Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, të pazhvilluara mjaftueshëm

MaredhenietKa ende shumë punë për të bërë për të konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. 65.6% e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 52.4% e shqiptarëve të Kosovës janë shprehur se marrëdhëniet mes dy kombeve nuk janë zhvilluar mjaftueshëm.

 

18.8% e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 30.7% e shqiptarëve të Kosovës janë neutral kur pyeten për konsolidimin edhe më tej të marrëdhënieve mes dy shteteve, por 9.1% e shqiptarëve në Shqipëri dhe 9.8% e shqiptarëve në Kosovë, nuk janë dakord që marrëdhëniet mes dy shteteve nuk janë zhvilluar mjaftueshëm. 6.5% e shqiptarëve në Shqipëri dhe 7.1% e shqiptarëve në Kosovë nuk e dinë zhvillimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë.

 

 

mbeshtetjeShumica e shqiptarëve në të dy vendet mendojnë se ne raport me dialogun me Serbinë, Shqipëria duhet ta mbështesë Kosovën pa kushte.

 

Kur bëhet fjalë për mbështetjen e Kosovës, 63.2% e shqiptarëve të Shqipërisë mendojnë se Shqipëria duhet ta mbështesë pa kushte Kosovën në dialogun me Serbinë, edhe kur kritikohet nga faktori ndërkombëtar. Të njëjtin mendim kanë edhe 72.8 % e shqiptarëve të Kosovës.

16.2% e shqiptarëve të Shqipërisë janë neutral kur pyeten për mbështetjen që shteti shqiptar duhet të japë për shtetin e Kosovës, ndërkohë që neutral janë edhe 15.3% e shqiptarëve të Kosovës.

Nuk janë dakord me mbështetjen pa kushte të Shqipërisë ndaj Kosovës sa i përket dialogut me Serbinë 17.4% e shqiptarëve të Shqipërisë. Të njëjtin mendim ndajnë edhe 5.6% e shqiptarëve të Kosovës. 3.2% e shqiptarëve të Shqipërisë janë shprehur ‘nuk e di’ kur janë pyetur në lidhje me këtë dhe 6.3% e shqiptarëve të Kosovës kanë ndarë të njëjtin mendim.

 

albin-kurtiNjë tjetër pyetje e Barometrit për qytetarët edhe në Shqipëri edhe në Kosovë ka qenë: “Cilin nga politikanët do të donit të kishit përfaqësuesin tuaj?”.

Mes 100 intervistave ballë për ballë të realizuara në Shqipëri në nivel kombëtar, rezulton se 25 % do të donin t’i përfaqësonte Albin Kurti, mes një liste të gjatë të përfaqësuesve politikë të Kosovës.

Më pak (19,6 %) do të donin t’i përfaqësonte Vjosa Osmani, 11,3 % do të donin t’i përfaqësonin politikanët e tjerë në listë.

35,7 % nuk do të donin asnjërin prej tyre t’i përfaqësonte.

 

 

politikanet1065 qytetarë të pyetur në Kosovë se cilin nga përfaqësuesit politik të Shqipërisë do të donin ta kishin përfaqësuesin e tyre në Kosovë, 22 % kanë zgjedhur Edi Ramën.

Një përqindje më e ulët, 11,2 % do të donin ti përfaqësonte Sali Berisha, 9,7 % do të donin përfaqësuesit e tjerë të listës me politikanët e Shqipërisë.

Përqindja më e lartë, 55 % nuk do të donin asnjërin prej politikanëve shqiptarë të dhënë në listën e Barometrit, t’i përfaqësonte në Kosovë.

euronews

Sonte pas mesnate ndërrohet ora, ja si do të lëvizin akrepat

ora verore dhe dimerore
Sot pas mesnate do të ndërrohet ora dimërore. Ndërrimi i orës bëhet në orën 02:00 të mëngjesit, kur akrepat e orës do të lëvizin një orë përpara.

 

Në këtë mënyrë do të humbasim një orë gjumë dhe kështu lëvizja e akrepave do të ndikojë në trupin tonë, por do të shijojmë një orë më shumë dritë. Sipas llogaritjeve, ndërrimi i orës do të bëhet përsëri në fundjavën e fundit të tetorit, natën ndërmjet të shtunës 26 dhe të dielës 27 tetor.

Disa orë, si ato në pajisjet teknologjike, do të ndërrohen automatikisht. Por për pajisjet e vjetra që nuk janë të lidhura me internetin, duhet t’i lëvizni manualisht para se të shkoni në shtrat sonte në mbrëmje.

Zgjimi një orë më herët se zakonisht mund të prishë ritmin tonë ose orën natyrale 24-orëshe të trupit dhe të na bëjë të ndihemi të përgjumur dhe të çorientuar.

Sonte duhet të shkojmë në shtrat një orë më herët, në mënyrë që të zvogëlojmë mundësinë e gjumit të dobët. Në një studim të botuar në revistën Sleep Science and Practice, gati 14% e njerëzve thanë se flinin më keq gjatë dy javëve pas ndërrimit të orës.

