All posts by V.F.

Ndërkombëtarët nuk e duan asnjë nga ministrat aktual në qeverinë kalimtare

qeveria bdiDiplomatë europerëndimor në Shkup  në qeverisjen e ardhshme nuk duan  asnjë nga ministrat aktual, sepse ata janë pjesë e skandaleve qeveritare dhe të një kabineti të korruptuar dhe kriminalizuar, që u zbardh me materialet e përgjimeve .

“Asnjëri nga ministrat aktual nuk duhet të jetë pjesë e qeverisjes së përkohshme. Qeveria e re duhet të përbëhet nga njerëz kompetent dhe që kanë frymë reformash. Nuk duam ministra demagog, që proklamohen si personalitete me kredibilitet dhe me frymën e reformatorëve, ndërsa në anën tjetër janë pinjoll dhe shërbëtor të bosëve të tyre politik. Kështu janë ministrat e dy partive dhe se ata kanë përgjegjësinë e përbashkët  dhe duhet të ikin”, deklaroi për INA, një diplomatë europerëndimor në Shkup.

Përfaqësuesit e BE-së kërkojnë që qeverisja e përkohshme duhet të ketë personalitete me kredibilitet, profesionalizëm të dalluar dhe përvojë menaxheriale. Kabineti i ri qeverisës do të jetë më shumë teknik, i cili do të merret kryesisht me çështje formale deri në formimin e qeverisjes së dalur nga zgjedhjet e 24 prill të 2016. (INA)

S’ka seancë për Gjykatën Speciale, pa siguruar votat

kuvendiNë seancën e ditës së enjte, Kuvendi i Kosovës nuk do ta ketë në rend dite çështjen e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës edhe pse, ai nuk e ka përjashtuar skajshmërisht një gjë të tillë.

“Njëherë për njëherë jo, nëse Qeveria nuk ndërmerr ndonjë hap që e sjellë ndërkohë”, ka thënë Grabovci.

Zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, patën theksuar se do ta riprocedojnë amandamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale në Kuvend, pas dështimit të miratimit në seancën e 26 qershorit, për të cilin dështim, vendimtare ishin qëndrimet e disa deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës të cilët votuan kundër, abstenuan, apo nuk morrën pjesë në seancë.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së , Grabovci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kësaj kohe është punuar në grupin parlamentar të kësaj partie, si dhe deputetet e saj, që të sqarohen arsyet pse duhet të votohen ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Sipas tij, janë kërkuar garanci që procesi i gjykimeve të jetë i drejtë, i paanshëm, i pandikuar, të ketë barazi të palëve, si dhe që arkivat t’i kthehen Kosovës.

“Ne kemi punuar me deputetët, të cilët nuk kanë votuar. Shqetësimin, pikërisht, e kanë pasur këtu këta deputetë, të cilët kanë pasur këto kërkesa dhe këto shqetësime. Ne, tashmë, pothuajse, jemi të sigurt se do të kemi garanci dhe do të ishte jologjike që të mos marrim garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian, që do të kemi një proces të drejtë, transparent dhe të pandikuar. Pas, këtyre bisedave edhe me këta deputetë, ne kemi marrë përkrahjen, pothuaj, edhe të tyre”.

Por, njohësi i çështjeve politike, Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se keqkuptimet që kanë disa deputetë lidhur me Gjykatën speciale,janë pasojë e mos transparencës nga vet partitë lidhur me këtë gjykatë.

“Besoj që ky është një keqkuptim shumë i madh që i është imponuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pikërisht për shkak të faktit që vet PDK-ja, partitë tjera si dhe LDK-ja nuk kanë pranuar që detajet mbi këtë gjykatë të diskutohen publikisht dhe tu sqarohen njëherë e mirë deputetëve, në mënyrë që këto lloj të debateve dhe të paqartësive mbi themelimin e Gjykatës Speciale, të mos e shoqërojnë procesin e votimit të themelit të kësaj gjykate”.

Edhe pse ka pasur indikacione se Qeveria e Kosovës do të riprocedojë në Kuvend amandamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, kjo ende nuk ka ndodhur.

