Putini: Pozicione të vjetra, plane të reja stacionimi

PutinParalajmërime për armë bërthamore për Perëndimin, zemërim për debatin gjerman për “Taurus”: në një intervistë para zgjedhjeve, presidenti rus përsërit shumë gjëra që dihen. Të rejat kanë të bëjnë me kufirin me Finlandën.

 

Citimet e para u bënë faqet e para të lajmeve televizive në mëngjes, ndërsa intervista me Vladimir Putin nuk u transmetua deri në orën 10 të mëngjesit me orën lokale. Një kohë e çuditshme transmetimi, pa çështje të diskutueshme që mund të kishin ngritur tension, por televizioni shtetëror dhe agjencia gjithashtu publike e lajmeve RIA Novosti i kishin njoftuar tashmë mesazhet që do të bëheshin publike – në Rusi dhe jashtë.

Siç është e zakonshme tani, Putini paralajmëroi Perëndimin për luftë bërthamore dhe në veçanti SHBA kundër testeve bërthamore.

Në Ukrainë nuk ka ekzistuar kurrë synimi për të përdorur armë të shkatërrimit në masë, tha Putini.

Negociata? Jo sipas dëshirës

Gjatë gjithë intervistës, e cila zgjati pak më shumë se një orë e gjysmë, nuk kishte asnjë qasje të re për Ukrainën, edhe pse Rusia prej më shumë se dy vjetësh zhvillon atë që e quaj “operacion ushtarak special” kundër fqinjës.

Rusia është e gatshme të negociojë, tha Putini – megjithatë “jo në bazë të ‘dëshirave’ që i lindin njeriut pas marrjes së drogave psikotrope, por në bazë të realiteteve që, siç thuhet, janë vendosur në terren”.

Gjë që do të thotë thjesht se territoret ukrainase të pushtuara ilegalisht të përfshira në Rusi nuk do të jenë objekt negociatash, sipas Putinit.

Moskuptim për anëtarësimin në NATO

Fakti që frika nga një fqinj agresiv i shtyu Finlandën dhe Suedinë të anëtarësoheshin në NATO – për presidentin rus ishte një veprim pa kuptim: Rusia kishte “në parim marrëdhënie ideale me Finlandën”. “Ne nuk kishim trupa atje, por do të kemi tani. Nuk kishte asnjë sistem shkatërrimi atje, por do të ketë tani.”

Dhe sigurisht, një mesazh iu dërgua edhe politikës dhe shoqërisë gjermane – në lidhje me debatin mbi raketën “Taurus” dhe dërgimin e mundshëm të saj në Ukrainë. Opozita gjermane është këtu edhe më agresive se qeveria, tha Putini e shtoi: “Ata fantazojnë, ata zbaviten së pari. Dhe përpiqen të na frikësojnë. Të shohim se për çfarë do të bien dakord. Ne po e ndjekim këtë nga afër. Raketa britanike dhe amerikane në fakt përdoren”. Situatën në fushën e betejës kjo nuk do ta ndryshojë.

Mandat i ri i sigurtë nga maji

Dy ditë para fillimit të zgjedhjeve presidenciale, Vladimir Putin shfrytëzoi rastin për interpretuar sulmet masive ukrainase me dronë dje dhe sot, si dhe sulmin ndaj lokaliteteve ruse afër kufirit ukrainas nga formacionet vullnetare që veprojnë nga territori ukrainas: “Qëllimi kryesor është padyshim, që nëse nuk arrijnë t’i bëjnë të dështojë plotësisht zgjedhjet presidenciale në Rusi, të paktën të prishin disi procesin e shprehjes normale të vullnetit të qytetarëve”, deklaroi ai.

Gjatë intervistës prej një orë e gjysmë, Putini nuk ofroi ndonjë përfundim që nuk e kishte paraqitur tashmë gjatë fjalimit të tij dy orësh për gjendjen e kombit, disa ditë më parë.

Kjo ndoshta është intervista e fundit e hollësishme e Putinit përpara rizgjedhjes së tij, e konsideruar e sigurt, këtë fundjavë – përpara se ai të kthehet zyrtarisht në pushtet në fillim të majit, për gjashtë vjet të tjerë.

F.Aischmann/ARD Moskë

Escobar arrin në Presidencë, pritet nga Osmani

EscobarI dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka mbërritur në Presidencë dhe është pritur nga presidentja Vjosa Osmani.

Në takimin Osmani – Escobar i pranishëm është edhe ambasadori Jeffrey Hovenier.

Pas takimit do të ketë deklaratë për medie.

Ndërkohë, Escobar takimin me Kurtin e ka në agjendë për të enjten. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për RTK-në, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

 

rtk

Biden dhe Trump sigurojnë emërimet partiake për një ripërballje në zgjedhjet e nëntorit

Biden TrumpPresidenti amerikan Joe Biden siguroi të martën në mbrëmje emërimin e tij si kandidat i demokratëve, dhe ish presidenti Donald Trump siguroi delegatët e nevojshëm për emërimin republikan, duke hapur rrugën për një përsëritje të garës së vitit 2020.

