Kategoritë: Ballkan

Kallas: Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten

KallaShefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, andaj kërkoi që të vazhdojë procesi i zgjerimit të bllokut.

 

“Ne shohim se po rriten tensionet dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi”, tha Kallas para takimit të Këshillit për Punë të Jashtme që mbahet në Luksemburg.

Kallas nuk përmendi shtetet, që sipas saj po rriten tensionet. Por, së voni në Bosnje e Hercegovinë, autoritetet në entitetin e Republikës Sërpska kanë ndërmarrë disa veprime, që kanë rritur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për shkëputjen e mundshme të këtij entiteti serb nga Bosnja.

NATO ka thënë se nuk do të lejohet që të rrezikohet paqja në Bosnje, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë thënë se po shqyrtojnë disa opsione veprimi, duke theksuar se nuk duhet të ndodhë “shpërbërja e vendit dhe një konflikt i ri”.

 

Po ashtu, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë – që dialogojnë për normalizim të raporteve që nga viti 2011 në Bruksel – janë të larta qysh në vitin 2023, kur kryetarët shqiptarë morën drejtimin e katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Tensionet kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Ndërkaq, kryediplomatja evropiane tha po ashtu se një natë më parë ka pasur “darkë shumë të mirë me miqtë tanë” nga Ballkani Perëndimor.

Në këtë darkë, Kosova është përfaqësuar nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Përveç pjesëmarrjes në darkë, Gërvalla dhe Kallas kanë zhvilluar edhe një takim të ndarë.

Kryediplomatja Gërvalla tha se i ka kërkuar Kallasit që të trajtohet si “partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese”.

Në një periudhë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, roli i Bashkimit Evropian është më i rëndësishëm se kurrë, jo vetëm për të ruajtur stabilitetin, por për të ofruar vizion dhe drejtësi për të gjithë.

 

Me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, znj. Kaja Kallas, pata një shkëmbim të hapur mbi domosdoshmërinë që Republika e Kosovës të trajtohet si një partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese.

Theksova se mbështetja për Kosovën nuk duhet të mbetet në nivel deklarativ, ajo duhet të përkthehet në hapa konkretë: përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për BE dhe largimin e masave që cenojnë parimet e partneritetit.

E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën, dhe mbështetja për vendin tonë është mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar. Prania dhe angazhimi ynë i fuqishëm në rajon janë burim stabiliteti dhe sigurie për gjithë kontinentin.

Tani është koha për vendime të guximshme dhe vizion të përbashkët.

 

Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – Kosova është e fundit sa i përket rrugëtimit të saj drejt BE-së.

“E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën, dhe mbështetja për vendin tonë është mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar. Prania dhe angazhimi ynë i fuqishëm në rajon janë burim stabiliteti dhe sigurie për gjithë kontinentin”, tha Gërvalla përmes një postimi në Facebook.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Por, ky aplikim ende nuk është shqyrtuar nga autoritetet në Bruksel. Kosova po ashtu është e vetmja në rajon që nuk e ka statusin e shtetit kandidat.

 

rel

Kundërshtarët dhe mbështetësit e Vuçiqit protestojnë në qytetet serbe mes tensioneve në rritje

serbiNjë protestë kundër Qeverisë, e udhëhequr nga studentët, në Novi Pazar (majtas) dhe një tubim pro-qeveritar në Beograd.

 

Kundërshtarët dhe mbështetësit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mblodhën në vende të ndryshme më 12 prill për të protestuar, në një kohë kur tensionet janë të larta, pas muajsh protestash të organizuara nga studentët kundër Qeverisë së udhëhequr nga Vuçiqi.

Vetë Vuçiq i mblodhi mbështetësit në Beograd, duke njoftuar se do ta formojë një lëvizje të re politike përballë valës në rritje të protestave që filluan në nëntor, pas shembjes së strehës në stacionin e trenit si pasojë e të cilës humbën jetën 16 njerëz në Novi Sad.