Grabovci ka theksuar se fakti më i rëndësishëm në krejt këtë situatë është që, siç thotë ai, “nuk guxohet të shkohet në seancë pa u përgatitur dhe pa pasur sigurinë e plotë që kjo çështje do të kalojë”.

“Se a mund të ndodhë kjo në këtë javë apo në javën e ardhshme, për mendimin tim, nuk është shumë e rëndësishme. E rëndësishme është që ne duhet të punojmë dhe do të punojmë me këmbëngulje që të japim sqarimet shtesë, kurdo që ka nevojë edhe për disa deputetë, si dhe të jemi 100 për qind të sigurt”.

Ndryshe, zyrtarët e lartë të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, të cilët janë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ditë më parë kanë theksuar se Kuvendi duhet ta themelojë Gjykatën Speciale para pushimeve verore, qoftë edhe përmes një seance të jashtëzakonshme. (rel)

NATO sot në mbledhje urgjente, shkak kërcënimet nga ISIS

NatoTurqia ka thirrur një takim të posaçëm të ambasadorëve të NATO-s për të diskutuar në lidhje me operacionet ushtarake kundër militantëve të ISIS dhe separatistëve kurdë të PKK.

Mësohet se takimi do të mbahet ditën e martë në Bruksel. Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg foli për BBC-në, ku tha se kërkesa e Turqisë është e bazuar në nenin 4 të Traktatit të NATO-s, i cili i lejon anëtarët të kërkojnë takime të tilla në rastet kur integriteti i tyre territorial ose siguria është cenuar.

“Një takim i tillë i kërkuar nga Turqia mendoj se është i drejtë dhe në kohën e duhur për të trajtuar trazirat dhe paqëndrueshmërinë në Siri, Irak dhe në afërsi të kufijve të vendeve anëtare të NATO-s”, tha Stoltenberg.

Ai tha se kishte folur dy ditë më parë me kryeministrin turk, Davutoglu, ku i kishte shprehur ngushëllimet për viktimat e fundit dhe i kishte dhënë mbështetje Turqisë për të kryer sulme ndaj Shtetit Islamik.

Në anën tjetër, SHBA-ja i ka bërë thirrje Turqisë dhe PKK-së për të shmangur dhunën, por tha se Tu rqia ka të drejtën të mbrojë veten kundër sulmeve të rebelëve kurdë.

Pas ngjarjeve të fundit, avionë turq kanë kryer për herë të parë sulme ajrore ndaj bazave të Shtetit Islamik në Siri. Ndërkohë, policia turke ka bastisur mbi 100 banesa në Stamboll, duke arrestuar 251 persona të lidhur me grupin terrorist. (rel)

Miratohet pr/ligji për turizmin, Qeveria: Fund investimeve kaotike. PD: Nuk jep zgjidhje

parlamentiNë seancën e fundit para se të marrë pushimet verore, Parlamenti ka miratuar projektligjin për turizmin me 79 vota pro dhe 13 kundër.

Në besimin e mazhorancës, ligji i ri i turizmit do t’i japë fund ndërtimeve kaotike, familjare dhe lokale në bregdet, duke bërë të mundur atë që ofrojnë fqinjët tanë në rajon, zona turistike me resorte, çka nuk bindi opozitën se ky draft e mundëson një gjë të tillë.

“Ky ligj nuk bën mrekullira, por strukturon dhe ndalon pikërisht atë “Golemizim” që sot i kemi lënë trashëgim fëmijëve tanë. Nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli, Golemi do të jetë ndoshta edhe 100 vjet në kurriz të shqiptarëve”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

“Nëse ju pretendoni që ky ligj e zgjidh problemin e zhvillimit të qëndrueshëm, atëherë unë propozova që të vendosen në këtë ligj tre masa. Së pari, të mos ketë në zonën e bregdetit asnjë ndërtim mbi 3 deri në 5 kate. Së dyti, nuk ndërtohet 300 metra nga vija e ujit  dhe të mos ndërtohet mbi 150 shtretër për hektar. Nëse sigurohen këto, atëherë shpëton ajo pjesë e bregdetit ku ende nuk ka ndërtime. Ligji nuk të zgjidh tërheqjen e investimeve të huaja. Nuk zhvillohet turizmi pa investime të huaja. Jo vetëm që nuk japim garanci juridike, por edhe mbështetja që ne japim është zero ndaj investitorëve. Atëherë, pse duhet të investojnë këtu?”, u shpreh Edmond Spaho, deputet i PD-së.