 

Të dy fituan në zgjedhjet paraprake në Xhorxhia, Misisipi dhe në Uashington, duke siguruar shumicën e mjaftueshme të delegatëve në partitë e tyre.

Presidenti Biden hyri në zgjedhjet e së martës me 102 delegatë më pak nga 1,968 që i nevojiteshin për t’u bërë zyrtarisht kandidati demokrat, ndërsa ish presidenti Trump kishte 137 delegatë më pak nga 1,215 që i nevojiteshin për të fituar emërimin republikan.

Presidenti Biden është përballur vetëm me opozitë ‘formale” e për t’u bërë kandidat i demokratëve.

Ndërkohë, ish presidenti Trump fitoi përballë disa republikanëve në zgjedhjet paraprake, duke përfshirë ish ambasadoren amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley dhe guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis. Kandidatë të tjerë, përfshirë ish zëvendëspresidentin e tij, Mike Pence, u tërhoqën nga gara muaj më parë, për shkak të mungesës së mbështetjes së votuesve përballë zotit Trump që ka një mbështetje të madhe të votuesve republikanë.

Edhe pa emërimet zyrtare të partive, të dy kandidatët janë në fushatë tetë muaj përpara zgjedhjeve, duke goditur njëri-tjetrin sa herë që kanë mundësi.

Në fjalimin e tij për gjendjen e kombit javën e kaluar, presidenti Biden përçmoi “paraardhësin” 13 herë, duke mos përmendur kurrë zotin Trump me emër, por duke përshkruar një pikëpamje “të së keqes” mbi një mandat të dytë presidencial të zotit Trump.

Ish presidenti Trump tallet me moshën e presidentit Biden, 81 vjeç, ndonëse është vetëm katër vjet më i ri.

“Unë besoj se ai do të jetë kandidat”, tha zoti Trump për presidentin Biden në rrjetin CNBC të hënën. “Unë jam kundërshtari i tij i vetëm përveç jetës, vetë jetës”.

Shumica e anketave të hershme kombëtare tregojnë se zoti Trump ka një përparësi të lehtë ndaj zotit Biden në disa prej shteteve kryesore të fushëbetejës politike, që ka të ngjarë të përcaktojnë rezultatin kombëtar në votimet e 5 nëntorit. Por zoti Trump po përballet gjithashtu me katër padi penale të pashembullta që përfshijnë 91 akuza, ndërsa një proces gjyqësor pritet të fillojë me 25 mars.

Nuk dihet nëse ndonjë nga rastet e tjera do të hidhet në gjyq para zgjedhjeve, por disa votues u kanë thënë anketuesve se nuk do të votojnë për zotin Trump nëse ai dënohet për ndonjë nga akuzat.

Shtetet e Bashkuara nuk e zgjedhin presidentin me votën popullore, por në zgjedhjet shtet pas shteti në secilin prej 50 shteteve dhe në votimet pasuese në Kolegjin Zgjedhor.

Me disa përjashtime, fituesi i votave në secilin shtet fiton të gjitha votat e Kolegjit Zgjedhor, ndërsa shtetet më të mëdha kanë më shumë vota elektorale dhe ushtrojnë ndikim më të madh në rezultatin kombëtar.

Ndonëse të dy kanë siguruar delegatët për të qenë të emëruarit e partive, emërimet nuk do të jenë zyrtare derisa secila parti të mbajë kuvendin e saj. Republikanët pritet të mbajnë konventën e tyre në korrik, ndërsa demokratët në muajin gusht.

voa

Putin: Rusia e gatshme të përdorë armët bërthamore nëse kërcënohet sovraniteti ose pavarësia e saj

PutinPresidenti Vladimir Putin tha se Rusia është e gatshme të përdorë armët bërthamore, nëse ekziston një kërcënim për shtetësinë, sovranitetin ose pavarësinë e saj, duke shfaqur shpresën se Shtetet e Bashkuara do të përmbahen nga veprimet që mund të shkaktojnë një konflikt bërthamor.

 

Deklarata e presidentit Putin ishte një tjetër paralajmërim i hapur për perëndimin para zgjedhjeve presidenciale të kësaj jave në të cilat ai është i sigurt se do të fitojë një mandat tjetër gjashtëvjeçar.

Në një intervistë me televizionin shtetëror rus të publikuar herët të mërkurën, presidenti Putin e përshkroi presidentin amerikan Joe Biden si një politikan veteran që i kupton plotësisht rreziqet e mundshme të përshkallëzimit dhe tha se ai nuk mendon që bota po shkon drejt një lufte bërthamore.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se forcat bërthamore të Rusisë janë në gatishmëri të plotë dhe “nga pikëpamja ushtarako-teknike, ne jemi të përgatitur”.

Presidenti Putin tha se në përputhje me doktrinën e sigurisë, Moska është e gatshme të përdorë armët bërthamore në rast të një kërcënimi për “ekzistencën e shtetit rus, sovranitetin dhe pavarësinë tonë”.

