Arben Taravari – në sasi (numrin i ministrave dhe drejtorëve) shumë mirë, por cilësisht… pa vlerë!

Seladeklarata taravari

Nuk e di motivin për këtë “sinqeritet” të Arben Taravarit, por them se më në fund e kuptoi, se u bind të futej në LVV-LEN, jo se përfaqësonte ndonjë faktor politik me vlerë, por thjesht ishte dhuratë e Albin Kurtit për Afrim Gashin, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin. Dhe për të qenë i sinqertë, një dhuratë goxha modeste – zëvendësim i Zijadin Selës në pamundësi të rekrutimit të tij.

Ashtu siç e kuptoi edhe Zijadin Sela, pak më herët se Taravari, por pasi u krekos për një kohë në krah të Albin Kurtit si lider i shqiptarëve në ish IRJM.

Sidoqoftë, Arben Taravari zbuloi të vërtetën lakuriqe të funksionimit të partive politike shqiptare në ish IRJM:

“Numri i ministrave, numri i drejtorëve të VLEN në qeveri është rregull” deklaroi Arben Taravari. Që do të thotë se kishte goxha “vende pune” për atë, familjen e tij, si dhe për bashkëpartiakët e tij!

Por ama “cilësisht”, nga qeveria e Mickovskit trajtohen si mall pa vlerë.

“Cilësisht”, me këtë status në kushtetutë, e thënë pak më vrazhdë, askush nuk ua fërshëllen ministrave, zëvendësministrave dhe drejtorëve shqiptarë në qeveritë e Zaevit dhe Mickovskit.

Madje, nuk është çudi që, pas disa vitesh, këta ministra, pa asnjë kompetencë reale në dikasteret që drejtojnë. ta gjejnë veten fajtorë dhe në burg, apo në arrati, për ndonjë hajdutëri apo për ndonjë tragjedi siç ndodhi me ministrat e BDI!

Huazuar nga Afrim Fanda-Facebook

O Qoku (Albin Kurti), o Taravari nuk e thotë të vërtetën – njëri gënjen!

Qoku TaravariQoku: Koalicioni VLEN nuk ka qenë kurrë më solid dhe më i vendosur se në ditët e sotme. 

Taravari: Nga 100 kilometra shihet mosmarrëveshja e VLEN në Qeveri

 

Ministri i Shëndetësisë dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari në një intervistë për “Emisionin 360 shkallë” tha se koalicioni shqiptar në qeveri po funksionon ngadalë dhe se mosmarrëveshjet janë të dukshme.

“Unë mendoj se kemi shumë mangësi. Kjo nuk është aq për faj të kryeministrit Mickoski, sa për faj të nesh. Ekziston një mosmarrëveshje që duket nga 100 kilometra larg, se funksionojmë shumë ngadalë. E gjithë kjo është përshtypja e popullit, që është më e keqja për ne, se VLEN ka një pozicion shumë të dobët në Qeveri. Posa i bëra tre anketa, te shqiptarët përgjithësisht të anketuar. Përshtypja e rreth 70% të popullsisë shqiptare është se VLEN nuk funksionon si duhet, dhe se përfaqësimi i shqiptarëve në Qeveri nuk është i kënaqshëm“, tha Taravari.

Taravari tha se qytetarët e shohin se VLEN ka pozicion të dobët në qeveri dhe se sipas tij nuk funksionon siç duhet.

“Nëse e merrni në sasi, do të thotë numri i ministrave, numri i drejtorëve, përfaqësimi i VLEN në Qeveri është në rregull. Megjithatë, nëse e merrni cilësisht, nuk është ashtu siç duhet, nuk funksionon ashtu siç duhet dhe kjo është përshtypja e përgjithshme e shumicës, po flas për shqiptarët“, shtoi Taravari. 

 

Qoku: Koalicioni VLEN nuk ka qenë kurrë më solid dhe më i vendosur se në ditët e sotme.

Bekim Qoku (më 27.03.2025) në Facebook shkruan:

“Vazhdoj të mendoj se VLEN është një nga nismat më të pjekura e më racionale politike në të gjithë trojet shqiptare që nga fillimi i sistemit shumëpartiak. 

Zgjedhjet janë gjithmonë një stres-test për çdo subjekt politik. Ato janë sprovë për të gjithë pjesëmarrësit, si për të votuarit ashtu edhe për votuesit. Koalicioni VLEN nuk ka qenë kurrë më solid dhe më i vendosur se në ditët e sotme. Në zgjedhjet e sidomos pas zgjedhjeve, VLEN do të konsolidohet shumë më fuqishëm se ç’ka qenë qysh nga themelimi i tij.”

 

Të huajt blejnë Shqipërinë/ Në 2024 u blenë prona me vlerë 379 milionë euro. U rritën çmimet

banesaRritja e vlerës së pronave në vend, po shihet si një biznes fitimprurës jo vetëm për vendasit por edhe të huajt.

Ndonëse prej vitesh po investojnë, në vitin 2024 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, 379 milionë euro shkuan në drejtim të këtij tregu nga të huajt.

Ekspertët e tregut thonë se qëllimi për ti kthyer në biznese me qira ditore është arsyeja që po i nxit më shumë të huajt të investojnë.

“Kemi kërkesa shumë të mëdha që marrin apartamente i riparojnë me kushtet që duan të huajt dhe turistët, dhe i japin me booking për disa net”, Gjin Gjoka, ekspert i pasurive të paluajtshme.

“Gjithmonë rritje. Dita ditës shohim kërkesa të shtuara ku dhe oferta është po në të njëjtin drejtim, njerëzit kërkojnë me qira janë vendasit por më shumë janë dhe të huajt”, Ervin Demirxhiu, ekspert i pasurive të paluajtshme.