“Ligji synon që ta lehtësojë investitorin në marrëdhënie me pronarët. Shteti asiston në një negociatë të mundshme me pronarët dhe në qoftë se aty kemi një gangrenë 22 vjeçare, ku toka nuk është regjistruar, atëherë detyrohet ZRPP me këtë ligj që brenda tre muajve të bëjë regjistrimin fillestar sepse pronësia mbi tokën është një nga problemet kryesore. Ka pak toka shtetërore për shkak të kazinosë që keni bërë me to në bregdet. Ato toka shtetërore do t’i jepen investitorëve strategjikë me 1 euro, me konkurrim. Një investitor strategjik që investon 50 milionë euro e sipër në fushën e turizmit, mund të sjellë me kërkesën e tij në këtë Parlament kontratën që ka dhe ta bëjmë ligj. A ka siguri më të madhe se sa një kontratë investimi të kalojë si ligj në këtë Parlament? Problemi i ndërtimit të fshatrave fantazmë ndalohet një herë e mirë nga ky ligj. Nuk ka më që ti të ndërtosh 100 vila dhe t’i shesësh të gjitha ato. Duhet të ngresh struktura akomoduese turizmi, të cilat menaxhohen, nëse doni edhe 12 muaj”, shtoi Ahmetaj.

E pavarësisht garancive të ministrit Ahmetaj, ish-kryeministri Berisha hodhi dyshimet më të forta për ligjin.

“Ligjin nuk mund ta votoj sepse është ligj burracakësh dhe burrecësh. Ligji duhet të sillte këtu paketën me stimuluese të ndërtimeve të turizmit në zonat strategjike, që ekziston mbi tokë. Ligjin nuk e votoj sepse shoh në nene të tëra Koço Kokëdhimën që nxin në ligj. Shoh resortin e tij turistik, shoh përkujdesjen vëllazërore që tregoi duke u grabitur shtëpitë gjysmës së fshatit Qeparo. Ruhuni nga ju nga Vunoi. Pra ky ligj, është një ligj i interesave të ngushta kriminale të kreut të qeverisë dhe sivllaut të tij Kokëdhima dhe ndonjë sivëlla tjetër që shkon e ndërton në monumentin kulturor më të mbrojtur të Tiranës”, u shpreh ish-kryeministri Berisha.

Ligji gjithashtu do të bëjë realisht të mundur vlerësimin e shërbimeve që ofrohet, duke shmangur abuzimin me yjet që vetëvendosen nga hotelet, sipas ministrit të Ekonomisë.

“Nuk do t’i certifikoi as ministri i Turizmit, as Komisioni nëse doni; do ta bëjmë me kompani ndërkombëtare, me një nga 8, ose me të 8-ta nëse doni, kompani ndërkombëtare që standardizojnë yje. Do ta bëjë një kompani ndërkombëtare që nuk ka interesa të drejtpërdrejta klienteliste, siç u tha nga ish-kryetari i PD-së, por ka interesa standardi për ta futur Shqipërinë në hartën e destinacioneve më të mira turistike”, tha Ahmetaj.

Deputetë të mazhorancës kërkuan që projektligji të shoqërohet me masa fiskale gjithashtu.

“Me këtë ligj nuk zgjidhet gjithçka, por përmirësohen shumë gjëra. Jemi të paduruar të presim propozimet për ndërhyrjet në sistemin fiskal në sektorin e turizmit, ku Shqipëria nuk mund të ketë TVSH 20 përqind kur vendet e rajonit përfshirë edhe Italinë nuk e kalojnë 5 përqind dhe ku është shumë e domosdoshme ndërhyrja me subvencionime për të rritur gjatësinë dhe cilësinë e sezonit turistik në Shqipëri”, tha deputeti i PS-së,Artan Gaçi.