Ne të gjithë mbështetemi te drita e ditës dhe natës për t’i sinjalizuar trupit tonë se kur është koha për t’u zgjuar dhe për të fjetur, kështu që edhe ndryshimet delikate mund të prishin ritmin qarkullues që rregullon pushimin tonë.

euronews

Polonia paralajmëron se Evropa ka hyrë në “epokën e paraluftës”

Kryeministri i Polonisë, Donald TuskKryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka paralajmëruar për kërcënimin “real” të një konflikti në Evropë, duke thënë se për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore kontinenti ka hyrë “në epokën e paraluftës”.

 

“Lufta më nuk është koncept i së shkuarës. Është real dhe ka nisur dy vjet më parë. Gjëja më shqetësuese për momentin është se çdo skenar është i mundshëm. Nuk kam parë një situatë të tillë që nga viti 1945”, tha Tusk gjatë një interviste dhënë për grupin medial evropian, Lena, më 29 mars.

“E di që tingëllon e tmerrshme, veçmas për gjeneratën e re, por ne duhet ta pranojmë faktin që epoka e luftës ka nisur: epoka e paraluftës. Nuk po ekzagjeroj. Çdo ditë e më shumë kjo po bëhet më e qartë”.

Pushtimi rus i Ukrainës, që nisi mbi dy vjet më parë, përmbysi ndjenjën e liderëve evropianë për paqe të palëkundur të pasluftës, duke nxitur shumë shtete të rrisin prodhimin e armëve për të furnizuar edhe Kievin, por edhe ushtritë e tyre.

Ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, shteti i së cilit është një prej mbështetësve më të mëdhenj i Ukrainës fqinje, tha se nëse humb Kievi “askush” në Evropë nuk do të ndihet i sigurt.

Polonia kufizohet me Ukrainën dhe një ditë më parë ushtria polake njoftoi se kishte aktivizuar avionët luftarakë të ushtrisë, pas sulmeve ruse në Ukrainë, që ndodhën afër kufirit me Poloninë.

rel

Scholz: Putin e shkeli parimin e paqes

ScholzMarshimet tradicionale të Pashkëve në Gjermani këtë vit zhvillohen nën hijen e luftës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Politikanë gjermanë vlerësojnë dëshirën për paqe, por paralajmërojnë nga naiviteti para Putinit.

 

Në të gjithë Gjermaninë pjesëmarrësit në marshimet tradicionale të Pashkëve edhe këtë vit duan të dërgojnë një sinjal për paqen dhe kundër luftës. Dita kryesore e marshimeve tradicionale është e shtuna e pashkëve, ku janë paralajmëruar rreth 70 marshime për paqen në Gjermani. Kancelari gjerman, Olaf Scholz (SPD) me rastin e ditëve të Pashkëve e rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen gjermane për Ukrainën dhe e argumentoi atë me interesat gjermane të sigurisë. Edhe zëvendëskancelari, Robert Habeck (Të Gjelbrit), ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit), dhe kreu i partisë në opozitë, CDU,  Friedrich Merz kanë publikuar mesazhe për Pashkët.

 

Scholz: Paqe pa liri do të thotë shtypje

Në një mesazh me video, kancelari, Olaf Scholz tha se “ne të gjithë e dëshirojmë një botë më paqësore”. Por paqja pa liri do të thotë shtypje. Paqe pa drejtësi nuk ka. “Prandaj ne e mbështesim Ukrainën në luftën e saj për një paqe të drejtë, për sa kohë që kjo do të jetë e nevojshme. Ne e bëjmë këtë edhe për ne, për sigurinë tonë.” Scholz akuzoi Rusinë nën presidentin Putin, se ka shkelur një parim të vlefshëm prej dekadash: që kufijtë nuk ndryshohen me dhunë. “Por ne e kemi në dorë, ta ribëjmë të vlefshëm këtë parim. Duke e mbështetur Ukrainën edhe më tej, të vendosur e me maturi.”

 

Habeck: Gjermania duhet të mbrohet nga sulme ushtarake

Ndërsa zëvendëskancelari gjerman dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck në një video të publikuar të enjten në mbrëmje në platformën X, tha se “ne e dëshirojmë paqen. Po. Por përgjigjja e hidhur dhe e vërtetë është: me gjasë nuk do të ketë fund të shpejtë e të mirë, edhe pse ne e dëshirojmë ndryshe.” Në lidhje me agresionin rus, Habekc theksoi, se “duhet të përgatitemi për gjendjen e kërcënimit. Çdo gjë tjetër do të ishte naive.” Prandaj Gjermania do të bënte mirë të investonte më shumë në sigurinë e saj. “Ne, Gjermania, BE, ne duhet të mbrohemi tërësisht, edhe nga sulmet ushtarake.”

