Qytetarët në disa vende të Ballkanit Perëndimor ftohen t’i bojkotojnë supermarketet

marketPartitë politike në pushtet deklarohen se i mbështesin, bëhen sikur kanë haruar që vetë ata janë përgjegjës!

Çmimet por edhe cilësia e produkteve duhet të kontrollohet nga shteti! Se shumë tregtarë manipulojnë me cilësinë dhe i ofrojnë produktet me çmim më të lirë!

Të zemëruar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve, qytetarë të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor u ftuan t’i bojkotojnë më 31 janar blerjet në disa dyqane të mëdha ushqimore.

Nisma u ndërmor fillimisht në Kroaci, më 24 janar, dhe rezultoi me rënie prej më shumë se 50% të shitjeve në të gjithë vendin.

Pas thirrjes së përfaqësuesve të konsumatorëve, kroatët nisën më 30 janar edhe një aksion të ngjashëm, por që do të zgjasë një javë.

Në shënjestër të bojkotimit janë disa zinxhirë të mëdhenj tregtarë, për shkak të dyshimeve se çmimet e tyre nuk përputhen me ato në vendet e tjera të BE-së.

Thirrje për bojkotime të ngjashme – kryesisht nëpër mediat sociale – u bënë edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Përgjigje pozitive ato morën në Serbi, Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni.

Në Kosovë dhe në Shqipëri nuk pritet ndonjë aksion i organizuar.

Kjo, edhe përkundër faktit se çmimet e ushqimeve në Kosovë kanë shkuar duke u rritur, viteve të fundit.

market1Maqedoni e Veriut: “Çmimet janë shumë të larta”

Në Maqedoninë e Veriut, Sasho Ristoski thotë se rritja e çmimeve po rëndon jetesën, veçanërisht për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

“Po, po, kam dëgjuar për bojkotimin dhe do ta mbështes, sepse çmimet janë shumë të larta. Me këto çmime që kanë vënë marketet, nuk mund të mbijetosh”, thotë ky banor i Shkupit për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, produktet bazë, të cilat kërkohen më shumë, janë ndër më të shtrenjtat.

“Thuajse të gjitha produktet e mishit, qumështi, vaji, sheqeri… Ne me të ardhura më të ulëta, mezi arrijmë ta përballojmë muajin”, shton pensionisti.

“Do t’i bojkotoj marketet nëse nuk kam para, por nëse më duhet bukë, do të shkoj ta blej”, thotë Lile Silanovska, po ashtu nga Shkupi.

Sipas analizave të Rrjetit të Biznesit, shtatë zinxhirët më të mëdhenj të tregut në Maqedoninë e Veriut gjeneruan të ardhura prej 930 milionë eurosh gjatë vitit 2023.

Në krye të listës është Vero, i cili regjistroi fitime mbi 10 milionë euro – një rritje prej gati 13% krahasuar me vitin paraprak. Në vend të dytë u rendit Kam Market me fitime neto prej 7.3 milionë eurosh. Në mesin e kompanive më fitimprurëse është edhe Kipper, me 5.5 milionë euro fitim, i ndjekur nga Stokomak me një fitim prej 4 milionë eurosh.

 

Por, me këtë nuk pajtohet një qytetar i Tetovës.

“Qeveria të përkrahë bojkotime të bizneseve, është skandal. Ajo duhet të marrë masa, duhet të japë subvencione – nëse ka nevojë – për qytetarët. Rrogat duhet të rriten, standardi duhet të rritet, normalisht që ka inflacion edhe në Maqedoninë e Veriut. Bojkotimi nuk është zgjidhje. Gjithashtu edhe cilësia e produketeve duhet të kontrollohet, diku çmimet janë më të lira, por në dëm të cilësisë!

 

Me bojkotim kërkojnë ulje çmimesh edhe në Mal të Zi

Shumë qytetarë, organizata joqeveritare dhe të punës në Mal të Zi bënë thirrje për bojkotimin e rrjeteve të mëdha tregtare, më 31 janar, për shkak të, siç thanë, çmimeve jashtëzakonisht të larta të ushqimeve bazë.

“Mos blini asgjë atë ditë, në mënyrë që së bashku t’u dërgojmë një mesazh të fortë tregtarëve”, thuhet në një nga iniciativat, që u shpërnda në mediat sociale në fillim të kësaj jave.

Në Mal të Zi, inflacioni nga viti 2021 deri në vitin 2024 ishte 30.5 për qind, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën deri në 41 për qind, sipas të dhënave nga Enti i Statistikave në këtë vend.

Në anën tjetër, zinxhirët tregtarë, gjykuar nga deklaratat tatimore, shënuan rritje prej 40 deri në 50 për qind të qarkullimit në vitin 2023, krahasuar me vitin 2021.

Shumica e qytetarëve me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë në Podgoricë, thonë se çmimet aktuale janë të papërballueshme.

Edhe pse është dakord me bojkotimin, Ana nuk është e sigurt se vetëm një protestë do të sjellë rezultat të dëshiruar.

“Është bërë situatë e papërballueshme. Bojkotimi mund të jetë hapi i parë, por vetëm protestat e shpeshta mund të kenë ndikim të vërtetë”, sipas saj.

Bojani është një nga ata që nuk do të marrë pjesë në aksion, për faktin se, siç thotë, ai është mbështetur nga kryeministri.

“Ai [Spajiq] po e pranon se shteti është i pafuqishëm. Nuk besoj në asgjë që thotë kryeministri”, thotë Bojani.

Kryeministri Spajiq tha se i kupton qytetarët që do t’i bojkotojnë blerjet.

“Një shtet është i fuqishëm aq sa qytetarët e tij janë të lirë dhe të fuqishëm”, shkroi Spajiq në rrjetin X.

Mesa duket, Spajiq nuk e kupton se ai është kryeministër dhe se është përgjegjësia e tij për të zgjidhur problemin e inflacionit, tha në anën tjetër Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në opozitë.

“Këtë nuk mund ta arrini me bojkotim populist, por me politikë serioze ekonomike”, tha DPS-ja.

Një ditë para bojkotimit, Qeveria e Spajiqit mori vendim për të vazhduar fushatën “Çmime të kufizuara”, e cila parasheh fiksimin e çmimeve të produkteve të caktuara – çfarë do të thotë se tregtarët nuk mund t’i rrisin ato.