“Ky ligj sjell turizëm vjetor të integruar, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, formalizimin dhe standardizimin e industrisë së turizmit, krijimin e programeve kombëtare për stafin për turizmin, me tre programe, turizmi për të rinjtë, eko-turizmi dhe programi për turizmin malor dhe bregdetar”, u shpreh Bashkim Fino, deputet i PD-së.

Deputetët e mazhorancës thanë se ministrisë së drejtuar nga Ahmetaj i është lënë një afat tremujor për të bërë të mundur paketën e masave lehtësuese për industrinë  e turizmit.

Ligji i turizmit mbylli dhe këtë sesion parlamentar për të rifilluar në shtator.

/ Top Channel

Trafiku njerëzor, Shqipëria pa ndryshim

trafikimi i njerezve 2015Në raportin e këtij viti Shqipëria klasifikohet në shkallën e dytë, pa ndryshim nga viti i kaluar.

Gratë dhe fëmijët në Shqipëri, thuhet në raport, janë kryesisht objekt trafikimi seksual në vendet fqinje, Kosovë, Maqedoni dhe Greqi, por edhe në vende të tjera evropiane.

Viktimat shqiptare dhe disa viktima të huaja janë objekt pune të detyruar në Shqipëri, sidomos në industrinë e turizmit.

Një numër në rritje fëmijësh shqiptarë, shpesh të etnisë rome ose egjiptiane, janë objekt lypjeje të detyruar dhe formash të tjera pune të detyruar në Shqipëri si dhe në vendet fqinje: Greqi, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Disa vajza shqiptare bëhen objekt trafikimi seksual ose pune të detyruar pas martesave me kontratë.

Një numër grash të huaja nga vende evropiane, si Ukraina, Rusia, Britania dhe Norvegjia janë objekt trafikimi seksual në Shqipëri.

Në raport thuhet se bashkëpunimi i zyrtarëve në krimet e trafikimit mbetet një shqetësim i rëndësishëm. Aty përmendet fakti se një deputet i tanishëm i parlamentit ka qenë dënuar më parë për krime që lidhen me trafikimin.

Qeveria e Shqipërisë, thotë raporti, nuk i plotëson krejtësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, megjithatë po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim.

Raporti rekomandon që Shqipëria të rrisë financimet për strehimin e viktimave të trafikimit dhe të vërë rregullisht në dispozicion fonde për këtë qëllim. Aty rekomandohet gjithashtu që për viktimat të sigurohet kujdes shëndetësor dhe mendor falas, sipas një ligji të vitit 2014 dhe vendimit të ministrisë përkatëse.

Në raport thuhet që viktimat të mos ndëshkohen për akte të paligjshme të kryera si rezultat i drejtpërdrejtë i faktit që kanë qenë objekt trafikimi.

Raporti rekomandon gjithashtu që të vazhdohen përpjekjet për kontrollin e fëmijëve të rrugëve për shenja trafikimi. (voa)

Kosova: Korrupsioni krijon kushtet për trafik njerëzor

trafikimi 2015Në raportin e Departamentit të Shtetit për trafikun njerëzor për këtë vit, Kosova klasifikohet si edhe një vit më parë, në shkallën e dytë, në një sistem me tre shkallë.

Kosova, thuhet në raport, është një vend burim dhe destinacion për trafikimin e qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar.

Shumica e viktimave të trakikut seksual në Kosovë janë vajza, megjithëse grupet kriminale në Kosovë, detyrojnë edhe femra nga Shqipëria, Serbia, Rumania dhe vende të tjera evropiane për prostitucion.

Gratë dhe vajzat i nënshtrohen trafikimit seksual në shtëpitë private dhe apartamente, klube nate dhe sallone masazhi.

Trafikantët u premtojnë punësim femrave si valltare apo këngëtare në restorante por i detyrojnë viktimat të trafikohen seksualisht.