Ky zhvillim i tregut ka rritur ndjeshëm çmimet edhe për vendasit, kryesisht ato të qirave.

“Nëse çmimet kanë një stopim, ka te pronat luksoze por s’ka rënie çmimesh. Në shtëpi do ishte mirë që të gjithë të kishin një shtëpi. Duke llogaritur Unazën e Vjetër pothuajse 90% e apartamenteve janë të riparuar dhe me booking. Së dyti kërkesa e studentëve është e lartë, por dhe rreth 19 mijë banorë shpërngulen pashaportizohen në Tiranë. Në Astir sot gjejmë një apartament jo poshtë 350 euro dhomë kuzhinë. 2+1 të kompletuar nuk e gjen nën 500 euro. Kinostudio, Porcelani Xhamlliku qiratë janë 550, tek Unaza 650”, tha Gjoka.

“Trendi rritës vazhdon si pasojë e kërkesës së lartë po dhe ndërtuesit kanë shtuar kostot që përkthehen në fund të klienti”, tha Demirxhiu.

Por deklarata e kryeministrit Edi Rama për një dyfishim të çmimeve të pronave me anëtarësimin në BE si rrjedhojë edhe të qirave, sipas ekspertëve të tregut do të vër në lëvizje qytetarëve për të investuar me çmimet aktuale.

“Sipas parashikimeve mund të kemi rritje. Por i bëj thirrje që nuk ka ulje çmimesh”, tha Gjoka.

“Nuk kemi hyrë në Europë dhe rritjet e çmimeve janë goxha. E shohin një treg me potencial. Të huajt do jenë goxha në numër dhe sigurisht do rrisin çmimet”, tha Demirxhiu.

Jo vetëm në tregun e pasurive të paluajtshme, investimet e të huajve në 2024 u rritën ndjeshëm, teksa arritën 1.6 miliardë euro, 92 milionë më shumë se në 2023.

Holanda, Italia dhe Turqia janë shtetet që kryesojnë listën për vlerën e investimeve të huaja në Shqipëri.

tch

Nga mesi i prillit do të ketë kontrolle vetëm në hyrje në kufirin Kosovë-Maqedoni e V.

bllace - h elezitAmbasada e Republikës së Kosovës në Shkup ka thënë se regjimi i ri kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të funksionalizohet në mesin e muajit prill, i cili parasheh kontrolle vetëm në hyrje nga policia respektive e shtetit.

 

Regjimi i ri do të bëhet sipas modelit “hyrje-hyrje” dhe do të zbatohet në pikat kufitare Hani i Elezit/Bllacë dhe Glloboqicë/Jazhincë, ndërsa policët do të punojnë në një objekt të përbashkët.

“Prolongimi disaditor është bërë me qëllim të përgatitjeve finale teknike e logjistike të ekipeve të cilat janë duke punuar intensivisht në zbatimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme ndërshtetërore” është thënë në reagimin e Ambasadës së Kosovës në Shkup.

Autoritetet kanë thënë se ky model pritet t’i zvogëlojë pritjet dhe do të jetë në funksion të lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve të të dyja shteteve.

Shtetasit e Kosovës duhet të jenë të pajisur me letërnjoftim biometrik apo pasaportë për të kaluar në Maqedoninë e Veriut.

Për dallim prej këtij regjimi, Kosova dhe shteti tjetër fqinj, Shqipëria, kanë pika të përbashkëta kufitare dhe në pjesën më të madhe të vitit shtetasit e këtyre dy vendeve, udhëtojnë në territorin e njëra-tjetrës pa iu nënshtruar fare kontrolleve.

rel

Kur Evropa zhvendos vëmendjen, çka ndodh me Kosovën?

kosovaJavët e fundit, ideja për një mision evropian në Ukrainë ka marrë vrull. Nëse realizohet, mund t’i ripërcaktojë prioritetet e sigurisë në Evropë. Por, si do ta ndikonte praninë e NATO-s në Kosovë? Më pak vëmendje, më shumë rrezik, parashohin disa analistë.

Ndërsa Evropa shqyrton dërgimin e trupave në Ukrainë, në lojë hyn edhe një front tjetër: Kosova.

Me mijëra paqeruajtës evropianë të dislokuar në vend, a mund të ndodhë që përqendrimi i burimeve dhe vëmendjes në lindje, ta lërë Kosovën më të cenueshme?

NATO-ja siguron që jo. Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zyrtar i aleancës thotë se “NATO-ja, prej kohësh, është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në këtë drejtim, së bashku me angazhimet e tjera që mund t’i marrin aleatët”.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është vendosur në Kosovë pas përfundimit të luftës, më 1999.

Aktualisht ka mbi 4.600 trupa – shumica dërrmuese e tyre evropianë. Italia prin me mbi 1.200, pastaj vijnë shtetet e tjera, si: Hungaria, Gjermania, Polonia apo Zvicra me qindra ushtarë.

Në Bosnje e Hercegovinë, gjithashtu, prej dekadash ka një mision paqeruajtës, që përbëhet prej forcave evropiane.

Me 1.100 ushtarë dhe 3.500 të tjerë rezervë, EUFOR-i ofron mbështetje për institucionet e këtij vendi në ruajtjen e paqes, që nga viti 2004, kur i ka zëvendësuar forcat e NATO-s.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ishte në Bosnje dhe në Kosovë pikërisht këtë muaj. Në një takim me gazetarët në Prishtinë, më 11 mars, tha se angazhimi i NATO-s në rajon mbetet i fuqishëm edhe sot e kësaj dite.

Ai tha se dërgimi eventual i trupave evropiane në Ukrainë do të mund të ndikonte në rishikimin e pranisë së huaj ushtarake në Ballkan, por nuk tha se si apo kur.

