Kategoritë: Ballkan

Zgjedhjet në Serbi – fituesi dihet!

zgjedhjet

Ende nuk dihet vetëm një gjë: Nëse Partia Përparimtare Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiq do të fitojë dy të tretat e mandateve dhe kush do të futet në parlament. Një pjesë e opozitës do t’i bojkojtojë zgjedhjet.

Nuk ka fije dyshimi se kush do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, të cilat mbahen ditën e dielë, me 21 qershor. Partia Përparimtare Serbe (SNS) do të fitojë shumicën absolute. Në sondazhet e fundit thuhet madje se SNS e presidentit Aleksandar Vuçiq mund të fitojë rreth 60-62% të votave. Zgjedhjet do të bojkotohen nga një pjesë e madhe e opozitës.

Zgjedhësit që janë më pak të informuar, mund të dyshojnë madje se SNS nuk do të dalë fare në zgjedhje, sepse lista e kësaj partie mban titullin „Aleksandar Vuçiq – për fëmijët tanë.“ Në fushatë shihet në fakt vetëm presidenti Vuçiq, i cili është i pranishëm gjithandej. Në këtë listë janë edhe disa parti të vogla.

„Fitorja nuk është edhe aq e sigurt. Kjo mund të jetë thikë me dy presa, sepse zgjedhësit mund të mendojnë se fitorja është e sigurt dhe nuk votojnë fare“, thotë Vladimir Gjukanoviq, përfaqësues i SNS. Në pyetjen tonë, me çfarë rezultati do të ishte e kënaqur kjo parti?, ai përgjigjet: “Me fitoren e shumicës absolute dhe me një legjitimitet sa më të fuqishëm”. Përfaqësuesit e listës së Vuçiqit do të dëshironin të fitojnë një shumicë të domosdoshme për qeverisje stabile në katër vjetët e ardhshme, që sipas të gjitha gjasave edhe do të arrihet.

Cilat subjekte mund të futen në Kuvend?

Kuvendi i Serbisë ka 250 deputetë, por shumicën e këtyre mandateve do ta fitojë partia e Vuçiqit. Sipas sondazheve të fundit, një betejë shumë më e madhe do të zhvillohet për futjen në Kuvend të partive të tjera. E sigurt është Partia Socialiste e Serbisë (SPS), e ministrit të Jashtëm Ivica Daçiq, e cila mund të shënojë rezultat dyshifror. Partia e Vuçiqit dhe Daçiqit janë aktualisht në koalicionin qeverisës.

Ndërsa nga radhët e opozitës së deritanishme shumë parti do të kenë problem ta kalojnë kufirin prej 3%, sa nevojitet për t’u futur në parlament. Në sondazhe thuhet se këtë prag mund të kalojnë Lidhja Patriotike Serbe (SPAS), e ish-sportistit më të mirë në botë Aleksandar Shapiq për volejbollin në ujë, si dhe Lëvizja Lilbera e Qyetarëve të Lirë (PSG), të cilën e drejton aktori Sergej Trifunoviq.

Në zgjedhje kandidojnë 21 lista të ndryshme. Ndër ato që eventualisht mund të futen në parlament janë edhe radikalët e të denuarit për krime lufte në Tribunalin e Hagës, Vojisllav Sheshel si dhe partitë e minoriteteve hungareze dhe shqiptare.

„Me uljen e kufirit nga 5 në 3 % (në shkurt të këtij viti), mundësohet futja në parlament e disa partive më të vogla, të cilat në kushtet normale nuk do të kishin kurrfarë shansi për të fituar ndonjë mandat”, thotë politologu Filip Balunoviq. „Me uljen e këtij cenzusi ulet edhe rezistenca jashtëparlamentare dhe relativizohet bojkoti i zgjedhjeve nga disa parti më të mëdha opozitare. Ky do të jetë rezultati më i rëndësishëm i zgjedhjeve.”

Kritikët thonë se shumë subjekte, nga 21 sa konkurrojnë në zgjedhje, janë në fakt prodhim i vet partisë në pushtet – SNS, e cila synon që në opinion të lë përshtypjen se zgjedhjet janë tërësisht të rregullta dhe demokratike.

„Nuk mund të paramendoj asnjë vend në Evropë ku mund të ndodhin gjëra të këtilla”, thotë për Deutsche Wellen, Borko Stefanoviq, nënkryetar i Partisë Liri dhe Drejtësi (SSP), e cila i përket grupit të partive që do të bojkotojnë zgjedhjet, me shpjegimin se nuk ekzistojnë kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Kritika të ashpra ndaj pushtetit

Vuçiqi është në pushtet prej tetë vitesh- në postin e kryeministrit dhe presidentit. Gjatë kësaj kohe ai ka marrë nën kontroll shumicën dërmuese të mediave, ku politikanët kritikë nuk kanë ndonjë qasje. Gazetarët hulumtues kanë zbuluar ndërkohë një varg aferash, ku shihet ndërlidhja mes krimit të organizuar, blerjes së votave dhe punësimeve partiake. Të gjitha këto janë përmbledhur edhe në raportin e organizatës Freedom Housa, e cila Serbinë për herë të parë nuk e radhit ndër vendet demokratike, prej vrasjes së Zoran Gjingjiqit, në vitin 2003.

„Ndaj është tepër me rëndësi që të demaskohet ky regjim”, pohon Stefanoviq. „Bojkoti është vetëm hapi i parë në rrugën e masave të presionit tonë, sepse duhet të shihet se Aleksandar Vuçiqi nuk e ka mbështetjen e më shumë se 20% të zgjedhësve në Serbi. Me këtë përqindje ai është duke qeverisur vendin për tetë vite me radhë me metoda autokratike.”

Ndër partitë, të cilat do t’i bojkotojnë zgjedhjet është edhe Partia Demokratike, e dobësuar shumë kohët e fundit, disa parti të tjera me orientin demokratik si dhe lëvizja djathtiste Dveri. Këto parti kanë kritikuar ashpër lëvizjen PSG të aktorit Sergej Trifunoviq, i cili në fillim pohonte se do t’i bojkotojë zgjedhjet, e në fund vendosi të marrë pjesë.

“Zgjedhjet po bojkotohen vetëm nga disa parti që janë tharë si kosi në diell”, thotë përfaqësuesi i SNS Gjukanoviq. Edhe politologu Bulanoviq mendon se opozita ka gabuar kur ka vendosur t’i bojkotojë zgjedhjet. „Ata kanë bërë gabim të madh, kanë dashur të shantazhojnë zgjedhësit dhe kanë moralizuar pa nevojë. Kanë thënë se çdo dalje në zgjedhje është automatikisht një votë më shumë për Vuçiqin dhe kanë denuar ata që votojnë.”

Në sondazhe thuhet se në zgjedhje do të dalin më pak votues se herën e kaluar. Ndërkohë që në zgjedhjet e kaluara kanë votuar vetëm pak më shumë se 50% e zgjedhësve në Serbi. Në lista ka rreth 6,7 milionë votues në vend dhe jashtë vendit. Pjesëmarrjen në zgjedhje me siguri që mund ta influencojë edhe frika nga virusi Corona.