Udhëheqësi rus e ka përsëritur gatishmërinë e tij për të përdorur armët bërthamore që nga fillimi i agresionit në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Kërcënimi i tillë më i fundit u bë gjatë fjalimit të tij mbi gjendjen e kombit muajin e kaluar, kur ai paralajmëroi perëndimin se thellimi i përfshirjes në luftimet në Ukrainë do të rrezikonte një luftë bërthamore.

I pyetur gjatë intervistës nëse ka menduar ndonjëherë mbi përdorimin e armëve bërthamore në fushën e betejës në Ukrainë, Putini u përgjigj se nuk ka pasur nevojë për këtë.

Ai shprehu gjithashtu besimin se Moska do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë dhe mbajti të hapur derën për bisedime, duke theksuar se Rusia do të mbajë territoret e “fituara” dhe do të kërkojë garanci të forta nga perëndimi.

Presidenti Putin tha se një shtim i sulmet me dronë ukrainas thellë brenda Rusisë kohëve të fundit, është pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar zgjedhjet presidenciale tre ditore të vendit, të cilat fillojnë të premten dhe të cilat ai do t’i fitojë me shumicë, duke u mbështetur në kontrollin e rreptë mbi skenën politike të Rusisë që ka vendosur gjatë qeverisjes së tij 24-vjeçare.

Autoritetet ruse raportuan një tjetër sulm të madh nga dronët ukrainas herët të mërkurën. Ministria e Mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 58 dronë në gjashtë rajone. Një nga dronët goditi një rafineri nafte në rajonin Ryazan, duke plagosur të paktën dy persona dhe duke shkaktuar një zjarr. Një tjetër dron është rrëzuar teksa po i afrohej një rafinerie pranë Shën Petersburgut.

Ukraina, ndërkohë, raportoi më shumë sulme ruse herët të mërkurën.

Një sulm rus vrau dy persona dhe plagosi pesë të tjerë në qytetin Myrnohrad në rajonin lindor të Donetskut, rreth 30 kilometra larg vijës së frontit, sipas guvernatorit Vadym Filashkin. Ekipet e shpëtimit vendas arritën të nxirrnin një vajzë 13-vjeçare nga rrënojat e një pallati që u godit nga një raketë ruse.

Një ndërtesë pesëkatëshe në qytetin verior Sumy, u godit nga një dron i hedhur nga Rusia gjatë natës dhe 10 persona u shpëtuan nga rrënojat, duke përfshirë tetë të plagosur, sipas administratës rajonale.

Në qytetin e lindjes së presidentit Volodymyr Zelensky në rajonin qendror Dnipropetrovsk, numri i të vrarëve nga një sulm me raketa ruse natën e kaluar arriti në katër, tha guvernatori Serhii Lysak. Ai tha se 43 persona u plagosën në Kryvyi Rih, duke përfshirë 12 fëmijë.

“Çdo ditë qytetet dhe fshatrat tona pësojnë sulme të ngjashme. Çdo ditë Ukraina humbet njerëz për shkak të së keqes ruse”, tha presidenti Zelensky.

voa

Zgjedhjet në Beograd – pa ndryshime të kushteve

Protestat BeogradShpallet zhvillimi i zgjedhjeve të përsëritura në Beograd më 2 qershor 2024. Fakti që presidenti i Serbisë duhej të merrte një vendim për këtë, mund të mjaftojë për të shpjeguar pse po përsëritën zgjedhjet.

 

Zgjedhjet e përsëritura në kryeqytetin e Serbisë do të mbahen më 2 qershor 2024 me vendim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fakti që presidenti i Serbisë duhej të merrte një vendim për këtë, mund të mjaftojë për të shpjeguar pse po përsëritën zgjedhjet.

Në momentin e parë u duk se autoritetet do ta vononin vendimin, sepse ideja e tyre fillestare ishte që zgjedhjet të zhvillohen në fund të prillit ose në fillim të majit, gjë që opozita e kundërshtoi. Argumentet e opozitës ishin se kishte shumë pak kohë për të përmbushur rekomandimet e ODIHR-it për përmirësimin e gjendjes dhe dukej se do të kishte një luftë të ashpër për këtë, por për habinë e të gjithëve, Vuçiqi e shkurtoi këtë debat dhe caktoi datën 2 qershor për zgjedhje.

 

Vuçiq zgjedh koncesionet

I përballur me presionin e brendshëm dhe të jashtëm, Aleksandar Vuçiq vendosi për këtë datë sepse “duket se duhej të bënte disa lëshime”, vlerëson për DW analisti politik, Dragomir Angjelkoviq.

“Aleksandar Vuçiq ka frikë nga një hetim ndërkombëtar. Presidenti i Serbisë e di se rekomandimet e Parlamentit Evropian mund të kthehen lehtësisht në vendime të Komisionit Evropian për të nisur një hetim serioz evropian. Vuçiq i frikësohet këtij hetimi, sepse do të tregonte se sa i korruptuar është sistemi në Serbi dhe deri në çfarë mase zgjedhjet janë të manipuluara. Kjo është arsyeja pse ai vendosi të bëjë një lëshim për datën në mënyrë që të përpiqet të shmangë përmbushjen e rekomandimeve të OSBE-së”, beson Angjelkoviq.