Habeck theksoi, se ka respekt për pozicionet që për arsye morale apo bindje fetare në lidhje me dërgimin e armëve ne Ukrainë arrijnë në një konkluzion tjetër, ndryshe nga i tiji. “E kuptoj shumë mirë, që njerëzit kanë frikë nga një shkallëzim i luftës. Edhe unë jam i shqetësuar.” Habeck u shpreh kundër një “ngrirjeje të luftës”. “Edhe pse e kuptoj shumë mirë, se për shkak të numrit të lartë të viktimave flitet për ngrirje të luftës, aq shumë e harron ky pozicion atë, që vetëm ukrainaset dhe ukrainasit mund të vendosin, se cilin çmim do të ishin të gatshëm të paguanin, dhe me cilat kushte do donin të arrinin një armëpushim apo të merrte fund lufta.”

la/tgsch

“Berisha do të dënohet dhe del nga politika”, avokati Ngjela: Duhet bashkimi i të djathtës, ndryshe…

Spartak NgjelaAvokati Spartak Ngjela, i ftuar në “Brekaing” me Dafina Hysën, deklaroi se Berisha do të dënohet dhe më pas do të dalë nga politika, kështu PD-ja do të bashkohet.

 

Ai tha se e djathta duhet të rigrupohet në një kongres, ndryshe nuk do të mundë të rivalizojnë PS-në.

Ndër të tjera avokati deklaroi se sipas ekspertëve të huaj, me të cilët ka biseduar, në zgjedhje opozita del me 17-18% të votave.

“E djathta duhet të rigrupohet. Nuk ka ombrellë, është kongres. PD-ja duhet të bëjë kongresin e ribashkimit dhe të nxjerrë ekipin e vet. Me njerëz të iluminuar, por edhe shqiptarë nga diaspora me pozicione, atëhere edhe e merr pushtetin, por kështu lodhet kot. E djathta ka nevojë për ide. Nuk ka nevojë për lehje, ide. Idetë e çorientojnë opinionin publik sepse shumica e këtyre është kompakte. Unë e di se çfarë kam hequr për t’i mundur ata.

Shoqëria është e majtë, për arsye që dihen. Ne duhet që në këto momente, politikanët që janë në parlament dhe duan ndryshimin e gjendjes, duhet patjetër që të bëjnë këtë gjë, të bëjnë bashkimin. Bashkimi i të djathtës në një kongres. Ai e sjell gjendjen në një konkurrencë normale kundër socialistëve, se ata janë të pamposhtur. Kam biseduar me ekspertë të huaj, 17-18% del e djathta nga sondazhet.

Ata do ta bëjnë bashkimin sepse do të dënohet Berisha, e do të dalë nga politika. Por a do të kenë kohë? Unë jam avokat, nuk mund të jem për dënime, por e pashë akuzën. Është flagrancë. Do të dënohet, qoftë edhe me muaj. Ikën nga politika”, tha Ngjela.

tch

Vuçiç: Serbia dhe populli serb nën trysni nga komuniteti perëndimor

VucicPresidenti serb Aleksandar Vuçiç, kritikoi të premten ashpër perëndimin për qasjen ndaj Kosovës së cilës i është bërë ftesë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe Republikën Serbe në Bosnjë, duke paralajmëruar se në muajin prill në OKB mund të paraqitet një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë.

 

Në një konferencë të gjatë shtypi në Beograd, ai foli me tone shpesh të rrepta ndërsa u përpoq të shpjegojë paralajmërimin e bërë më 26 mars për ditë të vështira për Serbinë dhe lajme, “që kërcënojnë drejtpërdrejt interesat tona jetike kombëtare, si të Serbisë ashtu edhe të Republikës Serbe”.

Ai të premten se Serbia dhe populli serb ndodhen nën trysni nga komuniteti perëndimorë “në radhë të parë për shkak të neutralitetit tonë ushtarak, qëndrimit tonë ndaj konfliktit në Ukrainë dhe mosbashkimit me sanksionet kundër Rusisë. Arsyeja e tretë, që lidhet me dy të mëparshmet, është se vendet perëndimore ndjejnë shumë trysni për shkak të përparimit të forcave ruse dhe pasigurisë se si do të përfundojë luftë si dhe nën trysni nga politikat e mundshme të ardhshme nga Moska që do të mbështeten në atë që shpesh quhet precedent i Kosovës”.

Perëndimorët tha ai, po nguten t’i heqin shembullin e Kosovës nga duart e presidentit rus, Vladimir Putin.

Ai kritikoi vendimin e Komisionit për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës për t’i hapur rrugën e anëtarësimit të Kosovës në këtë këshill dhe posaçërisht raportuesen për Kosovën, Dora Bakoyanis, e cila tha Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Ai theksoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pëprarësi e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër, ndërsa raportuesja e hoqi si kusht nga raporti i saj për Këshillin e Evropës.

“Dora – turp të kesh”, tha ai.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës me 18 prill, dhe më pas çështja kalon ne Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi.

Serbia votoi kundër, ndonëse sipas ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët zotohen se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Presidenti serb i vlerësoi të vështira bisedimet rreth ndalimit përdorimit të dinarit serb për pagesa të gatshme në Kosovë. Ai tha se Serbisë po i kërkohet t’ia “shesë” ndonjë banke private bankën serbe, Kursimorja e Postës. Serbia tha ai, “nuk mund dhe nuk do të pranojë heqjen e dinarit” nga përdorimi në Kosovë.