Protestuesit, të udhëhequr nga grupe studentore por të bashkuar nga mijëra të tjerë, kanë fajësuar korrupsionin dhe mungesën e kujdesit për tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Protestat janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë që kundërshton atë që demonstruesit e cilësojnë si dështim të sundimit të ligjit, si dhe korrupsion sistematik nën udhëheqjen e Vuçiqit, i cili ka shërbyer si president që nga viti 2017, pasi më parë ishte kryeministër për tre vjet.

Vuçiq këmbëngul se protestat – të cilat janë kthyer në një nga sfidat më të mëdha ndaj pushtetit të tij të kamotshëm – po e rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në vend dhe i akuzon organizatorët se paguhen nga “agjenci të huaja të inteligjencës”.

Para mijëra mbështetësve, presidenti populist i Serbisë tha se autoritetet duhet të nisin procedurat “për të rikthyer rendin në vend” dhe se “respektimi i plotë i Kushtetutës [duhet të ndodhë] për të garantuar sigurinë e Serbisë”.

Vuçiq tha gjatë tubimit se është e nevojshme një “Lëvizje për Popullin dhe Shtetin”, sepse “na nevojitet energji e re dhe forcë e re, një plan i ri, jo plan deri në vitin 2027, por deri në vitin 2035”.

Ai nuk dha hollësi për këtë lëvizje, por tha se do të mbahen tubime të tjera.

Vuçiq përsëriti thirrjen ndaj studentëve për t’u rikthyer në shkolla dhe deklaroi se “revolucioni me ngjyra ka përfunduar”.

Autoritetet në Serbi i kanë quajtur vazhdimisht protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët si një përpjekje për “revolucion me ngjyra”.

Ky është një term që i referohet kryengritjeve popullore në vende si Ukraina, Gjeorgjia dhe Kirgizi, që çuan në rrëzimin e qeverive atje.

Protestat popullore që çuan në rrëzimin e liderit jugosllav, Sllobodan Millosheviq në vitin 2000 gjithashtu shpesh cilësoheshin si “revolucion me ngjyra”.

Gazetarët në vendngjarje raportuan se shumë nga mbështetësit që morën pjesë në tubim ishin sjellë me autobusë nga e gjithë Serbia si dhe nga Kosova dhe Bosnje e Hercegovina, ku ka minoritete të mëdha serbe.

Lideri serb i Bosnjës, Millorad Dodik – i kërkuar nga autoritetet qendrore në Sarajevë pasi u dënua për shkelje të Kushtetutës së Bosnjës – u shfaq në tubimin e Beogradit, raportoi AFP.

Dodik, i cili është president i entitetit serb në Bosnjë – Republika Sërpska – iu drejtua turmës në tubim.

Ai është gjithashtu nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për veprime që qeveritë perëndimore thonë se synojnë shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Arkivi i Takimeve Publike, një organizatë joqeveritare që vlerëson madhësinë e turmave, tha se në tubimin në Beograd morën pjesë rreth 55.000 persona. Më 15 mars, grupi vlerësoi se protesta e udhëhequr nga studentët kundër qeverisë kishte midis 275.000 dhe 325.000 pjesëmarrës.

Ndërkohë, protesta e udhëhequr nga studentët u mbajt në rrugët e Novi Pazarit, rreth 300 kilometra në jug të kryeqytetit.

Protesta është në mesin e një sërë demonstratash të thirrura nga studentët që kanë bllokuar fakultetet universitare për më shumë se katër muaj, duke kërkuar llogaridhënie nga Qeveria për vdekjen e 16 njerëzve pas shembjes së strehës së betonit në Novi Sad.

Një grup studentësh në bllokadë ecën për ditë me radhë nga qytete të tjera drejt Novi Pazarit për t’u bashkuar me protestuesit atje.

Studentët e Universitetit të Novi Pazarit e bllokuan rrethrrotullimin në dalje të qytetit.