Fëmijë nga Kosova dhe vendet fqinjë detyrohen të dalin në rrugë dhe të lypin brenda vendit. Trafikantët i bëjnë qytetarët e Kosovës subjekt i prostitucionit dhe punës së detyruar në gjithë Evropën.

Korrupsioni qeveritar krijon kushtet që mundësojnë disa lloj krimesh trafikimi. Disa oficerë policie, zyrtarë të ministrisë së punës dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë janë akuzuar ose dënuar për krime trafikimi.

Qeveria e Kosovës nuk i plotëson krejtësisht standardet minimale për eliminimin e trafikut, thuhet në raport por gjithsesi po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë një gjë të tillë dhe për këto arsye është në grupin e vendeve të shkallës së dytë

Qeveria e rriti numrin e rasteve të shpalljeve fajtorë për trafikime, por dënimet që u dhanë ishin të buta dhe qeveria ndoqi penalisht më pak të dyshuar për trafik. Qeveria i rriti fondet për mbrojtjen e viktimave po nuk arriti të krijojë një fond për kompensimin e viktimave që parashikohet nga ligji dhe në raport sugjerohet që ligji për mbrojtjen e viktimave të zbatohet plotësisht, përfshirë fondin për kompensim.

Qeveria ka identifikuar më pak viktima krahasuar me periudhën që përfshinte raporti i mëparshëm.

Departamenti i Shtetit bën thirrje që Kosova të hetojë, ndjekë penalisht dhe të dënojë me forcë trafikantët, përfshirë zyrtarë të implikuar.

Në raport sugjerohet që të mbahen kurse kualifikimi anti-trafikim për gjykatësit, prokurorët dhe organet e rendit, të intensifikohen përpjekjet për të identifikuar dhe ndihmuar fëmijët që detyrohen të lypin.

Po ashtu mes rekomandimeve bëhet thirrje që t’u krijohet mundësia viktimave të trafikimit që të shkojnë në strehat e sigurta. (voa)

Teknologji, avionët me një motor

avioniNë rast të dështimit të motorit, avionët me disa-motorë shpesh kanë fuqi të mjaftueshme për të bërë një ulje të sigurtë në tokë, por avionët me një motor kanë një shans shumë të vogël për të shmangur një aksident fatal. Dy novatorë spanjollë thonë se sistemi i tyre rezervë i energjisë, i projektuar veçanërisht për avionët e vegjël, mund të përmirësojë ndjeshëm shanset e tyre.

Sipas Departamentit amerikan të Transportit, më shumë se 550 njerëz vdesin çdo vit, mesatarisht në aksidente me avionë të vegjël me një motor.

Pilotët si Miguel Suarez thonë se dështimi i motorit në një avionë të lehtë me helika nuk ofron shumë shanse për të mbijetuar.

“Në këtë rast, nuk ka alternativë tjetër vetëm të përpiqesh të shpëtosh cdo gjë që ke, të përpiqesh të ulesh por aksidenti është i sigurtë.”

Në bashkëpunim me universitetin Carlos III të Madridit, Suarez dhe partneri i tij, inxhinieri Daniel Cristobal, zhvilloi një motor që funksionon me bateri e që i jep një avioni të dëmtuar shtatë minuta fluturim.

“We integrated in series an electric motor with a clutching system that isolates the main engine when it fails and then the pilot has an additional 20 kilometers when the main engine fails to find a safe place to land.”

Forca rezervë vjen nga një bateri litiumi me kontroll elektronik.

Me një celës të thjeshtë, piloti mund të shkëpusë rrotullimin e helikave nga motori kryesor dhe të aktivizojë motorin elektrik.

Gjatë një fluturimi normal, një karikues siguron që bateria të jetë gjithmonë gati.

Por motori ndihmës mund të përdoret edhe në rrethana të tjera.

“Sistemi nuk është vetëm sistem sigurimi. Është gjithashtu një sistem hibrid që lejon për të shtuar më shumë fuqi tek motori kryesor kur ke nevojë për më shumë fuqi për shembull gjatë ngritjes.”