“Është shumë herët [të flitet], sepse, së pari, duhet të arrihet marrëveshje për paqe në Ukrainë, apo për armëpushim, përpara se të filloni ta ruani atë”, tha Rutte.

Britania dhe Franca po udhëheqin përpjekjet për mbledhjen e një force ushtarake, që do të vendosej në Ukrainë, në rast të armëpushimit.

Kjo, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, inicioi bisedimet për një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës – tre vjet pasi shteti rus nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të tij.

“Mbretëria e Bashkuar dhe Franca po udhëheqin së bashku planet për aranzhimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. Ne po e bëjmë këtë punë së bashku. Po bashkëpunojmë ngushtë me vendet partnere dhe po përpiqemi të krijojmë një koalicion vullnetarësh nga Evropa dhe më gjerë”, tha sekretari i Britanisë për Mbrojtjen, John Healey.

Pas një takimi të udhëheqësve evropianë, më 27 mars në Paris, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ata u pajtuan që t’i shqyrtonin çështjet specifike ligjore rreth çfarëdo force evropiane të sigurisë për Ukrainën, dhe të raportonin pas tri javësh.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se misioni nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e SHBA-së, por SHBA-ja ishte e ftohtë ndaj idesë së ndonjë roli ushtarak në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha, po ashtu, se për Rusinë do të ishte e papranueshme prania e forcave të vendeve të NATO-s në Ukrainë – “në secilën rrethanë”, sipas tij.

Disa vëzhgues si Tim Less, nga Qendra për Gjeopolitikë e Universitetit të Kembrixhit, nuk presin që ky mision të formohet, pikërisht për shkak të këtyre kundërshtimeve.

Në vend të tij, Less pret që Evropa t’i fortifikojë shtetet që janë më të shqetësuara nga kërcënimi rus, si ato të Baltikut, Polonia, Rumania apo Moldavia.

“E, nëse vlerëson se Ballkani është në front për t’u ballafaquar me Rusinë, atëherë mendoj se do të shohim një militarizim më të madh, sidomos të Kosovës dhe Bosnjës. Por, nëse ndodh skenari i parë, ai do të kërkonte një lloj rialokimi të burimeve larg Ballkanit, drejt atyre vendeve të tjera”.

“Në atë rast, Serbisë do t’i dërgohej mesazh i qartë, se nuk do të përballej me kundërshtime, nëse i shtyn përpara qëllimet e veta politike”, thotë Less për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Këtë mendim ndan edhe Hikmet Karçiq, bashkëpunëtor hulumtues në Universitetin e Sarajevës dhe autor i librit “Torturë, poshtërim, vrasje: Brenda sistemit të kampit serb të Bosnjës”.

Zhvendosja e vëmendjes mund të krijojë boshllëqe në siguri, sipas tij.

“Çdo dhunë që ndodh në rajon, ka potencial të përhapet nga një vend në tjetrin – në Bosnje, Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni të Veriut. E kemi parë këtë edhe në të kaluarën. Por, viteve të fundit ka qenë fokusi i Perëndimit, i NATO-s, ai që e ka mbrojtur rajonin”.

“Në Kosovë, për shembull, prania e trupave të huaja është arsyeja kryesore përse Serbia nuk ka bërë përpjekje – përveç para gati dy vjetësh në Banjskë – ta sulmojë fizikisht atë”, thotë Karçiq për Exposenë.

Jeta Loshaj, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, pret që rajoni i Ballkanit të mbetet në radarin e Evropës dhe të zërë vend në secilin plan për mbrojtje që ajo bën.

Këtë, sipas saj, e dëshmon edhe vizita që bëri shefi i NATO-s në Kosovë, e paraprakisht edhe në Bosnje.

“Nuk e dimë ende nëse forcat [evropiane] do të vendosen në Ukrainë. Por, nëse një vendim i tillë merret, i bie që Evropa ka investuar në forcat e veta ushtarake. E kemi parë edhe planin për ndarjen e 800 miliardë eurove për mbrojtje. Mendoj se aty do të përfshihej edhe Kosova”, thotë Loshaj për Exposenë.

Loshaj u sugjeron institucioneve të Kosovës të mbeten në komunikim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë – qoftë me NATO-n si tërësi, apo edhe me shtetet e saj veç e veç.

Ajo e vlerëson në mënyrë të veçantë nismën për bashkëpunim ushtarak që u ndërmor së voni nga Kosova, Shqipëria e Kroacia.

“[Ajo] dërgon një mesazh se Kosova është gati për të gjetur mënyra jo vetëm për të forcuar kapacitetet e saj, por edhe për të reflektuar ndaj situatave të tanishme gjeopolitike”, thotë Loshaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili synon një mandat të ri qeverisës, premtoi këtë javë mbi një miliard euro buxhet për Forcën e Sigurisë së vendit dhe përsëriti se Kosova do ta ndërtojë fabrikën e saj të municioneve dhe dronëve ushtarakë.

Less, nga Universiteti i Kembrixhit, beson se Kosova duhet të ndërmarrë dy hapa kyçë për të ruajtur vëmendjen e aleatëve të saj.

“Një është lobimi aktiv te Perëndimi, duke promovuar idenë se Serbia është kërcënim për të dhe duhet të frenohet. Dhe, nën dy, të investojë në sigurinë e saj, duke ndërtuar ushtrinë e saj, duke ndërtuar rezervat e saj të armatimit e kështu me radhë – në rast se i duhet të përballet me Serbinë drejtpërdrejt dhe pa ndihmë nga jashtë”, thotë Less.

Karçiq pajtohet se strategjitë e koordinuara diplomatike dhe ushtarake do të jenë vendimtare në balancimin e këtyre sfidave të njëkohshme të sigurisë.