Ai përmendi bllokimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë si dhe rrugën e zgjedhur nga autoritetet në Prishtinë për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Ai e vlerësoi ndërkaq shumë të ndërlikuar situatën në Republikën Serbe në Bosnjë duke paralajmëruar se në fund të muajit prill në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara prite të vihet në rend dite rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

“Kjo ndodhë për dy arsye: një është që populli serb të dënohet për politikën e tij të pavarur e liridashëse dhe të shtohet trysnia për shkak të Kosovës”, tha ai duke shtuar se nëse një rezolutë e tillë miratohet, atëherë do të kërkojnë që Serbia të paguajë dëmet e luftës.

Mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, nga forcat serbe.

Ai tha se perëndimorët po nguten për shkak të zgjedhjeve në Amerikë dhe posaçërisht për shkak të asaj çfarë po ndodhë në Ukrainë.

“Neve kjo na vë në pozitë shumë të vështirë sepse synojmë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe nga kjo rrugë nuk kemi hequr dorë”, tha presidenti serb.

voa

Ambasada amerikane në Sarajevë: Veprimet e Dodikut – sulm ndaj strukturës shtetërore të Bosnjës

Michael Murphy, ambasadori amerikan në SarajevëAmbasada amerikane në Sarajevë akuzoi të premten presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik për “sulm të drejtpërdrejtë ndaj strukturës shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”, që i dha fund luftës në vitin 1995.

 

Natën ndërmjet së enjtes dhe të premtes, Asambleja e Republikës Serbe miratoi projektligjin zgjedhor të këtij entiteti, teksti i të cilit parashikon përvetësimin e kompetencave të Bosnjës e Hercegovinës për zhvillimin e zgjedhjeve në vend.

Ky qëndrim i entitetit serb pasoi njoftimin e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjën Christian Shmidt, për ndryshime në procesin zgjedhor në Bosnje dhe Hercegovinë. Njoftimi që u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, u kundërshtua nga Milorad Dodik, i cili kërkoi të enjten që brenda 7 ditësh të anulohen vendimet e zotit Shmidt, “në të kundërtën përfaqësuesit e Republikës Serbe do të braktisin institucionet vendimmarrëse të Bosnjës e Hercegovinës” dhe nuk do të kthehen më.

Në një komunikatë të ambasadës amerikane në Sarajevë thuhet se përfundimet dhe legjislacioni që Milorad Dodiku dhe partnerët e tij në koalicionin qeverisës në Republikën Serbe nxorën dje, “përfaqësojnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj strukturës shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Siç bëjnë shpesh, z. Dodik dhe sejmenët e tij, demonstruan përbuzjen e tyre për demokracinë dhe pluralizmin politik me gjuhën e neveritshme që u drejtuan anëtarëve të asamblesë që kundërshtuan këto masa”.

Ambasada thekson se nuk është befasi që z. Dodik dhe simpatizantët e tij sulmuan veprimin e fundit të Përfaqësuesit të Lartë për të forcuar integritetin e procesit zgjedhor, “duke qenë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme paraqesin një kërcënim ekzistencial për partitë që mbështeten në mashtrime për të ruajtur kontrollin e tyre në pushtet”.

Ambasada tërheq vërejtjen se projektligji zgjedhor i Republikës Serbe “do të uzurponte kompetencat e nivelit shtetëror dhe do të krijonte një sistem zgjedhor paralel”. Kjo, thuhet në komunikatë, është një shembull tjetër i politikave destruktive, anti Dayton të zotit Dodik, të cilat kanë penguar rrugëtimin e Bosnjës drejt integrimit euroatlantik.

Milorad Dodiku tha të enjten se ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Gjermanisë, si dhe përfaqësuesi Schmidt, duhet të shpallen armiq të Bosnjës dhe të dëbohen nga vendi.

Ambasada amerikane nuk i komentoi këto kërkesa, por tha se nëse z. Dodik donte të lehtësonte mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, dhe të avanconte me shpejtësi integrimin e Bosnjës në institucionet evropiane, ai mund ta bënte këtë duke u angazhuar në negociata të mirëbesimit që synojnë të krijojnë konsensus dhe kompromis, si dhe duke përqafuar reforma në përputhje me standardet evropiane në vend që t’u rezistojë atyre, përmes politikës së bllokadës e shantazhit.

Mbledhja e Asamblesë së Republikës Serbe, thuhet në komunikatë, është dëshmi se zoti Dodik nuk kujdeset për njerëzit e këtij vendi, përfshirë banorët e Republikës Serbe dhe është i përgatitur të sakrifikojë përparimin e zgjedhësve të tij për interesat e tij të ngushta politike dhe financiare.

Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht tërësinë tokësore, sovranitetin dhe karakterin shumetnik të Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe ne do të vazhdojmë të përdorim mjetet që kemi në dispozicion për të trajtuar veprimet kundër marrëveshjes së Dejtonit”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Sarajevë.

Një politikan pro rus, Milorad Dodiku, i cili më parë ka bërë thirrje për shkëputjen e entitetit të tij dhe bashkimin me Serbinë, është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republikën Serbe dhe Federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë.

voa

Zaçaj: Nuk i takon politikës të vendosë se si të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të ShqipërisëKryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Holta Zaçaj thotë se nuk i takon politikës të vendosë se si të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi është Kushtetuta ajo që përcakton domosdoshmërinë e zbatimit të tyre. Ajo foli në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë një vizite të një delegacioni të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë në Uashington për takime në Departamentin e Drejtësisë dhe atë të Shtetit. Zonja Zaçaj tha se moszbatimi nga institucionet i vendimeve të saj tregon nivelin e demokracisë në vend. Ajo hodhi poshtë akuzat se gjykata është e njëanshme.