Një avantazh tjetë është se motori mund të instalohet në avionët me dy apo katë sedilje pasi mund të vendoset mes motorit dhe helikës.

Inxhinierët e Axter Aerospace po përpiqen tani të reduktojnë peshën e sistemit ndërsa presin për një certifikatë nga Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit. (voa)

Euro pa Gjermaninë?

euroPrej muajsh politikanët e Europës shtronin pyetjen, mos do të ishte më mirë që Greqia të dilte nga Euro. Por tani disa ekonomistë thonë: mos vallë është më mirë që Gjermania të dalë nga Euro. Mendimet për këtë ndahen.

Ndërsa muajt e kaluar buçiste grindja për një Grexit (dalja e Greqisë nga Eurozona) të mundshëm, kur mospërputhja e mendimeve për politikën e duhur të shpëtimit dominote artikujt kryesorë, kur ndihej droja për insistimin e Gjermanisë për një politikë rigoroze dhe rritej gjithnjë e më shumë frika e donatorëve, se nuk do t’i merrnin kurrë paratë mbrapsht, disa ekonomistë të njohur fare të patrazuar e si të thuaash nëpërtë skicuan një rrugë të mëtejshme për daljen nga kriza: një dalje të Gjermanisë nga Euroja.

Gjermania, kështu teza e tyre, largohet nga monedha e përbashkët duke hapur kësisoj rrugën për vendet jugore të Euros, që t’i stabilizojnë borxhet e tyre me një monedhë dukshëm të zhvleftësuar dhe si rrjedhojë të venë nën kontroll edhe ekonominë e tyre. Me këto vende është fjala për Greqinë, Italinë, Spanjën dhe varësisht nga rrethanat edhe për Portugalinë.

Së fundi Ashoka Mody nga Universiteti i Princetonit në SHBA e mbrojti këtë model. Në një koment, që u publikua më 17 korrik, ai parashtron, se përse Gerxit (pra një dalje e Gjermanisë, “German Exit”) do të ishte më e preferuar se sa një Grexit (dalja e Greqisë nga Eurozona).

“Një riorganizim i unionit monetar gjatë 25 apo 30 viteve të ardhshëm do të jetë i pashmangshëm “, thotë Mody për Deutsche Welle. “E vetmja çështje është, se cila është rruga e arsyeshme, që shkakton më pak dëm?”

Një kornizë e detyrueshme fiskale

Mody mbron pikëpamjen, se ministri i Financave të Gjermanisë gabohet, kur përzien me njeri-tjetrin problemin e borxheve shtetërore të Greqisë dhe „eksperimentin e Eurozonës“.

“Mendimi i Schäubles është: nëse Grekët largohen nga Euro, Eurozona me anëtarët që mbeten do të funksionojë pa probleme. Schäuble nuk e sheh problemin tek konstrukti i Eurozonës, por tek paaftësia e grekëve, që të ndjekin rregullat europiane të lojës“, thotë Mody.

Mody e pranon gjithësesi, që Greqia ka një problem me borxhet, por ai thekson, se borxhet nuk kanë të bëjnë me problemet e tjera, me të cilat përballet unioni monetar. “Nëse nuk ndodh gjë, veçse Greqia të largohet nga Eurozona, atëherë me siguri shumë shpejt do të shfaqet një tjetër problem „grek“. Problemi, që ekonomi kaq të ndryshme nuk mund të futen në një kornizë të detyrueshme monetare dhe fiskale, do të mbetet edhe më tej.”

Ai si dhe shumë ekonomistë të tjerë dhe kritikë të Eurozonës, konsiderojnë Italinë si një vend të ri problematik të Euros. “Ne nuk e dimë, nëse Italia do të jetë ndonjëherë në gjendje t’i paguajë borxhet e veta”, thotë Mody dhe shton: “Përpjekja për t’i bërë një vendet me mundësi të ndryshme dhe me premisa të ndryshme historike e kulturore nuk funksionon.”