Por, Unioni i Sindikatave të Lira në Mal të Zi konsideron se kufijtë e çmimeve nuk janë të mjaftueshëm, ndaj u bëri thirrje anëtarëve të tij që të marrin pjesë në bojkotim, më 31 janar.

 

Edhe në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Slloveni…

Pas aksionit të suksesshëm në Kroaci, edhe në Bosnje e Hercegovinë janë shpërndarë thirrje nëpër rrjetet sociale për bojkotimin e dyqaneve, pikave të karburantit, kafeneve dhe restoranteve, më 31 janar.

“Kjo është një mënyrë për të treguar pakënaqësinë tonë me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, ndërkohë që pagat e qytetarëve mbeten të ulëta”, thuhet në një nga mesazhet e shpërndara në rrjetet sociale.

Thirrje të ngjashme për bojkotin e supermarketeve më 31 janar u bënë edhe në Serbi.

Në Slloveni, ndërkaq, është duke u zhvilluar bojkotimi i blerjeve në disa qendra tregtare dhe supermarkete.

Aksioni raportohet se do të zgjasë deri më 2 shkurt.

“A do të kemi arrestime tani?”/ Karamuço: Do t’i kemi shumë shpejt! Bashkëpunimi vazhdon

KaramuçoPas firmosjes së urdhrit ekzekutiv të Donald Trump për ndërprerje të financimeve të programeve të ndryshme në botë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasada e SHBA në Tiranë ka njoftuar të gjitha institucionet shqiptare për pezullimin e fondeve.

 

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ishte i ftuar në “Top Story” në Top Channel, bëri deklaratën e fortë duke thënë se do të kemi arrestime nga SPAK.

Në lidhje me pezullimin e fondeve, ai tha se “FBI, DEA janë këtu”, ndërsa shtoi se bashkëpunimi vazhdon dhe është i fuqishëm.

A do kemi arrestime tani?”, pyeti drejtori i informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari.

Kësaj pyetjeje, Karamuço u përgjigj duke thënë “I ke shumë shpejt. Kam informacion të freskët. Pse thonë ata ‘do kthehemi shpejt’. Ata vërtetë kthehen para zgjedhjeve. Pse? Sepse në doktrinën që ka SHBA për të siguruar stabilitetin në Ballkan duhet luftuar korrupsioni dhe krimi i organizuar. Kjo është alfa e tyre. Agjencitë federale i ke këtu, edhe pse ikën këta të projekteve. FBI, DEA-n e ke këtu. Trajnimet, pajisjet, laboratorët janë, u morën. Nga ajo pjesë e planifikuar ndër vite për konsolidimin e këtij institucioni, duhet thënë se Evropa ka dhënë më shumë, izraelitët po ashtu. Bashkëpunimi vijon, është i fuqishëm, janë në ndjekje dhe hetim shumë raste. Financimi ndërpritet dhe është i përkohshëm. Çfarë institucionesh kanë prioritet? SPAK është i pari që ka prioritet. Në lidhje me financimet? Është burime dhe ato konfiskimet. Kapacitete i ka? Po.

Për shërbimet dhe interesat e tyre, Amerika në Tiranë ka një kasafortë që e hap dhe të jep lekë, dhe ndonjëherë pa faturë për shërbimet emergjente.”

tch

Kryediplomatja e BE për DW: Në Evropë po shtohen sabotimet

KallasMegjithë kohërat e trazuara dhe lajmet jo të mira nga SHBA, Kaja Kallas u shpreh me nota optimiste në një intervistë me DW-në.

 

Kur ishte kryeministre e Estonisë, Kaja Kallas, përfaqësonte 1.3 milionë shtetas të një vendi të vogël që shtrihet mes Rusisë dhe Detit Baltik. Që kur mori postin e shefes së marrëdhënieve të jashtme të Bashkimit Evropian në fund të vitit 2024, 47-vjeçarja flet tani në skenën botërore në emër të rreth 450 milionë evropianëve që jetojnë në 27 vende.

Por një gjë nuk ka ndryshuar: Kallas vazhdon të jetë shumë e fokusuar te Rusia.

“Është e qartë se sabotimi në Evropë është në rritje ,” tha Kallas në një intervistë me DW lidhur me pyetjen për dyshimet lidhur me një sërë sulmesh hibride të kohëve fundit, objekt i të cilave ishin kabllot detare në zonën ekonomike suedeze të Baltikut.

“Ne nuk duhet t’i shohim këto ngjarje të izoluara, por si pjesë të një tabloje më të madhe. Dhe duhet të kuptojmë se Rusia ka ndaj Evropës dhe arkitekturës së sigurisë evropiane synime, të cilat nuk kanë ndryshuar,” tha Kallas në intervistën ekskluzive për DW.

Si e lindur në Estoninë e pushtuar nga sovjetikët, ndoshta nuk është befasuese që Kallas konsiderohet si një nga kritikueset më të ashpra të Moskës dhe mbështetëset më të vendosura të Ukrainës.

 

SHBA dhe BE ‘ende miq’ – këmbëngul Kallas

Po si do të jetë bashkëpunimi me administratën e re të SHBA-së nën drejtimin e presidentit ultranacionalist Donald Trump, e cila është e mbushur me radikalë të djathtë. Sapo erdhi në detyrë presidenti Trump bllokoi ndihmat për jashtë, goditi BE-në lidhur me shpenzimet e tregtisë dhe të mbrojtjes dhe tronditi Evropën me dëshirën për të vënë nën kontroll territorin autonom danez të Groenlandës.

 

“Ne jemi ende miq. Ne jemi ende aleatë,” tha Kallas lidhur me marrëdhëniet BE – SHBA. SHBA-ja është partneri ynë më i madh në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin e sigurisë”.

“Kam zhvilluar këtë javë një bisedë telefonike shumë të mirë me ministrin e Jashtëm, Marco Rubio. Ne folëm për pjesë të ndryshme të botës ku bashkëpunojmë dhe pamë se ku mund të bëjmë më shumë,” tha ajo. “Kështu që kam besim se ne kemi një marrëdhënie të mirë”.

