimit, të shëtisja maleve, bjeshkëve të bukura të Kosovës, të përcillnim ndeshje futbolli së bashku, apo të kalonim së bashku ndonjë ditë skijimi në bjeshkët e Brezovicës. Të bisedonim për ëndërrat e tij jetësore, apo për ndonjë film apo libër etj.

I mungojmë njëri-tjetrit çdo ditë, por ky është çmimi i lirisë.

E di që mallëngjimi është deri diku dobësi, por paraqet edhe njerëzi: jemi njerëz nga mishi dhe gjaku.

Po, më ka marrë malli për prindërit të cilët kanë hyrë në fazën e moshës së thyer, edhe pse flas shpesh përmes telefonit. Ardhja e tyre vitin e kaluar këtu në vizitë ishte një emocion i veçantë dhe i paharrueshëm.

Vizita ime para do kohësh, më 29 maj 2023, e cila u krye në ruajtje dhe shoqërim të DHSK, në vendlindje në Burojë, biseda me prindërit, për disa orë, paraqet një mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore. Koha dhe biseda me ta ishte më e veçanta në jetën time. Evokuam kujtime të së kaluarës, biseduan për rrethin e ngushtë dhe të gjerë familjar, për të sotmen, por edhe për të ardhmen. Janë të bekuar që kanë plot mbesa e stërmbesa, nipa e stërnipa. Po e jetojnë pleqërinë të qetë, krenarë dhe dinjitozë.

Jam i mallëngjyer për njerëzit që i dua dhe më duan, që më besuan për më tepër se dy dekada, në procesin e përbashkët të ndërtimit të Kosovës së lirë, të pavarur, tolerante, zhvillimore.

 

NacionaleNë fjalimin e fundit para popullit të Kosovës, ditën kur u arrestuat, një pjesë më ka lënë shumë përshtypje: ajo kur thoni të qëndrojmë së bashku dhe që të mos lejojmë të thellohemi në krizë kushtetuese dhe institucionale. Çka keni pasur ndërmend kur i keni thënë ato fjalë?

Hashim Thaçi: Unë vazhdoj të besoj se vetëm duke qëndruar të bashkuar si popull, mund t’i tejkalojmë sfidat. Të bashkuar ia dolëm në procesin e lirisë dhe pavarësisë, e ashtu duhet të vazhdojmë edhe në fazën e integrimit euro-atlantik.

Ky unitet qytetar dhe institucional duhet të mishërohet në vlerat perëndimore, në kuptimin e ecjes përpara, e jo bashkim në kauza të gabuara. Jo të kalohet koha së bashku duke reflektuar për ballafaqimet e së kaluarës, por të hidhet shikimi kah e ardhmja.

E kaluara jonë nuk është sfiduese, ajo është e fituar, është shumë krenare dhe me integritet, atë nuk mund dhe nuk duhet të tentojmë ta ndryshojmë. Sfidat dhe zgjidhjet i kemi përpara.

Njerëzit duan zhvillim, vende pune, mirëqenie, edukim cilësor, shërbim shëndetësor, ambient më të pastër, etj. Duhet kujdes që, duke u marrë shumë me të kaluarën të mos vonohet, rrezikohet apo edhe të humbet e ardhmja.

Uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik janë çelësi i suksesit për Kosovën. Bota po lëviz dhe po ndryshon më shpejtë se sa intuitat apo agjendat tona lokale.

Çdo krizë e vonon shumë Kosovën, por edhe i minon përpjekjet e miqve ndërkombëtarë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës në rrafshin e brendshëm, por edhe në afirmimin e saj ndërkombëtar.

Përkrahja ndërkombëtare nuk duhet të merren si e mirëqenë. Atë gjithmonë duhet merituar. Kosova çdo ditë duhet të vazhdojë të prodhojë argumente që e lehtësojnë mbështetjen e miqëve ndërkombëtar.