Autobusë me mbështetës të Partisë Progresive Serbe në pushtet, të udhëhequr nga Vuçiq, ishin planifikuar të kalonin nëpër atë rrethrrotullim për të shkuar drejt tubimeve në Beograd. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse autobusët ndoqën rrugë alternative.

rel

Lührmann: Dodik i izoluar dhe i rrezikshëm

LuehrmannMinistrja gjermane e shtetit për Europën, Anna Lührmann flet për kërcënimet në Republika Srpska. Ajo kritikon politikën përçarëse dhe anti-europiane të Dodikut

Gjatë një vizite zyrtare në fillim të prillit në njësinë autonome serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Srpska, Anna Lührmann (Të Gjelbrit), ministre shteti për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, u përball me kërcënime serioze nga përfaqësues të presidentit nacionalist Milorad Dodik. Fillimisht iu ndalua në mënyrë joformale e drejta për të hyrë sërish në territorin e Republika Srpskas, më pas u kërcënua se nuk mund t’i garantohej siguria dhe në fund, autoritetet kërcënuan me përdorim force nëse ajo nuk largohej menjëherë.

“Na u tha se duhet të largoheshim menjëherë, përndryshe do të përdorej dhuna,” tha Lührmann në një intervistë zhvilluar për Deutsche Welle-n nga korrespondentja, Tina Gerhäusser. Vizita ishte pjesë e një turneu diplomatik për të mbështetur perspektivën e anëtarësimit të Bosnjë-Hercegovinës në Bashkimin Evropian.

Sinjal për Brukselin dhe Berlinin

Lührmann e cilësoi incidentin si një sulm ndaj vlerave evropiane: “Të trajtosh në këtë mënyrë një përfaqësuese të një vendi partner si Gjermania është shenjë dobësie,” tha ajo. Ajo shtoi se kishte marrë shumë mesazhe solidariteti, përfshirë nga qytetarë të Banja Lukës, që e kishin distancuar veten nga veprimet e Dodikut. “Kjo nuk është Bosnja e vërtetë,” i kishin shkruar disa.

Dodik i izoluar – dhe provokues

Sipas Lührmann, Dodik po bllokon reformën dhe po e çon vendin drejt izolimit. Kundër tij ekziston një urdhër arresti nga autoritetet e Bosnjës, për shkak të refuzimit për të dalë në seanca dëgjimore mbi veprimet e tij për ndarjen e territorit dhe ndryshimin e kushtetutës. “Presim që autoritetet vendore të veprojnë. EUFOR nuk është përgjegjëse për këtë sipas mandatit të tij”, tha ministrja.

Asnjë mundësi për bashkim me Serbinë

Lührmann përjashtoi kategorikisht mundësinë që Republika Srpska të bashkohet me Serbinë: “Do të ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit, me kushtetutën dhe me vullnetin e shumicës së qytetarëve. Edhe në parlamentin e tij nuk ka shumicë për këto plane.”

Gjermania mbështet rrugën drejt BE-së

Ministrja nënvizoi se Gjermania është përkrahëse e fuqishme e Bosnjë-Hercegovinës: “E kemi ndihmuar vendin të marrë statusin kandidat për BE. Kemi përgatitur një paketë të madhe financiare në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor.” Por, theksoi ajo, bllokimet nga Dodik e pengojnë vendin të ecë përpara.

Kthimi në Banja Luka? Po!

E pyetur nëse do të kthehej sërish në Republika Srpska, pavarësisht se është shpallur persona non grata nga Dodik, Lührmann u përgjigj: “Po, sepse ky vendim nuk i takon Dodikut. Ai nuk ka të drejtë të përcaktojë kush hyn në Bosnje-Hercegovinë. Unë dua të kthehem, të takoj njerëzit, të dëgjoj dhe të tregoj se Gjermania është në krah të tyre.”

dw

Dhënia e Plazhit të Madh drejt arabëve, protesta shqiptare kundër projektit: Ulqinin nuk do ta shesim

UlqinNjë marrëveshje mes qeverisë malazeze dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila hap rrugën për dhënien me qira për 99 vjet të Plazhit të Madh të Ulqinit, ka nxitur protesta të vazhdueshme prej dy javësh nga qytetarët dhe forcat politike në vend.