Kosova

Një prej temave që preokupon opinionin në Serbi është edhe çështja e Kosovës, ndonëse kjo nuk është tema kryesore e fushatës elektorale. Pyetja më e rëndësishme në këtë moment është nëse Vuçiqi dhe partia e tij SNS do të sigurojnë një shumicë prej dy të tretave të mandateve për ndryshimin e Kushtetutës, sepse në Serbi mendohet se së shpejti mund të ketë edhe ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. E kjo nënkupton edhe domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese.

Ka dhe analistë, të cilët mendojnë se Vuçiqi as vet nuk do të donte të fitojë një shumicë tepër të madhe, me qëllim që të mos marrë vet përgjegjësinë për ndryshimet kushtetuese, sepse njohja e Kosovës apo anëtarësimi i saj në kombet e Bashkuara edhe më tej konsiderohet në Serbi si një temë tabu. „Mendoj se SNS është shumë e interesuar që të ketë edhe një parti tjetër në koalicion, për të ndarë përgjegjësinë rreth çështjes së Kosovës“, pohon Bulanoviq. “SNS do të kërkojë një konsensus sa më të gjërë për këtë çështje.”

Të dielën në Serbi do të votohet edhe për pushtetin krahinor në Vojvodinë si dhe zgjedhjet lokale. Nga rreth 200 komuna dhe qytete, SNS e Vuçiqit aktualisht nuk është në pushtet në vetëm pesë prej tyre – në Novi Beograd, Stari Grad (komunë e Beogradit) si dhe në Çajetinë, Paraqin dhe Shabac.

dw

Mali i Zi: Përkeqësim i rrezikshëm i situatës

mali i ziNë Mal të Zi situata u trazua sërish pas konfliktit mes ithtarëve të ishës ortodokse serbe dhe policisë për shkak të arrestimit të disa priftërinjve. Tensionet ka rrezik të zgjasin gjatë gjithë vitit.

Direkt nga kriza e koronës, e cila nuk ka marrë akoma fund zyrtarisht, Mali i Zi është kthyer aty ku ka qenë dy muaj më parë, në tensionet ndërmjet pushtetit dhe kishës ortodokse serbe (SPC), të cilat u përshkallëzuan në përleshjet në rrugët e shumë qyteteve. Shkak qe një liturgji në Nikshiq me 12 maj, në festën e Shën Vasilit të Ostrogut, pas së cilës policia arrestoi peshkopin e kishës ortodokse serbe Joanikije dhe shtatë priftërinj. Ata akuzohen se me grumbullimet masive, por të ndaluara kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve, ndërsa epidemia vazhdon. Joanikije mbrohet duke thënë se nuk ka thirrur besimtarë në liturgji, por se ata kanë ardhur vetë dhe janë ndodhur aty.

Tensione të reja

Në parlamentin e Malit të Zi deputetët e Fontit opozitar Demokratik (DF), të drejtuar nga Andrija Mandiç, bënë hapur thirrje për liturgjinë, për këtë kanë marrë edhe kallëzime penale. Për shkak të arrestimit të Joanikijes në disa qytete ndodhën përplasje të besimtarëve të kishës ortodokse serbe me policinë. 26 policë u plagosën dhe shumë qytetarë u plagosën apo u rrahën. Më shumë se 50 prej tyre u arrestuan.

„Eskalimi ka sjellë tension të ri në shoqëri dhe ka shtuar acarimin dhe është e vështirë të përcaktosh se ku do të çojë e gjitha kjo”, thotë për DW analisti politik Sergej Sekuloviç, i cili megjithatë shpreson se do të fitojë arsyeja. „E qartë është, se një përçarje e tillë shoqërore mund të zgjidhet vetëm me kompromis”, shton Sekuloviç.

Edhe Vladan Zhugiç, gazetar politik me përvojë dhe kolumnist i gazetës „Vijesti” thotë se në këtë moment është e vështirë të ngresh hipoteza se si do të shkojnë gjërat. „Ajo që më duket e e sigurtë, është se problemet e identitetit e ndajnë përsëri Malin e Zi dhe se kjo situatë e tensionuar dhe e rrezikshme do të zgjasë gjatë”, thotë Zhugiç për DW. Si argument ai sjell faktin se Malin e Zi e presin zgjedhjet parlamentare në muajt e ardhshëm, regjistrimi i popullatës në pranverën e vitit 2021, dhe se kriza ekonomike është në prag.

„Të gjitha vijnë nga dy fenomeneve të pabesueshme dhe të dëmshme – qeveria, që fut kokën në rërë para problemeve të shumta të Malit të Zi, dhe një pjesë e opozitës, e cila ndodhet ende në pozicionet politike të viteve 90-të. Përvoja tregon se nga këto situata përfitojnë vetëm pushteti nën drejtimin e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe pjesa radikale e opozitës, e drejtuar nga Fronti Demokratik”, mendon Zhugiç.

Kriza pa fund

Për shkak të konflikteve në rrugë kryeministri Dushko Markoviç iu drejtua kombit, duke thënë se Mali i Zi është sulmuar brutalisht nga ekstremistët dhe se kisha ortodokse serbe i ka bërë thirrje qytetarëve për grumbullim të ndaluar, dhe se „nën mantelin e të drejtave dhe lirive fetare, ka rrezikuar shëndetin publik”. Nga ana tjetër mitropoliti i Malit të Zi dhe Bregdetit Amfilohije fajësoi policinë se ka rrahur fëmijët gjatë protestave dhe iu lut autoriteteve, që të lirojnë Joanikije-n dhe „nesë nevojitet, ta arrestojnë atë vetë”.

Akuzat e kishës ortodokse serbe

Konfliktet në mes kishës ortodokse serbe dhe shtetit vazhdojnë që prej fundit të vitit të kaluar, kur qeveria miratoi ligjin për lirinë e fesë. Kisha ortodokse serbe thotë se me këtë ligj asaj i rrëmbehen kishat dhe manastiret. Tensionet kanë vazhduar edhe gjatë epidemisë, sepse kisha ka pretenduar se qeveria e diskriminon atë me masat e rrepta kundër koronavirusit. Kështu priftërinjtë janë thirrur për t‘u marrë në pyetje, ndër ta edhe vetë Amfilohije.

Pyetja e të gjitha pyetjeve, që shtrohen tani, është: a do të vazhdojnë liturgjitë e protestës kundër ligjit, të cilat u ndërprenë nga koronavirusi? Edhe pse zyrtarisht e ndaluar, ithtarët e kishës ortodokse serbe ditët e fundit janë mbledhur në disa qytete duke thirrur: „Nuk i japim vendet e shenjta”, që është slogani i luftës kundër ligjit për të cilin debatohet. Kisha ortodokse serbe njofton vazhdimin e liturgjive pas epidemisë, por autoritetet shëndetësore kanë porositur qartë, se grumbullimet publike në Mal të Zi do jenë të ndaluara për një kohë të gjatë për shkak të frikës nga rishfaqja e virusit. Që tani këtu priten tensione të reja.

