Një shkrim i portalit nga Sarajeva “Slobodna Bosna” për planet e supozuara të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në rajon dhe kontrollin e dy portaleve kosovare nga pushteti i Vuçiqit, shkaktoi reagime të shumta nga gazetarët, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, partitë opozitare dhe ekspertët e mediave.
Në këtë shkrim flitet për portalet nga Kosova “Nacionale” dhe “Periskopi”.
Reagimet e tyre kanë të bëjnë kryesisht me faktin se pjesa e tekstit, që ka të bëjë me ndikimin e pushtetit serb ndaj dy portaleve në Kosovë është shpërndarë nga deputetë e anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje – partisë në pushtet në Kosovë – gjë që po konsiderohet si “frikësim i gazetarëve dhe presion nga pushteti”.
Reagime ka pasur edhe për faktin se pjesë të tekstit janë transmetuar nga transmetuesi publik i Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës (RTK), gjë që ka bërë që disa gazetarë dhe redaktorë të punësuar në këtë medium të distancohen nga ajo kronikë që u transmetua më 22 korrik.
Po ashtu kanë reaguar edhe partitë opozitare, të cilat pretendojnë se RTK-ja, që transmetoi tekstin e portalit nga Sarajeva, është “shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit”.
Bordi i RTK-së më 23 korrik mbajti mbledhje të jashtëzakonshme dhe përmes një njoftimi tha se është i shqetësuar për publikimin “e artikullit kontrovers në RTK”, që e cilësoi si “lëshim të qartë”, duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së RTK-së, Zana Spahiu, ka informuar bordin se, “do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”.
Ndërkaq, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës për koment lidhur me akuzat për “frikësim të gazetarëve”. Por, nga ky institucion nuk janë përgjigjur.
Megjithatë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se sa i përket dy portaleve, gjatë të mërkurës i ka dhënë informacione Prokurorisë sepse, siç u shpreh ajo, “është e rëndësishme të dimë se kush financohet nga Serbia”.
Çfarë thuhet në tekstin e portalit “Slobodna Bosna”?
Teksti, që për autor ka ekipin hulumtues të “Slobodna Bosna”, u publikua më 22 korrik dhe, duke u bazuar në burime, tregon se si minierat e litiumit në Serbi “janë shkaktar i mundshëm i i konflikteve të reja në Serbi dhe rajon, por edhe në Bosnje e Hercegovine”.
Bashkëbisedues në këtë tekst të “Slobodna Bosna” është edhe Boban Bogdanoviq nga Beogradi, i cili u vu në qendër të vëmendjes së publikut në vitin 2022, kur në cilësinë e shokut të anëtarit të vrarë të grupit kriminal të Velko Belivukut, për rrjetin hulumtues nga Beogradi, KRIK, deklaroi se për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, morën pjesë grupi Belivuk dhe Zvonko Vesellinoviq.
Kush është Boban Bogdanoviq?
Në llogarinë e tij në rrjetin social X, Bodganoviq thotë se është “disident politik”.
Në një intervistë për KRIK të Beogradit, ai e kishte përshkruar veten si një biznesmen që zhvillon dhe shet kompani dhe se ishte anëtar i Lëvizjes opozitare të Qytetarëve të Lirë në Serbi.
Në dhjetor 2022, Bogdanoviq dhe Lëvizja e tij “Odgovor” nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me Nismën Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, të politikanit serb nga Kosova, Nenad Rashiq.
Rashiq aktualisht është ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Ai u emërua në këtë post nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi Lista Serbe u largua nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.
Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit, Bogdanoviq dhe Rashiq në një konferencë për media thanë se duan të përmirësojnë kushtet e jetesës së serbëve në Kosovë dhe të kontribuojnë në bashkëjetesën e qëndrueshme mes serbëve dhe shqiptarëve.
Megjithatë, Rashiq tha për Radion Evropa e Lirë më 23 korrik se përveç nënshkrimit formal të memorandumit, “bashkëpunimi praktik nuk filloi kurrë”.
Në mesin e janarit 2023, Bogdanoviq shkroi për të përditshmen beogradase, Danas, për takimin e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me “për pozitën e serbëve në veri të Kosovës”.
Ai në rrjetin X shkroi se nuk është ai burimi i portalit të Sarajevës, sa i përket pjesës së tekstit ku përmenden dy portalet nga Kosova.
Në një pjesë të tekstit, duke cituar burime të paidentifikuara, “Slobodna Bosna” shkroi se pushteti i Vuçiqit po zgjerohet kur bëhet fjalë për “heshtjen” e mediave të papërshtatshme në rajon dhe se tashmë ka ardhur koha që e njëjta gjë të bëhet edhe ndaj mediave në Kosovë.