Ndërsa kryeministri Spajić e konsideron këtë marrëveshje si një mundësi që nuk duhet humbur, politikanët shqiptarë në Mal të Zi janë të unifikuar në kundërshtinë e tyre, duke shkuar deri në akuza se pas këtij projekti fshihet një plan i hartuar në Beograd.

Kryetari i Komunës Genci Nimanbegu thotë se ulqinakët nuk janë kundër zhvillimit, por janë kundër shitjes së tij tek një investitor arab që është shumë i dyshimtë.

Për qytetarët, Ulqini nuk është toka ku do të pasurohen të tjerët.

Kur toka e të parëve jepet për 99 vjet, pa u pyetur ata që jetojnë mbi të, reagimi është i natyrshëm. Shqiptarët e Ulqinit e shohin këtë marrëveshje jo si një investim, por si një rrezik për të humbur atë që u përket komunitetit. Ata nuk kundërshtojnë zhvillimin, por kërkojnë të bëhen pjesë e vendimeve.

tch

Aksidenti “sekret” i sigurimit të Radoiçiqit la të vdekur një të moshuar

RadoiçiqR.M., që ishte lënduar seriozisht në një trafik aksidenti të shkaktuar nga një prej veturave të sigurimit të kryeterroristit serb Milan Radoiçiqit, në rrugën nga Brus në Kopaonik në Serbi më 21 mars, ka vdekur më 8 prill në një spital të Beogradit, ka raportuar mediumi në gjuhën serbe “radar”.

 

Çifti i moshuar, djali i të cilëve është një polic, u lëndua pas përplasjes me veturë nga një model “Skoda” i ekipit të sigurimit të Radoiçiqit. Sipas “Radarit”, vetura e ekipit të sigurimit të Radoiçiqit po e përcillte një veturë me targa të huaja dhe gjatë përcjelljes është përplasur me veturën e tipit “Lada”, që vozitej nga të moshuarit. Shoferi dhe pasagjeri i veturës me targa të huaja nuk kanë qëndruar gjatë në vendin e ngjarjes së aksidentit.

Madje siç shkruan ky medium, dy të rinjtë që shkaktuan aksidentin, nuk kanë kaluar as në procedurat e zakonshme policore. Ata nuk ishin lënduar, ndërsa çifti i moshuar ishte dërguar në njësitet intensive të kujdesit. Pas komplikimeve, gruaja R.M. vdiq 17 ditë pas aksidentit.

Aksidenti fatal, sipas shkrimit, është përcjellë me mosveprim total të institucioneve në Serbi. Madje në shkrim theksohet se, pos autoriteteve, heshtje ka pasur edhe në media.

“Askush nga to nuk raportoi as shkurt për këtë aksident që ka ndodhur. As Ministria e Punëve të Brendshme s’ka dalë me ndonjë deklaratë për aksidentin. Se rregullat nuk vlejnë për Milan Radoiçiqin dhe shoqëruesit e tij ishte evidente edhe në rastin e konflikteve të armatosur në Banjskë në shtator të 2023-s, në të cilën vdiqën katër persona”, ka shkruar ky medium në gjuhën serbe.

Radoiçiq dhe 43 persona të tjerë akuzohen nga Prokuroria në Kosovë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Prej tyre, tre persona janë kapur dhe janë në paraburgim. Radoiçiqi dhe të tjerët ishin kapur nga kamerat e sigurimit gjatë sulmit terrorist, në të cilin u vranë tre sulmues. Radoiçiqi u mor në pyetje nga autoritetet në Serbi menjëherë pas ikjes atë kohë dhe u ngarkua me disa vepra, por u lirua nga paraburgimi dhe sot është i lirë.

“Radar” si medium prezantohet me politikë redaktuese të pavarur në Serbi. Kjo revistë u themelua në vitin 2024, pas ndryshimeve në pronësinë e revistës NIN. Revista zotërohet nga “United Media”, që zotëron edhe kanalet televizive N1 dhe Nova S, si dhe gazetën “Danas”.

koha

Kallas javën e ardhshme viziton Ballkanin Perëndimor

KallasPërfaqësuesja e Lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, nga 7 deri më 9 prill do të vizitojë disa shtete në Ballkanin Perëndimor.