 

‘Mendim’ të ngjashëm për Ukrainën, por strategjia e paqartë

Duke folur për qëndrimin dhe qasjen e Uashingtonit ndaj Kievit shefja e marrëdhënieve të jashtme të Bashkimit Evropian Kallas përdori tone pajtuese . “Ata po e kuptojnë se për t’i dhënë fund kësaj lufte, ne duhet të bëjmë presion mbi Rusinë, sepse Rusia është ajo që e filloi këtë luftë.” – tha Kallas.

Para se të merrte postin e presidentit Trumpi kishte deklaruar se mund të ndërmjetësonte arritjen e një marrëveshjeje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës brenda një dite. Kjo deklaratë shkaktoi frikëra se ai mund të ushtronte presion mbi Kievin për të arritur një marrëveshje të shpejtë paqeje edhe për çështje që BE-ja do t’i konsideronte si kushte të pafavorshme, të cilat mund të inkurajonin Moskën për fushata të mëtejshme ushtarake.

Tani që ka nisur nga detyra Trumpi duket se po mban ndaj presidentit rus Vladimir Putin një qëndrim më të ashpër nga sa kishin pritur disa, megjithëse ai e ka kritikuar edhe presidentin ukrainas Volodymir Zelenski. “Presidenti Trump ka qenë shumë i fortë në deklaratat e tij ndaj Putinit,” tha Kallas. “Kështu që unë mendoj se ne kemi mendim të ngjashëm.”

E pyetur se çfarë kishte diskutuar konkretisht me ministrin e Jashtëm, Marco Rubio, lidhur me strategjinë ndaj Ukrainës Kallas tha: “Ne duhet të takohemi personalisht për të diskutuar këto gjëra, por është e qartë se ata duan t’i japin fund kësaj lufte.” “Të gjithë duan t’i japin fund kësaj lufte, sepse të gjithë duan të ketë paqe. Por e qartë është gjithashtu, që sikurse tha edhe [Rubio], paqja duhet të jetë e qëndrueshme.”

 

dw

Gjermania në krizë: Çfarë pritet nga qeveria e re?

krizaGjermania është në recesion prej dy vitesh. Bizneset besojnë se nevojitet një ndryshim rrënjësor ekonomik dhe politik pas zgjedhjeve të ardhshme federale. Çfarë kërkon ekonomia gjermane nga qeveria e re në Berlin?

 

Kosto më të ulëta të energjisë, më pak taksa, më shumë stimuj financiarë për investime. Ligji i punës më fleksibël. Ngrirja e shpenzimeve sociale. Dhe mbi të gjitha, më pak burokraci. Këto janë gjërat që ekonomia gjermane kërkon nga qeveria e ardhshme federale. “Ekonomia është në rënie. Shkalla e papunësisë po rritet. Gjermania po bëhet gjithnjë e më pak tërheqëse për investitorët”, thotë Rainer Dulger, president i Shoqatës së Punëdhënësve, për situatën aktuale në Gjermani.

Ka mungesë të fuqisë së kualifikuar punëtore, u ankua ai. Niveli i rregullave dhe i burokracisë është rritur vitet e fundit, ashtu siç janë rritur edhe kostot e punës dhe përfitimet e tjera për kompanitë, kritikoi Dulger. “Një vend që po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë për të investuar duhet të jetë gjithnjë e më i mirë, nëse dëshiron të jetë një vend atraktiv për investime. Por Gjermania nuk është e tillë. Republika Federale nuk është më konkurruese në krahasimin global”, është diagnoza e Dulger.

 

Roli i industrisë në Gjermani

Fuqia ekonomike e vendit mbështetet kryesisht (më shumë se 25 për qind) në industri. Pas dy vitesh në recesion, Shoqata Federale e Industrisë Gjermane (BDI) pretendon se prodhimi në kompani është më i ulët sot se sa ishte pesë vjet më parë. Lajme të ngjashme negative vijnë edhe nga sektorë të tjerë. Kudo në Gjermani po prodhohet më pak, më pak po ndërtohet, më pak po blihet e konsumohet.

Ekspertët ekonomikë që këshillojnë qeverinë federale thonë në analizën e tyre aktuale vjetore se ata kanë vërejtur një rënie të vazhdueshme që shtrihet në të gjitha industritë dhe sektorët. Veçanërisht shqetësuese: Gjermania po eksporton gjithnjë e më pak.

Për dekada, modeli gjerman bazohej në një formulë të thjeshtë: lëndët e para dhe produktet gjysëm të gatshme bliheshin relativisht lirë jashtë vendit, më pas me ndihmën e aftësive punëtore gjermane dhe energjisë së lirë, ato “përpunoheshin” në teknologji që mbante etiketën e nohur në botë “Made in Germany”.

Agresioni rus kundër Ukrainës, kriza energjetike, inflacioni dhe tranzicioni drejt një ekonomie neutrale ndaj klimës kanë rezultuar me rritjen e çmimeve të energjisë. Ky është një problem veçanërisht për ato kompani që konsumojnë shumë energji. Sektorët më të rëndësishëm ekonomikë si inxhinieria mekanike dhe pajisjet elektrike janë prekur më së shumti. Ndërsa industria kimike, pas një rënie të ndjeshme në vitin 2023, është stabilizuar në një nivel të ulët, thonë ekspertët.

Largimi i kompanive jashtë vendit

Ekonomia kërkon ulje të ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike për t’u bërë sërish konkurruese. Në krye të listës së dëshirave është edhe kërkesa për uljen e kostove të burokracisë. Instituti i Mynihut Ifo flet për një shumë prej 65 miliardë eurosh në vit – këto janë paratë që kompanitë gjermane duhet të shpenzojnë për të përmbushur detyrime të ndryshme ligjore, për shembull në lidhje me dokumentacionin e biznesit, apo plotësimin e parakushteve për miratimin e projekteve të reja.

 

 

Gjendja në kompani është e keqe dhe shumë prej tyre po kërkojnë të investojnë jashtë vendit, po kërkojnë alternativa tërheqëse atje. Në një sondazh të BDI-së thuhet se rreth një e treta e kompanive të anketuara kanë zhvendosur departamentet e tyre të kërkimit dhe zhvillimit jashtë vendit. Kreu i BDI, Peter Leibinger, paralajmëron se ky migrim po kërcënon Gjermaninë si një destinacion për aktivitetin ekonomik – “deri në thelb”, siç tha ai.