 

NacionaleMbështetja personale e Edi Ramës për ju pasi u arrestuat ka habitur shumëkënd. Ai ju quan vëlla e ju shpreh dashuri të madhe miqësore. Ne ishim dëshmitarë të raporteve të mira, edhe sa ju ishit në Kosovë. Por, a ishin gjithnjë të mira?

Hashim Thaçi: Kur erdhëm në Hagë, si pasojë e masave anti-Covid, i kaluam pa asnjë kontakt fizik rreth 9 muaj, madje as me familje. Nuk ishte e lehtë. Vizita e Edit ndodhi në vend dhe rrethana të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme, përtej politikës dhe procesit gjyqësor, bisedë krejt vëllazërore. Më kishte marrë malli. Edi lufton dhe zakonisht fiton në kauzën që beson, është impresionuese se si ai po vazhdon të ndërtojë dhe afirmojë Shqipërinë evropiane.

U gëzova shumë që, pas autorizimit të shefit të paraburgimit, pranova librat që Edi më kishte sjellë në objektin e paraburgimit të DHSK. Si zakonisht, ishte me plot humor të mirë. Por, kur u ndamë, e ndjeva se u emocionua shumë, por gjithmonë me besim për të ardhmen më të mirë dhe më të sigurt, përtej hapësirës ku qëndruam duke pirë kafe rreth dy orë.

Ne besojmë në drejtësi, në të vërtetën dhe transparencën. Qytetarët e Kosovës janë të etur të shohin dhe të dëgjojnë të vërtetën. Jo të cunguar, apo të njëanshme. Kosova dhe qytetarët e saj besojnë në parimet e drejtësisë moderne, të cilat i ka përfshirë dhe i respekton edhe me kushtetutë dhe ligje shtetërore. Drejtësi që respekton standardet bashkëkohore, e shpejtë dhe efikase. Drejtësi që e fiton legjitimitetin e brendshëm. Kosova ka vuajtur shumë nga padrejtësia. Kosova ka ecur përpara vetëm duke i respektuar parimet e lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.

 

NacionaleNë politikën kosovare ju keni ndërtuar raporte personale edhe me figura tjera politike. A mund ta përmendni ndonjë prej tyre, që ndoshta edhe ju mungon sot?

Hashim Thaçi: Nuk do t’i ndaja njerëzit nga politika dhe jo politika. Më mungojnë miqtë me të cilët kam punuar bashkërisht mbi dy dekada, me të cilët kam ndarë gëzimin, hidhërimin, suksesin dhe dështimin, njerëzit e rrugëtimit krenar për lirinë, shtetin dhe zhvillimin e vendit.

Jam i inspiruar nga këta njerëz dhe përulem me respekt dhe mirënjohje që më duruan në gabime dhe më besuan në sukses. Integriteti i këtyre njerëzve është i jashtëzakonshëm. Ani pse e dinim se rrugëtimi me mua ishte jo i lehtë dhe i shkurtë, por më i sigurti dhe i qëndrueshmi.

Bashkëpunimi me partnerë apo rivalë politikë për mua ka qenë gjithmonë respekt, kujdes dhe qëllim në vete. Gjithë jetën time politike e kam bërë me njerëz të profileve të ndryshme politike. Për mua kanë qenë gjithmonë më me rëndësi prioritetet politike e jo ato ideologjike, partiake apo individuale.

Gjatë ballafaqimeve politike kam fituar shumë miq dhe kundërshtarë, por edhe janë krijuar kundërshti të ndryshme politike prejudikuese, por normale për shoqërinë demokratike plurale. Për mua janë të kuptueshme.

U jam shumë mirënjohës të gjithëve që i kanë qëndruar familjes sime afër, por edhe për vizitat që më kanë bërë në Hagë. Por, mbi të gjitha, për besimin që tregojnë në atë që përfaqësoj.