 

Shmangia e presionit shtesë

Arsyeja është padyshim presioni që ekziston dhe “Vuçiq tani po përpiqet të ikë me sa më pak dëme të vetëvetes”, tha për DW Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike.

“Data është diçka ku ai mendon se mund të bëjë lëshime.” Nëse ai do t’i qëndronte faktit që zgjedhjet të mbahen gjatë festave të prillit dhe majit, do të kishte hapur pashmangshmërisht historinë e bojkotit të zgjedhjeve, e do të hapej debati edhe për vetë arsyen e zgjedhjeve. Me këtë vendim ai parandaloi disa presione shtesë ndaj qeverisë së tij”, vlerëson Popoviq.

Zgjedhjet në fillim të qershorit praktikisht lënë më shumë kohë për përmirësimin e kushteve zgjedhore dhe përmbushjen e rekomandimeve të organizatave evropiane. Por, siç vëren Dragomir Angjelkoviq, “nëse kjo do të ndodhte, Vuçiq do të humbiste pushtetin dhe do të shpërbëhej sistemi në pushtet”.

“Prandaj, Vuçiq do të mundohet që disa gjëra t’i përmbush formalisht, por jo në thelb. Tani imagjinoni zgjedhje me trajtim të barabartë mediatik ose nëse qeveria ndalon të ndajë para për votuesit para zgjedhjeve. “Ai do të përpiqet t’i shmangë të gjitha këto për të bërë disa lëshime dytësore,” pret Angjelkoviq.

Nuk ka mundësi që këto rekomandime të përmbushen, sepse po të ishte kështu, zgjedhjet tashmë do të ishin të drejta dhe të rregullta, vëren Dragan Popoviq.

“Çdo rekomandim i identifikuar nga ODIHR në thelb ka të bëjë me vullnetin politik të regjimit që të mos lejojë zgjedhje të ndershme dhe të lira. Ndaj edhe lëshimet minimale arrihen vetëm pas presionit të madh. Duke pasur parasysh se Vuçiq ende nuk është aq i dobët sa të bëjë lëshime të mëdha, mendoj se nuk ka asgjë të keqe të kemi kushte më të mira zgjedhore”, thotë drejtori i Qendrës për Politikë Praktike.

 

Zgjedhjet tashmë jo legjitime?

Ditët e fundit mediat në Serbi kanë njoftuar se tashmë janë regjistruar votues në mënyrë ilegale për zgjedhjet në Beograd dhe se tashmë është e qartë se regjimi nuk do të heqë dorë nga të gjitha truket dhe manipulimet nga zgjedhjet e kaluara. Pushtimi i Beogradit u shpall prioritet kryesor në Partinë SNS, që shihet edhe nga angazhimi pothuajse i paprecedentë i aktivistëve partiakë nga partitë në pushtet.

Ata pretendojnë të fitojnë të paktën 50 për qind të votave. Disa drejtorë kanë vënë kompanitë publike në shërbim të fushatave të SNS. Përveç kësaj, prania e Vuçiqit në fushatën për zgjedhjet e Beogradit do të jetë tani ndoshta edhe më intensive se më parë.

“Vuçiq thjesht nuk është gati të humbasë pushtetin dhe sigurisht që do të vazhdojë të mashtrojë në zgjedhje”, thotë Dragomir Angjelkoviq. “Është po ashtu e qartë se kjo është shkelje e Kushtetutës. Pasi që nuk është më kryetar i SNS-së, Vuçiq nuk ka të drejtë të angazhohet në këtë mënyrë. Kjo do të thotë se ne kemi një regjim personal, që nuk është në përputhje me vlerat demokratike”, thekson bashkëbiseduesi i DW.

 

Bojkoti nuk është zgjidhje

Sipas analistëve, bojkoti i zgjedhjeve nga opozita nuk do të ishte zgjidhja më e mirë.  “Nëse opozita do të fillonte protestat tani dhe do t’u bënte thirrje qytetarëve që të rezistonin në mënyrë pasive, mendoj se Vuçiq do të ishte në telashe të mëdha. Nëse dalin shumë njerëz në rrugë, ka shanse që Komisioni Evropian të reagojë. Prandaj Vuçiqi do të përpiqet të shmangë me manipulime acarimin e mëtejshëm të opozitës. Por opozita nuk duhet të pajtohet me këtë lojë”, beson Angjelkoviq.

Shikuar nga hapta e tanishëm, vështirë se do të ketë përmirësim seioz të kushteve. Ndaj shtrohet pyetja e hapave që duhet të ndjekë opozita, e ku bën pjesë edhe bojjkotimi eventual i zgjedhjeve. Dragan Popoviq mendon se bojkoti “asnjëherë nuk është zgjidhje e mirë”. Por ajo duhet të angazhohet për përmirësimin e kushteve zgjedhore.

dw

Një dokument që rrodhi tregon se si Kremlini i menaxhon zgjedhjet në Rusi

zgjedhjet RusiNë fund të javës së kaluar, menaxherët në Uzinën e Përpunimit të Gazit Natyror në Astrakhan të Rusisë u dorëzuan punëtorëve fletëpalosje me udhëzimet se si të votojnë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë, që do të mbahen nga data 15 deri më 17 mars, raporton kanali në Telegram, Ostorozhno Novosti.