Mesazh politikës

Nisma, e cila bashkon rreth 100 shoqata biznesi dhe lobimi, nuk kërkon asgjë më pak nga qeveria e ardhshme federale sesa një kthesë të plotë në politikën ekonomike. Në një ditë të madhe veprimi më 29 janari kjo nismë planifikoi aksione të ndryshme në të gjithë Gjermaninë, në të cilat kompanitë duan të ndërgjegjësojnë publikun për problemet me të cilat përballen dhe t’u dërgojnë kërkesa politikanëve. Me këtë aksion ekonomia i dërgon politikës një mesazh “Zgjimi për politikën”. Zgjedhjet e 23 shkurtit janë “vendimtare”, pohojnë organizatorët e fushatës.

Kreu i Shoqatës së Punëdhënësve, Dulger, i ka dërguar së bashku me krerët e katër shoqatave më të mëdha të biznesit në vend, një letër me qëndrime të qarta drejtuesve të partive të përfaqësuara në Bundestag. Ata kërkojnë që pas zgjedhjeve të forcohen stimujt për bizneset në zonat rurale. Dhe sipas tyre, kjo do të thotë investime në pajisje, digjitalizim, transport dhe infrastrukturë – por edhe politika strehimi, shëndetësi, arsim, kulturë apo institucione sociale.

Në sondazhet aktuale të opinionit publik, ekonomia dhe migrimi janë dy temat më të rëndësishme për qytetarët gjermanë. Partitë CDU/CSU kanë kompetencën më të madhe, apo besimin më të madh tek qytetarët se mund t’i zgjidhin këto probleme. Në sondazhe, është Unioni dhe kadidati i tij për kancelar Friedrich Merz që gëzon besimin e shumicës së votuesve, rreth 30 për qind. Për të formuar një qeveri, Unionit do t’i duhet një ose dy partnerë koalicioni. Ndoshta mund të jetë SPD ose të Gjelbërit.

 

Ardhja e Trumpit

Gjatë negociatave të koalicionit për formimin e një qeverie të re federale, bindjet partiake-politike të partnerëve të mundshëm nuk do të jenë e vetmja gjë që do të ketë rëndësi. Ndikimet e jashtme, veçanërisht ndryshimet globale pas kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, pritet të luajnë një rol të madh.

Kompanitë gjermane po shikojnë me shqetësim përtej Atlantikut. Në vitin 2024, SHBA ishte partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë për herë të parë në dhjetë vjet. Rreth dhjetë për qind e eksporteve gjermane shkuan në SHBA.

Shumica e kompanive gjermane presin efekte negative në konkurrencën e tregut ndërkombëtar, sepse Trump, siç ka paralajmëruar, dëshiron të kontrollojë tregtinë dhe të vendosë tarifa doganore më të larta për mallrat nga vendet e tjera. Tregu amerikan është i një rëndësie kyçe për industrinë farmaceutike gjermane, por edhe për prodhuesit e automjeteve.

Gjermania i shet SHBA-së më shumë sesa blen prej saj. Ky fakt është një halë në sy për Donald Trumpin, i cili synon të reduktojë suficitin tregtar me Gjermaninë, ndërsa në të njëjtën kohë dëshiron të tërheqë kompanitë gjermane për të investuar dhe prodhuar edhe më shumë në SHBA.

dw

 

Institucionet e Kosovës duhet të jenë të sinkronizuara përballë çdo krize

qendrueshmeriaNë konferencën me temën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, u tha se institucionet e Kosovës duhet të jenë të sinkronizuara për t`u përballur me çdo situatë krize në vend.

 

Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes nga sulmet hibride, teksa ka thënë se ky është detyrim për qëndrueshmëri kombëtare. Osmani këtë e tha në konferencën e Ministrisë së Mbrojtjes, me temën  “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, ku do të marrin pjesë liderët shtetërorë.

“Institucionet duhet të jenë të gatshme dhe të koordinuara për mbrojtje ndaj sulmeve hibride. Duke pasur parasysh se qëndrueshmëria kombëtare është detyrim i joni për gjeneratat e ardhshme, këtë e kemi treguar edhe gjatë rezistencës paqësore edhe ne kohen e luftës”, ka thënë Osmani.

Tutje presidentja ka theksuar se për mbrojtje hibride, duhet investim në teknologji.

“Me zhvillimin e teknologjisë ne duhet te jemi te përgatitur për mbrojtje, prandaj duhet investuar në teknologji digjitale për të siguruar mbrojtje efektive ndaj sulmeve kibernetike. Zhvillimi ekonomik është nyje kyçe për siguri kombëtare”, ka thënë ajo.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se viteve të fundit janë bërë hapa të rëndësishëm për forcim të qëndrueshmërisë kombëtare. Ka potencuar hartimin e draft konceptit, i cili sipas tij, është duke e miratuar në Qeveri.

“Sot më shumë se kurr, bota përballet me sfida komplekse. Ndryshimet klimatike, rreziqet teknologjike dhe kërcënimet kundër sigurisë kombëtare e globale. Në këtë kontekst qëndrueshmëria dhe gatishmëria nuk janë më opsione që mund t’i zgjedhim a përzgjedhim, por janë domosdoshmëri shtetërore e kombëtare. Qëndrueshmëria është aftësia jonë për të parashikuar, përballuar e rimëkëmbur nga çdo goditje, qofshin ato fatkeqësi natyrore, akte të qëllimshme kundër infrastrukturës kritike, apo sfida të tjera që vënë në rrezik qytetarët e Republikës dhe sovranitetin e shtetit. Kjo, nënkupton jo vetëm reagimin, por edhe përgatitjen për çdo situatë të mundshme duke minimizuar rreziqet dhe duke maksimizuar mbrojtjen e burimeve tona jetike”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur reformat në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, duke përmendur blerjet ushtarake, teksa ka thënë se me këtë rast, jo vetëm që është rritur gatishmëria për mbrojtje të integritetit të vendit, por edhe aftësia për parandalim e rimëkëmbje nga çdo goditje.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se kjo konferencë ka për qëllim kyç forcimin e bashkëpunimit, duke bërë bashkë strategji inovative dhe të ndajë praktikat më të mira. Maqedonci ka thënë se diskutimi gjatë kësaj konference do të përmirësojë e pasurojë qëndrueshmërinë kombëtare.

