Kontrollet e syve të përforcuara nga inteligjenca artificiale mund të zbulojnë sëmundjen e Parkinsonit deri në 7 vite përpara se tek njerëzit të shfaqen simptomat e sëmundjes.
Teknologjia është larg miratimit nga autoritetet rregullatore, por megjithatë ajo shihet nga ekspertët si një zbulim që mund t’i ndihmojë në diagnostikimin dhe trajtimin sa më pare të Parkinsonit.
Kushdo që ka bërë një ekzaminim të syve ka parë dhe një aparaturë të tillë diagnostikuese, ate që njihet si skaneri i tomografisë koherente optike.
Okulistët e përdorin atë për skanime 3D, apo tre dimensionale të syve me rezolucion të lartë, për të identifikuar sëmundje serioze të syrit si glaukoma.
Por pajisja mund të ndihmojë mjekët okulistë të diagnostikojnë sëmundjen e Parkinsonit tek pacientët, deri në shtatë vjet përpara se të shfaqen simptomat.
“Një nga gjërat unike të sëmundjes së Parkinsonit është se ajo prek një lloj të caktuar qelize në tru, qeliza që përdorin një kimikat të quajtur dopaminë. Ne në fakt kemi qeliza që përdorin dopaminë edhe në sy, dhe shumica e tyre janë të vendosura në një zonë specifike të retinës”, thotë Dr Siegfried Wagner, i spitalit të syve ‘Moorfields’ në Britani.
Falë inteligjencës artificiale, shkencëtarët kanë përshtatur algoritmet duke kryer me qindra mijëra skanime të syve, me qëllimin për të identifikuar ndryshimet në retinë që tregojnë praninë e Parkinsonit.
Ndërsa ky mund të shihet si një zhvillim interesant, teknologjia është shumë larg nga të qenit gjerësisht e disponueshme, thonë ekspertët.
Zbulimi i sëmundjeve në pjesë të tjetra të trupit nga ekzaminimet në sy nuk ështe diçka e re: shenja te Alzheimerit, sklerozës së shumëfishtë dhe skizofrenisë janë zbuluar falë skanimeve në sy, një fushë kërkimore në zhvillim e quajtur ‘oculomiks’.
“Ajo që ne shpresojmë të arrijmë është se pas disa vitesh, të mund të shkoni tek okulisti dhe të identifikonie shenjat e hershme të sëmundjes. Kjo mund të ketë përfitime masive për shëndetin publik”, thotë profesor Pearse Keane, mjek okulist në spitalin e syve ‘Moorfields’.
Diagnostikimi i hershëm do t’u jepte mundësi pacientëve të fillonin trajtimin më shpejt dhe të shijonin jetën normale, pak më gjatë.
“Nëse do të kishte ekzaminime të sëmundjes së Parkinsonit të lidhuara me ekzaminimin e syve do ta kisha bërë, gjë që do të më jepte mundësi të bëja shumë gjëra, që nuk i bëj dot aktualisht”, thotë Angela Orchard, e e cila vuan nga Parkinsoni.
voa