 

Sipas udhëzimeve, 5.000 punëtorëve të uzinës do t’u dërgohen mesazhe me tekst, që përmbajnë një vegëz që duhet ta hapin, kur të jenë në qendrat e votimit.

Vegëza do ta lokalizojë telefonin e tyre dhe, në këtë mënyrë, do t’i raportojë menaxhmentit të kompanisë që ata votuan.

Punëtorët që nuk e marrin mesazhin, duhet të skanojnë një kod QR, të paraqitur nga një “person” në qendrën e votimit.

Më 7 mars, grupi i pavarur i monitorimit të zgjedhjeve, Golos, i cili është i ndaluar në Rusi, raportoi se partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, ka krijuar një projekt të quajtur GEO-SMS, që synon “të kontrollojë pjesëmarrjen e votuesve të sektorit shtetëror” në zgjedhje, përfshirë këtu punonjësit mjekësorë, mësuesit dhe punonjësit në ndërmarrjet shtetërore.

Përdorimi i softuerit për lokacionin, me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes, është një risi në zgjedhjet e këtij viti, në të cilat Vladimir Putin pritet ta sigurojë mandatin e pestë si president.

Ai figuron dukshëm në një dokument që rrodhi e që u postua në Telegram nga politikania e opozitës, Olga Sidelnikova, muajin e kaluar.

Sidelnikova ishte kryetare administrative e qarkut Lomonosov të Moskës dhe tani jeton jashtë Rusisë.

Dokumenti duket se është një prezantim i strategjisë zgjedhore të Kremlinit për Udmurtinë – një rajon me një popullsi prej afro 1.5 milion banorësh në pjesën qendrore të Rusisë.

Sidelnikova nuk pranoi të tregonte se si e ka siguruar dokumentin, por tha se e ka origjinalin dhe se nuk ka asnjë dyshim për vërtetësinë e tij.

Dokumenti prej 38 faqesh tregon se “si janë zgjedhjet në Rusi”, tha Sidelnikova, duke shtuar se informacionet që dalin prej gjithë Rusisë, tregojnë se “rrëfimet janë padyshim të njëjta edhe në rajone të tjera”.

Sergei Antonov, konsulent politik nga Udmurtia, që tani jeton jashtë vendit, thotë se është i sigurt se dokumenti që ka Sidelnikova, është i vërtetë dhe shton se të tilla dokumente “janë lëshuar në të gjitha rajonet e Rusisë”.

“Të premten [15 mars], para orës 14:00, të gjithë punonjësit e sektorit shtetëror duhet të dërgojnë në server një mesazh me vendndodhjen e tyre të aktivizuar”, thotë Antonov.

“Kjo është teknologji e re. Për çdo zgjedhje, sistemi përsoset”, shton ai.

“Ngritja e votuesve në këmbë”

Zgjedhjet nën Putinin nuk janë zhvilluar kurrë në mënyrë të drejtë, thonë grupet e monitorimit dhe kritikët e Kremlinit.

Sipas tyre, shteti kontrollon çdo gjë – nga policia dhe gjykatat deri te komisionet zgjedhore, mediat shtetërore dhe qeveritë lokale.

Por, fushata aktuale – e cila po zhvillohet në mes të pushtimit rus të Ukrainës dhe shtypjes shumëvjeçare të disidencës, që e ka margjinalizuar plotësisht opozitën – shihet si procesi më pak konkurrues në gati 25 vjet të Putinit herë si president, herë si kryeministër.

Raportet e mediave dhe komentet e zyrtarëve tregojnë se Kremlini synon të sigurojë 80-85 për qind të votave për Putinin, me një pjesëmarrje prej së paku 70 për qind.

Analistët thonë se Putin dhe administrata e tij duan t’i shfrytëzojnë zgjedhjet për të rritur legjitimitetin e tij.

Sigurimi i një pjesëmarrjeje të lartë ka qenë gjithmonë një “pikë e dobët” për Qeverinë, sipas Sidelnikovës.

“Pavarësisht risive të viteve të fundit, si: eliminimi i monitorimit të pavarur, zgjerimi i votimit online, kontrollimi i komisioneve zgjedhore në të gjitha nivelet, ata kanë ende nevojë për njerëz që dalin në qendrat e votimit”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

“Dhe,kontrollimi i pjesëmarrjes nuk është i lehtë. Është pika e tyre e dobët”, thotë Sidelnikova.

Sipas saj, ata kanë nevojë që njerëzit të ngrihen në këmbë dhe të shkojnë në votime.

“Pasi ta sigurojnë pjesëmarrjen, ata mund të nxjerrin çfarëdo rezultati që duan, marrë parasysh se nuk ka monitorim të pavarur dhe se komisionet zgjedhore janë plotësisht të kontrolluara”, thotë Sidelnikova.

Nga provat e brendshme, duket se dokumenti i siguruar nga Sidelnikova, u është paraqitur zyrtarëve në Udmurti jo më vonë se qershori i vitit 2023 – kohë në të cilën planifikimet për fushatën presidenciale kanë qenë në zhvillim e sipër.