“Një union i pamenduar”

Për Mody është e qartë, që rrugëdalja me më pak dëm nga kriza do të ishte, nëse Gjermania kthehet tek marka gjermane D-Mark: “Gjermania do të vuante më se pakti nga dalja prej Euros.“

Ideja, një „Gerxit“ më mirë se një „Grexit“, nuk është e re. Ajo zë fill së paku qysh nga viti 2012. Asokohe investuesi amerikan George Soros përshkruante në një blog, se si mund të dukej një kthim gjerman tek D-Marka dhe se sa efekt bekues mund të kishte kjo: Gjermania do të kishte monedhën e vet të fortë dhe ekonomitë e dobëta do të mund ta rimerrnin veten me një euro dukshëm të dobësuar. Gjermanët do të pasuroheshin dhe europiano-jugorët do të ishin më pak të varfër.

Në të njëjtën ditë, kur Mody botoi artikullin e tij, edhe Ben Bernanke, ish-shefi i Bankës së Rezervave të SHBA-së, Fed, shkruante një koment për Brookings Institute, një Think-Tank me influencë në Uashington. Në të ai shkruante, se Europa nuk po e jep kontributin e saj për zgjidhjen e krizës greke të borxheve.

Ndërsa në Eurozonë kuota e papunësisë gjatë viteve të shkuara luhatej rreth 11%, në SHBA ajo ra në 5,3% në vlerën më të ulët qysh prej vitesh. Sipas tij në Eurozonë ka dallime të mëdha; në Gjermani papunësia aktualisht është nën pesë përqind, ndërsa në vendet e tjera të hapësirës së Euros ajo është në rreth 13%.

“Premtimi i Euros ishte shtimi i mirëqenies dhe nxitja e integrimit europian”, shkruante Bernanke. Por kjo, sipas tij, nuk po ndodh dhe nuk do të ndodhë, për aq kohë sa vendet e Euros kanë kapacitete të ndryshme ekonomike.

Këto vende, thonë analistët, jo vetëm kanë kapacitete të ndryshme në rendiment, por ato kanë edhe kushte krejt të ndryshme ekonomike. Për këtë arsye, argumenton Mody, mendimi për të farkëtuar një zonë monetare me vende kaq të ndryshme, nuk ka qenë fort i mençur: “Unioni është menduar keq dhe tani po shkakton dhimbje të mëdha.”

Të gjendet një ekuilibër

Pa një vullnet të fortë politik, për ta mbajtur në jetë unionin monetar, shpërbërja e tij është e pashmangshme, paralajmërojnë ekspertët. Vendi, që mund të vuante më pak prej kësaj, për këtë janë në një mendje Mody, Bernanke, Soros dhe shumë të tjerë, do të ishte Gjermania.

“Ky konstatim”, sipas Mody, “tregon, se si mund të gjendet një ekuilibër për vende të ndryshme. Ekuilibri mund të ishte i tillë, që të ketë dy monedha: një Euro në Jug dhe Deutsch Marka në Veri. Por mund të ketë edhe 15 monedha të reja në 30 vitet e ardhëshme.”

Një katastrofë kërcënon

Njëkohësisht ka të tjerë që mendojnë ndryshe si p.sh. dy profesorët Iain Begg dhe John Ryan nga London School of Economics, të cilët një dalje gjermane nga Euro e konsiderojnë si një „katastrofë“. “Pas themelimit të Bashkimit Europian Euro është një ndër arritjet më të mëdha të Gjermanisë në gyjsmën e dytë të shekullit të njëzetë “, i thotë Ryan Deutsche Welle-s. “Në këndvështrimin politik këtu është investuar shumë kapital.”

Përveç kësaj Euro është një arritje gjeopolitike me potencial të fuqishëm. Europa, konstaton ai, është një liman i sigurtë për investime dhe marrëdhënie biznesi. “Dhe një Gjermani, që largohet nga Euro, do të ishte një sinjal shkatërrimtar. Nuk mund të imagjinohet, që Eurozona do ta mbijetonte këtë.”

Nëse Gjermania e lë Euron, atëherë si pasojë e menjëhershme edhe Holanda, Belgjika, Austria dhe shtetet baltike do të nxitonin drejt daljes së emergjencës, thotë Iain Begg. Kontinenti do të coptohej dhe si Veriu edhe Jugu do të vuanin prej kësaj. Ndërsa vendet si Irlanda, Sllovakia dhe Sllovenia do të mbeteshin varur.