Sipas tij, Perëndimi do të duhej ta ndihmonte Kosovën në forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake dhe të sigurisë, përfshirë edhe rritjen e sigurisë kibernetike, për të qenë në gjendje të mbrohet nga kërcënimet e mundshme.

Bosnjën thotë se duhet ta inkurajojë t’i kapërcejë ndarjet e saj politike dhe të ndërmarrë hapa për t’i forcuar institucionet dhe kapacitetet e saj të sigurisë.

Në të kundërtën, Karçiq thotë se Rusia do të plotësonte çdo vakum të mundshëm që do të linte Perëndimi.

“Rusia, së bashku me mbështetësit e saj në Serbi dhe në Mal të Zi, do të përpiqej përfundimisht të pengonte zgjerimin e NATO-s në këtë zonë, si dhe integrimin e saj në BE. Po ashtu, do të bënte përpjekje për t’i destabilizuar edhe shtetet e NATO-s në Ballkan, si Mali i Zi. I kemi parë këto përpjekje edhe viteve të kaluara, sidomos me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut”, thotë ai.

Dhe, me një administratë amerikane që sinjalizon më pak përfshirje në çështjet evropiane, Kremlini mund të ndjejë më pak presion për veprimet e tij, qoftë në Ukrainë, qoftë në Ballkan, thotë profesori Less.

“Inaugurimi i Donald Trumpit më 20 janar ishte një lloj bombe që shpërtheu në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pothuajse kudo që shikoni, shihni një lloj të ndikimit të Trumpit”, sipas tij.

Në këtë klimë të pasigurt, sfida për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi duket e qartë: qëndroni në radar, ose rrezikoni të mënjanoheni nga loja gjeopolitike, thonë analistët.

Por, kjo kërkon një balancë të kujdesshme mes interesave të brendshme dhe atyre ndërkombëtare – diçka që kurrë nuk është e lehtë, sidomos në një rajon si Ballkani.

rel

“A jeni gati për luftë”, si po armatoset Gjermania nga frika se Rusia mund të nisë sulmin brenda katër viteve

tankuNjë lëshues raketash ngre një re pluhuri të kafenjtë në ajër ndërsa përshkon me shpejtësi një fushë drejt vijës së qitjes. Disa çaste më vonë, një ushtar numëron mbrapsht nga pesë deri te “Zjarri!”, përpara se një raketë të shpërthejë drejt qiellit.

Shpërthimet dhe gjëmimet nga stërvitjet ushtarake janë aq të shpeshta saqë banorët e qytetit të vogël Munster aty pranë mezi i vënë re më. 

Por jeta këtu pritet të bëhet edhe më e zhurmshme.

Ushtria gjermane, Bundeswehr, së fundmi mori dritën jeshile për një rritje masive të investimeve pasi parlamenti votoi për përjashtimin e shpenzimeve për mbrojtjen nga rregullat strikte të borxhit.

Gjenerali më i lartë i vendit i ka thënë BBC-së se kjo mbështetje financiare është urgjente, pasi ai beson se agresioni rus nuk do të ndalet me Ukrainën.

“Ne jemi të kërcënuar nga Rusia. Ne jemi të kërcënuar nga Putini. Duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta penguar këtë,” thotë Gjenerali Carsten Breuer. Ai paralajmëron se NATO duhet të përgatitet për një sulm të mundshëm brenda katër viteve.

“Nuk ka të bëjë me sa kohë më duhet mua, por më shumë me sa kohë na jep Putini për t’u përgatitur,” thotë shefi i mbrojtjes në mënyrë të prerë. “Dhe sa më shpejt të jemi gati, aq më mirë.” 

Kthesa

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka ndryshuar thellësisht mendësinë në Gjermani.

Për dekada, njerëzit këtu janë rritur me një refuzim të fuqisë ushtarake, të vetëdijshëm për rolin e kaluar të Gjermanisë si agresor në Evropë.

“Ne kemi nisur dy luftëra botërore. Edhe pse kanë kaluar 80 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ideja që gjermanët duhet të qëndrojnë larg konflikteve është ende e rrënjosur në ADN-në e shumë njerëzve,” shpjegon Markus Ziener nga Fondi Gjerman Marshall në Berlin.

Disa ende mbeten skeptikë ndaj çdo gjëje që mund të shihet si militarizëm edhe sot, dhe forcat e armatosura kanë qenë kronikisht të nënpërgatitura.

“Ka zëra që paralajmërojnë: ‘A jemi vërtet në rrugën e duhur? A është vlerësimi ynë për kërcënimin i saktë?’”

Sa i përket Rusisë, Gjermania ka ndjekur një qasje specifike.

Ndërsa vende si Polonia dhe shtetet Baltike paralajmëronin kundër afrimit me Moskën – dhe rritën shpenzimet e tyre për mbrojtjen – Berlini, nën kancelaren e atëhershme Angela Merkel, besonte në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare.

Gjermania imagjinonte se po sillte demokratizim. Por Rusia mori paratë dhe pushtoi Ukrainën gjithsesi.

Kështu që, në shkurt të vitit 2022, një Olaf Scholz i tronditur shpalli një ndryshim të madh në prioritetet kombëtare, një “Zeitenwende”.

Në atë moment, ai premtoi një buxhet gjigant prej 100 miliardë eurosh (108 miliardë dollarë; 83 miliardë paund) për të forcuar ushtrinë e vendit dhe për të frenuar “luftënxitësit si Putini”.

Por Gjenerali Breuer thotë se kjo nuk mjaftonte.

“Ne mbushëm pak nga gropat,” kujton ai. “Por situata është vërtet e keqe.”

Në të kundërt, ai tregon për shpenzimet e mëdha të Rusisë në armë dhe pajisje, si për rezervat ashtu edhe për vijën e frontit në Ukrainë.