Dokumenti i kushton vëmendje të konsiderueshme problemit të rritjes së pjesëmarrjes nga 55% – sa është shifra tipike në Udmurti – në 80%.

Përveç softuerit të vendndodhjes, dokumenti bën thirrje për “mobilizimin” e votuesve edhe përmes zyrave të partisë Rusia e Bashkuar, si dhe përpjekjeve të administratave komunale dhe ligjvënësve lokalë.

Ai i udhëzon administratat komunale që “ta kontrollojnë pjesëmarrjen përmes përfaqësuesve të tyre” në komisionet në vendvotime.

Antonov thotë se Rusia e Bashkuar synon “të rrisë pjesëmarrjen me anë të burimeve administrative, duke mobilizuar punëtorët dhe duke mbajtur gara të ndryshme, ashtu si dhe ngjarje patriotike”.

Megjithatë, shton ai, partia është shpesh e hendikepuar në aftësitë e saj për të realizuar plane të tilla, për shkak të mungesës së përgjithshme të entuziazmit në nivelet e saj më të ulëta.

“Kur bëhet fjalë për realizimin e ideve të tilla, rezulton se në celulat e partisë lokale ka njerëz që, realisht, nuk bëjnë asgjë ose njerëz që u është bërë presion për të qenë atje”, thotë Antonov.

“Pastrimi i projektit”

Dokumenti që ka rrjedhur detajon, gjithashtu, përpjekjet e Kremlinit “për të kontrolluar opinionin publik”, përfshirë edhe përpjekje të mëdha përmes mediave sociale.

Fushata e Putinit, sipas dokumentit, i monitoron vazhdimisht bisedat në mediat sociale dhe grupet e diskutimit, me qëllim të kontrollimit të informacioneve negative dhe diskreditimit të nismave të opozitës.

Dokumenti përfshin pika të tilla si “xhirimi dhe përpilimi i përmbajtjeve të dobishme”, “puna kundër çdo veprimi protestues që lind”, “krijimi dhe shpërndarja e kundërpërmbajtjes” e të tjera.

Ai përfshin edhe “pastrimin e projektit”, që synon ta identifikojë dhe “ta eliminojë shpejt” nga interneti të gjithë “materialin agjitativo-propagandues të opozitës”.

Qeveria ka krijuar gjithashtu “organizata të vetëqeverisjes publike territoriale” – të përbëra nga aktivistë miqësorë ndaj Qeverisë – nga të cilat ka rekrutuar vëzhgues “të pavarur” të zgjedhjeve.

Ata janë “pseudo-monitorues publikë”, thotë Antonov për 4.500 monitoruesit që Qeveria planifikon t’i shpërndajë në rajon.

“Detyrë e tyre është të mos lejojnë asnjë ‘provokim’ apo ‘falsifikim’”, thotë ai.

“Kjo nënkupton se ata gjithmonë do të thonë se nuk ka pasur shkelje”, sipas tij.

Sipas dokumentit, fushata e Putinit në Udmurti udhëhiqet nga kreu rajonal, Aleksandr Brechalov, i cili udhëheq edhe degën rajonale të Rusisë së Bashkuar që nga korriku i vitit 2020.

Shefi i kabinetit të tij, Aleksandr Zhuravlyov, është një nga zëvendësit e tij në fushatë, i ngarkuar me “organizimin”.

Dy zëvendësit e tjerë janë: nënkryetari i Udmurtisë, Roman Yefimov, i ngarkuar me financat, dhe kryetarja e Komisionit Rajonal të Zgjedhjeve të Udmurtisë, Svetlana Palchik, përgjegjëse për koordinimin e punës së qendrave të votimit dhe “mobilizimin e partisë”.

Struktura e fushatës, e përshkruar në dokumentin që ka rrjedhur, “dyfishon de facto strukturën e Qeverisë së Udmurtisë”, thotë Antonov.

“Zgjedhjet në Rusinë e Putinit i janë afruar përsosmërisë së tyre logjike”, shton ai, “dhe do të mbahen sipas modelit të Bashkimit Sovjetik – pa alternativa, me një kandidat të vetëm”.

rel

 

Partitë akoma s’kanë publikuar bartësit e listave

zgjedhjeTë fokusuar kryesisht në diskursin e zgjedhjeve presidenciale, jo të gjitha partitë politike kanë publikuar emrat e bartësve të listave për zgjedhjet parlamentare të 8 majit. LSDM-ja një ditë më parë ka vendosur në tavolinë propozimet, në një mbledhje të kryesisë së partisë.

 

Nga partia e Kovaçevskit do të shkojnë me versionin e dy bartësve paralel të listave. Mirëpo nga atje nuk konfirmojnë emra përveç atij të ish kryeministrit. Deri tani, publikisht kanë pranuar vetëm emrin e kreut të partisë Dimitar Kovaçevski si bartës të listës në njësinë e parë zgjedhore. Kurse jozyrtarisht, në njësinë e dytë zgjedhore me listën pritet të udhëheqin Sanja Llukarevska dhe Fatmir Bytyqi. Ish ministri i Brendshëm Oliver Spasovski pritet të jetë bartës në njësinë e tretë kurse Venko Filipçe përflitet për një rikthim të mundshëm si bartës së njësinë e katërt bashkë me Jovana Trençevskën. Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska pritet të jetë bartëse në njësinë e gjashtë. Si emra që mund të mbushin vendet e zbrazura të bartësve llogariten Jovan Mitrevski, Bisera Kostadinova, Mile Zeqeviq dhe partnerja e koalicionit Monika Zajkova.