E riktheksoj, njerëzit më mungojnë, jo politika. Më kanë vizituar presidentë, kryeministra, ambasadorë, kongresmenë, politikanë, aktivistë të shoqërisë civile, udhëheqës të bashkësive fetare, veprimtarë të të drejtave të njeriut, intelektualë, akademikë, gazetarë, njerëz të artit dhe kulturës, botës së sportit, sipërmarrës, qytetarë nga Diaspora, të njohur dhe të panjohur. Të them të drejtën, u kënaqa duke biseduar për tema private, familjare dhe profesionale.

U jam shumë falënderues të gjithëve qytetarëve, kudo që jetojnë, të cilët ndajnë solidaritetin e tyre.

 

NacionaleJu keni pasur kohë, si asnjëherë më parë, të mendoni për gjëra të ndryshme, ndoshta edhe për luftën e fundit në Kosovë. A ka diçka të re që mund të na e thuash për atë periudhë?

Hashim Thaçi: Të them të drejtën, më shumë mendoj për të ardhmen se sa për kapitujt e mbyllur suksesshëm të Kosovës. Ne nuk e filluam luftën, dhe as s’e deshëm atë, populli i Kosovës i rezistoi agresorit. Nuk bëmë as më pak as më shumë se sa atë që duhej bërë, siç kanë bërë dhe bëjnë sot edhe shumë kombe bartëse të civilizimit botëror.

Ne fituam.

Tash duhet ta forcojmë paqen. Ajo sjell zhvillim, rend e ligj, harmoni mes njerëzve, jetë më të mirë e mirëqenie për qytetarët.

Vetëm me histori nuk mund ta fitojmë të ardhmen, historia duhet respektuar, institucionalizuar. Ajo është mishërim i qytetarëve, por nuk garanton sukses për të sotmen dhe të ardhmen.

Nëse dështojmë sot, e lëndojmë dhe e përbaltim historinë e fitores së djeshme. Por, duhet pasur parasysh se historia jonë e suksesit nuk është vetëm pronë kosovare, është edhe meritë e jashtëzakonshme e botës perëndimore.

Kosova është storie e suksesit të përbashkët. Pa përkrahjen e sponzoruesve të lirisë dhe pavarësisë si shoqëri mund të mbijetojmë ngatërrueshëm disi, por si shtet funksional nuk mund të ekzistojmë.

Ta mendojmë Konferencën e Rambujesë, kohën e bombardimeve, çlirimin e Kosovës, bërjen e Kosovës shtet, njohjen e saj nga mbi 100 shtete, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, integrimin e saj në shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare.

Duhet kujtuar se jo të gjithë faktorët relevantë botërorë ishin entuziastë për bërjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur.

E kundërta, Kosova do ta ketë pamjen e zymtë, të pasigurt, dekurajuese dhe me shumë dilema. Do të jetë ekonomikisht më e varfër, fare investime të huaja dhe me demokraci të lëkundur. Një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson.

Por, unë besoj në Kosovën në NATO, në BE dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA’në.

Me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke, ligjërisht obliguese. Sa më shumë që vonohet kjo marrëveshje, aq më e vonuar do të jetë Kosova në NATO dhe BE, e aq më e zbehtë do të jetë mbështetja e ShBA’së.

Përvoja ime më tregon se Brukseli e mbështet Kosovën, për aq sa e inkurajon dhe e mbanë në vëmendje atë Uashingtoni.

Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi. Suksesi ynë është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund të pranojë dhe vlerësojë nga Kosova.

 

NacionaleKosova po përballet me probleme të mëdha, ikjen e të rinjve. Shquheni për mesazhe përbashkuese, edhe shkaku i pozitës si president. A keni ndonjë mesazh edhe për këta të rinj: Pse duhet të rrinë në Kosovë e ta duan atë?

Hashim Thaçi: Largimi i të rinjve dhe familjeve të tëra nga Kosova është shqetësues dhe paraqet alarm.

Njerëzit nuk largohen pse nuk e duan atdheun, por nga mungesa e mundësive për jetë më të mirë. Me këtë trend, shumë shpejt, në pak vite, mund të kemi proporcionin e mbi gjysmës së qytetarëve kosovarë që jetojnë në Diasporë.