Sekuloviç thotë, se është e vështirë të vlerësojë, nëse qeveria do të vazhdojë ndalimin e grumbullimeve. „Ka mundësi që shteti të këmbëngulë në këtë, sepse do të përpiqet të tregojë forcë dhe vendosmëri. Por nga ana tjetër qeveria do të shpallë zgjedhjet deri në tetor dhe është e vështirë që ato të imagjinohen pa tubime masive. Nëse së shpejti nuk do të ketë një dialog serioz – mund të thuash – se një numër i madh i qytetarëve do të përfundojnë në paraburgim për shkak të këtyre grumbullimeve, gjë që është absurde”, mendon Sekuloviç.

Zhugiç thotë se nga ana tjetër kur shikon veprimtarinë politike të qeverisë dhe pjesës më të madhe të opozitës, situata pas miratimit të ligjit për lirinë fetare e ka kthyer Malin e Zi me të vërtetë në periudhën e para referendumit.

„Freedom House” e klasifikoi së fundmi Malin e Zi në grupin e „regjimeve hibride”, ku ishte vendosur për herë të fundit në vitin 2003. Dhe kjo nuk ka mundur të befasojë askënd, sepse prej vitesh biem në vlerësimet e të gjitha raporteve relevante”, thotë Zhugiç.

Fillimi i fushatës zgjedhore

Ndërkohë tensionet janë ndezur edhe në parlament, ku Mandiç paralajmëroi se „nëse Joanikije mbetet në burg, qeveria të përgatisë lirisht uniformat”. Ai edhe në fund të vitit që shkoi, kur u miratua ligi i diskutueshëm, u bëri thirrje „shokëve në luftë” dhe kërcënoi me „nxjerrjen e armëve të fshehura”. Për këtë nuk u procesua kundër tij, ndërsa tani qeveria e egërsuar arrestoi përkrahësit e opozitës dhe të kishës ortodokse serbe, edhe për komentet dashamirëse në Facebook.

Zhugiç mendon se të gjitha këto zhvillime mund të interpretohen edhe në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. „Fronti Demokratik dhe Mandiçi luftojnë për t‘i marrë nga dora Amfilohijes bajrakun për ‘mbrojtjen e vendeve të shenjta’ dhe udhëheqësinë në elektoratin proserb. Duket sikur as Frontit Demokratik dhe as Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet nuk i pëlqen vazhdimi i liturgjive në mënyrën se si kanë qenë para pandemisë së koronavirusit. PDS-së për arsye se një pjesë e elektoratit të saj janë besimtarë të kishës ortodokse serbe, ndërsa DF nuk dëshiron, që në zgjedhje të varet nga Amfilohije, reputacioni dhe ndikimi i të cilit është rritur për shkak të rezistencës së papritur ‘ghandijeske’ ndaj vendimit të qeverisë për të miratuar dhe zbatuar ligjin për lirinë fetare. Tani FD e shtyn Amfilohijen në zjarr, ndërsa PDS i hedh benzinë”, thotë Zhugiç.

Zgjedhjet si katalizator

Edhe Sekuloviç mendon se një pjesë e mirë e arsyeve për ngjarjet e fundit duhen kërkuar në zgjedhjet e ardhshme, sepse fushata tashmë ka filluar. Qeveria tani po përpiqet të përfitojë nga një luftë efektive kundër koronavirusit, ndërsa opozita po përpiqet të kthehet, se ka qenë në defensivë gjatë epidemisë. Qeveria po u thotë qytetarëve, se ata janë të vetmit që mund të ruajnë fitoret e arritura. Nga ana tjetër FD në opozitë po përpiqet të instalohet si mbrojtësi më i fortë i serbizmit në Mal të Zi”, shpjegon Sekuloviç.

Sa u përket shanseve në zgjedhjet e ardhshme, Sekuloviç i jep një përparësi të vogël partisë në pushtet. „Më duket se dinë çfarë duan, platforma e tyre është mjaft e qartë, dhe veprojnë kompaktë. Nga ana tjetër opozita, si rezultat i grindjeve kronike dhe i diferencave ideologjike, deri tani nuk ka arritur ta artikulojë shumë mirë atë që dëshiron, mendon Sekuloviç dhe shton se kompromisi lidhur me ligjin, për të cilin debatohet, tani është më larg se dy muaj më parë. “Eshtë e mundur qe edhe te njëra edhe te tjera palë të dominojë vlerësimi se është më mirë të hyjmë në zgjedhje me një polaritet të fortë shoqëror, ku të gjithë duhet të rreshtohemi në një rrafsh simbolik”, mendon ai.

Edhe Zhugiç beson se një kompromis midis pushtetit dhe kishës ortodokse serbe është ndoshta i pamundur tani në prag të zgjedhjeve: “Shpresoj se kjo të mos përfundojë si disa situata të mëparshme me protestat në Mal të Zi, qoftë të udhëhequr nga FD apo nga Amfilohije.” (dw)

Mali i Zi liron priftërinjtë e Kishës Ortodokse Serbe pas rritjes së tensioneve

lirimi i prifterinjveNjë prokuror i Malit të Zi, ka liruar nga mbajtja nëntë priftërinjë të Kishës Ortodokse Serbe, ndalimi i të cilëve nxiti tensione diplomatike mes Serbisë dhe Malit të Zi, si dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Tetë priftërinj në Mal të Zi u ndaluan nga policia për shkeljen e urdhrave të shëndetit publik, pasi drejtuan një liturgji të paligjshme, nëpër rrugët e qytetit Nikshiq, më 12 maj.

Mijëra besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, injoruan masën e ndalimit të tubimeve publike të cilën qeveria e ka vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe morën pjesë në një liturgji fetare.

Tetë priftërinjtë dhe një peshkop u liruan pas 72 orë mbajtje në pritje të gjykimit të tyre.

Ndalimi i tyre ka shkaktuar protesta për disa ditë me radhë në Nikshiq dhe Plevle, ku mbetën të lënduar disa zyrtarë policorë dhe u arrestuan dhjetëra protestues.

Arrestimet pasojnë tensionet e vazhdueshme midis autoriteteve pro-perëndimore të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Në fillim të këtij viti, Kisha Ortodokse Serbe zhvilloi për disa javë protesta në Mal të Zi kundër një ligji për Liritë Fetare.

Kisha Ortodokse serbe – e cila dominon për kohë të gjatë jetën fetare në Mal të Zi – pretendon se ligji do t’i marrë asaj pronën, duke përfshirë manastiret dhe kishat.

rel

Gjermania hap kufijtë me disa vende fqinje

polizeiNdalesat për udhëtime të paarsyetuara nga vendet e treta, ku hyn edhe Ballkani Perëndimor, zgjaten deri më 15 qershor.

Gjermania ka vendosur të hapë gradualisht kufijtë me disa nga vendet fqinje. Me Luksemburgun kufiri do të hapet qysh të shtunën, po ashtu pritet që së shpejti të ketë heqje të kontrolleve kufitare edhe me Danimarkën. Këtë dhe lehtësime të tjera e bëri të ditur ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, të mërkurën, në Berlin, në një konferencë shtypi, pas mbledhjes  se kabinetit te kancelares Angela Merkel. Për vendet e treta, ku hyn edhe Ballkani Perendimor, qeveria gjermane vendosi t’i bashkohet këshillës së ardhur po të mërkurën nga Brukseli për zgjatjen e ndalimeve deri më 15 qershor.