Një Gjermani pa Euro, me një pasojë Europën e shpërbërë, do të kishte „pasoja të thella për intergimin europian dhe për Euron gjithsesi. Kjo do të perceptohej në Berlin si katastrofë.”

Rigjallërimi do ta bënte D-Markën, thonë si Ryan ashtu edhe Begg, fare shpejt një monedhë shumë të fortë. Por shtojnë ata, ndonëse kjo tingëllon mirë, në të vërtetë ajo do të ishte një pengesë e madhe për eksportuesit gjermanë, të cilëve do t’u duhej të përballonin një rënie të ndjeshme të aftësisë së konkurrencës. (dw)

Zaev dosjen e “Monstra” do t’ia jap Prokurorit Special

zaevLideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka folur sërish për publikimin e materialeve të përgjimeve lidhur me rastin “Monstra”, që ka të bëjë me vrasjen e pesë maqedonasve, për të cilën vepër u dënuan 7 shqiptarë me burgim të përjetshëm.

Zaev në intervistën për portalin MKD i pyetur se a do të publikoni përgjimet për “Monstra” edhe përkundër marrëveshjes politike, ai shtoi se e vërteta do të dal në sipërfaqe.

“Askush nuk ka të drejtë të fshehë të vërtetën, edhe e vërteta për këtë rast, si dhe të vërteta të tjera që kemi paralajmëruar do të prekin opinionin. Prokurorit special do t’i dorëzohen të gjitha materialet nga përgjimet. Ai do të ketë legjitimitetin e plotë për të vepruar. Ashtu që përmes këtij institucioni të pavarur do të dihet e vërteta”, deklaroi Zaev, transmeton INA.

Lideri i LSDM-së në disa raste kishte paralajmëruar publikimin e përgjimeve, por nuk e bëri ate dhe se me marrëveshjen e fundit politike, është vendosur që të ndërpritet fushata e publikimit të materialeve të përgjimeve. (INA)

Këtë javë më ngrohtë, temperaturat mbi 40 gradë Celsius

termometriMot më i ngrohtë me temperatura mbi 40 gradë Celsius sipas paralajmërimeve të Drejtorisë për punë hidrometeorologjike, na presin gjatë kësaj jave.

Moti sot do të jetë kryesisht me diell dhe më i nxehtë, me vranësira mesatare dhe me erë të dobët nga drejtimi i ndryshueshëm. Në pjesët lindore janë të mundshme reshje të përkohshme të shiut me bubullima të rralla. Do të fryjë erë e dobët nga drejtimi i ndryshueshëm. UV indeksi do të jetë 9.

Temperatura do të arrijë deri 39 gradë Celsius.

Vendi do të jetë nën ndikimin e masës edhe më të ngrohtë dhe të thatë të ajrit nga jugu, që do të shkaktojë rritje të mëtutjeshme të temperaturave të ditës, të cilat në pjesën më të madhe të vendit, do të jenë mbi 35 gradë, ndërsa në pjesën juglindore do të arrijë deri më 39 gradë Celsius.
Veçanërisht mot i ngrohtë pritet nga mesi i javës, kur përgjatë Luginës së Vardarit dhe në pjesën juglindore një pjesë e temperaturave të ditës do të jenë mbi 40 gradë Celsius.

Ende vlejnë rekomandimet për gratë shtatzëna dhe personat e sëmurë me sëmundje kronike më të vjetër se 60 vjet që të jenë të liruar nga obligimet e punës. Ndërsa punëdhënësit t’i organizojnë aktivitetet e punonjësve ndërtimor në ambient të hapur me ç’rast të shmanget periudha nga ora 12:00 deri në orën 17:00.

Për shkak të motit të ngrohtë është vendosur edhe kufizim i lëvizjes në pyjet dhe rripat pyjore në periudhën nga ora 7:00 deri në orën 17:00. (alsat)