Nuk duhet vetëm ankuar apo vajtuar largimin e tyre, por krijimin e kushteteve për frendim apo zvogëlimin e këtij fenomeni. Por, askush nuk duhet të mendojë se largimin e njerëzve për në Diasporë mund ta ndalë tërësisht.

Nuk duhet harruar se Kosova ishte përfituese e madhe nga Diaspora. Ata investuan shumë për lirinë dhe zhvillimin e Kosovës. Tash duhet ta shndërrojmë këtë faktor në përparësi për ekonominë dhe emancipimin shoqëror.

Është e njohur se shumë talentë briliantë po ikin jashtë, me këtë gjendje largimi do të rritet, pra “largimi i trurit”.

Uroj që të mos jetë njëdrejtimësh…besoj që shumë shpejt do ta kemi “qarkullimin e trurit” ku njerëzit largohen, qëndrojnë jashtë e pastaj kthehen në vendet e tyre…dua të besoj se invetime të ndryshme në Kosovë mund të lidhen me dijen dhe përvojën e sipërmarrësisë në Kosovë.

Të rinjt besojnë dhe ndihen krenarë me Kosovën. Të arriturat e Kosovës janë të jashtëzakonshme. Kosova është vend që ka dëshmuar që mund të bëjë mrekullira. Pra, më shumë shpresë, besim dhe optimizëmn për të sotmen dhe të ardhmen e saj.

Të punohet që secili qytetar, të ndihet mirë dhe krenar me Kosovën.

Ndryshimet në kabinetin qeveritar, Rama zbardh emrat e propozuar

RamaEdi Rama me hapa të ngadaltë iu drejtua Asamblesë Kombëtare por më pas u pllakos nga djersët në ballë, kur foli për nevojën e partisë që drejton në të ecurinë  përpara me këmbë në tokë, e kuptuar realitetin e të tashmes.

 

E quajti një detyrë të kësaj force politike nevojën e korrigjimit tani e pa vonesë. Fshikulloi ashpër ata socialistë në të gjithat nivelet, të arrestuar apo nën hetim nga SPAK për korrupsion përfshi anëtarët e asamblesë.

Pas një orë e gjysmë ka përfunduar takimi, i cili solli ndryshime në kabinetin qeveritar, ku u propozua Ervin Meta si Ministër të Financave, Igli Hasanin për të drejtuar punët e Jashtme, Manastirliun si Ministre të Arsimit, Anila Denaj Ministre Bujqësie, Albana Korçiu Ministre e Shëndetësisë, Ibrahimaj Ministre shteti për Sipërmarrjen dhe Maznikun si Ministër për Pushtetin Vendor.

 

Emrat e propozuar:

Ministër i Financave – Ervin Mete

Ministër për punët e Jashtme -Igli Hasani

Ministër i Arsimit- Ogerta Manastirliu

Ministre e Bujqësisë -Anila Denaj

Minsitër i Shëndetësisë- Albana Korçiu

Ministre Shteti për Sipërmarrjen- Delina Ibrahimaj

Nuk do të ketë Ministre shteti për Standarte dhe Shërbime por Ministre Shteti për Pushtetin Vendor dhe këtë funksion do ta kryejë Arbian Mazniku

Kryeministri Edi Rama tha se në tetor do të mblidhet kongresi i PS-së ku do të miratohen ndryshimet në strukturë të sekretariatit të PS-së.

Sekretariati i ri ekzekutiv i PS:

Sekretari i Organizimit Ardian Çela

Sekretari i Burimeve Njerëzore Eduard Ndreca

Sekretare e Gruas Evis Kushi

Sekretar Dixhital dhe i Rinisë Etien Xhafa

Sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë Romina Kuko

Sekretar i Çështjeve Zgjedhore Ardian Salianji

Sekretare e Programit Milva Ekonomi

Sinjalet e para për ndryshime të forta në radhës e partisë në pushtet që drejton, Edi Rama i dha në asamblenë e fundit të 26 Korrikut.