Hapje graduale me fqinjët 

Duke filluar që nga dita e shtunë kontrollet në kufi me Austrinë, Zvicrën dhe Francën nuk do të jenë më sistematike, por vetëm rastësore, tha ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer. Ndërsa në kufirin me Luksemburgun nuk do të ketë më kontroll, po ashtu heqja e kontrolleve pritet të ndodhë edhe edhe Danimarkën. „Për këtë jemi duke biseduar me qeverinë daneze“, tha ministri gjerman.

Meqenëse rregullorja e karantinës për njerëzit që vijnë nga jashtë është kompetencë e landeve federale, Seehofer, si ministër i mbarë Gjermanisë mund të japë vetëm  udhëzime: Dhe ai sugjeron që rregulli i karantinës dyjavore, siç është deri tani, të hiqet për shtetas që vijnë nga vendet fqinjë. Sipas ministrit gjerman, Gjermania synon të hapë kufijtë gradualisht edhe me vendet e tjera, si fqinje në lindje si Polonia dhe Çekia, por për këtë ende nuk ka një dakordësim.

Mbeten të mbyllura kufijtë me Italinë e Spanjën

Sipas Seehoferit, të mbyllura do të mbeten  udhëtimet  nga Italia dhe Spanja, ku ende niveli i  infeksioneve është i lartë. Për momentin nuk mund të mbajmë përgjegjësi për hapjen e kufijve me këto vende, tha ministri gjerman i Punëve të Brendshme. Horst Seehofer tha më tej se vendimi për hapjen e kufirit me këto vende do të bëhet në marrëveshje me Austrinë, Zvicrën dhe Francën, të cilat janë fqinje me to.

Hapja e sinjalizua nga Gjermania është e lidhur me një kusht: Që niveli i infeksioneve të jetë i njëjtë në të dyja anët e kufirit, dhe të mos ketë rritje. Si shifër orientuese Seehofer tha se vlen e njëjta që ka caktuar qeveria gjermane për zbutjen e masave parandaluese në Gjermani. Kjo do të thotë që numri i infeksioneve të reja mos jetë më i lartë se 50 në 100 000 banorë brenda një jave.

Komisioni i BE-se me propozim per turizmin

Vetëm disa minuta pasi ministri i brendshëm i Gjermanisë Horst Seehofer kishte bërë të njohur në Berlin se do të niste hapjen graduale të kontrolleve kufitare, në  Bruksel, doli edhe komisioni i BE-së me propozime të ngjashme. Komisioneri i tregut të brendshëm, Thiery Breton, tha se “izolimi i shteteve nuk është më mjeti përshtatshëm kundër pandemisë”.

Sipas tij komisioni propozon hapjen hap pas hapi të kufijve, në ato vende ku pandemia është në të njëjtin nivel nga të dyja anët e kufirit. Kusht është që ato të kenë mjaft kapacitete për të testuar, të kenë shtretër në stacionet intensive dhe të dihet se nga kalojnë zinxhirët e infeksionit.

Ndërsa për zonën Schengen, komisioni këshillon një hapje graduale, përsa e lejon niveli i përhapjes së pandemisë, për vendet e treta, ku hyjnë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, SHBA-të, Rusia, Kina, etj. Komisioni këshillon që masat aktuale të mbeten në fuqi deri më 15 qershor.

Përpjekje për të shpëtuar turizmin

Më pare edhe Austria kishte paralajmëruar se do të hapte kufirin me Gjermaninë pas datës 15 qershor, dhe se po ashtu planifikonte hapje me vende të tjera fqinje, si Zvicrën, Liechtenstein dhe disa vende fqinje në Lindje të saj.

Për shumë vende, ndër ta Austria, hapje e kufirit me Gjermaninë do të sillte edhe një fare shprese për degën e turizmit, për të cilin pushuesit gjermanë luajnë një rol shumë të madh. Në vitin 2019 në sezonin veror (maj deri në tetor) ata përbënin 37,4 përqind të të ardhurave prej gjithsej 79 milionë euro.

Që jo vetëm të ardhurat, por edhe pushimet nuk do të jenë si një vit më parë, këtë e dine vendimmarrësit si nëpër vendet e BE-së ashtu edhe në Bruksel. “Kjo verë natyrisht nuk është një verë normale”, pat thënë edhe nënkryetarja e Komisionit të BE-së, Margrethe Vestager, e cila prezantoi në Bruksel direktivat e turizmit, së bashku me Komisionerin e tregut të brendshëm, Breton.

Sipas tyre udhëtarët dhe punëmarrësit në restorante dhe hotele duhet të ndjehen të sigurt. Prandaj Komisioni propozon që të hartojë rregullore për pastrimin e dhomave, për ruajtjen e distancës ndërmjet tavolinave gjatë ngrënies, ose nëpër pishina dhe plazhe, si edhe për transportin e udhëtarëve me autobusë, taksi ose aeroplanë.

dw

Samiti BE- Ballkani Perëndimor: Në harmoni, por jo shumë konkret

Samiti BallkanitBE-ja ndihmon Ballkanin Perëndimor për të dalë nga kriza e koronës dhe rinovon premtimin për pranim. Një tjetër hap i vogël drejt anëtarësimit. Bernd Riegert nga Brukseli.

“Samiti i Zagrebit” – ky mbishkrim në posterin pas presidentit të radhës së Këshillit të BE-së, kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviç, dukej paksa provokues, paçka se ai ishte pjesëmarrësi i vetëm ne Zagreb, i takimit virtual. Dukej pak i humbur, ashtu i ulur në sallën e konferencave të Bibliotekës Kombëtare, anës një tryeze të madhe, të ndërtuar për 27 krerë vendesh. Përballë kishte vetëm një mur me kuadrot e vegjël të pjesëmarrësve nga tavolinat e shtëpive të tyre. “Është për të ardhur keq që nuk mund të takohemi fizikisht,” tha Plenkoviç.

Presidenca Kroate kishte vendosur ta bënte këtë samit të 27 vendeve të BE-së me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor pikën kulminante të gjashtëmujorit të saj në krye të BE-së. Andrej Plenkoviç, vendi i të cilit iu bashkua BE-së në vitin 2013 si anëtarja më e re, ishte veçanërisht i preokupuar për samitin me vendet fqinje me Kroacinë. Njëzet vjet më parë, kryeministri i sotëm, asokohe diplomat i ri, pat marrë pjesë në samitin e parë të atëherë 15 vendeve anëtare të BE-së me republikat e dala nga Jugosllavia.