“Në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar, qëndrueshmëria s’është më një opsion, por domosdoshmëri. Qëndrueshmëria përkufizohet jo vetëm si aftësia për t’u përballur me tronditjet dhe kërcënimet, por mbi të gjitha si një kapacitet për të ruajtur funksionet jetike të shoqërisë, për të mbrojtur vlerat tona dhe për të siguruar që e ardhmja ndërtohet mbi themelet e forta”, ka thënë ai.

rtk

Eurodeputetët: Qasja e pabalancuar e BE-së ka ndikuar negativisht në dialogun Kosovë-Serbi

euEurodeputetët i kanë thënë emisarit në largim të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, se qasja e pabalancuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar negativisht në këtë proces, thanë burimet e Radios Evropa e Lirë në Parlamentin Evropian.

 

Lajçak më 30 janar ka zhvilluar një takim lamtumirës me deputetët e Parlamentit Evropian në Komisionin për Politikë të Jashtme, me të cilët ka biseduar për mandatin e tij pesëvjeçar si i dërguari i bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Burime të Radios Evropa e Lirë thanë se gjatë këtij takimi, të zhvilluar me dyer të mbyllura, shumica e eurodeputetëve kanë qenë kritikë ndaj mënyrës se si BE-ja u është qasur palëve në dialog dhe në përgjithësi në raportet me shtetet.

Mësohet se gjatë këtij debati, shumica e deputetëve të PE-së janë shprehur se masat ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë nuk ka pasur masa ndaj Serbisë, veçmas pas sulmit të armatosur në Banjskë më 2023, kanë ndikuar negativisht në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen. Kosova kërkon ekstradimin e Millan Radoiçiqit – ish-politikanit dhe biznesmenit nga veriu i Kosovës që ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – nga Serbia, ku besohet se gjendet. BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjen e tyre që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësi.

Eurodeputetët, gjatë takimit me Lajçakun, kanë kërkuar edhe një herë heqjen e masave – të vendosura ndaj Kosovës më 2023 për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe – dhe një qasje të balancuar nga ana e BE-së.

Zyrtarë të lartë në Kosovë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti, disa herë e kishin kritikuar Lajçakun dhe dhe ish-kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, për njëanshmëri në dialog dhe njëkohësisht kanë kërkuar heqjen e masave ndëshkuese.

Sipas burimeve, mësohet se Lajçak është pajtuar me konstatimin e eurodeputetëve se është dashur të hiqen masat ndaj Kosovës dhe ai kishte kërkuar një gjë të tillë menjëherë pas sulmit në Banjskë, por është arsyetuar se heqja e tyre nuk ishte në dorën e tij, por vendim që i përket vendeve anëtare.

Lajçak përfundon mandatin të premten, më 31 janar, dhe një ditë më pas nis mandati i emisarit të ri për dialogun, diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen.

Lajçak në takim me eurodeputetët mësohet se është shprehur që BE-ja duhet të mbajë rol kryesor në lehtësimin e dialogut dhe në përgjithësi angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë mandatit pesëvjeçar të Lajçakut si ndërmjetës në dialog, palët kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të zbatimit të arritur më 2023.

Lajçak, siç mëson REL-i, në takimin me eurodeputetët ka pranuar se nuk ka pasur përparim që ai ka pritur sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Palët janë pajtuar për marrëveshjen, por nuk e kanë nënshkruar atë. Megjithatë, BE-ja thotë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë.

rel

 

 

Studentët serbë vazhdojnë protestat, marshojnë drejt Novi Sadit

beogradQindra studentë serbë filluan sot (të enjten) një marshim prej mbi 75 kilometrash nga Beogradi drejt qytetit verior të Novi Sadit. Studentët do të bllokojnë atje urat e qytetit për të shënuar tre mujorin e shembjen së një çatie betoni në një stacion treni që mori jetën e 15 njerëzve. Studentët fajësojnë pushtetin duke thënë se çatia u shëmb pasi ishte ndërtuar dobët si pasojë e korrupsionit dhe keqqeverisjes. Protestat e studentëve në Serbi janë kthyer në një çështje që reflekton pakënaqësinë më të gjerë popullore me qeverisjen populiste të Presidentit Vuçiç.

Protestat e studentëve janë më të mëdhat ndër vite në Serbi duke sfiduar për herë të parë seriozisht pushtetin e Presidentit populist Aleksandar Vuçiç.

“Ky marshim është mënyra jonë për të ofruar mbështetje për kolegët tanë nga Novi Sadi. Ne gjithashtu duam të tregojmë se sa këmbëngulës jemi dhe se nuk planifikojmë të ndalemi pa u plotësuar kërkesat tona”, tha Tatjana Gogic, studente e biologjisë.

Protestat disa javore tanimë kanë detyruar dorëheqjen e Kryeministrit Millosh Vuçeviç këtë javë dhe lëshime të tjera nga një pushtet që nuk është mësuar të bëj lëshime.

Dorëheqja e kryeministrit Vuçeviç ka të ngjarë të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dorëheqja që nënkupton rënien e gjithë kabinetit, duhet të konfirmohet nga parlamenti i Serbisë, i cili ka 30 ditë afat për të zgjedhur një qeveri të re, ose për të shpallur zgjedhjet e parakohshme.

Vasilije Milanovic, student në fakultetin e inxhinierisë teknike të Beogradit tha se studentët kërkojnë drejtësi dhe liri të mendimit”.

“Marshimi (drejt Novi Sadit) është një mënyrë tjetër për të treguar se sa të vendosur jemi dhe se nuk do ndalojmë deri në fund”, shtoi studenti Milanoviç.

Tragjedia në Novi Sad, ku më 1 nëntor humbën jetën 15 njerëz pas shembjes së çatisë në një stacion treni, është kthyer në një çështje që reflekton pakënaqësinë më të gjerë popullore me qeverisjen populiste të Presidentit Vuçiç.

“Nuk duhet ta tolerojmë këtë shoqëri kaosi në të cilën jetojmë tani, këtë lloj despotizmi ku një njeri merr vendime për të gjithë ne. Ne nuk jemi pajtuar me këtë, një vend nuk duhet të funksionojë kështu”, thotë aktori Dushan Pavloviç.