Për herë të parë në historinë e kësaj force politike en-block shkarkoi të gjithë sekretariatin e partisë, paçka se në zgjedhjet e fundit lokale socialistët korrën një fitore spektakolare.

Top Channel

Shkup, skandal në Klinikën e Onkologjisë, vidhen ilaçet e të prekurve nga kanceri

OnkologjiaProkuroria Themelore në Shkup po zhvillon hetime lidhur me një skandal në Klinikën e Onkologjisë, ku janë vjedhur citostatikë për nevojat e pacientëve të prekur nga kanceri.

Rasti ka shkaktuar debate në vend por dhe zemërim tek pacientët dhe familjarët e atyre që kanë humbur më të afërmit e tyre nga sëmundja.

Në bazë të hetimeve, rezulton se vjedhjet e ilaçeve janë bërë nga punonjës të klinikës, ndërsa Ministria e Shëndëtësisë bën thirrje që të mos stigmatizohen të gjithë punonjësit shëndetësorë.

 

Skandali në Klinikën e Onkologjisë në Spitalin Shtetëror të Shkupit ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, në mesin e punonjësve mjeksorë por edhe tek partitë politike.

Pas një shkrimi në gazetën maqedonase Fokus për vjedhjen nga personeli mjeksor të ilaçeve dhe terapisë nga Klinika e Onkologjisë dhe shitjen e tyre në tregje të tjera, Prokuroria Themelore në Shkup konfiskoi dy kompjuterë në këtë spital dhe bastisi dy banesa private në Shkup, por pa dhënë hollësi të tjera lidhur me rastin.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë bën thirrje që të mos damkoset e gjithë klinika dhe profesionistët e mjeksisë në përgjithësi për një individ të dyshuar si keqbërës në këtë rast.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe Drejtorja e Klinikës së Onkologjisë dhe Radioterapisë, Violeta Klisarova lanë të kuptohet sot në një konferencë shtypi, se një infermiere e punësuar më parë në këtë spital dhe e pushuar nga puna në pranverë të këtij viti ishte akuzuar më parë për vjedhje të terapisë së pacientëve, ndërkohë që ata nuk deshën të flasin për përgjegjësinë gjatë periudhës kur nuk kanë pasur rol menaxhues.

Zoti Mexhiti thotë se duhen zhvilluar hetime të pavarura dhe se askush në sistemin shëndetësor nuk do të mund t’i mbrojë ata që janë përfshirë në veprime të tilla kriminale.

“Autorët e krimit kanë emër dhe mbiemër dhe në procesin e zbulimit dhe sanksionimit ne duhet të mbrojmë mjekët dhe të gjithë personelin mjekësor. Inkurajojmë të gjitha shoqatat e pacientëve me kancer, individëve ose grupeve që mund të ndihmojnë me këtë hetim që të na kontaktojnë ne dhe institucionet e hetimit”, tha Ministri Mexhiti.

Ndërkohë, tek një pjesë e pacientëve apo familjarëve që kanë humbur të afërm nga sëmundjet e kancerit po shtohen dyshimet për manipulimet me barëra në klinikën shtetërore të Onkologjisë.

Se a ka mundur të ndodh që pacientëve gjatë terapisë t’u jepet solucion fiziologjik në vend të citostatitkëve, siç ka dyshime – këtë duhet ta dëshmojë hetimi i Prokurorisë.

Rasti ka thelluar përplasjet midis opozitës dhe partive në pushtet.

VMRO-DPMNE e quan aktin një bashkim kriminal dhe monstruoz të disa personave nga fusha e mjeksisë, të afërm me partitë në pushtet. “Në vend që ilaçet t’u jepen atyre të cilët kanë më së shumti nevojë për to apo që vdesin nga dhimbjet, ata i stërshesin barërat duke lënë pacientët në mëshirë të fatit”, u shprehHristijan Mickovski, kryetar i VMRO-së, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike.