Sinjal ndaj Ballkanit Perëndimor

Pandemia e koronës i kishte prishur planet për një samit mahnitës në Zagreb, por mesazhi politik duhej të mbetej i njëjti. “Ballkani Perëndimor mbetet një përparësi kryesore për BE-në”, kishte thënë më parë për Deutsche Welle-n, komisioneri i zgjerimit të BE-së, Oliver Varhelyi. Sipas diplomatëve të BE-së, fakti që pjesëmarrësve iu deshën tre orë për të mbajtur fjalimet e tyre të shkurtra nga ana e tij ishte një sukses në kohën e trazuar të Koronës.

27 krerët e shteteve dhe qeverive e ritheksuan zotimin e tyre që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova) kanë një “perspektivë evropiane”. Sipas Komisionarit për Zgjerim, Varhelyi, kjo nuk është asgjë tjetër, veç perspektivës së anëtarësimit të plotë. Në këtë samit, megjithatë, nuk u përmend asnjëherë se kur do të vijë ai moment që të flitet për anëtarësime të reja.

Asnjë vendim i ri

Bisedimet me Serbinë dhe Malin e Zi kanë tetë, përkatësisht gjashtë vjet që kanë nisur dhe së shpejti pritet të fillojnë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi të jetë reformuar procesi i negociatave, nën presionin francez. Kosova dhe Bosnja-Hercegovina kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë derisa të fillojnë negociatat e pranimit. Së pari duhet të arrihet një marrëveshje për statusin e Kosovës, e cila nuk njihet nga Serbia, por edhe nga pesë vende të BE-së. “Unë personalisht besoj se Bosnja dhe Hercegovina tani meriton të njihet si kandidate zyrtare për anëtarësim”, tha kryeministri Plenkovic, duke i dhënë shpresë shtetit fqinj. Por pa dhënë një datë konkrete. Sepse deri në qershor apo tetor, nuk ka ende një agjendë.

Pas samitit, Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e bëri të qartë edhe një herë se vetë aplikantët mund të ndikonin në përshpejtimin e negociatave. Kjo është nxitja që mundëson metodologjia e re e negociatave. “Sa më shpejt që të zbatohen reformat e premtuara, aq më shpejt mund të hapim kapitujt e negociatave. Ndërkohë edhe disa kapituj në të njëjtën kohë, kjo është e re,” tha von der Leyen. Një tjetër risi është se negociatat mund të prishen më shpejt se më parë, nëse një kandidat humbet zellin e tij për reforma.

Ndihmat për kapërcimin e pandemisë 

BE premtoi 3.3 miliardë euro ndihmë financiare për Ballkanin Perëndimor për të kapërcyer dëmet e shkaktuara nga pandemia e virusit korona. Për Ballkanin Perëndimor, Unioni ndien “një përgjegjësi të veçantë, veçanërisht në lidhje me virusin e koronës”, tha Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen. Sipas kreut të administratës së BE-së, të gjashtë shtetet do të marrin nga BE-ja më shumë ndihmë se çdo grup tjetër shtetesh. BE-ja gjithashtu u zotua në deklaratën e saj përfundimtare të nisë një plan të gjerë investimesh për rajonin. Por ky plan ishte caktuar qysh para pandemisë.

“Shumë mirënjohje”

Në fillim të krizës së Koronas, Presidenti serb, Aleksandar Vuçic, pat shprehur dyshime se ekzistonte solidaritet evropian, duke e quajtur atë një iluzion. Kur erdhën ndihmat e para nga Kina, ai në mënyrë demonstrative puthi flamurin kinez. Nga qarqe diplomatike thuhet se disa vende kanë kërkuar më shumë mirënjohje nga Ballkani Perëndimor për dhurimet e bëra nga BE-ja, por Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, nuk dëshiroi të komentonte një pyetje të DW-së në konferencën virtuale për media, që zhvilloi ai pas samitit. “Nuk mund të flas për krerët e qeverive të tjera, por është shumë e qartë se të gjashtë vendet po synojnë BE-në. Ky është qëllimi i tyre përfundimtar”, tha Plenkoviç. Ky samit ndihmoi drejt këtij synimi. “Ka shumë mirënjohje në kryeqytetet e rajonit për atë që po bën BE-ja. Dhe, nëse i shikoni vendet, ato janë të rrethuara nga BE-ja dhe nuk mund të shkojnë askund të tjetër“.

Në deklaratën e samitit, vendet e BE-së nxisin Ballkanin Perëndimor t’i përmbahet parimeve të politikës së jashtme të Unionit. Bëhet fjalë për të mos lejuar ndikimin e tepërt nga Kina, Rusia apo SHBA në Ballkan.

Kroacia, si organizatore, rekomandoi që samitet e Ballkanit Perëndimor të mbahen rregullisht çdo dy vjet. Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit, shprehu keqardhjen që nuk mund të udhëtonte për në Zagreb, por i premtoi Kryeministrit Plenkoviç se do të pasonte edhe një takim fizik. Disi. Dikur, pas Koronës.

dw

Oliver Varhelyi: Ballkani Perëndimor ka prioritet për BE

Oliver VarhelyeNë samitin virtual të BE me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën do duhet të dërgohet një sinjal i qartë: BE kërkon të investojë në mënyrë strategjike megjithë krizën e Coronës, thotë Oliver Varhelyi për DW.

Deutsche Welle: Në samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të flitet konkretisht për zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit. Përse do të flitet atëherë në këtë samit?

Oliver Varhelyi: Samiti trajton të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ju e dini, që Ballkani është një rajon me diversitet. Kemi dy shtete, me të cilat ne negociojmë për anëtarësimin. Po ashtu kemi dy shtete, me të cilat kemi vendosur të fillojmë negociatat. Kemi edhe dy shtete të tjera, që as nuk janë kandidatë. Zgjerimi pra është vetëm një element. Natyrisht që do të jetë temë. Bëhet fjalë për perspektivën europiane, që është një fjalë tjetër për zgjerimin. Por edhe për vendime strategjike, që duhet të marrim për Ballkanin Perëndimor.

Si po e ndryshon pandemia e Coronës strategjinë dhe politikën në drejtim të Ballkanit?

Besoj, se pandemia e ka përforcuar angazhimin tonë për Ballkanin Perëndimor. Nëse shikoni, se çfarë po bëjmë aty, e kuptoni që kemi nisur ndihmë konkrete në të gjashtë shtetet. Kemi kërkuar që nga dita e parë kontakt për të ndihmuar në këtë krizë. Elementi i dytë i rëndësishëm është natyrisht nevoja që të investojmë në rajon në mënyrë strategjike. Kjo vlen si për politikën edhe për ekonominë. Nga ana ekonomike ne mundemi e duhet të bëjmë më shumë. Shpresoj, që në këtë drejtim nga samiti mundësisht të vijnë mesazhe të qarta të krerëve të shteteve e qeverive.

Mali i Zi dhe Serbia janë dy shtete që kanë ecur më shumë në rrugën e anëtarësimit, megjithëse presidenti serb, Aleksandar Vucic së fundmi është ankuar, se BE e ka lënë vetëm atë në kohën e pandemisë. Ai thotë, se nuk ka solidaritet europian. Çfarë thoni ju për këtë. Tenton ai më shumë në drejtim të Kinës apo SHBA-së?