Presidenti gjithnjë e më autoritar Vuçiç ushtron një kontroll të fortë mbi të gjitha institucionet shtetërore dhe mediat kryesore në Serbi, ndërsa përballet me akuza për zbrapje të demokracisë.

Shumë në Serbi besojnë se çatia prej betoni në stacionin e trenit në Novi Sad u shemb për shkak të punës dhe mbikqyrjes së dobët gjatë rindërtimit si pasojë e korrupsionit të qeverisë në projektet e mëdha të infrastrukturës me kompanitë shtetërore kineze.

voa

Avioni përplaset me helikopterin ushtarak, të gjithë të përfshirët në aksident besohet se kanë vdekur

WashingtonAutoritetet besojnë se të gjithë personat që ishin në bordin e avionit të kompanisë American Airlines që u përplas me helikoterin Black Hawk të Forcave të Armatosura amerikane ndërsa po i afrohej pistës së uljes në aeroportin kombëtar të Uashingtonit “Reagan” kanë vdekur. Në lumin Potomak, në afërsi të aeroportit ku ranë avioni dhe helikopteri, po zhvillohet një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi.

 

Në avionin e udhëtarëve të kompanisë American Airlines gjendeshin 60 pasagjerë dhe 4 anëtarë ekuipazhi. Në helikopter gjendeshin tre pjesëtarë të ushtrisë amerikane, që po kryenin një fluturim stërvitor. Zyrtarët thane se ndërsa kërkimet vazhdojnë, ata nuk besojnë se ka të mbijetuar.

Të paktën 28 trupa janë nxjerrë nga ujërat e akullta të lumit Potomak, pasi një avion udhëtarësh i kompanisë American Airlines me 64 persona në bord dhe një helikopter Black Hawk i Forcave të Armatosura amerikane u përplasën në ajër pranë aeroportit kombëtar të Uashingtonit “Reagan”.

Zyrtarët thanë se vazhdojnë kërkimet, por nuk besojnë se ka të mbijetuar, çka e bën këtë aksidentin ajror më vdekjeprurësin në SHBA në thuajse 24 vjet.

Zyrtarë të Departamentit të Zjarrfikëses thanë të enjten në mëngjes se nga një operacion shpëtimi tani po kalohej në operacion kërkimi.

Avioni i American Airlines u gjet në thellësi të lumit Potomak. Po ashtu u gjetën edhe rrënojat e helikopterit.

Administrata Federale e Aviacionit njoftoi se avioni po udhëtonte nga qyteti Wichita i Kensasit dhe po i afrohej pistës së uljes kur ndodhi përplasja me helikopterin Sikorsky H-60.

Pamje të regjistruara nga kamera e vendosur në qendrën “Kennedy” në Uashington, kanë kapur një shpërthim në ajër përgjatë lumit Potomak rreth orës 21:47 të mbrëmjes me orën lokale dhe avionin në flakë që bie me shpejtësi. Të dhënat nga avioni tregojnë se ai ishte në një lartësi prej rreth 120 metrash në çastin e përplasjes.

Më pak se 30 sekonda përpara shpërthimit, kontrollorët e trafikut ajror pyesin helikopterin nëse e sheh avionin që po vinte

“PAT-25, a e sheh CRJ?” Kontrollori bën një tjetër thirrje pak çaste më vonë . “PAT-25 kalo pas CRJ”

Në çastin para përplasjes, një kontrollor i trafikut ajror dëgjohet duke thënë “a e pe këtë?”

Më pas, kontrollorët fillojnë të njoftojnë devijimin e fluturimeve drejt aeroporteve të tjera në rajon.

Nuk ka ende ndonjë njoftim mbi shkaqet e përplasjes. Fluturimet në aeroportin “Reagan” janë anuluar deri në mesditën e sotme ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet. Për operacionin e kërkimit janë dërguar helikopterë nga agjencitë e zbatimit të ligjit në të gjithë rajonin.

“Do të gjemë të gjithë qytetarët tanë”, tha Muriel Bowser, kryetare e Bashkisë së Uashingtonit .

Organizata e Patinazhit Artistik të Shteteve të Bashkuara, tha se disa anëtarë të saj dhe familjarë të tyre, ishin në mesin e udhëtarëve në avion.

Kremlini njoftoi se në bordin e avionit ishin ish- fituesit e kampionatit të Patinazhit Artistik, shtetasit e lindur në Rusi Yevgenia Shishkova dhe Vadim Naumov.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha ngjarja duhej të ishte parandaluar. Në një postim të rrjetin Truth Social ai tha se “Është një natë e kthjelltë, dritat në aeroplan po vezullonin, pse helikopteri nuk u ngjit më lart, ose nuk u ul, apo nuk u kthye. Pse kulla e kontrollit nuk i tha helikopterit se çfarë të bënte në vend që të pyeste nëse e ka parë aeroplanin”, shkroi Presidenti Trump. “Kjo është një situatë e keqe që duket se duhej të ishte parandaluar. JO MIRE!!!”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth e quajti situatën “absolutisht tragjike”.

voa

NATO, BE në gatishmëri të lartë mes përshkallëzimit të sulmeve ndaj kabllove nënujore në Baltik

nato-baltik  Udhëheqësit evropianë kanë shprehur shqetësim mbi shpeshtësinë e sulmeve ndaj anijeve civile dhe infrastrukturës kritike civile, ndërsa autoritetet po hetojnë incidentin e katërt të prerjes së kabllove në Detin Baltik në muajt e fundit.

 

“Vezhen”, një anije në pronësi bullgare, u ndalua këtë javë në Detin Baltik, nën dyshimet për tërheqjen e spirancës së saj përgjatë shtratit të detit, duke këputur një kabllo nënujore të dhënash mes Suedisë dhe Letonisë.

Aleksander Kalçev, drejtues ekzekutiv i kompanisë që zotëron anijen ‘Vezhen’, i hodhi poshtë akuzat se dëmi i shkaktuar ishte i qëllimshëm.

Megjithatë, shërbimet suedeze të sigurisë po bëjnë hetime të mëtejshme.

Ministri letonez i Mbrojtjes Andris Spruds, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës të mërkurën, konfirmoi se Letonia po punon ngushtë me Suedinë dhe NATO-n për ta hetuar rastin.