Por, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk do të ketë falje për askënd dhe se pas 20 vjetësh po pastrohet, siç tha, kriminaliteti në Onkologji.

“Bëhet fjalë për kriminalitet shumëpartiak dhe shumetnik që patjetër duhet të pastrohet”, tha zoti Kovaçevski.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që politika të qëndrojë larg nga hetimet rreth kësaj çështjeje, ndërsa personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.

Ndërsa, Presidenti maqedonas Stevo Pendarvoski shikon dështim tek sistemi shëndetësor dhe humbjen e besueshmërisë jo vetëm tek të personat e sëmurë, por vë pikëpyetje edhe tek cilësia e trajtimit të pacientëve në të ardhmen.

Shoqatat e pacientëve të prekur nga kanceri kanë paralajmëruar protesta para qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

voa

 

Shpresë për kthesë në Bruksel? Takim i ri Kurti-Vuçiq

Takimi i fundit Kurti-Vuçiq në maj 2023Konfirmimi për takimin e ri mes Kurtit e Vuçiqit erdhi pas bisedimeve intensive që i dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak zhvilloi gjatë javës së shkuar me kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiq.

 

Pas një periudhe tensionesh në veri dhe përplasjes në  distancë me një retorikë të ashpër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen me 14 shtator në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimin e ka konfirmuar kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe i dërguari i tij për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ecejake diplomatike të të ngarkuarit të BE

Javën e kaluar, Lajçak takoi ndaras dy udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe tha se “dy liderëve ua ka rikujtuar se gjitha marrëveshjet e dialogut janë valide dhe se ato duhen zbatuar plotësisht dhe pa vonesa”.

“Në Bled, unë kisha takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ne biseduam për përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, me përqendrim te normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i deklaratës së BE-së të 3 qershorit. Po ashtu kam ngritur shqetësimin rreth situatës në veri të Kosovës”, shkroi  Lajçak në facebook.

Nga Bledi, Lajçak udhëtoi për në Beograd, ku takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Kemi biseduar në detaje për përpjekjet për ulje të tensioneve dhe mbajtje të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e gjitha marrëveshjeve të dialogut. Ua kam kujtuar të dy liderëve se të gjitha marrëveshjet e dialogut mbesin valide dhe detyruese për të dyja palët dhe duhet zbatuar plotësisht dhe pa kushte apo vonesa”, shkoi Lajçak, pas takimit me Vuçiq.

BE kërkon hapa ë tjerë nga Kosova për shtensionimin e situatës

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq,  për herë të fundit janë takuar katër muaj më parë, më 2 maj, vetëm pak kohë pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, zgjedhje këto të cilat janë bojkotuar nga serbët lokal. Në muajin qershor, Bashkimi Evropian kërkoi uljen e tensioneve me kërkesë të qartë; pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e  kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe është pajtuar për organizimin e zgjedhjeve të reja. Në këtë rrethanë të re, qeveria kërkon që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat u vendosën, sipas BE, në “mungesë të koordinimit dhe sjellje jo evropiane lidhur me zhvillimet në veri. Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e fundit të qeverisë në drejtim të shtensionimit të situatës në veri, janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por, nevojiten hapa të tjerë për të zbutur krizën në veri me zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen sa më shpejt.

dw

Sa e fortë është në të vërtetë ushtria ruse?

PutinMegjithëse besohet se ushtria ruse është forca e pestë më e madhe ushtarake në botë, ajo nuk ka qenë aq e suksesshme në Ukrainë sa shpresonte fillimisht Presidenti Vladimir Putin kur para 18 muajsh dha urdhër për fillimin e agresionit në Ukrainë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Ani Chkhikvadze foli me ekspertët amerikanë për të kuptuar fuqinë e vërtetë ushtarake të Rusisë.

 

Kur Rusia filloi agresionin kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Presidenti rus Vladimir Putin premtoi se do të pushtonte kryeqytetin e saj, Kievin, brenda tre ditësh. Tetëmbëdhjetë muaj më vonë, kjo ende nuk ka ndodhur, pavarësisht se Kremlini ka shpenzuar mbi 60 miliardë dollarë në këtë luftë, tha Gary Schmitt nga Instituti Amerikan ‘Enterprise’, me seli në Uashington.