Në vizitën e parë të saj në rajon si shefe e diplomacisë evropiane, Kallas do të qëndrojë në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

BE-ja njoftoi se në ditën e parë të turneut të saj, në Mal të Zi zyrtarja e lartë evropiane do të takohet me presidentin Jakov Millatoviq dhe kryeministrin Millojko Spajiq. Ajo po ashtu do të takohet me përfaqësues të shoqërisë civile.

Mali i Zi është shteti që ka avancuar më së shumti në rajon në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE.

Më 8 prill, në Shqipëri Kallas do të ketë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin, Edi Rama. Me këtë të fundit do të zhvillojë edhe një konferencë të përbashkët për meida.

Në Shqipëri, shefja e diplomacisë evropiane do të takohet edhe me ministrin për Evropë dhe Çështje Evropiane, Igli Hasani, dhe me atë të Mbrojtjes, Pirro Vengu.

“Ajo do të marrë pjesë në takimin e parë të Dialogut për Siguri dhe Mbrojtje BE-Shqipëri me ministrat Hasani dhe Vengu. Po ashtu, Kallas do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të grantit nga Banka Evropiane për Investime dhe të marrëveshjeve të huas për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë”, thuhet në njoftim.

Në ndalesën e fundit të vizitës në Ballkanin Perëndimor, Kallas do të qëndrojë në Bosnje e Hercegovinë, ku do të zhvillojë takime me krerët e Presidencës trepalëshe, me kryetaren e Këshillit të Ministrave dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës dhe me përfaqësuesit e forcës evropiane në Bosnje, EUFOR.

Gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin e saj në postin e shefes të diplomacisë së BE-së, Kallas kishte premtuar që do të punojë që zgjerimi i BE-së të bëhet realitet.

Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës – si dhe Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia janë kandidate për anëtarësim në BE.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në bllokun evropian, por aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.

rel

Serbi: Studentë protestues me biçikleta drejt Strazburgut

drejt strasburgutMe brohoritje dhe lot në sy dhjetra studentë nga Novi Sadi kanë nisur udhëtimin dyjavor me biçikleta drejt Strazburgut, ku duan të tërheqin vëmendjen e BE-së për luftën e tyre kundër korrupsionit në Serbi.

Serbia prej javësh është përfshirë nga një valë protestash në mbarë vendin kundër korrupsionit në nivelet e larta të institucioneve. Vala e protestës mori shkas nga rrëzimi i çatisë së betonit në stacionin e trenit në Novi Sad nëntorin e kaluar (2024), ku si pasojë humbën jetën si pasojë 16 vetë.

Indinjata publike për tragjedinë në Novi Sad ka të bëjë me përgjegjësinë për këtë fatkeqësi që bie ndaj figurave drejtuese, që nuk ndërmarrin sa duhet kundër korrupsionit dhe që nuk janë kujdesur për mbikëqyrjen e duhur të projekteve të ndërtimit.

Studentët janë angazhuar masivisht me përkushtim në protesta duke gjetur vazhdimisht forma paqësore por intensive proteste për të sensibilizuar mbi problemet. Turi me biçikleta drejt Strazburgut synon sensibilizimin e BE-së për problemet e Serbisë.

Studentët: BE duhet të angazhohet me shumë

Me helmeta në kokë dhe xhaketa fluoreshente si dhe të mbështjellë me flamurin e Serbisë, rreth 80 studentë nisën pedalimin nga korpusi i Universitetit të Novi Sadit deri në destinacionin 1.800km larg në perëndim. Gjatë udhëtimit studentët do të kalojnë nëpër disa metropole të BE-së, Budapest, Bratislavë, Vjenë, Mynih, ku ata krahas Evropës duan të senisibilizojnë edhe diasporën serbe në këto vende. Nga banorët e Novi Sadit studentët u përcollën me brohoritje me fjalët pumpaj, pumpaj, një nga sloganet e protestës (pompoje).