“Ekipi zhytës i Forcave Detare të Letonisë ka kryer një inspektim në vendin e incidentit dhe ka mbledhur prova në bashkëpunim me anijet e Rojës Bregdetare suedeze”, i tha zoti Spruds Zërit të Amerikës.

Ai theksoi se Letonia do të vendosë teknologji të re dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me aleatët e NATO-s për të rritur mbrojtjen e infrastrukturës kritike në det.

“Këto veprime sabotazhi nuk do të tolerohen dhe ne do të vazhdojmë të zbatojmë veprime të guximshme në përputhje e zbatim të ligjit”, tha zoti Spruds.

Kryeministri finlandez Petteri Orpo, vendi i të cilit nisi një hetim rreth dyshimeve për sabotazh pas dëmtimit më 25 dhjetor të kabllos nënujore të energjisë ‘Estlink 2′, që lidh Finlandën dhe Estoninë, ka theksuar urgjencën e situatës.

“Kjo nuk mund të vazhdojë”, i tha ai medias finlandeze ‘Lannen’ këtë javë. Ai bëri thirrje për një koordinim më të fortë brenda Bashkimit Evropian për të parandaluar sulme të mëtejshme.

“Ne duhet të jemi në një front të përbashkët në sanksionet kundër Rusisë. Kjo vlen për çdo vend të Bashkimit Evropian”, i tha ai një gazetari finlandez.

Qeveria në Poloni, një tjetër vend që laget nga Deti Baltik, me më shumë se 1000 kilometra vijë bregdetare, ka bërë thirrje për masa të shtuara sigurie.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministri i Brendshëm polak Tomasz Siemoniak tha se sulmet e fundit ndaj kabllove nënujore – si ato që lidhin Letoninë dhe Suedinë, si dhe Estoninë e Finlandën – janë në përputhje me rastet e sabotazhit që shihen në rajon.

Ndërsa hetimet janë duke vazhduar, Polonia i sheh këto incidente si veprime të qëllimshme, tha ai.

“Edhe nëse sot nuk ka prova sabotazhi (që e lidhin Moskën drejtpërdrejt) dhe provokimet janë pjesë e arsenalit standard të Rusisë… jemi në një pikë ku duhet të supozojmë se këto janë veprime të bëra me vetëdije e të qëllimshme”, i tha ai Zërit të Amerikës të martën.

Zyrtarët polakë theksojnë gjithashtu nevojën për masa më të koordinuara në funksion të sigurisë detare.

“Ne duam që misione të tilla të kryhen në Detin Baltik. Ka shumë trafik kur bëhet fjalë për anijet apo mjete më të vogla lundruese dhe siguria është një çështje absolutisht thelbësore”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Duke pasur parasysh rëndësinë e saj strategjike dhe praninë në rritje të aktivitetit detar rus, tha ai, NATO duhet t’i japë përparësi Detit Baltik si një zonë kritike e sigurisë.

 

Motivet politike dhe strategjike

Ndërsa provat vazhdojnë të mblidhen, motivet që lidhen me gjeopolitikën të këtyre sulmeve po bëhen më të qarta.

Analistët besojnë se sabotazhi nuk është vetëm një përpjekje për të ndërprerë rrjetet e komunikimit, por edhe një përpjekje e llogaritur për të vënë në provë aftësitë e reagimit të NATO-s dhe për të krijuar mosmarrëveshje mes shteteve anëtare.

Ligjvënësit në Finlandë, anëtari më i ri i NATO-s, kanë shprehur shqetësime se këto incidente mund të jenë pjesë e një konflikti më të gjerë që shumë qeveri perëndimore hezitojnë ta pranojnë.

“Nëse nuk e dimë se jemi në luftë, është gjithmonë më mirë të supozojmë se jemi”, tha Jussi Halla-aho, kryetar i parlamentit finlandez, në një intervistë në fillim të këtij muaji për të përditshmen filandeze ‘Turku Turun Sanomat’.

 

Lufta hibride

Një sfidë e rëndësishme për NATO-n dhe aleatët e saj është se si t’i përgjigjen në mënyrë efektive këtyre incidenteve. Ndryshe nga agresioni ushtarak konvencional, këto akte sabotazhi kanë si objektiv anijet dhe infratrukturën civile, duke e bërë të vështirë hakmarrjen e drejtpërdrejtë.

“Nëse ne akuzojmë hapur Rusinë ose Kinën për këto sulme, pyetja logjike që shtrohet pas kësaj është: çfarë do të bëjmë lidhur me këtë gjë?”, tha Matti Posio, një ekspert finlandez për politikën e jashtme dhe kryeredaktor i ‘Lannen Oy’, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.

“Realiteti është se opsionet janë të kufizuara dhe për këtë autorët e këtyre akteve i kanë bërë llogaritë”.

Me rritjen e tensioneve, NATO po shqyrton masa shtesë për të siguruar Detin Baltik, i thanë Zërit të Amerikës zyrtarë dhe vëzhgues.

Një opsion përfshin rritjen e patrullave detare dhe mbikëqyrjen e korridoreve kryesore detare. Megjithatë “propozimet më drastike – të tilla si mbyllja e pjesëve të Gjirit të Finlandës për anijet e lidhura me Rusinë – mbetet një çështje politikisht e ndjeshme dhe e ndërlikuar nga pikëpamja ligjore”, tha zoti Posio.

 

Dilema e NATO-s dhe BE-së

Ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen, e cila vizitoi Letoninë këtë javë, lëshoi një deklaratë të përbashkët me homologen e saj letoneze.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Rusia është një kërcënim afatgjatë për paqen botërore dhe rendin ndërkombëtar ndaj, masat parandaluese dhe mbrojtëse të NATO-s duhet të forcohen më tej, duke koordinuar reagimin e aleatëve ndaj kërcënimit në rritje të paraqitur nga Rusia”, thuhet në deklaratën e tyre.

Ndërsa tensionet rriten, NATO shpalli iniciativën ‘Baltic Sentry 2025’, që synon rritjen e pranisë ushtarake të NATO-s në Detin Baltik dhe përmirësimin e aftësisë së aleatëve për t’iu përgjigjur akteve destabilizuese.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka theksuar nevojën për një koordinim më të madh në mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga sabotazhi.