Ai gjithashtu përmend luftën hibride të Rusisë: nga sulmet kibernetike deri te sabotazhet, si dhe dronët e paidentifikuar mbi bazat ushtarake gjermane.

Shtoni kësaj retorikën agresive të Vladimir Putinit dhe Gjenerali Breuer sheh “një përzierje vërtet të rrezikshme.”

“Ndryshe nga bota perëndimore, Rusia nuk mendon në ndarje të qarta. Nuk ka një vijë mes kohës së paqes dhe luftës; është një vazhdimësi: fillon me metoda hibride, pastaj e përshkallëzon, pastaj rikthehet. Kjo është ajo që më bën të mendoj se po përballemi me një kërcënim real.”

Ai argumenton se Gjermania duhet të veprojë shpejt. 

‘Shumë pak nga gjithçka’

Vlerësimi i ashpër i shefit të mbrojtjes për gjendjen aktuale të forcave të tij përputhet me një raport të fundit për parlamentin. Bundeswehr-i, përfundonte raporti, kishte “shumë pak nga gjithçka”.

Autorja e raportit, komisionerja e forcave të armatosura, Eva Högl, zbuloi mungesa të rënda që varionin nga municionet te ushtarët, deri te kazermat e rrënuara. Ajo vlerësoi buxhetin për punimet e rinovimit në rreth 67 miliardë euro (72 miliardë dollarë; 56 miliardë paund).

Heqja e kufirit të borxhit, duke i lejuar ushtrisë të marrë hua – teorikisht, pa kufi – do t’i japë asaj akses në një “vijë të qëndrueshme” financimi për të filluar adresimin e këtyre problemeve, thotë Gjenerali Breuer.

Lëvizja historike u ndërmor nga pasardhësi i pritshëm i Scholz-it, Friedrich Merz, me një ngut që ngriti disa dyshime. Ai e dorëzoi propozimin në parlament pak para se ai të shpërndahej pas zgjedhjeve të shkurtit.

Parlamenti i ri, me një të majtë antimilitariste dhe një të djathtë pro-ruse, mund të kishte qenë më pak i prirur ta mbështeste atë.

Por “kthesa” që Gjermania nisi në vitin 2022 mori vrull të ri këtë vit.

Një sondazh i fundit i YouGov tregoi se 79% e gjermanëve ende e shohin Vladimir Putinin si një kërcënim “shumë” ose “mjaft” të madh për paqen dhe sigurinë në Evropë.

Tani, 74% thanë të njëjtën gjë për Donald Trump.

Anketa erdhi pas një fjalimi në Mynih, ku nënpresidenti i tij, JD Vance, kritikoi ashpër Evropën dhe vlerat e saj.

“Kjo ishte një sinjal i qartë se diçka ka ndryshuar në mënyrë themelore në Shtetet e Bashkuara,” thotë Markus Ziener.

“Nuk e dimë se në ç’drejtim po shkon SHBA-ja, por e dimë se besimi se mund të mbështetemi 100% te mbrojtja amerikane për sigurinë tonë – ai besim tani ka humbur.” 

Largimi nga historia

Në Berlin, kujdesi tradicional i gjermanëve ndaj çështjeve ushtarake duket se po venitet me shpejtësi.

Tetëmbëdhjetëvjeçarja Charlotte Kreft thotë se pikëpamjet e saj pacifiste kanë ndryshuar.

“Për një kohë shumë të gjatë, ne menduam se mënyra e vetme për të shlyer mizoritë që kemi kryer në Luftën e Dytë Botërore ishte të siguroheshim që ato të mos ndodhnin më kurrë […] dhe menduam se duhej të çmilitarizoheshim,” shpjegon Charlotte.

“Por tani jemi në një situatë ku duhet të luftojmë për vlerat, demokracinë dhe lirinë tonë. Duhet të përshtatemi.”

“Ka shumë gjermanë që ende ndihen të çuditshëm për investime të mëdha në ushtrinë tonë,” bie dakord Ludwig Stein. “Por mendoj se, duke pasur parasysh ngjarjet e viteve të fundit, nuk ka një opsion tjetër real.”

Sophie, një nënë e re, mendon se investimi në mbrojtje tani është “i nevojshëm në botën ku jetojmë”.

Por Gjermania ka nevojë për trupa po aq sa për tanke, dhe ajo nuk është aspak entuziaste për idenë që i biri të rekrutohet. 

‘A jeni gati për luftë?’

Bundeswehr-i ka vetëm një qendër të përhershme rekrutimi, një njësi të vogël e vendosur mes një farmacie dhe një dyqani këpucësh pranë stacionit Friedrichstrasse në Berlin.

Me manekinë të veshur me uniforma kamuflazhi në vitrinë dhe slogane si “cool dhe spicy”, ajo synon të tërheqë burra dhe gra për të shërbyer, por në të vërtetë vetëm disa persona hyjnë aty çdo ditë.

Gjermania tashmë ka humbur objektivin e saj për të shtuar 20,000 ushtarë – nga 183,000 në 203,000 – dhe për të ulur moshën mesatare nga 34 vjeç.

Por ambiciet e gjeneralit Breuer janë shumë më të mëdha.

Ai na tha se Gjermanisë i duhen edhe 100,000 trupa shtesë për të mbrojtur veten dhe krahun lindor të NATO-s në mënyrë adekuate – një total prej 460,000 trupash, duke përfshirë rezervistët. Prandaj ai insiston se rikthimi i shërbimit ushtarak është “absolutisht” i nevojshëm.

“Nuk do ta arrijmë këtë numër prej 100,000 trupash shtesë pa ndonjë model të rekrutimit të detyrueshëm,” tha gjenerali.