 

Zëri i Amerikës: Fillimisht të flasim për synimin e kësaj vizite këtu në Uashington. Cili ishte objektivi i saj?

Holta Zaçaj: Kjo vizitë ishte një vizitë e programuar mes dy gjykatave dhe partnerëve të reformës në drejtësi, me Departamentin e Drejtësisë dhe Departamentin e Shtetit. Gjithashtu, patëm edhe një vizitë në Dhomën e Avokatëve Amerikanë dhe në Universitetin Georgetown.

Zëri i Amerikës: Le të kalojmë tani tek disa nga temat e Shqipërisë dhe të punës së Gjykatës. Në Shqipëri, disa vendime të Gjykatës nuk po gjejnë zbatim nga Parlamenti ose po zvarriten në kohë, siç është rasti i mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Është një situatë e pazakontë. Në një mungesë të një mekanizmi që të zbatohen këto vendime, çfarë bëhet? Është një situatë shqetësuese…

Holta Zaçaj: Është një pyetje, në fakt, e përsëritur për Gjykatën dhe për mua personalisht në daljet e mia në media. Është vërtet një situatë e pazakontë dhe e pamundur që të ndodhë në një shtet demokratik. Unë e kam përmendur dhe herë të tjera – vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën, në fakt, zbatim të vetë Kushtetutës. Kështu që fjalët janë të tepërta për të dhënë një mesazh më tepër përtej kësaj që unë sapo thashë. Çdo vendim duhet të zbatohet. Nuk ka një rrugë tjetër, nuk ka një mekanizëm tjetër dhe arsyeja pse nuk ka një mekanizëm tjetër është sepse është e pamundur të imagjinohet që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kështu që nuk mbetet shumë për të interpretuar në këtë moment.

Zëri i Amerikës: Por realiteti është i tillë që po zvarriten disa nga këto çështje…

Holta Zaçaj: Gjykata përveç kësaj që unë sapo shpreha, nuk mund të bëj një deklaratë tjetër. Patjetër që institucionet, të cilat janë të ngarkuara për zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të sillen në mënyrë kushtetuese. Ky është mesazhi që unë kam.

Zëri i Amerikës: Një tjetër vendim i Gjykatës ka të bëjë me votën e emigrantëve, e cila duket se nuk do të arrijë të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme. A e shikoni këtë si mungesë të vullnetit politik në vend dhe a do ta prekë moszbatimi i tij legjitimitetin e zgjedhjeve të ardhshme?

Holta Zaçaj: Besoj që unë i dhashë përgjigje kësaj pyetjeje. Domethënë, fakti që kemi një vendim apo një tjetër nuk ndryshon qasjen e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zbatimin e vendimeve të saj. Gjykata flet me vendime, vendimet e Gjykatës duhet të zbatohen, vendimet e Gjykatës nuk kanë ekuivok, nuk është lënë në çmim të politikës të vendosi se si dhe në ç‘mënyrë duhet të zbatojë vendimet. Vendimet janë të vetëzbatueshme. Kështu që çdo veprim që nuk përkon me atë që është thënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, besoj që nuk është vendimi i duhur ose nuk janë veprime të duhura.

Zëri i Amerikës: A tregon kjo një mosrespektim të një dege të rëndësishme të qeverisjes në Shqipëri?

Holta Zaçaj: Patjetër që është një indikator i llojit të demokracisë që kemi dhe të stadit të demokracisë që kemi.

Zëri i Amerikës: Opozita e ka kritikuar Gjykatën disa herë se mban anën e qeverisë për disa vendime që kanë pasë një përfundim të ngushtë, siç ishte ai për paktin Rama-Meloni. Si u përgjigjeni këtyre kritikave?

Holta Zaçaj: Ne vlerësojmë shumë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e fjalës, e cila është një nga liritë më të rëndësishme në Kushtetutë, por patjetër çka i lejon të gjithë aktorëve të japin mendimin dhe opinionin e tyre. Vendimi i Gjykatës është ai që jepet dhe ne si gjyqtarë nuk komentojmë përtej kësaj. Patjetër që në çdo vendim të Gjykatës ka palë që mbeten të pakënaqura siç ndodh në çdo vendimmarrje tjetër të çdo gjyqësori. Kështu që pjesën e kriticizmit apo të mendimeve të ndryshme ne e shohim si një vlerë të demokracisë në lidhje me zbatimin dhe respektimin e të drejtës për t’u shprehur. Por përtej kësaj vendimi i gjykatës ka argumentet e tij, siç ka edhe argumente të gjyqtarëve që janë pakicë për një çështje apo një tjetër. Përtej kësaj, është e pamundur për ne të komentojmë. Sigurisht, respektojmë mendimin ndryshe që vjen nga publiku, por si një mendim që i takon publikut. Gjykata, kini parasysh, vepron në mënyrë hermetike. Është luftuar për të pasur një gjykatë hermetike dhe gjyqtarë të pavarur apo gjykatë të pavarur. Kështu që pjesa tjetër se si mendon publiku për një vendim të Gjykatës, i cili bazohet në Kushtetutë dhe duhej të bazohej vetëm në Kushtetutë dhe në ligj, është në fakt vetëm një arritje e të drejtës për t’u shprehur. Përtej kësaj, Gjykata ka folur.