Ministrat e Brendshëm të BE-së do të takohen në Varshavë të enjten. Ata pritet të trajtojnë shqetësimet në rritje mbi aktete e sabotazhin që synojnë infrastrukturën kritike në Evropë.

Ministrat pritet të diskutojnë kundërmasat e mundshme dhe të koordinojnë përpjekjet për të forcuar sigurinë e frenuar raste të tilla në të ardhmen.

voa

Gjykata në Belgjikë konfirmon burg të përjetshëm për të akuzuarit për vrasjen e Enver Hadrit

Enver HadriGjykata Penale në Bruksel ka shpallur të mërkurën sërish dënimin me burgim të përjetshëm për Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin, të cilët akuzohen për vrasjen e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri.

 

Hadri u vra në Bruksel para 35 vjetësh.

Gjykata ka konstatuar se Hadri ishte vrarë me urdhër të Shërbimit të zbulimit të ish- Jugosllavisë.

Këtë e ka bërë të ditur familja Hadri, e cila për shumë vite ka kërkuar drejtësi para gjykatave të Belgjikës për vrasjen e Enverit.

Fajësia e Vukotiqit dhe Drashkoviqit ishte konfirmuar nga juria të martën ndërsa dënimi u shpall të mërkurën.

Juria këto vendime i ka marrë pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shqyrtimit të provave që kishte paraqitur prokuroria, por edhe avokatët e mbrojtjes.

Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, së bashku me Bozhidar Spasiq, ishin dënuar edhe në vitin 2016 me burgim të përjetshëm por dy të palët ishin ankuar prandaj edhe ishte përseritur gjykimi.

Bozhidar Spasiq, zyrtar i lartë i Shërbimit të zbulimit nga Beogradi, nuk është ankuar, që do të thotë se dënimi me burgim të përjetshëm për të mbetet në fuqi.

Të dënuarit ndodhen në Serbi dhe gjykimi në Bruksel është zhvilluar në mungesë.

Procesi që është zhvilluar kësaj radhe ka qenë në fakt rigjykim pasi në vitin 2016 të akuzuarit ishin dënuar në mungesë.

Sipas ligjeve në Belgjikë, të dënuarit mund të kërkojnë përsëritje të gjykimit në rast se janë gjykuar në mungesë.

Por kjo e drejtë, sipas avokatit belg Sokol Vlhajen, mund të përdoret vetëm një herë.

Pra, pas dënimit të shpallur të mërkurën, që po ashtu ishte në mungesë të personave të akuzuar, më nuk mund të kërkohet rigjykimi.

Advokati Sokol Vlhajen në gjykim ka përfaqësuar palën e dëmtuar, në këtë rast familjen Hadri, ndërsa nxjerrjen e provave e ka bërë Prokurori mbretëror i Belgjikës.

Në Serbi nga të akuzuarit ka pasur edhe pretendime se gjykimi nuk mund të vlejë pasi lënda është vjetruar sepse kanë kaluar shumë vite.

Por Sokol Vlhajen thotë se kjo nuk është e vërtetë pasi dëshmitë kryesore, “të cilat pa dyshim dëshmojnë se si është urdhëruar vrasja dhe kush e ka kryer, kanë rënë në duar të autoriteteve të Belgjikës në vitin 2007, pra 17 vjet pas vrasjes.”

“Dhe kur të dalin dëshmi të cilat nuk kanë qenë në dispozicion më herët, atëherë mund të zhvillohet gjykimi”, tha ai.

Për të siguruar dëshmitë kanë ndikuar edhe proceset që janë zhvilluar në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish- Jugosllavi. Aty kanë dëshmuar disa dëshmitarë të fshehur të cilët kanë folur edhe për vrasjet që janë porositur nga shërbimet e zbulimit, përfshirë edhe rastin e vrasjes së Enver Hadrit në Bruksel.

Avokati i familjes Hadri thotë se dy herë, dy juri të përbëra nga 12 anëtarë kanë konstatuar se tre të dënuarit janë fajtorë për vrasjen e Enver Hadrit dhe kanë dhënë dënimin maksimal të mundshëm në Belgjikë.

Kjo, siaps tij, dëshmon e nuk ka asnjë dyshim se provat janë bindëse për fajësinë e tyre.

Sërgjan Cvijiq, autori i librit mbi vrasjet e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Jugosllav në Bruksel, i cili së shpejti do të botohet në Serbi, konsideron se për ata që kanë ndjekur gjyqin për vrasjen e Enver Hadrit në vitin 2016, nuk është befasuese dënimi fajësues i përsëritur për Drashkoviqin dhe Vukotiqin.

“Me këtë aktgjykim, më në fund vihet një pikë përfundimtare mbi këtë vrasje politike të kryer saktësisht 35 vjet më parë. Përveç rastit të vrasjes së emigrantit kroat Stjepan Gjurekoviq në Mynih në vitin 1983, vrasja e Enver Hadrit është një nga rastet e rralla ku është vërtetuar para gjykatës se UDBA jugosllave vriste kundërshtarët e saj politikë jashtë vendit”, tha Cvijiq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Vajza e Enver Hadrit, Teuta Hadri, tha se gjatë seancës gjyqësore u vërtetua sërish lidhja midis shërbimeve sekrete serbe dhe jugosllave me rrjetin kriminal të atëhershëm në Beograd.

“Ata që organizuan vrasjen e babait tim u shpallën fajtorë, bazuar në dokumentet e shtetit të tyre”, deklaroi Teuta Hadri për gazetarët.

Ajo konsideron se vendimi i Gjykatës Belge është një fitore jo vetëm për familjen Hadri, por edhe për të gjithë aktivistët e asaj kohe që luftuan për të drejtat e njeriut në Kosovë.

Enver Hadri u vra më 15 shkurt të vitit 1990 në Bruksel nga të shtënat nga një makinë.

Hetimet e kryera, ndërkohë, sollën përfundimin se vrasja ishte bërë me motive politike, e organizuar nga shërbimet jugosllave dhe me mbështetje logjistike nga nëntoka e Beogradit.

Enver Hadri ishte kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë dhe një emigrant politik që mblodhi dokumente për të dëshmuar dhunën e regjimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Vrasja e Enver Hadrit ishte vlerësuar si një nga pesë vrasjet më të njohura politike të kryera nga shërbimi sekret jugosllav.