“Nuk kemi pse të përcaktojmë tani se cili model do t’i sjellë ata. Për mua, e rëndësishme është vetëm që t’i kemi ushtarët.” 

Kjo debat sapo ka filluar.

Gjenerali Breuer po e pozicionon qartë veten në krye të përpjekjes për të çuar përpara dhe më shpejt “kthesën” e Gjermanisë.

Me një stil të thjeshtë dhe tërheqës, ai pëlqen të vizitojë bashkitë e qyteteve dhe t’u bëjë audiencave një pyetje sfiduese: “A jeni gati për luftë?”

Një ditë, një grua e akuzoi atë se po e trembte. “I thashë: ‘Nuk jam unë ai që po ju tremb, është ai tjetri!’” kujton ai përgjigjen e tij.

Ai i referohej Vladimir Putinit.

Alarmi i dyfishtë – kërcënimi nga Rusia dhe një Amerikë izolacioniste e tërhequr – po bie fort për Gjermaninë, argumenton gjenerali, dhe nuk mund të injorohet.

“Tani është e qartë për secilin prej nesh se duhet të ndryshojmë.”

Sarah Rainsford/ BBC

Kanadezët bashkohen kundër Donald Trump

trump kanadaPër kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney, marrëdhënia e dikurshme me SHBA-në i përket historisë. Është bërë e qartë se SHBA-të nuk janë më një partner i besueshëm, tha ai.

 

Kur Donald Trump tha se do ta “gëlltisë” Kanadanë si shtetin e 51 federal, u pa fillimisht si shaka pa kripë. Por Donald Trump e përsëriti kërcënimin aq shpesh sa qytetarët në vendin e dytë më të madh në botë, Kanada u desh të reagonin. Përgjigja ndaj Trump: një valë e paprecedentë solidariteti mes kanadezëve.

Nën moton “Bërrylat lart”, (Elbow up) kanadezët po mbrohen kundër politikave të presidentit të SHBA. Shumë qytetarë anulojnë pushimet në Florida e Arizona. Vetëm në muajin shkurt, në kufi janë regjistruar 500 mijë hyrje më pak në SHBA sesa një vit më parë. Hera e fundit që shifrat ishin kaq të ulëta ishte në kohën e pandemisë Corona. Edhe produktet amerikane bojkotohen. Në supermarkete shënohen dukshëm produktet me etiketën “Made in Canada” dhe hiqet nga raftet verërat kaliforneze.

 

“Kjo na zgjoi ne kanadezët dhe na bëri të mendojmë se çfarë do të thotë të jesh kanadez”, i tha një qytetare portalit gjerman “tagesschau”. Shumë kanadezë janë tani të shqetësuar për të ardhmen duke vënë re varësinë e madhe nga SHBA. “Ardhja e Donald Trump në detyrë dhe kërcënimi me tarifa ndëshkuese e bëri të qartë se sa e cenueshme është Kanadaja”, thotë një qytetare tjetër për “tagesschau”.

Carney: Nuk ka kthim prapa

Kanadaja dhe SHBA-ja – para rikthimit të presidentit Donald Trump ishin dy vende mike me ekonomi të ndërthurura ngushtë. 70 për qind e të gjitha eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA. Po për kryeministrin e ri të Kanadasë Carney, marrëdhënia e dikurshme me SHBA-në i përket historisë. Është bërë e qartë se SHBA-të nuk janë më një partner i besueshëm, tha ai. Por Carney ka theksuar, se do të vazhdojë të flasë me presidentin amerikan Trump. Një telefonatë është planifikuar në ditët në vijim.

 

Trump ndryshon marrëdhënien mes dy vendeve mike

Politika agresive doganore e presidentit amerikan Donald Trump shihet si një pikë kthese në marrëdhëniet e Kanadasë me SHBA-në. Kërcënimi për vendosjen e tarifave të mëtejshme ndëshkuese ndaj Kanadasë shkakton frikë dhe zemërim. Duket se një epokë po merr fund. “Marrëdhënia e vjetër që kishim me Shtetet e Bashkuara, e cila bazohej në integrimin e thelluar të ekonomive tona dhe bashkëpunimin e ngushtë në sigurinë dhe fushën ushtarake, ka përfunduar,” u tha Carney gazetarëve në Otava. Me deklaratat e tij, Trump ka ndryshuar përgjithmonë marrëdhëniet mes vendeve fqinje.

 

Në të njëjtën kohë, Carney njoftoi, se nuk do të negociojë me qeverinë amerikane për çështjet tregtare për sa kohë që presidenti nuk tregon “respekt” për Kanadanë. Në javët e fundit, Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të aneksojë vendin fqinj verior dhe është tallur me paraardhësin e Carney, Justin Trudeau si “guvernator” të një “shteti të 51-të” të ardhshëm të SHBA-së. Carney u betua si kreu i qeverisë më 14 mars, por nuk ka folur me Trump që nga marrja e detyrës, kohë jashtëzakonisht e gjatë për dy vendet historikisht të afërta aleate.

Mark Carney e bëri të qartë gjithashtu, se vendi i tij do të përgjigjet me kundërmasa ndaj tarifave të importit për automjetet, të vendosura nga SHBA të mërkurën. “Përgjigja jonë ndaj këtyre tarifave të fundit është të luftojmë, mbrojmë, ndërtojmë”, shtoi ai. Kundërpërgjigja kanadeze do të kishte si synim “ndikimin më të madh të mundshëm në Shtetet e Bashkuara dhe efektin më të vogël të mundshëm në Kanada”.

dw

Çfarë ndodh tani me Marine Le Penin dhe partinë e saj të ekstremit të djathtë?

le penPolitikania franceze e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen është shpallur fajtore për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian për një periudhë 12-vjeçare.