Serbia është një vend kandidat për t’u antarësuar në Bashkimin Europian dhe Brukseli i ka kërkuar që të ndërmarrë masa për promovimin e lirisë së medias, luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e sistemit elektoral. Por një pjesë e protestuesve mendojnë, se Europa nuk mban qëndrim si duhet dhe është shumë e butë kundrejt qeverisë në Beograd.

Tur protestash edhe brenda Serbisë

Studentët dhe qytetarët protestues kanë zhvilluar tur më këmbë edhe brenda vendit duke ecur prej ditësh në mes të marsit në drejtim të kryeqytetit të Serbisë.Dhjetëra protesta e incidente kanë ndodhur vetëm gjatë javës. Presidenti Aleksandar Vuçiq dhe pushteti i tij deri më tani nuk dorëzohen lehtë. Ai thotë, se protestave u ka ardhur fundi, ndërsa studentët thonë se këtë e vendosin ata dhe jo presidenti.

Protestat çuan deri te dorëheqja e kryeministrit, Millosh Vukçeviq. Studentët thonë, se protestat nuk do të ndalen dhe se fundi i tyre nuk do të vijë kur ta thotë presidenti, por kur të thonë ata se janë plotësuar kushtet.

dw/afp

Gjermania dhe Austria thonë se do t’i sanksionojnë Dodikun dhe dy bashkëpunëtorët e tij

dodik putinLideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik dhe dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, do ta kenë të ndaluar hyrjen në Gjermani dhe Austri, për shkak se kanë nxitur një krizë kushtetuese në Bosnje e Hercegovinë, thanë ministret e këtyre dy vendeve në një komunikatë të enjten.

Ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl Reisinger, dhe ministrja gjermane e shtetit për Evropën dhe Klimën, Anna Luhrmann, i bënën këto komente pas një takimi të enjten në Sarajevë me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto.

Në mars, Gjykata e Bosnje e Hercegovinës lëshoi fletarrestime kombëtare për tre liderët e entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska: presidentin Millorad Dodik, kryeministrin Radovan Vishkoviq dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare Nenad Stevandiq.

Ata akuzohen se kanë shkelur rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës me veprimet e tyre.

Që të tre i kanë shpërfillur thirrjet e autoriteteve për t’u paraqitur për marrje në pyetje.

Beate Meinl Reisinger dhe Anna Luhrmann thanë se sulmet ndaj integritetit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës nga politikanët kryesorë të Republikës Sërpska, “të cilët me vetëdije dobësojnë shtetin, janë të papranueshme dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnjës dhe të gjithë rajonit”.

“Prandaj, Austria dhe Gjermania, në koordinim të ngushtë me partnerët e tjerë, janë duke kundërshtuar me vendosmëri politikanët përgjegjës nga entiteti i Republikës Sërpska. Për këtë qëllim, po iniciohen masa që do të parandalojnë hyrjen e tre politikanëve përgjegjës nga Republika Sërpska në Austri dhe Gjermani në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e tyre.

Dodik është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, por Bashkimi Evropian deri më tani nuk ka qenë në gjendje të gjejë gjuhë të përbashkët për sanksione kundër tij, për shkak të kundërshtimit nga anëtarja e saj, Hungaria.

Qeveritë perëndimore besojnë se veprimet e Dodikut kanë për qëllim ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Dodik u dënua në shkurt me një vit burg dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës për gjashtë vjet për shkak të shpërfilljes së vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Si përgjigje, Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska miratoi ligje të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Dodik i dekretoi ato ligje më 5 mars.

Republika Sërpska e kaloi në mars një draft të kushtetutës së re, e cila do ta përcaktonte këtë entitet si një shtet të popullit serb, do t’i jepte të drejtën për vetëvendosje dhe do ta themelonte ushtrinë e saj.

Të gjithë këto bien drejtpërdrejt në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnjës dhe me Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe, e cila e përcaktoi Republikën Sërpska si njërin nga dy entitetet e Bosnjës.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje.

Këto veprime të Republikës Sërpska janë dënuar pothuajse në mbarë botën, nga sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio, te shefi i NATO-s Mark Rutte dhe disa ambasada të huaja në Bosnje e Hercegovinë.

Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata Boshnjako-Kroate janë entitete e që përbëjnë Bosnjën dhe ato nuk gëzojnë kompetencat e shtetit. Prandaj, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnje e Hercegovinës dhe jo për entitetet e saj.

Gjatë mandatit të tij si president i Republikës Sërpska, Dodik është përballur me kritika për prirje autoritare, minimin e institucioneve demokratike dhe krijimin e një kulture të patronazhit politik.

rel

Millorad Dodik arrin në Moskë

dodikPresidenti pro-rus i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, ka bërë të ditur të hënën që ka arritur në Moskë.

 

Përmes një postimi në X – dikur Twitter – Dodik ka thënë se secilën herë që shkon në kryeqytetin rus, qëndrimin e nis me “ një vizitë në Monumentin e Heroit të Panjohur, për të nderuar 28 milionë rusët që kanë vdekur në Luftën e Dytë Botërore”.

Ai nuk ka dhënë hollësi për arsyet e vizitës, por që do të jetë aty sërish më 9 maj, për të shënuar Ditën e Fitores kundër fashizimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjykata në Bosnje-Hercegvoinë ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar për Dodikun, sepse ai nuk u është përgjigjur festave të Zyrës së Prokurorit për t’u intervistuar lidhur me dyshimet se ka kryer veprën penale të sulmit kundër rendit kushtetues.

“Do të jem këtu sërish më 9 maj, me ftesë të presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin për të shënuar 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin, përgjatë së cilit popullit rus dhe ai serb kanë vajtuar më së shumti”, ka thënë Dodik në një video të publikuar në X.

“Disa janë duke tentuar të rishkruajnë historinë. Është e pamundshme, por ata që duan ta bëjnë këtë po përpiqen t’i shtrembërojnë faktet historike. Faktet historike për vuajtjet e popullit rus dhe atij serb dhe hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk do të mund të ndryshohen”, ka thënë Dodik.

Ai ka folur me respekt të madh për Putinin, të cilat e ka takuar disa herë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe të cilin e ka përshkruan si “lider të rëndësishëm historik të popullit rus”.

“Ai ka duruar gjithçka dhe ka ardhur në situatën e mirëpritjes së një homologu tjetër, që është i rëndësishëm në luftimin e elitës globale, dhe ai është presidenti (amerikan, Donald) Trump në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Dodik.

Më 27 mars, Gjykata në Bosnje-Hercegovinë ka kërkuar që Organizata Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) të lëshojë njoftim të kuq për Dodikun dhe kryetarin e Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues të Bosnje-Hercegovinës”.

“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.

Vendimi është marrë pasi të dy janë larguar nga Bosnja, duke shmangur procedurat ligjore kufitare, dhe ndërkohë është lëshuar fletarrestimi, që do të thotë se agjencitë policore duhet t’i dërgojnë para gjykatës së Bosnje-Hercegovinës.

Kërkesa për arrestimin e zyrtarëve më të lartë të RS-së vjen në një periudhë të trazuar, pasi më 26 shkurt Dodik është dënuar në shkallë të parë nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim për të mbajtur funksione publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnje.

Një ditë pas aktgjykimit, Kuvendi Popullor i RS-së ka miratuar ligje jokushtetuese me të cilat, në territorin e entitetit, ka bërë përpjekje që të ndalojë punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës, Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës ka marrë vendim më 7 mars për një masë të përkohshme dhe ka ndaluar zbatimin e ligjeve të miratuara nga Parlamenti i entitetit.

rel

Gjykata e Bosnjës kërkon që INTERPOL-i të lëshojë fletarrestime për Dodikun dhe Stevandiqin

DodikPresidenti i Repubikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe kryetari i Parlamentit të këtij entiteti, Nenad Stevandiq. Banjalluka, 12 mars 2025.

Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës ka kërkuar që të lëshohen fletarrestime ndërkombëtare, përmes INTEPOL-it, për presidentin e Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, dhe kryetarin e Kuvendit Popullor të këtij entiteti serb, Nenad Stevandiq.