Zëri i Amerikës: Megjithëse gjykata vepron në mënyrë hermetike, vota e anëtarëve, apo se si mendojnë ata, del publikisht. Disa nga vendimet janë marrë 5 me 4. A e cënojnë autoritetin dhe besueshmërinë e gjykatës këto rezultate shumë të afërta?

Holta Zaçaj: Jo. Unë mendoj që kjo është një shenjë e demokracisë. Dhe fakti që gjykata dhe gjyqtarët funksionojnë në mënyrë të pavarur, fakti që kemi vendime 5 me 4, vendime 6 me 3, tregon vetëm që gjyqtarët janë të pavarur, ata nuk veprojnë nën presion, nuk ka asnjë lloj presioni të brendshëm brenda gjykatës për të pasur, si të thuash, unanimitete false. Kështu që ne e shohim si një shenjë të demokracisë së brendshme të institucionit, por dhe pavarësisë së institucionit në përgjithësi. Kjo ndodh rëndom. Ndodh edhe në këtë vend. Ndodh edhe në shumë vende të tjera, ku gjyqtarët ndahen. Fakti që procedura në Shqipëri lejon që gjyqtarët e pakicës të shprehin mendimet e tyre, është një mënyrë tjetër për të treguar, ose një instrument në njëfarë mënyre llogaridhënieje për publikun, për t’u shprehur se si secili mendon për një çështje, por përtej kësaj kjo nuk cënon vendimmarrjen vetë.

Zëri i Amerikës: Për një rast tjetër konkret, që ishte po ashtu i pazakontë, për Butrintin, që për shkak se qeveria nuk e dha një dokument të UNESCO-s, u bë hapi i pazakontë i rihapjes së kësaj çështjeje. Kjo nxori në pah pikërisht faktin që qeveria nuk dha një dokument që duhet ta kishte dhënë. Si e vlerësoni ju një gjë të tillë?

Holta Zaçaj: Çelja e hetimit gjyqësor në fakt është një procedurë e cila parashikohet në rregulloren e gjykatës dhe në ligjin. Dhe është një gjë që ndodh edhe në gjyqësorin e zakonshëm. Pra ndodh vetëm atëherë kur një provë e caktuar, e cila nuk ishte e mundur të merrej gjatë zhvillimit normal të procesit gjyqësor, bëhet e ditur që ekziston dhe për këtë shkak, për shkak të kërkesës që kanë palët për këtë çështje, gjykata patjetër ka për detyrë ta marri në konsideratë.

Zëri i Amerikës: …E kisha fjalën që në këtë rast nuk u arrit të merrej sepse nuk u dha një dokument që duhej të jepej. Ishte një detyrim që të jepej.

Holta Zaçaj: Dua t’ju shpjegoj diçka, që gjyqi në Gjykatën Kushtetuese patjetër që bazohet mbi dokumentet dhe palët që bëjnë dëshmi dhe që japin informacion, mbajnë përgjegjësitë e tyre. Por, nuk është një gjyq penal. Pra, ka karakteristika të ndryshme gjykimi kushtetues nga ai i gjykimit penal. Deri në atë moment, përfaqësuesit e qeverisë thanë që nuk e dispononin këtë raport. Dhe më pas rezultoi që ishte dërguar në një kohë të caktuar nga UNESCO. Për gjykatën e rëndësishme është që gjykimi kushtetues dhe vendimmarrja kushtetuese të bazohet mbi të gjitha provat e mundshme. Dhe ne prandaj e përdorëm atë instrument procedurial që na e lejon rregullorja dhe ligji, për të arritur më afër së vërtetës, për atë që vlen kjo provë. Përtej kësaj, secili organ i përfshirë në proces mban përgjegjësitë e veta dhe ky është komenti im për këtë çështje.

voa

Pse shërbimet sekrete ndajnë informacione mes tyre?

dylbiSHBA e kishin paralajmëruar Rusinë, disa javë më parë për një sulm të mundshëm si ai që ndodhi vërtet më 22 mars. Kur bëhet fjalë për terrorizmin shërbimet sekrete punojnë në mënyrë kolegiale me informacionet që kanë.

 

Shërbimet sekrete, siç e thotë edhe emri, punojnë në fshehtësi. Ato mbledhin informacione, që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, ose informacione që mund të ndihmojnë qeveritë e tyre për të marrë vendimet politike.

Për këtë gjë informacionet mund të nxirren me metoda spiunazhi edhe nga vendet aleate, kështu për shembull shërbimi sekret amerikan, NSA ka pasur nën vëzhgim për vite me radhë një telefon celular të ish-kancelares gjermane, Angela Merkel. Mund të imagjinohet, se Uashingtoni do të kish dashur që kjo çështje të mos kishte dalë ndonjëherë në shesh.