“Në rend të parë është portali ‘Periskopi’, i cili është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Millan Radoiçiq, dhe kohët e fundit është bërë një transaksion miliona dollarësh te [portali] ‘Nacionale’, i cili është vënë në dispozicion të pushtetit të Vuçiqit me tekste kritike për Qeverinë e Albin Kurtit, duke shkaktuar zemërim te shqiptarët e Kosovës”, shkroi ndër të tjera “Slobodna Bosna”.
Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.
“Periskopi” dhe “Nacionale” mohuan këto akuza dhe paralajmëruan padi ndaj portalit nga Sarajeva dhe ankesë ndaj RTK-së.
RTK ka cituar pjesë nga teksti i “Slobodna Bosna”, por pa përmendur saktësisht se për cilat media në Kosovë bëhet fjalë.
Shkrimet e RTK-së dhe portalit “Slobodna Bosna” më pas janë shpërndarë nga deputetët e Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe Dimal Basha, në rrjetin social Facebook.
Lidhur me këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke treguar se kundër dy portaleve kosovare po bëhet një “fushatë e rrezikshme” nga anëtarët e kësaj partie.
“Shkrimi i ‘Slobodna Bosna’ bazohet në burime dhe në deklaratat e një individi kontrovers, me emrin Boban Bogdanoviq, që thotë se është disident politik serb. AGK-ja dënon fuqishëm këtë fushatë të rrezikshme dhe të papranueshme të deputetëve të partisë qeverisëse, Vetëvendosje, që targeton këto dy media dhe gazetarët që punojnë aty. Fushata si kjo rrezikon seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediave, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre”, u tha në reagimin e AGK-së.
AGK-ja po ashtu shprehu keqardhje që një “lajm” si ky, që sulmon gazetarët, ka gjetur hapësirë edhe në lajmet qendrore të RTK-së.
Çfarë portali është “Slobodna Bosna”?
Pas reagimeve të shumta, më 23 korrik, “Slobodna Bosna” publikoi edhe një artikull me titullin: “Panik në Serbi dhe Kosovë: Hulumtimi i Slobodna Bosna është transmetuar nga RTK, në mediat nën vëzhgimin e Aleksandar Vuçiqit bëhet kaos”.
Në këtë artikull, “Slobodna Bosna” tha se disa tabloidë në Serbi i “shtrembëruan të gjitha faktet” dhe “shpikën akuza” duke krijuar një tregim të sajuar për të mashtruar opinionin.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një deklaratë nga ky portal lidhur me pretendimin se dy media nga Kosova janë nën kontrollin e pushtetit serb, por nga “Slobodna Bosna” nuk kanë dashur të komentojnë.
Boro Kontiq, gazetar veteran nga Bosnja dhe Hercegovina dhe drejtor i Qendrës Mediale në Sarajevë, shpjegoi për REL-in se “Slobodna Bosna” është një media e themeluar në vitet 1989-1990 nga Senad Avdiq.
Sipas mendimit të tij, Avdiq ishte një nga gazetarët më të mirë në atë kohë dhe “Slobodna Bosna” një nga mediat kryesore të besueshme që luajti një “rol revolucionar” në vitet 1990 në nxjerrjen në pah të planit për rrethimin e Sarajevës nga ushtria jugosllave.
“Për shumë, ajo ishte një surprizë, por doli që shumica e asaj që publikuan ishte e vërtetë”, tha Kontiq.
Megjithatë, ai tha se nuk e di nëse mund të flasë më për besueshmëri, pasi ky portal ka pësuar disa ndryshime. Në mesin e viteve ’90, kjo media u kthye në gazetë të përjavshme dhe në 15 vjetët e fundit është vetëm online.
“Në një moment u fol shumë se ata u mbështetën nga SDA [Partia e Veprimit Demokratik], partia më e madhe boshnjake. Nuk e di se çfarë po ndodh. Unë njoh disa nga gazetarët që punojnë atje, janë gazetarë të mirë, profesionistë. Prandaj, është një media që ka një të kaluar të madhe, por çfarë është sot, t’iu them të drejtën, nuk e di”, tha Kontiq.
Reagime të tjera në Kosovë
Nga Lëvizja Vetëvendosje thanë gjithashtu se Prokuroria duhet të hetojë pretendimet për shkrimin e portalit nga Sarajeva dhe i bën thirrje AGK-së të jetë profesioniste.
Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë u shpreh se ka ndodhur “një tjetër sulm i Qeverisë dhe eksponentëve të saj ndaj mediave dhe gazetarëve”.
Flutura Kusari, këshilltare e lartë juridike e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, shkroi në Facebook se “dëmi që i është bërë kredibilitetit të RTK-së është vështirë i rikuperueshëm”, duke shtuar se “vetëm shkarkimet sot të të gjithë personave përgjegjës do të ndihmonin sado pak”.
Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shkroi se mbështet gazetarët e RTK-së që po distancohen “nga politika editoriale që cenon vlerat dhe standardet”, që sipas tij duhet të jenë sinonim i një transmetuesi publik. Megjithatë, ai tha se Bordi i RTK-së “është ende në gjumë”.
rel