Epo këtë e dëgjoj herë pas here. Por nëse lexon, se çfarë ka thënë presidenti Vucic në javët e kaluara, atëherë e sheh, që tani ai është mirënjohës për solidaritetin tonë, të cilin e ka marrë nga Europa. Në këtë pikë mesazhet e tij ishin të qarta. Ajo që kemi ofruar ne është bërë me mend. Ndihmën e vërtetë e sheh në terren. Por kjo është tani pas nesh. Ndihma është ndihmë, nëse vjen nga ne apo të tjerët. Nëse ne mund të ndihmojmë, duhet ta bëjmë këtë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin hapjen e negociatave. Franca kërkoi më parë një rishikim të procesit të anëtarësimit dhe iu dha. Tani kërcënon Bullgaria me veto për negociatat me Maqedoninë e Veriut. A është BE gati për negociata serioze për anëtarësimin?

Po, mendoj se po. BE është gati. Në mars pati një përkushtim të qartë, kur të gjithë miratuan fillimin e negociatave. Jam shumë optimist, se do ta bëjmë këtë. Mendoj, se këto gjëra janë pjesë e kulturës europiane të negociimit, që herë pas here ka si hapa mbrapa edhe progres. Por në fund vlen rezultati. Nëse i shikoni arritjet e këtij Komisioni Europian, atëherë do të dalloni, që ne e kemi vënë Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin sërish në axhendën e ditës. Krerët në BE do të merren me këtë, madje në mesin e krizës së Coronës. Mendoj, se ky është një konfirmim i qartë nga ana e BE.

A keni një datë konkrete për fillimin e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kur do të filloni?

Më kuptoni, me krizën e Coronës në rend të ditës është shumë e vështirë që t‘iu japim tani një datë. Por mund t’iu siguroj, se ne nga ana jonë punojmë fort, shumë fort që të përgatisim raportin vjetor të zgjerimit. Aty ne do të bëjmë një propozim për kuadër konkret të negociatave. Ky është hapi i parë drejt negociatave të vërteta. Komisioni Europian nuk humbet kohë, për të çuar përpara sa më shpejt të jetë e mundur procesin.

Kosova dhe Bosnje-Hercegovina janë larg fillimit të negociatave. Kur do të marrë një zgjidhje konflikti mes Kosovës dhe Serbisë për kufijtë dhe shtetin? A shikoni ndonjë shans këtu?

Besoj, se do të kemi një mundësi pas zgjedhjeve në Serbi (21.qershor 2020, shën.red.). Shpresoj që pastaj të fillojmë shumë shpejt të punojmë për një zgjidhje. Kam parë sinjale shumë pozitive në lidhje me virusin Corona. „Korsitë e gjelbra” që u ngritën në të gjithë unionin për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kamionëve të transportit janë ngritur po ashtu edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky është një sinjal pozitiv shumë premtues, kur të bëhet fjalë që të zgjidhim edhe problemet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

SHBA negociuan një ujdi mes Kosovës dhe Serbisë, që sërish ka dështuar në Kosovë. A është SHBA konkurrencë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

Shikoni këtu nuk bëhet fjalë për një garë. Ky problem është shumë më i rëndësishëm, se pyetja, se kush do të marrë kurorën e dafinave në fund me suksesin e negociimit. E rëndësishme është që të kemi një zgjidhje. Ne jemi partnerët strategjikë të SHBA në këtë rajon dhe duhet të punojmë së bashku. Përsa i përket kontributit tim, jam më se i gatashëm që të luaj një rol këtu. Do të angazhohem as më shumë të jetë e mundur.

Çfarë perspektive shikoni për Bosnje-Hercegovinën? Kur vjen puna tek zgjerimi a nuk po bën ky vend hapa mbrapa?

Jo, nuk mendoj kështu. Qeveria e re ka marrë vendime serioze, që me ardhjen e saj. Para disa ditësh qeveria ia ka dalë, të bjerë në ujdi për 14 detyra prioritare, që duhet të përmbushen, para se Bosnja të jetë një vend kandidat. Ne kishim ofruar një listë me 14 kërkesa, që duhen plotësuar në rrugën e anëtarësimit, kemi miratuar edhe një plan kohor. Kjo më jep shpresë, që po ecet përpara dhe se me qeverinë ne Bosnje-Hercegovinë shpejt do të futem në bisedime.

Kroacia si presidente e radhës në BE duhet të jetë e zhgënjyer, që tani nuk do të ketë një samit pompoz në Zagreb, por vetëm një takim përmes videokonferencës. A do duhet të përsëritet ky samit në një takim të vërtetë?

E rëndësishme tani është që krerët e shteteve dhe qeverive kanë vendosur të mbajnë takimin, megjithë situatën, edhe pse është një takim virtual. Ky është një sinjal për të gjithë, jo vetëm për rajonin, që ne e kemi vërtet seriozisht, kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor. Ne e shohim atë si një prioritet europian. Natyrisht, do të ishte shumë e rëndësishme të ulemi në një tavolinë, nëse flasim për planin për investime ekonomike pas krizës. Shpresoj që këtë ta bëjmë së shpejti.

 

 

Bisedën e zhvilloi Bernd Riegert.

Oliver Varhelyi (48) është komisioner i Bashkimit Europian për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë. Diplomati hungarez ka qenë më parë përfaqësues i përhershëm i Hungarisë për Bashkimin Europian në Bruksel. Varhelyi ka qenë pjesëmarrës në negociatat për anëtarësimin e Hungarisë në BE në vitin 2004.

Samit virtual mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Flamujt BallkanSamiti BE-Ballkani Perëndimor i parashikuar të mbahej në Zagreb do të zhvillohet më 6 maj 2020 në formën e një videokonference për shkak të pandemisë COVID-19.

BE-ja është partneri më i rëndësishëm i rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe videokonferenca do të nënvizojë rëndësinë e marrëdhënieve unike BE-Ballkani Perëndimor. Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor janë të bashkuar në luftën kundër COVID-19. Samiti do të ofrojë një mundësi tjetër për të nxjerrë në pah solidaritetin dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë në këto kohë krize.

Partnerët në rajon kanë kontribuar për të ndihmuar shtetet anëtare të BE-së dhe Bashkimi Evropian vendosi më 29 prill të ofrojë së bashku me Bankën Evropiane të Investimeve një paketë me vlerë mbi 3.3 miliardë euro për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor për të përballuar krizën e koronavirusit. Kjo paketë synon të mbështesë masat shëndetësore urgjente si dhe të ndihmojë në rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike prej vështirësive të shkatuara si rezultat i pandemisë COVID-19.

Solidaritet dhe investime

Përveç kësaj mbështetjeje të përforcuar, Komisioni do të nënvizojë në takimin BE-Ballkani Perëndimor të 6 majit 2020 edhe parametrat e gjerë të mbështetjes afatgjatë që do të prezantohen në vijim të këtij viti në formën e një Plani Ekonomik dhe Investimesh për rajonin.

Sikurse ka deklaruar Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, BE-ja ka “një përgjegjësi të veçantë për të ndihmuar në këtë pandemi partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, pasi e ardhmja e tyre është qartësisht në Bashkimin Evropian.