Por në situata të tjera shërbimet sekrete i ndajnë informacionet që kanë me shërbimet e tjera sekrete. Për shembull më 23 shkurt 2022, SHBA ndau me Gjermaninë dhe partnerët e tjerë europianë informacionin, sipas të cilit, Rusia do të fillonte natën e ardhshme sulmin kundër Ukrainës.

Sa i përket sulmit të së premtes së kaluar (22.03.2024) në Krasnogorsk, afër Moskës, kemi të bëjmë me një rast parimisht të pazakontë, kur informacionet i jepen madje një shteti që nuk shihet si shtet aleat.

 

Çfarë informacionesh i dha SHBA Rusisë?

Më 7 mars ambasada e SHBA-së në Moskë paralajmëroi njerëzit e vet se „Ekstremistët kanë plane të afërta për të sulmuar në Moskë vende ku janë grumbulluar numër i madh njerëzish, mes të cilëve edhe vende ku mbahen koncerte.” 48 orë rresht nuk duhet shkuar nëpër aktivitete masive.

Faktikisht të pandehur islamistë goditën 15 ditë më vonë, por pavarësisht nga kjo, përmbajtja e paralajmërimit ishte e njëjtë me sulmin e ndodhur në sallën Crosus të qytetit, ku humbën jetën 130 vetë.

Pak orë pas dhënies së alarmit për sulmin, zëdhënësja e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtaret të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, foli duke iu referuar paralajmërimit të bërë më 7 mars.

“Qeveria amerikane ia ka transmetuar këtë informacion palës ruse, siç ndodh prej kohësh në kuadër të politikës sonë „detyrim për të bërë paralajmërimet,” shpjegoi ajo. Detajet e tjera apo burimi i informacionit të shërbimit sekret nuk u bënë publike.

 

Sa seriozisht e mori pala ruse paralajmërimin?

Me sa duket Moska nuk e mori parlajmërimin për sulm sa duhet seriozisht, mendon edhe analisti i terrorizmit në Kolegjin King të Londrës, Peter Neumann: „Këtë e tregon fakti që Vladimir Putini doli pesë ditë më parë dhe e hodhi poshtë këtë paralajmërim duke e quajtur publikisht si propagandë. Ai tha në parim, se kjo është një lloj lufte psikologjike e amerikanëve, që kërkon të hutojë Putinin, dhe nuk e mori fare seriozisht”, tha Neumann në bisedë me radion kombëtare gjermane, Deutschlandfunk.

 

Sa e vetëkuptueshme apo e pazakontë është dhënia e informacioneve në kohë lufte?

SHBA nuk janë palë lufte në luftën e Ukrainës, megjithatë e shohin Rusinë si rrezik për sigurinë e jashtme, në fund të fundit pushtetmbajtësi Putin kërcënon vazhdimisht hapur Uashingtonin. “Unë mendoj se prandaj amerikanët e dhanë paralajmërimin publikisht, sepse me sa duket nuk ekziston më ndonjë bashkëpunim me shërbimin sekret rus”. thotë Michael Götschenberg, ekspert për çështjet e sigurisë në rrjetin publik gjerman të transmetimit, ARD.

“Parimisht ndodh që shtetet të këmbejnë gjithnjë informacione për sulme terroriste që pritet të ndodhin ose që janë planifikuar të kryhen, kur mësojnë për një gjë të tillë. Kjo ka ndodhur edhe më parë në bashkëpunimin me shërbimin sekret rus. Por unë mendoj se për shkak të luftës që Rusia bën në Ukrainë, ky bashkëpunim është ndërprerë,” thotë Götschenberg në bisedë me Deutsche Wellen.

 

Sa i ngushtë është bashkëpunimi i shërbimeve sekrete në fushën e terrorizmit ndërkombëtar?

Grupime si ato të provincës Khorasan, që mbahet nga një krah i shtetit islamik IS, (ISPK), i kapërcejnë kufijtë e vendit, këtë e tregojnë edhe sulmet e fundit në Rusi, Iran dhe Afganistan. Prandaj për sigurinë publike është vendimtare, që ata që e ruajnë atë në vende të ndryshme edhe të bashkëpunojnë.

Sipas vlerësimeve të Götschenberg-ut parimisht kjo gjë funksionon: “Sidomos në fushën e shërbimeve sekrete perëndimore këmbehen informacione në mënyrë konsekuente dhe jepen sinjale që përpunohen më tej nga autoritetet përkatëse hetimore. Shpesh del se sinjalet e dhëna janë pa bazë. Por, atje ku shihet se mund të zbulohet diçka, zhvillohen hetime dhe personi arrestohet.”

 

Kështu ka qenë gjithnjë?

Shërbimet sekrete amerikane bazohen në një direktivë që mund të shihet publikisht, direktivën për „detyrim për të bërë palamajmërimin”, të ligjit për shërbimet sekrete të vitit 1947, si dhe një dekret i nxjerrë nga ish-presidenti Ronald Reagan, në vitin 1981. Intensiteti me të cilin këmbehen vërtet informacione të tilla, ka rënë sidomos vitet e fundit, mendon Michael Götschenberg.