 

Përmes një vendimi që ka shkundur politikën franceze dhe atë evropiane, gjykata në Paris ka thënë se ajo nuk mund të garojë për asnjë pozitë politike publike – që nënkupton se ajo duket që do të jetë jashtë garës për zgjedhjet presidenciale, të cilat duhet të mbahen më së largu në pranverën e vitit 2027.

Ajo është larguar nga seanca gjyqësore pa bërë asnjë koment. Ndonëse mund të apelojë vendimin – çdo hap mund të marrë vite – ka shumë mundësi që ky do të jetë fundi i karrierës së saj politike.

Le Pen, e cila ka garuar kundër presidentit aktual, Emmanuel Macron më 2017 dhe 2022, konsiderohej figura favorite për t’u bërë gruaja e parë presidente e Francës.

Më 2022, ajo pati fituar 41.5 për qind të votave në rundin e dytë, duke shënuar rezultatin më të mirë të një kandidati të së djathtës ekstreme në garën presidenciale të Francës.

Meqë Macronit i ndalohet të garojë për një mandat të tretë, Le Pen konsiderohej figura më e njohur për zgjedhjet e ardhshme, dhe sondazhet e hershme sinjalizonin që ajo do të mposhtte kandidatët tjerë nga e majta dhe e djathta.

 

Zbardhja e fytyrës së Frontit Kombëtar

Le Pen është ngjitur në krye të Frontit Kombëtar më 2011 dhe e ka ribrenduar partinë në Tubimi Kombëtar, si dhe ka tentuar të zbardhë fytyrën e partisë duke e distancuar atë dhe veten nga disa deklarata raciste dhe antisemitike të babait të saj Jean-Marie Le Pen në të kaluarën.

Ajo vazhdon të ketë qasje shumë kritike ndaj imigrimit dhe Islamit dhe dëshiron të nxjerrë Francën prej Komandës së integruar ushtarake të NATO-s.

Megjithatë, ajo është tërhequr nga deklaratat paraprake për të larguar vendin nga Bashkimi Evropian dhe Eurozona.

Partisë së saj i është garantuar një kredi e përfolur shumë nga një bankë ruse, më 2014, dhe ndonëse ka qenë mbështetëse e Moskës në të kaluarën dhe i ka kritikuar sanksionet e BE-së kundër Kremlinit, ajo e ka mbështetur Francën në vendimin për t’i pranuar refugjatët ukrainas.

Pas vendimit të 31 marsit, Kremlini ka thënë se i vjen keq për “shkeljen e normave demokratike”.

Zyrtarët evropianë, duke folur në kushte anonimiteti, kanë shpresuar se ajo do të ecte përpara në marrjen e ndonjë detyre, ndoshta duke ndjekur hapat e kryeministres italiane të së djathtës, Giorgia Meloni, e cila përshkruhet në Bruksel si kompetente dhe bashkëpunuese.

Megjithatë, ata kanë folur me doza kujdesi, duke thënë se Tubimi Kombëtar e ka pozicionuar veten gjithnjë nga ekstremi i djathtë dhe që partia është themeluese kryesore e partisë Patriotët e Evropës, bashkë me partinë hungareze në pushtet, Fidesz, lideri i së cilës, Viktor Orban, ka shprehur menjëherë mbështetje për Le Penin.

Ajo që nuk dihet tani është se çfarë do të ndodhë me partinë e saj.

Tetë ish-anëtarë të Parlamentit Evropian, pjesëtarë të Tubimit Kombëtar, janë dënuar bashkë me Le Penin për shfrytëzim të fondeve në vlerë të miliona eurove të Parlamentit Evropian për të paguar stafin në Francë në periudhën 2004-2016, duke ngritur pikëpyetje nëse lëvizja mund t’i mbijetojë kësaj goditjeje.

 

Çfarë do të ndodhë me të djathtën ekstreme të Francës?

Jordan Bardella – i cili është emëruar lideri zyrtar i Tubimit Kombëtar më 2021 dhe është konsideruar pasardhësi i Le Penit – vazhdon të mbetet i panjollosur nga skandali, të paktën drejtpërdrejt.

Por, a mundet Bardella të ketë të njëjtën fuqi tërheqëse sikurse Le Peni? Duke qenë vetëm 29 vjeçar, ai konsiderohet shumë i ri dhe pa ndonjë përvojë.

Ndonëse Tubimi Kombëtar ka arritur të dalë i pari në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershorin e vitit të kaluar, dështimi i partisë për të përsëritur atë sukses në zgjedhjet parlamentare të mbajtura po atë verë, pati ngritur dilema lidhur me qëndrueshmërinë.

Mbetet të shihet se si do të përgjigjet elektorati ndaj vendimit.

Shumë politikanë janë tronditur nga kritikat e bëra prej nënpresidentit amerikan JD Vance më herët gjatë vitit për anulimin e rezultatit të rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë, pas dyshimeve për ndërhyrje ruse në emër të kandidatit të pavarur, Calin Georgescu, i cili pati befasuar të gjithë kur ka dalë i pari.

“Ne mund të presim goditje të ngjashme edhe këtë herë, pasi shumë pjesëtarë nga e djathta populiste do ta quajnë këtë ‘aferë ligjore’ kundër politikanëve që nuk konsiderohen të zakonshëm, dhe Marine Le Pen sapo është bërë kthyer në ‘kauzën e tyre të famshme’, e cila mund t’i shtyjë ata të fitojnë edhe më shumë popullaritet”.

rel

Millorad Dodik arrin në Moskë

dodikPresidenti pro-rus i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, ka bërë të ditur të hënën që ka arritur në Moskë.