 

LSDM
1. Dimitar Kovaçevski &
2. Sanja Llukarevska & Fatmir Bytyqi
3. Oliver Spasovski &
4. Venko Filipçe & Jovana Trençevska
5. /
6. Sllavjanka Petrovska &

 

Të konfirmuar deri tani edhe nga kreu i partisë janë emrat e bartësve të listave të VMRO-DPMNE-së. Hristijan Mickoski për herë të parë hyn në listat e kandidatëve për deputetë si bartës, edhe atë në njësinë zgjedhore numër një. Në njësinë e dytë do të jetë nënkryetari i partisë Vllado Misajllovski, në të tretën deputeti Dragan Kovaçki, në të katërtën do të jetë Aleksandar Nikollovski, ndërsa në të gjashtën deputetja Dafina Stojanovska. Partia ende nuk ka vendosur kandidat për njësinë e pestë zgjedhore.

VMRO – DPMNE

1. Hristijan Mickoski
2. Vllado Misajllovski
3. Dragan Kovaçki
4. Aleksandar Nikollovski
5. /
6. Dafina Stojanovska

Disa nga bartësit i kanë konfirmuar edhe nga koalicioni opozitar shqiptar VLEN. Tashmë dihet se liderët e partive të koalicionit do të jetë në krye të listave, edhe atë Izet Mexhiti në njësinë zgjedhore numër 1, Afrim Gashi në njësinë zgjedhore numër 2, Bilall Kasami në njësinë zgjedhore numër 6 dhe një kuadër i Aleancës për Shqiptarët në njësinë zgjedhore numër 5.

VLEN
1. Izet Mexhiti
2. Afrim Gashi
3. /
4. /
5. Kuadër i ASH-së
6. Bilall Kasami

Asnjëri nga BDI-ja deri tani nuk i ka konfirmuar emrat që përfliten si bartës të mundshëm të listave të tyre. Madje flitet hapur edhe për mundësinë e koalicionit të përbashkët të partisë së Ahmetit me ASH-në krahun e Ziadin Selës, me partinë Populli të Skender Rexhepit, me Partinë Demokratike Evropiane te Arjanit Hoxhës dhe me PDSH-në e Menduh Thaçit. Disa nga drejtuesit e lartpërmendur të këtyre partive, përfliten edhe si bartës të mundshëm të listave të përbashkëta për deputetë të këtij koalicioni, të cilin nuk e kanë konfirmuar akoma palët.

Listat e kandidatëve për deputetë dorëzohen në KSHZ e shumta deri më 2 prill, 35 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare fillon më 18 prill.

alsat

Media britanike “Express” shkrim Shqipërisë: Pranvera, koha ideale për pushimet në “Maldivet e Evropës”

maldivet shqiptareShqipëria po lakmohet gjithnjë e më shumë nga mediat botërore si një vend që duhet parë nga turistët duke rekomanduar edhe vendet se ku mund të shkojnë por edhe sezonin kur ta vizitojnë. E përditshmja britanike “Express” e ka konsideruar Shqipërinë si “Maldivet e Evropës” por me çmime shumë më të lira.

 

Britanikja “Express” thotë se periudha e pranverës është ideale për të parë Shqipërinë, me mot të ngrohtë dhe me plazhe të kristalta dhe pa fluks të lartë turistësh.

 

Shkrimi i plotë i të përditshmes britanike “Express”

Shqipëria është një nga destinacionet me rritje më të madhe në Evropë për turistët dhe pranvera është koha e përkryer për të vizituar “Maldivet e Evropës”.

Me afrimin e verës, shumë britanikë do të planifikojnë një arratisje në plazh, por nëse jeni të ngopur nga Spanja dhe një vend më lirë se Franca, ekziston një alternativë e përballueshme që është përshkruar si “Maldivet e Evropës”. Shqipëria është një nga destinacionet më emocionuese të pushimeve në Evropë.

 

Kur është sezoni “më i lirë” për të udhëtuar në Shqipëri?

Ndërkohë që vendi do të hapë një aeroport të ri në Vlorë, aktualisht turistët britanikë mund të fluturojnë vetëm drejt Tiranës në Shqipëri. Nëntori është koha më e lirë për të fluturuar drejt Shqipërisë, por britanikët do të gjejnë gjithashtu çmime të mira dhe mot të ngrohtë në qershor dhe shtator. Korriku dhe gushti janë muajt më të shtrenjtë për të udhëtuar drejt Shqipërisë.

Britanikët mund të arrijnë lehtësisht në vendpushimet e plazhit jugor të vendit nga Aeroporti i Korfuzit, kështu që ia vlen të kërkoni fluturime në të dy aeroportet përpara se të rezervoni.