“Të gjithë shikonin sasinë e parave që Kremlini po shpenzonte për ushtrinë ruse dhe thoshin, ‘kjo ushtri padyshim do të jetë shumë e fortë!’”, thotë zoti Schmitt.

Eksperti i strategjisë dhe sigurisë të Këshillit Atlantik, Ian Brzezinski, beson se agresioni kundër Ukrainës ishte projektuar si një fushatë afatshkurtër që tani është shndërruar në një sulm me aftësi të kufizuara sulmuese.

“Tani ata duhet të mbrohen. Fatkeqësisht, atyre iu la shumë kohë për t’u vendosur dhe për të krijuar fortifikime dhe fusha të minuara. Nuk është një forcë luftarake e nivelit botëror, por gjithsesi është një forcë e rëndësishme”, thotë zoti Brzezinski.

Sot, ushtria ruse ka rreth një milion ushtarë. Zoti Schmitt thotë se për shkak të humbjeve në Ukrainë dhe pavarësisht mobilizimit të saj, pjesë të mëdha të ushtrisë nuk janë gati për luftim.

“Ata dikur ishin një forcë e jashtëzakonshme kur bëhej fjalë për operacionet e blinduara. Por, tani rezulton se pa aftësi të kombinuara operacionesh, pa logjistikën e nevojshme për të kryer operacione dhe pa përdorimin e fuqisë ajrore, kjo forcë e madhe thjesht nuk ekziston”, thotë zoti Schmitt.

Zoti Brzezinski thotë se konflikti i gushtit të vitit 2008 në Gjeorgji zbuloi dobësitë në disiplinë, komandë dhe strukturë brenda ushtrisë ruse.

“Paraqitja e ushtrisë ruse në Gjeorgji ishte e dobët! Putin u zotua se do t’i ndryshonte gjërat dhe filloi një plan modernizimi ushtarak 10-15-vjeçar”, thotë zoti Brzezinski.

Moska filloi t’i transformonte forcat e saj në një ushtri të modernizuar, më kompakte, duke krijuar grupe taktike të batalionit të stilit perëndimor. Por analisti Schmitt thotë se kjo shkaktoi një problem tjetër pasi iu dha përparësi sasisë së njësive mbi cilësinë. Në anën tjetër udhëheqësit ushtarakë ekzagjeruan aftësitë e ushtrisë për të kënaqur udhëheqësit politikë. Reformat, thotë ai, nuk kanë qenë aq efektive.

“Shumica e parave që po jepeshin, në vend të përmirësimit të ushtrisë po derdheshin në xhepat e gjeneralëve dhe kontraktorëve”, vlerëson zoti Schmitt.

Sot, Rusia përballet me problem se nuk kanë ushtarë të mjaftueshëm në Ukrainë. Por, vetëm rritja e numrit të trupave nuk do të ndihmojë Moskën, thotë Philip Breedlove, gjeneral në pension i Forcave Ajrore të SHBA-së, i cili ishte komandanti më i lartë i NATO-s nga viti 2013 deri më 2016.

“Nëse mendoni se Rusia ka përfunduar përpjekjet në Ukrainë, e keni gabim. Ata kanë ende forca të tjera. Por do të duhej një vendim i madh politik që Putini të vazhdojë të mbledhë forca shtesë dhe të bëjë disa nga gjërat që ai mund të jetë i detyruar t’i bëjë”, thotë ish komandanti i NATO-s, Breedlove.

Ekspertët me të cilët foli Zëri i Amerikës thonë se po presin të shohin se si luftëtarët e Wagner-it reagojnë ndaj vdekjes së shefit të tyre rebel, Yevgeny Prigozhin, në një aksident avioni që besohet të jetë orkestruar nga Presidenti Putin.

voa