“Parimisht mund të thuash, se 11 shtatori ka luajtur një rol shumë të madh,” thotë Götschenberg. “U tha se kjo gjë nuk duhet të na ndodhë sërish, që sinjale të rëndësishme të mos jepen. Dhe kjo vazhdon edhe sot.” Më 11 shtator 2001, idhtarë të luftëtarëve Al Kaidas islamike rrëmbyen katër avionë linje në SHBA dhe rrëzuan mes të tjerash qendrën e tregtisë ndërkombëtare në Nju Jork. Gjithsej 3 mijë vetë humbën jetën. Më pas u bë e ditur se autoritetet amerikane nuk i kishin analizuar si duhet disa sinjale të dhëna nga shërbimet sekrete të huaja.

 

Si e trajtojnë shërbimet sekrete gjermane ISPK?

Sipas mendimit të ekspertit të terrorizmit të ARD, Götschenberg autoritetet gjermane kanë kryer vitet e fundit punë të mirë sa i përket ISPK: „Dy vitet e fundit ne kemi pasur të bëjmë me situata, ku idhtarë të ISPK janë dyshuar të kenë bërë plane për sulme. Është arritur që këto sulme të mundshme të shkatërrohen në fazën e hershme.”

Në qytetin gjermanoperëndimor të Këlnit, me një milionë banorë, idhtarë të mundshëm të ISPK patën vënë në shënjestër Katedralen që vizitohet nga shumë turistë si dhe një festë popullore. Vetëm një javë më parë, hetuesit arrestuan në qytetin gjermano-qëndror të Gerës dy vetë, që të udhëhequr nga ISPK mendohet se kishin bërë plane të zhvillonin një sulm mbi parlamentin suedez.

Analisti terrorizmit Neumann, thotë në radion Deutschlandfunk, se sipas Europol-it, numri i përpjekjeve për të zhvilluar sulme është rritur shumë pas 7 tetorit, sulmit të grupit islamik terrorist Hamas kundër Izraelit: “Falë Zotit, deri tani nuk ka ndodhur gjë, por sulmet janë duke u shpeshtuar.” Nganjëherë „është çështje fati, që nuk ndodh gjë.”

dw

Kërcënim real nga Rusia? Përgjigjet zyrtari i lartë i NATO-s: Duhet të përgatitemi, ambicia…

Lejtnant Admirali Rob BauerDrejtuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Lejtnant Admirali Rob Bauer, deklaroi se aktualisht nuk ka shenja që Rusia po planifikon një sulm ndaj një anëtari të NATO-s.

 

Ai paralajmëroi se NATO duhet të përgatitet për përshkallëzimin e ardhshëm, pasi ambiciet e Rusisë shtrihen përtej Ukrainës.

“Nuk ka shenja se Rusia po planifikon një sulm kundër anëtarëve të NATO-s, por aleanca Atlantike duhet të përgatitet për një përshkallëzim të ardhshëm”, tha ai gjatë vizitës në Letoni.

Pavarësisht asnjë kërcënimi të menjëhershëm, ka shqetësime midis liderëve perëndimorë për sulmet e mundshme ruse ndaj NATO-s në vitet e ardhshme.

Presidenti polak Andrzej Duda dhe ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen kanë shprehur shqetësime për një sulm të mundshëm rus që në vitin 2026 ose 2027.

Anëtarët e NATO-s kanë ngritur gjithashtu shqetësime për mungesën e pajisjeve dhe fuqisë punëtore në përgatitje për një luftë të mundshme gjithëpërfshirëse.

Zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar pranuan më 26 mars se nuk do të ishin në gjendje të luftonin Rusinë për më shumë se disa muaj për shkak të mungesës së municioneve dhe pajisjeve.

West Observer shkruan se Instituti për Studimin e Luftës me qendër në SHBA ka vlerësuar se treguesit ekonomikë dhe ushtarakë sugjerojnë se Rusia mund të përgatitet për një luftë konvencionale në shkallë të gjerë me NATO-n në një afat kohor më të shkurtër sesa mendohej më parë.

Ndërsa ISW nuk sheh një kërcënim të menjëhershëm, ata besojnë se fokusi i presidentit rus Vladimir Putin në rritjen e aftësive ekonomike dhe ushtarake të Rusisë tregon përgatitjen për konflikt përtej situatës aktuale në Ukrainë.

Lejtnant Admirali Rob Bauer deklaroi se anëtarëve të NATO-s u kërkohet të jenë të përgatitur për çdo skenar dhe diskutim të mundshëm se si aleanca do të vazhdojë të veprojë përballë tensioneve në rritje.

Ai theksoi rëndësinë e diskutimeve brenda NATO-s për të siguruar gatishmërinë dhe një përgjigje të unifikuar ndaj çdo kërcënimi të mundshëm.

“Aleanca duhet të qëndrojë vigjilente dhe të përshtatet me ndryshimet në peizazhin e sigurisë për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e anëtarëve të saj. Duke qëndruar e informuar dhe duke u angazhuar në dialog, NATO mund të trajtojë në mënyrë efektive çdo sfidë që mund të lindë në të ardhmen”, tha zyrtari i NATO-s.

tch