BE po mobilizon një paketë të konsiderueshme financiare, duke konfirmuar solidaritetin e fortë. Sipas von der Leyen, së bashku do ta kapërcejmë këtë krizë dhe do të shërohemi. Dhe përtej kësaj ne do të vazhdojmë të mbështesim rajonin, përfshirë reformat e nevojshme në rrugën e tyre në BE, pasi rimëkëmbja do të funksionojë në mënyrë efektive vetëm, nëse vendet vazhdojnë të kryejnë angazhimet e tyre.

Fazë e re bashkëpunimi

Pjesëmarrësit në takim do të shkëmbejnë mendime mbi fazën e re të bashkëpunimit të ngushtë për të trajtuar ndikimin e fuqishëm socio-ekonomik të krizës së COVID-19, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, si dhe mënyrën e menaxhimit më të mirë të sfidave të sigurisë.

Takimin do ta kryesojë Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Ai do të përfaqësojë BE-në së bashku me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në samitin BE-Ballkani Perëndimor do të marrin pjesë krerët e shteteve ose qeverive të vendeve anëtare të BE-së, udhëheqësit e gjashtë vendet partnere në Ballkanin Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Kosova.

Në takim do të marrin pjesë edhe Andrej Plenković, kryeministri i Kroacisë, i cili aktualisht mban presidencën e Këshillit, Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, David Sassoli, Presidenti i Parlamentit Evropian, si dhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të Bankës Botërore, Bankës Evropiane e Investimeve dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

dw

Banka Botërore: Ballkani rrezikon të bjerë në recesion

Banka BoteroreThe World Bank

Banka Botërore publikoi sot një raport periodik mbi Ballkanin Perëndimor, sipas të cilit, të gjashtë vendet e këtij rajoni pritet të bien në recesion këtë vit për shkak të pandemisë së COVID-19.

Parashikimi për Shqipërinë është se rritja ekonomike e saj mund të jetë nga – 5 në – 7 për qind. Në rastin e Shqipërisë, krahas pandemisë së marsit ka ndikuar ndjeshëm edhe tërmeti i nëntorit.

Banka Botërore parashikoi në raportin periodik se rritja ekonomike rajonale për Ballkanin Perëndimor mund të jetë nga – 3 deri – 5,6 për qind.

Nëse pandemia ngadalësohet dhe masat kufizuese hiqen në fund të qershorit, ekonomia mund ta marrë veten gjysmën e dytë të vitit.

Por nëse pandemia zgjat dhe e shtyn heqjen e masave kufizuese deri në fund të gushtit, atëherë rimëkëmbja e ekonomisë do të shihet në tremujorin e fundit të këtij viti.

Në të gjithë rajonin gjatë pandemisë ka rënë kërkesa e brendshme dhe e jashtme, duke dëmtuar prodhimin dhe investimet, ndërsa kufizimi i udhëtimeve dhe takimeve mes njerëzve ndikuan mbi turizmin dhe shërbimet.

Raporti nënvizon se rececioni i Ballkanit do të varet nga shkalla e recesionit të Europës.

Në rastin e Shqipërisë theksohet se tërmeti i nëntorit dhe pandemia aktuale ishin dy goditje të njëpasnjëshme me pasoja shkatërruese, që kanë ngrirë një pjesë të madhe të ekonomisë.

Recesioni dhe masat mbështetëse ekonomike parashikohet të zgjerojnë deficitin fiskal dhe të rritin borxhin e qeverisë deri në 75.8 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Shqipëria hyri në periudhën e krizës me pak hapësirë për të vepruar me politika fiskale dhe monetare. Borxhi publik në fund të 2019-s arriti në 68 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, është ende i lartë. Po ashtu të larta janë dhe detyrimet potenciale dhe rreziqet fiskale nga partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore të energjisë” – thuhet në raport.

Edhe nëse veprimtaria ekonomike mund të rinisë në fillim të verës, rritja vjetore e ekonomisë së Shqipërisë sërish do të jetë me -5 për qind.

Banka Botërore thotë se kriza aktuale shëndetësore ka zbehur ndjeshëm perspektivën e rritjes ekonomike të Shqipërisë.

Ekonomia mund të ndikohet prej ndërprerjeve në zinxhirin global të furnizimit si dhe pakësimit të vendeve të reja të punës për shkak të karantinës dhe distancimit social.

Një tjetër efekt negativ mund të jetë ulja e fitimeve nga puna e punëtorëve, veçanërisht në sektorët më të prekur, si turizmi dhe hoteleria, prodhimi dhe tregtia e artikujve jo jetik.

Ndërprerjet e tregtisë dhe ngurrimi i investitorëve të huaj ndaj rrezikut pritet ta shtojnë presionin ndaj Shqipërisë.

Ajo ka lidhje të ngushta me ekonominë e Italisë, vendi më i prekur në BE. Shqipëria nis drejt Italisë afro gjysmën e eksporteve kombëtare dhe në tërësi ka me vendet e BE-së rreth 95 për qind të eksporteve.

Kështu që, me përhapjen e recesionit në të gjithë BE-në, pritet që goditjet e jashtme ndaj Shqipërisë të jenë më të larta.

voa

Palmer: SHBA pranë Ballkanit edhe në kohërat e pandemisë

PalmerZv.Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, ka komentuar për situatën në Ballkanin Perëndimor ndërsa rajoni po përballet me pandeminë e koronavirusit. Në një intervistë me gazetaren Helena Djordjevic të shërbimit serb të Zërit të Amerikës, zoti Palmer nuk pranoi të komentojë për letrën që dy ligjvënës amerikanë i drejtuan Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ku shprehën shqetësimin e tyre mbi përqasjen e administratës së Presidentit Donald Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë. Zoti Palmer theksoi se Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi kryesor jo vetëm drejtëpërsëdrejti në vendet individuale të Ballkanit Perëndimor, por edhe në organizatat ndërkombëtare që e kanalizojnë asistencën e tyre drejt rajonit.

Gjatë intervistës, zoti Palmer e vuri theksin tek ndihma e Shteteve të Bashkuara prej miliarda dollarësh për rajonin e Ballkanit gjatë 20 viteve të fundit.

Mendoj se është e vërtetë për të gjithë rajonin dhe madje në pjesën më të madhe të botës: Nevojat më urgjente janë për aftësitë për të bërë testime, për paisjet mbrojtëse personale, dhe kapacitetet e kompanive dhe ekipeve të emergjencave për të patur mundësinë t’ua ofrojnë ndihmën atyre që e kanë të nevojshme. Më gjerësisht mendoj se po vihen në pah përpjekjet dhe energjitë që kanë shpenzuar Shtetet e Bashkuara… në mbarë rajonin e Ballkanit, për ndërtimin e institucioneve në mbi 20 vjet. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësinë t’i përgjigjen fuqishëm rrezikut që paraqet sfida e koronavirusit për shkak të përpjekjeve që Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë bërë për të ndihmuar në zhvillimin e këtyre kapaciteteve“, tha ai.