 

Përmes një postimi në X – dikur Twitter – Dodik ka thënë se secilën herë që shkon në kryeqytetin rus, qëndrimin e nis me “ një vizitë në Monumentin e Heroit të Panjohur, për të nderuar 28 milionë rusët që kanë vdekur në Luftën e Dytë Botërore”.

Ai nuk ka dhënë hollësi për arsyet e vizitës, por që do të jetë aty sërish më 9 maj, për të shënuar Ditën e Fitores kundër fashizimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjykata në Bosnje-Hercegvoinë ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar për Dodikun, sepse ai nuk u është përgjigjur festave të Zyrës së Prokurorit për t’u intervistuar lidhur me dyshimet se ka kryer veprën penale të sulmit kundër rendit kushtetues.

“Do të jem këtu sërish më 9 maj, me ftesë të presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin për të shënuar 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin, përgjatë së cilit popullit rus dhe ai serb kanë vajtuar më së shumti”, ka thënë Dodik në një video të publikuar në X.

“Disa janë duke tentuar të rishkruajnë historinë. Është e pamundshme, por ata që duan ta bëjnë këtë po përpiqen t’i shtrembërojnë faktet historike. Faktet historike për vuajtjet e popullit rus dhe atij serb dhe hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk do të mund të ndryshohen”, ka thënë Dodik.

Ai ka folur me respekt të madh për Putinin, të cilat e ka takuar disa herë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe të cilin e ka përshkruan si “lider të rëndësishëm historik të popullit rus”.

“Ai ka duruar gjithçka dhe ka ardhur në situatën e mirëpritjes së një homologu tjetër, që është i rëndësishëm në luftimin e elitës globale, dhe ai është presidenti (amerikan, Donald) Trump në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Dodik.

Më 27 mars, Gjykata në Bosnje-Hercegovinë ka kërkuar që Organizata Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) të lëshojë njoftim të kuq për Dodikun dhe kryetarin e Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues të Bosnje-Hercegovinës”.

“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.

Vendimi është marrë pasi të dy janë larguar nga Bosnja, duke shmangur procedurat ligjore kufitare, dhe ndërkohë është lëshuar fletarrestimi, që do të thotë se agjencitë policore duhet t’i dërgojnë para gjykatës së Bosnje-Hercegovinës.

Kërkesa për arrestimin e zyrtarëve më të lartë të RS-së vjen në një periudhë të trazuar, pasi më 26 shkurt Dodik është dënuar në shkallë të parë nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim për të mbajtur funksione publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnje.

Një ditë pas aktgjykimit, Kuvendi Popullor i RS-së ka miratuar ligje jokushtetuese me të cilat, në territorin e entitetit, ka bërë përpjekje që të ndalojë punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës, Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës ka marrë vendim më 7 mars për një masë të përkohshme dhe ka ndaluar zbatimin e ligjeve të miratuara nga Parlamenti i entitetit.

rel

Para vitit 1922, diagnostikimi me diabetit të tipit 1 nënkuptonte dënimin me vdekje.

insulinaPara vitit 1922, diagnostikimi i diabetit të tipit 1 do të thoshte një dënim me vdekje.

Nuk kishte ilaç, as edhe një fije shprese. Vetëm një ndarje e ngadaltë dhe e pashmangshme.

Në këtë foto, Leonard Thompson, 14-vjeç, qëndron në një shtrat spitali në koma diabetike. Pas derës, familja e tij e dëshpëruar pret me ankth të pashmangshmen.

Në atë moment, një ekip mjekësh i udhëhequr nga Frederick Banting dhe Charles Best hyn në dhomë. Në duart e tyre mbajnë një shiringë të vogël që përmban një substancë që kurrë më parë nuk ishte injektuar në një njeri: insulinë.

Kjo është shpresa e tyre e fundit.

Injeksioni.

Qetësi!

Sekondat e pritjes.

Momentet e frikës.

Dhe më pas ndodh mrekullia.

Niveli i sheqerit në gjak i Leonard-it balancohet. Frymëmarrja e tij qetësohet. Ngadalë hap sytë.

Dhe me një zë të dobët e thotë dëshirën e tij të parë:

“Dua të shoh familjen time.”

Lajmi përhapet shpejt në spital. Gëzimi zëvendëson dëshpërimin. Aty ku vdekja konsiderohej e pashmangshme, jeta rilind.

Por Banting dhe ekipi i tij e dinë se gjithçka që kanë nuk është një thesar për t’i pasuruar ata, por një dhuratë për njerëzimin.

Ata e patentohet insulinën… dhe ia dorëzojnë Universitetit të Torontos për vetëm një dollar. Banting thotë me bindje këto fjalë:

“Insulina nuk më përket mua, i përket botës.”

Miliona jetë janë shpëtuar që nga ajo ditë. Por gjithçka filloi me një fëmijë në prag të vdekjes… Dhe me një ekip mjekësh që refuzuan të pranonin të pamundurën.

Huazuar nga Ferhan Mertol – Facebook / shqipëruar nga gjermanishtja

 

Po kush e zbuloi Insulinën? 

Insulina u zbulua dhe u patentua nga një ekip shkencëtarësh kanadezë në vitin 1921. Frederick Banting dhe Charles Best, së bashku me ndihmën e James Collip dhe John Macleod, izoluan insulinën nga pankreasi i një qeni dhe e testuan për herë të parë te njerëzit. Për këtë zbulim të jashtëzakonshëm, Banting dhe Macleod fituan Çmimin Nobel për Mjekësi në vitin 1923.

Ata patentuan insulinën dhe ia dorëzuan Universitetit të Torontos për vetëm një dollar, duke e konsideruar atë një dhuratë për njerëzimin dhe jo një burim përfitimi personal. Ky akt ka shpëtuar miliona jetë që nga ajo kohë.