“Shpallja e fletarrestimit është në kompetencë të Zyrës Qendrore Kombëtare të INTERPOL-it”, u konfirmua për Radion Evropa e Lirë më 27 mars nga Gjykata e Bosnjës.

Në një përgjigje të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, për një rast tjetër, INTERPOL-i tha se nuk lëshon fletarrestime, por “me kërkesë të shteteve anëtare dhe pas kontrolleve të përputhshmërisë, INTERPOL-i lëshon njoftime ndërkombëtare për të kërkuarit që njihej si ‘njoftime të kuqe’”.

“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.

Nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës është bërë e ditur se fletarrestimet ndërkombëtare janë kërkuar më 26 mars nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës, e cila i ngarkon Dodikun dhe Stevandiqin, bashkë me kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq, dhe “persona të tjerë”, për sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës.

Si bazë për lëshimin e fletarrestimeve, Prokuroria e Bosnjës ka deklaruar se Dodik dhe Stevandiq, “duke shfrytëzuar pozitat e tyre të larta në entitetin Republika Sërpska, duke shmangur procedurat ligjore të kontrollit kufitar, kanë kaluar kufirin shtetëror dhe kanë lëshuar territorin e Bosnjë e Hercegovinës”.

Gjykata e Bosnje e Hercegovinës ka deklaruar se Dodik aktualisht ndodhet në Izrael, ndërsa i Stevandiq, duke shmangur kontrollet ligjore, është kthyer nga Serbia në Bosnje më 18 mars.

“Të gjitha rrethanat tregojnë se ka gjasa që Dodik dhe Stevandiq në çdo moment të ndodhen jashtë vendit”, është thënë nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës.

Dodik, Vishkoviq dhe Stevandiq janë të dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues dhe ndaj tyre janë lëshuar fletarrestime qendrore brenda Bosnje e Hercegovinës, siç është konfirmuar për REL-in më 17 mars. Çdo agjenci policore, nga 16 sa janë në Bosnjë e Hercegovinë, duhet t’i arrestojë ata.

Ku ndodhet Millorad Dodik?

Dodik ndodhet në Izrael, ku po merr pjesë në një konferencë për antisemitizmin në Jerusalem, ndërkohë që ndaj tij është lëshuar fletarrestim në Bosnjë e Hercegovinë.

Dodik kishte udhëtuar për në Izrael të martën, me avionin e Qeverisë së RS-së, të nisur nga Beogradi.

Një ditë para kësaj, në rrethana ende të paqarta, ai kishte kaluar kufirin mes Bosnjës dhe Serbisë, kur kishte udhëtuar në Batajnicë, afër Beogradit, për të marrë pjesë në përkujtimin e përvjetorit të bombardimeve të NATO-s.

Policia kufitare e Bosnjës ka njoftuar se po zhvillon hetime lidhur me kalimin e kufirit nga Dodiku, duke theksuar se në pikën kufitare ndërkombëtare Raça mes Bosnjës dhe Serbisë nuk ka barriera kufitare.

Çfarë i parapriu kërkesës për fletarrestim?

Kërkesa për arrestimin e zyrtarëve më të lartë të RS-së vjen në një periudhë të trazuar që pasoi pasi më 26 shkurt Dodik u dënua në shkallë të parë nga Gjykata e Bosnjës me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për të mbajtur funksione publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje.

Një ditë pas aktgjykimit, Kuvendi Popullor i RS-së miratoi ligje jokushtetuese me të cilat, në territorin e entitetit, u përpoq që të ndalojë punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës, Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës më 7 mars vendosi masë të përkohshme dhe ndaloi zbatimin e ligjeve të miratuara nga Parlamenti i entitetit.

Pas kësaj, autoritetet e RS-së vazhduan me veprime jokushtetuese, përfshirë shqyrtimin e një Kushtetute të re të entitetit në një seancë të Kuvendit më 12 mars, e cila parashikon që RS-ja të jetë “shtet”, themelimin e ushtrisë entitetit dhe shfuqizimin e Këshillit të Popullit të RS-së.

rel