 

Ku janë plazhet më të mira?

Ksamili, në jug të Shqipërisë, njihet si ‘Maldivet e Evropës’ dhe uji i tij i kristaltë dhe plazhet me rërë e bëjnë atë një destinacion popullor. Edhe Saranda është një qytet turistik me plazhe të bukura dhe shumë bare dhe restorante.

Durrësi është një orë e gjysmë me makinë nga Tirana, duke e bërë atë një zgjedhje të shkëlqyer për britanikët me kohë të shkurtër. Plazhet janë pak të mbushura me njerëz, ndërsa Vlora është një opsion më i mirë për turistët me më shumë kohë në dispozicion.

Midis Vlorës dhe Sarandës, turistët do të gjejnë Himarën e cila është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura të vendit duke përfshirë plazhin e Dhërmiut dhe plazhin e Gjipesë.

Plazhet kryesore turistike të Shqipërisë mund të jenë mjaft të zhurmshme dhe të mbushura me njerëz gjatë sezonit të pikut, kështu që nëse kjo nuk është skena juaj, merrni parasysh marrjen me qira të një makine për të arritur në pika më të izoluara.

Korriku dhe gushti janë muajt më të nxehtë të vitit në Shqipëri dhe temperaturat rregullisht arrijnë 30 gradë. Qershori dhe shtatori janë gjithashtu përgjithësisht të ngrohtë, ndërsa temperatura është e këndshme në maj.

rtsh

Rama inspekton punimet te ura e re e Kukësit: Do të lehtësojë sezonin e verës

Ura e kukesitKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka inspektuar nga afër punimet që po kryhen në urën e re të Kukësit.

Sipas Ramës, ndërtimi i urës i jep zgjidhje një nyjes së vjetër lidhëse të dy anëve të liqenit me rrugën kombëtare.

“Goxha operacion është”, tha Rama.

Ura e Madhe e Kukësit bashkon brigjet e Drinit në Rrugën e Kombit.

Ura e re e Kukësit ka dy bazamente prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa në të gjithë gjatësinë e saj është konstruksion metalik, me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme.

Ajo po zëvendëson urën e vjetër ekzistuese që ka më shumë se 45 vite që mban “mbi supe” me mijëra mjete përgjatë viteve.

Investimi prej 30 milionë dollarësh e bën atë një ngjarje ekonomike për zonën dhe lidhjen e Shqipërisë me Kosovën.

Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin është projektuar nga inxhinieri italian Giorgio Rizzo.

Ajo ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra, një lartësi prej 56 metra dhe peshon rreth 5000 tonë.

Do të ketë 4 korsi, në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo çeliku që fiksohen nga bazamenti në harkun e urës.

Pentagoni njofton për 300 milionë dollarë armatime të reja për Ukrainën

PentagonPentagoni do të dërgojë me shpejtësi armatime me vlerë prej 300 milionë dollarësh në Ukrainë, pasi shqyrtoi kontratat aktuale dhe identifikoi hapësira për të ulur kostot. Shtëpia e Bardhë tha të martën se sidoqoftë ushtrisë i duhen të paktën 10 miliardë dollarë buxhet shtesë për të riplotësuar të gjitha armatimet që ka tërhequr nga rezervat për t’ia dërguar Ukrainës.

 

Kjo është ndihma e parë për Ukrainën që njofton Pentagoni që nga muaji dhjetor, kur pati njoftuar se kishin mbaruar fondet. Madje gjatë ditëve të fundit, zyrtarët pranuan publikisht se jo vetëm që kishin përfunduar fondet, por se duheshin edhe 10 miliardë dollarë të tjera.

Njoftimi u bë ndërsa Ukrainës i ka rënë në mënyrë të rrezikshme niveli i municioneve dhe ndërsa përpjekjet për të siguruar armatim të ri kanë ngecur në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të kundërshtive të ligjvënësve republikanë. Zyrtarët amerikanë patën këmbëngulur prej muajsh se Shtetet e Bashkuara nuk do të ishin në gjendje të rifillonin me dërgesat e armatimeve derisa Kongresi të miratonte fondet shtesë, të cilat janë pjesë e projektbuxhetit të ngecur.

Fondet shtesë do t’i kishin mundësuar Pentagonit që të tërhiqte nga rezervat aktuale bazuar në urdhëra ekzekutivë të presidentit, për t’i dërguar ato në Ukrainë dhe për të shpallur kontrata të reja për blerje armatimi që do të zëvendësonte këto rezerva të nevojshme për gjendjen e gatishmërisë së ushtrisë amerikane.

“Kur forcat ruse përparojnë dhe godasin me artileri, Ukraina nuk ka municion të mjaftueshëm për t’iu kundërpërgjigjur zjarrit”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan, ndërsa njoftoi ndihmën prej 300 milionë dollarësh.

Pentagoni gjithashtu ka vepruar në kuadrin e një iniciative tjetër për Ndihmën për Sigurinë e Ukrainës (USAI), që ka mundësuar financimin e kontratave më afatgjata me industrinë e mbrojtjes për të prodhuar armë të reja për Ukrainën.

voa