I pyetur për ndihmat ruse dhe kineze, të cilat këto vende i shfrytëzojnë si propagandë, zoti Palmer tha se kjo nuk është një konkurrencë dhe se Shtetet e Bashkuara janë kontribuesit kryesorë të organizatave ndërkombëtare që nga ana e tyre ndihmojnë vendet e ndryshme në rajon.

Ky nuk është një konkurim. Nëse ka gjëra për të cilat Rusia dhe Kina mund të ndihmojnë Serbinë, apo vende të tjera në Ballkanin Perëndimor, mendoj se kjo është fantastike. Është shumë mirë edhe që Bashkimi Evropian po kontribuon me asistencë të konsiderueshme për Ballkanin Perëndimor. Mendoj se është shumë mirë edhe që Shtetet e Bashkuara po i përgjigjen sfidës. Po përgjigjemi në rrugë dypalëshe, duke dhënë asistencë drejtpërsëdrejti vendeve individuale të Ballkanit Perëndimor. Po shtojmë edhe përpjekjen tonë përmes institucioneve dhe forumeve ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh për aktorët relevantë ndërkombëtarë, për Kombet e Bashkuara, për Bankën Botërore, për Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh në këto institucione dhe ne po kanalizojmë asistencën përmes tyre drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i ndihmuar që të plotësojnë nevojat e tyre“, tha zoti Palmer.

Zv.Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit foli edhe për situatën në marrëdhënien Kosovë – Serbi gjatë kësaj periudhe pandemie botërore.

Mendoj se në të vërtetë bashkëpunimi midis Serbisë dhe Kosovës për çështjen e koronavirusit është mjaft prekës. Është një nga ato pak lajme të mira, pozitive, që kanë dalë nga e gjithë kjo (situatë). Ka rritje të tregtisë. Ka bashkëpunim për sa i përket kujdesit mjekësor. Kosova dhe Serbia, mendoj se kanë nënshkruar të dyja iniciativën e ‘Korsive të Gjelbra’. Në fakt mendoj se të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor tani marrin pjesë në këtë iniciativë, e cila është krijuar për të lehtësuar, përshpejtuar fluksin e ushqimeve dhe ilaçeve në këtë periudhë krize. Kështu që është inkurajuese të shohësh që Serbia dhe Kosova gjejnë pika të përbashkëta dhe punojnë së bashku për të trajtuar këtë sfidë të përbashkët“, tha zoti Palmer.

Më konkretisht për asistencën për Shqipërinë dhe Kosovën, zoti Palmer rikonfirmoi angazhimin amerikan edhe në këto kohëra të vështira.

Para së gjithash, është ndihma financiare që po shkon direkt në vendet në fjalë. Këto fonde shkojnë për të blerë komplete testesh, pajisje mbrojtëse personale, reagentë që janë kimikatet e domosdoshme për të kryer testimin, pajisje dhe komplete dezinfektimi në mënyrë që objektet publike të mund të mbahen të sigurta. Ekziston edhe asistenca që ne do të vazhdojmë të japim në të dy vendet në forcimin e aftësive institucionale. Është shumë e rëndësishme që qeveria të jetë e aftë dhe në përgjigje të nevojave të qytetarëve, dhe kjo kërkon zhvillim institucional. Kjo është diçka për të cilën Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë ndër vite. Pra, përkrahja e mediave të pavarura dhe lirisë së medias, për shembull është pjesë e punës për t’u siguruar që qeveria të jetë e përgjegjshme dhe të japë zgjidhje. Mbështetja e një gjyqësori të pavarur siguron që qytetarët të kenë qasje në institucione që janë të konceptuara për të kufizuar, kanalizuar dhe përqëndruar veprimet e qeverisë. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në Kosovë, Shqipëri dhe gjetkë në rajon për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt kërcënimit mjekësor nga virusi dhe mundësimin e strukturave institucionale që bëjnë të mundur që qeveritë të jenë efektive dhe të përgjegjshme ndërsa përballen me këtë sfidë“, tha zoti Palmer.

Serbia konfirmon rastin e parë me koronavirus

KoronaMinistria serbe Shëndetësisë, konfirmoi të premten rastin e parë me koronavirus.

Ministri i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, tha se bëhet fjalë për një 43 vjeçar nga Subotica, një qytet në veri të krahinës së Vojvodinës, i cili kishte vizituar së fundmi disa herë Budapestin.

Ai tha se pacienti është vënë në karantinë në një spital të Suboticës meqë pas kontrolleve dhe analizave doli se ishte prekur nga koronavirusi,

“Analizat po u bëhen po ashtu edhe të gjithë personave me të cilët ishte në kontakt”, tha ministri serb.

Virusi është shtrirë në 90 vende të botës, përfshirë edhe Holandën e Kamerunin, që raportuan rastet e para të premten.

Në rajonin e Evropës Juglindore, Kroacia konfirmoi rastin e 11-të të premten. Bosnja ka raportuar dy raste, një burrë që punonte në Itali dhe fëmijën e tij.

Maqedonia e Veriut ka raportuar një rast, ndërsa deri tash, Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë raportuar asnjë rast me koronavirus.

Rumania ka raportuar shtatë raste të konfirmuara dhe sipas autoriteteve të atjeshme, pesë tashmë janë shëruar.

Serbia sfidon kërcënimin me sanksione amerikane për shkak të armëve ruse

arme ruseMinistri serb i Mbrojtjes, tha të premten se Serbia do të vazhdojë të blejë armë nga “shtetet mike” pavarësisht kërcënimeve me sanksione amerikane në rast se Beogradi vazhdon të pranojë dërgesa armësh nga Rusia.

“Serbia nuk është koloni” dhe do të vendosë vetë për “fuqizimin dhe pajisjen e forcave të saj të armatosura“, deklaroi ministri serb Aleksandër Vulin.

Zyrtarët amerikanë kanë folur hapur për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë në rast se Moska i shet më shumë armë, veçanërisht armatime që mund të rrezikojnë sigurinë e vendeve fqinje anëtare në NATO.

Serbia ka blerë së fundmi një sistem të sofistikuar kundërajror nga Rusia, e cila i ka siguruar vendit Ballkanik edhe avionë, helikopterë dhe mjete të blinduara.

Ministri Vulin, i cili njihet për qëndrimin e tij pro-rus, tha se dërgesat e fundit janë për qëllime mbrojtëse. Ai tha se nuk ka asnjë arsye për sanksione nga “çdo vend që respekton të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e Serbisë për të vendosur në mënyrë të pavarur” se si të armatoset.

Armatosja e Serbisë nga Rusia shihet me shqetësim nga Perëndimi, në një periudhë tensionesh në rritje në Ballkanin që u përfshi në luftërat shkatërruese në vitet 90-të. NATO ndërhyri kundër Serbisë në vitin 1999 për t’u dhënë fund mizorive ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, udhëheqja populiste e Serbisë ka forcuar më tej lidhjet e ngushta politike dhe ushtarake me aleaten sllave Rusinë, si dhe me Kinën.

Serbia është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të politikave të saj në Ukrainë.

((Materiali është mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press))